Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -


02
11.2010

Gëzim Uruci, shkodrani që eksploroi mrekullitë e botës

:::ShkoderZemer
Për shumë kohë ishte invalid, po kjo nuk e pengoi të vizitonte qindra shpella dhe t’u ngjitej dhjetëra maleve. Janë të paktë shkodranët që nuk e njohin ose së paku nuk kanë dëgjuar për të. Gëzim Uruçi që në moshë fare të re u lidh ngushtë me natyrën, kërkimet dhe eksplorimet, por jo vetëm.


Për vite me radhe mori pjesë në ekspedita të rëndësishme dhe të vështira si brenda Shqipërisë, ashtu dhe jashtë saj. Për disa vite do të përballonte me një fuqi të jashtëzakonshme një aksident që e la invalid, derisa arriti të ngrihej nga krevati për t’iu rikthyer jetës tepër aktive të tij ndonëse, herë me paterica, herë me një shkop të bukur e herë me një biçikletë të veçantë me tri rrota, për të cilën u kujdes vetë ai. Ndonëse në këto pozita, i fuqishmi Gëzim Uruçi nuk do shkëputej për asnjë çast nga pasionet e tij në fushën e speleologjisë, kërkimeve, eksplorimeve, artit e kulturës. Nëpërmjet një interviste të dhënë për gazetën “Metropol”, eksploratori Gëzim Uruçi, ka dhënë më shumë detaje për veprimtarinë, pasionet e vështirësitë ...

Si nisi pasioni juaj për kërkime e zbulime?

Pasioni filloi që në moshë fare të re, i nxitur nga prindërit e mi, tepër të pasionuar pas punës, natyrës dhe kulturës, zotërues të disa gjuhëve të huaja. Babai im, Myftari, u mor që në rini me çiklizëm, alpinizëm, speleologji, ski e tenis. Njihet si një ndër ideatorët dhe themeluesit e cirkut shqiptar. Pasioni më i madh ishte arkeologjia, çka bëri që unë të rritesha me kazmën e arkeologut që në fëmijëri e për të mos e lëshuar nga dora deri tani. Nga të parët e mi kam trashëguar një bibliotekë shumë të pasur me rreth 1000 tituj në 7 gjuhë, kurse sot ka mbi 7540 tituj në 37 gjuhë të botës, ku më tepër janë ato në gjuhën italiane, gjermane, franceze, anglisht, bullgarisht e serbisht. Njëkohësisht kam trashëguar dhe një arkiv në artin e fotografisë, ku arkivi Uruçi ka mbi 2 milionë e treqind mijë negativë, diapozitiva, planfilma bardh e zi dhe me ngjyra. Të gjitha të sistemuara në mënyrë shkencore, sipas sistemit ndërkombëtar të arkivave ndërkombëtare dhe të asaj Marubi. Kam rreth 20 lloje aparatesh fotografikë, ende në gjendje shumë të mirë, të përdorura nga familja Uruçi ndër vite, si dhe mjete të tjera fotografike. Nga nëna, Sanija, kam trashëguar artin e etnografisë dhe të folklorit, pasi ajo është etnografja e parë në Shqipërinë e veriut. Studimet e saj i ka mbaruar fillimisht pranë kolegjit saverian të motrave sigmatine, për rrobaqepësi, por edhe një familje me tradita disa shekullore, në rrobaqepësi dhe si kazaz. Më pas mbaroi shkollën e Nanës Mbretëreshë, në Tiranë, ku u diplomua si rrobaqepëse etnografe, por pas çlirimit të vendit përfundoi si punëtore e rëndomtë me tri kunatat e saj në furrat e pjekjes tek Fabrika e Tullave Shkodër. Megjithatë, profesionin nuk e la pas dore, duke punuar ilegalisht privat në shtëpi. Këndonte shumë bukur dhe kishte një repertor të pasur me këngë shkodrane, ulqinake, nashke (malazeze) të Shqipërisë së Mesme, turke, maqedonase, italiane dhe austro-hungareze. Nga ajo kam marrë mësimet e para në fushën e etnologjisë dhe të etnomuzikës. Me prindërit e mi, për të parën herë në jetën time jam ngjitur në majën e malit të Jezercës, 2693.4 metër, në Bjeshkët e Namuna, në Alpet Ilirike, por edhe ndër shumë shpella të Shkodrës dhe të Shqipërisë. U ushqeva nga babai i im me dëshirën për të zbuluar vendbanime dhe kulturën prehistorike të popullit tonë.

