Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Rreth Shkodrës dhe per Shkodrën :: Turizmi në Shkodër
 
<< Previous thread | Next thread >>
TURIZMI NE KRUJE
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Sun Feb 07 2010, 12:50pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
KRUJA TURISTIKE



Rruga fërfëllonte si një balerinë elegante, hollake dhe gjelbëroshe, ngjitej butë e ëmbël, midis një peizazhi të thepisur malor. Shkonim drejt vendit të shenjtë, Sari Salltëkut të Krujës që ndodhej në Majën e Liqenit në lartësinë 1724 metra të Malit të Skënderbeut. Me ne shkëmbeheshin makina që ktheheshin nga vizita e bekuar, njerëzit uronin pa na njohur: "Ju ndihmohtë"! Ishte një përshëndetje miqësie, paqeje, harmonie, dashurie dhe solidariteti njerëzor që se kisha hasur kund. Me këtë formë dëshiroreje të përshëndesnin pleq, vajza, turistë të huaj, fëmijë, emigrantë të malluar, djem, plaka të veshura me kostumin e zonës përreth, por edhe të Zadrimës së largët, burra, misse, kosovarë, gjimnazistë, të fejuar, gra, cilido që kishte bërë nijet për t'u ngjitur në vendin e shenjtëruar. Ndjeheshe mirë e ngrohtë mbështjellë nga ky urim sa njerëzor aq edhe religjioz. Me siguri këtyre anëve kishte dalë njeriu që pati thënë i pari: "Pa miq, bota është e shkretë". Këtu të bëheshin miq zot e njerëz, shkrepa dhe rrëpira, përrenj dhe humnera, mali i Skënderbeut, luginat e Drojës dhe Gallatës poshtë në fushë, gurë graniti dhe frashër, panja, shkoza, ahe e pisha, deri lumi i Hurdhazës që derdhej në Mat dhe ai i Zezës që vërshonte në Ishëm. Peizazhi ishte një grishje për në lartësim shpirtëror, moral dhe atdhetar. Poshtë gurgullonte si baladë krutane lumi i Drojës, në të cilin ishin hedhur nga Shkëmbi i Vajës plot 90 vajza, lulja e bukurisë krutane, që mos të bëheshin robinja të pushtuesit turk. Peizazhi formë ndryshonte, ndërsa çatitë e qytetit shpaloseshim si shami feste, valviteshin si flamuj të kuq, uronin ardhësit e shumtë si të qe pelerina e purpurt e kryekështjellarit legjendar, Vrana Konti. Pas kishim lënë guroret, këto dinosaur të egër të natyrës, shpërthimet tronditëse të dinamitit, pluhurin e zhultë që ngrihej si tym djegiesh, duke i dhënë peizazhit parajsor krutan një hije të përzishme. Ullinjtë, kumbullat, pishnaja në hyrje të qytetit, mbjelljet nëpër kodrina, vreshtat, gjithçka e gjallë, dukej si e thinjur. Një gri e egër, asfiksuese. Ishte shfrytëzimi pa kriter i shkëmbinjve të Krujës, këtyre karakollëve të lirisë dhe monumenteve të gjalla, ku "Atleti i Krishtërimit", Skënderbeu, kishte shkruar simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit europian. Vetëm Krujës nuk i shkonin ato thinja pluhurore dhe ato tymtarë gëlqeresh, ndaj të cilëve duhej bërë patjetër diçka në mbrojtje të ekosistemit të krahinës. Krutanët janë punëdashës, përgjegjësia e saj ndjehej ngado, natyra sikur thonte: për çdo njeri ka një lloj pune me të cilën bëhet i dobishëm për familjen, qytetin dhe shoqërinë, duke gjetur aty njëkohësisht edhe lumturinë e vet. Vështrimi nuk kishte ku të ndalej më parë, mrekullia e natyrës harmonizohej me ditën e kthjellët, qiellin e kaltër, ku si qengja të bardhë luanin disa re të vogla.



Nëpër kthesa të rrugës, treteshin nga errozioni furrat e shuara të gëlqeres, dëshmi e resurseve të pashembullta të këtij masivi shkëmbor jetëdhënës. Jo më kot, kronikanët turq e kishin quajtur "Qyteti i bardhë".



Gëlqerja e Krujës, graniti i saj, guri i bardhë, pse jo rëra, granili, çimentoja, janë me emër në fushën e ndërtimtarisë për të gjitha viset shqiptare. Makina i vinte rrotull Malit të Skënderbeut, si t'i blatonte një valle, një rit, një baladë të kohës. Isa Halili, përqendruar në timon, nuk mungonte të shijonte magjinë e peizazheve alpine që çeleshin me spektrin e plotë të ngjyrave të ylberit. Të bëhej sikur mëma natyrë po shfletohet para nesh një album të rrallë. Kruja, vizitorët e shumtë, të huaj dhe vendas, i grish në dilema dhe mrekulli. Cilën rrugë të marrin, cilën relike të përzgjedhin, cilën monumet historik apo kulturor të vizitojnë? Ku më së pari të shkrepin foton e rrallë! Ç'objekt etnografik, folklorik, gdhendje në dru a alabastër, bakër të rrahur apo veshje të endur në vegjë, qëndisur me gjergjef e larë në arë, të blejnë. Me një shtrirje intime, epike, familjare, lirike dhe origjinale, frymëmerr e gjallë, ku shenjtëria me historinë bashkëjetojnë në paqe përjetësisht. Vargu i njerëzve dhe makinave që vijnë për peligrinazh zgjatet si gjerdan mirësie, derdhet si lum i kthjellët në dy drejtime, drejt Muzeut "Gjergj Kastriot Skënderbeut", dhe Sari Salltëkut, vendit të bekuar. Kruja e bardhë i mirëpret njëlloj zemërhapur, si ato që vijnë për hall e nevojë, për të përfituar shërbesat e shenjtit Sari Salltëk, ashtu dhe ata që vijnë për kërshëri, kulturë turistike apo njohje të vlerave historike qytetare. Arritëm në Sari Salltëk. Legjendat flasin për një njeri të shenjtë, figurë gojëdhënash bektashiane, për të cilin mendohet të ketë qenë dervish në oborrin e Sulltan Orhanit (1326-1360) dhe dishepulli i drejtpërdrejtë i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të Bektashizmit. Gjurmët arkeologjike dhe lashtësia e tyre tregojnë se më shumë gjasa ka që Sari Salltëku të ketë qenë një figurë ballkanase e agimeve të historisë, të cilën bektashinjtë e shfrytëzuan, për popullaritetin që gëzonte, si simbol të sinkretizmit dhe toleancës fetare islame, për përhapjen e doktrinës së tyre.



Për herë të parë, Sari Salltëku, përmendet nga gjeografi maroken Ibn Battuta, (1304-1377) i cili pohon se për të ka patur shtatë varre, në çdo njërin prej të cilëve gjendej një pjesë e trupit të martirit.



