Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Forumi i ShkodraOnline.com :: Gjuha - Linguistika
 
<< Previous thread | Next thread >>
Revista "Hylli i Dritës"
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Tue Aug 25 2009, 01:38pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Kush ka deshire me u abonu ne rrevisten e rihapun "Hylli i Dritës" te drejtume prej zotnise te nerum Ardian Ndreca, kto jane detalet per abonim.

Për abonime:

Për në Shqipni 4 numra në vit kushtojnë 2000 lekë.
Për në Europë 4 numra në vit kushtojnë 30 euro.
Për në SHBA 4 numra në vit kushtojnë 40 USD.

ProCredit Bank Tiranë Albania
Provinca Françeskane Shqiptare

Shkaku i derdhjes së pareve: Abonim tek revista Hylli i Dritës.

Swift code: FEFAAL TR
Llogaria në lekë: 60-004626-00-01
Llogaria në euro: 60-004626-00-04
Llogaria në USD: 60-004626-00-03
[/size]

Qyteti i lindjes "Shkodra" hesht për Shantojën

Elsa Demo | 25/08/2009

"Hylli i Dritës"kujton Dom Lazër Shantojën.

Kryeredaktori i saj, Ardian Ndreca, u bën thirrje edhe pinjojve të familjes që u vendos - menjiherë mbas bastisjes prej partizanëve - në shtëpinë e Shantojës në Tiranë, që t'ia dorzojnë Arkivit të Shtetit, materialet që mund të kenë ruajtur.



Ndërsa Shkodra, dhe këshilli bashkiak i qytetit nuk i është përgjigjur kërkesës për një kushtim poetit, estetit të torturuar dhe të pushkatuar pa gjyq më 1945-ën


"Nuk asht shumë i njohtun ndër ne. Pak për shkaqe politike e pak pse asht nji shkrimtar aristokrat, kultivues i ndjenjave të nalta e i shijeve të holla - të cilat jo gjithnji gjejnë lexuesa me zemra të ndieshme e me sens të spikatun estetik. Ai ka qenë nji ndigjues i vemendshëm dhe nji ndjekës i etshëm i shpirtit shqiptar, ka qenë nji vrojtues i censhëm i virtyteve dhe i të metave të atij shpirti."

Ky është përshkrimi për Dom Lazër Shantojën (1891-1945) që i bën Ardian Ndreca në numrin e fundit të revistës "Hylli i dritës", në shënimin me titull "Lazër Shantoja: Poeti kundruell shekullit", shoqëruar me disa shkrime të vetë Shantojës. Prej vitit 2005 kur Botime Françeskane hodhën në qarkullim "Lazër Shantoja, Vepra", njohja e kësaj figure nuk ka gjetur ndonjë lloj ndjeshmërie të mëtejshme. Për këtë arsye, kryeredaktori "Hyllit", Ardian Ndreca, iu përgjigj disa pyetjeve të "Shekulli"-t për këtë figurë dhe ofroi për ribotim në këto faqe tekstin e Shantojës, "Fëmi shqiptar në lulishte t'hueja".

Kush është :

Dom Lazër Shantoja u lind më 1891-shin në Shkodër.

U formua në Seminarin e Etërve Jezuitë, ndoqi studimet për teologji në Insbruk.

U shugurua meshtar dhe si famullitar shërbeu në Pulaj, Beltojë,Velipojë, Rrjoll, Sheldî. Boton dhe përkthen.

Për dy vjet është sekretar i Arkipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës.


Bashkëpunon me Anton Harapin për "Ora e Maleve".

Arrestohet e burgoset si frymëzues e organizator i Revolucionit të Qershorit 1924.

Boton gazetën "Ora e Shqipnisë".

Më 1941, bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Kortshën etj., është një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare.

Arrestohet më 1945-ën, sillet në burgun e Tiranës. Pushkatohet pa gjyq në rrethinat e Tiranës. As sot nuk ka një varr të Dom Lazër Shantojës.


Ishte e lehtë apo e vështirë përgatitja e këtij numri të "Hyllit..."?

Me përgatit nji numër reviste si "Hylli i Dritës" asht nji përgjegjësi jo e vogël, sidomos kur mendon për traditën që ke mbas vetes dhe për emnin e vetë së përkohshmes.
Kam ndeshë, si zakonisht, mjaft vështirsina, por me ndihmën e disa prej bashkëpuntorve jam mundue me i kalue. Gjithsesi, fjala e fundit i takon lexuesit të kualifikuem.

Cila është e veçanta e këtij numri?

Ky numër ka disa gjana të veçanta. Po filloj me artikullin e studiuesit Italo Sarro, i cili për herë të parë na tregon detajet e emigrimit të nji pjese të fisit të Hotit, në vitin 1833. Interesante në ketë shkrim asht mekanizmi i emigracionit të kohës. Hotianët e kërcenuem prej turqve, mbasi kishin thye me turp nji ushtri turke të nisun prej Shkodre për me i nënshtrue, me ndihmën e nji françeskani i shkruejnë perandorit Franci I, tue i kërkue leje me u shpërgulë në tokat e tija, e ndërkaq i shkruejnë edhe Propagandës Fide në Romë për me i mbështetë nga pikëpamja shpirtnore. Të dyja kërkesat plotësohen dhe familjet hotiane gjejnë strehë dikund në Italinë e veriut, asokohe territor i perandorisë.

Artikuj me interes janë edhe ato të Bardhyl Demirajt dhe Anila Omarit. Të dy prekin temën e Formulës së Pagzimit, dhe në nji farë mënyrë përfundojnë diskutimin e lindun kohët e fundit rreth këtij argumenti. Edhe artikulli i Jean-Pierre Tennevin rreth helenistit francez Gabriel Ancey ka randësi, mbasi lexuesi ndriçohet rreth përpjekjeve të këtij shkencëtari me spjegue disa momente të korpusit të mitologjisë greke, tue u nisë prej botës shqiptare. Sigurisht, nuk ka asnji tentativë këtu me paraqitë "en bloc" dhe si të paprekshme pikëpamjet dhe metodologjinë e Ancey, por thjeshtë me nënvizue vlerën historike të hulumtimeve të këtij autori.

Keni përfshirë letërsi nga Lazër Shantoja. Pse Shantoja, dhe pse pikërisht këto materiale?

Në ketë numër përfshihen disa shkrime të Shantojës të shoqnueme me nji hymje të shkurtë. Shkrimet i përkasin viteve '20-'30 dhe simbas mendimit tem, i krijojnë lexuesit të sotëm nji ide rreth talentit të këtij shkrimtari. Shkrimi "Fëmi shqiptar në lulishte t'hueja", flet për dramën e emigracionit antizogist, shkrimet "Totoci - Uka - Bizderri" dhe "Çamakë e balona" janë dy gravura, ku mund të shihet e përshkrueme jeta e qytetit të Shkodrës në fillimet e '900-ës. Ndërsa "Kodra mbas bregut" asht nji portret i rrallë i nanës së shkrimtarit, nji portret i gjallë, e i pa randuem me ojna, ku ai përshkruen edhe me nota autoironike vuejtjen që i shkaktonte së amës pasioni i tij për politikën.

Përveç këtyne prozave plot lirizëm, i paraqesim lexuesit edhe përkthimin që Shantoja i bani poezisë së famshme të Friedrich Schiller-it, me titull "Kanga e kumbonës". Kjo kryevepër e letërsisë gjermane asht përkthye me art, tue ruejt ritmet, hovet, dinamizmin lirik me të cilin nji shkrimtar i madh si Schilleri e pat mbrujtë. Por Shantoja ka përkthye edhe prej shkrimtarëve tjerë si Leopardi, Heine, Wilde, De Musset e Goethe.

Je një nga hartuesit e përmbledhjes së veprës së Shantojës botuar disa vite përpara, pra e njihni mirë këtë figurë. Megjithatë, njohja e këtij "Konice të veriut", siç është quajtur, ka mbetur në vend. Libri në fjalë nuk ekziston në asnjë librari të kryeqytetit.

Vepra e plotë e Shantojës asht botue nga Arben Marku në vitin 2005 (Botime Françeskane, Shkodër, 2005, ff. 688), mbas nji pune dhjetëvjeçare kërkuese në arkivat italiane, zvicerane, austriake, në Arkivin tonë të Shtetit, tue shfletue me kujdes rreth 20 mijë faqe prej të përkohshmeve të kohës kur qe aktiv Shantoja. Nji ndihmesë të madhe na dhanë edhe disa privatë që zotnonin dorëshkrime, letra e fotografi.

Përsa i përket shpërndamjes, ju keni të drejtë, sot libri gjindet me siguri në librarinë Françeskane në Shkodër. Fatkeqsisht, sot, në vendin tonë nuk kemi nji ent serioz që merret me shpërndamjen e librit, mungon profesionalizmi dhe sidomos etika, gja që vështirson shumë qarkullimin e librit. Megjithatë, në javët e ardhshme, në disa prej librarive të kryeqytetit kjo vepër do të duket rishtas. Ndërsa "Hyllin e Dritës" mund ta gjeni qysh tashti në libraritë kryesore të kryeqytetit.

A ekziston një arkivë e tij dhe çfarë mund të ketë në pritje për botim prej Lazër Shantojës. Po vetë qyteti i lindjes, a i ka kushtuar vëmendje këtij shkrimtari?

