Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Tue Feb 17 2009, 11:51am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Selman Riza, Kalvari i dhimbjeve dhe ëndrrat e dijetarit të madh



» Dërguar më: 16/02/2009 - 14:19


Behar GJOKA

Ky vit përkon me 100 vjetorin e lindjes së prof. Selman Rizës, birit të madh të Kosovës, atdhetarit të flaktë të çështjes Sqiptare në të gjithë hapësirën etnike, si dhe martirit të fjalës dhe mendimit të lirë, arsimtarit dhe pedagogut të talentuar, studiuesit dhe gjuhëtarit të përveçëm, që për nga thellësia e mendimit dhe punët e kryera, mund të barabitet fare lehtë me Kostandin Kristoforidhin, Sami Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Eqerem Çabejn, Kol Ashtën, Kristaq Cipon, Justin Rrotën, Shaban Demirin, Fatmir Agalliun etj., dhe të gjithë plejadën e ndritur të shkencëtarve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, që ditën të sjellin për herë të parë në trojet shqiptare shkencat albanologjike dhe me kontributet e vyera, që trashëgojmë prej tyre, si libra dhe trajtime të thelluara shkencore, arritën që ta lartojnë më shumë se kurrë albanologjinë si shkencën e dëshmisë së ekzistencës dhe të vijimësisë së arbënorëve, pikërisht në këto troje, ku ka gjalluar nëpër shekuj raca iliro-arbënore-shqiptare.
Prof. Riza ka hyrë dhe ka mbetur ndër ato figura të shquara, që luajti rol sipëror në lëmimin, lëvrimin dhe studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në hapjen e horizonteve të reja në studimin e gjuhës dhe të jo pak fushave të saj, madje duke qenë edhe pjesë e miqësisë së ngushtë dhe të pastër, me figura të shquara të poezisë, prozës dhe letërsisë shqipe, si At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Dhimitër Paskos, të cilit falë miqësisë së ngushtë edhe i ka kushtuar monografinë "Çështje gjuhësore", një punim mjaft interesant në lëmin e gjuhës shqipe. Selman Riza ka lindur më 25 dhjetor të vitit 1909 në Gjakovë. Prej atij moment nisi kalvari i pashkëputur i një jete të vështirë në burgje dhe internime, dhunime dhe ndalim të emrit dhe të botimit të veprave, i një jete të qëndresës morale dhe atdhetare të paepur, pa hequr dorë në asnjë rrethanë prej shkencës së gjuhës dhe fushave të tjera, ku edhe dha ndihmesë të çmuar, të cilën erdhi më në fund momenti i vlerësimit dhe shqyrtimit në të gjitha dimensionet përfaqësuese si model i shkencëtarit dhe njeriut të papërkulur.
BIR I TË DY ANËVE
TË KUFIRIT
Selman Riza bën pjesë në ato të paktë burra dhe shkencëtar të mendimit dhe të gjuhës shqipe, të kulturës dhe atdhesisë, që me jetën dhe veprën e larmishme i përket të dy anëve të kufirit, si me thënë të dy "dhenave" të përndarë padrejtësisht, pra i përket njëherit Shqipërisë dhe Kosovës, pa hequr nga mendja edhe faktin e interesimeve të tij për të gjithë trojet dhe diasporën kudoqë ajo gjellin, duke u shpëndërruar kështu në një urë të fortë kalimi ndërmjet shqiptarëve të dy anëve, madje një promotor përndritës i ndërlidhjes së pashqitshme të tyre, çka buronte dhe buron prej gjuhës, trojeve, dokeve dhe padyshim të racës së përbashkët arbënore. Pikërisht për këtë arsye Selman Riza me jetën e tij të jetuar, heroikisht dhe plot skarifica, në të dyja anët e kufirit, përmes vuajtjesh dhe peripecish të shumta, dhe sidomos vepra e gjerë studimore dhe shkencore, unike dhe adekuate në arritjet e veta, në lëmë të gjuhës dhe të letrave shqipe, ka shërbyer dhe po shërben edhe si një nyje lidhëse e gegëve me toksët, mbase e gegnishtes me toskërishten dhe padyshim edhe me gjuhën e njësuar dhe gjithë të folmet e tjera të shqipes, duke u shndërruar në një pikë referenciale e pikëpërkimeve të ndërmjetshme, duke fshirë dhe shpërfillur ndasitë dhe përndarjet e habitshme krahinore, të cilat veçmas i projektoi ideologjia komuniste dhe diktatura, që shihte tek veriu dhe trojet etnike reaksionin dhe prapambetjen.
Është ky kontribut i shquar dhe krejt i spikatur, megjithatë pak i njohur dhe i pohuar nga ana e studimeve të historiografisë së shqipes, në lartësinë ku ka mbërritur në përfundime shkencore në lëmenjtë e gjuhës dhe të disa disiplinave tepër të rëndësishme të saj, ku si rrallë të tjerë punoi për unifikimin e shqipes dhe të shqiptarëve të të gjithë trevave të banuara nga shqiptarët. Megjithatë, në shtegëtimet e pafundme të jetës së tij, të detyruara prej rrethanave dhe shtërngimeve të diktaturave dhe pushtueseve të trojeve shqiptare, vitet 1942-44 përbëjnë një gur të veçantë themeli dhe përfaqësimi në sipërmarrjen e synimeve atdhetare dhe politike, shoqërore dhe filozofike, sepse atëherë shpaloset edhe një program i qartë politik, i emërtuar si Lëvizja Antifashiste Irridentiste (Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë), ku Profesori është drejtues i saj, por edhe i një qëndrimi stoik në marrëdhënie me kohën e Luftës së Dytë Botërore, me atë realitet të çuditëshëm të një lufte absurde, andaj ai pati shpallur botërisht devizën e tij "As bisht i Ballit, as shtojcë e Frontit", si një kundërvënie ndaj synimeve pushtetmarrëse të komunistëve, si dhe të mëtonjëseve të çdo ngjyre. Një lëvizje kjo e çmuar dhe largpamëse në një kohë të vështirë, kur flama komuniste dhe nazi-fashiste kishte pushtuar qiellin e kontinentit dhe të gjithë planetit, si një metastazë frymëmarrëse. Me këtë akt, atdhetar dhe vizionar, kemi edhe një kundërshtim të hapur të pushtimit të Kosovës dhe të ndarjes së padrejtë të trojeve shqiptare në disa shtete, por edhe një "lartsynim"(një term i S. Rizës) të aspiratës së shqiptarëve, kudoqë jetojnë për bashkimin e trojeve dhe të idealeve të shqiptarëve. Është ky akt që shënon dhe zbulon pikësynimet e larta dhe të shpalosura me kohë, teksa nënvizonte: "Gjithmon' e jetës kam synue e do të synoj me kontribue, makar modestisht, në mposhtjen e kompleksit të inferioritetit të Bashkëkombasvet ndaj Ballkanasvet tjerë...", që vetëm sa lajmëton vepra dhe qëndrimet e çmuara, që do të ndërmerrte dhe realizonte në jetën e tij.
Lëvizja irridentiste, e ideuar dhe udhëhequr prej prof. Selman Rizës, zbulon të plotë figurën madhështore dhe rolin që ai mori përsipër për të shpallur botërisht idealin kombëtar, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, që përbën as më pak e as më shumë se sa projektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të vitit 1878, që shpalli përtrimejen e shqiptarëve. Rimarrja e këtij programi të përbashkimit dhe rilindjes së kombit shqiptar, dëshmon përgjegjësinë qytetare dhe prirjen e udhëheqësit shpirtëror, si dhe marrjen në sy të rreziqeve, që do ta përndiqnin për shumë mote atë dhe familjen e tij të nderuar. Vetëm në moshën 13 vjeçare, posaçërisht në vitin 1922, me një grup shqiptarësh nga Kosova, kapërcen kufirin shqiptaro-jugosllav dhe vjen në Tiranë, ku edhe ndjekë mësimet në shkollën plotore 6 vjeçare "Naim Frashëri", të cilën e mbaron vetëm në tre vjet, një rast ky i vetëm në historinë e shkollës. Në vitin 1925, duke qenë në këtë shkollë, shpallet si nxënësi më i mirë i saj. Po në këtë vit futet në liceun e Korçës, një shkollë me emër qysh nga vitin 1917, që përbëhej nga 9 klasa, detyrim të cilin Riza e mbylli vetëm në 6 vite, duke shënuar një rast të vetëm dhe të papërsëritshëm në të gjithë historinë e kësaj shkolle dhe të arsimit shqiptar. Mbas mbarimit të dy fakulteteve, të letërsisë dhe drejtësisë, në Tuluzë të Francës, në një kohë të shkurtër, vetëm në tre vjet, pra duke arritur edhe këtu një rast të veçantë, kthehet në atdhe dhe nis nga puna si pedagog në liceun e Korçës. Shumicën e jetës e kaloi në Shqipëri, në dy sisteme, monarkinë që i hapi dyert për t'u shkolluar në të gjitha nivelet e arsimit, brenda dhe jashtë vendit, dhe në diktaturë, e cila e burgosi dhe ia ndaloi veprën studimore. Pra, S. Riza më shumë vite i kaloi në Shqipëri, në rininë e hershme, kur ishte mesoburrë dhe në kulmin e veprimtarisë shkencore, por edhe eshtrat i prehen këtu, në pritje të realizimit të amanteit që të prehet në Kosovë. Me Shqipërinë e lidhi edhe familja, martesa me mbesën e Safet Butkës, duke shënuar dhe dyfishuar kështu edhe një ngjizje më të fortë të atdhesisë dhe të vperimtarisë në interes të kombit, të çështjes shqiptare, si dhe të gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë të vyer.
Burgimet e Selman
Rizës
Mund të jetë rast unik në botë, në lindje dhe perëndim, dhe krejt i hidhur, që brenda një harku kohor 15 vjeçar të ketë provuar burgime dhe internime nga fashistët, komunistët e Tiranës pas vitit 1944, si dhe nga jugosllavët, miq të ngushtë ideologjik të pushtetit diktatorial që vendoset po në këtë vit në Shqipëri. Duke u shpërndërruar kështu në martirin e pakrahasueshëm, që për hir të mendimeve dhe idealeve, të shkencës dhe të karakterit nuk bëri kompromis në asnjë rrethanë, duke privuar veten, pasionin dhe familjen e dashur. Në shkurt të vitit 1940 arrestohet dhe internohet në Ventontene, Itali, për shkak të bindjeve dhe veprimtarive antifashiste të kryera prej tij, ku mund të veçohet pjesëmarrja në demonstratën antifashiste të 28 nëntorit 1939, një ngjarje të cilën historiografia zyrtare vijon që ta lërë në hije dhe të pazbardhur me vërtetësi. Aty, me shpritin rebel dhe të pamposhtur, por edhe të butë dhe solidar, human dhe sqimatar, do të qëndronte deri në 4 tetor të vitit 1941. Pas kthimit në atdhe do të vendoset në Kavajë, në një kthinë të humbur, bashkë me familjen.
Në janar të vitit 1945, pra kur sapo kishte mbaruar viti i parë i sundimit komunist në Shqipëri, prof. Selman Riza do të burgoset në Tiranë nga Sigurimi i Shtetit, me idenë e mbrapshtë që ta dërgojnë në Kosovë, ku e prisnin me padurim "shokët jugosllavë". Pas disa peripecishë të jashtëzakonshme për t'i shpëtuar dërgimit atje, më në fund në janar të 1948 e nisin për në Jugosllavi, natyrisht me dijeninë e diktatorit Hoxha, bashkënxënës dhe bashkëmësues me Selman Rizën në liceun e Korçës. Nga ky moment e deri në gusht të 1951 do të jetë i burgosur në Prishtinë, kur lirohet për shkak të shëndetit të dobët. Si të mos mjaftonin burgimet, nga diktatura shqiptare, në vitin e tmerrshëm 1967, kur nisi gjuatia e shtrigave mbi besimin dhe objektet e kultit, kur u rroposën njëherë e përgjithmonë më qindra kisha, xhami dhe tyrbe, Selman Rizës i erdhi edhe "dënimi" i katërt, më i ashpri po të kemi parasysh pasionin e madh për shkencën e gjuhës dhe si pedagog i shkëlqyer, largimi nga puna si pedagog dhe nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe internimi si ciceron në muzeun e Beratit, vetëm pse guxoi që të kundërshtonte hapur idenë utopike se midis gjuhës dhe marksizëm-leninizmit nuk ka asnjë lidhje logjike. Burgimet e gjata dhe internimi jashtë kryeqytetit u mbyllën në mënyrën më të turpshme me pensionin e parakohshëm, në kulmin e aftësive shkencore, pa të drejtë botimi të veprave shkencore, si dhe i shtrënguar të jetonte i survejuar dhe i izoluar nga pjesa tjetër e botës, një fat mjaft i hidhur që do të lërë gjurmë të thella në shëndetin dhe në shpirtin e shkencëtarit të madh, njeriut rebel, që nuk përfilli as diktaturat, e as pushtimet e shumëngjyrta.
Gjuhëtari i madh
Emri dhe fama e prof. Selman Rizës, aty ku e kanë lënë rrethanat dhe atmosfera e përjashtimit absurd, lidhet para së gjithash më shkencën e gjuhës, madje me disa nga fushat e saj më të vështira, ku do të veçoheshin ato të morfologjisë, historike dhe moderne, të kritikës gjuhësore, e cila futet për herë të parë në tryezat shkencore të gjuës shqipe dhe mbeti në nivelin fillimtar të shpalosur prej S. Rizës, si dhe të tekstologjisë, gjuhësore dhe letrare. Të gjitha këto gjurmë të shqyrtimeve shkencore edhe sot e kësaj dite mbeten modelet më të larta si arritje dhe shenjëzime të verifikimit dhe interpretimit të faktologjisë gjuhësore dhe letrare të gjuhës shqipe. Botimi i katër veprave të plota, të punës studimore dhe shkencore të Selman Rizës, nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një punë e pashoqe në zbardhjen e dimensioneve të njeriut poliglot, që fliste dhe shkruante 12 gjuhë të huaja, por edhe që e zotronte në majë të gishtave gjuhën shqipe, gjuhën amtare, ku është përfshirë gati e gjithë puna shkencore e tij, me vepra të tilla si "Tri monografina albanologjike", "Gramatikë e serbo-kroatishtes", "Fillimiet e gjuhësisë shqiptare", "Diftoret e shqipes dhe historiati i tyre", "Nyjat e shqipes", "Pronorët e shqipes", "Emrat në shqipe sistemi i rasave dhe tipet e lakimit", "Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore", "Fillimet e gjuhësisë shqiptare", "Pozita e toskërishtes", " Problemi gjuhësor dhe zgjidhja e tij", "Hyrje në fjalorthin terminologjik", " Një shqyrtim kritik mbi fjalorin e Bariçit", "Relacion i zgjeruar mbi ribotimin kritik të Gjon buzukut nga Eqerem Çabej", etj. Nisur për nga vlerësia dhe prurjet e prekshme në këta laminjë të gjerë të shkencave gjuhësore dhe tekstologjike, por sidomos nga njohja më nga afër e çështjeve të letërsisë së hershme të shekujve të 16 dhe 17, do të ndalesha paksa më gjatë mbi veprën "Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe", një punim fondamental sa i përket formatit të parë të letrave shqipe, një tekst i përpunuar disa herë, që në fakt vuri themelet e zanafillës, por edhe të shenjave gjuhësore dhe letrare të kësaj periudhe, që shënon edhe të vetmin tekst të plotë, shkencor dhe shkollor, kushtuar etapës së parë të letrave shqipe. Vlerat e shumëfishta të kësaj vepre madhore, në qasjen dhe interpretimin e këtij formati, shpërfaqen në disa drejtime thelbësore:
Së pari: Në vështrimin dhe trajtimin e periudhës së parë të letrave shqipe si një epokë e ndritur dhe më vete, krejt e identifikuar, që shënon dhe përfaqëson jo vetëm fillesat e letraritetit në gjuhën shqipe, por ishte një periudhë themelvënëse në këtë lartsynim të autorit, duke realizuar kështu një vështrim dhe shqyrtim të thuktë të kësaj periudhë të shkrimit të shqipes, megjithatë si gjuhë e kulturës, shkencës dhe letërsisë.
Së dyti: Është një vepër që kryen, në aspektin e kontekstve dhe tipareve më përfaqësuese, edhe funksionet e një monografie jetëshkrimore për secilin nga autorët e letërsisë së hershme shqipe, pra të shkrimtarëve të parë si, Gjon Buzuku, Lek Matranga, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, madje duke mbetur edhe sot e gjithë ditën si një shqyrtim i patejkaluar i biografisë dhe përfaqësimit të secilës prej këtyre figurave.
Së treti: Përbën të parën vepër shkencore dhe kërkimore, që i trajton në përbashkimin e tyre, por edhe të tipareve dalluese, prurjet e secilit prej autorëve të kësaj epoke, madje duke prekur dhe zbuluar, po ashtu edhe shenjat dhe shenjëzimet dalluese dhe të përputhura ndërmjet tyre.
Së katërti: Mbetet nga të paktat tekste dhe shqyrtime të kryera, kohë mbas kohe përmbi këtë pjesë të ekzistencës së letrave shqipe, që vlerat gjuhësore i sheh dhe trajton në marrëdhënie të përputhur të pranisë së shenjave letrare dhe të dëshmisë historike, pra duke i kundruar si një faktologji e trefishtë dhe jo siç vijon që ta kundrojë edhe tani historiografia zyrtare këtë periudhë, fillimtare dhe themelvënse, thjesht si fakt gjuhësor dhe historik.
Së pesti: Është i pari libër, i patejkaluar si konceptim dhe formulim, si strukturë tërësore dhe zbuluese, edhe në pikëpamje të krestomacisë, pra të përzgjedhjes së fragmenteve të veprës së secilit prej autorëve të kësaj periudhe, të shquar të gjuhës, kulturës dhe të letrave shqipe.
Janë këto tiparet që bart dhe mataron libri i S. Rizës mbi periudhën e parë të shkrimit të shqipes, e cila shënon gjithashtu edhe të parin akt letrar, po të nisesh nga prania e poezisë së Budit dhe Bogdanit, e po ashtu edhe të prozës së këtyre autorëve, shënon të parin akt shkencor të fillimit të leksikologjisë dhe historiografisë së shqipes, po të nisesh nga dy veprat fondamentale të Frang Bardhit, kushtur Skënderbeut dhe "Fjalorit Latinisht -Shqip", shënon të parin akt të shkollimit me anë të gjuhës shqipe, po të nisesh nga libri "E mbasme e kërshtenë", e vitit 1592, të Lek Matrangës, shënon aktin më monumental të gjuhës së shkruar në shqipe, po të marrësh në shqyrtimi "Mesharin" e Buzukut. Kjo epokë realizon dy pikësynime të larta:
- Edhe e sendërton "Rilindjen e parë" të arbënorëve, si pjesë e Rilindjes Europiane, e lëvizjeve të gjera të kohës, si Roformacioni dhe Kundëreformacioni.
- Edhe e vendosi gjuhë kulturën dhe letërsinë shqipe në marrëdhënie, logjike dhe formale ne kulturën dhe letërsinë e perëndimit.
Amaneti dhe ëndrrat e prof. Rizës
Populli shqiptar ka një shprehje hyjnore për këso rastesh "Amanetin nuk e tret as dheu", që rrezëllit ngjyresat e zotave dhe të perëndive, e cila të detyron me domosdo që të kthesh vëmendjen dhe vështrimin edhe njëherë tek amaneti njerëzor i prof. që eshtrat t'i treten në Kosovë. Ky amanet tronditës, i lënë i shkruar, një detyrim dhe thirrje edhe e përmatanshme, vetiu lidhet edhe me ëndrrat e mëdha të Selman Rizës në gjallje. Lidhet me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilën ai në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak nuk i vuri në dyshim, por i besojë dhe dëshirojë si askush tjetër. Padyshim kjo përbën ëndrrën e madhe të profesorit dhe atdhetarit të dalluar, por edhe të miliona shqiptarëve kudoqë jetojnë, ëndrrën që tashmë është bërë realitet. Një ëndërr tjetër, jo më e vogël përnga rëndësia dhe vlera që bart, është edhe vendosja e demokracisë në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të Europës lindore, një dëshirë dhe aspiratë e madhe e dhjetëra brezave të intelektualëve të shquar të Shqipërisë, Kosovës, diasporës dhe të gjithë trojeve etnike, e cila krijojë mundësinë për të rikthyer në panteonin e kulturës, të shkencës dhe vlerave, mbase të rizbulimit të përmasave të Selamn Rizës, si dhe të qindra intelektualëve të shquar të të gjithë fushave të jetës dhe kulturës shqiptare, që u mallkaun dhe dënuan nga sistemi monist, pa të drejtë. Një ëndërr tjetër, hyjnore dhe përndritëse e Selman Rizës, e shpallur qysh me Lëvizjen Irridentiste, është ajo e bashkimit të trojeve dhe të fateve të përbashkët të shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë, e cila pret ditë të tjera, më të kthjellta. Janë këto ëndrra, të rënda si plumbi dhe të thella sa deti, patjetër edhe amaneti, me peshë mali që la prof. të cilat e shndërrojnë vitin 2009, që shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të tij, (sepse më 16 shkurt të vitit 1988 pas një sëmundje të rëndë, mbylli sytë në Tiranë dhe u varros në heshtje të plotë) një stacion të rëndësishëm. Përvjetori i lindjes dhe ndarja e zymtë nga jeta, ka arsye dhe gjasë që të kthehet në vit të përkujtimit dhe vlerësimit të jetës dhe veprës së madhe shkencore të Selman Rizës, në vit të homazhit dhe të zbulimit, mbase të rizbulimit të vlerave të shumanshme të veprave të tij, në vit të mungesës së heshtjes absurde rreth figurës dhe përmasave që ajo shënon në historinë e kulturës, gjuhës dhe historiografisë së shqipes, në vit të vlerësimit të vetvetes si shqiptar dhe bashkëkombas të prof. Selman Rizës. Është nder i veçantë, por edhe detyrim i thellë për të gjithë institucionet e kulturës dhe të shkencës të Shqipërisë dhe Kosovës, të trojeve etnike dhe të diasporës, që viti 2009 të shpallet viti i Selman Rizës, vit i njeriut që sakrifikoi si pak të tjerë për kombin dhe popullin shqiptar, për shkencën dhe kulturën shqipe, për lirinë e fjalës dhe të mendimit, për idealet humane dhe moderne, për bagati dhe përparim të qenies shqiptare. Është në nderin e çdo shqiptari, e çdo institucioni shtetëror dhe shoqëror, shkencor dhe kulturor, që të japë ndihmesën e vetë për ta çuar deri në fund amanetin e tij, që më tepër se dëshirë ishte dhe është një aspiratë hyjnore e një biri të madh të kombit shqiptar, e një apostulli të pakundshoqshëm të lirisë dhe vlerave njerëzore.


