Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Rreth Shkodrës dhe per Shkodrën :: Ambjenti
 
<< Previous thread | Next thread >>
Lajme/diskutime rreth ambjentit Shkodran
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
::bud::
Mon Aug 17 2009, 09:53am



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 12:46pm

Posts: 10533
Top channel - Lagjja periferike e Shkoders vazhdon te mbetet vendi ku grumbullohen dhe digjen mbeturinat e gjithe qytetit. Vetem dy muaj me pare ne

kete vend nje femije invalid i cili mblidhte kanace per te ndihmuar familjen e tij te varfer humbi jeten, pasi u mbulua nga makina e mbeturinave.
Shkodra eshte nje nga qytet, ku brenda vijes se verdhe jo vetem grumbullohen, por dhe digjen mbeturinat e gjithe zones.

Nga djegia e mbeturinave clirohet tym toksik teper i rrezikshem qe provokon semundje kancerogjene dhe kjo gjendje ben qe jo vetem banoret aty prane por i gjith qyteti i Shkodres te ndihet i kercenuar.

Ne kohen ku era frun nga veriu gjate nates ne Shkoder nuk mund te mbash dritare hapur pasi era e rende qe clirohet nga djegia eshte e padurueshme.

Banoret e zones ndihen teper te revoltuar per faktin se ne kete vend dhe pse humbi jeten nje femije ende vazhdon e njejta situate madje banoret shkojne me tej duke e cilesuar kete veprim te grumbullimit dhe djegies nje krim kunder njerezimit.

[ Edited Tue Aug 25 2009, 08:07am ]
Back to top
::bud::
Tue Aug 18 2009, 09:10am



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 12:46pm

Posts: 10533
Djegia e plehrave "mbyt" tre lagje të Shkodrës

Plehrat kanë pushtuar varrezat e dëshmorëve ndërsa djegia e tyre sa vjen e bëhet më shqetësuese për banorët


Plehrat kanë pushtuar varrezat e dëshmorëve ndërsa djegia e tyre sa vjen e bëhet më shqetësuese për banorët

SHKODËR- Mbeturinat urbane apo inerte që vazhdojnë të depozitohen pranë varrezave të dëshmorëve në Shkodër janë objekt reagimesh të ndryshme nga komuniteti i zonës rreth tyre, shoqëria civile, veteranët e LANÇ-it, familjarë të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore dhe dëshmorëve të tjerë, eshtrat e të cilëve prehen në këto varreza. Përveç kësaj, edhe monumentet që përjetësojnë figura të rëndësishme të historisë së popullit tonë ndodhen në gjendje aspak dinjitoze. Mospasja prej 15 vitesh e një vendi të veçantë për depozitimin e mbeturinave urbane të qytetit të Shkodrës, ka bërë që ato të tejmbushin sheshin pranë varrezave të dëshmorëve, sapo kalon urën e trenit. Duke mos pasur vend ku të hidhen ato digjen duke sjellë një ndotje mjaft të madhe të ambientit përreth.

Era e rëndë, retë e tymit që janë gjithmonë të pranishme aty, gazrat që lëshohen nga djegia e plehrave, kanë shkaktuar reagimin disa herë të banorëve të lagjeve "Mark Lula", "Tre Herojtë" dhe një pjesë e lagjes "10 korriku". Disa herë këta banorë kanë protestuar në bashki, kanë provuar të bllokojnë dhe makinat e pastrimit për të shkuar të hedhin mbeturinat aty, por asgjë nuk ka dhënë rezultat. Ndoc Kola, banor në këtë lagje, shprehet se në çdo fushatë elektorale për pushtetarë vendorë premtohet se plehrat do largohen nga kjo zonë mjaft e populluar, por kjo nuk ndodh dhe ato vazhdojnë të hidhen aty. "Për pak kohë u hodhën në Rrenc, 500 metra më larg se këtu, por vendi u mbush dhe ato vazhdojnë të hidhen e digjen këtu. Thuhet se do caktohet një vend në Bushat për plehrat por se kur nuk dihet , ndërsa ne do vazhdojmë të jetojmë mes mikrobeve",- pohon Kola. Reagim ka dhe nga veteranët e familjarë të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore dhe ato të dëshmorëve të tjerë, që kurrsesi nuk pajtohen me faktin se ka 15 vjet që të rënët për atdhe prehen mes plehrash.

Drejtuesit e shoqatave të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve shprehen se " kjo situatë nuk është e re, pasi ai vend ku vazhdojnë të hidhen mbeturinat urbane të gjithë qytetit të Shkodrës u caktua nga pushteti vendor 15 vjet më parë, dhe kërkesa jonë e vazhdueshme për ta ndryshuar këtë gjendje ka rënë në vesh të shurdhër. I jemi drejtuar drejtuesve të bashkisë sa herë kanë ndryshuar kryetarët dhe në çdo prag 5 maji apo 28-29 nëntori , kemi kërkuar ndërhyrjen e drejtuesve të këshillit të qarkut dhe prefektëve. Na është premtuar se plehrat do të hidhen diku tjetër, në lumin Kir apo Bushat, por në vend që gjendja të përmirësohet, është rënduar më tej. I gjithë interesimi i tyre ka qenë që në prag të këtyre datave të digjen materiali i djegshëm për të ulur volumet dhe për të bërë të mundur hapjen e rrugëz me buldozer",- thuhet në reagimin e firmosur nga drejtuesit e këtyre shoqatave Qemal Lazani dhe Burhan Bushati. Sipas tyre, dhe sikur të vihet në funksionim vendi i ri që thuhet, është e pamundur që sasitë e mëdha të plehrave ekzistues tek varrezat e dëshmorëve të transportohen. Lidhur me këtë veteranët e familjarët e të rënëve kanë kërkuar pranë bashkisë ndalimin e hedhjes së mëtejshme të plehrave dhe mbeturinave të ngurta në këtë vend, rrafshimin e sipërfaqes së ngurtë, hedhjen e dherave dhe mbjelljen e pemëve dekorative, ndriçimin e krijimin e mjediseve çlodhëse. "Gjatë këtyre viteve, pas 90-ës , varrezat e dëshmorëve në Shkodër, ku përveç të rënëve në Luftën e Dytë Botërore prehen dhe eshtrat e figurave të tilla si Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, Migjeni etj. janë prishur e dëmtuar disa herë, duke mos kursyer as varret e tyre. Hera e fundit që ndodhi një gjë e tillë, ishte në prag të 5 majit 2006, ku autori i dhunimit të varrezave u la më pas i lirë me argumentin se ishte i sëmurë mendor",- theksohet nga veteranët.
Back to top
::bud::
Tue Aug 25 2009, 08:08am



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 12:46pm

Posts: 10533
Marre nga lajmet ditore te SHOL.com

Brenda vijës së verdhë digjen mbeturinat e një qyteti

Lagjja periferike e Shkodrës vazhdon të mbetet vendi ku grumbullohen dhe digjen mbeturinat e gjithë qytetit.

