Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia |
|
<< Previous thread | Next thread >> |
Zef Zorba |
Go to page 1 2 | |
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
|
Author | Post | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Letërsia në pritje të poetit. Rasti i Zef Zorbës (1920-1993) Nga Adrian Ndreca ![]() Nuk asht e tepërt me thanë dy fjalë për poetin Zef Zorba, mbasi në nji vend ku fjalosena dhunshëm çdo ditë me banalen dhe nuk mbërrijmë me shque esencën e gjanave, Zef Zorba ka nevojë me iu paraqitë lexuesit. Në të vërtetë ai nuk don me u paraqitë, e ketë gja e tregon ma së mirit poezia e tij hermetike, e difton mungesa e dëshirës me u dukë - që e shoqnoi gjatë gjithë jetës, e dishmon jeta e tij e mbyllun, fakti që sa qe gjallë nuk botoi asgja, dhe vetë qenja dhe dukja e tij fisnike dhe e distancueme prej gjanave dhe prej kohës që iu dha me jetue. Jeta e poetit Zef Zorba ka pak data, mbasi kuptimsia e qenjes së tij vinte prej përtypjes së pafund të emocioneve dhe prej hapsinës së pamatun të ndjenjave. Emocionet e ndjenjat nuk kanë data, pse nuk maten me ditë e me orë, por vetëm me intensitetin e tyne të papërsëritshëm. Flas për nji kohë kur poezia ishte çnjerzue prej idhujtarisë së verbët të pushtetit, e asokohe Zef Zorba maste hapat e shpirtit të vet me ritmet e Montale-s, Quasimodo-s, Ungaretti-t, me tingujt e Ravel-it, Fauré-së, Prokofjevit, me idetë e Benedetto Croce-s e H.-G. Gadamer-it. Të gjitha këto gjana banin që qenja e tij të ishte krejt e huej për at’ kohë. Zef Zorba ka lindë në vitin 1920 në Kotorr në nji familje tregtarësh shkodranë. Mbasi kreu liceun në Shkodër vijoi studimet në Padovë, në degën e Shkencave politike. Ndërpret shkollën për shkak të luftës dhe kthehet në Shkodër, ku nis me punue në bankë. Në vitet 1945-’46 punon si regjisor tue vu në skenë disa vepra teatrale. Arrestohet në vitin 1946 për agjitacion e propagandë dhe del prej burgut mbas pesë vitesh. Arrestohet së bashku me Terezën, vajzën që do të bahej shoqja e tij e jetës, e cila do të vuejë burgun po për pesë vjetë. Mbas vitit 1951 ban punë të randomta, ma së shumti si llogaritar në ndërmarrje të ndryshme në Shkodër. Megjithatë jeta e tij nuk ka asgja të përbashkët as me punën që i jep me hangër dhe as me kohën e mjerë në të cilën jeton. Shkruen e përkthen papushim deri në fund, por pa mujtë e pa dashtë me botue kurrë asnji varg. Me datën 6 janar të vitit 1993 vdes në qytetin e Shkodrës, gati i panjohtun si poet. E vetmja përmbledhje poetike që ka pa deri më sot dritën e botimit asht “Buzë të ngrira në gaz”(Dituria, Tiranë 1994). Për këtë përmbledhje studiuesi Sabri Hamiti ka shkrue tash së fundi: “Libri i poezisë Buzë të ngrira në gaz dhe zbulimi i tij është hyrje në zgjidhjen e enigmës së poezisë moderne shqipe, që është edhe zgjidhje e enigmës së autorit, që zgjat gjysmë shekulli” (Albanizma, Prishtinë, 2009, f. 155). Poezia shqiptare njeh në gjysmën e dytë të shekullit të kaluem vetëm dy poetë hermetikë: Martin Camajn dhe Zef Zorbën. I pari, i ikun, i dyti i padukshëm. Camaj mbart në hermetizmin e tij diçka prej mënyrave lakonike të shprehjes së urtisë së malsorëve, ndërsa Zorba asht i errët, “skoteinos” në sensin antik grek të termit, ai ia mbyll dritaren mushicave por len që nepërmjet saj të depërtojë nji dritë e zbehtë hane që i jep kuptim çdo gjaje. Tek vargu i Zef Zorbës ajo çka ka ma shumë randësi asht hija e objekteve sesa vetë përmasat e tyne reale. Po të marrim burgimin e tij, do të shohim se dhimbja e vuejtja e asaj padrejtësie nuk janë të pranishme në kujtimet e tija në gjinin e familjes. Gjithçka asht kthye në varg, tue kalue përtej së keqes që i ka ndodhë atij vetë. Qe se çka shkruen tek poezia “Shkalla e Kakarriqit”: Harbon përbindshëm rrëpira e ngeshme në perspektivë për t’u qepur në një kënd me qiellin e detin. ... O natë, o natë, mos ky na qenka pikësynimi? Asht nji moment prej jetës së burgut, nji mbramje e mnershme dimni, kur bajonetat e rojeve duket se shpojnë rrshiqat që derdhin shiun e pafund mbi kënetën ku takohen ernat e maleve me ato të detit. Nji natë e paskaj duket se asht tue çilë kapakët e vet mbytës para tij. Drejt saj poeti ec i brishtë me fjalët e tija të cungueme prej dhimbjesh e prej mungesash esenciale. Kjo asht forca poetike nepërmjet së cilës poeti Zef Zorba rikrijon dhimbjen e vuejtjen nepër të cilën asht përshkue jeta e tij. Hermetizmi i tij nuk ka funksion mbrojtës, mbasi ai nuk donte e nuk mendonte me i botue poezitë e tija në të gjallë të vet. Hermetizmi i Zef Zorbës ka kuptim të dyfishtë: ekzistencial dhe profetik. Ekzistencial pse koha në të cilën ai jetoi nuk i lejonte as të mirët e as të këqijtë me përftue idena të qarta e të dallueshme. Profetik, pse poeti mbërrin me shikue përtej mjegullës së kohës dhe me dhanë sinjale, të cilat për shumëkend janë të dobta e të pakuptueshme, por mbartin me vete nji andërr të pame me sytë çilë, siç e ka përçansue “andrrën e shpresës shndërruese” filozofi Ernst Bloch. Poezia e tij asht e përshkueme anë e përtej prej notash lirike që herë herë janë të pakapshme prej lexuesit të randomtë: Shpejto, pranverë! Kjo shpresë qenkish tharm që shpirtin brenë ma keq se urithi dhenë Ose kur shkruen: Shiu mênë një rreze e hollë nisë tymrat e po i çanë ne kapemi për të e hipim përmbi re. Nji prej poezive të tija ma të bukura titullohet “A s’ma ndërtoni një shtëpi”: A s’ma ndërtoni një shtëpi aty, aty, po aty, përtej, në mes të pyllit ku pishat shul me ahat shpupurishen aq dendur janë, e ku stuhi e murlan - kur sulen me zhaurimë e me poterë – ndijimet marramendthi i pështjellojnë e mbeten ashtu lmuç të laskaruara si përmes gjethesh shprishur rreze e hënës. Mbas viteve ’90 e ashtuquejtuna “letërsia e fundit të arkës” apo “letërsia e sirtarit” na ka befasue ma së shumti me pamjaftueshmëninë e saj. Asgja nuk qe siç e patëm andrrue, e kjo s’vlen vetëm për demokracinë e përgjumun, por edhe për letërsinë e fjetun. Ndër të gjithë autorët e “letërsisë së sirtarit” ndahet në shenj Zef Zorba, frymëmarrja poetike e të cilit ka gjallnue fjalë e thërrmiza fjalësh, pa pasë nevojë me u ba patetik apo i mërzitshëm. Ai bahet gati sot, ma në fund, me ardhë drejt lexuesit me nji botim të ri, tue na pru freskinë e tij ndriçuese me fjalën e kursyeme e me penelatat e zbehta që kajherë lejojnë me shikue edhe përtej vetë fjalës. ______________________________ * Ky artikull është sjellë dikur nga Leci, në "Letësia Kombëtare", por mendova të hapi një temë të posaçme për këtë autor, ku mund të postohen disa nga krijimtaritë e tij. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Kadenca e violës (vjeshtës) - Zef Zorba Prej stomit të zhauritur e deri te bregu Ku ujra t'amullt moçalorë harbohen, Ku prej shirokut kashturinat Si mijëra fyje jehojnë, A mund u ruajtkan gjatë pikëllimit? Këtu ndahen të njëjtat shtrirje Rryme e klithme. ( Këso netësh, në bankat e lulishtes, Me Prenkun, fugat e para zhbironim e zhvendosjet e yjve, gjeometrikisht të sakta .... ) Me parë se ti të zhdukeshe, kometë, edhe yni iku! Shtrëngatë e madhe atë ditë. Nëpër faqet e skuqura të varzave lotët rridhnin përzierë me shi, e djemëve, rrëzë murit ngjeshur, zemra u mori cegëm: në rrugën e përmbytur rrëke të murrme përçuan furishëm barëra, gjethe, krande të ngatërruara e kushdiku (moj grua!) edhe një boçe karafili posa të çelur .... Por .... edhe muzika, thua? [ Edited Mon Jun 13 2016, 10:22pm ] ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Eja me ne Derën teksa e çele, por drita brenda nuk hyri. Në pikëllimin e dhomës së murme gazi yt mërgohet i plogët; të zverdhet fytyra kujtimesh si ditë e trishtë nëntori. (Ah, ata sy të vakët ku ndehen tash agime t’mekura!) Derën teksa e çele, por terri jashtë nuk doli. Me vozitje të ngathët mendimet shakull po të struken ndër varret larg, pirgje shtrigane, që zemrën ta kanë zatetë e nuk të lane me pa me sy, gojën m’e çelë në këngë. Ti s’don të jetosh me ne. A sheh si pika e zhegut dëshirat na i përcëllon? Si thahemi dushk për një pikë dashuri kur diku tutje nise e flakëron vetëtima vetmitare? (Sa kem kaluar kësi shtigjesh!) Ngeshem nuk bën me vdekë. E di? Dimrash që shkuan sa mbetën rrugësh prej nesh: i kaltërti thëllim ua ngrinte buzën në gaz. Ti qan. Të vika era mort: ai që ti doje të la qyqare. Eja, eja me ne. Brejmë hekur ne me dhëmbë, kërkojme, pëlcasim, – lajnë faqet tona lot e gjak? ani, kërkojmë. Dhe e dijmë: ku shuhet melankolia e heshtet mjerimi, atje zë fill jeta vigane, jeta pa kob, flakë, ëndërrtare, me dëshirë paqe të thepisur, dëshirë e vrazhdët për dreq. Gjëmon hare prej gjoksesh tona mbuluar me plagë. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Raki e lirika – Baladë - O ndoshta angushtia, o veç nevoja për hapësi më të madhe se dhomat, të Djelash mbasdite na shpie në rrugë... ...e rruga qenkesh plym me njerëz që enden poshtë e përpjetë, e njëri tjetrin shohin shtrembër, pa fek ndër sy (sikur këqyren statujat prej porcelani me kukullat n’vitrinat e Mapos, në prak të Vitit të Ri). Por ne vrojtimin tresim lart ku rrezet e perëndimit përhudhen akrobatike çati më çati; rreze ato, të vetmet që ne kapim pa cingërime t’ashpëra – frekuencat tona mbi artin, estetikën, fjalën e zorshme. E bota edhe mund të qeshet për ne, kur shetitorja ka kaq femra të bukura, me veshje prej najloni, ku ijet valë-e-valë e ritmikisht i përkundin; kur shihen asi burrash të rëndë e me kostume gri të hapët që të përshëndesin me ulje qepallash (por që ka vlerë sa një shpërblim vjetor!) Fytyra të përditshme... O ndonjë turist që hulumton për ekzotikë Arrën e Madhe, Tepen, Bezistanin o skelën e liqenit me pulbardhat, e që me një teleobjektiv njëqind centimetrash, prej kulmit të Turizmit, jep e merr të fotografojë së largu Shpellën e Korbit në Cukal, o majën e Veleçikut. “Eh, po...” - ia bëre ti e më nuk fole, pse për tjera fjalë nuk paskërka nevojë as ironia. Por s’u durova unë: “E pse nuk dalim prej këtij vorbulli? Në qoshen e terraces së Kafes, te parmaku, qenka bosh një tavolinë.” - Dakord – ma miratove ti... dhe ndenjëm. Dikur erdh kamerierja me gryksen blu, ku hëna dhe neoni sajonin farfuritje të argjendta; por pa gaz në buzë (e madje kujtova mos, automat, ekspresi po na qasej; a më kupton? Ekspresi vezëllues që t’i lbyrë sytë, e mbrapa çfryn e qan.) Nejse... Mbi tavolinën brune tonë vendosi katër gota me raki... Ti je i përmbajtur, unë aspak: bërtita: “Duam dy raki, jo katër! dy raki... e dy lirika...! – “Çfarë?!...” – shkrepi rrufe e ra mes sheshit sa një obelisk, pika çuditëse e saj... E trimijë zemra shtanguan në vend, e dyfish sy terrin zhbiruan përmbi çatitë, kush pati dorën në xhep, te goja shpejt e çoi një britmë për me ndalue. Më në fund, me zë si gramafon, përsipër grykses laraska çakarriti: “S’kemi.” “Desha me grusht t’i bija tavolinës (gotat me pije do t’i kish përflakur në erë siprina prej plastmasi) por ma ndale doren ti, e mirë e bëre: “Nuk prish pune - i the e sorra shkoi. Pastaj buzëqeshur më fole si nën zë: “Mbase lirikat janë brenda në raki...”. Unë zura kryet me grushta: si të mos kish ndodhur gjë vozitja xixëlluese stërkeqej (dhe e quejtkan “gjallëri”) e po harbonte sërishmi nëpër bulevard, njësoj me ankth, me po atë ëndërr që s’ia thonë as vetes: frikë e mërtisur me qeshje stereotipe manikinash parafine, me xhupa blu, me organtina, si ficka verdh… e sy pa kokërdhokë... (Sikur asi Shtatori, kur karvanet tona të mjerësh, përmes tyre i zvarritnin e ata bënin kinse s’po na shihnin. Pak kush na ndoqi – ndoshta s’u kuptuam por sidoqoftë, u ftohëm që ngahera...) Ti more një raki në dorë e unë një tjetër. Në dy gotat mbi tavolinë notonte nga një yll i bardhë, e dridhej, e vezullonte... Nuk e çuam rakinë, por ulëm gotat: yjet u bënë katër. “Ah, – thirra i shpërbërë – ah, si nuk vjen sërish kamarierja, të na sillte dhe njëqind gota tjera me raki. ta mbushnim tavolinën plot me yje!...” Ti prap ma miratove, por: “Ç’t’i bëjsh...” the, dhe e përcolle fialën me nënqeshje. Mbetem si dy qyqarë... E kush e di gjer kur kryevarë do të kishim ngelë të mos na qasej papritur ai çifti i huaj, i atyre që fotografonin majat. Na erdhën pranë e po na lutnin: “Can ëe join you in your table?” Dhe u ulën në dy karriget bosh. “Amerikanë?” - ti ju drejtove.” No, nein, non, njet, no...” shpejt u përgjigjën. Ishte ajo si plazem. Në flokët e lëshuar, si penda e korbit, notonin marramendas blutë e Jonit, e u vinte era mollë e manaferrë... Faqet me duar mërtiste, por shkëlqenin porsi fildish pas gishtash; e dy sytë – dy buçila që shkëlqejnë mes borës, dy ekrane stereoskopike ku shfaqen me ankime saksofoni e tokë e qiell. – “Shiko – më the – se ku i paska gjetur lulet e jargavanit, edhe pse tash në Korrik s’ka lule jargavani; si në frymëmarrje i ndihet qartë dihatja e ndeshjes në stadium, o një përqethje vajzash që zgjat veç një të qindtë sekondi.” Kish bluzën bojë orizi e gjithandej me guaska, verdh e blu e manushaqe. Ai vinte i hollë e i gjatë, madje më i gjatë se çdo shejtnor i El Grecos. Pa ndërprerje thithte llullën e tymi ia mbështillte kokën për rreth, si brenda një aureole të bërë me pluhur “spray” varaku t’imtë që sytë ia mbushnin me shkëndija, e fjalën ia tingëllonte si në ani kozmike, qofshin për lutje, o për një gjemb mersine, e për pajtim të foshnjës kur kjason, o kur për valën flet që rërën lmon me ëmbëlsi. ............................ (Fragment) ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Lule-crrule Mbi trotuar trokasin porsi tak-tuke takat e tua të larta kur kthehesh ti – elegante – prej takimit. Një sy-bojqielle – ndër duar një tavë me speca – shtangon e mpirë e të han me sy. Unë prej tavernës ju vërej e rakia s’ma shuan mëllenn që frymën në fyt ma zen vajzukja: një lule me crrule e ti: një crrule me lule. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Përtej... Kjo botë (ruajna Zot) e rrëshqitura! Mbi ledhë të fildishta rreth dielli thik, e na lëbyren të ngulitur përtej... e mbesim shtang. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Kujtime Kot ëndërrime na duken. Zemra u beson shpirtnave që natën gufojnë prej gurësh të Rmajit netësh si kjo. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Hej, zemërplasura! Shuhet me rrahje të rralla, të mekura kënga kujtuese e kombonëve e mbyllet me gaz qesti të vajzave mbetë zemërplasura. Sepse nuk ka kuptim me vdekë qind herë në ditë. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Kur mbetesha vetëm me ty (Dimër, 1946) Kur mbetesha vetem me ty, o zemra ime, netësh të mbarsura me stuhi, mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë pa dritë. Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte sajimesh që një mbas një ndeheshin palë e palë mbi mua, kapitur gjumi në shpinë me më ba dëshirash një trupore pjalmi mortore. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Kashta e kumbarës dikur Mu në palcë Pikëllimi i kujtimeve tuaja O rrugët e errëta. Mbi avulli të blera përgjatë Kashta e Kumbarës dikur Si tandë pezullohej e lehtë, Dekor për kremtime entusiaste; Kur njohja kish nisur posa me lindë e mitet kishim pranë, të qartë e qielli desh kapej me dorë. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Në vend të hyrjes I errët ky shteg. Nuk mundem rrugën me gjetë pa dritën tande. (Çka më sëmbon?) Në cep të greminës, që joshë e ngujon, a nuk e sheh si po lëkundem. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Tjera blerime - Terezës - Si lule dylli gjethet veshur me vapë e t’zberë e nuk lëvizin... e merrnin frymë me zor e... oh... S’andejmi ku paskeshim ngelur kujtesë brymore zgjohen flauri tjera blerime, rinore. (A të kujtohet? Atë verë burimet heshtja na i trazonte. Këndoja vijat e fatit në dorën tënde flakë. Endeshin rrugësh të çuditshme, pa folë. Pastaj, n’teatër; një Gjido i larë me djersë përpëlitej i falisur. Ti shkuleshe n’gaz me të madhe, por në sy të vetëtinte stuhia e Shtatorit... A të kujtohet?) [ Edited Tue Feb 14 2017, 09:44pm ] ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Lodhje Nganjëherë trishtimi fjollë mbidhet mullan në zemra të plasura, nganjëherë përmallimi bëhet liman vajtimesh ngushulluese; të përgjumur ndehemi përmbi pellgje brengash ndehemi shtijakë ndër gëzime që s’kanë jetë e biem lëmuç – thëllënza të rreshkura – ndër pasqyra. Cekonet qielli prej vigmash pikë-e-vrer, Cekohet guximi; “pusho në paqe, pusho në paqe...” Ah, s’mundem më, nuk mundem; më çoni... ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Vajtimi i plakut në shtëpinë e shkretuar Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete; harrohem ndër rrënoja e ngushllohem. Deri këtu – a dole shpirt! – me zor u kapa, gërmuç e kalamendas anësh së rrugëve; (thellimin si me ça m’e avull të pakët?) Të zhigatura, por prap në këmbë këto mure qëndrojnë këtu në qoshe sytë veri nuk i shikë e në lotokan, lotojnë përmallë... Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete: “Qetësia ndër kthina jehonte, fëmia...” ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Hënë të reja Tash qiellnash enden me qindra hënë të reja. Njeriu s’krijoka tjetër veçse kobe: Çelik e gizë e refraktarë; zogjtë artificialë, lindur ndër ofiçina-inkubatriçe, si hëna tokën përgjojnë, e përpunojnë epshe tinzare trofesh e përdhunimesh. E kush s’i ka të vetat këto hënë vihe e sendërgjon namë e terratisje. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Shkalla e kakarriqit E kapërthyer me lugetër hëna njollat e territ përgjakë e nata, tinëzare fërshëllen mbas pritash, si në kohën e cubave kur thika vetëtinte e ftohët; e buzagaz me pezëm. Harbon përbindshëm rrëpira e ngeshme në perspektivë për t’u qepur në një kënd me qiellin e detin. (Më rrashtë e më tepër ferr shkrepat ceporë, kërcënuese për m’u shprazë në rrenojë përmbi eshtra që vetëm lëkura i lidhë e vullneti). O natë, o natë, mos ky na qenka pikësynimi? Të ngrysura ëndërrimet sërish vërshojnë lëvyrëse e me të lutura, por ndalem në vend: shuplake kulla picingule e katallanit të lashtë. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | "Zorba, l’albanais" - nga Primo Shllaku Diku nga çereku i vjetëve ’90, në nji bisedë të gjatë me disa miq të huej, ra fjala për diktaturën. Ata treguen nji interesim të pazakontë dhe, mbasi ma provokuen inatin, po më ndigjonin me shum vemendje. Unë ua rreshtova të gjitha mbrapshtitë e saj e i mshova sidomos dhunimit e përdhunimit të gjithçkaje që kishte të bante me lirinë e liritë. Bile për nevojën e situatës, e mbaj mend si tashti, shpika, me marrveshjen e tyne e në gjuhë të tyne, edhe neologjizmin lirivrasës. Mirpo, për çudinë time të madhe, në vend që unë të shkaktoja të paktën njifarë solidariteti për mue e për ne, ndjeva nji si ftofje të auditorit dhe nji shkrehje të tij. Ngaqë nuk po zmadhoja dhe nuk po shtoja asgjâ, u fyeva dhe qëndrimin e tyne e mora si me dashtë me thanë se ç’po na gënjen. E ndërpreva tregimin e fillova të përbehem se kshtu kishte qenë dhe se dëshmitë e mia nuk ishin edhe aq të mprehta, se kjo ishte vetëm përvojë e imja dhe se kishte sigurisht përvoja të tjera të cilat mund të lênin pa mend. Njeni prej miqve të mi më pyeti thatë: “Po ju? Çfarë banit ju?” Unë e kuptova se rrfimi im kishte kalue nji vijë kritike dhe se, tue folë keq për diktaturën, unë, pa dashje, kisha fillue me folë keq për veten tonë. Më vështroi gjatë në sw me shum kuptim dhe m’u duk se deshti me më thanë: mos e trego mâ ketë histori. Mora me vete shqetsimin e nji rrfimi të dështuem dhe mendova se diku, ndër vende të edukuem me lirinë, ekziston nji vijë kritike që, kur diktatori e kalon ose e prek, aty shpërthen zemrimi kolektiv me gjithë rropamën e tij. “Njerzit rezistojnë, më pati thanë miku, nuk durojnë sepse mendojnë se nuk e meritojnë”. Kjo ngjarje më pati mbetë në mend dhe u bâ strumbullari i shum përsiatjeve mbi e rreth lirisë, edukatës së saj, kufijve të durimit dhe idesë së lirisë së pameritueme. Legjendat urbane Në atë kohë unë dhe shum prej nesh ende nuk ishim takue me produktin letrar të nëndheshëm që ishte shkrue gjatë kohës së diktaturës. Kjo mosditje ishte shkak për t’u trishtue dhe ndihesha i zhveshun pa nji fakt në dorë që të më bindte të paktën mue se na kishim rezistue ndopak. Dalja e librit të Zorbës qe nji shend i madh për të gjithë ata që e donin në grusht e në mendje nji akt ksisoj rezistence. Qytetet janë krijesa gjigande e me moshë të stërmoçme që ndër shekuj kanë zhvillue nji sistem kapilar mprojtjesh për të mos u përmbysë. Nuk do të ndalem te banaliteti i ledheve e mureve, por do të ndalem te qytetari, kjo pjellë misterioze e e paparashikueshme e qytetit. Në vjetin 1356, nji qytetar beratas me emnin Skuripekis fsheh në muret e kshtjellës kodikun e famshëm të Beratit që ky të mos binte në duert pushtuesit serb, edhe pse ai po e kërkonte me adresë e tërbim ket libër të famshëm. Libri u mshef, mbeti në Berat dhe mori emnin legjendar Beratinus. U shpëtue ksisoj nji monument i paçmueshëm kulture për atëherë e për sot. Kur Shkodra ra në duert e turqve mbas 1478-ës, gojëdhana thotë se ikona e Sh’Mrisë te kisha e Zojës në hymje të qytetit u shkput vetiu prej murit dhe u nis për ajrì drejt bregut të detit. E panë dy qytetarë shkodranë dhe iu vunë mbrapa. Kur mbrriten në breg ikona vazhdoj të ecte drejt Italisë dhe për dy qytetarët e zellshëm deti u bâ kalldram dhe ata e ndoqën deri në Genezzano, fshat afër Romës ku ruhet edhe sot. Zef Zorba del prej burgut më 1951 dhe fillon me shkrue për skenat e atjeshme dhe, mbasi i ezauron, vazhdon të krijojë me nji art të papublikueshëm. I ruen shkrimet e veta, i përmirson, i rregullon, i korrekton, i redakton, i daktilografon dhe i ban libër, u shkruen edhe nga nji ose ma tepër parathanie, pasthanie. Jeton me makthin e tyne e prej makthit të tyne. Ata shkrime i kërcnojnë lirinë, atê vetë, familjen, lirinë e qetsinë e familjes. Ai dëshprohet, hidhet e përdridhet, i kap prap në dorë, i “zbut”, i rregullon. Mundohet ta mshefë prej të gjithëve “shtatzaninë” e tij me shkrime të ndalueme, të rrezikshme. Si intelektual i ramë në fatkeqsi, ai e pret edhe nji kolpo të beftë të diktaturës, që në orekset e saj periodike terrormbjellëse, mund t’i “mblidhte” prap të ish-të dënuemit. Por ai i reziston edhe tundimit të çmendun për t’i asgjasue dhe për t’u qetsue nji herë e mirë. Përleshja e idesë së qenit prind i keq dhe detyrës për ta ruejtë dëshminë e gjallë e konkrete të lirisë së vet alternohet me brengë e bremje ndërgjegje. Por poeti ka shum dashuni në kokën e tij dhe përpiqet t’i mbajë e t’i ruejë të gjitha. Fati e deshi që dashunitë e tij dolën të gjitha në breg. I ka qyteti kto vlera inherente që punojnë për vazhdimsinë dhe që e kundërshtojnë prishjen e traditës. Qyteti mpron veten. S’âsht fjala për mprojtje me heshta e me muskuj, por me durim, vuejtje, sakrificë e dëshmitari. Urtsia dhe mençunia e qytetarit këmbehen papritmas me shkallimin në përballjen e rrezikut. Zef Zorba âsht