Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Shkodranët nëpër Botë dhe ne Trojet Shqiptare :: Trojet Shqipetare Kosove-Maqedoni-Mal të Zi Çamëri |
|
<< Previous thread | Next thread >> |
Cameria. Rreth trojeve Shqiptare jugore ( " Greqia Veriore ???" ) |
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
|
Author | Post | ||
L - N |
| ||
![]() Registered Member #1228 Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00amPosts: 10623 | Alvanitët e Pargës Enver Robelli | 21/08/2009 "Shih, këta flasin shkip": Në Pargë të Greqisë, mjafton të flasësh shqip dhe të gjitha dyert i ke të hapura. Këtu dielli i zemrës nuk perëndon kurrë Pika kufitare e Qafë-Botës ende nuk e meriton një emër të tillë. Disa kontejnerë dhe kioska të vendosur në fushë, tregojnë se këtu është kufiri i Shqipërisë me Greqinë. Qeveria e Tiranës ka ndarë 1.4 milionë euro për ndërtimin e godinës së doganës. Punimet tashmë kanë filluar dhe pritet që ato të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm. Në pjesën greke, pika kufitare quhet Sagiada (ose në shqip: Sajadha). Godina e doganës dhe e policisë kufitare është moderne dhe e ndërtuar së fundi. Edhe rruga duket e re dhe të shpie në drejtim të Igumenicës (ose Gumenicës, siç është emri shqip i këtij qyteti tani grek). Gumenica është porta e Greqisë veriore dhe veriperëndimore ndaj botës. Në portin e këtij qyteti, për çdo ditë hedhin çengelin anije nga Ankona, Brindizi, Bari dhe Venecia. Gjatë verës këtu zbarkojnë disa milionë turistë nga Evropa Perëndimore, të cilët vazhdojnë rrugëtimin drejt rivierës greke. Jo pak nga këta turistë ndalen në Parga (Pargë), rreth 50 kilometra larg Gumenicës. Qyteza e Pargës numëron jo më shumë se 2 500 banorë dhe gjendet në një gji idilik të Detit Jon, buzë maleve të Epirit. Nga çdo ciceron turistik përshkruhet si njëri ndër vendet më të bukura të Greqisë. Sidomos në muajin gusht, në Pargë pushojnë mijëra turistë nga Italia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga vendet e Ballkanit. Aty-këtu shihen autobusë me targa të Beogradit dhe qyteteve të tjera serbe, ndërsa maqedonasit kryesisht preferojnë të vijnë me veturë në Pargë. Për dallim nga Saranda, në Pargë pothuaj asnjë ndërtesë nuk është më e lartë se tre kate. Fasadat e shtëpive janë të lyera me ngjyra të ndezura dhe i japin qytetit një hijeshi të veçantë. Në portin e vogël të Pargës, i cili shërben vetëm për anije turistësh, gjenden me dhjetëra taverna. Para tyre kamerierët i joshin turistët me menynë e begatshme. Kur nuk ka vend në tavernë, ata shpejt u ofrojnë turistëve nga një gotë uzo. Kërkohet pak durim. Derisa turistët zbrazin gotat, kamerierët gjejnë vendin për t'u ulur. Këtu, kafesë turke i thonë kafe greke. Përndryshe, pothuaj gjithçka që ofrohet është nga kuzhina ballkanike, veçse më mirë e përgatitur. Djathë feta, ullinj, musaka, mish qengji me patate, pite. Dhe mbi të gjitha, peshk dhe gjallesa të tjera deti. Vend i ullinjve Kamerierët e Pargës janë poliglotë. Njerëzit këtu jetojnë nga turizmi, prandaj mësimi i gjuhëve të huaja është domosdoshmëri. Gjuhën shqipe, ndërkaq, banorët e Pargës nuk kanë pse ta mësojnë. Atë e dinë të gjithë. "Shih, këta flasin shkip", - thotë një kameriere, e cila duket se përnjëherë shënon porositë e të gjithë mysafirëve të lokalit. Pastaj afrohet pronari, një burrë rreth moshës 60-vjeçare. Pas