Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -






23
07.2009

Shkodra turistike, ofertat për këtë verë

:IROLF:
GUIDË TURISTIKE
Shkodra, qendra e veriut, ofron si çdo vit gjithë resurset e veta. I vetmi qytet në Shqipëri që përmbledh detin, liqenin, lumin, natyrën e egër, turizmin bregdetar, liqenor, historik e kulturor.

Mund të gjesh gjithçka në këtë vend, që pa u futur në të në plazhin e Velipojës, veriu i detit Adriatik, në liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës, kalanë e famshme të Rozafës, Thethin - perlë e Alpeve shqiptare dhe shumë vende të tjera. Në këtë verë Shkodra ofron çdo gjë.


Plazhi i Velipojës


Është padyshim plazhi më i preferuar i veriut, jo vetëm për banorët e Shkodrës, por dhe të shumë qyteteve të tjera, si dhe e pushuesve të huaj. Plazhi ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës rruga është e rikonstruktuar. Aktualisht në Velipojë numërohen rreth 1300 ndërtime ku rreth 600 ndërtime private funksionojnë si hotele dhe apartamente të dhëna me qira për pushuesit.


Në pikun e sezonit, në periudhën 15 korrik - 15 gusht, numri i pushuesve i kalon 100 000, ndërsa në dyjavorët e tjerë ky numër është rreth 50 000. Që nga qendra e komunës e deri në plazh janë rreth 100 lokale. Ka energji elektrike 24 orë. Uji i pijshëm mungon, pasi nuk ka ujësjellës dhe uji për t'u pirë blihet, ndërsa për nevoja të tjera ai sigurohet përmes shpimeve në tokë dhe vendosjes së elektropompave.


Në plazh ka rrjet tregtar të bollshëm, si dhe shërbim mjekësor dhe telefoni me kartofon. Ka internet, ndonëse jo në disa pika, dhe janë asfaltuar disa nga rrugët e brendshme të tij. Shëtitorja kryesore në qendër të plazhit është rikonstruktuar pjesërisht.


Ka siguri dhe shërbimet e policisë janë të pranishme 24 orë, pasi në plazh ka një postë policie. Mungojnë rojet bregdetare, një problem ky shqetësues që është ngritur disa herë.

Plazhi është i pastër dhe gjatë sezonit veror komuna Velipojë angazhon një numër të madh personash e mjetesh për pastrimin e plazhit. Lokalet e shumta pranë rërës afrojnë argëtim edhe gjatë natës. Këto janë lokale që funksionojnë vetëm në sezonin veror. Në skajet e plazhit, në drejtim të Vilunit dhe të Adës ka lokale mjaft cilësore dhe plazhe private.

Kryesisht rezervimet në apartamente janë dyjavore dhe çmimi i tyre shkon nga 20 000-65 000 lekë në këto dy javë. Kjo varet nga largësia nga deti. Apartamenti afron dhomë, aneks, krevatë, banak, frigorifer, sobë me gaz, banjë me dush. Kur apartamenti ka dy dhoma plus aneksin dhe banjën, çmimi është 65 000 lekë, ku këtu ka dhe kondicioner.


Personat që shkojnë në apartamente gatuajnë vetë. Në hotele ka dhoma ditore që afrojnë çmime që variojnë nga 10 euro në natë për person në muajin qershor deri 40 euro për dhomë dyshe në korrik e gusht. Dhomat kanë kondicioner dhe banjë. Ka hotele që vënë në dispozicion dhoma suite që janë 17 euro për person në një natë dhe 51 euro për dhomë, në disa raste përfshihet ushqimi në një ose dy vakte. Hotelet kryesore ofrojnë parking, kënd lojërash, pishinë, dhe kushte të përshtatshme brenda si kondicioner, TV etj.


Për pushues ditorë ka mjaft hotele ku çmimet janë nga 5 euro deri 20 euro. Shumë kabina dhe dhoma hotelesh në formë apartamenti jepen me çmime që në korrik e gusht shkojnë 30 000 - 40 000 lekë të reja për dy javë, ndërsa në periudhat e tjera 15 000-25 000 lekë të reja. Plazhi ka mjaft hapësira për të shëtitur e luajtur, argëtuar dhe lokale nate.