Cilat janë vendet që keni eksploruar?

Që nga Poli i Veriut ku për të parën herë, më 14 tetor 1994, kam vendosur flamurin shqiptar, si dhe tërë shpellat më të mëdha të Evropës. Jam ngjitur në të gjitha majat më të larta të Evropës, Afrikës, Azisë etj, pa llogaritur të gjitha majat e Alpeve Ilirike të Shqipërisë. Kam eksploruar mbi 3200 shpella dhe jam ngjitur në mbi 700 maja malesh, ku më interesantet kanë qenë Alpet e Francës dhe të Austrisë, Zermatit, Obersdorfit në Gjermani, Spanjës, Pirenej, Alpet e Italisë, ish-Jugosllavisë, Kosovës, Maqedonisë dhe në veçanti ato të Bullgarisë.

Cilat nga zbulimet ju kanë impresionuar më shumë?

Zbulimi shpellave të Gajtanit, zbulimi i Autografit të At Shtjefën Gjeçovit, dhe ato të Fosileve. Zbulimi i Varrit të një kirurgeje Ilire, në fshatin Mëlgushë, në Shkodër, e cila ishte e veshur me një xhubletë thuaj origjinale si këto shumë të vjetrat e sotme të shekullit III– II p.e.s. Zbulimi në afërsi të Kronit të Hyries, ngjitur me Mozaikun e Mëlgushës, i shek. VI – V p.e.s, si dhe pajisjet e saj kirurgjikale e ato stomatologjike, me disa dhëmbë të mbushur. Jam autori i zbulimit të xhubletës më të vjetër në vendin tonë, të një ekzemplari më se 2000-vjeçar, në një varr të një gruaje kirurge-stomatologe empirike ilire.



Sa e vështirë është puna e eksploratorit? A ka pasur raste kur keni rrezikuar jetën për pasionin?