tij vjen një vajzë e re, është nga Fieri. Punon këtu gjatë sezonit turistik. Bashkë me të atin, i cili fiton bukën si punëtor në plazhin Lichnos. Shumica e banorëve të Pargës janë arvanitë, domethënë vendas, autoktonë, shqiptarë, "alvanitë", siç thonë. Kanë qëndruar këtu përkundër stuhive të historisë. Për fat të keq, shumica janë asimiluar, deklarohen si grekë, por shqip flasin ende, sidomos gjenerata e mesme dhe e moshuar. "Edhe ne dhe ju - të gjithë jemi njerëz të mirë",- thotë Konstantini, i cili me entuziazëm e gjeti një apartament për ditët më të bukura të vitit. Qyteti i Pargës ka tri plazhe të mrekullueshme. Lichnos, Valtos dhe plazhin pranë portit. Turistët që flenë shumë e kanë vështirë që pas orës 11:00 të gjejnë vend buzë detit. Parga është vend i ullinjve. Të gjitha kodrinat janë të mbuluara nga druri i ullirit. Mesatarisht, prej çdo rrënje parganjotët vjelin deri në 300 kilogramë ullinj. Nëpër oborret e shtëpive dhe në kodrinat përreth, banorët vjelin edhe limona e portokaj. Falë zhvillimit të turizmit, shumë banorë të Pargës janë kthyer nga mërgimi, kryesisht nga Gjermania, ku kishin shkuar si punëtorë krahu në vitet '50-të dhe '60-të, kur Greqia ishte një vend i varfër. Ata në vendlindjen e tyre kanë hapur taverna dhe kanë ndërtuar shtëpi, të cilat i japin me qira gjatë sezonit turistik. Një shqiptar nga Mirdita, i cili punon si mbikëqyrës plazhi, tregon se ka ardhur këtu para 17 vjetësh, "atëherë kur pleqtë dhe plakat e Pargës më lehtë flisnin shqip se sa greqisht". Muzgu i bekuar Në Mesjetë, Parga kishte një rëndësi të madhe strategjike. Për këtë qytezë interesoheshin oborret mbretërore të Stambollit, Venedikut, Parisit dhe Londrës. Në vitin 1401 Parga ra nën mbrojtjen e Venedikut. Më 1452 e pushtuan turqit, por dy vite me vonë u çlirua nga venedikasit. Në vitin 1537 u plaçkit dhe shkatërrua nga pirati osman Hajredin Barbarosa, i njohur si zotërues i deteve. Në lagjen "Beshiktash" të Stambollit, gjendet një përmendore në kujtim të tij. Në pjesën e pasme të monumentit janë të shënuara këto vargje të poetit turk Jahja Kemal Bajatli: Nga po vjen gjëmimi i topave prej horizontit të detit? A mos është Hajredini duke u kthyer me flotën e tij nga udhëtimi? Nga ishujt? Nga Tunisi? Nga Algjeria? Dyqind anije lundrojnë në det të hapur Vijnë në drejtim të hënës që lind Çfarë muzgu të bekuar mëngjesi jeni duke lënë prapa? Nën mbrojtjen e Venedikut Parga u shndërrua në portin më të rëndësishëm të Epirit. Në vitet vijuese sundimtarët e Pargës u ndërruan disa herë. Në vitin 1819, Ali Pashë Tepelena vendosi ta blejë nga anglezët këtë qytet, i cili i krijonte telashe, sepse ishte territor i administruar nga të huajt në Pashallëkun e Janinës. Thuhet se pashai i ashpër kishte paguar 150 mijë lira. Thuhet po ashtu se anglezët ia shitën Pargën Ali Pashës për të dobësuar ndikimin rus në rajon. Mbi qytetin e Pargës, rreth katër kilometra larg qendrës, turistët mund të shikojnë edhe sot kalanë e Ali Pashës. Ajo vazhdon të jetë një atraksion jo vetëm për turistë. Gjuha shqipe nuk flitet vetëm në Pargë. Shumica e banorëve të fshatrave Agjia, Rrapëza, Shëndiella, Shenica, Livadhari, Arpica etj., gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare. Toponimet e këtyre katundeve janë greqizuar. Banorët shqiptarë të këtyre zonave, sidomos ata të përkatësisë fetare