Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Arti - Kultura - Tradita - Fotografia - Video :: Figuara të Ndritura Kombetare |
|
<< Previous thread | Next thread >> |
Shtjefën Gjegjovi |
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
|
Author | Post | ||
L - N |
| ||
![]() Registered Member #1228 Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00amPosts: 10623 | 80 vjet nga vrasja e Gjeçovit JAHO BRAHAJ 12/10/2009 Trashëgimia që na la Shtjefën Gjegjovi - Kryeziu është e pasur dhe shumëplanëshe: studime shkencore e krijimtari letrare. Letërkëmbimi falë përkujdesjes së vetë Gjeçovit pjesërisht është ruajtur, një pjesë humbi e u seleksionua në kushtet që dihen e do ti analizojmë një herë tjetër. Kjo trashëgimi është e rëndësishme për periudhën e historisë së popullit shqiptar dhe për ndriçimin shumëplanësh të Gjeçovit në të gjitha fushat ku kontribuoi. Gjeçovi, si pjesëtar me armë në dorë dhe organizator i luftës për liri dhe personalitet i shkencave albanologjike, me letërkëmbimin na ndriçon shumë aspekte historike dhe të etnokulturës shqiptare. Ky material shumë i vlefshëm dhe për disa ngjarje historike e lëvizje e veprimtari kulturore është i pazëvendësueshëm dhe vetëm vitet e fundi ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe janë bërë shpalosje për aspekte të veçanta me publikime. Letërkëmbimi i këtij personaliteti ka tërhequr vëmendjen e studiuesve që në periudhën mes të dy luftërave botërore, ku kemi edhe botim të korrespodencës së tij nga studiuesi F. Fishta 1. Në vitet e fundit njoftime përshkruese e analizë të kësaj trashëgimie kemi nga Thoma Murzaku, Ruzhdi Mata, Jup Kastrati, Bardhosh Gaçe, Nikollë Lleshi. Nga hulumtimet sistematike të bëra në vitet e fundit është arritur të mblidhet letërkëmbimi i plotë që njihet dhe ka dalë nga dora e Gjeçovit (vetëm letrat që ka nisur ai) dhe besojmë se lexuesi në një të ardhme të afërt do të ketë mundësinë të gjykojë vetë mbi rëndësinë dokumentare, historike e shkencore që ky zhanër i penës së janjevasit të madh i sjell historisë e shkencës albanologjike në vështrimin lokal, kombëtar e shkencës europiane. Letrat që njihen përfshijnë periudhën 1894–1928. Kemi të dhëna të tërthorta të sigurta, që ai kishte korrespodencë edhe me shumë personalitete, por që letrat e Gjeçovit drejtuar atyre nuk i njohim, konkretisht si Ahmet Zogu, Xhemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Luigji Ugolini. Nuk njohim letrat dërguar Mithat Frasërit, por përgjigjet e këtij të fundit për Gjeçovin, po kështu dhe disa letra dërguar Faik Konicës, Fan Nolit e të tjerëve. Nga tematika letërkëmbimi i Gjeçovit mund ta klasifikojmë në katër grupe: a) letra të karakterit personal e familjar; b) letra që shpalosin veprimtarinë patriotike e ushtarake për çlirimin e mbrojtjen e kombit tonë; c) të bashkëpunimit dhe veprimtarisë albanologjike e hulumtuese e mbrojtëse të pasurisë kulturore e historike kombëtare; d) administrative e veprimtarisë fetare. Letrat i kemi më të dendura në kohë trazimesh e periudha të vështira, ku tematikë e tyre është qëndresa e armatosur e forcimi i unitetit dhe më të rralla në periudha të stabiliteti të vendit, ku tematikë kryesore është veprimtaria shkencore, hulumtuese e botuese. Letrat që njohim të dala nga pena e tij rrokin pothuajse gjithë plejadën e lëvizjes kombëtare e kulturore të shqiptarëve. Ka letra dërguar Ismail Qemalit, Bajram Currit, Preng Bibë Dodës, Prend Doçit, Mithat Frashërit, Luigj Bumçit, Nikollë Kaçorrit, Ahmet Daklit, figurave të shquara të kulturës e artit, si Gjergj Fishtës, Lef Nosit, Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Mark Vasos, Ibrahim Shytit, Zef Skiroit, Pal Matrangës, Zoi Xaxes, Kel Marubit, Ali Asllanit, Faik Konicës, Ndoc Nikajt, Gjon Çobës, Gasper Gurakuqit, Murat Toptanit, personaliteteve të hierarkisë kishtare, si Pal Dodajt, Ernesto Kocit, Pashkë Trokshit, Pal Dodajt, Lorenc Mitroviçit, Gjon Bisakut, hoxhës së Milotit, Gjergj Gjermanojnt, Agustin Zubacit e shumë të tjerë. Nga studiuesit e huaj, Baron Nopça, Konti Kiatkovski, Ugolini, Teodor Ippen, dr. Miller (francë) etj. Në letrat në fjalë Gjeçovi është një personalitet i shpjegueshëm qartë, me