Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Tomislav Marijan
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Wed Oct 14 2009, 08:16am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Bilosnic, tigri dhe poeti i diellit që vjen nga Zara e Kroacisë

Nga Dhurata Hamzai

- Me poetin kroat me origjinë shqiptare Tomislav Marijan Bilosnic.

Kjo intervistë i është marrë poetit si pjesëmarrës në edicionin e 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë POETEKA, që u zhvillua këtë vit në Durrës nga 21 deri më 27 shtator 2009

Nuk e di ende, nëse do të ishte bukur t’i thoshe “poeti Tigër”, Tomilslav Marijan Bilonsnicit nga Zara e Kroacisë, ndërsa ke parë se mes 85 veprave të tij ai ka një vëllim fantastik me poezi kushtuar tigrit. Tigri i tij metaforik është i mahnitshëm, ai shfaqet në rrugën paqësore të Zarës, shfaqet i kadifejtë, tigri është fjala e tij e parë, është tigri i lidhur me shtëpinë, është tigri që kthehet për ta çuar në botën e amëshimit, tigri që ikën, plagoset e kthehet sërish.

“Rrezëllente

Kundërmonte

Egërtohej

Herëpashershëm vinte për ujë

Dhe largohej i fundit

Gjithnjë përmbushte zakonin e afatit

Gjithnjë përfitonte forcë

Fare s’i toleronte prekjet

Vinte rreth e rrotull meje

Bënte ç’kishte bërë më parë

Tigri im është lidhur me shtëpinë time

Duke mos lëshuar asnjë vend

Që i është premtuar”.


Kështu shkruhet në njërën prej poezive të tij. E ky tigër që gjezdis livadhet e blerta të fantazisë së poetit, është ende një dukuri misterioze për kritikën letrare, e për këtë, ndoshta si një tigër do të dukej në përfytyrimet tona fantastike edhe poeti. Kur lexova pas këtyre vargjeve që dija, poemën e tij “Trëndafilat e Elbasanit”, për të cilën i kishte mjaftuar edhe një vizitë e vetme në këtë qytet, po më dukej se kisha të bëja me dy poetë të ndryshëm. Mendova se “tigrin” e poetit Tomislav nuk e kisha kuptuar mirë. Nuk është një tigër ai poeti, por është tigri simbolik për të cilin Bilosnici shkruan përmes vijave ajrore të poezisë:

“Ende se besoj s’e ka heq dorë nga unë,
se s’do të kthehet më…”


Është ky poet, pra, që mes një mali me krijimtari, në vitin 2004 hodhi në qarkullim edhe një vëllim të tërë poetik me tigrin dhe që titullohet “Tigër”. Mbase ky vëllim do ta ketë bërë edhe më të njohur në botë, por nëse e njeh nga afër Tomislav Marijam Bolosnincin, të mbetet ta quash vetëm poeti i Diellit.

Ai temperament shpërthyes, ai buzagas i pandarë nga sytë, ajo energji e tij duket sikur ka mbledhur gjithë flladet, furtunat, erërat dhe diellin e Mesdheut në një zemër që brambullit prej flakëve të pasionit.

Tomislav Marijan Bilosnic lindi më 1947 në Zemunik, Zarë të Kroacisë.

Nëna e tij ishte me origjinë shqiptare nga Shkodra. Në një nga udhëpërshkrimet e tij nëpër Shqipëri ai shprehet : “Shqiptarët e parë erdhën në Zemunik gjatë muajit Maj, të vitit 1727. Në këtë mërgim të parë të madh, stërgjyshi im i largët nga ana e nënës, gjithashtu erdhi në Zemunik. Mbiemri i tij ishte Paleka (Paloka) me emrin Doka”. Si krijues Bilosnic është shumë dimensional.