Nga qyteti i Shkodrës ka dy pika furgonësh-taksi që shkojnë në plazh nga ora 06 deri 21, tarifa është 200 lekë për person. Ndërsa me taksi tarifa shkon 1500-2000 lekë në varësi të largësisë së vendit në plazh ku do shkohet (p.sh tek plazhi privat Ada apo në Vilun). Brenda plazhit nuk ka taksi, sepse nuk lejohet dhe lëvizja e autoveturave është e kufizuar. Gjatë verës lokalet e ndryshme ofrojnë muzikë me këngëtarë vendas e të huaj.


Liqeni i Shkodrës:


Vetëm 12 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës, Zogaj ka një plazh të mrekullueshëm që laget nga uji i liqenit të Shkodrës. Relievi i ulët kodrinor, prania e mjaft gjireve të vegjël shkëmborë, plazhet me zhavor e gjelbërim, klima shumë e shëndetshme e ndikuar nga prania e liqenit dhe malit, e bëjnë Zogajn një plazh të pëlqyeshëm. Plazhi i Zogajt ka filluar të frekuentohet pas viteve '90, pasi më përpara aty ishte zonë kufitare dhe ishte e ndaluar.


Bashkë me Shirokën, 3 km larg qytetit, e cila ndodhet përpara se të shkohet në Zogaj, ato përfshihen në qytetin e Shkodrës si lagje periferike të tij, edhe pse më parë njiheshin si fshatra.


Plazhi i Shirokës është shfrytëzuar mjaft para viteve '90, ku qytetarët shkodranë dyndeshin aty çdo ditë, duke përfituar nga të qenët fare pranë qytetit. Aktualisht Shiroka shfrytëzohet pak si plazh dhe këtu ka ndikuar dhe ndotja e ujit të liqenit në këtë zone.


Aty ka pak pushues, një hotel dhe vitet e fundit janë ndërtuar dhe disa kabina private që jepen me qira për 10 000 lekë të reja në 15 ditë. Kohët e fundit vërehet një shtim i numrit të ndërtimeve private nga ana e qytetarëve shkodranë në Shirokë. Në Shirokë ka mjaft lokale luksoze dhe cilësore, pasi kjo pikë pranë liqenit frekuentohet gjatë gjithë vitit nga turistë ditorë vendas dhe të huaj.


Plazhi i Zogajt, duke qenë më pak i shfrytëzuar, afron mjedise deri diku të virgjëra dhe të pëlqyeshme. Në dispozicion të pushuesve janë shtëpitë e banorëve, që janë banesa tipike me shkallë të gurta, oborr të rrethuar dhe kryesisht me dy kate. Banorët e zonës kanë profesion kryesor peshkimin dhe këtë ua ofrojnë dhe pushuesve që kanë dëshirë të zënë peshk.


Gratë janë të njohura jo vetëm në Shqipëri për punimin e qilimave. Pushuesve u ofrohen edhe shumëllojshmëri perimesh e frutash të freskëta të zonës si dhe nënprodukte të tyre si reçelërat e ndryshëm, thanaku, pistili, pekmezi etj, që janë tradicionale dhe origjinale.


Për pushuesit banorët ofrojnë dhe shëtitje me varka, shëtitje në mal etj. Gatimi karakteristik i zonës është tava e krapit e cila pëlqehet mjaft, sidomos nga të huajt. Numri i pushuesve në Zogaj shkon 300-500 vetë, që pushojnë në periudha dy javore, ndërsa ka dhe mjaft pushues ditorë.


Çmimet e dhomave në banesat private shkojnë deri 15 000 lekë për dy javë, ndërsa në hotelin e vetëm që ndodhet këtu, çmimet janë 18 000- 23 000 lekë në dy javë dhe dhomat i kanë pajisjet e kushtet e nevojshme . Tre vitet e fundit, vërehet një tendecë për të bërë ndërtime të vogla private këtu, kryesisht familjare. Lokalet e shumta janë të pranishme në këtë zone.