respekt, stili i tij është lakonik, kur kundërshton në rrethet shoqërore është i kursyer dhe i hapur, kurse me kundërshtarët është i prerë dhe i pakursyer në argumente, por gjithmonë me etikën e një njeriu që ruan dinjitetin. Në aspektin atdhetar e luftëtar është ndër ata të paktë patriotë që mbajti korrespodencë me kryetarin e qeverisë së Vlorës, zotin Ismail Qemali, ku i kërkon këshilla se si të veprojë për të organizuar vetëqeverimin e krahinës së Vaut të Dejës sipas ligjeve të qeverisë shqiptare të sapoformuar. Që kishte një autoritet e simpati në Kosovë na e shpalos përgjigjja e një letre nga Prizreni për problemin e mësimit në gjuhë të huaj të fëmijëve prizrenas nga disa murgesha janjevase. Letra i thotë: "... ndera e kombit tonë kaq të përbuzun po fillon me dal ndritë. E unë gjithkuej i kam diftue punën e z. Tuej (punën e Gjeçovit), e tan po gzohen qi nShqipni mu gjet ksi gjinsh të menshem e atdhetar ... " Shpesh në letra nuk shprehet qartë për veprimtarin e tij atdhetare, si p.sh. në letrën-relacion të nisur nga Elbasani eprorit të tij ai nuk e përmend qëllimin e misionin e udhëtimit për bashkimin e kishave shqiptare, duke u shprehur se i ruhet postës së pasigurt e censurës që "biramilote çdo letër". Ka edhe letra që për studiuesin del detyra tu gjejë kuptimin, si është p. sh. letra e datës 21. 11. 1910 nisur Fishtës nga Gomsiqja. “Letrën po e mbylli ktu, porse me ket shteg mi kthe per rrogtarin. Posë P. Ambrpzit (Marlaskaj), pash mue e ty mos i kalzo kuejt. Se rreziku na rrin mbi krye.” Letra mbyllet: "Aman gajret pash Shna Nduen e pash Shqipninë." Nuk dim për çfarë do të bëhej ky takim me disa persona në Shkodër, ku të fshehtën para asaj ngjarje duhej ta ruanin këta të tre me rrezik koke. Letërkëmbimi për çdo person është një burim njohjeje. Por për Gjeçovin, si një personalitet, ajo (korrespodenca) na shpalos veprime të rëndësishme, që nuk i dimë nga informacione të tjera. P.sh., nga letra që i nis P. Pal Dodajt marrim vesh se Gjeçovi shkoi me dëshirën e tij në Vlorë në vitin 1920, ku po zhvillohej lufta kundër pushtuesit italian dhe, siç e dimë, Gjeçovi u bë një nga organizatorët dhe ideologët e saj. Shumë letra kanë dhe karakter të mirëfilltë dokumentar, p.sh. letra e 17 shtatorit 1913, që i nis Fishtës. Gjeçovi ishte njëri nga drejtuesit e mbledhjes të organizuar në Lezhë me parësinë e Mirditës, Pukës, Lezhës e Zadrimës. Dy ishin orientimet: një krah për ndarjen e Shqipërisë me një republikë të Mirditës, të cilën e përkrahte hapur kapidan Marka Gjoni dhe me dorashka dhe Preng Bibë Doda me të tjerë. Dhe krahu tjetër. që kishte mbështetjen e shumicës së prestarëve të Kuvendit, me në krye emzot Kolecin e Gjeçovin, që ishin në mënyrë të prerë për tu përfshirë në qeverinë shqiptare të Vlorës me një organizim të brendshëm sipas kushteve, por nën shembullin dhe në hullinë e ligjeve e udhëzimeve të qeverisë së ligjshme shqiptare me qendër në Vlorë. Kjo letër jo vetëm na shpalos patriotizmin e personalitetin politik të Gjeçovit, por është një faqe e dokumentuar e një evenimenti historik në këto kohë të vështira. Po kështu nga letrat e shumta të këtij personaliteti të Kosovës mund të veçojmë për karakterin dokumentar dhe evidentimet e dëmtimeve që bëri pushtuesi serb në vitin 1912-1913. Por letrat na paraqesin dhe karakterin individual të Shtjefnit. Në konfliktin që shkaktoi me disa fshatar të Gomsiqes, disa pasanik të Shkodrës, që kishin dhe mbështetjen e eprorit të Gjeçovit, ky nuk lëshon pe në asnjë rrethanë karshi kanoneve të kishës e së drejtës së kishës mbi pasurit e saj, derisa armiqësohet në shumë knih dhe pati shumë pasoja. Po kështu njihet simpatia e Gjeçovit kundrejt Perandorisë Austro-Hungareze, por ai është në mbrojtje të fshatarëve të Prekalit dhe akuzon dhe komandën kur shikon padrejtësi dhe nëpërkëmbje të malësorëve. Edhe për këtë transferohet, ashtu siç ishte shkarkua nga drejtor i shkollës në Shkodër, sepse nuk lejoi që një mjek i Austrisë të sillej si i plotfuqishëm në shkollë. Është vetë Gjeçovi që vazhdimisht ka kërkesa për ndihmë nga Austria për arsimin shqip, por nuk pranon në asnjë mënyrë që ata të sillen si zot shtëpie në atdheun e tij. Në letrat që