Marre prej Gazeta Shqiptare Online


"Anmiku i Popullit" dhe intelektuali i madh Selman Riza

Prof. Dr.Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar, i përndjekur politik gjatë gjithë jetës


Selman Riza, zotërues i 12 gjuhëve, studiues i përkushtuar dhe i pasionuar i gjuhës amtare, zë vend ndërmjet gjuhëtarëve shqiptarë më në zë, si një ndër themeluesit e gjuhësisë së re shqiptare. Bir i denjë i Kosovës kreshnike, i rezistoi haptazi e me vendosmëri pushtimit fashist, punoi e luftoi me të gjitha forcat për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, për lirinë e mendimit dhe demokratizimin e jetës në vendin tonë. Bash për këto u përndoq gjatë gjithë jetës, u internua e u burgos disa herë nga tri prej regjimeve më totalitare: regjimi fashist italian, regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe regjimi komunist i Josif Broz Titos.

***

Nxënës dhe student i shkëlqyer, antifashist i vendosur

Selman Riza lindi më 21.12.1909 në qytetin e Gjakovës. U rrit në një familje të thjeshtë qytetare. Që i vogël dallohej për zgjuarsi dhe interes të veçantë për dije, të cilën nuk mund ta merrte në shkollat serbe, prandaj në vitin 1922, pa mbushur 13 vjeç, bashkë me një grup të rinjsh kosovarë, kalon fshehurazi kufirin shqiptaro-jugosllav dhe vjen më këmbë në Tiranë. Me bursë shtetërore mbaron shkëlqyeshëm shkollën 6-vjeçare "Naim Frashëri" në Tiranë në tre vjet dhe nëntë klasat e Liceut Kombëtar të Korçës në 6 vjet. Me përfundimet unikale në mësime dhe sjelljen shembullore meritoi vlerësimet më të larta nga kolektivi i shkollës. Drejtori teknik i saj, Leon Perre, më 25.06.1931, në përfundim të provimeve të pjekurisë, ku u diplomua shkëlqyeshëm për matematikë, do t'i shkruante ministrit të Arsimit: "Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundë me të njëjtën lehtësi të kryejë çdo degë të studimeve universitare dhe unë nuk dyshoj që ai të mos i bëjë më vonë nder atdheut me emrin e tij". Jeta dhe vepra e Selman Rizës ia vërtetuan parashikimin. Po me bursë shteti ai ndjek studimet e larta në Francë në Universitetin e Tuluzës. Në tre vjet, 1933-1935, mbaron shkëlqyeshëm dy fakultete, të letërsisë dhe të drejtësisë, dhe kryen po me atë sukses specializimin në gjuhën gjermane në qytetin Hajdelberg të Gjermanisë. Emërohet mësues i frëngjishtes dhe i shqipes, më vonë dhe i latinishtes dhe i gjermanishtes në Liceun Kombëtar të Korçës.

Pa dyshim, pushtimi i atdheut tonë nga fashizmi italian, më 7 prill 1939, ishte një ngjarje e hidhur, ashtu si për gjithë popullin shqiptar, edhe për Selman Rizën. Ndërmjet profesorëve të Liceut, ai ka qenë njëri nga demonstruesit më të ekspozuar dhe qëndrestarët më konsguentë kundër pushtuesit. Jo rastësisht, në mbledhjen që u organizua ato ditë në Bashkinë e qytetit, Selman Riza u zgjodh sekretar i Komitetit të Shpëtimit Publik për Korçën, me kryetar Fazlli Frashërin, me qëllim që të regjistroheshin dhe të dërgoheshin vullnetarë në Durrës dhe të organizohej qëndresa e armatosur kundër pushtuesit italian edhe në Korçë. Ja si vlerësohet qëndrimi antifashist i Selman Rizës, brenda e jashtë shkolle, nga organet e policisë: "Selman Riza është kundërshtar i vendosur kundër politikës italiane. Propagandist i zoti ndërmjet elemetit studentor. I rrezikshëm" (Arkivi Qendror i Shtetit, Dosja 312, f. 408 ).

Sipas prof. Abaz Ermenjit, "Në demonstratën e madhe antifashiste të 28 nëntorit 1939 Selman Riza ishte në rreshtin e parë bashkë me organizatorë të tjerë të saj" ("Dita informacion", 02.11.1995). Natën e asaj dite karabinierët e arrestuan Selman Rizën. Do të ishte takimi dhe njohja e tij e parë me burgun, fillimi i përndjekjeve politike të shumëllojshme, që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës. Më 08.12.l939, Selman Riza transferohet në gjimnazin e Tiranës nga prefekti i Korçës, Anton Kosmaçi "në marrëveshje të plotë me Komandën e Grupit të Karabinierëve në Korçë" dhe duke njoftuar njëherazi me shkresë nr. 235 XVII rez. 07.12.1939, Ministrinë e Punëve të Brendshme (AQSh, fondi nr. 252/2, dosja nr. 2, 1939, f. 897). Pa kaluar dy muaj ndëshkohet përsëri: e arrestojnë dhe internojnë në ishullin Ventotene të Italisë, bashkë me antifashistë të tjerë "duke marrë parasysh personalitetin dhe të kaluarën e tyre politike, veprimtarinë e zhvilluar dhe rrezikshmërinë e tyre", Komisioni i Internimeve i internon 3 vjet, për t'i vuajtur në Itali (AQSh, fondi nr. 253, dosja nr. 312, 1943, f.408).

Më 4 tetor 1941, Selman Riza lirohet nga internimi, por qysh një muaj më parë, më 3 shtator 1941, Mëkombësia e Përgjithshme në Shqipëri i kërkon Komandës së Lartë të Karabinierisë "gjurmim dhe vigjilencë për Selman Rizën". Gjendja e Selman Rizës në vitin 1942 u vështirësua shumë, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe të përndjekjeve të vijueshme nga të gjitha kuesturat e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë (AQSh, fondi nr. 2253, dosja nr. 275, 1942, f.58).

Truri i vërtetë i lëvizjes irredentiste antifashiste

Në këto rrethana të vështira, por i shqetësuar edhe për gjendjen dhe të ardhmen e Kosovës, Selman Riza vendoset familjarisht në Prizren, ku punon si avokat, por në radhë të parë merret me veprimtari politike. Shquhet si një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste. Majori Piter Kemp, njëri nga përfaqësuesit kryesorë të misioneve ang1eze në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, e quan Selman Rizën "truri i vërtetë i Partisë së Irredentistëve". Veprimtarët e kësaj lëvizjeje kërkonin që synimi i drejtpërdrejtë dhe i ngutshëm i luftës për çlirim nga fashizmi të lidhej pandërmjetshëm me moskthimin e sundimit jugosllav në Kosovë, me 1uftën e mëtejshme për bashkimin e shqiptarëve të Kosovës me popullin dhe shtetin shqiptar. Selman Riza ishte kundër bashkëpunimit me Partitë Komuniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi, si dhe me Lëvizjet Nacionaçlirimtare në to. Ai nuk u bashkua as me forca të tjera politike. Ndërkaq, ka përshëndetur çdo përpjekje a kërkesë të rëndësishme të cilësdo force politike shqiptare për lirinë dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve, siç ishte, ndër të tjera, pika 2 e "Dekalogut", programi 10 pikash i organizatës së Ballit Kombëtar, ku thuhet shkurt, por qartë, "Luftojmë për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me bazë shoqërore moderne" çka përkonte me synimet themelore të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste. Për të njëtën çështje është mbajtur i njëjti qëndrim vlerësues edhe ndaj një dokumenti tjetër të rëndësishëm dhe pikërisht ndaj rezolutës së Konferencës së Bujanit, 31.12.1943 - 02.0l.1944, ku, ndër të tjera, theksohej: "në Kosovë e Metohi shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët që kanë dëshirue e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë".

Duke ndjekur nga afër platformën dhe veprimtarinë e Lëvizjes Irredentiste Antifashiste dhe peshën e Selman Rizës si udhëheqës politik i saj, komunistët jugosllavë, sidomos, u rrekën shumë që ta afronin dhe ta bënin për vete, për të arritur synimet e tyre. Ja si e informon KQ të PK Jugosllave, më 31.01.1944, Pavle Javiçeviç, sekretar i Komitetit Krahinor të PK Jugosllave: "Lëvizja Irredentiste është më pozitivja nga të gjitha rrymat e tjera, por për ne më e rrezikshmja, sepse në krye të saj është avokati Selman Riza, i cili nuk ka bashkëpunuar me pushtuesit.... Ne disa herë kemi mundësuar kontakte me të, por pa bereqet, ngase po i shtruam çështjet mbi bazën e 'Kartës së Atlantikut' nuk kemi mundësi të arrijmë gjë. Ai është kundër bashkëpunimit me LNÇL Jugosllave dhe PK Jugosllave, dhe gjithashtu thotë se nuk dëshiron të lidhet as me PK Shqiptare dhe LNÇL të Shqipërsë. Ai dëshiron njëfarë pavarësie qysh sot që Kosmeti të shkëputet nga Jugosllavia, megjithëkëtë qëndrim të tij dhe bisedim pa fryt, ne vazhdojmë të mbajmë lidhje me të, ngase ka ndikim të madh" (Arkivi i IRPS, nr. Regj. 4319). Siç pohon vetë Selman Riza, nuk kanë munguar as kërcënimet. Sipas tij, "Udhëheqësit shqiptarë të LNÇL të Kosovës, si Xhavit Nimani etj., e njoftojnë se LNÇL Jugosllave do të luftonte si armike çdo organizatë jashtë saj qoftë edhe sikur të luftonte në mënyrë konseguente kundër okupatorit" (Arkivi i Ministrisë së Brendshme, "Dosje përpunimi" Tiranë, 07.12.1955, f. 16).

I burgosur nga dy regjime komuniste

Më 12.01.1945, vetëm disa ditë pas kthimit të tij në Shqipëri, përkatësisht më 12 dhjetor 1944, për t'iu shmangur rrezikut të xhelatëve titistë "si kosovar antijugosllav", burgoset nga forcat e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, me urdhër të Koçi Xoxes, me kërksën e jugosllavëve, të cilët e akuzuan si udhëheqës të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste. Pas tre vjetësh burg, pa u gjykuar, më 11 janar 1948, Selman Rizën ua dorëzuan autoriteteve jugosllave, që e mbajtën të burgosur në Prizren më se tre vjet e gjysmë, deri në gusht 1951, përsëri pa u gjykuar. E internojnë në Sarajevë, përkohësisht i papunë. Në vitet 1952-1953 shërben si lektor i frëngjishtes në universitetin e këtij qyteti. Shquhet si një nga profesorët më të mirë në tërë trupën mësimore. Në tetor 1954-1955, me interesimin e autoriteteve shkencore kosovare, shërbeu si punonjës shkencor dhe shef i seksionit gjuhësor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Selman Riza iu rivu me sukses të plotë punës studimore, që e kishte filluar qysh në vitin 1944 me botimin në Tiranë, të veprës "Tri monografina albanologjike", ku me të dhëna e me ndihmesa të shumta vetjake trajton probleme të rëndësishme të gjuhës letrare shqipe. Brenda 5 vjetësh shkroi përveç disa artikujve edhe disa vepra të rëndësishme ("Gramatikë e serbo-kroatishtes", 1952; "Fillimet e gjuhësisë shqiptare", 1952; "Diftorët e shqipes dhe historiati i tyne" 1953 etj.), me të cilat dha një ndihmesë të çmuar që studimet albanologjike të marrin një zhvillim të mbarë në Kosovë. Ja pse, gjuhëtarët kosovarë e vlerësuan Selman Rizën si "mbjellës i farës së albanologjisë në Kosovë" (Hilmi Agani, Besim Bokshi, Rexhep Ismajli, Parathanie, f. VII, Prof. Selman Riza, "Studime Albanistike", "Rilindja", Prishtinë, 1979).

Selman Riza, ndonëse edhe i kërcënuar, nuk pranoi të mohonte nënshtetësinë shqiptare në këmbim të nënshtetësisë jugosllave. Si rrjedhim, organet e UDB-së më 12.12.1955, e rikthejnë në Shqipëri si i padëshiruar nga regjimi i tyre. Në janar të vitit 1956, Selman Riza emërohet punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë në Tiranë. Këtij emrimi i prin letra që ish-ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu i dërgon Enver Hoxhës, në të cilën, ndër të tjera, e informon se nga hetimet që kanë bërë organet e sigurimit "arrijmë në konkluzionin se Selman Riza është njeri me kulturë të lartë, i dhënë shumë pas studimeve shkencore, veçanërisht në fushën e gjuhësisë, është shovinist, luftëtar i rreptë kundër Jugosllavisë, e urren komunizmin, por gjatë luftës nuk rezulton të ketë punuar me okupacionin. Mendojmë të lejohet me banim në qytetin e Tiranës dhe t'i jepet mundësia të punojë në Institutin e Shkencave, siç ka dek1aruar dhe kërkuar (Letra është botuar e plotë në "55", Tiranë, 14.06.2006. f. 17). Gjithë duke qenë punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, ai dha disa vjet radhazi, në Fakultetin e Historisë dhe të Filo1ogjisë të UT, lëndën e morfologjisë, një kurs special për gjuhën e autorëve të vjetër të shqipes, si dhe lëndën "Histori e gjuhës së shkruar shqipe".

Ndihmesat kryesore në fusha të ndryshme të shkencës

Në një periudhë të shkurtër 11-vjeçare, 1956-1967, si punonjës shkencor dhe pedagog, Selman Riza zhvilloi veprimtarinë shkencore më të gjerë e më të suksesshme, përfundimet e së cilës i siguruan një vend nderi në gjuhësinë shqiptare. Duke rrokur veprimtarinë shkencore të Selman Rizës në tërësinë e saj, të bie në sy jo vetëm puna këmbëngulëse dhe kultura e gjerë, përkushtimi i jashtëzakonshom shkencor dhe logjika e argumentimit, forca krijuese dhe origjinaliteti i spikatur, qëndrimi kritik e parimor, gjerësia e thellësia e të menduarit, mprehtësia dhe aftësia për të depërtuar në thellësinë e problemeve, por edhe shtrirja e interesave shkencore në shumë fusha të rëndësishme, siç janë gramatika, historia e gjuhës, gjuhësia e përgjithshme, tekstologjia, kritika gjuhësore, terminologjia, gjuha letrare etj. Por fushat kryesore, ku ka dhënë ndihmesat më të çmueshme dhe ka lënë gjurmë të pashlyera janë: 1. Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe dhe morfo1ogjia historike e saj, 2. Gjuha e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë.

Në fushën e gramatikës së gjuhës shqipe Selman Riza lëvroi disa nga temat më problemore e më të vështira, siç janë nyjat, përemrat dëftorë e pronorë, sistemi i rasave, sistemi foljor etj. Këto tema përfshijnë pjesën më të madhe të morfologjisë. Temat që ai bën objekt studimi janë trajtuar edhe më parë, nga studiues vendas e të huaj, por asnjëherë me gjerësinë e thellësinë e duhur. Ai i çoi shumë më përpara arritjet e këtyre studimeve, plotësoi, saktësoi e thelloi shumë pikëpamje të tyre, i pasuroi ato me teza të reja të qëndrueshme.

Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë shkencore të Selman Rizës zë edhe studimi i gjuhës së shkrimtarëve tanë të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë: Gj. Buzukut, P. Budit, F. Bardhit, P. Bogdanit, L. Matrëngës.

Në gjithë veprimtarinë shkencore Selman Riza është shquar edhe si gjuhëtar kritik. Shkolla shqiptare e kritikës shkencore, po të flitet për një të tillë te ne, pa dyshim fillon me Selman Rizën si themelues i saj. Ai kritikon me ashpërsi të pashembullt diletantizmin, mediokritetin, përshkrimin e thjeshtë e të pathelluar, konformizmin, vetëkënaqësinë e tepruar e të pambështetur në studimet për gjuhën shqipe. Në themel të kritikës së tij gjuhësore qëndron zbulimi i së vërtetës shkencore.

Selman Riza ka dhënë ndihmesën e tij të vyer edhe në fushën e terminologjisë shkencore. Si anëtar i disa komisioneve mori pjesë në përpunimin e terminologjisë së gjuhësisë dhe të disa shkencave të tjera, natyrore e teknike (si: termodinamika, optika, akustika, elektromekanika, mekanika, elektromagnetizmi, gjeologjia, minierat etj,), si dhe për hartimin e fjalorëve gjegjës shumëgjuhësh. Punoi me këmbëngulje për pastrimin e terminologjisë së këtyre shkencave nga huazimet e panevojshme, si dhe për pasurimin e tyre me terma të rinj, formuar me mjetet e vetë shqipes.

T'i pritet koka Selman Rizës

Gjatë periudhës njëmbëdhjetëvjeçare, 1956-1967, Selman Riza nuk u shqua vetëm për veprimtarinë e tij aq të gjerë, të larmishme e të frytshme në fushën e shkencës dhe të kulturës. Ai u shqua po në atë shkallë edhe si njeri me karakter të pastër e të fortë, me guxim qytetar e ideale demokratike. Në çdo rrethanë ai nuk hoqi dorë nga bindjet dhe qëndrimet e tij parimore, nga përpjekjet këmbëngulëse për një shkencë e kulturë plotësisht të lirë e të papolitizuar.

Edhe në vitin 1967, kur në vendin tonë flitej me të madhe për të ashtuquajturin "Revolucioni kulturor kinez i 100 shkollave dhe i 100 luleve" dhe gjoja nxitej kritika e hapur dhe pa druajtje, Selman Riza u tregua njeri me karakter. Qëndrimet e tij kritike, në opozitë me stilin dhe metodat thellësisht politike e klasore në Institut, ishin të hapta e të drejtpërdrejta, parimore dhe për të mirën e punës edhe në letrën e dërguar gazetës "Zëri i Popullit" në fillim të vitit 1967. Në të ai kritikonte dobësitë e theksuara që vëreheshin në punën e përditshme në Institut, shumë nga të cilat, përfshirë edhe ato për drejtuesit, ai i kishte shfaqur edhe më parë në mbledhjet e ndryshme në qendrën e punës, bashkë me mënyrën e zgjidhjes, por kurrë nuk ishin marrë parasysh. Meqë gazeta nuk ia botoi letrën, Selman Riza pati guximin dhe vendosmërinë që ta vendoste në "këndin e fletërrufeve", që ishte ngritur, sipas shembullit kinez, edhe në Institut, si kudo në vendin tonë. Por, përsëri, menjëherë dhe me forcë të llahtarshme u shfaq atmosfera mbytëse për mendimin e lirë dhe të pavarur. Sipas shembullit kinez vërshuan fletërrufetë, strumbullari i të cilave ishte fletërrufeja zyrtare, vënë e para me mbështetjen e sekretarit të Komitetit të Partisë së Rrethit, në të cilën u lëshua thirrja makabre "T'i pritet koka Selman Rizës", e zëvendësuar pas pak me thirrjen "T'i çirret maska Selman Rizës".

Po sipas shembullit kinez u organizuan pa vonesë mbledhje "demaskuese" para kolektivit, në të vërtetë gjyqe politike inkuizicionale, që zgjatën dy ditë, deri në orët e vona të natës, të përgatitura në hollësi.

Dy ishin konceptet kryesore që kishte guxuar të shprehte Selman Riza, me shkrim e me gojë, rreth të cilave u kërkua që punonjësit e Institutit të shfaqnin "lirisht" mendimet: 1. Nuk ishte e drejtë dhe e volitshme që drejtuesit e institucioneve shtetërore të visheshin me disa funksione zyrtare, madje edhe partie, duke qenë, si rregull, anëtarë të byrosë së organizatës-bazë të partisë, sepse qëndrimi i tyre në një dorë të vetme, siç ndodhte në të vërtetë edhe në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, dëmtonte punën dhe krijonte mundësi për shpërdorime. Për të njëjtat arsye ai nuk e shikonte me vend që drejtuesit e organizatës-bazë të partisë të zinin doemos edhe vende drejtuese në institucion. 2. Filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi.

Në përfundimet që dha sekretari i KP të rrethit, njëherazi i deleguar i KQ të Partisë, si dhe drejtuesit shtetërorë e partiakë të Institutit, Selman Riza u godit, ndër të tjera, për shfaqje të huaja e armiqësore dhe për pikëpamje të papranueshme. Ndëshkimi nuk vonoi. Më 22.4.1967 e syrgjynosën në Berat, ku u detyrua të punonte ciceron në Muzeun lokal, dhe aty nga fundi, në Bibliotekën e qytetit. Pas një vetmie të rëndë, në kushte të vështira jetese dhe i mbikqyrur si gjithmonë në çdo hap nga agjentura e Sigurimit të Shtetit, rikthehet si pensionist pranë familjes në Tiranë. Ndonëse në gjendje pune, me arritje të mëdha në fushën e shkencës, me gradat dhe titujt më të lartë shkencorë e pedagogjikë, nxituan ta nxirrnin në pension jo të plotë dhe ia mbyllën të gjitha rrugët për veprimtari shkencore e pedagogjike. Punimet e përgatitura për botim u lanë në harresë, si vepra të ndaluara. Nuk u lejua të merrte pjesë në asnjë kuvend a tubim shkencor brenda e jashtë vendit, madje as në Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë, 20-25 nëntor 1972), ku do të mund të jepte, si gjithmonë, ndihmesat e tij të çmuara.