Shumica e materialeve që i përkasin Shantojës janë botue në veprën e sipërpërmendun. Ka ende gjana dytësore (variante, përpunime të ndryshme) që ndodhen në Arkivin e Shtetit. Ka dokumente gjyqsore në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, dhe me sa di un ka disa persona privat që zotnojnë pjesë prej letërkëmbimit, si dhe materiale të tjera. Ajo që nuk gjindet sot prej krijimtarisë së tij asht përkthimi i plotë i "Faustit" të Goethe-s, si edhe përmbledhja me titullin "Kujtime e përshtypje". Me ketë rast i baj thirrje pinjojve të familjes që u vendos - menjiherë mbas bastisjes prej partizanëve - në shtëpinë e Shantojës në Tiranë, që t'ia dorzojnë Arkivit të Shtetit, edhe në mënyrë anonime, materialet që mund të kenë ruejt. Kjo gja do të shërbente jo thjesht me shlye nji padrejtësi të asaj kohe, por me i ba nji shërbim kujtesës historike të kombit tonë, i cili qëndron ma nalt se partitë, rrymat apo histerinat kolektive.

Sa për marrdhanjet e qytetit të lindjes, Shkodrës, me Lazër Shantojën, e kam shkrue edhe tek ky numër i Hyllit. Në gjysmën e prillit të këtij viti i shkrova nji letër këshillit bashkiak Shkodër, ku mbasi i paraqitshe veprën e këtij shkrimtari të shquem, i kërkojsha me i kushtue diçka poetit shkodran, nemos tjetër në shenjë miradijet ndjellamire për ne. Kanë kalue muej të tanë qysh prej letrës seme e kanë kalue vite qysh se ka ra komunizmi, por kurrkujt prej atyne që duhet të kujtoheshin nuk i ka ra ndërmend për të.

Ndoshta heshtja e tyne flet ma shumë se fjala jonë, ndoshta Shkodra sot nuk ka asgja të denjë për me i kushtue Shantojës, edhe pse Lazër Shantoja ka qenë gjithmonë i denjë për Shkodrën e vet.

Por nuk asht e vetmja harresë e këtij qyteti ndaj figurave të shqueme të së kaluemes. Simjet, për shembull, asht 150-vjetori i lindjes së Filip Shirokës dhe askush nuk asht kujtue për të. Shpresojmë të kujtohen tashti!

Ky numër përmban edhe dokumente të fashizmit rreth Mustafa Krujës. "Shekulli" ka botuar një cikël shkrimesh albanologjike, gjuhësore e politike prej tij. Përse është fjala tek këto dokumente të fashizmit.

E përkohshmja jonë asht mundue me nxjerrë në dritë fakte historike, pra dokumente me vlerë historike, që mund t'u shërbejnë nji të nesërme studjuesve të drejtuem prej nji metode shkencore për me shkrue historinë e shqiptarëve. Nuk jam naiv sa të dëshiroja nji "histori objektive", por e kam fjalën për përpjekjen e domosdoshme për nji histori ma objektive dhe ma shkencore sesa ajo që kemi.

Në këtë kuadër kemi botue disa dokumente të fashizmit, ma saktë raporte sekrete të Jacomoni-t, ku flitet për marrdhanjet dhe për financimin nga ana e Mustafa Krujës të komunistit Petro Marko.

Në to flitet për deponime dhe hetuesina të Petro Markos, si edhe për hetime tjera të autoriteteve fashiste, prej të cilave del se Mustafa Kruja e shihte fashizimin si diçka kalimtare dhe se objektivi i tij ishte me u lirue prej Romës dhe me u ba rishtas të zotët e vetes. Kjo ishte ideja që kishin krijue hierarkët fashistë për Mustafa Krujën. Besoj se në ketë rast, për të dhanë nji gjykim historik sa ma të plotë mbi këtë protagonist të historisë sonë të gjysmës së parë të shek. XX, duhet të mbajmë parasysh edhe këto fakte. Pra, siç e shihni, qëllimi nuk asht as me zhdoganue fashizmin as me shenjtnue ndokend, edhe pse ndaj fashizmit pararendësit tanë të "Hyllit" kanë mbajt qëndrim të premë kritik, tue mos lejue mësimin e edukatës fashiste në shkollat françeskane. Këtu ne duem thjesht me i dhanë secilit atë që meriton, siç thotë Ciceroni: "unicuique suum".

Me kaq përvojë sa ke në krye të "Hyllit", çfarë përbën sfidë në drejtimin e saj sot dhe në të ardhmen.

E kam marrë "Hyllin e Dritës" i shtymë e i mbështetun prej At Zef Pllumit, me idenë se shpresat e shkencës shqiptare mbështeten tek brezi ma i ri, sidomos tek ata që kanë krye studimet në Perëndim, në këto dekadat e fundit. Bashkëpunimi me të rinjtë dhe me studiuesit e huej ka dhanë frytet e veta. Prej vitit 2006 kanë dalë rregullisht 4 numra në vit, që bajnë gjithsejt 2 722 faqe. Por vlerësimi në botën akademike perëndimore si edhe në atë shqiptare ka të bajnë me cilësinë e kësaj reviste, e cila simbas gjykimit të specialistave, vijon me qenë e vetmja tribunë e denjë shkencore në botën shqiptare.

"Hylli i Dritës", si ndërmarrje kulturore përballet me sfidat e veta sot. Un mendoj se sfidat ma serioze lidhen me gjetjen e rrugës për tek lexuesi, me ruejtjen e standardeve shkencore, me thithjen e talenteve të reja në fushat e ndryshme të shkencës, si edhe me fjalën autoritare në lamijet përkatëse - tue ndejt gjithnji të pamvarun nga politika e madje tue mbajt nji qëndrim kritik ndaj të gjitha forcave, mbasi qëllimi dhe ideali jonë nuk asht nji parti e caktueme, por vetë Shqipnia. Françeskanëve shqiptarë nuk u mungon vullneti me e mbajt gjallë ketë pishtar, edhe ne të tjerëve gjithashtu, shpresojmë se do të mund ta vijojmë traditën që themeloi At Gjergj Fishta në vitin 1913, tue ba që "Hylli" të ndriçojë pa prâ në qiellin e letrave shqiptare.

FËMI SHQIPTAR NË LULISHTE T'HUEJA
Lazër Shantoja


Revolucjonet janë porsi valët e detit: kur ky âsht në tallaz, valët e tija hjedhin në breg gjithshka: direkë barkësh të mbytuna, rrathë fuçiash, kufoma t'ajuna e të perçudshme, portogala e molla të kalbëta, kutia konservash etj., por nga thellinat e tija mâ të pastra deti nxjerrë e qet në breg dhe goca (midje) gjith trajtash e gjith ngjyresh. Gocat e shtruemuna mbi ranen e imë të duken porsi dele në minjaturë në nji livadh orësh e zanash... Oh gocat, bijat e shkumbës, frytet e duhisë!...

Kush nder ne kur ka kênë i vogel nuk âsht argtue me mbledhun këso gocash në breg të detit, me mbushun xhepat plot me to, me i ruejtun mbi nji shkritore, ma vonë porsi pomendoret e vogla të nji kohes së madhe, misterjoze, këto goca, pallate fildishi peshqish prrallzorë?

Duhia e revolucjonit të dhjetorit 1924 qiti në bregun e mergimit goca të tilla: fëmi të njomë e të bukur qi nuk kishin xânë ené me shqyptue mirë êmnin e Shqipnisë e qi Shqipnia, asé ma mirë Herodi i sajë, dëbonte larg pse fëmi babash e nanash qi kishin guximin mos me u djegë kêm putavet të trathtisë e të tiranisë. Larg algavet gjelbroshe t'atdheut i u desht edhé këtyne fëmivet, në gjasimin e gocavet të detit, m'u rritun mbi ranen e djegun të mergimit... fëmit e babavet e nanavet shqiptare!.

Ishte nji ditë prendvere. Po bahen gadi tri vjet. Kalimegdani, parku i Belgradit, ishte në lule. Era e kandshme të blivet të lulzuem e parfumi i fortë qi emanonte nga vesha e nga mishi i çupavet në sheti, perbashin nji miksturë të çuditshme: natyrë dhe hart; asé ma mirë, natyrë dhe industri... Ishte nji e diele mbasdite. Dita dhe koha më mërzitshme për ata qi gjinden në dhe t'huej. Vetrinat e tregtorevet të mbylluna të duken porsi dyer burgut. Nëpër Knez Mihajlova ulica nuk sheh veç se ndoj tubë katundaresh me kostume kombëtare t'ardhuna nga fshatet rreth Zemunit dhe Pançevos. Bota tjetër ka marrë malet e fushat. Nder këto dit gjyteti del në katund e katundi vjen me u mërzitë në gjytet. Por u duket se dishka bajnë... Ndrrojnë!

At ditë diele mbasdite po shëtitshim nëpër Kalimegdan. Tre miq, dy nana, dy fëmi. Miqt diskutoshin (a âsht nevoja të thom...) mbi politikë, nanat mbi shka kan zakon me folë nanat, (në Shqipni thonë: mos u bâftë kurr se shka mendon nana); e fëmitë? Oh fëmitë! Ata ishin të vetmit qi pa e dijtun, gëzoshin përnjimend at ditë prendvere. Njêni ishte nji vjetit o dishka mâ teper dhe pushonte mbi jestekë puplash në nji karocë të vogël, elegante. Tjetri, katër o pes vjetsh, shtyente me duert sa grima karocën e shoqit të tij të vogël.

Njenit i thoshin Genc e tjetrit Ndue. Njeni ish toskë e tjetri gegë: njeni muhamedan tjetri katolik: njeni djalë i nji babe emigrant e tjetri djalë i nji nëpunsi t'Ahmed Zogut. Me gjithket Genci e Ndou ishin si dy vllazën; ishin fëmi shqiptar. Fëmitë, o të lumët ata, nuk janë veç se shqiptar e nuk i danë kurrgja: kur të rriten, mandej dalin për fushë konceptet qi janë grindja e të mëdhajvet e humbja e atdheut. Genci ishte nji pllumb, Ndou nji trumcak. Syet e kaltërt, flokët e arët, faqet bardh e kuq, me nji gurabi në dorë. Tjetri flokëzi, syezi, nuk xênte vênd kurrkund. Genci qeshte e Ndou kcente. Ishin dy kanarina në nji kafaz plot lule.

