:::ShkoderZemer
Mapo - Anila Shuka - Juli Ndoci ka kaluar gjysmën e parë të jetës në Shqipëri dhe gjysmën e dytë në Gjermani. Këngëtarja e lindur në Shkodër sapo ka mbushur 40 vjeç. Në Shqipëri mund të kishte një karrierë profesionale më fitimprurëse, por ajo preferon të qëndrojë në Gjermani me të shoqin aktor dhe dy vajzat, e të shijojë liritë private dhe frymën eksperimentuese në art.
Që prej dy vjetësh ajo banon në dy katet e sipërme të një vile në qendër të Hildesheimit. Rruga ku është vendosur familja katëranëtarëshe mban emrin e dramaturgut gjerman “Friedrich Schiller”. Edhe pse jo patjetër veprat e Schillerit, teatri është pjesë e pandashme e jetës së saj. Kjo jo vetëm për shkak të roleve të shokut të saj dhe të atit të Jolindës, Oliverit, që është aktor dhe regjisor. Edhe ajo vetë e ka gjithmonë një rol në teatrin e qytetit: Herë duke parodizuar Lady Gagan, herë duke kënduar në një operë vokale fantastiko-shkencore të frymëzuar nga filozofi polak Stanislav Lem, herë duke hapur valixhen e kujtimeve të kohërave kur binte “muri shqiptar”, kur ajo këndonte në kuartetin “Hapni dritaret”, siç bëri në maratonën teatrore të 2009-ës në Berlin.
Në këto role Juli nuk del shumë nga vetja. Por të dalit nga vetja për t’u pëlqyer të tjerëve nuk ka qenë kurrë në katalogun e ambicieve të saj. “Parimi i jetës sime është të jem e lumtur. Dhe e di që lumturinë nuk ta dhuron kush, por duhet ta bësh vetë, e kjo do të thotë, në radhë të parë të jesh vetvetja”, thotë ajo. Kjo është një përvojë që Juli e ka mësuar sidomos në vitet e para të mërgimit, ku në fillim vetvetiu u mundua t’i përshtatej shoqërisë gjermane, derisa e kuptoi se ky lloj asimilimi nuk i jepte aspak kënaqësi: “Atëherë unë u çlirova dhe fillova të sillesha ashtu si e ndieja unë, e që në atë moment pata shumë më tepër miq”, kujton.
Larg festave folklorike
Ky ishte fillimi i saj në Hildesheim. Një qytet si shumë të tjerë në Gjermaninë Veriore: me një pjesë të vjetër, të shkatërruar në luftë e të rindërtuar e mirëmbajtur pas luftës, me një
kala e një katedrale, me buxhet kulturor, skenë alternative të përmbajtur dhe thuajse asnjë skandal. Por ky Hildesheim i pabujshëm i pëlqeu Julit kur erdhi këtu 20 vjet më parë, sepse aty nuk kishte komunitete shqiptarësh si në Hamburg, Stuttgart a Munih. Asokohe ajo nuk ishte e panjohur në Shqipëri, sapo kishte fituar, në treshen me Manjola Nallbanin dhe të vëllanë Frederik Ndoci, çmimin e parë në festivalin e këngës në radiotelevizion (Toka e diellit, 1989). Ashtu si shumë kolege të saj në mërgim, ajo nuk do ta kishte të vështirë t’i kthehej repertorit folklorik e të këndonte për bashkëkombësit migrantë nëpër klube e festa kombëtare. “Në Hildesheim ku nuk kishte shqiptarë të organizuar do t’i shpëtoja kësaj joshjeje, sepse nuk ishte repertori i njohur i folklorit shqiptar ai që më kishte shtyrë të vija në Gjermani”, rikujton argumentet e asokohe.
