Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Rreth Shkodrës dhe per Shkodrën :: Turizmi në Shkodër
 
<< Previous thread | Next thread >>
*** Rreth Turizmit ***
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Sun Jul 19 2009, 02:47pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
"Shfrytezimi i potencialeve natyrore, celesi i suksesit ne turizem"

Intervistoi: Fjoralba Shahaj

E Diele, 19 Korrik 2009


Ignazio Internicola ka punuar disa vite ne Londer te Anglise, ku ka pasur mundesine te jete pjese e projekteve te ndryshme arkitekturore, qe ruajne dhe zhvillojne qendrueshmerine e ambientit. Ketu ne Shqiperi, ai ndodhet jo vetem per te dhene mesim me studentet e masterit prane EUFT-se, por edhe per te dhene konsulencen e tij ne fushen e ndertimeve, sidomos te hoteleve, ne menyre qe investitoret te mund te ruajne ambientin, duke shfrytezuar njekohesisht potencialet natyrore, si diellin, eren etj. Ndoshta do te ishte sfide e veshtire ngritja e centraleve qe shfrytezojne forcen e eres, por nuk ka asgje te pamundur qe individe, familjare etj., te synojne termoizolimin e banesave te tyre ose ngritjen e paneleve diellore. "Spanja, Greqia dhe Kroacia, jane vende qe per 10 vite kane ndryshuar imazhin e vendit, sepse kane punuar fort me kete gje. Dua te theksoj qe edhe ju mund t'ia dilni, sidomos tani qe aspiratat tuaja jane qasja me BE-ne", thote ne nje interviste per "KJ" arkitekti Ignazio Internicola, i cili nuk harron te shtoje se eshte i gatshem te ofroje ndihmen e tij per te gjithe biznesmenet qe duan te investojne ne konstruksione qe ruajne ambientin.

Cfare lende jepni me studentet e masterit prane EUFT-se?

Lenda qe jap me studentet e masterit quhet Hotelet ne Turizmin e Zhvillueshem. Shpjegoj ne fillin disa baza, si psh., cfare eshte turizmi i qendrueshem, pse duhet te flasim per te, cilat jane ceshtjet qe na kane cuar sot ne perballje me turizmin e qendrueshem, ku duhen aplikuar keto koncepte, cilat jane kushtet klimaterike, burimet, energjia etj.

Si mund te shfrytezohen ne menyre efikase burimet qe zoteron nje vend, ne ndertimet e hoteleve dhe banesave te tjera?

Duhen pare kushtet klimaterike qe mund te shfrytezohen, ne menyre te tille qe teknologjia e mundshme ne treg dhe arkitektura te ndihmojne kete proces. Jo vetem hotelet e medhenj, por edhe konsumatoret me te vegjel familjare, mund te perdorin diellin, gjeotermine, forcen e eres, etj., per t'i shnderruar ne energji te rinovueshme. Ventilimi natyral nuk ka nevoje per shume instrumente specifike, por me pak kujdes mund te jape rezultate te njejta me kosto zero.

Si mund t'i ndihmoni ju investitoret shqiptare, ne menyre qe ndertimet qe kryhen ketu te respektojne ambientin dhe njekohesisht te shfrytezojne kushtet e favorshme klimaterike?

Ndodhem ne Shqiperi per here te trete, pasi kam marre pjese edhe me pare ne konferenca nderkombetare, pikerisht per keto koncepte qe po flasim ne tani. Eshte e qarte qe kam qendruar neper hotele. Syri natyrisht me bie ne sherbimin dhe strukturen perkatese te hotelit. Nuk ka nje kure apo edukate ne kete aspekt, por ka shume pika te dobeta, qe fatmiresisht per shkak te kushteve favorizuese, mund te shnderrohen ne pika te forta. Gjithcka eshte rezultat i informacionit, sepse askush nuk mund te pretendoje ndryshim, pa ditur cilat jane mjetet dhe si arrihet ai ndryshim. Kushtet jane, une ndodhem ketu per te dhene ndihmen time dhe per te iniciuar nje dialog me te gjithe ata qe duan te investojne apo te kontribuojne privatisht ne nje zone turistike lokale, qofte edhe per nje lloj tjeter turizmi, sepse njerezit jane lodhur me hotelet 20-30-kateshe dhe preferojne edhe turizmin familjar dhe me mikprites.

A duhet t'i shkaterrojme ne ndertesat qe jane ndertuar pas respektuar mjedisin, apo duhet t'u kushtojme vemendje vetem atyre qe ngrihen rishtazi?

Nje nga principet thelbesore te turizmit te qendrueshem, nuk eshte shkaterrimi i asaj qe ekziston sakaq. Edhe po te shkaterrosh ka nje kosto, e mbi te gjitha, te tera rrenojat nga shkaterrimi do te hidhen diku dhe kjo do te ishte absolutisht e paqendrueshme. Tendenca ne kete rast eshte te shfrytezohen ne maksimum strukturat ekzistuese. Ka sot teknologji qe te lejojne transformimin e atyre ndertesave qe ekzistojne, ne menyre shume te ndjeshme. Nuk eshte vone per te nderhyre; jane gjera te vogla dhe te domosdoshme qe duhen ndermarre qofte edhe ne ato struktura te vogla turistike, te cilat ne fillim nuk jane ngritur si te tilla. Per ata qe duan te fillojne gjithcka nga zeroja, ekzistojne sot menyrat dhe teknologjite e dobishme per ta bere gjithcka mire dhe ne favor te ambientit.

Cfare kostoje do te kishte kjo qe thoni ju, pra transformimi i ndertesave ne favor te ambientit?

Nuk eshte e lehte te flitet per kostot, sepse perkthimi ne para nuk eshte perhere njelloj. Ka struktura te vogla, te medha, varet nga kerkesa, burimet qe duhen shfrytezuar. Natyrisht, kostoja eshte e ndryshme per nje hotel qe ngrihet nga fillimi, ne krahasim me nje tjeter qe i nenshtrohet nje rikonstruksioni. Favorizuese eshte tendenca per rikthimin e atyre qe ke investuar, qe do te thote se energjia, uji, apo mbeturinat e prodhuara, jane me kosto zero sa i perket energjise, nese je ti vete qe e prodhon ate.

Sa e rendesishme eshte per nje turist, te dije qe vendi qe ai viziton respekton ambientin, ose qofte edhe hoteli ku eshte akomoduar, ka termoizolim?

Sa i peket turisteve, kjo eshte shume e rendesishme. Target grupi i turisteve te sotem, eshte i ndryshem nga ai i dhjete viteve me pare. Nje klient sot eshte shume me i edukuar, shume me i informuar dhe ka dijeni sesi mbrohet ambienti. Ka nje fluks te madh informacioni qe merret nga mediat, nga gazetat, televizionet, radiot etj., pra ekziston nje sensibilizim perhere e me te madh. Ne kete kuptim, nje individ, nese ka mundesi te zgjedhe per te vizituar nje vend ku njerezit jane te ndjeshem ndaj ketyre ceshtjeve, sic eshte edhe ai, predispozitat per te qene turist ne kete vend jane shume me te medha.

Ne kete aspekt, cfare pergjegjesie ka qeveria, pushteti lokal dhe politika ne pergjithesi, sidomos kur vendi yne po rreket te jete pjese e BE-se?

Politika ka nje rol thelbesor sepse harton politika sesi investitoret te ndjekin nje linje te caktuar. Shqiperia po perpiqet me cdo menyre per te qene pjese e Bashkimit Evropian. Pavaresisht veshtiresive, ky eshte nje objektiv qe nuk dihet se kur, sot apo neser, do te permbushet. Kjo ben qe qeveria te huazoje standardet evropiane. Kjo do te nenkuptonte edhe kontributin e qeverise ndaj investitoreve, apo qofte edhe ndaj nje familjari qe kerkon te instaloje nje panel solar mbi shtepine e tij, me qellim qe te krijoje vete energjine e tij. Ne Itali, qeveria mbeshtet te gjitha ata qe mund te iniciojne prodhimin e energjise gjate periudhave te ndryshme te vitit. Financimi perfshin deri ne 70 per qind te shumes se investimit. Per me teper, nje investitor ka mundesi jo vetem te prodhoje energjine e nevojshme per veten e tij, por edhe ta shese tepricen me cmim me te ulet. Keshtu behet nje ftese per te gjithe, qe te ndjekin menyra efikase per te zgjidhur problemet e tyre.

Ju i keni pare tashme strukturat arkitekturore ne vendin tone. Nese do te perdornit nje shkalle krahasimi, me cilat vende do ta vinit perballe Shqiperine?

Nuk di te perdor nje shkalle krahasimi. Di vetem qe ka shume, shume pune per te bere. Mbi te gjitha, duhet te mesoni te degjoni, sepse ne te kundert nuk do te kuptoni kurre. Keni nje strukture natyrale te adhurueshme dhe vleresimi qe do t'i benit kesaj natyre eshte me e pakta qe duhet te beni. Ka shume shtete qe nuk e zoterojne natyren dhe bejne perpjekjet maksimale per te vleresuar vendin e tyre. Per ju eshte njelloj si te keni nje automjet tip "Ferrari" dhe te mos dini ku keni celesat. Shtetet e tjera kane me pak potenciale, kane nje "makine" me standarde me te uleta, por "makinat" e tyre ndizen, sepse ata zoterojne celesat. Nga ana tjeter, kushtet klimaterike ne vendin tuaj jane shume te favorshme per te prodhuar struktura me efikase se ne shume vende te tjera. Nuk them se ketu eshte mrekulli, por natyra qe keni eshte e bukur dhe mund te shfrytezohet shume mire.

Njohurite ne kete fushe, sa do t'i ndihmojne studentet shqiptare, ne menyre qe kur ata te marrin persiper projekte, te jene profesioniste te mirefillte?

Shume, sepse informacioni eshte baza e gjithckaje. Nese nuk di te lexosh, nuk do ta marresh vesh kurre qe nga nje trug peme mund te ndertosh nje varke. Ne kete aspekt, informacioni dhe predispozita per te degjuar, jane thelbesore ne procesin e te mesuarit. Duhet te jeni kurioze dhe te afte per te pranuar kritika nga njerez profesioniste, ne menyre qe t'i jepni vetes mundesine per t'u rritur. Universiteti eshte nje strukture qe te ofron informacionin. Biznesmenet private do te kene mundesine te besojne te njerez profesioniste, qe te mund te bejne dicka ne menyren me korrekte te mundshme. Nese une jam investitor dhe dua te ndertoj nje hotel, do t'ia besoj kete dikujt qe di ta beje mire. Ne kete mekanizem, nje hap ndjek tjetrin. Keshtu, nese une ndertoj dicka te mire, ti qe prane meje, nuk do marresh shembull nga dikush qe ka gabuar, por do perpiqesh ta besh edhe me mire se une. Duhet te kuptoni qe nuk eshte e veshtire, madje me e veshtire eshte ta shpjegosh ne teori, sesa ta zbatosh ne realitet.

Ne sa vite mund te realizohet e gjitha kjo?

Nuk mund te flas me vite, por duhet filluar. 100 hapat e pare behen duke hedhur te parin. E rendesishme eshte qe te ndryshoni ju ne fillim. Spanja, Greqia dhe Kroacia, jane vende qe per 10 vite kane ndryshuar imazhin e vendit, sepse kane punuar fort me kete gje. Kane investuar sigurisht edhe ne sigurine qe u transmetohet turisteve. Ketu te ju nuk e di nese turistet ndjehen 100 per qind te sigurt, ndaj do te ishte nje pike mire fillimi. Ajo qe dua te ve ne dukje eshte qe, ju mundeni ta beni kete.

© 1991 - 2009 Koha Jone


[ Edited Wed Dec 23 2009, 08:57am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Jul 22 2009, 10:31am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Turku kundër fabrikës në Nikël

Emirjon Senja | 22/07/2009

Ndërtimi i një fabrike çimentojë pranë kalasë së Zgërdheshtit nxit debate në mbledhjen e KRRTRSH-së

TIRANË- Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, njëkohësisht edhe anëtar i KRRTRSH-së kërkoi rishikimin e projektit për ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën Nikël të Krujës.

Duke iu referuar të dhënave nga Qëndra e Monumenteve të Kulturës, Turku ka bërë të ditur se, në afërsi të zonës ku parashikohet të ndërtohet fabrika, ndodhet kalaja e Zgërdheshtit, e cila mbart vlera të rralla dhe ka një vizitueshmëri të lartë nga turistët. Po ashtu, sipas tij, në këtë zonë mendohet të ndodhen rrënojat e qytetit antik të Albanopolisit.

"Sipas Qendrës së Monumenteve të Kulturës, vendi parashikohet të ngrihet kjo fabrikë ndodhet afër kalasë së Zgërdheshtit, e cila ka një vizitueshmëri të lartë. Po ashtu, mendohet se në afërsi të kësaj zone ndodhen edhe rrënojat e qytetit antik të Albanopolisit", -tha Turku.

Ndërsa, në rolin e anëtarit të Këshillit të Rregullimit të territorit të Republikës së Shqipërisë, ky i fundit kërkoi nga studioja projektuese që të merrte parasysh edhe mundësinë e zhvendosjes së projektit në një zonë të afërt me vendin ku është parashikuar të ndërtohej në të cilin nuk rrezikohen as kalaja dhe as rrënojat e qytetit të Albanopolisit.

Nga ana tjetër, Kryeministri i vendit theksoi se nuk mund të ndalohet miratimi i një projekti mbi bazën e supozimeve. "Nëse do të hasen rrënoja të tilla, dihet që do të ndërpriten punimet ashtu siç e përcakton edhe ligji, tha ai duke shtuar se ky është një rrëzik që e merr vetë përsipër investitori.

Në lidhje me këtë, do të kryhet një studim mbi ndikimin që mund të kenë shpërthimet e eksplozivëve gjatë nxjerrjes së lëndës së parë për muret e kalasë së Zgërdheshtit. Pavarësisht kërkesës së Turkut, KRRTRSH ndërtimin e fabrikës me kushtin se, do të publikohej në fletoren zyrtare pas kryerjes së një studimi në lidhje me këto pretendime.

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:19am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Jul 22 2009, 11:40am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Lalzi nuk është ende gati për pushuesit

(Vendosur: 21/07/09) Hamdi Jupe

Të dielën e kaluar morëm rrugën për në plazhit e Lalzit, në veri të Durrësit. Nuk deshëm të shkojmë në Durrës, për arsye që dihen. Me mijëra makina të Tiranës gjithashtu kishin zgjedhur për pushime Gjirin e Lalzit këtë fundjavë. Kam qenë edhe më parë në këto anë, por tani kam një ndjesi tjetër. Rruga automobilistike është asfaltuar thonë, gjë që do të thotë se 20 km që nga autostrada deri në plazh, do të bëhen më shpejt dhe pa andralla. Sapo lemë anash autostradën për Durrës, pamja e fshatrave anës rrugës për në Lalëz të kënaq me peizazhin me ngjyrë të blertë. Pranvera është “e vonuar” këtu, ashtu si në të gjithë vendin. Shirat e fundit kanë bërë që gjelbërimi në mes të korrikut të jetë si në mes të prillit. Fushat dhe kodrat e buta janë gjithë gjelbërim.

Shtëpitë dhe vilat në fshatra tregojnë një gjendje ekonomike jo fort të keqe të fshatarëve të kësaj zone. Rruga kalon mes përmes fshatrave, në atë vijë që ka qenë edhe 20 vjet me parë. Kjo ka të mirën e saj, sepse në fund të fundit, rruga për njerëzit bëhet. Por ka edhe të keqen, se makinat në përgjithësi nuk mund të ecin me më shumë se 50 km në orë. Fshatra do të thotë njerëz, kamionë, kafshë pune dhe kafshë shtëpiake, lëvizje të pakontrolluara apo sipas qejfit të njërit e tjetrit, sikur rruga të ishte bërë vetëm për ta dhe jo edhe për qytetarët e Tiranës që shkojnë në plazh.

Ja për shembull, një grua shtyn lopën të dalë nga ara ku kulloste, pa menduar se lopa e lë vrapin në mes të superstradës. Atje ajo ndalon dhe lëshon në qejf të saj jashtëqitjet. Në të dyja anët e rrugës trafiku është i bllokuar. Shoferët e dhjetëra makinave nga Tirana u bien burive. Por kjo nuk ka vlerë, deri sa t’i bjerë mendja lopës të largohet nga rruga. Po të ishte një kohë tjetër, p.sh. në vjeshtë apo në pranverë, do të rrinim me dëshirë të soditim këtë peizazh pastoral në mes të superstradës. Por sot jemi nisur për plazh dhe nuk kemi qejf të vonohemi rrugës. I këputim një të sharë me zë të lartë lopës dhe të zonjës së lopës, por kjo e fundit nuk e bën qejfin qeder.

Kështu më në fund arrijmë të ecim disi më tej, gjithnjë të frikësuar se në çdo njëqind metër, do të hasim përsëri ndonjë gomar të ngarkuar me perime, ndonjë makinë a traktor të ndaluar vend e pavend në rrugë etj. Një përshtypje jo fort e këndshme kjo, kur je nisur për plazh. Rruga në përgjithësi është e asfaltuar deri pranë plazhit. Këtu bëjnë përjashtim nja katër a pesë ura, të cilat nuk janë zënë me dorë për t’u zgjeruar, ose janë gërmuar pak anash, sa për të thënë se po punohet. Besohet se këto ura do të përfundojnë kur të bëhen zgjedhjet e tjera parlamentare dhe atëherë do të vijë përsëri kryeministri për t’i inauguruar. Prandaj, çdo pakujdesi në ecje të çon drejt aksidentit tragjik. Anës rrugës nëpër fshatra vazhdojnë të valëviten flamujt partiakë të fushatës së fundit elektorale. Diku dominojnë flamujt e PD-së, diku ata të PS-së.

Sipas preferencave partiake të kryepleqve të fshatrave që janë në secilin fshat. Por ja edhe një pamje e paparë ndonjëherë: Flamujt e dy partive kryesore, të vëna së bashku në të njëjtin fshat, nëpër shtyllat anës rrugës. D.m.th., në një shtyllë një flamur i PD-së, në një shtyllë tjetër një flamur i PS-së e kështu me radhë. Këtu është kuptuar më së miri toleranca partiake. Flamujt mund të qëndrojnë atje duke u valëvitur deri verën tjetër, apo deri në fushatën e ardhshme elektorale, sepse nuk ka arsye të kujtohet ndokush që t’i heqë. Aq më tepër që opozita bën thirrje për zgjedhje të parakohshme. Më në fund, pas gati gjysmë ore udhëtim me makinë nga autostrada, arrijmë te vendi ku një tabelë na tregon drejtimin për në Shën Pjetër. Ky është emri i fshatit, por edhe i vendit ku është plazhi më i mirë. Deti duket prej andej dhe, po ashtu, brezi me pisha natyrore buzë detit, krijojnë një peizazh tërheqës. Atje po drejtohemi edhe ne.

Rruga na çon deri afër detit, por jo tamam te vendi i plazhit. Duket se nuk kanë mjaftuar fondet për t’i bërë edhe nja treqind metrat e fundit me asfalt. Plazhi këtu është i gjerë. Disa kilometra me rërë të mirë janë në dispozicion të pushuesve. Uji i detit nuk është i ndotur si në Durrës. Këtu nuk ka derdhje të ujërave të zeza, sepse nuk ka ende ndërtime me e pa leje. Këtu ka vetëm një resort turistik që po ngrihet dhe, po t’i besojmë kryeministrit të vendit, janë edhe disa projekte të tjera të miratuara nga qeveria për të filluar nga puna. Por ne po merremi me gjendjen e plazhit të Lalzit të dielën e fundit, kur ishim atje si mijëra qytetarë të Tiranës. Projektet po i lemë për më vonë.

Plazhi këtu i ngjan një malli pa zot. Kush mundet, ngre çadrat private dhe ofron shërbimin e shezlonave me 300 lekë për pushuesit. Por pastërtia e rërës është për të vënë duart në kokë. Letra, shishe, kanaçe, fekale, pisllëqe gjithfarësojesh gjenden në plazh. Nuk ka asnjë njeri që të merret me pastrimin e tij. Mbeturinat e plazhistëve kanë mbuluar gjithçka. Nuk ka strukturë të shtetit, qoftë të komunës apo të qeverisë, që të vërë dorë këtu. Sikur ky plazh të mos ekzistonte në asnjë inventar të pushtetit lokal apo atij qendror.
Nuk ka asnjë ndërtim serioz për të pirë një kafe për së mbari. Janë ngritur disa kasolle që pretendojnë se ofrojnë kafe dhe gatime me prodhime deti. Por pronarët e tyre janë ose fëmijë, ose të rritur, që nuk e njohin zanatin e tregtarit. Ata nuk dinë çfarë është bluza e bardhë e kamerierit apo banakierit, nuk njohin çfarë është pastërtia dhe shërbimi i kulturuar. Nuk dihet se me çfarë i lajnë filxhanët me të cilët servirin kafetë dhe pjatat me të cilat shërbejnë ushqimin, sepse këtu nuk ka ujë. Higjiena duket si gjë e padëgjuar këtu.