Rrezet e diellit në prendim kishin prarue në të kuq mbajet e kumbonaret të Zemunit e kodrat e Topçiderit. Hîme në gjytet, në zhurmën e automobilavet, në dritën e elektrikavet, në salat e koncertavet, në restaurantat plot tym duhani, taft shlive, erë qepësh e xhevapçiçësh të perzhitun...

Vjolinat mêrrshin: Imam jednu želju!... Belgrad!

Kanë kalue tri vjet. Në këto tri vjet Ndou e Genci janë rritë. Genci ka lanë karrocen, ka xanë me folë serbisht, italisht, germanisht (shqip po se po): ka kênë në Tetovë, në Zara, në Dubrovnik, në Sarajevë, në Graz, prej kah vjen e shkon në Vjenë. Ka veshë nji gazhub gëzof të bukur e të tanë e duen e të tanë e puthin. (Para se të puthin kend, shine buzët, e, mbasi t'a puthin kush, shinë faqet.) U duket t'huejvet se nji fëmi shqiptar nuk mundet me kênë kaq i bukur. Ka xanë me thanë se Ahmedi âsht trathtor e se zotëni Vukotiçi asht rrencak. (Shka nuk din fëmia...) Lot n'oborr me pula, u lidhë kamben me pê dhe i thotë pulës me e çue në Shqipni... I mjeri fëmi! Ka pa gjith at botë e nuk njeh ené vendin e vet. Rrinte në kafe Moskva të Belgradit në prêhen të general Vešoviçit, e nuk mund të rrije në prêhen të gjyshit e të gjyshes së vet. E puthin në Gartenbau të Vjenës njerzit e huej, e të vetët në Shqipni nuk menden me e pa me sy.

Oh me e dijtun tirant se shka don me thanë nji tiran!...

Edhé Ndou asht rritë. Nuk e kam pamun ma qyshë at herë në Belgrad. Nuk dij se pse i a kishe njitë êmnin: Tuk, dhe e queshe Tuku i vogël. Kur shkoshe un në shpi të tij, për Tukun ishte nji festë e madhe. Sot aj gjindet në Kosovë bashkë me nanën e larg prindit.
Nana e mjerë nuk ka mâ me shka t'i blejë çokolata e bonbona, dhe baba i shkretë nuk mund t'i blejë mâ petka të reja. Ahmed Zogu la pa buk edhé këtê pse nuk ndigjoj t'i u bante sherbtor. Jeton vetem në Paris tue punue gjith ditën për me mbajtë gjallë frymën. Po frymën e frymës së tij kush e mban?... Vijn e shkojnë net e dit të mëdha, dhe shpia pa të zonë âsht e shprazët. Ndezet qiri i Shenkollit, stoliset pêma e Këshndellavet e fëmia pvetë nanën: Nanë, me kê i kalon baba Këshndellat tash qi nuk ka ne?...

Oh me e dijtun tirant se shka don me thanë nji tiran!...

Kan kalue tri vjet... e kur mendoj tu Ndou e Genci, më mbushen syet me lot... tu Ndou e tu Genci qi po rriten në dhe t'huej! Nuk dij as vetë pse më kan dashtun gjithmonë fëmitë: ndoshta pse nuk më duen aspak të mëdhajt!... Më duen filizat e njomë e nuk më duen karabushat e thatë.

Kanë kalue tri vjet... Nji generacjon i ri po rritet. Nga Shqipnia po mërgojnë dhe djepat. Shqiptari po këthen prap tu jeta nomade e të parvet të tij, edhè tash mbasi Shqipnia duel në vedi: e djep e vorr per tê po bahet dheu i huej... Dhe në kët kohë kaq tragjike nevet të mëdhajvet na del ngae m'u kacafitë per nji bashkë lesh, ndersa në grigjen uku po ban kerdi. Dhe në kët kohë kaq tragjike djalëria shqiptare lëngon në nji letargi vdekjeje.

E Shqipnija e kuej âsht?

Oh sa të lum keni kênë n'at mbasdite prendvere, o Genc, o Ndue, në lulishtë të Kalimegdanit!...

Lazër Shantoja, Vepra, Biblioteka Françeskane, Shkodër 2005, ff. 371-372.
Botuar për herë të parë tek «Ora e Shqipnisë», 23.2.1928, nr. 3.


[ Edited Sat Mar 06 2010, 03:10pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Dec 28 2009, 10:53am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Petro Marko: Vëlla shqiptar, mos i bëj varrin vetes

Shekulli Online | 31/08/2009

Nga Arkivat e Ministrisë së Jashtme të Italisë, një raport i fshehtë për shkrimtarin Petro Marko, i përfshirë në lëvizjen antifashiste nga Grënobli në Vlorë.

Ndihma financiare e senatorit Kruja për Markon, raporti i mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri Françesko Jakomoni: Nuk u duhet zënë besë nacionalistëve ish-të mërguar

Në numrin e fundit të revistës "Hylli i Dritës", në pjesën "Arkivi i Hyllit" botohet "Dokumente të fashizmit rreth Mustafa Krujës". Janë dokumente nga Arkivi historik-diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, që i përkasin kohës së Luftës së Dytë Botnore.

Ato hedhin dritë prej këndvështrimit të fashizmit italian, mbi figurën e Mustafa Krujës, bie në sy mosbesimi i autoriteteve fashiste ndaj Krujës, si edhe aktivitetit i tij i fshehtë kundër fashizmit me dërgimin e Qazim Koculit në Vlorë për të organizuar një lëvizje anti-italiane, si në vitin 1920. Në këto dokumente duket edhe ndihma që Kruja i ka dhënë shkrimtarit Petro Marko.

Ndërsa vetë Petro Markoja shkruan në kujtimet e tij se edhe Ernest Koliqi e kishte ndihmuar në Romë, kur gjendej i arrestuar në burgun e Regina Coeli-it dhe priste të pushkatohej tek Fosse Ardeatine.

Koliqi, - shkruan Markoja - hyri dorzanë pranë autoriteteve italiane, duke i siguruar ato se Petro Markoja është nji shkrimtar shqiptar që s'ka të bëjë me komunizmin. Menjiherë Koliqi dërgoi pranë drejtorisë së burgut sekretarin e tij Lin Shestani, për të përmbaruar lirimin e Petros.

Mëkambësia e përgjithshme e N.T. Mbretit Perandor në Shqipni
Mëkambsi i Përgjithshëm

Tiranë, 19 qershor 1940/XVIII

Shkëlqesës Zenone Benini
Zavêndës Sekretar Shteti për Çâshtjet Shqiptare
Romë


I dashtun Benini,

Mâ parë se me të çue nji raport të hollësishëm zyrtar mbi çâshtjen e rândësishme e delikate qi do të parashtroj mâ poshtë, dëshiroj me të dhânë menjiherë ndonji lajm të shkurtën.

Bâhet fjalë për nji përpjekje organizimi kryengritës qi u zbulue muejin e shkuem në Vlonë, në krye të të cilit âsht nji i ri intelektual shqiptar i kthyem para pak javësh nga Franca.

Emni i tij âsht Petro Marko e njifej prej kohësh nga senatori Mustafa Kruja. Në Francë ishte nji komunist i flaktë, saqi mori pjesë edhe në luftën e Spanjës nga ana e të kuqvet dhe janë gjetë, ndërmjet shkresave të tij, fotografi në të cilat del si kryetar i nji rreshti të rinjsh komunista në nji qytet francez.

Petro Marko ishte financue nëpërmjet të birit të Mustafa Krujës qi studjon në Grenobël, me 400 franga franceze në muej, të dhânuna nga vetë Kruja.

I kthyem në Shqipní në fund të marsit, ai pati biseda të gjata me senatorin Kruja, i cili i a paraqiti edhe Melonit, tue e bindë qi t'i japë nji ndihmë prej 1000 frangash nga fondet rezervë të Mëkambësisë Markos vetë, tue sigurue se âsht nji njeri në rrugën e nji pendimi të shpejtë rreth gjêndjes aktuale në Shqipní.

Meloni e plotësoi dëshirën e Krujës, por në të njâjtën kohë lajmëroi karabinierët e Vlonës për me ndjekë lëvizjet e Markos meqi ai kthehej në vêndin e tij n'atë krahinë.

Nga fundi i muejit u dukën aty-këtu në Vlonë dhe përreth fletushka të shkrueme me dorë, nji kopje të të cilave po t'a bashkangjis.

Tue marrë parasysh karakterin kryengritës të kësaj gjâje, karabinierët zhvilluen nji veprimtari të dêndun hetuese dhe zbuluen autorin, pikërisht në personin e Petro Markos, tue arrestue edhe 8 studenta në moshë mbi 18 vjeç, qi Marko i kishte bâ për vete dhe qi ishin zotue të kopjojshin e të shpërndajshin fletushkat.

Marko dhe shokët e tij u paditën më 10 qershor në Gjykatën Ushtarake të Tiranës, për veprën penale pasuese.

Nga pyetjet e bâme Markos, rezulton në thelb se senatori Kruja ishte nji mbrojtës i vërtetë i tij dhe i njifte ndjenjat dhe aspiratat e tij.

Avokati ushtarak, gjenerali Zingales, më pruni dje raportin e mshehtë mbi ecjen e procedurës, nga e cila del figura e dyshimtë e Krujës në të gjithë këtê çâshtje. Petro Marko në thelb pohon se nuk i ka mshehë kurrë ndjenjat e tij të vërteta mbi gjêndjen e sotme në Shqipní, pra nuk kuptohet se si Kruja ka garantue në nji farë mënyre praninë e tij në vênd deri n'atë pikë sa të shtyjë Mëkambësinë t'i japë nji ndihmë dhe t'i premtojë Petro Markos nji vênd delikat e të rândësishëm si ai i propagandës ndërmjet rinisë shqiptare jashtë apo të korrespondentit të "Tomorrit".