Ai është nga poetët bashkëkohorë më në zë në Kroaci, fejtonist, kritik, piktor, fotograf, udhëpërshkues, korrespoedent, etj. Bilosnic ka shkruar mbi 50 libra, romane, vëllime poetike, studime, libra me haiku, albume me piktura të tij, libra me shënime udhëtimi..., një karrierë pafund. Ka udhëtuar në një pjesë të mirë të botës, ndërsa ka punuar si punëtor ndërtimi, teknik makinash, kamarier, shofer, kontabilist, administrator, gazetar, udhëheqës marketingu dhe referent i lartë komercial i pavarur.

Tomilslav Marijan Bolosnic ka qenë i dënuar, por edhe i shpërblyer. Si pjesëmarrës i Pranverës Kroate, ai u burgos, u përndoq e ndalua. Mes vlerësimeve që pati, nderimeve qytetare, çmimeve të shumta letrare të tij, përmendim “Stema e qytetit të Zarës”, një çmimi ky i qarkut Zarë për veprimtari artistike dhe shoqërore. Disa nga veprat më të njohura letrare të Tomislav Marijan Bilosnic janë “Sensa Luna”, Zarë 1968, “Edhe shoqëria që mbetet”, Zagreb 1977 ; “Skllavërimi i peshqve në ujin e zemrës”, Split 1977 ; “Il kaprikorno alato”, Napoli 1983 ; “Ballë për plumb”, “Mostar 1984” ; “Rrëfimi i njeriut të tepërt”, Zarë 2006 ;

“Drita e (Xhekson) Pollokut” (monografi me piktura) ; Zarë 2006 ; “Maska dhe fytyra”, Zarë 2006 ; “Liburna e vjetër”, Zarë 2007, etj, etj.


E cilado të ketë qenë jeta e tij, apo peripecitë që ka pasur, Bilosnic është një poet i madh, njohës i ndjesive të holla, dhe çlirues i së bukurës, është i pasur me intuitë dhe në krijimtarinë e tij vrrulltas kalon lëngu i jetës, me erëmimin e një vere të mirë mesdhetare. Gjatë takimit tonë në festivalin ndërkombëtar POETEKA, mes poezive që kishte poeti me vete ishte edhe poezia “Trëndafilat e Elbasanit”. Kjo vepër e tij ishte në përmasat e një poeme, të veshur me ngjyra muzikore dhe shije të çuditshme, jo si e një të huaji, por sikur Tomislavi të kishte lindur në këtë qytet, brez pas brezi. Ajo nuk është e shkruar si poezia e një vizitori, ose turisti dhe poeti e di mirë, më mirë se të gjithë pse ajo poezi është shkruar aq bukur. Ai nuk e flet dhe nuk e shkruan më gjuhën shqipe, por e kupton se e ka të shkruar në gjakun e tij këtë gjuhë.

Nga jeni ju poet?

-Unë Tomislav Marijan Bilosnici jam nga Zara e Kroacisë.

Zadar, i thonë sot, apo jo?

-Ashtu i thonë. Unë jam nga Zara e bukur, pra! (Qesh).

Ke të drejtë, le të ruajmë emrin e vjetër! Zoti Bilosnic, meqë ne dimë më shumë për krijimtarinë tuaj sesa për vendlindjen, na thuaj vetëm dy fjalë për veprat që ke bërë dhe vazhdo të na tregosh për vendin tënd, për Zarën e bukur.

- Ju vetë më thatë që dini se unë kam libra më tepër se shkrimtarët e tjerë, 84 tituj, dhe kam shkruar me mijëra tituj gazetareskë. Kam qenë redaktor i gazetave dhe kam filluar disa gazeta të reja që janë sot në Kroaci. Në pjesën më të madhe të këtyre veprave, në tetëdhjetë përqind të tyre ju do të gjeni vendin tim. Ju keni dëgjuar për bukuritë natyrore, për shtëpitë, vreshtat ullinjtë, për njerëzit. Që të gjitha këto janë të sipërfaqshme. Në librat e mi, është shpirti i këtij vendi.

