Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Thu Oct 21 2010, 12:14am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264


[ Edited Thu Oct 21 2010, 11:31pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Oct 21 2010, 12:17am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
PAS KAQ VITESH...TE DERA E SHËNJTË E GJIMNAZIT TIM...

Përshkrim

Sapo vi në vëndlindjen time, sidomos kur kam kohë pa ardhur, kam dëshirë të shëtit vetëm, duke ecur ngadalë dhe duke u ruajtur të mos më takojë askush; një gjëndje pak a shumë që kanë mysylmanët kur falen.

Pas kësaj , nis e gjallëohem, si një troftë që e kanë lëshuar nga oazi artificial në ujrat e rrëmbyer e të kulluar të përroit të saj.

“ Po takohena te dera e gjimnazit” më tha në cel njëri nga personazhet e një libri tim “Maratonomaku nga Shkodra”; që t ë gjthë personazhet i kam miq tani pas asaj bisede intime para fletëve të mia; që të gjithë ma mbyllin telefonin kur i marr, që të më kursejnë.

Genc Barkiçi është arsimtar në atë vënd që e kam dashur aq shumë, që kam aq kujtime pa fund dhe ku nuk kam shkelur ka 40 vjet, por e kam kundruar nga larg dhe kurdoherë – vetëm.

Si tani, ndërsa pres Gencin që të vijë. Lule të paprekura përqark - tulipanë të verdhë dhe trëndafila ;disa metro larg derës së shkollës një memorial. Ky memorial është i shkruajtur me piktura –zhgarravina, emra.... Ngrë supet i habitur nga ky obelisk i katandisur ashtu dhe që ka formën e një krahu me pelerinë. Zhgarravina të bëra me bojë dhe lule përqark. Mos ky brez nuk i don më lulet, apo i ruan aq, sa i dhimbsen t’i këputë e t’i vërën nëpër buzë?. Mbase kanë hequr dorë nga lulet?

Në Shkodër I duan shumë lulet. Nuk ka shtëpi pa lule. Unë kam parë në katin e parë të një pesëkatëshi të vjetër , buzë shtatores së bacës Isë Boletini, një ballkon të rrethuar me hekura ku shpërthenin nga cepi më cep lule dhe sipër tyre, plot 32 kafaze me gardalina e ndonjë kanarinë.

Oh, është e pamundur që ky brez gjimnazistësh të ketë hequr dorë nga lulet, sikurse nuk mund të heqë dorë njerëzimi nga dashuria…

Obelsiku nuk i përkiste gjimnazit; lulet po. Lulet I përkasin gjimnazit “28 nëntor” ku sundon në kuptimin e bukur të fjalës, pra, siç qeveris shtëpinë e sajnjë grua - një grua. Në krye të stafit të mësuesëve të gjimnazit, kësaj armate të mrekullueshme në këtë pjesë të krenarisë shkodrane siç është ky gjimnaz,është një grua shkodrane.

Kam 40 vjet pa shkelur. Ndjej që dikujt I bën përshtypje shushatja ime dhe unë nuk dua të di fare për këtë.

“O Riza, hajde!” . Është zëri djaloshar Gencit. Sytë e tij të bukur blu diç kuptojnë nga shushatja ime. Ai më fton të hyj në gjimnaz; unë e kam kërkuar këtë, në vënd që të shkojmë në ndonjë kafene . Për më tepër, në shkëmbim të kësaj vizite në vëndin e shënjtërisë së rinisë sime, kam zbritur nga autobuzi pa shkuar të takoj nënë time. Ajo më prêt me gjellët që mua më duken më të mirat e botës dhe lexon pa syze gjithçka që botoj në shtyp, të cilin shkon dhe e blenë vetë edhe nëse është kohë e ligë, mjafton t’I tregoj në telefonine përditëshëm të mëngjesit.

xxx

Genci dinamik më mëshiron; më lë që unë të vështroj si I babëzitur katin e parë të gjimnazit tim, që më pat nisur dikur në radhët e ushtrisë, si më pat dhënë një medalje; që më pat nisur pa më ftuar më as edhe një herë të vetme dhe për asgjë. Më ngjan vetja si në përrallën e Hoze Montero Llobatu “Gjeli pa bisht”nga libri I tij “Përrallat e Teto Nastasisë”.