Varr për Sari Salltëkun nuk ka vetëm në Krujë, por edhe në majën e malit të Pashtrikut në Has, në kishën e Shën Naumit në brigjet jugore të Liqenit të Ohrit, etj. Studiusi holandez, Machiel Kiel, ka zbuluar së fundmi në një regjistër perandorak Osman të viteve 1567-1568, një shënim për ndreqjen e rrugës që çonte nga qyteti i Krujës për tek varri i Sari Salltikut, ku thuhet: "Në malin e Krujës është varri i Sari Salltëkut, ku njerëz nga trevat përreth vijnë për peligrinazh. Rruga e përmendur është mjaft e pjerrët dhe e mundimshme për t'u ngjitur nga vizitorët"...,"...disa vendas me të dhjetat...janë ngarkuar të shtrojnë, të sheshojnë e të ndreqin rrugën kurdo e kudo që ajo të prishet"... Ndjehesh i mrekulluar. Të bëhet vetja si në ballkonin e perëndive. Syri rrokte gjithë Shqipërinë. Tiranën. Detin. Tomorrin. Kepin e Rodonit. Rrugën e Arbrit. Malin e Shëngjinit. Malin me Gropa. Lagunën e Patokut. Ishmin e piktorit të shquar, Ibrahim Kodra, etj. Një arrë e madhe, çuditërisht e vetme, gjallonte si monument qindravjeçar. Kujtesa e kohërave. Miku im. Lumtori, më tregoi se aty, kishte qenë bazë e raketave në kohën e diktaturës. Vërtetë për t'u çuditur! Ishte një antitezë e mahnitshme me historinë, namin dhe simbolikën e vendit. Sari Salltëku, dëshmonte legjenda, kishte qenë një dervish i thjeshtë, kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një kuçedër që e kishte shtëpinë në shpellën majë malit, kërkonte nga qyteti t'i blatonin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua. Dervishi i moshuar, me mjekër të bardhë, ishte dukur të ecte kalldrëmeve të qytetit me një degëz qiparisi në dorë, kurse në brez kishte ngjeshur një shpatë druri, dëshmi e misionit paqëtues. Legjenda thotë se i kishte ardhur radha vajzës së bukur të princit, e cila sypërlotur po i ngjitej malit për t'u flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zdranga e zhele nuk e trembi vajzën. Pasi dervishi mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për tek Kuçedra. Vendi ishte tharë e përcëlluar nga fryma e përcëllimtare e Kuçedrës. Vajza digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga ku kishte gurgulluar uji i freskët. Fati i betejës dihet, me shpatën e drunjtë, dervishi plak, i preu Kuçedrës shtatë kokët që villnin kob e gjëmë. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi si shpërblim të jetonte në shpellën majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij, dervishi Sari Salltëk, vetëm me katër hapa arriti Korfuzin. Gjurmët duken edhe sot e kësaj dite në Fushë-Krujë, Shijak dhe Durrës... Edhe Sari Salltëku kishte përjetuar tmerrin ateist-komunist. Më 1967 ishte shembur vendi i shenjtë, por krutanët nuk ishin shkëputur nga besimi. Netëve, merrnin të përpjetën e mundimshme me dashin në krah, bënin kurbanin dhe ktheheshin pa iu trembur rrokullimës për në zgafellat e thella të malit. I ruante dhe printe Sari Salltëku. (Të ndihmohtë!) Bektashinjtë i përbahen formulës: "Eline, diline, beline sahip ol", që do të thotë "...të mos vjedhësh, të mos gënjesh, të mos flasësh kot dhe të mos bësh tradhëti bashkëshortore...". Për të mbrojtur këtë besim është masakruar martiri i besimit, Baba Myrtezai i Krujës, i cili, pasi u turturua dhe gjymtua nga zelli ateist, u hodh nga dritarja e burgut në vitin 1946. Ky martir i kohës sonë, se ç'më kujtoi rilindasin tonë të madh, Naim Frashërin, që në veprën "Fletore e Bektashinjët", shprehet: "Besa e Bektashinjve është udha e gjerë që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë. Miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Me një anë ka lulet e diturisë, më anën tjetër të së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri, s'mund të bënetë njeriu bektashi i vërtetë"... Vendi ishte si një ballkon gjigand. Ballkoni i Krujës, ballkoni i shenjtërisë dhe historisë. Ballkoni i bukurisë. Prej aty, syri shkonte larg në horizonte, hynte thellë në histori. Shpella edhe pse zbriste në zemër të shkëmbit, ngjitej për në lartësim shpirtëror, pastrim moral, qetësi të amëshuar. Shkallët edhe pse uleshinin, krijonin imazhin e fluturimit.



Qetësi. Harmoni divine midis shpirtit dhe trupit. Natyrës dhe hyjnores. Gurgullimë uji. Freski. Qirinj të ndezur. Stalaktide dhe stalakmide, dëshmi e lotëve të mpiksur të pelegrinëve halleshumtë që nuk mungonin të vinin për të qetësuar dhimbjet e trupit, zemrës dhe shpirtit. Nëpër mure emra, dëshira, iniciale, gdhendje, skicime, foto të zbardhura nga koha. Vetëm dashuri. Dashuri dhe aspak urrejtje. Varret, mbuluar me pelerinën e gjelbërt, dëshmonin gjethimin, ringjalljen, pavdeksinë e këtij shenjti që nuk mungonte të shëronte plagët e njerëzve modern, për të cilin qe sakrifikuar në antikitetin e largët... Dolëm nga shpella dhe ndjeheshim të lehtësuar. Në trup e shpirt sikur më pëshpëriste një lajm i mirë... Pllaja në majë ishte e bukur. Ujdhesë. Kullotë alpine. Bredh. Ah. Pishë. Panjë. Lerat e ujit për bagëtitë. Stane. Disa lokale. Tufa bagëtish. Makina të shumta që pushonin nën hijen e shenjtërisë. Nëpër livadhe gëzoheshin lulet e stinës, lulebleta, çaji, luledelet, luleakulli, manushaqet, luleshtrydhet... Pelegrinë dhe turistë. Ta kishte ënda të pushoje. Njerëzit ishin përhapur nëpër punët e ditës. Tek i shihja me merakun e punës në sy, në mend më erdhi një thënie e artë e Mit'hat Frashërit, "Shpresa është bijë e punës!"... Këta njerëz patjetër që besonin në të ardhmen. Ato shpresonin nga puna e tyre, djersa e ndershme, përpjekjet e duarve, natyra e mrekullueshme. Ato kishin pasur dhe do të kishin të ardhme. Jetonin nën hijen e shenjtërisë, historisë së lavdishme, bukurisë së natyrës, madhështisë së vendit dhe institucionit të punës dhe meritës. Me mund e sakrifica kishin ngritur tempullin e përjetësisë, Krujën e tyre.

