Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Lazër Radi (1916-1998) - jurist, publicist, prozator, poet e përkthyes
Go to page  1 2
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Mon Jan 16 2017, 08:04pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264


Lazër Radi lindi në Prizren më 29 janar 1916, si i fundmi i katër fëmijëve në familjen e Çup dhe Ganxhe Vilës.

1922-1929, frequenton shkollën fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes.

1929, si rezultat represionit serb mbas arratisjes së vëllezërve nga shërbimi ushtarak detyrohet të marrë udhën e mërgimit, në Shqipëri.

1930-31, vazhdon një vit të shkollës së mesme në gjimnazin e Tiranës.

1931-1938, vazhdon gjimnazin e Shkodrës, në konviktin “Malet Tona”.

1935-1938, fillon botimet e para në shtypin e kohës (Shtypi, Kombi, Drita, Diana, kryesisht me emër, me inicialet, L.R., apo me pseudonimet Lara, Lapredi, Ladi…).

1936, në verën e atij viti, në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra, njihet me poetin Migjeni…

1936, grupi përparimtar i shkollës, ku bënin pjesë autori, Qemal Stafa, Xhemal Broja, etje. përgatit për botim gazetën “Shkëndija”.

1937, ndodhet në Romë me grupin e njëqind studentëve shqiptarë.

1938, përfundon me sukses gjimnazin dhe bën të gjitha përpjekjet për të vazhduar studimet në Jurisprudencë në La Sapienza të Romës.

1938-1942, vazhdon studimet në Itali.

1940, bashkëpunon me gazetën “Tomorri” dhe “Tomorri i vogël” me një seri artikujsh, gjersa ndalohet me protestë të ambasadës jugosllave.

1940, Boton librin “fashizmi dhe Fryma shqiptare”.

1942, laureohet me 110/110 Doktor juris dhe ftohet si asistent profesor në katedrën e prof. Vito Cesarini Sforza.

1942, kthehet në Shqipëri dhe nis stazhin e Avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës.

1943-1944, publikon një seri artikujsh redaksionalë në gazetën “Bashkimi i Kombit” me emër, iniciale dhe me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”.

1943, në dhjetor martohet me Vitore Vushmaqin.

1944, merr liçencën e avokatit dhe nis ta ushtrojë atë.

1944, me 23 nëntor, arrestohet nga partizanët që kishin marrë pjesë në çlirimin e Tiranës.

1945, dënohet me grupin e parë të të arrestuarve, në Gjyqin Special, me tridhjetë vjet heqje lirie.

1944-1954, vazhdon odiseja e pafund e burgjeve të tmerrit komunist.

1952, i arrestohet edhe e shoqja dhe dënohet me dhjetë vite burg.

1954, lirohet nga burgu dhe pa mbushur dy javë interrnohet fillimisht në Savër e më pas në kampin e intelektualëve, në Kuç të Kurveleshit.

1944-1958, interrnimi në kampin e Kuçit të Kurveleshit.

1956-1957, lirohet nga burgu e shoqja dhe u lind fëmija i parë.

1958-1962, i interrnuar në kampet, e Shtyllasit, Radostinës, Gradishtës dhe Çermës.

1959-1963, i lind fëmija i dytë dhe i tretë.

1962-1990, i interrnuar dhe dëbuar në kampin e Savrës. Punon si mekanik, murator, marangoz, hekurkthyes, dizenjator dhe punëtor krahu në fushë.

1976, del në pension pleqërie.

1982, demaskohet publikisht si armik i popullit dhe i pakënaqur nga regjimi.

1985-1990, nis të shkruajë kujtimet në tre vëllime, përgatit dy libra me poezi, plotëson veprën “Një verë me Migjenin”, përmbledh kujtimet mbi Mirash Ivanajn, përkthen librin “Qytete dhe Fantasma” të Duçiqit.

1988, përkthen poemën e jashtëzakonëshme të Jevrem Bërkoviqit “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, e cila qarkulloi fshehtas dorë më dorë.

1990, kthehet në Tiranë mbas një odiseje gati gjysëmshekullore persekutimi çnjerëzor.

1991, bën përpjekjet e para për të botuar shkrimet e para në shtypin opozitar.

1991, rikthehet në Romë pas një gjysëm shekulli dhe vihet në kontakt me shokët e dikurshëm të shkollës. Aty njihet dhe ndihmon dy gazetarët e rinj, Blendi Fevziu dhe Armand Shkullaku.

1992, nis të botojë intervista dhe artikuj të shumtë në shtyp (Z. Rinisë, RD, Kombi, Drita Islame, Patrioti).

1992, zgjidhet kryetar i degës së Tiranës, për partinë e Unitetit Kombëtar dhe boton një seri artikujsh në gazetën “Kombi”.

1993, për mospërputhje parimore, jep dorëheqjen nga PUK.

1992-1998, themelon së bashku me një grup patriotësh, Lëvizjen Demokratike të Bashkimit të Shqiptarëve. Organizojnë takime të shumta të kësaj lidhje në mjaft qytete të Shqipërisë.

1993, boton së bashku me të birin vëllimin poetik, “Muret e Muzgut” dhe përkthimin e poemës “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina”.

1993-1994, një seri gazetash të majta, si ZP, Kushtrim Brezash, Populli Po, Kombi, e sulmojnë paturpësisht përmes pseudonimesh. Megjithatë ai vazhdon të shkruajë e të botojë, artikuj të shumtë në përkujtim të viktimave të genocidit komunist.

1994-1997, boton gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve”, e cila luftoi denjësisht për çështjen kombëtare jashtë kornizave demagogjike të kohës.

1994, boton librat dokumentarë “Misteret e një Ministri” dhe “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, ndërkohë vazhdon të punojë e të shkruajë, deri në 14 orë në ditë në kushte tejet të vështira. Përkthen Frojdin, Jungun, një “Enciklopedi të historisë së botës” dhe një seri veprash të mbetura dorëshkrime.

1995, boton librat me përkthime “Epopeja e njeriut” e vëllezërve Ivanaj dhe “Jeta dhe Zakonet e shqiptarëve” e Mark Milanit.

1996, boton librin e dytë poetik “Shpresa vdes e fundit” dhe monografinë “Njeriu i rrugës së gjatë”.

1997, i vdes e shoqja, Vitorja, me të cilën kishte ndarë vitet pafund të tmerrit komunist.

1997-1998, e megjithatë vazhdon të botojë përkthimet “Platoni, vepra”, dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit, studimin “I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memorialin “Shqipëria në vitet ‘30”, vëllimin poetik “Anzave të Sharrit” novelën “Apollogjia e Sokratit në Tiranë”.

1998, me humbjen e gruas dhe mërgimin e të birit, shëndeti i tij vjen duke u rënduar gjithnji e më tepër, gjersa mbylli sytë mëngjesin e 23 shtatorit, ditën e daljes nga shtypi të librit që aq shumë e kish për zemër “Një verë me Migjenin”.

1998, Shoqata e të Përndjekurve Politikë i organizon një varrim madhështor.

[ Edited Tue Jan 17 2017, 09:20am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Jan 16 2017, 08:18pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Islamizmi dhe Kristianizmi në letërsinë shqipe
- Dr. Lazër Radi


Në shtjellimin e kësaj teme mjaft delikate u mbështeta kryesisht në materialet që shqyrtoi Prof. Ernest Koliqi në Seminarin në Universitetin e Padovës disa vite më parë.


Islamizmi dhe Kristianizmi, në asnjë vend tjetër të botës, nuk jetojnë ashtu krah për krah me njëri tjetrin si në Shqipërinë tonë. Letërsia, krahët e vet si prej shqiponje, i shtrin duke përqafuar shpirtëra dhe forma si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. Të huajt, duke e vërejtur këtë simbozë bashkëjetese elementesh të ndryshëm, të bashkëjetesës së komunitetit mysliman me atë kristian shqiptar, arrijnë në disa përfundime të çuditëshme duke i konsideruar të krishterët si të pagëzuar keq dhe myslimanët si gjysëm fetarë dhe vetëm paksa të kallaisur me një shtresë islamizmi. Kjo, s’është fare e vërtetë!
Shqiptari, në përgjithësi, e ndjen thellësisht nevojën për të besuar diçka mbinjerëzore dhe e pëlqen disiplinën e një norme fetare. Nuk është ekspansiv dhe do që ta ruaj thellë në shpirtin e vet pa e reklamuar ndjenjën e tij fetare. Në kët drejtim është i rezervuar edhe në shfaqjen e dashurisë që ndjen për familjen e vet. Të huajve nuk ua shpreh kurrë vitalitetin e ndjenjave të veta fetare, dhe ka mundësi që ky i huaj – nëse nuk di të futet në kompleksin e psikologjisë së tij, – që t’i konsiderojë njerëz pa ndjenja fare. Zoti ose Perëndia, për të dy palët, është e njëjta gjë: ata betohen njisoj: “Pasha madhninë e Zotit…” ose, “Pasha t’naltën Perëndi…”
Nuk i kemi vënë vetes për detyrë të përballemi këtu me problemin delikat të konvertimit të shqiptarëve në islamizëm. Nuk kemi për qëllim as të studjojmë pikat e kontaktit në mistikën e të dy besimeve dhe as mundësitë që ato mund të kenë për të gjetë në planin moral pikat e kuptimit dhe të bashkimit… Në fakt, këto janë probleme pasionale dhe shumë tërheqëse, por, këto çeshtje do t’ua lemë teologëve kompetentë t’i zgjidhin. Ne duam të theksojmë këtu faktin se islamizmi dhe kristianizmi, në vendin tonë, kanë gjetur një modus vivendi, gjë që provon se sa shpirt liberal dhe tolerant ka fisi i ynë, raca e jonë, dhe, pa asnji ndërhyrje autoritare, krijohen marrëdhënie të tilla të qëndrueshme që s’mund të hasen në asnjë vend të botës: p.sh. ka raste që brenda gjirit të një familjeje të ushtrohen dy besime të ndryshme, ose po marrim një shembull tjetër akoma ma tipik: Hoti, një nga fiset nga më katolike të Malsisë së Shkodrës, ka pasur si bajraktar të vetin nji mysliman.
Shpirti i tolerancës është i zhvilluar deri në atë shkallë saqë nji i huaj e ka të vështirë të mësojë ta dallojë kristianin nga myslimani, si ndër qytete ashtu edhe ndër fshatra. Bajroni pati dy rrogtarë shqiptarë, një muhamedan dhe një ortodoks, që e kanë shoqëruar në udhëtimet aventuroze nëpër Shqipëri e Greqi deri në vdekjen e tij në Missolongj. Ai thoshte se “nuk ishte në gjendje të dallonte se cili prej tyre ishte mysliman dhe cili ortodoks…”
Shqiptarët, turkun e kanë konsideruar gjithmonë uzurpator dhe pushtues. Këtë pushtim nuk e duronin edhe pse mund të ishin të një besimi! Kjo vërtetohet nga një letër që Monsinjori Budi, autori i Doktrinës së Krishterë, i dërgon Kardinalit Gozzadini me 15 Shtator 1621. Në këtë letër Prelati shqiptar e thotë haptas se të krishterët dhe myslimanët ishin të gatshëm të thyenin zgjedhën e Turqisë pushtuese, por duhej që Vatikani t’i ndihmonte me armë e me mjete të tjera të nevojshme për luftë.
Predispozimi shqiptar për ta kundërshtuar pushtuesin e huaj del në pah mrekullisht në të gjithë poezinë tonë popullor. Por, duhet theksuar se në këtë poezi bëhet një dallim shumë i qartë ndërmjet myslimanit dhe turkut aziatik. Dëshmia më e bukur për këtë është nji këngë e bukur anonime Zani i Kasnecave. Kjo poezi ka mundësi të jetë bërë nga ndonjë poet i përgatitur. Megjithatë, ajo, deri tek ne ka mbrritë ashtu siç na kanë ardhur të gjitha kangët e kreshnikëve dhe ato popullore. Kjo lirikë e mrekullueshme po i mundon prej kohësh studiuesit shqiptarë të poezisë popullore. Këtu ngrihet lart trimëria shqiptare, kristianë e muhamedanë, të bashkuar në luftë kundra Pazvan Ogllut. Pra Zani i Kasnecit, është nji këngë e nji gëzimi krenar për një fitore të arritur pikërisht mbi një ushtri të madhe të komanduar nga një pashë mysliman, por turk prej Azie.
Nga koha e Skënderbeut, gjithë shqiptarëve, pa dallim përkatësie fetare, u ka ngelur në shpirt një gjurmë zjarri që menjëherë shpërthen kur dikush e prek aty ku s’mban: në Atdhe, Këto hove prandaj mund të quhen ma tepër instikt se sa ndërgjegje kombëtare. Një instikt të tillë e ndeshim në episodin e Kupe Danes (Jakup Ramadanit), një mysliman Shkodre i cili, në gjysmën e parë të shekullit të XIX, vrau dy ushtarë turq të cilët, në rrethinat e qytetit, u përpoqën të dhunojnë një grua të krishterë.