legjendë urbane. Në mos qoftë e gjithë legjenda, padyshim që âsht pjesë e ksaj legjende. Disidenca Hisoriografia e letërsisë sonë ngurron për të gjetë disidencë te na. Hapja e kapitullit të disidencës dhe futja në tê e disa emnave i krijon edhe nji tjetër karshillëk denigrues letërsisë zyrtare të diktaturës e autorëve të saj. Enden nëpër ajër opinione se te na s’pati disidencë, se disidenca do njifarë hapsine, se disidentë janë ata që shkëputen prej nji drejtimi letrar zyrtar dhe, tue e mohue atê, vazhdojnë nji letërsi ndryshe, përmes nji kacafytje të vshtirë me vetë shtetin. Ky âsht varianti rus i disidencës dhe na nuk mund të klasifikohemi simbas tij. Nga njena anë themi se letërsia dhe historia e diktaturës tonë komuniste ishin atipike dhe pastaj thrrasim për ta cilsue ketë atipi modele tipike vendesh e kulturash të tjera. Siç e thashë ma sipër, mosrezistenca, pra mosqenia e rezistencës ka pak a shum kuptimin e meritimit të diktaturës, kurse pasja e saj – që na e kemi e që ç’ke me tê – i jep dinjitet njerzor e tharm lirie mjerimit tonë historik. Fjala “disidencë” vjen prej latinishtes dissidere që do të thotë “rri mënjanë, rri veç ose në shmang të dikujt ose të diçkaje”. Pyes: ky Zorba ynë a nuk ndêjti në shmang të jetës zyrtare, a nuk shkroi mënjanë e pa e përfillë drejtimin letrar të kohës, madje kundër tij e sipas orientimesh letrare të anatemueme prej shtetit totalitar dhe establishmentit letrar? Me poezinë e tij të tensionueme prej shqetsimesh intelektuale që kishin të bâjnë me lirinë, me kuptimin e jetës, me luftën e mbrendshme e me dyzimin e skajshëm, Zorba solli nji ofertë të re letrare, të vogël ndoshta si vllim, por të ngjeshun e intensive sepse poezi. Ai refuzoi estetikisht – dhe kjo thuhet rëndom – realitetin por edhe produktin letrar. Ai nuk përshndeti asnji dhe s’u vû për brazdë me askënd. Ai u shfaq si solist me artin e vet në surdinë. Besonte te arti dhe te vlerat mbetëse, pra te materia e pashkatrrueshme e tij. Prandej dhe kishte kohë me pritë deri në amshim. Nuk dallojmë askund ankthin se nuk po i vjen dita me botue. Përkundër, ai deklarohet shum i trembun prej asaj dite. Zorba e sundonte kohën e vet personale, kishte hyll udhëzues sensin e ardhmënisë. Koha e tij dhe koha reale nuk skandoheshin në të njajtin ritëm. Diskrepancat e rrjedhjes së ndryshme të kohëve të simultanitetit hasen në disa poema të tij. Ky mund të jetë nji prej shêjave të rrallë që dëshmojnë për qenien e tij në sintoni me hermetizmin si drejtim letrar kontinental. Zorba nuk do të ishte asgjâ po të mbetej vetëm te refuzimi. Ai refuzonte dhe njikohësisht bante dëshmitarinë e ktij refuzimi, e ruente atê jo me mençurinë e të zakontës, por me marrzinë e të pazakontës. Tamam si në legjendat urbane. Dëshmitaria âsht forca e energjia e qytetit që përsërit vetveten në kohë paqe e në kohë lufte, në mnyrë që vlerat të kalojnë të paprekuna nga njena ditë në tjetrën. Po të mbash paraswsh vrazhdsinë e diktaturës sonë shpijake dhe qëndresën legjendaro-urbane të Zorbës, na vjen ndër mend menjiherë ideja se qytetet tona e kishin zhvillue nji aparat imunitar vetmprojtës që në rastin e Zorbës shfaqet në variantin e vet ma të dhimbshëm e ma patetik. Paranoia e një shteti që harxhonte 30e mâ % të buxhetit për me asgjasue lirinë e qytetarëve të vet, kishte zhvillue nji censurë e atmosferë shterpzimi. Shpesh më duket se çapoi i ndytë i ksaj censure ka depërtue në thellsi të gjoksit të Zorbës dhe ia ka gërvishë disa herash perlën e ndriçme që ai mbante atje. Letërsia e sirtareve Kur flasim për Zorbën, më duket se cilsimi simbas shprehjes “letërsi e sirtarëve” nuk i bie për shtat autorit tonë. Ka diçka tutelare kur përmendet në kontekstin për Zorbën dhe jo pak pejorativitet kur përdoret si cilsim kategorik universal i letërsisë. Kam dëshirë ta shqyrtoj ket term tue e çue në literalitet. Të gjithë ata që shkruejnë besoj se shkrimet e tyne i mbajnë nëpër sirtare. Ku tjetër përveç se atje. Unë nuk di ndonji njeri që i ven ata në frigorifer apo lavatriçe. Termi ka mbrendë nji redondancë dhe âsht njisoj si me thanë kpucë për kambë ose kapele koke. Unë bile njof njenin që shkrimet e veta i ruente për arsye vetsigurie me vjete të tana në trapazanin e shtëpisë së vet. E si t’i themi atij se “ti shkruen letërsi trapazani”? Tue lanë mënjanë formën, esencialja e ktij termi âsht, më duket, raporti i autorit me lexuesin e vet. Mendoj se âsht në të drejtën e plotë dhe të padiskutueshme të autorit me vendosë se kur ai do t’i shfaqet lexuesit të vet. Paraqitja para lexuesit âsht ndoshta çasti mâ delikat dhe