Vetëm dy muaj më parë, në këtë vend një fëmijë invalid, i cili mblidhte kanoçe për të ndihmuar familjen e tij të varfër, humbi jetën, pasi u mbulua nga makina e mbeturinave. Shkodra është një nga qytetet e mëdha, ku brenda vijës së verdhë jo vetëm grumbullohen, por edhe digjen mbeturinat e një qyteti të tërë. Nga djegia e mbeturinave çlirohet tym toksik tepër i rrezikshëm, që provokon sëmundje kancerogjene dhe kjo gjendje bën që jo vetëm banorët aty pranë, por i gjithë qyteti i Shkodrës të ndihet i kërcënuar. Sipas banorëve, në kohën ku era fryn nga jugu, në Shkodër nuk mund të mbash dritare hapur, pasi era e rëndë që çlirohet nga djegia është e padurueshme. Akoma më e rënduar duket situata, ku rrëzë këtyre mbeturinave që digjen ndodhen edhe varrezat e dëshmorëve ku prehen Migjeni, Ndre Mjeda, monumenti "5 heronjve të Vigut" e shumë e shumë të tjerë që dhanë jetën për vendin e tyre. Banorët e zonës ndihen tepër të revoltuar, për faktin se në këtë vend, edhe pse humbi jetën një fëmijë, ende vazhdon e njëjta situatë. Një nga banorët e zonës, Lazer Luqi, duke folur për gazetën thotë: "Kemi bërë protesta nga më të ndryshmet; këtu vdiq dhe një fëmijë 14 vjeç, çfarë nuk po ndodh dhe asgjë e askush nuk vepron. Kemi rënë në pikë të hallit, nuk dimë si të veprojmë më. Këtu me plot gojën mund të quhet një krim kundër njerëzimit, pasi janë mbi 300 persona që kanë dalë me sëmundje nga më të ndryshmet, deri me kancer të shkaktuar nga tymi toksik që çlirohet nga mbeturinat".

Por kjo panoramë, që lë shumë për të dëshiruar, po tërheq edhe vëmendjen e të huajve që vijnë për të vizituar Shqipërinë. Pavarësisht reagimeve të banorëve të zonës duket se grumbullimi dhe djegia e mbeturinave do të vazhdojë serish dhe teksa shikon njerëz që ende gërmojnë në mbeturina për të siguruar bukën beson se historia e dhimbshme e Besmir Ujkës, i cili dy muaj më parë vdiq i mbuluar nga mbeturinat, nuk është e fundit.
Back to top
L - N
Wed Sep 23 2009, 11:17am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Natyra ka privilegjuar Shkodrën...



09/09/2009 Një studim i REC ka nxjerrë në pah se kjo zonë ka mundësi pa fund për turizmin

E rrethuar nga lumenj e liqene, bjeshkë e alpe të mrekullueshme dhe diversiteti i bimëve e kafshëve

SHKODER- Rajoni i Shkodrës njihet nga ekspertët, si një nga zonat me vlerat më të pasura natyrore dhe mjedisore, që po të ruhen dhe shfrytëzohen siç duhet do të ndikojnë dukshëm në zhvillimin ekonomiko –social, jo vetëm të kësaj zone, por edhe të zonave përreth saj. Privilegjet

Qendra rajonale e Mjedisit (REC), për Evropën Qendrore dhe Lindore, ka kryer një studim të hollësishëm të kësaj zone, duke nxjerrë si konkluzion se, në sajë të pozicionit gjeografik të përshtatshëm që ka kjo zonë, resurset e shumëllojshme të trashëguara, ndërthuren në mënyrë perfekte, duke shpalosur vlerat e një mjedisi tërheqës që krijon mundësi të mëdha për investime në fushën mjaft fitimprurëse të turizmit. Natyra, e thënë me plot gojën, i ka privilegjuar banorët e zonës së Shkodrës me mjediset e pasura me vlera natyrore plotësisht origjinale, ku më kryesoret janë: Liqeni i Shkodrës, lumi Drin, kaskadat e Drinit (liqenet e Vaut të Dejës dhe Komanit), lumi Buna, plazhi i Velipojës, rezervati i Velipojës. Laguna e Vilunit, zona e Kelmendit, Bjeshkët e Namuna dhe Parku i mrekullueshëm Kombëtar i Thethit.

Më saktësisht, për të dhënë vlerat e detajuara të kësaj zone, drejtuesit e REC, i referohen ekosistemit më të pasur në Ballkan, që përfaqësohet nga liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna, që buron nga ky liqen. Studimet kanë nxjerrë se ekosistemi paraqitet me një biodiversitet të admirueshëm. Kështu liqeni i Shkodrës me një sipërfaqe prej 368 km 2, nga të cilat brenda kufijve shqiptarë ndodhen 156km2, sepse pjesa tjetër ka mbetur brenda kufijve të Malit të Zi, numëron një pasuri të rrallë brenda tij. Studimet e biodiversitetit kanë nxjerrë: 281 lloje shpendësh, 61 lloje peshqish,17 amfibësh,33 reptilësh, 37 gjitarësh, 39 molusqesh dhe 122 lloje bimësh, shifra këto që dëshmojnë për vlerat e padiskutueshme të këtij liqeni. Vlerat mjedisore të kësaj zone shtohen dukshëm, po të kihet parasysh fakti se ka një lidhje të njëpasnjëshme të liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe detit Adriatik, lidhje në të cilën vihen re ligatina të shumta dhe mjedise të mrekullueshme për zhvillimin e turizmit. Por jo vetëm kjo pjesë të ofron pasuri dhe mundësi të zhvillimit të kësaj fushe, sepse më në veri të kësaj zone ndodhen alpet të pasura me një mjedis interesant dhe tërheqës në shumë aspekte.

Alpet dhe bjeshkët Shkodra mes bukurisë dhe shkatërrimit



Alpet madhështore ofrojnë bukuri dhe peizazhe të rralla, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: zona e Kelmendit, Bjeshkët e Namuna, rrafshi i Dukagjinit, ndër të cilat shfaqen luginat e lumenjve alpin siç janë ai i Cemit dhe i Vermoshit, me ujëra të pastra qelibar, me ujëvara të mahnitshme dhe liqene të tipit alpin.