Kuptimplote, mbi të gjitha, âsht thanja me të cilën Kruja kishte dashtë me e bindë Petro Markon me pranue gjêndjen e sotme si "rastësi". Avokati ushtarak më ka kërkue autorizimin për të marrë në pyetje senatorin Kruja dhe Këshilltarin e Shtetit Qazim Koculi, autorizim qi patjetër e dhashë.

Para këtij episodi do t'a quejsha të dobishme pezullimin e nji hymjeje të mundshme të Krujës në Qeveri, së paku deri në fund të hetuesisë. Episodi aktual tregon edhe nji herë sesa na duhet mos me u besue nacionalistave ish-të mërguem. Ata e kanë pranue gjêndjen vetëm sepse ishte kundër Zogut, por do të kishin dashtë nji zgjidhje krejt tjetër të gjânave shqiptare!

Tashti, përballë përparimit tonë të vazhdueshëm e t'pandalshëm në të gjithë sektorët e jetës shqiptare ata ndjehen shumë në vështirësi dhe do të dojshin ndonji shmangie për me lehtësue shtërngesën. Duhet të shpejtojmë ndërkaq me metodë, saktësi e ngulm proçesin e evolucionit në institucionet e në frymën e tyne dhe të mos i vêmë mêndjen këtyre vonestarëve qi nuk kanë shumë peshë në vênd.


Gjithë përshëndetjet e mija mâ të përzêmërta
I yti
Franco Jacomoni


Raport i mshehtë

Petro Marko, i mërguem më 1937 në Paris, ishte në lidhje me elementa anglezë, gjermanë, amerikanë, skandinavë etj. I paraqitun nga nji redaktor i gazetës jugosllave "Politika" mbrriti me shkue në Spanjë si korrespondent i qeverisë së kuqe. Kthehet prej andej në Paris e prej aty në Grenobël.

Bânte pjesë në shoqatën kombëtare shqiptare, në të cilën ekzistojshin primje republikane e monarkiste. Petro Marko ishte pjesëmarrës në lëvizjen republikane, në të cilën ishte përfaqësues Qazim Koculi, Këshilltar i sotëm i Shtetit në Tiranë. Senatori Mustafa Kruja, përfaqësues i shoqatës kombëtare shqiptare, e njifte shumë mirë Petro Markon.

Rrëzimi i regjimit të Zogut përbânte fazën paraprake të lëvizjes; atëhere kur rasti u paraqit i përshtatëshëm pjesëmarrësit në lëvizjen republikane nuk kundërshtuen ata të lëvizjes monarkiste.

Mbas bashkimit të Kunorave, Petro Marko mbeti në Francë, në Grenobël, ku mund të vazhdonte të ruente lidhjet i biri i senatorit Mustafa Kruja. I nxitun me u kthye në Shqipní ai kundërshtonte edhe sepse i trêmbej përndjekjes, tue marrë parasysh veprimtarinë e tij të shkueme në Spanjën e kuqe.

U sigurue n'atë drejtim nga djali i Mustafa Krujës, i cili, simbas bindjes së Petro Markos, vepronte n'emën e simbas udhzimeve të t'jatit. I kthyem në Shqipní në mars 1940, me mjete të dhânuna nga i biri i Mustafa Krujës, u paraqit tek ky në Tiranë.

Këtu ai shfaqte haptas pakënaqësinë e tij për sistemin qeverisës të ngritun dhe i pohonte senatorit Kruja se ndërhymja italiane ishte e dâmshme dhe paragjykonte lirinë dhe pavarësinë shqiptare.

Ankohej për krijimin e gjindarmërisë me elementa italianë, praninë e shumë trupave italiane në tokën shqiptare, futjen në zyra dhe në administratën publike të elementave italianë etj.

Kruja mundohej t'a bindte se e gjithë kjo i detyrohej nji nevoje të rastit dhe këshillonte Petro Markon të mbante parasysh fjalimin e mbajtun në Tiranë, fjalim në të cilin kishte justifikue gjêndjen e kishte shpallë programin e ardhshëm.

Ai i tha Petro Markos, në mbyllje të bisedës se, me mbarimin e nevojave të rastit, tue u bâ ndërkaq shqiptarët t'aftë dhe në naltsinë e gjêndjes politike dhe administrative, do të mbeteshin të vetmit administratorë të gjâsë publike.

Petro Marko pati, me ndërhymjen e Krujës, nji ndihmë të parë prej 1000 fr. Shq. dhe premtimin e nji sistemimi qi u propozua prej vetë Markos: në sektorin e organizimit të të rinjve shqiptarë jashtë Shtetit, ose si korrespondent i gazetës "Tomorri" n'Itali, ose si zadhânës i zyrës së shtypit dhe propagandës.

Tue shkue për pushime pranë familjes, përpilon nji shpallje në Vlonë, e cila âsht n'aktet e proçesit. I arrestuem pohonte faktet dhe kundërshtonte disa pohime të z. Mustafa Kruja e të Qazim Koculit. Përsa i përket të parit, pohonte Petro Marko, nuk ishte e vërtetë ajo qi kishte thânë senatori Kruja në proçes-verbalin e 10 qershorit 1940, në kuptimin qi ai, Petro Marko, kishte tregue nji afrim me programin e tij politik dhe qi kishte deklarue se pranonte plotësisht gjêndjen aktuale.

Përsa i përket z. Qazim Koculi tha se ishte i pasaktë pohimi i tij në proçes-verbalin e 10 qershorit, simbas të cilit, në lëvizjen kombtare shqiptare në Francë nuk bânte pjesë Petro Marko. Deklaroi se z. Qazim e njifte shumë mirë, aq mâ tepër se të dy bâjshin pjesë në lëvizjen republikane, nji nga drejtuesit e së cilës ishte vetë Koculi.


Avokati Mbretnor Ushtarak


Trakt i përpiluem prej Petro Markos. Shën. i Hyllit të Dritës


VËLLA SHQIPTAR!

Po të dërguan në luftë, ti për kë do të luftosh? Pa tjetër për armiqtë e tu, do të vritesh e zhdukesh për të zgjatur jetën e për të shtuar forcën e armikut tënd më të madh, që është Italia fashiste.

Vëlla shqiptar, mos lufto për Italinë, sepse i bën varrin vetes, prandaj mos lufto për atë, mos u vrit, sepse Shqipëria ka nevojë të madhe për bijtë e saj. Nesër do të vijë dita e luftës sonë kundra çdo armiku të huaj që kërkon të na mbajë skllevër.

Vëlla shqiptar, duaje shqipen, duaje Shqipërinë sot më shumë se kurrë e lutu fshehurazi në çfarëdo feje të kesh; fol fshehurazi kudo që të kesh besim, fol o vëlla, sepse është detyrë e shenjtë e jotja të thuash se nuk do të luftosh për hesap t'Italisë, por që do të luftosh nesër, kur të vijë dita e jonë e bekuar, si më 1920.
Mba parasysh se sot ke me vete gjithë popujt e se nuk je i vetëm.
Dije se kjo luftë do të çlirojë çdo popull.

Dije se Shqipëria sot ka bijtë e saj që punojnë ditë e natë, brënda e jashtë, për çlirimin e Atdheut tonë.
Prandaj sot mendohu mirë e mos i vër vesh premtimeve e fjalëve, që kanë për qëllim të të mashtrojnë e të të bëjnë të luftosh për madhështinë e armikut tënd, që është Italia fashiste.

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP



"Hylli i Dritës", në treg botimi i tretë

j. p | 28/12/2009

Hidhet në qarkullim numri i tretë i revistës "Hylli i Dritës", tre mujore, e themeluar që në vitin 1913 prej At Gjergj Fishtës. Në këtë botim, trajtohen tema për historinë, gjuhësinë, letërsinë arbëreshe, epigrafinë françeskane në Shqipëri, mitologjinë greke, recensione mbi veprën e Kutelit, Poradecit, figurën e Skënderbeut.

Artikujt për shqipen u përkasin kapitujve: "Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe dhe gjeografia gjuhësore" nga Bahri Beci, "Albanian loan nouns in Bulgarian and Macedonian: word-formation, morphological adaptation and derivational productivity" nga Corinna Leschber dhe trajtimi i helenistit francez Gabriel Ancey "L'albanais Dans le Mythe Grec" (Gjuha shqipe në mitin grek).

"Muri i Berlinit dhe letërsia që di unë" nga shkrimtari Visar Zhiti, ai "Agesilao Milano: patriota arbёresh, tra storia e letteratura"që flet për arbëreshin Axhezilao Milanos dhe studimi i Michael Schmidt-Neke "'Escandalor' gjurmë shqiptare në romanin "Tirant lo blanch" të Joanot Martorell" janë artikujt letrarë që lexuesi gjen në këtë numër.

Një vend më rëndësi kanë temat historike: "E drejta dokësore shqiptare në vështrimin etnik, trajtuar nga studiuesi Kazuhiko Jamamoto" studim i historianit Mark Tita, apo "Mite dhe fakte rreth etnogjenezës dhe "Atdheut të hershëm" të shqiptarëve. Aspekte historike dhe gjuhësore diakronike" të diskutuara në mbledhjen e Institutit të Juglindjes në Regensburg më 24 prill 2009.

Anton Çefa paraqet në këtë botim të "Hyllit të Dritës", një analizë për "Kuptimësinë e dhembjes në poezinë e Lasgush Poradecit", me titull "Kush ma diti poezinë, dhembjet nuk m'i diti dot".

