Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Rreth Shkodrës dhe per Shkodrën :: Njerz te Artit dhe Kultures Shkodrane
 
<< Previous thread | Next thread >>
Robert Shvarc - Robert Schwartz
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Thu May 05 2016, 10:54am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Robert Shvarc lindi më 10 dhjetor 1932 në Sarajevë (Bosnjë), nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani. Me ardhjen në pushtet të Hitlerit në Gjermani familja Shvarc u strehua në qytetin e shkodrës ku Robert bëri shkollën fillore.

Më vonë, Robert Shvarc do të bëhej i njohur në Shqipëri dhe më gjerë si albanolog, shkrimtar, përkthyes dhe shqipërues i përkryer i disa kryeveprave të letërsisë botërore, si novelat e Gabriel Garcia Marquez, Erich Maria Remarque, Lion Feuchtwanger, drama të Bertolt Brecht; libra me poezi nga Johann Wolfgang Goethe, Friedrich Schiller dhe Heinrich Heine.

Gjithashtu, Robert Shvarc ka përkthyer në gjermanisht veprat më të mira të shumë poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Për këtë punë të çmuar, Shvarc është nderuar në vitin 1995, nga ambasada gjermane në Shqipëri, me çmimin "Kryqi i meritave gjermane".

Në vitin 2002, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka dekoruar Robert Shvarc me titullin "Mjeshtër i Madh".

Po në vitin 2002, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij, Robert Shvarc është nderuar me titullin "Qytetar Nderi" i qytetit të Tiranës".

Robert Shvarc u nda nga jeta më 25 prill 2003, në Tiranë.

Në vitin 2013, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Bardhyl Lohja, ka nderuar Robert Shvarc (pas vdekjes) me titullin "Qytetar Nderi" i qytetit të Shkodrës.





Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu May 05 2016, 11:00am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Tingëllimet e plagueme - Robert Shvarc

Po flen qyteti, vlla, dremit qyteti...
Nuk ka as dritë, as hapat nuk kërcasin,
veç val’t e qeta, ku andrrat i tret deti...
Sa vjet kaluen, vlla, qëkurse mbeti

nji zemër kndej plague – e nji coptue
përmbas prangoresh, n’rininë e saj shitue,
me dhimbë krenare, që asnji kangë poeti
ndër tela t’lyrës s’mundet m’e u naltue...

Po flen qyteti, vlla… Në breg ku rrimë
e lehtë përpëlitet vala-virgjineshë,
e don me folë, e don me na tregue

si netët shkojnë, e andrrat veç nji grimë
na puthin n’ballë, e ikin tue u qeshë...

- 2 -

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb...

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?...

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!...

-3 -

Mos pyet pse syt’e mi janë të trishtuem
n’pranver’n e bardhë të vjeteve të mia,
ata nuk dijnë t’shpërthejnë ndër mij shkëndia,
ata nuk dijnë si brof nji shpirt i gzuem...

Mos pyet pse hapat e mij i drejtoj
kah krah’t e butë, përkdhelës të vetmisë –
Ç’më duhet mue njaj gazi i rinisë
Kur gazi s’asht çka unë i trishtë andrroj?

Kush gjen çka zemra i lypë në këte shekull
ku vlerë nuk kanë as lotët, as betimet,
ku jeta lot me ty porsi n’nji shrregull

e gazi lind atje ku janë idhnimet?!
Mos kqyr pra, e dashtun, ti ndër syt’ e mia
unë s’mund t’dhuroj atë çka lypë rinia.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu May 05 2016, 11:03am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Falmë - Robert Shvarc

Oh, falmë, falmë pse kërkoj
prej teje unë dashurinë
e dhëmshurisht pse të qortoj
në çastet-vrer, kur shpesh harroj
se ty ta vranë rininë...

Esht’malli im gjithë pikëllim
që djeg e bren aq pushtetplot
e kur s’e gjen ate flijim
që e njeh aq fort në shpirtin tim,
i mbeten veçse lot!

Ësht’ zemra ime q’u mësua
çdo rrahje t’sajën ta durojë,
që kurrë s’i tha njeri “të dua!”
që u ndez përherë dhe u shua...
pse di të dashurojë.

E pra më fal e dashur ti,
tani t’kuptoj unë ty më mirë:
çdo çast dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s’kam mall, s’kam dashuri,
s’kam gaz, s’kam më dëshirë!

Oh falmë, falmë mikja ime,
s’do t’i lëndojmë ne kurrsesi
k’to plagë që s’duan ngushëllime,
që duan t’mbeten veç jetime
ashtu si unë, ashtu si ti...

që don të mbetet si jetime,
...krenare pa njeri!


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu May 05 2016, 11:08am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Tingëllim për Shkodrën - Robert Shvarc

Ah, Shkodra jeme, ma s'po jam tue t'njoftë
kaq fort rinuem je, kaq fort e plakun!
Gjithmonë jam mësue që Ti t'ma ndezish gjakun,
por tash acari po m'përgjethë, kam ftoftë!...

S'asht hera e parë që rrugëve tueja endem,
përmbas kujtimeve t'fëminisë tue nga:
se kurrë në zemrën teme s'paska prà
kanga për Ty. E, para se të çmendem

nga dhimbja e marazi e ngujimi,
nga vorret që po çilen kaq mizore
tue m'i përpi të dashtunit e mi,

po due me t'përshndetë në shenj' nderimi
edhe ktë herë, o Shkodra jeme prore
sa e madhnueshme n'Dashtni, aq dhe n'Idhni!