ka me kolegë albanologë vendas e të huaj të bie në sy mbrojtja e lashtësisë së popullit tonë, euridicioni dhe njohja që ka mbi kulturën e historinë e popullit tonë dhe të vendeve të Ballkanit. Në të gjitha mënyrat është përkrah nismave të studimeve e të botimeve shqiptare. Është nismëtar për botimin e "Mesharit” të Gjon Buzukut dhe kërkon me insistim që ai të botohet në variantin shqip. Është Gjeçovi që udhëhoqi e ka një pjesë të madhe të përgaditjes së vëllimit "Visaret e kombit" të botuar në vitin 1911 nën emrin e përgatitësit V. Prendushi. Në letrat familjare më shumë janë të pasqyruara problemet e hallet e jetës, gjendja shëndetësore, malli për tu takuar, emigracioni etj. Por na dalin dhe fakte që u kundërvihen dashakëqijve, si ato që na përshkruan Konica kur bën portretin e Gjeçovit pas vdekjes: " ... At Gjeçovit... nuk i mungoj asnji hidhërim, asnjë çpifje, më e çuditshmja e të cilavet ndoshta është të mohuarit, se ay ishte shqiptar .. ." Megjithëse nuk ka asnjë dyshim në përkatësin etnike shqiptare të familjes Gjeçovi - Kryeziu të Janjevës, meqenëse jemi te letërkëmbimi i tij, mundet të përmendim letrën që i dërgon i kushëriri në emër të vëllait dhe të një kushëriri tjetër në vitin 1911 nga Ploeshti, ku shprehimisht i shkruan: "Të lutem letrat ti a dërgosh në adresën... Gasper M. Geçov Albanez .. " Kjo është shprehje e krenarisë së vetëdijes si shqiptar edhe në dherat e huaja ku i kishte degdis kurbeti pinjojtë e Gjeçovajve dhe të të gjithë janjevavesve. Shtjefën Gjeçov Kryeziu VJETËRSORJA “Gomsiqe 1914. Nuk kishte me kenë per mue me u kapun nder do degë dituniet, tcillvet nuk jamë kenë vue me u kërkua as me u hetue skain, porse nuk mrrihet pa i çilë ketë gojë e pa i priskue dy fjalë mbi ato sende tvjetra tcillat i kam edhe i ruej nën kulm tshpisë seme, e tcillat a i kam gjetë vetë a mi kanë prum - me pak çmim disa njerëz tkombit tem me nji tpakeqësi sikurse i gjeshin a ndër vorre a ndër rrënime tvjetra. Ma i madhi mjerim për vendin tonë asht vorfnimi prej nji visarit ma tçmueshëm e ma tvlershëm si janë vjetërsinat. Kto qi kanë ndejë nën dhe kush e din sa mija vjet, qi kan ba gjumin e ambël nder eshtra tatyne burrave qi janë kenë ndera e faqja e bardhë e vendit tonë, e sod, lene si ato sende pushojnë nder Vjetersore thueja, por deri eshtra e atyne burrave qi pushoishin ngji ttokës Shqyptare u janë shpernda e i ka hjedhë era si ja tekë me fry e me koc e me rrasht janë marrë neper kambë! Ma i madhi e ma i pa perdëllyeshmi faj i shqyptarvet tonë asht, qi ato sende tvjetra tgjetme ntokë nder vorre tlashta i lëshojmë durësh tuj ja shitun thujve, e kta, për do çmime tngrata faret. Ky faj smund tju shkruhet malsorvet a katundarvet, për arsye qi ktyne su kupton mendja ma larg e sdinë me i peshue ato hollime e imtime historiet si i dimë e do tdimë na qi kena kalue disa mot ndër msojtore. Pernjimend se tpa regjun jena edhe na qi kena xanë dije nder msojtore, porse në u rrejshim nji herë, mendja na piqet për tjera herë: Gabojmë nji herë, por nji tjetër shteg sdo tgabojmë. Po qes vedin per tregim tuj ju rrfye hutimin tem e ndaçi edhe marrien teme tbame, por nji herë tvetme në vjetin 1900. Ishe nLaç - Sebaste të Kurbinit si i parë famulliet, si gjejshe tknaqun nkërkim të vjetërsinave - permi tcillat tash flas, -mu beh në qelë. Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it tBerlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burrë i madh (!) xuna me ju levdue për do sende tvjetra tcillat i pata gjet mun natë kohë mnji vorr në vend tqujtun “Koder Bogëz” në katund të Laçit - Sebaste. Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njërzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap -çap me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetersina. Ndër kto sende kishe edhe nji unazë-arit tcillën e pata gjetë nvorr të vendit të përmendun, e pveta Dr. Traeger-in, qi tmë diftote kohen e vjetersinës ssajë, e ky mu pergjegj: “Kohën e vlerën smund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetersivet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m7 (shtatë) napolana për atë unazë”!! Të falem nderes i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana se shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetersins...” Ky shkrim i Shtjefën Gjeçovit, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, jo i plotë, është shkruar në vitin 1914. Megjithëse periudhë tepër e vështirë për kombin tonë, Gjeçovi i kushtoi një rëndësi të madhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Shkrimi botohet për herë të parë pas 89 vjetësh dhe na vjen keq që problematika e këtij shkrimi edhe në ditët tona është tepër aktual. © 2004 METROPOL GROUP Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te ... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi. | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | At Shtjefën Gjeçovi - nga Lazër Radi ![]() At Shtjefën Gjeçovi "Rrallë herë të rastis në jetë të shohësh në kupëqiellën e natës nji kometë shkëlqyese që përshkon me bishtin e saj nji hark në hapësinën e jetës tande... Asht nji pamje e madhështore dhe e frikshme njiherit, dhe asht e pamundun që fenomene të tilla të kalojnë të pavume re, sepse ajo ngjarje në qiell të krijon nji shumsi mbresash që mbesin të ngulituna në kujtesë sa të jetë jeta... Njashtu si nji kometë që shfaqet rrallë, veç dy herë pata rastin ta shof njat kometën e quejtun At Shtjefën Gjeçovi...". L. Radi Ma së pari në korrik të vitit 1928, dhe herën tjetër n’at ditën e trishtë të 14 tetor të 1929, kur mbas disa orësh mësuem për vrasjen e tij dhe atë humbje tragjike. Prej asaj dite, prej atij takimi në oborr të shkollës, At Gjeçovin s’do ta shihnim ma. Edhe mbas kaq vitesh, i kam të gjalla kujtimet e atyre dy takimeve, kur Padër Shtjefni, si gjithnji, nxitonte me at hapin e tij të shpejtë si era. Si fëmijë, shpesh unë s’mbrrija me i kuptue si duhet vlerat dhe as me i çmue dhe me i vlersue si duhet njerëzit. Megjithatë di me thanë se At Gjeçovi njifesh e repektohesh nga “turq e të kshtenë” dhe konsiderohej prej të gjithëve si “njeri i naltë”, dhe jo thjesht si fetar e si frat. E ku ta dija unë sa i zoti ishte Ai, sa i dhanun ishte mbas studimit e vlersimit të zakoneve shqiptare, si mund ta zbuloja at madhështinë e tij nën veladonin e kaftë dhe sandallet e veshuna zbathun dimër verë... si mund ta kuptoja unë atdhetarinë e At Shtjefnit, edhe pse ai gjithnji na afronte, na donte, na mësonte e na këshillonte. Në pamje të parë, kujtoj gjithnji at fytyrën e zeshkët e të hajthme, plot rrudhat të thella si brazda, ato mustaqet e mëdha si kacadre, që menjiherë të krijonte përshtypjen e nji burri të rreptë e të vrazhdë... Por jo, At Gjeçovi ishte njeri i dashtun, komunikues dhe njerzor. Me at zanin tij të rrjedhshëm si krue, bante për vedi cilindo që ndalesh e bisedonte me të, qoftë edhe nji herë të vetme. Çdo fundkorrik, qyteti i Prizrenit organizonte nji pelegrinazh në Zym të Hasit, ku festohej Zoja e Shnaprendes. Si zakonisht për raste të tilla, vargani i qerreve grumbullohej te Fusha e Lopëve, ku në orën e caktueme merresh rruga drejt Hasit. Bahej nji copë rrugë dhe ndeshej lumi i Drinit të Bardhë. Kush në kambë e kush me qerre, pa rrezikue të mbytej kush, kapërcehej lumi aty te vau, dhe vazhdohej rruga ma tej. Drinin e Kosovës s’e kisha pà kurrë. E njifsha veç prej vëzhgimit ndër harta gjeografie. Dija që buronte prej Bjeshkve të Namuna, rranzë malit të Ruselisë, diku afër fshatit Redavec, e duke kalue përbri Prizrenit, kthehej drejt jugperëndimit, merrte me vedi Lumbardhën tonë dhe hynte në Shqipëri, e diku në Kukës, bashkohej me vëllanë e madh – Drinin e Zi. Kaq dijsha për Drinin e Kosovës. Aty në va, n’at zallishte të gjanë, ku po kapërcente vargani ynë i pelegrinëve, zbrita prej qerres, me e prekë me dorë rrjedhën e shenjtë të atij lumi që i bashkonte shqiptarët. Zbatha kundrat, shpërvola pantallonat, dhe i kapun mbas qerres, e kalova Drinin në kambë. Po të ma kishte thanë ndokush kët gja s’do ta besoja. Me e kalue Drinin në kambë, m’asht dukë e pabesueshme, ndërsa tash unë vetë po e provoja at kalim pa asnji vështirësi. Gjansia e atij vau dhe thatësia e verës e kishta bà krejt të cekët Drinin, aq sa thellsia ma e madhe mbrrinte pak përmbi gjunjtë e mi. Mbas kalimit të vaut, karvani merrte t’përpjetën e butë drejt Zymit. Fillimisht hymë ndër shtigje me