" 'E madhe është gjëma e mëkatit'. Mes Tatës dhe Uratës", është recensioni që poetja e re Alisa Velaj ka bërë për veprën e Kutelit. Në revistë është botuar gjithashtu, kapitulli i tretë i librit të teologut amerikan John Baldovin me titull "Joseph Ratzinger-i dhe kritika teologjike e reformës liturgjike"

Rubrika e përhershme "Kujtesa e Hyllit" i është kushtuar At Vinçenc Prennushit, me rastin e 60-vjetorit të vdekjes.
Kurse tek "Arkivi i Hylllit", botohet një biografi e shkurtër për përkthyesin e letërsisë klasike Mark Dema dhe disa faqe me shënime biografike dhe kujtime të shkrimtares Elena Gjika Merlika-Kruja,

Botimi i tretë, për vitin 2009, i "Hyllit të Dritës" mbyllet me një recension për figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.


© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP

Letërsia në pritje të poetit

Ardian Ndreca | 06/01/2010

Mbas viteve '90 e ashtuquejtuna "letërsia e fundit të arkës" apo "letërsia e sirtarit" na ka befasue ma së shumti me pamjaftueshmëninë e saj. Ndër të gjithë autorët e kësaj letërsie ndahet në shenj Zef Zorba (1920-1993)


Nuk asht e tepërt me thanë dy fjalë për poetin Zef Zorba, mbasi në nji vend ku fjalosena dhunshëm çdo ditë me banalen dhe nuk mbërrijmë me shque esencën e gjanave, Zef Zorba ka nevojë me iu paraqitë lexuesit.


Në të vërtetë ai nuk don me u paraqitë, e ketë gja e tregon ma së mirit poezia e tij hermetike, e difton mungesa e dëshirës me u dukë - që e shoqnoi gjatë gjithë jetës, e dishmon jeta e tij e mbyllun, fakti që sa qe gjallë nuk botoi asgja, dhe vetë qenja dhe dukja e tij fisnike dhe e distancueme prej gjanave dhe prej kohës që iu dha me jetue.


Jeta e poetit Zef Zorba ka pak data, mbasi kuptimsia e qenjes së tij vinte prej përtypjes së pafund të emocioneve dhe prej hapsinës së pamatun të ndjenjave. Emocionet e ndjenjat nuk kanë data, pse nuk maten me ditë e me orë, por vetëm me intensitetin e tyne të papërsëritshëm.


Flas për nji kohë kur poezia ishte çnjerzue prej idhujtarisë së verbët të pushtetit, e asokohe Zef Zorba maste hapat e shpirtit të vet me ritmet e Montale-s, Quasimodo-s, Ungaretti-t, me tingujt e Ravel-it, Fauré-së, Prokofjevit, me idetë e Benedetto Croce-s e H.-G. Gadamer-it.


Të gjitha këto gjana banin që qenja e tij të ishte krejt e huej për at' kohë.
Zef Zorba ka lindë në vitin 1920 në Kotorr në nji familje tregtarësh shkodranë. Mbasi kreu liceun në Shkodër vijoi studimet në Padovë, në degën e Shkencave politike. Ndërpret shkollën për shkak të luftës dhe kthehet në Shkodër, ku nis me punue në bankë.


Në vitet 1945-'46 punon si regjisor tue vu në skenë disa vepra teatrale. Arrestohet në vitin 1946 për agjitacion e propagandë dhe del prej burgut mbas pesë vitesh. Arrestohet së bashku me Terezën, vajzën që do të bahej shoqja e tij e jetës, e cila do të vuejë burgun po për pesë vjetë.


Mbas vitit 1951 ban punë të randomta, ma së shumti si llogaritar në ndërmarrje të ndryshme në Shkodër. Megjithatë jeta e tij nuk ka asgja të përbashkët as me punën që i jep me hangër dhe as me kohën e mjerë në të cilën jeton.Shkruen e përkthen papushim deri në fund, por pa mujtë e pa dashtë me botue kurrë asnji varg.


Me datën 6 janar të vitit 1993 vdes në qytetin e Shkodrës, gati i panjohtun si poet.
E vetmja përmbledhje poetike që ka pa deri më sot dritën e botimit asht "Buzë të ngrira në gaz"(Dituria, Tiranë 1994).


Për këtë përmbledhje studiuesi Sabri Hamiti ka shkrue tash së fundi: "Libri i poezisë Buzë të ngrira në gaz dhe zbulimi i tij është hyrje në zgjidhjen e enigmës së poezisë moderne shqipe, që është edhe zgjidhje e enigmës së autorit, që zgjat gjysmë shekulli" (Albanizma, Prishtinë, 2009, f. 155).


Poezia shqiptare njeh në gjysmën e dytë të shekullit të kaluem vetëm dy poetë hermetikë: Martin Camajn dhe Zef Zorbën. I pari, i ikun, i dyti i padukshëm.


Camaj mbart në hermetizmin e tij diçka prej mënyrave lakonike të shprehjes së urtisë së malsorëve, ndërsa Zorba asht i errët, "skoteinos" në sensin antik grek të termit, ai ia mbyll dritaren mushicave por len që nepërmjet saj të depërtojë nji dritë e zbehtë hane që i jep kuptim çdo gjaje. Tek vargu i Zef Zorbës ajo çka ka ma shumë randësi asht hija e objekteve sesa vetë përmasat e tyne reale.


Po të marrim burgimin e tij, do të shohim se dhimbja e vuejtja e asaj padrejtësie nuk janë të pranishme në kujtimet e tija në gjinin e familjes. Gjithçka asht kthye në varg, tue kalue përtej së keqes që i ka ndodhë atij vetë. Qe se çka shkruen tek poezia "Shkalla e Kararriqit":


Harbon përbindshëm rrëpira
e ngeshme në perspektivë
për t'u qepur në një kënd
me qiellin e detin.

...
O natë, o natë,
mos ky na qenka pikësynimi?

Asht nji moment prej jetës së burgut, nji mbramje e mnershme dimni, kur bajonetat e rojeve duket se shpojnë rrshiqat që derdhin shiun e pafund mbi kënetën ku takohen ernat e maleve me ato të detit. Nji natë e paskaj duket se asht tue çilë kapakët e vet mbytës para tij. Drejt saj poeti ec i brishtë me fjalët e tija të cungueme prej dhimbjesh e prej mungesash esenciale.


Kjo asht forca poetike nepërmjet së cilës poeti Zef Zorba rikrijon dhimbjen e vuejtjen nepër të cilën asht përshkue jeta e tij.
Hermetizmi i tij nuk ka funksion mbrojtës, mbasi ai nuk donte e nuk mendonte me i botue poezitë e tija në të gjallë të vet.


Hermetizmi i Zef Zorbës ka kuptim të dyfishtë: ekzistencial dhe profetik.
Ekzistencial pse koha në të cilën ai jetoi nuk i lejonte as të mirët e as të këqijtë me përftue idena të qarta e të dallueshme.


Profetik, pse poeti mbërrin me shikue përtej mjegullës së kohës dhe me dhanë sinjale, të cilat për shumëkend janë të dobta e të pakuptueshme, por mbartin me vete nji andërr të pame me sytë çilë, siç e ka përçansue "andrrën e shpresës shndërruese" filozofi Ernst Bloch.


Poezia e tij asht e përshkueme anë e përtej prej notash lirike që herë herë janë të pakapshme prej lexuesit të randomtë:
Shpejto, pranverë!
Kjo shpresë qenkish tharm që shpirtin brenë
ma keq se urithi dhenë

Ose kur shkruen:
Shiu mênë
një rreze e hollë
nisë tymrat e po i çanë
ne kapemi për të
e hipim përmbi re.

Nji prej poezive të tija ma të bukura titullohet "A s'ma ndërtoni një shtëpi":
A s'ma ndërtoni një shtëpi aty,
aty, po aty, përtej, në mes të pyllit
ku pishat shul me ahat shpupurishen
aq dendur janë, e ku stuhi e murlan
- kur sulen me zhaurimë e me poterë -
ndijimet marramendthi i pështjellojnë
e mbeten ashtu lmuç të laskaruara
si përmes gjethesh shprishur rreze e hënës.

Mbas viteve '90 e ashtuquejtuna "letërsia e fundit të arkës" apo "letërsia e sirtarit" na ka befasue ma së shumti me pamjaftueshmëninë e saj. Asgja nuk qe siç e patëm andrrue, e kjo s'vlen vetëm për demokracinë e përgjumun, por edhe për letërsinë e fjetun.


Ndër të gjithë autorët e "letërsisë së sirtarit" ndahet në shenj Zef Zorba, frymëmarrja poetike e të cilit ka gjallnue fjalë e thërrmiza fjalësh, pa pasë nevojë me u ba patetik apo i mërzitshëm.


Ai bahet gati sot, ma në fund, me ardhë drejt lexuesit me nji botim të ri, tue na pru freskinë e tij ndriçuese me fjalën e kursyeme e me penelatat e zbehta që kajherë lejojnë me shikue edhe përtej vetë fjalës.

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP


[ Edited Mon Jan 11 2010, 11:15am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Jan 11 2010, 11:06am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Krishtlindja e internimit 1951

Elena Gjika Merlika - Kruja | 11/01/2010

Një fushë përqendrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qenie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë kazerma.

Nga "Arkivi i Hyllit të Dritës" botojmë një nga tekstet me kujtime të Elena Gjika Merlika - Krujës dhe prezantojmë këtë grua "të huaj" që jetoi për gjysmë shekulli në kampe pune e dëbimi.

Tepelena.... Kanë kaluar dyzet vite, por kujtimet janë ende aq të gjalla e aq të pranishme. Këta rrjeshta, këto ndodhi, ju që i keni jetuar ndoshta nuk do t'i lexoni kurrë, por kush mundohet t'i ripërtërijë ua kushton juve, heronj të heshtur e të harruar të një tragjedie e cila, kur jetohej, nuk kuptohej sa e madhe dhe e thellë ishte.

Anxhela, Maria, Ana, Antoni, e mund të kujtoj ende qindra emra, e si pamje të njëmbasnjëshme të një filmi, shumë fytyra që rikthehen e më shohin, sy të trembur, çehre të zbehta të shënuara nga vetëdija e terrorit që shoqëronte çdo ditë jetën tonë.
Një fushë përqëndrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qënie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë kazerma.