Ishte ajo pjesë e panjohur e botës muzikore e artistike që i kishte munguar në Shqipërinë komuniste dhe që ishte jashtë paradës së hiteve në RAI: Që nga grupe kult hardrocku e heavy metal si Mothers Finest, Skid Row e Motor Head e deri te legjendat e reja e të vjetra vokale si Zap Mama e Bobby McFerin. “Kolegët më jepnin muzikë ta dëgjoja dhe unë nuk ngopesha e më vinte keq që ky thesar i muzikës botërore më kishte munguar në Shqipëri”, kujton këngëtarja. Ajo mundohet të ecë në gjurmët e mjeshtërve të adhuruar prej saj, çka kuptohet menjëherë, mjafton të dëgjosh emrat e grupeve ku ajo ka kënduar gjatë dy dekadave. Ato pasqyrojnë njëkohësisht edhe zhvillimin e saj muzikor: “Mary Trouble” e “Papa brand News” (Hardrock), “Coustik light” (eksperimentale), “Exile Lounge” (vokal). Një përmbledhje e ndërmjetme e këtij zhvillimi është albumi i saj i parë si kantautore e grupit “Goja Mars” – një përzierje stilesh, rrymash, gjuhësh, e përbashkëta e të cilave është se kanë dalë nga dora e saj: Në të këndon në sfond edhe e motra, Rita, e cila është tërhequr prej disa vitesh në lumturinë private në Mannheim. “Goja Mars” – projekti i fundit i Julit para se të lindte Jolindën – fitoi në vitin 2009 në një festival të etnomuzikës në Hamburg.
E pasur shpirtërisht
Në aspektin material jeta e saj nuk është luksoze, por e vetëdijshme për shëndetin dhe mjedisin. Kjo do të thotë ushqime organike dhe sa më pak mbeturina plastike. “Këto janë pasoja të vetëkuptueshme të përvojës së jetesës në një shtet të kamur”, thotë Juli tek ushqen dy lepurushat në oborrin e kopshtit. Karriera muzikore nuk i ka sjellë aq të ardhura sa për të mbijetuar pa kokëçarje. Paralelisht i është dashur të bëjë edhe karrierën e zakonshme të mërgimtarit të suksesshëm: kameriere, këshilltare për refugjatë, përkthyese nëpër gjyqe nga gjermanishtja dhe anglishtja. “Këto të ardhura më kanë mundësuar të merrem me ato gjëra që dua unë”, thotë artistja. Dhe aftësitë e saj janë të shumëllojshme: Përveç muzikës dhe aktrimit, është edhe fotografia dhe dezajnimi i rrobave. “Talenti më i madh i Julit është arti i të jetuarit”, thotë një nga miqtë e saj nga Hildesheimi. Elementi bazë i këtij talenti është
humori, një veti karakteristike e gjithë familjes Ndoci. Është ndoshta kjo natyrë mirakandëse e shkodranes që ka bërë të grumbullojë rreth vetes një rreth shumë të madh shoqëror. Në vitin 2000 një gazetë lokale e qytetit me mbi 100 mijë banorë do ta radhiste ndër fytyrat më të njohura të qytetit.
Fotografi i së përditshmes rajonale Hildesheimer Allgemeine Zetiung, Andreas Hartmann, ka një dosje të tërë digjitale me emrin e Julit në kompjuterin e tij. Një pjesë të adhuruesve të Julit janë mysafirë të vazhdueshëm nëpër festat e darkat që organizon familja shqiptaro-gjermane. E pyet Julin për integrimin e saj në Gjermani: “Kam kaluar këtu gjysmën e jetës, dreqi ta hajë në se nuk qenkam integruar!”, thotë.
Mërgimi, shkollë që nuk i njihet diploma
Në cepin e dhomës së saj është e varur një kostum grash i Malësisë së Madhe. Me krenari ajo tregon tapetin e punuar me dorë në Dukagjin, mbulesën e tryezës, gjithashtu punim duarsh shqiptare. Gjuha e parë e saj me të bijat është shqipja, e megjithatë ajo nuk e frekuenton Shqipërinë aq shpesh. Juli e di pse. “Shqipëria për të cilën unë kam mall nuk ekziston më, ajo ka ndryshuar shumë e nuk është më ajo që kam lënë”, kujton. Dhe zhvillimi i Shqipërisë sikur nuk korrespondon me atë të Julit: Nuk është vetëm mungesa e hapësirës për artin alternativ, komercializimi i tepruar dhe etja për konsum, por para së gjithash homofobia, ajo që e shqetëson më së shumti kur kthehet në vendlindje: “Kur kalon një homoseksual, menjëherë do të dëgjosh shprehjen ‘kujdes, se po ta njet!’ Aty më bëhet e qartë varfëria shpirtërore e shoqërisë që nuk është në gjendje të tolerojë dikë që është ndryshe”, thotë Juli me keqardhje. “Në këto momente e di që mërgimi më ka dhënë diçka: një pasuri shpirtërore, një shkollë të tërë. Vetëm se, për fat të keq, diploma e saj nuk të njihet”.
Postoje në:
Vazhdo Leximin...