Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Histori
 
<< Previous thread | Next thread >>
Urdhni Françeskan & Arkivat
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Tue Mar 16 2010, 10:21am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
At Viktor Volaj, Mbërrijnë dorëshkrimet e vyera në Arkivin e Françeskanëve

Dërguar më: 14/03/2010 - 14:05

At Viktor Demaj, OFM

Urdhin Françeskan që sapo mbushi 800 vjetorin e themelimit të tij nëpërmjet Provincës Françeskane Shqiptare i ka dhurue popullit shqiptar Françeskan e idealista të vertetë që me jetën e veprën e tyne kanë përhapë paqe, dije, kulturë, vëllaznim mes bijve të Arbënit. Janë shque me përkushtimin e tyne në fushat e ndryshme të inteligjencës shqiptare. Po të mos ishte Fra Pali prej Hasit nuk do të kishim vjerrshat e para në gjuhen shqipe që janë të përfshime në veprën e Pjetër Budit. Nuk do të kishim Gramatiken e parë shqipe po të mos kishim misonarin fra Françesko Maria Da Leçe, e kështu me rradhë. Nji tjetër françeskan arbnesh, At Leonardo De Martino na dhuroi vjerrsha të bukura në gjuhën gege me nji stil të artë që u përket vetëm poetve të medhaj. Rreshti i tyne përfshin nji plejadë kolosësh ku arriten majat me Mons Vinçenc Prennushin poetin e ambëlsisë dhe shijes poetike, At Gjergj Fishtën, At Anton Harapin, At Zef Pllumin, etj.

Bash në rreshtin e këtyne ban pjesë nji tjeter Françeskan At Viktor Volaj që, bashkë me zhgunin bojë kafe, me konopin tre nyjesh muer misonin me dashtë Shqipninë e me vashdue rradhën në rreshtin e françekanëve për Fe e Atdhe.

Veprimtaria e tij shkencore

At Viktor Volaj pak i njoftun prej publikut shqiptar ka dhanë ndihmesen e tij në fushën e studimeve shqiptare. Fatkeqësisht nuk ekziston vepra e tij e plotë, përveç veprës Famullia e Bizës e botueme në Kosovë në vitin 2005 nga françeskanët e atjeshem. Kjo për shumë arsye. E para se në kulmin e krijimtarisë së tij në Shqipni u instalue diktatura komuniste, që çoi në eleminimin e këtyne figurave nëpër fushat e ndryshme kulturore. U detyrue At Viktori të punojë në heshtje, në vetmi, i izoluem në boten e tij prej nji akademiku të vertetë. Edhe pse në ketë gjendje ai e dha kontributin e vet në studimet shqiptare. Arsyeja e dytë asht se krijimtaria e tij ndodhet e botueme nëpër vepra të ndryshme, dhe njikohësisht e shpërndame nëpër dosje dhe e pa botueme.
Në fillim të muejit shtator u paraqitë në Biblioteken At Gjergj Fishta në Shkoder Z. Karlo Marlekaj prej bujarisë së tij na dhuroi nji dosje me shkrime e studime të ndryshme gjuhesore, etnografike, toponomastike, historike të At Viktor Volaj.

At Viktor Volaj kje edhe redaktuesi i disa prej veprave të At Gjergj Fishtes. Nën kujdesin e Volajt u botue ne vjetin 1941 Mrizi i Zanavet, Vallja e Parrizit, Anxat e Parnazit, etj. Keto ribotime të kryeveprave fishtiane u shoqnuen edhe me nji aparat kritik spiegues. Nga ana tjetër nuk ishte e lehtë për Volajn të bante redaktuesin e vepres së Fishtes tue pa plejaden e madhe që françeskanet në vitet ‘30 e ‘40 të shekullit të kaluem i dhuruen popullit shqiptar. La në dorëshkrim të komentueme kryevepren epike Lahuta e Malcis.

Studime, shënime, kërkime të At Viktor Volajt që tash sëfundmi na ranë në dorë përbajnë nji visar të çmuem në lamën e studimeve shqiptare. Zbardhja dhe botimi i këtyne studimeve do të jetë nji homazh dhe nji nderim për At Voljan, i cili me duresën e tij tue mos e mbajtë kohën në dobi të vetvetes por jau dhuroi të tjerëve. Në fund të fundit ky asht edhe misoni i “fratit” dhe i “studiuesit”, në shërbim të të tjerëve. Bash në kulmin e krijimtarisë së vetë ai e kaloi në heshtje, frikë e kërcenime, sa që diftojnë ata që e kanë njoftë se shpeshherë e ulte zanin gjatë bisedave (kjo mbasi kishte ra komunizmi) nga frika se mos e spiunonin. Edhe pse në heshtje, punoi me mjetet e tij të vorfna për hir të sistemit të asaj kohe për kulturën shqiptare. Fryt i punës së tij të palodhshme janë nji grumbull letrash, faqesh të zverdhuna prej kohet ku diftojnë njohuninë e tij dhe pregatitjen e tij prej nji shkencëtari të vertetë. Thash ma naltë se ka punue më mjete të vorfna për arsye të sistemit, tue u nisë nga disa studime të tij të lana përgjysë, të pambarueme, ose me citime librash që ai nuk i kishte në atë moment në duer por i kujtonte përmendesh.
“Shkencëtarët” e akademisë së “shkencavet” të asaj kohe e kanë “shfrytëzue”, por asnjiherë nuk ja dhanë meritimin e duhun.
Duhet të veçojmë në atë kohë gjuhëtarin Eqrem Çabejn i cili ruente dhe kishte nji respekt për françeskanet, sikurse edhe françeskanët e kishin nderue filologun e ndritun sapo u kthye nga studimet e tij, tue e perkrahë në misonin e tij shkencor në botimin herëpashere në revistën Hylli i Dritës, ku kulminoi në botimin e librit: Per gjënezen e gjuhës shqipe. Kjo perkrahje nga ana e françeskanve kishte krijue ne zemren e Çabejt nji respekt e nderim për Françeskanet e në veçanti ndaj dy gjuhëtarve: At Justin Rrotës e At Viktor Volajt. Do të ishte me interes dhe punë e madhe sikur të botohej korrespondenca mes këtyne gjuhëtarve.

Në bibliotekën Françeskane At Gjergj Fishta në Shkoder gjatë sitemimit të librave më ra në dorë libri i Çabejt: Shumësi i Singularizuar në gjuhën shqipe, botue në vjetin 1967. Për çudi në nandor të po atij viti në kulmin e përsekutimeve ku u mbyllen Kishat, ky studiues ja dhuron librin mikut të tij At Viktor Volajt. Nji kushtesë, nji dedikim, nji kujtim i çmuem që vuloste përherë miqësinë mes këtyne dy gjuhëtarve, mes Çabejt e Françeskanve.
Studimet e tij klasfikohen dhe ndahen në: studime gjuhësore që përfshijnë studime rreth prejardhje fjalësh, zhvillime etimologjike të tyne, neologjizma, etj. Kritika fjalëve me shtjellime të mangëta ose të gabueme të botueme në fjalorët zyrtar prej Akademisë së Shkencave, etj. Me interes asht edhe komenti i Lahutes së Malsisë nga At Viktor Volaj. Komenti përmban ma shumë se 6000 shënime. Këte e ka pohue vetë Volaj në nji leter dergue A. Kostollarit. Vepra Lahuta e Malsisë e komentueme dhe e redaktueme prej At Viktor Volajt simbas dëshmisë së At Zef Pllumit aty rreth vjetit 1944 asht dërgue në Firence të Italisë për botim. Me hymjen e komunizmit asht ndrepre gjithçka, nuk dihet fati i vepres. Në dorë kemi Lahutën botim i vjetit 1937 të shoqnueme nëpër faqet e saja me shenime e shpiegime fjalësh apo ngjarjesh rreth saj.

Një vëmendje të veçantë At Volaj i ka kushtue edhe studimeve toponomastike. Këte e shohim tue shfletue materialet e ruejtuna gjatë punës së tij disavjeçare në rrethana të vështira. Studimet toponomastike janë kryesisht rreth zonës së veriut. Studime e toponima mbi rrethinat e Shkodrës, Malsinë e Madhe, Pukën, Mirditën me rrethina, Kurbinin, Kepin e Rodonit, Bizën, etj. Të gjitha këto studime ndoshta disa prej tyne të mbetun edhe përgjysë paraqesin dhe mbartin më vete randisë jo vetëm për njohuni të këtyne vendeve por kryesisht janë të vlefshme për studimet dhe vjetërsinë e gjuhës shqipe. Me fjalë të tjera i shërbejnë filologjisë shqiptare. Bash tue u nisë me emnat e vendeve, kodrave maleve, prrojeve, etj, gjuhëtarët kanë pa nji vazhdimsi qindravjeçare të gjuhës shqipe.
Në studimet e kërkimet e tij historike spikasin: studime mbi Kepin e Rodonit, Bizën, etj.