© Copyright 2005 Rilindja Demokratike


[ Edited Wed Apr 21 2010, 09:44am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sun Feb 07 2010, 12:55pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Turistët kërkojnë tradicionalen në Krujë



06/02/2010Vali Qyrfyçi

Viti 2009 ka shënuar një rritje të numrit të turistëve në dy muzetë e qytetit: në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe atë etnografik. Janë të kombësive të ndryshme. Nga shifrat e vëna në dispozicion, numërohen 76100 vizitorë.

Në rrugët e Krujës, pavarësisht stinës has turistë. Shqiptarë apo të huaj e kanë të përcaktuar destinacionin. Një shuarje e kureshtjes në Pazarin e Vjetër, në të përpjetën që të çon te kalaja dhe një vizitë në të dyja muzetë: në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe atë etnografik. Janë të kombësive të ndryshme.



Vitet e fundit, muzetë e Krujës kanë qenë nga më të vizituarit në vend. Shifrat shënohen në rritje edhe gjatë 2009-s. Ndonëse muajt nëntor dhe dhjetor kanë shënuar një rënie të fluksit, nga shifrat e vëna në dispozicion, numërohen 76 100 vizitorë. Mes tyre ka pasur mjaft shqiptarë nga qytete të ndryshme, por edhe nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqipfolëse.



Trupat diplomatike janë një pjesë tjetër e turistëve që kohë pas kohe udhëtojnë deri në qytetin historik. Por viti që lamë pas shënoi edhe mjaft turistë polakë, çekë, rusë e austriakë që pushojnë në Mal të Zi. Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe Muzeut Kombëtar Etnografik “Mehdi Hafizi” thotë për “Shqip” se vizitorët nuk shihen si të rastësishëm dhe kjo i ka dhënë frytet e saj. Atij i pëlqen të kujtojë një shprehje që dikur ia pati thënë ambasadorja Marsi Rice: “Kur dua të qeras dikë me diçka nga Shqipëria, e sjell në Krujë”. Pranvera dhe vjeshta e kaluar mund të quhen stinët franceze, pasi për rreth 15 të enjte radhazi me një shkëputje në verë, turistët francezë të ardhur me kroçera kanë qenë frekuentuesit e rregullt të dy muzeve. “Çdo të enjte prisnim rreth 130 turistë francezë përgjatë periudhave maj-qershor dhe shtator-tetor”, shprehet Hafizi. Sipas drejtorit, hapja e tunelit të Thirrës pati një ndikim pozitiv në rritjen e numrit të shtetasve kosovarë që vizitojnë këtë qytet. “Nuk bëhet fjalë për nxënësit e shkollave të Kosovës, pasi ardhjet e tyre janë në vazhdimësi, po për familjarë dhe të tjerë persona që vijnë me pushime apo për punë në Shqipëri dhe ndalojnë në Krujë”, sqaron drejtori. Po të ndjekësh shënimet e lëna në librin e përshtypjeve sheh që gjeografia e atyre që e vizitojnë për herë të parë këtë muze është zgjeruar shumë për sa u përket zonave shqiptare. Ka nga Gramshi, Erseka, Burreli, Tepelena, Dibra e Tirana. “Ka një kthim të plotë të interesit për historinë e kombit. Edhe emigrantët kanë qenë shumë aktivë gjatë vitit të kaluar. Ata vijnë bashkë me fëmijët për t’i bërë familjarë me historinë”. Edhe Kruja, si shumë qytete të tjera të trashëgimisë kulturore vuan mungesën e infrastrukturës. Në vazhdim, drejtori Hafizi beson në rritjen e numrit të turistëve. Një investim i Bashkimit Europian synon të ndërhyjë në restaurimin e infrastrukturës në zonat me trashëgimi kulturore. Investimi kap vlerën e 752 635 euro dhe pritet të përfundojë në fund të qershorit të këtij viti.