Po ju vetë si poet, si njeri, këtë natyrë energjike, këtë shpirt të dashur dhe karakter entuziast, të trashëguar nga vendi juaj e keni?

- Unë kam lindur dhe jam rritur në një vend të begatë, që dora e njeriut në harmoni me Zotin e ka bërë të tillë. Unë kam ullinj dhe vreshta vetë në shtëpinë time dhe jam mësuar që me to duhet të jesh i kujdesshëm: me vreshtat si me gruan dhe me ullirin si me nënën. Kjo më ka bërë te jem i qeshur, entuziast dhe të mos jem i vrazhdë, dhe veç kësaj jam rritur në themelet e kulturës mesdhetare ku njerëzit janë me shumë ndjeshmëri, siç janë edhe këtu në Shqipëri, edhe në Kroaci, edhe në Itali, edhe në Afrikën e Veriut, apo në Francë, pra siç janë njerëzit e çdo vendi në bregdetin e Mesdheut. Në fund të fundit është ajo kultura antike që të gjithë e mbajnë me vete dhe kultura që kemi në gjak. Është një lidhje e çuditshme me këtë kulturë. Ne e ndiejmë këtë të veçantë, e ndiejmë se jemi të shenjtë.

Kur ju thoni tokat mesdhetare, apo Mesdheu, mua më kujtohen vërshimet e turistëve, vizitorëve. Ç’kuriozitet të madh që kanë për gjithçka! Si mendoni ju, turistët e dëmtojnë apo e pasurojnë shpirtin e një mesdhetari?

- Mua turistët nuk ma pasurojnë jetën, ata shkojnë pas Diellit. Por, më duket se nuk janë pjesë e Diellit, ata duhet të shkojnë në këto vendet tona në një mënyrë që duan ta përvetësojnë. Flas në mënyrën simbolike. Dielli si dashuri dhe si jetë nuk mund të merret me vete, duke e mbartur nga vendet tona. Ajo që kemi është një dhuratë nga Zoti.

Dolët tek një pyetje që doja t’ua bëja. Në botë imazhi i mesdhetarit është i ndarë në drejtime të kundërta; njeriu që do tokën, jetën, njeriu i diellit, i pasionit dhe i dëshirës, i dashurisë dhe në të kundërt imazhi që kanë politikanët e botës, gjaku i keq, i hidhur, luftarak, çfarë mesazhi ka poeti për këtë imazh kaq kontradiktor?

- Unë kam folur për situatën në Ballkan, në Durrës, dhe thashë mendimin tim se bota politike sot tenton nga globalizimi, nga jeta virtuale, ka përparësinë, nga ana tjetër i takon çdo individi, çdo shteti që të mbajë dhe të ruajë identitetin e vet. Ata, vlerat historike, vlerat themelore, ku janë më të pasur, ku janë më të njohur, në çfarë pike janë më të veçantë, duhet të rezistojnë dhe ajo është lufta e gjithëhershme që duhet të mos bëhet si luftë, por nëse është e mundur si një përqafim dashurie.

Është e vërtetë që gjithëkush sot përpiqet të ruajë identitetin e tij, por cilat janë rrënjët e tua të identitetit?

- Parardhësit e mi janë me rrënjë shqiptare. Ata janë Arbëreshë, të cilët kanë ardhur nga pjesa veriore e Shqipërisë, nga pjesa e Shkodrës dhe Ulqinit, ku jetojnë shqiptarët e sotëm.

Janë bij të Mesdheut. Paraardhësit e mi janë të lidhur me detin, me atë gurin që e rreh era dhe dallga, me atë shkëmbin e Sizifit që e mbajnë mbi shpinë, e i ngjiten mundimshëm malit mitik.


Si shkëmbi i Sizifit duket se ka rënduar edhe atdheu tek shqiptarët e mërguar. Pse paraardhësit tuaj kanë mundur të ruajnë kulturën arbëreshe.