“ Na jena mësu me marrë vetëm medalje arit” – më tërheq nga mendimet Genci. Jemi të dy para një tabele ku lexojmë “Gjimnazistë me medalje të arta” dhe, më poshtë, emrat:
Arben Pepa – mjek obsteter, Mimoza Gjurgjaj - fizikane, Ardian Dajti- mjek kirurg; Jetmira Bulaj - mjeke otorino, Teuta Dimnaku - endokrinologe, Hyrjet Boksi - mjeksi, Eriola Gjika - mjeke e përgjithëshme, Arlind Kopliku - studion informatikë Itali, Anila Beqja - mjeke në familje; Dorian Kçira - fizikan Andi Beli - inxh mekanik, Ehat Troshani - mjeke pediatre, Gjergj Karamitri - mjek i përgjithshëm, Edis Karamitri stomatol; Egesta Lopçi- mjeke e përgjithëshme, Tonin Shiroka - fizikan..

Përball kësaj, një tjetër stendë – “Libri i artë i gjimnazit”. Është një stendë tronditëse. Ndjej vështrimin e butë të Genc Barkiçit dinamik. Të gjithë shtangistët që kam intervistuar, kur I kam pyetur për këngën e tyre më të dashur për ta regjistruar në CD që shoqëron “Maratonomaku nga Shkodra” kanë këkruar këngë të buta, melankolike, të ëmbla, siç i duan poetët, kur janë duke shkruar…Heronj: Qemal Stafa, Tom Kola , Nazmi Rushiti,Asim Vokshi, Vojo Kushi, Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet HaxhiaDeshmorë: Manush Alimani, Hajdar Dushi, Hajrulla Kastrati, Reshit Rusi, Branko Kadia, Emin Duraku, Xheladin Fishta, Esat Gjyli, Fahri Ramadani, Kristaq Tutulami...70 deshmiorë

Shkencëtarë:Aleksandër Xhuvani, Eqerem Cabej, Hamit Beqja, Zija Shkodra,Selaudin Bekteshi, Faik Luli, Jup Kastarti, Hysen Lacaj, Alfred Uçi, ShabanArra, Kol Ashta

Poltikanë:Osman Kazazi, Jozefina Topalli, Adil Carçani, Abaz Ermeni, Arshi Pipa,Pjetër Arbnori, Fadil Hoxha, Arenca Troshani

Shkrimtarë: Vehbi Bala, Kolë Jakova, Fadil Paçrami, Zihni Sako, Nasho Jorgaqi,Fadil Kraja, Llazar Siliqi...

Më vijnë në mëndje shokë dhe shoqe nga klasa ime – Byli, poet dhe me një bibliotekë të madhe sa nuk e ka njeri në Shkodër; Vehbia, ekonomisti që, po ta drejtonte ekonominë kombëtare, do ta nxirrte veëm me fitim, sepse nuk gabon kurrë; Fatmira Basha, organizatorja jonë e mrekullueshme që e mban mban gjallë frymë e klasës sonë, nënë e poeteshave Sidita dhe Orjeta - arsimtare letërsie në ketë gjimnaz me një stampë aq të rëndë mbi shpinë; Ndriçimi që u bë ministër I Mbrojtjes; Agimi që nuk I dolli e drejta studimit për punë biografie dhe na theri aq shumë të gjithëve por që u bë një punëtor nga më të rrallët në Shkodër,Hadie Burrja, inxhinierja e mrekullueshme, “Druzhja” – Zija Hoxha, që u bë një mjek veterinar plot pathos e pasion poetik në zanatin e tij; ; Zef Deda –aktori I estradës që vazhdon të shkëlqejë duke I dhuruar vëndit dhe një artist polivalent, si Juliani; Enver Hafizi, Ismet Tuzi, Besnik Hamzi, Valdet Dani…

Zotni Filipi – Guraziu, që u bë prefekt në Shkodër; Bahri Dervishi, ndjesë pastë, që ishte një gjeni në spiegimine lendës së fizikës…

“Hajde, se po na pret drejtoresha” – dëgjoj zërin e shpejtë të Genci dhe unë i shkoj pas si manare e bindur drejt katit të dytë, ku ndodhet pasuasja e drejtorëve të lavdishëm paiada, të këtij gjimnazi të themeluar me 5 tetor 1922


xxx

Në zyrën e Ganimete Kastratit (Ago), që ka mbaruar dy fakultete dhe që ka qënë arsimtare këtu që në vitin 1991 për t’u bërë drejtore katër vite më parë, të bie në sy një portret i Skënderbeut, me bojra. Ia ka dhurar një gjimanzist që sot studion në Francë - quhet Andi. Ajo nuk e ka çuar në shtëpi, por e ka varuar përball karriges së saj dhe kupave të panumurta që kanë futuar nxënësit e këtij gjimnazi që vazhdon të jetë nga më të mirët e republikës.