E të mendosh se atëherë e gjithë popullsia shqiptare nuk arrinte në një milion! Vendi i zgjedhur ishte llogaritur deri në hollësitë më të imta: një ultësirë e gjërë, gati si një fushë e vogël beteje, e rrethuar pikërisht nga kazerma, bazë prapavije e ushtarake për ushtrinë italiane gjatë luftës italo - greke në vitet e luftës së dytë botërore.

Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjëmba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr për t'u ngrohur me rrezikun për të mbetur, të lidhur, gjithë natën jashtë në ngricë. Zgjimi bëhej në mëngjes herët. Katërqind vetë në çdo kazermë, shtrënguar njëri me tjetrin në dy kate shtretërish të pandërprerë dërrase në të gjithë gjatësinë e saj.

Nuk ishin lejuar më shumë se gjashtëdhjetë centimetra për secilin prej nesh; dyshekët, për këdo që kishte fatin t'i kishte, dukeshin si rrugica të vogla e të ngushta. Bëhej thirrja e emrave, me ngut, pastaj nisja për në punë.

Të gjithë të rinjtë në mal: nuk mjaftonin dy orë ecje për të arritur, për t'u kacavjerrur më pas nëpër një shteg shumë të ngushtë e të pjerrët deri atje lart ku ishte pylli ku punonim.

Duhet të kishe krahë e muskuj të fuqishëm, për të prerë drunjtë me sëpatë, për t'i shpënë në kurriz poshtë në një livadh të vogël të stivuar, për t'u kthyer përsëri sipër e për të zbritur disa herë i ngarkuar deri sa të plotësohej sasia e kërkuar nga ata që na shoqëronin, rojet e kampit.

I shëmbëllenim një karvani që, në rrjesht indian, mezi ngjitej e zbriste i heshtur, me këmbët që dhimbnin, herë-herë të gjakosura, të mbathura me një copë lëkure derri që bashkë me lidhëset merrte formë sandallesh.

Deri në mbrëmje me stomak bosh dhe gojën e shkrumbuar nga mungesa e ujit: në perëndim të diellit rrjeshti i gjatë i këtyre qënieve njerëzore vihej përsëri në rrugë për t'u kthyer "në shtëpi". Ishim gjithmonë të ngarkuar me dru, copa të gjata e të trasha të lidhura me litar mbi kurrizet tona.
Ishte tashmë natë kur arrinim në kamp.

Pleqtë, të sëmurët, prisnin kthimin tonë me ankth mbas murit të telave me gjëmba; pastaj fëmijët. Nuk mund të harroj kurrë fëmijët tanë që na dilnin përpara, të zbathur, të rreckosur, fëmijët që i linim në mëngjes duke lutur Zotin t'i gjenim shëndoshë e mirë në darkë.

Por sa nëna në kthim gjenin një kufomëz: sëmundjet, veçanërisht ndërmjet fëmijëve, korrnin viktima pa mëshirë. Nuk kishte barna. Një mjek, dhe ai i përndjekur mbasi nuk ishte komunist i besuar, aftësia profesionale e të cilit zbehej e pafuqishme para aq fatkeqësish e aq mjerime, vinte duart në kokë kur hynte në kamp.

Megjithatë gruaja shqiptare, nëna shqiptare e atyre viteve kishte një vendosmëri stoike: me duart e veta varroste krijesën e saj, pa derdhur asnjë pikë loti. Nuk kishte më lot në sytë tanë, i kishim derdhur të gjithë! Të nesërmen shkohej në punë, e kështu vite me rradhë. Një kazan me ujë të zier me ndonjë kokërr fasule brënda e një copë bukë, ky ishte ushqimi ynë; në mëngjes pak ujë me ngjyrë të errët që duhet të ishte "çaj".

Afroheshin Krishtlindjet 1951. Shokë internimi ishin me ne disa meshtarë, Don Nikoll Mazreku, At Viktor Volaj, At Jak Gardin, ky i fundit italian. Të tjerëve nuk ua kujtoj më emrat. Menduam t'a lusnim atë Krishtlindje me një Meshë.

Nuk kishte vetëm katolikë në kampin tonë, kishte myslimanë, ortodoksë, por nisma duhet t'ishte e jona e nuk qe e lehtë. Në 1951 ishin ende të hapura kishat e xhamitë, por ishin në përgatitje ligjet që do të miratonin mbylljen e tyre dhe do të vendosnin ateizmin si "fe" të Shtetit.

Kërkesën tonë drejtoria e kampit e kundërshtoi prerë: çdo të thotë "Krishtlindje" tha drejtori Xhaferr Pogaçe, ne nuk njohim veçse Pashkët. Me durim të pamasë i shpjeguam se Pashkët përkujtonin vdekjen e Jezuit tonë, por Krishtlindja ishte festa e gjithë njerëzimit sepse kremtonte lindjen e tij.

Asgjë, për më tepër se Krishtlindjet nuk binin të dielën, por më duket se n'atë të largëtin 1951 në një ditë pune. I siguruam se do të shkonim të gjithë në punë, pa dallim, mjaft që të na lejonin të ktheheshim pak më shpejt, para se të errësohej. Nuk kishim drita, as qirinj, as dhe një bishtuk.

Sa lutje burgosësve tanë, por qemë të gjithë në një fjalë, pavarësisht nga besimi i secilit, atje ku na mblidhnin për të nisur rrugën e malit në punën tonë, nuk lëvizëm deri sa na premtuam se mund të lusnim Meshën e Shenjtë që, në padijen e tyre, nuk arrinin të kuptonin çfarë ishte dhe pse ne e dëshironim aq shumë.

Ku do të thuhej kjo Meshë? Na caktuan mbeturinat e një kazerme, pothuajse të shkatërruar nga granatat greke, ku vetëm një mur kishte mbetur mrekullisht në këmbë, por ku kishte vënd për të gjithë.

Filloi kështu puna për pastrimin e vëndit nga gurët, blloqet, barishtet e mbeturinat, gjithmonë mbas pune, n'errësirë me flakën e copave të pishës së ndezur që shërbenin si pishtarë drite.

Buzëqeshnin Don Nikolla e At Gardini në mes nesh duke na ndihmuar. At Gardini organizoi korin: nuk ishin më shumë se shtatë a tetë gra e burra por ia dolëm në krye. Don Nikolli do të çonte meshën.

U kthyem me vrap nga puna atë 25 dhjetor 1951. Kazerma e prishur ishte mbushur me gjind. Altari, i mbështetur në të vetmin mur të mbetur në këmbë, mbështetej mbi një grumbull gurësh të renditur mirë e të mbuluar nga një çarçaf i bardhë.

Don Nikolli kishte ruajtur fshehtas një kupë dhe disa ostie e filloi meshën. Pothuajse pa u vënë re rojet e kampit u afruan "për të vigjëluar", por besoj më shumë për kërshëri, për të parë se çfarë ishte ajo gjë për të cilën u ishim lutur aq shumë.

Kush u dha zërave tanë aq fuqi sa dukej se jehona arrinte deri në qytet? "Adeste fideles", "Natë yjesh", "Ti zbret nga yjet" u përhapën në hapësirë duke mallëngjyer të gjithë të pranishmit. Don Nikolli në predkun shqiptoi pak fjalë, të thjeshta, të thella, si ato që vetëm Krishterimi mund të frymëzojë.

Nuk dëgjohej as flladi më i lehtë; së fundi notat e këndshme e të thella të Ave Maria, ndërsa meshtari përsëriste si ndër shekuj "Ite Missa est" dhe qe një shpërthim lotësh e duarsh që ngriheshin lart drejt qiellit... Atëherë të gjithë fuqishëm tonin "Christus vincit, Christur regnat"; tashmë ishte natë.

Don Nikoll Mazreku e At Gardini janë ende gjallë, nuk di nëse do të lexojnë ndonjëherë këta rrjeshta të thjeshtë, por cilido që qe i pranishëm, si unë, në atë ndodhi nuk do t'i harrojë kurrë.

Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, kantieri 216, nga Tirana, Kampi nr. 3, në Lushnjë, Gradisht, Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi.

Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato malësore, me ato fshatare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetonja, flisnja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin dashuri e më jepnin kurajo, kemi kaluar një jetë të tërë.

E kthyer në 1990 në Itali munda të shoh një Kishë, t'i afrohem një altari, të marr kungimin e shenjtë.

Gjithshka është e bukur, magjepsëse, por asgjë nuk mund të barazohet me emocionin aq të thellë, aq të mirëfilltë të asaj Krishtlindjeje të largët 1951, mes kaq dhimbjeje, kaq vuajtjesh por edhe kaq shpresash në Virgjëreshën e Bekuar, Ruzari i së cilës shoqëronte kthimin tonë nga ajo punë çnjerëzore dhe e padrejtë, fryt i një ideologjie të rreme e të mallkuar.

Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e kazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjienike në të cilat jetohej. Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro.

Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa t'a quanin "t'arsyeshme" xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme!

Ishte viti 1952, kishte pesë vite që ishim "mysafirë" në Tepelenë. Jetonja me vjehrrën dhe djalin tim, dukeshim një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm. Im shoq, që ishte dënuar me 15 vjet pune të detyruar si "Armik i popullit", ndiqte kalvarin e tij në kampet e tmerrshme të Maliqit, ku të burgosurit duhej të thanin kënetën me krahë e jo me mjete mekanike.

Kanale gjigandë, që duhej të çonin drejt detit ujërat e shumta të kënetës, për të liruar qindra mijra hektarë toke, ky ishte objekti i punës së "armiqve të popullit". Për vite të tëra nuk jemi parë, ndonjëherë këmbenim pak rrjeshta, kur e lejonin, për t'u siguruar se ishim gjallë.