dushk e shkurre, ndërsa ma nalt nisnin lisat, shkoza e mbretet. Gjelbërimi me hije të shumta na ndiqte kudo, në dy anët e rrugës me pluhun. Rruga zgjatte pak orë, dhe mbasdite herët, kishim sosë te Kisha e Shnapremtes në Zym. Aty s’ishte si në Letnicë, kremtimi ishte i organizuem ma mirë, sepse Zymi qe i aftë me pritë dhjetra familje edhe në kohë të keqe. Ne gjetëm strehë te manastiri, ndërsa Kisha e Zymit ngrihej mbi nji pllajë të rrafshët, mbulue me bar, nën hije lisash të naltë, ku dukej gjithkund dora e kujdeshme e njeriut. Qerret i futën nëpër hije, u zbrehëm qetë dhe secili nisi me u marrë me punët e familjes së vet. Krahas meshës e kremtimit të festës së Shnaprendes, bahej edhe shëtitja në natyrë dhe organizohej edhe nji kuvend burrash ku flitej për gjithçka. Si gjithë kremtimet, edhe aty, nata ishte vërtet magjike. I veshun me veladonin karakteristik të françeskanëve, na doli përpara, frati i kishës. Ai na takoi nji për nji, ma para ne fëmijëve, mandej u përshëndet me krejt të ardhunit, e në mënyrë të veçantë u ndal ndër biseda me prijsit e karvanit, me të cilin sigurisht njifesh prej kohësh. Tadej Vuça, prijsi dhe organizatori i karvanit, ishte argjendar prej Prizreni dhe njihfesh si veprimtar i zellshëm në çeshtje të shoqnisë “Zoja Ndihmëtare e Krishterimit”, pra ishte njeri aktiv si në kishë edhe jashtë saj. Baca, kështu e thirrshim ne fëmijët, qe nji burrë hijerande me zà të fortë e kumbues. S’ishte as tenor e as bariton, po në mungesë të korit, Bacë Tadeja i vetëm, me at zanin e plotë e gjimues, ia niste kangës, dhe krejt populli, gra e burra, i shkonte mbas atij zani shugullues. Si zakonisht ndodh, në at takim të parë, edhe mue frati m’u duk i rreptë e i sertë, megjithëse edhe udhëheqsi i grupit tonë, s’ishte ma i paktë në pamje. Më dukej e çuditshme kur i shihja ata dy burra të rreptë e seriozë, kur qeshnin me zà të naltë, e përqafeshin mes tyne si dy vllazën, që shifen mbas shumë kohësh. - Tade, – i thirrte frati – mi ço nja dy djelm qi dijnë me ndihmue me çue meshë... dhe pa e mbarue mirë fjalën frati, ai m’thirri mua dhe Cinin, nji shokun tim, dhe na porositi se ç’ka duhej të banim. - Qe Padër Shtjefni ja ku i ke kta dy sokola mali! Bacë Tadeja na njifte mirë të dyve dhe e dinte se ishim ndër ma të zotët për me ndihmue në meshë, prandej pa droje na rekomandoi. Cini dhe unë shkuem mbas fratit. - A dini me ndihmua në meshë, a jo? – nisi me na pyet ai burrë hijerandë. - Po dimë shumë mirë! – iu përgjigjëm njizani të dy. Ai u fut midis nesh na i vuni duert mbi shpatulla e të tre s’bashku u nisëm drejt famullisë. Famullia ishte pak larg, n’lagjen tjetër. Kur hyme në dhomën e punës së fratit na ra në sy tavolina e madhe e punës, e mbushun përplot me fletore të shkrueme, me libra, dhe me nji biblotekë të madhe. Përreth kishte gjithfarë objektesh si gurë, hekura të ndryshkun, gërçakë të thyem, enë me forma të çuditshme, qeramidhe e plot objekte që s’i kisha pà kurrë ma parë. Mbeta si i habitun prej asaj pamje të papritun të dhomës së nji prifti... Kur ai hapi nji arkë e na dha rrobat që duhej me veshë për meshë unë hala s’e kisha mbledhe vedin prej kurreshtjes. Rrobat ishin krejt të reja. Mori dy çarçafë të bardhë, i mbështolli dhe na porositi me i ruejtë me kujdes, mbasi të nesërmen të veshun për meshë, do të paraqiteshim te kisha e Shnapremtes. Para se të largoheshim frati na ftoi të uleshim në studion e tij, ku na qerasi me arra e lajthia, e për ta thye paksa at distancën e mosnjohjes, na pyeti për shkollën, për librat, për organizimet. Kur më pyeti për emnin, u ndal pak te mbiemni im, e përsëriti atë dhe më pyeti: - Po Prend Radin shka e ke? - Babë, – i thashë, duke u ndje i kënaqun nga njohja e tij. - A vazhdon Prendi me at lahutën e bukur me kryet e dhisë gdhendun në bisht? - Po, – iu përgjigja, - vazhdon, edhe pse i lodhun del rrugicave të Prizrenit këndon me orë të tana, edhe pse shkjetë s’po na lanë derman. - E di mor bir, i di mirë të tana. Yt at asht nji rapsod i mrekullueshëm, asht nji minierë. - ....? - Rudha shpatullat se as fjalën rapsod dhe as fjalën minierë s’i kuptova si duket dhe mbeta paksa i habitun. - Rapsodë, janë ata që i binë lahutës, sharkisë