Botimet

Prej krijimtarisë së At Viktor Volajt janë botue këto studime: P. Viktor Volaj, OFM., Famullia e Bizës, Gjakovë 2005. Në këte studim autori jo vetëm që ban nji vëzhgim historik mbi këte trevë, por studion edhe të folmen, toponomastikën si dhe zakonet e doket e atyshme. Ka bashkëpunue me At Justin Rroten për përpilimin dhe redaktimin e vepres: Gjuha e shkrueme ase verejtje gramatikale, “sidomos në pjesën e I përsa i përket të damit e gjuhëvet, elemtavet autoktonë të shqipes, dhe burimit të huajtun nga greqishtja e rumanishtja. Njashtu edhe në pjesën e dytë të Morfologjisë, trajtimi mbi përemnin mund të thomi, se ashtë punue gati krejt prej tij” (Shënim i At Justin Rrotës). At Viktor Volaj, Smundja e deka, në At Gjergj Fishta 1871-1940, numër përkujtimuer neper kujdes t’A. Benedikt Dema O.F.M. Shkodër 1943, fq. 341-346. At Viktor Volaj, Gjon Kamsi, në Kumbona e se dieles, 1992, nr1, fq. 22-23. At Gjergj Fishta, Mrizi i Zanavet, me parathanje e komentueme prej At Viktor Volaj. Në lidhje me botimin e Mrizit të Zanavet nën kujdesine Volajt, Aleksander Xhuvani pat shkrue: “Kurrkush ma mirë se nji nxanës i Fishtës (në vështrimin e ngushtë të fjalës, pse nxansa po jemi të gjithë të Tijt) nuk kishte mujtë me ndërmarrë dhe me krye nji të tillë vepër komentimi, e kurrkush ma mirë se nji Vëlla i Tij në Shën Françeskun nuk kishte mujtë me e kuptue dhe me e qitë ne shesh si lypet frymën e tijë. Tue lexue lirikat e “Mrizit” të pertrihen po ato ndiesi qi Poeti desht me na i komentue me anë t’artit, dhe shumë ma tërheqese bahen të shoqnueme prej njij komenti, si ky i Atit Viktor, të mbatun dhe të plotësuem me njohtime historike shum të randësishme”. At Gjergj Fishta, Vallja e Parrizit, me parathanje dhe e komentueme prej At Viktor Volaj. “Treva e Rodonit në principatën e Skënderbeut. – Vëzhgim historik – etnografik, në Hylli i Dritës, nr.4, 2010 fq. 133-157. Edhe njiherë duhet me falenderue Z. Karlo Marlekaj, nipin e At Jak Marlekajt gjuhëtar dhe bibliotekofil, për këte vepër të naltë bujare e fisnike, tue ja dhanë dorëshkrimet e At Volajt Arkivit të Bibliotekës Françeskane At Gjergj Fishta.

Jetëshkrimi i At Viktor Volaj

At Viktor Volaj u lind me 06.12.1910 në Shirokë (Shkodër). Më 10.
09.1925 hyni në seminarin françeskan. Në vitet 1928-1929 kreu
noviciatin në Troshan, ndërsa Kushtet e përjetshme në Rregullin Françeskan i muer në vjetin 1932. Tue fillue prej vjetit 1937 e deri në vjetin 1946 kje profesor i gjuhëve klasike, greqisht e latinisht në “Liceum Illyricum” Në vjetin 1941 sekretar e Provincës kur Provincial ishte At Anton Harapi. Kuvendet françeskane u mbyllen në dhjetor të vjetit 1946 me urdhën që dy freten të mos jetojnë bashkë. Tue qenë se ishte njohës i thellë i gjuhë shqipe në vjetin 1946 u thirr në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarve për punë gjuhësore. Komentoi vepren Lahuta e Malisë aty rreth vjetit 1942. Prej vjetit 1949 e deri në vjetin 1954 internohet në Tepelenë, Lundërz dhe Kamzë. Mbas internimi kthehet me vijue pune e tij baritore ku shërbeu si famullitar në Tiranë dhe në Bizë 1954-1967. Gjatë kësaj përiudhe sikurse u pa u muer intensivisht me studime gjuhësore e historike. Mbasi u mbyllen Kishat e deri në vitin 1990 qëndroi pranë të afërmve të vetë nën vëzhgimin e frikëshem dhe tmerrues të shtetit komunist. Vitet e fundit i kaloi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Ndërroi jetë me 05 nandor 1995. Shkrimet e pabotueme të At Viktor Volaj, ruhen në Arkivin e Bibliotekes Françeskane At Gjergj Fishta - Shkodër.

At Viktor Volaj i shkruan Kostallarit...
Gjuhën shqipe po e zotëron stili gazetaresk


Këtë letër, At Viktori, në vjetin 1967 ja ka dërgue Androkli Kostallarit, që nga gazetar si profesion, sistemi komunist e vuni në krye të institutit të studimeve dhe kërkimeve gjuhësore. Me këte letër At Volaj i ban nji kritikë Kostallarit për librin e tij mbi Kompozita në gjuhën shqipe, e krahas kësaj sjell shumë risi dhe shtjellime fjalësh të reja në gjuhën shqipe. Ndalet edhe në analizime dhe paraqet fakte për përdorimin e tepruem të fjalëve të hueja në leksikun e shqipes. Këtu gjejmë të dhana mbi komentin e Lahutës së Malsisë, si dhe mbi një fjalor që Volaj e kishte pergatit dhe do ta dërgonte në Akademinë e Shkencave brenda vjetit 1968, për të cilin nuk dimë ende se ku ndodhet. Ndoshta ky fjalor do të jetë i ndrym nëpër arkivat e Akademisë sikurse ishte edhe Gramatika e At Justinit.
Bizë (Rodon) 4/10/1963

Shoku Androkli,

Ka shumë kohë – gati një vjetë – që kishe në mend të ju shkruejshe në lidhje me studimin tuej mbi kompozitat: dëshirojshe t’u përgzojshe me Ju për këte studim të çmuem me të cilën po pasunohet gramatologjia shqipe. Ky ashtë një argument që ashtë trajtue vetëm për rrëshqit, së parit prej N. Jokl-it (1925) dhe ma vonë nga K. Cipo dhe A. Xhuvani. Me studimin Tuej trajtohet ex professo ky argument që pritte tash kohë dorën e një studiuesi kompetent.
Studimi i Juej ashtë i plotsuem nga çdo pikëpamje, pse nisë me një analizë të hollsishme të gjithë gramatologëvet të shqipes. Mandej merr në shqyrtim edhe shumë kompozitat që na dëshmohen nga onomastika dhe toponomastika e herëshme, si edhe disa prej atyne që ndeshen qyshë në shkrimtarët e vjetër. Në këte anë studimi përforcohet me provë të gjalla për pasuninë e kompozitavet në gjuhën shqipe. Ndoshta Hahn-i dhe Camarda sulmohen pakëz tepër, kur të keni parasyshë faktorin psikologjik që ka ndikue në gjykimin e tyne; këta të dy përfaqsojnë dý gjuhë që janë ndër ma të pasunat për kompozita të ndryshme: i pari gjerman dhe i dyti, megjithëse arbëresh me shpirt e me zemër, ka si gjuhë greqishten gjuhë liturgjike dhe kulturore, gjykimet e tyne duhet të gjykohen nen prizmin e në barasim me këto dy gjuhë që janë gjuhët par excellance të pasuna për pasuni kompozitash. Si e dini, disa koncepte të greqishtes së vjetër vetëm me anën e gjermanishtes mund të përkthehen: mot a mot. Do të kemi mandej para syshë se ata nuk e njihshin sa duhet (as nuk ishin në gjendje n’atë kohë) pasuninë e leksikut të shqipes.

Në dallimin e kompozitavet ju përdoret termat klasikë të K . Brugmann-it kompozita ezoncentrike dhe ekzoncentrike. Ndoshta ashtë mirë të theksohet edhe termonologjia që përdorin sidomos Francezët dhe italjanët e të tjerë: kompozita sintaktike dhe ____(fjalë që nuk kuptohet – damtue fleta).
Një kritikë mbi trajtimin e fjalëve të reja, besoj, kishte për t’a plotsue argumentin nga çdo anë. Ndeshemi shpesh herë në neologjizma fjalë trajtimesh që nuk i përgjegjin plotësisht natyrës së shqipes.
Do të më lejoni, nëse do të ndalem mbi një fjalë të përbame, që shumë kush e mban si t’ishte një neologjizëm e rilindasvet. Kurse në të vërtetë ashtë fjalë thjeshtë e popullit. Por n’atë kuptim që e përdoret një pjesë e madhe ashtë një neologjizëm veshtrimi, që nuk i përgjegjë veç aspak natyrës së shqipes. E kam fjalën për kompozitën shpirtëmadh, shpirtëmadhe. Në veri shpirtëmadh do të thotë pashpirtë, zemërgur, i pamëshirëshëm. Këte kuptim unë e kam pasë rasën me vërtetue në popull edhe në jug (në Kurjan). Në kuptimin që duen t’a përdorin sot ashtë një calque i gjuhëve të hueja (krhs.lat. magnanimus nga magni-animus, magno-animus; gjerm. Grossmut, grossmütig etj.) Argumenti deçiziv asht krejt vargu i fjalëtrajtimevet emën mbiemni i madh, kur tregohen veti morale. Kështu kemi;
mendemadh, e; njiri që i duket vetja i madh, që mbahet i madh;
fjalëmadh, e; ai që mburret me fjalë të mëdha, që nuk ashtë si ka fjalët;
pasëmadh, e; ai që mbahet se ka, por që në të vertetën nuk ashtë si do t’a tregoj veten.
Ndëgjohet në Shkodër, sidomos prej plakash, kur duen të kritikojnë një njeri që ban shpenzime përmbi fuqi vetëm për t’u dukë para së tjerësh se ka;
punëmadh, e; ai që mburret kinse ban punë të mëdha;
hatërmadh, e; që i ngel hatri me njëherë, që preket shpejt.
Përkundër ndër fjalë që tregojnë veti fizike kanë kuptimin e natyrshëm. Kështu kemi: shtatmadh (që ka shtatin e madh), kryemadh (me kokë të madhe), symadh (me sy të mëdhaj), kambëmadh, burrëmadh. Për fjalën magnanimus shqip kemi zemërgjanë (zemërgjërë).
Çdo gjuhë ka natyrën e vetë, si e dini. Në greqishten e vjetër (flas për të vjetrën, pse nuk e njoh greqishten e ré) megalo-nous do të thotë mendemprehët (por fjalë për fjalë do të thotë mendemadh).

