Forums
Go to page  1 2 3 4 5 6
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 06:08pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Caku


Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
se duhet të shkelin në udhë pa krye,
mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
pa policë trafiku e manekinë mode,
pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
ciasin gomat si në përplasje veturash,
thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.


O sa këpucë të reja u shitën sivjet!


Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
non stop-in rraskapitës me theks modern,
në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.


Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.


I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 06:41pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
(Intervista që vijon është e nëntorit 2005, katër muaj para se Frederiku të ndahej nga jeta... një intervistë rrëqethëse./Lupen)





Frederik Rreshpja: Ja pse dua të vras veten


Jeton i braktisur dhe ku ta zerë nata. Është martuar dy herë dhe po aq herë është futur në burg, padrejtësisht. Gjeniu i letrave shqipe tani ka kaluar moshën 65-vjeçare dhe ka nevojë për një operacion në zemër, por nuk ka para që të paguajë spitalin. Ne, e takuam gjatë këtyre ditëve dhe i morëm atij një intervistë të cilën po e botojmë për lexuesit e gazetës “Sot”.


Ku banon Frederik Rreshpja, aktualisht?


Unë banoj në Tiranë. Kam pasur një shtëpi kur dola herën e fundit nga burgu, por atë e kishin marrë…


Pse jeni burgosur?


Gjithmonë politikisht, dhe gjithmonë nga miqtë e mi. Gjithmonë nga njerëzit e mi dhe interesant është se unë në fakt, nuk kam pasur ndonjë problem. Kam qenë një shkrimtar i angazhuar si gjithë të tjerët.


Po ç’lidhje ka politika me shkrimtarin, që duhet të burgosej?


Më duket se ishte çështje ambiciesh, sepse kapi të gjithë shkrimtarët gati, por ka disa emra shkrimtarësh që nuk i bëjnë mirë letërsisë shqipe po i përmenda. Ndonjeri prej tyre është përfolë edhe në parlament. Kisha edhe nga njerëzit e mi që më hiqeshin se më donin.


Dhe aktualisht në Tiranë, ku banon?


Unë kam jetuar dikur në një hotel, pastaj kam pasur një dhomë brenda shtypshkronjës time. Pastaj, jam transferuar nëpër vende të ndryshme herë-herë edhe gjysëm ilegal. Dihet që gazetat, shtypi nuk mund të paguajnë, dhe unë nuk kam ndonjë të ardhur. Kjo është një fatkeqësi, prandaj unë vij e jetoj shpesh te shtëpia e vëllait të vogël, këtu në Shkodër.


Po shërbimet që ju nevojiten kush ua bën?


Vetë unë.


Çfarë ndihmash ke pasur nga shteti?


Asnjë, absolutisht asnjë ndihmë. Unë kam kërkuar një pension të vogël. Nuk arrij me e kuptuar pse shteti më ka penguar dhe më ka sulmuar gjithmonë. Unë jam përpjekur të hulumtoj, se unë si gazetar kam qenë mjaft i shkathët, por tani unë jam i sëmurë dhe nuk mund të investigoj, se ajo kërkon shëndet dhe shumë para. E pastaj Pen Klubi me qendër në Londër na akordoi një pension, të cilin e anulloi shteti shqiptar, me ndërhyrje direkte.


Dhe ai fond ku shkoi?


Rri atje, në Londër, në punën e vet. Unë pension, kështu siç marrin të gjithë qytetarët shqiptarë nuk kam, për arsyen e thjeshtë se kur kam hyrë herën e fundit në burg, më morën librezën e punës dhe ma grisën. Tani më kanë thënë se diku është arkiva ku mund të gjinden këto gjëra po a jam në gjendje unë të shkoj e t’i bie mbrapa atyre punëve? S’jam, s’kam mundësi. Unë kur kam qenë shëndoshë kam patur makina, tash jam i sëmurë, s’kam asnjë mundësi për t’i rënë mbrapa këtyre punëve, se më duhet patjetër me nxjerr një pension sado të vogël. Nano dhe Dokle përpara fushatës më gënjyen për një pension special. Përpara 3 muajsh muhabeti me të dy u bë, po nuk u konkretizua, nuk më dhanë asnjë shkak asnjë arsye, asnjë shpjegim. Ata i ndërrojnë numrat e telefonit, unë nuk arrij me i gjetë numrat e rinj të telefonit. Ndërsa me drejtuesit e rinj ende nuk kam biseduar.