e veglave tjera tue i shoqnue me kangë trimnie. Miniera janë ato ku nxirret mineral i çmuem... - Po, po! – pohova me krye, duke ia kapë fillin bisedës. - Ai jo vetëm di shumë kangë të vjetra, po përditë sajon edhe kangë të reja. Prandej biri em, ai krijon kangë të reja dhe i këndon përditë në lahutë. E kam në plan me e ftue këtu në famulli e me e mbajtë disa ditë, por punët e shumta s’po më lanë me e krye kët punë. Po ti m’i ço shumë të fala prej meje... I thuej, prej Padër Shtjefnit, e në rastin ma të parë, dhe se n’rastin ma të parë kam me e thirrë këtu në Zym, për do punë tonat. Mos harro, e m’i thuej se s’due t’më vijë në Zym pa at lahutën e bukur! More vesh a jo? – më foli ai, me at tonin e tij autoritar po edhe me nji buzëqeshje të ambël që i ndriti mbi mollza dhe në dy anët e musteqeve. - Do t’ia them të gjitha Padre – i thashë, dhe nji kuqlim bozhureje e veshi krejt fytyrën time. Mbeta i habitun dhe vrava mendjen! Edhe pse i pashkollë, plak, i sakatuem, i sëmunë, i kamxhikosun prej jetës; për çfarë mund t’i hynte ne punë Baba, Padër Shtjefnit, që me kambëngulje ma kërkoi te ajo dhomë e mbushun me gjithfarë objektesh të çuditshme? Pyesja vedin, dhe nuk m’u dha me e pyetë fratin për çfarë po e ftonte babën. Ai sikur ma lexoi në sy dyshimin: - Ti nuk e din, se Prend Çupi, asht nji enciklopedi e gjallë e epikës legjendare shqiptare dhe e krejt ngjarjeve të shekullit të fundit. S’di a do të jem i zoti me ia mjelë at tambël dallndyshash qi fsheh në shpirt ai burrë, e qi jeton në heshti me kangët e veta? Ai buzqeshi përsëri, dhe ajo ashpërsi e tipareve burrnore të nji malësori, iu zbut në krejt pamjen e tij fisnike. Para meje u shfaq nji fytyrë e çiltër dhe nji shpirt i kulluet si qielli i mrekullueshëm i bjeshkëve të Hasit. E ndërsa vazhdonin kremtimet e festës së Shnapremtes, unë ndiqja gjithkah figurën magjike të At Shtjefnit, at mrekulli fjalësh që derdhej nga goja e tij dhe ngulesh si gurë themeli në shpirtin tim prej fëmije... Jo më shumë se nji muaj nga festa e Zymit, nji mbasdite na trokiti në derë rrogtari i famullisë së Prizrenit. Mbasi piu kafen i tha babës: - Ke selam prej Padër Shtjefnit. Nesër në aksham je mysafir në famulli të Zymit. Ka porositë mos me harrue lahutën! Baba ishte i përgatitun. Ia kisha kallzue fill e për pe krejt bisedën që kisha bà me Padër Shtjefnin në kremtimet e Shnapremtes. Ia kisha përsëritë disa herë at frazën lapidare, me të cilën u ndava me fratin. Të nesërmen mbasdite ai ishte për rrugë drejt Zymit. Dëshira ime me e shoqnue, dështoi në heshtjen e tij prej guri... po edhe kur u kthye, në heshtjen e tij prej sfinksi, lexova si nëpër herioglife gëzimin e mshehun mbas rrudhash e vuejtjesh të vjetra. Si gjithnji, fjalët e tij qenë të pakta. Zakoni i mbylljes në vetvete, bante që ai ta shijonte vetminë mbi gjithçka tjetër! Eh sa dishiroja t’isha i aftë me e kuptue se ç’ka mendonte ai rapsod i lashtë në çastet e ndrymjes së thellë në vetvedi e n’at terrin e vetmisë së tij. At plak, që ishte baba im, që ndrynte në shpirt “tambël dallndyshash”, e bahej përditë e ma i vështirë, s’mund të rrija pa e gërmue gjer në hollësina, se si i kish shkue takimi me At Shtjefnin. M’u desh me kambëngulë fort, me marrë vesh veç diçka prej atyne tri netve që ai kaloi si bujtës nderi në famullinë e Zymit. Lakonizmi i tij që lapidar, me pak fjalë e me shumë heshtje: - Padër Shtjefni asht njeri i madh dhe burrë i ditun. Nuk asht thjesht nji frat, por nji mendimtar që din gjithçka, asht nji shqiptar i madh qi e vuen në shpirt fatin e vendit të vet. Kem ndenjtë tri ditë e tri net bashkë, e m’janë dukë veç tri dekika. Më pveti për shumë kangë të vjetra e të reja. Shumë prej tyne i shkruejti, ma shumë i mbetën pa shkruejtë. Kaq ishte. Kur u ndamë, më tha se shpej ka me më thirrë prap në Zym me kuvendue bashkë njaty ku e lamë...! Kaq tha lahutari plak, dhe dryni i Përtenes i ra mbi mustaqet e thinjuna e iu mbyllën buzët e holla. Sërish u ndry në vetvete, në at ripërtypje të heshtun, ku jetonte krejt bota e kangëve të tij... ***** Mbasditen e 14 tetorit të vitit 1929, po luanim futboll me disa shokët e mi në oborrin e kishës. Famullia e Prizrenit asht pak si në gropë. Për