Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
::bud::
Wed Feb 04 2009, 10:52pm



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 12:46pm

Posts: 10533
Gjuhëtari Prof.Dr. Simon Pepa, pedagogu i gjuhës shqipe në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi" prej 30 vjetësh, lindi në Shkodër, më 31 dhjetor 1936, duke e ndërprerë jetën në një klinikë të qytetit të Barit në Itali, më 10 maj 2002, në moshën 65-vjeçare.

trokit ketu

nga Prof.Dr. Tomor Osmani
Prof. Simon Pepa erdhi në Universitetin e Shkodrës mbasi kishte shërbyer për 19 vjet rresht si arsimtar në fshatrat e Shkodrës, si në Dajç të Bregut të Bunës (1954-1961), Boks-Dragoç, nëndrejtor shkolle (1961-1962), Mes-Myselim, drejtor shkolle (1962-1972), Shkodër, drejtor i shkollës 8-vjeçare "Salo Halili" (1972-1973).Më 15 shtator 1973 Simon Pepa emërohet pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, sot Universiteti "Luigj Gurakuqi". Ndonëse në moshën 37-vjeçare, por i ri në shkollën e lartë, ai, me shpejtësi të veçantë, me vullnet dhe durim, arriti që në vitet e para të punës në këtë institucion të zhvillojë lëndët: dialektologji e gjuhës shqipe, praktikum i gjuhës dhe metodikë e gjuhës shqipe. .

Dhe në vitet e mëvonshme, duke filluar nga viti 1976-1977 do të jetë titullar i lëndëve leksikologji dhe fonetikë e gjuhës shqipe, të cilat i zhvilloi deri në momentin e fundit të jetës së tij, deri në ato ditë të ftohta , kur vinte në Universitet me makinë, se ecjen në këmbë nuk e përballonte dhe në mësim tërhiqte zvarrë një reflektor, mbasi nuk e duronte dot të ftohtit e asaj periudhe.Me krijimin e Sektorit Shkencor të Albanologjisë, në shtatorin e vitit 1995, Simon Pepa do të caktohet punonjës shkencor i tij, ku me përkushtim të veçantë, në bashkëpunim edhe me kolegë të tjerë, do t'i japë emër këtij sektori. Ai do të jetë në redaksinë dhe një nga redaktorët e botimeve të këtij sektori, si të monografisë së Prof.Dr, Kolë Ashtës "Leksiku historik i gjuhës shqipe", të kolanës "Studime shqiptare" etj.si dhe njëri nga recensentët e veprës madhore të profesor Kolë Kamsit "Fjalor arbërisht-shqip" etj.

Simon Pepa gëzonte disa grada dhe tituj shkencorë. Në vitin 1989 ka marrë gradën "Kandidat i shkencave", me disertacionin me temë "Leksiku bujqësor në gegërishten veripërendimore dhe njësitë frazeologjike që lidhen me të", konvertuar në vitin 1995 në gradën "Doktor i shkencave". Më pas, në prill të vitit 1995 iu dha titulli "Asistent profesor" dhe më 1999 "Profesor".

Prof. Dr. Simon Pepa ka një veprimtari të gjerë shkencore dhe pedagogjike. Ka shkruar dhe botuar me dhjetra artikuj e studime në shtypin shkencor dhe periodik, si brenda vendit ashtu edhejashtë tij.

Ka marrë pjesë në shumë veprimtari shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ka kumtuar për tema të veçanta në Zagreb, Nju-Jork, Brozzo etj. Për shkëmbim përvoje nga fusha e gjuhësisë ka qenë i ftuar nga Departamenti i Linguistikës i Universitetit të Studimeve të Padovës (korrik, 1996) dhe për kualifikim në Universitetin e Studimeve të Barit (maj-qershor 2001).