Puna e eksploratorëve është një nga më të vështirat. Rreziqet kanë qenë të shumta. Ato fillojnë që nga fjetjet jashtë në të gjitha stinët, në shpella, të lidhur në kanionet e thikta të majës së Harapit 2221 metër, majës së Papingut me alpinistin e shquar shkodran, Mjeshtrin e Sportit Kujtim Gjylbegu. Fjetja jashtë në Murin veriperëndimor të Kollatës 2554 m. Në shkurtin e vitit 1983, në një humnerë të veshur me akull, ku kaluam natën në mes të akujve në një temperaturë minus 37 gradë celsius bashkë me partnerët e mi, K. Gjylbegu, A. Rrashketa etj. Rasti më i paharruar ka qenë aksidenti i dimrit të vitit 1977, ku gjatë ngjitjes në majën e Jezercës – 2693, ku udhëhiqja grupin e Mjeshtreve të Sportit, Taxhedin Shehu, Abdulla Merdini e Rushit Reçi të Korabit të Peshkopisë dhe Vullnet Zylyftari i Tomorit të Beratit, kur unë isha i varur në një bllok akulli rreth 70 – 80 metra, dhe 25 m larg pikës më të lartë trigonometrike të Pigrekut të Alpeve Ilirike shqiptare dhe sapo kisha filluar të shijoja momentet e fundit drejt suksesit të një itinerari tepër të vështirë. Katër shokët poshtë meje kërkuan që të zgjidheshin nga litari im kolektiv, por kishin bërë një gabim fatal. Ato ishin lidhur të katërt në një litar dhe rrëshqitja e njërit prej tyre i mori me vete edhe tre të tjerët, duke rrëshqitur në kanionet e thikta e të akullta, për më se 700 metra, për të përfunduar në Gropat e Bukura, në afërsi të Qafës së Pejës, ku ndaluan me plagë nga më të rëndat. Alpinistët e asaj ekspedite u shpëtuan nga ardhja e shpejtë e helikopterëve. Një aventurë tepër e rrezikshme ka qenë në vitin 1974, kur një grup alpinistësh çekë kishin mbetur në Murin e Majës së Harapit. Afrimi me helikopter i tmerroi alpinistët çek, të cilët kishin tre ditë pa ngrënë e pa pirë. Unë vendosa, që helikopteri të mos përplasej me muret vertikale të itinerarit të lidhesha me tetë litarë kolektivë dhe të varesha nën helikopterin ushtarak. Fillimi ishte si një aventurë e këndshme, por më pas filluan peripecitë dhe problemet. Helikopteri kishte kapur kuotat 3200 – 3500 metra lartësi dhe unë qëndroja jashtë tij i varur rreth 250 metër. Faza e fundit ishte afrimi im pranë alpinistëve të mbetur në avari. Pas shumë peripecive arrita t’i afrohem të parit, i cili ishte në gjendje të mirë, por pak i frikësuar, ndërkohë që kolegu i tij ishte tepër i shokuar. Zbritja u bë tek Kroni i Shtradhës, sipër Thethit. Tashmë helikopteri kishte arritur në pikën nevralgjike në mes të shkëmbit. Alpinisti çek, nga tmerri ishte lidhur me tërë litarin për shkëmb, duke më kërkuar ndihmë vetëm në rrugë alpine, pra me teknikën e sigurimit alpin. Filloi përleshja ime me çekun, që kundërshtonte. Në këto kushte tepër kritike, një goditje e imja e papritur, e trullosi dhe me një shpejtësi marramendëse e lidha dhe e sigurova në rripin tim të sigurimit. Por nuk kishim mbaruar akoma. Mora thikën alpine dhe me shumë vështirësi i preva rreth 10 – 12 fije litari, me të cilat ishte lidhur për t’u siguruar në momentet e pasigurisë e të tmerrit. Në këto momente vareshim të dy në një fije litari duke besuar në një fitore hyjnore të shpëtimit të jetës së dy alpinistëve të huaj, njëri prej të cilëve pa ndjenja nga goditja ime, që i shpëtoi jetën. Kjo aventurë e jashtëzakonshme, që përfundoi me shpëtimin e dy jetëve, do të përsëritej disa vite më vonë edhe me dy alpinistë shqiptarë, që edhe sot e ushtrojnë sportin e alpinizmit.



Duhet theksuar se itinerarin e Shpellës së Majës së Harapit e kemi realizuar së bashku me partnerin tim Mjeshtrin e Sportit Kujtim Gjylbegu në vitin 1977, për dy ditë. Kjo arritje në ngjitje ngjalli shumë xhelozi dhe u quajt një “aventure borgjeze” nga disa drejtues të Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Skive dhe e Çiklizmit. Më pas u bënë edhe dy sulme të tjera nga itinerari i Qafës së Rrethit të Vizhnez, më e shkurtër, po gjithsesi i vështirë, edhe këto të realizuara në dy ditë.

Sa ndiheni i vlerësuar për arritjet në fushën e arkeologjisë, alpinizmit dhe te speleologjisë nga qyteti i Shkodrës dhe nga organizmat shkencorë dhe ato sportivë në vendin tonë?

Vlerësimi është thuajse minimal. Një qëndrim denigrues ka mbajtur edhe Qendra e Studimeve Gjeografike të Shqipërisë me drejtues Mevlan Kabo, që edhe në Fjalorin Enciklopedik të Fundit, mohon Qendrën Nacionale të Speleolo – Alpinëve të Shqipërisë të themeluar më 3 Qershor 1991, me vendim të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Moikim Zeqo. Më pas Kabo nuk përmend as Shoqatën shqiptare të Shpellarëve, të themeluar nga intelektualët e shquar të Shkodrës, atë të Djelmnisë Shqiptare të Shkodrës, në qershorin e vitit 1936, nga shkodranët e nderuar, Ethem Osmani, (Mësues i Popullit) Prof. Rrok Zojzi, themelues i Etnografisë shqiptare, Myftar M. Uruçi, një prej themeluesve të Cirkut Shqiptar dhe prof. Luigj Shala, të gjithë Mjeshtra Sporti.