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun May 08 2016, 01:58pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Lulet e mundimit - Robert Shvarc

Si nuk po vyshken lulet e mundimit,
si s’po mbaron kjo natë e brengës sonë
o mike e dhëmshur, vallë gjithëmonë
do jemi fli e lotit, e trishtimit?

Atje ku ankthi vret me pa mëshirë,
atje ku shpresa zhduket sa po vjen
e pikëllimi zemrën nis e bren,
ne endemi të dy – me sy të ngrirë,

e këta sy vështrojnë rreth e rreth,
por vesa s’ndrin e ëmbël përmbi gjeth
e paqja shpirtin krejt e ka harruar...


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Jun 13 2016, 09:28pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ju tregoj Robert Shvarcin, eruditin e çuditshëm të racës së shkrimtarëve

Ne u njohëm në fillim të viteve ‘50, në Institutin e Lartë Pedagogjik, qysh në vitin e parë. Unë atëherë isha student në degën gjuhë-letërsisë shqipe, kurse Berti, ndonëse kishte moshën e shkollës, në vend që të ndiqte studimet, punonte si daktilografist në administratën e Institutit. Atëherë nuk u shtyva gjatë se përse ndodhte kjo gjë. Ndoshta për arsye familjare apo dhe për arsye të tjera, që unë i mësova me kohë, por që prapë nuk u dhashë rëndësi. Afrimi ynë do të vinte nga një rrethanë krejt rastësore. Në Institut ishte ngritur rrethi letrar dhe dilte një gazetë muri letrare. Rrethi ynë do të dallohej në mes rretheve letrare të kryeqytetit dhe do të kishte kujdesin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Studentë të Institutit gjatë kësaj kohe do të ishin edhe disa letrarë të rinj, që më vonë u bënë shkrimtarë me emër. Anëtar i rrethit, ndonëse nuk ishte student, do të qe dhe Berti. Në Institutin tonë bëhej një jetë e gjallë letrare. Veç gazetës së murit, zhvilloheshin herë pas here diskutime, takime me shkrimtarë, debate për librat. Ne të rrethit letrar patëm madje dhe një takim me albanologun gjerman M. Lambertz. Atëherë mora vesh për herë të parë se Berti dinte gjermanisht, kur auditori e dëgjonte fjalën e mysafirit të shquar nga përkthyesi. Në këtë atmosferë pra, ndodhi afrimi im me Bertin dhe shkak për këtë u bë gazeta e murit e më pas një almanak jetëshkurtër i shaptilografuar, që filloi të nxjerrë Instituti. Unë do të isha një nga redaktorët, kurse Berti do të merrej me daktilografimin e materialeve. Duke qenë thuajse bashkëmoshatarë dhe të dy të dashuruar pas letërsisë, ky bashkëpunim do të na bënte të miqësoheshim. Mbaj mend se, qysh në bashkëpunimin e parë, ai jo vetëm tregoi një korrektësi shembullore, por kreu dhe korrekturën letrare dhe e shtypi bukur e pastër. Kuptova se nuk ishte thjesht daktilografist, por më shumë se kaq, bile përtej nivelit të një studenti. Një djalë i zgjuar e i kultivuar, që lexonte në gjuhë të huaja, sidomos në gjermanisht, por dhe në italisht e frëngjisht, që jepte e merrte me libra të autorëve, që ne shokët e tij i njihnim pak ose aspak, dhe kjo ngjallte kureshtjen tonë rinore. Ndryshe nga ne që njihnim më shumë letërsinë ruse e atë lindore, ai kish njohje të letërsisë perëndimore. Këtë do ta vija re në fillim nga bisedat e tij, ku ndjehej kultura e leximeve, të cilën ai e manifestonte natyrshëm, por pak me droje, kurse më vonë nga përkthimet që bënte dhe m’i jepte dorazi. Duke m’i dhënë ato në konfidencë, u krijuan dalëngadalë raporte miqësore, që kishin në bazë kryesisht interesat tona letrare. Nuk di të kemi biseduar ndonjëherë për politikë, jo vetëm se na mjaftonte letërsia, por dhe për faktin se ai dukej një natyrë apolitike, i tërhequr, që i anashkalonte këto tema, megjithëse atmosfera e kohës ishte e mbingarkuar me politikë. Një qëndrim i tillë i Bertit, vërehej dhe në zgjedhjen e autorëve dhe shkrimeve që përkthente. Qenë tregime e poezi larg kohës sonë, zakonisht nga letërsia klasike gjermane, franceze e italiane. Këto u jepnin marrëdhënieve tona diçka të veçantë, i bënin ato joshëse e disi intriguese, ushqenin pasionin dhe ëndrrat tona letrare. Pra, Berti u bë për mua dhe rrethin tim të ngushtë burim i një letërsie tjetër, që ne e lexonim me interes dhe kureshtje. Aq më tepër se përkthimet e tij, po të mendosh moshën, ishin me nivel, të bëra me shije dhe dorë të sigurt, me një gjuhë të bukur e të rrjedhshme. Më kanë mbetur në mendje fletët e këtyre përkthimeve, në ngjyrë herë rozë, herë të kaltra, të shtypura bukur, dhe të një formati. Kështu, lexova një tufë tregimesh të zgjedhura të Mopasanit, që më lanë mbresa të thella. Ndoca poezi të Hajnes e të Gëtes, që më habitën për nivelin e shqipërimit, duke e krahasuar me gjuhën e punimeve tona letrare.