Erdhi pranvera, malet u veshën me gjineshtra, shumë gjineshtra me ngjyrën e verdhë dhe me aromën e tyre. Stina e bukur duhej të na jepte pak ngushëllim e më shumë fuqi në punën tonë. Ndërsa për ne ishte fillimi i një ankthi: nisnin shpërnguljet për arsye pune.

Të tjera kampe na prisnin, të tjera mundime, të tjera "plane" të regjimit komunist, për t'u sendërtuar "për të mirën e popullit", nëpërmjet vuajtjeve dhe poshtërimeve tona.

N'atë vit i gjithë vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë.

Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit në ato kazerma, na katandisën në skeletër shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysëm i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me rradhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t'u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës.

Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zjeja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.

Të ftohtit po pakësohej me kalimin e ditëve, afrohej maji dhe epidemia zvogëlohej si shtrirje e si rrezikshmëri.

Në një ditë të bukur me diell u zgjuam të befasuar nga një sërë kamionësh të ndritshëm, me një grup të madh policësh që i shoqëronin e që drejtoheshin nga një oficer i ri, me një sjellje më pak të ashpër nga rojet tona të zakonshme e më i edukuar. Vinte nga Tirana dhe duhej të përfaqësonte "me dinjitet" ata që e kishin dërguar.

Atë ditë nuk shkuam në punë: u bë një mbledhje e përgjithshme në fushën e gjërë të kampit, ku u lexuan shifra e të dhëna mbi realizimet e mëdha të regjimit për "të mirën dhe përparimin e popullit", programe të tjera pune e, si përfundim, lista me emrat e atyre që brënda një ore duhej të linin kampin e Tepelenës për arsye pune e do të shpërnguleshin gjetiu, në një drejtim të panjohur deri në çastin e mbrritjes në vëndin e caktuar.

Një heshtje e plotë nga të pranishmit dhe një pritje me dridhje: së pari nevoja për tridhjetë punëtore gra, emri im i pari në listë, "në krye të klasifikimit", më pas 29 të tjera; pastaj burrat për dy qëllime të ndryshme, njëqind me ne gratë, njëqind gjetiu.

Me të thënë e me të bërë: brenda një ore dysheku i palosur e i lidhur, një valixhe druri në dorë e të gjithë në rrjesht para kamionave që duhej të ngarkonin më parë teshat e, mbi këto, tridhjetë vetë në secilin automjet.

Të kota lutjet për të më zëvendësuar me ndonjërën që nuk kishte fëmijë. Dolën shumë gra të reja që ishin gati të zinin vëndin tim, mbasi kisha një fëmijë dhe vjehrrën të moshuar e të sëmurë. I luteshin komandantit të operacionit të më linte në Tepelenë me të dashurit e mij, por nuk qe e mundur.

Nuk mund të harroj kurrë atë skenë: vjehrra, pothuajse një hije, që më shihte nga dera e kazermës së madhe, djali im që kacavirrej në spondën e maqinës e më thërriste, polici që i binte duarve të tij me qytën e pushkës, ai që binte por nuk epej dhe ne që ishim shtrënguar pranë njëra tjetrës mbi dyshekët në një heshtje varri.

Na dhanë një racion bukë e një presh, ishte e mjaftueshme për një ditë! Lotët e vjehrrës, që kishte zëvendësuar nënën të cilën nuk e shihnja prej dhjetë vitesh, nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa ime së bashku me zërin e hollë të fëmijës time "mama, mama".

Të tjera gra e merrnin me të mirë e më thoshin të ikja e qetë mbasi do të kujdeseshin ato për të, se së shpejti do të bashkoheshim përsëri... Kollona e gjatë e maqinave u nis e pak nga pak u zhdukën shëmbëlltyrat e të dashurve tanë dhe pamja e atij kampi të mallkuar.

U nisa dhe Tepelenën nuk e pashë më kurrë. Kaluam në kampe të tjera vite të gjata, vende të ndryshme, por gjithmonë me një ankth që na printe e na përcillte: e panjohura e së nesërmes.

Ç'do të bëhej me ne?


Krishtlindje 1991

Titulli redaksional, titulli i parë i "Nëpërmjet kujtimeve të mija".


Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro. Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë.

Shënime biografike

Këto dy shkrime i përkasin një firme të panjohur për lexuesin shqiptar, megjithëse mbiemri, si vajzë e si grua na sjell ndërmend dy figura të njohura të publicistikës shqiptare si Sotir Gjika dhe Mustafa Merlika - Kruja.

Elena ishte bija e Sotir Gjikës dhe nuse e djalit të Mustafa Krujës, Petritit. Lindi në Romë më 27 gusht 1920.

Atëherë familja, e përbërë nga babai gazetar, nëna, (Angela Lili Quarta) mësuese dhe vëllai, dy vjet më i madh, Aleksandri, banonte në Romë në Via Salaria. Shpejt familja u vendos në Bari, ku babai i saj, i sëmurë në një mision në jugë të Shqipërisë, kaloi vitet e fundit, deri sa ndërroi jetë në moshën 37-vjeçare, duke lënë dy fëmijët jetimë, përkatësisht 9 e 7 vjeç.

Elena vazhdoi shkollën fillore e të mesme, duke u dalluar për rezultate shumë të mira në mësime, duke kaluar edhe dy vite shkolle në një vit studimi. Mbas mbarimit të liceut shkoi për studime në Napoli, n'universitetin e atij qyteti, një nga më të lashtit n'Europë.

Atje u regjistrua në Fakultetin e Gjuhë - Letërsisë, ku u diplomua me rezultatin më të lartë (30 me lavdërim) në pranverën e vitit 1941, pa mbushur ende 21 vjetët. Në vlerësim të laureantes Akademia e Shkencave t'Italisë i botoi tezën e diplomës, një studim mbi historinë e vendit tonë, që titullohej "Liria e Shqipërisë dhe politika italiane nga 1878 deri më 1912".

Relatori i tezës, filozofi i njohur Adolfo Ommodeo, i propozoi qëndrimin si docente në Universitet, duke i premtuar një katedër mbas dhjetë vitesh, por fati i saj do ta shtynte në një drejtim tjetër. U kthye në Bari, ku dha mësime për një vit në Liceun ku kishte qenë nxënëse katër vite më parë.

Viti 1942 do të shënonte kthesën e madhe të jetës së saj, duke e shkëputur nga profesioni i mësuesisë, si pasojë e martesës me Petrit Merlikën, që ishte diplomuar dy vite më parë si inxhinier elektrik në Grenoblë të Francës. Familja e re fillon jetën e saj në Tiranë, kur vjehrri i saj, Mustafa Kruja kishte funksionin e kryeministrit, por vazhdonte edhe punën shkencore me "Fjalorin e madh të gjuhës shqipe".

Elena kishte njohuri të thella për gjuhët klasike e shërbente si këshilltare për Krujën dhe Xhuvanin, që shpesh punonin së bashku për etimologjinë e fjalëve të ndryshme, sidomos kur ato i referoheshin atyre gjuhëve.

Disa vite më vonë, kur gjithshka ishte përmbysur në jetën e Elenës, kur iu desh të përballojë një fillim tejet të vështirë, me burrin e kunatin në burg, me një fëmijë dy vjeç e një vjehërr jo të re me vete, u drejtua tek profesori që e njihte mirë për të kërkuar ndihmën e tij, për të zënë punë si bibliotekare.

Profesor Xhuvani iu përgjigj kështu kërkesës së saj: "Jo në Shqipëri, por as në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatshëm për atë punë, por... nuk kam asnjë mundësi të të ndihmoj."

Ishte viti 1946 dhe Elena u vu para një dileme të fortë: t'i binte ferrit pash më pash, duke ruajtur familjen, martesën e fëmijën apo të braktiste gjithshka e të kthehej në vendin e saj për të rifilluar një tjetër jetë e, mbase, një karrierë të shkëlqyer universitare. Zgjedhja nuk ishte e lehtë, por ajo me karakterin e saj të fortë dhe me formimin katolik që kishte, e bëri menjëherë.

Qëndroi për të rritur atë fëmijë së cilës i kishte dhënë jetën, për të ruajtur atë familje në të cilën besonte me gjithë forcën e ndjenjave të saj e, së fundi, për t'i mbajtur lart dinjitetin e familjeve të prejardhjes dhe të asaj të fituar. E shtynte n'atë drejtim dhe respekti e dashuria për vjehrrin e saj, të cilit ishte e vetmja që i thërriste baba.

Vazhdimi i jetës është përshkruar saktë në shkrimin e saj që po botohet. Dy shkrime që i ndan hapësira e një gjysmë shekulli, njëri n'agim e tjetri në perëndim të një jete që kaloi në kampet e sprovave makabre të "socializmit", një potencial intelektual e njerëzor i shpërdoruar barbarisht nga një regjim absurd dhe kriminal, një nga të shumtat histori të asgjësimit të intelektualëve nga një sistem që ngrihej mbi dhunën, urrejtjen e mashtrimin.

E rikthyer në Itali mbas gati gjysmë shekulli, nuk gjeti asgjë nga ato që kishte lënë, qe e vetmja italiane që nuk pati mundësi t'i shihte t'afërmit e saj asnjëherë.

U ngushëllua me mbesat dhe nipin të cilëve u mësoi gjuhët e vjetra, letërsinë, filozofinë, njëlloj sikur t'ishte shkëputur një vit më parë nga mësimdhënia... Arriti të shohë vetëm diplomimin e mbesës së madhe, Edirës, por u la bekimin e saj të treve. U nda nga të dashurit më 5 tetor 2002, mbas një jave qëndrimi në spitalin e Latinës.

U varros aty, por e la si amanet për së gjalli të kthehej në Shqipëri, vendi që i shkaktoi kaq vuajtje, por edhe ai në të cilin gjeti respektin, dashurinë e mirëkuptimin e të gjithë bashkëvuajtësve. Mbas tre vjetësh eshtrat e saj dhe të bashkëshortit do të gjejnë prehjen e përjetshme mes pllakave të bardha prej mermeri të një varri familjar në Krujë.