*****


Ndoshta fati i Shqipërisë nën pushtetin e Perandoria Osmane, krijoi mundësinë që ashtu e zaptuar të mund të fosilizohej. Ndoshta nga ky fosilizim otoman mundi të na shpëtojë nga gllabërimi sllav nga Veriu dhe helenizimi grek nga Jugu. Kështu, ndjenja atdhetare mundi të shpërthejë e fuqishme, mbas pesë shekuj letargjie, në fund të shekullit të XIX-të.
Shkundja kombëtare, që i zgjoi shqiptarët nga gjumi shekullor qe Kongresi i Berlinit, i vitit 1878. Të mpirë e të topitur, ata u zgjuan nga jehona e fitoreve ruse, dhe pavarësia e shumë shteteve ballkanike, përfundoi me Traktatin e Shën Stefanit. Sllavët e jugut dhe grekët u nisën të vendosur për t’ia rrëmbyer vendit tonë krahinat më pjellore e më të populluara të Shqipërisë, nën pretendimin se ishin toka të Perandorisë Turke. Propaganda tinzare helenike dhe ajo pansllaviste, edhe sot përpiqen të hallakasin ndër mendime, duke i paraqitur muhamedanët shqiptarë si turq dhe duke mos e shkëputur përkatësinë etnike nga ajo fetare.
Lëvizja e vërtetë për lirinë e Shqipërisë e ka zanafillën e vet tek Lidhja e Prizrenit (1878). Miti i gjakut të përbashkët dhe i gjuhës së përbashkët i dha flakë letërsisë shqipe, e cila pikërisht në ato vite të shqetësuara fillon të forcohet dhe të pasurohet me vepra letrare të rëndësishme të të gjitha zhanreve. Krijuesit dhe frymëzuesit e kursit të ri të ideve shqiptare dhe të ndjenjave atdhetare, në mënyrë të veçantë ishin tre vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu. Lëvizja bëri që brenda nji kohe të shkurtë të përfshihet gjithë masa e popullit – ajo kalli ndër shpirtra dëshirën për t’u çliruar nga ajo tirani shekullore. Të tre vëllezërit edhe pse myslimanë (bektashi) në shërbim tw Perandorisë të njëjtën kohë ishin edhe proshqiptarë të flaktë.
Nuk ishte e lehtë ta shkëpusje popullin fetar mysliman nga pushteti i sulltanit, pasi vegjëlia shikonte jo vetëm sundimtarin por edhe Kalifin, zëvendësin e Profetit mbi tokë. Sulltan Abdyl Hamiti, i donte shqiptarët sepse ata formonin nji bërthamë të fortë në gardën e tij perandorake.
Tre vëllezërit Frashëri kanë meritën e madhe se qenë nismëtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar duke e paraqitur sundimin turk si armikun e Shqipërisë dhe duke deklaruar, se nuk duhej ngatërruar aspak feja me racën dhe fisin. Naim Frashëri, në poemën e tij madhore “Skënderbeu”, nuk u kursen turqve pushtues akuzat ma të rënda bile edhe sharjet ma rrënqethëse! Vepra është e mbushur me episode ku numërohen dëmet dhe fatkeqësitë që i kanë shkaktuar otomanët Shqipërisë. Poeti, në fantazinë e tij, imagjinon sikur Fati i Shqiperise, duke marrë pamjen e Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut, që i shfaqet në ëndërr në Adrianopojë, princi i ri, që jetonte në oborrin mbretëror të sulltanit. Aty Princi merr vesh vdekjen e të jatit dhe vuejtjet që po kalonte Atdheu nën sundimin e Turqisë.
Agzoti u ndez!
Ekzistonte nji kombësi shqiptare… por e zhytur në harresën e kohërave, na e shpalos aq bukur Jeronim de Rada, duke na tregoi se ky komb mund të ringjallej dhe me gjithë karakteristikat e veta kombëtare dhe me fizionominë e vet shpirtërore në jetën e krejt popujve të Europës. Këto ide premtuese e shpresëdhënëse shpërthyen aty rreth vitit 1835. N’atë kohë kur ishte duke mbledhur këngët popullore shqiptare ndër kolonitë arbëreshe. Pikërisht në veprën e tij madhore Kangët Milosaos, në vitin 1836, ai flet për çlirimin e Shqipërisë. Frymën e këtij mendimi e përvetësoi dhe i përhapi Shoqëria “Drita” e Kostandinopolit; ma pas kët flakë e përhapën Faik Konica me revistën e tij “Albania”, Mjeda, Çajupi, Zef Skiro Plaku dhe Fishta me epikën e tij madhështore “Lahuta e Malcis”. Para dhe pas tyre janë nji varg i madh poetësh, shkrimtarësh e intelektualësh të tjerë. Gjatë gjithë periudhës luftarake të Rilindjes, Shqipëria është përpjekë që me mënyrat ma të përshtatshme e ma të volitshme të bashkëjetesës e kurrë njiherë ato të përplasjes me konceptet negative ndërmjet kristianizmit dhe islamizmit. Nji nga dëshmitë ma të bukura të kësaj harmonie, bazuar në shpirtin liberal dhe mirëkuptimit reciprok, është pikërisht bashkëjetesa vllaznore e myslimanëve dhe e kristianëve në Shqipëri. Ky është një shembull i dobishëm për të gjithë popujt e Mesdheut, djep i aq besimeve dhe i aq qytetërimeve, të cilat duhet t’i gjejnë pikat e nevojshme të kontaktit për t’u zhvilluar dhe për të mbijetuar duke iu shmangur dredhive të politikës së sotme ndërkombëtare.


*****


Islamizmi dhe kristalizmi gjejnë një platformë mirëkuptimi dhe baza të shëndosha bashkëjetese edhe ndër vargjet e poetit franceskan Pater Gjergj Fishta. Pranë personazhit Marash Ucit, katolik, mishërim i urtësisë tradicionale shqiptare, ai vendos figurën e myslimanit Oso Kuka, që ka dashuri të madhe për Atdhe dhe e ndjen në shpirt sensin e vllaznisë. Kupe Dana thotë: “nderi asht nji trashëgim i barabartë si ndër myslimanë edhe ndër katolikë.”
Të qënit besimtar i vërtetë dhe ndjekës i Muhametit nuk i pengoi kurrë as myslimanët ma fanatikë shqiptarë që t’i konsiderojnë osmanllinjtë si pushtues dhe si uzurpatorë.
Pater Gjoni, frat shqiptar, nxiti Kelmendin që të ngrihej në kambë dhe t’i shkonte në ndihmë vëllezërve myslimanë që po luftonin me Malin e Zi, dhe gjatë luftimit, i kërkoi Mark Milanit një armëpushim të shkurtër për të mbledhur të plagosurit e për të varrosur të vdekurit. Mark Milani e pranon kërkesën e Fratit katolik, por i thotë: “Ti i krishterë dhe unë i krishterë, ti me Kryq në dorë, e me Krisht në zemër, ke dalë për t’i ndihmuar “turqit” në luftë.!!”
Përgjigja krenare e Pater Gjonit: “Kam dalë të ndihmoj shqiptarët në luftë me Malin e Zi, megjithëse janë të besimeve të ndryshme, por, qoftë ai qi beson në Krishtin apo ai tjetri që respekton Kuranin, ka për Nanë Shqipninë dhe për të vdes…
…pra, Rilindasit tanë apo Dërgimtarët e Kombit, siç i quan Lasgush Poradeci, u vërsulën drejt qiellit të Kombit, si parathënës të fatit të Shqipërisë: Naun Veqilharxhi në Rumani, Eftim Mitkua në Egjipt, Anastas Kullorioti në Greqi, Harallamb Koçi në Rusi, pastaj dërgimtarë të tjerë Naim Frashëri, Pashko Vasë Shkodrani, Mihal Grameno, etj.


Poeti Naim Frashëri, një bektashi shqiptar, puth Krishtin në emër të Kombit dhe lajmëron bashkimin e shqiptarëve në fenë e përbashkët të Atdhedashurisë.


Diplomati Pashko Vasa, katolik shqiptar, depërton në shpirtin e vet për të gjetë Mendimin e Kombit dhe porositë me himnin e tij:


“Çoniu, shqiptarë prej gjumit çoniu,/ e të gjithë si vllazën n’nji besë shtrëngoniu,
e mos shikoni kisha e xhamia/ feja e shqyptarit asht shqyptaria”.


Kryengritësi Mihal Grameno, ortodoks, shqiptar këndon:


“Njëri në kisha, tjetri në xhamija/ jemi vllezër s’na ndajnë dot”.


Frati Gjergj Fishta bëri që shqiptarët e feve të ndryshme “të lidhin besë e fe shqiptare” dhe, në “Lahutën e Malcis” bani kombtarizimin e Oso Kukës, të Ali Pashë Gucisë dhe Hajrijes, duke i bashkuar me Marash Ucin, me pater Gjonin e me Tringën.


Një prift tjetër, ortodoks ky, Fan Noli, Dërgimtar i shqipes futi mendimin e Kombit në mendimin e Flamurit: bashkimin e shejtë kombëtar.


“Flamur që linde Shën Konstandinë,/ pajton islam e krishtërimin/ çpall midis feve vllazërimin…”


E gjithë kjo lëvizje atdhetare, e gjithë kjo kambëngulje e shqiptarëve bëri që të detyrohet Bismarku të mendohej për vendimet që kishte marrë pa i pyetur shqiptarët.
Traktati i përgatitur u rishikua! Europa, e habitur, u kujtua se me të vërtetë ekzistonka nji popull shqiptar – i bashkuar dhe i vendosur për të mbrojtur me pushkë kufijtë e vet etnikë dhe të drejtat e veta. Në fillim u tha dhe u besua ndërmjet nesh se qe nji mrekulli që ndodhi me Shqipërinë e me shqiptarët e që shpëtoi vendin tonë. Por… në qoftë se do ta quajmë mrekulli, atëhere le të themi se kjo meritë është e tolerancës së gjerë të popullit shqiptar, e rilindasve tanë, e udhërrëfyesve tanë politikë të kohës, por mjaft edhe e poetëve dhe e shkrimtarëve, të cilët, pa marrë parasysh të qenit i këtij apo atij besimi, ditën të realizojnë triumfin e gjakut të përbashkët dhe gjuhës së përbashkët: d.m.th. vllazërimin e gjithë shqiptarëve që e njohin Shqipërinë për Nënë…



[ Edited Sun Feb 19 2017, 08:37am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Jan 16 2017, 08:22pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Letrat e Klaudias (doreshkrim)

Nuk desha me e përmendë Klaudian në këto kujtime të largëta, sepse s’e kisha ndërmend me i lëndue do plagë shpirtnore që vetëm “erosi” din të hapë në zemrën e nji të riu…

