Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Wed Jun 02 2010, 08:42am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Çesk Zadeja



Çesk Zadeja pat lind me 8 Qershor t'vjets 1927 në Shkodër, dhe shndrroj jete me 15 Gusht të vjets 1997 n'Romë. Msimet e para i pat marre në vendlindjen e tij, në shkollën françeskane, ku perbri msimit t'përgjithshëm, mori dhe dijet e para t'muziks. Ka kenë antar i korit të Kishs Françeskane qi drejtohej prej kompozitorit tshquem Padër Martin Gjoka dhe ma vonë prej Filip Mazreku e Prenk Jakovs. Qysh i vogel n'qytetin e tij u angazhue n'grupet amatore. Ku qysh herët shfaqi talent dhe si nxans 14-vjeçar vazhdon me studjua në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, t'kompozitorit Umberto Semproni.

Me ardhjen e fatkeqsis kombtare t'komunizmit, në vjet 1946-1947 punon fillimisht n'Radio Shkodra si përgjegjs i departamentit muzikor, kurse mas dy vjetve detyrohet me shërbye n'ushtrinë e atëhershme deri në vitin 1951. N'vjeten 1949-51 e kryen shërbimin ushtarak si dirigjent n'Ansamblin Artistik t'Ushtrisë.Çeskun e Cojne n'Moskë për me studjue muzik - dega e kompozimit në Konservatorin Petar Iliç Çajkovski t'Moskës, n'klasën e profesorëve dhe kompozitorëve M.I.Cukalli, Bogatyrieff dhe Tchullaki.
Kur krevi studimet, si student i dalluem kthehet n'Shqipni dhe në vjet 1957-1962 emnohet udhheqs artistik n'Ansamblin Shtetnor t'Kangve dhe Valleve Popullore t'Tirans, i cilli sa ishte formue e ku Çesk Zadeja zhvilloi nji aktivitet të dendun, si krijues dhe organizator i jets edhe ashtu të vobektë muzikore. Ashtë njëni prej formuesve t'shumë institucioneve muzikore si dhe drejtues i tyne, siç janë: Konservatori (sot Akademia e Arteve) ku punon si pedagog plot per tri vjet 1962, ma vone emnohet si udhheqs artistik n'Tetarin e Operës e Baletit deri ka vjeta 1966.

N'vjet 1966-1972 u ba kryetar i degs t'muziks n'Institutin e Naltë të Arteve (Akademia e Arteve) dhe n'vjeten 1972, po ashtu bahet kompozitor në profesion t'lirë. Prapë në vjet 1973-1979 udhheq Teatrin e Operës dhe Baletit, kurse në vjet 1979-1990 del në profesion t'lirë, për me u kthye në vjet 1993-1994 si pedagog n'Akademinë e Arteve ku edhe nep kompozicionin dhe muzikologjin.

Profesor Zadeja ashtë kompozitor qi paraqet në universin tonë kombtar figurën ma të madhe krijuese qi ashtë emblem e vërtet kombtare, i cilli ja ka kale edhe mitit, sepse potenciali i tij krijues e ban kyt personalitet t'shquem ajka e muziks bashkëkohore shqiptare, i cilli nder kohna ka me i takue brezit t'parë t'kompozitorve tanë të shkollem, tuj vue themelet e muziks klasike qi merr përmasat të gjana si prej aspektit t'trajtimit t'materies muzikore po ashtu edhe forms, tuj shtue edhe aspektin e melodis, ritmit dhe stilit. Si pedagog ka dhan per vjt te tana kontribut të jashtëzakonshëm dhe shum të çmuem.




Shumë kompozitor qi janë mbajtsit e aktiviteteve muzikore sot në Shqipni jane diplomue te kompozitori Cesk Zadeja. Sot ata zhvillojnë aktivitete t'shumta dhe shumë programe t'shkollave shqiptare muzikore janë të punueme, të redaktueme dhe të mbikqyruna prej tij. Ba me pa listën e t'diplomuemve, kem me pa se sot kreu i krijimtarisë muzikore përbëhet prej kompozitorve te diplomuem prej profesor Cesk Zadeja, disa prej tyne nuk janë ma as gjalle. Por kontributi i tyne ka kenë i madh, si per shembull Tonin Harapi, Kujtim Laro, kurse sot ne vazhdimsi krijojnë Thoma Gaqi, Agim Krajka, Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Kozma Lara, Aleksandër Peçi, Sokol Shupo, Ali Spahiu, Arian Avrazi, Ferikal Daja, Vangjo Nova, Fatos Qerimaj, Isan Shehu e shum tjerë, janë krijues që luejn nji rrol t'randsishëm n'jetën muzikore n'Shqipni.