Por kur studiohen vlerat e zonës së Shkodrës, nuk mund të anashkalohet prania e sistemit malor alpin që ndodhet në majat e larta mbi 2000m, ku spikat malësia e Bjeshkëve të Namuna me peizazhet e veçanta që ofrojnë cirqet, luginat akullnajore të Jezercës, Sefercës,Vermoshit dhe Lepushës. Por vlerat natyrore të alpeve nuk mund të kuptohen pa biodiversitetin e rrallë të bimësisë, florës dhe faunës, ku livadhet janë etiketuar si “qilima me lule shumëngjyrëshe”, ndërsa pyjet madhështore si “mushkëritë” e kësaj zone, epitete këto të njëllojta edhe për Parkun e Thethit. Por, përveç vlerave natyrore, specialistët e mjedisit në Shkodër kanë studiuar edhe nivelin e dëmtimeve të këtyre vlerave në zonën e Shkodrës. Kështu studimet kanë nxjerrë që gjatë 15 viteve të fundit ka pasur mjaft dëmtime në pyje, në zonën e Cukalit, Vilëzës, Shoshit, Mnelës dhe veçanërisht në atë të Vermoshit. Dëmtime kanë rezultuar edhe tek biodiversiteti i liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, të cilat janë shkaktuar nga gjuetia pa kriter, peshkimi me mjete shfarosëse dhe në periudha të ndaluara, është dëmtuar vegjetacioni i brigjeve i liqenit dhe lumit, ku janë hedhur mbeturina dhe janë bërë ndërtime. Shqetësuese paraqitet edhe gjendja e sipërfaqeve të gjelbra në hyrje të Shkodrës, pranë lumit Buna, ose më saktë lulishtja e Pazarit, që përfshinte 81700 m2 gjelbërim, por që nuk i ka shpëtuar dëmtimeve të mëdha, si nga sëpata, ashtu dhe nga ndërtimet. Po kështu dëmtime ka pasur edhe në kurorën rrethuese të qytetit në një rreze prej 1 deri në 3 km.

“Shpëtimi” Ende në kohë...

Edhe erozioni mbetet problematik, sidomos në fshatrat Dajç dhe Shirq pranë bregut të lumit Buna, ku zona të tëra janë të papyllëzuara dhe të dëmtuara nga fenomeni erozion. Ekosistemi u dëmtua pas viteve 90-të dhe nga hedhja e mbeturinave në shtratin e lumit Kir që derdhet në lumin Drin e më pas në lumin Bunë. Duke parë të gjitha këto fenomene negative që kanë dëmtuar zonën e pasur natyrore të Shkodrës, specialistët e mjedisit shprehen se instancat përkatëse, duhet të vijojnë punën me strategjitë efikase në mënyrë që të ruhen dhe ripërtërihen të gjitha vlerat e padiskutueshme mjedisore dhe natyrore të zonës së Shkodrës, si dhe të merren masa të menjëhershme për ruajtjen nga dëmtimi i mëtejshëm i këtyre vlerave.

Sipas specialistëve, ruajtja dhe ripërtëritja e këtyre zonave arrihet, duke u marrë të gjitha masat për mbrojtjen e vlerave ekologjike të zonave të dëmtuara nëpërmjet projekteve dhe programeve të veçanta nga institucionet që merren me ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit, duke monitoruar dhe ruajtur terrenet e pasura, duke ndaluar ndërhyrjet abuzive, duke eliminuar faktorët shkatërrues të mjedisit, duke krijuar një harmoni ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe atij ambiental ,duke ruajtur impaktin ambiental dhe ngritur struktura administrative dhe ligjore që do të merren me këto pasuri të mrekullueshme. Marrja e gjithë këtyre masave do të bëjë që të gjitha vlerat mjedisore dhe natyrore të zonës së Shkodrës të futen në rrjedhën e shfrytëzimit nga fusha e turizmit, që do ti japë një zhvillim të shpejtë kësaj zone, e cila tani për tani njihet ende si një zonat më të varfra ekonomikisht, pavarësisht nga vlerat e mëdha mjedisore dhe natyrore që mbart në vetvete.

© 2004 METROPOL GROUP


Frika e pashtershme nga “Uji i Madh”

28/02/2010Fatos Baxhaku

AFER & LARG

Shkodër

Menjëherë pas Bushatit, sapo nis të zotërojë fushën, Drini nuk është më një lumë. Tashmë ai është një liqen gjigant, një hapësirë ujore pa anë e pa cak, që zapton gjithçka që i del përpara. Brenda muajit, Fusha e Nënshkodrës është përmbytur sërish. Tashti njerëzit e kanë kuptuar mirë. Shpëtimi mund të vijë vetëm nga qielli. Një grup të madh prej banorëve vendas i hasim në harkun e Bërdicës, simboli grafik i ngulitur fort i përmbytjeve të fundit. Uji sapo ka kapërcyer rrugën dhe një rrëke e fuqishme derdhet nga Drini drejt fushës. Pas ditëve të tëra me shi të paprerë, më në fund dielli ka nisur të shkëlqejë. Disi me ndrojtje vërtet, por bashkë me të ka nisur të mbërrijë edhe një fije shpresë. Njerëzia duket e dyzuar mes gëzimit nga dielli i porsashfaqur dhe frikës që rrëshqet me vrull nën këmbët e tyre.

Drejt Bërdicës dhe fshatrave të tjerë mund të kalohet vetëm me makina të rënda. Shumë vetë rrinë e presin me shpresën se do të kalojë ndonjë kamion apo zetor. Vetëm një plak i moshuar rrëmben biçikletën e tij dhe nis të zhytet bashkë me të në ujin e turbullt. “Po na mytesh mër axhë”, i thërrasin djemtë e rinj që nga toka e tharë. Por plaku vazhdon udhën i patrazuar as nga thirrjet dhe as nga uji që sa vjen e shtohet. Bahçallëku, lagjja e bërë e famshme për tërmetin e 1979, deri më tani ka shpëtuar, por shqetësimi ndjehet në portretet e njerëzve, në thasët me rërë të vendosura në pragjet e shtëpive, në nxitimin e tregëtarëve të vegjël për të larguar mallrat e tyre. “Ju lutem me m’falë – na thotë pronari i një kafeneje të vogël – i kam hekë tana mallnat. Kam vetëm raki e kafe, kurrgja tjetër. Thonë se do hapen portat e Fierzës edhe nji herë. Na e dimë fort mirë se çka ndodh mbas kësaj. Na duhet me kenë gati”.

Atje ku historinë e merr lumi

Pas Bahçallëkut, Drini duket edhe më hijerëndë me atë rrjedhën e vendosur dhe mospërfillëse. Niveli është rritur frikshëm. Edhe pak centimetra dhe uji me siguri do të zbresë në pjesën e banuar të lagjes. Lokalet në breg, dikur shumë të frekuentuara, tani janë krejt të mbytura. Ne ngjitemi vetëm pak metra më lart, poshtë kështjellës së Rozafës, atje ku rruga merr kthesën drejt lagjeve të vjetra periferike të Shkodrës. Dikur, qindra vjet më parë, këtu ishte zemra e qytetit. Lagjet Tabakë, Qafë, Tepe, Ajazëm ishte të populluara nga njerëz të kamur që jetonin në shtëpi të forta guri dy-trekatëshe. Porse duket se, që asokohe natyra, e kishte vendosur fatin e këtyre lagjeve. Deri në 1846, Drini rridhte diku larg, andej nga Vau i Dejës. Banorët ishin mësuar vetëm me Kirin që derdhej në Bunë dhe jeta në këto anë rridhte sipas një ritmi të qetë e të begatë. Kopshtijet e këtyre anëve ishin me namë në krejt Veriun. Porse në 1846, një tërmet i fortë ia ktheu drejtimin Drinit. Në vend që të shkonte drejt Lezhës përgjatë Zadrimës, tani ai iu kthye këtyre anëve. Pas këtij viti, Kiri përplasej fort me Drinin dhe të dy bashkë shkonin drejt Bunës. Por shumë herë të dy lumenjtë kryeneçë nuk ia hapnin rrugën njëri-tjetrit, Ujërat, përherë e më tepër nisën të përmbytnin tokat e banorëve të Ajasmës. Lagjja nisi të shpopullohej dhe shtëpitë e vjetra nisën të shndërrohen në rrënoja. Një tërmet i fortë, ai i 1905, i dha dorën e fundit braktisjes. Dëshmitë thonë se shkrepat që ranë nga maja e kodrës së Rozafës ishin aq të mëdhenj sa që shkatërruan edhe shtëpi shumë të forta. Lagjja u ripopullua në pjesën më të madhe me banorë të ardhur nga malësia, kryesisht nga Dukagjini. Këtyre u takonte të vazhdonin betejën me “Ujin e Madh”.