Sa është numri i librave të krijimtarisë tuaj?


Janë me qindra libra. Të gjitha zhanret, që nga drama, romani, libra për fëmijë, poezi, etj. Poezinë e kam pasë për qejf shumë edhe këtë jam kam pasionuar vetes, që në poezi me bërë diçka, por unë nuk e kreva misionin tim në jetë. Arsyeja ishte se gjysma e jetës më ka shkuar burgjeve e spitaleve. Tani pleqëria më erdhi keq shumë, por e keqja ime është se unë s’mund të eci dot. Por unë jam katolik dhe vetëvrasjen e kemi të ndaluar se unë s’kam ç’të bëj më në këtë jetë.


Pse, e mendon ndonjëherë të vetëvritesh?


Shumë herë e kam menduar, se çfarë do të bëj i tillë unë në këtë jetë?


Kë nga shkrimtarët e mëdhenj të botës do të imitosh?


Nuk e di. Unë kam pasur një fëmijë, po edhe atë e kanë vrarë dhe kur më pyesin, “ti pse harxhon para, pse shëtit gjithë botën, që nga Australia e deri në Nepal”, unë hesht. Sepse në fakt, unë shkova se më thoshin, që “çuni është gjallë”. Por në të vërtetë e kishte mbytë babai i nënës së tij. Domethënë, gjyshi i tij.


Po nëna e djalit tuaj a është gjallë?


Jo, e mbyti i jati. Nuk donte miqësi me një njeri që ishte armik i partisë dhe i popullit, se unë rrjedh nga një familje aristokrate. “Unë jam komunist” – thoshte ai, dhe më në fund vetë përfundoi në burg se Enver Hoxha i kishte ndërtuar kështu këto punë. Kush i informonte, i vinte hakut këtyre njerëzve, po vetë atë nuk e informonin mirë siç thotë i biri Sokoli. Dhe e kam takuar një ditë Sokolin dhe i thashë, “Po ty që të mbante afër Enveri, përse nuk e informoje dot për të vërtetat”. Ai nuk foli.


Çfarë kujtimesh ke nga gruaja dhe djali?


S’e kam pa…


A ke fotografi?


Jo. Sigurisht, të Lorës, (gruas time) kam, ndërsa të çunit jo, se isha në burg.


Sa ka ndikuar kjo gjëndje në krijimtarinë tënde të mëvonshme?


Ç’të të them. Heminguej thoshte, “shkrimtari duhet të vuajë si shpata në zjarr që të bëhet një shkrimtar i mirë”, por për mua ishte e tepërt se unë s’jam Jezu Krishti.


Si sillen kolegët, shkrimtarët dhe gazetarët me ju?


Shumë mirë. Për çudi vetëm Kadareja nuk sillet mirë. Unë e kam përkrahur dhe ndihmuar atë njeri, e kam përkrahur shumë. Ne kemi për detyrë t’i mbrojmë këto figura të mëdha. Po ai nuk bën mirë, sigurisht. Megjithatë unë jam sjellë mirë dhe vazhdoj të sillem mirë kundrejt tij. Ai ka shkruar libra, unë nuk kam shkruar ndonjë ese tjetër për librat e tij.


Kush ju ka futur në burg?


Shokët e mi. Ose ata që më hiqeshin si të tillë. Më kanë burgosur dy herë. Madje, edhe pas ardhjes së demokracisë.


Ju jeni një shkrimtar endacak, ku gdhihesh dhe ku ngrysesh?


Kjo varet nga gjendja ime ekonomike. Kur kam, fle në një hotel të mirë se unë jam mësuar me jetë luksoze, që fëmijë më ka pasë mësuar nana. Kur nuk kam para, fle në një hotel fare të thjeshtë.


