Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
:IROLF:
Tue Dec 09 2008, 10:13AM


Registered Member #2138
Joined: Tue Jul 22 2008, 06:10AM

Posts: 3284
Atdheut

(MRIZI I ZÂNAVET, 1924)

N’tý mendoj kúr agon drita,
Kúr bylbyli mallshem kndon,
N’tý mendoj kur soset dita,
Terri boten kúr e mblon.

Veç se tý të shoh un n’anderr,
Veç se tý, çuet, t’kam n’mendim;
Nder t’vështira ti m’jé qanderr,
Per tý i lehtë m’vjen çdo ndeshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle
Un kam pá, larg tue bâ shtek,
E pergjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushë mâ e blerët nuk shtrohet,
Por nji mal mâ bukur s’rri,
Mâ i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ké ti.

N’tý mâ i bukur lulzon Prielli,
Janë mâ t’kandshme stinë e mot;
N’tý bylbyli pa lé dielli
Kndon mâ ambel t’Madhit Zot.

Pa tý lules s’m’i vjen era,
Pa tý pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa tý nuk m’del prendvera,
Pa tý dielli nuk m’shelxen.

Dersá t’mundem me ligjrue
E sá gjáll me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permendë kam.

~ A. Gjergj Fishta


[ Edited Tue Dec 09 2008, 10:19AM ]
Back to top
:IROLF:
Tue Dec 09 2008, 11:00AM


Registered Member #2138
Joined: Tue Jul 22 2008, 06:10AM

Posts: 3284
Lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë.Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atj viti ai bëhet bashkthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të "Lahutës së Malësisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset" më 1913 "Mrizi i Zanave".
Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e kishte pritur me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë", (1937).
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939 Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

VEPRA
Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me pseudonimin E popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimatia e tij përfshin 40 vite të jetës, ai përdori 24 pseudonime.
Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. "Lahutës së Malësisë", veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej "Homer i Shqipërisë". Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
Back to top
Loris
Sun Dec 14 2008, 08:23AM
Veni-vidi-vici !!

Registered Member #2417
Joined: Thu Oct 30 2008, 08:28AM

Posts: 2261
Ka kene i madh!Ne kuptimin e vertete te fjales.

Ne nuk jemi ajo qe themi, ne jemi ajo qe bejme!
Back to top
::bud::
Fri Dec 19 2008, 06:11PM



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 08:46AM

Posts: 10533
Back to top
::bud::
Mon Feb 23 2009, 09:28AM



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 08:46AM

Posts: 10533
Back to top
:IROLF:
Tue Apr 07 2009, 06:57AM


Registered Member #2138
Joined: Tue Jul 22 2008, 06:10AM

Posts: 3284
Back to top
:.A*S*R.: 1927
Wed Apr 08 2009, 04:54AM
ѕнкσ∂яαиι 4€νєя

Registered Member #2808
Joined: Mon Mar 23 2009, 11:54AM

Posts: 3819
Pader Gjergj Fishta shkrimtar e shqiuar, atdhetar i madh. Homeri shqiptar e kan qilesuar Bota e Zhvilluar

E kam nje gjak

E kam nje emer

Shqiptar me shpirt

E Shkodran me zemer


Back to top
LEONS
Fri May 15 2009, 02:30PM

Registered Member #2969
Joined: Sun May 10 2009, 12:23PM

Posts: 1887
Fishta eshte i mrekullueshem. Ne te gjithe krijimtarine e tij ndihet fryma e tij patriotike dhe antiserbe. Eshte per kete aresye qe ai u perndoq dhe ju humben edhe eshtrat. Por do te vinte nje dite qe do te dilte ne pah vlera e tij. Krijimtaria e Fishtes eshte burim frymezimi per shqiptaret. Do te kisha deshire qe te arrija t'i mbaja permbendsh poezite e tij, kane muzikalitetin, forcen e fjales dhe patriotizmin e thelle. E tille eshte edhe vjersha 'Gjuha shqipe', ku autori ju ben me dije shqiptareve, vlera e gjuhes per ta sepse vetem duke mbrojtur gjuhen, pra realisht kulturen e tyre, identitetin e tyre atehere shqiptaret do te njihen si te tille ne bote. Gjuha na lidh me te kaluaren me traditen. Epitetet qe perdor autori per te shprehur forcen e gjuhes qe e krahason me kangen e zogut, me zhurmen e vales, me rrufene, me termetin, jane teper domethenese. Gjuha ka vlere per nje komb dhe pesha e saj eshte e pakrahasueshme. Prandaj njihni dhe flisni ne gjuhen tuaj para se te perdorni gjuhet e huaja. Qe do te thote jini me pare shqiptar sesa te jeni kozmopolite, sepse bota do t'ju respektoj si te tille nese keni dinjitet dhe dini te mbroni vlerat, gjuhen dhe traditen tuaj dhe jo si sahanlepires dhe zvarranike



Back to top
LEONS
Fri May 15 2009, 02:31PM

Registered Member #2969
Joined: Sun May 10 2009, 12:23PM

Posts: 1887


Gjuha Shqipe

Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' mâ para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!




Back to top
Ultra-Shkodrane
Sat Apr 17 2010, 04:51PM
Registered Member #3169
Joined: Sat Jul 18 2009, 01:40PM

Posts: 106
Padiskutim Fishta asht homeri i shqiptarve
Back to top
L - N
Sat Aug 28 2010, 03:13PM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
A jemi kund gjallë?



Gjergj Fishta, botuar më 1918

by Botimet Shqiptare on Sunday, August 22, 2010 at 4:55pm

I përmenduni filozof i Greqis s’vjetër Aristoteli e la të shkruese, se jeta asht në punë, si me thanë, se për me njoftë a ka a s’ka jetë ndoj send, duhet me vrojto pale a punon a s’punon aj gjësend; pse jetë pa punë s’ka. Për në kjoftë, pra, se kjo fjalë nuk asht rrenë, sikurse edhe rrenë nuk asht, duhet me thanë se komi shqyptar nuk ka ma jetë; ase, mos shqyptarët s’lozin kund për s’gjallit, e për kom të vet s’e qesin një gur n’uj, por rrijn duj u përhapë e tuj njehë mizat nëpër tryeza të mejhaneve e të hijeve të hoteleve, a thue se po janë tuj pritë barkët me grun e tallamoq. Por barkët nuk janë e kallamboqi, pa punue, nuk del, kshtu qi do të jesin me gojë that. Në kto katër vjet shëmtimit na kemi pasë rasë me pa e me ndi shumë të kqija e të liga, pse ra lufta e ja qiti njerzimit të zezat për fushë. Kemi pa e ndi si egoizmi i ndyet mundet me lanë burrnin mas doret; kemi pa e ndisi njerz t’kalemit e dijet munden me shkelë besën e fen e dhanme me dorë m’be, e ndi e pa kemi si interesat e veçanta mundem me i dhanë krah gjas s’shtetit, qi asht lodhja e gjaku i popullit. Po prap kemi pa e ndi edhe punë të mira fort. Kshtu, fjala vjen, në kët luftë kemi mujtë me vu n’oroe nji atdhedashni të paskajshme ndër kome të gjytetnueme, e nji abnegacion ase nji mohim çdo intereset t’veçantë, të cillit s’i gjindet shoqi në histori. Njikta burra, qi sod rreziku i ka kapërthye në luftë me shoqishojnë nuk kjenë rritë malit e krepit, pa kmishë m’shtat e të dishruem per hae e per pije, por paten le ndër saraje, kjen rritë m’pupla e mbajtun me miradija ku kjenë ma të mira. E pra kta njerz, që tash katër vjet, m’pishë të diellit tuj djegë si sarova, m’rribë të murranit, nër rreshme boret e akullit, të zhytun der m’brez ndër ballanxha të llogoreve, pa buk në bark, me nji breshen të trishtueshëm gjylesh e plumbesh mi krye e tuj e dijtë se grat e tyne, se fmija e tyne u rreshken prej ujet e prej mallit te shpija, kurr pa pasë pushim as natë as ditë, rrijn tuj luftue si luaj për liri e përparim të komeve të veta, e as s’e bajn kund mall se tokët u kanë metë pa punue, se shpijat u janë rrenue, dhent e dhit pre, e hupë me miljuj e miljuj gjaja e vet a e trashigueme prej të parve zotni ase e ftueme me djers të ballit të vet; me u zhdukë, të thuesh, para atdhedashnis s’tyne vetë atdhedashnija e Leonidhes. Punojnë si diva, si vigaj per kom e atdhe të vet, e komi e atdheu i tyne, sido qit ë marrin fund lufta, ka me jetue i lumnueshëm, pse në punë asht jeta e lumnija. E po na shqyptarët shka kemi punue e vjeftë per koma e atdhe tonin, në kta katër vjet t’orvatunit të njerzimit? Kurrgja! Senegalezt, zezakët e ndoshta edhe Otentott në ket kohë shëmtimi po, por historjak, kan lujtë për s’gjallit e s’kan ndejë me duer m’n'ije e pa punë, veç shqyptari s’asht kenë i zoti me xjerrë nji marimangë prej birucet per kom e atdhe të vet, e asht diftue se s’ka kund vorr në shpatull. Me e pasë për të pvetë ndonji shqyptar, se ç’punë ka punue, se ç’të mirë i ka reshë kujë, ka me të thanë, po, se ja ka shitë serbit kokrrën e petllës dhetë grosh e se për nji rrotull buket të mykët ja ka hjekë der kmishen prej shtatit: se maxharit i ka dhanë esence ufllet, të shartuese me uj e me shpirto e me sheqer të djegun per ruhum Jamajka e se tedeskut i ka shitë kastraveca per bastan; por s’ke me gjetë, drue, nji qi, me dorë m’zemër, mund të thotë, se kshtu punova, se shtu psova per atdhe tem m’ekonomi, a në literatyrë, a në nji çdo send sado të vogël qi të kishte të perpjekun me jetë komtare tonën. M’kurrnji gjësend nuk e kemi diftue veten, se jemi të gjallë si shqyptarë e si nji kom, qi ka ndërgjegjen e individualitetit të vet mi shekull. Me hi me e analizue punën edhe me nji optimizëm të shtyem ase tuj ja ba qefin vedit, drue se kishim me u vertetue qi, pose me ksula te thimta m’krye, m’kurrnji gjësend tjetër s’e kemi dishmue vedin para shekullit për shtyptarë. Kshtu qi, pose se prej veshet e gjuhët m’veti, sa per vepër tonë, të huejve as ndërmend s’kishte me u ra, se ka mi botë nji kom shqyptar m’vedi e qi ky ka kund ndoj qellim a ndoj aspiracjon si kom. E jo veçse të huajt s’e dijn se shka mundena me dashtë na si shqyptarë qi jena, por asht halli qi as vetë inteligjencja shqiptare, s’ka, drue, parasysh nji ide të kjarrtë mi kto aspiracjone e asnjë program permi mnyrë, me të cillen me i mbledhë tok e me i shti në punë fuqit e komit. E pra, pa pasë nji qëllim komtar të përgjithtë parasysh e pa i mledhë m’nja fuqit e komit, komi s’mund të jetojë. Njana nder arsye ma të parat, per të cillen nieri jeton në shoqni, asht kjo, qi nieri s’kishte për të mujtë me jetu mi shekull si nieri, po s’pat nimin e t’tjervet. Kur, pra, per me u mbajtë në jetë vetja e nji nierit të veçantë, lypet qi nieri t’i bashkojë fuqit e veta shpirtnore e fizike me fuqi të t’tjerve, sa ma fortnuk ka me u dashtë bashkimi i ktyne fuqive, per me u mbajtë vetja e nji komit mkamë? E po ku janë fuqit tona? Kush asht qi rregullon me to? Shpesh na vjen me ndi ke ndoj atdhetar shqyptar thotë, se skhtu u mblodhem, se kshtu shkuem, se ashtu punuem e se neper veper tonën ju suell komit kjo e mirë ase ajo tjetra. Na kandet me ndi kso fjalësh, pse kshtu disi na njallet shpresa në zemër, se ka nisë me hi në popull njifarë ndisijet për detyrë komtare; por e vërteta asht qi, me hi na e me i përshkrue nëpër mend kto kohët e mramae, ndër të cillat në Shqypni u vërtetuen shndërrime të mdha, gjejmë se kurrnji ase gati kurrnji kso punish e shndërrimesh, qi mujten në ndojfarë mnyret me kenë dobija e komit, nuk ndodhi pse na dojshim qit ë ndodhte kshtu në vend tonë. E pra nji komi të meçëm, t’organizuem e qi asht i zoti i punës rrallë se i ndodhë gja pahiri. Aty njifet, se nji popull asht i dejë me jetue si kom, kur aj vetë me mendë e me fuqi t’vet i krijonmndorjet e jetës e nuk pret qi t’i reshen prej t’tjerve, pse asht e vërtetë fjala qi thotë, se kali i huej të len m’baltë. Per n’e daçim pra nji Shqypni tamam Shqypni – nji Shqypni, pa bishta e pa gjalma nëpër kamë – duhet ma s’parit qi inteligjencja e Shqypnis t’organizohet, të studjojë aspiracjonet e komit, të mundohet nëpër mjete të ligjshme me bashkue fuqit komtare e atherë të ndërtojë nji program se si me i qitë në punë kto fuqi komtare, qi janë gjithmonë e gjithkund të rrebta, e tuj perke vepren me gjeje të kohve, të punojë me shpresë të gjallë për nji kohë qi do të vijë. Nji pjesë e inteligjencës komtare, per me sugurue ekzistencën e vet të veçantë në kto kohë të vshtira, asht organizue e mbledhë tok në nji “Konsumverein”, kshtu t’organ-izohet e të mlidhet tok per mjete të gjallrimit të komit të Shqypnis.