©2009 Gzeta SHQIP
trokit ketu

Armët e Skënderbeut

06/02/2010

Një dëshirë e pamundur
Një përpjekje që u mbyll në vitin jubilar të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, për të mbetur njëherë e mirë një ëndërr. Vjena refuzoi kontratën 25-ditore të propozuar atëherë për kthimin në atdhe të armëve autentike të heroit tonë. Pesë vite të shkuara Shqipëria kërkoi kthimin e përkohshëm të armëve në tokën e Kastriotëve. Pas vdekjes së heroit, armët përfunduan në Itali ku emigroi dhe familja e tij. Ato u kthyen në objekt shitjeje dhe që nga viti 1888 ato ndodhen të ekspozuara në muzeun e Vjenës. Gjithsesi, parlamentarët austriakë i patën thënë një Jo të prerë kthimit në atdhe të armëve duke përdorur si argument shitblerjen e tyre me Italinë.

©2009 Gzeta SHQIP
trokit ketu

Enveri dhe Berisha, krah për krah në Krujë

06/02/2010

Pazari i Vjetër
Pazari i Vjetër i Krujës mbetet një grishje e pamohueshme për turistët. Veçanërisht ata të huajt. Pas viteve ’90 objekte të vjetra, veshje tradicionale dhe antikuarë të tjerë gjendeshin plot përgjatë dy krahëve të rrugës karakteristike. Më parë edhe me çmime të lira. Sërish, mjaft turistë ndalojnë me një vështrim kureshtari në pragjet e dyqaneve, ndonëse një pjesë e madhe e tyre tashmë janë mbushur me mallra të importuar nga jashtë. “Made in China” mund të haset pa shumë vështirësi. Një buzagaz pa diskutim ta marrin filxhanët e çajit, vendosur dukshëm mes objekteve të tjera. Mbi to janë të stampuara portretet e dy udhëheqësve të këtij vendi. Në njërin prej tyre dallon Enver Hoxhën dhe në tjetrin ngjitur, Sali Berisha. Në sfond qëndrojnë ngjyrat e kuqe dhe blu që i identifikojnë politikisht. Tregtarët thonë se shitjet e tyre janë thuajse të njëjta, po nëse për Hoxhën blerjet shtrihen si te të huajt, ashtu dhe te vendasit, Berisha është i preferuari i vizitorëve nga Kosova

©2009 Gzeta SHQIP
trokit ketu


[ Edited Wed Apr 21 2010, 09:43am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
SuperGirl
Sun Feb 07 2010, 12:58pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Kahere skam ken ne Kruje 8-|

flm Lec per lajmet



Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
L - N
Sun Oct 03 2010, 12:13pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Përmbi Krujë



AFER & LARG
Ose një pelegrinazh i lënë përgjysmë
Një ditë më parë të gjithë mediat kanë dhënë lajmin se furrat e gëlqeres që shtrihen në këmbë të qytetit të Skënderbeut do të mbyllen. Ne presim që ajri në këto anë të jetë disi më i pastruar, por ja ku shohim një re të zezë që lartësohet frikshëm mbi fshat në këmbët e Krujës, paska edhe nga ato që nuk e vrasin edhe aq mendjen për urdhrin e Ministrisë së Mjedisit. Në fakt, nuk kemi edhe aq punë me furrat e pamposhtura të gëlqeres. Me atë lajm po merren kolegë të tjerë. Jemi nisur për një kuriozitet të vjetër, për historinë e Sari Salltëkut, njëra prej figurave më të njohura të bektashinjve.

Në Krujë mbërrijmë në orët e para të mëngjesit. Edhe këtu, si në çdo qytet të botës mëngjesi seç ka një nxitim të veçantë. Në rrugët e pjerrëta të qytetit nxënësit shpejtojnë të shkojnë në shkollë, kalimtarët përshëndesin me optimizëm njëri-tjetrin, ndërsa dyqanxhinjtë bëhen gati të hapit dyqanet e tyre të vogla. Përballë me muret e kalasë së Skënderbeut, teksa dielli ende nuk ka dalë mbi shtëpitë e Krujës, ulemi dhe kujtojmë historinë e Sari Salltëkut, shenjtit që bënte mrekullira.