Në këto rrethana, para se të shkosh në plazhin e Lalzit, duhet të marrësh bukën me vete. Natyrisht edhe ujin dhe gjëra të tjera të nevojshme për pushime. Shumë qytetarë ndalojnë buzë rrugës për në plazh dhe blejnë prodhime të freskëta fshati nga fshatarët: Shalqinj, pjepra, domate, pjeshkë, kumbulla etj. Shitet edhe rrush, të cilin tiransit e kujtojnë se është rrush i freskët, i rritur në fshatin pranë. Në të vërtetë, ai është rrush i ardhur nga Kreta, sepse vetëm atje mund të piqet rrushi në këtë kohë. Po kjo pak rëndësi ka për pushuesit. Makina e policisë bën një xhiro buzë ujit, për të thënë që “ne jemi këtu, në shërbimin tuaj”. Por pas saj menjëherë kalojnë makina të tjera private, me targa shqiptare e të huaja, herë të ngarkuara me shalqinj e prodhime të tjera, herë për hobi të pronarëve të tyre që demonstrojnë aftësitë e shoferit para plazhistëve lakuriq. Prandaj duhet t’i falesh Zotit çdo ditë që shkon në plazh në Lalëz, nëse nuk do që të përfundosh nën rrotat e ndonjë makine të tillë. Artikulli më i shitur në plazh është misri i pjekur. Fushat anës rrugës për në Lalëz janë mbjellë në sipërfaqe të mëdha me misër dhe kjo është një lëndë e parë e mirë për “industrinë” e misrave të pjekur. Por misërpjekësit nuk janë edhe aq profesionistë në këtë zanat të ri, sa ç’janë punëtorë fushe. Ata mezi e ndezin zjarrin në mangall për të pjekur misrat. Duket se e kanë për herë të parë këtë zanat të pjekjes se misrave për biznes. Nuk e prisnin që këtë vit të shkonin në Lalëz kaq shumë njerëz. Mbi të gjitha, nuk e prisnin që misri i pjekur të ishte artikulli më i kërkuar prej tyre. Mbase vitin tjetër do të jenë më të shkathtë në këtë punë. Në këto rrethana, plazhistë të ndryshëm kontribuojnë duke i fryrë zjarrit të mangallit, për të shpejtuar pjekjen e misrave.

Deti në Lalëz nuk ishte i përshtatshëm për t’u larë të dielën e kaluar. Kishte dallgë të mëdha, të cilat nuk të linin të laheshe. Edhe era që frynte nga veriu, e bënte më të pakëndshëm futjen në det. Por kjo nxirrte edhe një problem tjetër jetik: Mungesën e banjove publike në këtë plazh gjigant. Këtu nuk bëhet fjalë për banja publike. Ky koncept nuk njihet këtu. Vetëm deti është i vetmi vend për të lëshuar jashtëqitjet njerëzore. Por kur ka dallgë, edhe kjo gjë vështirësohet.

Largohemi nga Lalzi për në Tiranë, me të njëjtën ndjesi aventure si edhe kur erdhëm në mëngjes. Përsëri trafik i ngarkuar, kafshë shtëpiake në rrugë, ecje sipas dëshirës, ndalime vend e pavend. Me këtë rrugë dhe me këtë lloj qarkullimi, jam i sigurt që këtu do të ketë aksidente të shumta. Zoti na shpëtoftë prej tyre!

Kthehemi në Tiranë me mendimin se Lalzi nuk është ende gati për pushuesit, të paktën edhe për këtë vit. Natyra e ka bërë punën e saj atje, por njeriu ende jo. Njeriu ka bërë vetëm një rrugë gjysmake asfalti dhe vetëm kaq. Megjithatë, edhe javën tjetër do të detyrohemi të zgjedhim të keqen më të vogël për plazh, Lalzin në vend të Durrësit, përderisa nuk kemi mundësi ende të marrim “arratinë” në brigje të tjera shqiptare për pushime.

Gazeta Panorama Online
© Gazeta Panorama


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:21am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Jul 22 2009, 11:44am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Operatorët turistikë konstatojnë këtë sezon veror një rënie të flukseve turistike të pushuesve për jashtë vendit

Shqiptarët këtë vit zgjedhin t'i kalojnë pushimet "në shtëpi"

Shqiptarët këtë verë duket se po preferojnë më shumë bregdetin tonë, sesa shtegtimet drejt vendeve të tjera. Operatorët turistikë konstatojnë këtë sezon veror një rënie të flukseve turistike të pushuesve jashtë vendit, si me fluturime charter, ashtu edhe drejt destinacioneve të afërta. Rënia përllogaritet deri në 20 përqind krahasuar me verën e kaluar dhe si shkak mendohet të jenë efektet post zgjedhore. Sadik Malaj, kryetar i Unionit të operatorëve turistikë, thotë se "Kemi verejtur rënie si për chartera dhe për udhëtimet në rrugë tokësore me 15-20 përqind. Administrata, që është kategoria kryesore që rezervon me agjencitë për shkak të zgjedhjeve dhe obligimeve për të punuar gjatë verës, nuk ka marrë lejen". As tërheqja me anë të çmimeve përgjithësisht më të lira këtë verë për paketat turistike për jashtë vendit, ndikuar nga kriza ekonomike, nuk ka nxitur shqiptarët të rezervojnë për pushime. Megjithatë, operatorët turistikë thonë se pushuesit shqiptarë zakonisht e vendosin në çastet e fundit, çka të le të mendosh për një shtim të fluksit gjatë muajit gusht. Përveç emigrantëve, të cilët kthehen në atdhe për pushime, një numër të konsiderueshëm pushuesish e përbëjnë shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, që kanë vendosur të frekuentojnë sërish viset amtare, në jetësimin e qëllimtë të të ashtuquajturit turizëm patriotik. Por të shumtë janë edhe pushuesit e huaj, për të cilët në pikat kufitare ekzistojnë të dhëna në shifra të mëdha në krahasim me vitet e kaluara, e që në Shqipëri i tërheq klima dhe bukuritë e rralla të vendit tonë. Shqipëria ka shumë për të ofruar në klimë, ekspedita, qendra historike e arkeologjike, kulturore, etj, dhe kjo ofertë turistike është vlerësuar maksimalisht nga turistët e joshur nga bukuritë e rralla të vendit tonë dhe kjo po vërtetohet çdo ditë e më shumë. Të ardhurat e përfituara nga kjo industri fitimprurëse, ndikojnë ndjeshëm në rritjen e ekonomisë shqiptare në përgjithësi dhe sidomos në ekonominë vetiake të pronarëve që e kanë lidhur jetën dhe biznesin e tyre me turizimin dhe hotelet e motelet e shumtë në zonat turistike, ku kanë investuar gjithçka, kuptohet sipas kërkesave dhe standardeve më të përparuara perëndimore. Vendet historike janë një preferencë tjetër veçanërisht e të huajve, të cilët kanë qenë gjithnjë kureshtarë për historinë e vendit tonë, të mishëruar në gjurmë të dukshme sikurse qytetet historike, ku ndër të tjera turistët e huaj nuk ngurrojnë të blejnë edhe relike që simbolizojnë figura të mëdha historike apo kulturën tradicionale të shqiptarëve. Shqipëria në këto 4 vite i ka rritur të ardhurat për sektorin e turizmit, duke ia kthyer atij në formën e investimeve. Prurjet nga turizmi arritën 1 miliard e 119 milion euro, duke shënuar një bilanc pozitiv në këtë sektor prej 140 milion eurosh, pasi shqiptarët harxhuan në udhëtimet e tyre jashtë, po për turizëm 1 miliard e 50 milion euro ose 14 përqind më shumë se vitin që shkoi. Të ardhurat nga turizmi, sipas Bankës Qendrore, shënuan një vlerë rreth 20 përqind më të lartë se në vitin 2007. Rritja e të ardhurave gjatë vitit 2008, ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të vizitorëve të huaj dhe të emigrantëve. Në këtë rritje, sipas BSH-së, ka ndikuar shtimi me 20% i numrit të udhëtarëve dhe një rritje e lehtë e shpenzimeve mesatare ditore. Gjithnjë e më shumë turizmi po shndërrohet në furnizuesin kryesor të ekonomisë me të ardhura. Vlerat monetare që u përfituan gjatë vitit 2008 kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat që futen nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim madhor të ardhurash dhe punësimi.

Rritet numri i turistëve të huaj që pushojnë në Shqipëri

Në vitet e fundit, një numër në rritje turistësh të huaj po vizitojnë Shqipërinë. Vendi është bërë një destinacion rajonal turizmi mbas shkundjes të izolimit të tij të zgjatur të epokës komuniste. Midis plazheve të populluara të Durrësit dhe Vlorës, Shqipëria ofron vende të pashkelura në brigjet e veriut dhe jugut të deteve Adriatik dhe Jon, të cilët po bëhen destinacioni kryesor për shumë turistë të huaj. Statistikat e qershorit regjistruan një rritje të ndjeshme të vizitave të turistëve në Shqipëri krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pritjet janë më të mëdhaja për qershorin dhe korrikun, të cilët shënojnë pikun e sezonit turistik. Vizitorët nga Kosova përbëjnë pjesën kryesore të turistëve. Numri i tyre është rritur më ndjeshëm këtë vit, sipas statistikave zyrtare. Po ashtu, shumë turistë nga Maqedonia, po vizitojnë Shqipërinë. Deri në 90% të turistëve shqiptarë janë evropianë, nga të cilët 70% hyjnë në vend nëpërmjet tokës. Përmirësimi i rrugëve pas ndërtimit të aortës kombëtare Durrës-Kukës ka rritur numrin e vizitorëve nga Kosova por edhe nga vende të tjera të Ballkanit. Sipërmarrësit shqiptarë janë të ndërgjegjshëm se infrastruktura mbetet një nga problemet e tyre më të mëdhaja. Rrugët dytësore për në plazhe janë ende problematike. Megjithatë, qeveria po promovon këtë industri dhe ka lajmëruar plane për komplekse turistike të mëdha. Sipërmarrës nga Dubai dhe Katari kanë shprehur interesin e tyre për financimin e zhvillimeve të konsiderueshme në Gjirin e Lalëzit. Një nga pikat më të forta të industrisë së turizmit shqiptar është kuzhina vendase, një përzierje joshëse e ndikimeve greke dhe turke.

© Copyright 2005 Rilindja Demokratike


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:22am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Jul 22 2009, 11:53am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Kjo zonë turistike, pjesë e Komunës së Ishmit në Qarkun e Durrësit, prej kohësh ka nisur të vizitohet nga turistët

Kepi i Rodonit, një vend mistik që tërheq turistët e huaj

Kepi i Rodonit që njihet nga banorët vendas edhe si Kepi i Muzhlit, pjesë e Komunës së Ishmit në Qarkun e Durrësit, është një nga zonat më pak të njohura të vendit tonë. Prej qindra vjetësh ky ishte territori më strategjik i bregdetit shqiptar dhe ende ruan një mister që duket se vjen nga thellësia e shekujve. Kurrizi kodrinor që nis në Krrabë pranë Tiranës përfundon me gadishullin e vogël që nga lartësia prej 30 metra bie thuajse thikë në det. Kepi i Rodonit mban emrin e një hyjnie ilire të ngjashëm me Poseidonin helen dhe Neptunin romak, të njohur në mitologji si Perëndi të detit. Në mesjetë, nga ky vend niste tregtia e grurit dhe e lëndës drusore me Venedikun dhe Raguzën (Dubrovniku i sotëm), ndërsa Topiajt që e zotëronin Kepin kishin ngritur në shekulin e 14-t një kantier detar.

Kepi u bë mjaft i njohur kur Skëndërbeu promovoi ngritjen e një kështjelle që mundësonte një dalje në det në kushtet e rrethimit otoman. Më pas, gjithçka u mbulua nga misteri dhe mungesa e informacionit, pasi për pesë dekada radhazi kjo zonë ishte vetëm "ekskluzivitet" ushtarak. Tashmë prej disa kohësh ajo ka nisur të vizitohet nga turistët e interesuar për "Shqipërinë e panjohur". Për të mbërritur këtu nga Durrësi apo Tirana duhet të përshkosh me automjet të paktën 45 km, dhe nga Manza itinerari më i mirë është Shkafane-Lalëz-Draç-Rodon. Rruga e re, Maminas-Shën Pjetër, me një investim prej 1 miliard lekësh, e ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve drejt plazheve të Gjirit të Lalzit, ndërsa më tej mund të vazhdohet në pikën më ekstreme të gjirit, në Rodon. Rruga detare është më e shkurtër dhe mjaft e këndshme. Anija e vogël që niset nga Durrësi, pasi lundron drejt veriut përballë vargut të kodrave të qytetit bregdetar hyn në Gjirin detar të Lalzit dhe pamja e plazheve të pamatë nga Kepi i Palit në jug deri në Kepin e Rodonit në veri vazhdon për rreth 22 km.

Gjiri i Lalzit

Gjiri i Lalzit dhe ai i Drinit, ndahen nga njëri-tjetri, duke patur si kufi Kepin e Rodonit. Dielli i mëngjesit ndriçon Kalanë e Skëndërbeut në pjesën veriore të Kepit, që shpesh herë thirret edhe me emrin e kryeheroit tonë. Në molin e vjetër ushtarak me pilota betoni anija ankorohet me vështirësi. Tashmë të gjithë e dinë se në këtë zonë do të ndërtohet me konçesion një port jahtesh, me vlerë miliona euro, që do të rrisë ndjeshëm numrin e turistëve. Plazhet e vogla të shoqërojnë në të dy anët e Kepit, në të cilin mund të shëtisësh për qindra metra edhe duke ndjekur shtigjet e gjelbëruara majë kodrës. Në luginën pranë molit ngjitur me njëra-tjetrën ndodhen kisha e Shna Ndout dhe manastiri i Shën Klarës. 10 vjet më parë këto dy qendra kulti u restauruan në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë. Çdo vit, më 13 qershor pranë kishës mblidhen qindra besimtarë dhe banorë të zonës, të cilët kremtojnë me të njëjtat rituale ditën e Shna Ndout, njëlloj si në kishën e famshme pranë Laçit.

Ndërsa, manastiri ngjitur me kishën mijëvjeçare bart fatin e trishtë të princeshës Mamicë, motrës së Skëndërbeut, e cila thuhet se pas vdekjes së të vëllait dhe të shoqit, Muzakës, u tërhoq përfundimisht në Kepin e Rodonit, ku ndërtoi edhe manastirin e motrave të Shën Klarës. Kjo zonë dikur e vështirë, apo thuajse e pamundur për t'u shkelur, tashmë nga viti në vit pritet të bëhet një nga atraksionet e shumta që të ofron bregdeti i Adriatikut në vendin tonë.

Gëzim Kabashi

Dardha, një "muze" i natyrës që tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit

Sotir Pani, rreth 70 vjeç, ka ardhur nga SHBA të kalojë pushimet e verës në fshatin e tij të lindjes, Dardhë, afro 14 km larg qytetit juglindor të Korçës, ku ka emigruar prej 13 vitesh së bashku me familjen. Rikthehet për të shijuar peisazhin dhe klimën e mrekullueshme të këtij fshati dhe siç shprehet 70-vjeçari "këtë vit vjen së bashku me nipin e tij e ka më shumë për t'i treguar për vendin e paraardhësve, me të cilët krenohet". Sotiri ka mbledhur më shumë se 150 fotografi e një pjesë shkrimesh e dokumentesh për arsimin e veprimtarinë patriotike të paraardhësve të tij në Dardhë, të cilat i ka vendosur në katin e dytë të banesës së tij prej guri, ku ka krijuar muzeun familjar. "E kam krijuar më në fund muzeun familjar, për të nderuar kujtimin e të parëve të mi patriotë dhe për t'i bërë të njohur çdo vizitori se çfarë vlerash ka Dardha", thotë ai, duke shtuar se, "ky është vendi im ku kam kaluar rininë, ku shijoj klimën e mrekullueshme malore dhe përpiqem të ruaj e respektoj kujtimin e të parëve të mi".

Muzeu familjar i Sotirit është në fakt i të gjithë fshatit. Niko Balli, edhe ky dardhar dhe kryetar i shoqatës "Shpresa" e krijuar në vitet 1920 kur banorët filluan të emigronin në SHBA, të tregon se këtë vit vizitorët e Dardhës kanë qenë më të shumtë në numër dhe ata e kanë kaluar shifrën 1500. "Nuk vijnë në Dardhë vetëm për një fundjavë, por qëndrojnë gjatë", thotë ai e sakaq interesohet në telefon. nëse ka pushues në një prej lokaleve të shërbimit hotelerik në fshat. "Edhe sot paska punë Çomja", thotë Niko. me një ton zëri të sigurtë. pasi mbyll telefonin me Thoma Mihallarin, i njohur ndryshe me emrin Çome, pronar i hotelit me 30 shtretër dhe i një restoranti në Dardhë, që dikur ka shërbyer si ish-kampi i punëtorëve. "Vizitorët gjejnë këtu jo vetëm mikpritjen dhe traditat e vjetra fshtatare, por shijojnë gatimet e tyre tradicionale të lakrorit me dy petë, perimet e kopshtijeve dhe bulmetin e freskët", shton Niko Balli, duke na treguar për një prej grave më të moshuara të fshatit, Evgjeni Korçari, e cila sapo ka përgatitur zahiretë e dimrit me gatimin e petkave, një produkt ky tradicional prej brumi e vezësh i ngjashëm me makaronat, dhe tani pret që të ziejë rakinë e kumbullës. "Dardharët i mban fort të lidhur vendlindja e tyre", ndërhyn në bisedë Sotir Pani, i cili i lumturohet gjallërimit të Dardhës. "Po ndërtohen gati 50 shtëpi të reja në Dardhë, një pjesë e mirë nga vetë të zotët e tyre, por edhe prej të ardhurve nga Korça apo kryeqyteti", shton ai.

Interesimi për një shtëpi është i madh

Interesimi për një shtëpi në fshatin Dardhë është i madh dhe këtë e tregon edhe çmimi i shitjes së tokës atje. Një metër katror tokë në Dardhë shitet me 4 mijë lekë të reja, por është mjaft e vështirë që të blesh tokën e ndonjë dardhari, edhe pse ai mund të ndodhet prej vitesh në emigracion dhe ndoshta nuk kthehet më përfundimisht në vendlindje. Rruga prej 14 kilometrash që lidh qytetin e Korçës me Dardhën është në metrat e fundit të asfaltimit të saj deri në fshat, një lehtësim si për lëvizjen e banorëve edhe të pushuesve që vijnë nga Tirana, Fieri, Durrësi e qytete të tjera të vendit, por edhe nga Kosova e vende të huaja si Gjermania, Franca e Holanda. "Gjermani, Peter tashmë është kthyer në banor të Dardhës", tregon Niko, duke shtuar se "këto ditë ai është kthyer në Gjermani, por ja sikur ka ardhur përsëri të pijë verë në ballkonin e shtëpisë që ka blerë këtu". Në verë ose në dimër, në vjeshtë ose në pranverë, Dardha në të gjitha stinët është mikpritëse. Me një bukuri të tillë natyrore e klimë të pastër, ajo është si një muze i gjallë i ngritur përballë Malit të Vjeshtës.

© Copyright 2005 Rilindja Demokratike


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:23am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sat Jul 25 2009, 09:22am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Një copëz Shqipërie pa bunkerë

(Dërguar më: 24/07/09)

Bunkerët e betonit, një simbol rezistent i izolimit të gjatë të Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë, u hoqën më në fund nga një plazh dhe u shkatërruan në një resort turistik popullor në jug të vendit, në Seman, me ndihmën e një tanku të vjetër kinez. Bunkerët duken si objekte të çuditshme dhe të rrezikshme në plazhet e Adriatikut në Shqipëri, me gjatësi 120 kilometra. “Njerëzit janë mbytur, janë plagosur dhe janë vrarë për shkak të tyre”, - thotë një administrator lokal, Sotir Zaka. Rreth 30 bunkerë janë nxjerrë deri tani dhe 30 të tjerë do të duhet të shkatërrohen në dy javët e ardhshme.
Por, përpjekja e madhe, e penguar edhe nga dallgët e detit dhe litarët e dobët, ka përfshirë vetëm një fraksion të vogël të Shqipërisë, që ka rreth 700 mijë bunkerë betoni në të gjithë sipërfaqen e saj. Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes e kanë përjashtuar pastrimin e plotë të vendit nga bunkerët që duhen dhe urrehen njësoj, duke thënë se kostoja është tepër e lartë.
Sistemi i fortifikimit masiv të Shqipërisë u urdhërua nga diktatori komunist, Enver Hoxha, regjimi ksenofob i të cilit ndaloi besimin fetar, udhëtimet jashtë vendit dhe përdori policinë e shërbimit sekret për të shtypur çdo tentativë për kryengritje. Deri në vdekjen e Hoxhës në vitin 1985, Shqipëri ishte në izolim të plotë, pas disa dekadash aleancë me fqinjen komuniste, Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe aleaten e vendosur, Kinën.