Marre prej trokit ketu


[ Edited Sat Aug 28 2010, 03:14PM ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sat Aug 28 2010, 03:18PM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
Gjergj Fishta ILLYRICUMSACRUM





Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sat Aug 28 2010, 03:20PM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
Lahuta E Malsise " Oj Shqiptari" Cun Lajqi





Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Thu Dec 02 2010, 04:00AM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
Si u eliminua Fishta prej gjuhës, si gegë e katolik


Arshi Pipa 25/11/2010 11:48:00



"Spastrimi" i gjuhës së armikut të klasës: Rasti i Fishtës, Camajt…



Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar në vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesën e parë të titullit, “Te ura ...”, pa qenë në gjendje për të vazhduar, pasi ka hasur vështirësi në shkollimin e disa shkronjave. Libërthi është në vargje e djalit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të titulluar "Marash Uci". Pak nga pak, ai fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në Stamboll. Mbërrin te vargjet 51 - 52:

Por shka, Zot, ka Mashi sot,

Qi na â vrâ e nuk bân zâ?

Ai e kupton rreshtin e parë, por të dytin jo. Atëherë, ai hap fjalorin e ShNjL-së dhe fillon të kërkojë për â. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i âsht) ai gjen a-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse). Mungon gjithashtu edhe vrâ, fjala më e afërt me të është vras. Mos e kanë vrarë turqit Marashin? - pyet veten djali. Pjesa e mbetur e vargut duket se tregon në atë drejtim, sepse ndonëse nuk është gegë, djali i bie lehtësisht në të se nuk bân zâ është e njëjta me nuk bën zë. Dhe kur dikush nuk nxjerr zë, do të thotë se ka vdekur. Por ai do për t’u siguruar dhe prapë hap fjalorin e ShNjL-së. Kërkon për ndonjë idiomë në seksionin frazeologjik të zë. Nuk gjen asgjë. Nuk ka fat më të mirë sa kërkimi te seksioni frazeologjik i bëj. Kostallari nuk e ka futur idiomën, e cila është tipike gege. Në fakt, jo vetëm që idioma nuk ekziston në toskërisht, por vetë toskizimi i saj do të tingëllonte i çuditshëm. Libri s’e paska shënuar idiomën. Duhet të ketë ndonjë problem këtu, - thotë djali. Dhe kështu ai e ndërpret leximin e poemës.

Ditën tjetër ai vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime. Zhvillohet biseda e mëposhtme:

- Kam gjetur dje një libër të hollë, të ngrënë mole, i shkruar nga njëfarë Gjergj Fishta...

- Oh, mos! E gjete apo ta dha njeri?

- E gjeta kur po kërkoja për ca fotografi në një raft. Ka emrin e gjyshit tim në kopertinë.

- More vesh gjë kur e lexoje?

- Ca po e ca jo. Është fjala për një hero shqiptar, që u vra në betejë me turqit. Ky shkrimtar ishte vërtet shqiptar? Përdor ca fjalë shumë të çuditshme.

- Shkrimtari ka qenë prift.

- E po, ja përse nuk i merrja vesh shumë fjalë. Priftërinjtë duhet të kenë pasur një gjuhë të ndryshme, një lloj zhargoni, ndoshta një kod sekret. Se ku kam lexuar, që ata, ditë e natë, rrinin duke komplotuar kundër Partisë.

- Kjo është arsyeja, biri im, përse udhëheqësit tanë mendjendritur i kanë dënuar shkrimet e tyre.

- E drejtë. Ato nuk shkruheshin për popullin, por për priftërinjtë dhe pasuesit e tyre. Atë libër do ta fus në stufë.

- Më mirë ma jep mua. E rregulloj unë.

Pa dyshim, lexuesi duhet ta ketë marrë vesh se Fishta është me gjithë zemër i neverituri i stalinizmit shqiptar. Mund të pyetet me të drejtë se pse. Fishta konsiderohet "armik i popullit", para së gjithash, sepse kryevepra e tij poetike, “Lahuta e Malcís”, është idhtësisht antijugosllave. Veçanërisht për këtë arsye, ai u nxor jashtë prej letërsisë shqiptare, si dhe prej shkollave shqipe që me ardhjen e pushtetit stalinist. Ishin ditët kur PKSH, faktikisht, ishte shtojcë e PKJ-së, më saktë e degës serbe të saj. Ishte koha kur nëpër rrugë brohoritej "Enver-Tito" e ky çift emrash shkruhej me të mëdha nëpër mure e banderola. Nënshtrimi i PKSH-së ndaj Partisë Komuniste Serbe ishte i tillë saqë shtypi shqiptar kopjonte mënyrën serbe të të shkruarit të emrave të huaj gjeografikë e të përveçëm. Ai i shtypte, jo si shkruheshin në vendet e veta të prejardhjes (sikurse ishte praktika në Shqipërinë parasocialiste), por sipas mënyrës që i shqiptonin serbët, kur i shkruanin me shkronja cirilike. Ky zakon, i filluar në Rusi shumë përpara se të vinte komunizmi, arsyetohej me vështirësinë e përdorimit të shkrimit cirilik rus në dhënien e tingujve latinë, grekë e arabë. Meqë Shqipëria zgjodhi alfabetin latin, pozita e saj në ketë pikëpamje është e njëjtë me vendet e tjera të Lindjes komuniste, si Polonia, Çekosllovakia e Hungaria, të cilat gjithashtu kanë në përdorim shkrimin latin. Por ndërsa këto vende vazhduan të shkruanin emrat gjeografikë si dhe të përveçmit, ashtu siç shkruhen në vendet e prejardhjes, udhëheqja komuniste zgjodhi mënyrën serbe (dhe ruse) të të shkruarit të tyre. Kështu, Chateaubriand shkruhet "Shatobrian", Chigi "Kigji", Shakespeare’s Julius Ceasar Jul Cezari i Shekspirit speare (heshtë) bëhet "shpirt", meqë ra fjala "në njërën dorë pushkën dhe në tjetrën librin", është parullë e mirënjohur stalinisto-shqiptare, por edhe italo-fashiste.

Po le të kthehemi prapë te Fishta. Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij “Titistët”, janë të krahasueshme - duke lënë mënjanë poezinë - me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te “Lahuta e Malcís”), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e “Posta e Shqypnís”, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë. Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçenc Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkv i Durrësit, vdiq në burg). Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë është se ai ishte gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh. Në këtë pikë, lexuesi duhet të informohet se (para se vendi të shpallej si vendi i parë ateist i botës), shqiptarët praktikonin katër lloj besimesh: islamin sunit, bektashizmin shiit, ortodoksinë e katolicizmin. Për shkak të qëndresës së tyre ndaj propagandës ateiste dhe presionit, katolikët e kanë vuajtur më tepër përndjekjen fetare. Dhe meqë ata banojnë vetëm në Shqipërinë e Veriut, regjimi ka qenë i prirë të identifikojë ketë pjesë të vendit me katolicizmin. Por Fishta është brohoritur si poet kombëtar, jo vetëm prej shqiptarëve veriorë. Ai ishte sigurisht personaliteti katolik më i shquar i Shqipërisë parasocialiste. Fishta u bë gogoli i socializmit shqiptar, për shkak të staturës së tij dhe statusit si ideolog përfaqësues i katolicizmit shqiptar.

Megjithatë, ajo që të bë përshtypje në rastin e Fishtës, është se ai është "spastruar" jo vetëm prej fushës së letërsisë, por edhe prej asaj të leksikut. Dihet se Fishta ka leksik të pasur poetik. Max Lambertz-i, cili e ka përkthyer “Lahutën e Malcís” në gjermanisht, futi në Albanisch – Deutsches Wörterbuch (Fjalor shqip – gjermanisht) fjalë si me dheskë ‘locken’ (me joshë, me ndjellë), dumbare ‘doppellaüfiger Revolver’ (revolver vetëmbushës), grrêç ‘Kurbisflasche’ (susak uji), me kandritë ‘ausstaffieren’ (me pajisë), kryqalí ‘Christ’ (i krishterë), latrâc ‘Viebauch’ (mullëz, lukth bagëtie), me leçitë ‘ankündigen’ (me kumtue, me bë të ditur), mêc ‘Bursche’ (djalë), shkallme ‘Schwert’ (pallë, shpatë), shkinë ‘Slavin’ (grua sllave), shkjení ‘Slavenland’ (popullsia e sllavëve të jugut, kryesisht serbë e malazezë), shmrijak ‘Almhirte’ (bari kullotash alpine), vithna, shumës i vath ‘Hürde’. Asnjëra prej këtyre fjalëve, nuk gjendet në fjalorin e Kostallarit. Por një fjalë e tillë si me dheskë "e pasuron leksikun ekzistues", sepse, me sa di unë, nuk ka në shqip një fjalë tjetër që t’i përgjigjet fjalës anglisht ‘to lure’. Kurse një fjalë si me kandritë "e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse", ngaqë fjala nuk ka një të barasvlershme të vet të saktë në shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për me leçitë, grrêç, shmrijak, ku kjo e fundit është karakteristike për zakonin e malësorëve që shtegtojnë me bagëti, sipas stinës nga kullotat verore në ato dimërore. Së njëjtës emërtesë baritore i përket edhe fjala vithna, shumësi i vath. Kostallari regjistron vathë, por jo shumësin vithna, siç dëgjohet në Shqipërinë e Veriut. Ai parapëlqen shumësin vatha. Por kjo formë e shumësit nuk del në asnjërin prej trembëdhjetë shembujve dhe frazave që ilustrojnë përdorimin e kësaj fjale. Prej nga vjen ky shumës vatha? Cipoja e ka vathë, vithna; po kështu edhe Lambertz-i; po kështu Kristoforidhi. Por ky i fundit regjistron edhe formën vatha të shumësit, e cila duket se është forma e gegërishtes qendrore. Kostallari ka zgjedhur këtë formë. Ngaqë tjetra qe përdorur prej Fishtës apo ngaqë kjo ishte një formë e gegërishtes së Veriut?



Raste të tjera "spastrimi"

Por rasti i Fishtës është vetëm ai që bie më tepër në sy në trajtimin që i bën Fjalori i 1980-s gegërishtes letrare të veriut. Nikollë Gazulli, një tjetër prift katolik, hartoi një fjalor të ri: “Fjalë të rralla të përdoruna në Shqipninë e Veriut” (1941) (19). Fjalori i Kostallarit, ndërsa përfshin një pjesë të madhe të leksikut të Gazullit, lë jashtë fjalë, të cilat janë tipike për kulturën materiale të Shqipërisë së Veriut. Kështu, p.sh., qẽth, një dërrasë rrumbullake që përdoret për të pjekur bukë misri ose gruri në furrë (Zadrimë), tehak (por edhe qepç) vegël për latim guri (kulla e famshme e Shqipërisë së Veriut ose banesa e fortifikuar ndërtohet me gurë të latuar); shpardh, një lloj guri i grimcuar, kur bluhet dhe përzihet me gëlqere, jep një llaç të cilësisë së lartë; tërrkaç, gërhanë për shprishje leshi; tymën, gjerm. Fadenkette. Por aty mungojnë edhe fjalë që "i sjellin ndonjë pasurim leksikut të sotëm letrar", si p.sh., unt (gjithashtu ânge) (vendi ku pjesa e sipërme e shalëve takohen me trupin ose balli i vetes, ndër vete). Herdhe e dhënë prej Kostallarit, do të thonë bole, koqe. Por mungojnë edhe fjalë që "ndihmojnë për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe" si p.sh., trevë (direk anije). Fjala direk është turqisht e megjithatë, del në fjalor. Autorët e Fjalorit të ShNjL-së nuk janë konsekuentë në zbatimin e kritereve të veta. Ata diskriminojnë leksikun e shqipes së Veriut e ky diskriminim vepron kundër interesave të pasurisë leksikore të kombit.