t’u ngjitë në oborrin ku luenim, baheshin nja tridhjetë kambë shkallë. Ishim në kulm të lojës, kur në krye të shkallëve u shfaq figura e At Shtjefnit. Aq ishim hutue mbas loje sa nuk e vumë re, dhe veç kur na kaloi përskaj e pamë dhe e ndalëm lojën... Turravrap shkova drejt tij e ia putha dorën. Eh, me çfarë gëzimi ma vuni dorën mbi krye, më tërhoqi nga vetja dhe na përshndeti të gjithëve ne që luanim n’oborr të kishës. Ecëm disa hapa bashkë. Vuna re që nxitonte dhe nji hije shqetësimi ia përshkonte fytyrën. Më pyeti si po shkoja me mësime, si i kisha njerzit e shtëpisë, e veçananti më pyeti për babën. - M’i ban shumë të fala bacës Prend, dhe i thuej se Padër Shtjefni i ka pasë do punë të ngatrrueme e s’ka mujtë me e thirrë në Zym. Thuej të mos mërzitet, shpejt kam me i çue njeri me e marrë me kalë. Mos harro, bani shumë e shumë të fala prej meje... Dhe frati u përshëndet edhe me shokët e mi, dhe ashtu të gjithë së bashku e përcollëm deri te porta e ipeshkvisë... mandej e ndoqëm me sy kur iu ngjit shkallëve dhe u fut në ndërtesë. Mbas pak kohe u shfaq përsëri në oborr. E pamë, deshëm t’i afroheshin, po ishte pak nervoz dhe na bani shenjë ta vazhdonim lojën... Ndërsa ikte na përshëndeti me dorë dhe na tha: “Mirupafshim djelm”. S’di pse ajo fjala e fundit: “Mirupafshim djelm”, më la nji si shije të hidhët. E lashë lojën dhe ndoqa nga pas at frat me veladon që nxitonte humbte në thellësi të rrugicave të qytetit dhe muzgut të asaj mbramje tetori. Era e vjeshtës shtynte me forcë nji shkulm gjethesh të thata në oborrin e kishës. Nji parandjenjë e keqe ma pushtoi shpirtin. Edhe pse shokët më thirrën me e vazhdue lojën, u thashë se s’kisha ma asnji dëshirë me luejtë... Mëngjesi i së nesërmes u gdhi nën tinguj të përmortshëm. Nga kambana e kishës së qytetit, përhapej gjithkah ding-dongu i nji vdekje. Si ma i vogli, nana më nisi mue me marrë vesh ç’ka kishte ndodhë. Në Rrugën e Kujunxhive askush s’dinte gja! Vrapova drejt kishës ku gjeta rrogtarin, sakristanin Palokë dhe e pyeta se kush kish vdekë at mëngjes? - S’ka vdekë kush biri jem, – tha Paloka me sytë skuqur prej lotëve – Mbramë në darkë, rrugës për në Zym, shkjetë kanë vra At Shtjefnin. E kanë vra të pabesët, mbas shpine e kanë vra! – dhe lotët e nxehtë rridhnin nëpër faqet e tij të rreshkëta... U trondita dhe rashë. Si mund ta besoja at lajm. Mbeta i hutuem e s’po dija kah me shkue. Për nji çast m’u duk sikur ngrohtësia e dorës së Padër Shtjefnit mu derdh mbi flokë dhe diçka më shtrëngoi në gjoks. Më pushtoi nji ngashërim i papërmbajtshëm. Si ishte e mundun? Pak orë ma parë kishte qenë aty, në oborri të kishës. Na kishte përshndetë! Na kishte përqafue të gjithëve dhe kishte humbë më ngut në muzgun e vjeshtës. Mija mendime më shkonin e vinin vrullshëm. Si t’ia thoja at lajm të zi babës? Si, mund ta besoja se At Shtjefni s’ishte ma mes nesh! Si? Si? “Kanë vra Padër Shtjefnin!” Lajmi u shpërnda si vetëtima. Rrugë më rrugë, dyqan më dyqan, shtëpi më shtëpi hynte ajo vrasje e ulët, mbrapa shpine... si nji kërcënim, si nji alarm rreziku për gjithë shqiptarët. Po, kush e vrau? Pse e vranë? Ç’ka u kish bà At Shtjefni që kishin qitë pushkë kundra tij? Kërkujt në botë s’i bënte keq At Shtjefni. Kush mund ta vriste atë njeri të mirë! Veç nji njeri i keq, nji kriminel. Veç nji bishë, mund ta vriste at njeri të Zotit... Unë s’isha në gjendje me e kuptoe shkakun e vërtetë të atij krimi, s’mundesha me e vlerësue si duhet ndaljen e zemrës së atij njeriu që gjithë jetën kishte ecë me fjalët e Zotit, dhe gjuhën shqipe. Pikërisht pse të gjithë e vlerësonin At Gjeçovin si njeri të madh e të ditun, s’mund ta kuptoja pse të vritesh mbas shpine nji njeri i tillë? Në shtëpi po kthehesha i dërrmuem. Kambët s’më mbanin dhe lotët më rridhnin currilë. At njeri aq të dashtun s’do ta shihja kurrë ma... O zot, e përfytyroja Padër Shtjefnin të mbytun në pellgun e gjakut, zhigue prej plumbave, rrëzue përtokë në pluhun e baltë. Ai më shfaqej i përgjakun si trupat e gjymtuem të gojanasve trima, dergjun kohë ma parë në shesh të qytetit... Në shtëpi po më pritshin me ankth dhe u tronditën ma zi se unë, kur morën vesh lajmin e kobshëm të vrasjes së Gjeçovit. - Eh, e