:::ShkoderZemer
Metropol - Duket se nuk është vetëm një hamendësim apo sajesë e medias, largimi i dyshes sulmuese më të mirë të kampionatit shqiptar, Xhevahir Sukajt e Armando Vajushit, është i sigurt në janar. Kjo sepse lajmi konfirmohet nga burime shumë të sigurta, vetë lojtarët. Të dy futbollistët e Vllaznisë, e kanë pohuar dje këtë fakt duke dhënë,
madje edhe detaje. Ata janë shprehur se do t’i paguajnë klubit dëmshpërblimin që i takon sipas kontratës dhe në këtë mënyrë janë të lirë për të vazhduar karrierën e tyre kudo që dëshirojnë. Sukaj nuk ka ende një pistë shumë të përcaktuar, ndërsa Vajushi ka refuzuar grekët e PAS Janinës dhe është pranë Këlnit ose Thunit.
Sukaj: E them me bindje të plotë
“Është e sigurt se unë do të largohem në janar nga Vllaznia. Këtë e them me bindje të plotë. Sikurse thashë në verë, se në atë periudhë, nuk do të largohesha nga ekipi dhe e mbajta fjalën, tani ka ardhur moment për t’u larguar dhe këtë do ta bëj në janar”, ka thënë në fillim për gazetën tonë, golashënuesi më i mirë, deri më tani, i kampionatit shqiptar, Xhevahir Sukaj. Më pas, duke u ndalur tek e ardhmja e tij dhe destinacioni i mundshëm, shkodrani ka lënë gjithçka të hapur, për pista brenda dhe jashtë kampionatit shqiptar. “Për destinacionin e mundshëm nuk mund të them ndonjë gjë konkrete për momentin. Megjithatë, synimi dhe qëllimi kryesor mbetet një ekip jashtë Shqipërisë. Por, kjo mbetet për t’u parë”, ka thënë shumë shkurt në mbyllje sulmuesi i Vllaznisë, Xhevahir Sukaj. Pra, sulmuesi shkodran nuk ka përjashtuar një mundësi reale të qëndrimit të tij, edhe në kampionatin shqiptar, por ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike qëndrimin tek Vllaznia. Sukaj ka shënuar deri më tani 8 gola në këtë sezon, duke qenë më i miri i linjës së parë të sulmit, së bashku me Roland Dervishin e Shkumbinit. Sukaj duhet t’i paguajë një shumë prej 50 mijë eurosh klubit të futbollit “Vllaznia sh.a”, për t’u larguar në janar dhe mesa duket sulmuesi është i gatshëm për një gjë të tillë. Për momentin Flamurtari është një pistë e mirë për sulmuesin e grumbulluar së fundmi me ekipin kombëtar, pasi tekniku Edmond Lutaj e parapëlqen jashtë mase, pavarësisht se vlonjatët nuk duan të futen në punët e shkodranë. Por, kjo është pista shqiptare, sepse Sukaj në radhë të parë do të interesohet për vazhdimin e karrierës së tij në ndonjë kampionat evropian, ku edhe pse lojtari nuk thotë asgjë, interesim jozyrtar ka nga disa klube.
Vajushi refuzon grekët, drejt Këlnit dhe Thunit
Por, eksodi i muajit janar tek Vllaznia nuk do të ndalet me kaq. Me valixhe në dorë është edhe sulmuesi tjetër, njëkohësisht i ekipit tonë “Shpresa”, Armando Vajushi. I kontaktuar, pasditen e djeshme, nga gazeta, përmes telefonit, pasi gjendet i grumbulluar me ekipin “Shpresa”, për sfidën e sotme me Portugalinë, shkodrani tjetër i sulmit të Vllaznisë, duket se është në të njëjtën linjë shokun e tij, Sukajn, sa i takon largimit në janar. “Për Vllazninë po mendoj deri në janar, të jap gjithçka, pastaj do të flasim ndryshe. Kam oferta shumë të mira nga Këlni dhe Thuni, të cilat mbeten alternativat më të mundshme për në janar. Kështu që thuajse 99% , pikërisht në janar do të largohem nga Vllaznia dhe kjo nuk ka diskutime”, ka thënë në fillim Vajushi. Ai ka bërë të qartë se askush nuk mund ta pengojë këtë futbollist për t’u larguar nga kuqeblutë, kur të paguajë shumën prej 100 mijë eurosh, që e ka të cituar në kontratë. “Nuk mund të më pengojë askush për një gjë të tillë. Unë i paguaj Vllaznisë 100 mijë euro dhe largohem dhe kështu marr kartonin dhe kam të drejtën time të zgjedh ekipin me të cilin do të luaj në janar e mbrapa. Megjithatë, të presim janarin për të folur më konkretisht”, ka thënë Armando Vajushi, një ndër futbollistët e perspektivës në futbollin shqiptar. Vajushi ka pasur në këto ditë edhe një ofertë tjetër, por ai e ka hedhur poshtë mundësinë për të kaluar në radhët e grekëve të PAS Janinës, pasi Thuni dhe Këlni ofrojnë shumë më tepër se skuadra e shtetit fqinj, nga ana financiare, por edhe për rritjen e cilësisë së tij, si futbollist, kampionati gjerman dhe ai zvicerian, janë më lart se kampionati grek.
Vazhdo Leximin...