Edhe shembuj të tjerë mund të sillen që mbështetin këtë konstatim. “Dranja” e Martin Camajt, një kryevepër e letërsisë shqipe, përmban mjaft fjalë të rralla, prej të cilave një numër shumë i vogël nuk gjenden në fjalorët shqip ekzistues, përfshirë këtu edhe fjalorin e Gazullit, me fjalë prej Shqipërisë së Veriut. Këto fjalë duhet të jenë nëndialektore, ngushtësisht të zonës së Dukagjinit, ku Camaj pati lindur. Por shumë prej këtyre fjalëve e pasurojnë edhe më leksikun kombëtar, përderisa këtij të fundit i mungon fjala që tregon se çfarë po bëjnë ata ose "zgjeron larminë e mjeteve të tij [të leksikut letrar] stilistikore e shprehëse", fjalë pa kurrfarë korresponduesje në leksikun tonë kombëtar, është fjala i lezëm (elegant, i hijshëm). Fjalë tjetër që e pasuron larminë stilistike të gjuhës, është fjala bujrí, e cila gjendet në një këngë të fëmijërisë: "Po bie borë - për malcorë. /Po bie shí – për bujrí". Shqipja ka dy fjalë për të shënuar banorët e fshatit: G katundarí dhe T fshatarësí. Por asnjëra prej këtyre dy fjalëve nuk përmban në vetvete nuancën e fshatarit që jeton në fushë (për opozicion me ata që jetojnë në male) e që merren kryesisht me lëvrimin e tokës (për opozicion me barinjtë alpinë). Fjala bujrí, me gjasë, rrjedh nga fjala bujk. Te “Dranja”, sikurse edhe në vepra të tjera, Camaj heq një kufi të qartë mes fshatarësisë së fushës dhe asaj të malit. Por, meqë “Dranja” u botua më 1981, pra një vit pas Fjalorit, ky fjalor nuk pritej t’i përfshinte fjalët që sapo përmendëm. Por një numër veprash të Camajt, në prozë e në poezi, e që përdornin, pak a shumë, të njëjtën gjuhë si te “Dranja”, kanë parë dritën e botimin edhe para daljes së fjalorit në fjalë. A kanë përfshirë autorët e tij diçka nga leksiku i Camajt? Jo, ata nuk e kanë përfshirë, sepse Camaj qe ndaluar për arsye politike, sikurse edhe Fishta (ai kishte mbaruar Seminarin Jezuit të Shkodrës) dhe, për pasojë, konsiderohej çfarë Ismail Kadare quan "gjuhë e Krishtit" në romanin e vet “Pashallëqet e mëdha”.

Le ta përsëritim vargun e kritereve të Kostallarit, që janë ndjekur në përzgjedhjen e materialit gjuhësor: "...Nëse fjala i sjell apo jo ndonjë pasurim leksikut të sotëm letrar, nëse ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj. dhe nëse lidhet me shtresat leksikore që rriten e zhvillohen apo me ato që rrëgjohen e shuhen" (IX). Ta gjykosh nga sa kemi gjetur në fjalor, i bie të thuash se procesimi i "pasurimit" të leksikut (me neologjizma, fjalë të rralla dhe huazime nga gjuhët e tjera), shkon dorë për dorë me procesin e "spastrimit" prej "shtresash leksikore që rrëgjohen e shuhen", d.m.th. spastrim i asaj pjese që është e dënuar të vdesë. I tillë, në radhë të parë, është leksiku i "gjuhës së Krishtit", leksiku i asaj krahine që mban vulën e fesë katolike. Me fjalë të tjera, procesi i spastrimit, ka motive të pastra ideologjike, duke qenë ideologjia në fjalë ajo e stalinizmit shqiptar. Çdo gjë që është kundër kësaj ideologjie, duhet të pushojë së qeni. Dhe, nëse ka ekzistuar në të kaluarën, ajo duhet të fshihet nga kujtesa, duhet të zhduket, të bëhet e paqenë. Mënyra më e shpejtë për të mbaruar ketë punë, është dëbimi prej fjalorësh i të gjitha fjalëve, që tregojnë koncepte fetare dhe praktika të së kaluarës, si dhe heshtje e plotë mbi emrat e atyre që qenë përfaqësuesit e ideologjisë fetare. Kështu shpjegohet, në analizë të fundit, pse Fishta u nxor jashtë prej letërsisë shqipe dhe gjuha e tij u dëbua nga fjalori shqip. Kjo nuk e shpjegon, nga ana tjetër, se pse Naim Frashëri, ky përfaqësues shqiptar i fesë bektashiane, çohet në qiell edhe si poet i madh, por edhe si përfaqësues i nacionalizmit shqiptar. Sipas opinionit të përgjithshëm, i të huajve e i vendasve, at Fishta është edhe ai poet i madh dhe figurë përfaqësuese e nacionalizmit shqiptar. Atëherë pse i thuhet "po" Naimit dhe "jo" Fishtës? Se Naimi është mysliman, kurse Fishta katolik? Shumë i respektuar është edhe peshkopi Noli, një shkrimtar i klasit të parë dhe përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, si edhe dinjitari më i lartë i Kishës Ortodokse Shqiptare. Trioja Frashëri, Noli, Fishta qe brohoritur si një trini e shenjtë e gjenisë shqiptare tripartish në kohën para ardhjes së stalinizmit. Tani trioja është katandisur në duet. Arsyeja themelore pse Fishta u la jashtë, del në pah fare lehtë, meqë arsyetimi merr formën e një entimeme (te Aristoteli enthymema):

Stalinizmi shqiptar është një dukuri dërrmuese toske dhe toskët janë edhe myslimanë, edhe ortodoksë.

Fishta nuk është toskë, por as mysliman, as ortodoks. Ai është katolik edhe gegë.

Katolicizmi është një dukuri e kulluar gege.

Stalinizmi e konsideron katolicizmin gegë si kryearmikun e vet.

Fishta ndalohet, sepse është përfaqësuesi kryesor i katolicizmit.

Por procesi i "spastrimit" nuk ka qenë i kufizuar vetëm te shkrimtarët gegë katolikë, të konsideruar si armiq të popullit. Të njëjtin fat pësuan dhe disidentët partiakë, të cilët vunë në dyshim vlefshmërinë e politikës staliniste, të zbatuar në gjuhë, letërsi dhe arte. Më i shquari ndër ta është Sejfulla Malëshova, një toskë mysliman. Ai kishte qenë sekretar i Nolit gjatë periudhës së shkurtër kur peshkopi ishte Kryeministër i Shqipërisë në qeverinë revolucionare (1924). Më vonë ai iku në Moskë, ku thuhet se punoi për Kominternin dhe dha mësime marksizmi. Më 1943, u kthye në Shqipëri dhe u bë anëtar i Byrosë Politike. Për shkak të prirjeve të tij të moderuara, shpejt u ndesh me pjesën konservatore të partisë, të përfaqësuar prej Hoxhës e Xoxes. Si ministër Kulture në qeverinë e parë komuniste të Shqipërisë, ai kundërshtoi prirjen për eliminimin prej letërsisë shqipe të Fishtës, Konicës dhe shkrimtarëve të tjerë madhorë. Menjëherë ai u përjashtua nga Byroja Politike dhe, më vonë, edhe nga partia, duke përfunduar kështu një person krejt i parëndësishëm. Për atë kohë Malëshova ishte i vetmi intelektual shqiptar, që njihte mirë teorinë marksiste dhe praktikën staliniste. Nën pseudonimin Lame Kodra, ai kishte shkruar edhe disa poema, të cilat qenë botuar më 1945 me titullin “Vjersha”. Ky libër i hollë përfshin përkthimin e tij në shqip të “Internacionales”, e cila u përshtat prej partisë. Malëshova nuk është ndonjë poet madhor, por është njohës i mirë i gjuhës. I hodha një sy këtij libri, për të parë nëse gjuha e këtij poeti - i vetmi poet marksist, për të cilin Shqipëria mund të mburrej gjatë viteve të para të periudhës socialiste - pësoi të njëjtin fat me poetët disidentë, të cilët, të rënë në fatkeqësi, u përjashtuan prej letërsisë shqipe të realizmit socialist. Në njërën prej poemave të tij, ai përdor një fjalë gege debojë (arsenal), fjalë që nuk është e përfshirë në Fjalorin e ShNjL-së. Në përkthimin e tij të Goethe-s "Mbreti i Tulës", Malëshova e përkthen fjalën gjermanisht Zecher ‘amator pije’ me bekrí, fjalë turke kjo, e pabarasvlershme në shqip. Fjalori i Kostallarit është i mbushur plot me fjalë prej turqishtes, shumica e tyre të pabarasvlershme në shqip. Por fjala bekrí nuk del në të.

Marre prej Gazeta Standart
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Dec 28 2010, 10:21AM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
Shkrime të panjohura të At Gjergj Fishtes



Kolec Çefa 26/12/2010Njerëzit e mëdhaj janë stacione kombtare ku na ndalemi për të meditue, edhe për të kaluemen, edhe për të ardhmen. Në fushën e kulturës sonë shqiptare, i tillë âsht edhe Fishta. Përkushtimi i tij për fe, atdhe e kulturë shqiptare âsht imponues. Megjithatë, ende ka mbetë, edhe e pambledhun plotësisht, edhe e pastudiuar krejtësisht, krijimtaria e veprimtaria e tij. Përpjekje të mira në këtë drejtim janë ba nga P. Benedikt Dema, i cili na jep një pasqyrë të botimeve fishtiane, por jo të plotë. Janë botue disa vëllime tjera për krijimet e Fishtës, vështrue në pamje të ndryshme, por përsëri me mungesa. Po ndalem tek mbledhja e prozës fishtiane nga grupi i Z. Frano Kullit dhe nga Dr. Persida Asllani, që na kanë mbledhë me kujdes e mund prozën e shpërndame të Fishtës. Në gazetën “Posta e Shqypnìs” janë botue disa artikuj “Permbi burim të gjuhvet letrare” dhe artikulli “Mikrobët e gjuhës shqype”, të cilët, tue qenë pa firmë, janë lanë jashtë përmbledhjeve. Prof. Kostallari i përmendë e shkruen: “Artikulli nuk nënshkruhet, por, sipas shumë shenjave, duket se mund të jetë shkruar nga Gjergj Fishta, drejtues i këtij organi”. (dhe krijon rast për të sharë klerin katolik). Shtojmë se Prof. Dr. Nuri Gokaj i njef për të Fishtës. Unë i kam përfshie në një vëllim të ri që mendoj ta botoj. Subjekti gjuhësor aq shpesh i rrahun prej Fishtës, madje i rrahun me kulturë të gjanë e pasion atdhetari per tanë jetën, ka qenë i parapelqyem që në fillimet e krijimtarisë së tij. Edhe punoi e shkroi shumë për alfabetin tonë, gjuhën shqipe e shkollën kombtare. Shkruente se “gjuha letrare âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë;… se per perparim të gjuhës amtare âsht nevoja me u librue ç’prej themelit politikisht”; … se gjuhën e ndërtojnë shkrimtarët e dijetarët e zanatit”. Fishta nuk pranonte dekrete as porosi nga nalt për gjuhën shqipe, nuk ishte për ngutje, nuk ishte për shartime dialektesh. Këto mendime e trajtimi i këtij subjekti, me stilin e tij fishtian; fjalori i tij i pasun e frazeologjia karakteristike në pendën e Fishtës, më çuen tek perfundimi se proza e pambledhun “Mikrobët e gjuhës shqype”, si edhe “Përmbi burim të gjuhvet letrare”, sado pa firmë autori, (ka edhe shkrime tjera në “Postë…” të Fishtës pa firmë autori të pambledhuna) kanë dalë nga mendja e penda e Fishtës, prandaj duhet të rreshtohet si krijim letrar i Fishtës. Përsëri në gazetën “Posta e Shqypnìs” Fishta ka botue një reçension për veprën e Mjedës “Juvenilia”, kritikue nga monizmi, madje edhe tue krijue kontradiktat Fishtë-Mjedë. Prof. Vehbi Bala shkruen: “Në një anë, Fishta çmoi disa vlera në “Juvenilian” e Mjedës, kurse në anën tjetër, ai e kritikoi. Meritat e veprës… Si të meta të veprës, Fishta shënoi një melankoni, që nuk rrjedh gjithmonë nga zemra sa nga mendja e autorit. Ai nuk i përfilli shfrimet romantike të Mjedës si shprehje të ndjenjave, por diçka cerebrale”. Pavarësisht nga kredibiliteti shkencor i thanies së masipërme, unë po ndalem te një identifikim imi (botue ma parë në veprën time “Në gjurmët e Fishtës”, por i papërhapun). Po në gazetën e citueme, Fishta (për mendimin tim) âsht autori i recensionit të dytë për “Juvenilian” me titull “Literaturë shqype”, në anonimat, ku lavdon poezinë e Mjedës për ndiesi, per zeje, per gjuhë, të hijshme: “Kur këndon ato kangë, as nëpermend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo asht gjuha shqype”. Dhe shprehet ma poshtë kundër perziemjes së dialekteve.
Një identifikim tjetër, që unë e kam përfshie në permbledhjen time, âsht edhe një analizë kritike që Fishta shkruen per Koliqin, por tash po ndalem te një prozë tjetër, e pambledhun, pse e panjohun si e Fishtës.
Më 1921 plasi kryengritja e Mirditës. Thuhet se paaftësia e prepotenca e anëtarëve të qeverisë, rrjedhë ndoshta nga ndonjë ndjenjë negative, çuen në ngjarjet që ndodhën pas. Deputetët e Shkodrës, kleri katolik, kërkuen të çohej një delegacion me në krye Bajram Currin komandant, me u marrë vesht. Mirëpo ngjarja përfundoi me luftë kundër Mirditës. Fishta shkroi një prozë që ia fali drejtorit të fletores “Shkumbini” që e botoi në nr. 30, datë16. 9.1921. Qeveria arrestoi drejtorin, pse kërkonte artikullshkruesin. Ma gjatë lexoni ma poshtë:
Këshilli kombtar
N. 617/III
Të Shkelqyeshmes Kryeministri
Tiranë
Në pergjegje të shkresës nr. 1982 të Ministris të Punëve të Mbrendshme, paraqit me anën të Shkelqyeshmes Kryeministri, kemi nderin me u njoftue se deputeti i Shkodrës Z. At Gjergj Fishta u pyet mbi ketë çashtje. Z. e tij thotë, se artikullin vet(ë) e ka shkrue, por pa nënshkrim dhe per hesap të Redaksis të gazetës “Shkumbini”, dhe tue thanë direktorit t’asaj gazete, që artikullin mundet t’a ndryshojë, ose mos t’a botojë se s’pranon aspak pergjegjësi.
Pritni nderimet tona shumë të nalta.
Kryetari
Eshref Frasheri
Tiranë, me 22/10/921
Vula


Mikrobët e gjuhës shqype
Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u zhdrivillue ma fort. Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë ndermjet zhumhurit të gjuhëve të slavëve, të grekve e nen imperjalizem të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, slavët etj. janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype! Nen shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe ndonji liber shqyp,
botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha. Tjerët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane. E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyres, per në kjoftë nëpunës e, per në kjoftë nxanës ka per t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që ta ketë porositë me e marrë në shkollë perjashta: e atëherë na mblon aj breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shperndanë kadalë. Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme. E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj., etj. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper. Kahë pritojnë me u vu e me zanë më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per të mbajtë per fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E Kështu, kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Per në ngjatët puna kso doret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim, mbassi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje. Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka lertrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.
(“Posta e Shqypnìs”, 1918, nr.30, F.4).