Simon Pepa ka qenë bashkautor i katër teksteve mësimore për shkollën e lartë. Ai është autor i monografive "Gjurmime kulturore" (Shkodër, 2000), "Tabu dhe eufemizma në gjuhën shqipe" (bashkautor, Shkodër, 2000). Dhe pak ditë para se të vdiste ua dhuroi kolegëve, shokëve dhe miqve veprën më të mirë të tij, një punë e gjatë e autorit, por njëkohësisht edhe njohës i leksikut të gjuhës shqipe, veçanërisht atij të Veriut "Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor", në dy vëllime, Shkodër, 2002, 430 f., duke lënë kështu një mesazh të gjallë kujtimit të tij.

Në letrën e ngushëllimit, që Prof. Shaban Demiraj i dërgon familjes, i shkruan: "Ditët e fundit mësova me hidhërim të madh lajmin e vdekjes së parakohshme të bashkëshortit tuaj dhe mikut tim, Prof. Simon Pepës. Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen tuaj dhe për Universitetin e Shkodrës , ku ai ka punuar me përkushtim të madh për një kohë të gjëtë, por edhe për albanologjinë në përgjithësi. Unë ruaj prej tij kujtimet më të mira dhe e kam çmuar shumë punën e tij si pedagog dhe hulumtues shkencor. Kam lexuar me shumë vëmendje, sidomos veprën e tij të fundit. "Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor", që më pati mirësinë të ma dhuronte me nënshkrimin e tij para do kohe. Me këtë rast ju lutem të pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta".

Simon Pepën e karakterizonte fryma e bashkëpunimit, gjë që është reflektuar në disa shkrime e vepra, cilësi e veçantë e tij.

Ai u shqua si pedagog i aftë, serioz, me vullnet, që dha një kontribut të vyer në përgatitjen e qindra mësuesve dhe specialistëve të gjuhës shqipe. Ishte pedagog i ndershëm, korekt i këndshëm me atë humorin e tij të gjetur dhe dashamirës me të gjithë. Një vend të veçantë në veprimtarinë e Prof. Simon Pepës zë ajo editoriale. Si anëtar i kolegjiumit të redaksisë së revistës "Phoenix", ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e standarteve shkencore dhe në vijëmisë e kësaj reviste.

Prof.Dr. Simon Pepa u nda nga jeta , në atë kohë kur kishte projektuar edhe vepra të tjera. Rektorati i Universitetit tonë i bëri respektin që i takonte, duke kryer për herë të përë homazhe pranë arkivolit të tij në hollet e Universitetit.

Me vdekjen e tij familja humbi njeriun e tij të dashur dhe të shtrenjtë, ndërsa ne humbëm kolegun tonë të dashur, njeriun e dhënë jo vetëm pas gjuhësisë, por edhe pas letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Back to top
::bud::
Wed Feb 04 2009, 10:56pm



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 12:46pm

Posts: 10533
Meqe edhe Noten perfundimtare te matures e kam marre nga Zotni Pepa po i hedhi keta vargje te tijat qe iu bate kaq shum qejfi kur ja rrecitoshim.

Mirë se erdhe!

Si dallëndyshe shtegëtare
Ike n'male e kodra
Të përcollën me lot n'sy
Zemërdjegurat motra.

Nëna plakë, zhuritë nga malli
T'priste strukë te votra
Kishte shpresë, ah! Shpresë të fikur
Syrin ngulë nga porta.

Oh! Sa e egër qe shtërngata
Me të s'kishte lodra
Ra martir, vëlla Myzaferi
Vdiq dhe një nga motrat.

Por më në fund dallëndyshja u kthye
N'çerdhe t'vet te porta
Qan e këqyrë me sy t'përvajshëm
Vendet bosh te votra.

Qeshet shpirti i lënduar
Gëzohen t'vuajturat motra
Mirë se erdhe n'qytet t'lindjes
T'thotë Rozafa e Shkodra!
Back to top
Loris
Wed Feb 04 2009, 11:25pm
Veni-vidi-vici !!

Registered Member #2417
Joined: Thu Oct 30 2008, 12:28pm

Posts: 2261
Kete vjershe e kam hedhe edhe une te tema Persh nga Shkodra bud. Me duket e ka pas perzemer sepse ia ka kushtu nji njeriu shume te madh e te vujtun sic ishte Arshi Pipa.