Influenca e krijimtaris t'Zadesë ishte e madhe te nji grupi bojagi te math kompozitorsh tjerë qi e kane djeke n'rrugën e këtij krijuesi, sepse veprimtaria e Zadesë n'lamin e kompozimit në tarsinë e saj ka kenë dominante, superiore dhe udhrrfyese për gjeneratat, të cillat i ka mësue si pedagog n'Akademinë e Arteve të Tirans. Vizitat e shpeshta t'kompozitorëve tanë dhe anasjelltas na kane prue informacione t'shumta për krijimtarinë muzikore, jo vetëm t'Zadesë, por edhe t'shumë krijuesve të tjerë, për të cillët nuk asht ndigjue perpara.


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
LUPEN
Fri Feb 17 2017, 02:38pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Bardi i muzikës, kompozitori Çesk Zadeja
- Shkruan: Prof. dr. sc. Akil Mark Koci


Kompozitori dhe profesori Çesk Zadeja është krijues që ka përfaqësuar dhe përfaqson personalitetin më të shquar në universin tonë të gjithëmbarshëm muzikor kombëtar. Ai përfaqëson figurën krijuese të shndrruar në emblemë e në mit.

Me potencialin e vet krijues, Çesk Zadeja na përshfaqet si një erudit i spikatur artistik, që me veprat e krijuara zë vend të konsiderueshëm e bindës në mbarë krijimtarinë bashkëkohore muzikore shqiptare, si dekan i saj.

Duke krijuar në pesëdhjetë vjetët e fundit të shekullit të njëzetë, Çesk Zadeja nuk ka qënë krijesë mistike, imagjinare e as profeci, por një homos ludens, njeri me shumë vlera.

Në krijimet e tij të shumta nuk hasim në efektet e zhurmës dhe të heshtjes, por në muzikë homotonike, që nxit konvencionin aq të fuqishëm e që simbolizon me veçoritë më të spikatura frymëzim lirik e dramatik të shoqëruara harmonishëm.

Sfidues i realizmit socialist

Çesk Zadeja flet me gjuhën e vet muzikore, të dalë nga koka dhe shpirti i një artisti të madh, duke shprehur evoluim ndjenjash, për ta paraqitur sa më mirë koherencën e brendshme të fantazisë aq të bujshme, aq të begatshme dhe aq sfiduese, duke shpërfillur rregullat skolastike. Të gjitha këto veçori stilistike e bëjnë muzikën e tij të pëlqyeshme: linja melodike, ritmi dhe harmonia mbartin në vete forcë të pashtershme artistike.

Nuk mund të themi se në veprat e tij nuk ka rregulla, por këto janë të sanksionuara brenda normave klasike pa u bazuar në skolastikën e rreptë të teoricienëve abstraktë dhe as në produktet e avangardistëve. Nocionet e qarta, ndërthurrja dhe bashkëshoqërimi i fantastikes dhe realen, ndikojnë pozitivisht në ndërgjegjen tonë.

Çesk Zadeja ka qënë dhe me siguri do të mbetët kompozitori, mësimdhënësi, muzikologu dhe animatori më i respektuar nga të gjithë ne, falë dijeve e kulturës së gjerë muzikore, sensit pedagogjik dhe aftësive organizative.

Një figurë titanike që ia kushtoi tërë jetën muzikës, jetoi dhe veproi në kohën e një regjimi makabër, i cili nuk u lejoi qytetarëve të vet të zhvillojnë veprimtari artistike, shkencore e pedagogjike siç ua ndjente shpirti, pra si krijues të lirë, por ishin të detyruar që krijimtarinë e tyre ta kanalizonin rrëpirave të ashpra të një muzikë vulgare të realizmit socialist, e zyrtarizuar dhe postuluar nga kreu i partisë-shtet, vetëm e vetëm për të krijuar, siç komandohej nga lart , “një kulturë të re, kulturë komuniste,, .