Ishte delikate nga shtati, nji fishkull e gjatë, me t’u dukë si ato selvitë e bjeshkëve tona. Flokët e verdhë e me dallga i derdheshin plot hir mbi supe. Sytë e kaltër dhe fytyra e mprehtë, shikimi depërtues dhe i mendueshëm i jepnin qëndrimit të saj nji nur e nji finesë që binte në sy qysh në shikimin e parë.
U njoftëm nji mbasdreke çaji, organizue në shtëpinë e nji markeze romane, nji shoqe e imja e universitetit. E ftova disa herë në vallëzim, kohë gjatë së cilës patëm rast me i hedhë njeni tjetrit shikime domethanëse. Shpesh, mjafton nji shikim diskret, me u bà urë elokuente e nji bisede të tanditshme. Në mbyllje t’asaj mbasditeje dolëm të gjithë bashkë, dhe ashtu grumbull bamë nji copë rrugë në kambë.
Që ta merrja vesh unë, Klaudia i tha markezës, se të nesërmen në orën dhjetë së bashku me të motrën do të shkonin në “Santa Maria degli Angeli” kisha përballë Sheshit Ezedra, për meshën e orës njimbëdhjetë.
Me kaq u ndamë pa i dhanë pikpjekje njeni tjetrit.
Të nesërmen, nji forcë e mbrendshme më shtynte me shkue në kishë në orën që Klaudia dhe e motra do të ishin atje. U përpëlita pak, po ma në fund vendosa të shkoj.
Kisha ishte e mbushun plot. Zuna vend diku nga fundi, gjithnji afër derës me qëllim që në bisht të synit t’i kontrolloja hymje daljet. Për fat aty takova edhe nji shokun tim, dhe mbas meshe me biseda “kodra mbas bregut” u përpoqa me e mbajtë afër, me përligjë vonesën time në dalje. Ndërsa kisha boshatisej, Klaudia s’po dukej kund. Kur i afrohemi portës së daljes, dallova at kapelen karakteristike që kish pasë nji ditë ma parë. “Vajza në krah që i ngjan shumë, sigurisht do të jetë e motra!” – mendova me vedi. Për nji çast u pamë të dy dhe përshëndetjen e saj, e përcolla me nji “Më fal”, duke u përshëndetë me shokun tim dhe duke u drejtue pak me ngut nga vajzat. Menjiherë ia lexova në sy kënaqsinë që më shihte aty, dhe mbasi u përshëndetëm miqsisht, si të njiheshim prej kohësh, dy motrat më futën në mes, e duke i dredhue shatërvanit të famshëm të sheshit morëm rrugën Nacionale, u futëm në të majtë, ku ishte nji bar luksoz, në të cilin gjithë ne të abonuemit e pension Europës, shkonim aty shpesh për ndonji aperitiv…
Dy vajzat morën diçka freskuese, kurse unë “Imperialin” tim të zakonshëm. Karrige në lokal s’kishte, po vetëm ca stola të naltë pranë banakut, për me i konsumue gjanat në kambë, dhe me ua lirue vendin klientve të tjerë. Ne me pijet tona në dorë zumë vend në nji qoshe. Linda, motra e Klaudias, kur mori vesh se isha “aa albanese…”, tregoi menjiherë interes dhe nisi me më pyetë për Shqipninë, të cilën e njihte përmes pushtimit dhe Viktor Emanuelit, i cili tashma quhej edhe mbret i Italisë dhe Shqipnisë…
Më pyeti për natyrën, për zakonet, për gjuhën duke mendue se Shqipnia gjendej diku në Afrikën e Veriut, afër Abisinisë. Kur i shpjegova se vetëm nji grykë deti na ndante u çuditën të dyja dhe ju mbeti goja hapë… Dhe kur u shpjegova se atje kisha mbarue vetëm shkollën e mesme të kulturës së përgjithshme dhe nisa me iu folë për kulturën, politikën, historinë, u banë edhe ma të habituna dhe goja u mbetesh edhe ma e hapun!
Biseda zgjati, aq sa u harrue se ishim në kambë. Asokohe isha nën ndikimin e novelave të “Hijes së maleve” të Koliqit dhe kur nisa me rrëfye gjana interesante, ato mbetën të gozhdueme edhe nga ajo lehtësi komunikimi, për të cilën tashma isha mjeshtër…
Kur dolëm prej lokali vajzat m’u lutën që rrugët deri te shtëpia e tyne ta banim në kambë. Ishte mjaft rrugë, sepse duhej përshkrue krejt rruga Nacionale, duhej zbritë në sheshin Venecia dhe njena prej shtëpive të para të rrugës Viktor Emanuele ishte edhe banesa e tyne.
Duke dashtë më shfrytëzue ekzotizmin e vendit tim dhe at mënyrë të rrëfyemi që më ka ndihmue gjithë jetën, ajo rrugë pothuej tre kilometra u ba pa u ndje hiç.
Me at rast, po shfrytëzoja legjendën e Shehrazades së “Njimijë e nji netve”, që ndamja të ndodhte në nji pikë kulmore… Edhe pse gjatë gjithë kohës po tregoja gjana mjaft interesante, kur mbërritëm para portonit të shtëpisë së tyne, e ndërpreva rrëfimin… bash në nji çast kulmor, në mënyrë që të mbetesh atyne kureshtja me m’ftue nji herë tjetër…
Shumë miqsisht u përshëndetëm dhe u ndamë.
S’dhamë as pikpjekje, as adresa, as numra telefoni, sepse të dyja palët ishim të binduna se kjo gja do të ndodhte shumë shpejt.
I hypa autobusit në sheshin Ezedra për me drekue në pension. Gjithë rrugës më shfaqej fytyra e Klaudias, që edhe pse kishte lanë të motrën me shuejtë kuriozitetin, gjatë gjithë kohës më kish ndjekë me vëmendje dhe me shumë afeksion. Vrisja mendjen si mund të takoheshim përsëri. Diçka na kish tërheqë të dy palëve qysh në çastin e parë, po asnjeni s’kish marrë guxim me u shprehë, duke mbetë të dy në pozitat e stepjes. Unë vendosa me u mbyllë në vetvedi e mos të bahesha i gjallë për do kohë, të paktën t’mos isha unë ai që kambngulja. Doja me pa reagimin e saj dhe si do t’i jepte ajo zgjidhje kësaj pune!
Java kaloi në heshtje dhe e shtuna erdhi shpejt.
Shoqja e Klaudias, markezina, për at fundjavë organizonte nji tjetër mbasdite çaji me vallzim. Dy ditë ma parë më kishin ftue edhe mue… pse e mora vesh se ishte e ftueme edhe Klaudia, atë të shtune vendosa të mos shkoj…
Anzonia-n, të zonjën e shtëpisë ku jetoja, e porosita me shpjegue se po merresha me disa artikuj për gazetat dhe se nuk ndodhesha në shtëpi për askënd. Si grua shumë e rregullt e korrekte, ajo çdo porosi timen e zbatonte me nji përpikmëni gjermane. Nuk kam njoftë nji të dytë si ajo!
Dola në qendër të Qytetit, porosita nji kosh të mbushun me lule të bukura dhe të shtrenjta, shkrova nji kartëvizitë, ku me keqardhje u kërkoja ndjesë për pamundësinë, që të isha i pranishëm edhe vetë në at mbasdite, por ajo tufë lulesh në mënyrë simbolike do ta zavendësonte mungesën time. Kur erdha në shtëpi, Anzonia e shqetësueme më del përpara, dhe më thotë se kishin telefonue disa herë Markezina dhe nji zonjushë e quajtun Klaudia. E falënderova për justifikimin e saj, po ma shumë m’u ba qejfi për telefonatat e tyne.
Pashë orën, kishte kalue katra. E dija që aty rreth orës pesë mbasdite, niste me u shpërnda çaji. I shkoj Anzonia-s me kujdes dhei them:
– Nëse më telefon ndokush, i thuej se sapo asht kthye… dhe më thirr në telefon, se flas vetë!
Nuk vonoi dhe pak para orës pesë u ndigjue zilja e telefonit. Edhe pse punoja në studio, mendjen e kisha aty… te telefoni. Mbas pak Anzonia më lidhi me vajzat. Në anën tjetër të riçevitorit ndigjova zanin e ambël të markezinës, e cila ndërsa më falënderonte me fjalë të zgjedhuna për shportën e bukur të luleve, shprehte edhe keqardhjen e saj për mungesën time në at mbasdite fantastike. I thashë se i kisha dhanë fjalën dikujt, dhe s’mund ta ktheja mbrapsht…
– Po do të kemi raste të tjera të takohemi e të kënaqemi së bashku – u thashë duke i falënderue me mjaft delikatesë për ftesën.
– Nji minut, mos u largoni Zoti Radi, dikush kërkon me ju përshëndetë.
– Kush? – pyeta unë.
– Ja ndigjoje – tha markezina, dhe nji tjetër za u ndigjua të më përshëndesë.
– Oh, ju zoti Rudolf?
– Po unë personalisht! Kush jeni ju lutem? Më duket nji za paksa çuditshëm në telefon!
– Za i bukur a i shëmtuet?
– Jo, zà i panjoftun dhe i çuditshëm…
– Domethanë i papërcaktuem i pangjyrë si uji…
– Kush jeni ju lutem? – pyeta edhe pse e dija mirë se kush ishte në anën tjetër.
– Për sot s’kam emën… – u përgjigj i zemruem zani në anën tjetër, ndërsa telefoni iu kthye markezinës.
– Zoti Radi, pse kjo arrogancë?
– Më vjen keq, unë s’e njof arrogancën. Kur dikush më flet në telefon, mendoj se ashtë i domosdoshëm prezantimi. Më fal, kur keni vërejtë të jem sjellë ndonjiherë si arrogant?
– Jo asnjiherë, – u përgjigj markezina – po me Klaudian kësaj here s’u tregove aspak fantastik si herët e tjera.
– Oh me Klaudian! Po me zonjushën Klaudia kemi ditë pa u pa dhe pa u ndigjue. Pse ndodhet aty? A mund të ma kaloni pak ju lutem!
– Sigurisht, me shumë kënaqsi! – tha markezina, ndërsa në të dy anët e telefonit u krijue nji gjendje pauze, derisa u ndigjua nji zà paksa i ftohtë dhe i largët.
– Po Klaudia jam.
– Po si je Klaudia? Kaluen kaq ditë pa u pa. Ta dish se ju kam kujtue shpesh edhe ty edhe Lindën. Oh, jam ndje mjaft i kënaqun në shoqninë tuej. S’e di ju si jeni ndje me mue? Do dëshiroja shumë të ishim përsëri bashkë!
– Ne mirë, shumë mirë. Linda s’ka pushue së foluni për ty… Edhe im atë, edhe kunati kanë shumë dëshirë me ju njoftë mbas fjalëve të saj.
– Ndoshta të shtunën që vjen, nëse ju nuk keni ndonji angazhim tjetër… Mendojeni nëse mund të shkojmë së bashku te “Casino delle rose”!
– Deri të shtunën e ardhshme i thonë dy javë pa u pa!
– Atëherë shihemi nesër në meshë, si të dielën që shkoi.
– Po pse nesër, dhe jo tash?! Unë dal prej këtu, del edhe ti dhe takohemi diku nën portikët e Ezedrës. Ma merr mendja se kjo asht gjaja ma e kollajtë!!

S’kisha asnji arsye ta kundërshtoja… Bile në fund të fundit ky kishte qenë edhe krejt qëllimi i sjelljes sime…




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Jan 16 2017, 08:39pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Gazeta fuqi publike (studime gazetarie)

Duke filluar nga artikulli i sotëm, po u japim këndonjësve tanë një pasqyrë sintetike të gazetarisë. Të zhvillimit dhe të rolit të saj në historinë dhe jetën e kombeve. Siç do të konstatohet edhe prej vetë këndonjësve, studimi ynë do të jetë krejt objektiv dhe i bazuar në shkrimet me vlerë të dijetarit dhe gazetarit të dëgjuar Prof. Paolo Orano. Dhe fillojmë me pyetjen?

Ç’është gazetaria?

Gazetaria para së gjithash është fuqi publike. Gazetaria është funksion polemik, propagandë, proselitizëm, është gjykim i ngjarjeve, i veprimeve, i parimeve, i metodave të atij që qeveris: Gazetaria është apologji ose dënim, është pretezë e së vërtetës dhe ka për objektiv sundimin e opinionit publik. Gazetaria nuk është periodiçizëm botimesh, gazetaria është në histori manifestim kritike e kontrolli e cila, duke filluar që prej perëndimit të Ancien Regime-it, pak nga pak futet në grindjet fetare, në të drejtat, dhe më në fund, mbruhet dhe shpallet krejt politike dhe polemikat e ideve dhe programeve formon brumin e aktivitetit të sajë, të cilit pushtetet nuk mund t’i bëjnë ballë dhe, duke tërhequr mejtimin në fushën e praktikës politike, tendencat i kthen në korrente, korrentet në parti, partitë në forca që vendosen njëra kundrejt tjetrës, mbi fatet formale dhe substanciale të pushtetit.

Ku e ka origjinën opinioni publik?

Opinioni publik, i cili është aspekti psikologjik i shoqërisë moderne, besohet se origjinën e tij e ka në turbullimet fetare të Reformës Gjermane. Opinioni publik është fenomen dialektik. “Bërthama e parë e opinionit” e pra e nji krize të besimit, nuk mund të ishte veç fetare. Protesta kalviniane e bashkuar me atë lutheriane, dhe me atë filozofike, që nisin prej Leonardit, Brunos dhe gjer tek Galilei, goditën rëndë dogmatizmin fetar. Kështu doemos mori formën e opinionit d.m.th. të tezës, e pra, pozicioni, grindjeje, konflikti dhe beteje. Opinioni publik kërkon popullaritet. Dhe vetëm feja kishte popullaritet, vetëm qënia pro e kontra fesë mund të ngjallin interes. Në gjëndjen shpitërore sinqerisht të turbulluar të shumicës së popullit të Gjermanisë, të Francës dhe të Anglisë, apologjija në fillim, pamflet-i, që shpejt bëhet i dënuar dhe periodik, propaganda e kabalicizmit që mbrohet dhe e protestantizmit që sulmon, veprojnë duke ngjallur kështu nevojën e këndimit, të mjeteve të argumentimit, të bisedimit, të arsyetimit, të bindjes. Bisedimi është publik sepse është i pafrenuar sentimenti që e shtyn; është e natyrshme që ky (bisedimi) të kërkojë të gjitha mjetet ndihmëse dhe se ay i shtypit bëhet pa tjetër më i përshtashëm dhe më i përdorshëm për qëllimet e polemikës.

Karakteret e lëvizëshme të tipografisë kënaqin çfryrjen e mejtimit polemik, simbol i lumtur i lëvizjes së interpretimeve, i opinionevem i tendencave, me të cilën lind moderniteti e nga e cila lindet gazetaria. Dokumentat i gjejmë në Gjermani, dhe ca më tepër në Francë e mundësisht rreth periudhës së Kardinalit Richelien, në fazën hugenote të protestës fetare, në të cilën protesta hodhi rrënjë etnike e filozofike e mund të themi politike. Richelien personifikon fitoren e pushtetit politik centralist dhe Kalvini rishfaqet triumfant nën maskën e skeptikut aristokratik dhe fatalist, si shkatrrimtari mondan i parimeve dhe i disiplinës në Ancien Regime-it, dhe, më i vendosur e më i rreptë, nën atë të gazetarit të difamatorit të pafre që propagandoi të gjitha idetë – rrënjë të doktrinës shoqërore dhe politike që ushqeu më vonë Revolucionin Freng.

Duhet shënuar dhe theksuar se Revolucioni Freng i dha gazetarisë, e cila u bë kryesisht politike, ndërgjegjen e fuqisë së saj. Që atëhere politika është objekti i aktivitetit të saj.