Literaturë shqype
Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re. Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje. Por puna âsht krejt ndryshe.
Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort të hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme. Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype. Në ato kangë nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë. Prej këtij libër shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme. E shpresojmë se shqyptarët kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.
Libri “Juvenilia” në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet shtypshkrojës françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.
(“Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).

Fjalë të reja e mentalitete të vjetra
Sot âsht tuj u vra shqiptari me shqiptarë. Sot nji krahinë e përmendun e Shqipnisë, Mirdita, âsht tuj u la në gjak të shqyptarëvet! Punë fort e ligë; punë e keqe fort! Kush e ka fajin?
Qatje kah nbarimi i qershorit të këtij vjeti doli fjala e mori dhén, se paria e Mirditës, Z. Marka Gjoni i Gjomarkajve, po e kishte ba pleqni me krén të vendit, m’e shkepë Mirditën prej Qeverijet të Tiranës e me ngrefë per te nji qeveri tjetër të re, e se, per me i dalë kësaj pune në krye, po kishte kalue deri në Prizren, per me lypë prej serbëve ndihmë financjare e ndihmë morale a diplomatike.
Qeveria jonë e paska pasë ndie ket fjalë e menjiherë vendueka, me çue në Mirditë një forcë ushtarake, per me prue me fuqi t’ armëve Marka Gjonin në fille, me gjith krén e me gjith popull kreshnik t’atij vendi.
Të ndershmit deputetët e Shkodres, tuj marrë vesh se ishte kah mëkambej nji ushtri me i ra Mirditës, i tërhoqën vërejtjen qeverisë, se mëndorja e kohëve e e vendit e lypte, që bashkë me ushtri të dërgohej edhe një komision, për me u marrë vesh nji herë ma para me Kapitan Marka Gjonin e me tjerë krén të Mirditës mbi shkaqe të verteta, që i kishin shtye me lypë të ndamit e Mirdites prej qeverijet të Tiranës. Mbas projektit të të ndershemve deputetë të Shkodrës, komisioni do të përbahej prej katër vetëve: tre zotni shkodranë, dy katolikë e nji muhamedan, e Bajram Beg Curri, i cili do të ishte kryetar i komisjonit e komandar i ushtrisë, kështu që mos të dilte kurrnji kundërshtim i damshëm ndërmjet komisionit e komandet ushtarake. Proponuem Bajram Beg Currin, pse ky vetë e shpija e tij, jo veç mbas luftave e kryengritjeve, që në këto vjett e mbrame kanë shëmtue vendin tonë, por edhe perpara, ishte në lidhni miqasore me derë të Gjomarkajve e me popull mbarë të Mirditës e, pse edhe vjet që shkoi u diftue burrë e komandar i zoti në të shtypun t’ esadistëve. Ma teper do dijtë, se i gjith populli katolik i Shqypnisë së Eper ka nji besim të plotë në burrnì e në bujarì të këtij burri të ndershëm.
Qeverija nji herë e parapa plotësisht projektin e deputetëvet të Shkodrës, por mbasandej, per arsye që parlamenti do ta kishte me detyrë me e dijtë, e qiti poshtë. Lëshoi esadistat prej burgut, siguroi miljonat në kasë të financës, edhe, nën komandë të Z. Kolonelit Ali Fehmi Bej Kosturit, ia lëshoi ushtrinë në shpinë Mirditës. E kështu, shi në këto kohë historike zunë me u vra e me u pre shqyptarët ndermjet vedit.
Edhe na jemi mendimit, që në Shqypni mos të ketë veçse nji qeveri të vetme, pse kështu njinija e jeta e kombit sigurohet ma mirë. Por kur të marrim para sysh, se edhe njeti aty-këtu nëpër botë ka shtete të mbarështueme nder kantone, me një qeveri qandrore, si Austro-Hungarija motit e Helvecia në ditë të sodit, na, per me u dashtë me u dhanë fjalëvet kuptimin e vet të vertetë, ma fort se nji tratti, çashtjen e sotme të Mirditës e mbajmë nji çashtje politike të permbrendshme: pse edhe qeverija nuk mundet me na vertetue pozitivisht, se me ket lëvizje Kapiten Marka Gjoni do pernjimend me i lëshue shteg jugosllavit, që të dalë në skele të Shnjinit. Por edhe me pasë per të kenë e vertetë kjo fjalë, nuk kishte me kenë arsye me u çue na e me mbytë shoqi-shoqin, tue kenë se të lëshuemit a të moslëshuemit shteg jugosllavëve neper Mirditë, nuk asht nji çashtje kjo që mund të rregullohet prej Kapiten Marka Gjonit a Eljaz Beg Vrijonit, por prej Konferences së Paqes.
Prandaj na nuk kuptojmë se si mund të jetë, që shi njajo qeveri e cila jep autonominë administrative Himares, ku ende nuk asht e sigurtë, se populli i atij vendi, pa u hap nji plebishit prej anës së Konferencës së Paqes, dishmohet shqiptar: që shi njajo qeveri, e cila lëshon prej burgut njata shqiptarë, që vjet me ndihmën e serbëvet dojshin me ba që jo veç Mirdita të shkepej prej qeverijet të Tiranës, por që me gjith Shkoder t’i lëshohej Jugosllavisë, nuk kuptojmë, po thomi na, se si njajo qeveri të shkojë sod e të vrasë e të therë Mirditasit që lypin vetëm me u shkepë prej qeverijet të Tiranës, mbasi edhe Turqija, ligji i së cilës sod me sod zotnon në Shqypni, ia ka pasë njoftë nji administratë privilegjante.
Por këto janë punë që i perkasin kompetencës së parlamentit, na këtu vetem duem të pyesim qeverinë: çka bani ajo e ç’mjete të paqta perdoroj per të bamë që Mirdita mos të lypte me u shkepë prej qeverijet qandrore? Duhet dijtë, se nder shtete parlamentare nuk janë vetem mitralozat e topat, që mbajnë qetësinë nder krahina të ndryshme të atdheut, mandej ka pasë thanë edhe ai i moçmi: nandëdhetenandë urti e nji trimni.
Se asht zanë fill Shqypnia zyrtare e e ligjshme, duem me thanë, prej 1914 e deri sot, shtetin tonë e kanë sundue këto qeveri:
1. Qeverija e Princ Vidit.
2. Qeverija e Turkhan Pashës
3. Qeverija e Sulejman Beg Delvinës
4. Dy qeveritë e Eljaz Beg Vrijonit.
Tash të gjitha këto qeveri çka banë për Mirditë, ose ma mirë, të thomi, për Shqypninë Veriore?
Njiherë qeverija e Princit Vied me i lajmue s’i lajmoi popullit mbi Breg të Matës e perpjetë, se Shqypnija kishte dalë shtet më vedi e se kishte edhe nji princ suveren të vetin: pse, sa per dhetë miljonat ar që aso kohe u shpenzuen në gjashtë muej, as nji dy pare si nuk u dha per të mirë të kësaj krahine. Per qeverinë e Turkhan Pashë dihet vetem këta, që dërgoi njiherë në Lezhë për çashtje të dhetave të Zadrimës e se desh të ngrefë nji nenprefekturë në Bushat. Nen qeverinë e Sulejman Beg Delvinës u ngref lufta me jugosllavë në Hot e në Kastrat, nuk dihet se pse, edhe u rrenue Malcija e Madhe, nji krah i fortë i Shqypnisë. Ma teper kjo qeveri organizoi nji operacjon ushtarak në Zadrimë e t’i lëshoi mbi shpinë atij populli Shkoder e Postrripë, ushtarë e bashibuzukë, e gjendarë gjithfarë ngjyret e veshet, me bajrakë e me burija e me teneqe, të cillët, mandej, kjenë gati tue u vra shoq me shoq, pse ky po hante pata ma shum, jo pse ai po rruente biba e desh e qè të Zadrimës, si t’ishte kjo armik e jo pjesë plotësuese e Shqypnisë. E po qeverija e Eljaz Vrijonit? Si të gjitha tjerat. As ndreqi rrugë, as shtroi urë, as çili treg, as vu rend e rregull e nder 503 shkolla, që mban shteti shqyptar në të gjith prefekturën e Shkodrës ngrefi vetem tetëmbëdhetë shkolla fillore e dy qytetëse. Një punë tek asht: të kallëzoj vetë ç’të mirë i suell qeverija e tij Shqypnisë së Eper, që me terheqë prej vedit besimin e saj? Këtu, posë mungesash të kësaj qeverije, kishim me mujtë të njehim edhe shum e shum gabime e shperdorime auktoriteti të bame prej anës së kësaj qeverije, por ngushtica e fletores na pengon të zgjanohemi ma teper nder këto fjalë. Tash nji qeveri që s’asht e zoja t’i sjell nji të mirë vendit dhe asht e ngushtueme të ngrefë luftë dy-tri herë në vjetë me popull të vet, dmth, se gjindja e saj ende s’e kanë mentalitetin e perbamë, per me vu nevojët e kohëve të sodshme e të systemeve të reja. Edhe Turqit e Ri dhanë konstitucjonin e mbasandej çuen Turgut Pashat e Xhavit Pashat me topa e mitraloza nëper Shqypni.
Por mos të harrojë qeverija, se ka thanë i moçmi, që: “kush mbjellë erë, korrë duhi”.

(Kjo prozë , e panjohun si e Fishtës, u botue në gazetën “Shkumbini”, nr. 30, datë 16.9.1921.)


Një shenim: Fishta me Kostaq Cipon kanë pasë edhe mosmarrëveshje per punë shkollash. Po shkruej ma poshtë një mendim të panjohun të Fishtës për të tregue se njerëzit e dijes, edhe kritikojnë njeni-tjetrin, edhe e vlerësojnë njeni-tjetrin; edhe grinden njeni me tjetrin, edhe ndihmojnë njeni –tjetrin. Lexoni si Fishta ndërhynë për të faluë Cipon e merguem.

Fishta per Kostaq Cipon
Kostaq Cipo ka krye studimet në Itali dhe âsht laurue në letërsi. Asht një nga ma të aftit e studiosa profesora të Shqipnìs në letërsi klasike e kombtare. Sa e çmoj që më nderon me miqsìn e tij – nuk ka dhanë kurr rasë me dyshue mbi disiplinen e tij e vartësìn e tij ndaj njerëzimit të qytetnuem. Ka grue e fëmijë e, vjetin e kaluem, qe drejtor i liceut të Korçës. Nga mueji i gushtit të kaluem gjindet i merguem vazhdimisht.
Lutemi, herë pas here, të lihet i lirë e t’i kthehet familjes që, shkaku i syrgjynosjes së tij, gjindet në vështirësi.