- Unë mendoj se mëmëdheun ata e kanë mbartur me vete. Ai është yni, është pjesë e jona. Është pjesë e botëkuptimeve tona, është pjesë e ndjenjave tona, e mendimeve tona. Në të njëjtën mënyrë unë mbaj mend mënyrën se si kanë jetuar gjyshërit e mi, janë disa sende që nuk mund të sqarohen, por thjesht e njeh veten dhe e njeh mënyrën se si vjen ajo që ke trashëguar. E njeh vendin tënd si vendin tënd, e di që është yti, edhe pse s’ke qenë asnjëherë aty.

Po me Zarën si i përjetoni lidhjet?

-Me Zarën jam lidhur shumë dhe nëse doni të dini se sa, ju kujtoj se 80 libra i kam shkruajtur për Zarën dhe jetën e Zarës. Nëse flasim për 3 mijë vjetët e vjetra të Zarës, unë do të nis të flas për rrënjët të cilat depërtojnë deri këtu, që mbërrijnë deri këtu. Zara është e Liburnëve, është e Ilirëve kur shtetet ilire ishin të fuqishme, aq të fuqishme saqë edhe ishulli i Korfuzit ishte i Ilirëve. Ndaj mendoj se kultura jonë ka qenë, ajo s’ka humbur kurrkund, asnjëherë, veç injoranca jonë e përdhunon, e lë mbrapa herë pas here. Ajo është në gjakun tonë, në frymën tonë.

Zoti Bilosnic, ju ishit i ftuar në festivalin Ndërkombëtar të Poezisë që zhvillohet në Durrës. Patët rastin të takoheshit me shqiptarët, vëllezër të një gjaku. Çfarë rëndësie pati kjo për ju?

-Disa herë e kam përsëritur. Më vjen keq që nuk e di gjuhën, por kur ata shqiptarët takohen me mua, kështu si tani që jam me juve, kam ndjesi të çuditshme familjarizimi. Siç mund të shihet, në Elbasan komunikoj ashtu sikur unë e di gjuhën. Nuk e di se si kuptohem aq shpejt edhe në rrugë me njerëzit…

Nuk e kuptoj pse nisin të më duan e t’i dua aq shpejt. Në Durrës më ndodhi që disa njerëz që i kisha parë vitin e kaluar i përshëndeta dhe m’u afruan. Është ai impakt që unë këtu e ndjej natyrshëm veten, të lirë dhe me duket sikur i kam ditur e njohur shumë më parë disa gjëra, por edhe njerëzit që kam njohur duket sikur e dinë se çfarë unë mendoj.

Kjo është një pikëpyetje e madhe edhe për mua. Nuk mund ta sqaroj dot. I them shpesh vetes : Ku je ti dhe çfarë ndodh me ty?!

Kur mbërrita nga Durrësi në Elbasan me poetët e festivalit, i thashë vetes: Sonte unë jam në qytetin tim! Nuk e di pse ndodh kështu, nuk e di….

Këtë herë do të ndihmoj pak unë për përgjigjen. Tek poezia “Trëndafilat e Elbasanit”, ju m’u shfaqët sikur kishit qenë në tryezat e Elbasanit, sikur kishit fjetur si mik në familjet e tyre, sikur vajzat e Elbasanit ju kishin dashuruar që në moshë të re, sikur i dinit këngët e këtij qytetit, sikur ishit bir i Elbasanit. Ju siguroj se një poet i Elbasanit nuk e ka bërë kurrë një poezi të tillë për qytetin e tij...

- Nga e dini ju që unë dikur në jetën e mëparshme timen nuk kam jetuar në Elbasan?! Faleminderit për komentin që i bëtë poezisë sime. Edhe unë pyes veten se si është e mundur të kap ashtu sende, ndenja të pastra dhe të gjalla të jetës që me gjithë shpirt i ndjej dhe i shijoj. Në gjithë kaosin e ndjenjave, unë ndjej një lloj paqeje, dlirësie kur vi këtu.