Gazetaria ka shtytjen e saj politike, ka, njerzit e politikës, fuqitë e saj, përpiqet të duket dhe të jetë garancia e sukseseve, ta bëjë mjet të domosdoshëm të karrierës politike, publicitetin, popullaritetin, celebiritetin.
Njeriu që shkruan, sidomos atë që thuhet, bëhet apologje ose dektraton, njeriun që flet: dhe njeriu që flet, që prej ditës që gazeta bëhet susta eskluzive e lancimit politik, do të flasë për të marrë pëlqimin e gazetës si dhe për të ndihmuar qëllimet e dukëshme ose të mshefta. Regjimet demokratike me përfaqësi elektorale janë të pashtruara prej devocionit të gazetarisë dhe shumë herë prej forcës së gazetës.

Elektoralizmi është për definicion nën kujdesin e shtypit politik. Në fazën e parë pushteti, edhe pse përpiqet të kërkojë një farë autonomije, i nënshtrohet shtypit, i cili i jep ose i heq favorin e opinionit publik, shtyllë e pandashme, pasi është pushtet i zgjedhur parlamentarisht prej mekanizmit elektoral. Në fazën e dytë, pushteti i qeverisë dhe gazetaria maten, provohen, duke mbajtur pak-a-shumë aparencat dhe grinden, kështu ndërmarrja gazetareske duhet të krijojë mjete rezistence superiore. Në fazën e tretë gazetaria formon një fuqi më vehte! Gazetaria ngriti shtetin e tretë si trashëgimtarë politik të Ancien Regime-it dhe i dha fuqinë. Eksperienca që demokracitë nuk paraqesin kurajën e nevojshme për të mos vdekur veçse prej opinionit publik, fare lehtësisht e ka ngritur gazetarinë të çmohet si Pushtet i Katërt, si ai shtet i opinioneve që kurdoherë mund të vendosë mbi totalitetin e jetës së vet shtetit, shqyrtim i lirë, mejtim i lirë, liri polemike, liri akuze, janë garancitë bazilare që gazetaria kurdoherë ka kërkuar prej regjimeve të cilave ajo u dedikon jetën dhe fitimet e saj.
Arrin nji ditë që gazetaria bëhet kryesisht politike dhe bën për vehte tërësinë e jetës civile. Në këtë pikë historiografia e gazetarisë është një gjë e vetme me atë të ngjarjeve, të ideve, të doktrinave dhe arrin në zhvillimin ekstrem përpjekja në mes të pushtetit publik që mbrohet dhe duke mbrojtur çnatyrohet, dhe të gazetarisë, e cila përpiqet ta zëvendësojë. Pak-nga-pak përmirsimet teknike i shumëzojnë dhe i bëjnë të rrezikshme armët e shtypit, i cili proklamon të drejtën e gjithë lirive për t’ua rrëmbyer regjimeve me anë ligjesh, gjer në pikën sa gjithë e drejta është e tij.

Kështu shtypi, pasi fiton opinionin, ka në dorë të tij pushtetin politik, i cili rrjedh prej një opinioni publik të bërë parti. Gjysma e dytë e shekullit të kaluar si dhe ky shekull janë provat më të gjalla.

***

Termi Opinioni Publik ka një kuptim pothuajse eksluzivisht politik, ose më mirë etiko-politik. Mirëpo që realiteti të përfshihet në këtë term, gjithçka në shtresim publicitet u referohet marrëdhënijeve përherë e më të ngushta si dhe të nevojshme, që ekzistojnë në mes të shtypit të përditshëm dhe çdo lloj industrie, prej asaj më të thjeshtës e deri tek ajo më spirituale. Dhe që kur konkurrenca e lirë në mes të prodhuesve e ka bërë gazetën si mjetin kryesor për fitimin e publikut, që atëherë industria e madhe, e mesme dhe e vogël, nuk mund të rrinin pa mos përdorë gazetën e përditëshme për të siguruar tregun, kështu elektorë e konsumatorë bëhen doemos një nga qëllimet konkrete të së përditëshmes.

Shoqëria ekonomike rron prej konsumonjësve të saj, ajo demokratike në politikë, prej elektorëve të saj.
Dhe nuk ekzagjerohet po qe se afirmohet si në një kërkesë historike. Nëpër gazeta gjejmë sekretet e historisë së pasurisë kontemporane, gazeta di të thotë çdo gjë dhe vë në shërbim të atij që e sundon, artet më gjeniale dhe mjetet më infernale. Që prej një shekulli në kombet më të përparuara, bashkë mes kaq të këqijave të mbjellura, të kultivuara dhe të vjelura, gazeta e përditëshme i ka bërë shërbime të pallogaritëshme kulturës, e le ta themi me një fjalë të prerë dhe të katërciptë, edhe vetë qytetërimit. Gazetaria njëkohësisht ka ndihmuar zhvillimin e literaturës krijonjëse, të shijes, të sensit kritik, të mendimit filozofik, dhe ka krijuar një tjetër literaturë të saj. Gazeta e përditëshme me program të gjerë dhe me teknikë të shquar, ka, prej kohësh, novelistët e saj, kritikët e saj, mund të themi edhe antarët e saj filozofik, më të kënduar sigurisht prej novelistëve, kritikëve dhe autorëve, që nuk janë bashkëpuntorë dhe redaktor të gazetës. Meritë dhe lavdi e shtypit të përditshëm është krijimi i “korrespondentit shëtitës”. Në kundërshtim me sensibilitetin shterpë dhe të sëmurë të shkrimtarëve që nuk udhëtojnë dhe nuk e njohin botën – Balzak e Dyma(ati), gjetën thesare në materialin gazetar të korrespondentëve. Ky tip i ri i gazetarit ka prurë thesare vizionesh, sensacionesh dhe mbi të gjitha gjërat gjeografike dhe anthropologjike estetike dhe psikologjike, lëndë të gjallë pejsazhesh, kostumesh, tradicionnesh. Korrespodentët formojnë një nga kapitujt më të bukur dhe më glorioze të qytetërimit, të literaturës, ndihmë e çmuar e shkencës dhe e politikës, bashkpuntore me të vërtetë të shquar të asaj inteligjence superiore dhe t’atij intelektualiteti të përbotshëm jashtë të cilit çdo gjë është e vjetër dhe pa rëndësi.

Pa ekzagjeruar aspak mund të thuhet se pendat më të forta dhe më të shëndosha, më të zhdërvjellta dhe më të zonja janë sot në botë të kritikës, ato të gazetarëve.

Gazetarët janë studionjësit e ndjenjave dhe të mentalitetit të publikut. Pa gazetarët publiku nuk do të dinte seç të bënte dhe prej tyre ai që boton pret gjykimin për jetë a për vdekje.

(Shtypi - 23,25 dhjetor 1937)


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Jan 16 2017, 08:56pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Të gjithë njerëzit artista

Lexues i dashtun, mos u zemro dhe mos më dëno aq randë për kët epitet t’arsyeshëm që po të nap.

Ah! Kjo jeta jonë asht nji lodër… Disa e quajnë nji lodër shahu… por, unë bashkë me at filozofin e madh do ta quaj nji “çfaqje e madhe”… Po, çfaqje e madhe fort që ka për skenë arene “Universin”, dhe për protagonist njeriun…

Oho! More? Njeriun protagonist? Të gjithë njerëzit janë aktorë të një teatroje të madhe?

Po, asht përgjigja kategorike…
Po, mjerisht njerëzit paraqiten artista… Mirëpo, artistat kanë shumë fytyra, njashtu si të shumllojshme janë rolet që luejnë. Në kët rast fytyrat e njerëzve bahen “medalje”… domethanë njerëzit bahen me dy fytyra si fytyrat e medaljes…

Pra, në teatrin e madh të jetës rolet i luejnë njerëzit… Jeta në vetvedi nuk asht e qetë… por plot tallaze. Për këtë arsye rolet janë të ndashme në kohë: nji pjesë e njerzisë luejnë rolin e të mjeruemit e pjesa tjetër pjesën e të lumtunit. Kështu në bazë të pjesëve të caktueme, nis shfaqja e tragjedisë…

Sa bukur luhen pjesët! Çdo njeni e lot rolin e vet natyrshëm… Porse aktorët konstatuen nji të metë të madhe: spektatorët mungojshin krejt. Në çfaqjen e kësaj tragjedie të madhe të gjithë njerëzit ishin protagonista e “regissuer” Natyra...

(Shtypi, 2 tetor 1937)





Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Jan 22 2017, 08:02pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Lazër Radi: Njeriu që mësontë ta dashuroje lirinë... nga Jozef Radi


Sot, Lazër Radi ka të 97 vitin të jetës së vet dhe n'at shenjtninë e tij solemne, sigurisht do t'falenderonte këdo që do ta kujtonte, e njiherësh do t'i përshëndeste edhe ata që s'patën fatin ta njihnin, gja t'cilën po përpiqem ta bëj unë sot, sepse Lazër Radin s’e kam pa dhe as s'e shoh thjesht si djali i tij, po në nji tjetër përmasë: në atë tridimensionale të Njeriut, Idealistit dhe Intelektualit!

Lazër Radi mbetet shoku im ma i mirë i ditve të vështira, ai që s’më shiti asnji herë; ai mbetet mësuesi im i papërsëritshëm, kur shplamja e truve ishte në stinën e luleve; ai mbetet kundërshtari im ma leal, që m'lejoi gjithnji të zgjidhja unë i pari armët e polemikës; ai mbetet strategu të cilit unë asnjiherë s'doja t’i bindesha verbërisht; ai mbetet filozofi që më fliste me orë pafund mbi parimet, që kurrë mos t'ua drejtoja gishtin të tjerëve, po të merresha me veten; ai mbetet pedagogu që e pati tejet të vështirë të ma dhuronte ledhen, po kurrë s'e la veten të rrëzohej tek ndëshkimi; ai mbetet shenjtori për të cilin unë do të falem gjithë jetën; po mbi të gjitha ai mbetet fati im, i mirë dhe i keq, për të cilin as jam ankue dhe as jam trishtue ndonjiherë... dhe vetëm mbas kësaj i jap të drejtë vetes të thotë pa drojë: po Lazër Radi është edhe IM ATË!

Kalvari i Lazër Radit s'dihet kur ka nisur!

Prej masakrës në Bishtazhin të Gjakovës në fillim të shek. XIX, në deportimin nga Prizreni në1929, prej 23 nëntor '44, kur ishte 27 vjeç deri te Rrëzimi i Murit kur ishte 74 vjeç ai kaloi plot 46 vjet 163 ditë, burgje, interrnime, kampe!!

Po qëndroi ne kambë dhe i paepun!

E pikërisht 75 vjeçar, Ai rishfaqet dhe e rinis andrrën e vet si të mos kish ndodhë asgja në jetën e tij! Atje ku ia kishin këputë Ai rishfaqej: hijerandë dhe krenar... I gatshëm me dëshmue jo vetën se ishte gjallë po se kishte edhe energji të mjafta për me e çue deri në fund at andrrën e lanun përgjysëm...

U shfaq si nuk e priste kush: Dr. Lazër Radi dhe Avokat Lazër Radi! Si ishte e mundun të dilte nji Doktor, e nji Avokat nga skëterra e burgjeve dhe kampeve komuniste? Si asht e mundun!!! E pra Ai doli!!! Si sfidë e tërbimit kuqalash që e dinin të vdekur e të kallur! Dhe nisi nji valë sulmesh të ulta e të paprincipta të cilave krahas përgjigjive dinjitoze dhe stoike, Ai qetësisht u çonte kopjen e Doktoraturës në Sapienca me 110/110 dhe at Licencën e Avokatisë, që aq shumë ia pat urrye komunizmi!

Lazër Radi s'pat kohë të merrej me diktaturën, shihte diku ma larg e ma nalt, edhe pse s'e kurseu asnjiherë denoncimin e krimeve të saj... “Merru ti! - më tha - Mjafton të tregosh ti të vërtetën tande, dhe ke rrëfye gjithçka edhe për mue...!”

Ai, ishte ndër të parët e zbritun prej kampeve që shkroi për Fishtën, Koliqët, Prennushin, Musine Kokalarin, Ivanajn, për Mëshkallën, dom Shtjefën Kurtin, për Gjyqin Special, për Shantojën, për Ndre Zadejën, Gjeçovin, për Rugovën e plot të tjerë... Do të ishte themeltar i Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve, në Partinë e Unitetit Kombëtar, antar nderi i Partisë Demokristiane, themelues i Shoqatës Katolike, botues i 52 numrave të gazetës "Bashkimi i Shqiptarëve", përkthyes i poemës mbi krimet e Stalinit, përkthyes i Platonit, autor i 15 librave, i qindra artikujve, intervistave në RD, ZR, Kombi, Rilindja, Republika, Liria dhe në mjaft programe televizive... Shtëpia e tij në Tiranë u ba vend pelegrinazhi i gazetarëve, regjizorëve, artistëve, shkrimtarëve, deputetëve, muzikantëve po edhe miqve të vjetër, njerëzve të thjeshtë që hynin e dilnin lirshëm në shtëpinë dhe shpirtin e këtij njeriu...