Pak pa hyrë në lagjen Ajazëm, matanë një ure të gurtë, shohim Xhaminë e Plumbit, monument i vjetër i Shkodrës, të zhytur në ujë deri në nivelin e dritareve. Edhe kjo, me sa duket, do ta ketë të vështirë t’i shpëtojë as këmbënguljes së vjetër të natyrës. Xhamia u ndërtua nga Mehmet Pashë Plaku i Bushatllinjve në vitin e largët 1773. Thonë se në oborrin e saj është varrosur edhe vetë Mehmet Pasha, që kishte urdhëruar edhe ndërtimin e urës së njohur mbi Kir. Porse aluvionet që kanë sjellë vit mbas viti përmbytjet e kanë mbuluar tashmë varrin e pashait plak. Nën hijen e Rozafës dhe me diellin që shkëlqen mbi kupolat e saj të bardha, xhamia na duket si një anije e madhe e ankoruar në port.

Kërpudha mbi mure

Rruga mbi të cilën po ecim dikur quhej “Lenin”. Shtëpitë e ndërtuara kohët e fundit shtrihen në të djathtë e në të majtë të “Leninit”. Ato që i ngjiten shpatit shkëmbor të kodrës kanë qenë me fat. “Uji i Madh” vetëm rrallë e tek vjen deri te pragjet e tyre. Ato që janë në krahun tjetër e kanë pësuar keq.

Shtëpia e parë gjysmë nën ujë që vizitojmë është ajo e Hidajimit. Oborri është krejt i përmbytur. Brenda një nate, Hidajimi e ka parë veten të rrethuar nga uji. Muret e lagura mbajnë një erë të rëndë myku. Mbi një të krisur të murit kanë mbirë disa kërpudha. Mund të duket si çudi, por ato janë e vetmja gjë e gëzueshme në këtë shtëpi të qullosur. Hidajimi tani jeton i rrethuar nga uji dhe… vetmia. Vetëm disa pula kakarisin të frikësuara majë një ledhi të gurtë. “Brenda natës na ka ardhur uji këtu ku shifni – bën me dorë nga një vijë e gjelbër në mur - gjanë e gjallë e gjanë të tjera i kam hekë me kohë, sepse u bë njoftimi që do të hapen portat e Fierzës. Unë vetë kam punuar edhe në Koman dhe diçka kam arritë me msu për hidroçentralet. Për mendimin tim, gjithshka ka ndodhur sepse në ato punë drejtojnë njerëz që nuk ia kanë idenë këtij zanati. Sikur të ishte punuar me kujdes, të gjitha do të ishin shmangur. Shira kanë rënë edhe në vite të tjera, por tani në vend të njerëzve, që ia dinë punëve, janë vënë militantë. Ja përse përmbytet Shkodra. Pastaj kjo puna e ndihmave. Ndoshta nuk është mirë me folë, sepse ndihma është ndihmë e duhen falenderuar të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira, porse kanë ndodhë edhe ‘çudira’. Ka pasur raste kur kanë ardhur e kanë marrë ndihma edhe njerëz nga qyteti që nuk kanë pasur fare asnjë dëm nga përmbytja”.

A thu po ma merr uji kukllën?

Në shtëpinë e Prenda Çetës na duhet të hyjmë nga dritarja. Hyrja kryesore dhe shkallët tashmë janë të mbuluara nga uji. Prenda është invalide. Vite më parë, ndërsa punonte një në punishte zooteknike, një konvejer i mori krahun e djathtë. Një vit më parë, ka humbur të shoqin 54 vjeç, njeri i njohur i këtyre anëve. Shtëpia e Prendës është krejt përmbys. Përjeton një ndjesi të veçantë kur sillesh rrotull një shtëpie me këmbë përpjetë. Divane të rrokullisur, frigoriferi në hava, karrige të hedhura mbi dëngje rrobesh, batanije që shfaqin cepin e tyre në mes të mobiljeve… gjithçka të kujton një uragan që porsa ka kaluar. Në korridor na bën përshtypje një stivë me koshere bletësh. Prenda psherëtin fort: “Eh, im shoq ishte me namë si bletërritës në këto anë. Këtë zanat e vazhdon edhe im bir. Por burri më la para afër një vit krejt papritur. Shtëpinë e rregullova me parket e me suvatime e me të tëra që njëvjetorin e vdekjes së tij ta bëja ashtu sikur ai e meritonte. Tani po e shihni edhe vetë se ku shkuan të gjitha ato harxhime. Kosheret i kemi futur brenda, por dëmi është i pakthyeshëm. Askush nuk mund të na i verë në vend ato që kemi hequr”. Prenda pushon një copë herë me sytë e ngulur fort në ekranin e televizorit. Diçka po thuhet për situatën e motit. Prenda rri me frikë në zemër se mos hapen edhe një herë portat. “Atëherë na morri dreqi të tanve”, shton ndërsa na ofron një kafe në mes të grumbullit të mobiljeve këmbëpërpjetë. Edhe Prenda ka dyshimet e veta për ndihmat: “Mirë do të ishte që ndihmat t’i ndanin vetë shoqatat apo të tjerët, duke i vlerësuar secilit dëmin derë më derë dhe jo ato të grumbullohen një herë në Shkodër, ku ka mundësi me ba me to ç’ka të duan”.

Në shtëpinë e Prendës njihemi me Pëllumb Fushëarrëzin. Shtëpinë e tij, fare afër asaj të Prendës, vetëm mund ta shohim nga dritarja. Disa fëmijë po luajnë mbi çati. “Në shtëpinë tonë jena tri vllazën – thotë Pëllumbi – kena gjithsej 12 fëmijë. Ma i vogli asht i jemi, 10 muajsh. Kur ka ardhur uji kam thanë ma mirë po e çoj në mal te vjehrri se sa me e lanë në mes të ujit. Kam ecë vetë bashkë me time shoqe me orë të tana në borë e në akull deri sa kena mbërritë atje. Fëmijët tanë kanë me i vujtë shumë pasojat e këtyre ditëve. A po i shef ata në majë të pullazit?”.