Shumë gjana janë tue hy hiri e pa hiri, pa pasun para sysh natyrën e gjuhës së popullit. Në këte pikëpamje rilindasit tanë kanë qenë ma të kujdesshëm në veshtrimin e gjuhës së popullit. Gjuha po ecë përpara dhe po ban përparime të mëdha, por ashtë friga se tue u studjue shkencorisht, po çveshet nga shumë karakteristika të shprehjevet popullore. Në gjuhën e shkrimevet tona po mbizotnon stili gazetaresk. Purizmi i gjuhës u flak. Nuk flas për fjalët e reja të tipit të Logorecit ase për kompozita ultrapuriste të shnatyrëshme të S. Rizës, por për shumë fjalë që i përdornë me shumë shije rilindasit dhe që u lanë mbas dore, jo për tjetër, por pse nuk njihet gjuha e shkrimtarvet.

Vepra e A. Xhuvanit “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” duhet të jetë një “Vademecum” e nxanësve të shkollavet të mesme tona.
Ç’nevojë kemi, p.sh. të përdorim foljen turqishte rastis, kurse kemi në gjuhën shqipe: ngjanë, ndollë, qëllon etj. përveç mënyravet të tjera perifrastike sot përgjithësisht përdorin fjalën rasë si term gramatikor që e ka fillimin te “Folëmarmja” e Bashkimit 1901, por kjo ashtë përdorë prej shkrimtarësh edhe për fjalën turqishte të sotshme rast. Gjuha italishte përdor fjlaën caso për të dyja kuptimet. Edhe gjermanishtja me ndryshimin e një parashtese përdorë: fall, zufall Pse të kthejmë te një turqizëm mbas sa kohësh që ashtë lanë mbas dore. Edhe pse ndoshta këtu kemi një kryqzim të fjalës shqipe me turken, kjo niset prej ranjës shqipe ram, rënë. Samiu si term gramatikuer përdorë rënjë (cas). Turqizmat të përdorën aty ku nuk mund të zëvendsohen. Ashtë qenë harrue fjala zarzavate, dhe ashtë përdorë barishte si e ka populi në veri. Sot lexohet gjithëkund në tabela. Këtu ma përpara kemi pasë përdorë barna për ilaçe, dhe neologjizma barnatore ka pasë zëvendsue farmacinë.

Do të më falni në se do të kaloj te një pikë tjetër: te Fjalori i Gjuhës Shqipe. Me botimin e parë të fjalorit ashtë ba një punë shumë e mirë; kurrgja mos me qenë ashtë grumbullue një pjesë e mirë e materjalit të fjalorëvet të përparshëm së bashkut. Përmbi këte fjaluer ashtë shkrue disa herësh nga persona të ndryshme ku ma pak ma shumë, edhe me kompetencë. Due të theksoj vetëm një gja të vetme: ndër fjalorët e gjuhëvet moderne (flas për ato që njoh) që kanë tradita shekullore, edhe sot, mbas sa shekujsh, ndihet nevoja të vihen në beh lexuesët që mos të përdoret kjo ase ajo fjalë ase trajtë por të zëvendsohet me fjalë ase trajta ma të drejta. Kur gjuhët e punueme me tradita shekullore ndiejnë nevojën për vrejtje të tilla, pse mos të përdoret edhe ky kriter sot: në ata lexojmë: neologjizëm i papelqyeshëm. Barbarizëm për t’u zëvendsue me … Në fjalorin e gjuhës, për shembull, kemi: sergjen (sergji shk.), policë, lëpizë, shtreth-i (në Bizë përdorët trajta shtrethe-ja). Kjo e fundit ashtë krejt shqipe, pa dyshim, e para edhe e dyta të hueja (turqisht e slavisht) të cilat duhet me kohë të eliminohen dhe të zëvendsohen me fjalën shqipe. Prandej kishte për t’u dashtë në një botim të ri, jo me i vu ma verbëtas si përpara mbas të gjitha trajtat si sinonima, por të theksohet për ato, që asht e mundëshme që mund të bahet: turqizëm për t’u zëvendsue me. … slavizëm për t’u zëvendsue me … Kështu sidomos nëxanët edukohen dashtë e pa dashtë me shijen e gjuhës. Jo të gjithë janë në gjendje të dijnë të dallojnë egjrën prej grunit. Tash do kohë kam përfundue një monografi mbi famullinë e Bizës, ku kam përmbledhë gjithëçka. Përveç të tjerash kam shfrytue relacjonet e shek.XVII, sidomos ato të Marin Bizzi-t, i cili ka ndenjë në këto ana plot një muej. Kam mbërrijtë mbas sa përpjekjesh të indentifikoj disa vende të panjohuna, ndër të tjera ato dy fshate të zhdukuna që kishin ma se 60 shtëpi. Këto shenime i a kam dhanë Njac Zamputit, me gjithëse i ka vu, pa diftue se prej kuj janë qenë gjetë! Njëkohësisht këtij punimi i kam kushtue një kapitull mbi të folmen dhe një grumbull fjalësh të rralla ase me kuptime të tjera, disa fjalë që njihen për të tregue hapësinën e tyne, dhe që mund të mendohen se janë vetëm të zonavet të Veriut. Fjalori në këto ana nuk ashtë gjithëaq i pasun, por ashtë i pastër. Ja disa shembuj:
kashtoj: qes kashtë gjedhevet, (F. GJ, ka vetëm: rrethoj me kashtë)
vathoj: ngreh një vathë për gja të gjalla, (F. i GJ, ka: plehnoj arën duke vënë vathën e dhenvet në të.) Këto përdorin përgjithësisht, dhe jo vetëm me një kuptim të caktuem.
ferroj, ferrose: (folje denominative që nuk e ka fjalori): theri me ferra, therem në ferra. Nga folklori: “m’ferroi ferra kambën. Rashë e thera kambën”.
sodom: qes farë, shkatërroj në themel (fjalë që ndihet rrallë). Fjalori e ka vetëm si shprehje të Kanunit; e përdorë edhe Fishta.
rröhem (rryehem), përdoret vetëm në kuptim reflektiv, me aorist sigmatik: u rrösh (u rryhesh): përpiqem, mundohem etj.
rij, (pasuni): përtrij pusuni; përdoret vetëm si folje transitive; nuk ndihet këndej folje e përbame (përtrij) por vetëm e parmja.
vapore: kam vapë të madhe. Fjalori i Gjuhës ka: kaloj vapën në një vend fresk. Nuk besoj të jetë ky kuptimi: kam frigë mos kemi ndonjë lapsus, pse kuptimin duhet t’a kishte shvapohem po të ekzitonte.
kalaroj: i bie për rreth një vendi, qarkoj rrethoj (fjalë e zakonshme në këto ana). F. i Gj. ka kacavirem (për bimë që qepen në një dru);

Mbas sa kohësh kam ndëgjue fjalën pukë, të cilën, si e dini, e ka Frangu i Bardhë: udhë puukë (via publica) prej kah duhet të ketë origjinën toponimi i sotëm Pukë. Këtu ndihet por rrallë për diçka të dukëshme, p.sh: pukë e bardhë, e kuqe, e zezë, etj. një vend një diçka e dukëshme e bardhë, e kuqe etj.
Ka do kohë që shtyp lexohet numur për numër. Një asimilim dialektor për numër si thuhet gati në mbarë Shqipninë. Edhe në Shkodër thonë: sugurisht, fugure (asimilime të ngjashme me këto) por duhet të mbesin trajta dialektore. Unë për vete shkruej përherë: sigurisht, figurë.

Fjalori si thashë përgjithësisht ashtë i pastër. Ja për shembull pjesët e parmendës: 1; vigu (shtijza); 2. kalostra (pjesa e kthyeme e dorzës); 3. dorëza (pjesa e kthyeme bashkë me pjesën horizontale, krejt një cope); 4. qajka (kunji që mbërthehet për zgjedhë; 5. sqapthi (një bosht që lidhë dorëzën, vigun e verzat); 6. pylka e sqapthit (pykëla e sqapthit); 7. qajka (kunji që mbërthehet për zgjedhë); 8. thikëza (pjesa e drunit ku shtihet plori); 9. verzat (veshlat); 10. javaçi (guzhma); 11. zjedha (zgjedha); 12. kulari; 13. qerfulli (kunji që shtihet në kular).
Nuk po shkoj ma gjatë në numrimin e këtyne fjalëve: ju çeka vetëm disa sa për të pasë një ide: unë këte fjaluer do të u a dorëzoj kah fillimi i vjetit të ardhëshëm, si një kontribut të vogël për fjalorin e përgjithëshëm. Kam marrë vesht se në këte vjet ishte zhvillue një mbledhje e leksikografëvet: me andje do të kishe dëshirue të ishem n’atë mbledhje, për të marrë pjesë në diskutimet e zhvillueme. Me studimin e leksikut të shqipes jam marrë përherë. Rreth Lahutës së Malcis kam pasë ba në 1942 afër 6000 shenime.
Studimi i leksikut të krahinavet të ndryshme ashtë i interesantshëm nga çdo pikëpamje. Para gjashtë muejsh më ndodhi rasa të ndëgjojshe prej një fshatari nga Kodërlaçi fjalën dölltinë. Tashti duhet dijtë se në këte të folme y-ja tonike shqiptohet si një ö e shkodranishtes (vö, orë); pra dylltinë. U interesova për këte fjalë edhe më diftoi se thirret kështu një tokë ngjithëse si dölli (dylli). Dhe atëherë thashë me vete: eureka (e gjeta)! Këndej dalin të kota elukubracionet e glotologëvet për t’i gjetë ranjën fjalës deltinë prej daltinë etj,etj. Unë këte fjalë e kam studjue në shkollë, por nuk dijshe se ku përdoret. Për mue etimologjia e saj ashtë e zhvillueme njëherë e mirë. Kështu na del se këto ana kanë dy fjalë për argjilë: dylltinë (argjila e kuqe) dhe grill-i (argjila ngjyrë hini). E para ndëgjohet shumë rrallë, pse argjila e kuqe ashtë e rrallë: në këto ana toka asht formacjon shtufi. Do të më falni për mërzi që ju shkaktova në këte letër. Edhe një fjalë të vetme: pse përdoret vazhdimisht në shtypin e sotshëm akoma greqisht e rumanisht tue pasun shqip ende (ene, nene dialektoret); tani një greqizëm i kallepit tà nyn për tash, i tashëm.
Me kaq po përfundoj tue Ju kërkue ndjesë për merzi që mund të kemi shkatue në këte letër, por të jini të sigurtë se nuk jemi nga kurrgja tjetër por nga dashunija për gjuhën kombëtare.