vranë atdhetarin! E kanë vra mbas shpine shkjetë! Si s’u ngopën njiherë me gjak shqiptari kto bisha? Eh! – fshani dhimbshëm baba e shkoi u mbyll në dhomën e vet, mos t’ia shihte kush lotët. Në heshtje krejt qyteti, e mori vesh se kush e kish vra dhe pse e kishin vra At Gjeçovin! Në heshtje, gjithkush mbylli dyqanin, punishten, iu shmang bisedave dhe grumbullimeve, të cilat në kësi rastesh ishin të rrezikshme. Agjentët e policisë serbe dhe xhandarmënia sa herë ndodhnin ngjarje të tilla shtonin kontrollet, përforconin rrugët, banin raprezalje në familjet që shpreheshin haptas kundër regjimit. I gjithë Prizreni u zhyt nën terror ushtarak... Babën e rrënoi ajo vrasje. U mbyll edhe ma në vetminë e vet dhe bluhesh ne heshtje prej dhimbës. Kurrë s’e kisha pà ma të tronditur se at kohë. Tri ditë e tri net nuk doli prej dhomës së vet. As hëngri, as piu. Mbyllë në dhomë veç i binte lahutës. Shkulte nga shpirti i asaj vegle të çuditshme veç dhimbje, ngashërim dhe nji vajtim të kobshëm. Ku vallë ishin fshehë ata tinguj të përvajshëm, që tash mbushnin ajrin varg e vistër. Po të mos e dija se në dhomë ishte im atë që i binte lahutës, do të pyesja: “Kush janë ato që qajnë aq dhimbshëm? Kë vajtojnë?” Asnjë dallim s’kishin ata tinguj lahute prej vajit të grave në mort... Hera herës nënzà përpiqesh me i përcjellë përmes lahutës tinguj që s’merreshin vesh, mbasi këndonte shumë ulët e zanin e merrte zvarrë, që askush veç tij të mos e kuptonte se çka po ndodhte me të. Vargjet kërcisnin si ranë nëpër dhambë, e rënkimi i shpirtit rrëzohej me zhurmë si gurët prej malit. Në jetën e tij plot travaje, ai qe regjë me ksi ngjarjesh të kobshme e tragjike. E dinte se ajo mëni e përjetshme midis dy fiseve dhe dy popujve të lindun n’armiqsi, veç vdekje dhe vrasje mund të kishim trashëgim. Po deri kur, deri kur. Sepse gjithçka e ka nji kufi. Baba qe aq i tronditun e aq i përpimë mbas lahute dhe vajit të saj, sa s’e kish vù re praninë time, që ashtu tinza isha futë në dhomën dhe po e ndigjoja me vëmendje kangën, duke u përpjekë me kapë ndonji fjalë që hiqesh zvarrë prej buzëve të tij. Më kujtohet veç ai fillim kange: “Ty o zot të kjofshim falë n’qat Janjevë t’pat le nji djalë t’leu nji djalë porsi yll drite qi n’kto troje rreze qitte me gojë t’ambël e fjalë zjarri çotte peshë njaj atdhetari...”. Ishte nji kangë e gjatë. Ai e këndonte dhe rikëndonte pa pushim. Ishte në mënyrën e tij që nji kangë të re ta përsëriste aq shumë derisa t’i rridhte natyrshëm. Mbas çdo përsëritje ndryshonte diçka. O i shtonte, o i paksonte deri sa t’i kënaqej jo veç veshi, po edhe shpirti i tij. Nëse krahasoje variantin e parë, me të dytë ose të tretin, vëreje menjiherë ndryshime mes tyne. Sepse ai kurrë s’kënaqej prej kangëve të veta; gjithnji mendonte me i përsosë ato. At Shtjefnin e vranë! Ai s’ishte ma mes nesh. Urrejtja dhe tërbimi për gjithçka shqiptare, për çdo vlerë që ngrinte me mundim ky popull, e kishte ndalun së rrahuni edhe nji zemër të madhe, nji shpirt atdhetarie. Ai tashma jetonte ndër kangë dhe shpirtin e gjithë atyne që e njifshin dhe e vlerësonin veprën e tij, e cila do të shpalosej edhe ma madhështore mbas asaj vrasje në pusi, e mbas shpine. Sepse vrasësit i frikeshin jetës së tij... i frikeshin edhe vdekjes së tij. I frikeshin urrejtjes që kishte zgjue në popull ai krim i përbindshëm. At Shtjefni u varros në heshtje, pa nderimet që meritonte si njeri i fesë dhe i kulturës shqiptare. Si Azem Galica, edhe At Shtjefën Gjeçovi edhe i vdekun ishte rrezik për regjimin serb dhe për krejt ata që në muzgun e krimit e kishin goditë për vdekje mbas shpine. Kurse mue më bahej sikur ajo dora e ngrohtë atdhetari vazhdimisht shetiste mbi flokët e mi. Krejt ato figura shenjtorësh që m’i kish falë, shkova t’i gjej e t’i ruej, si kujtimin ma të shenjtë të atij njeriu, që vetëm vonë, shumë vonë, kur u rrita, munda me e kuptue se kush kish qenë vërtet At Shtjefën Gjeçovi, dhe sa e vyeme kishte mbetë vepra i tij për Shqipninë dhe krejt shqiptarët... Pjesë nga dorëshkrimi "Mjegullnaja e kujtimeve" – pjesa e parë: Prizreni [ Edited Sun Feb 19 2017, 10:59am ] ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
Powered by e107 Forum System