Nga ura e Bunës e deri në Shirokë e Zogaj ka mbi 50 lokale, një pjesë e të cilave, ato që ndodhen në krah të liqenit, kanë shkallë që zbresin nga rruga në plazh, dhe kanë bërë zgjerime të pjesshme dhe vende parkimi për automjetet. Ka ujë dhe energji elektrike 24 orë.


Me taksi në Shirokë nga qyteti i Shkodrës tarifa është 500 lekë të reja, në Zogaj 700 lekë. Ka shërbim urban por ai është vetëm tre herë në ditë, dhe jo i rregullt. Në Shirokë shkohet dhe me biçikletë. Lokalet rrinë hapur deri në orën 24. Në Zogaj e Shirokë shkohet në çdo orë.


Thethi


Është quajtur me të drejtë perla e Alpeve shqiptare. Në Alpet shqiptare, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohimë, Shenik, Paplukë, me lartësi mbi 2500 m, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.


Malet madhështore, pyjet e ahut, livadhet, burimet e ftohta, si dhe potencialet e veçanta që ka Thethi si zonë malore turistike dhe klimaterike të vlerësuara për bukuritë natyrore, ofrojnë mundësi të mëdha për ushtrimin e turizmit në të gjitha stinët e vitit. Befasia dhe bukuria që të ofron kjo zonë, fillon që me praninë e pyjeve të dendura.


Që nga viti 1968 e në vazhdim ai funksionon si qendër turistike dhe do të ndërtoheshin godina, hotele e shumë objekte të tjera që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për rreth 35 vjet rresht. Pas ndryshimeve të '90 hoteli funksionoi pjesërisht me një kapacitet prej 30 shtretërish dhe është privatizuar.


Deri në vitin 1997 hoteli ka pritur e përcjellë shumë pushues vendas e të huaj, por me trazirat që përfshinë gjithë vendin, u prish edhe rregulli i frekuentimit të zonës turistike të Thethit.


Prej tre vitesh në Theth kanë investuar banorë vendas të ndihmuar nga donatorë të huaj që ofrojnë banesat e tyre për pushues, duke krijuar kështu shërbim hotelerie. Këto shtëpi hotele ofrojnë kushte të përshtashme akomodimi, dhoma të pajisura me mobilie bashkëkohore, ujë, ushqim dhe kuzhinë tradicionale. Tarifa e tyre shkon nga 10 deri 30 euro për person.


Në një sezon veror janë rreth 6500 pushues ditorë e rezidencialë që shkojnë në Theth. Problem mbetet rruga ku drejtimi nga Boga, që preferohet më shumë nga turistët për shkak të bukurive natyrore që paraqet, nga Qafa e Thores e deri në Theth është problematike dhe e rrezikshme.


Drejtimi tjetër nga Kiri është më i gjatë si distancë rruge, por dhe rruga është e vështirë dhe me shumë rrezik. Në Theth shkohet vetëm me fuoristradë ose furgon. Nuk ka shërbim taksi, ndërsa furgoni merr 500 lekë. Nuk ka lokale dhe as jetë nate. Në Theth shkohet nga ora 08 deri 16, pastaj nuk është e mundur pasi rruga shkon rreth 4 orë.

Razma


Në një largësi 41 km nga Shkodra dhe 900 metra mbi nivelin e detit rrëzë malit të Veleçikut ndodhet pika turistike e Razmës. Rreth viteve '20 të shekullit të kaluar kjo zonë u shfrytëzua nga barinjtë për stane verore dhe më pas me rritjen e standardit të jetesës, tregtarët shkodranë ndërtuan shtëpitë e tyre verore për familjarët.


Në mes të pishave, lëndinave, kullotave alpine e peisazheve malore ka mjaft banesa të tipit alpin. Vizitorët e shumtë argëtohen me ekskursione alpinistike, ndeshje sportive, gjueti etj. Razma, ndryshe nga zonat e tjera turistike alpine, frekuentohet dendur në të gjitha stinët e vitit, veçanërisht në dimër.


Dëbora që mbulon lëndinat është mjaft joshëse për rrëshqitjet me ski. Në Razmë, deri në fillim të viteve '90 ka pasur kamp pushuesish, si dhe hotel i cili funksionon ende. Razma është një pikë turistike me vlera kurative për sëmundje të ndryshme. Hotelet janë shtuar dhe kanë nga 4 deri 12 dhoma dhe çmim 1500 lekë të reja nata. Ato ofrojnë dhe restorante.