Ka shumë legjenda lidhur me të dhe historia e vërtetë me sajimet që kanë krijuar breza të tërë besimtarësh mpleksen aq fort saqë nuk mund t’i dallosh nga njëra-tjetra. Gjithsesi, dihet se ka qenë një pasues i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të bektashizmit. Disa thonë se shenjtori i ardhshëm ishte nga Kaukazi, disa të tjerë e bëjnë tartar të ardhur nga stepat e largëta. Gjithsesi, aty nga gjysma e dytë e shekullit XIV duket se ky personazh bënte pjesë në radhët e osmanëve që u vendosën në Babadag (në Dobruxhën e sotme në Rumani) nga perandorët bizantinë me qëllim që të mbronin kufijtë veriorë nga dyndjet e popujve të tjerë. Pikërisht këtu rrëfehet mrekullia e parë e Sari Salltëkut. I armatosur vetë me një shpatë të drunjtë – ai predikonte largimin nga armët – ai arriti që të vrasë një kuçedër me shtatë kokë që si ushqim të përditshëm kishte vajzat e bukura të një mbreti të mirë. Nuk dihet fare saktë se kur mbërriti në malin përmbi Krujë njeriu që bënte mrekulli. Studiuesit thonë se ai duhet të jetë vendosur aty andej disa vite pas qëndrimit në Babadag dhe në vende të tjera të Ballkanit. Në fillim i strehuar në një shpellë nga ku shokohej e gjithë fusha dhe kështjella e Krujës. Pranë saj rridhte një burim me ujë të pashtershëm. Këtu ka ndodhur mrekullia e dytë e madhe e Sari Salltëkut. Vetëm ai arriti të mposhtë një kuçedër tjetër që nuk e linte ujin të furnizonte qytetin. Edhe në këtë rast një tjetër shpatë prej druri hyri në përdorim. Pak nga pak rreth shpellës nisën të ngrihen disa ndërtesa që do të përbënin më pas teqenë që u bë shumë shpejt e famshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Mund të duket si çudi që një predikues i fesë islame të sillej vërdallë këtyre anëve të njohura asokohe për besnikëri ndaj krishterimit. Por shenjtori e kishte gjetur edhe marifetin: ai dhe dervishët që e shoqëronin, mbante veshur një veladon murgu dhe predikonte besimin e tij duke përmendur hera-herës edhe Jezu Krishtin. Në popull është ende e përhapur legjenda që ai ka qenë një murg ortodoks, madje i kanë mveshur edhe emra, Shën Spiridhoni është më i përhapuri prej tyre. Legjendat thonë se ky shenjt kishte edhe një veti tjetër: ai udhëtonte duke bërë kapërcime kolosale. Për shembull nga Kruja kërceu në Fushë-Krujë, që këtej në Durrës dhe që nga Durrësi fill e në Korfuz. Kudo ku shkonte, apo më mirë kërcente, ngrihej një teqe. Rrok Zojzi, një etnograf i njohur, e pat përshkruar teqenë e Sari Salltëkut mbi Krujë në fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar. Në atë kohë pranë shpellës dhe burimit të njohur lartësoheshin tri ndërtesa. E para ishte për mysafirët e shquar, në të dytën strehoheshin dervishët, që njëkohësisht ishin edhe bujq apo zejtarë, e treta shërbente si han për hallexhinjtë që i zinte nata jashtë.