Në një dhomë na tërheq një skenë kurioze. Dy kukulla dhe një mori arushësh prej pellushi janë ngjitur në katin më të sipërm të dollapit tashmë gjysmë të kalbur të rrobave. Janë lodrat e dy mbesave të Prendës. “A e dini se si më pyeti një natë njëra prej tyre – rrëfen Prenda – a thu moj nanë po vjen Uji i Madh dhe po ma merr kukllën? I thashë se sa të jetë nana kurrkush nuk ka me mujtë me ia marrë kukllën. E ç’ka mund t’i thosha tjetër fëmijës së shkretë?”.

Lahuta e lagur e Mëhill Arushës

Bashkë me Pëllumbin shkojmë në rrugicën ngjitur. Kemi nisur t’i afrohemi gjithnjë e më shumë lumit dhe tani e kemi vërtet pisk. Pëllumbi zbath menjëherë çizmet e tij. Kemi rastin të kuptojmë se sa e vlefshme është nganjëherë kur e ke numrin e këmbës të njejtë me atë të ndonjë miku.

Kështu, duke u luhatur mbi rrugën e mbuluar nga uji, mbërrijmë në shtëpinë e Mëhill Kolë Arushës, ish-druvar nga Dukagjini, i vendosur në këto anë të lagëta që prej shumë vitesh. Kati i parë i shtëpisë së Mëhillit tashmë është zhdukur nën ujë. Lart mbretëron një rrëmujë e vërtetë. Duket sheshit se Mëhilli nuk është nga ata që e kanë për zemër të ankohen. Në fillim thotë se ka që e kanë pësuar edhe më keq, porse ngaqë brenda pak minutave miqësohemi me dukagjinasin e motshëm , apo mbase nga që dielli ka nisur të ngrohë edhe shtëpinë e përmbytur të Arushajve, atëherë nis të flasë ngadalë: “Kjo që na ka ndodhur sivjet nuk ishte parë ndonjëherë, që nga koha që unë kam ardhur këtu me shtëpi. Uji ka ardhur, por jo kështu. E para ka mbërritur deri te shkallët e poshtme dhe, e dyta, nuk ka ndejtur kurrë kaq gjatë. E shumta dy-tri ditë. Në këtë shtëpi jetoj unë me plakën dhe djali me nusen e me katër fëmijë. Ata i kam çuar te kunetërit. Katër lopë që pata i kam te një mik, por nuk e di se si do t’ia bëj sepse ushqimi i tyre u kalb fare. Kisha një parcelë diku te 800 metra katrore me lakër foragjere. Ajo u mbyt krejt. Po ashtu na janë prishur pompat e ujit e sende të tjera. Tashti presim me sytë nga qielli që të pushojë shiu. Ju ndoshta nuk do ta besoni, po kjo shtëpi ka marrë aq lagështi sa që natën tavani pikon aq shumë sa na duket vetja sikur po flemë në shi. Deri andej nga fundi i gushtit, këto shtëpi nuk thahen. Nuk e dimë se si do t’ia bëjmë deri atëherë. Po fati ynë kështu paska qenë. Mua nuk më janë ndarë prapsitë që kur isha i ri. Që 26 vjeç jam aksidentuar në punë. Gjithë jetën kam qenë me ilaçe. Plaka është pa pension. Unë marr vetëm ndihmë sociale. Paska qenë e shkruar. Vetëm Zoti e di pse…”.

Brenda shtëpisë së Mëhillit vërtet ‘bie shi’. Disa pika të rënda bien pa pushim mbi një deng rrobash që më kot pret të thahet. Krejt në majë të grumbullit të mbledhur me nxitim na zenë sytë një lahutë. “Këtë duhet ta shpëtoja të parën – na thotë Mëhilli, kjo është shumë e rëndësishme për ne, por ç’e do nuk arrita në kohë”. Për të nderuar miqtë Mëhilli madje provon t’i bjerë veglës së lagur. Por nga barku i saj dalin vetëm disa tinguj të mbytur e të palidhur, njësoj sikur të ishin grahmat e fundit të veglës së kamotshme.

Hyjmë sërish në ujë për të dalë në sheshin e thatë në anë të xhamisë. Një plak i imët po e kalon rrugën e përmbytur bashkë me ne. Është Xhavit Kracemi, një fqinj i Mëhillit. Trupi i shkurtër i plakut e bën ujin të duket edhe më i thellë. “Axha” Xhavit po shkon të shohë disa pajisje që rrezikuan të prisheshin fare. Bashkë me djalin ai ka një punishte pijesh freskuese. “Kur ka ardhur uji u lag e gjithë punishtja. Paisjet u lagën e u bënë të papërdorëshme. I kemi çuar në Shkodër për t’i tharë në furra. Po shkoj të shoh një herë se ç’bëhet. Nuk kam ndonjë shpresë të madhe, po hajde ma, Zoti e din…”. Gjithkund në këto anë e dika vetëm Zoti, ndërsa njerëzit presin me sytë e drejtuar nga qielli. Me siguri, pas ujit, të dytat si gjërat më të urryera, dihet të vijnë retë.

Edhe Xheku nuk ka më shtëpi

Në fillim ai na shikon me inat, shtrëngon fort dhëmbët dhe hidhet sa majtas-djathtas, me veshët ngrehur. Pastaj nis të lehë fort. Është ngacmuar nga era e të porsaardhurve. Ky është Xheku, qeni besnik i Hidajimit. Si qetësohet ca nga urdhërat e prera të të zotit, Xheku nis të bëjë disa lëvizje që neve na duken si të pakontrolluara. Shkon deri te buza e ujit dhe leh thuajse pa pushim. Ne nuk e kuptojmë se kujt. Mos vallë po vjen ndonjë varkë në oborr? Hidajimi vë buzën në gaz me trishtim: “Leh se nuk e ka më koliben e vet. Ajo tashti është në fund të ujit. Edhe ky i shkreti ka mbetur pa shtëpi. Ne natën e marrim brenda që të mos ketë ftohtë. Por, që kur ka ardhur uji, nuk ka qenë asnjë minutë i qetë. Merreni me mend ka nisur t’i lehë edhe vetë ujit”.

Në oborrin e Prendës kemi parë një “koleg” të Xhekut. Ky është Baloi. Ky ndryshe nga fqinji i tij e ka një copë shtëpi. Kolibes së Baloit i ka mbetur ende pullazi mbi ujë dhe qeni nuk largohet që nuk largohet nga ai cep kompensate që mbahet ende mbi ujë. “Më ka gjetë belaja – thotë Prenda – unë e marr brenda që të ushqehet e të ngrohet, ai prapë se prapë shkon atje në mes të lagështirës”.
Mëhill Arusha çuditet kur ne e pyesim për një mace të vogël që na sillet nëpër këmbë teksa flasim për atë lahutën e lagur. “Po kjo ka mbetur këtu ashtu vetë. E ku të shkojë, mica nuk di not”. “Mica” është macja në dialektin shkodran. Për Mëhillin edhe ajo është “Gjynah prej Zotit”, por ndryshe nga lopët ajo nuk bën qumësht, andaj askujt dhe asnjëherë nuk i ka shkuar ndër mend që ta nxjerrë në tokë të thatë.