Në Razëm ka dhe disa restorante të tjera të vogla, por pushuesit familjarë që frekuentojnë rreth 50 shtëpitë alpine tip vile, më së shumti preferojnë të gatuajnë vetë. Në Razëm ka dyqane, ndërsa tregtarë ambulantë shesin çdo ditë, kryesisht mish të freskët që pritet aty. Rruga 41 km e gjatë është rehabilituar plotësisht. Në Razëm ka rreth 250 pushues në dyjavor.


Ka ujë dhe furnizim me energji elektrike. Për të shkuar në Razëm duhet shkuar më parë në qytetin e Koplikut dhe atje janë furgonët për Razëm me tarifë 500 lekë për person. Deri në Koplik furgoni është 150 lekë për person. Taksia nga Shkodra kushton 3000 lekë. Në Razëm, kur nuk ke mjet privat shkohet nga ora 08 deri në 18.

Boga dhe Vermoshi


Shtrihen në veri në rrethin e Malësisë së Madhe. Boga ka qenë e njohur që në lashtësi dhe deri në vitet '60 të shekullit të kaluar ka qenë pikë turistike malore e organizuar me shtëpi pushimi dhe ambiente në shërbim të pushuesve. Aktualisht Boga ka të asfaltuar rrugën e cila është në parametra bashkëkohorë, ka ujë dhe banorët vënë në dispozicion shtëpitë e tyre për pushuesit.


Por këta më së shumti janë ditorë që ndalen në Bogë për të vazhduar më tej rrugën drejt Thethit. Tarifat në këto dy vende janë 1000 lekë dhoma për fjetje, ushqimi sipas dëshirës në lokale. Shkohet vetëm me fuoristradë dhe furgon, ku furgoni merr deri 7 000 lekë në total e cila ndahet në varësi të numrit të vendeve që ka.


Vermoshi është një tjetër mrekulli natyrore që tërheq vizitorë të huaj. Ndodhet mbi 100 km larg Shkodrës dhe ka probleme me rrugën nga Tamara në Vermosh 30 km. Qafa e Predelecit, Lëpusha e Vermoshi janë dhe disa nga vendet më të bukura të kësaj zone. Në Vermosh ka banorë që kanë përshtatur banesat e tyre për pushues në stinën e verës.


Ushqimi që ofrohet është tradicional dhe me prodhime bio të cilat bëhen vetë nga fermerët. Uji i lumit Cem të ofron mundësi argëtimi, troftën e veçantë e mjaft të shijshme, po kështu malet, shpellat. Në Vermosh ka energji elektrike pa ndërprerje dhe sinjal telefonik të lëvizshëm, ndërsa problem mbetet rruga. Shkohet me taksi deri në Tamarë, tarifa 5 000 lekë, pastaj me furgon në Vermosh tarifa 300 lekë për person. Këtu nuk ka lokale me jetë nate.


Turizmi kulturor e historik


Shkodra paraqet vlera të jashtëzakonshme edhe në drejtim të turizmit kulturor e historik. Vizitorët që vijnë në këtë qytet priten në hyrje nga Kalaja Rozafa, me madhështinë e saj të njohur. Këtu ka muzeum, lokal dhe parking.


Ka probleme me rrugën deri ku fillon ngjitja për në kështjellë. Kalaja ka tre oborre dhe ofron mundësi të shumta dëfrimi e relaksi. Shkohet me urban 20 lekë, tarifa e hyrjes në objekt është për të huajt 7 euro, për vendasit 500 lekë, për fëmijët 100 lekë. Ka ciceron dhe hyrja në muze është 100 lekë ose 2 euro për të huajt.


Muzeu historik në qytetin e Shkodrës dhe zona muzeale ose rruga "Kol Idromeno" janë një tjetër resurs kulturor që tërheq vizitorë të huaj e vendas. E rikonstruktuar para pak muajsh dhe e kthyer në rrugë pedonale, qendra muzeale e qytetit ofron ndërtime arkitektonike unikale, vepra të arkitektit Kolë Idromeno, fasadat e të cilave janë rikonstruktuar.