Elbasan, 26.VIII.24

Edhe një letër e pabotueme e Haxhiademit per Fishtën:

Shumë i ndershëm e i shkelqyeshëm poet,
Kur u këtheva sivjet prej Berlini në Shqipnì e u takova me Zotnìn t’uej në Tiranë, u gëzova shumë tepër.
Desha të bisedoshim atë ditë pak mbi poezìn e literaturën shqipe, por mjerisht nuk u poqëm mâ. Si e çoni mbë atë farë Shkodre nashti, o monsignor?
Un Bukolikën e Vergilit e mbarova së përkthyemi në heksametrë shqipe, kështu edhe tragjedìn originale t’imen “Odyssen” e mbarova tyke derdhë gjithë mundin t’em, dhe si vers mâ të hieshëm për tragjedì zgjodha atë të Shakespeare-t e të klasikëvet gjermanë pentapodia giambica.
Për me iu përshtatun shijes së popullit t’onë mâ tepër I kam shtuem edhe rimën, kurse ata t’jerët e kanë sciolto.
Zhvillimin e traghedìs e kam bamë krejt në mënyrën klasike dhe njerzit që lozin janë katër e dëften vdekjen e pamëshirshme t’Odysseut prej të birit që pat me Kirkën (Circe) Telegonin, tyke mos e njohtun se ishte i ati të cilin e kërkonte shumë kohë.
Tragjedija sa âsht tragjike, aq âsht melankolike e me moral të fortë; dhe jam sigur, monsignor, që ka me ju pelqyem mjaft, n’e këndofshi ndonji herë, kur të na qëllojë rasti me u takue.
Due me i shtypë të dyja këto vepra, por si student që jam nuk mundem kurrsesi; prandaj pyes zotnìn t’uej a ka ndonji njeri që të mundet me i botue këto dy vepra tyke i shtypë, se besoj që nuk janë fare pa randësi.
Pres përgjigje prej zotnìs s’uej këto dy javë, se mâ vonë ndoshta nisem për Berlin.
Me ndér
I jueji për jetë
Edhem Haxhiademi

Po i mbyllim këto të dhana me një epigram të pabotuem të gjuhëtarit të nderuem P. Justin Rrota: “Shkrue më 14 tetor 1929 në ditën kur sivëllaznit e kuvendit uruen të Perndershmin At Gjergj Fishta OFM me rasën e marrjes, më 12 tetor, të titullit Lector Jubilatus nga i Perndershmi At Gjeneral i Urdhnit, Shkodër (Gjuhadol).
Epigrami âsht shkrue latinisht nga autori dhe përkthye në shqip prej Z. Zef Simonit, poliglot, përkthyes e leksikograf.

Sot në ditën e katërmbëdhjetë të tetorit të vjetit 1929
Të gjithë hareshem të mblidhemi shokë e miq
Per t’i urue gëzim e lumtuni
Të Perndershmit At Gjergj Fishta O.F.M.
Princit të madh të letrave tona
I cili në zhvillimin e arteve të bukura
Ka merita fort të mëdha
Dhe në këte ditë
Mori titullin Lector Jubilatus
Si Ai që tregoi qartë e bindshem
Se ç’mund të bajë e ç’bukuri ka
Gjuha amëtare
Për shumë shekuj heu! E lanë mbas dore

Rrnofsh gjatë, për nder e lavdinë tonë, rrnofsh për jetë
Ashtu si shkrimet e tua do të mbeten
Përmendore të perhershme të popullit tonë!

Ky shkrim asht marre prej Gazeta Shqiptare Online

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Dec 28 2010, 10:23AM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
At Gjergj Fishta, A ishte vërtet fashist, siç e akuzonte diktatura




Nga Mërgim KORÇA 26/12/2010
Që nga dit’e parafundit e vitit tashmë të largët 1940, dita në të cilën ndërroi jetë At Gjergj Fishta, shumë ujë ka kaluar
nën këmbë urash… por edhe gjak! Vetëm katër, plot katër qenë vitet, (mbas vdekjes), përgjatë të cilëve At Gjergji vazhdohej e përmëndej si SIMBOL PATRIOTIZMI e përkushtimi ndaj Atdheut si edhe KORIFÉ i letërsisë shqipe! Në vazhdim … asgjë më! Heshtje rreth Tij fillimisht e pastaj … filloi edhe përbaltja e Tij.
Përbaltja erdh’e u zhvillua tamam si përgojimi shpifës (tek Berberi i Seviljes): Përgojimi shpifës, fillimisht si një puhí e leht’ edh’e ëmbël, fillon’edhe pëshpërit. Dal’ngadale, rrafsh me tokën nënë zë, fishkëllon’e përparon, me zukatje në vesht’e njerëzve futet e mjeshtërisht trut’e tyre i çorodit dhe i fryn! E n’vazhdim kapërderdhet dhe pëlcet si tërmet’edhe furtunë ku çdo gjë shungullo! Kjo hullíja përgjatë së cilës llava vullkanike komuniste e mori përpara atdhetarin si edhe mjeshtrin At Fishta!

Sistemi diktatorial komunist, i udhëhequr nga një Sataná, dështák në fushën’e shkollimit vet, i rrethuar fillimisht në masë me analfabetë dhe injorantë, në genet e të cilëve vetëm urrejtja ndaj të diturve dhe të kamurve kish zënë vënd, duke spekulluar mbi kartën e të qënit vëndi i shkelur nga këmb’e huaj, urrejtjen sllavo-komuniste ndaj atdhetarit At Fisht’e çoi në vënd!

E desh shkjau përbaltjen me shpifje? Ajo u bë, po s’u kënaq ai me aq! E desh në vazhdim diktatori edhe fizikisht të zhdukur varrin ku i shqetësuar prehej i madhi Mjeshtër! Edhe kjo u bë, me urdhërin’e tij!

Ndalem tashti dhe sinqerisht pohoj që vazhdimi përgjatë kësaj brazde mund të krijojë përshtypjen se unë, duke qen’i paragjykuar pozitivisht ndaj At Gjergj Fishtës, (gjë të cilën nuk kam se si t’a fsheh), nuk po e trajtoj problemin me paanësí. Prandaj e ndjej të nevojëshme t’i drejtohem lexuesit e të saktësoj një pikë që un’e quaj kyçe e me rëndësí thelbësore. Për t’a analizuar personalitetin e Patër Gjergjit u kërkoj ndihmë dy parimeve bazë të trashëguar nga përvoja e njerit nga personalitetet më të mëdha pararendëse në studimin e historisë, Tuqididi-t, (e përzgjedh si udhërrëfyes, jo aspak nga emri që ka por, nga kriteret bazë që ai na mëson të ndiqen). Ky përshkrues i pakrahasueshëm i Luftës Peloponezit thekson, nënvizon edhe përdor dy principe bazë që e vërteta, sipas tij, të pasqyrohet … e tillë siç ka qenë:
1- Studjuesi duhet të dalë nga e tashmja dhe të pozicionohet në periudhën kohore kur janë zhvilluar ngjarjet që ai merr në analizë që gjykimi të jetë sa më pranë së vërtetës.
2- Nga ana tjetër, studjuesi duhet të analizojë imtësisht aksjonet dhe bëmat e kohës që studjohet, i mbështetur në vetë gjurmët që gjen dhe jo në përshkrimin e tyre interpretuar nga të tretë.Nisur nga dy parakushtet që na mëson Tuqididi, edhe unë po mëtoj t’a gjykojmë, së bashku me lexuesin, figurën e Patër Gjergj Fishtës pa zbukurime por ama pa lejuar as t’i bëhen përkeqësime.
Shtrohet pyetja parësore: Pse gjith’ajo trysní ndaj diktatorit shqiptar, fillimisht nga ana e jugosllavëve e në vazhdim nga sovjetikët, që figura e At Gjergj Fishtës të përbaltej dhe të anatemohej? Ishte Patër Gjergji tradhëtár apo atdhetár?


Që gjykimi ynë të jetë sa më real dhe i paanshëm duhet së pari të çvendosemi në kohë.
Shekulli i XIX-të po u avitej grahmave të fundit. Luftrat që i patën shtrirë tentakulat e tyre rrëmbyeshëm mbi Ballkan e qenë afruar deri në Vienë me qëllim paranojak pushtimin e gjithë Europës, ia thithën nga trupi Perandorisë Osmane gjithë gjakun dhe energjinë e saj. Kësisoj truri dhe trupi i perandorisë dikur të përbindëshme u plandosën për tokë e bashkë me to u thanë edhe tentakulat e saja rrënimtare!Ngjarjet sa vinte e rrokulliseshin shpejtë. Ushtria turke u thye përfundimisht në Plevna dhe Rusia e detyroi Turqinë t’a firmoste traktatin e Shën Stefanit. Si humbëse, Turqisë iu desh t’ua njihte, veç Bullgarisë së madhe me gjithë Maqedoní, edhe autonomin’e Bosnjes e Herzegovinës.

Nga ana tjetër Greqia, për fitimin e pavarësisë të së cilës gurë themeli qenë bërë trimat arvanitas gjysëm shekulli më parë, mbasi e hodhi lumin u bashkua asokohe me tufën e çakenjëve sllavë që orvateshin të rrëmbenin sa më shumë toka historikisht të banuara nga shqiptarët.

Pikërisht, në këto kohë të turbullta, Kombit Shqiptar i dilte një mbrojtës i denjë, Patër Gjergji Fishta. Jeta e tij u shtri mbi kapërcyellin e vështirë të dy shekujve.
Kombi ynë, duke e pasë ruajtur në shekuj gjallërin’e tij, kish mbijetuar. Jetonte vërtetë, por jo i inkuadruar në atë strukturë shoqërore-ekonomike që quhet shtet. Ky koncept, abstrakt për shumëkënd, madje deri edhe për mëndjet e ndritura shqiptare të asaj kohe, ishte ende i pakristalizuar. Disa rilindas e përfytyronin shqiptarin në suazën e një protektorati. Të tjerë e mendonin kombin tonë të bashkuar në një kanton. Pikërisht në këto rrethana tejet vendimtare për kombin tonë, kur e ardhmja e tij ish e rrethuar nga një mjegullnajë krejtësisht e turbulltë edhe kur Bismarcku Shqipërinë e shihte si “ një shprehje gjeografike “ duke shtuar edhe “ … shqiptarët as gjuhë të tyre të shkruar nuk kanë … “, Patër Gjergji, duke i peshuar edhe drejtëpeshuar të gjithë këta faktorë, u bë njeri nga nismëtarët e Kongresit të Manastirit, (duke e kuptuar pohimin e Bismarck-ut si nxitje “… ku jeni, a nuk e kuptoni se pa gjuhë tuajën të shkruar nuk mund të shpalleni si shtet i pavarur …”). Gjithashtu Patër Gjergji e kuptoi drejtë se Turqit e Rinj donin përkrahje e prandaj ata, me Hyrrijetin, lejuan për herë të parë mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë në shkollat fillore si edhe ruzhdijet, ( por shqipe e shkruar me shkronja arabe).

Tek personi i tij u ndërthurën madhështíja e tij parashikuese me patriotizmin e mirëfilltë. Ai e shihte qartë se nuk kishte si të bashkohej kombi ynë në një shtet të mirëfilltë kur gjuha e tij shqipe të shkruhej me “kirilicat” e Kirilit apo me “krrabat” osmane që për më se 500 vjet u kishin ngecur në fyt shqiptarëve! Zgjedhja e tij si Kryetar i Komisísë së Alfabetit Shqip flet qartë për ndikimin e madh bindës që ai pati ndër pjesëmarrësit e Kongresit. Pra, Patër Gjergji, lojti rol kryesor duke u bërë pjesë e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilindjen tonë Kombëtare me Pavarësinë e Shqipërisë, në atë kapërcyell shekujsh!
Edhe sikur aktiviteti patriotik i Patër Gjergjit të qe ndalur në nëntorin e 1908-ës, aq sa kish bërë Ai për kombin e Tij deri atëherë, mjaft do të ishte që emri i Tij të shkruhej me gërma të arta.
“Gjuha shqipe vojt kah perëndimi”, kish thirrur atëbotë Patër Gjergji … dhe kish pasur të drejtë sepse me veprën e Tij realizoi aspiratat mbarëshqiptare, realizoi edhe ëndrrën e Naimit të madh që kërkonte “diellin që lind andej nga perëndon”.
Por për Të nuk kish të ndalur përkushtimi atdhetar.


Më 1913-ën, në shënjë revolte kundra Fuqive Ndërkombëtare që e mbanin të pushtuar Shkodrën, Patër Gjergji do të ngrinte Flamurin Shqiptar në Kishën e Gjuhadolit. E, në shënjë vëllazërimi dhe solidarizimi mes muslimanëve dhe katolikëve, do të lidhte me një banderollë dritash kambanoren e Kishës Françeskane me minaren e Xhamisë së Fushë Çelës. Çuan atëherë “qeveritarët e huaj” dërgatën e tyre që mes kërcënimesh frikësuese urdhëronin uljen e flamurit por “Frati trim” me ironinë e Tij të guximëshme u tha: “Flamuri jonë e ka për ndérë të gjuhet prej topash t’huej”.
Më 1919 e shohim delegat në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare, së bashku me Imzot Bumçin, në Konferencën e Paqës në Paris. Dhe ç’është për t’u theksuar, jo rastësisht Kryeministri i Qeverisë së Durrësit Turhan Pashai vendosi të largohej vullnetarisht nga kryesimi i delegacionit në konferencën e njohur si Konferenca e Versailles. “ … Eshtë më e udhës që para Kancelerive Europiane të paraqitet një Prelat Katolik se sa një ish ambasador i Turqisë së vjetër në Shën Peterburg.”
Sa sipër, mendojmë se ësht’e mjaftueshme në kuadrin e këtij shkrimi, për t’a sjellë të qartë gjëndjen si edhe pikëpamjet e kohës kur veprimtaría e Patër Gjergjit filloi të luante një rol vendimtar lidhur me fatet e Shqipërisë e kësisoji lexuesi të mund të vihet edhe vetë në kushtet e atëherëshme.
Lidhur me kriterin e dytë, për të gjykuar mbështetur vetëm në gjurmë dëshmitare dore të parë, a ka kriter më të saktë se sa të gjykojmë si reagonte ndaj rrethanave të caktuara Patër Gjergji ynë?