Dielli ka nisur të ngrohë vërtet në mënyrë të çuditëshme lagjen e përmbytur. Por kjo në vend që t’i gëzojë, i shqetëson edhe më banorët e shtëpive të përmbytura. Dielli i pazakontë do të thotë sërish shira dhe sërish shkrirje të dëborës lart në male. Kiri dhe Drini edhe një herë do të përleshen mes tyre kush e kush t’ia zerë udhën tjetrit dhe kështu, dallga e “Ujit të Madh” ka gjasë të rikthehet edhe një herë e heshtur, e pamposhtur, vrastare. Lagjja e vjetër me sytë nga qielli edhe një herë do ta humbasë betejën me të. Një histori tashmë e stërpërsëritur

©2009 Gzeta SHQIP. All rights reserved
trokit ketu


[ Edited Sun Jun 06 2010, 09:37am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Sep 23 2009, 06:08pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Liqeni i Shkodrës, gropë me plehra



Gazeta Shqiptare -Brikena Shllaku - SHKODËR Liqeni i Shkodrës është kthyer në një gropë të stërmadhe ku hidhen mbeturina". Kështu ka pohuar dje Prof. Dr. Mahir Hoti, presidenti i Forumit Ndër-kufitar të Liqenit të Shkodrës (ish-rektor i Universitetit "Luigj Gurakuqi").

Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Hoti është i pari autoritet që flet hapur mbi situatën e krijuar. Ai jep alarmin dhe kërkon që tashmë masat të jenë konkrete, dhe jo thjesht projekte sensibilizuese. Prof. Dr. Mahir Hoti paralajmëron se bilanci i dëmeve nga faktorët ndotës do jetë i madh në të ardhmen, nëse nuk ndërhyhet shpejt në zgjidhjen e situatës kritike që është krijuar. Sipas tij, gjuetia e peshkut jashtë kritereve për të siguruar fitime të momentit, ka çuar në uljen e sasisë së peshkut dhe rrallimin e peshkut cilësor.

Cilët janë faktorët që ndotin Liqenin e Shkodrës?
Faktori kryesor i ndotjes së liqenit është kombinati i aluminit në afërsi të kryeqytetit të Malit te Zi, Podgoricë. Ky problem është diskutuar shumë herë, por që fatkeqësisht akoma nuk ka gjetur zgjidhje. Derdhjet që bëhen direkt në liqen krijojnë ndotje të mëdha kimike. Por, nuk është ky i vetmi faktor. Më shqetëson fakti që Liqeni i Shkodrës është kthyer në një gropë të madhe të hedhjes së mbeturinave dhe inerteve, që bregu po i nënshtrohet çdo ditë e më shumë ndërtimeve pa kriter dhe pa plan, po ashtu kam shumë dyshime se edhe ujërat e zeza derdhen pikërisht në këtë liqen.

Është folur shumë për projektin e Bankës Botërore që do bënte të mundur pastrimin total të liqenit. A mund të flitet konkretisht për të?

Ky projekt u prit me shumë bujë. E kemi pritur me shumë dëshirë projektin e Bankës Botërore, i cili realisht ka 2 vite që përflitet, por që akoma nuk ka gjetur zbatim.

Flitet se është miratuar fondi prej rreth 4 milionë dollarësh, priten ndërhyrje të dimensioneve të mëdha. Me projektin e Bankës Botërore pritej të kishte operacione konkrete dhe të efektshme për pastrimin dhe rregullimin e situatës në këtë ekosistem të jashtëzakonshëm dhe me vlera të gjithanshme, por mbetemi gjithmonë në pritje të kësaj ndërhyrjeje.


Në Shkodër ka shumë organizata apo OJF që punën e tyre e kanë lidhur me Liqenin. Sa efiçente kanë qenë ato?

Projektet e OJF-ve apo shoqatave të ndryshme nuk kanë pasur efektin e pritshëm, pasi projektet janë përqendruar më tepër në sensibilizimin e popullatës sesa në masa konkrete. Madje, në shumë raste nuk është ngritur zëri aq sa nevojitej.

Liqeni i Shkodrës konsiderohet si pikë turistike. A e ka këtë funksion realisht dhe a ndikon në zhvillimin e turizmit?
Turizmi ka pësuar rënie. Kjo rënie do vazhdojë nëse nuk reagohet menjëherë ndaj ndotjes që ka pushtuar këtë liqen. Turizmi është shumë i ndjeshëm. Nëse ka papastërti, plehra e ndërtime jashtë standardeve, turisti largohet, pasi ky i fundit kërkon ambientin e pastër dhe të shëndetshëm. Nuk është fluksi i pritshëm, por ndërkohë nuk mund të them se ka mbaruar gjithçka për Liqenin e Shkodrës. Është e domosdoshme të bëhet më shumë përpjekje për pastrimin e tij sa nuk është vonë, pasi humbjet do jenë shumë të mëdha në një bilanc që mund të bëhet në të ardhmen.

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


[ Edited Thu Jun 03 2010, 09:50am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
::bud::
Sat Oct 31 2009, 10:12am



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 12:46pm

Posts: 10533
shifet vete.


Back to top
L - N
Wed Jan 13 2010, 09:22am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
"Projekte per shtratin e lumenjve" Mediu me ambientalistet:

E Merkure, 13 Janar 2010


Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka deklaruar se impaktet qe kane sjelle permbytjet ne Veri te vendit, do te mund te konstatohen vetem ne fazen e post emergjences.

Ne nje mbledhje me ambientalistet, Mediu u shpreh se eshte e nevojshme qe te hartohen dhe projekte te reja, per sa i perket shtratit te lumenjve, apo inerteve, te cilat nder vite kane qene problematike.

"Nje pjese e tyre ndodhin per shkak veprimtarish dhe nderhyrjesh jo normale dhe ne shtratin e lumenjve, edhe inerte te ndryshme qe grumbullohen dhe duhet pasur nje menyre se si duhet trajtuar.

Por besoj se nese ne do te ndertojme nje kuader gjykimi me te gjere, nje analize me te gjere. Si ministri Mjedisi mund te japim kontributin, inputet tona ne projektet per te ardhmen.

Duket qartesisht qe ka nevoje per nderhyrje po dhe investime qe ne terma afatgjate do te garantonin qendrueshmeri shume me te madhe", tha Fatmir Mediu, minister i Mjedisit.

Nga ana tjeter edhe ambientalistet, kane kerkuar nga strukturat e qeverise, qe mos te percjellin vetem mesazhet e shpetimit te qenieve njerezore, nga zonat e permbytura, por te mendojne edhe per impaktet negative qe kane sjelle permbytjet ne mjedis.