A të ka takuar ndonjëherë të flesh jashtë?


Po, fatkeqësisht më ka takuar. Kam fjetur edhe para Pallatit të Kulturës.


Si je ndjerë?


Hiç. Kisha një kobure me vete, edhe mendova të vrasë veten por thashë se vetëvrasja, jo vetëm që është budallallëk, por është edhe krim fetar. Zoti s’e fal këtë. Unë aty e lashë koburen dhe ika. Erdhën dy policë, e gjetën, e morën po mua nuk më thanë gjë. Fatmirësisht, nuk më thanë asgjë. Unë ika dalëngadalë, shkova te një hotel i vjetër, 500 lekë nata, po unë kam ndenjë shumë atje. Më kanë vjedhur disa herë atje, po unë nuk kam bërë fjalë kurrë, prandaj i thashë atyre: Unë nuk e di se kur i jap këto lekë se unë do rri sot këtu”. Ata më thanë: “Do të rrish sa të duash, ne kemi fituar para prej teje. Je burrë i urtë”. Se unë prej natyre jam shumë i edukuar, shumë i qetë. Natyrë angleze. Edhe ndonjëherë kur bëhem nevrik, unë e ndal veten.


Ju keni nxjerrë kohët e fundit një libër me poezi, si ju duket ky libër?


Po, sigurisht. Libri është përkthyer në shumë gjuhë kaq shpej. Interesant. Por u habita kur u bë në Durrës mbledhja e poetëve, ku mua nuk më thirrën.


Ç’mendim ke për Dritëro Agollin?


Kam një mendim shumë të mirë, unë e kam pasur shok të ngushtë, bashkë kemi ndenjur natë e ditë, kemi ngrysyr e gdhirë bashkë. Unë kam qenë edhe nënkryetar i Lidhjes. Është një poet shumë i mirë, një shkrimtar shumë i mirë, reportazhet e tij janë të pakrahasueshme, tregimet, sidomos romani “Zylo..” është ndër kryeveprat e letërsisë europiane.


Si ju duket letërsia e këtyre 15 viteve të fundit?


Na keni hapur një temë shumë të bukur, shumë interesante. Neve, sot nuk kemi kritikë, thjesht për arsye ekonomike, se nuk i paguan njeri. Mirëpo kritiku nuk mund të blejë një libër, të shkruajë një shkrim e të harxhojë disketën e kompjuterizimin kot, badihava. Nuk ka faj se siç e thotë Engelsi, mbi varrin e Marksit: “asnjë këpucar nuk mund të punojë, pa e paguar”. Asgjë s’bëhet, aq më tepër arti. Po, kështu, qosheve të tryezave flitet shumë, bile ka mendime nga më të kundërtat. Disa mohojnë rreptësisht arritjet. Një nga këta është poeti i shkëlqyer, Fatos Arapi. Ai e mohon rreptësisht letërsinë e zhvilluar pas viteve ’90, disa të tjerë brohorasin. Unë vetë kam ndjekur me vëmëndje, kam lexuar me vëmëndje, më kanë rënë në sy shumë emra, shumë njerëz të talentuar, të zotë, me shpirt të madh dhe me mjeshtërinë e fjalës. Më kanë mbetur në kokë, fjala vjen këta autorë: Ermir Nika, Besjan Gjermenji, libri juaj, etj, Uroj që të kemi edhe në prozë. Por në prozë, përveç Shpëtim Kelmendit, unë nuk kam parë ndonjë firmë të re, të fuqishme. Jo se nuk e kam ndjekur, por siç duket ana ekonomike, proza kërkon para më tepër për t’u shtypur se unë vetë kam pasur shtypshkronjë dhe e di sa para kërkon një libër, sidomos në prozë, fjala vjen një roman.


Çfarë po shkruan Frederiku?