myslimane, janë dëbuar sistematikisht nga Greqia, pasi u caktuan kufijtë e rrudhur të Shqipërisë në Londër, në vitin 1913. Pas miratimit të Marrëveshjes së Lausanne-s (Lozanës) në vitin 1923, përzënia e shqiptarëve nga Greqia u intensifikua. Marrëveshja parashihte shkëmbimin e popullsive mes Turqisë dhe Greqisë. Domethënë grekët duhej të largoheshin nga Turqia, ndërsa pakicat myslimane në Greqi qenë të detyruara të gjenin strehim në Turqi. Llojet e shqiptarëve Me një dekret, Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jozyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lausanne-s për turqit e Greqisë. Kryeministri i atëhershëm grek, Theodors Pangalos, i kishte premtuar ambasadorit shqiptar në Athinë, Mit'hat Frashëri se popullsia arvanite dhe çame nuk do të prekej nga Marrëveshja e Lausanne-s dhe shqiptarët myslimanë nuk do të quheshin popullsi turke. Ky ishte një premtim bosh, sepse edhe në vitet në vijim vazhdoi shpronësimi i çamëve. Ministri i atëhershëm i punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, George N. Curzon, e kishte quajtur Marrëveshjen e Lausanne-s "një zgjidhje fund e krye të keqe dhe qëllimkeqe, për të cilën bota, gjatë njëqind vjetëve të ardhshme do të paguajë një tagër të lartë". Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e popullsisë çame bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë të Greqisë. Pas kapitullimit të gjermanëve, shteti grek i dënoi çamët kolektivisht, duke i dëbuar nga shtëpitë dhe duke ua marrë pronat shumicës së tyre. Historiani i Evropës Juglindore, Konrad Clewing, i ndan shqiptarët e Greqisë në tri grupe. Në grupin e parë ai i numëron arvanitët, të cilët nga shekulli 13-të deri në shekullin e 15-të, me ftesë të sundimtarëve lokalë u vendosën në më shumë se 300 vendbanime në Greqinë Jugore, siç janë Atika (rrethina e Athinës), ishujt e Egjeut (p.sh. Hidra) dhe në Peloponez. Banorët e këtyre zonave e quanin veten arbërorë, ndërsa gjuhën që flisnin - arbërisht. Me kalimin e shekujve ata kanë përvetësuar emërtimin grek arvanitka. Sipas Clewing-ut, numri i arvanitëve në Greqi, bazuar në kriterin e përdorimit të gjuhës dhe të vetëdijes, vlerësohet të jetë mes 150 mijë deri në 200 mijë. Derisa arvanitët e moshuar ende flasin gjuhën amtare, te të rinjtë dominon tendenca e njëgjuhësisë, domethënë ata flasin vetëm greqisht. Asimilimi gjuhësor i arvanitëve është intensifikuar sidomos me urbanizimin e Greqisë. Në qytete ata i janë përshtatur shumicës greke. Grupin e dytë të shqipfolësve në Greqi e përbëjnë banorët e disa lokaliteteve në zonën kufitare greko-bullgaro-turke. Clewing shkruan se këta shqiptarë janë pjesë e mbetur pas shkëmbimit të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë në vitet 1922/'23, pra në prag dhe pas Marrëveshjes së Lausanne-s. Në grupin e tretë të shqipfolësve në Greqi hyjnë çamët (greqisht: tsamides), të cilët jetojnë në veri të Epirit, në kufi me Shqipërinë. Tirana pasive Në një artikull për shqiptarët e Greqisë, profesori Clewing shkruan: "Ndryshe nga dy grupet e tjera, çamët historikisht dhe gjuhësisht janë pjesë e hapësirës së përbashkët gjuhësore shqiptare dhe kanë vetëdije etnike shqiptare. Gjuhën e tyre ata e quajnë si në Shqipëri, pra, shqipja. Kur pas përcaktimit të kufijve, në vitin 1913, u krijua një pakicë (shqiptare, v.j.) gjysma myslimane dhe gjysma