Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Shkodranët nëpër Botë dhe ne Trojet Shqiptare :: Arbreshet
 
<< Previous thread | Next thread >>
Jeronim de Rada - Girolamo De Rada
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Tue Apr 26 2016, 12:31pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264


Jeronim de Rada (1814-1903) është shkrimtari më i mirënjohur i letërsisë arbëreshe. Ai është edhe figura më e shënuar e lëvzijes kombëtare shqiptare në Italinë e shekullit XIX. Është bir i një prifti ortodoks në Maq (Macchia Albanese) që shtrihet në malet e krahinës së Kozencës. Lindi më 29 nëntor 1814. Ndoqi Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër. I mbrujtur me dashuri të zjarrtë për prejardhjen e tij shqiptare, që në rini nisi të mbledhë lëndë folklorike. Në tetor të vitit 1834, duke përmbushur dëshirën e të atit, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Napolit, por interesimet e tij kryesore mbetën folklori dhe letërsia. Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të mirënjohur shqip Këngët e Milosaos, me titullin Poezi shqiptare të shekullit XV. Këngët e Milosaos, bir i despotit të Shkodrës (Poesie albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, Figlio del despota di Scutari). Për shkak të një epidemie kolere që pllakosi Napolin u detyrua të braktisë studimet dhe të kthehet në shtëpi në Kalabri.

Vepra e tij e dytë, Këngë historike shqiptare të Serfina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini, Napoli 1839 (Canti storici albanesi di Serafina Thopia, moglie del principe Nicola Ducagino) nuk u la të qarkullojë nga autoritetet Burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë Risorxhimentos italiane. Kjo vepër u ribotua me titullin Këngët e Serfaina Topisë, princeshës së Zadrimës në shekullin XV, Napoli 1843, (Canti di Serafina Thopia, principessa di Zadrina nel secolo XV). Kjo vepër u ribotua edhe në një variant të tretë me titullin Pasqyrë e jetës njerëzore, jeta e Serafina Topisë, princeshë e Dukagjinit, Napoli 18897 (Specchio di umano transito, vita di Serafina Thopia, Principessa di Ducagino).

De Rada ka shkruar edhe një tragjedi historike italisht I Numidi, Napoli 1846 (Numidët). Kjo tragjedi u ripunua gjysmë shekulli më vonë me titullin Sofonisba, dramma storico, Napoli 1892 (Sofonisba, dramë historike). Kjo dramë e tij nuk pati jehonë të gjerë publike.

Në vitin e revolucioneve në Evropë, 1848, De Rada themeloi gazetën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), në të cilën përfshihen artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, një ‘giornale politico, morale, letterario’, me një tirazh prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe që është botuar ndokund.

Emri i De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur dhe u përhap në mesin e shekullit XIX. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mtiko, (1820-1890), Zef Jubani (1818-1880), Sami Frashëri (1850-1904), shkrimtarja rumune me prejardhje shqiptare Dora d’Istria (Elena Gjika, 1828-1888), si dhe me studiues dhe shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë, si albanologu francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), baronesha austriake Jozefinë fon Knorr (Josephine von Knorr, 1827-1908) dhe gjuhëtari austriak Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900). De Rada pati edhe inkurajimin e poetit romantik francez Alfons de Lamartin (Alphonse de Lamartine, 1790-1869), i cili qëndroi për një kohë në Iskia. Adhurim për Këngët e Milosaos ka shprehur edhe poeti provansal Frederik Mistral (Frederick Mistral, 1830-1914), romani i të cilit në vargje Mireio (1859) jo rastësisht ka afërsi me veprën e De Radës. Që më 1856, vargje të De Radës ishin përkthyer në gjermanishte nga Hajnrih Kristof Gotlib Shtir (Heynrich Cristoph Gottlieb Stier).

I shkurajuar nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetës Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), iku nga Napoli dhe u kthyer në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por më 1853, për shkak të bindjeve politike liberale, u pushua nga puna. Më 1850 u martua me Madalena Melikion (Maddalena Melicchio) nga Kajberici (Cavallerizo) me të cilën pati katër fëmijë: Gjyzepe, Mikelangjelo, Rodrigo, Etore. Që të katër vdiqën sa qe gjallë poeti. Këto ishin vite të vështira për De Radën. Më vonë i vdiqën gruaja dhe vëllezërit, ndërsa ai jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, pa ndonjë burim të ardhurash. Në një çast dëshpërimi, asgjëson gjithë atë përmbledhje këngësh popullore që i kishte mbledhur me aq dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë kjo që do ta mbante për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italishte: Parimet e estetikës, Napoli 1861 (Principii di estetika), Lashtësia e kombit shqiptar dhe afria e tij me grekët e latines, Napoli 1854 (Antichita della nazione albanese e sua affinita con gli Elleni e Latini), Rapsodi nga një poemë shqiptare të mbledhura në ngulimet e krahinës së Napolit, Firencë 1866 (Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano), Skenderbeu i pafat (Scanderbeccu i pa-faan) në katër botime, Koriliano Kalabro 1872, 1873, Napoli 1877, 1884 dhe Sa liri e mirëqenie ka në shtetin me përfaqësues, Napoli 1882 (Quanto di liberta ed ottimo vivere sia vello stato rapresentattivo).

Më 1883 De Rada themeloi revistën mujore dygjuhëshe Fiamri Arbërit – La bandiera dell’Albania. Ky periodik, i botuar në fillim në Maq e më pas në Kozencë ‘nga një komitet fisnikësh nga Shqipëria dhe ngulimet e saj’, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe, me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan.

Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. Dy vjet më vonë mori pjesë aktive në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër (Lungro). Aty bëri thirrje për të ngritur një Katedër të studimeve shqiptare në Institutin Oriental në Napoli. Në këto vite të fundit të jetës ai botoi veprën Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe, Koriliano Kalabro 1894 (Caratteri e grammatical della lingua albanese) mbi bazën e leksioneve të mbajtura në Kolegjin e Shën Adrianit. Pas dy vitesh botoi librin Antologji shqipe e përkthyer besnikërisht në gjuhën italiane, Napoli 1896 (Antologija Albanese tradotta fedelmente in italiano), ku përfshihen poezi të zgjedhura nga Jul Variboba, Françesk Anton Santori etj. dhe një autobiografi në katër vëllime të titulluar Autobiologjia, Kozencë 1898, Napoli 1899. Pak para se të vdiste, botoi edhe një Testamento politico, përmbledhje kjo e pikëpamjeve të tij politike e kulturore, e botuar në La Nazione Albanese më 30 shtator 1902.

I vetmuar dhe i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 – një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare.

Para se të bëhej entitet politik, Shqipëria në veprat e De Radës, ishte bërë realitet poetik. Përfytyrimi i një Shqipërie të pavarur tek ai në gjysmën e dytë të shekullit XIX, nga një dëshirë e thjeshtë erdhi dhe u kthye në një objektiv politik realist, për të cilin ai u angazhua në mënyrë të zjarrtë. De Rada qe lajmëtari dhe zëri i parë i dëgjueshëm i lëvizjes romantike në letërsinë shqiptare, lëvizje e cila, e frymëzuar nga energjitë e tij të pashtershme në emër të zgjimit kombëtar ndër shqiptarët e Italisë dhe në Ballkan, do të zhvillohej në një romantizëm kombëtar, karakteristikë për periudhën e Rilindjes në Shqipëri. Veprimtaria e tij publicistike, letrare dhe politike ishte mjet, jo vetëm për të zhvilluar vetëdijen e bashkësisë arbëreshe në Itali, por edhe për të hedhur themelet e një letërsie kombëtare shqiptare.

Më e njohura ndër veprat e tij letrare është poema liriko-epike Këngët e Milosaos, baladë e gjatë romantike që pasqyron dashurinë e Milosaos, një personazh i trilluar, djalosh fisnik në Shkodrën e shekullit XV, i cili është kthyer në shtëpi nga Selaniku. Ngjarjet fillojmë më 1405 dhe mbarojmë më 1423 në Shkodër. Këtu te burimi i fshatit, ai takon Rinën, vajzën e bareshës Kollogre dhe bie në dashuri me të. Pas martesës jashtë vendit u lind një foshnje. Por periudha e lumturisë martesore nuk zgjat shumë. I biri dhe e shoqja e Milosaos vdesin pas pak kohe, kurse ai vetë, i plagosur në betejë kundër turqve, jep shpirt në një breg lumi pranë Shkodrës. Në poemë shkrihen natyrshëm ndjenja e dashurisë dhe detyra patriotike për të mbrojtur atdheun. Me një fjalë, motivi i dashurisë shkrihet natyrshëm me motivin patriotik.

Poema është botuar në tri variante të ndryshme më 1836, 1847 dhe 1873. Këtë përmbledhje baladash lirike me frymëzim të fuqishëm romantik autori e ndryshonte, e përmirësonte dhe e zgjeronte, duke e kthyer nga një poemë me njëzet këngë në një vepër me 39 këngë. Kjo poemë me elemente lirike dhe narrative shquhet për figuracionin elegant, për ndjeshmërinë e hollë dhe për koncizitetin e dukshëm.

Poeti francez Lamartini, pasi lexoi “Milosaon” i shkruajti De Radës: “Poezia ka lindur ndër brigjet e vendit tuaj dhe atje duhet të rikthehet”. Ismail Kadareja për “Milosaon” thotë: "...është poemë për dashurinë dhe lumturinë, për iluzionet dhe humbjet, për dritat dhe hijet, për riprodhimin njerëzor, për vazhdueshmërinë e jetës, me një fjalë poemë për vitalitetin dhe pavdekësinë e një populli".

Edhe poema epiko-lirike Serafina Topia na kthen prapa te bota romantike e mjegullt e Shqipërisë së mesit të shekullit XV. Vepra letrare e tretë e De Radës në shqip është poema Scanderbeccu i pa-faan (Skënderbeu i pafat), që ai e konsideroi si kryeveprën e tij. Në të mbizotëron epizmi dhe heroizmi masiv. Edhe kjo seri balladash romantike doli në një radhë botimesh të ndryshme që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të poetit në kohë të ndryshme. Në vija të trasha, kjo vepër mbulon historinë e bëmave të para të Skënderbeut nga viti 1418 deri më 1444.

De Rada mbetet një figurë e lartë në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit XIX. Ai luajti një rol të dukshëm në zgjimin e arbëreshëve nga errësira kulturore dhe krahinorizmi letrar dhe veproi si katalizator, jehona e të cilit u ndie fort përtej detit në Shqipëri që ende vuante nën zgjedhën osmane.

Literatura për De Radën poet, linguist, estet, eseist, folklorist dhe publicist është relativisht e gjerë. Me veprën dhe jetën e tij janë marrë Mikel Markiano më 1902, N. Dagllas (Douglas) më 1930, Vitorio Gualtieri më 1930, Gjyzepe Gradilone më 1960, Jup Kastrati më 1962, Roberto Ruberto më 1966, Gjyzepe Valentini më 1964, Ernest Koliqi më 1972, Rexhep Qosja më 1984 e të tjerë. Për stilin poetik të De Radës kanë bërë studime të veçanta Arshi Pipa më 1969, Agna Desnickaja më 1985, Klara Kodra më 1988, Françesko Altimari më 1991, Sabri Hamiti më 1993, Emin Kabashi më 1994. Për De Radën kanë dhënë mendime edhe studiues të tjerë si albanologu britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-1986). Me De Radën, romantizmi shqiptar arrin të zhvillohet paralelisht me romantizmin evropian.

Me rastin e marrjes së çmimit "Jeronim de Rada" më 15 nëntor 2014, për De Radën Kadareja thotë "…jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin europian që letërsia shqipe ishte duke e humbur…De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes".

Shkruar nga Xhelal Zejneli



[ Edited Sun Mar 12 2017, 06:29pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 25 2017, 04:53am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264





Jeronim de Rada dhe roli i tij në zhvillimin e albanologjisë gjermane
- nga Ina Arapi


Në gjysmën e parë të shek. XIX, kur gjuhësia gjermane po sundohej gjithnjë e më tepër nga perspektiva historike, pra nga etja për të njohur e zbuluar lidhjet gjenetike midis gjuhëve të ndryshme dhe shpluhrosja e fazave të tyre më të hershme, u shtua shumë interesi për gjuhët e tjera, sidomos për historinë e tyre. Mirëpo hulumtimi i zhvillimit historik të një gjuhe mbështetet në dokumentet e shkruara të saj, në radhë të parë te letërsia, si dhe te gramatikat, fjalorët e studimet e tjera gjuhësore të kryera rreth kësaj gjuhe. Për shumë gjuhë me traditë të gjatë shkrimi kjo gjë nuk përbënte ndonjë vështirësi, por për gjuhën shqipe kjo procedurë do të kërkonte shumë e shumë punë, çka do të çonte më në fund edhe në krijimin e një dege të re të shkencës, të albanologjisë. Sigurisht që albanologjia nuk ka të bëjë vetëm me studimin e historisë së gjuhës shqipe, por s’ka dyshim se albanologjia u ngrit si shkencë falë historisë së gjuhës. Interesi i gjuhëtarëve të huaj kishte të bënte fillimisht me nevojën për të përcaktuar lidhjet farefisnore dhe karakterin indoevropian ose jo të shqipes dhe më vonë me përpjekjet për t’i caktuar asaj vendin e duhur në familjen e gjuhëve indoevropiane.

Që në fillim u pa se një pengesë të madhe në mësimin e studimin e gjuhës shqipe e përbënte fakti që tekstet e kësaj gjuhe ishin jashtëzakonisht të rralla dhe pothuaj nuk gjendeshin fare. Në parathënien e veprës së tij “Die Sprache der Albanesen oder Shkipetaren” (Gjuha e albanezëve ose shqiptarëve), të botuar në Frankfurt am Main në vitin 1835, gjeneral-majori dhe historiani bavarez Josef Ritter von Xylander na rendit veprat në gjuhën shqipe, që ekzistonin në atë kohë. Vetë parathënia është shkruar në nëntor të vitit 1834. Prej shkrimeve të vjetra, të cilat, siç thotë ai, ishin jashtëzakonisht të rralla dhe nuk gjendeshin as në bibliotekat e mëdha të Gjermanisë, njiheshin: Fjalori latinisht-shqip i dom Frang Bardhit, i botuar në Romë më 1635; katekizmi i dom Pjetër Budit i vitit 1664; vepra shqip-italisht “Çeta e profetëve” e kryepeshkopit të Shkupit, Pjetër Bogdani, botuar në Padova më 1685; gramatika e F. M. da Lecces “Osservazioni nella lingua albanese”, botuar në Romë më 1716; lista e rreth 1200 fjalëve në greqisht, arumanisht dhe shqip hartuar nga Teodor Kavalioti e botuar te “Protopiria” e tij më 1770 në Venedik dhe ushtrimet gjuhësore të botuara në të njëjtën kohë nga prifti Daniel (Dhanil) në Voskopojë. Por Ksilander thekson se kjo listë do të reduktohej shumë sikur Thunmann në veprën e tij shumë të njohur “Hulumtime mbi historinë e popujve të Evropës lindore” të mos kishte ribotuar listën e fjalëve nga vepra e Kavaliotit, një ekzemplar i së cilës i ishte dhuruar atij nga një vllah, dhe sikur J. S. Vater në tabelat e tij krahauese të gjuhëve bazë evropiane (Halle, 1822) të mos kishte riprodhuar faqet 135-182 të gramatikës së Da Leçes, sepse këto vepra në fakt ishin të pagjendëshme.

