Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -






03
03.2009

Mbi librin e Arshi Pipës: “Montale dhe Dante”, botimet

:::ShkoderZemer
nga Milosao - Agron Y. Gashi - Mbi librin e Arshi Pipës: “Montale dhe Dante”, Arshi Pipa, poet dhe filozof, studiues dhe kritik i letërsisë, veprimtarinë e tij krijuese e zhvilloi rreth viteve në revistën Kritika, themelues dhe drejtues i së cilës ishte vetë. Shkrimet e tij kritike ishin më tepër të natyrës eseistike, qoftë kur shkruante për autorë të veçantë, qoftë kur shkruante për fenomene letrare në përgjithësi, po ashtu edhe kur sprovohej në teori kritike.


Që në shkrimet e para, Pipa provon t’i sheshojë disa nga çështjet e kritikës si kategori letrare, me theks të veçantë, të kritikës letrare shqipe. Kritikën e konceptonte si mision spiritual, e cila merr përmasat e një filozofie poetike, një filozofie të artit. Kështu, duke qenë sprovues i teorisë së kritikës, ai e përkufizon atë si në planin estetik, po ashtu edhe në atë historik, duke identifikuar nga kritika artistike, kritika e shkrimtarisë.
Në planin teorik, Pipa e konsideron kritikën si veprimtari logjike, duke vënë në qendër të saj intuitën, e cila e sjell lëndën e gjallë si rikrijim. Përkufizimi i tij vë në pah kritikën si rikrijim të një vepre artistike, si metaligjërim – ligjërim mbi ligjërimin. Pavarësisht premisat që dalin nga diskursi i tij teorik dhe eseistik, Pipa përherë synonte një kritikë të specializuar, e cila letërsinë do ta shihte si diferencia specifika.
Qysh në fille, përderisa shkruante dhe analizonte tekste të Nolit, Fishtës apo të Migjenit, vlerësimin e tij e karakterizon përqasja, duke vënë përherë përballë objektit të studimit një model tjetër letrar. Fundja, erudicioni i Pipës i takonte më shumë fushës së filozofisë, ndaj kriteret e vlerësimit kishin një bazë të fortë të dijeve teorike.
Montale përballë Dantes
Libri i Pipës, Montale dhe Dante, është studimi i parë i shkruar në gjuhën angleze dhe tani në shqipe për veprën e njërit ndër poetët më të mëdhenj italianë, njëkohësisht nobelistit të letërsisë, Euxhenio Montales.
“Profesor Pipa e fokuson studimin e tij në ndikimin që poezia e Dantes ka pasur për Montalen. Montale është quajtur “dantesk” nga disa kritikë, me përdorimin e shpeshtë të gjuhës danteske dhe për disa afri me poetin florentinas. Nga leximi i Montales, përmes lenteve të Dantes, siç e përshkruan ai metodën e tij, prof. Pipa zbulon se Dante ka qenë për Montalen, jo vetëm për një model letrar apo gjuhësor, por edhe një ideal politik për të”. Kështu e vlerëson studimin e Pipës shtypi i Universitetit të Minesotës, Mineopolis, më 1968.
Që në parathënien e këtij libri, Pipa konstaton se impakti i Montales ka qenë i fuqishëm. Gjurmë të ndikimit të tij mund të gjenden edhe jashtë Italisë. Në fakt, vepra në fjalë, siç thotë edhe vetë studiuesi, është një përpjekje për ta përcaktuar nivelin e ndikimit të Dantes te Montale, si dhe për të interpretuar poezinë e Montales me referencë Danten. Andaj, konkludimi se veprat komunikojnë ndërmjet vete, përherë vjen e bëhet më eksplikues në studimet tona letrare.