Rrjeti i gjerë i bunkerëve të betonit, që u shfaqën në radhë të panumërta në fusha dhe plazhe, kishte për qëllim të mbronte personelin ushtarak në këtë enklavë staliniste, që harxhoi një të katërtën e buxhetit të saj për ushtrinë.
Shqipëria kurrë nuk u sulmua dhe tashmë është anëtare e NATO-s dhe planifikon t’i japë fund shërbimit të detyrueshëm ushtarak në fund të vitit.
Por, plagët e saj të luftës së ftohtë do të rrojnë edhe më gjatë në emrat e rrugëve dhe statujat e komunizmit që u rrëzua njëzet vjet më parë.
Argon Loci, një këshilltar i lartë në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, thotë se nuk ka fonde për të pastruar vendin nga fortifikimet e vjetruara tashmë.

“Procesi i heqjes së bunkerëve është shumë i kushtueshëm. Ne s’mund të përballojmë një shpenzim të tillë”, - thekson ai, duke shtuar se ushtria kishte siguruar vetëm një tank për të ndihmuar në pastrimin e zonës bregdetare nga bunkerët.

“Nëse ne do të merreshim me heqjen e bunkerëve në këtë zonë, shumë komunitete të tjera do të na kërkonin ndihmë”, - tha ai. Bunkerët ende përdoren për stërvitje ushtarake, por shumica e tyre janë lënë në mëshirën e fatit, prej atyre që i shkatërrojnë për t’u marrë shufrat e hekurit.
Ato janë kthyer në strehë të çifteve të fshehta, kafshëve shtëpiake apo edhe në tualete publike. Jo gjithkush do që ato të hiqen.
Kur komunizmi u rrëzua në vitin 1991, Kujtim Roci e la punën si hidraulik dhe i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes lejen për të përdorur një bunker prej 50 metrash katrorë si një restorant në Golem, një zonë turistike rreth 50 kilometra në perëndim të Tiranës. Ai hapi restorantin “Elesio Grill”, që mban emrin e djalit të tij, në këtë bunker me mure të trasha 80 centimetra që nuk lejonin depërtimin e vapës brenda.

Sot bunkeri ndodhet nën një hotel me tre kate dhe përdoret si një magazinë dhe vend për të bërë rakinë, pijen e fortë tradicionale shqiptare. Turistët bëjnë banjë dielli aty afër. “Ky ish-bunker më ka siguruar një jetesë të mirë”, - thotë Roci. “Bunkerët janë gjithnjë një atraksion turistik për të huajt. Maliq Sadushi, zëvendësministër i Mbrojtjes gjatë regjimit të Enver Hoxhës, e mbron ndërtimin e sistemit të fortifikimit masiv, duke përmendur “frikën e imperializmit”. Ai vë në dukje se bunkerët u përdorën nga luftëtarët paraushtarake kosovarë dhe refugjatët. Por, edhe nga vetë ushtria shqiptare gjatë luftës së viteve ‘90 kundër forca serbe. Kur u ndërtuan, kostoja e një bunkeri tipik ishte e barabartë me rrogën mesatare të pesë viteve punë të një shqiptari. “Nuk mund të heqësh qafe historinë dhe punën e vështirë që është bërë për t’i ndërtuar ata”, - thotë Sadushi.

“Associated Press”

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare

Kalaja e Tiranës, aty ku plehrat po bëhen kala

(Dërguar më: 24/07/09) Fatmira Nikolli

Na ishte njëherë një kala, mu në mes të qytetit të Tiranës. Ishte e lashtë dhe e bukur. Hijerëndë si zonjë e vjetër dhe fisnike, rrënojat e saj, ca mure me blloqe të mëdha gurësh, mendohet të jenë ndërtuar në periudhën romake. Por, që nga koha e romakëve janë shekuj të tërë që na ndajnë. Këta të fundit fshehën në gjirin e tokës shumë prej mureve të kalasë, për t’u zbuluar rastësisht në mars të vitit 2008, kur po rikonstruktohej rruga nga Bashkia e Tiranës. Aso kohe, bashkia nga njëra anë dhe Instituti i Monumenteve nga ana tjetër, morën përsipër t’i rikthenin identitetin. Në këtë kuadër, në ditët e fundit të shkurtit të viti 2009, ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango së bashku me arkitektin grek, Nikos Fintikakis, prezantuan një projekt magjepsës. Sipas këtij të fundit, rruga e Kalasë do të kishte qelq, sisteme ajrimi dhe dru. Modern në dukje dhe i realizueshëm lehtësisht, projekti prej 2,8 mln eurosh dhënë nga Këshilli i Europës pritej që të ishte tashmë në zbatim. Ato ditë imagjinonim veten duke shëtitur pranë Kalasë, ku temperaturat edhe në verë, falë projektit të hartuar nga arkitekti do të ishin mjaft të ulëta. Por, realiteti është krejt ndryshe nga imagjinata. Ana tjetër e medaljes është zhgënjyese. Në vend të gjelbërimit, rrugëve prej druri dhe sistemit të ventilimit, ajo çfarë gjejmë aty janë rrënojat e kalasë të fshehura mes mbeturinave dhe pluhurit. Kjo pamje “romantike” shoqërohet me simfoninë e përditshmërisë së “trafikut dhe burisë së makinave” që i kalojnë anash.

Kalaja

Kemi lënë pas më shumë se një vit që nga koha kur ky monument kulture u zbulua rastësisht gjatë punimeve të Bashkisë së Tiranës, për rikonstruktimin e rrugës. Që nga ajo kohë, përveç një rrjete ngjyrë portokalli që e rrethon (edhe kjo e rënë në tokë) dhe një tabele ku shkruhet: “Këtu po kryhen gërmime arkeologjike për Kalanë e Tiranës”, asgjë e prekshme nuk ka ndryshuar. Premtimet për projekte dhe ndryshime ambicioze të bëra në atë kohë, ia kanë lënë vendin heshtjes. I kalon afër dhe e sheh se si maska e plehrave i zë frymën dhe i zbeh hijeshinë që ka një monument që rrëfen histori dhe lashtësi. Përveçse nuk kryhen punime arkeologjike, duket sikur ajo është harruar. I afrohemi dhe shkrepim ca foto. Qytetarët dhe policët që gjenden aty pranë rastësisht, flasin me zë të ulët: “Duhet të jetë turiste”. Shohin me bisht të syrit dhe vazhdojnë rrugën e tyre. Muret heshtin, dhe rrinë aty siç kanë bërë që nga koha e romakëve. Mbase po të flisnin, do të ankoheshin. Ose, në fund të fundit, me sytë e tyre ata kanë parë shumë dhe kjo nuk iu bën edhe shumë përshtypje. Kanë qenë dëshmitarë të shumë ngjarjeve të ndodhura pranë tyre, e kanë përjetuar historinë e Tiranës, herë si mbrojtës të armikut që mund të asgjësonte zotërit që i kishin ngritur, e herë si shurdhmemecë që nuk ankohen dot për fatin e tyre, që e ka në dorë herë natyra, herë historia e së fundi institucionet zyrtare.

Projekti

Kanë qenë ditët e fundit të muajit shkurt, kur ish-ministri Pango tha se Kalaja e Tiranës shumë shpejt do të kishte pamje të re. Firma arkitekturore greke prezantoi projektin për restaurimin e kalasë së Tiranës. Rruga “Murat Toptani” duhej të kishte tashmë një tjetër pamje. Në kuadër të projektit, “Zhvillim i Qëndrueshëm dhe Integral i Qendrave të Trashëgimisë Historike”, janë 5 milionë euro që KE-ja i ka akorduar MTKRS-së për restaurimin e tri kalave të Tiranës, Himarës dhe Krujës. Më i rëndësishëm ndër këto projekte është kalaja e Tiranës. Arkitekti grek që ka realizuar projektin, Nikos Fintikakis nëpërmjet një video-projeksioni paraqiti atë çka është tani Kalaja e Tiranës dhe se si pritet të shndërrohet. Po sipas projektit, funksioni i saj do të jetë ai i një parku publik. Rrënojave të Kalasë do t’iu vihej sipër një shtresë e trashë xhami. Kjo do t’iu mundësojë kalimtarëve shikimin nga lart të këtij objekti arkeologjik. Fintikakisi ka bërë një kombinim të drurit, qelqit dhe betonit, ku trotuaret e rrugës që do të restaurohet do të jenë prej druri. Ajo çfarë përbënte risi ishte sistemi i ventilimit. Arkitekti grek ka prezantuar një sistem ajrimi përmes tubave të vënë në tokë. Greku pati thënë se, “në një thellësi të caktuar, temperatura e tokës rri gjithmonë konstante, 15 gradë celsius. Falë këtij sistemi, në ditët e nxehta të verës ajri do të qarkullojë nëpërmjet tubave dhe do të freskojë mjedisin e jashtëm. Synohej krijimi i një lidhje mes zonave arkeologjike dhe urbane. Arkitekti, duke e menduar si park, kishte vendosur që stolat e pushimit të vendosen herë në formën e një fluture, herë si piano, si kuti shahu, e herë si pentagram. Art, kulturë, park, arkeologji të gjitha bashkë. Mrekulli! Projekti në letër ishte gati, edhe në video-projektor dukej joshës dhe ngjante akoma më i bukur dhe i gatshëm, a thua se mund ta prekje. I pyetur nga gazetarët se kur do të mund të prekim projektin e Kalasë, tashmë në kala dhe jo në sallën e konferencave të Ministrisë së Kulturës, Ylli Pango, titullari i atëhershëm i këtij institucioni do të shprehej: “Së shpejti”. Realizimi i projektit përfshinte segmentin rrugor që nga Ministria e Brendshme e deri te Ura e Tabakëve. Ndryshe nga ç’parashikonte ai, akoma sot kur, kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga prezantimi i letrave që ndryshonin imazhin e këtij monumenti, ai është e mbuluar me plehra (por, si funksion të dytë ka edhe atë të parkingut të automjeteve). Pra, edhe pas kaq muajsh, ende nuk ka një datë të saktë për nisjen e zbatimit të tij. Kontaktuam Ministrinë e Kulturës duke i pyetur se kur pritet të fillojë zbatimi i projektit për Kalanë e Tiranës. Ols Lafe, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë tha: “Presim që KRT-ja e Tiranës të miratojë projektin, pastaj puna fillon direkt. Me delegacionin evropian kanë përfunduar të gjitha procedurat”. Por, ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, qe shprehur se punimet mund të fillojnë në muajin mars ose prill?!

Specialistët

Pas shpalljes së projektit, duke mos vënë në dyshim se së shpejti do të zbatohej, arkeologë dhe specialistë të monumenteve të kulturës, ishin të shqetësuar që projekti nuk përfshinte gërmimet e objektit. Nëse nuk gërmohet, si mund të zbulohet se sa vlera ka ai? Si mundemi ne ta vlerësojmë vetëm për ato vlera që ia kemi mësuar përciptazi rastësisht, gjatë një ndërtimi rruge? Një tjetër shqetësim i tyre ishte edhe firma që do të bënte punimet. A kishte specialistë ajo, dhe a do të ketë specialistë shqiptarë? Megjithatë, ata nuk folën në publik, por shqetësimet e tyre i shtruan me njëri-tjetrin.

Historiku

Në media, në kohën kur u zbuluan muret do të shkruhej se, “dalja në sipërfaqe e këtyre mureve mesjetare është vetëm maja e një ajsbergu manipulimi të historisë, neglizhence dhe korrupsioni institucional. Sipas specialistit të IMK-së, Behar Gjoka, gurët janë pjesë e dy kullave të Kalasë së Tiranës dhe të dhënat për to kanë ekzistuar prej vitesh në databazën e IMK-së”. Madje, këto të dhëna diheshin shumë mirë që para viteve ’90-të, por në favor të vlerave dhe versionit të historisë që mbrohej atëherë, këto rrënoja janë lënë nën dhe. Pas kësaj do të lindnin edhe debate për datimin e saj. Rrënojat, sigurisht që të çojnë tek gjurmët e Tiranës së vjetër, por në ç’shekull na çojnë rrënojat në vijim të kalasë së Toptanasve?! Pothuajse të gjithë kanë qenë njëzëri duke pohuar ajo daton në shekullin II. Mirëpo, ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gjerak Karaiskaj, mendonte ndryshe. Në shkrimet e gazetave të atyre ditëve ai shprehej se, “kalaja daton në shekullin XVIII, dhe për këtë nuk kam pikë dyshimi”. Mendimin e tij do ta arsyetonte me mënyrën e ndërtimit, kushtet historike të qytetit, por edhe nga gërmimi që është bërë. Arkitekti restaurator, Sulejman Dashi, ndrydhe nga Karaiskaj, do të shprehej se, “teknika e ndërtimit është me gurë të mëdhenj, si kalaja e dikurshme. Gjurmët arkeologjike na treguan që mund të jetë një kala romake e shekullit II ose III të erës sonë”. Dy tezat kundërshtojnë njëra-tjetrën, duke na çuar herë në shekullin e II-të, e herë në atë të XVIII-in.

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:25am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sun Jul 26 2009, 05:01pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Plazhi i Kallmit, një bukuri e fshehur afër Durrësit

Nëse nisesh me autoveturë drejt Currilave, bulevardi "Taulantia" i asfaltuar kohët e fundit të lë në këmbët e kodrës argjilore, nga ku fillon vargu me lartësi 300-400 metra që ka marrë çuditërisht emrin e madh "Mali i Durrësit", nga ku i afrohesh plazheve të Kallmit që kanë shumë për të ofruar. Kallmi është një bukuri e fshehur për disa dhjetëvjeçarë radhazi, vetëm 3 kilometra larg qendrës së Durrësit. Madje edhe tani për të pushuar në zonën e plazheve të panjohura duhet të kalosh një postbllok të harruar të ish-repartit ushtarak, që më parë kontrollonte të gjithë bregdetin. Për pesë kilometra radhazi këtu nuk ka as hotele, as shtëpi e as kioska. Madje një plazh privat, i hapur kohët e fundit, të sjell ndërmend më shumë plazhet e virgjëra të Karaibeve, me pak njerëz dhe shumë qetësi. Ende gjithçka është e paprekur, përveç bunkerëve arrogantë të diktaturës që mbijnë pas çdo kthese të rrugës me kalldrëm.

Gjëja e parë që të bie në sy janë gjiret e vogla detare, me gjatësi bregu 20-150 metra dhe ku duhet zbritur mes shtigjeve të hapura në barin e lartë. Edi T., i cili vjen shumë shpesh këtu me familjen, tregon se ndonjëherë grupet e pushuesve qëndrojnë pranë njëri-tjetrit e njëkohësisht janë të ndarë nga shkëmbinjtë e zhavorreve, të cilët futen për disa dhjetra metra në det. "Ne të gjithë kemi sandalet tona të plastikës, pasi na pëlqen të shëtisim mes shkëmbinjve ose të shohim mes tyre me një maskë të thjeshtë deti. Uji është krejtësisht i kthjellët dhe shumë pranë bregut ka gropa detare me thellësi të madhe ku mund të notosh lirisht", shton ai.

Plazhi i virgjër është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve detare dhe gjeografët thonë se ka vlera shkencore, gjeomorfologjike, biologjike dhe ekologjike. Askujt nuk i besohet se këto plazhe shkëmbore ekzistojnë në Durrës, pasi njerëzit janë mësuar me bregdetin rënor të këtij plazhi. Mbi plazhet fillon menjëherë kodra, që në pjesën më të madhe është e mbjellë me ullinj nga vitet 1950-1960. Diku duket edhe ndonjë pemë fiku apo ndonjë arrë, ndërsa ngjitur me to shihen burimet e ujit, që shpesh herë burojnë nga faqja e kodrës edhe ngjitur me syprinën e ujit të detit. Për fat të keq, jo e gjithë sipërfaqja e kodrës është mirëmbajtur. Në ndonjë vend shihen gjurmët e ndonjë zjarri, që ka fshirë një pjesë të gjelbërimit dhe të shkurreve mesdhetare.

Plazhet e Kallmit vazhdojnë për disa kilometra radhazi dhe bashkohen me qytetin thuajse në Porto Romano. Nga ana tjetër e kodrave, në lindje është Durrësi. Rruga e ngushtë që gjarpëron në gjerdanin e kodrave me lartësi të ndryshme është veçsë një paralele e rrugës "Aleksandër Goga", që nis nga qendra e qytetit turistik drejt veriut në Spitallë e Porto Romano. Ndërkaq shëtitja në Kallm mund të vazhdojë.

Gëzim Kabashi

© Copyright 2005 Rilindja Demokratike.


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:26am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sun Jul 26 2009, 05:14pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Bllokohet me polici jeta e natës në Vlorë

Anila Peci | 26/07/2009

VLORE - Prej orës 01:00 të natës, jo vetëm qyteti, por edhe rrethina të tij, përfshi këtu edhe zonat pranë bregdetit, - ku qëllon të dëgjohen tingujt e diskotekave verore, - duhet të bien në qetësi. Rregullorja ka nisur së fundmi zbatimin nëpërmjet bluve të rendit. Pas orës një të natës, ata u janë drejtuar diskove, duke detyruar mbylljen e tyre. Gjithccka ka qenë më e dukshme në fundjavë, netë gjatë së cilave diskot mbushen full me të ardhur nga Tirana dhe rrethet.
Krehja e zonave të bregdetit mësohet të jetë bërë me një urdhëresë të firmosur nga struktura të policisë, ndërsa "disiplinimi" i tyre është kërkuar edhe nga pushteti vendor.

Urdhëri ka lënë të shokuar jo vetëm administratorët e diskove që janë përgjatë plazhit, të cilët në ditë të tilla sjellin DJ e këngëtarë të njohur, por edhe të rinjtë e shumtë që kanë mbushur këto ambjente këto ditë vere. Nga këta të fundit ndërprerja e party- është shoqëruar me reagime, por prania e furgonëve të policisë, i ka detyruar të braktisin lokalet dhe diskot.

Paksa më këmbëngulës kanë qenë të rinjtë pranë diskove që ndodhen në plazhe, larg zonave të banuara, siç janë ato të Radhimës, por policët nuk kanë lënë vend për diskutime.

Mësohet se shkak për këtë urdhër janë nxjerrë zhurmat që vinin nga diskotekat, të cilat prishin,- sipas policisë dhe pushtetit vendor, - qetësinë e natës në zona të banuara.

Por penaliteti rrezikon jetën e natës në Vlorë, e cila përgjatë muajve të verës është më e gjalla në gjithë zonën e bregdetit. Vetëm përgjatë bregdetit Uji i Ftohtë- Orikum, ushtrojnë aktivitet 7 disko verore.

**********

Edhe Big-sat të zemëruar

Netët e korrikut bashkojnë personazhe të Big Brother në Vlorë.. Adi i BB2 dhe Olsi i BB1, kanë preferuar të jenë pjesë e një shoqërie të përbashkët, duke kaluar orë relaksi në Vlorë. Të dy personazhet e njohur televizivë, janë parë së bashku në orët e natës në një nga diskot verore të zonës së Radhimës.

Grupi mund të ketë qenë duke dëfryer në një tjetër ambjentet veror (kjo pasi djemtë e Big-ut, duket që kishin konsumuar më parë alkool). Ata kanë hyrë në diskon në fjalë, kur tingujt ishin të ulur në minimum.

Frika e ndonjë gjobitje nga policia, ka transformuar ambjentin e diskos në një tip bari të thjeshtë, çka duket se nuk ka ngjallur interes për djemtë nga kryeqyteti.

Dy djemtë e Big Brother nuk kanë kursyer as komente për mbylljen e jetës së natës. Adi tha se "tashmë të ndalojnë edhe rërën e detin dhe të mbledhim mendjen". Njerëzit vijnë për qejf dhe duket i pakuptimtë një veprim i tillë. Po të njëjtin mendim ka ndarë me të dhe Olsi, ndërkohë që në kushte të tilla kur disko u është dukur si një ambjent i zakonshëm, atyre nuk u ka mbetur tjetër, veçse tu hipin makinave dhe të largohen.

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Thu Aug 06 2009, 06:50pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Prençi: Asnjë disko në bregdet pas mesnate


(Dërguar më: 06/08/09) Klodiana Lala

Diskot në zonat bregdetare nuk do të funksionojnë më pas mesnate, pasi krijojnë zhurma që shqetësojnë pushuesit. Të paktën ky është urdhri që ka firmosur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, pas ankesave të turistëve vendas dhe të huaj, të cilët pretendonin se nuk bënin dot pushime të qeta për shkak të zhurmës së madhe që krijonin lokalet e natës. Policia e Shtetit ka marrë kështu të gjitha masat për të siguruar qetësi për pushuesit në të gjitha zonat bregdetare. Urdhri i kryepolicit të vendit, Prençi, u është shpërndarë të gjitha drejtorive në qarqe, të cilat duhet të marrin masa për sigurimin e qetësisë për pushuesit. Drejtoria e policisë paralajmëron se të gjithë personat që shkelin këtë urdhër duke prishur qetësinë publike, do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi.

Urdhri

Ndotja akustike e krijuar nga zhurmat e diskove që funksionojnë në bregdet, është mjaft e lartë dhe kapërcen të gjitha normat e lejuara. Përveç kësaj, diskot qëndrojnë të hapura deri në orët e para të mëngjesit, duke u kthyer në një shqetësim mjaft serioz për pushuesit si vendas dhe të huaj. “Nisur nga ankesat e shumta të qytetarëve dhe shqetësimet e vazhdueshme të turistëve vendas dhe të huaj që pushojnë në plazhet e vendit tonë, për ndotjen akustike (zhurma e diskove) tej normave të lejuara dhe jashtë orareve të përcaktuara, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka marrë masat për të siguruar një qetësi në të gjitha plazhet dhe zonat turistike”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit. Urdhri i firmosur nga kreu i uniformave blu në vend u është shpërndarë për zbatim të menjëhershëm drejtorive të policive në qarqe.