Me nderime të shqueme
A.Viktor Volaj
Ishëm – Bizë


Copyright 2007 Gazeta Shqiptare
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Fri Mar 26 2010, 11:44am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Dukuria kulturore françeskane

Vendosur: 25/03/2010 - 09:10

Mark Marku

Françeskanët shqiptarë shfaqen si një grup i strukturuar kulturor, aty nga fundi i shekullit të 19-të, paralelisht me shfaqjen e grupeve të tjera të Rilindjes Kombëtare. Qysh në fillim françeskanët shfaqin tre karakteristika, që i bën ata të dallueshëm nga grupet e tjera kulturore: së pari, ata shfaqen si një elitë kulturore vendase, në ndryshim nga grupet e tjera që janë grupe të diasporës, së dyti ata janë një elitë kulturore e strukturuar dhe koherente, në ndryshim nga grupet e tjera që nuk janë të tilla, dhe së treti ato shfaqen si një grup kulturor dhe fetar në ndryshim nga grupet e tjera që e zhvillojnë veprimtarinë kulturore jashtë patronazhit të fesë dhe nganjëherë edhe në konflikt me të.
Deri para shfaqjes së françeskanëve, elita kulturore shqiptare ishte elitë e diasporës. Madje është paradoksale që ideja kombëtare dhe projekti kombëtar shfaqen tek ajo pjesë e diasporës, që e kishte më të madhe distancën kohore me vendin e origjinës: tek arbëreshët. Lidhja e tyre është e largët dhe kjo bën që projekti i tyre të zhvillohet kryesisht si lëvizje romantike nga pikëpamja kulturore dhe si utopi nga pikëpamja politike. Në ndryshim nga arbëreshët, elita kulturore e pjesës tjetër të diasporës ishte më organike, (dhe këtu kam parasysh elitën kulturore të mbledhur rreth shoqërisë Drita të Stambollit dhe zgjatimet e saj në Bukuresht, Sofje, Egjipt e më vonë në Evropë dhe SHBA) është më e lidhur me territoret e banuara nga shqiptarët dhe ka një projekt më konkret kulturor e politik. Të vetëdijshëm për zhbërjen e Perandorisë Otomane, fragmentet e kësaj elite të copëzuar, synonin krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Por para se të krijojnë shtetin kombëtar, atyre u duhet të krijojnë kombin dhe e krijojnë atë së pari kulturalisht. Gjuha dhe letërsia do të shihen si instrumente të domosdoshëm në këtë sipërmarrje dhe ata i vënë në zbatim.
Klerikët përkundrazi shfaqen si elitë kulturore e lidhur me popullsinë dhe gjeografinë e vendit. Ata e kanë ushtruar veprimtarinë e tyre në kushte shumë të vështira në Veri të Shqipërisë, kanë pasur një ekzistencë të rrezikuar por pikërisht këtu buron edhe forca e tyre. E njohin mirë vendin, banorët dhe dinë t’u përshtaten mirë rrethanave. Ekzistenca e tyre buron më tepër prej kësaj marrëdhënie të çuditshme me banorët, territorin dhe besimin sesa prej fuqisë institucionale fetare. Askush nuk ishte më i vetëdijshëm se ata për burimin e forcës së tyre dhe asgjë nuk e shpreh më mirë thelbin e ekzistencës së tyre se kjo frazë e nxjerrë nga një letër drejtuar mbretit Zog në vitin 1930, “ne jemi këtu në Shqipëri prej dy mijë vjetësh, katolikë atëherë, katolikë sot, shqiptarë atëherë, shqiptarë sot dhe gjithmonë”. Me degradimin e pushtetit perandorak, pozicioni i tyre konsolidohet dhe ata pak nga pak e shndërrojnë Shkodrën në qendrën e tyre fetare e më vonë kulturore. Shkodra si qytet kishte qenë një qendër e rëndësishme urbane dhe tregtare që nga koha e venedikasve, por si metropol kulturor u themelua nga klerikët katolikë. Dhe si i tillë është i pari në Shqipëri. Françeskanët të armatosur me forcën e maleve shqiptare dhe me dijen bashkëkohore e “ripushtojnë” Shkodrën, dhe e bëjnë atë kryeqytetin rrezatues të kulturës shqiptare. Këtë fuqi qyteti e ruan deri në vitet 30, kur këtë rol e merr Tirana, kryeqyteti politik i vendit.
Por ajo që e bën dukurinë kulturore françeskane me shumë ndikim, mendoj se ka të bëjë me faktin se ata shfaqen si një grup kulturor, i cili synon të shndërrohet në një sistem kulturor më vete brenda kulturës shqiptare. Grupi kulturor françeskan synon t’i përmbyllë të gjitha brenda vetes. Në vitin 1861, françeskanët themelojnë Kolegjin françeskan, dhe me këtë hedhin hapin e parë në drejtim të prodhimit dhe përhapjes së dijes, si dhe riprodhimit të vetvetes si elitë kulturore. Më vonë ata sjellin shtypshkronjat, krijojnë organet e shtypit dhe Hylli i Dritës shndërrohet në institucionin kryesor të prodhimit dhe përhapjes së kulturës së tyre. Natyrisht pjesë e rëndësishme e këtij sistemi është produkti kulturor i tyre, dhe ata institucionalizohen në hierarkinë e kulturës shqiptare me grup veprash dhe autorësh, ndër më të rëndësishmit e kulturës shqiptare. Sistemi i tyre kulturor nuk mjaftohet vetëm në fushën e letërsisë, pasi ata krijojnë muzikën dhe institucione të përhapjes dhe ushtrimit të saj si orkestrat dhe grupet artistike, krijojnë teatrin si institucion dhe veprën dramatike dhe më në fund krijojnë edhe publikun. Pra ata krijojnë pikërisht atë që ka parasysh Sapir, kur i referohet termit kulturë, kulturën si sistem komunikimi. Ky sistem komunikimi është i plotësuar dhe i përmbyllur në vetvete, pasi prodhon edhe veprën, edhe kanalin e komunikimit edhe marrësin e veprës. Këtej, besoj se buron edhe fuqia e këtij grupi kulturor, dhe kjo është një pikë e fortë e tyre në raport me grupet e tjera kulturore. Në një moment historik, kur ata e ndjejnë veten shumë të fuqishëm, si në rastin e periudhës 1920-1924. ata përpiqen të dalin edhe jashtë sferës kulturore dhe të institucionalizohen politikisht duke u shndërruar në forcën drejtuese të opozitës politike dhe parlamentare, forcë që kishte përfaqësuesit e saj fetarë dhe laikë në Qeveri, madje edhe media të fuqishme në dispozicion si gazeta Ora e Maleve. Për një periudhë të gjatë kohe, sistemi i tyre kulturor ka qenë i konkurueshëm vetëm brenda strukturave fetare dhe jezuitët ishin grupi kulturor me pretendime për ta bërë një gjë të tillë. Edhe ata si fraçeskanët krijuan kolegjin e tyre, atë saverian, sollën shtypshkronja, u ushtruan në letërsi dhe në artet e tjera, studiuan gjuhën dhe kulturën shqipe, krijuan organe shtypi, madje edhe më parë se françeskanët (e kam fjalën për Zanin e Shna Ndoit, të themeluar në vitin 1891). Dy grupet kulturore u konsoliduan për raport me njëra-tjetrën, por të dyja bashkë e ruajtën primatin e kulturës deri në vitin 30, kur grupet e reja kulturore kryesisht laike e vunë në diskutim autoritetin e tyre.
Karakteristika e tretë e dukurisë kulturore françeskane ka të bëjë me faktin se ajo shfaqet si një dukuri kulturore-fetare. Della Roka në librin e tij “Feja dhe kombësia në Shqipëri”, kur flet për katolikët shqiptarë thotë se “ka të ngjarë që ata nuk ndjenin ndonjë kontradiktë mes identitetit katolik dhe atij shqiptar, përkundrazi njëri konsiderohej si një aspekt përplotësues i tjetrit dhe anasjelltas”1. Këtij realiteti i përshtaten edhe klerikët katolikë, madje duhet pranuar se nëse klerikët e urdhrave të tjerë i përshtateshin disi me zor një realiteti të tillë, françeskanët e bënin në mënyrë të natyrshme të vullnetshme, madje në njëfarë mase ishin ata vetë krijuesit e këtij realiteti. Në përshtatje me këtë realitet, mund të thuhet se në kulturën françeskane dallohen tre përmasa ose konstante:
përmasa kombëtare
përmasa kulturore perëndimore
përmasa universale fetare.
Harmonia e këtyre tre përmasave më duket se përbën një rast unik kulturor te kultura katolike e veriut dhe sidomos tek ajo françeskane. Jashtë paradoksit shqiptar, një harmoni e tillë do të ishte e paimagjinueshme. Mendoj se ky paradoks, vetëm nëse e shohim kulturën shqiptare së jashtmi, na rezulton i tillë, pasi nëse e njohim atë në ind është i shpjegueshëm. Shpjegim për të është historia e vendit dhe rrethanat e krijimit të elitës kulturore të brendshme françeskane. E thamë më sipër se kjo elitë u kishte shpëtuar për mrekulli rrethanave asgjësuese, ashtu sikurse u kanë shpëtuar për mrekulli rrethanave asgjësuese vetë shqiptarët. Ajo elitë ishte pjellë e maleve shqiptare. Bashkë me besimtarët e famullive të vogla dhe të rrënuara të veriut, ata kishin krijuar një histori, historinë e ruajtjes së vetvetes. Bashkë me të edhe historinë e ruajtjes së besimit dhe gjuhës. Mendoj se pikërisht te gjuha, ata e projektojnë harmoninë e tyre. “Problemi i raporteve mes gjuhës dhe kulturës – thotë Levi-Strauss janë ndër më të ndërlikuarat e mundshme. Një gjuhë mund ta trajtojmë si një produkt të kulturës… por në një tjetër kuptim ajo është pjesë e kulturës. Por kjo nuk mjafton, pasi ajo na shfaqet edhe si kondicion i kulturës dhe kjo si në planin diakronik, ashtu dhe në atë sinkronik”2 Buzuku, Budi e Bogdani veprojnë vetëdijshëm në këtë sens.. Gjuhë për ta do të thotë së pari besim, së dyti vazhdimësi, së treti kulturë dhe së katërti botë ose, më saktë, botë e mbyllur dhe e hapur ndaj botës. Në shekullin e 20-të, pasi kanë shpëtuar edhe gjuhën, edhe genin edhe besimin, ata i realizojnë të gjitha këto duke i harmonizuar në kulturë. Mendoj se ky është një çelës për shpjegimin e dukurisë kulturore françeskane. Të tjerat dihen: pas kulturës vjen kombi, pas kombit shteti dhe prapë kombi e kështu me radhë. Ndërkohë dukuria kulturore françeskane vazhdon të rrezatojë edhe pse në kushte të vështira. Këtë radhë si dëshmi e asaj se çfarë i bëmë vetes.