Struktura
Studimi në fjalë ka strukturë komplekse, por që i përgjigjet rendit shkollor, njëkohësisht natyrës së leximeve personale të Pipës dhe interpretimit shumëdimensional. Libri është i ndarë në shtatë kapituj, si: Leximi i Montales përmes lenteve të Dantes, Zbritja në ferr e Montales, Politikë dhe dashuri, Beteja me Krishtin, Një rast emulacioni, Apendiksi dhe Bibliografia. Titujt e kapitujve më tepër janë tituj poetikë, sesa kritikë, të cilët dëshmojnë për një proces të leximit selektiv. Brenda tyre shtrihen nëntitujt që i nënshtrohen një sistemi shqyrtimi e argumentimi, njëkohësisht që i përgjigjen teorisë kritike, konkretisht kritikës akademike. Pra, në këtë studim janë shtruar mirë që nga shënimet hyrëse, objekti dhe metoda e studimit, kërkimi dhe hetimi shumëdimensional, e deri te rishikimi i rezultateve të kërkimit, si rast emulacioni. Ndërsa në Apendiks, Pipa ka zgjedhur dhe përkthyer disa nga tekstet eseistike të Montales, përmes të cilave më mirë se kudo eksplorohet koncepti i tij për artin dhe kulturën në përgjithësi.
Objekti dhe metoda e studimit
Siç shihet për objekt të vetin studimor, Pipa ka një pjesë të krijimtarisë së Euxhenio Montales, e cila konoton në rrafshe të ndryshme më atë të Dantes, sidomos krijimet, si: Ossi, Occasioni, Bufera, Farfalla, duke ua vënë përballë Komedinë Hyjnore të Dantes. Çështja e ndikimit të Dantes mbi Montalen ishte hetuar edhe nga studiues të tjerë, gjë për të cilën na informon edhe Pipa përmes esesë metakritike për Montalen, në të cilën vërehen qartë shumësi elementesh linguistike të veprës së Dantes, të cilat janë mishëruar në strukturën e poezisë së Montales. Ndonëse, asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të gjallë të tij, Montale nuk e kishte pranuar një gjë të tillë: “Unë nuk shkrova me Komedinë hyjnore të hapur pranë meje”i kishte thënë një kritiku, përderisa ky i fundit ngulte këmbë për ndikimin që vërehej në mënyrë eksplicite.
Arshi Pipa, përmes studimit të tij provon interpretimin e dyfishtë; tekstin poetik të Montales e lexon përmes tekstit poetik të Dantes. Leximi dhe interpretimi i një teksti duke hetuar shenjat e një teksti tjetër brenda tij është shenjë e shkollës poststrukturaliste dhe semiotike, përfaqësuesit e së cilës besojnë se nuk ka ligjërim të virgjër (Barti). Në fakt, kjo na kthen te kritika e tekstit e shoqëruar nga metoda e analizës logjike me të dhëna gjuhësore, stilistike dhe semantike. Kësisoj, leximi i teksteve të Dantes siguron një shpjegim të argumentuar për poezinë e Montales: “Shpjegimi mund të mos jetë i kërkuar qëllimisht nga Montale”, thotë Pipa, për të vazhduar më tej: “Njëri tekst kërkon tjetrin me anë të rezonancës muzikore. Kjo ndodh, sepse Montale ka asimiluar Danten”. Nga këtu, analiza e tekstit përfarohet me metodën intertekstuale, si kërkim imanent i tekstit dhe si analizë logjike. Prandaj, edhe këtu provohet se si çështje parimore, nuk shtrohet puna e metodave të studimit të letërsisë, por çështja e metodave të letërsisë si mjet studimi (Ejhenbaum).
Alegoreza: Montale për Montalen
Kritika e Pipës përveç leximit, interpretimit letrar njeh edhe leximin referencial-kontekstual. Një kalim ky nga perifraza në alegorezë, sepse ofron të dhëna jashtëtekstore, të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë në krijimtarinë e Montales dhe, në përgjithësi, në letërsinë italiane. Kështu, figura e Montales shihet në kontekstin sociopolitik, duke vënë në pah edhe vlerat e letërsisë evropiane. Si për ta theksuar hapësirën empirike, alegorezën, sepse jemi akoma në hyrje të studimit dhe interpretimit letrar, Pipa shkruan: “...klima politike në Itali po ndryshonte më shpejtësi dhe një letërsi e re po lulëzonte që vinte theksin mbi çështjet politike dhe shoqërore. Montale nuk u angazhua si poetët të tjerë, ndonëse vargu i tij, pas një kredhje fillestare me realitetin e politikës prodhoi theksime të reja.” Gjithashtu, Pipa objektivon tekste të Montales, në të cilat më së miri sprovohet aventura danteske, që nga poezia, e deri te proza (tregimi) me shenja autobiografike, përmes së cilave modeli i jetës shihet me status ndërteksti, pavarësisht pse janë të përshkruar nga alta fantazia e tipit dantesk.