Oraret

Sipas urdhrit të Prençit, ‘të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe dhe komisariatet që në territoret që mbulojnë ka zona turistike, do të marrin masa që nga dita e hënë deri ditën e enjte, pas orës 24:00 dhe për ditët e premte dhe e shtunë, pas orës 02:00, të ndërpresin aktivitetet që krijojnë ndotje akustike në zonat turistike. Nëse ky orar nga respektohet nga pronarët e diskove apo çdo person tjetër, do të merren masa ndëshkuese”, sqarohet më tej nga policia. Zhurmat e diskove apo lokaleve të natës në zonat bregdetare kanë qenë pothuajse çdo vit një fenomen shqetësues për pushuesit, si vendas ashtu dhe të huaj. Në mjaft raste këto ambiente kanë shërbyer si vende për ngjarje të mundshme kriminale, për shkak të konsumimit të madh të alkoolit.

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:27am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Thu Aug 13 2009, 07:55am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Kryeministri tha se do t`i jepet përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm çështjes së fshatrave turistikë

Privatizimi i fshatrave turistikë për kompensimin e pronarëve


Qeveria do të miratojë së shpejti ligjin për privatizimin e fshatrave turistikë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se, borgjezia e re do të blejë me çmime tregu tokën që vilat apo banesat e tyre kanë zënë në zonat turistike. "Së pari, ligji për privatizimin, pasi nuk mund të bëjmë fjalë për legalizim të fshatrave turistike. Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistike dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë, ata do t'i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të weekend-it", tha kryeministri. Duke theksuar problemet që hasen në fshatrat turistike, kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se, me anë të këtij ligji qeveria do t'i japë përgjigje të merituar këtyre problemeve, kështu kreu i qeverisë theksoi se, kjo është edhe në interesin më të mirë të pronarëve, pasi të gjitha fondet do të shkojnë për pronarët. "Statusi i fshatrave turistike është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t'i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët. Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezi e re, por që në fakt, nuk ka ndërmend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj. Ky vend kaloi në shekullin e ri dhe ende nuk ka dalë dikush e të thotë, unë jam borgjez, madje edhe miliarder po të jetë", u shpreh kryeministri.

Sanksione ligjore ndaj ekspertëve kontabël që bëjnë bilance të rreme

Qeveria miratoi dje projektligjin e organizimit dhe funksionimit të Bordit Publik të ekspertëve kontabël të regjistruar. Kryeministri i kërkoi ministrit të Drejtësisë, që të adaptohet një ligj ku transparenca e veprimtarisë së tyre të jetë kusht themelor në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal. "Zoti ministër, ndaj ekspertëve kontabël duhet të adaptojmë të njëjtin ligj dhe qëndrim që adaptojmë ndaj noterëve. Këto të dy institucione janë të pazëvendësueshme për shtetin dhe transparenca e veprimtarisë së tyre është kusht themelor për luftën kundër korrupsionit, evazionit, informalitetit etj. Ndaj e konsideroj të domosdoshme që të bëhet një trajtim ligjor dhe të përcaktohen sanksionet më të rrepta ndaj çdo falsifikimi që eksperti i lejon vetes që të bëjë. Nuk ka njerëz më të çmuar për vendin se ata në botën e biznesit. Atë praktikë që ndjekim me noterin, në mënyrë identike duhet ta ndjekim ndaj ekspertit kontabël që bën dhe kontrollon bilancin", tha kryeministri. Ai vuri në dukje se lufta kundër informalitetit në stadin e tanishëm, ka pikërisht këtë një nga hallkat më kryesore. "Njeriu është i pangopur e lakmitar, prandaj duhen që rregullat ta disiplinojnë dhe të jenë të atilla që të mos e lejojnë të fshehë në emër të fitimit, duhet që toleranca ndaj dy bilanceve të jetë zero", tha kryeministri, ndërsa shtoi se qeveria ka përgjysmuar taksat dhe veprimtaria e falsifikatorëve apo bilanceve të rreme duhet eliminuar. "Ne kemi përgjysmuar e mbipërgjysmuar të gjitha taksat, ndaj të mos gjejnë falsifikatorë e mashtrues për të na bërë bilance të rreme. Ne duhet të kemi sanksionet më të rrepta ndaj bilanceve false dhe këta janë autorët, specialistët e bilanceve", tha kryeministri.

Zyrtarët që nuk regjistrojnë punonjësit shtëpiakë përjashtohen nga administrata

Kryeministri Berisha përcaktoi dje në mbledhjen e qeverisë, datën 1 shtator si afatin për regjistrimin e të gjithë punonjësve shtëpiakë që mbajnë zyrtarët e administratës shtetërore. Duke e cilësuar të papranueshëm faktin, që shumë zyrtarë i mbajnë këta punonjës në mënyrë të fshehur, kreu i qeverisë theksoi se, zyrtarët që përtej datës së përcaktuar nuk i kanë rregjistruar punonjësit e tyre shtëpiak, ata do të largohen nga administrata. "Problemi i dytë që dua të ndalem është çështja e punonjësve shtëpiakë. Zoti ministër, zyrtari që mban punonjës shtëpiak të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra për fshehje të papranueshme dhe trajtim skllavëror të një individi. Afati për t'i regjistruar ata është data 1 shtator dhe ai që nuk i regjistron përtej kësaj date nuk do të qëndrojë më në administratë, pasi do të konsiderohet jo fshehje pasurie, por edhe më rëndë se kaq. Edhe kur të amendohet ligji për konfliktin e interesit, kjo do të përbëjë konfliktin më madhor", vijoi më tej kryeministri. Ndërsa, për zyrtarët është më e thjeshtë si dhe për borgjezinë e re, kryeministri tha se, problemi është më i ndërlikuar, por që gjithashtu ka zgjidhje. Kështu kreu i ekzekutivit theksoi se, në rast se ata nuk i deklarojnë punonjësit shtëpiakë, atëherë do të përpunohet moduli. "Duhet ta harrojmë se ka ndonjë akses midis tyre që t'i bëjë të gjitha punët e shtëpisë. Moduli do të thotë që ata, me deklarim apo anonimat, do ta paguajnë punonjësin. Ne ju bëjmë thirrje t'i deklarojnë. Edhe një herë dua të sqaroj qytetarët shqiptarë se ne kemi vendosur për ta pagesën më minimale dhe nuk kemi asnjë synim tjetër përveç aspektit strikt humanitar", vijoi më tej kreu i qeverisë. Në vijim ai theksoi se, nuk duhet lejuar që punonjësit shtëpiakë të rrinë pa një kontribut për pensionin, në një kohë kur qeveria ka përcaktuar për kontributin shumën më minimale, 80 apo 100 mijë lekë në vit. "Nuk mund të mos tregosh ndaj tyre ndjenjat njerëzore, t'i kesh si pjesëtarë të familjes dhe të mos u paguash asnjë kontribut për sigurime shoqërore minimale dhe t'u shprehësh një respekt njerëzor. Ndaj, ndërsa për zyrtarët, në rast se nuk do t'i regjistrojnë punonjësit e tyre, kjo do të thotë humbje e detyrës, për jo zyrtarët, biznesmenët do të jetë moduli që do t'ua përcaktojë se e kanë dhe në rast se nuk duan këtë, ta deklarojnë. Është pashpirtësi e vërtetë të mbash në të zezë në shtëpi dikë që të ndihmon, të mban dhe rrit fëmijën, të mban shtëpinë. Morali njerëzor ka disa limite. Ne i pritëm, tani do të veprojmë", tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit.


© Copyright 2005 Rilindja Demokratike


[ Edited Thu Aug 13 2009, 07:56am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Thu Aug 13 2009, 10:30am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Turistet e huaj "mesyjne" ne bregdetin e Jonit

E Enjte, 13 Gusht 2009


Bregdeti i jugut mbetet padyshim destinacioni me i lakmuar turistik per shqiptaret brenda dhe jashte vendit, por vitet e fundit edhe per turistet e huaj. Menjehere pas ngjitjes ne Qafen e Llogarase, panorama qe shfaqet eshte magjepsese. Rruga qe gjarperon mes nje terreni te thepisur zbret fillimisht ne plazhin e Dhermiut. Fshati me ndertimet karakteristike ruan ende fizionomine e koheve te vjetra dhe po ashtu edhe rruga 1.5 kilometra e gjate qe te con fare afer bregut. Megjithate vizitoret jane te shumte, nje pjese e te cileve besnike nder vite. Sipas turisteve vendas, "natyra eshte shume e bukur, vendi, gjithcka eshte e paster. "Kam 6 vite qe vij ketu dhe me pelqen plazhi si dhe organizimi", thote nje nga pushuesit. Per ata qe duan te jene afer bregut, nje nate ne hotel mund te kushtoje nga 30 deri ne 60 euro, ndersa per fanatiket e tradites, shtepite perdhese abonohen per 300 deri ne 400 euro ne 15 dite. Risi e kesaj vere jane edhe turistet e huaj. Te rinj nga Britania, Italia apo Greqia fqinje, shprehen te impresionuar me rivieren shqiptare. Nuk mungojne prej tyre as sugjerimet per t'u rikthyer serish vitin tjeter. Pak kilometra me tej shtrihet plazhi i Jales. Bashke me ujin e kristalte dhe natyren clodhese, ka nga ata qe mundohen te shfrytezojne ne maksimum diellin e nxehte te kesaj vere.

Per tipat me alpine, cadrat kushtojne me pak dhe jane nje zgjidhje e mire, ne rast se nuk gjen dhome per t'u akomoduar. Ka dhe nga ata qe e shohin kete si nje menyre per t'ju kthyer kujtimeve te rinise. Plazhet e Himares, Borshit apo Lukoves, qe ndodhen pak kilometra me tutje, jane nje tjeter alternative per te pushuar ne brigjet e Jonit. Udhetimi drejt Sarandes dhe Ksamilit i jep fund kesaj perle te turizmit shqiptar qe jo me kot, klasifikohet si elitar, dhe terheq cdo dite e me shume interesin e pushuesve por edhe investitoreve.

Arkeologet eksplorojne Gjirin e Vlores

Ne kuader te projektit italo-shqiptar "Liburna", gjiri detar i Vlores ka qene per tre jave radhazi stacioni i kerkimeve nenujore arkeologjike. Gjate nje konference per shtyp, te organizuar ne Muzeun Arkeologjik te Durresit, bashkedrejtori i ketij projekti, Adrian Anastasi, tha se rezultatet e ketyre kerkimeve nuk ndalen vetem ne rrafshin akademik, por mundesojne nismen per krijimin e siteve nenujore, ku qytetaret mund te njihen me nga afer me pasurite detare. Nje nder problemet shqetesuese mbetet dhe grabitja e ketyre objekteve, e cila demton pasurine arkeologjike. Kreu i Departamentit te Arkeologjise tha se, ka nisur bashkepunimi me policine kufitare bregdetare per bllokimin e grabitjes se objekteve te rendesishme arkeologjike nenujore. Porto Palermo ishte gjiri detar qe u be objekt i fushates se pare arkeologjike nenujore, ndersa materialet arkeologjike te zbuluara jane depozituar tashme ne Muzeun e Durresit dhe perfshijne nje periudhe kohore gati 2 mije-vjecare.

© 1991 - 2009 Koha Jone


[ Edited Wed Dec 23 2009, 07:28am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Aug 17 2009, 05:02pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Vorpsi: Fshatrat turistikë, qeveria të bëjë referendum

» Vendosur: 17/08/2009 - 08:08

BLEDAR HOTI

Shoqata “Pronësi me Drejtësi” e cilëson totalisht të papranueshme nismën e re të Qeverisë për privatizimin e trojeve në fshatrat turistikë. Nënkryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi shprehet se një ligj i tillë është në konflikt interesi për ministrat dhe Qeverinë, pasi janë ato që zotërojnë vila të tilla. Ai thekson se Qeveria shfuqizon një nen të ligjit të kthimit të pronave, ku trualli i jepej pronarit nëse nuk ndërtoheshin fshatrat turistikë, duke vepruar sërish në kurriz të kësaj shtrese.
Z.Vorpsi si e gjykoni ju nismën e re të Qeverisë për privatizimin e fshatrave turistikë nga ana e personave, që kanë vila në kundërshtim me ligjin?
Për ne si shoqatë është një projektligj totalisht i papranueshëm një nismë e tillë, por besoj se edhe për pjesën më të madhe të shqiptarëve është i papranueshëm. Kam frikë se qeveria që do ta kalojë këtë ligj dhe ndoshta dhe Kuvendi i nesërm do të jetë në konflikt interesi për ta votuar atë. Dhe si i tillë kam frikë se ato nuk duhet ta kalojnë një draft të tillë në Parlament, pasi nëse do të bazohemi në median shumë nga qeveritarët e sotëm apo pushtetarët e djeshëm janë pronarë të atyre vilave në bregdet, tashti ato kërkojnë të tjetërsojnë edhe truallin e tyre. Në qoftë se qeveria është e vendosur për ta realizuar një gjë të tillë më e pranueshme do të ishte të drejtohej një referendum popullor ku të kërkohej që pushtetarët e sotshëm dhe ata të djeshëm të kenë këto trojet e këtyre fshatrave turistike. Kjo do të ishte e pastër fare.
Po në lidhje me çmimet që do të shiten me vlerën e tokës, ku fondi që do të krijohet do t’u kalojë për kompensim ish-pronarëve?
Për sa i përket trojeve unë mund t’ju them se vlerat janë qesharake. Në Ksamil Qeveria kërkon ta shesë truallin me 3,600 lekë metri/katror, ndërkohë që trualli në Himarë dhe në Dhërmi duhet të jetë diku tek 1,700-2,400 lekë të reja. Unë kam frikë se me të tilla çmime trualli në Himarë dhe në Dhërmi blihet dhe nga ata fëmijët e vegjël, që shesin paketa cigaresh rrugëve apo ato që fshijnë xhamat e makinave rrugëve do të jenë të aftë që ta blejnë. Më e pakta domethënë Qeveria nuk duhet të tallet me çmimet.
Cilat nene kontestoni kryesisht ju si shoqatë?
Në atë projektligj që pashë, që faktikisht ka qenë i përgatitur një vit më parë, por siç duket është shtyrë për miratim në Kuvend nga ana e Qeverisë për shkak të zgjedhjeve parlamentare, të bie në sy një nen që shfuqizohej në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Në të parashikohej se nëse ndryshonte destinacioni i ndërtimeve në zonat turistike, në fshatrat turistike, toka iu kthehej pronarëve. Dhe këtë nen, ligjvënësi, që t’i hapë rrugë privatizimeve të trojeve, kërkon ta shfuqizojë. Kjo ishte një e drejtë e fituar me ligj e pronarëve, në qoftë se ndryshonte destinacioni i trojeve iu jep atyre. Nuk mundet që një e drejtë e fituar me ligj t’u hiqet atyre. Pra, kjo tregon se Qeveria absolutisht nuk bën gjë në favor të pronarëve. Nga ana tjetër më duhet të them se Qeveria duhet të pranojë më së fundi dështimin e saj në strategjinë e turizmit. Ai ligj të paktën në këndvështrimin e Qeverisë është i dështuar. Qeveria duhet të kërkojë të gjitha firmave të ndërtimit, që kanë marrë përsipër ndërtimin e fshatrave turistike, që të paguajnë dëmshpërblimin kundrejt saj për faktin e thjeshtë fare se ata kanë qenë persona të stimuluar për zhvillimin e turizmit dhe si të tillë kanë pasur lehtësira për pagesat si taksa doganore, tatimore dhe nga ana tjetër duhet t’i detyrojë këto firma që t’i kthejë mbrapsht paratë dhe këto le të jenë të tillë. Kjo gjendje është totalisht e papranueshme janë 30 fshatra turistikë, që mund të bëjnë 2 mijë ha tokë, të cilët pa frikë janë duke u privatizuar në favor të pushtetarëve apo ish-pushtetarëve. Pra, kjo është një formë e ligjit të Legalizimeve, por ai u trajtua si shpronësim për nevoja publike, por në këtë rast nuk e di se çfarë emrin mund t’i vëmë këtij sepse nuk realizohet për nevoja publike. Qeveria legalizon për vete dhe vendos çmimet vetë, një gjë e tillë nuk duhet të jetë në fuqi, nuk duhet të ndodhë.

Drafti i Qeverisë
Privatizimi, fondet për kompensimin e ish-pronarëve

Dy ditë më parë u bë publik drafti i Qeverisë për privatizimin e fshatrave turistik. Drafti i titulluar “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat më përparësi turizmin”, sipas Qeverisë vjen për shkak se kompanitë, që kanë fituar të drejtën për të ndërtuar fshatra turistikë, në kundërshtim me ligjin kanë shitur shtëpitë e ndërtuara brenda këtyre hapësirave. Por më tej akoma, po në kundërshtim me ligjin, këto kontrata janë regjistruar në hipotekë dhe në këtë institucion rezulton, që ndërtimi është në pronësi të individëve që i kanë blerë, kurse trualli në pronësi të shtetit. Në draft parashikohet ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do të drejtojë të gjithë punën që nga inventarizimi i fshatrave turistikë, ku është ndryshuar destinacioni (pra, ndërtimet janë shitur, ndërkohë që duhet të përdoreshin për turizëm), deri te regjistrimi i truallit të tyre në hipotekë. Ndërsa fondi që krijohet nga këto privatizime do t’u shkojë në arkën e AKKP-së për kompensimin financiar të ish-pronarëve.

© Gazeta Panorama


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Aug 18 2009, 01:48pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Edhe një pikë uji për të eturin është mrekulli

VEPROR HASANI

18/08/2009 Në malin e Tomorit, vetmitarin... atje ku shqiptarët kanë perënditë e tyre

SKRAPAR- Dikush më kishte thënë se vetëm atje në malin e Tomorit mund të takohesh me perënditë, mund të flasësh me të vdekurit, të lutesh për të afërmit dhe të ardhmen tënde dhe pas kësaj të ndihesh i qetë… Fjalëve të tij nuk u kushtova ndonjë rëndësi, por në çastin që u gjenda në malin e Tomorit mbeta i befasuar. Në gjithë atë pellg, mali ngrihej vetmitar, vështronte në të gjitha anët e horizontit, mbikëqyrës i gjithçkaje që gjendej pranë dhe larg tij. Të impononte respekt dhe frikë bashkë. “O Zot”, thashë me vete. Ende ndodhesha përfund këmbëve të tij, ndërsa lartësitë dukej sikur nuk kishin të mbaruar. Nuk di pse atë çast m’u kujtuan vargjet e Homerit, ku Akili lutet e përgjërohet: Ndoshta gjithë njerëzit që janë gjendur pranë rrezikut dhe fatkeqësive kanë thirrur të njëjtat fjalë: “O, Zot”! Që nga aty mund të vështroje detin dhe Italinë, fushën e Myzeqesë e rrjedhën e lumenjve, kodrat dhe kanionet, shpellat e mbuluara nga misteri, e deri te rrugët e largëta që përshkonin hapësirën e pafund. Të vështruarit nga aty të linte të mrekulluar, të magjepsur krejtësisht. Mali rrethohej nga 100 burime, ngado gjeje ujë të ftohte; a thua se barku i Tomorit ishte i mbushur me ujë. Mijëra njerëz që gjendeshin aty nuk e kishin të vështirë të hiqnin etjen e të ndjenin freskinë që sjell ky mal edhe në ditët më të nxehta të vitit. Çifte pëllumbash, si zogj lajmëtarë dilnin nga vendet e tyre e vinin aty për të parë morinë e njerëzve, madje dukej sikur kërkonin t’u thoshin: “U kemi pritur”! Aty gjithçka shprehte mirësi, mikpritje, dashuri, miqësi, gëzim, zemërgjerësi e gjithçka tjetër njerëzore. Pikërisht në këtë çast kur isha duke i menduar të gjitha këto, befas u dëgjua një këngë që vinte së largu: “Çdo shekull ju gjeti/ bashkë në një stan/ njëri ortodoks/ tjetri mysliman…”

Të gjithë shqiptarët

Vargu i njerëzve që shkonte drejt malit Tomor nuk kishte të mbaruar. Ishin bashkë myslimanët, ortodoksët, katolikët, studiuesit dhe filozofët, njerëz të letrave dhe të artit, arkeologë, gjeografë dhe historianë, të varfër dhe të pasur, nga jugu dhe veriu, shqiptarë të diasporës së vendeve të largëta dhe të afërta, të moshuar dhe foshnja të sapolindura që nënat e tyre i mbanin në krahë. Çuditërisht fëmijët e vegjël të kujtonin historinë e etjes së ujit, dhe vrapin si veri të Abaz Aliut për të marrë një pikë ujë e për t’ua sjellë fëmijëve të etur …Por ndërkohë të sillnin ndërmend edhe vargjet e Naim Frashërit, ku thotë: “Ç’ësht’ ay që shkon kaluar,/ Ikën si veriu,/ Me dy-tri foshnja nër duar?/ Ësht’ Abas-Aliu!/ Shpije foshnjatë në lumë,/ Se s’durojnë dot, i ka marrë etja shumë,/ E qajnë me lot!...”. Po, aty ishin që të gjithë. Përse vallë ndodhte kështu? Kaq besimtarë janë shqiptarët? Çfarë i bashkonte të gjithë bashkë? Njerëzit që kishin ardhur nga të gjitha anët, këndonin, thernin dashin e kurbanit, ndiznin qirinj e luteshin. Pas tyre ngjitesha dhe unë, mes një turme njerëzish që s’ kish as fillim as fund, pas meje vinin të tjerë, para nesh kishte me mijëra që kishin mbërritur. Flisnin të gjithë për malin e shenjtë: Dikush e quante “Mali i Zotit” një tjetër “Shtëpia e Zotit”, një i tretë “Mali i të Mirit”, ndërsa disa të tjerë, “Mali Plak”, “Baba Tomor”, “Selia e perëndive shqiptare”, etj, etj. Ky mal se ç’ kishte diçka të veçantë që ndihej e nuk shpjegohej. Njerëzit shkonin drejt vendit të shenjtë. Bektashinjtë ishin në rolin e mikpritësve. Sot nderohej njeriu i shenjtë i tyre, Abaz Aliu. Kënga e nisur pak më parë sërish përhapej mbi morinë e njerëzve të mbledhur aty: “Dhe festat fetare/ i gëzonit bashkë,/ një dele bajramit,/ një dele për pashkë…”.