Kjo moto e shëmtuar nuk vinte njeriun në vend të parë, por diktatorin dhe lavdinë e tij plotësisht të pamerituar.

Pra, në atë kohë absurde, që ishte sinonim i trysnisë psikike e fizike, jetoi dhe veproi kompozitori Çesk Zadeja, tek i cili dallonim personalitetin e madh dhe shumëpërmasor, që mishëronte në mënyrë harmonike krijimtarinë artistike, pedagogjike, organizative dhe përfaqësonte mendimtarin erudit në kohën e sundimit absolut të metodës satanike të realizmit socialist.

Tiparet që i përmendëm më lart ishin të pranishme në novatorizmin e tij krijues, në antidogmatizmin dhe mishërimin e tragjizmit në epokën që përjetoi Çesk Zadeja dhe populli i tij.

Ishte vështirë të jetohej dhe të krijohej në Tiranën e zymtë, në rrugët e saj të shkreta, në errësirën e pasperdeve të hekurta, në kohën kur në çdo moment dëgjoje për burgosje, vrasje , përndjekje familjesh. Nga ana tjetër, – ironi e fatit, – pothuajse të gjithë krijuesit bënin gara kush e kush të krijonte sa më shumë vepra për heronj komunistë, komisarë dhe palaço të tjerë, jo pse donin, por se kështu e lypte Partia.

Pra, edhe te ky krijues gjejmë kompozime të kësaj natyre, por në një masë më të vogël: “Para stuhisë”, ”Nga ditari i partizanit”, ”Festë në fshatin socialist,, etj. Por, jo rrallë, Çesk Zadeja ka ditur t’i sfidojë kompozimet me tituj absurdë duke i emërtuar krijimet e reja me sintagma të tilla, si “Suita e Veriut”, ”Suitë korale”, ”Skica simfonike”, ”Poema vokale”, ”Romanca”, ”Simfoni”, ”Rapsodi për violinë” e të tjera.

Kur i bëja ndonjë pyetje që lidhej me atë dukuri, – entre nous, – gjithnjë më thoshte: ”Akil, mos u hy këtyre punëve”. Edhe pse ne nuk ishim në një situatë më të mirë, gjithsesi më dhimbsej që një krijues i kalibrit të tij ishte i detyruar të kompozonte vepra me kësi lloj tematike, që të kujtonin thënien e Francis Bejkonit: ,,Në terr të gjitha ngjyrat duken si një e vetme”.

Çesk Zadeja, në atë terr kaloi një jetë prej asketi, por të ndershme, paçka se nuk ishin të paktë ata që mendonin se ishte i përkëdheluri i diktatorit. E vërteta ishte se, duke qënë i madh në krijimtari, gëzonte ca privilegje të dukshme, por në fakt survejohej pandërprerje dhe mezi prisnin të bënte ndonjë gabim, sado të vogël, që ta diskreditonin, sepse, veç të tjerash, pat qënë nxënës i një shkolle “të errët”, siç e quanin shkollën françeskane dhe mësuesit e saj, shumica priftërinj françeskanë, të cilët, me veprimtarinë e tyre shkencore dhe artistike, përbënin ajkën e kulturës e të krijimtarisë në të gjitha fushat në Shqipërinë e atëhershme.

Mirëpo, edhe pse gjithnjë kishte mbi kokë shpatën e Damokleut dhe, siç thotë Kundera: ”…ishte i detyruar të jetonte në një regjim komunist, në një regjim degradimi vlerash të njëmendta artistike”, Çesku ia dilte mbanë t’u bënte ballë rreziqeve e sfidave që e rrethonin çdo ditë, përfshi provokimet në orët e mësimit prej ca studentëve militantë.

Krijimtari e pasur muzikore dhe pedagogjike

Çesk Zadeja ndrroi jetë në moshën shtatëdhjetëvjeçare, në kohën kur pritej të krijonte vepra dinjitoze me frymëmarrje të re në kohën e demokracisë.

Pra, pikërisht më 15 gusht 1997 muzika shqiptare humbi kompozitorin, pedagogun dhe përfaqësuesin më të shquar të krijimtarisë muzikore, njeriun i cili qysh për së gjalli u quajt monument i muzikës shqiptare.

Kompozitori Çesk Zadeja u lind më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, dhe vdiq me 15 gusht të vitin 1997 në Romë.

Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën françeskane, ku, krahas arsimit të përgjithshëm, thithi edhe njohuritë e para të muzikës.

Ka qënë pjesëtar i korit të Kishës Françeskane, që drejtohej nga kompozitori i shquar Padër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazrreku dhe Prek Jakova.

Që në vogëli në qytetin e lindjes u përfshi në grupet artistike amatore dhe qysh herët shfaqi talentin e në moshën 14 vjeçare shkoi për studime në Accademia di Santa Cecilia në Romë, te kompozitori Umberto Semproni.

Me ardhjen në fuqi të sistemit komunist, – që u vetëquajt dhe ende vetëquhet Çlirues i Shqipërisë, – në vitet 1946-1947 punoi në Radio Shkodra si përgjegjës i seksionit muzikor, kurse në vitet 1949-51 kreu shërbimin ushtarak si dirigjent pranë Ansamblit Artistik të Ushtrisë.

Moska atëbotë konsiderohej Roma komuniste e Bashkimit Sovjetik. Atje u dërgua edhe Çesku për studime, në Konservatorin Pjotr Iliç Çajkovski, dega e kompozimit, në klasën e profesorëve dhe kompozitorëve M. I. Cukalli, Bogatiriev dhe Çullaki.

Me të kryer studimet me rezultate të shkëlqyera, u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1957 u emërua udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, i cili sapo ishte formuar e ku Çesk Zadeja, deri në vitin 1962 zhvilloi një veprimtari të dendur si krijues dhe organizator i jetës edhe ashtu të vobegtë muzikore.

Çesk Zadeja bën pjesë ndër formuesit e shumë instucioneve muzikore dhe si drejtues i tyre, përfshi Konservatorin (sot Akademia e Arteve), ku punoi tre vjet si pedagog, deri më 1962, kur u emërua udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit (deri në vitin 1966).

Në vitet 1966-1972 ka qënë kryetar i degës së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Fill paskëtaj doli në profesion të lirë.

Në periudhën 1973-1979 u caktua sërish udhëheqës artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit, në vitet 1979-1990 u rikthye në profesion të lirë, për të shërbyer në vitet 1993-1994 si pedagog i kompozicionit dhe i muzikologjisë në Akademinë e Arteve.

Profesor Zadeja është kompozitor që paraqet në universin tonë kombëtar figurën më të madhe krijuese dhe kohërisht i takon brezit të parë të kompozitorëve tanë të shkolluar, që hodhi themelet e muzikës klasike me përmasa të gjëra si nga aspekti i trajtimit të lëndës muzikore e të formës artistike, ashtu edhe nga aspekti i melodisë, ritmit e stilit. Edhe si pedagog ka dhënë për vite të tera kontribut të jashtëzakonshëm dhe tepër të çmuar.

Shumë programe të shkollave shqiptare të muzikës janë të punuara, të redaktuara apo të bashkërenduara prej Çesk Zadejës. Dhe, nëse i hedhim një sy listës së të diplomuarve, do të konstatojmë se sot ajka e lëvruesve të muzikës përbëhet nga kompozitorët e diplomuar te profesor Zadeja (disa syresh nuk ndodhen më midis nesh: Tonin Harapi dhe Kujtim Laro). Ndër të gjallët, përmendim Thoma Gaqin, Agim Krajkën, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Kozma Larën, Aleksandër Peçin, Sokol Shupon, Ali Spahiun, Arian Avrazin, Ferikal Dajën, Vangjo Novën, Fatos Qerimajn, Isan Shehun e dhjetra të tjerë. Të gjithë këta luajnë rol të rëndësishëm në jetën e sotme muzikore në Shqipëri.

Kur dëgjojmë muzikën e Çesk Zadejës, bindemi se kjo gjini është art, i cili mvarësisht prej çasjeve, ngritjes intelektuale, vepron në kërkim të imazheve, të tingullit, të ritmit, fantazisë dhe misterit.

Njëkohësisht, krijimtaria muzikore dhe pedagogjike e këtij kolosi është e gërshetuar me rolin e tij krejt të veçantë në organizimin e manifestimeve të ndryshme dhe të mbarë jetës muzikore shqiptare.