“Edhe kur u dogj e u shkatërrua vëndi e shteti më ’97 ën, kur në Shkodër u dogjën deri edhe hipoteka, këtu nuk asht prekë kurrgja”, thotë drejtoresha me një theks të bukur të shkodranishtes.

Shkodra ka katër gjimnaze aktualisht – por, për këtë, në një takim kombëtar më 23.12.2009, ku iu dorëzua medalja e artë një vajze maturante – Hyriete Boksit, ministri i arsimit z. Myqerem Tafai, në prezencën edhe të kryeminstrit Sali Berisha, do ta cilësonte “28 nëntorin” si nga më të mirët e vëndit.

I saktë, ministri , sigurisht që ka patur parasysh edhe faktin që, në kuadrin e skemës së provimeve të maturantëve “Matura Shetërore”, që në vitin 2006, nëntorsat e këtij gjimnazi kanë kaluar që të gjithë. Dhe dihet që , sipas kësaj skeme, nxënësit merren në provim nga arsimtarë të rretheve të tjera. Drejtoresha sqaron se në vitin që kaloi, psh, në notën mesatare mbi 7, kanë spikatur 18 dhjeta në matematikë dhe 15 në letërsi, nga të 172 maturantët. Sivjet, nga të 600 nxënësit gjimnazistë, ka 140 maturantë, njëra prej të cilave, një vajzë që në katër vite ka marrë të gjitha dhjeta, Aledia Bilali, pritet të marrë medalje ari.

Cila është Aledia? Oooo!!!!

Befas dikush troket në derë dhe hyn një vajzë me një tufë të madhe me karafila të kuq. “Zysh drejtoreshë, t’i kam sjellë ty!”

Ganimetja me Gencin nuk e përmbajnë të qeshurën me shpirt. Kjo, vajza e karafilave, është pikërisht ajo, që e ndajnë vetëm dy dhjeta në provim për t’ia vënë emrin të “medaljet e arta”...

Xxx

“Ë? ! Bah! Asqë bahet fjalë, as për drogë, as për hashash e as për nxansa të denuem në burg a paraburgim” – ka ndërhyrë Genc Barkiçi në mënyrë kategorike, siç mund të refuzonte një hoxhë ofertën për të ngrënë mish derri. Ai shton se roja I mrekullueshëm dhe aq I dashur për gjimanzistët, Qemal Kastrati, pa emrin e të cilit, reportazhi do të humbiste shumë, megjithse e ka nje nr celulari policie, nuk I është dhënë rasti as edhe një herë të vetme që ta përdorë.

Shkaku që nxnësit janë kaq rezultativë, nuk është vetëm një. Vec arsmitarëve të mrekulleushëm , vec stampës së traditës së gjimanzit, janë edhe familjet e zgjedhura shkodrane përqark tij, që janë familje “zotnishë”.

Fjala “Zotni” në shkodër ka kuptimin saktë të fjalës universale “gentleman”, pra, burrë shumë i nderuar nga komuniteti përqark jo për motivet e parave apo ofiqeve. të nderuar, pavarësisht nga ofiqet, pozicioni i punës apo paratë. Këtu vijnë edhe nxënës nga Shiroka dhe Zogaj, vënde buzë liqenit ku kanë bazë ushqimin bazë të trurit –peshkun.

Në një farë kuptimi ky vënd I nderuar i gjimnazit tim, ka lidhje me vetë“zotnillëkun” e Shkodrës, rokafortës m të vjetër të kulturës shqiptare. Këtë gjëe dinë mirë arsimtarët.

“Edhe sivjet do të fitojnë maturën që të gjithë, por jo shtatë nga ata”, thotë dejtoresha dhe mua më dhëmb shpirti për këta 7 shkodranë të rinj që erdhën deri në maturë dhe nuk do të gëzojnë duke jetuar ethet e bukura të provimeve të maturës.. Mbase jo vëtëm sivjet, por kurr. Kurr para etheve tronditëse të provimeve të matures, siç janë ethet e vajzës kur bëhet nuse.

“E di vetë, se ia kam ba vedit” – më tha njëri prej të shtatëve mbetësve, kur erdh në zyrë te unë” – thotë me sytë e menduar drejtoresha.

Kushedi se sa u dhimbsen këta të shtatë vetë mësuesëve të tyre. Mirëpo, nderi i shkollës, do vetëm nder!

Viti 2010….