Zot i bekimit

Që të gjithë besonin se ky mal vetmitar i kishte parë të gjitha që nga koha e zanafillës së tij. Ai kishte parë luftërat dhe betejat e pellzgo-ilirëve, humbjet dhe fitoret e tyre. Dinte të gjitha legjendat dhe gjithë emrat e heronjve. Ata merrnin bekimin e tij e niseshin për udhë. Ishte ai që ndize zjarret pranë Apolonisë. Kishte qenë ai që ndriçonte me shkëmbinjtë që dukeshin sikur merrnin flakë vetiu; gjëra që nuk ndodhnin në asnjë vend tjetër. Kishte qenë vetë ai që kishte festuar me pellazgët me verë mjalti e mish kafshësh të egra. Në çdo çast vështronte me kënaqësi vrapimin e drerëve, ku brirët e tyre nuk i pushtonin dot as katër burra. Vështronte barin e lartë dhe pyjet që preknin retë me kokën e tyre, të cilët linin të habitur çdo udhëtar. Baba Tomori bekonte gjithçka dhe gjithçka merrte jetë. Bekonte lisat dhe drurët kapnin qiellin, bekonte vreshtat dhe ktheheshin në verë, bekonte bagëtinë dhe kishte mish dhe qumësht pa masë, bekonte tokën dhe shtrohej në ar. Dhe vërtetë gjithë hapësira përpara tij ishte e shtruar me ar. Për këtë arsye popujt e tjerë mbeteshin të habitur, të mrekulluar dhe të magjepsur, të ngrirë si statuja guri, ndërsa vazhdimisht pyesnin: “Ç’ të jetë vallë ky vend ku sundojnë mrekullitë”!. Të magjepsur kishin mbetur edhe filozofët, Aristoteli do të ulej një ditë dhe do të shkruante gjithçka që kishte dëgjuar për këtë vend, të pabesueshmet dhe të besueshmet. Edhe këto legjenda i bënin njerëzit e ardhur aty të ndiheshin mirë e të vlerësuar që nga kohërat më të vjetra. Kënga që dëgjohej së largu u sillte edhe një ndjesi tjetër festive: “Eshka dhe duhani/ s’ju munguan kurrë,/ në çdo kishë nishan/ do të kish’ një gunë…”

Lutje dhe falje

Mali i Tomorit të linte të mrekulluar të dhuronte paqe dhe mirësi. Ishte kjo arsyeja që shumë njerëz kishin mbërritur aty e shumë të tjerë vinin pas tyre. Gjithkush që mbërrinte fillonte nga rritet e faljes dhe të lutjes. Fëmijë dhe të rritur shfaqeshin me një pikë gjaku në ballë nga gjaku i kurbanit të therur. Aty faleshin të gjithë, luteshin për të afërmit dhe të sëmurët, për të ardhmen e fëmijëve dhe bënin shenja të çuditshme.. Ndiznin qirinj e mblidhnin lëngun e qiririt të shkrirë, që gjithkush prej tyre e quan “temjan” dhe e çonin atë në shtëpitë e tyre, ku pas kësaj do të niste një vit i mbarë deri në kthimin sërish te Baba Tomori. Deri atëherë djalli nuk guxonte të hynte në shtëpitë e tyre. Gjatë gjithë kohës që qëndronin aty pëshpëritin formula magjike, të mësuara nga gjyshërit dhe stërgjyshërit, hiqnin “një shenjë” prej rrobave të veta dhe e linin atje. Zoti nuk kishte për t’i harruar, ashtu si vetë ata që nuk kishin harruar asgjë që nga zanafilla e jetës së tyre. Të gjitha ritet i kryenin me seriozitet, me respekt dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm. Gjithkush ndihej pranë me Perëndinë. Këtë ndjesi të shqiptarëve e kishin vënë re edhe njerëz të huaj. Scymni shkruante: “Thonë se popullsia e saj (e Ilirisë) është shumë e madhe… Thonë se këta (ilirët) i nderojnë shumë perënditë, se janë shumë të drejtë dhe mikpritës, se e duan jetën shoqërore dhe janë të dhënë pas një jete shumë të hijshme”. Të njëjtën gjë thoshte edhe kënga që thuhej shtruar nga një grup njerëzisht që piqnin në hell dashin e kurbanit dhe ndanin mish për sevap: “Kopenë edhe besën,/ si dhe Perëndinë, ju e kishit bashkë,/ kishën dhe xhaminë...”.

Magjepsja e Aristotelit

Këto çudira të shqiptarëve e kishin lënë të befasuar edhe filozofin më të madh të botës antike, Aristotelin. “Thonë, (thoshte Aristoteli) se tek ilirët e quajtur taulantë, bëjnë verë nga mjalti… dhe bile një verë të ëmbël dhe të fortë. Kurse tani thonë se kjo bëhet edhe në disa vende të Helladës…”. Pastaj Aristoteli shtonte: “Thonë se në Atintani, pranë kufijve të tokave të Apolonisë, ndodhet një shkëmb, nga i cili nuk duket se del zjarr i vërtetë, por ndizet duke i hedhur vaj. Në Apoloni, që ndodhet pranë krahinës së taulantëve, thonë se del asfalt dhe pisë si currila që shpërthejnë nga toka; këtu ai del më i zi dhe më i dendur se i Maqedonisë… Për Paioninët, Aristoteli sillte një mrekulli tjetër, “thonë se kur bien shira të vazhdueshme, në tokën e zbutur gjendet i ashtuquajturi ar i padjegshëm. Flitet se toka në Paioni është aq e pasur me ar, sa shumë vetë kanë gjetur copa ari më të rënda se një mna. Thonë se janë gjetur edhe i janë dërguar mbretit të atjeshëm dy copë, njëra e rëndë 3 mna dhe tjetra 5 mna”. “Thuhet, thotë Aristoteli, se tek ilirët gjëja e gjallë pjell dy herë në vit, dhe më të shumtat bëjnë binjakë, bile shumë, tre ose katër keca, disa pesë e më tepër. Përveç kësaj thonë se japin me lehtësi nga tri hemikoe qumësht. Thonë se edhe pulat nuk bëjnë një ve në ditë si në vende të tjera, po pjellin dy ose tri herë në ditë. Thuhet edhe se në Paioni qetë e egër bëhen shumë më të mëdhenj nga të gjithë ata që ndodhen ndër popullsi të tjera, edhe se brirët e tyre nxënë katër koe, bile brirët e disave edhe më shumë”. Thonë se në Iliri, tek fiset e quajtura ardiane, pranë kufirit me autariatët, ndodhet një mal i lartë dhe afër tij një gurrë, nga e cila shpërthen ujë me sasi të madhe, jo në çdo stinë, po vetëm në pranverë. Këtë ujë e marrin dhe ditën e ruajnë në një vend të mbuluar, ndërsa natën e nxjerrin përjashta. Kjo punë bëhet pesë a gjashtë ditë me radhë dhe pastaj uji ngrin e bëhet një kripë shumë e mirë; këtë kripë e mbajnë sidomos për bagëtitë…”.

Te vendi i Zotit

Edhe një pikë ujë është mrekulli


Sigurisht të tilla histori mund të gjesh vetëm rreth e rrotull malit Tomor, te vendi i Zotit, ku çdo vit shqiptarët mblidhen bashkë e festojnë. Dikush më kishte thënë se vetëm atje në malin e Tomorit mund të takohesh me perënditë, mund të flasësh me të vdekurit, të lutesh për të afërmit dhe të ardhmen tënde dhe pas kësaj të ndihesh i qetë…Ai kishte pasur të drejtë, në këtë vend gjithçka ishte e mrekullueshme. Vetëm aty mund të takoheshe me të vdekurit dhe të gjallët, me të varfrit dhe me të pasurit, me të sëmurët dhe të shëndoshët, ku brenda një grimcë kohore mund të mendoje se pas vdekjes nuk mbetej asgjë përveç së mirës që mund të kishte sjellë. Ndoshta edhe një pikë ujë për një shpirt të etur është mrekulli….

© 2004 METROPOL GROUP


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Aug 19 2009, 09:32am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Riviera shqiptare është shndërruar këtë vit në një nga zonat bregdetare më të populluara nga pushuesit

Destinacioni turistik për vitin 2009 është Shqipëria

Elis KUÇI

Plazhet e bregdetit Jon këtë verë janë populluar nga turistët e huaj dhe vendas, të cilët kanë preferuar të shijojnë mrekullitë që ofron ky bregdet. Riviera shqiptare është shndërruar këtë vit në një nga zonat bregdetare më të populluara nga pushuesit vendas dhe të huaj. Bregdeti i jugut mbetet destinacioni i parë turistik për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, por edhe për turistët e huaj. Menjëherë pas ngjitjes në Qafën e Llogorasë panorama që shfaqet është magjepsëse. Rruga që gjarpëron mes një terreni të thepisur zbret fillimisht në plazhin e Dhërmiut. Fshati me ndërtimet karakteristike ruan ende fizionominë e kohëve të vjetra dhe po ashtu edhe rruga 1.5 kilometra e gjatë që të çon fare afër bregut. Megjithatë vizitorët janë të shumtë, një pjesë e të cilëve besnikë ndër vite. Bregdeti i Jonit në mes të Qafës së Llogorasë dhe qytetit të Sarandës ofron plazhe të virgjëra dhe shumë atraktive për pushuesit e huaj. Grupe të rinjsh nga vendet fqinje si Maqedonia, apo Greqia, shprehen të impresionuar me rivierën shqiptare. Pavarësisht kësaj nuk mungojnë sugjerimet për t'u rikthyer sërish vitin tjetër. Infrastruktura moderne e përputhur me një sinjalistikë të standardeve europine e kanë bërë bregdetin e kësaj zone më të penetrueshëm nga eksplorues të huaj. Pothuajse 100% të investimeve në Rivierë të akorduara nga qeveria shqiptare për rikonstruksione, apo ndërtime aksesh rrugore kanë përfunduar. Në harkun kohor të katër viteve, gjatësia totale e segmentit rrugor të rikonstruktuar është mbi 70 mijë kilometër dhe arrin një vlerë rreth 5 miliard lekë të financuara nga qeveria shqiptare. Duke iu referuar të dhënave zyrtare që vijnë nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit evidentohet se, kjo e fundit, në harkun kohor të një viti ka zbatuar ose është në zbatim e sipër në mbi më shumë se 10 kontrata (lote). Teksa ndalon në disa vendpushime automjetesh për të parë pamjet mahnitëse që të ofron deti, ndesh autokolona makinash me targa të huaja, por që drejtohen jo nga bashkëkombasit tanë, siç jemi mësuar t'i shohim, por nga qytetarë europianë që kanë pushtuar plazhet e këtyre zonave. Xhek Smith, një i ri nga Britania e Madhe, ishte një ndër vizitorët e shumtë që këtë verë kanë preferuar bregdetin e Jonit për t'u relaksuar dhe pushuar. Shqipërinë e njoh pak, shprehet ai, por kam parë media të shumta që e cilësonin Shqipërinë perlën e pazbuluar të Mesdheut. "The Gardian", që është një nga mediat më prestigjoze, kishte disa artikuj shumë interesant. Po kështu, dhe shoqëruesja e tij nga Spanja shprehet shumë e habitur për bukuritë që shfaqte kjo zonë e bregdetit. Destinacioni turistik për vitin 2009 është Shqipëria. Kështu shkruan e përditshmja britanike "The Guardian", sipas së cilës, Shqipëria është një nga vendet e listës që kryeson "destinacionet e parajsës për këtë verë". Mat Karroll shkruan se plazhet boshe, çmimet e lira dhe bregdeti i Adriatikut është patjetër ajo çka mund të kërkojë një turist. Ai tregon se si bukuria e bregdetit, maleve dhe rrënojave arkeologjike nuk mund të lërë askënd indiferent. "Të gjithë duan të vijnë këtu ndaj edhe numri i turistëve vjen gjithmonë në rritje", shprehet Karrol. "The Guardian" tregon shembuj të ndryshëm se si turistët e huaj, gjithmonë në rritje për nga numri, kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë, të eksplorojnë bukuritë e një vendi që kohë më parë ishte më i varfëri në Europë. Autori citon të gjitha vendet të cilat një turist që vjen për herë të parë në Shqipëri duhet t'i vizitojë, në mënyrë që të vërtetojë bukurinë dhe lashtësinë e këtij vendi. Riviera, 300 milje nga Vlora në Butrint. Orikumi, fshati i lashtë i ndërtuar në vitet 600 Para Krishtit e rrënojat arkeologjike, të cilat janë dëshmi e historisë ndër shekuj. Duke ecur më pas me Malet e Çukës, Llogaranë, Sarandën e Butrintin, e mbrojtur nga UNESCO. "Gjithçka është e bukur, investitorët duhet të luftojnë me njeri-tjetrin për të vënë dorë mbi këto zona", përfundon shkrimi i "The Guardian". Relievi dramatik i bregdetit jonian, i konsideruar si cepi i fundit i paprekur i Mesdheut, ishte skena në të cilën DJ Tiesto luajti për fansat e tij shqiptarë muzikën e tij më të mirë. Ardhja e këtij DJ, nga më të njohurit në botë, ishte promocioni më i mirë që mund t'u bëhej këtyre plazheve të virgjëra.

Fshatra të vegjël që ofrojnë plazhe mbresëlënëse

Fshatra dhe plazhe që fshehin perla nën gjarpërimin e rrugëve. Pushime të paharruara, eksplorime në vende të mrekullueshme dhe qetësi në zona thuajse të paprekura. Nga Palasa në Dhërmi, Qeparo e deri në Bunec, shijoni çfarë ofron jugu këtë verë.

Shtëpi e madhe e diellit, detit dhe malit. Kjo mund të thuhet pa frikë për bregdetin shkëmbor të Jonit. Palasë, Dhërmi, Vuno, Himarë, Qeparo, Borsh, Bunec fshehin perla nën gjarpërimin e rrugëve, kryesisht të hapur rishtazi nga vetë "të zotët e vendit", si dhe gjelbërimit, pemëve të mbjella, frutorëve, agrumeve si dhe mijëra rrënjë ullinj. Ka një turizëm jo shumë të organizuar dhe kryesisht mbështetet në turizmin familjar, por edhe hotelerik. Kryesisht preferohet se është një bregdet i thyer, ku plazhet janë si ishuj të vegjël që të ofrojnë dhe intimitet relaksues. Pas Qeparoit bregu ka më tepër shtrirje, ku plazhi bëhet më "i sheshtë". Shumë prej plazheve kanë mbetur të virgjëra. Ndoshta natyra me një lloj terreni "të ashpër" për të zbritur në shumë prej tyre e bën edhe më tërheqëse një vizitë në to. Ky lloj turizmi mund të shfrytëzohet edhe për sporte. Sportet nautike mund të jenë më të favorshmet për t'u ushtruar, pasi i gjithë gjiri rrihet nga erëra. Bregu jep mundësi, thuajse në të gjithë zonën të një turizmi individual, apo edhe të lëvizshëm, me çadra, ose me rulota. Ky lloj turizmi mund të aplikohet që nga Llogaraja dhe deri në fshatra të tjerë, Qeparo, Borsh e bregdetin në vijim drejt Sarandës. E veçanta e këtij bregu (në zonën e Himarës), është se ofron një turizëm variabël, që mund të shfrytëzosh malin në turizmin malor, pyllin, detin. Kjo e bën trevën magjike në një hapësirë kilometrike jo shumë të gjatë. Po ky bregdet është i favorshëm për sportet e ujit, ndërsa zona malore për sporte të ajrit. Qafa e Llogarasë, por edhe mali i Shashicës në Vlorë janë dy nga pikat ku nisin fluturimet e ajrit. Aty nisin fluturimet për të vijuar më pas prej aplikuesve mbi bregdet.

Gatimet që mund të shijohen në këtë zonë : Peshk, mish dhe shumë vaj ulliri

Ushqimi është kryesisht i mbështetur në bazë peshku dhe gatimi i mishit në mënyrë tradicionale, pjekja e mishrave në hell. Thellësitë e ujërave premtojnë për llojshmëri të peshkut, kryesisht atij të egër, që është shumë i parapëlqyer në tryeza. Shumë prej zonave njihen dhe si "Labëri e butë". Në to njihet pjekja tradicionale si në vise të tilla.

Banorët e zonës, të besimit ortodoks, njihen për lidhjet me detin, për shkak të afërsisë me të. Ata njihen gjithashtu për kultivimin e ullinjve dhe agrumeve. Banorët thonë se askund nuk shijon vaji i ullirit si në zonën e tyre. Asnjëherë nuk mungon vaji i ullirit "safi" në shtëpitë e bregasve. Ndër pjatat që shoqërojnë ushqimet në tryeza janë dhe ato me lakra të egra, nena, të gjitha të zhytura në vaj ulliri. Ushqime të tilla kanë vlera kurative, si dhe janë të pasura, thonë banorë të zonës, të cilët sallata të tilla i kanë thjesht shoqëruese të prodhimeve të detit.

Zona e bregut

Zona e bregut përfshin Palasë, Dhërmi, Iliaz, Vuno, qytetin e Himarës, Pilur e Qeparo. Harta e tyre nis sa kalon Qafën e Llogarasë. Duke zbritur drejt zonës bregdetare, teksa rruga zbret faqen e malit, plazhe të vegjël duken në vijën bregdetare që çon në zonat e Palasës dhe Dhërmiut. Kontaktet e para vizive me ujërat joniane, teksa kalon Llogaranë, janë plazhet te Rrugët e Bardha, zona tipike të plazheve të virgjëra, ku mund të futesh vetëm me makina të larta. Frekuentimet janë të pakta, për shkak të terrenit të vështirë që lidh me bregdetin. Rruga nacionale që lidh Llogaranë me Dhërmiun është e asfaltuar, projekt ky që vijon zbatimin, por i përfunduar është deri në brendësi të Dhërmiut. Ujë i pastër kristal, natyrë e bukur, por thuajse jashtë vëmendjes së investimeve. Kjo është përgjithësisht panorama që përcjell bregdeti i Jonit. Gjire të bukura, plazhe të rehatshme, pamje të gjelbra, fshatra piktoreskë, rrënjë të pafund ullinj, e portokalle, aty ku bashkohet mali dhe deti, shkëmbinjtë dhe ujërat e kaltra, të gjitha këto të shoqërojnë përgjatë rrugës në bregdetin jonian. Plazhi i parë që ndalemi është ai i Bunecit. Buneci është zonë e fshatit Piqeras, siç pohojnë banorë të zonës, por që frekuentohet edhe nga zonat e Piqerasit, Sasaj dhe Lukova. Bunkerë gjigantë vëren në një sipërfaqe jo të vogël pranë plazhit. Kaltërsia e detit dhe një bregdet i gjerë premtojnë për një plazh tepër komod, por mungojnë thuajse investimet. Plazhi frekuentohet zakonisht ditor. Rruga për në plazh, gjarpëron përmes gjelbërimit. Po të tillë ka në fshatin Piqeras. Ndalemi këtu. Në pjesë të fshatit Piqeras, të bien në sy mure të lartë dhe rrugë shumë të ngushta, madje në lagje të caktuara, ku një mjet me shumë vështirësi kalon. Mbi Piqeras ndodhet Sasaj, rrethuar nga ullishtet në shpatin e malit. Banorë të Piqerasit vlerësojnë bukurinë e bregdetit, por njëkohësisht vënë në dukje dhe mungesën e infrastrukturës në zonën e tyre. Banorët thonë se e vetmja mënyrë për t'u hapur rrugë investimeve është dhënia e tokës pronarit. Kjo sipas tyre do t'i japë frymë turizmit të vërtetë. Pronat kanë qenë pika e dobët edhe për të intervistuar të tjerë në Borsh e Vuno. Pranë rrugës nacionale në Borsh ndodhen buronjat, ku uji rrjedh fuqishëm dhe mbi të është ndërtuar një lokal. "Sezon i shkurtër", vërejnë jo pa keqardhje banorët. Këtu zoti nuk ka kursyer në bukuri dhe plazh, por sezoni zgjat jo më shumë se një muaj, një muaj e gjysmë, pohojnë banorë. Po një bregdet i bukur dhe i veçantë shihet dhe në plazhin e Borshit. Mungesa e investimeve i bën plazhe të tilla të frekuentohen vetëm një muaj, një muaj e gjysmë, pavarësisht se janë vende ideale për pushime. Dy peshkatarë pohojnë se borshiotët shquhen për mikpritje dhe për të vërtetuar këtë na mundëson një udhëtim në det me varkën e tij, në të cilën është instaluar një minimotor me fuqi shumë të vogël. Zbritja më pas në Jalë, paraqet panoramën më të veçantë. Teksa hyn në rrugën që tregon tabela, gjithandej të rrethon gjelbërimi. Pemë dhe bar pa fund, të japin idenë e një udhëtimi si në një përrallë. Më pas rruga gjarpëron nëpër kodër, për të mbërritur në bregdetin që tashmë fal dy pamje krejt të kundërta,pasojë e prishjeve të ndërtimorëve para sezonit.