***


Lazër Radi ishte mjaft kristian dhe pak politeist, mjaft sokratian dhe pak komunist, mjaft zhanvalzhan dhe pak donzhuan, mjaft filozof dhe pak oportunist, ishte mjaft kosovar (që për të nënkuptonte patriot - i gatshëm për çdo kompromis që Kosova të ishte Shqipëri), po mbi të gjitha e mbi gjithçka ishte dhe mbeti njeri: shumë Njeri!
Lazër Radi vdiq kur vendosi vetë të vdiste... sepse ai s'mund ta pranonte vegjetimin... S'pranoi as doktorë, as kura e as këshilla... e la veten të shuhet ngadalë si nji qiri, i bindun se e kish dhanë gjithë dritën dhe energjinë e vet... Natën e ekuinoksit të vjeshtës, me 22 shtator 1998, mbasi u përpëlit gjatë në krahët e mi, shpirti i tij u ngjit në qiell... Fjetëm ashtu bashkë në at përqafje të fundit: jeta dhe vdekja, njeriu dhe andrra, besimi dhe shpresa... Kjo është e vërteta e këtij njeriu që kushdo e ka njohur e ka dashur, po që edhe kundërshtarët e tij ma të rreptë i ulën armët... Sot në të 97 vit të jetës, Ai mund të kujtohet edhe ashtu thjesht si njeriu që s'u lodh së mësuari të tjerët që ta donin jetën dhe ta dashuronin pa u epur lirinë...


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:29am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Bashkimi dhe Pajtimi Kombtar si ideollogji e së arthmes


  • Fjalim i mbajtur nga Dr. Lazër Radi para mbledhjes së këshillit të zgjeruar organizues të kuvendit. Tiranë, qershor 1992.



Të nderuem anëtarë të Këshillit Organizues, Zonja dhe Zotërinj,
Populli ynë asht nji popull i mrekullueshëm, bile mund të thuhet se asht model si i vetmi komb në botë, me tri fe të ndryshme dhe pa konflikte fetare, pa divergjenca të kësaj natyre – me nji harmoni e tolerancë të përsosun.
Jemi kah fundi i shekullit të njizet: dhe bota mrekullohet me zbulimet e përparimet e mëdha që ka ba njerzimi në gjithë fushat e jetës, e megjithatë në nji nga vendet ma demokratike të botës, në Irlandën e Veriut kryeqyteti quhet London-Derri: për protestantet filo-anglez quhet London, kurse për katolikët indipendentistë quhet Derri. E pra, në këtë trevë, ndërmjet dy komuniteteve të krishtena zhvillohet nji luftë e tillë e përgjakshme që po çudit globin!!
Po në Algjeri? Atje, partia myslimane fitoi shumicën në zgjedhje. Qeveria, po myslimane, i quejti “integralistë” dhe iu vuni pushkën: dhe gjaku i algjerianëve rrjedh rrëke.
Masakra ta tilla në Shqipninë tonë s’kanë ndodhë kurrë. Pra, siç e theksova ma nalt, jemi unikal në botë; shtet i tri feve të ndryshme – pa asnji konflikt fetar. Mjeshtrat tanë të Rilindjes ditën, me frymën e tyne të mirfilltë shqiptare, me eliminue çdo element të rrezikshëm dasije dhe përçarje. S’duhet të harrojmë se kjo nuk ka qenë një punë fort e lehtë: fqinjët tanë, armiqë të përjetshëm të kombit tonë, përhapën zlogane të rrezikshme “turk” e “kaurr” – që filluan ta luhasnin ndjenjën e përbashkët kombëtare të vendit tonë. Mirëpo, Shqipëria nuk ra pre e intrigantave përçarëse: nxori në arenën politike njerëz të shquar, njerëz që bëjnë historinë, personalitete intelektuale që dijtën ta shlyejnë këtë mendësi të rrezikshme dhe të krijojnë atmosferën e vellazërimit në emër të kombit. Ky ndikim i rilindasve nuk ishte diçka landore, por shpirtërore, diçka e pakapshme por qe depërtonte në ndjenjat, si muzika, si bukuria vet. Pra, këta rilindas, jo vetëm që ditën të shmangin nji element përçamës, por e kthyen në nji forcë lëvizëse pozitive, e banë besim, e banë moral: e banë etikë kombtare.


*****


Shqiptari s’e ka pasë kurrë rrugën të shtrueme me lule, por veç me ferra e gjembaçë. Megjithatë Ai asht përpjekë jo vetëm të mbijetojë, por edhe t’i ruej të pastra virtytet e nalta të rracës së vet. Gjymtimin ma të randë si popull e si komb na e lanë pesë dekadat e sundimit komunist dhe humbja ma e madhe s’qe vorfnia që na la, sepse nesër dyqanet do të mbushen, e do të ketë bollëk gjanash, po shkatrrimi i shpirtit arbnor asht e vështirë me u riparue. A do t’mundet ky shpirt i shkatërruem ta fitojë nji ditë fizionominë e vet që ishte qëndresa dhe krenaria e këtij Kombi? Te ngritja morale e këtij njeriu shqiptar duhet të puntojnë të gjitha përpjekjet tona intelektuale, te ristabilizimi i virtyteve të humbuna duhet të drejtohen reflektorët e njerzve të ndritun të kësaj kohe. Kjo me siguri do të jetë nji luftë e madhe sepse duhet luftue urrejtja, zilia, kapadaillëku, tinzaria, lakmia për pozitë, intriga vulgare e sa e sa vese që po e shkatërrojnë njeriun tonë.
Tash le të shohim, në nji analizë të shkurtë, ngarkesën e dyfishtë të “Kuvendit për Pajtim dhe Bashkim Kombtar”.
Bashkimi Kombëtar – në kushtet e sotme historike – asht nji domosdoshmëri, asht nji shans i madh historiko-politik, asht ai “oiseau bleu”, zogu i kaltërt që i vjen njeriut njiherë vetëm në dorë dhe, po s’dijti me e mbajtë i hikën dhe s’i kthehet ma kurrë. Pra: Bashkimi Kombtar o sot o kurrë!! Duhet me përfitue prej shthurjes së Federatës pansllave. Me peticione, me protesta, duhet të ngrihemi në kambë e të kërkojmë bashkimin me vllaznit tonë që gjenden nën thundra pushtimesh. E, për me e ba këtë, duhet ma parë që ne vetë të jemi të bashkuem dhe të mendojmë se për bashkimin Kombëtar s’duhet të ket paragjykime: diaspora, ajo që u arratis mbas fitores komuniste në Shqipëri, duhet të ket të drejtë të kthehet në vendin e vet dhe të anulohen gjithë ligjet e padrejta që e ndalojnë kthimin e saj në Atdhe. Pa diasporë s’ka e s’mund të ket bashkim të vërtetë mbarëkombëtar.


*****


Tash vijmë te Pajtimi Kombëtar.
Këtu mendoj se ata që e kanë marrë këtë barrë të randë me e çue deri në fund duhet të jenë shumë të kujdeshëm. Cili do të jet kuptimi i mirëfilltë i këtij pajtimi? Kush dhe me kë? Pajtimi kombtar asht nji operacion delikat të cilit duhet me i parapri drejtësia, ligji dhe ndershmënia vërtetë atdhetare e atyne njerzve që do ta udhëheqin kët akt fisnik.
Nëse Bashkimin Kombtar e quajmë diçka të shejtë, pajtimi kombëtar asht diçka e domosdoshme, si uji, si ajri. Por, pajtimi kombtar duhet të jet nji operacion gradual, pse rrezikon që nga pajtim kombtar të kthehet në mashtrim kombëtar, në kurriz të atyne mbi të cilët u hodh vallja e gjatë makabre e komunizmit. Kemi dy skaje të nji litari: persekutorët dhe të përsekutuemit. Këta të fundit formojnë nji armatë të madhe njerzish të pastrehë, të zhveshun e të uritun. Këta njerëz, ndonse akoma i kanë në trupin e tyne gjurmat e torturave ma çnjerëzore, prap se prap fisnikja, shpirtmadhësia dhe toleranca e tune manifestohet në çdo kërkesë që ata kanë. Në nji vjet të jetës demokratike, ndonse ende flejnë nën ura, nëpër bunkerë e nëpër banesa të pashëndetshme, s’kanë krye asnji akt dhune… dhe kjo tregon se ata janë kundra hakmarrjes, pse s’duan që askush të kalojë nëpër at kalvar nëpër të cilin kaluan ata!! Bataljonat e hakmarrjes, as dje, as sot e as kurr s’kanë për me dalë prej rradhve të tyne. Prej tyre do të dalin vetëm armatat e flijimit në emën të lirisë e të Atdheut!
Në këtë rast, ashtu si natyrshëm, vjen pyetja: po persekutorët, në këtë rast, a nuk ndjejnë ndonji bremje ndërgjegjeje? Të paktën nji sadisfaksion moral a s’mund t’ua japin këtyne njerzve të vuajtjes krenare? Dijetarët e Sionit shqiptar a do ta kenë të qetë ndërgjegjen e tyne duke parë për hava vetëm dorën e shtrime të të persekutuemve dhe asnji dorë tjetër që turret me e kapë atë? Edhe në librat e shejtë thyhet se Zoti fal mëkatet, por ama duhet të bahët “Puna e Pendimit”.


*****


Grumbullimi i fatkeqësive të vogla përbën sot fatkeqësinë e madhe kombtare.
E nëse ne lejojmë që kto fatkeqësi të rriten përdit e ma tepër, atëherë ne do të dalim para botës si një komb fatkeq, i çveshun dhe i pambrojtun. S’duhet të harrojmë për asnji çast se ligshtimi i ynë, dëshpërimi i ynë, do të jetë arma ma e fuqishme që do t’u japim fqinjve tanë. Mbetet në nderin e historisë së Kombit Shqiptar të vihet dorë për shërimin e plagve shpirtnore që po trazojnë kët vend. Është në nderin e çdo qytetari që e ndjen veten shqiptar me dhanë gjithë kontributin e mundshëm për zgjidhjen e alternativave të rrezikshme: të jemi të bindun se nji rrezik i madh po na kanoset, rrezik i cili aq sa na vjen prej të tjerëve, po aq ndoshta edhe ma tepër na vjen nga vetja e jonë.


*****


Mendoj se mallkimi i historisë ka me ra mbi ne po qe se do të mbetemi kështu të çarë e të shpërndarë. Bashkimin shpirtnor të mbarë popullit e kërkon momenti i rrezikshëm që po jetojmë. Kjo mund të arrihet vetëm nëse njerzit tanë mendojnë siç shkruente sociologu Army: “Nëse ka njeri që mund të thotë: Të humbasë Atdheu, por të shpëtojë partia. Unë do të bërtas: Të humbasin të gjitha partitë (edhe ajo e imja) por të jetojë Atdheu”. S’duhet të harrojmë për asnji çast se vetëm trimnia, besa e bashkimi mund t’i japim këtij vendi at vitalitet kombëtar që do ta bëjë të ngjallet rishtas dhe të ndjehet “zonjë” në etninë e vet krenare. Së bashku me Luigj Gurakuqin po e përfundoj: “Lypset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen e të bahen nji”.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:38am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Blendi Fevziu interviston Dr. Lazër Radi


“Kosova lindi intelektualët që i duheshin,
Shqipëria shkatërroi ata që kishte...”



Jeta ka gjithmonë momente të caktuara që ndikojnë në të. Kur ju më tregoni për të shkuarën tuaj, s’mund ta fshihni që ajo ka pasur momente të tilla...


Mua më duket pikërisht se ajo ikja tragjike nga Kosova, përbën fatin dhe fatalitetin tuaj. Ashtu si ndër fabulat kërkohet “il pusilis” d.m.th. qëllimi i saj moral, po ashtu edhe në jetën e njeriut duhet me u kërkue “moventi” – shtytësi që të nxit të veprosh. Unë jam kosovar: ideja e irredentizmit më ka përcjellë – si hija ime – në çdo hap të jetës e të aktivitetit. Më vjen mirë se edhe tani, mbas gjashtëdhjetë vjetësh jetë prej emigranti, me gjithë çvendosjet e mia, kam mbetë kosovar i thjeshtë: qoftë në të folme, qoftë në sjellje e qoftë në mentalitet. Kam besue gjithmonë – e vazhdoj të besoj edhe sot e kësaj dite – se Kosova nji ditë duhet dhe do të bashkohet me Atdheun “amë”. Kjo Shqipëri që kemi sot e që i thonë “Shqipëri e trembëdhjetës” asht e cungueme e si çdo trup i gjymtë asht i mangët dhe i shëmtuet! Shqipëria, në kufijtë e vet të natyrshëm, etnikë, mund të jetë shtet dhe komb integral. Kjo ide e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë – në entuziazmin tim rinor – shpesh herë më ka çue të kërkoj aleanca jo fort “të përshtatshme!!” dhe t’i futem edhe në ndonji rruge “të gabueme!!”.


Flitet shumë tashmë se idetë komuniste në rrethet gjimnaziste të asaj kohe ishin në modë. Pjesmarrja e juaj në to i takonte kësaj mode apo ishte një përfundim i vërtetë në të cilin ju kishit arritur?