Duke qenë se jeni i njohur dhe në vende të tjera, sa ju kanë vlerësuar organizatat e Speleologjisë botërore?

Prej viti 1993, Qendra Nacionale e Speleo – Alpinëve të Shqipërisë, në Kongresin Botëror të Pekinit në R.P. Kinës, e ka pranuar Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota në këtë organizëm ndërkombëtar dhe që nga ai vit jam anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Speleologjisë (U.I.S.), po kështu edhe të atij Evropian, si dhe në Kryesinë Ballkanike. Një ndihmë të veçantë na kanë dhënë Federata Bullgare e Speleologjisë, ku një meritë të veçantë ka drejtuesi i kësaj federate, Prof. Dr. Peter C. Beron – Drejtor i Muzeut Kombëtar të Natyrës në Sofje të Bullgarisë dhe deputet në Parlamentin Bullgar, Mr. Aleksej Zhallov, Sekretar General i F.B. S,dhe President i Unionit Ballkanik të Speleologjisë,si dhe sekretari i F. B. S. Trifon Dalaiev. Kjo Federatë më ka nderuar me Titullin Anëtar Nderi i Federatës Bullgare të Speleologjisë, me Medaljen e Bronztë dhe me pas me atë të artë,për kontributin e shquar në zhvillimin e speleologjisë në Bullgari. Me rastin e 80- vjetorit të themelimit të Federatës Bullgare të Speleologjisë, jam nderuar me Diplomën e Nderit të 80- vjetorit. Po kështu më ka nderuar me diplomën e Mirënjohjes edhe nga Ahmet O. Osja – Biolog i shquar dhe sekretar i përgjithshëm i Qendrës Nacionale të Speleo – Alpinëve të Shqipërisë. Jam nderuar edhe nga Shoqata Italiane e Speleologjisë G.G.G. Modon, në Valstagna të Vicenzës, me të cilën kemi 18 vjet bashkëpunim të vazhdueshëm, si dhe me Muzeun e Karsizmit “Alberto PAROLINI” në Grotte di Oliero, në Vicenza.

Aktualisht, sa afër fushës së speleologjisë jeni?

Sot jam shumë më afër profesionalisht dhe shkencërisht, pasi kam një bagazh që ka dhënë shumë prova të forta në shumë takime kombëtare dhe ndërkombëtare, ku ndihem shumë komod dhe një referencë e mire shkencore ndërkombëtare. Të gjitha këto kanë ardhur pas shumë përpjekjesh, djerse e një kosto të lartë ekonomike që ka rënduar në kurrizin e familjes sime. Kam shumë projekte dhe ide, por më mungon përkrahja e strukturave shtetërore. Së shpejti do të nxjerr nga shtypi një libër. Njëkohësisht, po punoj edhe një monografi të Historisë së Speleologjisë Shqiptare, histori kjo e dhunuar nga studime inkopetente.

Përveç speleologjisë çfarë pasionesh të tjera keni?