Simfonia e Zadejës – sintezë e mendimit muzikor estetik të popullit tonë

Sa herë përcjellim një vepër të Zadejës, përjetojmë kalimin drejt një qartësie brenda një universi trandës e të detronizuar, dhëmbje, nostalgji, frikësim, por edhe madhështi, hijeshi. E kjo na jep shpresë se me të vërtetë është bukur të jetohet edhe në ketë botë plot brenga dhe kundërthënie. Duke e vështruar veprimtarinë shumëplanëshe të Çesk Zadejës, në kushtet e rënda e plot privacione ideologjike e politike, i japim të drejtë kompozitorit të njohur Thoma Gaqi, ish-student i Çesk Zadejës, kur e portretizon kështu mësuesin e vet: ”Emri dhe vepra e Zadejës bën pjesë në pantetonin e kulturës shqiptare. Personalitete të tilla vijnë një herë dhe mbeten të përjetshëm”.

Çesk Zadeja dhe Kosova

Zadeja, përndryshe jo vetëm miku im i madh, por i të gjithë krijuesve shqiptarë, me simpati të veçantë ndaj nesh, krijuesve kosovarë, ka ditur me urtësinë e tij të na afrojë, të kuvendojë, të na këshillojë dhe të na japë zemër në krijimtari. Çdonjëri nga ne e kultivonte krijimtarinë muzikore në mënyrën e vet dhe krahasimet me çka krijohej ne Shqipëri, ishin në kuadrin e trendet e kohës.

Më kujtohën shumë takime me profesor Çeskun, por një pa dyshim më ka ngelur në kujtesë, i paharraueshëm.

Ishte viti 1976, kur Zadeja, ose profesor Çesku, siç e thërrisnim me dashuri, kërkoi të dëgjonte disa nga veprat që i kisha kompozuar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.

Pranova me kënaqësi e mirënjohje dhe të tre, – unë, profesor Çesku dhe kompozitori Shpëtim Kushta, – shukuam në njërën prej studiove të Radio Prishtinës. Atje dëgjuam disa nga veprat e mia dhe pikërisht “Filigranët II”, të ekzekutuara nga ansambli Slavko Osterc i Ljubljanës, me dirigjent Ivo Petriq në Tribunën muzikore të Opatis, në Bienalen e Parisit, të organizuar nën patronazhin e UNESKO-s, sidhe Ab aeterno, interpretuar nga orkestra simfonike e Radio Ljubljanës me dirigjent Samo Hubad. Pastaj dëgjuam edhe disa vepra të muzikës kamerale.

Mezi po prisja me interesim të madh mendimin e tij.

Meqë ishin të pranishëm edhe krijues të tjerë, për arsye tashmë të njohura, profesor Çesku nuk desh të prononcohej. Mirëpo, kur dolëm më tha: “More Akil, çka të them, ne s’mund ta përfytyrojmë një muzikë të tillë”.

Pasi foli gjërë e gjatë për muzikën që kishte dëgjuar, m’u avit dhe shtoi: “Po si i ke mbërritur ato efekte në pjesën për klarinetë?” që i kisha quajtur ”klarineta fenomenale” e që ishin interpretuar prej njërit nga klarinetistët më të njohur jugosllavë, Milenko Stefanoviq.

Pra, pikërisht ajo vepër i la mbresa të thella, sepse krahas fakturave të tjera tingëllore që ishin risi, jo vetëm për krijimtarinë në Kosovë, por edhe më gjërë, nxirrja nota alikuot, që tingëllonin si një lloj akordi, i përdorur shpesh. Është për të theksuar se, pas ca kohësh, për të njëjtin kompozim shfaqi interesim edhe kompozitori Shpëtim Kushta.

Pra, krijuesit shqiptarë nuk guxonin jo më të shkruanin asi lloj muzike, por as të mendonin, sepse nuk kishin dhe nuk guxonin të kishin një qëndrim bashkëkohor në trajtimin e kësaj çështjeje. Dirigjenti i njohur Eno Koço, në një shkrim për krijimtarinë time, nënvizon se ” (Akili) eksperimenton me kompozime në lëmin serial dhe aleatorik, çka në Shqipëri do të ishte sakrilegj dhe krejt e dënueshme. Një klasifikim i tillë për një kompozitor të Shqipërisë do të ishte gjykimi më i rreptë, me ngarkesa të mëdha ideologjike, deri në asgjësim”.