Drejtoresha më tregon një përmbledhje poetike të gjimnazistëve. Asnjë prej emrave të shkrimatërev shkodranë nuk janë prezentë atje. Askush nuk organizon konkurse të fjalës artistike, të krijimeve letrare…

Më sillet ndër mend përgjgija që I dha Vinçenso Belini një prokurori , kur ai I tha se vëndit të tyre nuk I hynin në punë artistët, por inxhinjerët, matematikanët, oficerët, oooo, politikanët .

“Sikur njerëzit të merreshin më shumë me art, ju do të kishit më pak punë,zotëri!”
Është e dhimbëshme që, Shkodra që ka furnizuar rracën shqiptare me Marin Barletin, Kater “B” të, Fishtën, Mjedën, Migjenin, sot është bashkuar me korin kombëtar për të varrosur letërsinë e vërtetë. Dihet që autorët tanë ose duhet të bëjnë pjesë në partira që të dalin në evidencë, por që do ta kenë gojën e zënë me nëgojce, ose, nga ana tjetër, në shkëmbim të ruajtjes së sovranitetit krjues,të mos kenë para as për një kafe.

Më vjen të pëllcas! Shkodra duhet të bëjë shumë më tepër për letësinë kur shteti e trajton atë me një provincializëm fshatarak që të rënqeth mishtë.

Më vjen para syve Orjeta, njëra nga të pesë mësueset e këtij gjimnazi lapidar.Është vajzë e mrekulleushme. Sigurish tas ajo, as të pesë arsmtarët e letrërsisë dhe as vetë tok me drejtoreshën nuk mund të bëjnë dot atë që sillet nëpër ambicien time këta orë të natës që po shkruaj.

Maturantët e sivjetëm të atdheut tim. Si një tufë dallandyshesh pritet të fluturojnë nga foleja e tyre e bukur, e rrallë, romantike, e shënjtë dhe e e papërsëritëshme. Kushedi se ku do t’I shpërndajë jeta ata.
Sivjet mbaron gjimnazin dhe vajza ime.

I kam dhuruar një poezi që ta ketë kujtim nga unë me rastin e maturës.
Po ua tregoj edhe juve:


LAMTUMIRË

Ledias, me rastine mbarimit të maturës kujtim nga babi



Lamtumirë gjimnazi im “Qemal Stafa”
Lamtumirë mësues, shokë, ti, banka ime
Kushedi hapat e mi, kur do m’i ndjeni prap
Hapat e vajzës që notonte në ëndërrime


Mësuesit e mi, gjer të mësoheni pa mua
Do pyesni njëritjetrin, po... ku shkoi?
Me aromë mimozash do përgjigjet pranvera:
E katërta shtatë dhe… ajo…oh…fluturoi


Po kur një ditë do më keni harruar
Qemalsja juaj do të vijë te dera
Ngadalë , hutuar, do të ngjitet te shkallët
E drejt te banka ku rrinte përhera


Në mos paça me vete t’u sjell lule
Të freskëta , të bukura siç i rrit saksia
Të rrahura zëmre do t’ dhuroj pafund
Dhe lule të zbehta nga thinjat e mia


Do të pyesë roja plak, ku e kam parë
Këtë zonjë që s’qesh si nxënësit e tjerë?
Do t’i them :më lër, më lër të hyj, o plak
Qemalse edhe unë kam qënë një herë


Lamtumirë, lamtumirë gjimnazi im
Të erdha e ndrojtur, e vogël , si manare
Më rrite… Lehtë një ditë më puthe flokët
Dhe nëpër botë më lëshove krenare.



Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Feb 13 2017, 01:17am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
AGIM DHE MUZG
- SHKODRANËVE DHE TË GJITH MIQVE - AUTORI


RRËZË BUNËS


Jam ngritur që kur ishte errësirë, kam hapur lehtë derën e shtëpisë, kam dalë në rrugën pa njerëz dhe jam nisur buzagaz me shpresën e sigurt për të shijuar parajsën e agimit përmbi Bunë...