Kjo pyetje asht e bukur, e vështirë dhe interesante. Deri në vitin 1934, Gjimnazi i Shkodrës ishte nji institucion i qetë – pa rryma politike dhe ideologjike të asnji lloji. Me shtetzimin e shkollave, Gjimnazi u mbush me elementë të rinj, me nxanës që vinin nga Jezuitët dhe nga Fretnit. Në klasën time, ndër të tjerë erdhën Qemal Stafa, Xhemal Broja, Pashko Gjeçi, Vasil Llazari, Spiro Bellkovi, etj. Deri n’atë kohë për asnji lloj ideologjie nuk flitej kund. Me ardhjen e këtyne djemve të ri filloi nji gjallni në krejt shkollën. Në fillim u mendue të shtihej në dorë shoqnia “Besa Shqiptare”, e cila n’ato kohna ishte në apati të plotë. Në bazë të Statutit të kësaj Shoqnie, kishte mundsi për veprimtari ma të gjana kulturore, artistike, letrare dhe sportive. Aktivitete, ku mund të grumbulloheshin e të aktivizoheshin të rinjtë e shkollës. Filloi kështu të shkundej pluhuni i apatisë. Me pak mundim e pak peripeci kjo Shoqni u mor nga “grupi përparimtar”. Menjiherë filluen veprimtaritë. Gjendja financiare e Shoqnisë ishte përtokë. I duhej kushtue randësi teatrit, mbasi ishte i vetmi burim të ardhunash. Na duheshin parà, sepse kishim qëllim të nxirrnim edhe revistë tonë. Pra, u krijue nji gjallni dhe entuziasëm në krejt Gjimnazin. Por, as indoktrinim e as ideologji ende s’shifej kund. Në kët kohë vjen në Shkodër Selim Shpuza. Kontaktin e parë ai e mori me Zef Malën që njihej pak a shumë si njeri i ditun, i përgatitun mirë dhe me idena të majta. Aty u takua dhe rrinte shpesh me Prof. Skënder Luarasin, që ishte edhe Drejtor i Konviktit “Malet Tona”. Doemos të gjitha këto kontakte baheshin me kujdes dhe në konspiracion ma të madh. Pikërisht në valën e punës, kur ishim duke përgatitë shfaqjen e dramës “Spiuni” – m’njoftojnë se të nesërmen mbasdreke do të takoheshim në shtëpinë e Ramiz Xhabisë. Shtëpia e Ramizit ishte në nji vend mjaft të përshtatshëm e konspirativ për mbledhje të tilla klandestine. Do të shkonim nji nga nji në orë të ndryshme të ditës, me libra në dorë sikur shkonim me studiue bregut të Liqenit, që ishte aty afër. U mblodhëm. Ishim Vasil Llazari, Xhemal Broja, Ramiz Xhabija, Qemal Stafa dhe unë. Isha i vetmi përfaqësues i Konviktit “Malet Tona”. Foli Vasil Llazari. Na tregoi qëllimin e mbledhjes, na foli për komunizmin, u ndal shumë për konspiracionin dhe për randsinë që kishte formimi i kësaj celule të parë komuniste të Gjimnazit të Shkodrës.


Pjesa e dytë e pyetjes është nëse idetë komuniste të asaj kohe ishin “modë”?


E vërteta asht se nji pjesë e madhe e gjimnazistave ishin të etshëm për nji “rinovim” të krejt strukturës shtetnore e shoqnore të vendit. Kjo dëshirë e tyne shprehesh në hartimet e tyre, në biseda, në shfaqjet teatrale dhe në at revistë që së shpejti kishin ndërmend ta nxirrnim. Mund të duket vërtet “modë”, po të mendohet se nukleusi i parë komunist i Gjimnazit të Shkodrës përbahej nga djem pasanikësh! I vetmi i papasun ndër ta isha unë, konviktori i “Malet Tona” dhe emigrant kosovar. Megjithatë, ndonëse s’kishim nji kulturë të mirëfilltë komuniste na ishim për nji Shqipni të drejtësisë, të lirisë dhe demokracisë.


A keni besuar vërtet atëherë se vetëm komunizmi mund ta shpëtonte Shqipërinë? Dhe me që jemi këtu, ç’mendoni për orientimin e atëhershëm të këtyre grupeve, ato ishin të orientuara gabim që në fillim apo devijimi i tyre nisi më vonë pas formimit të partisë komuniste?


Doemos, po të mos kishim besue në nji gja të tillë s’do t’i futeshim asaj pune. Sa për orientimin, këtë e kishim të paktë dhe për kompensim përpiqeshim me u ba vetë krijues të ideologjisë komuniste. Ndër ne studentët, ma i pregatituni në kët drejtim ka qenë Vasil Llazari. Ky kishte kontakt direkt me Zef Malën dhe ky i fundit me Selim Shpuzën, që kishte jetuar disa kohë në Bashkimin Sovjetik dhe sillte prej andej eksperiencën e tij komuniste… Nëpërmjet profesorit të frëngjishtes Paul Goujon-it, merrnim revista e gazeta të së majtës që botoheshin në Francë. Na kishin ardhë edhe disa libra të Trockit. Ashtu të etshëm me ditë gjithçka s’lamë gja pa lexue. Nji ditë Qemal Stafa na tregoi se kishte lexue diçka nga Mihail Shevçenko dhe kënaqesh me nji episod ku autori tallej me Gjeneralin Popullor Budioni dhe me mustaqet e tij. Me kët donte me theksue se sa demokraci e sa liri shtypi kishte në Rusi!!! S’ka as ma të voglin dyshim se imazhi ynë për komunizmin ishte krejt ideal dhe njerzor. Devijimet për të cilin po flisni ju erdhën ma vonë, mbas formimit të partisë. Fakti se të gjithë këta nismëtarë e në mënyrë të veçantë anëtarët e grupit të Shkodrës, të cilët Diktatori o i zhduku fizikisht ose i eliminoi ndër burgje e internime të gjata, flet ma së miri se çdo gjë asht ba ma vonë – nën ndikimin e egër sllav.


Nasho Jorgaqi në një libër të vetin ju quan “renegat” – si, dhe pse, u shkëputët nga grupi komunist i Shkodrës?


Me kalimin e kohës grupi erdhi duke u organizue ma mirë. Filluem me u nda në celula treshe. Materiali propagandistik na vinte nga Mali i Zi në broshura të vogla. Filluen kontaktet me studentë dhe puntorë komunistë malazias. Takimet i banim o në Vrakë o në Kala të Rozafatit. Në këto takime unë isha i pashmangshëm mbasi isha i vetmi që njifsha mirë serbo-kroatishten. S’më kujtohet data, po në nji takim që patën me studentët komunistë të Podgoricës, të ardhun në Shkodër “për eskursion”, gjatë nji bisedë disaorëshe, ata na dhanë direktiva konkrete: të sabotojmë institucionet fetare (sidomos ato katolike), të fillonim atentatet dhe vrasjet d.m.th. pra t’ushtronim nji lloj terrorizmi politik etj., bile njenit prej tyne i shpëtoi nji shprehje e tillë: “Vrisni nga këta, se ka shqiptarë sa të duesh…!!!” U trondita! Gjithë at natë reflektova dhe erdha në përfundim se duhej të shkëputesha nga ai grup. E kisha të vështirë mbasi kisha punue mjaft edhe në konviktin e “Maleve Tona”, Ishte krijue edhe aty organizimi celular. Në mëngjes mblodha treshen time Elez Brahën, Hajdar Dushin e Xheladin Hanën dhe u tregova vendimin që kisha marrë. U erdhi shumë keq – por, ishin plotësisht dakort me mue. Në veçanti njoftova edhe shokët e mi: Haki Tahën dhe Emin Durakun. Edhe ata si kosovarë u bindën se ai s’ishte komunizëm, por nji antishqiptarizëm sllav që donte me u hakmarrë me dorën tonë kundra vllazënve tonë. Në mbledhjen ma të parë që bamë në shtëpinë e Ramiz Xhabisë deklarova: “Jam kosovar, i dëbuem prej Kosove prej politikës shoviniste serbe. Kam ardhë në Shqipni, e në Shkodër me studjue e me qenë i vlefshëm për Shqipni e për Kosovë dhe jo me ba politikën e serbit në Atdheun tim. Të jeni të sigurtë se nuk dekonspiroj asgja dhe askënd, prej asaj çka kemi realizue deri sot edhe sikur me ma rrjepë lëkurën…” Sot, di me thanë se i qëndrova atij Betimi! Pra qysh prej vitit 1936, u divorcova dhe preva çdo marrdhanie me komunizmin, bile duke kalue haptas si kundërshtar i tij...


Keni jetuar të famshmet vitet tridhjetë dhe kemi dëgjuar se keni shkruar një libër për atë kohë. Ç’mund të na thoni?


Po, asht e vërtetë! E kam jetue at kohë dhe mjaft ngjarje interesante. Shpesh jam ndodhë në vorbullën e ngjarjeve. Asht e vërtetë se për kët periudhë kam shkrue nji libër me titull: “Shqipëria në vitet ‘30”… Për mua dhe simbas kandvështrimin tim, ajo kohë ka qenë nji nga periudhat ma të randësishme të lulzimit të kulturës shqiptare, madje në njifarë mase personalitetet e asaj periudhe i kanë mungue krejt zhvillimeve të mavonshme të Shqipnisë.


Kur ju dëgjoj që flisni për njohjet tuaja më duket sikur kam përpara figura shumë interesante...


Sikur të përdornim nji term ekonomik shumë të modës sot, do të thoja se Vitet ’30 qenë nji “boom” i vërtetë i kulturës dhe letërsisë shqiptare. N’ato vite patëm krijimet poetike ma të mira Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Migjeni, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Mitrush Kuteli, Ali Asllani, Musine Kokalari, proza poetike e Nonda Bulkës, publicistika e shkëlqyeme e Krist Malokit, Vangjel Koçës, Branko Merxhanit, vllazënve Toto, Tajar Zavalani, romancierë e novelistë të nivelit të naltë si Ernest Koliqi, Sterjo Spasse, Haki Stërmilli, Mustafa Greblleshi, etj., gazetarë të mirëfilltë si Nebil Çika e Zoi Xoxe, pa përjashtue klasën e shkëlqyeme të klerikëve katolikë, ku krahas shkëlqimit të Gjergj Fishtës, Vinçenc Prennushit, Lazër Shantojës, ishin edhe Anton Harapi, Zef Valentini, Bernardin Palaj, studjues e shkencëtarë si Eqerem Çabej, Justin Rrota, Aleksandër Xhuvani e Selman Riza, muzikantë si Martin Gjoka apo Mikel Koliqi, kangtare si Tefta Tashko e Marie Paluca e shumë e shumë të tjerë që në kët çast s’më kujtohen mbasi lista e tyne asht e gjatë. Pjesën ma të madhe të tyne i kam njoftë dhe kam mësue ose kam punue me ta.


Migjeni dhe Koliqi kanë qënë dy miqtë e tu, madje për Migjenin Ju keni shkruar edhe një libër (natyrisht të pabotuar) ndërsa për Koliqin keni heshtur. Ç’mund të thoni tani për ta?


Të dy, edhe Koliqin edhe Migjenin i kam pasë miq dhe motivues në jetën time. Me Ernestin njifesha qysh në vitet e gjimnazit kur e pata profesor historie, edhe ma vonë në redaksinë e revistës “Illyria”, po edhe së fundi kur ishte profesor i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Sa i përket Migjenit, fati e desh që të qëndroja nji verë të tanë me të në Pukë. Isha viti 1936, i cili mund të konsiderohet edhe si viti i krijimeve të tij ma të mira. Ai qe vit i pjekunisë së tij të plotë si poet dhe si prozator. Jetova me të nën kulmin e shkollës verore të Pukës, në dy dhoma ngjitë njena tjetrës. E pashë duke punue e duke dhanë mësim. Bisedoja me të për gjithçka – isha gjimnazist dhe i etshëm me ditë çdo gja. Migjeni ishte përherë i gatshëm, përherë i qeshun, përherë zemërhapun. Në vitin 1964, u përpoqa me i përmbledhë kujtimet në nji libër të vogël “Shënime dhe Kujtime”, i cili për shkak të izolimit tim politik s’mundi me e pa dritën e botimit. Pjesa e dytë e pyetjes asht për Koliqin... Në kohën e diktaturës askush s’mund ta përmendte emrin e Koliqit. Edhe pse Eqerem Çabej, i cili e kishte mik dhe koleg, në konspiracionin ma të madh i thoshte Profesor Skiroit: “Lexoj gjithmonë “Shejzat”. Të lutem, i thuaj Koliqit mos ta ndërpresë por, me çdo sakrificë t’i vijojë”. Për punën dhe veprën e Koliqit kam ndërmend të baj studime të veçanta, mbasi në Romë munda të siguroj materiale të bollshme për jetën dhe veprën e tij...


Mendoni se qëndrimi ndaj tyre deri më sot ka qënë ekstrem apo i afrohet së vërtetës?


Për sa i përket Migjenit asht shkrue besoj ma shumë se për çdo poet tjetër shqiptar. Fantazia dhe interpretimi dallkauk dhe i indoktrinuem arriti deri aty sa mendohej ta shpallnin “komunist mbas vdekjes”(!?!) Qysh n’shkrimet e para që botova për Migjenin, gazeta “Drita” – e 9 shtatorit 1938, – thoja se: “…poezia e tij fort e çmueshme nuk i takon asnji drejtimi – veçse shprehjes së ndjenjave të dashunisë njerëzore…”. Në këto vitet e fundit, mbrenda mundësive të mia të jetës në kampin e “dëbimit”, jam përpjekë me shkrue mjaft, si për Migjenin ashtu edhe për veprën e tij. Mendoj se kur të botohen këto shkrime, mund të formojnë nji kontribut modest për ata që do të merren me studime të hollsishme mbi jetën dhe veprën e Migjenit, në kushte ma të mira, ma të lira dhe nën frymën e nji demokracie pluraliste. Kurse ndaj Ernest Koliqit diktatura ka mbajtë nji qëndrim ekstrem dhe poshtnues. Ajo çka më ka dhimbë ma fort asht pikërisht nji shkrim i vonë në nji parathanie mbi Migjenin, ku në mënyrë të paskrupullt fyhesh ky korife i fjalës dhe kulturës shqipe, si Koliqi. Jam i bindun, se ata që e kanë ba nji gja të tillë, shpejt do të pendohen e ndoshta do t’u duhet t’i kthehen me turp pështymës së tyne...