Plazhi i Dhërmiut

Është ndër më të frekuentuarit. Rruga nacionale e ndan fshatin nga plazhi. Fshati ndodhet në shpat të malit, në terren të thyer dhe duke qenë ndër fshatrat më të vjetër të zonës ka ndërtime karakteristike, ku dallohet dhe ai i stilit kullë. Interes për vizitorët që pëlqejnë ndërtimet e vjetra është kisha e Shën Stefanit, në të cilën gjenden gjurmë të periudhës bizantine. Mbi fshat gjendet manastiri dhe kisha e Shën Mërisë, të cilat kanë një pamje të veçantë. Përgjatë përroit të fshatit janë edhe disa shpella karstike me interes për t'u vizituar. Plazhi i Dhërmiut është ndër më të mëdhenjtë e plazhit jonian. Qetësi, bregdet të pastër, por edhe gjelbërimi në disa pjesë të tij i bëjnë të veçanta pushimet në të. Kur zbret në plazhin e Dhërmiut nuk mund t'i rezistosh një rikthimi të dytë. Në zonë ka shumë bare, restorante, apo edhe pika akomoduese. Bregdeti preferohet për pushime ditore dhe kryesisht qëndrim disaditor, ku mund të shijosh rrezet e paradites dhe ujin e kristaltë, por edhe magjinë e perëndimit në det. Eksploratorët e botës nënujore, apo të apasionuarit për të, mund të shijojnë zhytjet në ujin e pastër, ku thellësia joniane fillon që në breg. Shkëmbinjtë që mbyllin plazhin janë labirinte të vërteta natyrore. Vijimi i shëtitjes përgjatë bregdetit shkëmbor, masive që bien thikë mbi det fshehin edhe shpella mjaft interesante për tu vizituar. E tillë është shpella e Piratëve, e cila gjendet në kodrën e Shën Todrit. Emrin i rrjedh nga piratët që strehoheshin me mjetet e tyre në vendin e fshehtë. Një bllok shkëmbor në formën e një kolone ndodhet në hyrjen e saj, duke e ndarë në dy pjesë. Shpella rreth 30 m e gjatë ka vlera historike dhe turistike. Fshati ndodhet në shpat të malit, në terren të thyer dhe duke qenë ndër fshatrat më të vjetër të zonës ka ndërtime karakteristike, ku dallohet dhe ai i stilit kullë. Interes për vizitorët që pëlqejnë ndërtimet e vjetra është kisha e Shën Stefanit, në të cilën gjenden gjurmë të periudhës bizantine. Mbi fshat gjendet manastiri dhe kisha e Shën Mërisë, të cilat kanë një pamje të veçantë. Përgjatë përroit të fshatit janë edhe disa shpella karstike me interes për t'u vizituar. Shkëmbinjtë që mbyllin plazhin janë labirinte të vërteta natyrore. Vijimi i shëtitjes përgjatë bregdetit shkëmbor, masive që bien thikë mbi det fshehin edhe shpella mjaft interesante për t'u vizituar. E tillë është shpella e Piratëve, e cila gjendet në kodrën e Shën Todrit.

Plazhi i Palasës

Fshati Palasë është i vendosur në faqen e Malit të Çikës dhe njëkohësisht fshati i parë i bregut pasi kalon Qafën e Llogarasë. Në qendër të tij gjendet rrapi shekullor. Ky fshat dallohet për rrugët e ngushta me kalldrëm, që të çojnë në shtëpitë e bardha me oborre plot me pjerrgulla e vazo me karafila. Pjesë e tij është Plazhi i Palasës me një shtrirje mjaft të gjatë mbi 1.5 km. Ai shërben si vend pritjeje për të apasionuarit pas sporteve të ajrit, të cilët hidhen nga Qafa e Llogarasë dhe bien pikërisht në Plazhin e Palasës.

Shpella e Piratëve

Gjendet në kodrinën ku është vendosur Manastiri i Shën Todhrit, në fshatin e Dhërmiut. Eshtë një shpellë karstike. Emrin e ka marë sepse në të, kohë më parë strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre. Kur deti është i qetë ajo mund të vizitohet me lehtësi duke ofruar një pamje të mrekullueshme për vizitorin.

Qeparo

Menjëherë pas gjirit të Panoramës (Palermos) shfaqet një pamje tjetër e mrekullueshme, lugina e Qeparoit, plazhi, fusha e gjelbër dhe fshati i ri Qeparo fushë, më lart Qeparoit, kalaja e Karosit dhe në thellësi fshati Kudhës. Emri i fshatit Qeparo vjen nga bima e qiparisit. Plazhi i Skalomes, i veçantë për rërën e hollë dhe detin e cekët të shfaqet përpara. Në gjirin e vogël gjendet moli i lashtë, një bankinë prej blloqesh guri, shpella e Frengut dhe Hunda e Madhe. Rruga nacionale përmes ullishtave të çon në qendër të fshatit përmbi të cilin ngrihet manastiri i Shën Mitrit i ndërtuar në 1881, Kisha e Shën Mitrit është e stilit bizantin e ndërtuar në vitin 1760 dhe ka vlera të mëdha për ikonostaset e saj prej druri.

Borshi

Rreth 2 km lag fshatit Qeparo takojmë fshatin Borsh, që në lashtësi quhej Meandria, një sipërfaqe e gjelbër, plazh e det pa fund, qiell i kaltër. Ky fshat është i vendosur në një gropë të ngushtë sipër buzës së detit, ku derdhet përroi i Borshit (Buronja e Malit). Ky përrua shpërthen nga shkëmbi në mes të fshatit. Mbi këtë fshat në majë të shkëmbit ngrihet Kalaja e Borshit, që i përket shekullit të IV B.C. Rruga përmes ullishteve të çon në plazhin e Borshit me i gjati i krahinës. Duke udhëtuar midis gjelbërimit mbërrijmë në shkallën e Stenoit, lagje e bukur e Borshit me shtëpi të shpërndara midis gjelbërimit dhe ujrave të bollshme.

Lukova

Nga Buneci përmes parajsës së taracave mbërrijmë në komunën e Lukovës. Banesat e kësaj komune lidhen me rrugë me plazhet e bukra dhe intime si dhe shpellat. Rrugët karakteristike të çojnë në oboret plot pjerrgulla e lule të banesave të larta të fshatit. Në qëndër të fshatit mund të vizitoni kishën e Shën Thanasit. Emri Lukovë e ka prejardhjen nga fjala shqip luk me prapashtesat zbukuruse sllave -ovo.

Kakome

Pranë rrugës kryesore në luginën e Krekëzës degëzohet rruga drejt Kakomesë, një gji mjaft piktoresk. Në të gjendet manastiri i përmendur i rrethuar me mure të lartë. Në qendër të tij ndodhet Kisha e Shën Mërisë e ndërtuar mbi themelet e vjetra bizantine që ka formën e një kryqi. Plazhi i Kakomesë me rërë e zhavor të hollë midis variacioneve të kaltërsisë dhe gjelbërimit është një parajsë e vërtetë. Nga Kakomeja nëpërmjet detit mbërin në 2 plazhet e Krorëzit, ku pamja arin bukurinë e ëndrave. Rëra e pastër, brigjet shkëmbore, si dhe burimet e ftohta joshin turistët e ndryshëm.

Vuno

Karakteristikë në Vuno janë shtëpitë e ngjeshura me njëra-tjetrën, shtëpitë në faqen e malit janë të gurta. Rrugë me kalldrëm dhe terren tepër i thyer është ajo që bie në sy. Sapo kalon Vunoin relievi fillon e zgjerohet. Ndër më të veçantat është Kanioni i Gjipesë, i cili ndodhet në pjesën fundore të përroit me të njëjtin emër dhe ka një gjatësi rreth 800 m. Zbritja në det prezanton me plazhin e Gjipesë, një ndër plazhet më të bukur, me rërë e ujë të pastër dhe një bregdet në vijim tërësisht shkëmbor.

Jala

Rruga ku futesh për te zona bregdetare, në degëzimin e rrugës nacionale që shkon për në Himarë, ndoshta në vështrimin e parë nuk duket shumë "mikpritëse" në një tabelë të vendosur shkujdesur mbi rrugë, por nëpërmjet gurëve që zbresin tatëpjetën, fshihet mrekullia. Vetëm disa metra pas kësaj shtrihet një pyll si në përrallë, sidomos në pjesën e djathtë kur udhëton drejt Jalës ka pamje magjepse, ndoshta për adhuruesit e natyrës mund të ngjasojë si një botë çudirash. Gjelbërimi përmes pemëve të shoqëron në një pjesë të mirë rruge dhe pas kësaj një kthesë e fortë dhe panorama shfaqet shumë më ndryshe. Rruga vijon në shpatin e malit dhe në pjesën tjetër kaltërsia është pafund. Një plazh gati gati ekzotik, ku gurët e brezit të dytë zëvendësohen më pas me zhavorrin e imtë. Piklat shkëlqejnë nën prekjen e valëve të lehta në breg. Edhe pse prishjet e dy muajve më parë në thellësi të plazhit kanë ravijëzuar gërmadhat, plazhi sërish është tundues, pavarësisht pamjes së dhimbshme që i dhuruan rruspat sezonit.

Himara

Është një ndërthurje peizazhesh nga më interesantet. Rruga që çon në qytezë është tërësisht malore. Një pjesë e mirë e saj nuk ka asnjë kontakt me detin dhe sa afrohesh në Himarë rishfaqet sërish pamja e blusë së Jonit. Prezantimi i parë është me Himarën e vjetër dhe pas ashpërsisë së relievit, ku nuk mungojnë agrumet dhe ullinjtë, zbret në qendër të saj. Gjithsesi, lashtësia e vendit identifikohet me pjesën e vjetër të qytetit, që shtrihet në kodrën në të djathtë të qytetit ekzistues. Ruhen gjurmë të mureve të kalasë së vjetër që daton në shekujt IV-XVI dhe është personifikim qëndrese i banorëve. Brenda mureve gjendet kisha, një monument me vlera të veçanta. Plazhi i Himarës është një tjetër pikë ku mund të shijosh banjat e diellit në bregdetin e pastër, zhytjet në blunë e detit, apo edhe shëtitjet me varka. Në verë, mbipopullimi në zonë është i dukshëm. Për shkak të kapaciteteve të mira akomoduese, të cilat janë hotele, por edhe shtëpi banimi të dhëna me qira në zonën e verës, vizitorët janë të shumtë. Prenotimet për banesat nisin edhe një sezon më parë, kohë gjatë së cilës plazhistët, teksa shijojnë pushimet në këtë bregdet, negociojnë me banorët edhe për një 10 ose 15 ditësh të dytë në sezonin e ardhshëm. Po kështu, sezoni i verës mbledh edhe vetë banorë të zonës, të cilët vijnë nga emigracioni për pushime, por edhe shumë pushues nga rrethet, pjesën më të madhe e përbëjnë kryeqytetasit.

Plazhi i Llamanit

Plazhi i Llamanit, me një hapësirë disa mijëra metra katrorë, mes kodrave të larta që zbresin butë deri në breg të detit, rreth 5 kilometra në jug të qytezës së Himarës, zuri një hapësirë modeste në median kombëtare. Llamani mbetet një nga ato vende ende të pashfrytëzuara siç duhet nga frekuentuesit e Rivierës shqiptare. Zallishtja e imët, uji i kthjellët dhe i pastër si kristali perceptohen lehtësisht nga turistët, që vijnë këtu për herë të parë, në një kënd të fshehur disi në bregdetin e Himarës. Aty vizitori gjendet mes detit, malit dhe qiellit, që duket se tentojnë të bashkohen në një pikë të vetme. Landi, pronar i një prej lokaleve të pakta që gjenden në këtë pjesë të bregdetit, thotë se ka investuar për të ndërtuar dhe për t'iu gjendur pranë pushuesve. "Megjithëse pothuajse nuk ka ujë, e kemi zgjidhur këtë me rezervuarë e forma të tjera", thotë ai. Landi tregon se e nis sezonin në muajin qershor dhe e përfundon atë diku nga fundi i shtatorit. Gjatë këtyre viteve që e shfrytëzon këtë mjedis, ai ka investuar për të zgjeruar aktivitetin e tij. Megjithatë, aktualisht, shfrytëzohet shumë pak nga kapaciteti që ka ky plazh, ndoshta 1/10 e tij, apo ndoshta edhe më pak. "Ndoshta na duhet të ndërtojmë një segment prej pak më shumë se 500 metra, që lidh aksin kombëtar Vlorë-Sarandë, i sapopërfunduar, me plazhin e vrigjër të Llamanit", shton Landi. Ndërtimi i rrugës së Bregdetit, si investimi më i madh në histori për këtë zonë, ka krijuar kushtet dhe standardet e nevojshme të qarkullimit dhe të lëvizjes. Kjo nisi të reflektohej që vitin e kaluar, por këtë vit padyshim që efekti do të jetë shumë më i madh. Nënkryetari i Bashkisë së Himarës, Stefan Mato, shprehet se ndërtimi i rrugës do të shtojë numrin e pushuesve, vendas dhe të huaj. Ky numër pritet të jetë i lartë këtë vit edhe në plazhin e Llamanit. Bregdeti i Himarës ka një kapacitet akomodues prej 25-30 mijë shtretërish. Struktura turistike akomoduese përbëhet nga tre kategori, mes të cilave, ajo hotelerike me rreth 3000 shtretërish, turizmi familjar me rreth 15 mijë shtretër dhe kategoria e përzier, ku, nuk ka një profil të saktë hotelerik apo familjar. Bregdeti me gjatësi rreth 30 km ofron mjaft surpriza për pushuesit, ku përfshihet edhe Plazhi i Llamanit. Ky plazh i vogël, sikundër dhe plazhet e vogla dhe shkëmbore të Porto Palermos, apo mjediset e virgjëra të Livadhit, të Gjipesë, të Potamit etj., kanë qenë një zbulim i vërtetë, për ata që kanë ardhur këtu, për herë të parë. Të tjerë që pushojnë këtu prej vitesh kanë vendosur t'i qëndrojnë besnikë përzgjedhjes.

Objekte që mund të vizitohen

Për shkak të besimit ortodoks, zona ka një mori objekte të këtij kulti, të tipit kisha, mes tyre edhe ato karakteristike.

Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo. Ka formë pesëkëndëshe dhe është ndër monumentet më në zë të zonës.

Objekte natyrore si shpella e Peshkatarit

Interesante në Himarë është shpella e Spilesë. Legjenda për të flet se në të ka zbritur edhe Odisea.

Kalaja e Himarës, është ndër më të vjetrat. Një pjesë e saj është me mure të gurtë ciklopikë të mëdhenj, ndërsa pjesa tjetër i përket periudhave të ndryshme. Brenda kalasë ndodhen dhe rrënoja të objekteve të kultit.


Pse pushime në bregdetin jonian?

Vendi tipik ku kaltërsia e detit shkrihet me ashpërsinë e malit


Plazhe dhe fshatra piktoreskë;

Plazhe të virgjëra;

Gjire e shpella interesante ftojnë për të eksploruar;

Ka vende të pashkelura, panoramë e mrekullueshme;

Larg zhurmës së qyteteve, në qetësinë e bregdetit dhe freskinë e malit, relaksi është i garantuar.

Klima e butë dhe e favorshme që ofrojnë qytetet bregdetare shqiptare kanë shtuar numrin e turistëve nga gjithë Europa

Bregdeti i Jonit pushtohet nga jahtet dhe motorët e ujit

Elis KUÇI

Riviera shqiptare ka pritur në 15 ditëshin e parë të gushtit numrin më të madh të turistëve të huaj, të cilët si asnjëherë tjetër kanë "pushtuar" plazhet më të bukura të vendit, me rulotat, çadrat, tendat apo shtëpitë provizore. Jahtet dhe motorët e ujit ishin pamja e parë që turistët ndeshnin në detet përrallore të bregdetit të Jugut. Në disa plazhe ishin ngritur parkimet e motorëve të ujit si dhe jahteve që lëviznin nga porti i vetëm për jahtet në Shqipëri, ai i Orikumit. Klima e butë dhe e favorshme që ofrojnë qytetet bregdetare të Jugut si dhe deti i mrekullueshëm që zotërojnë këto zona, kanë shtuar numrin e pushuesve nga të gjithë trevat shqiptare. Ndërthurja mahnitëse që natyra i ka falur këtyre zonave, duke i dhuruar dhe malin dhe detin njëkohësisht, ka lënë me gojë hapur vizitorët e huaj dhe bashkatdhetarët jashtë kufijve, që e kishin për herë të parë udhëtimin në këto zona. Riviera shqiptare të afron detin dhe malin dhe jo vetëm në verë. Të dyja stinët që e rrethojnë verën, pranvera dhe vjeshta, fare mirë mund të afrojnë pushime falë një klime që është tepër e favorshme. Duke hedhur vështrimin vetëm pak vite më parë, ku infrastruktura ishte skandaloze, sërish pushuesit jo vetëm përballonin streset që sillte rruga që ngjante si rrugë fshati, por dhe indiferencën e atëhershme të shtetit, për turizmin, vetëm që të shijonin rrugën përgjatë bregdetit. Era e freskët e plazhit që të shoqëron përgjatë gjithë rrugës të jep mundësinë të shijosh pushimet, ende pa shkuar në destinacion. Vënia në funksionim e rrugës së re para sezonit turistik ka shtyrë shumë maqedonas, kosovarë, shqiptarë nga Mali i Zi, si dhe turistë italianë dhe nga shumë vende të Bashkimit Europian, që të pushojnë në brigjet përrallore të Jonit. Gjatë rrugës ndeshesh me grupe rulotash, të cilat bëjnë turizëm endacak, siç e quajnë ata. Marko Seratte shpjegon ardhjen e shumë turistëve me rulotë kryesisht nga Italia, Gjermania etj. Ai thotë se qëllimi i turizmit me rulotë nuk është kursimi, por shëtitja në sa më shumë plazhe që të jetë e mundur. Marko thekson se çadrat dhe kampet e ngritura sidomos në plazhet e virgjëra, siç është ai i Jalit, kanë tërhequr shumë turistët e huaj. Marko nuk harron të lavdërojë sinjalistikën rrugore, që ka rruga e përuruar pak ditë para fillimit të sezonit të ri turistik. Pas shijimit të pamjeve mahnitëse të detit nga Kodrat e Vunosë, rrugë e standardeve europiane të çon në "kryeqytetin e verës". Duke shijuar rrugët përgjatë bregdetit, të bie në sy një bukuri e rallë e natyrës. Teksa shkon në skajin më jugor të Shqipërisë nga ana bregdetare në Sarandë, sheh një gjallëri tjetër, ku këtë vit si asnjë vit më parë kanë ardhur shumë bashkëkombas nga Maqedonia. Ata thanë se rruga nga Riviera dhe pamja e saj ka mahnitur pa masë të gjithë vizitorët për herë të parë. Tensioni i ulët i energjisë elektrike, një problem evident që kanë pasur këto zona, tashmë është zgjidhur përfundimisht. Strategjia kombëtare për zhvillimin e turizmit në bregdet ka alokuar fonde të mëdha në rikonstruksionin e linjës të tensionit të lartë, si dhe marrjen përsipër nga qeveria që këtë katërvjeçar të lidhen rrugët kryesore të tensionit të lartë, kudo që janë nga Novosela në Ksamil. Pamja e qytetit, sipas planit urbanistik që është miratuar vetëm në letër, është tepër e largët, thonë sarandiotët, e sidoqoftë një gjë e tillë nuk e ka penguar qytetin bregdetar të ndryshojë fytyrë edhe përgjatë kësaj vere... Tabela që shënon "Plazhi i Çukës", pak kohë më parë do të ishte një zonë dy kilometra jashtë qytetit të Sarandës, por sot, ajo është pjesë përbërëse e tij. Rrugës për në Ksamil, në segmentin kur dikur mund të vëreje ndonjë kullotë, mundësisht të djegur, gjatë muajve të verës, sot, e vetmja gjë që të shohin sytë janë pallate, hotele, bare, restorante, plazhe private, e çdo element tjetër që e bën zonën "të denjë" për të qenë pjesë e Sarandës. Tani që kanë filluar norvegjezët e suedezët të blejnë hyrje këtu, për pak kohë do ta kesh Sarandën deri në Butrint, thotë urbanisti i komunës Ksamil. Në Sarandë turistët e huaj kanë preferuar të shohin dhe manastiret e shumta. Në Sarandë ndodhet Sinagoga më e vjetër e Ballkanit, nga një koloni hebraike e vendosur rreth shekullit të tretë të erës sonë, shumë më herët se në të gjitha pjesët e tjera të gadishullit. Tani mbi tokë ndodhet vetëm një pjesë e Sinagogës, e shtrirë në të majtë të qendrës së qytetit dhe e mbuluar nga rëra, në mënyrë që të mos pësojë gjë nga erozioni. Përpara se të mësonim këto të reja të "kryeqytetit të verës", siç iu pëlqen vendasve ta quajnë Sarandën, kishim kaluar rreth 300 kilometra rrugë, por çuditërisht, në krahasim me vitet e shkuara, nuk ishim lodhur pothuajse fare. Ndonëse me makinë, arritëm në Sarandë brenda 5 orësh duke futur dhe ndalesat e shpeshta gjatë rrugës për të shijuar bukuritë natyrore të Rivierës Shqiptare.