Se si është kjo pjesë e Shqipërisë, si e njohur për mua, kjo botë e shqiptarëve e ndjerë në çdo segment të trupit tim. Kur fillon pranvera në Zarë, unë lahem në ujë lulesh, dhe unë nuk e kam ditur se në Elbasan ajo ditë festohej si ardhja e pranverës, e verës. Pra, në mënyrë simbolike unë e kam jetuar jetën e Elbasanit, qoftë edhe me një ritual të vetëm, në të njëjtën ditë, Ditën e Verës, ku unë lahem me ujë lulesh dhe fëmijët e Elbasanit ëmbëlsohen me ballokume.

Trashëgimia e vjetër kulturore e shqiptarëve është e shënuar me të njëjtën gjuhë, me të njëjtat shenja, me të njëjtin kalendar edhe në gjakun tim.
Kjo gjuha e gjakut është një gjuhë që shprehet lehtë pasandaj, me cilëndo gjuhë të botës. Është vetia jonë e përbashkët që më bën miqësor, më bën të bie në dashuri me gjërat e thjeshta e të bukura, me saksitë e luleve të mbjella nga duar nënash, vajzash e grash, sepse unë e marr me mend pse këto gjëra janë kështu e nuk janë ndryshe.

E di ç’gjuhë kanë trëndafilat, vreshtat, ullinjtë e Elbasanit, ashtu siç di dhe të Zarës së largët.

Ju jeni një udhëtar e përjetues i rrallë, në të gjitha udhët e jetës ngrini një poezi. Sa shumë poezi! Vepra voluminoze keni bërë. Nuk lodheni, nuk mërziteni, përse nuk e ndërprisni të shkruarin ndonjëherë? Cila forcë ju shtyn të shkruani pareshtur?

- Poezia ime kërkon të kthejë në jetë gjërat e bukura, gjërat e mira. E Bukura dhe e Mira mund të na vdesin përpara syve, nëse ne nuk i themi ose nuk i shkruajmë ato.

© Copyright 2007 tema.al


[ Edited Wed Oct 14 2009, 08:19am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
LUPEN
Wed Feb 22 2017, 06:00pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264



Tomislav Marijan Bilosniç





Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Feb 22 2017, 06:02pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kënga e metaltë
- nga Tomislav Marijan Bilosniç


87 ditë zgjatë rrethimi.
Rrethimi njëzet vjetë
në mua.
Drithnikët shkatërrohen
bodrumet plagosen.
Rrethimi.
Rrethimi i dyfishtë në vend të syve.
Rrethimi.
Lulediejt e prerë.
në lëvizje për diellin.
Rrethimi i brigadës së motorizuar
rrethimi i qiellit
rrethimi i tokës së bluar
rrethimi i ujit
dhe ajrit.
Ushtria me yll pesëcepësh
e rreshtuar për luftë.

Gjithë njerëzit e mençur
në teatër
ndërsa nga shtëpitë pa dritë
shkrehnin.
Nga pullazet e shtëpive
vriten njerëzit
e ata recitojnë.
Shtetarët
politikanët
paqësorët
negociatorët
gjithë mbikëqyrësit e paqes
dhe rendit
vetë janë derdh në allçi.
Zot, çfarë miell me krimba
çfarë humbje kohe
para tankeve
transporterëve të blinduar
topave
mortajave me tyta raketahedhëse
minahedhësve
teren trupat e njerëzve
e jo buka e pjekur.

Çdo gjë qe gabim prej fillimit
askush s’çan kryet për hapësirë
askush s’mërzitet për kohën
Natë është
në sahatin e diellit.
Natë në të cilën shihen
vetëm snajperistët
Ata futen në kockën e zhveshur
me gjuhën e luftës e lëpijnë.

Të etshëm për gjak
etshëm e gjerbin njeriun
me tërbim e pijnë dhimbjen
po aq mundime pijnë
prej thellësisë së plagëve
të plumbave
nga burimi i gjakut
prej bunarit të llahtarisë
nga varrezat
në humnera.