Deri tani jemi mësuar ta shohim Migjenin si një gjeni të zymtë e të mënjanuar ndërsa Koliqin vetëm si kolaboracionist. Ç’mund të na thoni për Migjenin dhe Koliqin Njeri, për intimitetet me ta?


Migjenin, kohët e fundit turbekulozi ia randoi së tepërmi shëndetin. Kjo ndoshta ishte edhe shkaku i zymtisë dhe trishtimit të tij, të shprehun në mënyrë të veçantë në poezitë e fundit. Sa i përket mënjanimit të tij, mendoj se edhe kjo ka arsyet e veta. Si natyrë Milloshi ishte njeri i shoqnueshëm, bile edhe gazmor, me nji humor shumë elegant. Shpesh herë mbramjeve, autoritetet lokale të Nënprefekturës së Pukës e ftonin për ndonji seanca pokeri. Migjeni vazhdimisht humbte sepse s’e kish as dinakërinë e kundërshtarëve dhe as fuqinë financiare të tyne. Megjithatë edhe pse humbës e mbante krejt at shoqni me qyfyre të kandshme. E, ashtu siç thotë Cvajgu – Në bixhoz kuptohet karakteri i njeriut, mund të them se Migjeni ishte njeri që e njihte dhe e donte shoqninë. Siç e thashë edhe ma nalt, në poezitë e fundit ai vërtet ishte i zymtë, po “mënjanimi” i tij s’erdhi as nga sëmundja e as nga dobsimi i tij shpirtnor, por nga dëshira – siç ma thoshte vetë – se at dimër 1936-’37, d.m.th. në pushimet shkollore të përfundonte “Novelat e qytetit të veriut”. Mbrenda asaj kohe të shkurtë, ai arriti me i përfundue gjithë novelat e tij. Pra vetizolimi, ishte rrjedhojë e pasionit të tij me i dhanë vehtes mundësi me e mbyllë nji kapitull të randsishëm të jetës së tij… Sa i përket Koliqit – jo vetëm ju, rinia e sotme, por edhe brezat e maparshëm, e keni njoftë vetëm nën nofkën e “kolaboracionistit”. Kjo asht nji fatkeqsi që kërkon kohë me t’u shkulë nga “mendjet e shplame”. Por, jo veç kjo fjalë! Kanë qenë të shumta parrullat e famshme të parafabrikueme në arsenalin e propagandës komuniste si: kolaboracionist, tradhëtar, spiun, agjent, poliagjent, trafikant armësh, i shitur, kalemxhi, etj. etj. Mendoj se ju të rinjtë e Shqipnisë Demokratike duhet të distancoheni prej kësi shprehjesh bajate dhe helmuese propagandistike. Përpiquni vetë që mbas çdo epiteti të tillë, të ndaleni tek “njeriu” te “artisti” dhe te “vepra” e tij… Studjoni vetë dhe nxirrni konkluzione të reja konkluzione që iu afrojnë te e vërteta. Dhe do ta shihni se Koliqi ka me ju shfaqë krejt ndryshe nga ajo çka e ka paraqitë propaganda komuniste, e perfeksionueme në sharje, shpifje dhe denigrime njerzish dhe personalitetesh. Kthehem te Koliqi. Siç e njoh unë dhe siç e paraqet vepra e tij, ai asht ndër atdhetarët dhe shkrimtarët ma të shquem që ka nxjerrë Shkodra, bashkë me Luigj Gurakuqin e Vaso Pashë Shkodranin. E gjithë vepra e tij e sidomos, kohnat e fundit para vdekjes me revistën “Shejzat” shihet e gjallë kjo frymë intelektuale dhe ndjenja e naltë patriotike e tij.


Jeni nga publicistët e rinj të njohur të asaj kohe. A keni diçka për të thënë për veten dhe për shtypin e asaj kohe?


Kam shkrue në tri periudha të ndryshme: Në kohën e Zogut deri në vitin 1939: si gjimnazist jam marrë kryesisht me shkrime të vogla letrare: me skica, me prozë poetike, me përshkrime të shkurta dhe poezi. Gjatë kohës së pushtimit: kam shkrue artikuj për të përditshmen “Tomorri” që drejtohej nga Vangjel Koça, mik dhe udhëheqës shpirtnor i imi. Në kët gazetë kam bashkëpunue për afro nji vit dhe kam shkrue nji varg të gjatë artikujsh. Bashkëpunimin në kët gazetë ma ndërpreu Drejtoria e Shtypit, mbasi qeveria Jugosllave kishte protestue pranë qeverisë italiane, për karakterin irendentist të artikujve të mi, ku unë aludoja për “…nji sulm të mundshëm të Italisë kundër Jugosllavisë…!!!”. Mbas kapitullimit të Italisë kam bashkëpunue me gazetën “Bashkimi i Kombit” drejtue nga intelektuali Akile Tasi – shqiptar i vërtetë dhe njeri i jashtzakonisht i ndershëm. Artikujt e botuem në kët gazetë kanë frymë bashkimi dhe karakter irredentist, me nji dashni të veçantë për Kosovën time martire, e cila n’at kohë po shqetësohej prej bandash çetnike. Me këta artikuj konsiderohej se kisha mbrritë nji pikë mjaft të naltë në publicistikën shqiptare dhe mund të them se artikujt e mi qëndronin në nji nivel me artikujt e publicistave me eksperiencë si Xhelal Mitrovica, Masar Sopoti, Eqerem Telhaj etj. etj. Artikujt e shkruem në vitin 1944, i lexoj edhe sot me andje. Shumicën e tyne i kam firmosë me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”, me inicialet L.R. ose thjesht pa emën, siç ishin pjesa ma e madhe e kryeartikujve.


Mbaruat gjimnazin në mënyrë të shkëlqyer dhe befas, falë rastësisë, morët një të drejtë studimi për në Itali, gjë mjaft e vështirë për një emigrant si ju. A mos ky moment ka ndryshuar vërtetë gjithçka në jetën tuaj të më vonëshme?


Posa mbarova shkollën e mesme, dhe dëshira e madhe me vazhdue studimet e nalta, më shtynë me iu drejtue me nji letër Mbretit Zog. Nuk pata përgjigje! Iu drejtova me nji letër të dytë. Nga fundi i korrikut, ndërsa isha me pushime te Currilat, më vjen im vlla pa frymë dhe më njofton se m’kërkonte mbreti në plazhin e Durrësit, në palafitën e tij të ndërtueme mbrenda në det. Mbasdreke u paraqita në hymje ku më doli nji oficer. I them se më kërkue vetë Mbreti. U fut brenda dhe pas pak minutash del e më njofton se duhej të paraqitesha në vilën dykatëshe përbri ku do të më priste Lalë Krosi… U zemërova… dhe u ktheva në Durrës i dëshpëruem pa takue askënd! Mbas disa ditësh më ra ndërmend Don Anton Zogaj, famulltari i Durrësit. Si miqsi familjare, mendova t’i lutesha atij që të ndërhynte pranë Ambasadorit të Italisë, Jakomonit me m’akordue nji bursë. Don Antoni ma dha rekomandimin dhe u interesua gjallnisht deri sa më nxorri jo bursën por edhe nji ndihmë prej 1000 frangash në vit. Me këtë ndihmë të vogël u regjistrova në Fakultetin e Drejtësisë. Më 4 prill gjej mbi tavolinën e dhomës sime nji bilietë vajtje-ardhje për në Tripoli me motonaven ma të madhe të kohës “Augustus”! Nji biletë treni deri në Napoli edhe ajo vajtje-ardhje si edhe 500 lira italiane në të holla, për ndonji shpenzim të veçantë. I kishte sjellë nji karabinier dhe e zonja e shtëpisë ishte e detyrue të njoftonte nëse isha nisë a jo. M’u duk nji udhëtim interesant dhe e pranova. U nisa. Me 7 prill, ndërsa gjendesha në mes të detit Mesdhe, nga mikrofonat e radios mora vesh se trupat italiane kishin zbarkue në Durrës dhe se vazhdonte pushtimin e vendit pa hasë rezistencë. Aty e kuptova se qëllimi kish qenë me më largue nga Roma për aq ditë sa do të zgjaste pushtimi. Kur u ktheva – gjithçka kishte marrë fund dhe njerëzit vazhdonin jetën dhe punën e tyre si të mos kish ndodhë asgja. Vazhdova studimet. Në pushimet e asaj vere erdha në Durrës dhe vendosa nji ditë të shkoj në Tiranë e të takohesha me Vangjel Koçën, Drejtor i gazetës “Tomorri”. Vangjeli më propozoi të shkrueja në gazetën e tij. Gazetaria dhe publicistika ka qenë përherë andrra dhe dëshira e ime ma e madhe. E pranova. Fillova bashkëpunimin, bile me nji zell të madh. Ky asht ai momenti ma i randsishëm i jetës sime dhe mund të quhet momenti kyç që ndryshoi çdo gja në jetën time të mavonshme.


Më 23 Nëntor 1944 ju u arrestuat dhe Gjyqi Special ju dënoi me 30 vjet burgim... Ju akuzuan për bashkëpunim me okupatorin. Çfarë do të thoni për këtë gjyq dhe për këto akuza?


Ishte nji ditë e zymtë Nantori, kur nji shok i im i dikurshëm i Konviktit dhe i gjimnazit Abaz Sali Shehu – si Kryetar Këshilli i Tiranës së Re – po kontrollonte nji nga nji katër pallatet e Lanës. Atëhere banoja në nji apartament në pallatin e fundit. Nga dritarja po ndiqja gjithë lëvizjet e tij. Kur u fut në hyrjen tonë, hapa derën dhe i thirra. Si shokë të vjetër “u puthëm dhe u përqafuam me mall”. Mbasi u interesua se ku banoja, iku! Nuk kontrolloi asnji apartament në at hyrje. S’kaloi as gjysë ore kur nji togë partizanësh e rrethuan pallatin tonë. E kuptova! Do po më arrestonin! U vesha me rrobe të randa e me çorape leshi. Trokiti porta dhe tre partizanë me mashinka sovjetike në dorë u dhanë përpara. Duke m’u drejtue më thanë: “Ju jeni Lazër Radi… Eja me ne deri në Këshill të Lagjes – vetëm për një pyetje!” Ishte nji tekst shabllon i atyne ditve, ku shumica ekzekutoheshin pa gjyq. Ishte 23 nëntor 1944… gjashtë ditë para se të çlirohej Beogradi, mbasi data e 29 Nëntorit u ba festë kombtare edhe e Shqipnisë!! Ky ishte nji veprim i koordinuem mirë nga jugosllavët që drejtonin partinë komuniste shqiptare në parashikim të nji shkrimje të afërme të Shqipnisë me Jugosllavinë. Më thirrën vetëm për nji pyetje, por, për fat të keq kjo pyetje – zgjati 46vjet, nji muej e 17 ditë, sepse në të u përfshinë burgje, internime e dëbime pafund… U dënova nga Gjyqi Special nën akuzën “Agjitacion e propagandë në favor të qeverisë kuislinge dhe okupatorit fashist”. Fjala ishte për artikujt që kisha shkrue te gazetat “Tomorri” dhe “Bashkimi i Kombit”. Dua të ndalem pak te Gjyqi Special mbasi ky gjyq u shëndrrua në nji arenë të vërtetë cirku: ku rolin e arixhiut e luente prokurori Bedri Spahiu, i cili u tregue vërtet nji mjeshtër improvizimedh dhe i teatralitetit politik. Me thirrje histerike gjoja në kulmin e zemrimit për të akuzuemit, rrëzonte mbrojtjet, ngrinte akuzat, bante sikur kapte mikrofonin dhe sikur do t’i binte kresë të pandehunve të pafajshëm. Në majë të gjuhës e kishte nji fjalë “tradhtarë”, të cilën e përdorte në çdo tri fjalë. Salla brohoriste dhe këndonte kangët e “Hakmarrjes…”. Nji spektakël makabër… Asnjiherë Shqipnia s’kish pasë aq shumë tradhtarë sa ç’dolën ato ditë nga të ashtuquajtunat “Gjyqe të popullit”. Si në serinë e parë të artikujve në gazetën “Tomorri”, qoftë në ata të publikuem në gazetën “Bashkimi i Kombit” unë kisha sulmue Jugosllavinë në mbrojtje të Kosovës martire. Siç duket të mbroje Kosovën asokohe ishte tradhëti kombtare… Pra, nëse kisha ba ndonji faj, atë e kisha ba kundër Jugosllavisë. Megjithatë, preferova ma mirë të dënohesha pa faj nga shqiptarët se sa me faj nga serbo-malazezët.


Një pyetje pak më specifike: luftën ju e keni parë vetëm si një luftë të pastër nacional-çlirimtare apo edhe si një luftë civile që përcaktonte përkatësinë e pushtimit pas saj?