e krishterë ortodokse, pjesa myslimane zyrtarisht u përjashtua nga shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë, por për hir të së vërtetës, pakica myslimane u diskriminua. Si pasojë e gjoja bashkëpunimit me trupat pushtuese italiane dhe gjermane dhe me administratën civile shqiptare të instaluar prej tyre në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët myslimanë të mbetur atje, rreth 20 mijë, në vitin 1944 u dëbuan kolektivisht në Shqipëri nga ana e trupave greke. Çamët e krishterë dhe të mbetur sipas interpretimit grek nuk ekzistojnë. Ata janë hulumtuar pak, por duket që ende kanë një vetëdije të veçantë dhe gjuhën e tyre dhe i nënshtrohen presionit të dukshëm zyrtar. Por, ata nuk artikulohen publikisht. Në përgjithësi, shteti grek nuk i ka stimuluar grupet shqipfolëse të popullsisë ose ka pranuar vetëm veçorinë e tyre kulturore. Në disa vendbanime myslimane çame, në vitet 1936-'39, me gjysmë zemre u bënë përpjekje për të ofruar mësim në gjuhën amtare. Deri më sot, Greqia me politikën e saj të gabuar ndaj pakicave, nuk ndikon në mirëkuptimin ndërkufitar në Evropën Juglindore". Për Greqinë zyrtare çështja çame nuk ekziston. Në nëntor të vitit 2005, Presidenti grek, Karolos Papoulias, kishte anuluar takimin e tij me Kryetarin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili ishte paraparë të mbahej në një hotel në Sarandë. Shkas për këtë veprim kishte qenë paralajmërimi i një proteste nga ana e komunitetit çam. Ata kërkonin që çamëve t'u kompensohej prona e konfiskuar nga shteti grek gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe t'u kthehej shtetësia greke. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, politika shqiptare ka qenë e rezervuar sa i përket aktualizimit të çështjes çame. Ky pasivitet është i shpjegueshëm: Në Greqi punojnë mbi gjysmë milioni shqiptarë, të cilët mbajnë familjet e tyre në Shqipëri dhe janë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë ende të dobët shqiptare. Po ashtu, nuk duhet të nënçmohet ndikimi i Greqisë në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto i kanë shtyrë qeveritë shqiptare të jenë të kujdesshme në këtë çështje. © 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP Gjurmë dhe simbole shqiptare në Greqi Enver Robelli | 22/08/2009 Personalitete, libra, dokumente, heroizma. Në shumë pjesë të Greqisë shenjat shqiptare fshihen nën sipërfaqen e hollë të historisë Gjinia e helenëve Në Greqi edhe sot është vështirë të debatosh pa emocione me banorët vendas për Jakob Philipp Fallmerayer-in. Orientalisti dhe publicisti austriak (1790-1861) u bë i njohur në shekullin e XIX përmes studimeve të tij etnografike dhe gjeografike. Ai është autor i tezës se grekët antikë janë zhdukur nga faqja e dheut në Mesjetë dhe vendin e tyre e kanë populluar sllavët dhe shqiptarët e helenizuar. Për shkak të këtij mendimi, ai ishte ndër figurat më të urryera nga filohelenët në Evropë dhe nga patriotët grekë. Në Gjermaninë e asaj kohe, Fallmerayer akuzohej se bënte propagandë pansllaviste, edhe pse ai ishte kundërshtar i carit rus, të cilin e akuzonte se synonte sundimin e botës. Në veprën e tij "Historia e siujdhesës së Moresë gjatë Mesjetës" ("Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters") Fallmerayer arrin në përfundimin se etnia unike helene ka ekzistuar në Greqinë antike, por