Ushtarakisht pijnë
pangopur
si ujë të pastër shiu
pijnë pa mbamendje
pijnë pa kujtime
pa kujtesë
pa ndjenja
pijnë
dallgë pas dallgëzimit
duke shndërruar vrerin
në verë
sytë blu
në ujë
të atdheut të shkelur.

Nga largësia vijnë të dehur
dhe nga fqinjësia
me armë në dhëmbë
me tërbim
në shpurë
me kelshejtë e zjarrtë
gjaku është në ajër
dhe duket
dhe dëgjohet.

Stërdehen në kopshte ku gratë
në mes të luleve
në krah
i mbajnë
fëmijët e tyre
të vdekur
pijnë
në fushat e shugurura
në mes misrave
që çdo kokërr
është plot
të djegura nga nxehtësia
e plumbave.

Pijnë
në dhomat bashkëshortore
duke e thithur pastërtinë dhe forcën
për historinë e tyre të fëlliqur
për besimin e humbur.
Pijnë
në mungesë të shpirtit
onanizojnë pjellorinë
duke pritur
që të ngjallet reinkarnimi.

Na e vjedhin dhe vuajtjen
vjedhacakët
na i vjedhin lugët
na i vjedhin fotot familjare
nga albumi
erën e këmishave.
Vjedhin
eshtrat e thara
të Vukovarit.
Çdo ditë e vdekjes së përjetuar
na sjellë jetë
e padukshme si ëndrra
Pa shplodhje
pa përgjegje
pa emra.

Rritet numri i mbrojtësve
plaga e qytetit gjithnjë më e thellë.
Mbi qytet qielli i çmontuar
e liga zbërthehet.
Pëllumbesha me kupa gjaku.
Ati në sakresti.
Ati në kazerma.
Luftë.
War.
Vukovar.
Në emajlin e zi shirat lajnë.
Të lumtë Zarë!
Atdheu e njeh mirë
në çdo krahëror të syve të tij.
Bari është rritur lartë mbi ne.
Luftë me rrugët
luftë me kosheret
luftë me gjeneralët
luftë me qetë.
Përfundimisht e ndërruan yllin
Zemra dhe koka të ndarë
koka të vdekura
si qiri i fikur.
Njëmbëdhjetë brigada të ushtrisë
së operacionit
në tunika të zeza
të veshur
si skeletë
si beshareta
ka ngelë në baltën e thellë
të cilën qysh verës
i jepnin pamje shalqinjtë.

Lindim
lufta na rrethon.
Ne qajmë
lufta na rrethon.
Ne këndojmë
lufta na rrethon.
Ne lutemi
lufta na rrethon.
Ne flejmë
lufta na rrethon.
Ne ëndërrojmë
lufta na rrethon.
Po vdesim
lufta na rrethon.
Lufta na rrethon
dhe kur mbrohemi.
Pranë neve kolona e të vdekurve
kalon.
Fëmijët tanë të vdekur
me lule në buzë
vëllezërit tanë të vdekur
fishkëllojnë në zinxhirë
na pehasin neve
etrit e vdekur
në anën tjetër të rrugës
duke parë
se neve zemrat
filluan të na rrahin.

E dogjën
E shkatërruan.
E vranë.

Avionët e gjuajnë Gjergajn
koracat e blinduara në Borovo-Sello
tanket në rrugën e Bogdanovcit.
Tanket i vërsulen Sllonit
sulmojnë në Shtëpinë e teknikës.
Tanket futen në dhé
prej Ovçarës deri në Vuçedollë.
Ra Beraku.
Dresdeni.
Kënga e metaltë
e ngulitur në gjak e zhveshur.
Ajri dridhëron nga e keqja
Vukovar.


Përktheu nga kroacishtja Mustafa Spahiu
Gazeta "Nacional", 21-28 prill 2013, Nr. 195




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Feb 22 2017, 06:04pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Koha e potkonjve të zjarrtë
- nga Tomislav Marijan Bilosniç


Qyteti prej tokës së freskët
nga hullitë me varreza
me qilima
të sendërgjuar
nga gjenitalet e njerëzve.

Ne miqësia na moçmoi
e shkarëzimit
Koha e potkonjve të zjarrtë
koha e ushtrisë së fëlliqur
koha e kazermave
dhe etheve
koha e kuisjeve
metastazon.
Koha që ulëron
dhe masakron.

Erdhën njerëzit e zinj të huaj
dhe i lanë
të zeza vejushat tona.
Në ninëzat tona u selitën
në hapësira hijesirash u futën
ndërmjet murit
dhe bajonetave të tyre.

Njerëzit e zinj në breg
në dalje nga qyteti të mbushur
prej hangareve.
Të dehur si errësira
të marrë prej stuhisë
të rënd si dhimbja.

Zi ju duket në çdo mendim
zi në ojtni
zi në palcën vertebrore
tashmë qindravjeçare.
Po si të luftohet
kundër kohërave
kohëligëtrishtimit
ngrehinat e tyre cinike
prej gurëve
me shkronja greke.

S’del kohë as për varrosje
tashmë as që dihet
kush është i vdekur.
Kolona vrapon në rreth
vdekja më e shkurt se fryma.

Në stacionin e fundit
njerëzit të mbushur me ajër
njerëzit të rrahur me barot
njerëzit salsiçe.
Njerëzit e padukshëm
në vdekjen e tymit mbretëror.
Pa tipare
nëpër pluhurin e të rënëve
shkelin.

Zëri i tyre
takim përfundimtar me aktgjykim.
Gurgullimë gjaku
dhe nëpër te krapi metalik
noton.

S’ka hijesirë
vdekja s’ka hije
as atëherë kur hapëron
pranë teje.
Vetëm forma e mishit të vdekur
Metal i shakmisur
ajër i kreshëpruar
tanket
në agimin e turbullt.
Këta janë plumba
të syve të tyre.
Të vrarit tanë në rritje
prej të dieles
deri të premten.
Në rrugën malore
çdo grua
e kanë dhunuar
përmbytur në naftë
e kanë rrahur
me dajak të ngjyros.
Burrat para pushkatimit
i kanë shtruar në hangare
sikur beretë
me çfarë shtreze livadhesh
pa lugje
dhe ujë.

Vullnetarët si agimi polar
tronditur nga gjethet e pikuara
që derdhin gjak të qelbëzuar
në plugje kanë vendosur
kurora qirinjsh.
Ecin përpara
ecin me bajraqet e pjekura
drith i verdhë.
Rishtas i lëvrojnë plazhnat
që të munden lirisht
ta nxjerrin frytin
nga trualli kroat.

Tani kupën e lotëve
kupën e gjakut
kupën e hirit
dhe prej hirit
në hi
e pijnë
në gërmadha
në detonime
afër tryezës së përzjarrtë
nën mure
fotografuar me projektilë.
Kafkat e rënkimit
kafkat plot lebeti
kafkën e heshtur të jetës
e gjerbin deri në fund
çdo mëngjes
në solemnitete
nën flamujt
ministrat
dhe ambasadorët
nga Vukovari
deri në New York
e pijnë gjakun njomëzak
nëpër avionë
nëpër salone
derisa në pije
zemra
e mbrojtësve
djeget
si fitil.

Djeget vdekja
dhe palca
për shkak të tradhëtisë
në të cilën kafkat
grumbulli i kockave
në pluhurin e Sremit.

Besojmë
dhe bëjmë –
krejt ajo sa të mbushet
harresë.


Përktheu nga kroacishtja Mustafa Spahiu
Gazeta "Nacional", 21-28 prill 2013, Nr. 195




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1550 sec, 0.0215 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,635kB