Çeta e përkthyesve, çetë profetësh

Shtëpia jonë botuese, atëherë, kish pak hije të rëndë. Ishte një institucion me autoritet e me kërkesa, sidomos në fushën e përkthimeve, ku punonin emra të nderuar, personalitete të kulturës shqiptare të së kaluarës si L. Poradeci, M. Kuteli, S. Caci, S. Luarasi, V. Kokona, etj. Kjo çetë përkthyesish të kualifikuar po i jepte kulturës shqiptare vepra të shquara të letërsisë botërore, të epokave dhe vendeve të ndryshme. I vetmi kujtim që kam prej kësaj kohe nga Berti, është ndërhyrja e tij për të më rekomanduar Amik Kasoruhon, një shok të tij të Politeknikumit, për ta aktivizuar si përkthyes. Unë i premtova, por pastaj doli që s’mund ta ndihmoja dot. Amiku sapo kish dalë nga burgu dhe Berti e mbante në shtëpi. Ç’është e vërteta, ai ishte në nivelin e tij, dinte disa gjuhë dhe shkruante një shqipe të bukur. Por këto nuk mjaftonin për ta marrë si përkthyes. Atëherë u gjet një zgjidhje. Në atë kohë kishim një sektor në shtëpinë botuese, ku bëheshin përkthime kryesisht për përdorim të brendshëm, të porositura nga dikasteret. Këto do të qenë përkthime nga rusishtja, të cilën Amiku e kish mësuar në burg. Në mos gabohem, ai punoi afro një vit dhe pastaj u bë problem dhe e larguan. Megjithatë, ai do të ma dinte për nder dhe, sado që e degdisën në Gosë të Kavajës, do të përkthente letërsi artistike për vete, ashtu si Berti, dhe, sa herë vinte në Tiranë, do të më sillte ndonjë nga përkthimet e tij. Më mbeti për shumë vite një cikël tregimesh të mrekullueshme të shkrimtarit spanjoll B. Ibanjez, të cilat ia ktheva pas viteve ‘90, dhe ai i botoi, duke përmendur dhe rrethanat e fatit të dorëshkrimit. Gjithë sa ndodhi me Amikun, sikur e vuri në pozitë të vështirë Bertin me mua, por, për hir të së vërtetës, e kaluam në heshtje dhe nuk ia përmendnim njëri-tjetrit. Nga kjo ngjarje do të njihja më mirë karakterin e Bertit. Ai nuk i kish braktisur shokët e vjetër dhe për ta ndihmuar vinte në rrezik dhe pozitën e tij.

Megjithëse shikohej vëngër, ai s’e ndali punën

Në fakt, me kalimin e kohës pozita e Bertit sikur u përmirësua. Nuk punonte më daktilografist, po përkthyes në Radio- Tirana e më pas në Drejtorinë Qendrore të Turizmit si shef i sektorit të marrëdhënieve me jashtë. Ndërkaq unë vazhdoja të punoja në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ishte fillimi i viteve ‘60, kur do të prisheshin marrëdhëniet me BS dhe zunë të fryjnë erërat e një farë liberalizmi. Në shtëpinë tonë botuese ndodhën ndryshime. Erdhi drejtor Drago Siliqi, një miku im i ngushtë, poet e kritik letrar, njeri i kulturuar dhe guximtar. Mua më emëruan shef të redaksisë së letërsisë së huaj, një sektor me goxha punë dhe probleme delikate. Do të krijohej kështu një atmosferë tjetër dhe ne, duke përfituar nga orientimet e reja, që na vinin nga lart, do të guxonim të bënim diçka ndryshe nga ç’ishte bërë më parë. Në planet dhe praktikën tonë do të përfshiheshin vepra jo vetëm nga letërsia klasike dhe ajo ruse, por dhe nga letërsia perëndimore e, ç’është më e rëndësishme, autorë bashkëkohorë. Të kësaj kohe do të jenë librat, që botuam nga krijimtaria e E. Heminguejt, P. Eluarit, T. Manit, P. Nerudës, K. Mensifldit, U. Sarojanit etj.. Hyrja në qarkullim e këtyre autorëve e gjallëroi jetën kulturore shqiptare dhe kjo do të na inkurajonte ne si botues. Do të viheshim në kërkim të veprave, sidomos bashkëkohore, duke u konsultuar me katalogë të huaj, me shkrimtarë e bashkëpunëtorë të jashtëm. Merrnim dhe jepnim me vepra të huaja, i lexonim dhe shkëmbenim mendime brenda dhe jashtë redaksisë, pastaj i kalonim nëpër shoshën tonë, në bazë të kritereve ideo-politike, që na kishin dhënë. Ndihej një lloj çlirimi, që tani nuk ishim më nën tutelën e kulturës sovjetike dhe se parësore për ne ishin interesat e kulturës sonë kombëtare. Kjo natyrisht kërkonte kurajë, përgatitje, forcë argumentuese për t’u dhënë veprave që përktheheshin, pasaportën politike. Në këto rrethana që u krijuan, kur puna me bashkëpunëtorë të jashtëm u intensifikua, unë e afrova Bertin. Ai tanimë jo vetëm kish dhënë prova të hershme si përkthyes i aftë, por, duke qenë në një farë mënyre në kontakt më botën e jashtme, ne kishim nevojë për ndihmën e tij, posaçërisht për letërsinë gjermano-folëse. U takuam disa herë, biseduam e diskutuam dhe kësisoj filloi bashkëpunimi. Na duhej një vepër nga letërsia bashkëkohore gjermane dhe Berti propozoi e recensionoi disa libra, nga të cilat u zgjodh romani “Lakuriq në mes të ujqërve” i shkrimtarit Bruno Apitz, një vepër e vlerësuar lartë në Republikën Demokratike të Gjermanisë dhe e përkthyer në shumë gjuhë. Ajo bënte fjalë për kampin famëkeq të Bukenvaldit, jepte skena e situata tronditëse, duke vënë në qendër karaktere të fuqishme, me një frymë humaniste, po dhe stigmatizuese ndaj murtajës naziste. Kjo do të ishte arsyeja kryesore e përzgjedhjes së veprës, por ndikoi dhe fakti që aty përmendeshin shqiptarë, siç qe dhe rrethana tjetër favorizuese, që lidhej me vetë Bertin. Ai ndjente një detyrim shpirtëror karshi njerëzve të tij të afërt, që e kishin pësuar nga holokausti antisemit, prandaj e mori menjëherë përsipër për ta përkthyer. Mbaj mend që do ta përjetonte thellë përkthimin e romanit, si një vepër tejet realiste, e ndryshme nga veprat romantike që kish përkthyer deri atëherë. Bile, kërkoi e shkroi edhe parathënien e librit, duke i cilësuar kampet naziste njollë të turpshme në historinë e njerëzimit, një kujtim i urryer, që brezat mos ta harrojnë kurrë.