Kështu nga alegoreza, kalon në leximin e perifrazës. Zbulohet aluzioni i cili shkon krah për krah me alegorinë, një kurs ky i ndjekur nga autori empirik, te autori estetik.
Sipas Pipës, gjurmët e Dantes te Montale shprehen në formë të reminishencave të mjegullta. Analogjia ndërmjet figurave konceptuale të Dantes që janë të shënjuara në tekst dhe atyre të teksteve të Montales janë të hetuara nga Pipa, njëkohësisht ilustrohen me vargje, dëshmi kjo e kërkimit sistematik dhe argumentues. E argumentimi është njëra ndër veçoritë kryesore të kritikës letrare.
Kështu, Pipa heton gjurmët danteske që në poemën e hershme të titulluar Osi, Meriggiare Pallido e shkruar në vitin 1916. Idetë, struktura poetike, Pipa konstaton se janë të Dantes, duke iu referuar edhe studiuesve të tjerë të cilët më herët konkluduan se poema në fjalë është një shembull i imitimit të vazhdueshëm dhe të një autori tjetër, Paskalit.( Bunfiliali).
Hija e Dantes shfaqet kudo e ngado në veprën e Montales, këtë e dëshmon analiza krahasuese që u bëhet teksteve të Montales, madje deri te konstatimet për amëzën e frymëzimit nga poezia Ferri, e cila sipas tij siguron një shpjegim për poezinë e Montales, veçanërisht duke tërhequr vëmendjen në ndërlikimet politike të poemave. Sidoqoftë, konstantat në mes të krijimtarisë së dy poetëve shpesh janë të shoqëruara edhe me ndonjë divergjencë në konceptimin e shpagimit si formulim teologjik .
Alegoria dhe aluzion
Pipa si pikë të përbashkët në mes të Dantes dhe Montales gjen alegorinë. Sipas Pipës, alegorinë karakterizon forma mentis e Dantes. Në këtë mënyrë, teknikat e shkrimit të Montales, Pipa i sheh si varietete të alegorisë.
Analiza tekstuale tashmë vihet në kërkim të varianteve ekuivalente në mes të dy poetëve të mëdhenj. Leximi i aluzionit dhe i alegorisë është lexim i dy skajeve tematike: Politikë dhe Dashuri. Kështu, kërkimi dhe analiza e figurave të tekstit, në këtë rast aluzionit dhe alegorisë i vërteton tezat e kaluara se poezia e Montales është bazuar në kuptime të sugjeruara nga fjalë dhe fraza interesante. Në këtë kontekst, jepen shembuj të kodeve dhe figurave narrative, si: metonimisë dhe homonimisë. Përgjithësisht, si edhe në të tjera raste, Pipa kërkon figurat konceptuale si figura domethënëse, duke e nxjerr origjinën e tyre, si në rastin e poezisë së Montales, po ashtu edhe në atë të Dantes.
Kështu, përmes analizës së hollë figurative dhe njësive të vogla sintaksore (sintaksostilistika) zbulohen idetë estetike dhe politike të Montales, të cilat janë të koduara mirë brenda tekstit, të cilat funksionojnë si figura të mëdha letrare.
Kështu, figura poetike zbërthehet, dekodohet si në kontekstin stilistik, po ashtu edhe në kontekstin semantik. Pastaj, shqyrtohen poemat narrative sipas një analize tekstuale dhe kontekstuale, duke zbërthyer çdo fjalë e fjali që përkojnë njëra me tjetrën. Në këtë mënyrë, interpretimi fokusohet në polivalencën e gjuhës poetike, në të gjitha kontekstet.