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP


[ Edited Mon Jan 11 2010, 11:07am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sun Feb 14 2010, 09:46pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Kush ka deshire me u abonu ne rrevisten e rihapun "Hylli i Dritës" te drejtume prej zotnise te nerum Ardian Ndreca, kto jane detalet per abonim.


Për abonime:

Për në Shqipni 4 numra në vit kushtojnë 2000 lekë.
Për në Europë 4 numra në vit kushtojnë 30 euro.
Për në SHBA 4 numra në vit kushtojnë 40 USD.

ProCredit Bank Tiranë Albania
Provinca Françeskane Shqiptare

Shkaku i derdhjes së pareve: Abonim tek revista Hylli i Dritës.

Swift code: FEFAAL TR
Llogaria në lekë: 60-004626-00-01
Llogaria në euro: 60-004626-00-04
Llogaria në USD: 60-004626-00-03


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sat Mar 06 2010, 03:05pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Toni i publicistikës së Lazër Shantojës

Ardian Ndreca | 05/03/2010

Më 5 mars 1945, nji nadje herët, së bashku me patriotin Sulçe Beg Bushatin, burrë kund 90-vjeçar, u pushkatue në rrethina të Tiranës. Ma se nji herë dashamirë të artit të tij u munduen me e gjetë atë vorr, por pa sukses.

Në fillimin e viteve '90 pakkush prej letrarëve e kritikëve dhe dashamirëve të artit e njihte në Shqipni shkrimtarin Lazër Shantoja.

Pak nga pak interesi i studjuesve dhe i kritikës u rrit e botimi i veprës së plotë letrare dhe i përkthimeve, në vitin 2005, ka ndihmue me e ba të njohtun këtë autor të veçantë të letërsisë së gjysmës së parë të shekullit të kaluem.

Në pikëpamjen estetike vepra e tij paraqet nji interes sepse në të jetojnë natyrshëm tendencat e letërsisë bashkëkohore të fillimeve të shekullit XX, sidomos gjejmë gjurmët e asaj franceze dhe gjermane.

Shantoja preferon prozën e shkurtë poetike, ku frazat e skalituna me kujdes e shprehjet idiomatike rreshtohen natyrshëm tue pikzue atmosfera dhe gjendje shpirtnore, figura njerzore dhe pejsazhe që mbesin të pashlyeme në vetëdijen e lexuesit.

Shumë prej shkrimeve të tija të viteve '20 dhe '30 duket se janë ekuivalentet letrare të fotografive artistike të Marubbit. Disa të tjera janë shkrepje që kanë fiksue aspekte tragjikomike të jetës politike e shoqnore të Shqipnisë së atyne viteve.

Nota ma e qartë që përshkon krijimtarinë e tij asht nji pesimizëm i hollë, që s'mbërrin me u msheh as mbas humorit të tij shkodran e as mbas sarkazmës zhbiruese.

Ironia dhe sarkazma e fortë e afrojnë në publicistikë me autorë si Karl Kraus-i dhe Kurt Tuchosky, forca e të cilëve tundi me rranjë Vjenën dhe Berlinin e gjysmës së parë të '900-ës.

Poezia e tij ka notat e pesimizmit kozmik leopardian, kurse rrëfimi i shtruet e i ambël me thekse baritore e afron me nji Chesterton. Gjithsesi tek ai ndihet e gjallë qenja shqiptar e stili i tij origjinal.

Jo më kot kujtonte përmallshëm në vitet '50 Ernest Koliqi, sesi në kohnat e para të krijimtarisë së tij shëtiste me Shantojën në Fushë Qelë në Shkodër tue folë për artin dhe se asokohe e konsideronte nji mentor të vetin, nji stilist të shkëlqyeshëm.

Lazër Shantoja ishte nji publicist që për hir të nji batute ironike nuk ngurronte me ba nji anmik, mbasi stili dhe arti për të ishin jetë e jeta nuk mund t'i nënshtrohet interesave të vogla të filistejve e mendësisë së pagdhendun të barbarëve.

Më 5 mars 1945, nji nadje herët, së bashku me patriotin Sulçe Beg Bushatin, burrë kund 90-vjeçar, u pushkatue në rrethina të Tiranës. Ma se nji herë dashamirë të artit të tij u munduen me e gjetë atë vorr, por pa sukses.

Harresa në Shqipni asht nji sëmundje endemike, e nuk zhbihet me komisione apo me task force që s'kanë me ba kurrgja.

Kujtesa historike ka nji çmim tepër të naltë moral, e sot nuk shihet këtej pari se kush mund ta paguejnë at' çmim!

Shantoja, ma mirë se kushdo tjetër, e dinte se kujtesa historike dhe drejtësia nuk ushqehen me fjalë të mëdhaja dhe me dokrra demagogjike.
Më 25 gusht të vitit 1923 ai shkruente në shtyllat e gazetës "Ora e Maleve" që botohej në Shkodër:

"Fjalët i merr era... por megjithatë kena gjithnduer fjalësh: fjalë t'urta, fjalë boshe, fjalë të reja, fjalë të moçme, fjalë të ndŷeta asè palavì, fjalë të forta, fjalë e grosh, fjalë të mira (e gurët në shtrajcë...) e ne e mbram:
FJALË TË MËDHAJA!

Fjalët e mëdhaja i flasin gjithherë njerzit e vogjel qi duen me u dukë të mëdhaj. Fjalët e mëdhaja i flasin mâ të shumtën e herës ata qi punët i kanë të vogla, por të mrapshta... .
Fjalët e mëdhaja janë të ndryshme: ndërtohen mbas eret qi fryen. N'erën qi âsht tue frŷ sot, ndîhen mâ fort këto fjalë të mëdhaja."

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Apr 06 2010, 10:40pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Lazër Shantoja - "Zâni i tё dekunit!"Share..

Yesterday at 16:01

Carlyle e fillon historin qi shkroi mbî revolucionin e Francës tё vjetit 1848 me kёto fjalё tё Montesquieu:
«Lum ai popull qi kà nji histori tё merzitshme«!
Po kjè se qetёsija e monotonija e ndolljevet historike pêrbâjn lumnín e nji kombi, atёherё Shqyptarёt e soçem do t’ishin me tё vertetё njerzt mâ tё mjerёt e botёs. Historija e Shqypnís sё lirё âsht nji kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicjonesh, partinash kaq tё mёdhaja, tё shpeshta, tё ndyeta e tё damshme qi nuk e gjênё askûnd shoqen nё botё.
Sot me hapjen e Kuvêndit Kushtetues populli shqyptàr çilё nji fletё tё rè e ngûlё nji cak tё ri qi kà me shenjue nji epokё n’historín kombёtare.
Me Kuvêndin Kushtetues na shqyptarёt dishrojm e pretendojm me e diejt tek e mbramja se kû jena! Do tё kuvêndim me letra tё zbulueme!
Jena teper tё lodhun e tё merzitum prej ndolljevet tё vjetvet qi shkuen: lypim qi historín e kombit t’onё t’a përshkojё mbas sodi jo mâ era e duhís, por flladi i nji jete mâ tё stabilizueme e tё normalizueme. Me daten e Kuvêndit Kushtetues historija shqyptare do tё fillojё m’u bâ mâ monotone! Do t’a diejm mâ nji herё at «ubi consistam» t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kercnime, pasigurina tё pàprâshme ekzistenca e jonё nuk mûnd tё mbâhet mâ.
Mjaft e kèm pà Shqypёniёn e mjerё tё bâme dûgajё për fitimin ekskluziv tё disà klasavet tё privilegjueme: mjaft mâ ndêj livadh kulloset kû rênd mbas rêndit u lёshuene politikâjt e improvizuem; mjaft e durueme porsi lâmё eksperimentash per aventurjera kozmopolitё; mjaft pësoj e bâme skakjerё lojnash diplomatike. Mjaft!
Sot popullit i kà ardhё shpirti nё fyt: sot populli don me diejt kategorikisht: a kà a s’kà Shqypni?
Tё mêndojm se kёsajё pvetje qeveritarёt t’onё tё deritashem nuk i kan gjegjё enè! Se kà Shqypni e beson sot, ndoshta, ministri, deputati, oficeri, nёpûnsi: me nji fjalё i frang-ar-rroguemi; por populli qi luftoj, qi pagoj, qi u dogj, qi u vorfnue, qi u fik... nuk mûnd t’a besojё kurr!
Janё disà vjet qi shteti ynё i ri velëzon neper udhet e hapёta tё lirís.
Si lexohet nё nji nder vjerrshat mâ tё bukurat e tё permêndunat t’Henrik Ibsenit, edhè Shqypnija i kà ngja «nji anijes qi udhton me nji tё dekun mbrêndё».
Nё barken e shtetit t’onё tё rrênuem ekonomikisht nuk gjêjm sot tjeter perposё nji trup tё dekunit. Ky i dekun âsht populli!
Qeveritarёt t’onё deri mё sot kujtuen me mbâjtё Shqypnín e... mytne popullin!
Por ky popull sot flet! prej gjumit tё dekёs çon zânin e me shpresё por edhè me guxim e kercnim pvetё: A kà Shqypni edhè per mue?
Po kjè se antarët e Kuvêndit Kushtetues me ligjёt qi do tё bâjn e me drejtёsín qi do tё ndjekin nuk kan me muejt me i gjegjё kёsajё pvetje, atbotё ajo Mbledhje s’kà me kên tjeter veç se fundi i nji farse e fillesa e nji tragjedije!..
Hyu mos e prêmtoftё!

Ora e Maleve, Shkodër, e Shtunde, 19 Kallnduer 1924, nr. 4.

Marre prej faqes te shume te neruemit Profesor Adrian Ndrea ne facebook.

trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.7901 sec, 0.4912 of that for queries. DB queries: 38. Memory Usage: 2,843kB