Me gjithë vështirësitë dhe pengesat që iu krijuan, vuajtjet e përndjekjet që s'iu ndanë gjatë gjithë jetës, vetminë e plotë, moshën e thyer dhe sëmundjet, Selman Riza nuk e ndërpreu veprimtarinë krijuese dhe nuk hoqi dorë nga bindjet dhe qëndrimet e tij parimore, nga idealet demokratike dhe atdhetare, çka të bën ta duash, ta çmosh e nderosh edhe më shumë.

Pas një veprimtarie më se 50-vjeçare, tejet të lodhshme, të dendur e me peshë të madhe për të ndriçuar çështje nga më të rëndësishmet e më të vështirat të gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë së përgjithshme, por edhe si atdhetar, sidomos për lirinë e Kosovës dhe bashkimin mbarëkombëtar të shqiptarëve, Selman Riza u nda përgjithmonë prej nesh më 16.12.1988. Vdekja u dha fund vuajtjeve të tij fizike e shpirtërore dhe njëherazi përndjekjeve që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.

Vazhdimisht "nën kontrollin agjentural"

Që të kuptohet dhe të vlerësohet drejt jeta dhe vepra e profesorit tonë të nderuar, rrethanat tejet të vështira në të cilat ka jetuar e punuar, po ndalemi, sadopak, edhe në përndjekjet që i janë bërë nga organet e Sigurimit të Shtetit, kryesisht në periudhën pas rikthimit në Shqipëri nga Jugosllavia, përkatësisht që nga 12 dhjetori i vitit 1955. Për periudhën 1945-1948, kur ai mbahej i burgosur në Tiranë, nuk kemi mundur të gjejmë materiale për ndonjë veprimtari nga agjentura e Sigurimit të Shtetit. Ndërkaq, për periudhën e pushtimit fashist, duke u mbështetur në dokumentacionin që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, përndjekjet ndaj tij janë pasqyruar për aq sa kemi mundur dhe e lejojnë caqet e këtij shkrimi.

Përndjekjet e para, të dokumentuara, i gjejmë pa kaluar mirë java pranë familjes së tij. Qysh më 20.12.1955, kryetari i Degës së II-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, nënkolonel P. Sh., kërkon zyrtarisht që Selman Riza "element mjaft i dyshimtë, duhet të mbahet nën kontroll agjentural" (Dosje përpunimi, më tej Dp, 20.12.1955, f. 9).

Pa dyshim këto përndjekje, me kalimin e kohës bëhen më të studjuara, më të sofistikuara, me forma e mjete të larmishme, sidomos pas datës 22.04.1957, kur nënkolonel Feçor Shehu, në ato kohë drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme, miraton të mbahej një "Dosje përpunimi" për prof. Selman Rizën dhe të regjistrohej në kartotekë si element kundërshtar në kategorinë 2/B, me qëllim që "Agjentura të drejtohet për të vërtetuar e zbuluar çdo aktivitet të tij armiqësor, meqenëse është element me shumë flamurë dhe që ka dyshime të mëdha që jo vetëm mund të jetë agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav, i rekrutuar gjatë kohës që ishte i burgosur, por që mund të jetë edhe i zbulimeve të tjera, italiane e franceze" (Dp, f. 31 - 32).

Sikurse raportojnë oficerët e sigurimit, punëtorët operativë përkatës (më tej Po), tani përpjekjet "janë drejtuar nga agjenturë e mirë dhe e kualifikuar" (Po, kapiten M. Ç., Dp, Tiranë 2.2. 1961), e cila, shpesh, e ka ndjekur këmba-këmbës, gjatë gjithë ditës, "nga ora 6-22" (Po, toger, K. N., Dp. Tiranë, 3.11.1959), madje ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, me qëllim që "nga të gjashta shtëpitë që rrethojnë shtëpinë e të përmendurit, si majtas edhe djathtas, të mund të shikohet shtëpia e tij, se nga kush frekuentohet dhe kush hyn e del" (Po, nëntoger H. Ç., Tiranë, 5.8.1957). Jo vetëm kaq, por, ndër të tjera, është kërkuar që "të vihet në kontroll korespondenca e tij jashtë dhe brenda vendit, dhe të studjohet mundësia e përgjimit me anën e T. O. - si në shtëpi ashtu dhe në qendrën e punës", madje, edhe "në hotelin ku fle" (Po, B. L., Berat, 9. 6. 1967, f. 70 dhe f, 71, 2.6.1969).

E pra, me gjithë përpjekje të tilla kaq intensive dhe plot zell, me forma e mjete nga më të ndryshmet dhe për një kohë të gjatë mbi 30-vjeçare, kryer nga një agjenturë e përzgjedhur, që i shtriu tentakulat e saj kudo që punoi e jetoi Selman Riza, edhe brenda sektorit të tij të gjuhës pranë Institutit, duke marrë në hetim edhe mjaft dëshmitarë nga rrethi familjar e shoqëror, pa dallim gjinie e moshe dhe të çdo detyre e përgjegjësie, partie a shtetërore, civile a ushtarake, në asnjë rast nuk ka qenë e mundur të zbulohet e vërtetohet, përveç vlerësimeve dashamirëse, ndonjë veprimtari armiqësore si agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav a i zbulimeve të tjera, italiane a franceze.

Dhe këtë e pohon vetë agjentura e Sigurimit të Shtetit në raporte, relacione e materiale të tjera gjegjëse. E gjejmë të pohuar që më 02.02.1961 nga po kapiten M.Ç. dhe të miratuar nga zv.kryetari i Degës së I-rë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit kol. Z.S. Sipas tyre, "Selman Rizës deri më sot nuk i është konstatuar ndonjë aktivitet qoftë edhe i vogël kundër pushtetit, është person shumë i mbyllur në shoqëri dhe i dhënë shumë pas punës (profesionit), (Do, Tiranë). Gjykime e pohime të tilla i ndeshim edhe në vijim në materiale të agjenturës pranë drejtorisë së P. të Brendshme të Tiranës (Po B.D., Tiranë, 19.05.1967, f. 67) të degës së Punëve të brendshme të Beratit (Po B.L. dhe Zv.Kryetari i Degës së P. të Brendshme, K.H., Berat, 02.12.l969, f. 72) dhe, më në fund, edhe në "Vendimin për arkivimin e Dosjes 2 B, me nr. 2282, në ngarkim të Selman Rizës", përgatitur nga Po B.Z. dhe shefi i seksionit K.H., miratuar nga zv. drejtori i P. të Brendshme të Tiranës, P.K., më 22.02.l989, vetëm dy muaj pas vdekjes së prof. Selman Rizës. Në të, ndër të tjera, vihet në dukje se "Gjatë kohës që është mbajtur në kontroll operativ 2 B në drejtim të tij nuk kanë dalë materiale me rëndësi deri sa doli në pension" (Do, f. 85).

Pa dyshim që nuk mund të ndodhte ndryshe: Prof. dr. Selman Riza ishte dhe mbetet përgjithmonë gjuhëtar dhe atdhetar i shquar.
***

Sa qe gjallë asnjë shkrim vlerësues për Selman Rizën, as si gjuhëtar, pale si atdhetar. Regjimi komunist u përpoq t'ia shuajë emrin dhe ta varrosë përgjithmonë jetën dhe veprën e të pavdekshmit Selman Riza. Regjimi demokratik e zhvarrosi dhe e ngriti në piedistal, që ai me jetën dhe veprën e tij të vijojë edhe më tej t'i shërbejë shkencës dhe kulturës shqiptare. Dhe sa më shumë shkon koha, aq më shumë rritet vlera e veprës së tij, aq më tepër do t'i drejtohen e do t'i jenë mirënjohës studiuesit sot e në të ardhmen.

Engjëll ANGONI


[ Edited Thu Apr 08 2010, 03:27pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Nov 30 2009, 09:39am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Profesor Selman Riza - shkenc�tari i persekutuar nga dy shtete



07-06-2009 / Nga Kastriot Dervishi


Dy regjime kundër intelektualit të shquar Selman Riza (1909-1988). I përndjekur gati njësoj si nga serbët në Jugosllavi, ashtu edhe nga pushtetarët komunistë në Shqipëri. Figurë e papërsëritshme, studiues i palodhur, ndër të paktët e atij niveli për të cilët ky vend ka pasur aq nevojë, por që për rrethana të ndryshme nuk ka ditur kurrë t’i mbajë siç ato e meritonin.

Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, regjimi i Enver Hoxhës ia dorëzoi jugosllavëve, të cilët e dorëzuan këtu „një dorë njeri“, pa menduar se ai njeri i mrekullueshëm do të mund të jetonte.

Kur ai dorëzohet nga jugosllavët, ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu i dërgon një raport të përgjithshëm Enver Hoxhës. Parë në pikëpamjen e interesit të ndaj çdo materiali historik, botojmë sot, pikërisht raportin në fjalë, për të dhënë në një aspekt tjetër si trajtoheshin të tilla problematike në udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë

13 vjeç në Shqipëri

Qysh në moshën 13 vjeçare në vitin 1922 Selman Riza kapërceu kufirin shqiptaro-jugosllav dhe brenda 6 vjetësh mbaroi shumë mirë 9 klasat e Liceut të Korçës. Jo vetëm kaq por brenda 3 vjetësh kreu në Francë përnjëherësh fakultetet e Letërsisë dhe të Drejtësisë.

Profesor në Korçë

Si profesor bashkë me kolegë të tjerë të tij ai priti me urrejtje pushtimin fashist të Shqipërisë dhe duke organizuar me ta protesta e demonstrata me studentët. Për këtë shkak atë e internuan në Ventotene të Italisë.

Përfaqësues i inteligjencës kosovare

Në vitet 1942-1943 veproi në Kosovë si përfaqësues i inteligjencies shqiptare në luftë kundër fashizmit dhe kundër rrezikut të rikthimit të pushtimit serb në Kosovë. Profesor Riza në dhjetor të vitit 1943 botoi një trakt me një përmbajtje programatike, në thelb të të cilit ishte lufta për bashkimin e shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjerë nën Jugosllavi me popullin e me shtetin shqiptar. Madje ai përgatiti për botim një punim prej 2 mijë faqesh me titullin „dokumentar i kundërtezës Shqiptare“, për të rrëzuar tezën serbomadhe rreth mëtimeve nacionale në Kosovë. Në Tiranë do të botohej vepra e tij „Tri monografina albanologjike“.

Në çështjen e Dhimitër Fallos

Emri i Selman Rizës do të përmendej edhe në të ashtuquajturën „çështje të Dhimitër Fallos“, e ndodhu më 31 korrik 1944, kur forcat komuniste vranë veprimtarin ballist Dhimitër Fallo i cili me një letër të Mit’hat Frashëri ishte nisur për në Greqi për të arritur marrëveshje me forcat antikomuniste greke (AQSH, F.559, V.1939 – 1942, D.12, fleta 235). Sipas letrës, Fallos do t’i bashkohej Koço Tasi në emër të Ballit Kombëtar, Xhavit Leskoviku në emër të qeverisë, Kostaq Kotta në emër të zogistëve dhe Selman Riza në emër të Kosovës. Mit’hat Frashëri shkruan se autorizohej Fallo të nënshkruante në emër të forcës së tij politike ku do të vendosej çështja federative pas lufte, njohja e sovranitetit të të dy palëve sipas kufirit të 1939-s, aleancë mbrojtëse, traktate të ngushta ekonomike, përpjekje për lidhjen e një aleance greko – turko – shqiptare, në të cilën rolin drejtues të komandës ushtarake do ta kishin grekët. Po ashtu në konferencën e paqes të dy palët do të përkrahnin njeri – tjetrin, ndërsa Greqia do të mbështeste rivendikimet shqiptare ndaj Dibrës e Kosovës përballë rrezikut sllav dhe se kjo do të ishte një mjet afrimi dhe jo largimi midis të dy vendeve (AQSH, F.35, V.1944, D.8, fleta 2 –

3) Tiranë – Beograd në një vijë

Përndjekje e dyfishtë

Për t’i shpëtuar ndjekjes serbe në Kosovë, profesor Riza u kthye në Tiranë, ku banoi në shtëpinë e Safet Butkës. Por e arrestuan dhe ia dorëzuan jugosllavëve. Në janar të vitit 1948 komunistët e Shqipërisë ia dorëzuan përsëri S. Rizën Jugosllavisë. Ai u burgos në Prishtinë deri më 1951. Studiuesi Uran Butka shkruan në një studim të tij se Riza do të vdiste aty, po të mos ishte sëmurur nga skorbuti dhe, pothuajse pa shpresa, kockë e lëkurë e nxorën nga burgu për ta internuar në Sarajevë. Por Selman Riza mbijetoi. Kur në dhjetor të vitit 1955 jugosllavët i kërkuan të bënte shtetësinë jugosllave, por ai nuk pranoi, duke këmbëngulur të kthehej në Shqipëri, ku kishte familjen, të cilën komunistët e kishin përndjekur nga Tirana dhe e kishin internuar në Sukth.

Duke qenë punonjës shkencor në Institutin e Historisë e Gjuhësisë, Selman Riza shkroi punimet më të rëndësishme, që u përmblodhën nga studiuesit kosovarë në botimin „Studime albanistike I“ në Prishtinë, 1979 si dhe dy volumet e para të veprës së plotë të tij.

Punimet e S. Rizës si „Nyjet e shqipes“, „Pronorët e shqipes“ etj., ishin të papërsëritshme,

Por jo pak u luftua ai edhe në Institutin i Gjuhës në Tiranë jo vetëm nga mbështetësit e bindur të regjimit por edhe të paaftët e atij regjimi që nuk ishin të paktë në numër. Selman Riza u internua në Berat, duke u mënjanuar nga jeta shkencore, duke përfunduar në muzeun e Beratit, i survejuar dhe i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Asgjë nuk lejua të botohej. Në vitet e fundit të jetës së tij, profesor Rizën e mundoi sëmundja e rëndë.

Marre prej Gazeta 55 Online
trokit ketu

Selman Riza, shkencëtari disident i persekutuar nga komunistët

» Dërguar më: 29/11/2009 - 12:49


Nga Aleksandër Meksi

Ndër studiuesit shqiptarë të shekullit të XX-të që shquhen në disiplinat albanologjike, Selman Riza zë një vend tepër të veçantë. Tek ai bashkohen në një, shkencëtari dhe atdhetari, njeriu me karakter të fuqishëm dhe i papërkulur ndaj diktaturave dhe regjimeve antishqiptare, që me vullnet të hekurt arriti në majat e shkencës të cilës iu përkushtua. Siç na thotë Engjëll Angoni në monografinë për të: "Autoriteti i tij mbështetej në dashurinë dhe përkushtimin për punën, në qëndrimin e pastër moral, në marrëdhëniet e shëndosha me nxënësit, të cilët i trajtonte si të barabartë… Armik i betuar i arrogancës dhe mendjemadhësisë. I çiltër, realist, reformator dhe demokrat i mirëfilltë". Selman Riza ishte atdhetar i vërtetë, dhe këtë e tregoi me përfshirjen qysh në fillim në mënyrë aktive në rezistencën antifashiste. Në demonstratën e 28 nëntorit 1939, në Korçë, Selman Riza arrestohet dhe burgoset. Këtu fillojnë përndjekjet që vazhdojnë në të gjitha regjimet dhe në të gjitha diktaturat. Për milicinë, Selman Riza ishte kundërshtar i politikës italiane, propagandist me studentët dhe për këtë i rrezikshëm, prandaj në shkurt të vitit 1940, bashkë me profesorë të tjerë patriotë, internohet për një periudhë trevjeçare në Ventotene të Italisë, prej nga kthehet në tetor të vitit 1941.
Me kthimin e tij në Kosovë (korrik 1942), Selman Riza u shqua si veprimtar i madh politik, si një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes atdhetare e antifashiste, e cila nuk pranoi të bashkëpunonte as me komunistët, e as me pushtuesit italianë, por kishte për synim çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar. Ai, siç i raportonte Londrës majori Piter Kemp, ishte truri i vërtetë i Partisë së irredentistëve, që kërkonte çlirimin kombëtar në baza etnike dhe demokratike, pa kushte ideologjike. Pikërisht për këtë veprimtari politike thellësisht atdhetare ai burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku kishte ardhur për t'i shpëtuar gjenocidit serb. Mbasi shpëtoi nga dërgimi në Jugosllavi në 1945, falë ndërhyrjes së Manol Konomit, atëherë ministër i Drejtësisë, kjo nuk u shmang në vitin 1948, kur me kërkesën e jugosllavëve, komunistët shqiptarë e ekstraduan "si kosovar anti-jugosllavë" për t'u gjykuar prej jugosllavëve. Selman Riza qëndroi për tre vjet e gjysmë në burgjet jugosllave, prej nga dërgohet në Sarajevë si i internuar dhe i survejuar, ku iu përkushtua tërësisht punës shkencore. Më në fund Selman Riza, në dhjetor të vitit 1955, rikthehet në RPSH dhe bashkohet me familjen e tij në Tiranë. Fillon punën menjëherë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë si punonjës shkencor dhe në Fakultetin e Filologjisë si pedagog i jashtëm. Rezultatet e kërkimeve shkencore të Profesor Rizës tashmë janë të njohura, censura e deridjeshme ka rënë dhe ato po vlerësohen. Por, ne nuk duhet të harrojmë se ai u përndoq edhe për rezultatet dhe mendimin e tij shkencor e thellësisht kritik. Kredon e tij të metodës shkencore ai e pohon qartë: "Unë jam, në radhë të parë gjuhëtar kritik. Po më hoqën kritikën shkencore, unë nuk jam më Selman Riza". Ai gjithnjë luftoi për shkencë dhe kulturë të pavarur nga politika. Dhe, ia arriti: sepse bëri gjithnjë atë që duhej, atë që i shkonte për shtat bindjeve të tij shkencore dhe politike. Me formimin e tij të thellë e qenësor, me nivelin e lartë si gjuhëtar e mendimtar, Selman Riza kishte treguar që në fillim se ishte kundërshtar i paepur i padrejtësive sociale, i pasaktësive dhe shtrembërimeve në shkencë, por jo mohues i të tjerëve, i atyre që mendonin ndryshe nga ai. Dhe, kur mendimi merr veshje zyrtare, që në shkencë nuk duhet të ndodhë, ai nuk është veçse disident në të gjitha aspektet veprimtarisë së tij shkencore e atdhetare. Ja vlen të saktësojmë kuptimin e fjalës latine disens, prej nga vjen: kritikë, mosaprovim, kundërshtim, divergjencë opinionesh. Ndërsa disident: individi që ka reagimet e mësipërme, që mund të jetë pjesë e një grupimi ose dhe si individ. Në Shqipërinë e periudhës komuniste pati në kohë të ndryshme disidencë të formave të ndryshme. Komunizmi u luftua me armë e në mënyrë të organizuar, si gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu dhe pas marrjes së pushtetit prej tyre, u luftua politikisht nga deputetët dhe intelektualët që organizoheshin, u kundërshtua nga kleri. Ishin me mijëra ata që arratiseshin nga kufiri e të shumtë ata që kapeshin dhe vriteshin ose burgoseshin. Të gjithë u përgjakën, u dhunuan barbarisht ata dhe familjet e tyre, u vranë pa gjyq e me gjyqe komuniste, vdiqën nën tortura e nuk kallëzuan askënd. U internuan mijëra familje (gra e fëmijë), me qindra vdiqën urie dhe nga epidemitë kampeve, të tjerëve internimi apo dëbimi u mbaroi pas viteve '90. Burgjet ishin gjithnjë plot, madje kishte dhe fushata internimesh, kishte Burrel, Spaç. Qafë- Bari, Maliq, Beden e Bënçë e të tjera. Dhe. sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, hartoheshin dhe lista të atyre (të ashtuquajturit "kontingjent") që do të pushkatoheshin, internoheshin apo deportoheshin në rast lufte. Ishin me dhjetëra mijëra ata që kundërshtonin politikën zyrtare, që nuk fshehën "biografinë", nuk mohuan të afërmit e nuk u divorcuan, që nuk ndryshuan mbiemrat e që nuk u nënshtruan burgjeve e kampeve dhe e ngrysën jetën me kokën lartë edhe pse vuajtën. Ishin të shumtë ata që praktikuan fenë dhe nuk e mohuan, dhe me besim tek Zoti pranuan martirin. Ishin të shumtë ata të cilëve ju mohuan të drejtat për arsimim, për punë në profesionin e tyre, të drejtat për të shkruar e botuar, si "armiq të klasës", si njerëz me "biografi" të keqe. E pësoje në ato kohë të këqija për një fjalë, pse dëgjoje radio e muzikë të huaj, pse lexoje libra jo me kapak të kuq, për veshjen dhe flokët. Kundërshtimi i tyre për "normat morale" të regjimit dhe politikën komuniste ishte i qartë. E gjithë kjo mënyrë ndryshe; e të menduarit, e të jetuarit, e të rezistuarit regjimit, nuk është gjë tjetër veçse disidencë. Nuk ka rëndësi forma e shprehjes së saj, sepse humbja e shpresës për rrëzimin e komunizmit dhe përmasat e dhunës ndikuan dhe në format e kundërshtimit. Mos e kërkoni atë si në Çeki, Poloni e gjetkë, sepse e ndryshme ishte dhuna dhe pasojat, madje këtu quheshe armik dhe kur nuk brohorisje. Veç kësaj, kishte dhe disidencë pasive. Shkrimtarë që refuzuan të shkruajnë romane që t'i përgjigjeshin flakë për flakë vijës së partisë apo vjersha për partinë dhe Enverin e parë, piktorë që u mbyllën në studio, historianë që refuzuan të shkruajnë për Haxhi Qamilin, por pati dhe nga ata që krijuan vepra arti jo konformiste dhe e pësuan, të tjerë që mbrojtën monumentet e kultit e të tjera. U quajtën intelektualë borgjezë e nacionalistë, u ndëshkuan apo u diskriminuan e u nëpërkëmbën. Selman Riza kritikoi ashpër në kulturën tonë diletantizmin, mediokritetin e konformizmin. Sigurisht që kritika, edhe pse objektive dhe konstruktive, jo gjithmonë u vlerësua. Dhe, siç thoshte vetë Ai, jo rrallë herë u ndesh me "Dhunë me veshje kritike deri në skualifikim". Dhe, inkuizicioni i kohës nuk mungoi. Shqipëria kalonte periudhën kineze, me revolucionin kulturor dhe ideologjik që përmbyste edhe ato pak suksese të albanologjisë, të arritura me shumë mund, nën një diktaturë që ishte armike e të vërtetës e përparimit dhe e lirisë. Pikërisht në këtë kohë, Selman Riza pësoi një goditje të rëndë. Si njeri me karakter, ai nuk mund të pajtohej me mediokritetin, vetëkënaqësinë dhe servilizmin që karakterizonte Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, ku forcat e afta shkencore luftoheshin dhe pengoheshin nga drejtuesit partiakë. Kritika e tij e guximshme dhe objektive u konsideruar si veprimtari armiqësore. Për mendimet e tij, në prill të vitit 1967, profesorin e nderuar, pas fletërrufeve të shumta dhe gjyqeve kolektive në kuadrin e luftës kundra "mbeturinave borgjeze", e largojnë nga Instituti i Gjuhësisë dhe e çojnë në Berat, si ciceron në Muzeun e qytetit dhe më vonë në bibliotekën e atjeshme. Ai nuk kërkoi ndihmë, as dhe mbrojtje nga ndokush lart, siç ju sugjerua. Në vitin 1970 Selman Riza del në pension të parakohshëm dhe kthehet pranë familjes së tij në Tiranë, i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi i shtetit. Ndonëse shkencëtar i madh, i njohur edhe në qarqet shkencore ndërkombëtare, me vepra dhe tituj, Selman Rizës iu mohua e drejta për t'u kthyer në punë në Institut, dhe faktikisht ju mbyllën të gjitha rrugët për veprimtari shkencore aq sa nuk e lejonin të merrte libra në bibliotekë. Kam shkruar gjetkë mbi fletërrufenë makabre që i vunë atij dhe nuk u përkul, dhe për shumë prej nesh ai ishte shembull diturie dhe burrërie. Pasi u kthye nga Berati ai shpesh punonte në Bibliotekën Kombëtare, dhe unë kisha vërejtur se nuk merrej më me studime gjuhësore, sepse tërthorazi, duke e trajtuar për armik, ja kishin hequr këtë mundësi (kontakte në institut dhe botimet). Ai punonte në lëmin e filozofisë, një pasion i vjetër për të, por dhe në themel të kërkimeve të tija gjuhësore. Nuk shoqërohej me njeri, sepse dhe i shmangeshin, punonte orë të tëra pa luajtur vendit. Unë e takoja dhe aty, por dhe në shtëpinë e tij. Në biseda ishte i rreptë, por gjithnjë i sjellshëm dhe tejet korrekt; kritik, por dhe i përzemërt; e ndjente dhunën, por stoik, për nga bindjet dhe jo nga kryeneçësia. Ai mundohej që, gjithsesi, ta ndieje veten të barabartë me të. Ai jetoi nën dhunë, por i panënshtruar dhe me kokën lart, i ndershëm në të gjitha regjimet antishqiptare. Ishte personaliteti i tij që i bënte ta duronin në mos dhe ta respektonin. Por, me revolucionin kulturor dhe ideologjik të tipit kinez ai nuk u tolerua. Nuk qe vetëm kritika ndaj mënyrës së organizimit dhe drejtimit të shkencës albanologjike (roli drejtues i partisë në shkencë), por vërejtja e tij e guximshme tejet "heretike" për të kuqtë: "...se filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi...", që u përdor për dënimin dhe largimin e tij si individ, por edhe si pjesëtar i një grupi armiqësor e antiparti. Këtë e bën edhe për të shmangur një shkencëtar kritik, por edhe që të mos ndikonte tek të rinjtë. Vetë titulli i fletë-rrufesë: "T'i pritet koka Selman Rizës", të cilën unë e kamë parë kur shkruhej, ashtu dhe të varur në katin e tretë të Institutit të Histori-Gjuhësisë, ishte shprehje e urrejtjes dhe ligësisë së komunistëve në listë- pagesë shkencëtarësh, për ata që kundërshtonin, kritikonin dhe mendonin ndryshe.
Selman Riza nuk pati smirën e punonjësve të ndershëm e atyre pa poste, pa detyrime apo vullnet partiak, por pati smirën e intolerancën e atyre me pushtet dhe veglave të tyre, që nuk kishin asgjë të përbashkët me kërkimet shkencore, si dhe indiferencën apo heshtjen që komunistët e siguronin duke shfrytëzuar me dhunë dobësitë, frikën dhe ligësinë e njerëzve të vegjël e të paformuar. Duhet thënë se ai u përndoq edhe si kosovar dhe nacionalist.
Selman Riza guxoi dhe e sfidoi regjimin, dhe mund të përfundonte në burg, por për fatin e tij të mirë nuk e futën që të mos turpëroheshin, por nuk ja shmangën keqtrajtimin, e dhunuan dhe e fyen, dhe ai thuajse hoqi dorë nga gjuhësia, që mesa dukej mendonte se lëvrohej dhe me të tjerë. Atij i rezervuan vetminë, ishin të pakët ata që flisnin me të në Bibliotekën Kombëtare dhe ai shmangej, punonte në qetësi, pa bezdisur kënd, por dhe i respektuar nga të gjithë, për personalitetin e tij. Selman Riza, me jetën dhe veprën e tij mbetet një luftëtar i paepur i çështjes shqiptare dhe i çlirimit të Kosovës, i bindur se një ditë do të kryhej, ndjekës i papërkulur e sistematik i parimit të papajtueshmërisë pa kompromis me çdo gjë antikombëtare e regresive për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe se për këtë u përndoq dhe dhunua gjithë jetën, por nuk u nënshtrua. Ai mbetet po aq dhe një nga gjuhëtarët më të shquar në lëmë të Albanologjisë. Shkenca shqiptare, dhe jo vetëm ajo, i detyrohen së tepërmi atij. Dhuna dhe përndjekja ndaj Selman Rizës njihet si ajo e dukshme, por dhe ajo e nëndheshme e labirinteve të diktaturës komuniste - atë të leximit të dosjeve 2A që Sigurimi i Shtetit mbushi për të qysh se erdhi në RPSH, duke e konsideruar "armik", dhe që ju paraqitën publikut nga Profesor Rexhep Ismajli. E ato i bëjnë të ditur çdokujt personalitetin e plotë të Selman Rizës dhe armiqësinë e të liqve, e të paaftëve ndaj tij, që e kanë më të lehtë të grupohen se të tjerët, viktimat e tyre të pambrojtura. Njerëz si Selman Riza i nderon koha dhe vepra, jeta e tyre dinjitoze. Ata nuk i nderojnë e vlerësojnë veçse njerëzit e errësirës dhe të ligësisë, qeveritë autoritare dhe të dhunës ndaj shpirtrave të lirë e të iluminuar, ndaj atyre që mendojnë ndryshe, të bindur në idetë dhe mendimet e tyre. Për këtë jemi mbledhur dhe ne sot këtu, për të nderuar njeriun dhe shkencëtarin që guxoi të jetoj me kokën lart e të punojë e të luftojë, në kohë shumë të këqija, për Shqipëri të shqiptarëve. Është detyrim për çdo shqiptar atdhedashës për të nderuar ata që jetën dhe veprën ja kushtuan Shqipërisë. Njerëz të tillë janë të rrallë në historinë e çdo kombi dhe duhet të mbeten frymëzues për brezat që i pasojnë. Për këtë, dhe duhet njohur Jeta dhe Vepra e tyre prej patrioti të madh. Ajo duhet të botohet e plotë, duhet të njihet mirë, veçanërisht në kohët me trazime dhe pështjellime të mëdha si kjo e jona.


Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


[ Edited Thu Apr 08 2010, 03:35pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Dec 14 2009, 03:37pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Fjalë kujtimi e nderimi për prof. Selman Rizën

Nga Emil Lafe

Prof. Selman Rizën përpara se ta njihja nga afër gjatë viteve të punës në Institutin e atëhershëm të Historisë dhe të Gjuhësisë, e kam njohur nëpërmjet shokëve që kur isha student. Në vitin e tretë të Fakultetit (1957-1958) ne, studentët e degës së gjuhës shqipe, duhej të hartonim edhe nga një temë vjetore nën udhëheqjen e një pedagogu. Dy-tre studentëve të kursit tonë u takoi ta kishin temën vjetore me prof. Selman Rizën e ndër ta edhe shoqes sime të ardhshme të jetës, Virgjini Lubonja. Me prof. Selman Rizën nuk kishim bërë ndonjëherë mësim dhe nuk e njihnim nga afër. Ai jepe lëndën e morfologjisë në degën e gjuhëve të huaja, kurse në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe këtë lëndë e jepte prof. Shaban Demiraj. Për temat vjetore nuk kishte vlerësim me notë, vetëm se punimi përkatës duhej dorëzuar në katedër para se të fillonte sesioni i provimeve të verës. Ndryshe nuk lejoheshe të hyje në provime. Ne, studentë e tjerë, morëm temat dhe disa udhëzime të shkurtra nga pedagogët dhe u takuam me ta në fund, kur u dorëzuam atë që kishim shkruar. Ata që kishin punë me prof. Selman Rizën, përkundrazi, duhej të paraqiteshin tek ai herë pas here me materialin që kishin punuar sipas udhëzimeve të tij. Dhe duhej të ishin të përpiktë në ditën e orën e caktuar. Prof. S. Riza ishte tepër kërkues, e ndiqte ecurinë e punimit të temës në vijimësi dhe një student i rregullt nuk mund t’i lejonte vetes që ta shkelte me të. Ai e bënte studentin të kuptonte se ky punim i thjeshtë vjetor nuk ishte një angari e bezdisshme, as një formalitet, po një provë e detyrueshme dhe e pashmangshme për të njohur sa i aftë do të jesh për të ecur më tej me këmbët e tua, për të shkruar diçka në mënyrë të pavarur. Prandaj edhe Virgjinia e mori shumë seriozisht temën “Studim krahasor i formimit të shumësit të emrave e të mbiemrave” dhe ndoqi udhëzimet e profesorit. Studioi sipas udhëzimeve të tij krerët përkatës te gramatikat e hartuara nga Sami Frashëri, Anton Xanoni, Ilia Dilo Sheperi, Osman Myderrizi, Kostaq Cipoja dhe në dispensën “Morfologjisë së gjuhës shqipe” të prof. Sh. Demirajt, që e kishim si tekst bazë në Fakultet. Virgjinia punoi sistematikisht e me kujdes, gjithnjë me merakun e me shqetësimin e një vajze se si do ta vlerësojë profesori atë punim modest. Kur prof. S. Riza e thirri për t’i kthyer fletoren e punimit, i shqiptoi mendimin e tij, të formuluar me shkrim në mënyrë disi të pazakonshme për ne, por që shprehte qartë një vlerësim pozitiv e trimërues: “Punim i punuar me kujdes, i komponuar në mënyrë të qartë, i pajosur me lëndë të mjaftueshme, i përcjellur me disa konstatime jo pa interes; e për pasojë punim për të cilin besonj se do të ju ketë shërbyer si një përgatitje e përshtatshme që vitin e ardhshëm të dilni me një tjetër mundësisht më të thelluar e më me vulë personale.” Por atëherë viti i katërt mbyllej me provime shteti, nuk kishte filluar ende praktika e mbrojtjes së diplomave. Këtë fletore Virgjinia e ruajti me kujdes më fort si kujtim të këtij shënimi nga dora e prof. S. Rizës, sesa si sprovën e saj të parë për një temë shkencore.

Pas përfundimit të studimeve më 1959 u emërova në sektorin e gramatikës të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, ku qe mbledhur elita e shkencave filologjike shqiptare. Në Institut punonin atëherë Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Osman Myderrizi, Mahir Domi, Anton Krajni, Pashko Geci dhe studiuesit e rinj Androkli Kostallari e Spiro Floqi, që kishin kryer studimet në Moskë para 4-5 vjetësh. Qe një mjedis që të impononte disiplinë, seriozitet, kërkesë. Por në mënyrë të veçantë neve më të rinjve na bënte përshtypje të thellë personaliteti i prof. Selman Rizës. Ato që thuheshin gojë më gojë për vullnetin dhe zellin e tij të pakrahasueshëm, kur kishte qenë student i Liceut të Korçës, bëheshin plotësisht të besueshme për ne që e shihnim në punë e sipër.

Nëse mund të thuhet që Selman Riza ka adhuruar ndonjë Hyjni në jetën e vet, emri i saj është Hyjnia e Punës. Ai ishte tërë gjallëri dhe vullnet për punë, armik i rreptë i plogështisë e i limontisë. Që i mitur qe bërë i vetëdijshëm se popullit shqiptar i duhet të punojë dyfish e trefish që t’u afrohet shokëve të botës së qytetëruar. Dhe vetë e dha shembullin duke i mbaruar shkollat para afatit dhe me rezultatet më të larta, duke kryer dy fakultete njëherësh brenda një periudhe studimi. Gjëja që i dhimbsej më shumë, qe koha e humbur pa punë, pa mendim. Në tryezën e tij të shkrimit mbante gjithmonë përpara orën e xhepit. Dukej se me të kontrollonte ecurinë dhe ritmin e punës së përditshme. Asnjëherë nuk kërkonte rrethana për t’u shfajësuar para vetes për mospërmbushjen e ndonjë plani shkencor. Çdo mëngjes e shihja që vinte plot gjallëri e optimizëm në zyrë dhe largohej pastaj me qetësinë shpirtërore të njeriut që e ka kryer detyrën. Në vitin 1963, për fat të mirë mjaft shpejt, më erdhi radha edhe mua, sipas praktikës së asaj kohe, të merrja nga qendra e punës një banesë në rrugën e Durrësit për familjen time të re dhe të lija konviktin. Mëngjeseve, duke shkuar për në Fakultet (atëherë Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë ndodhej në ndërtesën e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë) herë-herë takohesha me prof. Selmanin, që dilte nga rruga “Mine Peza”, dhe e bënim rrugën bashkë. Në këto raste për mua kishte filluar dita e punës që rrugës.

Kundër përshtypjes së jashtme, prof. S. Riza ishte i afrueshëm me ne të rinjtë, na nxiste për diskutime, na shtronte pyetje, që nuk ishin të thjeshta. Një ditë më dërgoi në Bibliotekën Kombëtare për të kopjuar me dorë nja dy faqe nga libri i Emile Legrandit “Bibliographie Albanaise”. Me atë rast mora në dorë për herë të parë librin e këtij bibliografi francez. Nuk i kam quajtur asnjëherë angari punët ndihmëse që më kanë dhënë profesorët e mi. Ca kohë më parë Aleksandër Xhuvani më kishte dhënë t’i nxirrja parafjalët nga veprat e Pjetër Budit dhe me atë rast lexova Budin. S. Riza e dinte mirë se unë atëherë nuk kisha bërë asnjë orë mësim frëngjisht, po edhe unë e dija mirë se me kë kisha të bëja, prandaj i hapa sytë katër që të mos bëja gabime. I dorëzova fletoren dhe prita. Pasi e lexoi, erdhi tek unë dhe më tha me një buzëqeshje përgëzuese se nuk kisha bërë asnjë gabim, as në theksat!

Në verën e vitit 1960 prof. Mahir Domi më ngarkoi të bëja një ekspeditë dialektologjike dhe të shkruaja një monografi për një të folme. Ai e kishte shumë për zemër dialektologjinë. Një punim dialektologjik është rruga më e përshtatshme për të hyrë në problemet gjuhësore të shqipes. Albanologë si H. Pederseni, G. Vajgandi, M. Lamberci, K. Taljavini, V. Cimohovski, po edhe vetë E. Çabej, I. Ajeti e kanë filluar nga dialektologjia. Prof. M. Domi më propozoi tri krahina: Prezën (Tiranë), Shllakun (Shkodër) dhe Nikaj-Mërturin (Tropojë). Unë, atëherë 22 vjeç, zgjodha më të largëtën, Nikaj-Mërturin, me përfytyrimin romantik se në viset e largëta fshihen dukuri më interesante. Udhëtimi dhe qëndrimi im në Nikaj-Mërtur në korrik 1960, bashkë me dy studentë të huaj dhe një shqiptar, është një histori më vete. Nikaj-Mërturi i takon nga ana etnografike, po edhe gjuhësore, Malësisë së Gjakovës. Unë përfytyroja se edhe profesori im në mjedisin e tij familjar të Gjakovës, ka pasur afërsisht po atë dialekt amtar. Prandaj një ditë, duke diskutuar me të për një dukuri të asaj së folmeje, guxova e i thashë: “Ju profesor shumë e keni thyer gjuhën!” Për habinë time S. Riza reagoi me vrull, duke më thënë se jo vetëm e kishte thyer, po e kishte dërrmuar, e kishte copëtuar ... etj.etj. fjalë si këto, që nga hutimi nuk arrita t’i mbaj mend. Si axhami që isha atëherë, kujtoja se “të thyesh gjuhën” do të thotë të fitosh shprehi të reja gjuhësore, shumë të dallueshme nga dialekti amtar, afërsisht si p.sh. të thyesh një shkop e ta bësh dy a katër copa! Por pas atij reagimi vrava mendjen dhe i dhashë të drejtë profesorit. Të thyesh gjuhën në të vërtetë do të thotë që gjithë duke ruajtur karakteristikat themelore të së folmes së vendlindjes, të fitosh edhe disa tipare të një mjedisi tjetër gjuhësor. Me një fjalë “thyerja” është një ndryshim i lehtë, jo rrënjësor. Të thyesh urinë do të thotë të kesh futur diçka në gojë, p.sh. ndonjë biskotë a ndonjë pemë, para orës së zakonshme të drekës a darkës, por jo të kesh ngrënë sa të mos kesh më uri; të thyesh një ngjyrë (p.sh. kur lyejmë shtëpinë) do të thotë t’i hedhësh pakëz nga një ngjyrë tjetër (p.sh. që të mos jetë krejt e bardhë, po të dalë pak si në qumësht). Prof. Selmani nuk kishte bërë këtë “thyerje” me “gjuhën” e tij gjakovare. Ai me të vërtetë që e kishte “dërrmuar, copëtuar... etj.” Dhe jo vetëm ai. Për brezin e tij, për brezin tim, po edhe për brezin e sotëm përgjithësisht, gjuha letrare ose letrarishtja e përbashkët, siç thoshte prof. S. Riza, nuk vjen nga qumështi i nënës, po nga goja e mësueseve, nga librat e shkollës, nga radioja, televizioni filmi, teatri, nga jeta aktive shoqërore.

Prof. Selman Riza u kthye nga Kosova pranë familjes në Tiranë në fund të vitit 1955 dhe filloi punën në Institutin e Shkencave. Brenda 10-12 vjetësh prof. Selman Riza hartoi një varg monografish themelore për morfologjinë e shqipes së sotme e për morfologjinë historike. Nuk mund të shtoj diçka të re për vlerën shkencore të tyre nga sa janë thënë më parë prej të tjerëve. Ajo që dua të vë në dukje këtu, është e reja që solli prof. Selman Riza në jetën e sektorit tonë dhe në mënyrën e trajtimit të problemeve. Kjo e re ishte fryma kritike, aq e theksuar në punimet e tij, saqë ai e ka quajtur veten edhe kritik gjuhësor. Por kjo nuk ishte thjesht një kritikë për kritikë. Prof. S. Riza para se të përvishej për të hartuar studimin e tij, shtronte mbi tryezën e punës të gjitha trajtesat e mëparshme për atë temë dhe me bisturinë e mprehtë të parimeve shkencore e të arsyetimit logjik bënte anatominë e tyre. Vlerësonte tezat e shëndosha, racionale dhe flakte ato që nuk i qëndronin kritikës së tij shkencore aq të argumentuar. Mbi këtë bazë bënte përgjithësimin shkencor të gjendjes së deriatëhershme të studimit të asaj teme dhe pastaj fillonte të ngrinte ngrehinën e punimit të tij sipas një shestimi të arsyetuar mirë. Ai nuk ishte vetëm kritik, por po aq edhe autokritik. Hiqte dorë vetë nga një tezë kur gjente më shumë argumente në të mirë të një teze tjetër. Një mëngjes, duke diskutuar rrugës, më pati thënë se tre-katër muaj pas botimit të veprës së njohur “Tri monografina albanologjike” (1944), kishte hequr dorë vetë nga teza e tij për pangegënishten letrare që donte të themelonte. Në mendimin e gjuhëtarëve shqiptarë çështja e formimit të një letrarishteje shqipe të përbashkët ka qenë gjithnjë temë qendrore, ose, për ta thënë më mirë me atë që ka shkruar S. Riza për veten e vet, ai e ka pasur kurdoherë mendjen në përgjim dhe shpirtin pezull për t’i gjetur kësaj çështjeje një zgjidhje. Në periudhën ndërmjet dy luftërave në Shqipëri kishte një toskërishte letrare pak a shumë të njësuar, ndërsa gegërishtja letrare nuk kishte arritur të njësohej. Administrata e shtetit përdorte një “dialekt zyrtar” ose një “burokratishte” të mbështetur në dialektin e Shqipërisë së Mesme, ashtu siç ishte vendosur me urdhrin e Kryeministrisë të 13 janarit 1923. Me monografinë “Çeshtja gjuhësore” prof. S. Riza kishte nuk kishte synuar të zgjidhë problemin e shqipes letrare të përbashkët, por vetëm të sajojë një gegërishte letrare diku fare të njëjtë dhe diku drejtë për drejtë të gjegjshme me toskërishten letrare. Filli i kuq që e përshkon këtë monografi është theksimi i unitetit etnik dhe i njëjtësisë gjuhësore ndaj dualizmit dialektor. Gjithsesi monografia e tij për gjuhën letrare ka analiza e vëzhgime shumë të mprehta e të drejta, që nuk kanë gjetur vend sa duhet në diskutimet e zhvilluara rreth kësaj teme.