me kalimin e shekujve është shuar. Këtë pikëpamje ai e mbështet në bazë të toponimeve sllave dhe shqiptare. Fallmerayer shkruan se "gjinia e helenëve në Evropë është shfarosur... Asnjë pikë e vetme e gjakut fisnik dhe të papërzier helen nuk rrjedh në damarët e popullsisë krishtere të Greqisë së sotme". Përkthimi dhe botimi i veprës së tij në greqisht u bë i mundur në vitet 1980-të. Pas akuzave të shumta, Fallmerayer shkroi librin "Fragmente nga Orienti" ("Fragmente aus dem Orient"), në të cilin thekson se grekët e Azisë së Vogël ndoshta mund t'i referohen një kontinuiteti historik me Greqinë para Mesjetës. Njëkohësisht, ai shprehte zhgënjimin se nuk kishte takuar asnjë grek në Azinë e Vogël, i cili i përgjigjej përfytyrimit të tij ideal të një greku të arsimuar. Teza e Fallmerayer-it është mbuluar nga pluhuri dhe nuk përfaqësohet më në universitetet e Evropës. Korfuzi Sot, ky ishull grek është sinonim i turizmit dhe jetës mondane. Dikur, në shekullin e XIX, në këtë vend u botua "Dhiata e Re" në gjuhën shqipe. Në vitin 1824 u publikua vetëm një pjesë e "Dhiatës" (në dialektin lab), ndërsa si e tërë ajo pa dritën më 1827-ën. Përkthyes i saj ishte Vangjel Meksi. Ai u lind rreth vitit 1770 dhe shërbeu në ushtrinë e Ali Pashës si oficer artilerie. Meksi kishte kryer gjimnazin "Zosimea" në Janinë dhe Ali Pasha e dërgoi atë për të studiuar mjekësi në Napoli. Në një letër rekomanduese veziri i Janinës i shkruante Mbretit Ferdinand I Burbon: "Po ju dërgoj Vangjel Meksin, shqiptarin, për të mësuar atje. I lutem Madhërisë Suaj të keni mirësinë, që t'i jepni mbrojtjen tuaj mbretërore, në mënyrë që të gëzojë ato kushte dhe lehtësi, të cilat të çojnë në mësimin e këtyre shkencave". Disa muaj më vonë, Aliu sërish interesohet për fatin e studentit shqiptar dhe i shkruan si vijon Mbretit të Napolit: "Ju dërgoj falënderimet më të shquara për gjithçka i është dhënë Vangjel Meksit, i cili shpresoj se do të përfitojë nga kushtet, që i janë krijuar me bujari nga sovrani dhe, kur të kthehet në atdhe me vlerësimin për sjelljen e mirë dhe përvetësimin e dijeve, të ngrejë lart emrin e Mbretit të lavdishëm". Pas studimeve Vangjel Meksi u kthye në oborrin e Ali Pashës, ku shërbeu si mjek. Në vitin 1819, pas takimeve me përfaqësues të Shoqatës Ungjillore angleze në Stamboll dhe Selanik, ai nënshkroi kontratën për përkthimin e "Dhiatës së Re" në gjuhën shqipe. Mbikëqyrës i përkthimit ishte Grigor Gjirokastriti, i cili në vitin 1821 ishte peshkop i ishullit të Eubesë, ndërsa gjashtë vjet më vonë kryepeshkop i Athinës. Janina Ky qytet, në historinë shqiptare është i njohur jo vetëm për shkak të Ali Pashë Tepelenës. Këtu, në vitin 1809, kapedani i njohur nga fshatrat suljote Marko Boçari përgatiti fjalorin greqishte e re-shqip. Këtë vepër ai e shkroi edhe me kërkesë të konsullit francez në Janinë, François Pouqueville (Fransua Pukëvil). Fjalori përbëhet nga 111 faqe, 1 494 fjalë shqipe dhe 1 701 fjalë greke. Origjinali i këtij fjalori gjendet sot në Bibliotekën Kombëtare të Parisit dhe u dhurua në maj të vitit 1819 nga konsulli Pouqueville. Duke studiuar fjalorin e Marko Boçarit, Pouqueville hartoi një fjalor të vogël frëngjisht-shqip, me rreth 440 fjalë dhe origjinali i këtij fjalori gjendet në Paris. Papa Kristo Negovani Në autostradën Janinë-Selanik, lart në veri të Greqisë, një tabelë tregon rrugën për Florina. Shqiptarët e quajnë Follorina, në maqedonisht njihet si Lerin. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, Follorina mbante lidhje të ngushta me Manastirin. Në vitin 1875, afër Follorinës, në fshatin Negovan, u lind Papa Kristo Negovani, i cili u bë i njohur edhe me emrin Kristo Harallambi. Pasi ndoqi shkollimin në Athinë, punoi mësues në një shkollë greke në Leskovik. Një kohë jetoi në Rumani, ku mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Pasi u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues i gjuhës shqipe. Kur filloi të mbante edhe meshën në gjuhën shqipe, ai u ballafaqua me urrejtjen e hierarkisë fetare ortodokse dhe të qarqeve nacionaliste greke. Peshkopi i Kosturit, pas një shërbese kishtare në shqip, i kishte thënë: "Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët". Dy ditë më vonë, më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani u masakrua me sëpatë. Për të marrë hak pas një viti e gjysmë, luftëtari shqiptar, Bajo Topulli, e vrau peshkopin e Korçës, Fotis Kallpidhis. Suli Me këtë toponim përfshihen fshatrat shqiptare në jugperëndim të Janinës. Banorët e kësaj treve janë të famshëm si luftëtarë të paepur. Ndër më të njohurat gjatë periudhës së Perandorisë Osmane kanë qenë familjet Boçari dhe Xhavella. Fshatrat e Sulit kundërshtonin sundimin e Ali Pashës dhe kur ky i fundit me ushtarët e tij, në dimrin e vitit 1803, depërtoi thellë në territorin e suljotëve, shumë gra suljote u hodhën në greminë bashkë me fëmijët e tyre, vetëm e vetëm që të mos binin në duar të Aliut. Ky akt është përjetësuar edhe në pikturë. Në historiografinë greke, suljotët konsiderohen si grekë, ndonëse literatura serioze ata i sheh si shqiptarë etnikë. Emrat e luftëtarëve të njohur si Marko Boçari dhe Kiço Xhavella, janë greqizuar (Markos Botsaris dhe Kitsos Tzavellas). Që të dy kanë marrë pjesë në çlirimin e Greqisë nga osmanët. Lidhur me suljotët, udhëtari anglez Thomas Smart Hughes, në veprën "Voyage á Janina en Albanie" shkruante (sipas përkthimit nga Eqrem Çabej): "Ky popull kishte veti të shquara luftarake dhe edukata e tij përmblidhej kurdoherë në stërvitje për luftë. Dëfrimet më të para të suljotëve ishin vallja e këngët. E para u shtonte fuqinë e trupit, të dytat u ndiznin zemrën dhe ua ushqenin entuziazmin. Ata ishin fort të ngjitur te vendi i tyre... Shumë prej tyre kanë dhënë shembëlla të mëdha qëndrimi heroik dhe fjalët që mbanin në luftë kishin frymën e zjarrin e atyre të vjetrave. Gratë nuk binin pas nga burrat për trimëri dhe ishin gati të ndanin me ta të gjithë rreziqet e luftës. Mënga grash trimëresha shkonin rregullisht pas ushtarëve për t'u sjellë këtyre ushqimin dhe municionin, për të shikuar të plagosurit dhe, në rasë nevoje, për të luftuar krahas me prindërit, me burrat e me bijtë e tyre. Nga këto amazone, më e ndjera ka qenë Moskoja, e shoqja e kapedan Xhavellës dhe e ëma e trimit Foto, Hektorit të kësaj troje të dytë. Emri i saj lavdohet edhe sot nëpër këngë greke dhe shqiptare... Për t'i nderuar burrat në trimëri, gratë rrinin me radhë në pus a në krua sipas trimërisë së burrave të tyre; ajo që kish pasur fatin e lig të martohet me ndonjë burrë frikacak, ishte e detyruar të presë me turp që t'i mbushin të tjerat shtambat e tyre. Gratë ishin shumë të nderuara në këtë republikë të vogël dhe pak burra mund të duronin qortimet që u bënin gratë e zemëruara, kur tregoheshin frikacakë". © 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP [ Edited Sat Apr 17 2010, 07:54am ] Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te ... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi. | ||