Përgjigjen e gjejmë tek “Lahuta e Malcís” ku autori, duke e analizuar gjëndjen politike në pragun e shkërmoqjes Perandorisë Osmane, shprehej e zezë mbi të bardhë:


Ku do t’mërrijë megja serbjane/ Për me u gjetun Cernagora/ Me Serbí bashkë dora dora/ Shqypnin tjetër kan me e dá/ Bullgarija e ajo Greqija/ Pse, mbasi Shkjét e Ballkanit/ T’kenë pushtue tokët e Sulltanit/ E mârrë t’kenë do skele detit/ Të kenë lidhë besë ndërmjet vetit/ Ká m’i u dhânë Shkjenís e mbara/ Ka m’u shtrue ura përpara/ Dét’e m’dét m’u kapë Moskovi …
Me këta dymbëdhjetë vargje, shkruar nga dora e vetë Patër Gjergjit, mendoj se lexuesi i paanshëm dhe i ndershëm arrin t’a gjykojë, pa as më të voglën mëdyshje, si qëndrimin atdhetár të At Gjergjit nga njera anë, e doemos edhe keqdashjen sllavo-komuniste ndaj Tij, nga ana tjetër që nga Cërna Gora në Beograd edhe në Moskë!

Dhe për t’a mbështetur gjykimin tonë të jetë me këndvështrim sa më të gjerë rreth Patër Gjergjit e doemos edhe që të jetë sa më racional, i vërtetë dhe i paanshëm, u referohemi së rishmi edhe pesë vargjeve të tjerë shkruar po prej Tij, ku thotë:

Kjoftë mallkue, po, a plak a i ri,…/ Qi s’lidhet sot me besë arbnore/ Për me dhânë mâ parë jetën/ Se me ra fisi i Shqyptarit/ N’thôj t’pangijshëm t’Gospodarit


E si për t’a nënvizuar pozicionimin e tij patriotik dhe kundrasllav, Patër Gjergji, ndaj qëndrimit të shfaqjes si lugat të Mehmet Ali Pashës ndaj Krajl Nikollës duke e nxitur të digjte e të lante në gjak Plavë, Gucí e Malsí, vazhdon:

“I huptë Zoti përnjimênd/ Knjaz Nikollë edhe gjithkênd/ Qi mendon e shorton zí/ Për të buk’rën këtë Shqipní!”
Mbështetur e duke e zbatuar në vazhdim kriterin e dytë lidhur me dokumentime autentike, sjellim edhe dy gjykime albanologësh e studjuesish të huaj autoritarë. Albanologu Maksimilijan Lambertz-i (i cili e ka përkthyer Lahutën e Malcis në gjermanisht) thotë:
“Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohëve të largëta të iliro – thrakëve.”

Gjithashtu arbëreshin albanolog dhe njeriun me rreth të gjerë ndikimi në Itali, Gaetano Petrotta, Fishta e kishte bërë aq për vete sa që ai shprehej:

“Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë”.


Kurse albanologu bashkëkohës Robert Elsie duke e bërë Lahutën e Malcis të këndojë edhe anglisht, shprehet gjithë respekt për veprën e Patër Gjergjit se

“Tashti u plotësua Eposi Europian!”.
E gjejmë Patër Gjergjin flamurtar të çështjes shqiptare më 1930 në Konferencën Ballkanike të Athinës e fill mbas saj gjatë vitit 1931 në konferencën e Stambollit. Më 1932 vete në Bukuresht ku me pathos të lartë mbron sërish çështjen shqiptare. Dhe nuk duhet harruar se udhëtimet atëhere nuk bëheshin me avjonë Boeing por zgjasnin me javë të tëra dhe angazhonin edhe lodhje jo të papërfillëshme fizike.
Kudo që vente Patër Gjergji një idé fikse kish: Të propagandonte për çështjen tonë kombëtare si edhe t’a rriste rrethin e miqve të Shqipërisë. Sa i takon pjesës së dytë të këtij pohimi, pikërisht lidhur me rritjen e rrethit të miqve të Shqipërisë, ai i qëmtonte me kujdes të veçantë dhe i përzgjidhte mirë këta të fundit. Pra, strategjia e tij ishte të siguronte mbështetjen e shteteve, popujt e të cilëve kishin pasë lidhje të lashta e tradicionale miqësije me popullin tonë. Kurse taktika e tij mbështetej në afrimin me njerëz që kishin ndikim ndaj aparatit shtetëror të tyre që sa më efektivisht t’i shërbehej çështjes sonë kombëtare! Në këtë drejtim rezultatet e arritura nga At Gjergji ishin të shumëta. Por m’e rëndësishmja është se ato jo që ishin pozitive dhe në favor të Shqipërisë por edhe, t’a kërkoje me qirí, në to nuk gjeje dot as edhe më të voglën gjurmë e cila të linte shteg dyshimi! Nisur tashti nga këto kushte paraprake e të faktuara me dokumentacion të pakundërshtueshëm, shtrojmë pyetjen e dytë shumë të rëndësishme:

Ka qenë At Gjergji vërtet fashist siç e akuzonte diktatura?
Mbas analizës hollësishme që i u bë qëndrimit Patër Gjergjit ndaj sllavëve dhe politikës agresivo-ekspansjoniste si edhe mashtruese, ku cilësorin tradhëtar ata i a ngjeshën At Fishtës sepse kundrasllav i vendosur e si pasoj’ata e konsideronin edhe tradhëtar, (me të cilin pozicionim edhe diktatori Enver Hoxha u njësua plotësisht se vetë qe laké i tyre), në vazhdim përqëndrohemi tashti se sa çpifëse, e pavërtetë si edhe djallëzore ishte akuza ndaj tij si fashist!
Mjafton t’u referohemi dy viteve të fundit të jetës së Patër Gjergjit. Mbi Europë dëndësoheshin ret’e zeza të stuhísë së II-të botërore. Italia ushtarakisht e pushtoi Shqipërinë. Flamuri u tjetërsua dhe italishtja futet si gjuhë në shkollat fillore. Filloi të ziejë ndjenja e revoltës kombëtare. Armiku italian, i vetëdijshëm për këtë, desh t’a kapë demin nga brirët.

Cili qe ai që për dhjetvjeçarë të tërë spikaste si frymëzues i ndjenjës kombëtare duke u kënduar bëmave heroike të të parëve tanë? Ç’pohonte Ai:

Si t’kshtênë, si muhamedan/ Shqypninë s’bashkut t’gjith e kan/ E prandej t’gjith do t’qindrojmë/ Do t’qindrojm’e do t’luftojmë/ Kem m’u bâ kortarë-kortarë,/ Priftën, fretën, hoxhallarë/ Për Shqypní!

Cili qe ai që, ndonëse i veshur me zhgunin e Shën Françeskut të Assisit, anatemonte për hir të Atdheut pikërisht tradhëtarët, pa u druajtur se po bënte sakrilegj dhe shprehte revoltën e tij me vargje fuqije prometeiane edhe kundra vetë Krijuesit të Gjithësisë:
O Perendi a ndjeve/ Tradhtarët na lane pa Atdhé/ E Ti rrin e gjuen me rrfé/ Lisat n’për male ko! Cili qe ai që atdhedashurinë e shtynte deri në vetflijim: Qe mue tek m’keni, merrni e m’bâni flí/ Për shqyptarí, me shue çdo mní mizore/
Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë/ E nami i sajë për jetë u trashigoftë!
Pikërisht Ai duhej fillimisht mikluar e pastaj tulatur. Dhe hapin e parë qeveria fashiste italiane e bëri: I akordoi Patër Gjergj Fishtës, Provincialit të Françeskanëve të Shkodrës, me dekret mbretëror, një nga dekoratat më të larta që akordonte fashizmi italian. Por përgjigja e Titanit qe e papritur. Ajo qé e prerë: E refuzoi dekretin mbretëror duke u shprehur: Kjo dekoratë nuk âsht për mue! Kësisoji Ai i dha udhë tufanit kombëtar me thirrjen fuqiplotë: Shpërthé!
Dhe arrijmë kështu tek ngjarja e parafundit madhore e jetës së Tij, Patër Gjergji anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë.
Akademia Italiane përbëhej nga personalitetet më të shquara të kohës, një pjesë e të cilëve edhe laureatë të çmimit Nobel. Patër Gjergjin e njihnin të gjithë akademikët si njerëz të kulturës botërore që ishin. E njihnin kryesisht si humanist të shquar, e njihnin për kulturën e tij të pa anë e fund, e njihnin si gjuhëtar e si ballkanolog të shquar, e njihnin edhe për vlerësimin e rrallë që i ishte bërë në fushën e vargëzimit si “Homeri i Ri” i përkthyer në shumë gjuhë të botës.
E njihnin natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: nga Austria “Ritterkreuz” më 1912, ose nga Turqia “Mearif” po më 1912, nga Vatikani “Medaglia al Merito” më 1925, nga Greqia “Phoenix” më 1931, etj. etj., e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel! E si pasojë, kur Patër Gjergji e refuzoi dekoratën e lartë të qeverisë fashiste italiane, akademikët e Italisë u trandën. E njihnin ata për të gjitha ç’u thanë më lart, por nuk e njihnin për madhështínë e karakterit të Tij! Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane. (Për t’a biseduar me At Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qe ngarkuar Prof. Agostino Gemelli frat dhe akademik, mik i ngushtë i Fishtës). Me këtë veprim Akademia e shpërfilli si edhe e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skajshmërisht prestigjin Patër Gjergjit e bashkë me të edhe Shqipërisë. Akademia Italiane, nga ana e saj, zaret i kish hedhur. Pritej përgjigja e Fishtës. Hapin tjetër të priftit krenar e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje edhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar.
Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi:
Patër Gjergji e kish për ndér propozimin që i bëhej dhe falënderonte gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin!

Në konferencën e parë solemne si akademik në Kinema Rozafat, për t’a pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit romak të Ilirisë me pushtimin fashist të Shqipërisë, guxoi e tha:


“ … rezistenca qi romakët hasën ndër fiset dhe mbretënitë ilire, të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjiherë se trupat romake po bijshin robnínë në vênd të lirisë …”
Dhe unë shtroj pyetjen aspak retorike: Si mund të akuzohej si fashist ky atdhetar’i zjarrtë?
Po ju rikujtoj tashti edhe fjalët e fundit, në grahëm-vdekjeje e sipër, që Patër Gjergji i tha Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Thaçit pak orë para se të ndërronte jetë:


Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjith’ atje kena me shkue, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkri për të pa nji Shqypni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja. (Ka akoma gjallë dëshmitarë dore të parë që, nga goja e vetë Imzot Gaspër Thaçit, i kanë dëgjuar fjalët e fundit të Patër Gjergj Fishtës).
Tashti i erdhi radha të përmëndim një datë, 30 dhjetorin e vitit të largët tashmë 1940. Me këtë datë lidhet ngjarja e fundit madhore e jetës së Patër Gjergji Fishtës, vdekja e Tij. Atë të hënë të acartë dimri Ai s’foli më.
Përcjellja mortore që i bëri Shkodra si edhe dhimbja e madhe që ndjeu e gjithë Shqipëria për Patër Gjergjin duan një përshkrim të veçantë. E gjithashtu i veçantë i takon përshkrimi edhe Ceremonisë së Meshës Mortore që atëbotë organizoi Akademia Italiane, ku kori drejtohej nga akademiku Mjeshtër Perosi dhe akademiku tjetër, kompozitori i famshëm Mascagni.
At Gjergji nuk kish si t’i këndonte më së dashurës së tij, Shqipërisë, e as nuk kish më si t’i thurte vargje lirizmi të pashoq gjuhës shqipe! Megjithatë Ai vazhdonte e jetonte nëpërmjet veprës së tij. Në gjithë shkollat e Shqipërisë vargjet e Tija mësoheshin përmëndësh.

Ai, që gjithë afshet e zemrës së Tij ia drejtoi Atdheut edhe gjuhës shqipe, si prift që ish, u këndoi këtyre të dyjave si askush tjetër dhe rinia veç frymëzim atdhetar gjente në ta. Madhor parashikimi i Tij i formuluar dhjetvjeçarë të shkuar:


“Shka t’lâjnë kta katër ujq/ Q’ i kërcnohen shoqishojt/
Thonë do t’dalë nji djall i kuq/ Qi fort rreptë do t’ja njisë thojt/!”

Nuk kaluan më veç katër vite mbas vdekjes së Poetit, e filluan të bëhen realitet parashikimet dhe thënjet e Tija profetike.