Ka mjaft shërbime dhe njësi që tregtojnë prodhime artizanale, piktura, qëndistari, prodhime druri, lule, librari etj. Në fund të rrugës është rivendosur Truma e Dugajve të Reja, një objekt ky i hequr në vitet '50 të shekullit të kaluar, dhe i njohur për vlerat e tij. Në qytetin e Shkodrës ka dhe objekte të tjera monumente kulture, disa prej të cilave janë rikonstruktuar dhe që dëshmojnë për vlerat e këtij qytetit të lashtë.


Në muzeun e qytetit tarifa është 200 lekë për person ose 2 euro për të huajt dhe ka ciceron. Këto vizitohen në këmbë pasi janë afër. Vetëm 8 km larg qytetit të Shkodrës ndodhet një tjetër objekt me shumë vlera, Ura e Mesit.


Ajo është një nga monumentet e kulturës më me vlera në rrethin e Shkodrës dhe së bashku me Kalanë Rozafa janë simbolet e tij. E ndodhur vetëm 8 km larg qytetit të Shkodrës ajo paraqet vlera të mëdha dhe është një objekt simbol i qytetërimit të lashtë.


Me gjatësi 108 m, gjerësi 3,40 m dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri, ku çdo një metër ngrihen 5 cm rreshta tërthorë që i japin kurrizit trajtën e shkallarës.


Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër. Të gjitha këto kanë bërë që Ura e Mesit të jetë ndër monumentet e kulturës më të njohura e më të vizitueshme në Shkodër.


Ka përfunduar një projekt për rikonstruksionin e ambienteve rreth e rrotull urës pa e prekur objektin, i cili pritet të nisë konkretizimin shumë shpejt. Tek ura e Mesit shkohet me taksi për 300 lekë ose furgon me 30 lekë, në çdo orë të ditës deri në 20 të mbrëmjes.


Kalaja e Rozafës


Hyrja kushton
500 lekë për të rriturit,
100 lekë për fëmijët,
7 euro për të huajt
Hyrja në muzeun e kalasë kushton
100 lekë ose 2 euro për të huajt: një ciceron ju rrëfen

Thethi
Shtëpitë-hotele shkojnë nga 10-30 euro/person
Shkohet vetëm me fuoristradë
Nuk ka shërbim-taksi
Furgoni kushton 500 lekë,
lëviz nga ora 08-16
Udhëtimi zgjat rreth 4 orë

Tarifat e qëndrimit në Velipojë
Hotelet nga 10 - 40 euro për person (plus ushqim në një ose dy vakte)
Apartamentet për 2 javë - 20 000 - 65 000 (varion nga largësia nga deti)
Kabinat për 2 javë - 15 000 - 40 000 (varion nga muaji)
Lëvizja e automjeteve Shkodër-Velipojë
Orari i lëvizjes 06:00-21:00, çmimi i furgonit-taksi 200 lekë/person
Çmimi i taksisë 1500-2000 lekë (në varësi të largësisë)

Tarifat në Shirokë e Zogaj
Kabinat me qira për dy javë 10 000 lekë
Dhomat në banesat private për dy javë 15 000 lekë
Dhomat në hotel për dy javë 18 000 - 23 000 lekë
Taksia Shkodër-Shirokë kushton 500 lekë
Taksia Shkodër-Zogaj kushton 700 lekë

Razma
Dhomat në hotele kushtojnë 1500 lekë/nata
Ka rreth 50 shtëpi alpine tip vile
Rruga është e shtruar plotësisht
Rruga Shkodër-Koplik-Razëm (tarifa 150+500 lekë/person)
Taksia Shkodër-Razëm kushton 3000 lekë
Furgonët lëvizin nga ora 08:00-18:00

Boga e Vermoshi
Dhomat kushtojë 1000 lekë
Shkohet vetëm me fuoristradë ose furgon


Vazhdo Leximin...
Komenti 5printer friendly
Comments
Shkodra turistike, ofertat për këtë verë, L - N 24 Jul : 19:20 Reply to this

Kuptohet pa u mshtet ne termin e ankimit per gjithca, po tu ju referu shkrimit te masiperm qe asht botu te Gazeta Sekulli Online SHKODRA TURISTIKE po komentoj me te njajtin koment qi kam komentu edhe ne forum.