Në punimet që shkroi e botoi në Tiranë nga viti 1956 e deri në fund S. Riza zgjodhi vetë të shkruante një toskërishte letrare me disa elemente të kohës së Rilindjes (kishte një vlerësim të lartë për punën e Sami Frashërit si krijues i normës letrare të toskërishtes dhe për veprimtarinë e F. Konicës e të F. Nolit si zhvillues të saj). Duhet pasur parasysh se në atë kohë në botimet e Institutit të Shkencave (dhe më pas në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë) përdorej lirisht gegërishtja. Kanë shkruar gegërisht secili sipas mënyrës së vet jo vetëm studiuesit e brezit të vjetër, si Osman Myderrizi, Anton Krajni, Pashko Geci, Rrok Zojzi etj., po edhe më të rinjtë, si Bahri Beci, Mehmet Çeliku etj. Në këtë kuptim them se prof. S. Riza zgjodhi vetë të shkruante në toskërishten letrare me një normë drejtshkrimore e gramatikore të arsyetuar prej tij, që mund të bëhet temë e një disertacioni. Gjendja ndryshoi vetëm pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (prill 1968), që vendosi të zbatojë menjëherë Projektin e drejtshkrimit të botuar një vit më parë në Tiranë. Atëherë edhe tek ne u bë pa kuptim praktika e këtij “liberalizmi gjuhësor”.

Veprat e prof. Selman Rizës kanë një shprehje gjuhësore të veçantë, me mjaft risi në fjalor, në mënyra të thëni e në ndërtimin e frazës, që janë përhapur edhe te studiues të tjerë. Por kryesorja është rreptësia e arsyetimit, logjika e brendshme dhe saktësia e shprehjes. Diskutimet e tij në sektor për punimet e kolegëve, vërejtjet që bënte, kanë qenë për mua një shkollë më vete. Duke shkruar ndonjë artikull, kontrolloja veten se mos nuk e kisha shprehur saktë mendimin, pyesja veten se ç’vërejtje mund të më bënte prof. S. Riza kur ta lexonte, dhe e rishkruaja nga e para gjithë paragrafin. Duke punuar në ato vite pranë profesorëve të mi, më përshkonte shpesh ndjesia sikur të kisha pas shpinës syrin e tyre vëzhgues, që më thoshte: “jo, këtë nuk e ke mirë!” Dhe më i rrepti më dukej S. Riza. Ai më ka bërë të kuptoj se sa e vërtetë është thënia: “kalemi rëndon më shumë se kazma”, që e kisha dëgjuar kur isha nxënës dhe nuk arrija të kaloja nga kuptimet konkrete të fjalëve të veçanta te domethënia e kësaj shprehjeje.

Prof. S. Riza u mor intensivisht me autorët e vjetër dhe me shumë entuziazëm punoi për të ndërtuar kursin special dhe tekstin përkatës për pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe: Buzuku, Matranga, Budi, Bardhi e Bogdani. Punoi me një pasion të habitshëm për të ndërtuar tekstin “Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe. Krestomaci thjeshtë gjuhësore”, që u shtyp si dispensë (1961). Teksti tjetër “Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”, të cilin e kishte paralajmëruar që më 1961, nuk arriti të botohej sa kohë autori i tij ishte punonjës i Institutit. Ai u përgatit për botim nga prof. Ali Dhrimo dhe u botua më 2002. Prof. S. Riza edhe në këtë fushë u shfaq krijues dhe kritik. Mjafton të përmendim analizën kritike që u ka bërë dëshmive të tërthorta për mundësinë e qenies së një tradite shkrimi parabuzukiane dhe përfundimin e tij se themelvënësi historik i shqipes së shkruar, krijuesi i traditës shkrimore kombëtare është Gjon Buzuku. Te vepra e këtij autori, me gjithë mangësitë e shumta gjuhësore që i vinte në dukje, S. Riza shihte një heroizëm kulturor dhe bënte një paralele mbresëlënëse: Kundrejt lavdisë së Gjergj Kastriotit në historinë e popullit shqiptar qëndron madhëria e Gjon Buzukut në historinë e kulturës shqiptare. Duke e rifilluar këtë kurs para disa vjetësh në degën e gjuhës shqipe, kam dashur jo vetëm të përmbush synimin e kësaj lënde për formimin e specialistëve të ardhshëm të gjuhës shqipe, po edhe të shpreh nderimin tim për mjeshtrin që më përudhi në studimin e autorëve të vjetër.

S. Riza ishte një qytetar aktiv dhe optimist për zhvillimin e vendit. Ai kishte besim te energjitë pozitive të popullit të vet. Në fillim të viteve ’60, prishja e madhe me Moskën dhe dalja e Shqipërisë nga kolkozi sovjetik përkëdhelën sedrën kombëtare edhe të inteligjencies së vjetër. Në atmosferën e atyre viteve kur lindi kënga “Për ty Atdhe” edhe S. Riza krijoi një “Për ty Atdhe” sipas mënyrës së vet, pikërisht në veprën “Pesë autorët më të vjetër”, që nuk arriti ta botonte së gjalli. Ai ka shkruar atje:

“Imperialistët botërorë e sidomos ata ballkanikë serbomëdhenj dhe grekomëdhenj kanë bërë çmos në të kaluarën (e madje edhe sot e kësaj dite ata vazhdojnë të bëjnë gjithçka) me qëllim që ne shqiptarët të na zhvishnin nga çdo vetëbesim kombëtar, nga çdo sedër kombëtare, e për pasojë edhe nga çdo vullnet vetëmbrojtjeje kundër orvatjeve të tyre ekspansioniste skllavëruese.

Prandaj edhe objektivi numër një i publicistëve e pseudoshkencëtarëve në shërbim të imperializmit botëror e sidomos atij ballkanik serbomadh e grekomadh ka qenë pikërisht ky që ne shqiptarëve ndërgjegjen kombëtare si të thuash të na e infektonin në të njëjtën kohë me dy komplekse inferioriteti: me atë të forcës numerike pretendimisht të shpërfillshme dhe me atë të kulturës kombëtare gjithashtu pretendimisht të paqenë.

Por njëherë Rilindja jonë Kombëtare me Lidhjen e Prizrenit, pastaj Kongresi i Lushnjës me Luftën e Vlorës, e më tëhu çlirimi i ynë kombëtar përfundimtar: këto tri kundërgoditje vetëmbrojtëse heroike shqiptare këtë fushatë imperialiste difamacioni antishqiptar e bënë më në fund jo vetëm kryekëput të pafuqishme kundër nesh, por njëherazi edhe përsosurisht të përbuzshme prej nesh.”

Është e dhimbshme të kujtosh se ç’ furi e verbër dhe e egër u ngrit kundër tij në vitin 1967. Se të deshte dhe s’të deshnin .... – fatin e jo pak shqiptarëve që vuajtën për këtë, pati edhe profesori ynë i paharruar Selman Riza, që prehet në Panteonin e Viganëve të mendimit shkencor dhe të lirisë e të përparimit.

Konferencë shkencore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së prof. Selman Rizës

Nesër në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë zhvillon punimet Konferenca "Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar". Me këtë Konferencë Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës përkujtojnë këtë personalitet të gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare në 100-vjetorin e lindjes së tij. Krahas dijetarëve nga të dyja akademitë në Konferencë marrin pjesë pedagogë nga Universiteti i Tiranës, i Shkodrës, i Elbasanit, i Prishtinës, nga Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës etj. Në rreth 30 kumtesa do të vlerësohet kontributi i prof. Selman Rizës për gjuhësinë dhe kulturën shqiptare, të rejat që ka sjellë ai në këtë fushë, drejtimet që ka hapur, veçoritë e punës së tij kërkimore-shkencore dhe figura e tij si dijetar e atdhetar në tërësi. Në prag të kësaj konference Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi vëllimin "Vepra të zgjedhura", ku përfshihen shtatë monografi të prof. Selman Rizës.

© Copyright 2007 tema.al


[ Edited Sun Dec 20 2009, 02:37pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sun Dec 20 2009, 02:36pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetarit

» Dërguar më: 20/12/2009 - 13:55
Admirina Peci


Për të kuptuar se ç’ngjyrë e ç’shije ka e vërteta, na lipset të presim, ndonjëherë edhe gjatë, deri sa të gjejmë burimin e saj. Për shumë ngjarje e personazhe nga koha e diktaturës në Shqipëri, kjo e vërtetë gjendet në dokumentet e rezervuara me shënimin “sekret” brenda dosjeve të Sigurimit të Shtetit, shumë prej të cilave ende rrinë të kyçura.
Në rastet kur ndonjë prej atyre dosjeve hapet, bashkë me to hapet edhe porta e rëndë e së vërtetës. Kështu ka ndodhur dhe me Selman Rizën, gjuhëtarin dhe studiuesin e pakompromis, një personazh i mbikëqyrur e i survejuar në çdo çast të jetës së tij, i spiunuar dhe i penguar shpeshherë dhe nga kolegët më të afërt. E vërteta në rastin e tij është tashmë kaq e perceptueshme! E kjo falë vullnetit dhe dëshirës së një studiuesi nga Kosova, akademikut të mirënjohur, Rexhep Ismajli, i cili për fat, duket se është nga të rrallët që s’bën dot kompromise në kurriz të së vërtetës. Libri i tij “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, i mbushur plot e përlot me dëshmi e dokumente, hedh dritë mbi gjithë atë komedi tragjike që u luajt në kurriz të Selman Rizës për më shumë se 30 vjet, deri në çastin kur ai mbylli sytë.
Si dhe pse u survejua? Nga kush? Çfarë kishte bërë ky intelektual që nuk i shkonte për shtat regjimit, rretheve ku ai punonte, kolegëve të tij, të njohurve të rastësishëm.... Çfarë i duheshin regjimit çastet më të zakonta të jetës së tij, ora kur dilte në mëngjes nga shtëpia, rruga nga kalonte, dyqani ku blinte bukën, apo gruaja që e shoqëronte, e që agjenti që raporton, e cilëson: “Mendohet të jetë gruaja e tij, sepse i futi krahun...”!
Me një ndjenjë neverie që të trondit, mund të kalosh faqe të tëra nga raportet e survejimit që hartonin çdo ditë agjentët e Sigurimit me nofka të çuditshme si “Jaku”, “Gjenevreku”, “Bleta”, “Taraboshi”..... Por një tjetër ndjenjë, këtë herë keqardhje, të kaplon kur në raportet e tyre hasen emra personazhesh të njohur të botës së studimeve, prej të cilëve vilen informata, merren komente, zbulohen imtësi rreth gjithçkaje që bënte Selman Riza.
Në këtë 100-vjetor të lindjes së tij, ky botim prestigjioz i Rexhep Ismajlit na jep mundësinë të zbulojmë një prej të vërtetave të regjimit me të gjitha ngjyrat dhe shijet e saj.
Një pjesë të kësaj të vërtete po e sjellim përmes kësaj specialeje të titulluar “Dosja Riza”, edhe për lexuesit tanë që nuk kanë mundësinë ta kenë në dorë këtë libër, njëkohësisht duke kërkuar dhe mirëkuptimin e personazheve të përmendur në dokumente, një mirëkuptim në shenjë mbështetjeje për këtë të vërtetë që e mban peng edhe sot e kësaj dite shoqërinë tonë.

Selman Riza dhe Çabej

Më 24 qershor të vitit 1963, gjuhëtari Selman Riza nis të shkruajë një letër që e tit ullon “Letër përgjegjësve”. Është i prekur nga një padrejtësi. Pret t’i botohet një studim kritik mbi rasat e gjuhës shqipe. Më saktë dy shtojca, të cilat nuk po gjejnë miratimin nga kolegët e tij. Riza ankohet se kolegu i tij Eqrem Çabej po i bëhet pengesë për këtë botim me të padrejtë.
Çfarë kundërshtish kishin lindur mes tyre? A ishte ky rast i vetëm i përplasjes së dy gjuhëtarëve të mëdhenj? Kjo letër, të cilën e botojmë të plotë, shkëputur nga libri më i ri i akademikut kosovar, Rexhep Ismajli, “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, është në të vërtetë vetëm maja e ajsbergut nga gjithë ajo marrëdhënie aspak miqësore që ekzistonte me Rizës dhe kolegeve të tjerë. Por, marrëdhënia më e veçantë është ajo me Çabejn, një shkencëtar i madh i gjuhës, të cilin Riza e vlerësonte mjaft, por edhe e kritikonte hapur në shumë pika për të cilat ai nuk ishte dakord me të. I vënë në shënjestër nga regjimi, Selman Riza u përndoq në çdo hap të tij. Survejohej, spiunohej nga kolegët. Arsyet e këtyre qëndrimeve? Duket gjithçka vinte nga karakteri i tij i pakompromis, por dhe nga përmasat e tij si shkencëtar që jo rrallë herë ngjallte zili e xhelozi.

Studiuesi Ismajli e portretizon kështu Selman Rizën: “Si dije dhe si kulturë, në të gjitha aspektet impononte respekt. Në biseda ishte substancial, i matur dhe i vendosur...Kur shtronte ndonjë çështje, do të kishte patjetër një brendi debatuese, do të ngjallte gjithsesi debat. Nga leximet më është dukur i një natyre heterodokse, dijetar që diskutimin e kishte ngritur në nivel parimi. Heterodoksia, qëndrimi debatues dhe mospajtues me mendimin që donte të etablohej, mospajtimet me dogmën ideologjike-shkencore, diskutimet mospajtuese me kolegë, ndëshkimi për idetë e tij dhe për kërkesat e natyrës organizative të punës shkencore, të gjitha këto dhe qëndresa krijuese, e bënin atë disident...”.

Për të kuptuar diçka më shumë nga ky personazh dhe kundërshtitë që ai ngjallte, kërkojmë disa mendime nga studiuesi Ismajli, duke u ndalur pak më tepër në marrëdhënien e tij me Çabejn...

Në vitin 1963 është zhvilluar një debat i gjerë mbi një vepër të Selman Rizës, ku ky i fundit përballej më së shumti me Eqrem Çabejn. A mund të risjellim në vëmendjen e lexuesve të sotëm thelbin e këtij debati? Çfarë shkruante Riza në “Shtojcat” dhe në ç’pika e kundërshtonin koleget e tij? Pse mund ta ketë penguar realisht Çabej dhe M. Domi atë botim, siç e përmend Riza në letrën e 24 qershorit të këtij viti?

Nga diskutimet që kam ndjekur në dokumentacion, në Institutin e Shkencave, pastaj Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, janë shqyrtuar dorëshkrimet e anëtarëve të sektorit. Ndonjëherë janë trajtuar edhe formulimet më të vogla, sikur të ishte fjala për një dorëshkrim kolektiv. Ndonjëherë ishin mbajtur disa seanca diskutimi për një vepër. Diskutimi i tillë i ka epërsitë e veta, por ka pasur dhe pasoja që nuk më duken pozitive: autocensura, kontrolli i tepërt, frika etj.
Selman Riza ka qenë i debateve. Në Tiranë, qysh më 1957-‘58 kishte shtruar çështje teorike të sinkronisë/ diakronisë dhe të të ashtuquajturave mbetje në sistemin aktual të gjuhës nga një sistem më i hershëm. Ato seminare kishin mbetur të pabotuara. Sipas tij, kishte pasur diskutime me kolegët.

Riza ka pasur diskutime edhe me Xhuvanin, Çabejn, Domin, Priftin, Floqin, më vonë me Agalliun, Demirajn e kolegë të tjerë, për çështje të ndryshme gjuhësore. Në studimin për Nyjat e shqipes (vështrim historik, 1959, 1962 dhe 1964) Riza mund të kishte qenë kritik ndaj ideve të traditës albanistike, përfshirë të Çabejt, për prejardhjen e nyjës shquese dhe për proceset e prapavendosjes së saj, ndërsa në studimin për Rasët në shpjegimet e ndryshme historike.

Riza kishte raportuar për veprën e Çabejt Studime etimologjike të shqipes, të paraqitur për disertacion doktorate dhe në atë raport gjejmë një vlerësim me superlativa: Riza mendonte se për një të atillë vepër në kultura më të përparuara autori mund të bëhej anëtar i akademisë, ndërsa në këtë rast, duke i dhënë Çabejt gradën Doktor i Shkencave, nderohej komisioni jo Çabej; me këtë vepër Çabej nderonte kulturën dhe kombin. Vlerësimet e tij për veprën e Çabejt ishin të diferencuara. Nuk ishte kështu entuziast për shqyrtimet e tij morfologjike.

Në shkrimet e botuara Çabej nuk e ka përmendur punën e Rizës. Me rastin e diskutimit të monografisë historike për nyjat të Rizës dhe me rastin e diskutimit të veprës Emrat në shqipe, sistemi i lakimit, Çabej kishte diskutuar. Në veprën e fundit të Rizës, ku ishte evituar diskutimi për periodizimin e historisë së gjuhës dhe për çështje të tjera nga të historisë së mbaresave rasore etj, të tjerët kishin kërkuar që Riza të jepte referime më të plota dhe të shpjegohej për disa qëndrime, çka ai kishte bërë në dy shtojcat, të cilat ishin bërë objekt diskutimesh të gjera në Sektor. Në Shtojcat është diskutuar për periodizimin e historisë së shqipes, për prejardhjen e mbaresave rasore, për çështje të nyjave e gjëra të ngjashme.
Duket se kundërshtive mes këtyre dy personaliteteve mund tua gjejmë gjurmët që në botëkuptimin e tyre, apo shkollave të cilave i përkisnin. A ka pasur kudërshti të tjera profesionale mes tyre?

Ka pasur dhe një diskutim tjetër me pasoja polemizuese: komentet e Rizës për konceptet gramatikore të S. Frashërit dhe të K. Kristoforidhit. Dorëshkrimi i Rizës për foljet, që u botua vetëm pas vdekjes më 1994, po ashtu kishte qenë objekt diskutimesh të gjera, për të cilat Riza kishte lënë ndonjë përgjigje, po ashtu. Në procedurën e diskutimit për veprën Emrat, pas shumë shoshitjeve, Riza mendonte se Sektori ishte gati për vendim përfundimtar dhe se në atë diskutim do të shfaqej mendim pozitiv për botimin e veprës. Një mendim duhej ta jepte dhe Çabej si recensent. Si duket, Riza mund të ketë kujtuar se Çabej po ia vononte recensionin pa arsye. Kështu ishte krijuar një situatë, më duket, e ngarkuar me moskuptime të ndërsjella, me ç’rast mospajtimet midis dy gjuhëtarëve e dijetarëve të shquar dhe të vetëdijshëm për staturën e tyre, sa vinin e theksoheshin.

Një pjesë e mirë e mospajtimeve midis Çabejt e Rizës u detyrohet dy mënyrave të të menduarit për çështje të gjuhës, dy shkollave të ndryshme të të menduarit për gjuhën, sidomos për studimin historik të gjuhës. Kjo mund të jetë ngatërruar më tej me kompetencat e ndryshme në fusha konkrete (morfologji, etimologji, fonetikë historike, filologji etj).

Por diskutimet më të mëdha Riza do t’i ketë pasur me A. Kostallarin, lidhur me prioritetet e Institutit – hartimi i kursit të plotë të leksikografisë-leksikologjisë bashkë me fjalorin e mesëm në afate më të shpejta, duke kundërshtuar mbërthimin e forcave të rëndësishme me fjalorë rusisht-shqip dhe e kundërta. Këto diskutime kishin përfshirë dhe drejtimin e Institutit. Ne nuk mund ta dimë as intensitetin, as pikarritjen e atyre diskutimeve.
A ekzistonte në atë kohë mes shkencëtarëve e studiuesve respektimi i mendimit ndryshe? Duket se diktatura me mjetet e saj kishte depërtuar edhe në psikologjinë e këtyre intelektualëve...

Sa i përket respektimit të mendimit ndryshe midis shkencëtarëve në atë kohë në Shqipëri, për çka më pyetnit, nuk jam ai që mund të thotë diçka më të saktë. Përshtypja ime është se diskutime kishte pasur, se në ato diskutime kishte edhe argumentime të natyrës ideologjike, çka do të thotë se studiuesit duhej të kishin shumë kujdes për çka po thoshin. Në tendencën e theksuar për të nxjerrë vetëm të vërteta univoke, çka synonte diskutimi i asaj natyre, kishte rrezik që mendimet e dikujt të merrnin vulën e të qenit ortodokse (pra të doksës së drejtë), ndërsa të tjerat jo. Selman Riza, natyrë heterodokse, i pabindur për ide (marksiste) si njësia e gjuhës me mendimin, për zbatimin e drejtpërdrejtë të marksizmit në gjuhësi, kundërshtar i ngatërrimit të shkencës me politikë, mosrespektues i floskulave ideologjike për gjuhësinë marksiste-leniniste etj, herët a vonë do të binte në grackat e sistemit, ndërsa me atë rast mund t’i interpretoheshin krejt ndryshe diskutimet e një natyre tjetër shkencore. Të gjitha këto, prej pozitës sime vetëm mund të hamendësohen.
Si do ta përshkruanit në disa rreshta karakterin e intelektualit Selman Riza? Po ambientin ku atij iu desh të jetonte, të studionte, të botonte…, me pak fjalë, të ndërtonte jetën e tij si intelektual i përmasave që realisht kishte?

Selman Rizën e kam njohur për pak kohë dhe vetëm në intervale të shkurta. Si dije dhe si kulturë, në të gjitha aspektet impononte respekt. Në bisedat ishte substancial, i matur dhe i vendosur. Nuk bisedonte për gjëra të rastit, nuk pyeste shumë. Komentet i kishte të kufizuara. Kur shtronte ndonjë çështje, do të kishte patjetër një brendi debatuese, do të ngjallte gjithsesi debat. Nga leximet më është dukur i një natyre heterodokse, dijetar që diskutimin e kishte ngritur në nivel parimi. Prej këndej buronte qëndrimi i tij kritik, duke përfshirë dhe veten. Në çdo situatë reflektive synonte risinë. Ishte origjinal dhe kërkestar në shprehje në raport me mendimin që do të kumtonte, jo në raport me bukurinë e shprehjes. Në një mjedis ku ka vetëm një doksa të konsakruar zyrtare ishte për të pritur që një natyrë e atillë të kishte ndonjë vështirësi. Heterodoksia, qëndrimi debatues dhe mospajtues me mendimin që donte të etablohej, mospajtimet me dogmën ideologjike-shkencore, diskutimet mospajtuese me kolegë, ndëshkimi për idetë e tij dhe për kërkesat e natyrës organizative të punës shkencore, të gjitha këto dhe qëndresa krijuese, e bënin atë disident. Selman Riza ishte shumë punëtor dhe me këtë shpesh i tejkalonte tundimet e tij kritike, i superonte disa prej situatave potencialisht të diskutueshme me të tjerët në kohë të papërshtatshme. Vetëm këmbëngulja në punë i shpjegon gjithë ato realizime veprash të botuara dhe të tjerash të lëna dorëshkrim në një kohë kaq të shkurtër dhe të ngarkuar me kaq shumë tensione.

Intervistoi: Admirina Peçi

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


[ Edited Sun Dec 20 2009, 02:38pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Apr 06 2010, 08:04pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Debati i Selman Rizës në doktoraturën e Eqrem Çabejt



Nasho Jorgaqi | 04/04/2010

Burrëria intelektuale e gjuhëtarit nga Kosova që do të ndëshkohej nga të gjitha rregjimet

Isha në fillim të adoleshencës, kur hasa për herë të parë në shtypin e kohës, (më duket te "Revista Letrare"), emrin e gjuhëtarit Selman Riza. Bëhej fjalë për një libër të tij me studime gjuhësore, nën një titull që s'do ta merrja vesh, "Tri monografira albanologjike", që ishte botuar në valën e Luftës së Dytë Botërore (1944).

Emri i këtij autori sepse më mbeti në mendje dhe pas çlirimit, kur u krijua Instituti i Shkencave, prisja të ishte dhe ai mes emrave të gjuhëtarëve si A. Xhuvani, E. Çabej etj. Por kjo nuk ndodhi dhe vetëm vonë, shumë vonë, kur isha student, do të dëgjoja për jetën dhe fatin e tij. Do të merrja vesh se Selman Riza ishte një nga intelektualët kosovarë të kohës, atdhetar i flakët, i njohur si iredentist, antifashist i orëve të para.

Ai nuk qe gënjyer nga maskarada fashiste e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, po përkundrazi, duke mos u pajtuar me pushtimin fashist, qe internuar në ishullin e Ventotenes dhe pas lirimit nuk kish pranuar të shërbente në administratën kuislinge. Në 1942 qe kthyer në Kosovë, duke u vendosur familjarisht në Prizren.

Aty nga mbarimi i luftës kish marrë pjesë dhe në Kongresin e Lidhjes së dytë të Prizrenit, me shpresën e bashkimit të trojeve shqiptare. Kjo e fundit i kish kushtuar, sepse fill pasi qe kthyer në Shqipëri ishte arrestuar më 1948 dhe me kërkesën e Beogradit qe deportuar në Jugosllavi, ku pa u gjykuar u mbajt nëpër burgjet famëkeqe për 3-4 vjet. Kur u lirua, u caktua, pa të drejtë lëvizjeje, të jepte mësime të gjuhës frënge në Universitetin e Sarajevës. Më pas erdhi në Prishtinë ku sapo qe krijuar Instituti Albanologjik dhe mori drejtimin e tij shkencor.

Në 1956, siç do të më tregonte më vonë ai vetë, autoritetet jugosllave donin ta dëbonin për në Gjermani, por ai nuk pranoi. "Atdheu im është Shqipëria", kish thënë, aq më tepër që atje kish dhe familjen, gruan dhe fëmijët. Kështu gjuhëtari i njohur u kthye në atdhe, kur kohët kishin ndryshuar disi, ndaj dhe u mirëprit, duke u vendosur në Tiranë, me punë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë.

Instituti atëherë qe në ambientet e Fakultetit Histori-Filologji. E them këtë sepse atje, në korridoret e tij, unë do ta ndeshja për herë të parë një ditë profesorin tek shëtiste i vetëm lartë e poshtë. Ma tregoi Engjëll Angoni, një miku im, bile pastaj ma prezantoi, me dëshirën time.


Profesori më dha dorën ftohtë, por me mirësjellje, dhe si shkëmbyem disa fjalë të rastit, u ndamë ndërsa ai vijonte ec' e jaket e tij vetëm nëpër korridor. Ndonëse në këtë takim, ai u tregua indiferent e s'tregoi asnjë lloj interesi, sepse tek e fundit emri im nuk thoshte asgjë, prapë në mendje më mbeti pamja e tij krenare, ashtu siç ishte shtatgjatë, trupdrejtë, me syze dhe hije intelektuale. Por kjo nuk kishte rëndësi para faktit që profesor Riza u integrua shpejt në jetën shkencore. Ai kish gjetur mjedisin e tij dhe frutet e punës do të dukeshin shpejt.

Do të botonte studime në shtypin e Institutit dhe do të tregohej aktiv në debatet që zhvilloheshin atje. Në vitin 1959, ai madje do të nderohej dhe me Çmimin e Republikës për studimin "Përemrat e shqipes". Ky çmim, më i larti që jepej atëherë, do të mirëpritej dhe ndonëse i vonuar, do të ishte një vlerësim i merituar për një nga gjuhëtarët tanë të shquar.

Unë do të ruaja respektin dhe simpatinë time në distancë për profesorin dhe prisja ndonjë rast që ta njihja rishtazi nga afër. Sadoqë jepnim mësim në një fakultet, kjo mundësi nuk u krijua menjëherë. Ai, siç do të më tregonte një nga kolegët, ishte natyrë e veçantë, thuajse më shumë në shoqëri me vetveten se me të tjerët.

Dhe kjo do ta rriste më tepër interesin dhe kureshtjen time dashamirëse. Ndaj sa herë ndodhesha me të ose e shikoja nga larg, tregohesha i vëmendshëm dhe ngaherë do të gjendesha para të njejtës figurë: hijerëndë e vështrimrreptë, i heshtur e serioz, që kish diçka prej malësori e në të njëjtën kohë prej hijes së mjeshtërit. Nuk di pse mendoja atëherë se përpara këtij njeriu, ne më të rinjtë nuk do të ishim ndryshe veç si nxënës para profesorit. Kuptohet, që një natyrë e tillë vijonte të ma bënte të vështirë kontaktin me të.

Por ja që erdhi një rast, që më dha mundësinë ta shihja e ta dëgjoja nga afër profesorin. U ndodha në diskutimin e disertacionit të doktoratës që mbronte profesor Eqrem Çabej në një mbledhje të sektorit të gjuhësisë. Qenë aty elita e gjuhëtarëve tanë të kohës, si dhe albanologu polak Vaclav Çimokovski, nxënës i N. Joklit, autor i disa studimeve serioze të shqipes. Ai ndodhej në këtë rast si oponent i dizertacionit.

Diskutimi procedoi i qetë e serioz, ku ndihej vlerësimi i lartë shkencor për punën e Çabejt, por aty nga mesi u ngrit të flasë profesor Riza. Kjo tërhoqi menjëherë vëmendjen time dhe jo vetëm timen. Sytë e të gjithëve u drejtuan nga ai. Profesori ishte përgatitur me shkrim dhe lexonte me një ton të prerë. U bë një heshtje e thellë dhe kjo më shtyu ndërkohë të mendoja për peshën e mendimit të profesor Rizës. Kisha parandjenjën se do të prishej ajo qetësi gati solemne.

Dhe nuk u gabova. Riza që në fillim iu kundërvu mendimit të përgjithshëm e çka ishte më e rëndësishme, disa prej tezave të dizertacionit të Çabejt dhe oponencës së Çimokovskit. Kishte ide dhe teza shkencore fare të ndryshme dhe këto përpiqej t'i mbështeste në argumente të vetat, fliste me një zë që tingëllonte i rreptë, i bindur për ato që parashtronte, pa asnjë kompleks para autoritetit të Çabejt.

U krijua një atmosferë e nderë, paksa nervoze, aq sa filluan pëshpërimat e pastaj kundërshtimet me zë të lartë. Në fakt debati u përqëndrua në mes Rizës dhe Çabejt, që erdhi gjithnjë duke u nxehur. I pari sulmonte, ndërsa i dyti mbrohej, por me mirësjelljen e butësinë e tij të njohur. Do të ndërhynin të tjerët, sidomos Çimokovski, që të ulej toni i rreptë i debatit, por nuk ishte e lehtë. Fjalët kundërshtuese të Rizës vinin si një përrua malor, që nuk kishin të ndalur deri sa ai sosi gjithë ç'kish për të thënë. Mbledhja sikur u çorodit.

Çështjet që diskutoheshin qenë të vështira, mpleksnin nëpër to probleme nga fusha të specializuara të gjuhësisë, me koncepte e terminologji të panjohura, të paktën për ne që ishim të fushave jashtë gjuhësore. Ndaj nuk mund të them se kush kishte të drejtë dhe për këtë arësye nuk mora anësinë e asnjërës palë.

Por ajo që më ka mbetur në kujtesë është përshtypja që më bëri shpirti kritik i profesor Rizës, burrëria e tij intelektuale, aq e rrallë atëherë, vendosmëria në ato që thoshte dhe argumentet që sillte. Një kundërvënie e hapur ndaj Çabejt, autoritetit të padiskutueshëm të gjuhësisë sonë, i cili, megjithë rezervat zyrtare, kish filluar të kthehej në nëj mit në opinionin e gjerë.

Kjo do të më habiste dhe do të më bënte të çmoja kurajon e tij, duke arsyetuar se debati shkencor, sado i ashpër, është i dobishëm dhe i domosdoshëm, sidomos kur zhvillohet në nivele të larta, siç qe ai në mes dy dijetarëve tanë të nderuar.

Pas kësaj ngjarjeje, që nuk kaloi pa jehonë në rrethet akademike, dëshira ime për t'u afruar me prof. Rizën u shtua. U bë një personazh gati enigmatik, jo vetëm për qëndrimin e tij në distancë me të tjerët, që gjithnjë e shikoja nga larg dhe vetëm, por akoma më shumë për atë çka përfaqësonte si intelektual me integritet.

(Vijon)

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Internimi i Selman Rizës pse kundërshtoi filozofinë marksiste Nasho Jorgaqi |

05/04/2010

Ndëshkimi i gjuhëtarit nga Kosova që bashkë me Enver Hoxhën ishte organizator i demonstratës së Korçës më 1939

(Vijon nga numri i kaluar)

Kaluan kështu shumë kohë dhe mundësitë e afrimit nuk u krijuan. Vetëm kur u shpërngul Biblioteka Kombëtare në Pallatin e madh të Kulturës dhe u krijua një mjedis komod studimi për intelektualët e kryeqytetit, do të shihja të vinte të punonte dhe prof. Riza.

Sigurisht më erdhi mirë e në radhë të parë se do të kisha rast tani ta takoja. Fillova ta përshëndesja, bile një herë iu afrova tavolinës së tij dhe e pyeta për kuptimin e ca fjalëve latine që më kishin dalë gjatë kohës që përgatitja "Antologjinë e mendimit estetik shqiptar 1504-1944".

Ai jo vetëm më ndihmoi, por dhe u interesua për punën që po bëja. Gjithnjë serioz, por gjithsesi i mirësjellshëm dhe kjo sikur ma hoqi drojtjen. Mjaftoi kaq, kur një pasdreke tek po pija cigare në hollin e Pallatit, ai m'u afrua dhe si më përshëndeti më pyeti: "Emri Nasho, mos është variant i emrit Thanas?" "Po", iu përgjigja .

"E di se ç'do të thotë në greqisht Thanas?" më pyeti sërish. "Jo", ia ktheva. "Thanas, - shpjegoi ai, - do të thotë i vdekshëm, kurse Athanas i pavdekshëm. Ke një emër me kuptim të çuditshëm. Ç'është e vërteta, të gjithë jemi të vdekshëm, por të emërohesh kështu, të kujton një gjë jo fort të këndshmë." Unë buzëqesha dhe shtova: "Më mirë do të ishte të mos e dija.

Kjo, megjithmend, më trishton pak!"
Ai nuk e ngau bisedën e tij më tej dhe e hodhi fjalën gjetkë, për një gjë që s'e mbaj mend. Ajo që mbaj mend është serioziteti me të cilin më fliste dhe theksi kritik që ndihej nga mënyra si arsyetonte.

Një mbresë që më qe përftuar qoftë dhe në distancë, por që m'u kthye në bindje gjatë kontakteve dhe bisedave tona që erdhën më pas. Sepse më pas, unë do të miqësohesha me prof.

Rizën, për aq miqësi sa të jepte ai, jo vetëm se kish moshën e tim eti, por dhe për shkak të natyrës së tij që tanimë e njihja. Dhe një njeri të nderuar e me vlera morale e intelektuale si ai, duhet ta pranoje ashtu siç ishte. Për këtë do të bindesha në vitet që pasuan, kur do të afrohesha me të e do të bëheshim miq. Ai ishte jo vetëm njeri i mençur dhe i ditur, por edhe i sinqertë, pa lajka dhe prapamendime, njeri që nuk dinte të merrej me thashetheme dhe ç'është më e rëndësishme, ta thoshte të vërtetën në sy.

Zakonisht bisedonte për çështje të rëndësishme, me tone serioze dhe mënyra se si arsyetonte vetvetishëm sikur krijonte debat. Kjo nuk do të thoshte se nuk e përfillte bashkëbiseduesin, përkundrazi e dëgjonte me vëmendje dhe respekt, madje dhe me durim, por pastaj ti duhej të kishe më tepër durim për të dëgjuar mendimet e tij kundërshtuese. Dhe kishte raste që kjo e bënte komunikimin disi të vështirë.

Por në gjykimin tim me kohë do të bindesha se prirja e prof. Rizës për të polemizuar ishte brenda karakterit dhe natyrës së tij. Çdo problem a mendim ai do ta kalonte përmes filtrit të vet kritik. Ishte dyshues, por jo paragjykues.

Dëgjonte me vëmendje, por kjo s'e pengonte të shfaqte rezerva, të pranonte mendimet e të tjerëve, veç rrallë tregohej entuziast. Kjo nuk kish të bënte fare me zilinë apo ambicjet e liga, me mendjemadhësinë apo megallomaninë, me ndonjë prapavijë dashakeqe apo nënvleftësuese.

Në këtë përfundim mund të arrije vetëm në qoftë se problemet dhe argumentet që shtronte e arsyetonte ai të arrije t'i diferencoje dhe t'i shkëpusje nga temperamenti i tij gjithë nerv.

Sepse logjika e të arsyetuarit, formimi i tij solid, erudicioni dhe elokuenca i hapnin bisedës horizonte dhe e ngrinin nivelin e saj. Dhe ajo që të lidhte pastaj me të, qe fakti se ai nuk vihej në rolin e mësuesit, por të partneritetit të barabartë dhe raporte të tilla s'kish si të mos ngjallnin interes dhe të të zgjonin kënaqësinë që falte miqësia e tij.

Një miqësi e sinqertë, burrërore, por e përmbajtur, me sentimente që vetëm mund t'i ndjeje dhe asnjëherë të manifestuara prej tij.

Përshtypja e përgjithshme që më ka mbetur nga natyra e prof. Rizës sepse më kujton një fjalë të urtë sipas së cilës: "Mendjet e vogla bisedojnë për njerëzit, mendjet e mesme flasin për ngjarjet, kurse mendjet e larta diskutojnë për idetë."

Them kështu se zakonisht në bisedat e tij vendin kryesor e zinin mendimet, një terren ky, që nxiste shkëmbimin e pikëpamjeve dhe çonte dashur pa dashur në debat, pa të cilin nuk mund të kuptohet ekzistenca intelektuale e prof. Rizës.

Sigurisht, me këtë nuk dua të them se biseda që bënte ishte abstrakte, por fusha e ideve qe preferenca dhe pasioni i tij zotrues. Me kohë, do të kuptoja se duke qenë njeri me karakter të palëkundur, ai mbahej fort pas parimeve dhe duke, qenë se ato i konsideronte të shenjta, i mbronte me tërë arsenalin moral e intelektual. Prej këndej buronte fryma polemizuese dhe shpirti kritik, gjë që e kthente herë pas here bisedën në një oponencë të ndërsjellë.

Në këtë rol unë do të vihesha sa herë që atij i lindnin probleme ose kishte shqetësime nga fusha ku punonte apo kur dhe unë i kërkoja opinion për çështje të ndryshme. Atëherë ndodhte ajo që të përballesha me mendimet e tij, të cilat jo rrallë qenë aq origjinale e befasuese, të guximshme, por dhe të diskutueshme, sa hutohesha dhe përpiqesha të gjeja një pozicion të pranueshëm.

Nuk ishte për t'u çuditur që mendimet e tij të pavarura gjatë bisedave që shpesh ai i kthente në diskutime, të dilnin jashtë kornizave ideologjike të kohës dhe t'i kundërviheshin Biblës e sistemit.

Njëherë duke folur për pikëpamjet e Stalinit në gjuhësi, që udhëheqësi komunist i kishte shfaqur vite të shkuara dhe që propaganda i kish bërë aq zhurmë, profesori më tha prerazi se ato nuk qëndrojnë shkencërisht dhe shtoi se po të hyjë politika në shkencë, shkenca pushon si e tillë. Ishte hera e parë që më fliste kësisoj e megjithatë e ruajta gjakftohtësinë dhe me takt i thashë se kjo ishte një çështje me zarar, ndaj zëre se nuk e kam dëgjuar.

Ai nuk më kundërshtoi, por u tërhoq, e këputi fjalën në mes dhe nuk e ngau më tej bisedën.
Pas ndonjë muaji, një miku im që punonte me prof. Rizën në Institutin e Gjuhësisë, më tregoi se gjatë një diskutimi në sektor, ai kish thënë hapur: "Filozofia marksiste nuk më hyn në studimet e mia gjuhësore."

Të gjithë kishin mbetur pa frymë dhe pastaj qenë ngritur dhe e kishin kundërshtuar e kritikuar. Por ai nuk kishte hequr dorë nga pikëpamjet e tij dhe qe munduar t'i argumentonte. Veç kish qenë e kot, sepse gjithë sa kish thënë kishte rënë si një bombë. Më pas qenë bërë mbledhje pas mbledhjesh, bile me autoritete partiake të ardhura nga lartë, duke ngritur një furtunë të tërë mbi të.

Ndërkohë, do të shpërthenin fletë-rrufetë, ku do të dënohëshin mendimet e tij heretike dhe i kërkohej të jepte llogari. Por ai do të qëndronte në një farë mënyre në të vetat, duke bërë një autokritikë evazive, si një barkë shpëtimi për të kaluar stuhinë që kish përfshirë aso kohe shoqërinë shqiptare. Askush nuk ia falte, përkundrazi sa vinin e shtoheshin zërat për ta dënuar. Dhe në fakt do të dënohej.

Në valën e asaj që po ndodhte do të takoheshim rastësisht. Ai kish kohë që nuk po vinte në Bibliotekën Kombëtare. Ishte një përballje e vështirë për mua dhe kur i dhashë dorën se si më doli pyetja: "Ç'bëre kështu, profesor?" "Atë ç'ka ban burri, - ma priti i vrejtur dhe serioz. - Burri para burrave thotë ç'ka mendon. Nuk mashtron.

Edhe unë s'bana asgja ma tepër." "Burri mund t'i mbajë dhe për vete, - thashë, - dhe të mos dalë kundër rrymës. Se rryma s'pyet, të merr me vete dhe s'dihet ku të çon!" Mbeti një hop dhe pastaj tha: "Gjithkush ka mendimin e vet." Ndjeva se mezi e përmbante dufin e brendshëm. U ndamë pa e zgjatur më tej.

Ndërkaq vazhdonte fushata e fletërrufeve, Tirana zjente nga shpërthimi i mërive, i intrigave e thashethemeve. Marrëzia kolektive kapi dhe rrethet intelektuale e sidomos institucionet shkencore. U godit dhe prof. Eqrem Çabej, por një nga ata që e pësuan rëndë do të qe dhe prof. Riza.

Atë e larguan nga Instituti dhe për dënim e qarkulluan në Berat si ciceron pranë Muzeut të qytetit, duke e shkëputur kështu nga puna e mirëfilltë shkencore. Mund ta kishin dënuar dhe më keq. Por ndërhyrja e Enver Hoxhës, me të cilin kishin qenë kolegë në Liceun e Korçës, e shpëtoi. Këtë do ta dëgjoja më vonë. Lideri qe mjaftuar me këto fjalë: "Selmani gaboi" dhe kjo ndikoi me sa duket në masën që u mor.

Pasi shkoi në Berat lidhjet tona u ndërprenë për shumë kohë. Nuk dija se ç'bëhej me të, veç e merrja me mend, duke ia njohur natyrën, me siguri ai do të qëndronte në vetminë e tij, i mbyllur në vetvete dhe si gjithnjë korrekt me detyrën dhe njerëzit.

- 3 -Qëlloi njëherë të shkoja në Berat me shërbim dhe një mbrëmje, tek ngjitesha për në kala me një të afërmin tim, do të përballesha me profesorin, që po zbriste tatëpjetë nëpër udhën e kalldrëmtë.

Një takim krejt i papritur, që gati më hutoi, sepse nuk ia falja vetes që më kish dalë nga mendja se ai ndodhej në Berat dhe mund ta takoja. Po ja që rasti çfarë nuk sjell. Iu afrova me dëshirën për ta rrokur në qafë, por ai më zgjati dorën dhe vetëm ma shtrëngoi.

Nuk ia mora për të keq dhe si shkëmbyem shkurt fjalët e rastit, e lamë të takoheshim të nesërmen te Hotel Turizmi i qytetit.
Kur u ndamë, i afërmi im, burrë i moshuar, që nuk kish të bënte me kulturën, më pyeti: "Ore, ku e njeh këtë njeri të çuditshëm?!

Sepse ky ngjitet e zbret 2-3 herë në ditë në kala gjithnjë vetëm dhe pa fjalë." I tregova se kush ishte njeriu i çuditshëm, se ku kish punuar dhe vlerat e tij. I afërmi im më dëgjoi dhe tha: Tani e kuptoj se ç'të bën taksirati, qofsh dhe më i mençuri e më i dituri i dynjasë."