Nga botimet moderne ai përmend: Pouqueville (Voyage dans la Gréce, Paris 1820), shtojcën gramatikore të të cilit e konsideron pa vlerë, Hobhouse (Jouney through Albanie etj. , Londër 1813) me një ribotim përsëri të një pjese të gramatikës së da Lecces, Leake (Researches in Grece, Londër 1814) me ushtrimet gjuhësore të Dhanilit të përkthyera edhe në anglisht dhe “Përkthyesi i greqishtes së re, krahas turqishtes dhe shqipes” nga Johann Adolph Schmidt (Leipzig, 1822) me disa qindra fjalë shqip (Xylander 1835: VII). Vetë Ksilanderi pohon se zotëron një ekzemplar të Testamentit të Ri, të shtypur në Korfuz më 1827 në shqip dhe greqishte të re, dhe na njofton se sipas raporteve të Shoqërisë biblike në Londër në këtë vit kishte përfunduar edhe përkthimi i Testamentit të Vjetër. Prandaj, në gramatikën shqipe që përbën kapitullin e parë të librit të tij ai mbështetet edhe te ky botim duke na sjellë edhe disa fragmente nga kjo vepër e fundit në gjuhën shqipe (Xylander 1935: IX-X). Pra, vetë studiuesit, duke parë që materialet për shqipen ishin tepër të vështira për t’u gjetur dhe shumë të shtrenjta për t’u blerë, kontribuuan në përhapjen e tyre duke i ribotuar tërësisht ose pjesërisht në veprat e veta. Kjo ishte situata në vitin 1835, kur u botua vepra e Ksilanderit.


Nga kjo kuptojmë se sa e vlefshme ishte shfaqja në këtë zbrazëti e një poeti dhe shkrimtari si Jeronim De Rada (1814-1903), me një botëkuptim e shkollim të mirëfilltë evropian dhe me një krijimtari kaq të gjerë e të shumëllojtë, për imazhin e gjuhës dhe të popullit shqiptar, por dhe për studimin e gjuhës së tij. Ishte një shërbim i pakrahasueshëm që ky personalitet i jashtëzakonshëm i bëri gjuhës shqipe me veprën e tij. Nuk ishte fjala vetëm për një dokumentim të një folmeje shqipe në nivelin e saj më të lartë stilistik, por edhe për imazhin që kjo gjuhë dhe ky popull përfaqësonte.

Vetë Ksilanderi, kur flet në parathënie për vendet ku jetojnë shqiptarët, numëron edhe Kalabrinë e Sicilinë, por nuk përmend veprat e shkruara prej tyre mbi Shqipërinë, siç do të ishin p. sh. ato të Ëngjëll Mashit (1758-1821), jurist dhe studiues arbëresh, vepra më e njohur e të cilit Discorso sull’origine, costumi, e stato attuale degli Albanesi del regno di Napoli ishte botuar në Napoli në vitin 1807. Ai që e bëri të njohur letërsinë arbëreshe për publikun gjerman të kohës ishte gjuhëtari Heinrich Christoph Gottlieb Stier. Në vitin 1853, pra 18 vjet pas daljes së veprës së Ksilanderit, ai botoi artikullin “Die Albanesen in Italien und ihre Literatur” (Shqiptarët në Itali dhe letërsia e tyre) në numrin e radhës të revistës Allgemeine Monatsschrift für Wissenschaft und Literatur.

Artikulli shoqërohet me një rekomandim të gjuhëtarit A. F. Pott, që na sjell disa të dhëna interesante për stadin e studimeve gjuhësore dhe albanologjike në atë kohë. Thekson që në fillim se tema nuk është e panjohur për të, pasi merret prej kohësh me shqipen. Ai dëshiron që artikulli i mësipërm, të cilin e ka nxituar që të shkruhej, të tërheqë edhe vëmendjen e lexuesit, “Sepse është për t’u habitur me të vërtetë, bile edhe për t’u zemëruar, kur mendon që së bashku me ne banon në Evropë një popull për ekzistencën dhe veprimtarinë e të cilit, përfshirë edhe gjuhën e tij të veçantë, të paktën në veriperëndim të botës dihet tepër pak”. Por, lajmëron Pott, së shpejti do të dalë vepra shumë e pasur e konsullit austriak von Hahn, të cilën ai e ka parë në shtypshkronjë dhe e cila së shpejti do t’i japë një zgjidhje kësaj mungese të ndjeshme në njohuritë etnografike nga një tjetër aspekt prej atij që trajton z. Stier. Ky i fundit, në këtë artikull prej 10 faqesh, vëren që në fillim se, megjithëse që nga vepra e Ksilanderit, me përjashtim të një artikulli në një revistë, në Gjermani nuk ka pasur botime të tjera për këtë temë, vetë shqiptarët janë përpjekur që ta zhvillojnë letërsinë e tyre dhe dhe ta bëjnë të njohur në Evropë. Ai sjell si shembull veprën e arbëreshit “erudit” Vincenz Dorsa “Su gli Albanesi Richerche e Pensieri” (Napoli, 1847), tek e cila mbështetet edhe artikulli i tij. Qëllimi i shkrimit është që t’i bëjë të njohura rezultatet e arritura për të treguar se çfarë duhet bërë fillimisht për t’iu afruar zgjidhjes së çështjes së gjuhës shqipe. Pasi jep shumë të dhëna për shtrirjen gjeografike dhe historikun e ngulimeve arbëreshe, Shtiri, duke u mbështetur gjithnjë te Dorsa, nga njëra anë na informon për letërsinë në gjuhën shqipe të krijuar prej tyre në dorëshkrim, ndërsa nga ana tjetër plotëson listën e librave të Ksilanderit me botimet e mëposhtme: Breve Compendio della Dottrina Cristiana, di un nazionale del Regno di Servia, 1743 (prej Gjon Nikollë Kazazit), Lo Speculum Confessionis (nga P. Budi), La via del Paradiso, tradotta da un Missionario (V. Basile, Romë 1845) dhe Gjella e shën Mëris nga Jul Variboba (1762), për të cilën shton se thuhet që është shumë e arrirë dhe ka pasur sukses të madh në popull (Stier 1853: 869).


Pasi flet për folklorin shumë të pasur arbëresh, Shtiri kalon te Hieronymus de Rada, si një poet që është rritur duke u ushyer prej tij dhe që i frymëzuar në mënyrë të zjarrtë nga lavdia e popullit të cilit i përket i ka vënë vetes si detyrë të bëhet një M’Phersen i këngëve popullore të tij. Shtiri rendit të gjitha veprat e De Radës të botuara deri në atë kohë dhe përshkruan përmbajtjen e epokës së parë nga Serafina Topia, meqenëse tre të tjerat nuk i ka. Sqaron se vendosja e tekstit italisht krahas atij shqip e lehtëson leximin për ata që nuk e njohin mirë gjuhën shqipe. Konkluzioni është që hulumtimet për prejardhjen e gjuhës shqipe mund të lidhen edhe me letërsinë e italo-shqiptarëve po aq mirë sa me atë të gegëve e toskëve. “Të kemi parasysh edhe lehtësinë më të madhe me të cilën mund ta sigurojmë materialin, meqenëse një pjesë është e shtypur, ndërsa pjesa tjetër mund të gjendet në Palermo më lehtë sesa një kodik klasik që duhet ta kopjosh me dorë; plus faktin që një udhëtim nëpër provincat e Napolit për të mbledhur këngët popullore, nënkupton shumë më pak vështirësi se sa udhëtimet në Shqipëri: kështu pra, nga disa arsye duket bile më e favorshme që të ndjekim këtë rrugë perëndimore. Më e pakta, një mirëkuptim nga të dyja pikat vetëm do ta ndihmonte çështjen” (Stier: 873). Ai paralajmëron se pritja e punimit të premtuar nga Biondelli mbi dialektet e shqipes dhe monumentet gjuhësore të tyre do ta shtynte me siguri çështjen shqiptare në kalendat greke. Është e nevojshme, vazhdon ai, që të përgatiten konkordancat dhe glosari për çdo poezi, në mënyrë që të fitojmë një farë sigurie për çdo fjalë e formë dhe njofton se po merret me një indeks të të veprave të De Radës. Qëllimi i këtyre glosarëve nuk duhet të jetë pasuria e fjalëve, por përcaktimi i formave gramatikore të tyre, “Sepse sa kohë që pyetja rreth origjinës së një gjuhe nuk merr parasysh pasurinë bazë të saj: foljen, emrin, numërorët dhe përemrin, përgjigjia vështirë se do të jetë e mjaftueshme dhe e sigurt” (Stier 1853: 870-4).


Këto përpjekje me sa duket i kapërcyen pengesat e shkaktuara nga mungesa e lëvrimit normal të gjuhës shqipe dhe vështirësitë e komunikimit, sepse një vit më vonë, pas botimit edhe të një artikulli tjetër të Shtirit me titullin “A është gjuha shqipe indoevropiane?”, angazhohet vetë Franz Bopp (14. 09. 1791 në Mainz – 23. 10. 1867 në Berlin), themeluesi i gjuhësisë së krahasuar indoevropiane, për ta zgjidhur përfundimisht çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe në një vepër të posaçme me titullin “Über das Albanesiche in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi lidhjet farefisnore të shqipes), e cila u botua në Berlin në vitin 1855. Më 1816 ai kishte botuar në Frankfurt am Main veprën e tij të parë “Über das Conjugationssystem der Sanskritsprache in Vergleichung mit jenem der griechischen, lateinischen, persischen und germanischen Sprache” (Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritishtes në krahasim me atë të gjuhës greke, latine, perse e gjermanike), që vuri bazat e kësaj dege të gjuhësisë. Në veprat që pasuan Bopi e zgjeroi vazhdimisht rrethin e gjuhëve të shqyrtuara e të klasifikuara prej tij, por duhej të kalonte gati një gjysmë shekulli deri sa vëmendja e këtij gjuhëtari autoritar t’i drejtohej edhe shqipes, kësaj radhe në një vepër të veçantë, që i kushtohej vetëm asaj. Me mprehtësinë e tij të jashtëzakonshme dhe argumenta të mbështetura mirë, ai e përcaktoi përfundimisht shqipen në këtë vepër si mis të familjes gjuhësore indoevropiane.

Bopi fillimisht e lexoi punimin e tij para Akademisë Mbretërore të Shkencave në Berlin më 18 maj 1854, pikërisht disa muaj pas botimit të veprës voluminoze “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, Jena 1854) të Johann Georg von Hahn-it, e cila sillte një numër shumë të madh të dhënash për këtë gjuhë, popull dhe vend të panjohur. Ai mbështetet fuqimisht te Hani, të cilit i kopjon dhe ortografinë shqipe duke i bërë disa ndryshime. Kjo na bën të mendojmë se ishte ndoshta vepra e shumanshme e Hanit që i dha atij sigurinë e duhur në argumentimin e prejardhjes indoevropiane të kësaj gjuhe. Megjithëse Bopi që në hyrje vë në dukje se është marrë me shqipen edhe në një trajtesë tjetër të pabotuar, të lexuar më 23 shkurt 1843, ku ka referuar për numrat dhe përemrat e saj.

Përveç Hanit, të cilin e citon vazhdimisht, Bopi ka shfrytëzuar për shembujt shqip edhe veprën e Ksilanderit, Testamentin e Ri shqip e greqisht (Korfuz, 1827), gramatikën e Da Lecces dhe Fjalorin e Bardhit. Bopi nuk u referohet veprave të De Radës, po as atyre të Budit, Bogdanit, Kavaliotit e Dhanilit, të cilat Ksilanderi i rreshton në parathënien e librit të tij. Përndryshe pas tij De Rada u shërbeu shumë e shumë gjuhëtarëve e albanologëve gjermanë e austriakë (F. Miklosich, G. Meyer, N. Jokl, M. Lambertz, A. Schmaus etj. ) si pikë e rëndësishme referimi në studimet e tyre.

Një vit më vonë, Shtiri e realizoi kërkesën e parashtruar në artikullin e tij për letërsinë arbëreshe duke paraqitur të parin botim filologjik-kritik të një vepre deradiane, poemën Anmarîe Cominiatet, që u botua më 1856 në Braunshvajg nën titulli “Hieronymi de Rada apuli carmina italoalbanica quinque”. Parathënia, përmbajtja e të pesë këngëve, si dhe të gjitha shpjegimet janë dhënë në latinisht, me qëllim që të kuptoheshin edhe nga ata studiues që nuk e njihnin gjermanishten. Vepra ka gjithsej 56 faqe. Në faqen e parë të numëruar (8) është dhënë faqja e parë e origjinalit të De Radës, që ndahet në dy kolona, italisht dhe shqip. Në 23 faqet në vazhdim, gjithashtu në dy kolona, jepet në të majtë transkriptimi i tekstit arbëresh në alfabetin grek, ndërsa në të djathtë përkthimi gjermanisht. Pasojnë glosari (fq. 32-54) i paraprirë nga literatura dhe një tabelë gramatikore prej dy faqesh që paraqet zgjedhimet dhe lakimet e gjuhës shqipe. Në fund të glosarit Notarum epilogus. Në këtë mënyrë De Rada u bë edhe autori i parë i letërsisë shqipe i përkthyer në gjermanisht me një vepër të plotë, nëse lëmë mënjanë 8 poezitë e Nezim bej Frakullës të përkthyera dhe të botuara nga Hani. Jo vetëm bota shkencore, por edhe publiku i interesuar gjermanishtfolës e njohu tani edhe si poet. Të mos harrojmë se bëjmë fjalë për një kohë, kur mungesa e një letërsie të shkruar në gjuhën shqipe përbënte një argument kundër kërkesës së shqiptarëve për t’u konsideruar si komb më vete. Por interesi për veprat e De Radës nuk do të humbasë deri në kohët moderne. Kështu, në vtin 1948 një tjetër albanolog i njohur, Maximilian Lambertz do të përkthente Këngët e Milosaos.

Prandaj, është e kuptueshme që 200 – vjetori i lindjes së Jeronim de Radës u përkujtua edhe nga albanologjia gjermane dhe publiku i interesuar për botën shqiptare me anë të një studimi të historianit Thomas Kacza (l. 1951 në Penzlin/Mecklenburg) me titull “Girolamo (Jeronim) De Rada (1814-1903)” të botuar privatisht nga autori. Në këtë studim prej 56 faqesh bëhet një vlerësim i veprës letrare të De Radës në kontekstin historik dhe shoqëror të kohës. Nuk është hera e parë që Kaça merret me De Radën. Një punim me përmasa më të vogla për këtë “paraprijës shpirtëror” të Rilindjes Kombëtare shqiptare e ka botuar që në vitin 1989 në Berlinin perëndimor. Nga konkluzionet që nxjerr autori na pëlqen të përmendim këtë si epilog për artikullin tonë: Girolamo De Rada ishte i pari zë i letërsisë shqipe që u dëgjua në Evropë, ai u ra kështu këmbanave që lajmëronin rikthimin e Shqipërisë drejt Evropës (Kacza 2014: 41).

Përfundim

Ky shkrim, megjithëse i orientuar nga rëndësia historike e veprës së Jeronim de Radës, synon t’i japë një përgjigje të tërthortë edhe pyetjes së ngritur nga redaktori se si mund ta bëjmë veprën e tij tërheqëse për lexuesin e sotëm. Vepra e De Radës lindi si një domosdoshmëri artistike nën presionin e kërkesave të kohës. Ajo mund të lexohet sot vetëm e përzgjedhur në përzgjedhje të përgatitura nga specialistë dhe të sqaruara e komentuara prej tyre. Nga ana tjetër, autorja përfiton nga rasti që të përsërisë këtu një ide, të cilën e ka shprehur edhe më parë dhe që lidhet me kompetencën gjuhësore të shqipfolësve. Ajo është e mendimit se kjo kompetencë duhet të zgjerohet edhe me disa njohuri bazë nga arbërishtja, çka duhet të përfshihen në programin e mësimit të gjuhës shqipe që zhvillohet nëpër shkolla. Duke pasur disa njohuri bazë lexuesi do të arrijë ta ndiejë jo vetëm forcën e madhe estetike të shumë krijimeve deradiane, por edhe të atyre të krijuesve më të vonë ose modernë arbëreshë, çka do ta zmadhonte rrethin e letërsisë shqipe dhe përfaqësimin e saj në spektrin e kulturës evropiane, si dhe do të ndihmonte për të mbajtur të gjallë edhe në të ardhmen lidhjen me këtë avanpost tradicional të shoqërisë shqipfolëse në Evropë.

Shënime

Ky ishte emërtimi i parë për shqiptarët në gjuhën gjemane nën ndikimin e italishtes. Në shekullin XX u ngulit trajta Albaner.
2 Për vendin e kohën e këtij botimi nuk ka qartësi. Të dhëna më të plota rreth kësaj vepre te Shuteriqi (1976: 152-3).
3 Për letërsinë shqipe në fund të shek. XIX shih Konica (1993: 117-120). Për arsyet që çuan në këtë gjendje shih Konica (2007: 59-60), ku përshkruhet represioni ndaj gjuhës shqipe në kohën e sundimit turk. Këtu ai dëshmon edhe se fjala “albanolog” përdorej normalisht në gjermanisht në vitin 1897, kur ky artikull është botuar te Albania/1.
4 Sipas të dhënës së G. Majerit në fjalorin e tij etimologjik (1891).
5 Bardhi, Xylander, Dorsa (Su gli Albanesi ricerche e pensieri. Napoli, 1847), Hahn, Reinhold (Noctes Pelasgicae, Athinë, 1855), Bopp.

Literaturë:

Bopp. Franz. Über das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen. Fotokopje e origjinalit. Printed in the USA.
Elsie, Robert. 1997. Histori e letërsisë shqiptare. Tiranë-Pejë.
Kacza, Thomas. 2014. Girolamo (Jeronim) De Rada (1814-1903). Eine Würdigung zum 200. Geburtstag (Në shenjë nderimi në 200-vjetorin e lindjes). Bad Salzuflen. Botim privat.
Konica, Faik. 1993. Letërsia shqipe. Në: Vepra. Tiranë. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Fq. 117-120.
Konica, Faik. 2007. Gjuha e bijve të shqipes. Në: Mendime gjuhësie. Mblodhi, transkriptoi, pajisi me shënime dhe një hyrje studimore Kristina Jorgaqi. Tiranë. Ombra GVG. Fq. 58-60.
Stier, G. 1853. Die Albanesen in Italien und ihre Literatur. In: Allgemeine Monatsschrift für Wissenschaft und Literatur (E përmuajshme e përgjithshme për shkencën dhe letërsinë). Janar. Shtëpia Botuese “C. A. Schwestchke (sic!) & Sohn” (M. Bruhn). Braunschweig.
Stier, G. 1854. Ist die albanesische Sprache eine indogermanische? In: Allgemeine Monatsschrift für Wissenschaft und Literatur 1854. Fq. 860-872.
Shuteriqi, Dh. S. 1976. Shkrimet shqipe. Tiranë.
Von Xylander, Joseph Ritter. 1835. Die Sprache der Albanesen oder Shkipetaren. Frankfurt am Main, in der Andreáischen Buchhandlung.



[ Edited Sun Mar 12 2017, 07:05pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Mar 12 2017, 05:14pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
De Rada i papërfunduar
- nga Floresha DADO

S'ka vlerë një autor nëse mendohet se ka përfunduar interpretimi i veprës së tij. Është e dyshimtë një metodë studimi, nëse mendohet se, përmes saj, interpretimi dhe e vërteta kanë arritur harmoninë e plotë. Është larg së vërtetës nëse pretendohet se çdo periudhë interpretimi hedh poshtë gjithçka që periudhat e mëparshme kishin arritur. Këto paradigma të ashpra i konfirmon vetë vepra letrare, e cila, në misterin e komponentëve të brendshëm të saj, sfidon studiuesit, bën që ata, në çdo kohë, t'i kthehen e rikthehen krijimtarisë së një autori, me qasje dhe konstatime të reja, shpesh herë të ndryshme nga të mëparshmet. Në këtë kuptim edhe krijimtaria e De Radës ishte një kurth për studiuesit e tre shekujve: në shekullin XIX ajo erdhi aq befasuese sa mendimi kritik i kohës nuk kishte nivelin që t'i qasej në tërësinë e vet kësaj dukurie të re letrare. Shekulli XX u përpoq ta rrokte në shumanshmërinë e vlerave, por nuk arriti ta bënte shterruese këtë rrokje, shumë aspekte të rëndësishme mbetën në horizont të hapur. Fundi i fundit të shekullit XX dhe fillimi i shekulli XXI, nisi të sfidojë me qasje, pak ose aspak të aplikuara më parë, duke sjellë sfida dhe teza të reja. Në këtë kuptim vepra e De Radës shfaqet sot, në shekullin tonë, "e përjetshme" (domethënë ruan kuptim dhe vlerë për të gjitha kohët), edhe "historike" (domethënë kalon nëpër një proces të vazhdueshëm "zhvillimi").

Metodologjia e studimit të këtij korpusi letrar, nëse do të mbyllej në kufijtë e një periudhe, duke shpërfillur kapërximin e kufijve kohorë, do të sillte largimin ndaj këtij sistemi. E tashmja jashtëkohore e krijimtarisë deradiane, do të thotë që ky prodhim letrar, i gati dy shekujve të mëparshëm, është aktiv, madje më shumë në periudhën e sotme, përmes studimeve komplekse, që orientohen si nga thelbi i letërsisë, si lloj arti, ashtu dhe nga thelbi i veprës së De Radës, si i papërsëritshëm në specifikat artistike të tij.

Kalimet nga shekulli XIX te shekulli XX

Nëse i referohemi Shuteriqit sipas të cilit shekulli XVIII përgatiti kthesën e madhe që u shënua në pjesën e parë të shek.19 dhe se prodhimi letrar arbëresh ngrihet në nivelin e një letërsie artistike dhe nis një etapë e re, e cilësisë më të lartë, kjo sigurisht ka një pikë referimi themelore: krijimtarinë e De Radës. Por, po aq e saktë është ideja e R. Qosjes sipas të cilit horizonti i pritjes së poetit gjatë shek.19 dhe 20 është i kufizuar sepse vlerën e tij e sheh si formues artistik, kulturor dhe shoqëror, pra vetëm në funksionin e saj kombëtar. Studiuesi arbëresh Albert Straticò kish sqaruar më parë, se vepra e tij synonte të ndërtonte një pamje të shkurtër, por komplete, të lëvizjes letrare të shqiptarëve nga kohët e vjetra deri në ditët tona (pra fundi i shekullit XIX, viti 1896). Ndërsa studimin e M. Markianoit mbi De Radën, ndonëse botohet më 1902, mund ta konsiderojmë si frut të vëzhgimeve dhe studimit të fundit të shekullit XIX, ku shfaqet paksa metodë psikologjike, paksa biografike, paksa vështrim krahasimtar, pak metodë filologjike dhe analizë stilistikore, por dhe impresioniste. Megjithë rëndësinë e trajtimit të këtyre aspekteve, mbetet karakteri i kufizuar i interpretimit, ndonëse dimë se debati mbi veprën e De Radës u ndez që në shek. 19, vazhdoi edhe në shek. 20. Gjithsesi, ajo që karakterizon shek. XIX është raporti jo logjik midis veprës së tij letrare me ndikim të fuqishëm dhe varfërisë së mendimit kritik mbi të.

Në shekullin XX shkenca e letërsisë, sidomos ajo e brenda kufijve të Shqipërisë, u formua si pozitiviste, në tri modalitete metodologjike: vështrim sociologjik i fenomenit letrar, metoda biografike e interpretimit dhe pikëvështrimi psikologjist, çka bëri që shkrimet të jenë kryesisht njohëse, informuese. Por, historicizmi i të menduarit nga gjysma e dytë e këtij shekulli rishfaqet nëpër Evropë me një pamje të re, thelbi i së cilës ishte: metodë e bazuar në leximin paralel të teksteve letrare dhe jo-letrare, zakonisht të së njejtës periudhë historike. Në këtë qasje sundon pikëpamja që e sheh letërsinë jo në linjën e vazhdimësisë dhe zhvillimit, por kryesisht nën pushtetin e një force sinkronike, si një forcë produktive, gjenerative. Kështu romantizmi i De Radës u interpretua vetëm nën pushtetin e një force sinkronike: idesë së ndjenjës kombëtare, që karakterizon lëvizjen shpirtërore të shekullit XIX. Por, përmes edhe analizës diakronike u bënë përpjekje të nxirrej në pah kategoria e re estetike, romantizmi i poetit, si dhe shpjegimi se në ç'masë kjo risi letrare modifikoi perspektivën e zhvillimit të letërsisë shqiptare. Studimet mbi De Radën gjatë këtij shekulli janë pafund.

Gjysma e dytë e shekullit XX dhe deri në ditët e sotme, shënon kthesë të rëndësishme në interpretimin e veprës letrare të De Radës.

Në korpusin studimor shfaqet një orientim i ri: interpretimi i raportit midis autonomisë semantike të tekstit dhe vlerësimit sipas kontekstit, rrethanave të interpretuesit. Nëse do i referoheshim pikëpamjes së Hajdegerit, sipas së cilës të kuptuarit është një ndërmjetës, përmes të cilit bota vjen te njeriu, i cili në një farë kuptimi karakterizon qënien e tij, apo tezës së Gadamer se çdo epokë duhet ta kuptojë një tekst të transmetuar në mënyrën e vet, do të dilte pyetja: cila do të ishte përmasa e kësaj teze në ristudimin e veprave të kolosit të letërsisë arbëreshe? Nëse një vepër letrare është konsideruar nga teoricienë dhe filozofë jo thjesht si produkt i së shkuarës, por edhe si prodhuese e së ardhmes, kjo do të thotë se gjeneza dhe pozicioni i veprave të De Radës, në koleksionin e kohës së vet, është i pandashëm nga pritja në kohën e sotme. Kodet e lexuesve të mëparshëm (shek. XIX dhe fillimi XX) shihen më pranë me ato të tekstit, ndërsa kodet e lexuesit të sotëm patjetër ndryshojnë më shumë, çka krijon një hendek midis leximit dhe kodit të tekstit. Në këtë kuptim, në aspektin metodologjik, studimet e shekullit XXI nisen për të shkuar më tej, për të përcaktuar se në ç'përmasa kodi letrar i korpusit deradian ka bërë të ekzistojë, madje të thellohet edhe sot e kësaj dite, përmasa e këtij hendeku.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shek. XXI mund të përcaktojmë disa grupime metodologjike të studimeve mbi De Radën, si:

- studime/kritika që mbështeten në parimin mimetik;

- studime/kritika që vlerësojnë karakterin ekspresiv të imagjinatës romantike të autorit;

- studime/ kritika që synojnë t'i kërkojnë vlerat letrare në cilësitë gjuhësore formale të veprave;

- studime/ kritika, që vlerat e veprave ia nënshtrojnë lirshëm përjetimeve të studiuesit.

Në këto grupime studiues arbëreshë, nga Shqipëria dhe nga Kosova, shfaqen me pozicionime edhe të ndryshme.

Nga ana tjetër, studimet që kanë ndjekur krijimtarinë e De Radës gjatë dy shekujve, në aspektin tipologjik do të ishin edhe:

- lexim historik, që e përvijon veprën për të gjetur pritjen e lexuesit të kohës së vet. Kjo qasje i përket shekullit kur u botua Milosao dhe në vazhdim në shekullin XX.

- lexim shpjegues dhe të distancuar, që i ka parë veprat si përgjigje ndaj kuptimit që mendohet se ka dhënë poeti. Kjo mënyrë ka mbizotëruar gjatë shekullit XX.

- lexim ku pranohen shumësi interpretimesh, që e gjejmë më shumë nga fundi i shek. XX dhe fillimi shekullit tonë.

- lexim estetik dhe i drejtpërdrejtë, që njeh lojën e teksteve, marrëdhëniet strukturore. Siç e thamë kjo është një qasje e sotme.

Kështu, në kalimin nga fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit tonë përvijohen:

1) Studime ku, nga njëra anë poetika e poetit interpretohet në drejtimin letrar të romantizmit; nga ana tjetër prirja për të zbuluar tipare të brendshme filozofiko-letrare të papërsëritshme. Përgjithësisht kemi një rrokje të gjerë, ku përfshihen disa aspekte të kontekstit dhe përmbajtjesore... Studiuesit janë të shumtë...

2) Rezultate të reja sjellin studime, më të pakta, që nisen nga koncepti metodologjik që e koncepton veprën si strukturë, si raport dhe marrëdhënie të fjalëve dhe shprehjeve poetike. Koncepti i strukturës së brendshme kuptimore, që rrjedh nga këto marrëdhënie specifike, nxiti debatin mbi tezën e fragmentarizmit të poemës Milosao. Për herë të parë moderniteti i veprës së poetit shpjegohet edhe me sistemin e strukturimit të mesazhit poetik, me prishjen e rrjedhës së perceptimit normal të realitetit, me marrëdhëniet midis rrafshit të jashtëm, sipërfaqësor dhe rrafshit të brendshëm thelbësor. Në aspektin metodologjik ndiqet koncepti i makro dhe mikrostrukturës, duke gërmuar lidhjet e brendshme në gjithë korpusin letrar deradian. Kështu fillimi i shek. XXI (viti 2000) sjell interpretime që vënë në diskutim teza të mëparshme...

3) Fundi i shek. XX, dhe sidomos, fillimi i shekullit tonë, sot që flasim, ka sjellë një qasje të vrullshme gjallëruese të metodës filologjike-letrare, me rezultate befasuese në kuptimin dhe interpretimin e korpusit letrar të De Radës. Duke thelluar një traditë paraardhëse, studiuesit e sotëm F. Altimari, M. Mandalà, etj. i japin metodës së rindërtimit filologjik të tekstit, të varianteve, një hop cilësor dhe peshë metodologjike të pavlerësuar sa duhet në historinë e studimeve letrar e shqiptare. Pas një qasjeje, në dukje filologjike, vjen stabilizimi i teksteve dhe konteksteve, leximet e krahasuara, plotësimet e kuptimeve të brendshme të teksteve... Vijnë provokime për të konceptuar një skemë origjinale të strukturave të veprave në veçanti dhe në makrostrukturë artistike, qasje e re midis varianteve, duke kombinuar metoda sa semiotike-strukturore, aq edhe kontekstuale. Studiuesi Mandalà hedh teza të reja për kuptimin e projektit të vërtetë letrar të De Radës; duke hyrë në makrostrukturën artistike të poetit bëhen përpjekje për të interpretuar thelbin e brendshëm të vetëdijes dhe intuitës së tij krijuese. Kjo qasje e re filologjike-letrare konfirmon një orientim metodologjik të domosdoshëm, kur është fjala jo vetëm për korpusin gjigand të De Radës, por të gjithë autorëve të traditës sonë letrare, jo vetëm arbëreshe.

Nëse ndalemi vetëm në studimet dhe interpretimet e bëra në konferencat, e organizuara në këtë vit përkujtimor, mund të tipologjizojmë tre grupime themelore: së pari - vijnë fakte të reja mbi aktivitetin politik të poetit, marrëdhëniet me shkrimtarë e personalitete përtej kufijve të Italisë, si dhe të dhëna që sfidojnë çështje të periodizimit të Historisë së Letërsisë; së dyti - vihet re zgjerim i qasjeve tekstologjike, si një metoë e rëndësishme për plotësimin e përfytyrimit të autenticitetit të procesit artistik të De Radës; së treti - depërtime origjinale në sistemin e brendshëm poetik të veprës së poetit, çka dëshmon shkuarjen e studimeve tona letrare në shtratin e vërtetë të interpretimit të letërsisë. Suksesi i vërtetë sot është kapërcimi i gjithpranimit të interpretimeve. Mendoj se jemi në fazën më të rëndësishme dhe më interesante të studimeve deradiane.

*****

Nëse do të pajtoheshim me pikëpamjen se interpretimi është "arti i shmangies së keqkutimeve", atëhere edhe sot, në shekullin XXI, çdo qasje, në aspektin metodologjik hap para studiuesve një numur supozimesh për praktikën e interpretimit. Si vepra e De Radës, ashtu dhe studiuesi i ditëve të sotme, janë të dy kompleksë: kjo do të thotë se vepra e tij nuk ekziston vetëm sepse është NJË lojë e caktuar në ndërtimin e një sistemi shenjuesish. Këtë lojë poeti e ka bërë të funksionojë një herë, kurse studiuesit e kanë parë dhe e shohin pafundësisht herë.Vepra e tij ka me interpretuesit e sotëm një takim historik, në rrethana të reja. Ajo është e papërfunduar, sepse çdo interpretim, edhe në konferencën tonë, nuk synon një rindërtim të ardhshëm, të përsosur, të plotë të kuptimit artistik, por, përkundrazi, është një akt ruajtje i së kaluarës në vetëdijet e studiuesit të sotëm, për ta përcjellë të hapur edhe për nesër. Për këtë arsye poezia e De Radës do mbetet gjithnjë ‘e papërfunduar’...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Mar 12 2017, 05:36pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264





Parathënia e librit "Këngët e Milosaos"
- nga Dhimitër Shuteriqi

Poema e parë e botuar e De Radës shqip dhe vepra më e njohur e më e çmuar e tij, "Milosao", doli nga shtypi gjatë muajit gusht 1836, plot 165 vjet të shkuara. Autori e kishte përfunduar që në tetor 1834, kur i ka shkruar parathënien.

Ca vjet më parë, në Arkivin Qendror të Shtetit, kisha zbuluar një version të parë, në mos i parë, i veprës, me 20 këngë, një pjesë të të cilave i gjejmë edhe në botimin e 1836.

Me sa dimë, thomi se, në tetor 1834, poeti e kishte përfunduar versionin që çoi më vonë për shtyp, porse ai mundet fare mirë, gjatë dy vjetëve që erdhën, ti ketë bërë përpunime, në mos shtuar edhe ndonjë këngë. 1 - Versioni që ruhet në Arkivin e Shtetit, është një provë e parë e ndërtimit të poemës së "Milosaos", 2 - në bazë të 12 këngëve që De Rada shkroi që më 1833, duke imituar poezinë e popullit, dhe të 8 të tjerave që shkroi atë vit ose dhe vitin e pastajmë. Të 12 këngët janë gjetur në një dorëshkrim të poetit, bashkë me një sasi këngësh popullore. Vihet re se De Rada, gati pa i prekur, i integroi ato në provën 20-këngëshe të veprës, e cila mban titullin "Këngët e Milosaos".

Mos është kjo një trajtë e shkurtuar e titullit që do të mbante definitivisht poema e botuar, – "Poezi shqipe të shekullit XV, këngë të Milosaos, djali sundimtarit të Shkodrës", – apo nën atë titull të parë kemi diçka të ndryshme nga poema e botuar?

Në të vërtetë, "Milosaoja" i versionit në dorëshkrim të Tiranës nuk është vetëm më e shkurtër nga poema e botuar më 1836, 20 këngë në vend të 30-tave, përgjithësisht më të vogla dhe të pazhvilluara, në vend të këngëve më të gjata e me shtjellim më të plotë nga njëri version në tjetrin; 437 vargje, në vend të 1132 që do të kemi. Në versionin e parë, vepra ka mbetur thjesht poema e një dashurie dhe bashkimi fatkeq midis dy të rinjve prej klasash të ndryshme shoqërore: ai, Milosaoja, bir bujari, – ajo, bija e Kollogresë, vajzë prej familjeje të varfër. Martesa e tyre arrihet vetëm pas stratagjemës së tërmetit që imagjinon poeti dhe që, duke rrafshuar fshatin, varfëron edhe familjen e djalit, sjell kështu "barazinë shoqërore" midis të dashurve. Po kjo dashuri, që mezi u realizua, ndiqet prej fatit fatal: të rinjtë, posa trashëgohen, djali u vdes dhe, nga dëshpërimi, vdes edhe nëna e re, ndërsa Milosaoja, i mbetur vetëm në jetë, i mbaron ditët i zbardhur, pas shumë vitesh të cilat sflitet.

Kemi pra gati të njëjtin subjekt që njohim, veç fundit. Protesta shoqërore që është në bazë të poemës së botuar, kundër pengesave që shoqëria e ndarë në klasa antagoniste i sillte realizimit të dashurisë, është edhe në thelb të versionit të parë të "Milosaos". De Rada e pësoi në personin e tij, sepse nuk mundi ta lidhte jetën me një vajzë bariu të fshatit: prindit nuk ia qasën. Ja shkasi, i njohur intim i poemës. Në versionin për të cilin bëhet fjalë, zbulojmë dhembjen e të riut 19-20 vjeç dhe, më shumë se dhembjen, dëshpërimin: ai e sheh të zymtë të ardhmen për vetveten.

Ky theks i versionit të parë të poemës hedh poshtë ndikimin nga poeti italian Leopardi, ndikim që është kërkuar të "Milosaoja", sepse çaste pesimizmi ka edhe në versioni e botuar. Vepra poetike e Leopardit, e ribotuar në Napoli më 1835, besohet të mos i ketë shpëtuar nga vëmendja De Radës. Sidoqoftë, versioni i parë i "Milosaos" ka një mot që është krijuar dhe, në se romantiku ynë fort i ri ndien dëshpërim, arsyeja gjendet në jetën intime të tij dhe te koha vetë, me pështjellimet politike dhe shtypjen e saj shoqërore.

Fakti, prapëseprapë, është me interes për fillimet e krijimtarisë së poetit të madh arbëresh. "Këngët e Milosaos" të viteve 1833-34 janë shpërthime të një shpirti të goditur rëndë në ndjenjat e pastra të tij, po që, në art, nuk venë më larg se një përpjekje fillestare. Kjo bëhet, sigurisht, edhe nën ndikimin e përgjithshëm të romantikëve evropianë të kohës, të cilët, të zhgënjyer nga revolucioni borgjez, i mbushin veprat e tyre me fate tragjike, doemos edhe me protesta.

Me 1836, poema e "Milosaos" mori një titull më të plotë. Protagonisti u quajt "bir i sundimtarit të Shkodrës", në "shekullin XV". Që në titull, kuptojmë se diçka shumë me rëndësi duhet të ketë këmbyer në brendinë e veprës. Tani poeti i transporton ngjarjet nga e tashmja dhe ambienti arbëresh i Kalabrisë së fillimit të 1800-qindëshit, në atdheun e të parëve të tyre përtej detit, duke i larguar gjithashtu shumë në kohë, duke i shpënë katër shekuj më pas. Është koha e zulmës së luftërave të shqiptarëve kundër osmanëve, koha e fitoreve të madhërishme të Skënderbeut, por edhe shekulli me të cilin do të fillonte një robëri e gjatë për popullin tonë. Shumë prej shqiptarëve, për të mos iu nënshtruar mizorisë turke, u shpërngulën në brigjet perëndimore të Adriatikut, me shpresë që të rikthehen së shpejti, porse mbetën andej, mbetën përherë "të huaj tek ai dhé", siç e ka shprehur më se një poet arbëresh, De Rada vetë apo nxënësi i tij, Serembja.

Lexuesi nuk e ka të vështirë të shohë ndryshimin thelbësor që ka ngjarë shumë shpejt gjatë procesit të krijimit të poemës së "Milosaos" nga njëri version në tjetrin, brenda vitit 1834. Në poemë, bashkë me kujtimet dhe nostalgjinë arbëreshe për atdheun e dëshiruar, ka gjetur vend mendimi se në shekullin e luftrave legjendare të popullit tonë kundër Turqisë së sulltanëve, lumturia personale nuk mund të realizohej. Fati i protagonistëve të poemës, tani lidhet me fatin historik të atdheut të sfilitur. Po Shqipërinë sulltanët do ta mbanin disa qindra vjet në robërinë e tyre të errët e të egër. Poetin, që nga fshatrat e mërgimit të moçëm, e shqetëson fati i paskëtajmë i atdheut stërgjyshor. Akoma në skllavëri do të qëndrojë atdheu i Gjergj Kastriotit? Nuk do ta shohë Shqipëria për së shpejti ditën e bardhë të lirisë, në këto vjet përpjekjesh të shumë popujve të botës e të Ballkanit veçanërisht, për të krijuar shtetet e tyre kombëtare të lira?

Grekët e bënë revolucionin e tyre dhe ky revolucion fitoi sepse u derdh edhe shumë gjak shqiptari. Një Dhimitër Leka, ushtarak himarjot, që shërbente në Mbretërinë e Napolit, kishte luftuar për lirinë e Greqisë përkrah heroit shqiptar të revolucionit grek, suljotit Marko Boçari, dhe pikërisht atij do tia kushtonte De Rada poemën e parë e të famshme të tij, "Këngët e Milosaos", si "dëshmi të lidhjeve me zakonet e lashta të gjindjes së përndarë të Shqipërisë". Dhimitër Leka ishte ndër miqtë shqiptarë të të riut De Rada në Napoli.

Shqiptarët po i gjakosnin përsëri dhe përsëri shpatat mbi robëronjësit e urryer. Më 1835, pikërisht brenda në Shkodrën, ku i vendoste poeti ngjarjet e "Milosaos", ata kishin provuar se po i dridheshin këmbët sundimit turk në tokat shqiptare. Ngjarje si kjo, që mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e përpunimit të poemës, kishin jehonën e tyre jashtë Turqisë e në radhë të parë midis arbëreshëve. De Rada, sapo ka dalë nga një çerdhe "volterianësh", siç e quanin Kolegjin arbëresh të Sh. Mitër Korones së Kalabrisë; poet i ri, që, në Napoli, jeton në shoqërinë edhe të një Engjëll Mashit, i ditur arbëresh ky, i cili, që më 1807, ka botuar një trajtesë me jehonë evropiane3 mbi origjinat ilire të stërgjyshërve të shqiptarëve, trajtesë që e ka nxitur krenarinë arbëreshe për kombësinë e vet "aq të lashtë, por aq të panjohur". De Rada, sigurisht, më 1833, ide dhe ndjenja të tilla patriotike ushqente dhe shpresa për të ardhmen e Shqipërisë.

Më 1835, ai boton në gjuhën italiane një vjershë mbi Skënderbeun, kurse një vit më parë, në një tjetër poemë italishte, "Odise", vepër me temë shqiptare, poeti ngjan të ketë nxitur edhe krenarinë për lashtësinë e madhe të popullit të vet.

Në vitet 1833-34, në provën e "Këngëve të Milosaos", Jeronimi i ri derdhi rryeshëm së pari ndjenjat intime. Veçse poetit nuk iu deshën muaj shumë që të mendonte mbi vepërzën dhe ta ripunonte në themel. Ajo nuk ishte veçse një bocet poeme dhe smund ta kënaqte një njeri me kulturë të gjerë letrare, siç ka qenë De Rada që në rini. Nga ana tjetër, patriotin e aktivizuar në lëvizjen kombëtare italiane si maxinian dhe me vështrimin plot ankth e shpresë nga Shqipëria, prova e parë e "Milosaos" ca më fort nuk mund ta kënaqte, ashtu si mbyllej poema, në mënyrë pak a shumë të ngushtë, ku edhe protesta shoqërore nuk vinte larg, ku sidomos nuk i përshtatej natyrës thellësisht optimiste të poetit ai theks pesimizmi.

Vendimi për ta përpunuar në themel poemën ka qenë i menjëhershëm. De Rada kishte besim të plotë në talentin e tij, talent që kishin nisur ta përshëndesin miqtë e lexuesit që njihnin dorëshkrimet shqipe të tij apo botimet italishte. De Rada kishte dhënë provën e shkëlqyer të atij talenti në ndonjë këngë të versionit të parë të "Milosaos", këngë e cila, në versionin e botuar, do të hynte pa ndryshime të dukshme (p.sh. Kënga IV).

Poeti krijoi menjëherë 16 këngë, të reja, duke përpunuar thellë e duke zhvilluar edhe 14 prej këngëve që ai ruajti nga versioni i parë, veç ndonjërës prej tyre, që, siç e thamë, sqe nevoja të prekej shumë. Edhe pse ruajti në përgjithësi subjektin, poema fitoi kaq shumë në përmbajtje, veçanërisht me idenë e madhe patriotike që hyri në thelb të saj, ajo fitoi kaq shumë me vlerat e larta artistike që iu shtuan, sa ke dëshirë ta quash një vepër të ngjizur së rishmi fare dhe një vepër të re. Këngët që u morën nga versioni i parë, me përpunimin dhe zhvillimin e tyre, dëshmojnë për kulturën dhe shijen e rrallë artistike të poetit 20-vjeçar, i cili, kaq i ri, i dha letërsisë shqipe të parën kryevepër, një vepër thellësisht rilindëse, që i bënte jehonë zgjimit të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe lajmëronte këmbime të mëdha në letërsinë e kombit tonë.

Ky mund të ishte, me pak fjalë, procesi, ende pak i njohur nga publiku, i krijimit të "Milosaos", dhe këto gjithashtu kryeidetë e poemës. Dorëshkrimet e tjera të autorit duhet shpresuar se do të sjellin fakte të reja, që të na ndihmojnë për ta njohur më për së afërmi zhvillimin e artit deradian në fillimet e tij.

Dihet se De Rada, fill pas "Milosaos", apo dhe krahas me të, shkroi edhe poemën e "Serafinës", edhe kjo 20-këngëshe dhe që ruhet në të njëjtin radhua të çmueshëm të Arkivit tonë të Shtetit, e regjistruar në një kohë me të. "Serafina" është quajtur "pendenti femëror" i "Milosaos". Kuptohet se idenë për të krijuar një çift veprash, poeti e ka pasur që në krye të herës.

Fakt me rëndësi të madhe te "Këngët e Serafinës", – kështu quhen edhe ato në dorëshkrim, – zbulojmë që më 1834 idenë patriotike, e cila nuk kishte depërtuar në versionin e asaj kohe të "Këngëve të Milosaos", po që është në thelb të poemës në botimin e vitit 1836 dhe do të bëhet boshti i krijimtarisë së rilindësit. Kjo vërteton edhe më mirë çka u tha më lart për idetë patriotike që të riut De Rada i vëlonin herët në gji. E rishkruar së njëjzaj, poema e "Serafinës" nuk u la të qarkullonte nga censura burbone e Napolit. Vepra, sado e errët dhe e paarrirë, nuk e fshihte idenë e bashkimit të gjithë shqiptarëve në luftë kundër Turqisë. Për Italinë e kohës, kjo ishte një si thirrje e vërtetë për bashkimin e gjithë italianëve në lëvizjen e tyre kombëtare, kundër absolutizmit e robëronjësve të huaj, që sundonin mbi tërë viset italike, duke nisur nga Sicilia dhe Napoli të dergjur nën Borbonët.

"Serafina" shpjegoi "Milosaon" për censurën feudale: botimin e dytë të "Milosaos" më 1840 censura mundi ta shkatërronte plotësisht e nuk i la kohë autorit të shpëtonte ndonjë kopje, ashtu siç bëri ai më 1839 me "Serafinën".

Duhet të presim edhe disa vjet që "Milosaoja" të shkojë për së treti herë në shtyp. Kjo ngjau më 1847, njëj viti kur lëvizjet kombëtare dhe revolucionare në Mbretërinë e Napolit dhe në tërë Italinë po zienin e do të shpërthenin vitin e ardhmë, si shpërthyen gati në tërë kontinentin evropian. Tani po bën kohë që arbëreshët janë në ballë të lëvizjeve progresiste të Italisë Jugore, e pakta që më 1799, kur ata lojtën rol për krijimin e një republike jetëshkurtër në Napoli. Pas mesit të shekullit, arbëreshët do të bëheshin dorë e djathtë e Garibaldit dhe një pjesë e çmuar e forcave goditëse me të cilat ai filloi marshimin nga Jugu në Veri.

Historiku i "Këngëve të Milosaos", i lidhur ngushtë me fillimet e lëvizjes kombëtare të Shqipërisë, buronte nga lëvizjet revolucionare dhe patriotike arbëreshe, gjatë të cilave poema lindi, u botua dhe ribotua. Poema fitonte kështu një domethënie të gjerë për fillimet e letërsisë së Rilindjes arbëreshe dhe të zgjimit të patriotizmit arbëresh në favor të Rilindjes së Shqipërisë, si dhe për krijimin e letërsisë së re arbëreshe në kuadrin e përgjithshëm të kulturës kombëtare shqiptare, që po niste të lëshonte rrëmbat e saj në atdhe që në mbarimin e shek. XVIII, po sidomos me dukjen e Veqilharxhit.

Ky, pasi mori pjesë, më 1821, në revolucionin rumun, ia hyri menjëherë punës për shkronja të veçanta shqipe (si kishte bërë Todhri përpara tij), për libra shkollore shqipe (ashtu si kishte bërë përpara tij Meksi), bile më shumë: edhe për organizimin e lëvizjes kombëtare që kishte marrë jetë në Shqipëri. Fill me botimin e Abetares dhe shkrimin e Qarkores, këtij programi të parë të njohur të asaj lëvizjeje (1844-46), Veqilharxhi hyri në kontakt me De Radën e me patriotë të tjerë arbëreshë.

Qëllimet e njëjta i afronin shqiptarët përtej mërgimeve të largëta dhe i shtynin në veprime të njëjta e të përbashkëta. Kështu nisi vepra e De Radës të bëhet e njohur edhe në Shqipëri. Kontakti me patriotët shqiptarë e nxiti poetin të përpunojë e ti pasurojë veprat e tij në thelbin e tyre patriotik, si na dëshmon ai vetë.

De Rada ka qenë artist i ndërgjegjes më të lartë dhe punëtor i pashoq. Ai ndenji plot 70 vjet me pendë në dorë (1833-1903) dhe përherë duke i ripunuar veprat e tij poetike e jo poetike. Më 1847, botimi i tretë i "Milosaos" doli me 38 këngë, në vend të 30-tave. Vepra tani ishte më e qartë dhe ngjarjet u vendosën në kohë në mënyrë më të përcaktuar, brenda viteve 1405-18. Erdhi pastaj botimi i katërt, ai i vitit 1873, pa ndryshime të rëndësishme, po ku ngjarjet u vendosën në një interval kohe pak më të gjatë, 1405-23. Një ribotim që poeti dëshiroi ta bënte aty nga fundi i jetës, mbeti projekt dhe pak i gjendet gjurma në dorëshkrimet e shumta që kanë mbetur nga shkrimtari.

Me gjithë ndryshimet e përmirësimet që pësoi, edhe pse poema fitoi nga më se një anë, sidomos në qartësi, përmes një shtjellimi më të arsyetuar të subjektit, artin deradian e gjejmë me tërë dhuntitë e tij që në votimin e parë të "Milosaos". Sado që ta lexojmë poemën përmes botimit të saj të fundit, që është vullneti i fundit i autorit, mirë është të rikthehemi e ta lexojmë ashtu siç që ajo në botimin e parë. Njerëzit që duan ta njohin në themel De Radën dhe letërsinë e Rilindjes në fillimet e saj, është e nevojshme të kthehen te "Milosaoja" i vitit 1836.

Duke bërë më 1954 një provë të parë të vënies në shqipen e sotme të poemës së parë të De Radës dhe duke e rivështruar atë dhjetë vjet më pas, zbuluam gjithë vështirësitë e përshtatjes së një teksti poetik nga një stad arkaik i gjuhës në një stad të ri, vështirësi që nuk janë më të vogla, sikur mund të pandehet, se ato të përkthimit nga një gjuhë në tjetrën. Ishte rasti që adazhit "tradutore-traditore" ti shtonim një tjetër, "përshtatës-përdhunues".

Në këtë përpunim të dytë të përshtatjes së "Milosaos", si dhe më parë, qëllimi është që De Rada të na flasë "në gjuhën e sotme", porse "me gjuhën e tij". Autenticiteti është synimi i kësaj përpjekjeje. Poetët arbëreshë do të mund tua japin lexuesve tanë të sotëm vetëm duke i qëndruar sa më besnikë artit të tyre, në frymën, në përmbajtjen dhe në ndërtimin e veprave.

Duke i vënë kësaj përshtatjeje përballë edhe tekstin origjinal, në këtë botim të ri u synua që lexuesi ta njohë "Milosaon" drejtpërdrejt arbërisht, i ndihmuar nga gjuha e sotme. Transkriptimi u bë me kritere të tilla, që të mund të ruhet gjuha e origjinalit, por edhe që, përmes drejtshkrimit të sotëm, teksti të afrohet me lexuesin.

Po le të kthehemi dhe një herë te poema vetë dhe te vlerat e saj, për të thënë se "Milosaoja", si çdo vepër artistike e së kaluarës, paraqet edhe kufizimet e veta. Këto kufizime janë sinjalizuar herë pas here në shënimet e këtij botimi.

De Rada ishte bir i fshatrave arbëreshe, ku ende mbisundonin zakonet, jeta patriarkale, kisha, sundimi feudal, që ushqenin ende një botëkuptim të prapambetur. Kolegji arbëresh i Kalabrisë, që ziente nga idetë e lirisë së popujve dhe kundër absolutizmit, prapë ishte një kolegj fetar.

De Rada, në botëkuptimin e tij, mbetet një idealist objektiv e një iluminist, që përherë i ruajti edhe bindjet fetare, pa qenë një besimtar i flaktë. Poeti ishte njeri me mendje të çelur dhe ushqente ide dhe ideale progresiste të rëndësishme për kohën. Të mos harrojmë se De Rada ishte ai që e bëri hapin e parë vendimtar për ta shkëputur letërsinë shqipe nga temat dhe didaskalizmi i së kaluarës. Përpara tij jetuan një varg poetësh që trajtuan vetëm ose gati vetëm temat fetare, si Brankati, Filja, Variboba e disa të tjerë, në shek. XVIII. Po ndikimi i madh i fesë dhe i filozofisë idealiste në Italinë feudale vazhdoi të bëjë punën e vet edhe mbi letrarët arbëreshë, aq sa edhe një autor me ide socialiste, si ka qenë bashkëkohësi i De Radës, Vinçenc Stratigoi nuk iu resht atij ndikimi.

Po të kqyrim "Milosaon", do të shohim se aty nuk kemi vetëm përshkrimin e zakoneve të vendit, me ambientin arbëresh siç ka qenë, pa i tepruar aspak ngjyrat, sepse dhe arti i De Radës është i kursyer dhe jep atë që është krejt e domosdoshme të thuhet e të përshkruhet. Ndjenja mistike nuk mungon dhe një farë fatalizmi i ndjek njerëzit në jetë. Pa dyshim, fundi tragjik i poemës, me rrënimin e pashmangshëm të lumturisë familjare të Milosaos, aludon edhe në pamundësinë e kësaj lumturie në kohën e vërshimeve turke në Shqipëri. Ai fund tingëllon edhe si një dënim për Milosaon, që u dha pas dashurisë dhe krijimit të familjes, duke e lënë sadopak pas dore për një çast detyrën e madhe të mbrojtjes së atdheut. Ky theks kritik ia shton meritat poemës dhe i vlen nxitjes së ndjenjës së detyrës patriotike ndaj bashkëkohësve, kur për atë ndjenjë duhet bërë ende shumë, që të zgjohet e të forcohet tek arbëreshët, në atë prag të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Meritë e veçantë e De Radës është edhe se ai fesë i dha një vend të kufizuar në poemën e tij të parë, kurse vendin e madh ia dha jetës arbëreshe në tërësinë e saj, fshatit arbëresh, me punët e arave dhe të staneve, me lodrat e burrave dhe të grave, me marrëdhëniet midis brezave dhe sekseve, me kujtimin e luftrave të stërgjyshërve për mbrojtjen e Shqipërisë nga i huaji, etj. Dhe në thelb të poemës, bashkë me idenë patriotike, vuri protestën kundër patriarkalizmit, kundër pengesave klasore për realizimin e lumturisë midis dy të rinjve që duhen. Kjo protestë, që në poemë, ska theks antifetar, po duke u drejtuar kundër shoqërisë së kohës, nuk kishte si të tingëllonte mirë edhe në vesh të kishës.

De Rada shkroi në gjuhën arkaike të kolonive arbëreshe të Kalabrisë. Ai këtë gjuhë u përpoq ta ngrinte më lart si një mjet shprehjeje artistike, e përpunoi dhe pasuroi atë, ndonëse jo përherë me takt e me sukses. Duke u mbështetur në poezinë popullore tradicionale, De Rada, krijoi një art të vetin, me një origjinalitet të shquar, art i një fuqie të jashtëzakonshme sugjestionuese, krejt konciz, i pasur në figuracion. Po stili i tij qe pak si tepër eliptik dhe, nëpër hijedritat, mbeten kënde të errëta ku sështë përherë i lehtë depërtimi. Bashkëkohësit ia patën bërë më se një herë vërejtjen për stilin e vështirë.

Engjëll Bazileja, shoku i tij i rinisë, njeri me kulturë e shije të gjerë letrare, i shkruante më 1847: "Përse të mos i manifestoni qartë gjërat e reja, idetë tuaja të reja, mendimet tuaja të reja? Danteja shkruan në mënyrë të lartë, po qartë; të njëjtën gjë bën dhe Homeri, Virgjili, me tërë çetën e poetëve më të lartë … Mos i shisni diamantet tuaja të veshura."

Miku i poetit, gjuhëtari Dhimitër Kamarda, që pati ushqyer edhe ai të njëjtën dëshirë të parealizueshme të De Radës, do ta kritikonte më vonë poetin për iluzionin e tij, që gjuha që ai shkruante të ngrihej në rangun e gjuhës së përbashkët letrare të shqiptarëve. A mundej Shqipëria të kthehej disa shekuj pas dhe të adaptonte si gjuhë letrare një të folme arkaike, sado që në këtë të folme kishte një poezi të pasur popullore dhe po shkruante një poet i madh? De Rada nuk tregohej realist.

Po meritë e poetit është se vështirësinë që kishin lexuesit për tia kuptuar veprat, ai e pa dhe u përpoq të sjellë mjaft kthjelltësi në to, me sukses të plotë, për shembull te poema e "Serafinës".

Lexuesi shqiptar i Rilindjes, edhe për arsye të gjuhës, veprat e De Radës gati nuk i njohu dhe, kur i njohu, nuk arriti të depërtonte në mënyrë të kënaqshme në to. Edhe rilindësit më të shquar e njohën pak veprën e De Radës. Nëse një Kristoforidh provoi të vinte në shqipen e Shqipërisë diçka nga De Rada, ai mori disa këngë të rapsodive popullore që poeti botoi më 1866. Nëse një Sami qëmtoi në veprat e arbëreshit të madh për të hartuar një fjalor të shqipes, me sa shihet mbi ndonjë libër të De Radës që na ka arritur prej bibliotekës së tij, këtë shkencëtari ynë e ka bërë në mënyrë të kursyer. Naimi ka një shprehje që rrëfen se nuk e çmoi sa duhet punën e poetit arbëresh. Duhet të presim Gurakuqin, që De Rada të nisë e të shijohet mirë e të çmohet plotësisht nga rilindësit e Shqipërisë. Është e kuptueshme: Gurakuqi pati rastin të studionte në Shën Mitër Korone dhe fatin të ishte nxënës i De Radës vetë; ai u familjarizua me arbërishten dhe zbuloi i mahnitur bukuritë e veprës së mësuesit të tij.

Kjo nuk do të thotë se rilindësit e Shqipërisë nuk e njohën De Radën dhe nuk e çmuan punën e tij vigane, e cila gëzoi që herët Veqilharxhin. Atë e admiruan me kohë Mitkoja me Jubanin. Prapë vepra e tij poetike e pati vështirë të çajë rrugën drejt lexuesit shqiptar. Gurakuqi e ka shprehur këtë në mënyrë të qartë, kur i gjen shkaqet te marrëdhëniet e pamjaftueshme shqiptaro-arbëreshe, por edhe te gjuha arkaike, pa harruar qarjen e tij, se djemtë e Shqipërisë "lodhen e pjekin mund që tarrijnë me shijue bukuritë e Homerit e të Virgjilit", por ende jo bukuritë e tyre te një De Radë.

U ndalëm në këto për të argumentuar domosdonë e vënies së veprave poetike të De Radës në shqipen e sotme, si dhe nevojën e një përpjekjeje që lexuesi i dashuruar pas poezisë së madhe shqipe duhet të bëjë për ta shijuar artin deradjan edhe përmes origjinalit. Dhe së fundi për të përsëritur, se zbulimin dhe çmimin e vërtetë të veprës poetike të De Radës e bëri koha jonë, kur më nuk mund të qahemi se djemtë e Shqipërisë nuk e njohin veprën e De Radës dhe meritat e mëdha të shkrimtarit e patriotit më të dëgjuar arbëresh.

Jemi në pragun e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit e të përkujtimit të Rilindjes, De Rada ka qenë ndër përkrahësit më të flaktë të luftës e të përpjekjeve çlirimtare të drejtuara nga Lidhja e Prizrenit. Kjo përkrahje, që u bë sidomos në fletët e revistës "Fjamuri Arbërit", e lidhi patriotin arbëresh edhe më fort me rilindësit e Shqipërisë. Revista e tij ishte organi më i fortë shqiptar i shtypit të asaj kohe, që mbronte të drejtat e popullit tonë jo vetëm midis arbëreshëve dhe shqiptarëve, por edhe përpara opinionit ndërkombëtar. Aty do të gjejmë, ndër të tjera, një De Radë që çlirimin e Shqipërisë e pret nga shqiptarët vetë dhe jo nga të mëdhenjtë e Evropës.

Duke goditur synimet grabitqare të qeverisë shoviniste fqinje, të cilat orvateshin ta copëtonin midis tyre Shqipërinë dhe arritën t i zhvatnin edhe ndonjë pjesë, duke treguar se si "i sëmuri i Bosforit" nuk ishte më në gjendje ta ruante perandorinë dhe po i linte në mezat tokat shqiptare, De Rada nuk nguroi të luftonte haptazi edhe imperialistët austro-hungar dhe, me një guxim të madh, imperializmin italian vetë, të cilit i ishte zgjuar lakmia për brigjet tona. Këtë guxim, imperialistët italianë, edhe kur në fuqi erdhi një kryeministër arbëresh si Françesk Krispi, një ndër admiruesit e parë të "Milosaos", po një ndër mohuesit e pështirë të lëvizjes kombëtare shqiptare, kur kjo lëvizje priste ndihma nga jashtë, De Radës nuk ia falën kurrë, por e lanë të vdiste literalisht për bukë goje.

Konsekuenca e De Radës në luftën e tij patriotike është titulli i madh i lavdisë. Te ky De Radë e shpiem mendjen në pragun e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe të përkujtimit te Rilindjes, te poeti, publicisti, mendimtari, botuesi i folklorit, studiuesi i gjuhës, njeriu politik etj., që gjithçka e shkriu për çështjen shqiptare. Vazhda e jetës së tij të gjatë prej luftëtari të gjithanshëm nis me një poemë që mbeti e pavdekshme, me "Këngët e Milosaos".

Më 1836 De Rada pati shkruar se "erdhi dita e Arbërit". Nuk ishte thjesht një konstatim. Kjo mbeti motoja që shpjegon gjithë veprën dhe veprimtarinë e autorit të "Këngëve të Serafinës" apo të "Një pasqyre jete njerëzore", autorin e "Skënderbeut të pafat", botuesin e "Rapsodive" dhe të "Fjamurit të Arbërit", gjer te edukatori, që, edhe 89-vjeç, nuk ia përtonte rrugës që ai duhej të bënte më këmbë nga Maki i tij në Shën Mitër Korone, për të dhënë mësimin e shqipes. Jetë heroike.


Shënim:

1. De Rada na mëson se këngën XIV e shkroi nënëntor 1834, një muaj pasi kishte shkruar parathënien e poemës (Autobiologia I, Cosenza 1898, f.17).

2. Një version i hershëm i poemës, që është quajtur "Premilosao", ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Danimarkës, në Kopenhagë. Atë version nuk e njohim.

3. Vepra u botua frëngjisht në Paris më 1809 nga gjeografi i njohur demokrat Malte-Brun.



[ Edited Sun Mar 12 2017, 05:39pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Mar 12 2017, 06:21pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264





Vështrimi ndryshe i "Milosaos" të De Radës
- nga Dr. Moikom Zeqo

De Rada i madh nisi ta shkruajë kryeveprën e tij të pavdekshme "Këngët e Milosaos" në vitin 1833. Tepër i ri, i hajthshëm dhe delikat, kurioz dhe kërkimtar, i pavendosur, i dyzuar, por dhe vizionar De Rada, i frymëzuar nga baladat e mahnitëshme arbëreshe ravizoi një roman poetik të hatashëm nga të gjithë pikëpamjet.

Ai nisi të shkruajë fragmente të veçanta në formën e një ditari vetiak, jo të përcaktuar për publikim. Duke dashur të thellohet në misteret e gjuhës arbëreshe, një variant gjuhësor i shqipes në epokën kastriotase para pushtimit otoman, ai zbuloi disa struktura arkaike të lashta të ngjashme me ato të kristaleve dhe gurëve të çmuar.

De Rada e ndjente, që gjuha arbëreshe qe shumë pranë katastrofës së zhdukjes së saj. Për shekuj të tërë kjo gjuhë kish mbijetuar falë dhe një lloj mbylljeje në vetvete, apo të një konservimi strukturor të brendshëm. Ky karakter ishullor i gjuhës arbëreshe nuk mund të qe përfundimisht i amëshuar. Komunitet arbëreshe e kishin gjuhën e tyre si gjuhë orale, kurse si gjuhë e shkruar ajo mund të lartësohej në një etapë të re, me gjasa për të mbetur përfundimisht, duke zevëndësuar kështu konceptimin e amëshimshmërisë të paktën në formën tekstore.

Jeronim De Rada u bë pishtarmbartës i gjuhës arbëreshe të shkruar, pra i arbërishtes si libër si një status i veçantë i mbamendjes kombëtare. Procesi i krijimit të "Milosaos" i ngjan një procesi endemik, më saktë biologjik. Më ka mbetur në mendje një shprehje e arbëreshit të ditur Domeniko Mauro, i cili e ka krahasuar stilin e De Radës "me mëngjesin e vrapimit të një kali".

Ky përcaktim i mrekullueshëm ka të bëjë jo vetëm më plotfuqishmërinë e natyrës rusojane, por sidomos me lëvizjen e një qënie të gjallë mes qiellit dhe tokës, një lëvizje e vetëtimtë e vizioneve të pafundme. "Milosao" u shkrua kur poeti qe 18 vjeç. Më 1936 "Këngët e Milosaos" përfshinin në botimin e librit 30 këngë (kangjela) dhe tre vjershëza (që De Rada i quan graxeta, ndoshta që këndoheshin nga gratë). Fillimisht De Rada e botoi romanin poetik me titullin "Poezi arbëreshe të shek. XV". Ai dëshëronte të mbetej anonim dhe krijimin e tij ta quante si një krijim të popullit.

Menjëherë u kuptua se ky libër qe kultivimi fin, i përsosur dhe i veçantë i një poeti shumë të madh, në një moshë shumë të re, siç qe De Rada. Ky libër do të bëhej kali i lavdisë dhe i famës së tij të pashtershme. Në botimin e parë të librit De Rada ve si epigraf vragjet e poetit grek Pindari: "Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik". Epigrafi jepet në greqishten klasike. Libri ka këtë kushtim: "Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit (Shqipërisë)".

Më 1847 "Milosao" botohet me titullin "Poezi arbereshe", janë 39 këngë të përfshira, shtohen dhe 5 vjershëza (graxeta). Botimi merr një arkitekturë të re, formën e ditarit, duke vënë në krye të çdo kënge ditën dhe muajin, vitin e ngjarjes. Në botimin e vitit 1873 përfshihen këngët e botimit të dytë me përjashtim së Këngës së XI, por ka dhe shtesa të disa këngëve të reja. Interesant është se në këtë botim është hequr epigrafi i Pindarit dhe janë vënë vargjet popullore: "Sytë e saj një mijë duka/Vetulla po aq/Vetë ajo gjithnjë jetë."

Duket që është një dedikim dashuror, për vajzën e zemrës, reale, ose të imagjinuar.Në të gjithë historitë e letërsisë shqipe, në të gjitha botimet e "Milosaos" thuhet se Milosao qe dhespot i Shkodrës. Ky titull është bizantin i përdorur në Jug të Shqipërisë. Një të tillë e kanë përdorur, fjala vjen, Muzakajt.

Në botimet e famshme të Dhimitër Shuteriqit dhe Andrea Varfit, që kanë përshtatur "Milosaon" nuk hidhet dyshimi se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës, qytetit më të madh të Veriut. Studiuesit mendojnë, se De Rada kishte për qëllim të tregonte një histori intime të strukturuar në Shkodrën e shek.XV. Kjo tezë është zotëruese në të gjitha librat e deradologëve. Këtë tezë nuk e ve në dyshim as deradologu i njohur Jup Kastrati. Kaq e vërtetë është kjo, sa që teza e mësipërme është gati një tabu e historisë së letërsisë shqipe.

Duke i studjuar këto ditë me ngulm dhe kujdes të madh botimet e "Milosaos", duke u bazuar në substancën letrare poetike të vetë veprës dua të bëj publikisht të njohur një tezë krejt të ndryshme, se "Milosao" nuk lidhet me qytetin e Shkodrës, por lidhet esencialisht me Himarën. Për ta vërtetuar këtë tezë unë natyrisht do të përdor argumente të llojit të brendshëm, argumente vetëtregues.

Kam përpara dy përshtatje të Milosaos në shqipen moderne letrare. Njëra e Dhimitër Shuteriqit dhe tjetra e Andrea Varfit, të dy deradologë të ndjerë. Të dy dijetarët i kanë pajisur librat me shënime të hollësishme të karakterit shpjegues, por ë të dy nuk dyshojnë tek fakti se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës.

Në të vërtetë De Rada shkruan formën Skutari. Kjo formë është identifikuar me shqipen Shkodra. Po a kemi të bëjmë vërtet me Shkodrën? Le ti referohemi poemës ciklike të"Milosaos." Kënga e I e "Milosaos" fillon me një metaforë të ripërtëritjes së natyrës, kur "jeta kish ndrruar lisat, kurse uji i ri kaltëronte në det, duke paralajmëruar ditë të reja. Që nga Tempa e lashtë, (Tempa është tempull në Thesali), vjen Lumbardha, njëlloj pëllumbi detar e Anakreontit dhe përplaset në qelqet e dritares së poetit. Kjo metaforë tregon që një simbol i lashtë i poezisë, siç është Lumbardha e Anakreontit vjen në një mjedis buzë detit, mjedis që kurrsesi nuk mund të jetë ai i Shkodrës në Veri të Shqipërisë.

Tipografikisht ky mjedis detar, që është shtrat i poemës, është diku në Shqipërinë e Jugut. Nuk mundet kurrsesi që Lumbardha e Anakreontit të ngjitej në një mjedis të ndryshëm që nuk është detar.


Arketipi kryesor mjedisor i poemës është deti. Ai del kudo gjithnjë pranë dhe jo larg.

Në Këngën e I është simboli i përtëritjes së jetës dhe gjithësisë, aq sa duket e mahnitëshme që edhe ujët e lashtë të detit mund të përtërihet me ujë të ri.

Kënga e VII nis me këto vargje: "Përse të venë në det /mendimet zemra ime/zbardhuan anijet armike/vëzhguan, pastaj u fshehën./Erdhi Dita e Arbërit!"

Evokohet kështu një ngjarje që lidhet jo vetëm me luftën në bregdet, por edhe me një betejë detare. Një betejë e tillë nuk mund të bëhet në Shkodër, sepse deti është larg nga Shkodra dhe Shkodra lidhet me detin ndërmjet Bunës dhe lumit Drin, që derdhet në Gjirin e Lezhës.

Në Këngën e VI të "Milosaos" shkruhet: "Ra bora përmbi det/ Dhe mbi leshterikë/ Dhe mbuloi krahët e shqitëzës". Është një panoramë e mrekullueshme, të tërheq vemendjen detaji, që flokët e borës mbulojnë dhe krahët e pulëbardhës, (shqitëzës).

Në këngën e X janë vargjet: "Kundrejt kodrave dhe detit/ Buzëqeshi ditë e kaltër."

Në këngën e XI thuhet: "Kundrejt detit të kaltër rrinte Zonjë e madhe dhe vërente."

Në këngën e XIV shënohet: "Ajo detin kish ndër sy/ Hijen e shtëpisë në zemër."

Në Këngën e XV janë këto vargje: "Zemra jote e dhemshur/ Le të hapet plot hare/ Si anije plot me trima/ Që nga mezi i detit shohin Atdheun e dëshëruar."

Kënga e XVIII nis me vargun krahasimtar: "Porsi një tallaz në det".

Në Këngën e XXIV janë vargjet: "Për së pari kur u zgjova/ Nga Buzati hënëza Mbi det po dritëron."

Në Këngën e XXVI evidentohet thirrja: "Vëllezër hipni në anijet!"

E famshme është dhe Kënga XXIX ku janë vargjet madhështore: "Bije po s'dua të fle/ Mos ma mbyll ti derën/ Të më fryjë era e detit."

Kaq shpesh përmendet deti në "Milosao" saqë nuk ka dyshim në mënyrë përfundimtare se mjedisi i poemës është në një vend bregdetar në Jug të Shqipërisë dhe kurrsesi Shkodra veriore. Mendoj se arketipi i detit përcakton gjithçka. Lind pyetja: nëse bëhet fjalë për një vend bregdetar, ku ndodhet ky vend dhe ç'përfaqëson? Unë do të argumentoj se ky vend është Himara. Së pari, poema i është dedikuar ushtarakut të famshëm Dhimitër Leka nga Himara. Pse pikërisht De Rada ia bëri atij këtë dedikim? Kjo është shumë e rëndësishme.

Së dyti, duke parë toponimet tek poema "Milosao" del qartë se këto toponime lidhen me Himarën. Për hir të së vërtetës do të them se për herë të parë një ide të tillë e ka shprehur edhe poeti Sulejman Mato, që është nga Bregdeti, nga fshati Fterrë. Miku im Mato e njeh nga afër toponiminë e Himarës, ai ka vëzhguar në terren dhe njeh mirë këngët popullore himariote. Është meritë e tij e padiskutuar që është marrë me toponimin Skutari. Skutari është marrë deri tani si formë italianizuese e emrit Shkodër. Në të vërtetë përballë fshatit Vuno të Himarës është një mal me emrin Skutara. Këtu ka patur shumë familje që kanë emigruar në Itali. Poshtë fshatit Vuno gjenden gjurmë të një vendbanimi më të vjetër që unë e kam parë me sytë e mij.

Mato mendon që Skutari i De Radës nuk është gjë tjetër veçse Skutara e Vunoit në Himarë. Për mendimin tim kjo lidhet në mënyrë konkrete dhe substanciale me poemën "Milosao". Skutara mund të shpjegohet si një emër i formuar nga fjala skutë, (gropë, qoshe). Më e çuditshme është se emri Skutara ose Skutari lidhet edhe me emra njerëzish. Studiuesi arbëresh M.Belushi në një libër të tij me përmbledhje folklorike përmend zonjën arbëreshe Roza Skutara, e cila ka rrëfyer shumë nga baladat arbëreshe.

Mundet që kjo zonjë të ketë qenë më origjinë nga Skutara e Himarës. Vendbanimi Skutara mund t'i nënshtrohet një gërmimi arkeologjik për të dhënë fakte të reja. Por tek Milosao ekzistojnë dhe disa toponime të tjera shumë të rëndësishme. Në këtë poemë përmendet toponimi Stani i Marules. Mundet të përkthehet në shqip si "Lulja e detit", kompozitë e përbërë nga fjala mare - det dhe lule. Pikërisht në Vuno të Himarës është dhe sot toponimi Gjilule, me kuptimin Lulja e gjirit, bëhet fjalë për një gji deti, gjë që krijon një raport identifikimi dhe toponimin e mësipërm Lulja e detit.

Tek Milosao përmendet festa e Shën Mërisë së Mesos poritës, kult ky i veçantë me origjinë bizantine. Ka shumë mundësi që kjo lidhet me kishën e Shën Mërisë në këtë zonë. Një gjë shumë e çuditshme lidhet edhe me lumin e Vodhit, lumë, ku vdiq i vrarë në betejë Milosao në Këngën e Fundit.

Vargu "Gjaku im tek lumi i Vodhit" në origjinal është modifikuar nga përshtatësit. Fjala vjen Andrea Varfi e formon padrejtësisht në formën Lumi i Obotit. Ky ndryshim arbitrar është i pashpjegueshëm.

Origjinali e ka lumi i Vodhit, ose i Vodit. Realisht ekziston lumi Belovodi pranë Vunoit të Himarës. Ky është emër sllav, një kompozitë që do të thotë Uji i bardhë. Lumi i Vodit ka kuptimin lumi i Ujit (Voda do të thotë ujë). Dihet që një lumë i tillë nuk ekziston në Shkodër. Shkodra ka tri lumej: Kirin, Drinasën dhe Bunën. Asnjë nga këta lumenj nuk përmendet tek "Milosao". De Rada e njihte mirë Shqipërinë, madje e ka përmendur në shkrimet e tij edhe lumin Drin. Nëse do të ishte fjala për Shkodrën ai do të shkruante se Milosao vdiq buzë lumit Drin, por natyrisht jo në bregdet. Do të ishte shumë e lehtë për De Radën që të mos bënte asnjë gabim në përcaktimin e topografisë së poemës. Arketipi më përcaktues tek Milosao është fjala "katund".

Në të gjitha rastet vendlindja e Milosaos quhet katund dhe jo qytet. Ai përmend faktin që pas tërmetit "Skutari s'thuhet më katund". Edhe studiuesi Andrea Varfi e ka kapur këtë gjë, kur shkruan tek shënimet e tij se në poemë në origjinal është gjithmonë fjala katund. Por ju lutem shumë, të gjithë atyre që lexojnë këtë shkrim si ka mundësi që De Rada të ngatërrojë konceptin e katundit me konceptin e qytetit? Shkodra është qytet nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit e Shqipërisë, madje ka qenë dhe kryeqyteti i Ilirisë së vjetër, i Gentit të madh. Shkodra ka një kështjellë madhështore, me përmasa të dukshme dhe në lartësi.

Kurrsesi Shkodra nuk mund të quhet katund. Në shekullin XV Shkodra qe një kryeqendër me një numër të madh fshatrash siç del qartë nga regjistrat e kadastrave turke por dhe venedikase. Shkodra i kapërcen qartë, në mënyrë të pamohueshme kufijtë e një katundi. Por ka dhe fakte të tjera që e plotësojnë këtë arketip të mësipërm. Rina, e dashura e Milosaos quhet "e bija e Kallogresë". Emri Kallogre është një emër tipik që përdoret në Shqipërinë e Jugut. Vetë Andrea Varfi, me origjinë nga Himara thotë se në Himarë emri Kallogre është shumë i shpeshtë si emër i përveçëm. Varfi përmend dhe një familje të madhe në Qiparo që mban si mbiemër emrin Kallogre, madje Varfi shton se emri Kallogre është i përhapur tek arbëreshët në Kalabri dhe Sicili.

Një fragment i "Milosaos" quhet "Vjershë e së bijës së Kallogresë së Skutarioteve". Pra, origjina e Rinës lidhet me banorët e Skutarës në Himarës. Një fakt tjetër është se në poemë përmendet një lojë fëmijësh që quhet "Loja me "rrolje". Fjala rrolja ose rrola do të thotë rrotë, disk. Fëmijët e Himarës marrin rrota ose disqe prej guri dhe mundohen t'i hedhin sa më larg. Kjo lojë që përdoret në Himarë dhe më pas dhe tek arbëreshët nuk dokumentohet në qerthullin e Shkodrës. Një arketip tjetër mbushamendës është se elementët e mjedisit si limonët, pulëbardhat, ullinjtë, janë tipikë për zonën e Shqipërisë së Jugut, pra dhe të Himarës, kur dihet që limonët dhe përgjithësisht agrumet nuk kanë lidhje tipike dhe endemike me mjedisin verior të Shkodrës me një klimë më të ndryshme.

De Rada u ka vënë data ditësh, muajsh dhe vitesh secilës këngë. Kënga I e Milosaos mban datën 27 korrik 1435. Kënga e fundit mban datën 7 nëntor 1443. Po të vihet re me kujdes del qartë që historia e Shkodrës në këto vite lidhet me pushtetin venedikas që qe i plotfuqishëm deri në vitin 1478. Shkodra nuk qe asnjëherë nën sundimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në shekullin XV, kurse Himara ka qenë një zonë e lirë në këtë lak kohor, madje nuk iu nënshtrua turqve edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është absurde të mendosh se gjoja De Rada duke vendosur këtë kronologji nuk e paska ditur se qyteti i Shkodrës nuk ka qenë nën sundimin venedikas? Një argument tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me romanin tjetër poetik të De Radës të quajtur "Serafina Topia".

Shumë këngë të kësaj poeme ciklike shënohen që kanë ndodhur në Himarë. Himara përmendet shpesh. Por unë nuk po zgjatem sepse kjo do të përbënte subjektin e një shkrimi tjetër, të një tjetre kryevepre deradiane gjithashtu të lidhur me Himarën. Kryevepra "Milosao" e De Radës qe jo vetëm një monument i shkëlqyer i letërsisë shqipe të romantizmit, por dhe një nga veprat më të shkëlqyera dhe të ndritura të letërsisë evropiane në shekullin XIX. Për këtë kryevepër shqiptare kanë shkruar me admirim Viktor Hygoi, Lamartini, Frederik Mistral etj. Fakti që subjekti i "Milosaos lidhet me Himarën ka një karakter logjik të fortë. Nuk do të ishte pa vend dhe pa rëndësi që pikërisht mbi bregun e Himarës shqiptare të ngrihet monumenti prej bronzi i heroi Milosao, si figura më e bukur dhe më e çuditshme e letërsisë romantike të kombit tonë. Amen!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Mar 12 2017, 06:38pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264


Te De Rada ia vlen të shënohet ai lloj fluturimi pindarik, tipikisht mistik, që e lidh lajmin e një mirësie të kryer jo me sensin e një mirësie personale, por të një vizioni të gjerë teologjik të gjithë-atësisë së Zotit.

Unë do të rrëfej gjithmonë veç për suksese të vërteta, edhe pse e di shumë mirë se i flas një gjenerate shumë kryeneçe, që ka për divizë shprehjen "Quid est veritas?" (Ku është e vërteta?) të Ponc Pilatit.

Megjithatë e vërteta është se ky njeri mistik duhet të ketë ndjerë e besuar të ketë për rilindjen e Shqipërisë një mision të atillë me atë që pat besuar të kishte Dantja për të gjithë italianët jubileun e vitit 1300. Ai s’u shpreh kurrë qartësisht në lidhje me këtë mision, ndoshta për arsye modestie, duke menduar të mos jetë i denjë për një gjë të tillë. Por, në vëllimin e periudhës së parë të ‘Autobiologjisë’ së tij, autori do të shkruajë: ‘Në vetvete, ngjarjet e jetës sime nuk kanë kurrfarë vlere për të tjerët, as kurrfarë vlerësimi prej tyre. Vlerësimi i takon lartësimit ‘të bërjes dhe pasjes’ së një gjuhe kombëtare, mbrojtëses së vërtetë të kombit shqiptar’. Ndoshta teologët nuk e kanë kaq të lehtë të pohojnë ekzistencën e misioneve profetike të poetëve, ashtu siç nuk janë të lehta të pohohen zbulesat e tyre të vërteta mistike e të mbinatyrshme, me pretendimin e drejtë për të mos i dhënë Zotit përgjegjësi që nuk janë të tijat.


Atë Zef Valentini për Jeronim De Radën





Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Mar 12 2017, 06:52pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Jeronim De Rada: MILOSAO, 1836
- nga Sabri HAMITI

1. Milosao im, 2014

Milosao (1836) i Jeronim de Radës, që po shkon kah mosha dyshekullore, tashmë njihet si kryevepra poetike e autorit dhe një nga kryeveprat e lirikës shqipe. Mirëpo, secili tekst letrar, në çastin e leximit, bëhet bashkëkohor, bile i tashëm. Formulimi Milosao im përpiqet të theksojë natyrën e veprës poetike, që është elexueshme dhe e shkrueshme, në vështrimin e Rolan Bartit, më tepër se sa të relativizojë evidencat e leximeve të përparshme, të autorit (që shkroi tri variacione të veprës), apo të interpretuesve në shekujt e fundit. Formulimi më tepër mundohet të relativizojë e të personalizojë leximin, që bëhet i ndryshëm dhe i ndryshueshëm nga koha në kohë. Qëkur Lexuesi bëhet aktant i shpalimit të kuptimit të veprës, edhe i larguar nga tendenca e Autorit, ai zbulon që Milosao është vepër e shkrueshme dhe e rishkrueshme, si gjithë poezia moderne, që të lodh në lexim e në kërkim. Mendimi është i rëndë, kërkimi është i rëndë; se thellësia është e errët, theksonte Eqrem Çabej duke shkruar për lirikën e Lasgush Poradecit. Atëherë del në pah Lexuesi si Ego (Vete) për ta përvetësuar tekstin, më parë për ta plotësuar sesa për ta arsyetuar. "Ky është Rasini im" u përgjigj Barti, se i thanë që nuk i konsideronte të vërtetat për Rasinin në tekstin e vet interpretues. Në hije të kësaj mund të kuptohet edhe komunikimi poetik ndërmjet Milosaos (1836) të Jeronim de Radës dhe Milosaos sonë të vitit 2014.

2. Jeronim de Rada: Milosao

Jeronim de Rada mori famën romantike të krijuesit e të protagonistit të sojit të Bajronit e Ygosë, të Leopardit e të Pushkinit, veçse kërkoi edhe protagonizmin në fushën e kulturës nacionale nëpërmjet letërsisë së shkruar identitare. Këtu na del themelor kërkimi dhe identifikimi i tij në kryeveprën poetike të rinisë, Milosao, e jo kërkimi i ideologjisë së tij për protagonizëm nacional. Kërkimi i identifikimit poetik i vë në raport De Radën me Milosaon, Emrin me Pseudonimin, ose Autorin me Personazhin. Në strukturën tekstore të Milosaos autori shpesh e më shpesh njëjtësohet me personazhin, emri lidhet me pseudonimin; pra Rada afrohet me Milosaon. Katërmbëdhjetë këngët e para të Milosaos rrëfehen alternativisht prej autorit e prej personazhit (heroit). De Rada e Milosao janë aty dy qenie artistike, që alternohen me Unë e Ti (uni tjetër); pra, nga dysia kthehen në Njësi: prosede ky i shkrimit autobiografik; një diskurs i pastër i dashurisë.

3. Poezia e dialektit

Milosao është shkruar në arbërisht, gati në të folmen e autorit. Kjo nuk është pos veçanti e kësaj vepre, apo e autorit të saj, mbasi poezia shqipe në pesë shekujt e vet të shkruar del në dialekt. Çështja është që shkrimi në dialekt përbën veçori në strukturimin poetik të veprës dhe në komunikimin e saj. Mbasi lirika është thelbi i krijimit, atëherë domosdo lirika është edhe krijimi i thelbit. Elementariteti dhe esencialiteti, që karakterizojnë këtë vepër, mund të përkufizohen si liri (poetike) që përmbys retorikën si bindje dhe detyrimin si ideologji. Paradigma (zgjedhja) e të folmes së krahinës mirëkupton ngushtimin e fjalorit, që zgjerohet në metaforë, ashtu edhe sintagmën (kombinimin), që zgjerohet në figurë.

Ljis jetá kishë ndërrúar

është thelbi, zanafilla e veprës poetike. Thelbi i pjesës së parë të poemës nyjëzohet në vargjet e Kangjéljit I:

Ljis jetá kishë ndërrúar,
uj të rī ndë dejtit
kaljthëruar te dit' e rē.


Kangjélji XXX (kënga përmbyllëse e veprës) nis me vargjet:

Friti ēr e máljevet
e rrëzoj hjēn e ljisit:
gjaku im te ljum' i Vodhit.


Kjo gjuhë elementare e formulësuar në gjuhë poetike, nis e sos, e modelon frazën metaforike të vargut të lirë të Milosaos, thekson figurat themelore, të Malit e të Detit, duke u lidhur me kryefigurën e binjakëzuar të Lisit e të Hijes së Lisit, që paraqet jetën (dashurinë) e vdekjen. Në anën tjetër elementariteti i dialektit arbërisht do të bëhet çështje e komunikimit të veprës në shqip. Lexuesit shqiptar për ta shijuar gjuhën e Milosaos i duhet ta mësojë arbërishten ose të kënaqet me adaptime të tekstit në shqipen standarde, pa njohur vlerën origjinare.

4. Rrëfimi lirik i dyfishtë

"Sajova rrëfimin tim lirik të dyfishtë". Kështu i shkruan De Rada mikut të vet në Maqi, më 1834, lidhur me krijesën e vet poetike, që do të botohej në Napoli, me titullin Milosao, dy vjet më vonë, më 1836. Ky rrëfim lirik i dyfishtë, deri më sot ka marrë interpretime të ndryshme. Edhe tani ky venerim mund të provohet në disa nivele. Nëse provohet në nivelin struktural të veprës, rrëfimi i dyfishtë është: rrëfimi autorial e rrëfimi i protagonistit. Nëse kërkohet në nivelin paraqitës, atëherë kjo dyfishsí zbërthehet në dëftimet autobiografike e në dëftimet poetike universalizuese. Nëse shtrohet në nivel të modelit formal krijues, atëherë mund të dallohet shkrimi simbas modelit popullor vendës dhe modelit të kulturës shkrimore. Edhe më tutje, nëse çështja shtrohet në nivelin e cilësimit të subjektivitetit në tekstin lirik, atëherë dyfishsía përfshin atë që në lirikën e këtij lloji quhet personale dhe atë tjetrën që quhet subjektive. Njëra e veçantë, e jetuar si De Rada; tjetra e përgjithësuar, e imagjinuar, si Milosao. Në 14 këngët e para flet uni (i nënkuptuar) i autorit, duke u bërë një me protagonistin e dashuruar. Rina, si protagoniste e dashuruar, me emër përmendet vetëm në Këngën XIV. Në anën tjetër, Milosao si personazh, me emër, përmendet së pari në Këngën XV, në trajtën e vargut: "Milosao: Si ja thōn këtij katúndi". Pastaj në Këngën XVI, Milosao shenjohet tri herë në dialog me Vorean (Veriun – Erën). Në Këngën XXIII, protagonisti del te vargjet: "Milosau: Si një rē me shī të shéghur" dhe "Milosao: Ç'é këjó fjālj? Ëngjël oj vásh"; "Milosao: S'é volá e t'Înzot". Në këngën e fundit, XXX, është përfundimi i veprës në formën "S'é mé e Milosāt". Pra, emri i protagonistit del vetëm në pjesën e dytë të poemës, atëherë kur imagjinohen ndodhitë e tij, madje përshkruhet vdekja e tij.

5. Poema romantike

Vepra e Jeronim de Radës, Milosao, është poezi lirike, e strukturuar në 30 këngë, që të tufëzuara marrin trajtën e poemës romantike. Subjektiviteti i derdhur në shkrim, shkrimi autobiografik, madje heroi autobiografik, emocionaliteti, shpirtësia përpara veprimit fizik, të gjitha janë karakteristika të lirikës romantike, aq sa edhe modeli i krijimit popullor bashkë me mitizimin për zhvendosjen e poezisë në kohë të shkuar. Veçantia e saj është strukturimi lirik, që e bën të hyjë në modelin e këngëve romantike e mesdhetare të dashurisë, që rishfaqen edhe në modernitet. Në këtë pikë ka pasur një moskuptim nga kritika shqipe, që është munduar me çdo kusht të rindërtojë një subjekt, në vështrimin e strukturuar të kësaj tufe lirike. Kësaj mësymje nuk i shpëton as Arshi Pipa, mbase interpretuesi më preciz i lirikës së De Radës deri më sot. Edhe ky, në monografinë e vet Jeronim de Rada, përpiqet të rindërtojë syzheun e veprës, duke propozuar një njësi ndodhie për secilën nga 30 këngët e veprës. Është çështje krejt tjetër struktura dramatike e tekstit, ku kënga këndohet apo artikulohet kryesisht nga heroi, monostrofat këndohen nga heroina, kurse këngët që këndon kori marrin edhe karakterin e antistrofës. Mbi të gjitha, karakteristikat e Milosaos janë rrëfimi lirik metaforik, e në kuadër të këtij prosedimi poetik natyra përherë shenjëzuese e gjendjeve shpirtërore të protagonistëve.

6. Fantazitë në kohë e në hapësirë

Milosao i vitit 1836, me të cilin merremi në këto venerime, botohet me titullin «Poezi shqipe të shekullit XV, Këngët e Milosaos, bir i sundimtarit të Shkodrës», por me titullin vetëm në italisht. As variantet e mëvonshme nuk kanë titull në shqip. Tradita e përkthimit të titullit në shqip ka vijuar e dyzuar deri më sot: a janë këto Këngë të Milosaos apo janë Këngë të Milosaut? Dyzimi mbetet hapur: a ndodh kjo për shkak të origjinës gjuhësore të emrit të personazhit, apo për shkak të skajimit të tij në gjuhë të ndryshme. Sado që titulli paraqitës formalisht këmbëngul në një kohë, në një vend e në një origjinë, që këtu nisin fantazitë deradiane në kohë e në hapësirë, që shpërfaqen në tekstin e Milosaos. Edhe vetë De Rada (autor i moçëm) kur merr mundin t'i ofrojë referenca kohe e hapësire De Radës (autor i ri) rreth zhvillimeve të Milosaos, vetëmsa e shton fantazinë e kohës e të hapësirës. Sepse këto fantazi janë në themel të veprës Milosao të vitit 1836. Çështja është që prosedimi themelor poetik i Jeronim de Radës te Milosao (e kudo tjetër) është i pastër romantik. Kjo do të thotë, moskuptim me realen, grindje me realen, apo përmbysje e saj. Ky konflikt me realen nuk zgjidhet duke imituar atë, por duke imagjinuar atë. Frymëzuesi i madh i zhvendosjeve në kohë e në hapësirë është shpirti shtegtar, që gati kurrë nuk është aty ku është trupi, është përherë në lëvizje për dikund tjetër. Ndodhia nuk është në realitet, po në ëndërr, në imagjinim. Situatat dhe situimet fundamentale në dramatikën dashurore të Milosaos prosedohen apo shpërfaqen si ëndrra e ëndërrime, formalisht e esencialisht. Pra, vetëm vdekja qenka reale?! Edhe kësaj Milosao i De Radës i përgjigjet me figurën e vet fantastike, mu në fund të veprës:

U m'i ljē si ëndërrëz

7. Ëndrra e Ëndërrimi

Mbasi jeta qenka ëndërr, atëherë krejt Milosao mund të jetë ëndërr poetike, edhe dashuria që luhatet në fletë pemësh si në valë deti. Atëherë le të na ndihmojë poetologu frëng Gaston Bashlar që shkroi Poetikën e hapësirës e në veçanti Poetikën e ëndërrimit. Me ndihmën e tij mund të prodhohet paradoksi binar: Ëndrra i përket atij që është i fjetur i zgjuar, kurse Ëndërrimi i përket atij që është i zgjuar i fjetur. Ëndërrimi e Imagjinimi, madje si fiksim. Romantiku i madh frëng, Viktor Ygo do ta thoshte me vargun e vet "Do të ec me sy të ngulur në mendime". E tha vetë Jeronim de Rada, te Parimet e estetikës, që poezia (lirika) është thelbi i artit dhe nuk duron imtësitë, detajet. Prandaj, shpëtimi i lirikës është figura.

8. Mesazhi, Imazhi e Metafora

Milosao është një poezi që lidh në mënyrë asociative mesazhe, imazhe, figura, edhe atëherë kur pretendohet që rrëfen diçka, edhe atëherë kur pretendon që përshkruan diçka. Pamja, gjesti, pasioni, ëndrra, përjashtësia, përbrendësia; të gjitha kthehen në metaforë. Shumica e këngëve nisin me një metaforë përshkruese të pamjes së natyrës, për t'u shoqëruar me një gjendje shpirtërore të heronjve të veprës. Mal e Det, Erë e Ujë, Borë e Ngricë, Blerim e Kaltërsi e, në fillim e në fund, Lisi e Hija e Lisit. Me metaforë shprehet edhe mesazhi final e i tmerrshëm për romanseron e dashurisë, kur e vdes dashnorin për të lindur heroin, dy herë Milosa.

Ljis jetá kishë ndërrúar,
uj të rī ndë dejtit
kaljthëruar te dit' e rē.
(Kangjélji I)

Vreshtat īn të verdhulóre;
erth kā malji dhéljpëra
me të ljodhëta të bíljat
(Kangjélji II)

Ish e diela menát
e i bir'í zonjës madhe
ngjitej tek e búkura
të m'i ljipën një pik uj
(Kangjélji IV)

Çë të vēn ndë deitit
noerīt zëmëra ime?
(Kangjélji V)

Rā borá ndë dejtit,
e më zbardhi vudhëvet
krāghët ë shqitezës
(Kangjélji VI)

Dreq rahjet é dejtit
gëzoj dita e káljthërëz
valévet kopiljevet.
(Kangjélji VII)

Mnīz e vérës bardhulóre
biu një rē monosáqe
për ndë mest gurëvet
(Kangjélji VIII)

Duró zëmër e duró
sā durój málji me bōr
(Kangjélji XI)

Si suvālj ndë deitit
paru e trubul si një málj
nëng rúan mé se anīn
(Kangjélji XII)

Prā çë dieli i rā te shtrati
m'u patáks mixória,
vū njinjé të véshurat
dúal ka rrīj i bir'i zotit
(Kangjélji XIV)

Airí çë ndéqit mōn
friti kā deiti
(Kangjélji XVI)

Fjetat īn të mbītura
dieli i sqépur rêshit,
pā oréks zëmër'e grâvet,
kūr u rroth një shkunduljim
(Kangjélji XX)

Si një rē me shī të shéghur,
mbī katūnd shumë e bārdh
çë së dī ku të pushōnj
(Kangjélji XXIII)

Dī dit mjégul e shī
verën dójn të na réshtëjin
(Kangjélji XXV)

Friti era prapa shpivet,
Motëra ime vógëlja
(Kangjélji XXVI)

Ujtë ghumbur, rā vorea,
malje e shéshe u veshëtin.
(Kangjélji XXIX)

Friti ēr e máljevet
e rrëzoj hjēn e ljisit.
(Kangjélji XXX)

Të gjitha këto pamje të figuruara të jashtme nisin apo sugjerojnë ndodhi e disponime të heronjve të veprës, apo zhvillohen në nivel të dytë të figurës njerëzore.

9. Kangjeli XXX

Kënga XXX e Milosaos (1836) është kënga e fundit e veprës poetike. Po kjo këngë është e fundit edhe në tufëzën e Proto-Milosaos, si kënga XX. Del si këngë e fundit edhe në dy variantet e Milosaos, të viteve 1847 e 1873, ndonëse si kënga XXXVII. Te Proto-Milosao kjo këngë del në një variantë, kurse në tri variantet e Milosaos, kënga përfundimtare ka të njëjtën trajtë, me një dallim të vogël në një varg dhe me një ndryshim të vogël në pikësim. Kjo është kënga më e shkurtër e veprës dhe ka trembëdhjetë vargje.

Friti ēr' e malevet
e rrëzoi hjēn e lisit:
gjaku im te lum' i Vodhit,
ghapni spërvierin
ushtërtōr, u të më shogh
Skutarin e time motër
te finestëra kundrēla.
Më atje së zgjoniem
lulevet çë tundën era
si suvāl' e pa fërnuam.
Mbjidhen shokët mbrëmanet
ndë katund ndë vatërët,
u m'i lē si ëndërrëz.


Duke lexuar këngën XXX të Milosaos kërkojmë të shohim funksionimin e saj në strukturën e veprës, provojmë të bëjmë mikroanalizën poetike, duke kërkuar një pikënisje apo model për leximin e veprës në tërësi.

1. Kjo këngë, në vështrimin e strukturës tekstore të veprës, është kënga përmbyllëse. Në vështrimin e të bërave jetësore të personazhit, është kënga e fundit, kënga e vdekjes. Në vështrimin e zhvillimeve dramatike në vepër, është një epilog. Në vështrimin e imazheve, metaforave e mesazheve, është një përqendrim, koncentrat. Në vështrimin e komunikimit, është kënga e lamtumirës.

2. Kënga XXX e Milosaos përbëhet nga fraza poetike: fraza e parë merr vargjet 1 e 2, fraza e dytë vargun 3, fraza e tretë vargjet 4, 5, 6 e 7, fraza e katërt vargjet 8, 9 e 10, fraza e pestë vargjet 11 e 12, fraza e gjashtë vargun 13. Këto fraza lidhen në një tërësi gjuhësore poetike me motivim në ekstrem. Fraza e parë, në dukje neutrale përnga vetja e artikulimit, vetëm sa i prin një artikulimi vetvetor në frazat e tjera, për të arritur te fraza e fundit e cila është e artikuluar me një unë të sipërtheksuar.

Kështu hyjmë në fushën e gjuhës së motivuar, "gjuhës së zjarrtë" që "shkruhet në kartë" të Naimit si dhe në fushën e komunikimit të bukurisë e të llaftarisë të Lasgushit.

Friti ēr' e malevet
e rrëzoi hjēn e lisit


Është një metaforë binjake me ato që u prijnë këngëve të tjera dhe ka trajtën e ligjërimit eliptik: ngrysje, errësim, eklips i diellit, zhdukje e hijes, të cilën e jep vetëm drita e fortë. Shenja e përjashtme pamore, që prodhon tronditjen e përbrendshme, shuarjen, vdekjen. Është një imazh simbolik i natyrës që hyn në botën e kulturës (njeriut). Ky kalim bëhet me artikulim të përvetësuar dramatik:

gjaku im te lum' i Vodhit

Figura e gjakut te uji, jeta te lumi që rrjedh. Identitet dhe identifikim i thellë, shenjë e të ndodhurës dramatike. Një kumt i zi që shfaqet i qetë pa asfarë klithme. Atëherë zgjidhen fjalët:

ghapni spërvierin
ushtërtōr, u të më shogh
Skutarin e time motër
te finestëra kundrēla


Shfaqet një situatë njerëzore e përkthyer në situim poetik të teatrit jetësor – në pamjen e fundit, ku fiksohen Skutari e motra, vendi e gjaku. Pamja është fantastike edhe ngase është pamje e fundit. Malli e mallëngjimi i pangushëlluar që tashmë dëftohet si vetërrëfim (konfesion) dramatik:

Më atje së zgjoniem
lulevet çë tundën era
si suvāl' e pa fërnuam.


Gjakim dhe tërbim në mes lulesh ku luhet vallja e jetës. Jeta që do të vazhdojë, si mall e mallëngjim, si përherë me pamjet thuaja mitike në nyjat e saj:

Mbjidhen shokët mbrëmanet
ndë katund ndë vatërët,


Dëftesë për vdekjen dhe mall për pavdekësinë e përjetësinë.

Vargu i fundit, ndoshta më i bukuri, më i thelli i artikuluar në trajtë elipse, është thelbi i këngës të lamtumirës:

u m'i lē si ëndërrëz

Jeta një ëndërr, një kalim i shpejtë, një shtegtim i pafré në kohë e hapësirë, një provë personale apo një liri poetike. Kjo është çështja.

3. Kënga XXX, kënga përmbyllëse e Milosaos jep një situatë dramatike jetësore, shprehur me një gjuhë poetike të dramatizuar, në fakt është një monolog, kurse struktura e saj funksionale në vepër e artikulon si epilog. Mbas epilogut nuk ka më. Nisur nga këtu mund të shfaqet vetëm ftesa për lexuesin që vepra të rilexohet në tërësi. Imazhet e gjuhës zbuluese të pamjes së parë të habitshme (në vështrimin e Viktor Shkllovskit); ngjyerat, e blerta dhe e kaltra, era e detit dhe era e malit, udhëtimi i dashurisë e dhembja e tretjes së saj, shprehja pa klithma e invokacione krijojnë një tekst të kthyer në figurë. Me këtë nuk po themi që kënga XXX është kënga përfaqësuese e veprës Milosao, por po përpiqemi të themi që këtu duken cilësitë e stilit të De Radës, botëkuptimi i tij dhe procedimi poetik i heroit autobiografik si dashnor e si dashunues i jetës. Këto shenja duken kudo në këngët e veprës, porse këtu artikulohen në pikën ekstreme, duke përshkruar vdekjen, me mallin e jetës. Sepse e tha vetë Milosao në fund:

U m' i lē si ëndërrëz

Lamtumirë apo Mirupafshim.

10. Kreu i kryeveprave lirike

1. Këngët e Milosaos (1836) e Jeronim de Radës, që në titull e përkufizon lirikën si këngë, e me varg të lirë ritmik këndon dhembjen e dashurisë e vdekjen, duke dalë në ballë të kryeveprave të letërsisë (lirikës) shqipe. Tani, si u trashëgua kjo në lirikën shqipe të autorëve pasrendës në shekujt në vijim për të krijuar rendin e kryeveprave lirike.

2. Naim Frashëri, në librin Lulet e verësë (1890), duke e cilësuar lirikën me metaforën e Lules, artikuloi zjarrin e dashurisë në tufën e lirikave Bukurija, ku emërtimi emocional është kthyer në emërtim estetik. Me një varg të matur e të rimuar shpërthen uni lirik i përvëluar:

Do të shtrihem
Të venitem


ose

Balt' e pluhur
Do të bëhem


3. Gjergj Fishta te Nji lule vjeshtet (1909) këndon lulet e vjeshtës, lulet e varrit. Epiku i bubullimave, tani bëhet lirik i veshur zi për të kënduar mikun, vdekjen e veten. Vajtimi i tij, solemn e i hyjnueshëm, kërkon të pajtojë Egon e Alteregon diku, dikur. Është një vajtim i burrit, që nuk e pajton as Përjetësia, fillim e mbarim:

N'atë rrahe t'dekne mbrenda vorrit t'errshem
Tash plûhen jé


e

...e emni
Sá t'bjere dielli tokës ka me t'u kndue.


4. Ndre Mjedja, në librin poetik me vjersha të rinisë, Juvenilia (1917), spikat poemën Andrra e jetës, duke paraqitur e figuruar kangën gegnisht për ankthin e jetës si andërr në ballafaqim me vdekjen. Drama e Jetës, me aktantë-personazhe-figura: Trina, Zoga e Lokja. Luhet me ritme të reales për të arritur në pamje të metafizikës, me vargun e latuar e metaforën ziplotë:

E n'balkue mbaruene lulet

apo

U shty vjeshta e krisantemi
Vetun vorreve lulzon


5. Zef Skiroi, në veprën Mino (1921), poemë e hartuar me vargun polimetrik, me arbërishten e shekullit njëzet shpërthen në vaj e krenarí personale duke kombinuar lavdinë e mallkimin: dashurinë për birin, Minon, e mallkimin për vrasësin e vendlindjes. Thirrja fillestare:

Këngën ta çilni tesh, o Malisorë

për të bërë gjëmën e vdekjes, vijon me mallkimin për vrasjen e identitetit:

O Katund i poshtër, sa më i lart më parë

duke artikuluar dhimbjen personale për identitetin:

Atë që deja të mos deja e dua.

6. Lagush Poradeci, në librin poetik Vallja e Yjve (1933) i gjithi i krijuar si metaforë, spikat krijimin si mohim të vdekjes, për të strukturuar poemën mendim-thellë Vallja e Përjetësisë. Këtu poezia shqipe (për herë të parë pas Pjetër Bogdanit) shkëlqen fort e ngrihet në lartësinë e Metafizikës shqiptare nëpërmjet figurash konceptuale dhe harmonisë metrike. Ritmi i krijimit ngrihet nëpër shkallët: Lënda dhe Jeta, Fryma dhe Qëllimi, Ndjenja dhe Njeriu, Njeriu dhe Zoti, për të arritur te Përjetësia. Filozofi e njohjes dhe filozofi e poezisë: nga ndjesitë te mendimet:

Jam sot,
Si vjet,
Si mot,
Si Përgjithënjë.


7. Millosh Gjergj Nikolla boton Vargjet e lira (1936), me cikle tematike që emërtohen kangë, por këngë nuk janë ; cikle që lidhen me situata sociale dhe mosha të njeriut, për t'u përmbyllur me kangët e fundit. Shpërthen si shprehje lirike gegnishtja e kursyer si gjuhë në veprim e në kontemplacion, duke nisur me revoltë (që nuk bëhet revolucion) e duke mbaruar me melankoli. Një lirikë kaq tronditëse e poetit të vdekur në rini. U grind me perënditë: Perëndi ku je? E në këtë udhë njohu vuajtjen, frymëzimin, kangën, vetminë, melankolinë, për ta parë, përjetësuar e thirrur Njeriun:

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.

8. Ali Podrimja, në veprën Lum Lumi (1982) krijon një titull metaforik të dyfishtë. Herën e parë si forcim i identitetit (Lumi i Lumit). Herën e dytë si dashuri e adhurim (Lumi i lumturuar). Këto kuptime zbërthehen poetikisht në ciklin themelor Me jetue, në të cilin këndon vdekjen e fëmijës (Lumit), i cili e mëson vdekjen duke imagjinuar jetën. Një edukim më fort tragjik e burrëror sesa sentimental. Podrimja këndon në variacione, me gjuhë që kallëzon, dëfton apo sinkopohet e hesht, deri në mungesë. Fundi, një elipsë:

ike
nga dëshira
për të jetuar


9. Zef Zorba, për dyzet vjet, flet me veten për vetveten, i vetmuar. Dhe lë dorëshkrimin poetik Buzë të ngrira në gaz (1994). Në titull dikotomia e vajit dhe gazit të ngrirë, që shpie përfundimisht në ironi dhe autoironi. Poet i esencialitetit dhe elipsës, krijues i librit poetik, model i poezisë moderne në Shqipëri, Zef Zorba më herët theksoi: Ç'më duhen sytë kur është terr?! Mirëpo, në ciklin e fundit Në zgrip, poeti hapet para vetvetes si para botës, si në një rrëfim para Zotit, që i di të gjitha, duke e parë jetën në zgrip me rezignim e me mallëngjim:

O jetë!
edhe në zgrip,
shtegtarët e tu
gjithnjë të dashurojnë!


10. Lirika moderne shqipe që nis me Milosaon e De Radës, e parë nëpër kryeveprat e saj, dëshmon që edhe kur niset si himn përfundon me elegji. Kjo ngjet ngase sillet në përmasat e Njeriut që Jetën e Vdekjen i sheh nëpërmjet lakimit të Dashurisë, duke kaluar nëpër kodet e llojit poetik. Me gjasë, në këto përmasa sillen edhe kryeveprat lirike të letërsive të tjera.

Fusnota: Milosao i Torontos

Në fund një kujtesë e vogël se si poezia lirike mund të bëhet ndërgjegje kulturore e brezave. Në Toronto të Kanadasë e takova Agimin e Kosovës, që ishte bërë Milosao.

Pse Milosao, mendova.

Gjimnazisti i Prishtinës, në vitet '80, po ikte në Amerikë nëpërmjet një llogori në Napoli. Aty ndërroi emër e vendlindje për t'u bërë Milosao i Fierit, që t'i pranohej emigrimi.

Pse Milosao, këmbëngula.

"Ishte emri i parë që më ra ndërmend, e në të cilin do të përgjigjesha kur të më thërrisnin, edhe pa kaluar katër sekondat që i duhen njeriut për t'u përgjigjur në emrin e ri", - më tha Milosao.

Pranimi i Milosaos së De Radës, si pseudonim, pastaj si emër, pa e ditur hiç, kishte përshkruar identifikimin e tij fantastik me Personazhin letrar; tani edhe me shtegtimet nëpër dherat shqiptare: nga veriu në jug, nga jugu në perëndim (përtej detit), për të mbetur në ujdhesën e largët (përtej oqeanit). Si përsëritet historia: për të mbetur apo për të shpëtuar?




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.4155 sec, 0.0874 of that for queries. DB queries: 39. Memory Usage: 3,092kB