Robert Shvarc

Përpara se ta njihja nga afër Robert Shvarcin, i dëgjova emrin dhe emri i tij, ose më saktë mbiemri, më tërhoqi vëmendjen. Më tingëlloi krejt i huaj, një mbiemër që s’kish të bënte fare me onomastikën shqipe. Më ka mbetur në kujtesë pamja e tij, trupi i hollë pak i hajthëm, me lëkurë të ullinjtë, sidomos sytë e zinj, tepër të thellë, shkëndijues, që rrezatonin inteligjencë e mirësi. Kish diçka të veçantë, që s’ishte shqiptare, as ballkanike, që s’dita ta përcaktoja menjëherë, por shpejt e mora vesh se ai ishte me origjinë hebreje nga i ati, kurse nënën e kishte shqiptare nga Elbasani. Një simbiozë fatlume, ku të dyja rrënjët të bashkuara në një, do të lidhnin tek ai ato frute që i njohim tanimë. Vetë Berti do të ndjehej krenar për të dyja rrënjët dhe këtë do ta dëgjoja jo njëherë prej tij. I ati vinte nga një familje e vjetër hebreje, me tradita intelektuale dhe histori të çuditshme, me një gjysh, protagonist tipik i kalvareve hebraike. Të parët e tij, të ardhur nga Vjena, kishin lëvizur nëpër Evropë nga Polonia në Spanjë e nga Austria në Sarajevë, mbasi kishin shkelur deri në SHBA e Australinë e largët. Pas gjithë kësaj aventure, në kërkim të fatit të tyre, ata qenë vendosur në Shkodër, ku Roberti kish ardhur foshnje i lindur në Sarajevë. Këto të dhëna të jetës së Bertit do t’i merrja vesh shumë vonë, bile nga fundi i jetës së tij, kur ishim në një moshë, që do të gërmonim pa dashur në jetën e njëri-tjetrit. Sepse në rininë tonë të hershme as na shkonte mendja për këto gjera.

Berti shkrimtar

Për afro dy vjet, Bertin do ta njihja kryesisht si përkthyes. Sado e çuditshme të duket sot, nuk më kish shkuar ndër mend që ai para se të ishte përkthyes, duhet të ishte letrar doemos, por ja që nuk isha shtyrë më thellë. Kur një ditë u takuam në korridoret e Institutit dhe ai më jep një tufë letrash të daktilografuara. I mora për përkthime, ndërsa ato qenë vjersha origjinale të Bertit, motive dashurie dhe të natyrës, të shkruara me frymëzim dhe një varg të sprovuar. Më shumë se poezinë e kohës, ato të kujtonin poezinë e paraçlirimit, ndihej ndikimi i shkollës poetike të Shkodrës dhe kjo më bëri përshtypje. E, megjithatë, e urova dhe e përgëzova, bile i thashë t’i botonte, kur ai për çudinë time refuzoi menjëherë. “Jo, – ma priti, – i kam shkruar për vete dhe për ndonjë shok”…Vetëm pas një viti, me këmbënguljen time, ai do të botonte ciklin e parë me vjersha ne “Zërin e rinisë”, për të cilin do të më shprehte mirënjohjen nën një dedikim që e kisha “zgjuar nga gjumi ku kisha rënë”.

Me të mëdhenjtë, të huaj dhe shqiptarë

Nga gjermanishtja, para Bertit përkthenin Skënder Luarasi dhe Lazgush Poradeci, por kur erdhi Berti u intensifikua puna. Tani jo vetëm përkthehej nga gjermanishtja në shqip, por edhe nga shqipja në gjermanisht. Është Berti, ai që, me përkthimet e tij ka nxjerrë i pari “jashtë shtetit” Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Rexhep Qosen, Fatos Arapin, Xhevahir Spahiun, Gaqo Bushakën etj. Libra të përkthyer nga gjermanishtja. Nga Erih Maria Remark: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës, Obelisku i zi; nga Lion Fojtvanger: Çifutja e Toledos, Fransisko Goja; nga Bruno Apic: Lakuriq në mes të ujqërve; nga Leon Uris: Eksodi; drama të Bertolt Brehtit: Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Hajnrih Hajne: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada

“Etjes ujin mos ia trego, kur nuk i jep as edhe një pikë”

