:::ShkoderZemer
Panorama - Rudi Vata, trajneri i Vllaznise - “Rudi, skuadra është në dorën tënde. Garancia jonë për merkaton e janarit është 100 milionë në dispozicion të blerjeve që t’i mendon se mund të bëhen. Besojmë se kjo është një shumë e mjaftueshme për të marrë lojtarë cilësorë në këtë periudhë”. Ka qenë kjo garancia që ka marrë trajneri Rudi Vata nga
kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka, i cili është njëkohësisht president i Vllaznisë. Burime të sigurta pranë drejtuesve të klubit shkodran tregojnë për “Panorama Sport” se takimi kokë më kokë i Vatës me kryebashkiakun, ka zbuluar edhe shifrën që do të vihet në dispozicion për merkaton e janarit. 100 milionë lekë të vjetër duken të mjaftueshme për të bërë goditjet e duhura në merkato. Nisur edhe nga fakti që janari është një periudhë më shumë plotësuese, edhe Vllaznia nuk pritet të bëjë ndryshime rrënjësore. Gjithsesi, Vata ka marrë garanci nga klubi dhe tashmë ai po piketon emrat që mund të sjellë në Shkodër. Trajneri kuqeblu e ka shumë më të lehtë, pasi drejton një agjenci menaxhimi të lojtarëve dhe ky është një faktor i rëndësishëm për bindjen e atyre emrave që ai do të kërkojë të afrojë në ekip. Ndërkohë, përveç 100 milionëve nga ana e Bashkisë për merkaton, Vllaznia mund të përfitojë një buxhet edhe nga shitjet e lojtarëve. Kështu, nëse sulmuesi Xhevahir Sukaj largohet në janar, klubi përfiton 50 mijë euro. Nga ana tjetër, mendohet se talenti Armandio Vajushi nuk do të lihet i lirë pa 100 mijë euro. Burime pranë trajnerit Vata bëjnë të ditur se ky i fundit po mendon të afrojë në janar tre lojtarë që bëjnë diferencën. Bëhet fjalë për një mbrojtës, një mesfushor krahu dhe një sulmues. Gjithçka është në fazën fillestare, por trajneri vështirë se mund të nxjerrë emra para muajit janar.
Vazhdo Leximin... You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup |