Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Fri May 08 2009, 07:23am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Nikollë Dakaj, personaliteti i shquar i letrave shqipe
Nga Perikli Jorgoni
-Udhëtim në veprën letrare e studimore të Prof. Nikollë Dakajt. Ndihmesa e çmuar e N. Dakajt përfshin lamije të ndryshme të dijes e të artit të fjalës. Ai gjatë jetës u shqua edhe si poet i mirëfilltë, dhe si estet, dhe si historian dhe mbledhës folklori, dhe si gjuhëtar e dramaturg. Ai botoi në shtypin e kohës me pseudonime të ndryshme, më të shumtën e herëve Basho Jona, por edhe Melibeu, NI, N.D. etj

Norbert Jokli rendiste Nikollën, aso kohe 21 vjeç, në krye të shkrimtarëve dhe përkthyesve

I shquar në radhët e intelektualëve, poetëve dhe studiuesve të viteve ’40: Guljelm Dedës, Gaspër Palit, Arshi Pipës, Kolë Ashtës, Pashko Gjeçit e mjaft krijuesve të tjerë nga të katër anët e vendit, Nikollë Dakaj, hynte në panteonin poetik shqiptar e po dallohej si djalë me energji e me formim intelektual e dituror. Ai hynte në botën e letrave shqipe e të diturisë si nxënës i Gjergj Fishtës në bankat e liceut “Ilirikum” dhe pasi kishte kryer dy vjet studime në Universitetin Antonianum të Romës me rezultate mjaft të mira. Atje thelloi më tepër njohuritë për filozofinë e letërsinë botërore, për veprat e letërsisë antike greko–romake dhe të letërsisë italiane e franceze, klasike e moderne.

Djaloshi universitar nga Hoti i ndërpreu studimet e larta aq fort të dëshiruara, për t’iu përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Arsimit, për të ndihmuar arsimin në gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare. Ai nuk iu bind këmbënguljes së dekanatit, për të mos ikur në Shqipëri dhe, pse donin ta mbanin, pas mbarimit të shkollës me një detyrë të rëndësishme. Martin Camaj tregon se Ernest Koliqi si Ministër i Arsimit, më 1941–1942 dërgoi në Kosovë nga Shqipëria përmbi 200 mësues shqiptarë, ndër ta dhe plot kosovarë që pas mbarimit të luftës vunë themelet e arsimit e të gjuhës shqipe në këto treva.

I biri i profesorit, Antoni e kujton me përmallim një letër të çuditshme, prej dyfletësh, tip kartoline, nënshkruar nga Lazgush Poradeci. Ajo niste me fjalën abstrakte e të pakuptueshme për mendjen e një fëmije, “Shkëlqesi”. Nga tërë ato fjalë të shkruara me një shkrim të bukur dhe elegant, Antonit i mbeti në mendje vetëm fjala “Shkëlqesi” dhe mbiemri Poradeci (dhe jo Pogradeci):

Të gjitha fjalët e tjera i kam harruar, por këtë fjalë që s’e kisha dëgjuar asnjëherë më parë, dhe aq më tepër që i drejtohej tim eti, nuk e harrova kurrë. E pyeta babain çdo të thotë kjo fjala “Shkëlqesi”. Ai më tha se kështu u thuhet njerëzve të mëdhenj, mbretërve dhe princave! Unë e pyeta përsëri, pse kaq i madh je ti, o babai im?!

Antonit i vjen keq për humbjen e kësaj letre të rrallë, ashtu si i vjen keq për humbjen e kryeveprës “Lahuta e Malcis” të nënshkruar me stilograf dhe të dhuruar nga Fishta. Por për fat të mirë, u gjet letra e Prof. Dr. Norbert Joklit dërguar Karl Gurakuqit. Ajo e rendiste Nikollën, aso kohe 21 vjeç, në krye të shkrimtarëve dhe përkthyesve. Jokli vinte në dukje aftësinë e rrallë në përkthimin e letërsisë antike greko – latine, përdorimin me zhdërvjelltësi të masave më të ndryshme metrike, bukurinë dhe gjallërinë e gjuhës shqipe, me të cilën përkthyesi Nikollë Dakaj na i jep në shqip poetët e mjeshtrit e mëdhenj.

Dallgët e trazuara të ngjarjeve që erdhën në fund të atij viti, që duhej të ishte viti i rilindjes së jetës dhe për fatin tonë të zi, për shqiptarët, sollën vendosjen e një shteti autokrat, shtet i cili persekutoi, dënoi me burgime e internime të gjithë ata njerëz të shquar e mendjendritur, që nuk i nënshtroheshin ligjeve të vendosura me gjak e dhunë. Nikolla u fut nëpër burgje, u persekutua dhe hoqi së bashku me familjen dhe fisin e vet mundime të njëpasnjëshme. Nëpër këto vuajtje, rravgime, burgime e internime, Nikollës i humbën e iu dogjën mjaft nga dorëshkrimet e pabotuara dhe korrespodencat me figurat më të shquara të kohës.

Autorë të mëdhenj botërorë të letërsisë antike greko-latine e asaj italiane që nga Homeri, Virgjili, Horaci, Tibuli, Katuli, Dante, Petrarka, Leopardi, Karduçi e Manzoni, në përkthimin mjeshtëror të Nikollë Dakajt kanë ardhur në shqip me forcë shprehëse, me një gjuhë të pastër e të gjallë e me atë tingullin akustik që kanë në origjinal, u është ruajtur forma, struktura e vargut, rima dhe figuracioni i pasur, intonacioni i brendshëm dhe ngarkesa emocionale.

Përmes këtyre përkthimeve mjeshtërore, Nikollë Dakaj na shfaqet si përkthyesi i parë me format të madh i poezisë botërore, një mjeshtër që do ta kishin zili breza të tërë përkthyesish dhe autorësh të talentuar, që i erdhën letërsisë shqipe herë pas here në mënyrë të pashtershme.

Pushimi nga puna, djegia e shtëpisë dhe veprave

Ndoshta madhështia e cilësia e lartë artistike e këtyre poezive nga më të bukurat e më të vështirat për t’u përkthyer, e nxiti dhe Lazgushin, që zakonisht ishte mjaft i përmbajtur e tepër i stërholluar në shijen artistike, të lëshojë në dallgën e dehjes e të ngazëllimit shpirtëror e estetik ato fjalë aq të çuditshme, “Shkëlqesi!”

Por ndihmesa e çmuar e Nikollë Dakajt përfshin lamije të ndryshme të dijes e të artit të fjalës. Ai gjatë jetës u shqua edhe si poet i mirëfilltë, dhe si estet, dhe si historian dhe mbledhës folklori, dhe si gjuhëtar e dramaturg.

Ai botoi në shtypin e kohës me pseudonime të ndryshme, më të shumtën e herëve Basho Jona, por edhe Melibeu, NI, N.D. etj. Në veprën e tij letrare, shkrime kritike sidomos për poezinë, debatoi me autorë të shquar të letrave shqipe dhe dha mendime me vlerë për letërsinë tonë dhe atë botërore.

Drama që përfshiu tërë Europën Lindore dhe Ballkanin, solli ndryshime të thella politike, vendosi me dhunë pushtetin e një shteti totalitar dhe një çensurë të egër, gjuetinë e shtrigave, përndjekjen e vazhdueshme dhe të përbindshme të njerëzve me shpirt të lirë dhe të inteligjencës krijuese, që nuk i nënshtrohej diktaturës dhe kërkesave zyrtare për një art dhe filozofi të përcaktuar nga kanunet e realizmit socialist e nga parimet e ideologjisë të shtetit autokrat. Ato u ndien edhe në familjen e profesorit erudit Nikollë Dakaj e të fisit të tij.

Ai u pushua nga puna si profesor gjimnazi, u burgos dy herë dhe për fat të keq iu dogj edhe shtëpia, aty ku sot është “Klubi Vllaznia” në Shkodër. Iu dogjën e i humbën gjatë rravgimeve të endjeve të detyruara nga policia sekrete shumë dorëshkrime të çmuara.

Siç shprehet përkthyesi i shquar i Iliadës së Homerit, Prof. Gjon Shllaku në intervistën Dy fjalë për prof. Nikollë Dakajn, N.Dakaj ishte autor mjaft i kërkuar nga shtëpitë botuese më me zë në Shqipëri, edhe pse në fillimet e tij të vrullshme e mjaft shpresëdhënëse nuk ishte më tepër se 22 vjeç.

Profesor Gjon Shllaku thekson se: Kisha kënaqësi të rrija me të me orë të tëra, të dëgjoja bisedën e tij të qetë e të rrjedhshme me nji za depërtues, që më kujtonte rapsodët e Eposit të Mujit e të Halilit.

Mahnitesha për njohuritë që kishte për autorët klasikë grekë e latinë, për kujtesën e kthjellët të vargjeve të plota të Iliadës, të Safos etj, në origjialin grek ; të Horacit, Ovidit, Virgjilit, Katulit etj., në origjinalin latin. Por e admiroja ma tepër për skandimin e ekzametrave, pentametrave, anapestave, të vargjeve jambike etj, etj, që i interpretonte me harmoni dhe muzikalitet, që edhe një që s’e njihte gjuhën mund të emocionohej tue imagjinue akte heroizmi, vepra fisnike, apo shfaqje erotike të pastër. Në nji vend tjetër të lirë ai burrë intelektual do të kishte ndrit e do të ishte nderue, dhe do të kishte lanë vepra të rëndësishme. Por me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve, me gjithë djegien e banesës, ku ma vonë u ba “Klubi Vllaznia” dhe me kushtet e vështira mbas lirimit, prapëseprapë ka lanë punime me vlera, me të cilat do të mbetet modelisti “par excellence” i autorëve të mëdhenj klasikë”

Shkodër, më 24 mars 1999 Prof. Gjon Shllaku

Veprat postume

Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e bollshme e shumëplanëshe të profesor N.Dakaj ze dhe publiçistika e artikujt kritikë, polemikat, esetë dhe reçencat për vepra të ndryshme të letërsisë shqipe dhe botërore. Në këto shkrime bie në sy erudicioni, njohja e thellë dhe e gjithanshme e problemeve që merr përsipër t’i shtjellojë apo t’u kundërvihet me guxim e aftësi profesionale.

Prof. Nikollë Dakaj mundi që në fillimet e veta ta përvijojë staturën, të skalisë portretin e një njeriu me synime fisnike, e një njeriu që do t’i kushtohej çështjes kombëtare e letërsisë sonë e asaj botërore me gjithë vrullin e shpirtit e zjarrin e pasionit që i përndizej nëpër rrembat e gjakut deri në momentet e fundit të jetës.

Deri në çastet më të fundit të një jetese të vështirë, të mundimshme e heroike, Nikollë Dakaj mbeti nën pushtetin e magjisë së fjalës së bukur arbërore e në shtjellat e fuqishme të veprave krijuese e studimore, të cilave u kushtoi të gjitha çastet më fatlume e të mundimshme të jetës. Në veprat e lëna postume, të mbetura të panjohura për shkak të përndjekjeve politike barbare e mospranimit për t’u futur në vathën e shkrimtarëve dhe studiuesve oborrtarë, puthadorë të pushtetit e të diktaturës më tinëzare e të përbindshme që ka provuar ndonjëherë njerëzimi, gjejmë gjurmët e punës edhe në vitet më të rënda të jetës së tij.

Shpirti kryengritës dhe liridashës i Nikollës nuk u thye as nga varfëria e as nga përndjekjet e burgimet e njëpasnjëshme. Ai mbeti i dashuruar çmendurisht pas të bukurës dhe pas dijes njerëzore.

Në vrullin e pasionit e të krijimit u shkrua dhe libreti (Idil baritor në tre akte)

“Sokoli e Mirja” më 1953, dhe poema fshikulluese ndaj veprimeve të Kongresit të Drejtshkrimit “Koineja” më 1972, melodramma “Troje heronjsh”, poema madhore epike që mbeti në fillesën e saj dhe studimi për fisin e Hotit.

Në mes të krijimeve të Nikollë Dakajt, shquhet mbi të gjitha poezitë, poemat e libretet operistike, poema aq e frymëzuar kushtuar Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe; kongres që e hidhëroi së tepërmi zemrën fisnike e trime të Nikollës sepse ky tubim kombëtar i gjuhëtarëve e lëvrimtarëve të shqipes, gjuhës më të lashtë e më të veçantë të Europës e të Ballkanit u bë me dekrete qeveritare. Në të u vendosën normat e njësimit të gjuhës, por ky njësim nuk ndoqi udhën e vet të natyrshme e të lirë; por iu nënshtrua përdhunimit dhe diktatit të vrazhdë e tiranik të pushtetarëve autokratë e kokëgdhë, që s’njihnin asnjë lloj ligjësie e rrjedhën e natyrshme të zhvillimit të gjuhës e të dialekteve. Poema “Koineja e gjuhës shqipe”, është shkruar me një frymë, me ngrohtësi e çiltërsi, me vrulle të brendshme, me dashuri e nderim për gjuhën tonë arbërore, një gjuhë hyjnore, që e flasin vetë perënditë, siç shprehej Naimi i madh, apostulli i shqiptarizmës dhe farkëtonjësi i gjuhës letrare moderne shqipe:

Nuk ecën para gjuha me ligje e dekrete,

as me vendime gjuhëtarësh gjysmakë,

që vetë të zbehtë fjalën e kanë të pakë

e s’u shkon as proza, as vargu nuk u vete.


Mjeshtria e fjalës, zotësi më vete,

thithet në vogëli nga gjyshja plakë,

merr turr e rritet, digjet zjarr e flakë

e n’gojë të poetit buron si mjaltë blete.

Poeti lule më lule porsi bleta

fjalët qëmton e shprehjet e vetvetishme,

që nëpër popull tingëllojnë ma bukur

e thur me to kangët e madhërishme

përmbi atdhenë e anët që ka jeta

me një gjuhë flakë, që fluturon si flutur.


U detyrua të punojë disa vite në fshat, për të ndihmuar prindërit, të cilët i gjeti në gjendje të mjeruar dhe pastaj u kthye në Shkodër, ku mundi të gjejë një dhomë të ndarë me të tjerë banorë, u rimartua dhe filloi punën si punëtor krahu.

Por gjallëria e shpirtit nuk i humbi, buzëqeshja dhe humori nuk iu shuan nga buzët, dëshira për t’u marrë me hulumtime shkencore e me letërsi i rrëmbente të gjithë pjesën tjetër të kohës. Për këto vite të zymta të jetës më kanë folur miqtë e tij shkrimtarë e artistë shkodranë, që e kanë njohur e i kanë ndenjur afër.

Ndër ta dhe profesori i paharruar Jup Kastrati, me të cilin kam patur letërkëmbim e miqësi, por dhe shkrimtari Nikollë Spathari etj.

Në kujtimet e veta përkthyesi dhe eruditi i njohur Gjon Shllaku, i vëllai i regjizorit dhe aktorit të shquar Lec Shllaku, me të cilin Nikolla ka qënë shok, thotë: Nikolla asnjëherë nuk të jepte as ma të voglën shenjë mërzitie, por si stoik i pamposhtun përballonte vuajtjet dhe lodhjet ma sfilitëse në fabrikën e tullave me krenari edhe ndershmëri.

Vepra, vlerë e ndihmesë jo e zakonshme në thesarin e kulturës sonë

N.Dakaj është një personalitet polihedrik. Ai ishte pedagog, poet, përkthyes i shquar, historian, etnograf, folklorist, kritik letrar e publicist. Në të gjitha këto fusha të artit të fjalës e të dijes njerëzore, dha ndihmesën e vet, ndërsa në përkthimin e poezisë botërore, të poetëve të mëdhenj të letërsisë antike greko – romake e të poezisë italiane, klasike e moderne arriti nivele të larta, sa edhe pas

afërsisht një shekulli nga përkthimet e para, autorët e mëdhenj që iu dha trajtën e

strukturën e gjuhës sonë, tingëllojnë të freskët e me gjallëri.

At Zef Pllumbi, autori i veprës ”Rrno vetëm për me tregue”, më rrëfen i biri i Nikollës, i ka thënë se At Gjergj Fishta, pasi kishte lexuar poezinë “5 Maj” të A. Manzonit të përkthyer nga nxënësi i tij i apasionuar pas arteve të bukura e pas dijes, në mencë gjatë marrjes së mëngjezit i është drejtuar para të gjithëve i entuziazmuar: “O Nikollë, ma ke kalue!”

Bardi i Veriut e kishte fjalën për përkthimin e odes “5 Maj”, të cilën e kishte përkthyer e botuar edhe vetë.

Emri i N.Dakajt nisi të duket e të tërheqë vëmendjen nëpër faqet e shtypit të kohës, kryesisht nëpër faqet e revistave “Shkëndia”, “Hylli i Dritës”, “Leka “, “Jeta Kristjane”, “Aurora Consurgen”, “Balli i Rinisë”, “Tomorri i Vogël”etj. duke nënshkruar shpesh me pseudonime, sepse kishte raste që kishte më shumë se dy shkrime në një numër.

Në veprën që i paraqitet lexonjësit, nuk janë përfshirë shkrimet që i janë bërë shkrumb e hi, kur iu dogj shtëpia apo humbën udhëve të mundimeve, nëpër kthinat e ftohta të qelive të burgjeve të hetuesisë a në bimca kasollesh e ahurësh.

Në këtë pjesë të rëndësishme të krijimtarisë letrare e shkencore përfshiheshin veprat në fazën e pjekurisë së plotë, dhe përveç atyre kënga e parë, që mund të ishte dhe libër më vete, e epopesë “Lahuta Shqiptare” prej 24 këngësh si eposet homerike, e cila na jepte një pasqyrë poetike, psikologjike e filozofike të të gjithë historisë së botës shqiptare, që nga Iliria e lashtë e deri në kohët e sotme, e cila tani për tani ngjason e humbur.

Duke gjykuar për atë që është botuar e shkruar më parë dhe asaj që mundi të shpëtojë, kemi mendimin se krijimtaria artistike e shkencore e Nikollë Dakaj meriton të studiohet e të lexohet, sepse përbën një vlerë e ndihmesë jo të zakonshme e rutinore në thesarin e kulturës sonë. Nderim e vëmendje meritojnë jo vetëm përkthimet nga Homeri, Virgjili, Horaci, Katuli, Fedri, Dante, Petrarka, Manzoni, Karduçi e Leopardi, në të cilat spikat talenti i përkthyesit, por edhe poezi të veçanta, artikuj kritikë, publiçistikë dhe vepra studimore historike për lashtësinë e fisit të Hotit.

“Në dekë të At Gjergj Fishtës”

Në poezinë e shkruar për vdekjen e poetit At Gjergj Fishta e të botuar në faqet e revistës “Shkëndia” në vitin 1941, në numrin e prillit, në faqet 46 - 48 të nënshkruar me pseudonimin BA–JO (Basho Jona), poezia e Nikollës brof në një trajektore ngjitjeje të dukshme. Kjo poezi është një elegji e shkruar me nerv e përjetim, me elegancë e vështrim filozofik. Lënda është e begatë, e ngjeshur, e mbrujtur me dashuri e finesë. Ajo ka frymën epiko-lirike të Eposit të Kreshnikëve, por me një tingull më bashkëkohor, është më afër shqetësimeve të kohës e të botës së sotme shqiptare. Poeti me virtuozitet e fuqi shprehëse na e skalit të gjallë para syve portretizimin e Fishtës. Ai na pasqyron përmes sintezës dhe përfytyrimeve të larmishme portretin dhe botën shpirtërore të bardit të madh të Veriut:

Por, pse, moj zemër, hovin pa nevojë

Larg m’e marrun po don përmaje reve?

Retë veçse shi dikojn’ e borë të shumtën

Kur tjetër na nuk meritojmë. Lahutën

Çile nji herë, e hapin theke’ i hera

Ndër bjeshkë të nalta mriz ku zanat ngrehin:

Nji za njaty ke me veshtrue të ambël

E t’ri gjithmonë, që ligjëron si shpatë;

Ai vllazën do t’i mbajë shqiptar’t gjithmotin,

- Sa Osja bashkë e Marash Ucit t’kndohen -

Gjithmon Atmes do t’i rrijë parzmore,

Gjithmotin FISHTËN gjallë e ruen ndër ne,

Valët e Drinit sa t’dynden rrotullore.

(Në dekë të At Gjergj Fishtës)


Poezia më e arrirë e Nikollë Dakajt është konkrete, e çiltër, e çliruar nga euforizmi e figuracioni klasikegjiant, me huazime nga mitologjia greko-romake. Të frymëzuara, të ngrohta e jetësore janë dhe vjershat “Motërzo”, “Kanga e Dedë Gjo Lulit”, “Kanga e Norës”, “Dy xixëllonjat”, e ndonjë tjetër. Poezia për Dedë Gjo Lulin ka ritmikë të gjallë, frymë burrërore dhe epike, ndërsa poezia ”Dy xixëllonjat” ka tone të buta lirike, një lloj fluiditeti e joshje drejt të panjohurës, drejt një dashurie që të thërret gjithnjë pranë saj.

Ndihmesa në kritikën letrare

Një çështje tjetër që duhet trajtuar, kur bëhet fjalë për veprën e N.Dakajt, është dhe ndihmesa në kritikën letrare, në studimet historike e në publiçistikë. Pa këtë trajtesë figura e personalitetit të tij të spikatur, do të dilte e mangët.

Duke gjykuar nga arritjet e këtyre zhanreve letrare e diturore, në kohën që Nikolla bënte përpjekje, për të dhënë ndihmesën e vet, kemi mendimin se dhe në këto zhanre të letërsisë, të publiçistikës e të studimeve historike, autori i këtyre artikujve, të botuara në shtypin e kohës dhe të studimit të pabotuar të plotë deri më sot, mbi lashtësinë e fisit të Hotit, paraqet interes nga këndi i vështrimit, nga aftësia për të zbuluar dukuri të qënësishme e thelbësore, nga erudizioni i gjerë e forca e analizës dhe sintezës; nga fakti se nuk përqëndrohet vetëm në veprën e një poeti, por e sheh dhe e gjykon atë në harmoni dhe në ballafaqim me veprat e autorëve të tjerë, për të nxjerrë ato veçanti estetike e filozofike që e dallojnë aksh vepër apo aksh autor nga aksh vepër e aksh autor tjetër.

Nga hetimi e studimi i artikujve kritikë që mundi të botojë bien në sy artikujt kritikë të shkruar për veprën e Fishtës ”Nji titull i merituem” (Tomorri i Vogël, Nr.1, fq.6, 1 Kallnuer 1943); “Nji botim i ri” (Shkëndia, Nr.10, fq.45-46, gusht 1943). (Mendime për veprën e Gjergj Komninos me titullin “Naim Frashëri – Poeti – Njeri”) etj.

Në këta artikuj kritikë trajtohen me vështrimin e mprehtë të një studiuesi dhe esteti çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me poezinë, me kriteret e gjykimit dhe vlerësimit të veprave letrare, mbi përcaktimin e vlerave të autorëve dhe zbulimin e veçantive estetike, mbi kërkesat dhe detyrat e përkthimit të një vepre letrare dhe mbi lëvrimin e një gjuhe më të mesme për dy krahinat kryesore të vendit, duke kritikuar mendimet e pasakta të Mark Harapit në polemikën me Prof. Kolë Ashtën; mbi gjykimin e tragjedisë “Naim Frashëri” të Gjergj Komninos, për mangësitë dhe të metat e mëdha të kësaj vepre dramatike në vargje, e cila nuk arrin të realizojë kërkesat kryesore estetike e ideare për një vepër që vihet në skenë. Asaj i mungon dramaciteti, boshti filozofik dhe thellësia psikologjike.

Përgjithësisht në të gjithë këta artikuj mendimi kritik dhe estetik, vërejtjet e sugjerimet e kritikut N.Dakaj janë të drejta dhe i përmbahen ligjësive estetike universale. Kritiku ynë është me shije të hollë, di të përzgjedhë e të bëjë përcaktimin e vlerave letrare, të vejë në dukje veçantitë estetike e ideore të veprave e të autorëve që merr në shqyrtim, duke i studiuar ato jo si vepra e dukuri të ngujuara brenda lëkurës së një autori, por duke i gjykuar e analizuar lidhur me të gjithë historinë dhe letërsinë e vendit e me kriteret universale ideore dhe estetike të vlerësimit.

Në rastin e artikujve kushtuar Fishtës, N.Dakaj ve në dukje fuqinë lirike të veprës së Fishtës, të cilin autori e quan poetin lirik më të madh të poezisë sonë.

Lirizmi i Fishtës – thekson autori – shfaqet në forma të ndryshme. Atë e gjen në pjesë të veçanta dhe tek poema “Lahuta e Malcis”, duke zbutur ashpërsinë e tonet burrërore që zotërojnë në këtë poemë epike dhe heroike, por dhe në veprën “Mrizi i zanave” lirizmi merr ngjyrime për të ngritur lart çështjet kombëtare dhe problemet e mprehta dhe të ndërlikuara, që shqetësonin lëvizjen patriotike dhe luftën e popullit tonë për çlirim nga zgjedha shekullore e Turqisë, ndërsa në përmbledhjen poetike “Vallja e Parrizit” autori i saj merret me shtjellimin e çështjeve fetare, me Trinitetin e Shenjtë duke i ngritur një himn të madhërishëm e të zjarrtë Jezus Krishtit.

Vepra letrare dhe shkencore e N.Dakajt është një vepër që e pasuron fondin e letërsisë sonë me arritjet e veta kulmore. Ajo është vepra e një njeriu mëndjethellë e zemërgjërë, e një luftëtari të vendosur deri në frymën e fundit të jetës për ngadhnjimin e dritës e të lirisë së vërtetë, për të cilat hoqi kaq mundime, por nuk u nënshtrua, nuk u përjarg, por qëndroi në këmbë, si njerëzit trima të fisit të tij të lashtë e heroik; pa njollë e dangë turpi, krenar e me ballin lart.


© Copyright 2007 tema.al

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
LUPEN
Sat Feb 18 2017, 09:01am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Përkthyesi pionier Nikollë Dakaj


A është në gjendje shqipja të përcjellë vargun homerik, në atë trajtë rrokjesore, siç gjendet në veprat e Homerit?


I vetmi që ia ka dalë kësaj përballje të vështirë, na rezulton djaloshi i ri asokohe, Nikollë Dakaj. I pari përkthyes në të dyja të folmet shqipe toske dhe gege, përfshirë edhe standardin letrar, që ka arritur të sjellë modelet e hekzametrit në shqip.


Sprovat e përkthimit të hekzametrit


Homerin e njohin të gjithë, andaj s'është e nevojshme ta paraqesim. Vargu i Homerit është hekzametër, i cili jeton tash tre mijë vjet.


Nga historiku i përkthimeve të dy eposeve të Homerit, prej përkthimit të parë në gjuhën latine të Odisesë nga greku Liv Androniku (shek. III para Kr) e deri tek përkthimet më të reja te gjuhët moderne, është shfaqur një tendencë që të përkthehet më parë Odiseja, e pastaj Iliada.


Kjo tendencë, si të thuash e përhershme, zakonisht shpjegohet dhe arsyetohet nga përmbajtja pak a shumë më narrative dhe më interesante e Odisesë të një shtrese më e gjerë lexuesish, si edhe nga fakti se përkthyesit mendojnë se Odiseja është më e lehtë për t'u përkthyer se Iliada.


Nga historiku i përkthimit shqip shohim një tendencë tjetër, e cila manifestohet deri në momentin kur u bë përkthimi integral i këngëve homerike. Te shqiptarët përkthyesit e këngëve homerike më tepër i ka tërhequr Iliada sesa Odiseja dhe kjo dukuri, sipas studiuesit, profesor Engjëll Sejdajt, "lidhet drejtpërsëdrejti me qëndrimin që rilindasit shqiptarë kishin ndaj këngëve homerike, para së gjithash, si burim historik".


S'do mend, se përveç këtij faktori, po sipas Engjëll Sejdajt, "janë edhe disa momente të tjera karakteristike që i kanë tërhequr përkthyesit e këngëve homerike që ta përkthejnë Iliadën. Këto kanë të bëjnë me epikën tonë, përkatësisht me këngët popullore shqiptare, në të cilat këndohen veprat heroike të individëve dhe të gjithë popullit shqiptar".


Përkthimin në gjuhën shqipe të Iliadës së Homerit e ndeshim për herë të parë në vitin 1896, por vetëm këngën e parë. Autori i përkthimit ishte Naim Frashëri, i cili më 1886 e kishte botuar turqisht (shih Monografia mbi Naim Frashërin nga Dh. Shuteriqi).


Në vitin 1938 shtypshkronja françeskane në Shkodër nxori në botim këngën e XXIII të Iliadës (Vrasja e Hektorit) të përkthyer prej prof. Frano Alkaj, i cili ishte i diplomuar në letërsinë klasike në Universitetin e Bukureshtit. Botimi shoqërohej nga një panoramë mbi poezinë epike helene të shkruar po nga përkthyesi.


Përkthim i plotë i veprës së Homerit u realizua rreth viteve '60 dhe u botua më 1965 duke pasur si autor helenistin Gjon Shllaku. Ekipi redaktues përbëhej prej 6 vetësh midis të cilëve edhe Spiro Çomora i cili e shoqëroi botimin me studimin e tij: "Iliada dhe bota homerike". Përkthimi i vitit 1965 ishte në gegërisht.


Pas futjes në burg të përkthyesit shtëpia botuese "Naim Frashëri" realizoi një botim të dytë i cili u theksua: i ripunuar. Ripunimi konsistonte në kalimin e gjuhës nga gegërisht në atë zyrtar të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Botimi karakterizohej nga mungesa e ekipit redaktues, gjë e cila të çon në përfundimin se nuk ka pasur as ripunim dhe as ribotim me lejen e përkthyesit. Kjo duhet pasur parasysh kur krahasohen dy botimet e fundit të Iliadës.


Problemi i veprës së Homerit në Shqipëri nuk ka ngjallur diskurse pasi helenisti Gjon Shllaku ishte i paarritshëm në këtë fushë, por duke studiuar letrat shqipe vihet re një interpretim tendencioz i veprës së Homerit duke nxjerrë prej saj ngjarje të reja dhe tepër të diskutueshme.


Pikërisht ky fenomen përbën të renë në fushën e homerizmit. Punimet diku karakterizohen si vepra letrare e diku shkencore pa qenë asnjëherë mirëfilli të tilla.
Duke qenë se përkthimi i dy poemave homerike në shqip erdhi pas një tentative të gjatë, njëherë në toskërisht nga Naim Frashëri, mandej fill në gegnisht nga pater Gjergj Fishta, të dyja këto tentativa vetëm sa e përndezën kureshtjen dhe sfidën e përkthimit të tyre, gjersa përfundimisht variant i përballjes vendimtare me Homerin rezultoi gegnishtja, nëse nuk llogarisim këtu përvojën e Spiro Çomorës me përkthimin e 12 këngëve të para të poemës Odiseja .


Gegnishtja e kishte dhe madhështinë dhe forcën e përballjes së kësaj detyre për shkak se gjedhja e saj e njihte përvojën e poezisë heroike, duke patur në repertorin e saj 10 rrokshin e Këngëve të Kreshnikëve, sikundërse dhe leksikun e ngjashëm e mbase adekuat për tablotë epike të luftës. Këto kanë qenë arsyet që kanë ndikuar t'i përvishen përkthimit të Iliadës më parë se Odisesë jo vetëm Naimi, por edhe Fishta, Frano Alkaj, Nikollë Dakaj dhe Gjon Shllaku.


Nga ana tjetër, përkthimet e mëparshme të Iliadës nga N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Alkaj e Nikollë Dakaj e të tjerë, jo vetëm që kanë ndikuar në procesin e përkthimit të plotë të Iliadës, por e kanë ndihmuar përkthyesin Gjon Shllaku, si modele zanafillore, anipse Shllaku e zgjidhi çështjen e përkthimit të hekzametrit në mënyrë individuale.


Prandaj dhe përkthimi dhe botimi i saj përpara Odisesë na paraqitet i arsyeshëm. Përkthyesi integral i Iliadës, Gjon Shllaku, sigurisht i ka parë dhe studiuar modelet pararendëse në përballjen e mjeteve shprehëse të shqipes me këtë monument të përbotshëm të letërsisë.


Përkthimi në gegnisht i Homerit, sikundërse dhe në fillim të viteve '60 përkthimi i Dantes, si minimum vërteton një gjë: forcën vitale e të paskajtë që zotëronte gegnishtja edhe në agoninë e grahmave të veta të fundit, përderisa këto monumente janë edhe shkëlqimet e fundit madhështore të mahnisë së gegnishtes, para vendimit të dënimit të saj me heshtje, të ndërmarrë shtetërisht me vendosjen e normës letrare të gjuhës zyrtare standarde.


Kontributi dhe fati i Nikollë Dakajt


I sapokthyer nga diplomimi në Romë, Nikollë Dakaj nis një aktivitet të dendur letrar në vitet '30-40, së bashku me një grup intelektualësh të rinj shkodranë. Krijimtaria e tij rrok një diapazon të gjerë, kryesisht me krijimtarinë letrare dhe sidomos, me përkthimet nga poezia greko-latine dhe italiane, e më vonë, me studime monografike mbi etnosin e fisit dhe koinenë e gjuhës letrare.


I preferuar nga organet letrare më prestigjioze të kohës si "Hylli i Dritës", "Leka", "Shkëndija", Balli i Rinisë", "Tomorri i vogël", "Cirka", "Jeta kristjane", "Vatra shqiptare" etj, ai shfaqet, siç e dimë, me pseudonimet e veta letrare Basho Jona, Melibeu, N.D, N.L etj.


"Për Nikollën dhe për shumë si Nikolla shoqnia e atëhershme ka qenë e pashpirt, meskine dhe shtypëse, - pohon përkthyesi i madh Gjon Shllaku. Në nji vend tjetër të lirë ai burrë intelektual do të kishte ndritë e do të ishte nderue, dhe do të kishte lanë vepra kolosale. Por me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve të tij edhe djegies së banesës ku ma vonë u ba klubi i "Vllaznisë", prapëseprapë ka lanë punime me vlera të mëdha, me të cilat do të mbetet modelisti par excellence i Autorëve të Mëdhaj Klasikë".


I vlerësuar nga njohësit e thellë të poezisë dhe figurat e mëdha të albanologjisë, Nikollë Dakaj ishte një poet, e më së pari, një nga përkthyesit më të talentuar të viteve dyzetë. Një nxënës i gjimnazit françeskan, i rritur dhe i edukuar nga njerëzit më të mëdhenj të kulturës shqipe, një krijues i mëkuar me stihinë e vet gjuhësore - gegnishten shkodrane të Fishtës, nuk mund të jetë ndryshe përveçse krijesë e gjuhës, medium i potencialit energjitik gjuhësor të kësaj trashëgimie.


Kultura dhe njohja e thellë e greqishtes dhe latinishtes, si dhe e letërsisë në tërësi, e shtynë Nikollë Dakajn, fill pas studimeve, tek përvojat e para përkthimore, në radhë të parë, të Homerit.


Nikolla e bëri sprovën e parë të përkthimit të Iliadës, duke e përkthyer Homerin me Hekzametër. Është e qartë se gjuha e kulturës me të cilën qe mbrujtur e formuar Nikollë Dakaj, qe e papranueshme për pushtetin. Të mbaje të pandëshkuar gjuhën që përfaqësonte Nikolla (apo anasjelltas), do të thoshe se mban gjallë nëpërmjet kësaj gjuhe gjithë trashëgiminë gjigande të traditës dhe repertorit të shkrimësisë gegnishte. Këtë sistemi survejues e represiv komunist nuk do t'ia falte.


Para tij, vetëm pak vite më parë, një tentativë e kishte bërë dhe Frano Alkaj. Njohësi dhe mësuesi në gjimnazet tona në atdhe i gjuhës greke të vjetër dhe latine, Frano Alkaj, pati përkthyer dy këngë të "Iliadës", këngën XXII - "Vrasja e Hektorit" (1938) dhe këngën XXIV - "Varrimi i Hektorit" (1941). Në përkthimin e "Vrasjes së Hektorit" pati përdorë termin kanunor ndore:


"Hektor, o anmik i amshuem, mos m' fol për ndore!
Se paqë s' ka vu jo kurr luani e robi e as ujku me qingja..."


"Mbaj mend që një kritik - më vjen keq që nuk e kujtoj emrin dhe revistën ku qe botuar shkrimi - kujton Anton Çeta, e pati kritikuar ashpër, thua se kish bërë ndonjë herezi, përkthyesin e talentuar për përdorim të këtij termi, që simbas tij nuk kishte të bënte fare me etikën homerike.


Për fat, ne nuk mund të bëjmë një krahasim vargjesh të caktuara midis përkthimeve të Frano Alkajt dhe Nikollë Dakajt, për shkak se ata kanë përkthyer këngë të ndryshme nga Iliada.


Ne mund të bëjmë, sigurisht, një krahasim duke marrë si bazë fragmente të ndryshme të Iliadës dhe në këtë krahasim të shohim bukurinë e kumbit shqip të gegnishtes në përdorimin e këtyre dy mjeshtrave.


Kjo mund të ketë vlerë, për sa i përket leksikut dhe sintaksës poetike, receptimit estetik të ligjërimit poetik, pasi vetëm Frano Alkaj dhe Nikollë Dakaj na kanë dhënë modelet e një përkthimi me hekzametër, gjithnjë, nëse nuk harrojmë, që një përvojë të tillë e ka kaluar shumë më vonë edhe Spiro Çomora, tek Odiseja në dymbëdhjetë këngët e para të saj.


Problemi i Hekzametrit ka qenë një problem i madh për të gjitha gjuhët latinë, neolatinë, gjermanike, anglo-saksone e sllave. Vështirësia qëndron në skemën rrokjesore e ritmike të hekzametrit.


Në ndonjë rast, siç është përkthimi i Homerit në rusisht nga Gnediçi, rrokjet e gjata të greqishtes së vjetër nuk përkojnë me ekuivalentet e tyre në rusisht, andaj përftohej, skema me një dakti plus një spondej, që janë si shumë, të barabartë për nga gjatësia e kumbimit me hekzametrin. Ky eksperiment me skemën rrokjesore të hekzametrit ka hyrë në prozodi dhe njihet si "hekzametri rus".


Ndërkaq i kthehemi përvojës shqiptare të hekzametrit. Kemi për herë të parë një model të Frano Alkajt në vitin 1938 të këngës së 24 të Iliadës. Po japim vetëm 25 vargjet e para:


Lodrat mbaruen e çetat e ushtrive
T' shpërdame n' turma u kthyen ke anit e zgavrra.
Dhe mirë darkue m' nji gjumë t' âmbel kan ramun.
Nerkaq Akili tue kujtue për mikun,
5 Loçken e zêmres, zhgrehej n' váj as gjumi,
Qi shtron gjithëkêndin, s' po i a mbyllë qerpikun;
Veç herë m' nji krah rrotllou herë siellu m' tjetrin,
Trimnín kujtote e at shpirt bujár t' Patroklit
E punët e mdhaja, qi me tê kisht kryemun
10 Edh' aq mjerime zbashkut vuejtë e luftat
E rrebta kundra anmiqsh e n' sa rreziqe
Ishin pershkuemun valët tue rrahun t'detit,
Kto n' mend perbluete lott tue i rrjedhë si gurra,
E tash m' nja' n brî e herë më shpinë veç shtrihej,
15 Mandej permbys me ftyrë për dhé; te e mbramja
Prej shtratit fíll tue flakurue si i çmêndun
Per t' gjatë po êndej gjithëkah bregut t' detit.
Veç teksa shifte t' bardhë tue shkrepë agimin
Mbí tokë e dete, ai persri i shilote
20 Hamshorët e shpejtë, e tue e lidhë mbas kerri
Rreshanë Hektorin po e cvarriste mbrapa,
Dhe tue e rrotllue trí herë rreth trupit t' dekun
T' Patroklit, rishtas kthehej me pushue
M' shatorre t' vet, tue e lânun shtrî per dhé
25 Me ftyrë ne pluhen zhye at trup te dekun.



Siç shihet, hekzametri i Alkajt, nuk është i pastër; ai varion nga 10-12 rrokshi, tek 14-15 rrokshi, duke na kujtuar më së shumti jo hekzametrin e pastër, por metra të parregullt, të përzier, ndonëse dinamikë, çka është karakteristike jo për epokën homerike, po për kohën e dezintegrimit të hekzametrit, e cila përkon me poetikat romake në fillim të erës së re, si tek Horaci, Katuli, Properci, Tibuli, Ovidi apo Seneka.


Duke ndjekur këtë zgjidhje të skemës, na përftohet njëmend një skemë e shkathët, e gjallë, dinamike, por bukuria e vargut shijohet, duke e lënë të pazgjidhur skemën prozodike të hekzametrit, dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi problemi mbetet ende: a është në gjendje shqipja të përcjellë vargun homerikë, në atë trajtë rrokjesore, siç gjendet në veprat e Homerit?


Përkthyesi kur hyn në "betejë" me një gjuhë, nuk hyn i vetëm dhe, sidomos, nuk përfaqëson vetëm veten. Etika e përballjes tashmë shtrihet shumë më përtej personales, për shkak se pas shpinës së poetit-përkthyes qëndron nderi dhe dinjiteti i gjuhës amtare.


I vetmi që ia ka dalë kësaj përballje të vështirë "homerike" na rezulton djaloshi i ri asokohe, Nikollë Dakaj. Nuk dua të ripërsëris mbresën e jashtëzakonshme që la përvoja përkthimore e Dakajt në këtë përballje dhe jo vetëm me Homerin e Virgjilin, por edhe me Horacin, Tibulin, Propercin, Lukrecin dhe, jashtë hekzametrit edhe me kolosë të rilindjes italiane (Dante, Petrarka), sikundërse dhe italiane (Manzoni, Leopardi, Karduçi).


Ja modeli hekzametrik i Nikollë Dakajt nga kënga e parë e Iliadës, që në shqip përbëhet prej 17 rrokjesh me cezura të parregullta:


Mnin, rrënimtare këndomë, oj Zan' ti t'Akil Pelejas
T'zeza hidhrime Akejve e cila u solli me mija:
Shpirtën t'mdhej kreshnik'sh në Ferr sa shumë gorromisi,
Trupat e tyne mandej ajo pré ua bani po qenvet,
Shuj' dhe shpezve të malit, e Zeusit u bante vullnesa,
Qyshse s'pari u kapën ndër vete dhe u kacafytën
Mbreti i burrave t'dheut Atreu, e hynér ai Akili.
Kush qe au hy që degam' ktyne t'dyve u shtini t'u zejshin?
Bir' i Laton's e i Zeusit. Në mbretin huj mbasi mori
T'zez' ky n'ushtri ma lëshoi nji dergjë, u faronte po gjindja,
Qysh asobote që Krizin Atrejasi njat meshtarin
Pat napërkamb' ... Ky kish ardh' tek anit e shpejta t'akejvet
T'bin' për të nxjerrë, e dhanti kish sjellë të panumër me vete.
Flamurin n'dorë edhe mbante të larshigjetues Apolonit
Maje skeptri t'artë, edhe u lutej Akejve të gjithvet,
Veçanërisht, por Atrejve të dy, sundimtarëvet të gjindjes:
"O ju Atrejë e ju mir' ndër kollçikë, o Akejç, të mbërthyem,
Ju ata zota po u dhanshin, t'Olimpit që rrijn' ndër pellaze,
Krejt m'ja shemb' ju Priamit mbretnin' shndoshë n'atme me kthyem
T'dashunën mue me ma nxjerr' time bi, e dhanti me i pëlqyem
Largshigjetuesin Apol tu' nderuem të birin e Zeusit"
Tjer't sa qenë asobote në godi kan' ramun Akejatt
Mir' me u ndam me meshtar e dhantit t'i pranojnë të shkëlqyeshmet;
Po kurrqysh jo për shtat nuk i ra Agamemnonit Atrejas,
Keqas prandej e përzu' dhe fjalë i flakroi të rrebta:
"Ma mos të baj, o plak, me të zan' rreth anijeve zgavrra,
As tash ktu tu' tallë, as rishtazi mbrapa tu' kthyem,
Skeptri se gja nuk të vlen besa ty, as ai flamur' i hyjit.
Vet' até kurr s'e lëshoj ma parë', e pleqnia ta zaje
Larg prej atmje n'at Arg, përmbrenda pellazeve t'mija,
Vejk' tue bam edhe mue bri shtrati ajo tu' m'gjetun.
Hiqmu tash, ma mos të m'ndezësh, shnoshë ti po deshe të ndahesh".



Ky është modeli i hekzametrit shqip i demonstruar prej Nikollë Dakajt, me atë leksik burrnor, të burrave të rreptë e të hyjve, me leksikun, trajtat e përftesat e një gjuhë të randë, solemne e të sprovueme në vargun heroik.


Duke folur në parathënien e Antologjisë së përkthimeve të Dakajt, është me vend të citohet mendimi i profesor të antikitetit, Muzafer Xhaxhiut, i cili thotë: "E folmja e veriut s'është thjeshtë një dialekt, por është trung me degë e gjethe.


Këtë e shohim qartë në shkrime letrare origjinale apo përkthime. Nuk është puna te disa ndryshime fonetike, morfologjike, drejtshkrimore, është diçka përtej këtyre: muzikaliteti, shprehshmëria koncize lapidare, sintaksi poetik, po mbi të gjitha tharma etno-psikologjike që sjell kjo e folme në rrjedhën e shekujve".


Mbasi ia ka dalë mbanë modelit të parë, solemn e serioz, Nikollë Dakaj i lejon vetes edhe eksperimentin në gjuhën gjysmë letrare, gjysmë standarde, tashmë me dhjetërrokësh të rimuar, porse kjo është krejt tjetër gjë: është vazhdimi i ëndjes e i lojës. Ja një fragment i hyrjes së këngës së parë "Grindja":


Këndona, burrnesha e dheut,
At mëninë e Akil Peleut,
Që plot kobe Akejve u solli,
Shumë edhe n'Skëterrë përcolli
Shpirtra t'rreptë heronjsh, përdhé
Tue ua lanë kufomat pré
Qenve e shpendëve për t'i ngranë,
Si vetë Zeusi e kishte thanë, (etj)


Në përfundim mund të themi, se domethënia e kontributit përkthimor të Nikollë Dakajt, pret të çmohet e vlerësohet, pasi është i pari përkthyes në të dyja të folmet shqipe toske dhe gege, përfshij edhe standardin letrar, që ka arritur të sjellë modelet e hekzametrit në shqip.


Jo vetëm të Homerit, siç patëm rastin ta dëshmojmë, por edhe të një morie poetësh grekë e latinë, nga antikiteti i hershëm, deri në kohën e dezintegrimit të hekzametrit. Për këtë duhet t'i jemi mirënjohës, pasi gjedhja dhe modeli i tij kanë mbijetuar dhe mund e duhet t'i kthehemi si një trashëgime tepër të vyer.


Jeta e këtij pionieri të letërsisë dhe përkthimit që e hidhur, e mundimshme si e shumë korifejve të letrave shqipe, por për fat, harrimit, izolimit dhe vdekjes në harresë gjatë diktaturës komuniste, ka mundur t'i mbijetojë vetëm gjuha shqipe e tij, dhe nëpërmjet saj edhe ai vetë me dashurinë prekëse ndaj verbit shqip.

Fjalë e mbajtur në "Ditët e Albanologjisë"

Shënim: Siç tregon edhe vetë fjala (heks-a "gjashtë" - metron "masë"smiley hekzametri është varg prej gjashtë masave (ose këmbësh), që do të thotë prej gjashtë takteve (muzikore).


Këto masa mund të jenë nga tri ose dy rrokjesh, që do të thotë se në të masë trirrokëshe mund të jetë vetëm daktili (- v v ), kurse dyrrokëshe vetëm spondeu (- -) ose trokeu (- v), të cilët përcaktohen sipas kuantitetit të rrokjes, që do të thotë, se një rrokje mund të jetë e gjatë ose e shkurtër (nga natyra ose pozita që ka në fjalësmiley.


Meqenëse Iliada (dhe Odiseja) është kënduar vetëm në këtë varg, duhet patur parasysh vetëm tri masa (daktil, spondej dhe trokej), dhe nga këmbimi I tyre mund të dalin 32 hekzametra të ndryshëm, kurse marrëdhëniet e rrokjeve të gjata me të shkurtërat janë një e gjatë sa dy të shkurtëra, përkatësisht rrokja e gjatë ka vlerën e notës (pentagramike) katërtaktëshe, kurse e shkurta tetëtaktëshe.


Prej këtyre gjashtë masave (të hekzametrit) e fundit është përcaktuar të jetë dyrrokëshe, d.m.th., trokej, kurse ajo e parafundit (e pesta) zakonisht është tetërrokëshe, që do të thotë daktil. Prandaj nga kjo skemë:


- - - -
- vv/ - vv/ - vv/ - vv/ - vv/ - v
Ose
- - - - - -
- vv/ - vv/ - vv/ - vv/ - vv/ -vv/ - v


Mund të (këndohen) recitohen vargjet e para të Iliadës:
Meinin a/ eide, the / a, Pe/ leia/ deo Achi/ leos
Ulome / nen, he / myli A / chaiois/ alge e/ theken


Ose vargjet e para të Odisesë në shqip në përkthimin e S. Çomorës:
Muzë tre / gomë për / burrin me / mendje aq/ shumë pje/ llore
Që, pasi/ pirgjet e / shenjta ia / shembi qy/ tetit të / Trojës.


Gazeta "Shekulli"




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 18 2017, 09:08am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kështu i do mushka drutë - nga Nikollë Dakaj


  • Një nga polemikat që ka lënë gjurmë në shtypin e vitit 1943.
    Nikollë Dakaj polemizon me At Harapin në lidhje me Dr. Kolë Ashtën dhe “Gjuha e mesme”, botuar në “Shkëndija”, gusht 1943. Pse Dakaj ishte për një gjuhë të mesme, jo një gegërishte e veriut, por një gegërishte që të kuptohej e lexohej edhe nga toskët, e natyrshëm të shkrihej me gjuhën zyrtare, ose atë të mesme. Mbi këtë polemikë, si dhe mbi letërkëmbimet që po botojmë, të Karl Gurakuqit me Norbert Joklit për përkthyesin e ri, 21-vjeçar - janë mbështetur, dje, referimet e studiuesve dhe kritikëve në ditën e tretë të Albanologjisë. Si i garantoi Nikollë Dakaj, gjuhës shqipes, masën klasike me përkthimin e Homerit dhe Horacit!



At Mark Harapi, i cili e nderoi letërsin shqipe me përkthimin e burkut të romanit italjan (Të fejuemit), mori shkas nga kritikuesit e vet të fyejë personalisht zotin Dr. Kolë Ashtën, dhe të sulmojë gjuhën e mesme dhe shkrimtarët e saj.


Ndër sa fjalë fyese kundra zotit Dr. Kolë Ashta, po paraqes ato që e karakterizojnë ma mirë frymën e pastër dhe njerzore t’artikullistit: (Kritikuesit (z.Ashta)… nuk din me i shkrue si duhet as tri faqe të shkret, e na ngrehet gjyqtar mbi tjerë! Ulu, more, prej fikut se del ndonji mustakoç e të zdrypë për veshit. -… çka lëshon shkruesalec i (Shkëndis) – Ky nuk ua ka pa as kartuçat ma të mëdhajve filolog të shqipes e na kokorisë filologji! (siç!)
Tue arsyetuem me gjakftoftësi, z. Dr. Kolë Ashta asht nji shkrimtar i ri dhe nuk ka shkruem ende aq shumë sa me dhanë nji gjykim përmbi të. Ai tash sa ka filluem të shkrueje. Pastaj ata profesorë universiteti qi i kanë dhanun titullin doktor në letërsi, me nënshkrimin e vet kanë tregue se z. Ashta din të shkruejë më shumë se tri faqe si duhet, dhe i asht dashun të japë provime filologjije, prandej nuk ka nevojë aspak At Harapi të përmendë kartuça.
Sa pse thotë At Harapi dy herë n’artikullin e vet se zoti Ashta kokorisë, unë e dij se kokorisin pulat dhe jo njerëzit, prandej me këtë fjalë At Harapi ka, nderuem gojën edhe pendën e vet.


Së fundi sado i zoti të jetë At Harapi, atij i mungon, me sa dij unë, titulli doktor në letërsi, që gëzon zoti Ashta. E me këtë fjalë nuk due të thom se këtij do t’i përkulen të gjithë ata që nuk e kanë ket titull, por due t’i thom se ai që gëzon nji titull të tillë ka të drejtë të shkruejë dhe të gjykojë mbi vepra letrare pa pasun, nevojë At Harapi me i marrun nderin përpara letërsis me shamje.


Më të vjetrit dhe ma të praktikuemit, nga panda mund t’a këshillojnë, mund t’i japin zemër, por jo t’a shajmë si At Harapi vetëm pse nuk i ka pipat mirë me të.


Deri dje zoti Dr. Kolë Ashta ka shkruem shkodranisht, dhe mund të jetë që nuk i ka hym në pale gjuhës së mesme.
Sa pse e ka shkruem fjalën (smuetore)me (ue), asht nji gabim me të vërtetë, por a nuk asht nji gabim dhe fjala shumës filolog (për filologë a filologj) dhe bashkimi i njëjsit me shumës në frazën (mos me ja (ia) pasë aspak lakmi kombeve të hueja), si vrehet n’artikullin e At Harapit. Atë botë, kur vetë At Harapi nuk qënka i pagabueshëm në gramatike dhe n’orthografi, pse bërtet me të kotë kundra të tjerëvet? Ma mirë të hapë syt e të shofë se mustakoçavet tashma u ka kaluem koha.
Porpika ma me rëndësi n’artikullin në fjalë t’At Harapit asht sulmi kundra gjuhës së mesme dhe kundra shkrimtarëvet të saj, si i ndjemi Luigj Gurakuqi, z. Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Ndue Paluca, Kostaq Cipo, Ernest Koliqi, Shpend Bardhi, Kolë Kamsi dhe sa e sa të tjerë.
Dhe me të vërtetë, po të lexohet me vëmendje gjymsa e dytë e t’artikullit në fjalë t’At Harapi, del në shesh se shkrimtarët e gjuhës së mesme - zyrtarishtes - dijnë në pikëpamje gjuhësore vetëm të pasunohen me ar dhe të grumbullojnë qifliqe. Por këtu Zotnija e tij mos të kujtojë se ideali asht ndrym vetëm në pallatet e bukura dhe në kopshtet e hapta të Jezuitëvet në Shkodër. Ka idealista dhe përjashta. I ndjemi Luigj Gurakuqi, kur u vra në Bari, u gjet me këmishë t’arnueme dhe me çarapë të shkyem, e pra a kishte në dorë ai të grumbullojë të holla satë donte, a kurrkush tjetër. Pastaj nuk asht nevoja me përmendun sa e sa të gjallë mbas gjurmëvet të Luigj Gurakuqit ndjekin gjuhën e mesme, të cilët mbas ma shumë se njizet e pesë vjetësh shërbimi nëpër zyra e nalta shtetnore, sot banojnë ndër shtëpija t’ulta qerpiçësh, dhe marrin uha nga të tjerët pse nuk u del rroga të përballojnë jetesën. U djersitën dhe u plakën pa kohë të shkretët, tue punuem, ndokush edhe natën, për gjuhën shqipe, dhe prap se prap del ndonj mustakoç që t’i hudhë në baltë, si njerëz që punojnë për bark dhe jo për ideal. Por këta puntorë të mirë dhe të ndërgjegjshëm mos të ligështohen, pse Shqipnija nuk mbahët vetëm n’At Mark Harapin. E nesërmja do t’i qesë faqe-bardhë.
Le të shikojë pastaj At Harapi se shkrimet toske kanë të njëjtën orthografi dhe paraqesin pothuejse krejtësisht nji mënyrë të vetme të djalektit të vet.
Po nga ana tjetër gegët, po të vrehen në shkrimet e tyne të shumta dhe të bukura, përdorin tri a katër mënyrë të ndryshme shkrimi. Pastaj trajtat e gjuhës së shkrimtarëvet gegë të veriut, janë të gjymtueme dhe të hangruna shumë. Mungon shumë herë grupi mb, dhe Ë, gja e cila nuk lejon të shifet rranja e fjalës dhe e ban gjuhën të vrashtë. Përkundrazi, po të shkruejshin të gjithë gegët nji orthografi dhe nji trajtë të vetme gjuhë, toska do të mund ta zënte ma lehtazi gegënishten, dhe ndryshimet e dy kryedialektevet do t’ishin shumë ma të pakta.


Na del tash përpara problemi se cila gjuhë e gegëvet do të mirret porsi letrare prej të gjithëve. Sigurisht ajo që kuptohet ma tepër në përgjithësi. Dhe kjo asht - me sa dij unë dhe sikurse asht mendimi i shumë e shumë të tjerëvet shqiptarë dhe të huej albanologë - gjuha e Shqipnisë së Mesme. Mirëpo, tue qenë se kjo gjuhë ka të meta dhe me të vërtetë nuk ka dhanë deri më sot ndonji kryevepër, duhet që vështrimi i mbiemnit (i mesëm) mos të mirret aq fort në kuptimin gjeografik, por ma tepër të mirret porsi trajtë e mesme gramatikore dhe syntaktike e fjalëvet. Mbas këtij mendimi punon Instituti Mbretnuer i Studimevet Shqiptare, dhe kanë shkruem shumë vetë, si u tha dhe ma nalt, dhe nuk asht nevoja të vrasim vehten na tash me kërkime. Librat shkollorë që botuem Ministrija e Arsimit janë përgjithësisht në këtë gjuhë të mesme. Pastaj kemi shkrimet e të ndjemit Luigj Gurakuqi – që ma i pari nisjativën – dhe, midis të tjerëvet, shkrimet e shumta (përkthime) të ndjekësit të tij ma të përpikët dhe ma puntuer z. Prof. Karl Gurakuqi.
E në qoftë se At Harapi don të ngulë kambë në fjalën e vet se kjo gjuhë e mesme nuk kuptohet, pa kurrnji mbështetje, (letrën zyrtare që tregon Zotnija e tij na nuk e kemi pam se si ka qenë e shkrueme) e pyesim. Kush asht ai që nuk e kupton gjuhën e bukur të romanit “Lule” (prej Fabjan Barkatës - përkthim nga Prof. K. Gurakuqi) ndër gegë dhe ndër toskë? Ishim ende fëmijë në klasën e parë të liceut kur e këndojshim në shkollë faqe për faqe librin (Zemra) dhe kuptojshim porsi gjuhën e nanës, përveç ndonjij fjalë së rrallë, që profesori na e shpjegonte menjiherë. Prandej, më duket se nuk gënjehem në qoftë se thom se po t’ishin shkruem në gjuhën e këtyne dy librave shembullorë, veprat e Fishtës, të Prenushit dhe vetë romani i përkthyem nga At Harapi me titullin (Të fejuemit), nuk do t’i mirrte vesht vetëm Shkodra me rrethet, por e gjithë Shqipnija, pa përjashtuem as toskët. E gjuha e mesme nuk i urren frazat e stilin e bukur si i duket At Harapit.
Sa pse At Harapi ankohet se toskët nuk shkruejnë në gjuhën e mesme, duhet t’a dijë se sicilit i pëlqen gjuha e nanës së vet, pa ndryshime themelore. Pastaj toskët e kanë kryem- si u tha edhe ma nalt – nji detyrë në këtë pikë: e kanë unjisuem gjuhën e vet mjaft.
T’a bajmë kaq edhe na gegët dhe atë botë sa ndryshime do të mbeteshin midis dy krye - djalektevet? Rotaçizma, zbutja e zanores hundore n’,ë, gjatësija e zanorevet dhe ndonji tjetër i pa rëndësi. Gjuha kështu do ishte e bashkueme mjaft, pa u përziem djalektet.
Të përdorej athere nëpër zyra e shkolla gjuha e mesme, sot zyrtare. Nuk do të prishej gja. Shkrimtarët do t’ishin të lirë me shkrue si në njënin si në tjetrin nga dy kry- djalektet pa u bam kurrnji dhunë as shkrimtarëvet të mdhej gegë, as shkrimtarëvet të mdhej toskë.
Me kaq- kush don të marrë vesht dhe të çveshet nga regjonalizma- nuk duhet t ‘a shajë zotin Dr. Kolë Ashta, pse paska dishruem që (Të fejuemit) t’ishin shkruem në gjuhën e mesme. E në qoftë se Fishta tallej me satyfat e veta me këtë gjuhë, poezija e tij satyrike dhe polemikat e tija i tregojnë kujdo se sa pasjoni ka vluem në zemrën e tij. Ai asht poeti më i madh që ka pjellë toka jonë shqiptare, por kjo nuk don me thanë se fjala e tij asht nji dogëm kritike. Dhe në qoftë se këtij ajo tallje sarkastike i ka hijë në satirë, nuk i bjen për shtat aspak At Harapit në nji artikull kritike.


Se ku do të dalë kjo çetë shkrimtarësh me këso shkrimesh, unë nuk e dij. Shof vetëm se prej tyne kujtohet se vetëm ata do të vrajnë e do kthiellin qiellin kritik të letërsisë sonë.


Gazeta "Standart"




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 18 2017, 09:13am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Nikollë Dakaj, si shembull i persekutimit komunist, pse nuk pranoi heqjen e Gjergj Fishtës nga librat shkollor


Zhurmat e mëdha që bëhen sot për arsimin dhe veçanërisht për shkollën dhe modelet e arsimimit, kanë një mangësi në thelbin e tyre. Jo se nuk janë të drejta, por janë të pambështetura në forcën e mendimit dhe shembullit që kanë dhënë bijtë e kombit që edhe luftuan për ta fituar arsimin, por edhe u bënë shembuj të arsimdashjes të brezave, edhe pse sistemi i diktaturës i përndoqi dhe i dënoi, i përbuzi dhe i poshtëroi.


Të gjitha fjalët e thëna do t’i shkonin për shtat një figure të shquar si Nikollë Zef Dakaj, birit të Malsisë së Madhe nga Traboini i Hotit. Është i njohur sa për nivelin e lartë të përgatitjes intelektuale si mësues, po aq sa edhe si një njeri që si shpërblim mori në jetë dënimet nga diktatura vetëm e vetëm pse ai ishte pasardhës i burrave që luftuan për kombin dhe nuk mund të pranonin diskriminimin nga agjitacioni komunist.


Dy fjalë për Nikollë Zef Dakaj


Kreu studimet në Liceun Franceskan “Ilirikum” në Shkodër me vlerësim “Shkëlqyeshëm” dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin Antonianum të Romës në Itali.


Babai i Nikollës, Zefi mori pjesë në luftimet për ngritjen e flamurit Kombëtar në Deciç me në krye Dedë Gjo Lulin në vitin 1911. (shif. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878–1912, të thëna këto zyrtarisht në botimin “Kujtime Veteranësh” të vitit 1962 (f. 373–381).


I brumosur me dije të larta dhe të thella, por me shpirt atdhetari, Nikollë Dakaj i kushtoi jetën arsimit kombëtar, gjuhës amtare, fjalës së lirë, të vërtetës në interes të atdheut dhe asnjëherë në interesin e tij personal, edhe pse me këto virtyte, u dënua dy herë: 15 vjet burgim nga Gjykata Ushtarake e Rrethit të Korçës (1946) dhe së dyti 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë nga Gjykata e Shkodrës në vitin 1977. Arriti të lirohet gjallë me 9 shkurt 1987 dhe ndërroi jetë më 12 shtator 1988.


Me talentin e tij të jashtëzakonshëm kishte mundësi të përfitonte dhe të bëhej i famshëm, por zgjodhi qëndresën, siç thonë në Malësinë e Madhe: “Fiku e mos u korit”, çka e lartëson këtë njeri si mësues i vlerave që diktatura e përdhosi, por nuk ia uli dot vlerat. Gjatë këtij kalvari biblik çuditërisht gjeti forca për të vazhduar punën mbi letrat shqipe deri në grahmën e fundit.


Disa fjalë të vërteta për një atdhetar

Në kohën kur vendi ishte nën pushtimin italian, Nikollë Dakaj braktisi Universitetin Antonianum të Romës në shkurt 1941 për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut përmes urdhërit që shtroi Ernest Koliqi si ministër i Arsimit të Shqipërisë në atë kohë, si edhe rreth 400 normalistë dhe mësues të shkolluar për nevoja urgjente të arsimit shqip për të shkuar në të gjitha trojet shqiptare për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Me këtë rast, ai i doli edhe kundër përpjekjeve të forta të eprorëve të Universitetit të Romës dhe premtimit që do ta mbanin aty më detyrë të lartë pas kryerjes së studimeve.


Kanë qenë këto vite kur Nikolla do të ishte profesor në Normalen e Elbasanit, Liceun e Tiranës dhe Liceun e Korçës, deri më 1946, në kohën kur edhe do të arrestohej.


Për pesë vite me rradhë, Nikollë Dakaj do të ishte botuesi më prodhimtar në të gjitha organet letrare të asaj kohe si Përkthime poetike, esse, kritikë letrare, poezi etj, duke nënshkruar me emër të plotë ose me pseudonimet Basho Jona, Melibeu, N. D. dhe Ni.


Në vitin 1944 i sollën makinën tek dera e shtëpisë për t’u rikthyer në Romë për të vazhduar studimet aq shumë të dëshiruara, por Nikolla, asokohe 25 vjeçar, nuk pranoi të braktisë atdheun në ato momente vendimtare.


Aty nga fundi i vitit 1945 në Liceun e Tiranës kundërshton energjikisht zv/ministrin e Arsimit, Shemsi Totozani të ngarkuar nga lart për të komunikuar urdhërin e përjashtimit të At Gjergj Fishtës nga shkolla e re shqiptare. Pas tij, u ngrit edhe Arshi Pipa, i cili theksoi se Fishta, Konica e disa të tjerë ishin themelet e arsimit e kulturës shqiptare. Nga kjo përballje, Nikollë Dakaj në vitin 1946 përfundoi në burgjet e komunizmit, ashtu si edhe Arshi Pipa.


Me gjithë persekutimin e egër, burgimet, konfiskimet, humbjet, djegies së banesës, faljes së punës krijuese për një kafshatë buke për fëmijët, por edhe për zemërgjerësi ka lënë një trashëgimi tepër të vyer që do të aktivizohej nga vlerësimi që meriton t’i bëhet këtij njeriu me vlera dhe virtyte atdhetare dhe intelektuale të larta.


Qendra e Studimeve Albanologjike në vitin 2009 organizoi sesionin shkencor “Vepra Postum”- “Nikollë Dakaj –Vlerat e një autori të rizbuluar” kumtoi Kolec Topalli, Agron Tufa, Mehmet Çeliku, Vili Kamsi, Primo Shllaku, Klara Kodra, Evalda Paci.


Çfarë kanë thënë për Nikollë Dakaj


Agron Tufa: Nikollë Dakaj përkthyesi i parë i hekzametrit në shqip,... Pas shpinës së poetit përkthyes qëndron nderi dhe dinjiteti i gjuhës amtare, i vetmi që ia ka dalë kësaj përballje të vështirë “homerike” na rezulton djaloshi i ri aso kohe, Nikollë Dakaj.


Gjon Shllaku: ...Por me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve të tij edhe djegies së banesës ku më vonë u bë Klubi i Vllaznisë, prapë se prapë ka lanë punime në vlera të mëdha, me të cilat do të mbetet modelisti “par excellance” i autorëve të mëdhenj Klasikë.


N. Jokli: Letrat latine dhe greke e kanë gjetun në personin e Zotnisë Basho Jona (N. Dakaj) nji folës mendjehollë edhe të dijshëm. Meritimi I Z.B J asht mbi gjithçka i pamohueshëm.


At Zef Pllumi: N. Dakaj, aso kohe konsiderohej si nxanësi ma i mirë i Liceut Ilirikum.


M. Xhaxhiu: “N. Dakaj ishte prodhimtari më i madh në vitet 1940- 1943”.


Ato që e ngrenë edhe më lart figurën e Nikollë Dakajt, janë veprat e botuara si “Koineja e Gjuhës Shqipe”, “Antologji e Poezisë së Madhe Botërore”, “Fedri, Përrallat Ezopiane”.


Janë në kërkim edhe vepra të tjera të humbura të cilat mund të jenë në duar të ndryshme ose botime të pazbuluara.


Kështu u fik pa u korit që nga lindja më 22 nëntor 1919 e deri sa mbylli sytë më 12 shtator 1988 Nikollë Zef Dakaj, si një model se mësuesi i sotëm duhet të jetë jo thjesht një rrogëtar, por një personalitet i arsimit në shërbim të brezave dhe si shërbim i madh për të ardhmen e kombit.


Nga Hyqmet ZANE trokit ketu




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 18 2017, 08:23pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Koineja e Gjuhes Shqipe
-nga Kolec Traboini



  • Një studiues i njohur si Nikollë Daka, një pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikë, i burgosur dy herë nga diktatura, përkthyesi i madh i latinishtes, siç e cilësonte Norber Jokli, në kohën kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972, në Tiranë, ai pikllueshëm për tragjedinë që po ndodhte me të bukurën gegnishte dhe prej dhimbjes shkruante në Shkodër poemën. “Koineja e Gjuhes Shqipe”.




Nikollë Dakaj



Sot më tepër se kurrë po flitet për Gegnishten, madje deri në atë shkallë saqë po shfaqen zëra edhe për një sfidë publike duke iu shmangur përdorimit të Standartit (fjalë shterpë kjo) dhe përdorur dialektin. Disa krijues nga Shkodra por edhe nga Kosova janë përpjekur të krijojnë e botojnë, dhe ia kanë arritur. E vërteta është se ata janë pak, por kjo nuk do të thotë se nesër nuk do të jenë shumë. Në këto kushte si mund të jenë të qetë gjuhëtarët. Si mund të vegjetojnë nëpër zyrat e tyre studiuesit. Pse nuk bëhen të gjallë, por vetëm dalin kur duan të kundërshtojnë edhe në shenjën më të vogël të pranimit të disa trajtave të gegnishtes siç është rënia e ë (pa zanë) në fjalëformin apo diç tjetër duke e konsideruar atentat ndaj Standartit. Mjerisht këta gjuhëtarë që janë vetë të standartizuar, u ka mbetur ora fiks në datën 24 nëntor 1972, kur në praninë e tërë Byrosë Politike në tribunë, u ngulfosën në idenë se gjithçka flet për Tosknishten dhe asgjë për Gegnishten, duke bërë atë për të cilën ishin thirrur, të ngrinin duart njëzëri ashtu si në çdo forum tjetër në Shqipëri.
Kush mund të kundërshtonte? Ku mund të shkonte ai që do të guxonte të vinte në dyshim ato ç’ka thoshte Androkli Kostallari e Co. Një studiues i njohur si Nikollë Dakaj, një pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikë, i burgosur dy herë nga diktatura, përkthyesi i madh i latinishtes, siç e cilësonte Norber Jokli, në kohën kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972 në Tiranë, ai pikllueshëm për tragjedinë që po ndodhte me të bukurën gegnishte dhe prej dhimbjes shkruante në Shkodër poemën “Koineja e Gjuhes Shqipe”. Le të sjellim një fragment:


Mbet shtang atdheu, papritmas kur drejtshkrimi
na doli koiné, që tjetër s’ishte,
veç plot toskrishtja plus fjalën ranishte,
Kongresi mbar u tund nga shungullimi


e arbëresh, kosovarë, që lodhë mërgimi
e malli për atdhenë këputë i kishte,
brohoritën me të tjerët si ferishte
pa ua pre mendja se ku ishte synimi.


Gjuha e tri t’katrave të kombit tonë,
gegrishtja e lashtë, e humbi aty shtetsinë
pa të drejtë shkolle, shtypi, skene a fjale


as s’iu desh gja që bani aq jehonë
e n’kulme të shqipes ia çoi letërsinë:
një prej kryesisë e shpalli klerikale.


Çfarë mund të themi pra se krijimi i Standartit të vitit 1972 u bë në kushtet e një lirije të shprehjes së mendimit. Kurrsesi. Por e vërteta është se ka qenë në funksion demagogjia dhe konspiracioni i institucioneve duke përdorur mashtrimin dhe ku nuk u ecte ai edhe imponimin. E kush na pengon tani ta pasurojmë Gjuhën Shqipe, kujtimi i një hije të vjetër me emrin Androkli Kostallari apo vetë Enver Hoxha që e ka lënë amanet që asnjë fjalë e gegnishte veç fjalës ranishte të mos pranohet sepse ai imponohej me qëndrimin që gjuhën e bëjnë fitimtarët. Në këto kushte si do te ishte e mundur që Enver Hoxha ky diktator i madh, të lejonte të futen në Standart gjuha e gegëve, të atyre pra që kishte pushkatuar djegur e vrarë, madje deri në kufijtë e gjenocidit në Malësinë e Madhe.
Moskonsiderimi i gegnishtes ka qenë shprehje e realitetit shqiptar të kohës kur popullsia gege, veçmas katolikët, ndjeheheshin të përjashtuar nga tërë sistemi qeverisës dhe nga piramida e shtetit lokal apo qendror. Kjo është e vërteta, le ta kamuflojnë si e sa sa të doni, por duke e fshehur të mos mendojë kush se ajo ka dhembur apo ende dhemb më pak.
Duke ardhur në ditët e sotme duhet që çështjen e Standartit të krijuar në kushtet e diktaturës ta shohim me syrin e lirisë. Pra a do të ndodhte ashtu siç ndodhi nëse në këtë kongres do të ishin burrat e kombit shqiptar që u mblodhën në Kongres të Monastirit e të mos ishte hija e rëndë e diktatorit në atë sallë? Natyrisht që jo. Po çfarë mund të bëjmë ne në kushtet kur gjuhëtarët që e kanë mbetur e nuk dalin prej bunkerëve të standartit. Sepse e vërteta është, siç thotë dhe studiuesi që e kaloi jetën burgjeve të diktaturës që toskërishtja e sjellë me imponim si standart ka jo pak ndikim edhe në fonetikë nga turqishtja, ndërsa gegnishtja duke qenë një gjuhë e folur në një terren të izoluar ku nuk shkelte këmbë pushtuesi është krejt e natyrshme të ketë mbetur e pastër ashtu siç ka ardhur nga pellazgjikja dhe ilirishtja.
Dhe pikërisht kjo gjuhë e pasur dhe e pastër si krojet e maleve të sakrifikohet duke u prerë me sëpatë nga trungu i shqipes. Një absurditet ky që ndodh veç në sisteme totalitare. Le të vazhdojmë me vargjet protestë të dizidentit Nikollë Daka:


Ç’ka paskajorja që të përjashtohet
nga gjuha si nëpërkë, kur e përdor
shumica e kombit? Si, vallë, kambë e n’dorë,
larmia e tingujve të varfërohet?


Për çka theksimi turk nuk zëvendsohet
nga tonet tona të bjeshkëve me borë,
atdheut e gjuhës që na i rrinë kurorë,
po gjuhëve t’huaja jona urë u shtrohet.


Kjo poezi na thotë shumëçka se Standarti u vendos dhunshëm jo thjesht për faktin se u diktua, se kjo tashmë është një e vërtetë e afirmueme sepse kurrgjë në diktaturë nuk bëhet me vullnet të lirë, por në aspektin tjetër se proçesi i krijimit të standartit është i përdhunshëm në mënyrën se si përjashton paskajoren kur këtë, siç e thotë NiKollë Dakaj, e përdor shumica e kombit.
Por sëpata i ka rënë jo vetëm aspekteve gramatikore, por në mënyrë masive edhe leksikut. Nën shëmbëllesën e lejimit të fjales ranishte do të mund të lejoheshin edhe mijëra fjalë të tjera duke i zbutur fjalët e shqipes e duke i dhënë muzikalitet e duke mos mbet skllevër të rotacionit. Është e vërtetë që tërësia e fjalëve në toskërishte tingllojnë më të xhamta, me tingujt disi metaliktë çfarë gjuhëtari Daka e konsideron nga ndikimi fonetik i turqishtes, e unë mund të thosha edhe ndikim i greqishtes, përkundrazi gegnishtja e mbetur në izolim shumëshekullor ka qendruar origjinale, e virgjër, është më ngrohtë dhe e lakueshme, ka butësi dhe të krijon mundësi të mëdha në krijimtari poetike. Mbaj mend që në fakultet si në atë të gazetarisë, por edhe të gjuhë letërsisë, studentët shpeshherë thonin se e folura shkodranishte, pra zemra e gegnishtes, në gojën e djemve nuk tingëllon dhe aq, por në gojën e vajzave është marramendëse. Një ndjesi të tillë nuk ta krijon asnjë dialekt tjetër. Atëherë pse gjithë kjo alergji për ta përjashtuar dialektim e muzave poetike shqiptare. Them kështu edhe për faktin se Gegnishtja letrare ka qenë një fakt i kryer, ajo e ka provuar veten me një klasik si Gjergj Fishta, një mjeshtër të vargut si Ndre Mjeda, por ajo i tregoi mundësitë e veta edhe tek letërsia moderne me Migjenin. Një gjeni si Migjeni asnjëherë nuk e ndjeu veten ngushtë në gegnishten letrare bazuar në shkodranishten. Përkundrazi ajo e ndihmoi atë jo vetëm në artin krijues, por edhe me faktin se me Migjenin, Gegnishtja letrare mori dimension kombëtar. Gegnishtja e Migjenit u bë e kuptueshme në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan e më tepër. Atëherë kur kjo gegnishte letrare ta jep mundësinë e lindjes së një gjeniu si është e mundur të bëhet pengesë për të tjerë kur askush deri më sot nuk ka arritur t’i afrohet në gjenialitet Migjenit. Diktatura në mënyrë të sforcuar ngriti kulte shkrimtarësh, veçmas të jugut me të cilët krijoi triumviratin e letërsisë poetike (lexo politike), por asnjeri nuk arriti t’i afrohet Migjenit, i cili i sfidoi kohërat e mediokritetit duke mbetur po aq aktual dhe po aq i madhërishëm me vargjet e tij herë-herë të mistershëm për nga ndërtimi i një universi që mban emrin e tij. Përderisa letërsia shqipe është fatlume për pasjen e një shkrimtari të madh si Migjeni, pse të mos jetë edhe gegnishtja letrare ku ai hodhi shtat dhe u ndje mirë. Duhet pranuar se gegnishtja letrare është ajo zanë që ushqeu me qumështin e frymëzimit gjenitë e poezisë shqipe e ne si mund ta lejojmë të humbë tërë ky univers poetik shkodran? Prandaj them se nuk është vonë, por është koha e duhur që të parashtrojmë publikisht idenë se kthimi i Gjuhës Letrare Shqipe me fytyrë nga gegnishtja është e domosdoshme, është jetike, është e dobishme dhe askush dëm prej saj nuk ka. Këtë bindje që kemi duhet ta manifestojnë, duhet të tërheqim vëmendjen publike, duhet t’i paraqesim dëshirën tonë që Gjuha Shqipe të jetë e hapur e jo e mbyllur, që ne nuk do të reshtim së kërkuari një të drejtë të ligjshme të mohuar prej një sistemi të dhunshëm.
Ndoshta është koha më e mirë që ne vimë prej trojeve të gegnisë, por edhe simpatizantët e saj që janë të shumtë në Shqipëri, Kosovë por edhe miq të huaj të kalojmë nga format e kërkesave individuale në shprehjen e kërkesave e dëshirave tona në mënyrë më të organizuar. Le ta shtrojmë çështjen neve që na dhemb, ne që shkruajmë përditë, sepse e kuptojmë se edhe ata që janë gjuhëtarë me burim prej gegnishtes sonë, nuk mundën të angazhohen dhe aq hapur për shkak se janë studiues të punësuar e do nuk do, kanë pengime. Por ne nuk na pengon asgjë, nuk jemi të varur ekonomikisht nga shteti, mund të dalim e të themi me kurajo fjalën tonë, madje duke dalë në skenë ne i ndihmojmë edhe ata gjuhëtarë që ndajnë me ne të njëjtin mendim, por veç ngurrojnë duke menduar se janë zëra në minoritet. Ka ardhur koha për gjuhën duhet bâ e jo vetëm duke lshue zâ! Le ta mbyllim me thirrjen e lëshuar nga poeti bash atëherë kur zhvillohej Kongresi, i cili ndaloi dhe e përjashtoi Gegnishten nga trungu i Gjuhës Shqipe dhe të bindim veten e të tjerët se koha për ndryshim ka ardhur.


Kjo qe lavdia e gjuhës sonë dhe nderi
dhe për ta ngjit përsëri tek gurra,
nuk don kërthingla, por sokola e burra.



[ Edited Sat Feb 18 2017, 08:49pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3418 sec, 0.0785 of that for queries. DB queries: 38. Memory Usage: 2,848kB