Deshta me shtu se dihet qe Shkodra i ka tana munsit dhe vendet Turistike si Alpe & Bregdet por Shkodra nuk ka gjan ma te ransishme me i shfrytzu kto vende Turistike. Shkodra sot per sot nuk ka asnji rruge me shfrytzu kyt potencial qe do te kishte ndihmu jo vetem Shkodren por komplet veriun e tejet te varfen t'Shqypnise mu zhvillu me te ardhunat e saj.

Shkodra s'ka asnji rruge qe nuk asht e rrezikshme, pra asht rrezik me shfrytzu turizmin Shkodrane te Alpeve dhe Velipojs, tetana rrugt qe lidhin Shkodren dhe Turistat e huj apo venas me Alpet dhe Velipojen jane shum te gjata dhe te ngushta, rrugt per ne Alpe jane te papershkrushme sepse jane rrug te antikitetit qe jane ba per qerre e karroca me kuaj ne koht e Iliris, ja per makina e trafik makinash, plus jane shum te gjata e s'ja vlen me rreziku me hum kohen e jeten neper ta, po ashtu rruga e Velipojs asht ba sakat shum e ngusht, shum zigzake dhe ne sezonin e turismit nuk munet me perballu trafikun dhe kthehet ne tmerr per tan ata qe e perdorin.

Pa fut masanej infrastrukturen dhe kushtet per turizem ne pikat turistike qe nuk asht egzistuse por edhe kur asht egzistuse si ne Velipoje asht pengese sepse asht kaos infrastrukturet qe ma shum e ka kthy kyt zone ne nji stil turizmit Afriko-Afganistanas te shkunun krejt, qe asht zor me ja gjet shoqen per prapametje ne tana aspektet si urbanistike-arkitekture e sherbim.

Nejse nji gja nuk permenet shum kur bahet fjale per turizmin mrena qytetit te shkodres asht mungesa e Muzeumeve qe Shkodres gjithmone simas trashigimise kulturore i takon me pase ma shum Muzeume se cdo qytet tjeter ne Shqypni e noshta edhe ne Ballkan, tuj fillu me antikitetin e tu ardh ne mesjete, e rilinjen, gjithmone pa ja ba qefin vedit

Si dhe nuk shifet kund organizimi i udhzimeve dhe turizmit te organizum

Shkodra turistike, ofertat për këtë verë, ALBERTSA 24 Jul : 20:29 Reply to this

DESHTA ME SHTU DY RRESHTA EDHE UN SE LECI I KA THAN TANA DHE ESHT MA SE E VERTET,PERSA I PERKET REFUGJATVE QE KTHEHEN PRA TURISTAVE TE VENDIT NUK DI SA KNAQEN NE SHKODER,POR ME PRU TURISTA TE HUJ KTU TREMEN E NUK VJEN MA KERKUSH BOLL ME PA PLEHNAT ME PA KU SHITET MISHI, DJATHI ETJ ETJ.
Shkodra turistike, ofertat për këtë verë, ::bud:: 25 Jul : 07:04 Reply to this

20 000-65 000 lekë per dy jave ne kapine e pa kushte!!!

ma mire ne Spaj, me avjon e me hotel te pagum rreth 400 euro ah po, edhe pa plehna neper kame,
Shkodra turistike, ofertat për këtë verë, ::bud:: 25 Jul : 07:04 Reply to this

Shifet Guida hahaaaaa.....
Shkodra turistike, ofertat për këtë verë, West**** 25 Jul : 11:44 Reply to this

Me habisin qmimet qe kan vendosur per KALAN?? Kush mund te me japin pergjigje se se maj mend qe kam pagu kur kam shku? Ate pysin per dokument identifikimit ? Si e dallojne a eshte turist i huaj apo vendas. Faleminderit.

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup

Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3585 sec, 0.1544 of that for queries. DB queries: 48. Memory Usage: 1,458kB