Unë këto dy-tre ditë mbarova një libër të ri poetik me vjersha, por kam të mbaruar edhe një roman. Po të qe për mua edhe nuk do të shkruaja fare, do hiqja dorë nga letërsia, por mua më duket se çdo gjë të mirë që bëjnë njerëzit, jo vetëm në poezi, por çdo gjë, çdo veprim, edhe një dy lekësh me i dhënë një të varfëri, të duket se të gjitha këto janë të injektuara nga Perëndia. Unë kështu them. Edhe ndjej një shtytje të brendshme, sikur më thotë engjëlli mbrojtës, “shkruaje këtë”. Se për mua personalisht, nuk do të merresha më me letërsinë. Unë nuk jam ambicioz, nuk kam nevojë, e as kam pasur kurrë nevojë, kjo është arsyeja që unë nuk jap intervista dhe jashtë shtetit janë habitur me mua. “S’kemi parë njeri, përpara që s’pranon të japë intervista, nga vjen ti”, më kanë pyetur. “Unë vij nga Shkodra, nga qyteti i mbretërve ilirë”, u thosha unë.


Pas tragjedisë së parë familjare a keni provuar të dashuroni përsëri?


Unë, u martova me shtytjen e nënës, po atë e zura me një oficer sigurimi, që e kishte burrë motre. E zura në dhomë, në krevat, e mora, e çova në shtëpi. I thashë atyre: “urdhëroni deklaratën që ka shkruar”. Dua të shtoj këtu se disa herë kanë tentuar të më helmojnë.


Kush kishte interes të të helmonte?


Ata që ishin të interesuar për pasuritë e mia. Koha ime ka kaluar, tashmë. Unë jam 65 vjeç, i sëmurë me zemër. Kam nevojë për një operacion, për një “bypass”, por tani unë s’kam më para, as pasuri, as ç’farë të shes më.

[ Edited Sat Feb 11 2017, 07:04pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 10:41pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Vdekja e Lorës


Rri në muzg sikur të janë rrëzuar kohërat përsipër,
gati për përjetësi.
Nuk më flet. I ke premtuar vdekjes, e kuptoj.
Por ti në këtë botë erdhe për mua, jo për qiejt.
Kemi qenë përherë bashkë, që të rinj,
Dhe tani më le!
Mua më trishtojnë stinët. Ti e ke ditur,
dhe me botën më ndan një udhë me kilometra vetmi
Kemi thënë gjëra që s'kanë për t'u kuptuar kurrë.
Kemi ecur në tërë shekujt, para piramidave,
emrat tanë kanë qenë gdhendur
edhe kur nuk kishim shkëmbinj.
Por këto s'kanë për t'u kuptuar kurrë.
Si ungjijtë.
Të dy kemi qenë gjithmonë të bukur, por ti tani
Je akoma më e bukur, kështu me pak vdekje në sy.


Lora ishte e shoqja...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 10:46pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Të dëbuemit


Tëmir u pafshim, Kosovë! Ne mbetëm pa atdhe!
Si era e madhe, si zogjtë shtegëtarë,
endemi kaltërsive,
mes ujnave të hueja pa shpi, pa shpresë, pa cak.
(E, megjithatë, na thonë që vemi ndër shpijat tona).
Heu! Po atje s'na pret askush. Nuk kemi
as të gjallë, as të vdekun atje.
Tëmir u pafshim, Kosovë! Ne mbetëm pa atdhe.


Rrotullohen valët e detit. Pulëbardhat e vonueme,
si andrra të hueja, zbresin mbi direkë.
Hesht nata e Mesdheut.
O! Po ku do të sosemi ne të mjeret pa atdhe?
Qytetet turke ja ku po duken larg.
Askush s'na pret atje;
Askush s'na njeh atje;
Veç, nën një gur të ftohtë, Ali Pasha që fle.


Dhe na kujton plaku që s'jemi pa atdhe:
ne kemi qiellin tonë,
dheun tonë,
malet, këngët dhe të vdekurit tanë.
Ani, se zemrat tona mbetën gërmadhë,
dhe mes gërmadhave vete e vjen pikëllimi.
Një ditë do të jenë tonat
kasollet, përmendoret,
heronjt'që anmiku na i ka rivra.
Ne na dëbuen nga vatrat tona, po nuk na i marrin dot
as këngët, as të nesërmen,
as të vdekurit tanë,
o Ali Pasha!