Përfundimi i rrugës së Rivierës dhe rrugët e reja që po bëhen, do ta sjellin Sarandën shumë afër Tiranës, por edhe gjithë pjesëve të tjera të Shqipërisë. Pikërisht kjo ka ndodhur dhe sot, Saranda është më afër. Madje në ndryshim nga vitet e kaluara ku turistët ishin në shumicë, emigrantë të kthyer nga Greqia, këtë vit maqedonasit, shqiptarët e Maqedonisë e Kosovës si dhe grupe turistësh nga vendet e BE-së përbëjnë pjesën kryesore të turistëve. Ashtu sikurse 90 për qind e plazhistëve që gjetëm tek "Pulëbardhat", një ranishte artificiale pak kilometra jashtë Sarandës, në afërsi të Ksamilit janë turistë të huaj. Tashmë ka mbetur vetëm Saranda, Vlora dhe Durrësi, për makinat me targa SK e TE, që gjendeshin kudo të parkuara në qytet. "Është qytet shumë i bukur, besoj se do të vijmë më shpesh", rrëfen Branko Barkovski. Sarandën e kanë cilësuar si një "amfiteatër" natyror, për shkak të shtrirjes së saj mbi kodrat që rrethojnë qytetin, me rrugë paralele dhe me shkallë ndërlidhëse. "Kaq shkallë nuk besoj se kam hipur në gjithë jetën time", thotë duke qeshur lehtë 53-vjeçari nga Shkupi, i cili duket i mahnitur me pamjen e qytetit. "Po të kishte pak më pak denduri në ndërtime do të ishte qyteti më i bukur në rajon. Kam katër ditë që kam ardhur dhe nuk kam shkuar një herë në të njëjtin plazh. Njëri pas tjetrit plazhe të izoluara, që janë njëri më i bukur se tjetri". Pasditja i gjen të gjithë në shëtitoren e qytetit, aty ku pushuesit dhe vendasit ndërthuren për të bërë një "xhiro", siç e quajnë sarandiotët e për t`u ulur për një kafe në bregdet, e ku të tjerë qëndrojnë në lokalet e sipërme të shëtitores, për të komentuar veshjet dhe trupin e secilit prej të pranishmëve. Disa të tjerë preferojnë pub-et dhe diskot, të cilat kanë mbledhur rreth vetes këngëtarët dhe Dj. më në zë të vendit dhe të huaj, duke e bërë Sarandën me një larmi të paimagjinueshme për turistët vendas dhe të huaj. Rruga Sarandë-Butrint, çdo mëngjes dhe pasdite është e mbi-mbushur nga turistët që dynden për të parë plazhet e rreshtuara njëri pas tjetrit, deri në qytezën e Ksamilit, 16 kilometra nga Saranda. Manastiri, Pasqyrat, Pulëbardhat, Heaven, janë gjire të izoluara e të rrethuara nga kodra, të lidhura me rrugën kryesore me rrugica të pashtruara të hapura nga pronarët e lokaleve që menaxhojnë "de fakto" plazhet. Por, Saranda nuk është zgjeruar vetëm gjatë bregdetit, por edhe në pjesën e sipërme të kodrave që e rrethojnë, aty ku pak vite më parë mbretëronin vetëm pyjet e dendur, kanë mbirë një e nga një, gjithmonë e më shumë, pallate e shtëpi, sidomos pas ndërtimit të rrugës së pestë paralele të qytetit. Ishujt e Ksamilit më të preferuarit e vendasve, por dhe të të huajve kanë filluar të popullohen. Kështu, disa varka bëjnë transportin e pushuesve që duan të shijojnë një ditë plazhi në ishull. Ikja nëpër ishuj si edhe eksplorimi në pasuritë nënujore të mundësuar nga deti i pastër ka bërë që ishujt e Ksamilit të popullohen shumë shpejt me turistë vendas dhe të huaj. Një plazh i hapur tre vitet e fundit është dhe "Pema e thatë", e cila është skaji më i largët i bregdetit. Duke u bërë një nga plazhet më modernë të zonës, ai po sfidon dhe ishullin e Korfuzit që është shumë pranë. Kjo shihet qartë dhe nga vështrimi nga të dy anët e ishullit, ku pushuesit e vendit helen në Korfuz shohin pushuesit tek "Pema e thatë". Ky plazh është shumë afër me ishullin 3 të Ksamilit. Besarti, një maqedonas dhe pushues në Ksamil, thotë se është mrekulli plazhi dhe kryesisht Riviera Shqiptare. Ky vend nuk ka nevojë për reklamë, mjafton ta shohësh dhe ta vizitosh një herë dhe "dashurohesh".

Duke dalë në darkë për një shëtitje në shëtitoren tradicionale të Sarandës sheh shumë të rinj që ulen buzë detit, duke e shijuar atë jo vetëm ditën, por dhe në orët e vona të natës. Duke iu afruar disa prej tyre, i sheh të bisedojnë shumë të frymëzuar. Ata e krahasojnë ndejtjen afër detit me pastërtinë e ndjenjave, të cilat ngadalë-ngadalë tregohen duke i shoqëruar me valët e detit, të cilat i japin ëmbëlsi çdo të riu. Këto mrekulli natyrore, si dhe mundësia për të eksploruar plazhe të virgjëra ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve të huaj krahasuar me një vit më parë. Numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-korrik 2009 është rreth 1580495 persona. Vizitorë të huaj janë 991306, nga të cilët 19072 janë vizitorë ditorë (ekskursionistë), ndërsa 972234 janë vizitorë me netë qëndrimi (turistë). Vizitorë me nënshtetësi shqiptare, të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme janë rreth 589189 persona. Periudha janar-korrik 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka patur një rritje 36% dhe në krahasim me vitin 2005 rritja është afërsisht 2.6 herë.

Syri i Kaltër, destinacion turistik

Syri i Kaltër, një nga burimet më të rralla në botë, i cili mahnit me bukurinë e tij këdo që e viziton. I ndodhur vetëm 15 kilometra larg Sarandës, Syri i Kaltër pret çdo ditë shumë vizitorë nga të gjitha vendet e botës. Syri i Kaltër është një nga bukuritë e mëdha që natyra i ka falur tokës. Tashmë është bërë traditë udhëtimi në pikën turistike, e pagëzuar nga një inxhinier. Syri i Kaltër, është një pikë shumë e bukur që ndodhet vetëm 2 km në të majtë të rrugës Sarandë-Gjirokastër. Ky vend është një pikë shumë piktoreske, ku një burim i kaltër me origjinë karstike filtron ujërat e pellgut ujëmbledhës të Malit të Gjerë dhe Fushës së Dropullit, për t'i nxjerrë në sipërfaqe ujin e kristaltë. Bukuritë mahnitëse të kësaj perle të natyrës shtohen për shkak të rrethimit nga gjelbërimi i rrallë që natyra e ka falur pa kursim. Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin e Kaltër në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur "Syri i Kaltër". Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë Malit të Gjerë. Sot, gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Peshku që rritet dhe kultivohet këtu është pestrova, një peshk i shijshëm.

Syri i Kaltër, destinacioni turistik më i frekuentuar nga të huajt

Vizitorë të rregullt janë turistët e huaj dhe nuset me fustan të bardhë. Syri i Kaltër, megjithëse i takon administrativisht nënprefekturës së Delvinës, lidhjet me turizmin dhe vizitorët i mban me Sarandën. Këndej nisen turistët vizitorë për të shkuar në "çudinë" natyrore. Sipas të dhënave zyrtare, për muajin korrik numri i vizitorëve të huaj në këtë pikë turistike i kaloi të 30 mijë, të ardhur nga Anglia, Danimarka, Holanda, Franca, Italia, vendet nordike, brigjet e Mesdheut, amerikanët, aziatikët, australianët e deri nga Brazili.

Ky vërshim ka ardhur edhe për shkak të krocierave të mëdha që zbresin në Sarandë me qindra turistë në një ditë. Të gjithë turistët e huaj që zbarkonin në këto anije gjigante turistike, një drekë patjetër kërkojnë ta kalojnë në mjediset përrallore të Syrit të Kaltër.

Nëse do të llogaritësh shqiptarët mund të marrësh vetëm një informacion të përafërt, pasi ata janë disa kategori, bashkatdhetarë nga trojet shqiptare, kryesisht nga Maqedonia e Kosova, por ka edhe nga SHBA-ja. Shqiptarët brenda kufijve që u përkasin qyteteve Sarandë e Delvinë e duke shkuar deri në Tropojë, Kukës, Korçë, Tiranë, Durrës e gjithë Shqipëria, por ka edhe nxënës e mësues që vijnë nga Prishtina, Suhareka, Gjakova, Tirana e gjithë shkollat e vendit. Dasmorë të rretheve Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që vazhdojnë të aplikojnë traditën pagane të pagëzimit "të pastërtisë së çiftit".

Legjenda e hershme

"Një herë e një kohë, fryu një erë kaq e fortë, sa tundi detin nga fundi dhe deti nxori një gjarpër... Ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sopotit... Gjarpri gjigant hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte... U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër lubisë e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpri hëngri gomarin, zjarri i eshkës përbrenda e dogj. Bisha briti, 'Ku je ti det, që më bëre kokën dhe ti lumë, vëllai im...!'. E u shtri për vdekje. U nis deti nga Vivari dhe lumi nga Sopoti, por s'e proftasën dot. Në agoninë e ngordhjes gjarpri përplaste bishtin në faqen e malit, ku mbetën shenjat që duken. Qysh nga ajo kohë deti me malin janë të lidhur me njëri-tjetrin si baba e bir".

Përsëritja e legjendës

Në tetor të vitit 2002, bukuroshja e "nënës natyrë" ishte në agoninë e vdekjes.

Të gjithëve u erdhi keq, por vetëm kaq. Për koincidencë, pikërisht kur drejtuesit e Leçes erdhën në Shqipëri për të biseduar për Syrin e Kaltër, ai shteroi dhe u kthye në një sy të verbër, me ngjyrë të bardhë. Shumë njerëz në Sarandë besuan se ishte gishti i Zotit. "Ishte dënim për ata që donin ta shisnin", pëshpëritnin. "Katër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër me lumin që i lëshonte nga sipër gurë dhe zhavorr", thoshin të moshuarit.

Kush e pagëzoi...?

Emërtimi "Syri i Kaltër" ka lindur shumë më vonë, në vitet '50, kur u bënë studimet e këtyre burimeve për t'i përdorur në hidrocentralin e Bistricës. Thuhet se emrin ia vuri një prej inxhinierëve të rinj, të cilit i kujtonte sytë e kaltër të së fejuarës së tij. Thonë, se të gjithë inxhinierët që endeshin në këto burime e quanin kështu, sepse s'mund ta quaje ndryshe një burim aq të kaltër, me një rreth jeshil dhe me një njollë të zezë në mes. Mene Lula, një prej inxhinierëve ndërtues të hidrocentralit së Bistricës, thotë se edhe pelegrinazhi që bëjnë sot nuset në ceremoninë e martesës, duke kaluar para se të hyjnë në shtëpinë e re të dhëndrit, ka lidhje me hyjnizimin e mistifikimin e kësaj dhurate të natyrës që simbolizon pastërtinë morale, bukurinë femërore dhe hijeshinë e nuses-nimfë të dalë nga ujërat kristal, sipas legjendës së Panit të Madh.

Spilleja, grishja miqësore e plazhit të kristaltë

Ylli XHAFERRI

Në të djathtë të superstradës Kavajë-Rrogozhinë, në Kryeluz, kthen rruga për në Plazhin e bukur të Spillesë. Është një rrugë e re prej 15 km, dhuratë e qeverisë demokratike për popullsinë e zonës dhe pushuesit e shumtë që gjatë verës vijnë nga Korça, Elbasani, Berati, Kuçova, Peqini, Kavaja, Rrogozhina dhe rrethinat, për të shijuar resurset kurative, ujin e kristaltë, rërën e bardhë, rrezet e diellit me perëndimet e tij magjapëse, pyllnajën e pishave që grishin për freskim, karkalecin e rrallë, peshkun e freskët, produktet bujqësore bio, shërbimin e komunitetit vendas që në katërvjeçarin e fundit po shkon drejtë cilësisë. Rruga kalon përmes fushës, e cila dëshmon pamjen e bukur të duarve të punës. Nëpër të sheh bujqit punëtorë të zonës që kryejnë veprimtaritë e stinës. Syri të rrok pemtore të shumta mollësh, pjeshkësh, vreshtash, kaisijash, ullishtash të reja, kumbullash, jonxhishte që presin kosën, misërishte të shëndetshme, tufa lopësh, grunore të korrura, shalqinj e pjepra, kope qingjash dhe kecërash, zarzavate, agregate bujqësore në valën e punës. Kështu, hymë në Luzin e Vogël, që shtrihet mikëpritës në të dy anët e rrugës, ku ka trotuare dhe ndriçim. Ishte ditë pazari, të gjitha produktet bujqësore të stinës dhe mallrave industriale që vinin prej metropoleve të botës tregtoheshin aty. Edhe qumësht dallëndysheje gjeje. Si vegim i largët më erdhën në mend vitet kur vajzat e Luzit nuk gjenin një moline, një metër kambrik, një çikrik penjësh me ngjyra për të qepur e qëndisur në gjergjef pajën e bukur. Kurse tanimë në treg lulëzonin të gjitha larushitë e ngjyrave të ylberit. Luzi është krejtësisht me ndërtime të reja, vila një, dy dhe tre katëshe. Ishte kthyer në një qytezë joshëse. Historia e tij shkon larg, në agimet e ilirisë, ku rruga Egnatia ishte dhe autostrada e parë antike që e lidhte me botën, njëherazi me lindjen dhe perëndimin. Sot e kësaj dite ruhen të gjalla gjurmët e saj, fragmente të kalldrëmit dhe ura me harqe, dëshmi e civilizimit dhe qytetarisë elitare të këtyre travave të lashta.

Pylli i Bedenit, një rezervat magjik

Në të djathtë të fshatit Luz, në këmbët e kodrinave onduluese të Kryevidhit, hedh rrënjë Pylli i Bedenit, një rezervat magjik, ku hasen të gjitha llojet e drurëve, shkurreve, shpezëve dhe luleve. Aty gjenden disa lloje të pishës, blirit, selvive, madje një nga qiparisat më të veçantë dhe më të bukur të natyrës mesdhetare, që krijojnë një ekosistem të rallë, që vetëm veten ka në të gjithë zonën fushore. Pylli i Bedenit mbetet një oaz mikpritës, ku e verdha e gjineshtrës, vjollca e lithatave, jeshilja e vidhave, cicërimat e bilbilave, thëllëzave dhe qukapikëve, nën simfoninë hyjnore të korit zukatës të gjinkallave, krijojnë një vendpushim magjepës, një fidanishte të përjetshme të pemëve dekorative-zbukuruese për ultësirën fushore, ku ta ka ënda të kalosh një ditë çlodhjeje. Ky pyll i kishte shpëtuar njëherë e përgjithmonë sopatës dëmtore të druvarëve të furrave të bukës së kooperativës socialiste, që kurrë nuk mundën ta shuanin urinë, të cilat i qepeshin kodrinave dhe maleve për t'i shpyllëzuar, që pastaj errozioni të bënte hatanë e toka të mbetej gërranë dhe djerrishtë e zhveshur nga bimësia. Ai pyll sot zgjatet si qerpikë të hijshëm natyrës së bukur të krahinës.

Rruga ngjitej kodrinave të buta të Kryevidhit, toponim që e merr emrin nga drurët freskndjellës të vidhit, bohçet e të cilëve ngjajnë prej së largu me foleza dallandyshesh, gargujsh dhe bilbilash, të cilët këndojnë live koncertin e tyre lirik. Ngado kodrina lakore, pjellore dhe të begata. Syri has në shtëpi të reja, kopështe, pemë, ullishta, njerëz që punojnë, ndërsa në të thelluarat e luginave, si djersë e kthjellët shndrisin ujëmbledhësit për vaditje. Ajo që të bën përshtypje në këtë udhëtim të këndshëm, është fakti se ngado sheh ndërtime të reja, diku një shtëpi, më tej një lokal, më larg një stallë, çka flet se banorët e zonës janë të lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen, prej së cilës nuk mendojnë të largohen kurrë. Ajo është djepi dhe varri i tyre, gjyshstërgjyshërve, nipërve dhe mbesave. Aty është përjetësia, gjallimi, aty do të shtohen, bëhen lagje, fshat, krahinë. Duket që fëmijët emigrantë janë kthyer pranë vatrave si zogjtë shtegtarë, me djersën e tyre të ndershme dhe kursimet e fituara, bëjnë të gjallojë Kryevidhi i ri, që në socializëm ishte vend internimi dhe vuajtjeje, ku të plaste buza për një pikë ujë, të kërcisnin dhëmbët nga kokërrizat e pluhuri që ngrihej duman nga qerret e kooperativës, zhyteshe e mbyteshe në baltovinë dhe lluc. Rruga e re herë ngjitet dhe herë zbret si një balerinë elegante, ajo ka qenë ëndërr e brezave të krahinës, kurse tanimë një realitet i prekshëm, shërbyes, lehtësues për jetën, biznesin dhe turizmin. Teksa makina ecën shpejt, nëpër kthesat e ëmbla të rrugës, përpiqesha të dalloja siluetën e mikut tim, shkrimtarit Halit Shamata, që vite më parë kishte punuar si mësues në këtë zonë arsimdashëse, teksa kthehej netëve me erë e shi, pas shkollës së natës, për në familjen e tij në Kavajë. Por ajo kohë kishte mbetur njëherë e përgjithmonë pas, si një ëndërr e keqe.

Turizëm familjar, i denjë për t'u ballafaquar me të ardhmen

Zbritëm drejt fshatit Greth. Deti u shfaq befasisht. Një e kaltër magjepëse, një blu mrekullie, një pasthirmë kënaqësie që dilte vetiu nga goja e çdo kalimtari. S'ngopesha së pari detin, mbi shpinën e tij të valëzuar kishte shumë anije. Vetiu më erdhën në gojë vargjet e këngës ulqinake "Kapidani" Këndova nën buzë: "Ti o det, det i gjërë / shumë vaporra shkojnë mbi ty / ti je i madh e i duron / se ke tagër me i përpi..." Por, tjetër gjë më thonin ato anije dhe tragete që shkonin drejt Portit të Durrësit, ato ishin argumenti real kundërshtues se, kriza ekonomike që çirrej e përlotej me lot krokodili opozita e majtë, nuk ishte e vërtetë, se vendi jepte e merrte, zhvillohej e përparohej, se fuqia blerëse e shqiptarëve nuk kishte rënë. Kështu që, kriza ishte mentale, dëshirë emocionale e opozitës së humbësit të madh Rama, që kishte marrë furçën e zezë për të nxirë para botës faqen e bardhë të vendit të vet. Po kaloja mespërmes Grethit. Një emërtim historik që flet. Vend grethësh, grerëzash dhe marrlonjsh të helmët. Thatishtë, ku prodhimet bujqësore i thanin dhe rrezet e hënës, kurse tanimë gjelbëruar, lulëzuar, mrekulluar, nga dëshira e njerëzve të saj të mirë për përparim e mbrothësi që e donin punën dhe tokën e të parëve. Në dy anët e rrugës vila dykatëshe, parcela të përpunuara sipas agroteknikës moderne, lokale, ferma, hotele, turizëm familjar, i denjë për t'u ballafaquar me të ardhmen, turizmin në rajon dhe më gjërë. Në Greth kishte qenë një nga kishat më të vjetra të krahinës, por që lufta kundër fesë dhe zakoneve prapanike, urrejtja e komunizmit ndaj traditave të vjetra elitare kombëtare e kishte kthyer në stallë qeshë. Mbi ikonat dhe vizatimet murale të Shpatarakut, Selenicasit, etj., ishin mbështetur barbarisht parmendat dhe zgjedhat.