Të nesërmen u takuam te Turizmi. Kësaj here u rrokëm në qafë dhe u ulëm ballë njëri tjetrit. Ndryshe nga zakonisht, ndjeva përzemërsinë e tij burrërore, miqësinë që ai e mbante përbrenda, ndoshta nostalgjinë për takimet tona në Tiranë.

Koha dhe distanca kishin bërë, me sa duket, punën e tyre. Nuk di, po atë ditë pashë një njeri disi tjetër, më të butë, një shfaqje të panjohur të karakterit e të shpirtit të tij, që ai ndoshta e tregonte rrallë, në raste apo situata të veçanta. Dhe kjo më preku, bile më përgëdheli dhe pak sedrën që ai po më falte miqësi aq sinqerisht dhe natyrshëm.

Pasi e pyeta për shëndetin dhe se si po i kalonte ditët larg Tiranës në Berat, me një punë që s'ishte punë për të dhe si i shpreha keqardhjen time për ç'ka i kish ndodhur, ai zuri të më tregojë me fjalë të kursyera, ku ndjehej një farë ironie, me një mllef të përmbajtur dhe pa u ankuar për asgjë.

Mbaj mend fjalët e para që më tha: "Unë këtu jetoj në Antipatria, në shoqëri me historinë e saj të bukur. Turistët vijnë e ikin nga muzeu im, marrin me vete mbresat e tyre, po prapë gjithçka mbetet e imja. Është e bukur dhe madhështore çdo gjë që ka gdhendur koha këtu nën Tomor!" "Po shoqëri, a ke ndopak?" e pyeta, megjithëse e dija përgjigjen pak a shumë.

Ai nuk m'u përgjigj menjëherë. U mendua një çast dhe buzëqeshi. Në fytyrë i ra një tis i lehtë ironie që ia njihja aq mirë dhe tha: "Me thanë të drejtën, as që bëhet fjalë për shoqëri. Unë kryej detyrën time, jap' e marr me vizitorët në muze e më tej shoh punët e mia.

Lexoj e shëtis, shtegtoj e harrohem pas shqipes, që i kam kushtuar jetën dhe këto më mjaftojnë. Po ndodh dhe ndonjë rast si ky që do të kallxoj." Heshti, vështroi nga lumi Osum dhe nisi të më tregojë: "Duke shetitur një ditë, ndala te ura e Goricës.

Ishte kohë zhegu; disa ditë më parë kishin rënë shira dhe kish ardhur Osumi. Ujët rridhte nën këmbët e urës dhe unë i përkulur në parmakët e saj sodisja ujët që rridhte teposhtë i kthjellët si pikë loti. Një bukuri e rrallë që më bëri për vete dhe më futi në mendime.

M'i kujtuan fjalët e Heraklitit "Koha rrjedh si ujët e lumit që kurrë nuk kthehet mbrapsht." Fjalë me mend, një e vërtetë e përjetshme, e pamohueshme. Këtë të vërtetë në atë çast, jo vetëm po e mendoja, por dhe po e përjetoja në gjithë qenien time njerëzore.

Pra, i qesh kthyer i tëri vetvetes, në një çast krejt të pafajshëm, kur dëgjoj një zë të rreptë: "Shok qytetar!" Nuk i besova veshëve dhe m'u deshën disa dekika të kthej kryet e të të drejtoj trupin. Ishte një polic. "Ç'bën këtu?" - më pyet prapë rreptas, thua se më kish zënë në faj. Unë i ngula sytë dhe pa iu përgjigjur, i vura dorën qetësisht në sup dhe e afrova nga parmakët e urës.

Ai u hutua, ndërsa unë shqiptova fjalët: "Vrej aty poshtë, vrej sa bukur është." Ai çuditërisht m'u bind, uli kryet mekanikisht dhe m'pyeti: "Çfarë?" "Ujët që rrjedh, çfarë tjetër! Një bukuri e madhe, mor djalë!"

Ai e soditi disa dekika dhe si ngriti trupin nga parmaku i urës, gati pëshpëriti, me një zë që s'i ngjante të parit: "Më pëlqen" dhe shtoi: "Ti qenke njeri që të bën sir!" "Unë sir nuk bëj, - i thashë, - por kënaqem në këtë zheg kur shoh këtë bukuri të natyrës.

A përbën kjo ndonjë shkelje rregulli, ose ruajna, o zot, shkelje ligji?" "Jo, - ia pat menjëherë polici, - por të them të drejtën, më ke tërheq vëmendjen, se t'kam parë kushedi sa herë, duke shetitur vetëm dhe desha të di kush je e ç'punë bën!" Unë i buzëqesha dhe i nxorra letërnjoftimin. Ai s'e preku me dorë e ma ktheu mbrapsht e pastaj më kërkoi ndjesë. Unë i zgjata dorën dhe kështu u ndamë."

Kurse unë me profesorin atë ditë nuk e pata të lehtë të ndahesha. Do të qëndronim gjatë, do të bisedonim miqësisht, por duke i anashkaluar çështjet e ditës. Dikur u ndamë, se atë e prisnin punët në muze dhe unë kisha angazhimet e mia.

Në Berat ai do të qëndronte afro dy vjet.

Do të punonte dhe në Bibliotëkën e qytetit dhe pastaj u kthye në Tiranë sapo mbushi moshën e pensionit. Pas kthimit, vendqëndrimi i tij i përhershëm do të ishte salla shkencore e Bibliotekës Kombëtare. Aty do të shiheshim ose do të takoheshim për ditë.

Dilnim në hollin e Bibliotekës ose ngjteshim lartë në kafe dhe bisedonim. Në sallë ai kishte tavolinën e tij, ulej zakonisht në të njëjtën tavolinë dhe aty punonte sipas një orari të vetin. Pak jepte e merrte me të tjerët dhe akoma më pak i afroheshin të tjerët atij.

Si gjithnjë serioz e hijerëndë dhe i tërhequr i tëri pas punës, kërkonte qetësi dhe ndodhte t'i tërhiqte vërejtjen ndonjërit që bënte zhurmë. Kush i afrohej t'i kërkonte ndonjë mendim ngrihej nga vendi dhe dilte në holl të bisedonte. Kështu do të ndodhte dhe me mua. Unë, si dhe të të tjerë do t'ia respektonim këtë autodisiplinë profesorit.

Nga takimet e kësaj kohe, do të kujtoja një rast që nuk e kam harruar.

Një rast që skalit do të thosha karakterin e tij burrëror. E ftova njëherë për kafe, me gëzimin që kisha për t'i dhënë një lajm të mirë. Atë kohë, unë po merresha me studimin e historisëstë Rinisë Komuniste Shqiptare dhe m'u desh të hulumtoja në Arkivin Qendror të Shtetit.

Do të kaloja nëpër duar dhjetra dosje , me qindra dokumente të organeve të larta të pushtuesve fashistë, si ato të Mëkëmbësisë mbretërore, qeverisë kuislinge, të shërbimeve sekrete e të policisë.


Të gjitha kishin të bënin me gjurmimin dhe përndjekjen e Lëvizjes antifashiste, të patriotëve shqiptarë, sidomos të komunistëve. Rastësisht më ra në dorë dosja me emrin e Selman Rizës.

Më habiti në fillim për nga vëllimi, pastaj nga pasuria e dokumentacionit që dëshmonte me fakte për përndjekjen sistematike dhe të vazhdueshme që i kidhin bërë fashistët gjatë gjithë pushtimit italian, nga viti 1939-1943.

Dosja hapej me dokumentin e parë, që fliste për pushimin e tij nga puna në vjeshtën e vitit 1939 me motivimin si një nga organizatorët e demonstratës së parë antifashiste të nxënësve të Liceut të Korçës.

Emri i tij vinte pas atij të Enver Hoxhës. Dokumente të tjera flisnin për internimin e tij në Itali në ishullin famëkeq të Ventotenes dhe kështu me radhë, dëshmi pafund për antifashizmin e mikut tim.

Bile, pas kthimit nga internimi (1942) në Shqipëri, dokumentohej refuzimi i ftesës djallëzore të qeverisë kuislinge për t'u kthyer përsëri në arsim. Ai preferoi të punonte si llogaritar në një shoqëri tregtare private në Kavajë, por kurrsesi t'i shërbente shtetit të pushtuesve. Megjithë mend u befasova pa masë.

Të kish një të kaluar të tillë politike, më aq përipeci dhe sakrifica, këtë nuk e dija, aq më tepër që ai asnjëherë në bisedat tona nuk më kish treguar gjë. Dhe në fakt nuk e prisja, duke e njohur tanimë karakterin e tij. Por mbahesha pas shpresës se ai me siguri nuk ishte në dijeni që ekzistonte një dokumentacion aq i pasur në Arkivin e Shtetit për të.

Mbaj mend se para se t'ia hapja bisedën atë ditë në kafe isha në siklet. Një kthim në të kaluarën e tij s'ishte e lehtë, mund dhe të më keqkuptonte, ndaj nuk dija nga ta nisja fjalën.

Por prap s'e zgjata më dhe hyra drejt' e në temë. I thashë se kisha punuar në Arkiv të Shtetit dhe duke hulumtuar për një studim që kisha ndërmarrë për luftën antifashiste, kisha ndeshur në dosjen e tij dhe isha befasuar dhe çuditur. Shtova pastaj se nuk dija asgjë për tërë ato veprimtari që kish zhvilluar dhe pasojat e rënda që kish pasur, të cilat qenë pasqyruar nëpër dokumente autentike.

Ai më dëgjonte me vëmendje të përqëndruar, ndërsa i kishte rënë në fytyrë një hije, më e rëndë se zakonisht, aq sa unë nuk po kuptoja se ç'po ndodhte me të. Një pamje e tillë sikur më tuti dhe ma trembi entusiazmin. Ndjeva të më kapë një lloj zhgënjimi, sepse isha nisur për mirë dhe nuk po më dilte ashtu siç e kisha menduar.

Për këtë u binda kur e mbarova fjalën dhe u përballa me heshtjen e tij, ndërsa ai vështronte nga dritarja, ku dukej sheshi Skënderbej. Dikur dëgjova të thotë me një ton serioz : "I dashur mik, të faleminderit për gjithësa më kallxove. Gjana të kalueme.

Ajo ç'ka due të të them si burri burrit dhe mos ma merr për keq asht kjo: unë i përmbahem fort mendimit se ajo ç'ka ban njeriu për atdhe të vet, lypet me u harrue.

S'ka pse me e përmend. Atdheu asht fryma jote. A flitet për frymën? Mandej, ti e din fort mirë që Arkivi e ka të shkrueme në rregullore që të ndalon me e nxjerrë të fshehtën prej andej e me ia thanë të tjerëve, aq ma tepër të interesuemit që përmendet në dokumente, siç po ban ti me mue."

Unë shtanga. Ai sikur ma refuzoi keqazi atë që i thashë, bile duke ma shprehur si asnjëherë tjetër në gegërishte, që sado epike më tingëllonte, ia rëndoi më shumë theksin qortues. Për një çast, u ndjeva keq, si nxënësi para mësuesit, të një mësuesi të rreptë madje. M'u lidh gjuha.

Ç'mund të thosha dhe heshta sy ulur. Ai e kuptoi dhe mori fjalën rishtazi, po kësaj here me një ton paksa të zbutur: "Mik i dashur, mos ma merr për të keq. Kjo asht çështje parimi që mbahet njeriu. Unë e kuptoj dhe e çmoj fort miqësinë dhe dashurinë tande. Të faleminderës!"

Unë isha aq' i lënduar në sedër sa nuk iu përgjigja menjëherë. Sadoqë e prisja një farë reagimi jo fort entuziast nga ana e tij, prapë nuk e mendoja të ishte kaq i prerë. I thashë vetëm këto fjalë: "S'ka gjë, profesor, s'ka gjë. Ju kuptoj fare mirë" dhe u hodhëm pastaj në një bisedë tjetër, ku unë më shumë do të dëgjoja se sa do të flisja.

Në ditët që erdhën, sigurisht ne do të takoheshim në sallën e Bibliotekës si ngahera. Ai do të tregohej më i përzemërt se zakonisht, kurse unë përpiqesha të mos e tregoja qefmbetjen. Por kjo nuk zgjati shumë dhe miqësia jonë do të vazhdonte si më parë. Do të ishte bile ai që do të më ftonte pas një kohe të pinim kafe.
(Vijon)

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Persekutimi i Selman Rizës, jashtë Kongresit të Drejtshkrimit

Nasho Jorgaqi |06/04/2010

U mblodhën në këtë kongres historik gjuhëtarë, shkrimtarë e publicistë të nderuar nga gjithë Shqipëria, trojet shqiptare dhe diaspora. Vura re atë ditë që mungonte në sallë Selman Riza.

S'do mend që më erdhi shumë keq, megjithëse nuk ishte fare e papritur po të merrje parasysh kriteret e rrepta që u ndoqën në përzgjedhjen e delegatëve. Ishte e qartë se profesorit të nderuar nuk ia kishin harruar atë që kish ndodhur pak vite më parë, kur e kishin qarkulluar në Berat.

Ndëshkimi i gjuhëtarit nga Kosova që mbronte vënien e dialektit tosk si bazë të gjuhës së njësuar shqipe

(Vijon nga numri i kaluar)

Më kujtohet që në ditët kur po bëheshin përgatitjet për Kongresin e Drejtshkrimit, në një bisedë që pata me prof.

Rizën, e pyeta se ç'mendim kish ai për gjuhën e njësuar letrare shqipe. Sipas platformës zyrtare, të njohur tanimë në rrethet shkencore, në bazën e saj qe vënë dialekti tosk. Mendoja se një pyetje e tillë, për një çështje aq delikate që ishte në diskutim e sipër do ta bënte bisedën tonë të vështirë.

Dyshoja se ai nuk do të qe dakord me këtë zgjidhje që po i jepej. Por për çudinë time, ai, pa u menduar gjatë, m'u përgjigj qetazi dhe prerë: "Toskërishtes i takon. Është e vetmja alternativë e arsyetuar shkencërisht, për ta vënë në bazën e gjuhës sonë të përbashkët."

Të them të drejtën, një përgjigje të tillë nuk e prisja, duke u nisur jo vetëm nga paragjykimi se ai ishte geg, por dhe sepse platformën e njësimit të gjuhës e kishin përgatitur disa nga kundërshtarët e tij. Më tej, profesori më tregoi se ai kishte qenë partizan i toskërishtes qysh në vitet 30.

Aso kohe, ai bile kish botuar dhe artikullin "Shqiponja dhe shqipja" në revistën "Përpjekja shqiptare", kushtuar pikërisht këtij problemi jetik të shqipes. "Shqiptari i vërtetë, aq më tepër gjuhëtari, - tha, - nuk duhet kurrsesi të jetë lokalist, kur është puna për një çështje madhore.

Problemi duhet gjykuar racionalisht dhe jo në mënyrë sentimentale. Toskërishtja në krahasim me gegërishten është më e përbashkueme, kurse gegërishtja ende jo, sadoqë dhe ajo ka po aq vlera sa simotra e saj."

Dhe si u menduar një copë herë, më tregoi me buzë në gaz: "Atëherna, kur u botua artikulli pata madje dhe telashe me kolegët gegë, por s'desha t'ia dij. S'është punë sentimenti në këtë mes, po çështje arsyetimi, arsyetimi shkencor.

Më vjen për të qeshur kur kujtoj fjalët e Justin Rotës, i cili më tha: "Ti kosovar, si don me e vu tosknishten në një rang me gegnishten. Më beso, më ke ba me brejt hekra!" E pra, kështu mendoja dhe kështu mendoj dhe sot e tan ditën!"

Më preku profesori atë ditë për gjithë sa më tha. Nuk desha ta besoja, por një njeri me karakter si ai, vetëm kështu mund të fliste. Erdhi pastaj dita kur u thirr Kongresi i Drejtshkrimit. U mblodhën në këtë kongres historik gjuhëtarë, shkrimtarë e publicistë të nderuar nga gjithë Shqipëria, trojet shqiptare dhe diaspora.

Vura re atë ditë që mungonte në sallë Selman Riza. S'do mend që më erdhi shumë keq, megjithëse nuk ishte fare e papritur po të merrje parasysh kriteret e rrepta që u ndoqën në përzgjedhjen e delegatëve.

Ishte e qartë se profesorit të nderuar nuk ia kishin harruar atë që kish ndodhur pak vite më parë, kur e kishin qarkulluar në Berat. Ai e dinte mirë këtë dhe nuk ushqente iluzione. Ndaj e kish pritur i qetë, me heshtjen e tij burrërore, që unë ato ditë do ta konstatoja dhe do ta përjetoja.

Asnjë fjalë në bisedat tona para dhe pas Kongresit, për atë shpërfillje publike që ishte bërë. Asnjë të vetme dhe unë asnjëherë s'do të dilja në atë shteg. Më dukej se ajo që kish ndodhur me të, nuk i bënte nder jo vetëm gjuhëtarëve shqiptarë, por gjithë inteligjencës sonë, ku bëja pjesë dhe unë e miqtë e mi. Por ç'kishim në dorë ne? Ishte koha e partisë shtet dhe profesori e dinte fare mirë këtë.

5 Prof. Riza do të tregohej i përmbajtur dhe i matur në lëvdata, sidomos për punët e kolegëve të fushës së tij. Dhe kur ndodhte kjo, gjë që nuk ndodhte shpesh, ishte i kursyer dhe asnjëherë nuk i lëshohej emocioneve. I vetmi njeri për të cilin ai fliste me entusiazëm dhe dilte nga natyra e tij e zakonshme ishte Kostaq Cipo.

Për të, ai kishte stimë tepër të veçantë, gati e adhuronte, por dhe këtë gjithsesi e shprehte me raste. Cipon e kish pasur profesor, ndofta të parin, të gjuhës shqipe në Liceun e Korçës dhe më vonë qenë kolegë. Kjo e bënte të ndjehej në një farë mënyre nxënës i tij, por padyshim mik i patjetërsueshëm.

E çmonte lart për karakterin, për ndershmërinë dhe modestinë, por mbi të gjitha e cilësonte shëmbëlltyrë të shqiptarisë, shfaqur dhe mëshiruar kjo në përkushtimin dhe devoconin e tij thuajse fetar që kish treguar ndaj gjuhës shqipe.

Ishte nga ata intelektualë që e kish pësuar si vetë ai, duke u internuar nga fashistët në Itali për qendrimin e vendosur atdhetar. Dhe në këtë qëndrim, thoshte, e kish çuar në radhë të parë dashuria për fjalën shqipe.

Me këtë dashuri të shtrenjtëruar, sipas tij, kish hartuar vepra themelore të gjuhësisë shqiptare nga të cilat vlerësonte "Gramatikën e gjuhës shqipe" dhe punën cilësore që kish kryer si kryetar i komisionit për "Fjalorin e gjuhës shqipe" (1954), i pari fjalor i mirëfilltë shpjegues i gjuhës sonë.

Mbaj mend që do ta quante një gjuhëtar artist, pasi tregonte ndjeshmëri emocionale ndaj fjalës dhe kish një stil të vetin në të shkruar. Në një përvjetor jubilar të vdekjes së Cipos, (s'më kujtohet në 20 apo 25 vjetorin) ai shkroi dhe një artikull me këtë rast.

E dërgoi në një nga gazetat e kohës, po ia zvarritën aq shumë sa ai u detyrua pastaj ta botojë në "Revistën pedagogjike", që kaloi pa rënë në sy të publikut të gjerë. Profesorit i mbeti qejfi, aq sa nuk kish dëshirë t'ia kujtoje. Ai zakonisht nuk bashkëpunonte me shtypin, veç atij shkencor, po dhe një herë që u afrua, nuk gjeti mirëkuptimin e duhur.

Raportet e prof. Rizës me prof. Çabejn përbëjnë një kapitull më vete, që nuk më takojnë ndofta mua t'i evokoj.

Së pari, se miku im nuk e kish zakon t'i përfliste në biseda ato, së dyti, se unë nuk i kam njohur nga afër marrëdhëniet e tyre, pasi s'kam punuar me ta dhe së treti, këto raporte janë komplekse dhe i takojnë një sfere shkencore.

Në të vërtetë, siç e kam përshkruar dhe më sipër, vetëm një herë jam ballafaquar me raportet e tyre dhe ajo ngjarje më dha të kuptoj se ata ishin kolegë, por jo miq dhe në fakt këtë do ta tregonte koha. Ashtu si për shumëkënd dhe për mua, ata ishin dhe mbeten personalitete të spikatura të gjuhësisë shqiptare.

Nuk dua të vë në këtë mes shenjë barazimi, sepse secili ka vlerat dhe meritat e veta. S'ka dyshim se ata ishin gjuhëtarë dhe intelektualë të një formati jo të zakonshëm, me kontribute të dalluara, që lanë gjurmë të pashlyera. Duke i përqasur me njëri tjetrin nuk mund të mos vesh re përngjasimet dhe ndryshimet midis tyre.

Ata i takonin një brezi, me dy vjet diferencë nga shoku shoku, vinin nga dy krahina të skajshme të trojeve shqiptare, Çabej nga Gjirokastra, Riza nga Gjakova. I pari rridhte nga një familje qytetare e kamur, i dyti nga një familje e thjeshtë, me prejardhje malësore.

Ishin rritur dhe brumosur në një frymë dhe mjedis atdhetar të përbashkët, po me mentalitete të ndryshme. Çabej me një fëmini e rini pa telashe, Riza, i mbetur jetim, e kaloi këtë moshë në Jetimore.

Të dy qenë të zgjuar, me interesa e synime intelektuale, të vullnetshëm e të zellshëm, punëtorë të palodhur, me shpirt kërkues e ambiciozë. Por më pas, gjatë shkollimit morën formim akademik nga shkolla evropiane të largëta nga njëra tjetra. Njëri do të vinte nga bota gjermanike, tjetri nga ajo frankofone.