Ai që u kthye nga lufta


U kthye nga lufta, te varret u ul.
Vëllezërit qenë vrarë egërsisht.
I qetë, i trishtuar në heshtje u lut,
me dhembje njësoj për të gjithë.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 10:49pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Motivi i gruas së kurbetlliut


Po të pres këtu, te ky shelg,
nën qiellin e zi që mezi e mbështjell nata.
Yjet e parë ranë mbi duart e mia,
që i kam vënë kryq te kryet e heshtjes.


Kam kaq kohë që rri këtu për ty, (bile me vite),
si Statuja e Pritjes, gdhendur në mermer të bardhë dhembjeje,
duke dëgjuar ankthin e erës,
që thërret dikë hapësirave.


Por ti nuk erdhe. Shumë shira
rrodhën mbi sytë e mi që u tretën.
Tani herë pas here dal e pres nën qiellin e këngëve,
si Statuja e Pritjes, gdhendur në një mermer të bardhë fjalësh.




Shtegtar


Hënë s'ka, yje s'ka.
Ecën vetmia me bijtë e saj.


Asnjeri s'më pret te porta, vetëm trishtimi
dhe trëndafilat tërë ankth.
Nata dremit te ajri i dritares,
ku janë gdhendur sytë e mi në moment pikëllimi.


Hënë s'ka, yje s'ka.
Ecën vetmia me bijtë e saj.

[ Edited Sun Feb 12 2017, 05:15am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 10:53pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shtëpia e këngës


Shtëpi e vjetër kulmrrëzuar si fati im,
shtegu i mbuluar me lule-harresë.
Shkoi dhe bardi plak me lahutë,
me sytë prej mermeri të verbër.


Tani edhe mua tek balli
çdo ditë më rëndon një mermer i verbër;
Po shkoj edhe unë mbi lule-harresë,
po shkoj edhe unë në shtegun e vjetër.


O shtëpi kulmrrëzuar, ç'qe ky fat?
Sytë e mermertë i kemi pasë,
por koha jonë ka Kuaj Prej Druri,
koha jonë nuk ka Iliadë.


Ç'të këndojmë Iliada të stisura?
Ç'të këndojmë Akilët e gënjeshtërt?
Homerin e bënë heronjtë,
Homerin nuk e bëri talenti.




Orët e vona


Statujat e legjendave zbresin nga drurët
Që vdesin në muzg.


Ka shumë gjëra që vdesin në muzg.
Eh, asnjëherë nuk kam për të sosur ku dua
Kur nata i rrëzon urat një nga një.


Besoj që zogj më nuk ka.
As trëdafilat nuk u bënë sivjet!
Jo, unë nuk besoj në asnjë mbrëmje.


Kjo ndofta vjen se të desha kaq shumë
Në ato kohra kur mbrëmjet nuk kishin lindur akoma.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 10:59pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ajër


Është një ajër që tingëllin. Këputen telat,
dhe unë akordoj violinat e reja në erë.


Është një ajër plot shtigje që i dinë vetëm zogjtë
dhe mbi shpinë mban retë, shiun, avionët dhe stinët.


Është një ajër që netëve vë vello të zezë
dhe përsërit zërat e të vdekurve që mban në kujtesë,
që nga dita e parë e botës.
Është një ajër ku unë ngjyros ylbere,
që shirat nuk i kanë njohur kurrë.


Kam bredhur kudo nëpër botë,
po nuk është e njëjta gjë.




Ajkuna pas betejës


Me rubën e zezë mbi sy
Thur ngadalë
Nën mjegullën e hollë të yjeve, në një dekor guri
Elegjitë epike.
Dhe era thërret me kuje nëpër shkëmbinj:
Omer!
Dhe ortekët rrokullisen nga dhëmbja:
Omer!
Dhe vjeshta shkul flokët e gjetheve me dëshpërim:
Omer!
Dhe rrufeja ikën duke shtrënguar plagët:
Omer!
Dhe hëna bën vetëvrasje nëpër përrenjtë malorë:
Omer!
Shtyu tutje, bir! Bëmë vend në varr, o shpirt.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 11:03pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kujtimi yt


Hëna po shuhet në pëllëmbën e gjetheve
Dhe trëndafilat vdesin në muzg.
Fusha ul supin te era
Por mua vetmia më pret te porta, egërsuar.