Marre prej Gazeta Panorama Online
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Apr 26 2010, 02:19pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
At Justin Rrota Dorëshkrimi i rrallë që na zbulon një korife.



Dërguar më: 25/04/2010

Át Donat Kurti ÁT JUSTIN RROTA O.F.M. (Biografi)

Nji gjysë oret mbas mjesnatet të ditës 21 Dhetuer 1964, ne e hâne, u dá këso jete P. Justin Rrota, tuj pasë te kryet shoqin e vet, P. David Pepën. Diq në Kuvend t’Arrës së Madhe. P. Justini (Ndoci) kje i treti fëmijë nder gjashtë, (katër vëllazen e dý motra) që leu me 17 Fruer 1889 në Shkoder prej Gjushit të Gjon Qerraxhis (Rrota) e prej Shaqes së Ják Vjerdhës. - Kje pagzue me 18 Fruer prej don Ndoc Nikaj e i kje ngjitë êmni Ndoc.

Fill mbas azilit, qi pat bâ te Tina e Nikës në Serreq, u shkrue në Shkollen Françeskane, kû kreu pesë klasë fillore e nje klasë qytetze. Mundit e kujdesit të mësuesve të vet u përgjegji me nji sjellje t’urtë e me zéll nder mësime. I butë per natyrë, nuk përzihej aq fort me shokë per lojë e per argtime. Rruga e tij e perditshme ishte shpí e shkollë.

Tuj i pasë prindët fetarë e të ndershem, e i drejtuem shpirtnisht prej katekistit t’atëhershem të shkollës, P. Pál Çiurçis, diftohej mjaft i terhjekun kah jeta françeskane, e tuj vijue me ket dishir, u vû jashta orve të mësimit me xânë gëjuhen latinishte po prej P. Palit.

Me 28 Gusht 1902 hini në Kolegjen Françeskane të Gëjuhadolit e aty u dha me gjith shpirt per me e kuptue e me e ndiekë idealin e Sh. Françeskut, tuj pas per mjeshter P. Françesk Melchiori-n, aq në zâ aso kohe në Shkoder per zéll fejet, e per zotsi nder veprime të ndryshme.

Me 28 Gusht 1904 veshi zhgunin në Rrubig porsi rishtár neper duer të Komisarit të Misjonit, P. Anastaz Vincenzoni, tuj pasë per mejshter P. Augustin Kolen. -

Me 29 Gusht 1905 i u kushtue Zotit me kushte të thjeshta, tuj pasë marrë êmnin Justin; mandej kje çue në Troshan, kû kreu kursin e filozofis, tuj pasë per profesor P. Pál Dodaj.

Me 13 Marc 1909 bâni kushtet e perheshme nder duerë të P. Bernardin Shllakut në Kishën e Gëjûhadolit.

Në Gusht të vj. 1907 kje çue n’Austri në Vilak të Karincjes per këndime të theologjis, por (f. 2) për mungesë shëndetjet, kje ngushtue me kthye në Shqypni nji vjetë mbrapa (1908), e kështû kursin e theologís e kreu në Shkoder e në Rrubig, tuj pasë prosi profesor P. Gjergj Fishten e P. Zef Lochmann-in, e P. Ambroz Marlaskaj. - I pregatitun me dituni e me shtrëngesë rregulltare, kje shugurue meshtár, e meshen e parë e tha në Kishën e Gëjûhadolit me 11 gusht 1911; predkun e rasës e pat mbajtë P. Gjergj Fishta.

Dihet mirë, se çfarë ndrrimesh me randsi kjén bâ në Shkollën Françeskane porsá e muer drejtimin P. Gjergj Fishta. Perveç se të gjitha landët kjen bâ në gëjuhën shqype, i kje dhane shkollës edhe fryma e nacionalizmit, megjithse në kohë robnijet, tuj shti e tuj rrájosë nder zêmra të xânsave dashtnín per liri, per gëjuhë e per bashkim. Shkrimeve të posaçme në gëjuhën shqype, poezive të P. Gjergjit, si atyne të “Lahutjës” si atyne të “Pika voeset” u kjen shtue ato qi ishin botue nder rrivista të ndryshme mbrenda e jashta Atdheut. Të gjitha këto kjén pá dyshim fara, qi rá në zemren e Ndocit të vogel e mandej të Justinit frat, e bijti e u xhvillue. Prandej Justini, porsa kreu këndimet e nalta, u gjet i gatshem per me dhanë mësimin e Gëjuhës amtare e kje shënjue pá tjeter porsi profesor nder klasët qytetze të Shkollës Françeskane.
Se sá me kujdes e me zotsi e kreu ket detyrë, e diftojn xansat e tij t’atëhershem, si edhe programi i zhvilluem n’at kohë, kúr gëjuha shqype nuk ishte ende e zhvillueme, as nuk kishte teksta per gramatikë e per sintaks. Kje P. Justini, qi me durimin e nji dhënsi u vû me i rrahë me shkrim çashtjet e ndryshme gramatikore e me i zhvillue me sistem.

Kjo punë vijoi deri ne vj. 1917, kúr, tuj kenë kohë luftet, tuj mos mujtë me vijue shkolla në mënyrë të rregullt, kje çue në Plan porsi famullitár e ndêi dý vjet aty, pá e ndalë vrullin në punë [f. 3]. N’aq pak kohë hapi shkollen e parë per fëmijë të katundit, e u híni në shpirt per dashtni e per dije e urtí të mëdhajve e të vogjelve.

Në Shtatuer të vjets. 1919 kje çue në Troshan prosi profesor i gëjuhës shqype e i latinishtes në Kolegjen Françeskane.

Në të përpjekun me Vëllazent tjerë të Provinçes u diftue i gatshem per me hapë nji gimnaz publik në Shkodër. E njëmend, kùr në vj. 1921 në mjes të nji entuzjazmi të madh u hap Gimnazi Françeskan në Shkoder, P. Justini mbajti per vjet e vjet me nderë e me xotsi orët e gëjuhës shqype e të latinishtes nder këlasët e nalta e i dha me veprimtarín e vet gëjuhsore Shkollës auktoritet e nderë.

E përkohshmja “Hylli i Dritës” paraqet kjartë veprimtarín e tij në pikëpamje gëjuhsore, e e përkohshmja “Zâni i Shna Ndout” veprimtarín e tij në pikëpamje fetare.
D
alë-kadalë duel në shesh të dhanunt e tij per gëjuhë shqype e zotsija e tij në zhvillimin e çashtjeve gramatikore, tuj u pështetë ndër shkrimtarët e vjetër gegë e toskë e italo-shqyptarë.

Lavruesat e gëjuhës shqype si ata të vendit si edhe të huejët nisen me e çmue punen e tij të shkoqitun e të studjueme, e bân çëmos me ndêjë në të perpjekun me të si me bisedime, tuj rrahë çashtje gojarisht, si edhe me korrespodencë. Kështû Luigj Gurakuqi, don Ndré Mjeda, Sotir Peci, Karl Gurakuqi etj. Prof. Jockel, Lambertz, Gjergj Pekmezi, Petrotta etj.

Megjithëse në tanë jeten e vet kje marrë me të dhanun me çashtje gramatiket e sintaksit të gëjuhës shqype, nuk pat guxim me perpilue per shtyp njí gramatikë të veten per gëjuhen shqype; ai perdorote në shkollë gjithmonë dorëshkrime. Vetem “Sintaksi i gëjuhës shqype” kje botue dy herë per shkollë në vj. 1942. Ai përpiloi mâ i pari ehde tekstin e Literaturës shqype, qi kje botue dý heresh. Nder botime të tija në pikëpamje gëjuhsore kemi: Per historin e alfabetit shqyp; Analizimi i rasave t’êmnit; Don Gjon Buzuku; Don Lukë Matranga.

Se sa randsi kishte per gëjuhen shqype Meshari i Don Gjon Buzukut, P. Justini kje ai, qi e [f. 4] theksoi këtë në vendin t’onë e bâni çë mos me i gjetë mjetet e nevojshme per me e xierrë prej Bibljotekës së Vatikanit në fotokopje. Qysh atëherë e sot Meshari âsht bâ tekst me randsi per studjuesa të gëjuhës shqype.