Flm per inf.rreth prof. Pepes.

Ne nuk jemi ajo qe themi, ne jemi ajo qe bejme!
Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 06:44am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Simoni u lind në qytetin e Shkodrës në familjen Ndoc e Kjara Pepa, ndër njerëz të mirë e zanatçinj mjaft punëtorë. Ai jetoi në lagjen Arra e Madhe, areal enciklopedik, ku gjendej kuvendi i vogël françeskan O.F.M. (Organizata e Minore Françeskane), i mbushur me klerik të urtë, të mençur, dijetarë të mirënjohur mbarëshqiptarë, ardhetarë e prelat të devotshëm, që lanë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij.


Ai, njohu shumë prej tyre, u përpoq të hulumtojë, studiojë e publikojë veprën e tyre. E shqetësonte derisa ndërroi jetë fakti, se askush si pati kërkuar klerikëve falje, për krimet e bëra ndaj të pafajshëmve. Studiuesi i palodhur, me miq të tjerë të udhës së dritës e vërtetës historike, nisi të botoj punimet e tyre në shumë organe të ndryshme, një pjesë e të cilave ishin kujtime, që kishte akumuluar e ruajtur me kujdes gjatë vitëve me shumë prej tyre.


Sa herë bisedonim me orë të tëra me Prof. Simonin në Arqipeshkëvinë Metropolitane të Kishës Katolike në Shkodër, ai kishte një pasion të pashuar, që kërkonte vetëm të tregonte e nxirrte në pah të vërtetën e jetës dhe veprës së paharruar të lënë qëllimisht në harresë.


Jeta e rinore e Simon Pepës nga vitet 1954-1972, ishte udhëtimi i përditshëm me biçikletë për 19 vjet nëpër katundet e Shkodrës si mësues. Në vitin 1973, emërohet pedagog në Insitutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”), ku deri më 1976 dha leksione në lëndët “Dialektologji e Gjuhës Shqipe” dhe “Metodika e Gjuhës Shqipe”. Prof. Pepa, deri sa kaloi në amshim, mbuloi lëndët: “Leksikologji e Gjuhës Shqiper” e “Fonetika e Gjuhës Shqipe”.


Prof. Simon Pepa e miku i tij i ngushtë pedagogu e albanologu Prof. Dr. Tomorr Osmani, dhanë ndihmë të madhe në Sektorin Shkencorë të Albanologjisë në Universitetin e Shkodrës. Prof. Osmani, mbas 4 vitësh, kujton: “Nga fjala gjurmëlënëse tek studentët në leksionet e leksikologjisë e të fonetikës, deri tek fjala e shtypur tek librat tuaj me vlerë, nga bashkëpunimi në redaktimin e librit “Leksiku historik i shqipes” (Vëll. I & II) të Prof. Dr. Kolë Ashta e kolanës “Studime shqiptare” (5 volume), gjer tek marrja e titujve “Doktor i shkencave” (1989), “Profesor i asocuar” (1995) e më pas “Profesor”(1999), është buzagazi i përhershëm i qytearit dhe hetimi skurpoloz i shkencëtarit…”


Ndërsa, drejtori i Bibliotekës “At Marin Barleti” në Shkodër, studiuesi Gjovalin Çuni, kujton: “Thuhet, se një filozof ka thënë, që një ndër detyrat e burrit është edhe shkrimi i një libri. Nuk e dimë, nëse Profesori e dinte këtë thënie, por dimë që me veprat e tij shkroi për shumë burra e jo vetëm për ata, por për të gjithë shtresat e popullsisë që me endje lexuan, shijuan, por edhe dëgjuan në takime tek recitonte krijimet e tij, që ngjallnin ndjesi të jashtëzakonshme.”