Pra, këtu nuk ishte fjala se profesor Çesku nuk i ka ditur këto rryma të reja që kultivoheshin në tërë ruzullin tokësor, por ngurronte dhe nuk guxonte t’i përdorte në krijimtarinë e vet.

Pavarësisht se Mëma Shqipëri në aspektin gjeografik nuk ishte e largët, marrëdhëniet le t’i quajmë të ngrira shtetërore me vendin amë, na bënin të besonim se thuajse po jetonim në dy planete të ndryshëm, pa asnje lidhje me krijuesit shqiptarë dhe pa asnjë njohje të ndërsjellë me zhvillimin kulturor në të dy vendet.

Ndikimi i madh i Zadejës te kompozitorët shqiptarë

Krijimtaria e këtij bardi muzikor është mjaft e begatshme. Numuri jashtëzakonisht i madh i veprave të krijuara prek të gjitha gjinitë, që nga këngët për fëmijë, këngët në frymën e muzikës popullore, veprat vokale-instrumentale e deri te veprat skenike. Madje, disa prej tyre paraqiten si vepra të para në historinë e muzikës shqiptare, edhe ashtu jo aq të pasur.

Nga shtypi periodik që na binte në dorë rrallë, kishim informata të pakta, por kur dëgjonim veprat e tij në Koncertet e Majit, shihnim që në to shprehej thëllësia dhe gjerësia e krijimtarisë së Zadejës. Gjithsesi, veprimtarinë e tij artistike nuk e kemi njohur në shkallën e duhur.

Ndikimi i krijimtarisë së Zadejës ishte i madh në një sërë krijuesish të tjerë që ndiqnin rrugën e këtij krijuesi, sepse veprimtaria e Zadejës në lëmin e kompozimit, në tërësinë e saj, ka qënë mbizotëruese, e epërme dhe udhërrëfyese për brezat që e patën pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës.

Me vendosjen e regjimit demokratik në Shqipëri, vizitat e shpeshta të kompozitorëve tanë dhe anasjelltas na sillnin të dhëna të bollshme për krijimtarinë muzikore, jo vetëm të Zadejës, por edhe të shumë kompozitorëve të tjerë, për të cilët as që kishim dëgjuar ndonjëherë më parë. Këta ndikoheshin e vazhdojnë të ndikohen jo pak nga stili dhe përgjithësisht nga vepra e Zadejës.

Ndër veprat e shumta të Çesk Zadejës do të veçonim Simfoninë e tij të parë, të kompozuar me 1956, e cila fitoi Çmimin e Parë Kombëtar dhe, siç shprehen muzikologët e kohës, “është një monument madhështor, është vepra më madhore jo vetëm në krijimtarinë e kompozitorit, por edhe në muzikën shqiptare”. “Tingujt e simfonisë ishin tingujt e një muzike të re – për atë kohë të zymtë -, jehona e së cilës është ndjerë në vite dhe së bashku me korpusin e veprave të kompozitorit, krijojnë një traditë të re dhe të pasur tek e cila merr jetë muzika shqiptare”, vinin në dukje kritikët muzikorë të asaj kohe dhe në vazhdim konstatonin se “ajo do të rrezatojë në jetën muzikore shqiptare, është ai burim tek i cili do të marrë jetë muzika jonë, është sinteza e mendimit muzikor estetik të popullit tonë, tek e cila motivet, intonacionët, vetë tingujt e jetës dhe të shpirtit të shqiptarit janë përgjithësuar me një mjeshtëri të madhe artistike, me gjithë larminë dhe thellësinë e tyre”.

Pra, këto vlerësime nuk janë fjalë miradije për një krijues vërtet të madh , as fronëzim a ngritje pa merita në piedestal, por vlerësim për një kompozitor që ka patur potencë të madhe krijuese. Në veprat e tij hasim frymëzim e kthjelltësi mendimesh.

Nga kritikët e kohës do të mund të citonim edhe shumëçka që është shqiptuar për krijimtarinë e Çesk Zadejës, por këtu nuk i kemi vënë vetes detyrë të bëjmë analizë muzikologjike të formës dhe subjektit të kësaj vepre madhore, sepse vendi i kufizuar nuk na e lejon.

zemrashqiptare.net trokit ketu


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1738 sec, 0.0281 of that for queries. DB queries: 35. Memory Usage: 2,580kB