Ulërin vetmia te porta, ulërin
Dhe ikën nëpër dhembje, trembur, ti.


Kështu gjithmonë ardhja jote është tërë ikje
dhe unë ndiej mbi gjoks sikur më kalon një tren.


Hëna e shqyer në dhëmbët e vetmisë
Çirret si egërsirë te porta
Ylli i fatit tim lotoi në dritare,
Ku shkon, ku shkon, çfarë të thirri kështu?




Udha e liqenit


Unë kam kaq nevojë për ty,
Më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.


Dhe në se ndonjëherë ikën (mos e thuaj!),
Ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë (ah, mos e thuaj!),
Diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
Kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
Duke imagjinuar ardhjen tënde, si ndër legjena,
në formën e shiut ose në formën e vesës,
Mbi rërën e orëve, bile mbi vite të tëra;
Se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve!


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 11:12pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Natë me shi


Më zgjuan shkrepëtimat e ëndrrave.
Bota fshihet nën shi, kthehet në shpirt uji,
Ti ç'bën që vetëtin atje larg?


Ke ndenjur diku nën një abazhur
Dhe bën magji për mua.
Retë këshillohen te dritarja kokë më kokë,
Retë edhe vetmia.




Kali


U plak kali i bardhë, i lodhur qëmoti,
tërë vdekje u rrëzua në fushën me shi.
Rënkoi në heshtje dhe veç një pikë loti
seç rrodhi me dhembje mbi dheun e zi.


Jo, më nuk do të dalë madhështor në korije,
i bukur, krenar, me krifën stuhi,
me hap elegant. Në ballë ç'i kish hije,
një hënëz argjendi e larë me flori.


Ah, ndofta së mbrami kujtoi me mall
atë hënë argjendi, korijen e gëzuar.
Si shpirti i gëzuar i kalit të bardhë
rrufeja vetoi, shkrepëtiu dhe u shua...


krifë = tufë qimesh të gjata që kanë disa kafshë (si kali, luani etj) në qafë; kreshtë, jele.


korije = pyll i vogël.


(i veçova këto fjalë pasi nuk i hasim shpesh nëpër tekste/Lupen)





Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 11:19pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Fëmini


Asokohe ngjyrat qenë shpirtra.
Në fund të kopshtit ngrihej olimpi,
mbi një mitologji trëndafilash.


Ah, tërë trëndafilave të botës do t'u bie në gjunjë,
por ata tinguj nuk do t'i dëgjoj më kurrë.


Tani jam një perëndi ilire e rrëzuar,
sepse olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë.


Por, o Zot, më shumë ka humbur
ai që nuk ka qenë kurrë fëmijë.




Jubile


Këtu çdo gjë ka ndërruar:
Vjen fëminija ime dhe nuk ka ku mbështet
kryet.


Çun i vogël dhe i trishtuar,
a e ke ditur çfarë pleqeri e mallkuar të priste?




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 11 2017, 11:25pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Homeri në të gjithë kohët


I binte lirës nëpër redaksitë e kështjellave,
ati i fisit të lashtë të poetëve,
me gjoksin e shkallmuar nga talenti.
Eh! Sa keq të bëhesh gjeni për një gotë verë.


Homeri kishte dramën e syve,
por këndonte dramat e botës.
Këndo o muzë iliadën e dhunës,
iliadën e tiranëve akeas!


Këndo, o muzë, tek dyert e gazetave!
Sa keq të bëhesh gjeni për një gotë verë!
Ndodh që edhe pa dramën e syve
nganjëherë gjenitë janë të verbër.