Çabej do të formohej në Grac e Vjenë të Austrisë, në qendra me tradita në studimet albanologjike, nxënës i K. Paçit, N. Joklit, kurse Riza do të studionte në Tuluzë të Francës, në një shkollë po aq serioze e me kërkesa të larta shkencore, por që dallonte për nga konceptet dhe metodat e studimit të botës akademike gjermanike. Kështu, Çabej do të merrte një formim etno-gjuhësor serioz, siç do të merrte një formim serioz dhe me themel dhe Riza në fushën e gjuhësisë.

Nga veprat që shkruan, del që i pari do të ishte etnolog, i specializuar në lëmin e gjuhësisë krahasuese indoeuropiane dhe albanologji, sidomos me etnologji, por dhe me probleme të folklorit e të letërsisë, ndërsa i dyti ishte dhe mbeti kryesisht morfolog duke ia kushtuar jetën kryesisht problemeve të mirëfillta të kësaj fushe të gjuhës shqipe. Pra, kish në profilet e tyre gjera të përbashkëta, por dhe diferenca, të cilat do të shfaqeshin në veprimtarinë e tyre shkencore.

Nga ana tjetër, duke i vënë përballë këto dy figura të gjuhësisë shqiptare, nuk mund të mos konstatosh natyrat dhe karakteret e tyre të ndryshme. S'ka dyshim që të dy qenë njerëz me integritet të lartë moral, të drejtë e të ndershëm, studiues të përkushtuar. Por dallonin për nga natyra.

Çabej ishte natyrë e butë, fjalë ëmbël e fjalë pak, përgjithësisht i heshtur, kish ndjesi artistike, kurse Riza vinte natyrë paksa e ashpër, tipik malësor, i hapur e i drejtpërdrejtë, i vëmendshëm për të dëgjuar, por i gatshëm për të kundërshtuar, i prirur nga mendimi ndryshe.

Po këta dy intelektualë, duke punuar në lëmenj të përbashkët apo të përafërt, në të njëjtin mjedis, ku studioheshin dhe ballafaqoheshin probleme shkencore, do të kishin momente afrimi e bashkëpunimi, por për hir të së vërtetës, siç kam dëgjuar nga kolegët e tyre, shumë herë dhe momente kundërshtimi, përplasje mendimesh, polemika.

Nga kjo pikëpamje, Riza ishte gati i papërballueshëm, i paepur, gjithnjë si të thuash në ofensivë, polemizues i rrallë. Të dy qenë këmbëngulës dhe seriozë në mbrojtje të tezave dhe mendimeve të veta dhe në këto raste tregonin nivelin e tyre jo të zakontë, por secili brenda natyrës së tij: Çabej në dukje i qetë, i përmbajtur, pa e ngritur zërin, ndërsa Riza tërë nerv, shpërthyes, me zë të lartë dhe i hapur, pa rezerva. Kam përshtypjen që të dy nuk ishin ziliqarë dhe ambiciozë ndaj njëri tjetrit.

Debatet e tyre zhvilloheshin në një truall shkencor dhe nga pozita shkencore. Jo rrallë këto debate në mes tyre i nxisnin dhe drejtuesit e Institutit, duke u dhënë për oponencë vepra të njëri tjetrit.

Në këto raste Çabej nuk tregohej plotësisht i hapur, i linte mendimet të nënkuptoheshin, ndjehej njëlloj shperfilljeje, kurse Riza ishte aq transparent e i drejtpërdrejtë sa lexohej qartë në mendimet dhe arsyetimet e veta. Është e çuditshme, por e vërtetë, që Çabej, në asnjë nga veprat e tij nuk e citonte ose t'i referohej punimeve shkencore të Rizës.

Me siguri kjo e prekte sedrën e këtij të fundit, por, kur binte fjala për Çabejn, miku im nuk mbaj mend që ta shprehte këtë qejfmbetje. Ai kishte burrëri, nuk e ulte veten në nivelin e pakënaqësive të rëndomta.

Aq më tepër që e dinte që një i tretë në marrëdhëniet e tyre, i hidhte benzinë zjarrit. Nuk e kam dëgjuar qoftë dhe një herë të flasë kundër Çabejt, të merret me jetën e tij personale. Bile më kujtohet, ato ditë kur Çabej ndërroi jetë në Itali dhe e sollën në atdhe, ku i bënë homazhet e merituara, prof.

Riza ishte i pikëlluar dhe do ta cilësonte vdekjen e tij të parakohshme një humbje të pazëvendësueshme për shkencën e kulturën shqiptare. Në kohën kur ata ishin gjallë, por dhe tani kur kthehem pas dhe i kujtoj, nuk ka si të mos ndjej keqardhje që këta dy burra të shquar qenë dhe mbetën deri në fund kolegë të denjë për njëri tjetrin, por nuk arritën kurrë të bëhen miq. E megjithatë kjo është normale dhe si e tillë, njerëzore.
(vijon)

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu



[ Edited Thu Apr 08 2010, 03:37pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Thu Apr 08 2010, 03:43pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Testamenti i panjohur 700 faqësh i Selman Rizës



Nasho Jorgaqi | 07/04/2010

Ndëshkimi i gjuhëtarit nga Kosova të cilin regjimi komunist nuk e nderoi as në ditën e vdekjes

(Vijon nga numri i kaluar)

Ishte fundi i viteve 70, koha e lidhjeve të ngushta në mes Universitetit tonë dhe atij të Prishtinës. Një kohë e paharruar, plot kontakte dhe takime vëllazërore në mes kolegësh që dhe tani më zgjon nostalgji të thellë.

Shkonim e vinim te njëri tjetri si në shtëpinë tonë. Ndjeheshim sikur kishim rigjetur të afërmit e humbur prej kohësh dhe s'dinim si t'i gëzoheshim gjithë kësaj që po ndodhte. Jepnim leksione, mbanim ligjërata, shkëmbenim përvoja e mendime, i dhuronim libra njëri tjetrit. Ishim të përfshirë nga valë të fuqishme patriotizmi dhe afërsie shpirtërore, thua se na kish zbritur nga lartë një fat i lum që nuk u përsërit më kurrë.

Në këtë atmosferë të ndezur që ishte krijuar, sidomos në radhët e intelektualëve do të vija re që profesor Riza qëndronte larg. Të gjithë e dinin se ishte kosovar, nga Gjakova, se kish njerëz të fisit andej, se kushedi sa fije e lidhnin me atë pjesë të Shqipërisë që kish mbetur jashtë. Merret me mend se si mund ta përjetonte një iredentist veteran si ai afrimin që po ndodhte në mes shqiptarëve të dy anëve. Ne pedagogët e Universitetit vinim e shkonim.

Po kështu dhe kolegët kosovarë. Organizoheshin konferenca e takime, po prof. Rizën s'e shihja gjëkundi. Në sallën e Bibliotekës Kombëtare studionin herë pas here me dhjetëra pedagogë e studiues nga Kosova, por rrallë herë do të shikoja profesorin në shoqëri me ta.

As që bëhej fjalë që të shkonte të jepte leksione në Kosovë. Në fillim kjo do të më çudiste, por duke menduar pastaj për rrethanat e jetës së tij, do ta kuptoja fare mirë se përse ndodhte kjo, prandaj dhe në bisedat tona nuk e prekja drejtpërdrejt temën e Kosovës ose do të tregohesha i matur. Do të më tërhiqte vëmendjen fakti që dhe kolegët kosovarë nuk i afroheshin profesorit, i qëndronin larg ose i shmangeshin. Aq më tepër, që dhe ai rrinte në distancë.

E gjithë kjo ndodhte për shkak të së kaluarës së tij. Kolegët kosovarë, si duket kishin porosi të mos takoheshin me një iredentist të njohur si ai, por dhe ai ishte aq realist e dinjitoz sa nuk e bënte veten. Unë padashur do të isha dëshmitar i kësaj situate të çuditshme e delikate.

Por çfarë do të ndodhte? Aty nga fundi i viteve 70, kur po i vinte fundi dasmës së vëllazërimit tonë, dy gjuhëtarë kosovarë të Institutit Albanologjik, emrat e të cilëve fatkeqësisht s'më kujtohen saktë dhe që studionin në sallën e Bibliotekës Kombëtare, më takojnë një ditë dhe më luten t'i siguroja një takim me prof. Rizës. Me sa duket më kishin parë tek rrija e pija kafe me të ose kur takoheshim në sallën shkencore.

Ç'është e vërteta, më erdhi mirë që më kërkonin mua të bëhesha ndërmjetës, por isha i ndërgjegjshëm se një detyrë e tillë shoqërore nuk ishte e thjeshtë. Hynin në këtë mes dhe rrethana politike, që mund ta vështirësonin pozitën e profesorit. Megjithatë, e mora me optimizëm dhe nuk bëra asnjë përpjekje për të marrë ndonjë miratim zyrtar.

Gjithë puna ishte a do të pranonte profesori, ndonëse nuk dyshoja se ai thellë thellë do ta kishte kënaqësi të takohej me vëllezërit e vendlindjes. Por argumenti më i fortë që kisha qe se dy gjuhëtarët kishin ardhur me një mision fisnik: Instituti Albanologjik i Prishtinës kish vendosur të botonte një vëllim me vepra të tij gjuhësore dhe me këtë rast kërkonte lejen e autorit.

Pa humbur kohë, duke përfituar dhe nga raportet tona miqësore, gjeta momentin dhe ia parashtrova dëshirën ose më saktë kërkesën për një takim të dy kolegëve të rinj kosovarë me të. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe për kënaqësinë time e mirëpriti dhe pranoi. Por, pasi më dëgjoi deri në fund, më tha se në këtë rast duhen zbatuar rregullat.

Pra, të merret leje në institucionet përkatëse. Unë buzëqesha dhe i thashë, "S'ka nevojë", ndërsa ai u bë serioz dhe këmbënguli: "Veç në qoftëse e lypin rregullat s'duhen neglizhue." Pastaj shtoi prerazi: "Me kusht që të jesh dhe ti i pranishëm."

I premtova dhe kështu u bë. U takuam në kafen e Pallatit të Kulturës. Mbaj mend që të dy palët qenë të emocionuar, por në qoftë se profesori tregohej i përmbajtur, i fshihte emocionet pas seriozitetit, dy miqt' ishin gati të hutuar dhe m'u desh mua ta kapërcejmë këtë situatë që u krijua.

Më bëri përshtypje që miku im, ndryshe nga zakonisht, ishte veshur me kostum dhe kish marrë një pamje, s'di të them, zyrtare apo festive. Kjo tregonte rëndësinë e veçantë që i jepte takimit me dy sivëllezërit e tij kosovarë.

Nuk pati fjalë hyrëse, veç frazës që shqiptoi njëri nga miqtë: "Ju profesor kini mbjellë i pari farën e albanologjisë në Kosovë." Ai vetëm tundi kokën dhe priti vazhdimin. U kalua drejt' e në temë, por pa mundur dot ta përmbanin gëzimin që ndjenin që ai kish pranuar për t'u takuar. Prapë profesori nuk bëri asnjë koment.

Atëherë njëri prej tyre shpalosi projektin që kish hartuar Instituti Albanologjik i Prishtinës për të botuar një vëllim me veprat e tij të zgjedhura gjuhësore. Ishte fjala për disa nga studimet për çështje kyç të shqipes, siç janë ato për Pronorët, Emrat, Nyjet apo Diftoren e gjuhës sonë. Profesori i dëgjoi i përqëndruar dhe si tha se ndjehej tepër i nderuar dhe u ishte mirënjohës kolegëve të rinj të gjuhësisë kosovare, të cilët nuk i njihte personalisht, e miratoi plotësisht projektin.

Pastaj tha në mënyrë pavetësore se fara e albanologjisë e hedhur në Kosovë, kish qenë e shëndoshë dhe e mbarë, përderisa tani kishin dalë një çetë e tërë gjuhëtarësh vendali dhe kishin arritur të kryenin studime të shqipes me vlera të thukta shkencore. Kjo e gëzonte dhe e bënte optimist. Në këtë rast, ai nuk evokoi ndonjë kujtim të vetin nga Kosova dhe s'iu refrerua fare veprave të tij.

E megjithatë, atmosfera e bisedës sikur u ngroh dhe njëri nga miqt', duke përfituar nga kjo, i propozoi që Instituti ishte gati të botonte dhe ndonjë nga studimet që ai kishte në dorëshkrim. Profesori menjëherë u vrenjt, mori një pamje zyrtare dhe, pa u menduar gjatë, tha: "Jo, unë jam qytetar i Shqipërisë dhe ma parë do t'i botoj në atdheun amë e mandej ju fare mirë mundet me i marrë e me i botue në Prishtinë."

Sigurisht, dy miqve nuk u erdhi mirë dhe u përpoqën të arsyetonin e t'i mbushnin mendjen se në këtë mes nuk kish asgjë të keqe. Por profesori u tregua i vendosur dhe tha: "Kjo nuk është as etike e çka asht ma e rëndësishme as në përshtatje me rregullat që zbatohen këtu."
Pas këtyre fjalëve, miqtë nuk ngulën këmbë më tej dhe me kaq si duket i kishte ardhur fundi takimit. Ata u ndanë pastaj përzemërsisht dhe unë u ndjeva i shkarkuar nga barra që kisha marrë përsipër.

Kolegët kosovarë e mbajtën fjalën. Nuk kaloi shumë kohë dhe Instituti Albanologjik i botoi studimet e tij të zgjedhura në një vëllim voluminoz nën titullin "Studime albanistike" (1979). Libri ishte përgatitur nga gjuhëtarët e Prishtinës F. Agani, B. Bokshi dhe R. Ismajli.

Një ditë profesori, tek studionim në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, më ftoi te tavolina e tij dhe me një gëzim që ia shprehnin sytë dhe zëri, nxori nga çanta librin e botuar që ia kishin dërguar nga Prishtina përgatitësit, nëpërmjet Dritëro Agollit. "Ma kanë bërë shumë qejfin, - tha. - U lumtë!"

- 7 -

Ne do të shiheshim gati çdo ditë, tek punonim në të njëjtën sallë të Bibliotekës. Ai edhe pse kish dalë në pension nuk e kish ndërprerë kurrsesi punën studimore. Si gjithnjë vinte dhe largohej nga Biblioteka në të njëjtin orar, ulej gjithnjë në një nga tavolinat e radhëve të para, punonte ngultas, krejt i përqëndruar duke shkruar zakonisht në disa fletore të trasha, herë me stilolaps, herë me laps, evitonte bisedat në tavolinë dhe po kaq i rregullt ishte dhe në shetitjet e tij.

Shëtiste në intervalet e punës nëpër hollin e Pallatit, po pasdrekeve e shikoje të shëtiste përgjatë trotuareve, nga sheshi Skënderbej deri te sheshi para Universitetit. Si zakonisht, ai shetiste vetëm, më hapin e tij karakteristik, i tërhequr në mendimet e veta, duke iu përgjigjur me mirësjellje përshëndetjeve të të tjerëve.

Qëllonte, jo rrallë, që të ulesha në një tavoline të sallës në krah ose pas tij. Do të shkëmbenim përshëndetje në heshtje dhe vetëm kaq. Nuk e trazonim asnjëherë njëri-tjetrin kur ishim duke studiuar. Unë ia dija këtë zakon dhe bisedat do t'i bënim duke dalë në holl ose ngjiteshim në kafe.

Ai do të më pyeste për punën që kryeja, por jo aq për krijimtarinë, se sa për studimet letrare duke shkëmbyer mendime, sidomos për çështje të përafërta me fushën e gjuhësisë.
Nga bisedat që bënim, do të mernja vesh se gjatë kohës që kish dalë në pension, ai sikur ishte tërhequr nga studimet e mirëfillta gjuhësore, sidomos nga fusha e morfologjisë së shqipes.

Vitet e fundit, profesori i qe kushtuar një fushe tjetër, që kur ma tha nuk më kish shkuar fare mendja. Ishte fjala për një sferë jo vetëm të pa trajtuar, por dhe krejt të panjohur në studimet tona. Më tregoi se po merrej me filozofinë e gjuhës.

Menjëherë më shkoi mendja te telashi i madh që kish pësuar vite të shkuara dhe mbaj mend që reagova duke i thënë: "Fushë shumë delikate kjo, profesor." Ai ma priti: "Tash jam i lirë, në pension, s'kam asnjë detyrim. Shkruaj çka më diktojnë interesat e mia intelektuale."

Nuk e ngava më tutje. Tek e fundit ishte puna e tij. Për më tepër, e kish marrë me dëshirë e aq përkushtim dhe ç'është më e rëndësishme e mbante si të fshehtë, sa unë nuk do të guxoja asnjëherë ta pyesja.

Vetëm njëherë më la të kuptoja se ajo ç'po shkruante do të ishte një vepër e postume, që do të botohej një ditë kur ai do të kishte ikur.
Dhe kështu ndodhi vërtetë. Kjo vepër, ndofta e fundit, u botua pasi ai kish ndërruar jetë, në vitet e demokracisë që ai s'e arriti dot dhe u botua sëpari në Kosovë. Dhe botimi atje nuk ishte pakuptim.

Atje ku kish parë së pari dritën e diellit, atje do ta shihte dritën e botimit edhe vepra e tij testament. Një vepër voluminoze, afro 700 faqe, me një titull domethënës "Mendime të shkëputura të një vazhde të vetme."

Janë mendime e meditime për jetën e për vdekjen, për filozofinë e moralin, për shkencën e politikën, sigurisht dhe për gjuhën, një enciklopedi meditative, fryt i përvojës së gjatë e të vështirë, i kulturës dhe intresave të gjera, i forcës së mendimit dhe vështrimit të tij kritik, por dhe i botës së tij të pasur shpirtërore dhe i përjetimeve ekzistenciale njerëzore.

Të gjitha këto, të dhëna në mënyrë të koncentruar, në trajtë aforizmash, por dhe mikroshqyrtimesh, paragrafesh të gjata ose të shkurtra, me një gjuhë lakonike dhe me prirje përgjithësuese. Për fat të keq, kjo vepër nuk njihet nga lexuesi i Shqipërisë dhe as është bërë deri më sot objekt studimi dhe vlerësimi nga kritika shkencore.

- 8 -

Prof. Riza iku në një kohë kur s'duhet të kish ikur: në prag të ardhjes së demokracisë në Shqipëri dhe disa vjet përpara çlirimit të Kosovës. Dy ngjarje këto të mëdha, ëndrra të jetës së tij , të një jete përkushtuar aspiratës gjithë kombëtare për një Shqipëri të lirë e demokratike, brenda kufijve të saj natyralë.

Një aspiratë e tillë, ndonëse e pashprehur hapur për afro dyzetë vjet, do ta bënte personalitetin e tij disi enigmatik, të dallueshëm në mesin e intelektualëve të brezit të vet dhe kjo do të dukej dhe në përcjelljen e tij të fundit.

Një përcjellje e nderuar dhe e merituar që evidentoi në një farë mënyre diferencën në mes opinionit të gjerë popullor dhe atij zyrtar, duke krijuar dashur pa dashur, ditën e varrimit një situatë që nuk kaloi pa u vënë re. Ishte çasti kur arkivolin e kishin ulur para varrit të hapur dhe gjindja e mbledhur priste të mbahej fjala e rastit. Pritej fjala zyrtare.

I ndjeri kish qenë për vite me radhë punonjës shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, një nga personalitetet e albanologjisë shqiptare. Padyshim i takonte nderimi institucional. Por drejtuesit e tij të politizuar nuk e kishin parë të arsyeshme ta kryenin këtë detyrë, qoftë edhe formalisht.

U krijua atë çast, ndërsa prisnim të gjithë, një heshtje e nderë dhe vështrimet e njerëzve u kryqëzuan. Përballë dallova në krah të të birit të të ndjerit, Eminit, prof. Aleks Budën, kryetarin e Akademisë së Shkencave, i cili i shqetësuar lëvizte kokën sa djathtas majtas.

Dikur u kuptua se s'kish ardhur asnjë folës zyrtar. Atëherë e mori fjalën prof. Aleksi, një fjalë kjo e improvizuar në moment, por që shprehte dhimbshëm dhe në mënyrë lakonike me tonin e tij karakteristik vlerat njerëzore, atdhetare dhe intelektuale të Selman Rizëz. Sapo ai mbaroi, u dëgjua një zë i thekshëm burri: "Nuk varroset kështu Selman Riza!" Ishte Dr. Behxhet Reso, një nga miqtë e vjetër e të pandarë të të ndjerit.

Foli edhe ai duke e ngritur lartë figurën e tij, por me një duf të papërmbajtur, si reagim ndaj heshtjes zyrtare. Turma sikur mori frymë lirisht dhe pastaj arkivolin e të ndjerit e zbritën në varrin e hapur për ta mbuluar në fund me kurora e buqeta lulesh.

Ndërsa morëm për të ikur, një mik i përbashkët i imi dhe i profesorit të ndjerë, më vuri krahun e më tha: "Selmanit të shkretë nuk iu ndanë telashet deri ditën e fundit të jetës."

E pastaj, kur zumë vend në autobus, shtoi: "E çuditshme, si ngjizet fati i njeriut: Selmani i mbetur jetim, ishte 13 vjeç kur erdhi në këmbë nga Gjakova në Tiranë për ta mbyllur jetën këtu!"
Nga prof. Riza, veç kujtimeve të paharruara që ruaj, kam dhe një libër të dhuruar nga ai. Është libri i tij i parë "Tri monografina albanologjike. Abeceja.

Drejtshkrimi. Çështje gjuhësore." Ma solli një ditë në Bibliotekë. Nuk e prisja, ndaj dhe më preku ky akt i tij miqësor. Së pari se ishte një koeçidencë e bukur. Ishte tamam ai libër që ma bëri të njohur për herë të parë emrin e tij, në adoleshencën time të hershme.

Dhe së dyti, po më i rëndësishëm, qe dedikimi: "Shokut Nasho, në kujtim të miqësisë sonë burrnore, me dashuri e respekt, Selman Riza." "Shumë të faleminderit", i thashë pasi lexova fjalët e shkruara dhe i emocionuar e rroka në qafë si të rrokja tim at, që ai s'di sepse ma kujtoi atë çast me përzemërsinë e tij jo të zakonshme.
(Fund)

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.4428 sec, 0.0768 of that for queries. DB queries: 38. Memory Usage: 3,224kB