Berti, në fakt, bënte jetën e krijuesit, duke shkruar vjersha dhe tregime, edhe pse nuk tregonte ndonjë zell për t’i botuar. Ishte kjo një punë në hije, që s’para i pëlqente ta publikonte, kurse për të mbetej pasioni i jetës së tij, me të cilin po bënte emër në rrethet letrare. Por dhe përkthimet, më shumë se i botonte, i daktilografonte dhe i qarkullonte dorazi në mes shokëve të Institutit e më gjerë. Ai gëzonte respektin e të gjithë atyre që e njihnin si për talentin, ashtu dhe për formimin e tij intelektual, ndonëse ishte autodidakt. Në këtë formë kish diçka të veçantë, që s’e kishim ne të tjerët dhe që për mua atëherë ishte mister. Cilat qenë burimet e kulturës së tij, që e bënin në rrethin tonë të ngushtë një bashkëbisedues interesant e të përgatitur, me gjykime dhe shije pak a shumë origjinale. Ai tregonte që e njihte letërsinë shqipe të traditës, sidomos atë të veriut, por mbi të gjitha letërsinë e huaj, për të cilën ne kishim zbrazëtira. I tillë ka mbetur Berti në kujtesën time nga koha e studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik, gjatë viteve ‘50 të shekullit të kaluar. Shoqërinë me Bertin do ta vazhdoja edhe pasi mbarova Institutin dhe u emërova redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Sigurisht, kontaktet nuk do të qenë ato të parat, por prapë ne jepnim dhe merrnim me njëri-tjetrin. Ai nuk më harronte, duke më dhënë nën dorë përkthimet që bënte, ndonëse unë tani kisha shkuar te burimet ku botohej letërsi, sidomos ajo e huaj. E megjithatë, përkthimet e Bertit më tërhiqnin, sepse më dukeshin sikur ndrynin diçka të fshehtë, por dhe për faktin se letërsia e tij qe disi e ndryshme nga ajo që botohej. Më kujtohet prej përkthimeve të tij të asaj kohe një cikël vjershash lirike të një poeteshe franceze, nga e cila më ka mbetur në mend distiku “Etjes ujin mos ia trego / Kur nuk i jep as edhe një pikë”. Për këto vargje Berti do të më thoshte: “Është një këshillë për vajzat lozonjare!”

Nga Nasho Jorgaqi/Dita trokit ketu

[ Edited Mon Jun 13 2016, 09:39pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Feb 13 2017, 01:37am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Edvin Shvarc: “Në hijen e një babai të njohur”


Flet Edvin Shvarc, djali i përkthyesit të madh, Robert Shvarc. Ai tregon sesi ishte të jetoje me një artist që në lind je e deri në vdekje, se cilat ishin mësimet më të mira dhe defektet e tij. Edvini është përkthyes, që nuk zgjodhi të përkthente nga e njëjta gjuhë që përkthente i ati, nga gjermanishtja, por preferon të sjellë në shqip kryeveprat e letërsisë anglo-saksone, tregon se si e shihte figurën e babait. Sot, sigurisht, që personazhet dhe heronjtë pozitivë po na serviren nga ekranet e shumta dhe kompjuterin që kemi në shtëpi, mbase edhe këtyre duhet t'i vihet në dyshim "pozitiviteti", por dikur, jo shumë kohë më parë, por pak vite më parë, njerëzit kanë pasur në mendje heroin e tyre pozitiv. Për Edvinin ishte Roberti, me të mirat dhe të metat e tij, që gjithçka i tregon në këtë intervistë për "Summer Pages". Ndërsa Roberti ishte përkthyes profesionist, paradite punonte për të mbajtur familjen dhe pasdite punonte për kënaqësinë e vet. Edvini nuk është se ndryshon shumë, paradite ai punon si drejtor i informimit publik dhe i Marrëdhënieve me Jashtë në Presidencë, ndërsa pasdite përkthen nga anglishtja.



Robert Shvarc



Si mund ta përshkruani figurën e babait tuaj?


Figura e tij më është skalitur në kujtesë dhe e tillë do të mbesë gjithmonë, siç e kam pikturuar dikur me lapsa kinezë me bojëra: një burrë zeshkan e shtatshkurtër, gjithmonë i veshur shik (veshje dhe pamje, për të cilat është kujdesur ime ëmë me shumë përkushtim e me shije të hollë), me kostum dhe kollare të pandashme, me një pardesy ngjyrë ulliri të errët, me kapelen e zezë republikë ngahera majë kokës dhe me cigaren që s'i shqitej nga buzët ironike, megjithëse për një periudhë kohe pinte duhan edhe me llullë. Një njeri i mistershëm nga jashtë e fjalëpak, për ata që nuk e njihnin, me një koracë mbrojtëse të padepërtueshme, por tepër i butë e i ndjeshëm nga brenda, sidomos ndaj padrejtësive të çfarëdolloji, me parime të forta e të palëkundura, që mbante gjithmonë fjalën e dhënë edhe pse shpeshherë mund t'i duhej të sakrifikonte diçka apo shumëçka nga rehatia e vet. Një njeri që e kuptonte vetë i pari kur e kishte gabim, por që rrallëherë bënte prapakthehu. Një baba i rreptë, por gjithsesi një prind krenar për të birin, i kujdesshëm deri në kulm për familjen, për mirëqenien e saj si dhe për mënyrën se si do t'i rritej trashëgimtari i vetëm, por mund të them që nuk dinte të përkëdhelte, megjithëse im atë ka mbajtur ditar për njëfarë kohe kur kam lindur unë.


Kujtimet e para nga fëmijëria. Kush jua ka vënë emrin dhe a ka ndonjë kuptim?


