:::ShkoderZemer
Mapo - Silvi Halili
Pesë ditë më parë, një 9-vjeçar nga Laçi u vra në prehër të gjyshes e gjyshit për gjakmarrje. Tri ditë më parë, në orën 17:00, në fshatin Kasnec të Komunës Pult në Shkodër, u vra bashkëmoshatarja ime, 17-vjeçarja Marie Cuku, e qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa punonte tokën pranë shtëpisë së saj. Maria 17-vjeçare, u vra për hakmarrje, për “gjak”. Maria u vra, ngaqë guxoi e doli nga muret e kullës ku ishte ngujuar prej 10
vitesh, që në moshën 7-vjeçare. Guxoi e doli nga ato mure të psikologjisë mesjetare, për të punuar tokën që të siguronte bukën e munguar, të cilën prindërit nuk ia çonin dot asaj dhe familjes, për shkak të ngujimit dhe arratisë maleve, prej futjes në gjak. Unë nuk e di sesi mundet që një shqiptar të derdhë plumba e gjak mbi një fëmijë. Por… kjo është e pafalshme. Maria 17-vjeçare, dje duhej të ishte duke dhënë provimin e maturës. Por nuk e lanë plumbat as të mësonte, as të bëhej maturante e as të jetonte, sepse ishte e ngujuar për gjak.
Unë, Silvi Halili, jam maturante në gjimnazin “Abaz Shehu” në qytetin e Tepelenës. Apeli im publik në media u nxit në emër të jetës dhe të ardhmes, prej vrasjes së Maries, vajzës nga malësia e Shkodrës, që sot do të ishte maturante si mua, si gjithë të tjerët e kësaj moshe. Tashmë, ne maturantët po hedhim një hap të ri në jetën tonë, duke nisur dhe vazhduar ciklin universitar, pas përfundimit të të cilit, do të nisim startin e daljes në jetë. Në këtë sezon provimesh të maturës, përveç ngarkesës dhe përgjegjësisë për të arritur rezultate sa më të larta, mendja më shkoi vetvetiu te bashkëmoshatarët e mi, që në këto ditë duhej të ishin maturantë, duke dhënë provimet si gjithë ne të rinjtë, për të hedhur hapin tjetër të jetës në universitete, ose në shkolla profesionale, por që nuk e kanë këtë mundësi, për shkak të privimit prej një çmendurie zakonore mesjetare, të quajtur: gjakmarrje. Janë qindra të rinj maturantë dhe akoma më tepër fëmijë të moshës shkollore e parashkollore 0-18 vjeç, të cilët, për shkak të kësaj plage shoqërore shqiptare, vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar brenda kullave, nën frikën e tytës së pushkës së hasmit, duke mos patur asnjë të drejtë për të qenë të lirë, siç jam unë dhe gjithë ne fëmijët e tjerë në vendin tim. Ndërsa unë jam e lirë dhe jetoj gjithë mundësitë që me jep e drejta për të jetuar e lirë, në disa zona verilindore të vendit vepron tragjikisht gjakmarrja e të rriturve edhe mbi fëmijët. Këta fëmijë, mes tyre dhe në moshë maturantësh, nuk guxuan të shkojnë në shkollë për të dhënë provimet nga frika e pushkës së gjakmarrjes, që ndoshta i pret në pritë te porta e shtëpisë, në anë të rrugës, ose tek oborri i shkollës. Ata, përveç pamundësisë për të vazhduar shkollën, janë duke vuajtur pasojat traumatizuese të ngujimit. Përveç ndonjë interesimi mediatik, askush nuk po vepron për t’u dhënë lirinë e munguar dhe shkollimin e mohuar fëmijëve, megjithëse e dinë që ka qindra të tillë të ngujuar, të cilët duhet të jenë si të gjithë fëmijët e të rinjtë në bankat e shkollave, të universiteteve dhe në shoqërinë e tyre. Apeli im është i tillë: Ju prindër, ju njerëz me mendësi mesjetare, ju gjakmarrës të pashpirt, na lini të lirë dhe mos na drejtoni pushkën e gjakmarrjes ne fëmijëve të pafajshëm, që jemi pasardhësit tuaj, ndërtues të ardhshëm të kësaj shoqërie që synon integrimin. Na lini të lirë…
*Maturante-Tepelenë.
Vazhdo Leximin...