Gjatë vitëve studentore të shkollës së lartë, Prof. Pepa, ka nisur të bëjë kërkime mbi gurrën burimore popullore shqiptare në trevat e zonës së Mbi e Nën Shkodrës. Ai është bashkëautor në 4 tekste mësimore për shkollat e larta e 2 monografive. Është autor i librave: “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor” Pjesa I (Në viset veriore të Shqipërisë në përqasje me të folme të tjera të shqipes, Shkodër, 2002, 208 f.) dhe Pjesa II (Fjalor viset veriore të Shqipërisë në përqasje me të folme të tjera të shqipes, Shkodër, 2002, 222 f.), “Gjurmë kulturore” (Shkodër, 2000), në të cilën, qysh në hyrje autori Pepa, thotë: “Ua kushtoj atyre dijetarëve të shquar, që dhanë aq shumë për kulturën shqiptare, por si shpërblim u hodhën në detin e harresës ose u martirizuan egërsisht.”


Albanologu shkodran, punoi një jetë të tërë dhe 12 vitët e fundit i mori shumë kohë e enërgji këmngulëse, duke takuar njerëz në të katër anët e viseve veriore të Shqipërisë, shfrytëzoi një literaturë të gjerë gjuhësore, por vende vende edhe historike, etnografike, mitologjike etj.


Dorëshkrimet e përfunduara shumë vite më parë, për shkaqe të ndryshme u ruajtën në sirtarët e shtëpisë së tij, si një dokument tepër i vlefshëm jetësor. Duke ruajtur origjinalitetin e tyre familja gruaja Bruna, djali Albani e vajza Arieta, u kujdesën që t’i botojnë njera mbas tjetrës. Ato sot gjendën të shpërnadarë në të gjithë trojet enike shqiptare Europë e Amerikë.


Albani, sa herë takon intelektualë në shtete të ndryshme të Amerikës, u dhuron libra të albanologut të paharruar, që punoi një jetë të tërë, për të mbledhur si bleta punëtore nektarin shumëshekullorë të gurrës së pashtershme popullore në krahina e zona të ndryshme të Veriut të Shqipërisë.


Në këto vepra të botuara, përfshihen: studime, artikuj, kumtesa, kushtuar figurave të shquara, si: Ipeshvit Imzot Frang Bardhit; dy vëllëzërve luftëtarë e atdhetarë Filip e Kolë Kraja; misionarit, albanologut diturak e udhëtarit e hulumtuesit të palodhur të Malësisë Veriore At Prof. Fuglio Cordignano; studiuesit akademik të letrave shqipe At Justin Rrota O.F.M; themeluesit të leksikografisë krahinore dhe asaj onomastike Dom Nikollë Gazulli; Kardinal Mikel Koliqi, një emër i madh shqiptar; At Dr. Donat Kurti, vigan i martirizuar i folkloristikës shqiptare; misionarit e mikut të Shqipërisë, italianit të pamposhtur At Ciacoma (Jak) Gardini (që bëri 10 vjet burg në kohën e diktaturës ateiste); Prof Eqrem Çabej, Prof. Kolë Ashtës, Prof. Fadil Podgoricës, Gjon Kujxhisë etj.


Ndërsa vepra tjetër voluminoze: “Zadrima dhe bijtë e ndritur të saj” (Shkodër, 2003), botuar nën kujdesin e bashkëshortes Bruna dhe fëmijëve të vet Albanit në Conneticut (ShBA) e vajzës Arianitës në Itali. Libri, është i ndarë në 8 krerë: “Zadrima – krahinë e lashtë e Shqipërisë”, “Bij të ndritur të Zadrimes”, “Katoliçizmi dhe Shqipëria”, “Martirizimi i Klerit Katolik të Zadrimës”, “Meshtarë zadrimorë të martirizuar”, “Martirizimi i At Dajanit e At Faustit”, “Kujtime dhe mbresa”, “Jehona në shtypin italian”.


Studiuesi Pepa, në kohë të lirë ka derdhë frymëzimin e dashurisë së madhe, që kishte për qytetin e lindjes. Krijimet poetike, i ka përmbledhur me përkujdesje, në vëllimin me lirika e humor të titulluar: “Brengë dhe gaz nga Shkodra ime” (Shkodër, 2001).