Iso


Ëndrra e kaut të zi vërtitej mbi duna,
nën qiellin e Ixhazit të trishtuar.
Koka e trimit në dhëmbët e erës,
shpata në duart e shiut.


Shkërbetë e rërës, tutje Urës së Qabesë,
hëngrën sytë e nizamit të ri.
Dhe e Bukura në Ballkanin me borë,
ndjeu në buzë puthjen e shkretëtirës.


Një natë të fjetur, një puthje në sy...
Iso për kontinentet: oi; oi!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:17am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shkëmbi


Qiriu i hënës në duart e erërave,
pikon mbi pellgje magji;
Ranë këmbanat në fshat qëmenatë,
ranë në të zi.


Vjen gjaksi, këtu mpreh thikën e shkurtër
dhe qyqja thur këngën e vdekjes.
Atje e kanë kasollen mjegullat;
Eh, ç'trishtim, o Zot!


Erdh nga pylli me pisha një korb,
epik si në një balladë.
Ik, ik mallkim i zi!
Një kalë i vdekur vrapon nëpër shpat.


Jo, s'është vrasësi që mpreh thikën e shkurtër,
po është dhembja ime për ty.
Eh, ç'ranë këmbanat në fshat qëmenatë;
Ik, ik mallkim i zi...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:20am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Vjeshtë 1990


Qanë dreri në korije dhe lotët bëhen shi
Trishtohet era mbi shkëmb
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndërrat e pyjeve një nga një


Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamturmirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit


Ardhtë një vjeshtë pa shtegtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë dorë mbi stinët!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:22am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shi hëne


Si arlekin që del për shëtitje
Në kopshtin e harruar të fëminisë,
Hëna e pikëlluar nëpër re
Shkel mbi degët e shirave.


Liqeni i vetmuar në breg të natës,
Shqetësohet në krahët e erës
Dhe thellë sirena e dallgës së kaltër
Loton mbi fytyrën e fjetur të legjendës.


Yjet në asfalt si perëndim i thyer.
Dhe plepat si murgjër të zinj.
Fshehur pas drurëve diku përgjon
Vrasësi i vjetër, trishtimi.


Eh, mundet që thika e trishtimit
Diku përdhe ka për të më lënë,
Fshehur nën një perëndim të thyer
Fshehur nën shira hëne...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:24am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kur vdesin hënëzat


Xhindi i vogël i përrallës
Hedh yje në pellgun e hijeve;
Te dritarja e gjetheve pashë
Hënën e shuar nga shiu.


Kur vdesin hënëzat, kur vdesin yjet
Jam si dikur fëmijë i dhëmbshur:
Qëllon që qaj i vetmuar
Mbi dritën e duarve të hënës.


Qëllon që qaj edhe për zogjtë
E trokas te gërmadhat e çerdheve
Pastaj u shpjegoj zogjve
Që edhe unë jam në këtë botë pa fole.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:27am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Zemra ime


Në asnjë dorë të botës nuk më zë gjumi.
Isha mësuar me kokën në duart e tua.
E ke ditur që kam diçka nga deti;
Breg më breg dhe gjumi nuk më zë.


Dua të shtrihem dhe të vdes,
po vjen ti dhe nga balta më ngre.


Kur male të tëra dot s'na ndanë,
si do ndajnë dy grushta dhe?
Ah, isha mësuar me kokën në duart e tua,
tani dhe brigjet më gjumi nuk i zë.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:29am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Yjet e detit


Shpirtrat e anijeve, djemtë e detit në varre të kaltër,
mbuluar nga nata e ujrave...
Tani jam bir i ajrit si në ditën e parë të botës,
i mallkuar në menyrën biblike.


Jo, nuk ka Itakë në këtë botë.
Tani jam bir i hënës, tërë ishujt e tjerë janë të rremë.


Shpirtrat e ujit të shtyrë nga dhembja
vështrojnë që prapa shirave,
por unë s'kam për t'u kthyer më kurrë;
Më kurrë nuk kam besim në asnjë breg.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:32am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Zog i vogël


Tani ti do të ikësh qiejve.
Por akoma fluturimi yt rri në duart e mija.
Mos i harro duart e mija!
Në një çerdhe të tillë njerëzore s’ke për t’u prehur kurr më.