Shumësia e analizave
Analiza e strukturës letrare e poezisë së Montales shoqërohet me analizën krahasuese fonostilistike. Interpretimi i tillë është në favor të kuptimit të thellë të perifrazës, për të hapur dialogun e madh me tekstin, për ta shndërruar kritikën e tij në kritikë dialogjike, me bazë analizën dhe interpretimin linguistik dhe etimologjik të fjalëve dhe fjalive poetike. Analogjia, detaji, reminishenca, imazhi, loja e fjalëve dhe semantika e figurave konceptuale janë nocione që çojnë Pipën drejt rezultateve të kërkimit për të definuar figurën si alegori vizionare, diçka që shkon përtej figurës dhe bëhet strategji, strukturë letrare, për të qenë përherë e lidhur për close readingun, lexim që përligj gati të gjitha planet e tekstit:
“Analogjitë (e tekstit) nuk mbarojnë këtu. “Arsenio” në greqisht do të thotë “male –keq” dhe “Adam” në hebraisht do të thotë”burrë”. Tutje pason analiza morfologjike e tekstit (si mikrostrukturë), në të cilën vihet në pah analogjia e klasave të fjalëve të Dantes, të cilat janë asimiluar mirë nga Montale.
Kjo mbase e dërgon Pipen drejt një kërkimi poststruktural, për t’i parë dhe konceptuar këto analogji si reminishenca dhe invariante të tekstit.
Leximi i (in)varianteve
Invariantet gjuhësore e letrare funksionojnë në mënyrë ‘dinamike’ në tërë veprën e Montales. Si të tilla, ato kanë të bëjnë me elemente tekstore të mirëfillta, dhe në kuptimin latu sensu të nocionit, ilustrojnë lojën e thellë të përngjasimeve, konstantave dhe pikëtakimeve të ndryshme. Invariantet, siç është provuar, ndihmojnë për të dhënë përshkrim sa më të saktë të strukturës së veprës letrare. Bazuar në skemën mbi të cilën operon teoricieni dhe komparativisti, A. Marino, Pipa është kërkues i thellë; duke hetuar variantet e tekstit, ai vë në pah edhe invariantet strukturore, për faktin se Montale i referohet letërsisë së përbotshme, siç është Komedia hyjnore, pastaj i referohet edhe invarianteve marrëdhëniore e ndërkomunikuese, si ndeshje (kontakte) në mes letërsive kombëtare (kujto këtu përqasjen me Kolrixhin) si me letërsinë angleze, amerikane dhe franceze, si dhe invarianteve universale e kulturore, me theks kulturën biblike. Këto invariante, si në aspektin fonostilkistik, sintaksostilistik dhe semantostilistik përherë shfaqen në formë të reminishencave të mjegullta.
Analiza tekstuale leksive
Analiza e Pipës duke qenë polivalente lë parimet metodologjike dhe lëshohet në analiza tekstuale leksive duke i hetuar konotacionet leksive semantike. Për çdo leksi (fjalë) Pipa vëzhgon, zbërthen domethëniet e fjalive apo grupit të fjalëve, por edhe konotacionet edhe domethëniet sekondare.
Kësisoj, analiza e Pipës është analizë progresive (Barti), sepse ndjek një procedurë të veçantë: fjalë pas fjale, dekonstrukton tekstin në fragmente tematike, fraza dhe figura esenciale të poezisë së Montales, të cilat identifikohen si reminishenca të Dantes. Këtu, nga leximi estetik–semiotik rrëshqet në leximin semantik, ndaj diskursi kritik-estetik shndërrohet në diskurs kontekstual-referencial. Sidoqoftë, kërkimi i alegorisë është i vazhdueshëm; përmes saj hetohet vija e shkrimit të Dantes. Duke qenë përherë prapa ose përballë modelit të objektit të vet, Montales, Pipa përforcon tekstin me diskursin kritik argumentues, që si element bazë ka përqasjen.
Natyra e tillë e leximit, përveç që nxjerr kuptimet e para, figura lexohet si figurë e dyfishtë, ose siç do ta quante vetë Pipa si alegori e shumëfishtë.