mâ randësor i jetës së krijuesit. Ai e ushtron ketë të drejtë tue u nisë nga bindja e tij se a e ka vepra formën përfundimtare që të takohet me lexuesin për të prodhue efektin maksimal të adezionit, a gjendet apo jo ai tip lexuesi që autori ka pasë parasysh gjatë krijimit. Thonë, pra, se ka autorë që i mbajnë shkrimet e tyne për nji kohë shum të gjatë që të “ftofen”, të stagjionohen, të përsendzohen si diçka jashtë autorit dhe të pavarun prej tij. Edhe nëse kto shembuj që rreshtova nuk përbâjnë rastin e Z. Zorbës, unë po them përvûjtnisht se, kur kërkimi i lexuesit ka mbrendë edhe rrezikun e sigurtë të gjetjes së xhelatit tand, atëherë merr shum kuptim shtymja pa afat e ktij takimi. Buzë të ngrira në gaz Nuk mund ta mshef faktin se më pëlqen fort ky titull që vetë Zorba e zgjodhi për librin e tij të vetëm me poezi. Megjithse u njofta vonë me poemat e tij, kam hasë shum invariante të cilat duken sikur ndonji poezi e imja ta kishte pa atê të Zorbës. Sidomos lojën që ban Zorba me gozhdat e çekiçin në nji poemë të tij, dikush mund ta merrte edhe si plagjiaturë timen te nji vjershë e imja me çekiç e me gozhda. Por kto janë rastsi. Më duhet të ngulmoj se titulli i librit nuk duhet të jetë rastsi: BUZË TË NGRIRA NË GAZ. Kam idenë se unë e Zorba si banorë të qytetit të Shkodrës kemi pa dikur, në kohë të ndryshme, pavarsisht prej njeni tjetrit nji diçka që mund të na ketë përshtypë në të njajtën mnyrë, edhe pse destinacioni i atij sendi nuk ishte aspak prodhimi i asaj përshtypje që unë po hamendsoj se kemi marrë, të dy, unë edhe Zorba. Para vjetit 1967 katedralja e Shkodrës ose Kisha e Madhe ishte tempulli katolik ma i stolisun i Shqipnisë: piktura, afreske, banda, stuko, skulptura, gdhendje të ndryshme, relike, kelkshêjta të praruem e rrezatues i jepnin katedrales hijen e nji tempulli qendror e të stolisun. Në navatën e djathtë ose jugore të ksaj kishe të ndërtueme simbas stilit romanik ndodhej atëherë nji altar dhe në pjesën e poshtme të ktij altari, nën syprinën prej mermeri që shërbente si tabernakul, ndodhej nji kamare e gjanë me xham. Në tê ishte ekspozue nji ci-gît (sakofag) me trupin e nji shêjti që nji tunikë e kuqe ngjyrë alle i mbulonte trupin dhe i lênte me u dukë vetëm ftyrën. Ky ishte shêjti Prosper, ose shtatorja e tij prej allçie. Thuhej se skeleti real i ktij shêjti ishte inkorporue i tani në allçi. Edhe si fmijë, por edhe si i rritun kur kaloja andejpari ndjeja siklet. Në atë kamare nji llampë elektrike e fortë rrinte e ndezun vazhdimisht dhe unë e lexoja atë kamare si mundsi me pa se ç’ndodh mbrenda nji vorri. Ftyra e shêjtit ishte e qetë, swtë e mbyllun, goja e tij formonte nji qeshje të ngrime prej allçije dhe i zbulonte dhambët e rregullt po prej allçie. Ajo pamje e nji të vdekuni që qeshte, me buzë të ngrime në gaz, ishte diku afër të llahtarshmes, nji aliazh estetik ku e bukura dozohej trembshëm me makabrën. Kam nji thirrje të mbrendshme me besue se takimi i Zorbës me atë kamare dhe banorin e saj prej allçie, do t’i ketë intimue idenë Zorbës për titullin e nj libri të ardhshëm. Kurse mue me siguri më kishte ngacmue për me kuptue se çfarë kishte ajo ftyrë që më tërhiqte dhe më zbonte njiheri. Meqë e njifja vetëm për ftyrë Zorbën dhe s’kisha folë kurr me tê, tashti që shum sende nuk janë mâ, s’më mbetet tjetër veç të hamendsoj takimin tim metafizik me Zorbën para nji qeshje prej allçije që atê po e ban të famshëm mbas vdekjes. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Shpejto, pranverë... Shpejtò, pranverë! Kjo shpresa qenkish tharm që shpirtin bren më keq se urithi dhenë, gjersa edhe vegimet në vaje dirgjen, sikur kjo borë që shkrin në currila pa bojë. Shpejtò, pranverë... Kjo shpresa qenkish tharm që shpirtin bren më keq se urithi dhenë. (Hej, dreq! këto dokrra e përralla, gjithë këto andralla, hej, rafshin zhyt-e-mbyt në pus të pafund: do t'jemi të lumë, të lumë, bum! të lumë, të lumë – bum, bum!) Shpejtò veç ti, pranverë!... ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Sa mirë, atëherë... Sa mirë, atëherë, o mite, kur isha fëmi; i lodhur prej lodrimesh gjithë ditën, nën hije të një shelgu bija këputur gjumi: ëndrra gjithfarë, plot ndriçime. I pezmatuar tash vetëm ndrydhi, e nata, e ditës lubi, shpirtin ndër helme përkundë, e arsyeja brehet pa nda, e bren. E në agim shiroku, një mbas një, sy lotues ngulitë mbi xhame; bie ora pesë: unë kryqin marr në krah e me pak frymë fillohem për Kalvar. Eci. Dhe me ngadalë e lehtë një këngë sajohet ndër dej: “ad adiuvandum me festina”. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Uratë për ditë gushti Më keq kjo re që kërcënon po më shastisë, ky horizont prej vape ngujuar anë për anë, ky diell pingul, kjo pritje e nderë apokalipsi. Oh, ëndërrimet! Krejt bota ndër dej më gjëmon e më ther: mos rruga përnjëmend nuk paska krye? S’u gjendka pra, përtej syzimeve tona – dishrake, armike, të marra – s’andejmi sipër reve një shuplakë, një paqëtim që nuk e njohim ne, të shkretë e të mjeruar e grabitqar pa pikën e mëshirës? Përlajna, pra, ngushllim i pazbuluar, sado e tmerrshme që të jetë! E mos na len të digjemi zhar, por librona mëkatit të mjerimit, o Zot! ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Guri i zi E gjer kasollet e përvuajtura t'u shmangen. Ti pate zbritur prej majash të vrenjtura mundueshëm e duke u zvarritur, si korb i zi, me flatra të cunguara, një vaj të mekur me lëshue. Do kthehem prap një natë së bashku me ty me heshtë, pse fatet vetmitare na afrojnë. Isha i ri: im'atë, i zymtë e zemërplasur, mbi ty i pushonte sytë e bardhë e të përlotur e kuvendonit gjatë. (Biseda juaj e fshehtë, me ritme të nëndheshme, krejt mishrat m'i rrënqethte! Dhe strukesha i drojtur ndër dashuri vezulluese.) Ashtu si im'at unë do vij prap një natë me heshtë me ty pse fatet na afrojnë. Vajtimi i plakut në shtëpinë e shkretuar Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete; harrohem ndër rrënoja e ngushllohem. Deri këtu – a dole shpirt! – me zor u kapa, gërmuç e kalamendas anës së rrugëve; (thëllimin si m'e ça me avull të pakët?) Të zhigatura, por prap në këmbë këto mure qëndrojnë këtu në qoshe sytë veri nuk i shikë e në lotokan, lotojnë përmallë... Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete: “Qetësia ndër kthina jehonte, fëmia...” ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Në kuminë e tullave – Baladë – Shi. Reshje pa pushim e llafe të pambarim të pjekësave në kapanon. Llom, që ngjet si dyllë e këmbën ta pengon. Përtace një re plandosë mbi kodër një tis për horizont. Të merret fryma prej tymit të furrës në kapanon. Unë tretem në mendime. Ruzha, flokë-verdha, bërrylin ma fërkon me gjiun e thatë. Sillem, por syrin gacë vrik e largon. Ikën e vjedhtas mes proskash dredhon. Qielli i bardhemët pika të zeza si miza shoshon. Kur moti bën kësisoj, nuk di sepse shpirtin e vrarë shpuproj: Pse u katandisa rrugësh vagabond? Bishtin e ndragur të cigares e pështyj në llom; e qorrazi këmbët nga furra shyte m'atë anë zemra m'i çon, ku Ruzha mbi stivat e kuqe rrin strukur: prirtas e drojtur më buzëqesh; fundin prej basmeje të verdhë, që gjumin zeshkan ia zbulon, e ulë e topitur. Më therë në zemër. Këmbët në baltë mërdhijnë, por rrokja dishrake trupat i vokë. Gjakun çekan ia ndiej e dihatjen si fëmi, që bashkë me lotët e valë m'i shprazë në gji. Çon kryet e më kqyr (s'ka gjë se pika shiu ndër sy rigojnë). Flet: "të rrijmë bashkë sivjet, do të punoj dhe vetë..." E më shtrëngon si e marrë. Më s'flasim. Shiu menë; një rreze e hollë nisë tymrat e po i çanë: ne kapemi për 'të e hipim përmbi re. Prej kapanonit dëgjohen të qeshura e një blegërimë rrënqethëse. Më thotë: "Kanë blé një kec me e therë..." Pse dridhemi kështu? Thua dashuria brengat shpaguan? ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Atleti Në luginën e mavijosur atleti sy për sy me diellin shigjetohet: shpirt i gjallë, heshta në erë flakuron, me kreshta matet e me qiell. (O çaste, o jetë, amshimi kaq i ngushtë na qenka sa zemrën e djalit të mos e përmbajë?) (Motet që shkuan, fatzi, a s’po t’u dhimbkan). Pandore priret heshta me majën teposhtë, përpëlitet, e mjera, përpëlitet, por shpejt ngulet në dhè, dridhet një çast e pushon. Lumon mortja. ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Shtëpizat Për njëra tjetrën strukur shtëpizat, të dala boje përkulen, mërdhasin me sy të ngulitur në horizont. Eshtë qielli plot pranverë. Unë s’druaj Edhe po të më priret prej hallesh një brengë. (Mos ndoshta kjo erë ma zgjon falisur për reshje përtëritëse? Kesh bëhemi fëmi edhe një herë!) ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
LUPEN |
| ||
![]() ![]() Registered Member #2813 Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56amPosts: 10264 | Një gozhdë Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur... Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë e futur... Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur... e ngulur thik... e futur thellë... e mbetur thatë... ![]() Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë. Lot e gaz. Si jeta e njerëzve... | ||
Back to top | | ||
Go to page 1 2 | |
Powered by e107 Forum System