Buna, o Zot, sot paska mjergull. Si atëherë, mbase 5 – 600 vite më parë, a kushedi se kur, kur ka lindur kjo këngë, kënga e Kalasë së Shkodrës. Një vjershar i atëhershëm i këtyre brigjeve që lindin njerëz pasionantë, ka pasë kundruar këtë mjergull mbi Bunë, si unë këta çaste.
Buna ngjan me tisin e lehtë të mjergullës si një vajzë e bukur që e ka zënë gjumi me një kurorë luledelesh mbi krye.
Kjo vajzë ende po fle dhe ka veshur një këmishë të hollë, të kaltër nate. Këmishës i janë zbërthyer kopsat te gjoksi, sikur për të ngacmuar mashkullinën e Taraboshit pa flokë, prozaik dhe që bën shaka të trasha meshkujsh.
Buna ende fle.
Buna fle zbuluar; as nga unë nuk ka turp. Ajo më ka parë kur kam qenë krejt kërthinjë dhe lahesha në gjoksin e saj fare çveshur, pa asnjë rrobë, si më ka lindur nëna ime.
Po pse të ketë turp nga unë tani, që po ia kundroj këmishën e zbërthyer? Të cilën ia kundron dhe ajo as që përpiqet t’ia mbulojë, Rozafë?
Rozafa i rri asaj mbi krye si një vjehërr e armatosur.
Buna nuk e përdor asnjëherë, madje, as natën, çarçafin e blertë të livadheve.
Nga gjoksi i saj i zbërthyer dalin disa tinguj fare të lehtë, që unë, megjithatë i ndjej. Ato tinguj që Buna këndon në gjumë me këmishën e saj të natës, nuk gjinden askund. Sepse i lind vetëm kjo bukuroshe, ndërsa ende fle me këtë kurorë luledelesh mbi krye...
Ah, këta zëra melodiozë dhe të përgjumur të Bunës! Këta zëra aq të pakapshëm, aq të imtë dhe aq të mahnitëshëm, sikur erëzat e orientit që patën shastisur drekat e aristokracinë evropiane të kohës së Magelanit.
Mjergulla nuk ndejt mbi Bunë tri ditë.
Ndejt aq, sa për të më marrë mendjen mua dhe tani po largohet.
Mjergulla tani po i ngjitet Taraboshit.
Mergulla nëpër Tarabosh ngjan me kaçurrelat e shkujdesura të rinisë sime.
Me kaçurrelat që nuk i kam më.
Qoftë edhe të bardhë, si kjo mjergull që sapo u ngrit nga Buna…


MUZG RRËZË KALASË


... Përpirës tani po avitet muzgu rrëzë madhështisë së frikshme të kalasë. Kalaja sikur afrohet pranë e më pranë me kalimin e minutave. Afrohet me përmasa vigane për të na zënë brenda, po të dëshirojë, si një re.
Muzgu, i zbehur nga dashuria, po përkëdhelë kërrelat e kaltra të Bunës, ndërsa ajo nuk e ka mendjen; ajo po mërmërin duke perënduar sytë, jare Shkodrane...
Kushedi ç'ka parë brigjeve gjatë vajzërisë së përjetëshme kjo Bunë! Është e vetmja që di të ruajë intimitete shpirtërash; nuk ia tregon askujt, vetëm Rozafës. Askujt tjetër më.
Buna po shkon anës këmbëve tona e bollshme, e qetë. Ajo di të marrë me të ëmbël sy njerëzish të dërrmuar nga streset... Ke dëshirë këto minuta vetëm të vështrosh ujërat ... Vetëm të heshtësh.
Fërshëllima shumë e lehtë e ujërave, ngjan si një korale ëngjëjsh. Sigurisht që engjëjt kanë zërin e tyre. Ky zë duhet të ngjajë shumë me mërmërimën e ujërave të Bunës nëpër muzg. ... Buna ecën tërë hire, ojna - onja, si një nuse shkodrane faqeplotë ,e veshur me rrobet e dasmës, që sapo i ka nxjerrë nga arka intime e vajzërisë; si një nuse që po zbret që nga shkallët e ballkonit , si duke zbritur një anije me vela...
…Buna nuk po ka dëshirë të mbulohet me perçen osmane të natës dhe mërmërin duke kënduar me vete:“Kur ka hypë Jonuzi në lundër”. Vërtetë nuk e dëgjoni se si këndon tani ajo duke dalë nga shtëpia e vajzërisë, liqeni? Buna do të këndojë deri në mëngjes në gjerdekun e vet; atje ku nuk guxon të futet askush. Në oborr, atë e ruan si një vjehërr e sertë, Rozafa.
Ju betohem, nuk ka më bukur në botë, sesa të bësh not shpinë mbi Bunë duke parë herë Kalanë e herë shpendët e shelgjet që derdhen përmbi ty...


RIZA LAHI: 3 korrik 2012







[ Edited Mon Feb 13 2017, 01:19am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2039 sec, 0.0706 of that for queries. DB queries: 35. Memory Usage: 2,592kB