Âsht e teperme me thanë, se P. Justini prej vullndetit të fortë e prej dashtnís per gëjuhen shqype mbërrijti me grumbullue veprat mâ me randsi t’albanologve të huej, si edhe shkrimet e studimet rreth gëjuhes së punueme prej studjuesave të vendit. Të gjitha i kishte kqyrë e studjue aq shepsh, sa me i pasë, si thohet, në maja të gishtave mendimet e shtjellimet e ndryshme si mbas raset. Kështû leteratyra gëjuhsore erdh tuj u zgjat përherë e mâ teper në mende të P. Justinit, e, me punë të padame u të kujdesshme, ai u bâ auktoritet nder çashtje gëjuhsore të shqipes.

Vëllazent e Provinçes e çmojshin të gjith P. Justinin, megjithse P. Gjergj Fishta, qi e dote fort e ngucte në dashtní, tuj kerkue me i a qitë poshtë pikëpamjet e reja gramatikore e ortografike, qi P. Justini çpallte nji-ka nji nder artikuj, qi botote.

Qysh në vj. 1925, prá 36 vjetësh, kur ishte në vrullin e veprimit kje prekë prej nji pralize progresive, qi, megjith mjekime e kura të posaçme, nuk u ndal, deriqi i muer edhe kamben e doren e djathtë, e e kufizoi mbrenda odës, pá i dhanë mundsí me u permisue. Nji tjeter sigurisht me at gjendje do t’ishte demoralizue e do t’i kishte lânë në njênen anë e librat e çashtjet gëjuhsore e të përpjekunt me shkencatarë të huej; por P. Justini jo. Ai, tuj u mbajt per shtrat kapej deri te tryeza e punës e me dorë të majtë kapte librat, i shfletsote e njiheri po me njat dorë shkruete rrap-çap me nji makinë shkrimi. Mija faqesh ká shkrue gëjatë smundjes per tridhetë e sa vjet; e ato faqe, me gjithse nuk janë shkrue me dorë; per me u thirrë “dorëshkrime”, permbajn çashtje të randsishme [f. 5] per gëjuhen shqype e per léteratyrë.

Nder tjera po përmendim:

1. Brumi i shqipes (Leksikologjija)
2. Tingujt e shqipes (Fonetika)
3. Trajtat e shqipes (Morfologjija)
4. Fjala e shqipes (Sintaksa)
5. Të përmbâmt e fjalëvet (Etimologjija)
6. Lavruesët e Shqipes (Albanologjija)


Përvreç se per çashtje gëjuhsore P. Justini ká shkrue shum edhe per leteratyrë të gëjuhës, edhe per me edukue, edhe per me mësue; ai ká nji stil të thjeshtë, por të rrjedhshëm e të kandshem, megjithse do trajta të reja, qi nuk përdoreshin në përgjithësi, i a prishin pak shijen stilit të tij.

Ai prej këtyne ká lânë si dorëshkrime:

1. Epizode burrnijet
2. Rreth votret - Pjese I, II, III.
3. Ditët e mbrame të Turqís në Shkodër
4. Epigrammata, Epitaphia etc.
5. Sintaksa e Gëjuhës latine
6. Per historin e alfabetit shqyp


Sigurisht mundi i tij nuk ká me kênë i bierrun. Kurrgja mos me pasë bâ, mjaft qi ká nzitë e u ká dhanë të shtýmen shumkùj per me e dashtë gëjuhen ma pernjimend, e per me e shkrue mbas rregullave; ai ka bâ me pá, se gëjuha ka visare të mshehta fort të randsishme. Me kohë veprimi i P. Justinit ká me u çmue edhe mâ teper, pse ká xânë fíll me pamvarsin e vendit t’onë e âsht zhvillue së bashkut me zhvillimin përherë e mâ të madh të popullit t’onë. Ai âsht nder mâ të parit, qi e ká rrahë çashtjen gëjuhsore të shqypes në mënyrë shkencore.

Por P. Justini nuk mund të mendohet vetem gramatolog e shkrimtár i shkëpudun prej idealit, qi ndoq e per te cilin u flijue. [f. 6] Idelai i tij kje ideali françeskan: ideal punet, misjonit e shejtnijet per vedi e per tjerë. Atij nuk i vijte marre me u mbajtë frat i rregullt e i dishiplinës. Njeri me karakter e i dretjë, idealin françeskan e idealin e meshtarísë i kishte me te mbushun mendje; prandej ishte i shterngueshem me vetvedi e lypte, qi edhe tjerët t’ù pergjegjshin rregulls e dishiplinës e ndigëjesës. Me nji kuptim të kthellë të detyrve të veta e të parimeve fetare me këdo me të cillin kishte të perpjekun, kerkote me lânë gjurmë të së vërtetës, tuj i a qitë nder mend detyrët fetare e shoqnore. I shkueshem me të gjith, i kandte me bisedue me të rij e nuk u mërzitke kurr me ta. Të Parët, e tuj e vû oroe në të ket cillti, e shênjuen në vj. 1921 porsi edukator i rinis françeskane nder klerikë; e edhe pasi kje ngushtue prej smundjes me e lanë ket detyrë ai interesohej per të rij e i pritke me buzë në gaz e nuk i kishte merzi as te shtrati i dekës.

Ai punon per te rij e per popull, tuj shkrue padá në të përkohshmen “Zani i Shna Ndout” të cillen edhe e drejtoi per disá vjet, e përpiloi per ta librin e lutjeve “Vjollca Parrizit” si edhe “Prej Visarit të ndjesve” si edhe shum dorëshkrime të perkthyeme e të perpunueme.

Këto janë:

1. Kempis mbas gjurmëve të J. Krishtit. Pj. I, II, III, IV.
2. Mueji i Zojës nder familje. Pj. I, II.
3. Hylli i Tagastës (Sh. Augustini Tp. e Dr.)
4. Pasqyra e të smûndevet (Sh. Ladovina)
5. Rreth votret kristjane.
6. Lulishta françeskane (I fioretti di S. Francesco)
7. Taumaturgu i Padovës
8. Si e merrte jeten Sh. Gjon Bosku.
9. Lajmtarët e asáj jete.
10. Apologjija popullore.
11. Çelsi i Parrizit (ase 9 të Prendet e para të muejit)
12. Martirët e Stublës.
13. Pika balçmit (sic!) mbi zêmrat e varrueme.


Sikurse kje i pasun nder shkrime të veta (f. 7) fetare e morale, njashtù edhe kje i papritueshem nder konferenca e nder predke. Populli e ndiete me ande. Fjala e tij e rrjedhshme tërhiqte vemenden e të gjithve e dobija mund t’ishte e madhe.

P. Justini qi, per të pám, dukej si i pím e frikacak, ishte plot ndiesi per hart.

Tuj pasë xánë prej muziktarit shkodranë, Frano Ndojës me i rá harmonit; ai mbërrijti me u kthellue aq, sá me u marrë edhe me klasikë të muzikës e me ekzekutue copa të zgëjedhuna si në kishë, si ndër çfaqje dramatike. Ai në vj. 1911 perbâni nji kor me fëmijë të shkollës e e mbajti Kishen e Gëjuhadolit me kangë të bukura deri në vj. 1917; mâ vonë mandej mësoi kangë e muzikë në Kolegjen françeskane e deri vjolinin.

Provincija françeskane shqiptare pat uzdajë të madhe në ket puntuer të palodhshem e e zgodh per nadë vjet sekretár të Provinçes si edhe definituer. Ai ka kenë shembull punet e dijte me e shfrytzue kohen mâ së mirit.
Megjithse i smútë e me moshë të shtýme, ai punoi deri nji javë përpara se me dekë. Nder ditët e mbrame njëni prej Véllazenve per me i dhanë zémer i tha: “Ke arsye me e bekue makinen daktilografike, qi të shoqnoi në jetë e të siguroi Shelbimin”. Ai u pergjegji thjeshtë: “Ajo më ka bâ me e perdorue kohen mirë”.

Porsá pushoi shkrimtari, pushoi edhe makina.
Durimi i P. Justinit nder vuajtje e nder dhimba e neshtrimi i tij në nji smundje aq të gëjatë, janë provë e kjartë e virtyteve të tija të nalta. I u lut Zotit, t’i epte durim, e Ai ia dha; prandej me arsye i u falte nderës, tuj i u nenshtrue plotësisht vullndesës së tij e tuj e lutë me gjith zémer, qi mos t’a lëshote doret. “Rruga, qi po bâj – thote – âsht e gëjatë; por së bashkut me Krishtin bâhet e shkurtë. Lutemi, qi të më shkurtohen këto ditë vuajtjesh!”– E kur ndokush tjetër i thote, se: “E din [f. 8] Zoti se, sá kohë kemi afat; prandej nuk mund t’i përzihemi”. Pergjegjte: “U bâftë vullndesa e tij!”. Nder orët e mbrame ai vetë i pat lypë sakramendet e pat lypë thoheshin uratët. E Zoti ia bâni të lehtë deken, pse erdh e u shkri, e, pá u përplasë e pá bertitë, dha shpirt nder duerë të shoqit të vet P. David Pepës.
Sot e kján Provinçja e do t’a kjaj edhe atdheu. Provinçjali i’a dha lajmin popullit të Shkoders keshtu: P. Justin Rrota O.F. Françeskan e shkrimtár në nji jetë veprimi të palodhshem nder vuajtje, vdiq në moshen 76 vjeçare. -

Neser n’oren 7.30 paradite trupi i tij ká me u bartë nga Kuvendi i Françeskan i Arrës së Madhe në Kishën e Sh. Françeskut në Gëjuhadol, kû n’oren 8 ká me u këndue Mesha e Dritës, e mandej bâhet përcjellja nder varreza.
Shkoder, 21/XII/1964. Provincjalati Françeskan.