Pasione kam shumë, por dua të veçoj arkeologjinë tokësore dhe atë nënujore, Alpinizmin, skitë dhe Speleologjinë. Librat janë një tjetër pasion. Kam një bibliotekë personale prej 7365 tituj në 13 gjuhë: shqip, gjermanisht, frëngjisht, italisht, bullgarisht, turqisht, si dhe 235 fjalorë të ndryshëm. Libri më i vjetër i përket viteve 1433. Jam i pasionuar pas poezisë popullore dhe asaj moderne, këngës popullore qytetare shkodrane dhe asaj shqiptare, pa lënë në harresë atë simfonike. Një pasion i veçantë është dhe fotografia artistike, pasi jam një njohës shumë i mirë i historisë së saj në bote dhe në Shqipëri. Posedoj një fototekë që është më e madhja private në Shqipëri, ku fondi im përmbledh mbi një milionë e dyqind mijë negativa, plan filma, diapozitiv me ngjyra e bardh e zi dhe shumë lloje aparatesh fotografikë. Gjithashtu me pëlqen folklori dhe etnografia. Gjithashtu, për shumë vite kam studiuar për trombë dhe jam aktivizuar me bandën e qytetit, edhe me Teatrin e estradës së qytetit të Shkodrës si aktor i jashtëm. Jam bashkautor në krijimin e disa këngëve, popullore, serenata etj. Jam autor i tekstit të këngës së mirënjohur “Ky Marak” me kompozim të Mjeshtrit të madh Pjetër Gaci, i këngës “Dasmë shkodrane” me tekst e muzikë. Autor teksti i këngës “Zambaku i Erenikut”, autor i tekstit të këngës në frëngjisht “Sabrina e bukur” etj. Edhe në fushën e Koreografisë kam sjellë në festivalin Folklorik të Gjirokastrës 2004 vallen më të vjetër pagane në historinë e koreografisë shqiptare të njohur “Vallja e Ujkut”, ekzekutuar me sukses të plotë nga grupi koreografik i Shkodrës.

Bisedoi: Virtyt abdyli

Biografi

Lindur në qytetin e Shkodrës, më 30 korrik 1949, në një familje të shquar, me tradita shumë të lashta, patriotike, intelektuale, historike, ushtarake dhe fetare. Për shumë vite ka qenë trajner i ekipit të Alpinizmit të Kubit Sportiv “Vllaznia”, si dhe anëtar i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Skive dhe të Çiklizmit, në Tirane. Mjeshtër i Merituar i Sportit në Alpinizëm. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në Fakultetin Histori – Gjeografi. Është specializuar në fushën e Gjeografisë, Speleologjise, Folklorit e Etnografisë dhe së fundi Euroetnolog. Ka përfaqësuar Shqipërinë me shumë aktivitete të ndryshme ndërkombëtare dhe rrallë herë në ato kombëtare!? Është shpallur disa herë ndër 10 sportistët më të mirë të vitit, në Alpinizëm. Gjithashtu edhe ndër 10 sportistët më të mirë të shekullit, për Klubin Sportiv “Vllaznia”, në Janarin e vitit 1998.

Titujt e nderit

Çmimin e Republikës, në Arkitekturë, për Shatërvanin e Shkodrës 1989.

Ndër autoritet shkencore më të shquara të Shekullit të XX-të, në Bote, nga Instituti i Biografive në KEMBRIXH të Anglisë. – 1995.

Ndër autoritetet shkencore më të shquara të Shekullit të XXI-të, në Botë, nga Instituti Amerikan i Biografive në SH.B.A. – 2002.

Çmimin “Juri GAGARIN” në astronomi, I.K.K.A (për kulturë astronomike)

Medaljen “ PIPISTRELI i ARTE” me rastin e 75 vjetorit të themelimit të Federatës Bullgare të Speleologjisë.

Mban shumë tituj e dekorata në fusha të ndryshme, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.


Vazhdo Leximin...
Komenti 1printer friendly
Comments
Gëzim Uruci, shkodrani që eksploroi mrekullitë e botës, Tirana 03 Nov : 11:46 Reply to this

Respekt per kete kategori njerzish, si Gezim Uruci.Qe i kan dhan kaq shum Nder Qytetit ton.Por, tuj lezue cmimet qe Bota ja ka dhan me te drejt ketij njeriu, nuk me ra ne sy nji cmim nga Institucionet qe drejtojn kete Qytet. Njeriu,Qytetari,Sportisti Gezim Uruci ka dhan per Qytetin ton.Un mendoi qe nga Instancat ma te nalta te ketij Qyteti,ti jepet cmimi, Krenaria e Qytetit ,ose pse jo Qytetar Nderi.Edhe mundesisht nji tesh qe asht gjall, dhe jo kur te ken dek ,dhe kjo metod te zbatohet, edhe per Qytetar te tjer qe e meritoin kete lloi cmimi.

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1478 sec, 0.0302 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,260kB