Kritiku letrar e pedagogu i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof. Hasan Lekaj, i përshkruan kështu poezitë e lirikut Dr. Pepa: “Krijimet poetike të këtij vëllimi nuk janë nxjerrë nga arkivat, përkundrazi, shprehin tharme me bukuri lirike dhe aromë gazmore, shoqënue me vokacion rinor dhe pjekuni artistike. Poeti dëshmon estetikisht rrjedhën e jetës dhe, pse jo, edhe jetëshkrimin poetik që, falë përkushtimit të sinqertë, me hove rinore dhe meditim moshor, poezitë, jo vetëm që nuk e kanë humbë fresnikë, por edhe mbijetojnë. Fjala poetike e Simon pepës asht e lirë dhe, njëkohsisht, model papajtueshmënie midis përjetimit dhe jetës artistike në hapësinëne traditës poetike qytetare shkodrane.”


Prof. Pepa, ka botuar me dhjetra studime e artikuj shkencorë në shtypin shkencorë e atë periodik në Shqipëri, Kosovë, ShBA, Itali etj. Ai ka mbajtur kumtesa e sesione shkencore në universitetet shqiptare në Shqipëri, e i ftuar në katedra universitetesh, si: në Kosovë, Zagreb, New York, Itali etj. Disa herë është ftuar nga departamenti i Linguistikës pranë Universitetit të Padovës, ku ka mbajtur cikël leksionesh.


Sodis


Sodis dritares tretur n’ëndërrime
Dhe sytë e lodhur ngultas larg vështrojnë
Atje ku malet dridhen me gjënime
Zemërim rrufetë e qiellit ku lëshojnë.

Përpara meje shtrihet fusha e blertë
Ku lulja e zverdhë vjeshtake po venitet
Ku rrjedh ngadalë ky lumi si përherë
Në tokën e zhuritur që vaditet.

Por jo! S’e dua fushën e bleruar
Në lulet e randshme syri sm’ndahet
Atje ku shfren rrufeja e tërbuar
Atje ku gjënon moti larg në malet.


Veç atje larg vështroj dritares vazhdimisht
Ku n’mjegull mbuluar Cukalit i ësht’ fytyra
Sa t’dua, o pamje e egër malësore
E shpirtit tim të lodhur i je pasqyra…




Kur mbramja zbret…


Muzgu po zbret…, e dielli prapa mali
Lodhur nga dita ngadalë po përëndon
Me sy t’ngulitur larg kqyrë mos erdh djali
Pse zemra e nënës gjithher’ keq mendon.


E kur këputur, vonë nga puna kthen
E hana sipër n’qiell ngadalë rrëshqet
N’shtëpizën tënde t’vogël nata vjen
Shiko, një dritë t’venitur, nana pret…


Edhe atëher’ kur n’mbrëmjet pranverore
Me shoqëri, n’gëzim natë kalon
Gjer n’orë të vona mbështetur në dritore
Për ty një zemër nane pret e andrron…




Dimër


Ësht’ dimër, vashë, një dimër pa blerime
Që gjeth’t e zverdhur i tretë pa mëshirë
I la bilbili t’ëmbla cicërime
E gurra këngëtare krejt është ngrirë.


Porse s’ka gjë n’se gjethet zverdhur
Le t’rrijë gjithherë kjo gurra në heshtim
Dimër mos t’ketë, o vashë, në sytë e shkuar
Pse veç atëher’ zbret dimri n’shpirtin tim…




Këndo!


Në degët e luleviles, kur krahët t’ketë shtri nata
Nuk prajnë këntarët bilbila tue k’ndue kangën e vet
At’ këngë që un’ gjithherë thellë në shpirt ruejt’ e pata
Për gazin e bilbilit veç ajo këngë flet.

Ai shend që t’ka mbulue sonte, o bilbil nuk mund tmatet
Këndo! Këndo! pa pra, me heshtur ësht’ e kotë
Sa kam dëshir’ me t’die tue circërue këngëtar nate
Pse ti nuk di së paku se ç’halle ka kjo botë…




Mbas teje


Dua të të shoh jo kur nata e mbulon fshatin
As kur hana nis heshtas t’udhëtojë
Por kur dielli përvëlues e djeg shpatin
E n’orë të zhegut shkon tufa tmrizojë.