Mbramë kanë kênë mjaft burra, per me e ruejtë per se dekunit trupin e P. Justinit, pse kje vendue në nje pjesë të dame të Kuvendit per infermieri kû mund të hijshin edhe grát.

Në nade, me 22, n’oren 7.30 kje bartë prej Kuvendit t’Arrës së Madhe te Kisha e Gjuhadolit në karrocë i prim prej Provinçjalit, prej Ipeshkvit të Shkodrës Emz. Ernest Çobës, e prej zëvendës famullitarit don Mark Hasit e prej 40-50 burrave.

Në Kishë u këndue Mesha Pontifikale prej Emz. E. Çobës me djakon P. Ferdinand Pali e subdjakon P. Aleks Baçli. Mbas Meshet Ipeshkvi mbajti nji bisedë të shkurte, por mjaft të bukur, përmbi P. Justinin si rregulltár i perpikët, si meshtár i zellshëm e si shkrimtár i zoti. Nder tjera tha se në takimin e mbram me P. Justinin, ai i kishte thánë: “Nuk jam mâ per ket tokë; due me shkue te Krishti”.

Në Kishë kjén burra e gra kund 600-700 vetë.

Mbas Meshet kje përcjellë nder Rëmaj prej Emz. Çobës, prej nja 14 meshtarve, prej nji grupi murgeshash fill mbas kryqit, e prej nji numri të kufizuem burrash me moshë të kalueme. - Varrimi u bâ kùr populli gjindej në punë e të rijt neper shkolla. [f. 9]. Rrugës u kënduan psallmë e uratë.

Kje shti në vorr ngjat të vëllash Simonit, nder vorret e Ndrekë Minit, per arsye, se mendohej, me i ndreqë vorret e fretenve sá mâ parë në formë Kapela!
Të gjith e kishin në gojë êmin e P. Justinit e flistshin mirë per të, tuj e mbajtë porsi nji puntuer shêjt.

Dy ditë përparase me dekë, ndersá e thirrte Krishtin, qi të vijte me e marrë, tuj thanë nder sý të motrave të veta: “Eja o krisht e merre Justinin sa mâ parë!” Së motrës, qi i tha: “Mos u mërzit!” i pergjegji: “A më shifni, se jam ligshtue? A âsht ligshti me e thirrë Krishtin? Unë gjithë jetën kam punue e kam jetue per Krishtin, e mos t’a thërras tash qi kam mâ nevojë?”

Ndo’i orë përparase me dekë i tha nji shoqit të vetë: “Mos vononi me m’a thanë: “Proficescere.” - Per at punë” - i pergjegji shoqi: - Ká kohë e mos u bân marak; pse na e dijm, se kur âsht çasi i mbram. Atë e din Zoti. - Jo – i tha P. Justini – atë e dij edhe vetë me ndimen e Zotit; prandej sá mâ parë! sá ma parë”!

Luta, qi ai persritke shpesh me mend e me gojë, ishte kjo: “Domine Jesu, suscipe spiritum meum! Jube me venire at te! Cupio dissolvi et esse cum Christo secum. In manus tuas commendo spiritum meum...” Setcillen prej këtyre shprehjeve e persritke tri herë rresht.

Në kujtim.
P. Donat Kurti
Shkoder – Dhetuer 1964.

Përgatiti: Musa Ahmeti


Nekrologun për Át Justin Rrotën, të shkruar nga Át Donat
Kurti, më 22 dhjetor 1964, pati mirësinë të na e japë për botim z. Kolec Çefa, njeri i afërt, ose thënë ndryshe mik dhe njëri ndër personat më të afërt të át Justinit. Këtë nekrolog e përgatiti për botim dr. Musa Ahmeti, duke ruajtur ortografinë origjinale, pa bërë asnjë ndërhyrje në tekst, e duke ruajtur sa ka qenë e mundur të gjitha thekset e përdorura nga autori. Në të gjitha fjalët është ruajtur zanorja y e gegnishtes dhe apostrofi si në origjinal. Shkrimi i j në fjalët: albanologjija, leksikologjija, morfologjija etj. është ruajtur si në orgjinal. Grupet e bashkëtingëlloreve janë ruajtur të plota, ndërsa emrat e mbiemrat e tipit i gëjatë, Gëjuhadol, gëjuhë janë dhënë në formën origjinale. Në sistemin foljor nuk janë prekur dialektizmat gegnishte si diftote, mendote. Në pikësim dhe në renditjen e paragrafëve nuk është bërë asnjë ndërhyrje, por i është qëndruar besnik origjinalit. Mendojmë se këto elemente besnikërie ndaj origjinalit nuk do t’i krijojnë ndonjë vështirësi lexuesit për ta lexuar dhe kuptuar tekstin.

Nga leximi i këtij nekrologu, të shkruar të nesërmen e ditës së vdekjes së át Justinit, ndjejmë respekt, dhe përulje para këtij njeriu, që me aq dashuri dhe durim punoi për gjuhën shqipe duke na lënë në dorëshkrim “me mijëra faqe të daktiloshkruara”, me dorën e majtë në makinën e tij të shkrimit, një pjesë e mirë e të cilave as sot e kësaj dite nuk e kanë parë dritën e botimit. (Post mortum janë botuar këto vepra të Át Justin Rrotës, nga: Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta” Kolana e shkrimtarve Françeskan: “Sintaksi i Ghuhes Shqipe” Botime Françeskane, Shkoder 2005; “Rreth Votres” Botime Françeskane, Shkoder 2005; “Per historin e alfabetit shqip” Botime Françeskane, Shkoder 2005; “Leteratyra shqype, I-II” Botime Françeskane, Shkoder 2006; “Gjuha e shkrueme ase verejtje gramatikore” Botime Françeskane, Shkoder 2006).

Nekrologu në vetvete përmban informacione të dorës së parë, herë-herë deri në imtësi, por të cilat sot nuk njihen ose njihen, nga fare pak persona. I thurur me mjeshtri, me një stil të veçantë dhe tepër përmbajtësor, fitohet përshtypja sikur ke përpara át Justinin, madhështor, të papërkulur, stoik dhe të pamposhtur nga asgjë, as edhe nga sëmundja e rëndë e cila për shumë vite e ngërtheu për krevati.

Duke botuar këtë nekrolog të shkruar nga Át Donat Kurti, ne ndihemi, sikur shlyejmë një obligim moral ndaj të madhit Át Justin Rrotës, për punën dhe veprën e të cilit as sot e kësaj dite nuk dihet shumë. Mbetet që në të ardhmen, të botohen dorëshkrimet, të hulumtohet jeta e tij dhe pastaj, mund të flasim pa brengë për këtë korife të albanologjisë dhe gjuhës shqipe në përgjithësi.

Në albanologji kontributi i át Justin Rrotës është i shtrirë në shumë fusha. Ky kontribut vërehet posaçërisht në fushën e studimit për gramatikën shqipe, për sintaksën, morfologjinë, po ashtu edhe për historinë e letërsisë shqipe. Vend të veçantë át Justini ka për njohjen dhe studimin e autorëve tonë të vjetër, posaçërisht për Gjon Buzukun, Lekë Matrangën e ndonjë tjetër.
Át Justin Rrota është i pari që në vitin 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut nga e ksombla e vetme e njohur deri me sot që ruhet në sektorin e librit antikuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në Vatikan. Át Justini gjatë tërë jetës së tij u mor me gjurmimin e gjuhës dhe literaturës shqiptare duke bashkëpunuar ndër të tjerë edhe me Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn e të tjerë.

Marre prej Gazeta Shqiptare Online
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Apr 26 2010, 02:29pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Pater Justini dhe Çabej Një miqësi në letra.



Dërguar më: 25/04/2010

Kolec Çefa

Në një lagje të vjetër të Shkodrës, me emërtimin bizantin, (sipas Valentinit)”Arra e madhe”, në një cep të saj, disi të veçuem, por jo larg, ishte Kuvendi i vjetër i françeskanëve, me një kopsht përpara plot bar të njomë e lulevile të kandshme, tërë aromë lulesh e erë lule blini. Aty, në një dhomë të vetmueme, jetonte Pader Justin Rrota, gjuhëtari ynë i madh, i Shkodrës e i Shqipnisë.

Sëmundja e paralizës e kishte veçue nga marrëdhaniet me njerëzit, por nuk e kishte shkëputë nga puna e tij shkencore, sistematike, kambëngulëse, e pandërpreme. Ndonëse kishte mbi 35 vjet që jetonte i veçuem, prapëseprapë, nuk merzitej. “Me u merzitë? Jo, jo; nuk merzitëm. Vetmín e qetsín ma ka anda.

Çuditem, kur më pyesin gjindja, a po merzitesh”?, shkruente në kujtimet e veta, 3 muej e gjysmë para vdekjes.

Tashma, vizitat te Pader Justini ishin rrallue, nuk kishin mbetë ma freten në kuvend e Justini, si i paralizuem, ma shumë se si gjuhëtar e si njeri që s’donte me dijtë çka asht politika (sadoqë të zezën e saj nuk e kapërdinte), nuk shikohej me atë synin penetrues, dinak e shpirtlig të Sigurimit të shtetit, ndonëse vizitorët regjistroheshin.

Çdo ditë e vizitonte kolegu i tij i moshuem që rrinte tri dhoma përpara, Pader Marini. Rrinte në kambë në mes të dhomës e bisedonte me të 10 minuta e mandej të dy vazhdojshin punën e tyne.

Vizita e Çabejt e kënaqte në mënyrë të veçantë. Unë ishe i porositun, kur të vinte Profesori në Shkodër, në Institutin a në universitetin e Shkodrës, ta përshëndetshe e ta ftojshe në emën të Pader Justinit. Kaq sa, kur më shihte

Profesori që ishe përzie midis studentash, m’u afronte e më thonte: “Po, sot mbasdreke, do të vi te Justini. Përshëndete!”. (ose: “sot nuk mund të vij, do të nisem për Tiranë”). Vinte gjithmonë i shoqnuem prej Profesor Jup Kastratit. Zakonisht, unë nuk asistojshe në këto takime, megjithëse Justini ma kërkonte.