Analogjia e dyfishtë
Përveç me Danten, analogji letrare Montale ka edhe me Petrarkën, qoftë në rangun tematik, qoftë në rangun formal e stilistik, po ashtu edhe në strukturën e personazheve. Andaj referencë e Pipës bëhet edhe konstatimi i vetë Montales, se stili i tij është petrarkian, sidomos në poemën Finisterre, të cilën e konsideron si një zhvillim të përvojës së tij stilistike. Sipas Pipës, poezia e Montales konsiston më shumë me rrjedhën e veprimeve, karakterin e personazheve, pozicionimin i autorit përballë personazhit lirik, ashtu si përkushtimi dhe dashuria e Petrarkës për Laurën, Beatriçja për Danten. Ajo në të cilën Pipa ngul këmbë është anologjia në përshkrimin e disa tipareve të veçanta fizike të gruas, të cilat janë në analogji më të madhe me atë të Petrarkës, sesa me atë të Dantes. Mirëpo, ajo që tërhoqi Montalen më tepër ishte dashuria trancedentale:” Dashuria e Montales për Cilizian është një replikë moderne e dashurisë së Dantes për Beatriçen....”. Vendosja e kodit ‘narrativ’ erotik përballë kodit të madh, për shkak të identifikimit dhe hyjnizimit të personazheve në njërën anë dhe, në anën tjetër, përshkrimi i fizikut si qenie njerëzore-tokësore shpërfaq një ndeshje të fortë teologjike dhe filozofike. Prandaj, Pipa tërë përpjekjen për të nxjerrë analogji në konteste të tilla do ta quajë betejë për vërtetësi. Nga këtu, përpjekja për t’i ngjarë poetit të madh, Dantes, krijon një variacion tjetër për hir të koncepteve teologjike. Pra, nga kjo modeli është pjesërisht i pranuar dhe pjesërisht i refuzuar, “në një betejë që bëhet e dhimbshme drejt fundit”.
Rishikimi i rezultateve
Lënda e cila shqyrtohet në të gjitha farët e interpretimit letrar më në fund rishikohet si një rast emulacioni dhe konkludohet përherë duke pasur parasysh shtrirjen dhe ndikimin e Dantes te Montale, si një dëshirë e autorit për t’i barazvlerësuar njërin me tjetrin. Kësisoj, konkludimet zbërthehen në disa nëntituj, si Ambivalenca dhe ambiguiteti, duke e parë si ambivalente aktin e krijimit dhe të ndikimit nga Dante, ndërsa dykuptimësia shkon përtej analizës së afishuar në hyrje për t’u ndalur në ambiguitetin e mjeteve fonetike, si: jehonën aliterative, homofoninë dhe homoniminë etj.
Sipas Pipës, - ndikimi i Dantes te Montale ka qenë sistematik, varësisht nga periudha në periudhë. Nga Komedia Hyjnore merr në mënyrë të zgjedhur elemente që përshkruajnë dhe ilustrojnë situata që komentojnë poezinë e tij.
Përfundimisht, Pipa vjen në konkludimin se qëndrimi i dy poetëve ndaj gjuhës është i njëjtë. Kjo vërehet edhe nga analogjia në sintaksë: fraza është e thurur ngushtë, mbizotëron biseda e shfaqur në fjali të gjata me lidhëza të forta. Përveç kësaj, Pipa konstaton se që të dy poetët pika takimi kanë alegorinë: “kuptimi alegorik kështu bëhet një lloj kuptimi në hije, i turbullt dhe iluzor, pas kuptimit letrar”, për të përfunduar se që të dy poetët në fjalë janë poetë metafizikë. Kjo e kthen Pipën në fushën e amëzës kritike, në filozofi. Atje ku nisin dhe përfundojnë të gjitha rrugët e mendimit kritik- letrar.
Përmbyllje
Arshi Pipa ka shkruar kritikë tipike tekstuale që lidhet jo vetëm për një model kërkimi. Pipa i takon tipit të studiuesit që funksionalizon kritikën imanente të letërsisë. E, poetika strukturale dhe poststrukturale leximin, kërkimin imanent e sheh të ndërlidhur me kërkimin e formave. Ndaj, jo rastësisht, Pipa u referohet teoricienëve që koncepte bazë në praksisin letrar kanë njohjen intuitive. Fundja, metoda imanente e kritikës letrare është metodë strukturale, e që nënkupton leximin e shenjave të tekstit, përkatësisht strukturat e tekstit letrar.
Përfundimisht, qëllimi i Pipës është që ta zbërthejë pluralitetin e tekstit, hapjen ndaj sinjifikimeve të tij. Pipa mbetet besnik i përhershëm i motos: Kritika është shenj i mendjes së pjekun. Dhe, me këtë parim udhëhiqet gjatë gjithë leximit kritik të veprës së Montales.

Vazhdo Leximin...
Komenti 0printer friendly

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup

Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2838 sec, 0.0541 of that for queries. DB queries: 42. Memory Usage: 1,418kB