Pra, atë që do të linin katër ujqit, ku me mbeturinat e trojeve shqiptare u krijua Shteti Shqiptar, do të vinte djalli i kuq që pa shpirt do t’ia zhyste kthetrat!
E që nga ajo dit’e djallit të kuq, ndaj figurës si edhe veprës Poetit veç mllef e balt’u hodh. Ato kohë të para guxoi e na pohoi në klasë Prof. Kostaq Cipua, siç e mbaj mënd tashmë mbas 57 viteve, se “ … tek vepra e Patër Gjergj Fishtës shkriheshin në një atdhedashuria me mjeshtrinë poetike …” .

Ose Prof. Mark Dema, i cili mori guxim nga prishja me Jugosllavinë, e duke mos iu shmangur dot tundimit ndonëse të rrezikshëm, na pohoi në klasë se “ … në personin e At Fishtës duhej të shihnim një kollos të vargëzimit si edhe një atdhetár të pashoq!”

Pasojnë tashti vitet e tjera ku brezi i injorantëve dhe i të shkolluarve të dështuar u pasurua me shkrimtarët e realizmit socialist. Ata, si lajkatarë të diktatorit pseudo-letrar, zvetënohen dhe thellë e më thellë mundohen t’a zhysin Zeusin e vargëzimit patriotik.

Diktatori na e bën hero e atdhetar Haxhi Qamilin e ata: “T’i biem mbar’e prapë At Gjergj Fishtës se veç të mira kemi”.

Kështu u rritën dhe u madhëruan ajo plejad’e shkrimtarëve dhe studjuesve të soc-realizmit, servilë të diktatorit. Njeri pohon, (mbas shkërmoqjes së diktaturës – M.K.), “… nuk isha aq budalla sa të futesha në burg …”. Tjetri e konsideron Lahutën e Malcis”… Vepër jashtë kohe dhe përpjekje për t’a mbledhur eposin shqiptar nën shëmbullin e Nibelungëve…”. Ose vlerat letrare të veprës Patër Gjergjit i quanin krejtësisht të paqëna.

Nuk kam ndërmënd sot t’u kundërvihem me kalime origjinale nga shkrimet e tyre të kaluara e t’i ballafaqoj me kalime nga veprat e At Gjergjit ku del në shesh mosnjohja nga ana e tyre e veprës At Fishtës, (sepse Patër Gjergji nuk ka mbledhur eposin shqiptar por ka shkruar historinë bashkëkohëse të Tij me personazhe e ngjarje konkrete të kohës Tij. Por sa për një shëmbull të qënësishëm do të sjell para lexuesit se si e përshkruan Ai në tërë hijeshín’e saj gjuhën tonë të bukur dhe i drejtohem lexuesit me pyetjen:

A ka se si të quhen të rëndomtë, për nga këndvështrimi letrar, vargjet pasuese:
Porsi kânga e zogut t’verës/ Qi vallzon n’blerim të prillit/ Porsi i âmbli fllad i erës/ Qi lmon gjit’ e drandofillit/ Porsi vala e bregut t’detit/ Porsi gjâma e rrfés zhgjetare/ Porsi ushtima e njaj tërmetit/ Njashtu â’gjûha e jonë shqyptare.
I shikoj për nga këndvështrimi artistik këta tetë vargje dhe në mëndjen time lirizmi i Mjeshtrit të madh q’i përshkon katër vargjet e parë, nuk ka se si të mos ma kujtojë Leonardon dhe buzëqeshjen’e Monalizës-tij! Leonardoja e dashuron pa kufinj SIMBOLIN e tij dhe përgjërohet si e si t’i a paraqesë sa më të përkor’e të përkryer buzëqeshjen e saj. Kurse Patër Gjergji ishte klerik. Edhe ky dashuronte. Mbase edhe më fuqishëm se sa Da Vinci! Por dashuría e Tij, e kufizuar brënda kufinjëve të etikës meshtarit, objektiv simbol nuk kish se si të kishte një femër, por ai e kish Gjuhën Shqipe! Mbas asaj bukuríe të lirizmit daç edhe skajor, Leonardoja tulatet. Nuk vazhdon dot më tej. Kurse zjarri i dashurisë Patër Gjergjit bën që Mjeshtri t’i kapërcejë kufinjt’e lirizmit dhe me një “crescendo”, (me kah diametralisht të kundërt me përgojimin çpifës të komunistëve ndaj Tij), i cili vazhdon me katër vargjet e tjera ku Gjuhën Shqipe, të dashurën e tij madhore, e portretizon si valë deti e egërsuar që si një gjâmë rrufeje shigjetare ngrihet lart si një ushtimë tërmeti, arrin majat më të larta të një dramaticiteti skajor!

Dhe unë mëtoj sinqerisht e pa as më të voglën keqdashje, si të arrij e vargjeve kaq madhore të Patër Gjergjit mos t’u a shikoj bukurín’e skajëshme artistike dhe të pohoj, (siç bënin ajka e shkrimtarëve të realizmit socialist), se artistikisht vargjet fishtjane as që i aviten letërsisë artistike të mirëfilltë, më sa i avitet ujit të kulluar të ujëvarave alpine ujët’e ndenjur moçalor!

E vetmja dritë ndriçuese përgjatë këtij shtegu të errët mbetet përfundimi se ata nuk kanë faj.

Është mosnjohja nga ana e tyre e gjysmës së gjuhës shqipe, që Kongresi i Drejtshkrimit e çvoshku nga trupi i së gjithës duke e lënë leksikun shqip të përgjysmuar! Prandaj ata edhe me Kanunin e Maleve u sollën aq barbarisht, (duke mos i a kuptuar as gjuhën e duke ndjekur doemos qëndrimin servil ndaj diktatorit), sa që nderin e kombit ton’e kthyen në turp tonin. Prandaj detyrohem edhe e parafrazoj pohimin e famshëm se në natyrë çdo gjë është diçka kurse injoranti nuk ësht’asgjë!

E pra kjo kategori servilësh të diktatorit si edhe egoistësh të skajshëm pikërisht atë Patër Gjergj Fishtë e dhunuan, e plandosën edhe varrin ia shkatërruan dhe menduan se e futën aq thellë sa për të dalje të mos kish.
Mirëpo qëndrimi i këtyre shkrimtarëve të soc-realizmit së rishmi e tregon mosnjohjen e tyre, (tashmë jo vetëm në fushën e letërsisë por edhe n’atë të historisë).

Sa bukur i ka damkosur këta shkrimtarë pehlivanë poeti e shkrimtari Visar Zhiti duke i përshkruar se mbasi e kanë braktisur diktatorin së vdekuri, mëtojnë t’u a marrin shkrimtarëve të persekutuar psherëtimat, vuajtjet deri edhe vegimet e metaforat, duke i vendosur në poemat si edhe romanet e tyre sepse tashti që s’ka më persekutim, çdo gjë ësht’e kollajshme.

Çensurë nuk ka. Zanatin ajo kategori e di në maje gishtash. Pra, si në një lojë shahu, ata ndërruan ngjyrat e gurëve të tyre, ndërruan edhe taktikat dhe … vazhdojn’e plluskojnë mbi ujë si përgjatë diktaturës! Por prapseprap ata tregohen të cektë. Ata mbi ujë dalin falë mungesës peshës specifike të tyre e sado t’i zhysësh dalin lart. Kurse vepra e Patër Gjergjit, duke qenë si një gjyl’e rëndë peshe specifike skajore, që nga thellësitë ku e kanë zhytur injorantët dhe egoistët keqdashës, vjen koha dhe i a hap rrugën vetes me shpërthimin, dinamikën’e të cilit i a japin vlerat madhore q’e kanë mbrujtur veprën e Tij sa atdhetáre e gjith’aq’edhe letrare! Historija nuk harron!
Do të kalojnë vitet si edhe dhjetëvjeçarët. E ndërsa shumica e atyre, që u stërmunduan t’a zhysnin thell’e më thellë në krahët e harresës të madhin At Fishtë, do të jenë harruar përjetësisht, vepra e kollosit Fishtë do të vijë hap mbas hapi duke u rivlerësuar në të gjithë madhështín’e saj, ku nuk e di në se ka shëmbull të dytë të një gërshetimi aq të përkryer në mes lirikut, epikut si edhe satirikut.
Dhe unë pohoj: Sillmëni shëmbull vargjesh dashuríje si edhe shpirti epik më mjeshtëror dhe të hijshëm shkruar nga ndokush tjetër, atbotë edhe unë do të përulem e do t’a quaj Mjeshtrin Fishtë, dështak në vargëzim, ashtu siç e quajtën soc-realistët e diktaturës!

Dhe sot, në shtatëdhjetëvjetorin e ndërrimit jetë të Patër Gjergjit, mëtoj t’a jap edhe unë një gjykim sadopak të përkorë. U rikthehemi atyre tetë vargjeve të tij për gjuhën e bukur shqipe. Nga katër vargjet e parë të përshkuar nga një lirizëm i thellë por aspak i trishtë, pa lé qarman, vjen e kalon në rritje, fillimisht si pa u dalluar, e pastaj shpërthen me vrull të skajshëm epika e Tij madhore.


Ky shkrim asht marre prej Gazeta SHqiptare Online

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Dec 28 2010, 10:26AM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
Maska e vdekjes e at Gjergj Fishtes




Mentor Quku Admirina Peçi 26/12/2010
Ishte dhjetori i vitit 1940 dhe At Gjergj Fishta ndodhej në Kuvendin e Troshanit i lodhur nga vitet, si edhe nga punët e shumta. Kësaj radhe kishte vendosur të pushonte. Asnjërit nuk i besohej se Poeti po kalonte ditët e fundit të jetës së tij.

Më 10 dhjetor u sëmur dhe u detyrua që t’i shtrohej shtratit.

Më 14, në darkë e sollën në Shkodër, drejt e në spital. Bëhet më mirë dhe të gjithë mendojnë se ia hodhi sëmundjes.

Më 22 ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij.

Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bjen në kllapi.

Pranë i rrijnë shumë nga Franceskanët e mëdhenj që bënë epokë, në mes të cilëve edhe At Vitor Volaj, studiuesi i njohur i krijimtarisë letrare të Fishtës.

Më 30 dhjetor 1940, në ora 0, 45 Fishta dha shpirt.


Françeskani At Donat Kurti tregon çastet e fundit të poetit: “E kishem pa…pak orë perpara. P. Gjergji me mall më shtërngoi dorën e bani buzën në gaz tuj më pershndetë me’j fije zanit. Ma e mbramja fjalë, ma i mbrami të përshndetun, ma i mbrami shikim vizatojn njat dukë të pikllueshme plot dritë e hije, qi len mbas vedit nji nieri i madh, per me u kujtue perherë me nderim e bindje. Duket si të flete në qetsi i lodhun prej dhimbave. Shokët e vllazent i rrinë per rreth gadi si të dojshin me bisedue me te; por luten e urata e tyne kputet prej dnesve. Deka e ka ba punen e vet”.



Nga mesdita njerzit mblidhen tuba tuba në bashkinë e Shkodrës për të pyetur për fatin e Poetit. Nxënësi i tij, Prof Karl Gurakuqi, njofton herë pas here në radio ligjeratën e përmortshme. Njerëzit nuk lozin vendit. Duken të shushatun. Nuk u besohet që kanë humbur poetin e dashur, Homerin shqiptar, Gjergj Fishtën. Ishte shuar një poet, vargjet e të cilit u mësuan përmendësh dhe u bënë popullore.



Lajmi u dha pothuaj në tërë fletoret e kohës.



Në këtë çast “u futën në skenë” katërshja e fotografëve shkodranë, e njerëzve vizionarë, njerëzve që punuan me ngulm për të përjetësuar këtë çast, për ta bërë atë pjesë të historisë dokumentare: Është brezi i ri i fotografëve shkodranë, janë katër heronj të fotografisë artistë të vërtetë: Shan Pici, Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta. Edhe zemra e tyre dneste, por ishin thirrur si dëshmitarë të historisë dhe ata kishin një detyrë me randsi të madhe. Ata punuan për kohët që do të vinin. Sikur kishin parashikuar se do të vinin kohë që barbarët do të përpiqeshin të shuanin çdo gjë që i përkiste Poetit. Prandaj puna e katër fotografëve të Shkodrës merr karakter vizionar me vlera të jashtëzakonshme. Ata punuan ata ditë kundër kohës, e cila do të kërkonte të shuante kujtesën kombëtare. Ja pse fotografia e tyre, përveç se ka vlera artistike ka edhe vlera arkivore, dokumentare historike. Gegë Marubi i specializuar në Paris, ka fiksuar foto të Fishtës në shtratin e vdekjes.

Fishta është i veshur me zhgunin e Françeskanëve dhe në dorë mban rozaret. Në brez ka litarin e njohur sipas ritit të Françeskanëve. Fotografi i ri Gegë Marubi ka fiksuar në filma të markës Laika çaste të ndryshme nga funerali i Fishtës. Shan Pici ka fotografuar reliket që i përkisnin Fishtës, si për të na transmetuar brezave tonë disa mesazhe me rëndësi mbi jetën e poetit të madh. Po kështu jemi të sigurt se edhe Dedë Jakova ka fiksuar çaste të rëndësishme të procesionit. Mund të themi se për arsye profesionale asnjëri nuk ka përsëritur tjetrin, por të gjithë së bashku kanë plotësuar të tërën.
***
Dhjetor 2010. Shënohet një datë e veçantë në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme. Më 30 të këtij muaji bëhen 70 vjet nga vdekja e At Gjergj Fishtës.