Back to top | | ||
Engel |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2627 Joined: Mon Feb 09 2009, 07:09amPosts: 2846 | .![]() Kufiri detar, ja testi që vërteton dhurimin!!!! Kufiri detar, ja testi që vërteton “dhurimin” Në një analizë ekskluzive sot për “Gazeta Shqiptare”, Prof.Asc.Dr Myslim Pashaj sjell argumente të reja që përforcojnë konkluzionin se marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar cënon rëndë sovranitetin tonë territorial. Argumenti ku Pashaj kapet fort për të përforcuar konkluzionin në fjalë, është pikërisht koncepti i proporcionalitetit që përdoret si test për barazinë e brigjeve të dy shteteve nga vija kufitare. "Si test për BARAZINË përdoret koncepti i PROPORCIONALITETIT = PËRPJESTUESHMËRISË. Ky test trajton raportin e ujërave të përfituara nga përcaktimi i kufijve të shtrat-detit kontinental (sipërfaqes ujore detare) krahasuar me raportin e vijës bregdetare relevante të të dy shteteve", citon profesori. Ky test trajton, raportin e ujërave të përfituara nga përcaktimi i kufijve të shtrat-detit kontinental (sipërfaqes ujore detare) krahasuar me raportin e vijës bregdetare relevante të të dy shteteve. Duke e aplikuar këtë test, në rastin e marrëveshjes shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar, Pashaj arrin në konkluzionin se Shqipëria për 1 km bregdet përfiton 10.2 km2 shtrat-det dhe ujëra detarë, ndërkohë që Greqia për 1 km bregdet përfiton 17.9 km2 shtrat-det dhe ujëra detarë. Pra sikundër shihet nga kjo marrëveshje, Shqipëria del e humbur. Në hapje të analizës së tij, Prof.Asc.Dr. Myslim Pashaj i referohet një sërë rastesh të praktikës botërore në procesin e ndarjes së kufirit detar mes shteteve të ndryshme, të cilat përdorin testin e barazisë për të verifikuar nëse nga përcaktimi i vijës ndarëse në det, raporti i ujërave të përfituara nga përcaktimi i kufijve të shtrat-detit kontinental krahasuar me raportin e vijës bregdetare relevante të të dy shteteve, është apo jo i barabartë. Ne fund te analizes qe Gazeta ka paraqitur sot me detaje, Pashaj thekson se "ky test është përdorur gjerësisht nga Gjykata Ndërkombëtare për gjykime të çështjeve të Ndarjes së Kufijve Detarë". Pakti Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti u bë e njohur që pas publikimit të fakteve tronditëse nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Gazeta Shqiptare" ka qenë e para e përditshme në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009, faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë. Nje muaj më parë edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë. ë datën 25 shtator, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por, në datën 15 tetor 2009, Parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje të "Gazeta Shqiptare". E parashikuar për të kaluar në seancën plenare të së hënës në datën 19 tetor, marrëveshja tanimë nuk ekziston në axhendën parlamentare. (d.b/BalkanWeb) Dashuria esht buka engjejve, therrmiet shpresa njerzimit. | ||
Back to top | | ||
Powered by e107 Forum System