Kështu arritëm në Spille, një rrugë që gjatë 8 vjetëve të qeverisjes socialiste e bëje për një orë e gjysëm, kurse tani për 15 minuta. Krahasimi i shifrave nuk ka nevojë për komente, më tha Kryetari i Komunës së Kryevidhit, Ben Ajdini, i cili plot emocion më fliste edhe për projektet e shumta që kishte në zhvillim. Meraku i tij ishte shtimi i numrit të bizneseve, nga mblidhte taksa e tatime, me të cilët po ia shndërronte pamjen vendit.

Plazhi i Gurit të Lëmutë, Plazhi i Gjeneralit dhe Faleza e Bardhorit

Arritëm në Spille, një fshat i organizuar, ku dora e njerëzve të saj dhe pushtetit vendor dukej prej së largu. Shkolla, Qendra Shëndetësore, rruga e gjerë, trotuaret, ndriçimi, supermarkete, hotele, vila, shtëpi druri, autobuzë, rulotë, makina tregtarësh ambulantë, mizëri autoveturash, thuajse të gjitha targat e rretheve të Shqipërisë i gjeje aty, madje më tej akoma; të trojeve mbarëshqiptare, Kosovës, Tetovës, Ohrit, Strugës, targa greke, italiane, gjermane, angleze, franceze, etj. Spilleja ishte gjatë verës një Kullë e Babelit, ku fliteshin të gjitha gjuhët, frymëmerrnin të gjitha kulturat, shpërfaqeshin të gjitha modat, orientale dhe oksidentale. Njerëz, shumë njerëz. Kryetari i Komunës, tha se gjatë të shtunave dhe të dielave, Spillenë dhe plazhet përreth saj, i vizitonin gati një gjysmë milioni njerëz, kurse ditëve të zakonshmë numri i tyre nuk zbriste kurrë nga njëqind mijëshi. Të gjithë i gëzoheshin pushtetit të diellit, rërës së trashë e të errët ndër më kurativet në bregdetin e Shqipërisë, pyllit me pisha dhe detit të kaltër, prodhimeve të shijshme të detit, karkalecit të madh që shok veten ka në të gjithë bregdetin shqiptar, aktapodëve, sepjeve, peshkut koc, levrekut, gjuhëzës, barbunit, kerrit të rrallë, gushtakut stinor, që serviren të freskëta, të sapo dalë nga rrjetat e peshkatarëve, madje duke i parë e prekur të gjalla. Syri të rrok një pyll tabelash dhe reklamash grishëse, ato shënojnë restorante, bare, kafe, disko, hotele, lokale shërbimesh, sallone bukurie, berberhana, rropaqepësi, me emra joshës si: "Sara", "Niku", "Albatros", "Tirana", "Miqtë", "Kavaja", "Tre vëllezërit", "Spilleja", "Elbasani", "Varka e vjetër", "Peshku", "Berati", etj. Ndalëm në Bar-restorant "Andi", lokalin e djalit të mikut tim Hajrulla Xeka. Shokë rruge kisha akademikun, Beqir Meta dhe kolegun tim, Ramazan Mema. Në atë shtëpizë druri kishte shumë mikëpritje, pastërti, cilësi gatimi, servirje të prodhimeve të detit, verën e qilarit të tij, deri vajin e florinjtë të ullishtës së re, për të cilët nuk reshte së falenderuari qeverinë demokratike, e cila kishte dhënë grante për vreshtarinë, ullishtat, kumbullnajat, jo vetëm për të, por për të gjithë bashkëkrahinorët e tij, që e kishin dhjetëfishuar cilësinë e jetesës së tyre dhe natyrës.

Spilleja ka një shtrirje miqësore, familjare. Shtëpitë, parcelat e mbjella, brezi me pisha, hapësira e rërës dhe deti i kaltër, thellësisht i kaltër. Spilleja përbën mesin e artë të një gjeografie plazhesh të rrallë turistikë. Në të majtë, Plazhi i Gurit të Lëmutë, Plazhi i Gjeneralit dhe Faleza e Bardhorit, Kepi i Lagjit, kurse në të djathtë Grethi, Bashtova me Grykëderdhjen e Shkumbinit. Janë gati nga 10 km plazh, në të majtë dhe të djathtë, që përbëjnë një vijë detare prej afro 20 km, ku bien në sy tre ngjyra të theksuara, bluja e detit, e bardha e rërës dhe e gjelbërta e pishave, çka përbëjnë edhe trininë e shenjtë të zonës. Vendi i bukur nuk të lë një çast qetie, të lëviz trup e shpirt, dëshira për ta shijuar këtë bregdet magjepës nuk të hiqet nga mendja...

Mora rrugën drejt Gurit të Lëmutë. Aty deti nanurit paqësisht valën në këmbët e kodrinës së gjelbër, ndërsa një rresht shkëmbinjsh hyjnë thellë në det, duke u kthyer në barriera ku dallgët thërmohen në mijëra rruzare si smeralde. Kompleksi i shtëpive të pushimit i ngjitet kodrinës, duke krijuar një shkallëzim arkitekturorë të denjë për natyrën dhe syrin, relievin dhe perspektivën. Rëra e zezë shëndrit si të ishte e përbërë me copra smeraldesh dhe diamantesh, duket sikur ua bën me sy pushesve të shumtë dhe gëzimit të tyre. Rrezet e diellit përthyhen nëpër to, duke krijuar një lojë të shndritshme me valët që kapërthehen gërshet me njëra-tjetrën. Plazhi është në pikun e tij, dikush zhytet nga shkëmbinjtë, një tjetër gjuan për peshk, dikush kërkon oktapodë nëpër thepat e shkëmbinjve, kurse fëmijët e vegjël ngrenë e shprishin papushim kështjella ëndrrash. Tek Guri i Lëmutë natyra, deti, njeriu, shkrihen organikisht në një paqe hyjnore, të denjë për Kopështin e Edenit.

Rrëfenja e krahinës për Plazhin e Gjeneralit

Lamë pas brezin e gjerë të rërës dhe hymë në një breg shkëmbor. Gurë e zhurishtëz, guacka të shumëllojshme, kuaj deti, kërmij, yje, leshterikë, toptha shkume, shtrat argjile. Uji i detit është i kristaltë, me ngjyrë blu të thellë, kurse plazhi zallor përngjan si mozaik nga zajet shumëngjyrëshe, ndërsa vallëzimi i leshterikëve mbi valët detare shpalos një kolorit të blertë me aromime të këndshme të bimësisë mesdhetare të brigjeve. Aty takova mikun tim, skulptorin Fitim Sula, duke përzgjedhur e mbledhur guralecë për mozaikë, ndërsa biri i tij, Arneni, kishte mbledhur një pirg argjile të njomë për të atin. S'kishte më bukur se kaq. Kështu arritëm tek Plazhi i Gjeneralit. Rrëfenja e krahinës fliste për një gjeneral italian, që diku nga vitet '30 kishte pushuar aty, duke ngritur një kamp fushimi të një lloji të veçantë, ushtarako-turistik. Ai madje e kishte pagëzuar dhe graduar madhështisht këtë perlë të bregdetit. Tashmë ai kënd i fshehur nuk është më i virgjër si atëherë, është kthyer në një plazh publik, ku njerëzit shijojnë mrekullinë e rrallë. Gjiri ka një vijë lineare gjatësore prej 500 m, gjerësi 50 m, sipërfaqe prej më se 2 ha. Rëra e pastër, kristal, kurse qetësia absolute. Plazhi ka formën e një patkoi dhe rrethohet nga kodrina lakore me lartësi deri 100 m të gjelbëruara përjetësisht nga dafina, shqopa, marsina, puqlla dhe mareja. Vilat harmonizohen ëmbëlsisht me peizazhin, duke krijuar një ambjent joshës, grishës dhe të freskët. Në ujërat e kthjellta gjendet breshka e detit (Caretta carettta), e cila në kohën e shumëzimit del në breg për të lëshuar vezët, të cilat sapo çelin braktisen nga të vegjëlit që sulen drejt ujit. Ky spektakël ndiqet me dylbi nga turistë të shumtë. Kjo breshkë është e rrallë, madje prej kohësh është futur në librin e kuq, duke u cilësuar si e rrezikuar në shkallë mesdhetare... Po të vazhdosh në këmbë, shkëmbinjtë bëhen të thepsur, gati-gati të pakalueshëm. Më tej, është Faleza e Bardhorit, vendi i Parthinëve, Bardhinëve, Bardhorëve, Bardhorit, ku ende ruhen muret e trashë të Kalasë së Turrës. Faleza e Bardhorit është një falezë interesante e gjallë, krejt vertikale, 15-20 m e lartë dhe mbi 150 m e gjatë. Kurse tej në horizontet e kaltra, feks si inxhi Plazhi i Carrinës me shkurrishtet erëmirë të dafinës. Areali i Dafinës këtu është unikal, por i rrezikuar nga tranzicioni i gjatë dhe troshitës. Makrotoponimet Spille dhe Carrinë, janë me prejardhje nga pushtimet sllave diku nga vitet 650-1350. Carrinë në sllavisht do të thotë doganë, prania e një skele detare ruhet edhe sot e kësaj dite pranë Përroit të Forzilogut. Në këtë vend, te Kodra e Kishës, është gjetur një këmbanë e vitit 1465. Këto toponime të huaja duhen ndryshuar me fjalë shqipe, pasi rolin e gozhdës së Nastradinit nuk kishin mundur ta bënin kurrë. Nisma e Qeverisë "Berisha", për të zëvendësuar emërtimet sllave të disa vendeve me origjinën e tyre ilire, është një detyrim, një shprehje e së vërtetës, një katarsis i toponomastikës shqiptare që nuk mund të tolerohet më...

Bashtovë, një histori që nis nga dera e feudit arbëresh të Matrëngajve

Të nesërmen mora kahun tjetër, bregun drejt derdhjes së lumit Shkumbin. Brezi i pyjeve me pisha sikur vraponte gëzueshëm krah nesh, kurse rëra e pastër me ngjyrë gri të hapët në bezhë, grishte të shtriheshe në të, për të fituar nxehtësinë kurative. Diku ishte stacionuar një rulot i bukur, me tenda vezulluese hapur. U afruam, ishte një çift me dy fëmijë të mitur. Burri na përshëndeti shqip, kurse gruaja e qeshur nuk foli. Ishte franceze, martuar me një djalë Spilleas. Kishte lënë plazhet e Francës për të pushuar në vendlindjen e burrit. Më bënë përshtypje, kaçurrelat e saj të verdha, herë më dukej si Kozeta, herë si Gërshetëza e Gjolit, ndërsa fëmijët nuk linin njeri pa përshëndetur në shqip "mirëdita", "mirëmëngjes" e gugitnin si pëllumba. U ndjeva mirë pranë atij çifti, djalit shqiptar, që gruan dhe fëmijët i sillte çdo vit në vendlindjen e dashur për t'i bërë pjesë të dheut që kurrë nuk mund ta tjetërsonte. Vazhduam më tej, ku ishte një grup pushuesish që më trishtoi. Përbëhej nga vajza dhe gra të veshura fund e majë me rroba të gjata. Nuk i shkonte atij vendi ajo veshje. Linte një shije të hidhur. Trupi i bukur njerëzor fshehur nga syri i natyrës dhe njerëzve, nga syri i ngrohtë i diellit. Ato hynë e dolën shpejt në ujë, pas lanë gjurmët, të cilat valët sikur nxituan për t'i fshirë. Kalova në heshtje bri tyre...Humori më mori arratinë...Kjo është Shqipëria jonë.

Në të djathtë deti i pafundmë, kurse në të majtë dukej fshati piktoresk i Bashtovës, me një histori që nis nga dera e feudit arbëresh të Matrëngajve, për të cilin flasin kronikat e shekullit të XV. Mes fushës shquhet silueta e një kalaje. Kalaja e Bashtovës ngrihet madhështore si një relikë epike. Një kala fushore e veçantë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe krejt Ballkanin. Aty ndodhen pranë e pranë turizmi dhe historia, relaksi dhe lavdia, antikja dhe modernja. Kalaja ka një planimetri katërkëndëshe me nga një kullë të rrumbullakët në të katër skajet, e midis tyre një karakoll drejtkëndësh. Muret kanë sipër tyre bedena që janë të përforcuara për një mbrojtje të dyfishtë me frëngji. Ajo ka tre hyrje, ndërsa brenda saj ndodheshin ndërtesa banimi, depo ushqimesh e municionesh. Kullat e skajeve ndahen në pesë kate mbrojtjeje, ndërsa kullat e tjera në dy kate. Ajo ka qenë e rrethuar me ujë nga të gjitha anët, gjendja fizike e saj është e mirë. Në të ka qenë skela e drithit që përmendet në dokumentat historike të shekullit të XIV. Sot aty zhvillohet, çdo vit nga Komuna e Gosës, një panair promovues dhe krijues, arti dhe historie, produktesh bujqësore dhe blegtorale, grupesh folklorike dhe veshjesh popullore... Lamë pas kalanë për të shkuar drejt grykëderdhjes së Shkumbinit. Matanë tij shtrihej Plazhi i Divjakës, një nga mrekullitë e tjera të bregdetit tonë.

© Copyright 2005 Rilindja Demokratike


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Dec 23 2009, 08:57am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Turizmi 2009, numri i vizitoreve rritet me 36%

E Merkure, 23 Dhjetor 2009


Viti 2009 ka qene nje vit i suksesshem per sektorin e turizmit ne vendin tone. Numri i vizitoreve per qellime turizmi eshte rritur 36 per qind kete vit, ne krahasim me vitin qe shkoi. Sipas ministrit te Turizmit, Ferdinand Xhaferri, celesi i suksesit per kete vit jane investimet e qeverise shqiptare ne infrastrukture dhe mbi te gjitha ne rrugen Durres-Kukes. Ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferri ne analizen vjetore te Agjencise Kombetare te Turizmit, tha se per te sigurua nje zhvillim te qendrueshem te turizmit, strategjia kombetare e turizmit ka hyre ne rrugen e rishikimit. Ndryshimi synon qe dy Drejtorite e Turizmit dhe Trashegimise Kulturore do te behen njesh, me synimin qe trashegimia jone te vihet ne funksion te turizmit. Ministri Xhaferri ka vene theksin ne pastrimin e trojeve turistike, ku permendi dhenien e nje fondi prej 2 milione eurosh per Kalane e Gjirokastres si dhe legjislacionin e mire ne infrastrukture, sherbime dhe anulimin e kontratave per fshatrat turistike, me qellim zhvillimin brenda nje industrie te tere te te gjitha llojeve te turizmit ne vend. Por sinjale pozitive ka edhe per vitin 2010. Operatoret britanike jane duke u pergatitur per nje ekspansion te turizmit ne Shqiperi per vitin qe vjen. Agjencite britanike i kane bere gati paketat dhe guidat per vitin 2010. Sipas agjencise turistike britanike "Holiday Options", programet e udhetimit ne Shqiperi do te perfshijne grupe te vogla turistesh, te cilat mendohet te akomodohen ne plazhin e Durresit. Hartuesi i planit, drejtori i agjencise "Holiday Options" Alan Brown tha se "Une kam vizituar disa pika turistike kete vere ne Shqiperi dhe jam habitur nga bukurite, diversiteti dhe standardet e larta te akomodimit, rrugeve dhe infrastruktures ne teresi". Kompania mendon se, kur Shqiperia te jete me e hapur vizitoret e pare do te shohin ate si nje mundesi per pushimet e tyre. Paketa turistike 2009, "Misteret e Shqiperise dhe Mali Zi i Panjohur", do te jete nje udhetim, i cili do te vazhdoje nga maji ne tetor, duke perfshire nje guide ne Tirane, ne Apolloni dhe ne qytetet antike te Krujes dhe Shkodres. Cmimi per person do te jete 755 paund per shtate dite. Ketu perfshihen udhetimi, akomodimi ne hotel me kater yje, ku perfshihet edhe mengjesi dhe nje ciceron ne anglisht gjate guidave. Udhetimet rajonale mbeten te vlefshme, por do te kene kosto suplementare mbi paketen 755 paund. Qe nga prilli ne tetor niveli i cmimeve per paketat turistike shkon nga 699 paund ne 799 paund per shtate dite, duke perfshire edhe fluturimet Britani-Tirane dhe hotelin me kater yje.

Turizmi ne shifra, rritja me e madhe ne rajon

Ne vitet e fundit Shqiperia ka jo vetem nje bilanc pozitiv ne terma shifrash per vizitore te ardhur, por nje trend me ndryshim domethenese dhe ne terma financiare. Keshtu ndersa ne vitin 2000 te ardhurat nga vizitoret e huaj dhe emigrante rezultojne te jene 389 milione USD, ne vitin 2006 dhe 2007 ato shenojne respektivisht shifrat 1 miliarde USD dhe 1.3 miliarde USD. Sipas Organizates Boterore te Turizmit, ndryshimi ne perqindje i te ardhurave ne USD pergjate ketyre tre viteve (2000 - 2006 - 2007) eshte respektivisht 16.9%, 18.5% dhe 36 % ndersa ne euro 18.3% 16.3% dhe 24 %. Nese do t'i referoheshim dinamikes se zhvillimit te vitit 2008, 6 -mujorit te pare do te shohim se rritja ne perqindje e te ardhurave ne USD me te njejten periudhe te 2007 eshte 38 % duke shenuar keshtu shifren me te larte, ne krahasim me te gjitha vendet e rajonit te Mesdheut. Ky trend ndryshimesh nuk eshte trend pozitiv vetem ne analizen e brendshme vendese, por ka po ashtu bilanc pozitiv krahasuar me vendet e tjera te rajonit. Ndryshimet ne perqindje i te ardhura ne euro nga turizmi per vitin 2007 krahasuar me vitin 2006 (24%) shenon nje vlere me te larte se, vlera qe shenon vende te tjera si Izraeli (17%), Sllovenia (13.6), Turqia (9.7%), Malta (9.4%) apo Kroacia (7.3%). Ne 15 shtete te rajonit mesdhetar Shqiperia qendron ne vendin e katert ne liste, per ndryshimet ne te ardhura te vitit 2007.

© 1991 - 2009 Koha Jone


[ Edited Wed Dec 23 2009, 08:58am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Fri Dec 10 2010, 07:32am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Vëllazërohen Peja, Kruja dhe Qyteti i Vjetër i Sarajevës



Kruje


Prizren


Sarajeve


Publikuar: Sot, më 08 dhjetor 2010

Pejë, 8 dhjetor - Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, së bashku me kryetarin e Krujës, Lulzim Guni, dhe kryetarin e Komunës së Qytetit të Vjetër të Sarajevës, Ibrahim Haxhibajriq, kanë firmosur të mërkurën pasdite në Pejë, memorandumin për bashkëpunim ndërmjet këtyre tri komunave, me të cilin shpresohet të thyhet akulli politik i Bosnjë-Hercegovinës për njohjen e Kosovës dhe dokumenteve të saj.
Dokumenti i nënshkruar për binjakëzimin parasheh bashkëpunimin ndërmjet tri komunave në të gjitha fushat e jetës, me theks të veçantë në fushën e artizanateve, pasi të tria njihen si qytete të vjetra me traditë të gjatë të këtij arti popullor.
Mirëpo, në deklaratat e nënshkruesve të këtij memorandumi vërehej qartë edhe dëshira për thyerjen e qëndrimeve ekzistuese politike të Bosnjë-Hercegovinës kundruall Kosovës.
“Kjo marrëveshje e mundëson bashkëpunimin në kulturë, ekonomi dhe fushat tjera të jetës, por para së gjithash më këtë po e bëjmë një hap të vogël për njohjen e dyanshme dhe këto dy komuna të jenë iniciatorë për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina”, tha kreu i Pejës Berisha.
Kryetari i Krujës Guni shpreson se vëllazërimi i këtyre tri komunave do ta lëvizë nga vendi Qeverinë e Bosnjës për ta njohur Republikën e Kosovës.
Ndërsa, Ibrahim Haxhibajriq e shpalosi në publik një fshehtësi të vogël nga takimi ndërmjet qeveritarëve të Bosnjës dhe ambasadorit të Shqipërisë në atë vend.
“Besoj që shumë shpejtë Bosnja do t’i njohë dokumentet e Kosovës dhe pastaj qytetarët e shtetit të Kosovës mund të qarkullojnë lirshëm edhe në Bosnjë-Hercegovinë”, tha ai.
Ideja për binjakëzimin e Pejës, Krujës dhe Stari Grad i Sarajevës ka lindur në kokën e ambasadorit të Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, Flamur Gashi, i cili me rastin e nënshkrimit të memorandumit tha se duhet të kujtohet e kaluara, si mësim që të mos përsëriten ato gabime në të ardhmen.
“Ky vëllazërim të jetë mesazhi më i mirë për të gjithë ne, që të bashkuar si vëllezër, të gjithë popujt e këtij rajoni të shikojnë drejt Evropës së bashkuar”, tha diplomati shqiptar me origjinë nga Peja, babai i të cilit ka lindur në Krujë, vet në Pejë, kurse në Sarajevë ushtron detyrën e parë të tij diplomatike jashtë kufijve shqiptarë.

Marre prej KOHA Ditore

trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3881 sec, 0.0860 of that for queries. DB queries: 48. Memory Usage: 3,397kB