© 1991 - 2009 Koha Jone
trokit ketu





[ Edited Wed Jan 13 2010, 09:22am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
belgium
Tue Mar 16 2010, 12:31pm

Registered Member #1142
Joined: Fri Aug 24 2007, 10:19am

Posts: 12123
PO dal pak prej temes thjesht tham se ndertimi i shatervanit n eqender te shkoders para radio shkodra , sikur po zbeh pamjen reale te shkoders..arsyja asht se kjo veper mendoj se duhej te ishte ne zonen industriale ejo ne qender te shkoders..cfare lidhje kan ato tuba ne mes te shkoders?/ ne elbasan po sespe aty ka dicka ...
Back to top
Al Bundy
Tue Mar 16 2010, 07:56pm
Al Bundy


Registered Member #1833
Joined: Tue Apr 22 2008, 10:08pm

Posts: 25133
Kan rru pare nja 3-4 vete per ate skifece dhe njaq.



Back to top
L - N
Thu Jun 03 2010, 09:37am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Shkodra, qytet i ndotur nga plehrat




01/06/2010 Bashkia apel qytetarëve

SHKODER- Higjiena e qytetit të Shkodrës është përmirësuar dukshëm, por megjithatë lagjet periferike të saj nuk kanë të njëjtën pastërti me ato të qendrës. Ndërkohë edhe mbajtja pastër e qendrës së qytetit po has vështirësi për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të një pjese të qytetarëve. Në lidhje me mospastrimin njësoj të të gjitha lagjeve të qytetit të Shkodrës, drejtuesit e zyrës së shërbimeve pranë Bashkisë sqarojnë se kjo vjen pasi firma pastruese ka një grafik të paracaktuar që në fillim të kontratës për pastrimin e kontenierëve dhe largimin e mbeturinave. Sipas zyrës së shërbimeve pranë Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me firmën kontraktuese për pastrimin e qytetit është bërë një grafik që parashikon heqjen e mbeturinave të kazanëve të plehrave. Në bazë të këtij grafiku, në rrugët kryesore pastrimi nga mbeturinat kryhet një herë ose dy herë në ditë, ndërkohë që përdoret një tjetër grafik për rrugët e tjera dytësore. “Grafiku i marrjes e largimit të mbeturinave ndryshon nga qendra në periferi.



Në qendër ka zona që pastrohet një herë në ditë, po ka edhe rrugë kryesore që pastrohen dy herë në ditë, sipas zonës dhe domosdoshmërisë. Ndërkohë ka zona më periferike që pastrohen njëherë në dy ditë”, shprehen drejtuesit e zyrës së shërbimeve pranë Bashkisë së Shkodrës. Pavarësisht këtij grafiku, drejtuesit e kësaj zyre vlerësojnë se puna për mbajtjen pastër të qytetit dhe pastrimi i kontenierëve ka ndryshuar rrënjësisht këto vitet e fundit. Nga ana tjetër ata shprehin shqetësim kundrejt veprimeve të vetë qytetarëve, të cilët po ndotin në mënyrë të papërgjegjshme qytetin. Drejtuesit e zyrës së shërbimeve publike të Bashkisë Shkodër i bëjnë apel komunitetit për ndërgjegjësim, pasi shumë herë janë gjetur mbeturina të hedhura përtokë, të hedhura jashtë kontenierëve, ndërkohë që vetë kazanët ka pasur raste dhe që janë vjedhur për t’u shitur për skrap


© 2004 METROPOL GROUP
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sun Jun 06 2010, 09:28am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Nis zbatimi i projektit për menaxhimin e integruar të ekosistemit të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna




Shkodër, qeveria po zbaton disa projekte për mbrojtjen e mjedisit


Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është duke zbatuar disa projekte për mbrojtjen e mjedisit, deklaroi dje në Shkodër, ministri Fatmir Mediu.

"Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave po zbaton disa projekte për ruajtjen dhe përmirësimin e biodiversitetit, hartimin e planeve të menaxhimit të zonave të mbrojtura si dhe projekte pilot për menaxhimin e integruar të ekosistemeve me vlera të larta të biodiversitetit", tha ministri Mediu në konferencën ndërkombëtare "Prezantimi i parimeve të Ramsar drejt menaxhimit të integruar të burimeve natyrore të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna", në Ditën Botërore të Mjedisit.



Ministri Mediu veçoi projektin që po zbatohet në Shkodër për menaxhimin e integruar të ekosistemit të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna, që gëzojnë status të veçantë, pasi janë përfshirë në listën kombëtare të zonave të mbrojtura dhe në listën ndërkombëtare të konventës së Ramsarit.

Me marrjen e këtij statusi, në këto zona po punohet në disa drejtime, me qëllim, mbrojtjen e ekosistemit, reduktimin e ndotjes nga presioni human mbi ujërat dhe habitatet. Duke marrë në konsideratë nevojën për zhvillim dhe adresim të problemeve sociale, sipas Mediut, po punohet për nxitjen e turizmit dhe aktiviteteve të tjera, me parimin për sa më shumë miqësi me mjedisin. Ministri Mediu bëri të ditur se, Konventa e Ransarit ka listuar nga Shqipëria tre zona me rëndësi ndërkombëtare, Shkodra, Karavastaja e Butrinti.



Por ai shtoi se, në planet e MMPAU parashikohen të vlerësohen e përfshihen në listën ndërkombëtare të Ramstarit edhe zona të tjera në vend. "Tashmë, me një kuadër të plotë ligjor në fushën e natyrës, Shqipëria është duke punuar për zbatimin e tij në praktikë, që ekosistemet ligatinore të mbrohen e mirëmenaxhohen edhe sipas principeve të Konventës së Ramstarit", tha ministri Mediu.

Ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit i Malit të Zi, Branimir Gvozdenoviç, vlerësoi punimet e konferencës si "shumë të rëndësishme për të dyja palët". Ministri malazez shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e mirë për të bashkëpunuar sa më mirë për realizimin dhe zbatimin me sukses të projekteve të hartuara, duke ndikuar për një mjedis sa më të pastër dhe bashkëkohor në shërbim të komunitetit.


© Copyright 2005 Rilindja Demokratike
trokit ketu


S'po du me i qit bishta por ka tash 6 vjet qi flitet per permirsimin e mrojtjen e ekosistemit te liqenit t'shkodres e Buns.
Gjithsesi faktet flasin krejt ndrysh, anash liqenit asht bmushe me meturina, ujnat e zeza vazhdojn mu derdh ne liqen e ne Bune, kshtu qi per mu iky artikull "qi sa e pruna vete" asht si artikujt e dikurshem te gazets "Zani i Popullit" qi vetem lustron e lustron e qerron me fjale te bukra kur veprat flet te kunderten.