Ata që më njohin mirë, shpesh ma vënë në dukje se unë vuaj nga një kujtesë paksa të çuditshme, një kujtesë përzgjedhëse deri në kufijtë e të pazakonshmes. Gjyshin tim, i cili jetonte në Shkodër dhe mbante marrëdhënie nga larg me të birin e madh nëpërmjet një letërkëmbimi që shkruhej rreptësisht në gjermanisht, e kam takuar veç një herë, kur erdhi në Tiranë të shihte të njihte nipin. E mbaj mend kështu si në tym, por nga ai kam trashëguar jo vetëm tiparet fiziologjike e finotipike, por edhe dashurinë për kafshët në përgjithësi dhe kuajt në veçanti.


Ndërsa kujtimet e para të tim ati kanë të bëjnë me shëtitjet me biçikletë, teksa unë rrija urtë në një kosh metalik të montuar pranë timonit, harlisjet në parkun e lojërave te rruga e "Elbasanit", ku qejfi im ishte që të bëja xhiro me pajtonin e tërhequr pa përtim nga gomarica e lezetshme dhe e paharrueshme, Liza, pushimet me pikatore në plazhin e Durrësit, (sidomos zënia rrallëherë e një dhome në hotel "Adriatik") dhe librat, librat e panumërt. Natyrisht që dikur do të më duhej ta pyesja edhe për emrin tim, se nga i kishte ardhur ideja dhe historia që pasoi ishte shumë e veçantë: "Dikur në vitet '60-të, kur punonte në degën e Turizmit, në Sarandë kishte shpëtuar një turist anglez nga mbytja. Dhe meqë ai e kishte pasur emrin "Edwin" që në anglo-saksonishten e vjetër nënkuptonte "shok i mirë, zemërgjerë", i ra ndërmend t'ia vinte pikërisht atë emër të birit të tij të vetëm. Nuk më takon mua të gjykoj nëse e kam përmbushur pritshmërinë e kuptimit të emrit apo jo, por u takon atyre miqve e shokëve, të cilët i japin vlera e ma pasurojnë jetën time përditë.


Më kujtohet që aty nga viti 1977, kur na dhanë më në fund një apartament në saje të kërkesës së babait tim dhe këmbënguljes së nënës sime, me tim atë pajtuam një taksi te Banka dhe shkuam në rrugën e "Kavajës", tek familja Balla, për të marrë librat e tij, që jo vetëm peshonin shumë, por shumica ishte e shtypur në gjermanishten e vjetër me germa gotike. Mes atyre librave, disa prej të cilëve do t'i shfletoja me ëndje më vonë, më tërhiqnin aventurat e shkruara nga Karl Mai, i cili jo vetëm kishte përshkruar me detaje jetën e indianëve lëkurëkuq të Amerikës, por kishte portretizuar edhe shqiptarët pa vënë kurrë këmbën në viset tona.


Gjithashtu më kujtohet se si kur ecnim rrugëve, ai, duke më mbajtur përdore, përshëndeste aq shumë njerëz, saqë mua më kishte mbirë në kokë ideja e gabuar se im atë duhej të njihte të paktën gjysmën e banorëve të Tiranës, të cilët në atë kohë kapnin një shifër rreth dyqind mijë vetë! Në rrugë dhe kudo çapitej i përhumbur thellë në mendimet e hallet e veta, por rrezatonte fisnikëri dhe qetësi, paçka se përbrenda edhe mund të vlonte e shpeshherë shpërthente me një nervozizëm që i fashitej shpejt.


Si ka qenë jeta me të?


Tërheqëse, e pasur me ngjarje mbresëlënëse, prej të cilave kishe gjithmonë se çfarë të mësoje apo të përmirësoje, por njëkohësisht edhe e ndërlikuar. Kishte diçka të veçantë tek ai si njeri: sytë e zi plot shkëlqim, që po të dije t'ia lexoje, mund të të shërbenin si një burim i pashtershëm të dhënash, emocionesh, reagimesh impulsive, dashurie dhe ndjenje të pashprehur dot me fjalë apo me gjeste, sidomos kur qeshte apo kur ishte në humor. Sytë e tij në formë bajameje, të trashëguara nga e ëma elbasanllije, ishin me të vërtetë pasqyra e shpirtit të qashtër të tim eti. Më tepër, tim atë si njeri, unë e kam njohur nga marrëdhëniet dhe rrëfimet e të tjerëve, miqve, të afërmve, kolegëve, bashkëkohësve (duke pasur parasysh këtu që edhe një të tretën e jetës sime e kalova larg tij, në mërgim) si dhe nga librat që kishte zgjedhur të përkthente apo poezitë që shkruante herë pas here. Kohët e fundit u botuan dy libra me poezi "Vargje të pluhurosura" nga Robert Shvarci dhe "Strehë nga stuhia" nga Bob Dilani.


Duke i lexuar me kujdes, pikas shumë ngjashmëri, jo vetëm në temat që kanë trajtuar, të cilat turbullojnë dhe ngjallin reagim tek çdo njeri sadopak i ndjeshëm e me shpirt artisti, por edhe tek përdorimi i figurave letrare dhe përfytyrimet e njëjta. Ndoshta ngaqë kishin emrin e përbashkët Robert, apo ndoshta edhe nga që ndanin prejardhjen deri diku të njëjtë hebreje me origjinë të largët nga Galicia e vjetër e fundshekullit XIX.


Nuk më ka folur për fëmijërinë e tij, për ulje-ngritjet në jetë, të cilën e ka pasur shumë të tallazitur, duke e veshur marrëdhënien baba-bir me një tis të dendur misterioz. Gjithçka e kam mësuar vetë duke pyetur sa andej-këtej, duke lexuar e shfletuar që i vogël gjëra që ndoshta nuk i përshtateshin moshës sime. Romanin e Remarkut "Harku i Triumfit" që kishte dekada që nuk lejohej të botohej, por që kalonte e shfletohej dorë më dorë nëpër Tiranë, e kam lexuar në fillimin e viteve '80-të, brenda një nate, kur të dy prindërit e mi gjendeshin në Shkodër për të varrosur gjyshen. Ndërsa, romanet e tjera kam pasur rastin t'i lexoj me nge duke zbuluar faqe pas faqe ngjasime rastësore me tim atë dhe tipin e tij të veçantë. Për të kishte kuptim miqësia e vërtetë dhe e sinqertë, shumë e ngjashme me atë të "Tre shokëve", sakrifica pa interes, dashuria dhe ndjenjat e pastra njerëzore si ato të Ravikut me Xhoanën tek "Harku" apo një lloj "kameraderie" e pazgjidhshme dhe e përjetshme si tek "Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit".


Tek ai mund të gjeje të njëjtin pasion për artin dhe etje për të arritur përsosmërinë si tek Goja i portretizuar nga Fojtvangeri në romanin "Rruga e mundimshme drejt njohjes" apo shpërthim revolte ndaj padrejtësive si tek "Kryengritja e të varurve" të Travenit. Mund të dalloje lehtësisht dhe qartazi edhe shpirtin lirik e romantik që i vlonte përbrenda apo prejardhjen e pagabueshme nga Evropa Qendrore të përshkruar aq mjeshtërisht nga Cvajgu. Nga ana tjetër, përçonte natyrshëm edhe ndikimet letrare dhe përkujdesjen për gjuhën shqipe që i kishte përvetësuar nga: Noli, Fishta, Mjeda, Migjeni, Kuteli apo nga mjeshtrat e hershëm të shqipërimit.


Të mirat dhe të këqijat e tij?


Njeri tepër i ndjeshëm e i papërkulshëm, me sensin e vet solomonik të drejtësisë, jo të hakmarrjes biblike-hebraike "sy për sy e dhëmb për dhëmb". Njëfarë "heroi pozitiv" i kohërave të perënduara, besnik deri në vdekje i idealeve të brezit të tij dhe parimeve të forta e patjetërsueshme morale dhe etike. Nga ana tjetër, shumë njerëzor e i brishtë dhe si çdo vdekatar i zakonshëm, me të mirat dhe të këqijat e veta, veset dhe huqet, për të cilat duhet të ishe shumë i kujdesshëm dhe nganjëherë duhej të mbyllje të dy veshët e të dy sytë për të mos ia vënë re. Megjithëse, duke qenë të dy me karakter të fortë dhe këmbëngulës, kemi pasur edhe ne përplasjet e mosmarrëveshjet tona ndër vite, por pa qeder e pa pasoja. Fati i tij i madh ka qenë martesa me nënën time, një grua e mençur dhe plot durim, një artiste më vete, e cila ka meritën e vet të padiskutueshme në suksesin profesional dhe njerëzor të Robert Shvarcit. Gjithashtu, Zoti e bekoi edhe me miq e shokë të mirë, besnikë e fisnikë, të cilët ai vetë diti t'i përzgjidhte me një sy të mprehtë e zemër të gjerë.


Ngjashmëritë dhe dallimet mes jush?


Nuk di ç'të them, gjithsecili ka veçoritë e veta, edhe kur janë babë e bir. Po më duket vetja sikur jam në divanin e psiko-analistit, ndoshta sepse Frojdin ka shumë gjasa ta kemi pasur kushëri të largët... Përveç ngjashmërive fiziologjike, ndiqnim të dy të njëjtën metodë pune në përkthim: tekstin e përkthenim njëherë me dorë, pastaj e shtypnim (ai dikur në makinë shkrimi, unë tashmë në kompjuter) dhe e redaktonim duke e korrigjuar disa herë para se të shihte dritën e botimit. Mund të them që të dy ndanim të njëjtin ves të keq të duhanpirjes, të idealizmit të dalë jashtë mode. Gjithashtu të dy e nxirrnim bukën e gojës duke punuar si përkthyes profesionistë ditën për shtetin shqiptar, ndërsa pasdite apo natën u kushtoheshim përkthimeve letrare.


Sa për dallimet ka plot, duke filluar që nga gjuhët që zgjodhëm për profesion (ai gjermanishten, unë anglishten), e deri tek këndvështrimet e ndryshme për jetën dhe botën që na rrethon. Për shembull, duke qenë njeri i vetënxënë, im atë nuk e ndiente veten të aftë t'i mësonte ndokujt gjermanishten, as mua, sepse i mungonin aftësitë pedagogjike, por gjithsesi jam i sigurt se ka ndihmuar çdokënd që kishte nevojë ta përvetësonte e ta përmirësonte atë gjuhë. Ndërsa me pjesëmarrjen time në vitet 1990-91 në lëvizjen studentore shqiptare, ai nuk u pajtua kurrë plotësisht, paçka se përbrenda ndihej krenar për të birin dhe shokët e tij.


Përfytyroni që kur në muajt dhjetor e shkurt të 1990-'91 u shkulën njerëzit nga e gjithë Tirana, për të mos thënë nga mbarë Shqipëria për të ardhur në qytetin Studenti, ndërsa im atë mund të ketë qenë i vetmi që nuk shkeli atje, me përjashtim të mbrëmjes së 20 shkurtit, pasi ishte rrëzuar monumenti i diktatorit Hoxha. Ose ndryshimi tjetër: unë dikur kam qenë mjaft i dhënë pas sportit, ndërsa im atë, sa herë kishte ndeshje të rëndësishme futbolli në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", shëtiste i vetëm në bulevard dhe kur takonte ndonjë të njohur që habitej se si nuk po e shikonte ndeshjen, i përgjigjej me një ndjenjë të lehtë melankolie "Në këto dy orë, më duket sikur këtë Tiranë bosh fare, e kam vetëm për vete, si dikur..."


Nga Gilman Bushati/Gazeta Shqiptare - qershor 2011




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Feb 13 2017, 01:48am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ka kohë që yjet s'ulen përmbi tokë


Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë,
ka kohë që njerëzit s’rrijnë me krye përpjetë
tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat’e shkretë –
dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë...


Me duer ndër xhepa poetët trokë
shetisin rrugve t’errta, krejt të qetë;
askush s’i nget, askush s’po don me i pyetë
ç’ka kanë në zemër e ç’ka kanë në kokë...


Urdhno, zotni, pak dritë n’mos daç errsinë!
Pesë groshë një okë . – Nji andërr e tanë rinije!


Tridhet vjet – e tridhet okë dashnije!


Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë!
Pesë grosh nji okë – nji jetë e tanë dlirsije!
Tridhet vjet – e tridhet okë marrije!...


*****


Syt’ e tu, e dashtun, janë të përlotun
Sytë e tu, e dashtun më hapin një botë të tanë
Që e kam andrruem, por nuk e paskam njoftun,
Syt’ e tu, e dashtun që tash i kam aq pranë...


Në shregull shpresash të marra jam kotun,
Maleve të nalta, që puthen me qiejt, jam ngjitë
Dhe greminave të thella, ku lëvrijnë
kaçamijt’ e krimbat kam rrëshqitë
Dhe kam vra, sepse kam dashunue
Dashuninë që s’ishte dashuni
Dhe kam pëmbysë me hov të çmendun
Kështjella fantazish që kisha ngrefun
Në trunin tem të smuet e n’zemrën teme t’lodhun
Për me gjetë ndër mija sy
dy sy, e dashtun, si tuejat, të përlotun...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Mar 16 2017, 12:02am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
*****

Eja... kokën dua ta mbështes
Mbi gjirin tënd të tallazitur...
Jam lodhur shumë, ndoshta edhe vdes –
Se kam një jetë duke të pritur!

Eja... dua të kridhem te ti,
thellë e më thellë, siç di vetë
Në mos qoftë as kjo dashuri,
më thuaj, ç’dreqin mund të jetë?




[ Edited Thu Mar 16 2017, 12:46am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Mar 16 2017, 12:13am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
SuperGirl ka shkruar:

Më ndje! - Robert Shvarc

:X

Ç’kërkoj unë
në thellësitë e buta të syve të tu gjumashë…?

Unë, bresheri, s’kam ndonje punë
të bie mbi tokën tënde vlagë,
që vesën prêt me dëshirim –
dhe jo rrebeshin, shkatërrimin…

Falma përmallimin,
dobësinë
e ketij çasti çiltërsie:

Unë prapë do të marr arratinë,
e do fshihem nëpër muzgje kotësie,
e do strukem në guvën time
që të lëpij, si bisha,
ndonjë plagë
të vjetër a të re…

Jo, unë
s’kam ndonjë punë
në thellësitë e buta të syve të tu gjumashë –

Më ndje!






Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Mar 16 2017, 12:30am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Vargje lamtumire për një shok rinie
Për A.K

Ne vetëm ëndrra kishim asgjë tjetër!
Ende të shkurtra i mbanim pantallonat,
Dhe na pëlqente si kushtrim i vjetër:
Si shqipet lart e jo rrëshqanë si bollat!

Na i copëtuan ëndrrat, na i vranë.
S'e hidhnim këmbën dot mes gjarpërinjsh.
Dhe vanë ditët, vitet... e na lanë:
Tejman mortor e flakërimë qirinjsh.

Tani sikur edhe botën të na falin,
S'na duhet më ia kthejmë prapë Mizorisë!
Asgjë, asgjë s'na e shuan dot më mallin
Për të pamajmet ëndrra të rinisë.

Ne vetëm ato kishim asgjë tjetër
Ende të shkurtra i mbanim pantallonat,
Hovet dhe shpresa dhe besën e vjetër
Drejt qiellit i lëshonim si balonat...

*****

Tani po ikën... Më ti s'do kthehesh!
(as ty s't'i kthyen vitet e qelive!)
me vlegën e atdheut më s'do dehesh
sakaq s'të la ty trill i "perëndive"!

Maj '91




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Mar 16 2017, 12:39am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
*****

Pa shkak të kapë ka ‘i herë, o mik, trishtimi
e s’din çka ke e s’din ku të dhemb;
të duket natë kur n’qiell zbardhon agimi
e lulja vetë të duket veç nji gjemb,
kur t’kapë, o mik, trishtimi.

Pa shkak të kapë ka’i herë, o mik gazmendi,
e s’din pse qesh, kur t’vjen ma mirë me qa,
të duket reja posi tis argjendi
e lulja t’dehë kur asht zbe e tha:
kur t’kapë, o mik, gazmendi...

1960



[ Edited Thu Mar 16 2017, 12:40am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3225 sec, 0.0783 of that for queries. DB queries: 44. Memory Usage: 2,857kB