Poshtë Krujës, në anën e rrugës që të lidh me Fushë-Krujën, është një teqe e vogël. Besimtarët janë të bindur se pikërisht këtu Sari Salltëku bëri ndalesën e tij të parë kur u nis për në Greqi për të hapur teqetë e tjera. Kjo quhet “Teqeja e Gjurmës së Sari-Salltëkut” dhe është rindërtuar nga një besimtar me shpenzimet e veta më 1992. Qetësia mbretëron rreth gjurmës se shenjtit. Vetëm një burrë i moshuar pastron me përulësi qirinjtë që kanë qenë ndezur një natë më parë. Pikërisht këtu pyesim se si shkohet në teqenë e njohur pranë shpellës. Dhe kështu nisim të ngjitemi nga qendra e Krujës, diku aty ku është monumenti i njohur i Skënderbeut, i skulptorit Janaq Paço, drejt kreshtës që lartësohet mbi qytet. Kudo hasim punëtorë e makineri të rënda që punojnë pa pushim. Rruga drejt vendit të shenjtë është duke u zgjeruar. Mos kemi gjetur kohën e gabuar? Dyshimi sa vjen e shndërrohet në bindje, sepse kur kemi mbërritur aty diku në mes të rrugës, pranë godinës së një reparti të vjetër ushtarak, rruga bëhet e pakalueshme. Gurët e mëdhenj dhe balta nuk janë miq të mirë për makinën tonë jo edhe aq të lartë. Kështu që shpresa jonë për t’u ngjitur në një vend të shenjtë në mbi 1000 metra lartësi shuhet sakaq. Mbetemi vetëm ne, godina e harruar e repartit dhe një çoban që u vërshëllen deleve të tij të shpërndara në shpatin e malit. Që këndej shohim shtëpitë periferike të Krujës dhe njollat e tymit që vazhdojnë të shpërndajnë disa furra gëlqereje larg njëra-tjetrës. Nuk kemi se ç’të bëjmë më. Qëllon në jetë që edhe një shenjtor i fortë si Sari Salltëku të të mos ndihmojë dot. Kështu që teksa zbresim vendosim të shohim një herë se çfarë ka mbas qytetit të Skënderbeut. Kruja është e njohur vetëm nga fasada e saj me kalanë, kullën, monumentin e heroit, pazarin dhe shtëpitë e vjetra. Po pas saj?

Në periferi kanë mbetur ende do shtëpi të vjetra. Teksa i fotografojmë ato një burrë, jo fort i vjetër na sheh në sy dhe na lutet: më nxirrni mua në fotografi dhe më jepni edhe ndonjë lek. Kërkesë e çuditshme për një pasardhës të Skënderbeut. “Kushedi se si e ka hallin”, thotë me qetësi njëri prej nesh dhe e nxjerr në fotografi. Nëse i dha lekë apo jo, kjo mbeti një gjë e panjohur.

Pasi lëmë pas shtëpitë e fundit të Krujës i futemi një rruge krejt malore. Kjo është rruga që të çon drejt Qafë-Shtamës, atje ku dikur një makinë e posaçme e dërguar nga Mbreti Zog mbushte ujë për Nënën Mbretëreshë. Xhadeja gjarpëron mes disa shkëmbinjve hijerëndë. Poshtë nesh është një humnerë e thellë. Befas ndiejmë një erë të fortë dioksine. Ajo çlirohet nga djegia e mbeturinave plastike. Një kalimtar që po pret furgonin për të shkuar në drejtim të kundërt me ne na thotë se këto janë plehrat e Krujës dhe se pikërisht këtu ndahet kufiri mes qytetit dhe fshatit Nojë, një fshat i vjetër dhe i madh me shtëpi të shpërndara në të dy anët e një përroi të thellë. “A s’e dini këtë problem – na thotë fshatari i habitur me paditurinë tonë – po kjo punë ka kohë që diskutohet! Kruja duhet t’i hedhë plehrat në territorin e saj, por ata sa vijnë e po i afrohen fshatit, kështu që era e keqe dhe të gjithë të tjerat në mbeten. Nji kjo asht puna”. Në një shkëmb të anuar në anë të rrugës lexojmë një mbishkrim dhe mësojmë se pikërisht këtu janë hedhur në humnerë 90 gra e vajza krutane në kohën kur në këto anë kishte ardhur turku. Poshtë, në këmbët tona përroi vazhdon të përlajë me zhurmë e të çojë në det shishe plastike e qese gjysmë të djegura. I ngremë edhe një herë sytë drejt majës së malit, atje ku dikur një njeri i çuditshëm predikonte islamin i veshur me veladon murgu. Nuk ia pamë dot shtëpinë njeriut të mrekullive. Qëllon shpesh në jetë që edhe shenjtorët nuk i ke me vete.


©2009 Gzeta SHQIP
trokit ketu



[ Edited Sun Oct 03 2010, 12:13pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2444 sec, 0.0763 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,640kB