Ti i prin tufës n’për shtigje t’zharitur
Prej një rrezes përvëluese që djeg
Vetëm ecën, gjithhera pa e ditur
Se një hije ty hijen ta ndjek.


Kur ti ndalesh pak hijet afrohen
Ecin, ecin në tokën zharitë
Nganjëhera t’dy hijet ngatërrohen
E un’ kënaqem ngatërrue tue i soditë…




Një peng nderimi (Kujtimit të Prof. Kolë Ashtës)


Vetëm studime ti s’dite gjë tjetër
Mbi tryezë të punës sa herë mesnata t’ra
Buzuku, Bardhi e t’gjith’ autorët e vjetër
Të patën mik, të patën shok e vëlla.


Si për fëmijët tuaj për ta s’kurseve fare
Pse n’jetë të udhëhiqte një qëllim i lartë
Fjalën e bukur e të pastër shqiptare
Ti e skalite aq mjeshtërisht me dalë.


Por tash s’je ma, bilbili ndër rudina
Bashkë me një zanë çdo vit vajtojnë n’pranverë
Atje n’Ermaj sa t’endet moti e stina
Pushon n’amshim nën qiparizat t’blerrë.


Por jo, ti s’vdes, sa herë të thërret Shqipëria
Ty ta përcjellin emrin male e kodra
E vjen i gjallë ku rrjedh djersa e dija
Pse n’vepra tuaj, i Kolë, të kujton Shkodra…




Kur përzihen shkronjat


Ngadal’ ky deti i lodhun sa ra në qetësi
U heshtën britma e gaze që vlonin pak më parë
Me vel të mugët nata l’shoi t’veten errësi
Nga lart hëna shtegtare end rreze t’lame n’ar.


Pushojnë njrëzia, në ëndrra t’bukura tretur
(E ku ka ngre kjo botë të endet kot si ne)
Ne vetëm, veç të dy, tek bregu kemi mbetur
Nuk flasim, thua se heshtja, do t’na falë diçka t’re.


Vështroj fytyrën tënde, ti larg shikimin ngulur
E hjedh ashtu pa dashur, n’ca drita që kaluan
As sonte një fjalë s’flet, po rri me kokën ulur
Edhe n’ranishte t’bregut, si kot ti diçka shkruan.


Skalit dy emrat tanë, pa folur asnjë fjalë
Ah! sa do të dëshiroja që emrat t’rrinë pa humbë…
Por deti i pamëshirë sjell të palodhurat valë
Duke i përzier shkronjat me ranë, me valë, me shkumbë…




Mirë se erdhe!


Si dallëndyshe shtegëtare
Ike n’male e kodra
Të përcollën me lot n’sy
Zemërdjegurat motra.


Nëna plakë, zhuritë nga malli
T’priste strukë te votra
Kishte shpresë, ah! Shpresë të fikur
Syrin ngulë nga porta.


Oh! Sa e egër qe shtërngata
Me të s’kishte lodra
Ra martir, vëlla Myzaferi
Vdiq dhe një nga motrat.


Por më në fund dallëndyshja u kthye
N’çerdhe t’vet te porta
Qan e këqyrë me sy t’përvajshëm
Vendet bosh te votra.


Qeshet shpirti i lënduar
Gëzohen t’vuajturat motra
Mirë se erdhe n’qytet t’lindjes
T’thotë Rozafa e Shkodra!




Shënim: Poeti Prof. Arshi Pipa, gjet të vdekur: babain (vdekur në internim), nënën, vëllain, Myzaferin, të cilin e mbytën në tortura, sot me varr të paditur, motrën, Bledi Pipa, që e lanë të shuhet nga tubërkolozi, pa e kuruar, mbasi ishte “ e prekur politikisht”.


Nga Klajd Kapinova/Revista kulturore “Jeta Katolike” - New York, 4/2006.


(Ps: Nuk e paskam pa kët temë, e spostova këtu postim tem)


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3080 sec, 0.0750 of that for queries. DB queries: 38. Memory Usage: 2,636kB