Shko, të presin qiejt!
Kam pasur shumë gjëra që i kam lëshuar nga duart e mia.
Kam pasur shumë dashuri që ikën një nga një...


Eh, fluturoi dhe ky gëzim i fundit.
Hija e tij u bë hënë dhe ra në det.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:35am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Pema


Çudi me këtë pemë që pikon netëve,
sikur vajton rrënjët e veta
në verbërinë e tyre.


Në kujtesën e gjetheve dhe në kujtesën e drurit
rron ende ora kur më the lamtumirë.


Tepër vonë e kam kuptuar
varganin e gjatë të orëve, të drurëve,
në rrugën e gjatë të fshatit
ku kemi kaluar.


Edhe dimrit kur ranë gjethet, pema frushullinte
mbi përrenjtë prej hënë.


Çudi me këtë peme që frushullin me duart lakuriq,
çudi me mua që nuk të thashë lamtumirë.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:37am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Vijnë ciganët


Vijnë ciganët me daulle dhe me hënë,
ah, qajnë dhe ulërijnë.
Shpejt e shpejt i ngritën çadrat
rreth shpirtit tim prej uji.


Isha i ri dhe isha i bukur,
isha i zjarrtë në dashuri.
Shumë gjëra tani i harrova,
për hënë e për magji...


Ulërijnë ciganët me daulle,
për dhembjet e shkretëtirave të largëta.
Rri zgjuar unë në breg të lumit,
mallkuar me dashuri dhe me hënë.


Kori i trëndafilave derdh lotë,
për daulle dhe për hënë, i trishtuar.
Ah, ç'isha i ri dhe i bukur dikur,
dikur në një mars të shkuar!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:40am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
At Fishtës


Shkon një re e bardhë mbi epikën e maleve,
si shpirti i shqetësuar,
mbi lahutën e muzgut.


Shkon mbi mrizin e zanave,
shpirti i poetit dhe bën kryq,
mbi epikën e pangushëlluar të alpeve.


Ah, po duart e tua.
U tretën nën rrënjët e lumenjve!
Mbi sytë e tu kaloi Drini dhe ra mbi det...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:42am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Rozafa e flijuar


Ule nga supet këtë qytet, mëmëzo!
Kështu lutej foshnja tek floknaja e gurit.


Tutje pas mjegullës, perënditë ilire
dëgjonin ankthin e gurit: imzot,
si më këmbeve më një qytet,
ti që s'më këmbeje as me zotat?


O Medaur! Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua,
tani që ra hëna e syve të mi.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:44am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Për një vjollcë


Çeli vjollca e vogël mbi gurishte
si një ylber mbi planete të panjohura


Kështu kam ëndërruar edhe unë dikur
të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër
po tërë ato që thashë
u tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.


Më me fat janë perënditë
që kthehen tek toka të skalitur:


Ti s'ke për t'u skalitur kurrë
e veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit


Ky qe fati yt prej ylberi
me një kryq shiu te koka
Por fati sundon tërë popujt e zotave
të shumtë si rëra,
vjollcë e vogël, o shpirt.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:46am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Poeti në shkretirë


Absurditetet pa asnjë mesazh për TV-të e botës.
Rallë ndonjë re, arratisur nga kopeja e reve
Ikën e hutuar nga peisazhi arabik.


Ai rri aty me kokën në duart e shkretirës.
U bën me dorë avionëve.
Pret një dallëndyshe që s’ka për të ardhur kurrë.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 12 2017, 05:48am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kronikë


Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.


Nga fshati kundruall dolën pleqtë,
Rendën pas shpirtrave që silleshin në ajër
drejt Kashtës së Kumtrit


Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA
mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.


Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,
të lira dhe korrekte. Ashtu edhe TV-të


Pastaj lanë gjakun
Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja
Ah! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
Go to page  1 2 3 4 5 6  

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2555 sec, 0.0415 of that for queries. DB queries: 57. Memory Usage: 3,159kB