Eqrem Çabej e Justin Rrota janë dy emna të gdhenun, kryesisht, në historinë e gjuhësisë shqiptare, janë dy fytyra elitare të kulturës sonë, por edhe dy shfaqje të gjalla të karakterit burrnor. Të dy këta personalitete shkrinë energjitë e veta jetësore, pa kursye as lodhje, as mund, as djersë, por me perkushtim e vetmohim, me zell e vullnet, na dhanë vlera të çmueshme në disa fusha të dijes, na edukuen ne si duhet të punojmë në fushat e dijes.

Edhe në kohën e diktaturës së egër, që u përpoq ta zhveshë njeriun nga personaliteti, ta kthejë në vegël diktature, pa individualitet; këto të dy e ruejtën dinjitetin e vet të papërlyem, nuk shkruen gja për diktaturën nuk i sherbyen. Justini, madje, shkruente edhe kundër. Çabej, vetëm shkencë!
Të dy e njihnin veprimtarinë shkencore të njeni-tjetrit, e çmonin dhe e donin njëni-tjetrin. Sidomos Buzuku i lidhte. “Shih, shih, më thonte sa herë, shih sa bukur e ka shkrue”. Por të flasim me dokumenta. Sot, fjalët nuk i beson ma kush!

Me rastin e pesëdhjetëvjetorit, më 1958, Justini i dërgon këtë urim:

“Në ditën e 5 korrikut
në të cilën
Doktori i nderuem i letrave tona
Zoti Ekrem Çabej
Lumnisht mbush vitin e pesëdhjetë
Miqtë, kolegët, bashkëqytetarët
Të mrekulluem me mprehtësinë e mendjes së tij
I urojnë me hare gjithë të mirat
Ty Perenditë e qiellit
Të të ruejnë për dashuninë e njerëzve të tu
Për shkelqimin e gjuhës sonë
Për vjet shumë e të lumtun
Që të vijosh të punosh
E të rrnosh gjatë e ma gjatë
Si shkrimet tueja do të mbetën përjetë
Përmendore të gjuhës shqipe!”

Urimi botohet për herë të parë, asht i shkruem latinisht e i përkthyem nga leksikologu, poligloti e përkthyesi i mirënjohun Zef Simoni.

Pader Justini si shkroi veprën “Gjuha e shkrueme shqipe…”, dorëshkrimin ia dorëzoi Prof. Kostallarit për botim, dhe ishte i bindun se do të botohej. Në një letër dërgue Kostallarit, (botohet për herë të parë) ndër tjera i shkruen: “këtij shkencëtari, Zotni Çabejt i lutemi ta marrë përpara nëpër dorë këtë pjesën e parë tonën (Leksikologjín) tue pasë lirí të plotë prej nesh që ta rishikojë, sikur ma kompetenti që ne kemi në tokë të Shqipnís dhe të hjekë e të shtojë e të ndrojë gjithçka t’i duket. Kështu, që mos të shohë dritën e diellit ndonjë lajthim, që ka mujtë të na rrëshasi. Ia dimë për nderë”.
Tue e mendue të sigurtë botimin e veprës së vet “Gjuha e shkrueme shqipe...”, pader Justini pati përgatitë edhe disa kushtesa eventuale, kushtue personaliteteve të ndryshme. Justini ka qenë mjeshtër për hartimin e këtyne kushtesave, epigrameve etj. Po botoj për të parën herë kushtesën për prof. Ekrem Çabejt, Tiranë:

“Albanistit ma të madhit kombëtar
Profesor Doktor Ekrem Çabejt
Këto hulumtime linguistike nxanësish
Gjithë motin e jetës mirnjohtës
Për kontributin e vlefshëm dhe bujarisht të huajtun
Në favor të këtyne fletëve”
Autori

Justini kishte aftësi të çuditshme për të zbulue fenomenin gjuhësor nga goja e popullit, folklori i tij e nga letërsia reflekse. “Fenomeni gjuhësor, më thonte, gjindet në krijimtarinë e popullit a të bijve të tij, duhet piskërra e gjuhëtarit me e kapë, mandej me formulue rregullën a përjashtimin”. E, për piskërr, nuk ia kalonte kush! “Morfologjia” e tij e vërteton ma së miri këtë që shkrova: e pasur, e larmishme, thjeshtë shqipe. Kur binte fjala për etimologji, më thonte: “Asht fusha e Çabejt. Ai asht mjeshtri”. Po botojmë këtë fragment letre, drejtue Çabejt:

Letër e hapun Zotni Prof. Dr. E. Çabejt
Tiranë

“Mjaft kam frikë se, mbasi ta keni krye së lexuemit këtê shkresë, keni për të ma bâ edhe Ju mue si ai fshatari nevrik i cili, të hetuemen se i ka hý bagtia e huaj me kullotë në livadh të vet, merr e e gjuen me pesha, tue e true plot gojën.

As unë, sigurisht, nuk do të ishem shtý me u endë ndër lamije që nuk më përkasin, po mos të më ishte paraqitun rasa?… Tëndimi një ditë m’u shfaq kaqë i fortë e i nxitshëm, sa unë nuk mund i qëndrova.

E parashihshe mirë se, bashkë me Ju, edhe ndokush tjetër do të ma kishte përplasë atë frazën fort me vend të Fedrit: “Ne sutor ultra crepidam”!
Po, pra, por qe. Tue mos kjenë i zoti t’i bâj ball tëndimit, si Ju thashë, për ma të parën herë sod në jetën teme, kalova të dëfrehem mbë lamën e etimologjís.

Falma fajin dhe guximin! Shpresoj të jetë kjo e para dhe e mbramja herë!E tash për në dueni ta dijni fillin e çashtjes në fjalë, qe këtu si kje puna. Qysh ato ditt e para të rinís, kur më ra në dorë Meshari i veteranit të shkrimtarëvet të shqipes, më bani një përshtypje mjaft të fortë ajo trajta e pasthirmës Buzukjane “Hinje” për tânen të soçmen: lt. Eçe”...

Post scriptum

E tash, Ju lutem, të ma falni fajin e panjerzís, për në kjoftë se po shtoj këtu me këtê fill si një korolar, një vrejtje të voglë rreth kushtesës, që më drejtoshi, ka do dit.

Në faqën e parë të njëj studjimi, pa dyshim fort të vlershëm linguistik Tuejin shkruejshi tekstualisht: “”Njohtësit të thellë të Buzukut...”.
Tashti, tue lanë më anesh diskutibilitetin e atributit, tue kjenë se këtê adjektiv (i, e thellë,-”i kthellë... e vazhdon analiza e fjalës i këthellë-i thellë).”

Por shprehjet e miqësisë, të dashamirësisë e të vlerësimit ishin të ndërsjellta. Për ilustrim, po xjerri disa fragmente nga letërkëmbimi i profesor Jupit me Pader Justinin, tue përjashtue këtu thaniet e vlerësimet gojore që sillte nga Tirana prof. Jupi. “Dr. Eqrem Çabej dhe Z. Xhuvani Ju falen me shëndet. I pari Ju ka dhurue edhe një kopje të dispensave të albanologjisë, të cilën ia kam pasë dhanë Kolecit” (autorit të këtyne kujtimeve, k.ç.).(letër e Prof. Jupit e vitit 1954).

Xhuvani e Domi Ju nderojnë së tepërmi; Çabej thotë me të drejtë “Rrota asht shkencëtar”. Prof. Dr, Çabej: “… me një rradhë punimesh… ky studiues i gramatikës e i letërsisë së vjetër shqiptare ka ndihmuar shumë ndër ne”.
“... Zotni Çabej më pyeti për Ju dhe për Pater Benediktin. I tregova se po përfundoni gramatikën e gjuhës shqipe (morfologjinë). Iu ba qejfi shumë. Më ngarkoi t’Ju transmetoj përshëndetjet e tij”, letër e datës 22.III.1057.
Nga një letër e datës 5.XII.1961: “Sa dëshir kishte me ardhë në Shkodër A.Xhuvani së bashku me profesor Eqrem Çabejn dhe me u tokue me Ju. Sa nderim kishte për Ju.” Me këtë rasë po tregoj se kam lexue dy letra të Aleksander Xhuvanit, dërgue Pader Justinit, ku Xhuvani paraqet mendimet e tij lidhur me drejtshkrimin e gjuhën e përbashkët, mendime këto që bien ndesh me çfarë thohet për Xhuvanin lidhur me drejtshkrimin e gjuhën e njësuar. Në këtë kohë Xhuvani ishte për gegnishtën. Madje fton Justinin të punojë për këtë. Letrat as kopjet, për fat të keq, nuk i kam. I kam kërkue ndër arkiva e biblioteka, por nuk i kam gjetë, sikurse nuk kam gjetë as materiale tjera, si letërkëmbime etj., që unë vetë i kam rregullue në komohin e tij.

Edhe në veprën “Historia e Shqipërisë”, 1957, shkruhet: “Në fushën e studimeve, pak a shumë të thella shkencore të gjuhës shqipe u dalluan në mënyrë të veçantë N. Mjeda, A.Xhuvani, J. Rrota dhe E. Çabej”..
Tue u vlerësue këto figura me vlera shkencore, pa dije spekuluese, kontributi i të cilave mbetët dokument për zhvillimet tona shkencore e letrare, japim një shembull të mirë për t’u ndjekë për përkushtimin e vetmohimin e tyne.

marre prej Gazeta Shqiptare Online
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2262 sec, 0.0390 of that for queries. DB queries: 36. Memory Usage: 2,791kB