ABSYLYTISHT NUK ASHT BA KURRGJA PER MROJTJEN E EKOSISTEMIT T'LIQENIT T'SHKODRES DHE TE LUMIT BUNA, SEPSE UJNAT E ZEZA T'SHKODRES VAZHDOJN MU SHKAKRKU NE TE DHE NDERTIMET PALEJE VETEM VAZHDOJN ME SHEMTU E ME NDY EKOSISTEMIN SI TE LIQENIT NJASHTU EDHE TE LUMIT BUNA.
SHKURT FJALE TE KOTA SE VEPRAT PER DERI TASH VETEM KANE SHKATRRU E JANE TUJ SHKATRRU EKOSISTEMIN E LIQENIT DHE TE BUNS, N'QOFT SE NUK ASHT VONE.

NEJSE M'FALNI SE NDOSHTA JAM TUJ KERKU SHUM, KUR DIHET SE N'CFAR GJENJET ASHT SHKODRA DHE SI RREZULTAT EDHE KUJDESI PER AMBJENTIN E N'VECANTI PER LIQENIN E BUNEN.


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Jun 08 2010, 06:58am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Shkodër, apel për shpalljen e liqenit një Park Kombëtar




Vendosur: 06/06/2010 SHKODER/ RITVAN DIBRA



"Liqeni i Shkodrës të marrë statusin Park Kombëtar, ashtu siç pala malazeze e ka shpallur pjesën e saj që prej 27 vitesh". Në ditën Botërore të Mjedisit nga Shkodra është bërë apel për ndërmarrjen e këtij vendimi. Vetë Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, pjesëmarrës në konferencën e djeshme me në qendër liqenin, kërkoi nga politika të lënë mosmarrëveshjet për t'u marrë me çështje që e kalojnë karakterin lokal apo atë të një institucioni të vetëm. E organizuar nga Agjencia Rajonale e Mjedisit REC, në këtë konferencë janë diskutuar tema mbi liqenin e Shkodrës, ekosistemin që ai përfshin në këtë zonë, me resurset e tij të mëdha natyrore, por dhe dëshirën e madhe të lektorëve shqiptarë që edhe pjesa e jonë e liqenit të Shkodrës të shpallet Park Kombëtar. Rektori i Universitetit të Shkodrës, Artan Haxhi, në fjalën e tij përshëndetëse ka uruar që liqeni i Shkodrës së shpejti të marrë statusin e Parkut Kombëtar, status ky të cilin pjesa malazeze e liqenit e ka fituar në vitin 1983. Ndërkohë që në mbështetje të kësaj ideje ka qenë edhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. "Mes dy palëve respektive, shqiptare dhe malazeze duhet të ketë një bashkëpunim, por njëkohësisht për çështje të tilla edhe politika duhet të bashkohet e t'i lerë mënjanë ndarjet", ka pohuar Mediu. Sipas tij, çështjet mjedisore nuk janë vetëm çështje të politikës lokale apo vetëm të një ministrie, por ato janë më shumë se kaq. "Duhet punë e madhe nga politikanët tanë për një çështje të tillë që ka të bëjë me mjedisin, me qëllim që të marrë një mbështetje unanime në Parlament nga të gjitha forcat politike, duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet apo diferencat. Këtë veprim politikanët e Malit të Zi e kanë bërë kohë më parë", ka pohuar ministri Mediu. Por në konferencë është pohuar se shpallja e liqenit Park Kombëtar nuk mund të arrihet pa mbështetjen dhe harmonizimin e të gjithë aktorëve që jetojnë në këtë territor, duke filluar nga qytetarët e Shkodrës, nga shoqatat mjedisore, si dhe nga drejtuesit vendorë, duke pasur një mendim të unifikuar dhe të specializuar për këtë temë. Por pa harruar koordinimin e mirë të projekteve edhe me vendin fqinj, të Malit të Zi. Ministri malazez i Mjedisit, Branimir Gvozdenoviç, pohoi se krahas institucioneve shtetërore apo shoqatave të ndryshme mjedisore një rëndësi të veçantë kanë edhe qytetet në të dy anët e kufirit për mbrojtjen e këtij ekosistemi të rëndësishëm.

MARRE PREJ trokit ketu
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
Ultra-Shkodrane
Sat Jun 26 2010, 01:53pm
Registered Member #3169
Joined: Sat Jul 18 2009, 05:40pm

Posts: 106
mas me rrejt hic per faqe te zez kan perfundu meturinat e shkodres dhe amjenti shkodrane, flitet shum qysh se erdhne kta demkrat, por kurrgja s'bahet, kado qi te sjellesh neper shkoder i ke e ta prishin edhe gjakun, sjan e s'djegen vec te varrezat, pa mdyshje munesh me thane se sot per sot shkodra s'ka asnji lloj ambjentit e s'ka kurrnji mekanizem me mrojt ambjentin pervec rrenave e premtimeve kot, se kurrgja s'bahet.
Back to top
Gurabi
Sat Jun 26 2010, 02:14pm

Registered Member #1920
Joined: Thu May 29 2008, 09:10pm

Posts: 6466
NAQE JU JENI QE KENI ZANIN PERDORENI ZANIN EDHE VOTEN MAS JU A JEPNI MA PA I BA KTO QE PREMTOJNE E MRAPA

Give the girl the right shoes and she can conquer the world .!!!!!! .......
Back to top
Ultra-Shkodrane
Sat Jun 26 2010, 02:38pm
Registered Member #3169
Joined: Sat Jul 18 2009, 05:40pm

Posts: 106
pa maj gurabi ne teori ashtu si thu ti asht, por ne praktike ktej ka na nuk te ndigjan kush, ndac bertit ndac cjerru se nuk ja ndin kuj se ca je tu thane, kta bashkiakt lene qi jane t'pazot e t'pa kualifikum e lodhesh kot se nuk kuptojn, masandej s'ke as ku mu anku se bahet rradha 100 000 vwetshe se tan shkodra ka problem me meturinat e ujnat e zeza, por edhe kta bashkiakt tone jane te zanun me u mundu me rahatu vedin, familjen e farefisin, a keni harru a? qysh se keni ik prej ktu se ca bahet ktej a. edhe qeveria vetum rren maj gurabi sa here kan nevoje per vota vin e rrejn e na shkepin a masandej s'nin ma prej tyne, kta politi-idjotat shkodran i kena kot se kta bertasin tan diten vetem per vedi ne tiran e per tiranen e shepin e tyne atje, e sju bjen nermend per shkoder, kuj masandej me ju anku e ku mu anku, mduket ju emigrantat keni ik pa keni harru se ca bahet ktej, mandej ma shum keni ne dore ju se na ktej se ne s'na pyt kush, kurse ju qi keni ba ndoj lek mundeni me ndryshu dicka edhe me kerku me nryshu dicka
Back to top
Gurabi
Sat Jun 26 2010, 02:42pm

Registered Member #1920
Joined: Thu May 29 2008, 09:10pm

Posts: 6466
ja maj naq une per vedi nuk kam harru ..edi shume mire se politika ka ata gja harrohen premtimet masi marrin vendin .....po voten naqe kush jua a jep tane shkodra

Give the girl the right shoes and she can conquer the world .!!!!!! .......
Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3436 sec, 0.0926 of that for queries. DB queries: 53. Memory Usage: 3,026kB