***
Jemi përpjekur ta sjellim mes nesh këtë humbje të madhe, parë në disa këndvështrime. Shumë dëshmi fotografike, që shfaqen për herë të parë për publikun, do të plotësohen me disa shkrime të panjohura të Fishtës, dhe me një varg faktesh të analizuara me kujdes mbi portretin, kontributin e Gjergj Fishtës dhe përpjekjet e qëllimta të diktaturës për të hedhur baltë mbi të.
Por ajo që na tërheq vëmendjen më së shumti janë dy fotografi të një objekti tepër të rrallë: maska e vdekjes së at Gjergj Fishtës. Ajo është mjaft ngacmuese për misterin që mbart. Kush e ka realizuar dhe cila është historia e saj? A ruhet ende kjo maskë? A ka lidhje me ndonjë traditë të françeskanëve realizimi i saj?
At Gjergj Fishta i takonte Urdhrit të Françeskanëve, që e kishin në traditën e tyre që kur vdisnin personalitete të shquara të tyre ata ua merrnin maskën e fytyrës. Kjo kërkonte një teknikë dhe mjete speciale për tu realizuar. Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940 dhe u varros në Kishën e Françeskanëve një ditë më vonë. Sipas dëshmive të disa anëtarëve të shoqërisë Antoniane, ne mësojmë se maskën e Gjergj Fishtës të vdekur e realizoi një françeskan tjetër i shquar: At Justin Rrota. Gegë Marubi realizoi fotografimin e Maskës së Fishtës në disa projeksione. Maska është realizuar me një teknikë të lartë, përmes të cilës ka ruajtur deri elementet më të detajuara të fytyrës, si rrudhat e fytyrës edhe qerpikët e syve, fijet e flokëve, etj. Maska ka ruajtur elemente të shprehjes së qetë të fytyrës së poetit menjëherë pas vdekjes.
Një histori më vete dhe mjaft interesante është ajo e ruajtjes së maskës së Fishtës deri në ditët e sotme. Kjo histori lidhet me anëtarin e flaktë të Shoqërisë Antonjane Tom Leci. Franceskanët kishin krijuar në Shkodër një shoqëri të djelmenisë që e quajtën “Shoqëria Antoniane”. Tom Leci ishte një pjesëtar aktiv i kësaj shoqërie mjaft të njohur në Shkodër. Ai kishte fituar çmime në poezi, pikturë, skulpture dhe shquhej për ndjejnjat e zjarrta të dashurisë për atdheun. Ai në 1939 krijoi së bashku me shokë të tjerë shoqërinë “28 Nandori”. Qe luftëtar për ruajtjen e trojeve etnike shqiptare, në Rugovë. Toma mori përsipër ruajtjen e maskës së Fishtës në vitet e dallgëve të kohës që kaloi atdheu, gjatë Luftës së Dytë Botërore si edhe gjatë viteve të diktaturës. Deri në fund të jetës (2005), Toma e ruajti maskën e Fishtës me një përkushtim të madh. Është interesant se ai krahas maskës së Fishtës ruante të ekspozuar në dhomë edhe portretin e gjyshit të tij, Marka Kolës (1832-1880), një prej heronjve të “Lahutës së malësisë” së Gjergj Fishtës. Portreti i Marka Kolës ishte realizuar nga piktori i popullit, Simon Rrota (vëllai i Atë Justin Rrotës, OFM).

Ja pasazhi i Fishtës për këtë hero të Lidhjes së Prizrenit:


“Po kush qiti n’tri taborre?
Marka Kola rrfe mizore.
Marka Kola i pari qiti,
E ku qiti aty i a njiti:
Vrau n’martine të Sulltanit
Burizanen Mark Milanit!”


(LAHUTA, Kanga e katërmbëdhjetë, Te Ura e Rrzhanicës).
Marka Kola është një nga dëshmorët e Atdheut që dha jetën në luftë për mbrojtjen e trojeve të parëve. Tom Leci ruante së bashku maskën e Gjergj Fishtës (te realizuar nga Justin Rrota) dhe portretin e Marka Kolës (të realizuar nga vëllai i tij, Simon Rrota). Dhe nuk ishte e lehtë të ruaje një relike të Fishtës në Shkodër. Mbas vdekjes së Tom Lecit (i cili i kaloi vitet e rinisë së tij nëpër burgjet e diktaturës), maska e Fishtës ruhet nga familja e tij në Shkodër. “Këtë maskë kam pasur fatin ta kundroja sa herë shkoja për vizitë tek miku im, Tom Leci” (M. Quku).
* * *
Fotot dëshmojnë se dita e ceremonisë së lamtumirës ishte një ditë me shumë dëborë dhe kortezhi mortor përbëhej nga njerëzit më në zë të politikës, fesë, artit dhe inteligjencës. Ka shumë dëshmi gojore e fotografike që nuk njihen nga kjo ditë.
Bashkëkohësit tregojnë se ceremonia e varrimit të Fishtës qe më madhështorja që ishte pa ndonjëherë në Shkodër. Që me 22 dhjetor qyteti e rrethet ishin veshë në të bardhë. Bora binte si donte Zoti vetë. Homazhet filluan në Katedralen e qytetit dhe prej aty procesioni kaloi nëpër gjuhadol, kaloi nëpër piacë, (pedonalja e sotme) dhe u ndal para ndërtesës së Postës. Aty u mbajtën fjalime nga autoritetet e vendit dhe të tjerë që kishin ardhur nga Tirana. Fjalimet u mbajtën pikërisht nga balkoni i shkallëve të ndërtesës, aty ku para katër viteve i ishte dhënë lamtumira e fundit një tjetër të madhit Mjeda. Prej aty kortezhi vazhdoi rrugën në rrugicën që të çon tek Kisha e Françeskanëve, ku edhe u varros në kriptin e Urdhnit të tretë. Ekzistojnë fotografi të katër fotografëve të Shkodrës, por që duhen kërkuar dhe promovuar në të ardhmen. Ne po prezantojmë fotografinë e procesionit në çastin që po ngjitet nëpër piacë, sapo ka dalë nga Gjuhadoli. Shihet qartë se ka ra borë e madhe, aq sa kanë mbetur grumbuj grumbuj në tokë. Ndërsa po bie shi, sepse pjesëmarrësit janë me çadra. Procesionit i paraprin banda muzikore Antonjane të Françeskanëve, mes të cilëve është edhe heroi ynë Tom Leci me Bas-Mi. Arkivoli i Fishtës ishte i mbuluar me flamurin autentik të Dedë Gjo’Lulit. Ai u vendos përfundimisht në Kishën e Gjuhadolit. “Diq ma besniku i shprehjes së ndiesive shejte dhe bujare të kombit tonë” u shpreh prof. Filip Fishta. Me vdekjen e tij, Akademia e Italisë “Humbi nji ndër pjesëtarët e vet ma të shkëlqyeshëm” , shprehet kryetari i kësaj akademie Prof. Luigj Federzoni në telegramin që dërgoi në rastin e vdekjes së poetit më 30 dhjetor 1940. “Ky hyll i shlëqyeshëm u këput prej qiellit shqiptar, ky njeri i madh u dna nga mesi i ynë, por Ai nuk do të harrohet kurr prej Shqiptarëvet”- do të shkruaj Prof. Karl Gurakuqi me këtë rast. Dhe vërtetë mbas sa e sa fortunave të kohës, ka ardh dita që Fishta të kthehet në vendin që i takon. Fishta po kujtohet e po nderohet prej shqiptarëve.

* * *
Një histori të veçantë kanë edhe fotografitë ku janë fiksuar disa relike të Fishtës si penda e artë, kurora e argjendtë, kopja e botimit të parë të Lahutës së malcisë, me të cilat njihemi në këto fotografi. Interesim të veçantë treguan fotografët e rinj, Shan Pici, Dede Jakova e Pjeter Raboshta, që sapo kishin hapur studiot e tyre në Shkodër, në shembullin e Foto Marubit.. Në studion e pleqve Marubi ishte kthyer nga Franca, ku ishte specializuar, Gegë Marubi. Të gjithë këta fotografë të talentuar e të arsimuar punuan ato ditë për të pasqyruar sa më denjësisht figurën e ndritur të Fishtës, përmes fotove të kohës. Gega filloi te fotografonte me aparat të lëvizshëm me filma të markës Laika. Mes kësaj plejade fotografësh bie në sy Shan Pici, i cili u shqua për fotografi të karakterit arkivor, dokumentar. Ata bashkëpunan me oraganet e shtypit, si edhe me komisionet që u krijuan për të përgatitur botime speciale për Fishtën.
* * *
Fishta u çmua dhe u nderua nga shumë personalitete e burra shteti të mëdhenj të kohës. Perandori i Austro-Hungarisë, Franz Jozefi e dekoroi në vitin 1912 me Urdhërin Ritterkreuz, Papa Piu XII e dekoroi në vitin 1925 me Medaljen e Meritimit, Parija e Përgjithshme e Urdhërit Franceskan e dekoroi në vitin 1929 me Lector Jubilatus. Madje At Gjergj Fishta u dekorua në vitin 1912, edhe nga Sulltani i Perandorisë turke me dekoratën Mearif klasi i dytë, kurse u dekorua nga Mbreti i Greqisë në vitin 1931, me dekoratën Foenix. Me rastin e vdekjes së Fishtës, si edhe të përgatitjeve për botimin “Atë Gjergj Fishta”, Tiranë, 1941, fotografi i ri Shan Pici mori përsipër të bënte fotografi të relikeve të Gjergj Fishtës. Po japim informacione lidhur me disa prej tyre. Njëra foto i takon dekoratave të akorduara Fishtës: 1. Në mes të fotos, lart është “Medaglia al Merito”, në vitin 1925 nga Papa Piu XII, 2. Dekorata në krahun e majtë është “Ritterkreuz” e akorduar në vitin 1912 nga Perandori Franz Jozef i shtëpisë së Habsurgëve, 3. Dekorata në të djathtën është “Mearif”, klasi II, akorduar në vitin 1912 nga Sulltani i Perandorisë Turke, 4. Në fund është dekorata “Phoenix” e akorduar nga Mbreti i Greqisë, në vitin 1931.
Ndërsa në një foto tjetër Shan Pici fiksoi së bashku Kunorën e argjendë që ia dhuroi Fishtës, Klubi “Gjuha Shqipe” në vitin 1911, si edhe pendën e artë që ia dhuruan në vitin 1917, nga qyteti i Beratit, për krijimtarinë poetike.

Kunora e argjendtë iu dhurua Atë Gjergj Fishtës nga Klubi “Gjuha Shqipe” me këtë kushtim:


“Fort të Ndritçmit A. Gjergj Fishtës O.F.M.
Vjerrshtarit ma të vlershmit të Shqypnis, Atdhetarit të Flakët e të dijshëm, qi me shkrime të larta të veta aq të shndritun e randsi i ka dhanë gjuhës e komsis Shqiptare ket kunorë në shej të binduemit e të Miradijes, Klubi “Gjuha Shqipe” ja Truen.


Kryetari i nderës: Sereggi, Kryetari: N. Çoba, Shkodër, 21. 1. 1911.”
Po në vitin 1941, në kuadrin e përgatitjeve për botimet speciale kushtuar At Gjergj Fishtës, fotografi Shan Pici, ka bërë edhe riprodhimin e një fotografie të vjetër ku poeti kishte dalë, vite më parë kur kthehej herë pas here Kuvendin e Troshanit. Kjo foto tërhoqi vëmendjen e fotografit të ri, sepse aty poeti kishte dalë së bashku me fshatarët e tij të katundit Fishtë, aty pranë Troshanit. Pavarësisht se cilësia e fotografisë është jo e mirë, sepse amatore dhe e riprodhuar, ajo paraqet vlera për personalitetin e poetit, i cili madhështinë e tij e shprehte në mënyrë të thjeshtë.
Po ashtu histori dhe vlera të veçanta ka fotografia e facsimiles së botimit të parë të veprës së Fishtës “Lahuta e Malsisë” me autografin e At Shtjefën Gjeçovit, që e zotërojmë sot falë kujdesit të fotografit Shan Pici, me këtë rast (1941). Mësojmë se kjo kësombëll ka qenë “Për përdorim të At Shtjefën Gjeçov, Gomsiqe, 13-VI-1912”.
Dhe s’duhet harruar edhe fotografia e vitit 1915, ku Fishta është në moshën 44 vjeçare, fotografi kjo që paraqet mjaft interes, pasi është koha kur Shkodra dhe e gjithë zona përreth është kthyer në teatër luftimesh. Fotografia është realizuar në studion e fotografit atdhetar Kel Marubit.

Ky shkrim asht marre prej gazeta Shqiptare Online

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System


Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
Eurodita Live - Trokit




Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube

Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.5038 sec, 0.0110 of that for queries. DB queries: 58. Memory Usage: 3,117kB