S’e kam të qartë pyetjen: ti do me ditë nëse unë luftën e kam pa luftën si luftë për çlirim kombëtar, apo si luftë të bame nga nji parti e vetme me marrë pastaj pushtetin në dorë?!


Pikërisht këtë desha të di: cili është mendimi i juaj?


E gjithë lufta e zhvillueme ka qenë nji mashtrim i madh mbarpopullor. Mbas flamurit të çlirimit kombtar fshihej qëllimi i marrjes së pushtetit nga partia komuniste, e cila nga ana e saj, manipulohej prej emisareve të Titos, të kualifikuem e të talentuem për krime e kompllote si Miladin Popoviç, Vukmanoviç Tempo dhe Dushan Mugosha, – të cilët nën maskën e internacionalizmit proletar synonin me gllabërue Shqipninë. Po të ishte nji luftë e mirëfilltë për çlirimin kombëtar s’do t’u kthehej pushka forcave nacionaliste, s’do të prishej marrveshja me krenët nacionalistë, së pari në Pezë me 16 shtator 1942, e ma pas në Mukje me 2 dhe 3 gusht 1943! Pikërisht pse atje theksohej Kosova si pjesë e Shqipnisë!! Për këto arsye ajo s’mund të quhet luftë nacional-çlirimtare, por vetëm nji luftë civile për marrjen e pushtetit.


Çfarë mendimi keni për Enver Hoxhën?


Mendjemadh, injorant, vrasës dhe shkatërrues i çdo gjaje të mirë dhe të çmueshme që kishte populli shqiptar.


Po për komunizmin shqiptar?


Ashtu si për Enver Hoxhën.


Si e shikoni ju zhvillimin e kulturës paralelisht në Kosovë e në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës së Enver Hoxhës?


Më pëlqen me përsëritë nji shprehje që e kam thanë edhe diku tjetër që: “Kosova i lindi intelektualët që i duheshin Shqipnia i shkatërroi ata që i kishte...!”


Nga viti 1944 kur u arrestuat e deri në shkurt 1991, kur falë lëvizjes së studentave ju u liruat – keni jetuar një periudhë mjaft të vështirë burgimesh, internimesh e dëbimesh...


Jo vetëm unë dhe familja e ime, por krejt Kombi, duhet t’u jetë mirënjohës atyne fuqive të mëdha që rrëzuan Murin e Berlinit po dhe lëvizjes studentore shqiptare që iu kundërvu diktaturës… Liria asht edhe vepra e tyne madhështore. Me nji rini të tillë, e ardhmja e këtij vendi s’ka si mos të jetë e shkëlqyeme. Për nji gja më vjen keq: pjesën ma të mirë të jetës e kalova burgjeve e kampeve. Siç, e thashë ma nalt 45 vjet: janë nji jetë e tanë. Sa do t’i kisha dhanë këtij vendi me at entuziasëm e vullnet që kisha, në at kohë. Erdha si emigrant dhe me shumë sakrifica munda t’i kryej të plota të gjitha studimet. Nga Kosova erdha në Shqipëri, por edhe këtu jetova fatin tragjik të Kosovës. Po ai qëndrim që mbahej ndaj Kosovës, u mbajt edhe ndaj kosovarëve që ishin ose që erdhën më vonë në Atdheun – amë.


Ne u takuam bashkë në Itali këtë vit kur pas gjysmë shekulli ju dëgjuat të ju thërrisnin përsëri Dr. Radi dhe në fund të fundit t’Ju respektojnë si njeri e jo si i persekutuar apo i emargjinuar. Ishte një ëndërr apo diçka më tepër?


Në Romë, në qytetin ku u realizova dhe u shkatërrova si intelektual, kthimi pas pesëdhjetë vjetësh i tejkaloi krejt kufijtë e andrrës. Atje shkova të takoj rininë time të humbun, shkova të takoj Romën magjike që m’i ndezi andrrat, të takoj shokët dhe miqtë e dikurshëm; të takoj edhe gjithçka shqiptare që ka ai qytet: duke filluar nga Holta Çakçirin, pafajsisht e mbetun e dënueme, Nermin Vlora-Falaskin, kët grua të shkëlqyeme që krenarisht e shfaqte qenien shqiptare, nga Sheshi Skënderbeg e deri tek Zoja e Shkodrës në Gjenacan, nga varri i Koliqit tek refugjatët e shumtë shqiptarë... Pra, në Romë kërkova të takoj gjithçka shqiptare: dhe ju gjeta edhe ju, gjeta edhe gazetarët shqiptarë të RAI-t Albert Akshinë, Petro Vuçanin e Gjon Kolndrekën, gjeta shqiptarin fisnik Taf Previzi, politikanin e shkathët Dr. Mentor Çoku... gjeta diçka nga rinia ime e humbun...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:43am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Gjana që s’mund të harrohen lehtë!


“Kur më futën në burg
lashë gruan me gjithë vajzën,
kur dola nga burgu,
gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur”.


A të kujtohet, o grua e dashtun,
Helmi i ditëve të çmenduna,
Kur na detyronin me vallzonim
Me pranga ndër kambë e duer?


Vall asht e mundun me u harrue
Dëshirat e shkeluna, qelive hedhun,
Fëmijët që lindëm e ndër duer na vdisnin
Kur “të lumtunit” i thurnin lavd dhunës?


A thue vallë, mund të harrojmë;
Kur me kryq mbi shpinë silleshim
rrugave, në heshtje të përgjakur
Pa mundun unë të isha ti, e ti të ishe unë?


Ndoshta nji ditë harrohet gjithçka,
Harrohen edhe ato që jetën n’palcë na e brejtën
Harrohen edhe vdekjet që s’mundëm t’i mbulojmë,
Po s’do t’harrohet kurrë besimi dhe shpresa që ruejtëm.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:45am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Njeriu 359
(në burg secili prej nesh ishte nji numër)


Jeton a s’jeton ai njeri i paemën?
Njeriu tre-pesë-nantë
nën at kod të frikshëm
shiritash bardh e zi?


Jeton a s’jeton ai njeri
që gdhihet e ngryset
i pangjyrë,
i pazhurmë,
i pabukë
i padritë
i pazjarr...


Gjallon a nuk gjallon vallë
njeriu që andrronte qiejt
edhe kur e hiqshin zvarrë...?




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:48am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shtigjeve të Kashtës së Kumtrit


Duarbosh në xhepa të zbraztë,
në xhepa të grisun,
flokëshpupurisun
n’duart e erës,
vështrimin turbull,
vagabond pa emër,
larg shkoj... larg,
thellësive të kotësisë,
ndoshta shtigjeve
të Kashtës së Kumtrit
apo yjsive të shueme
…pa gjetë ngushëllim askund.
I lodhun ndër tehe shkambijsh,
me bërryla i çaja
kalimtarët e heshtun
që rropateshin të iknin
kambadoras para meje!
Sa dëshira të humbuna
këtyne rrugve spërkatë me gjak!
Sa andërra të tretuna
pa prekë agimin e ditës së pritun!
Me purteka thane
e ngacmoja shpresën,
e joshja, e thirrja
me m’falë pak,
oh fare pak dashni...


E ajo, tinzare si dhelpën
shtirej se zbriste prej Kashtës së Kumtrit
e m’futej pa u ndje në gji.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:51am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Tallja e heshtjes


Nëpër natën e gjatë
m’u ba sikur dikush m’thirri:
Nji zà i njoftun,
nji zà i dashtun,
si zà fëmije m’u duk!
I hapa krahët
me e rrokë at’lajmëtar
që m’ftonte me ikë prej natës!
Po... krahët më mbetën pezull!
Veç hija ime,
humbte pa lamtumirë
nëpër zemrën e territ...


Në at heshtje tallëse
humbi si hije nji andërr,
humbi gjithkush prej nesh
diçka prej vetvetes...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:53am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kalorsi i jëtës


Mbi krahë ernash
mori fluturim,
kopshtijet e jetës i zgjoi
dhe terrin me thundrat e kalit e ndezi...
dhe toka ndjeu kangën e luleve
dhe kafshët humbën livadhesh
dhe zogjtë iu kthyen foleve
dhe velat nxituen me frymën e erës...


Kalorsi i jetës… kalorsi i jetës
vraponte ndër qiej
me kalin e Shpresës...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:54am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ave Cezar!


Gladiatorë:
namët e urrejtjes mbi ju i kam hedhë,
jo për fatin e keq të skllavit,
as për mallkimin e hidhët të ndëshkimit,
veç për at qëndrim të ulët
lajkatar e të nënshtruar,
atje poshtë, n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar!


Ave Cezar!?
I përgjakuni gjakatarin përshëndet,
n’triumf të vdekjes!
Dhe ai gisht ogurzi, kthyer poshtë,
në teh të shpatës
a në bri të demit,
të mbytun në gjak ju lan...
Dhe ju prap si të marrë,
n’grahmat e mbetuna të jetës,
ulërini me sa frymë keni
atje në fund të arenës
Ave Cezar! Ave Cezar!...




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:56am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Dashni Brezash


Mbas nesh vijnë të tjerë...
nën tokë zgjatën rranjët
mbi tokë shtrihen degat,
ntrashet ndër kohna trungu i Fisit
mjaltet rrushi në maje të lisit...


Ndër brazda brezash
s’humb kurrë dashnia që hodhëm
s’humb fjala e dhanë se e ruan guri
edhe pse kobi, si korbi
vërdallë i vjen
dashnisë së brezave.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 07:58am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ku ndali Shqiponja?


Ku ndali shqiponja?
Te gurgullima e kroit
a te fëshfërimë e pishnajës?
Te honi i vdekjes mbi shkamb
a te çerdhja e dritës në qiell?
Ku ndali shqiponja
t’i çelë zogjtë e saj?
Ku ndali shqiponja,
ku krahët i mblodhi,
ku shpirtin shpalosi....?
Ku ndali shqiponja,
gjithçka emnin e saj mori!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:00am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Pas vajit


Vajto çastin e humbun
dhe fjalën e shterrun,
Vajto dritën e ndalun
dhe nderin e shkelun,
Vajto lirinë e varun
dhe shpirtin e bjerrun,
dhe pas shgrehjes së vajit eja,
shkundma dremitjen
e n’përqafje
ta rrokim buzqeshjen.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:02am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Idil dimnor


S’harrohet ajo natë polare
e tërkuztë,
e akullt,
e tmerrtë,
jetëmarrëse
--------------
Po.... kur, si me magji ti erdhe
të kandshme,
andrruese
të ngrohtë
jetëdhanse
e bane at natë ankthesh....


Ndër lodra të çmenduna
e strukje ledhatare
ndër zjarre pafund puthjesh
e ndjeva përtërimjen e shpirtit....
dhe dimni shterresh
n’misterin e nji andrre
t’shpërthyeme befas....




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:04am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Toka e Shenjtë
(Vegim mojzean)


Mbi nji kërcu lisi
gjurmat e currilave të shpirtit
i bajnë andrrat me blerue....


....diku tej livadhesh,
nji kaçubë digjet flakë
po s’shkrumbet
edhe pse zjarri bubullon prrallshëm
kurrë e gjitha n’hi s’kthehet....


Drejt kaçubës n’flakë
shtegtarët shtegun morën....
Nji zà prej qiejve zbriste vetëtimë:
“Hiqi sandallet o shtegtar
e zbathun shkeli livadhet
e Tokës së Shenjtë....!!”




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:13am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Andrra pesëqinvjeçare


Asht anakronizëm – thonë disa – me frekuentue çfaqje të ndryshme në kohnat e sotshme të turbullta e të mbushuna me përpjekje të mëdha për t’i ba ballë luftës së madhe që quhet: “Lufta për ekzistencë”.
Partizanët e këtij mendimi të stereotipuem harrojnë me kujtue se njeriu paska, përveç barkut edhe nji shpirt, i cili kërkon ushqim dhe jeton për nji qëllim të naltë.
Ndër këto ditë, në sallonin e shoqënisë “Vllaznia” shijuem çfaqen e dramës kombëtare “Shqipnija e lirë” pune prej Andrea Skanjetit. Qëllimi ishte me t’vërtetë “madhështor”. Mbrenda pak orëve, kaluem si në vegim, çastet ma të lavdishme të historisë së shkëlqyeme të Atdheut tonë. Nuk do të rrekem me zhvillimin e dramës, me interpretimin e aktorëve dhe as me skenarët e përshtatshme, por do të merrem vetëm me qëllimin e dramës.
Tipi i Sokol Mirajt, tip i atdhetarit të vërtetë e të pastër, është paraqitur me ngjyrat ma të gjalla. Ai, kur flet për Shqipninë dhe për shqiptarët, atëherë lëshon zjarr, zjarrin e zemrës së vet, zjarrin e patriotit të kulluar. Sa nevojë kanë zemrat tona për këtë zjarr! “Errësira e akulli” janë simbole të njerëzve të caktuem për humbje. Sot, ma tepër se në kohën e robënisë, kemi nevojë për “Dritë e zjarr”, kemi nevojë që të forcojmë nji “Ndërgjegje kombtare” të vërtetë. Gjaknat duhet të vlojnë, por, duhet të vlojnë për nji “qëllim” të naltë e të drejtë. Çfarë qëllimi ma të naltë mund të ketë njeriu se forcimin e atdheut e përparimin e popullit? Pa dyshim qëllim ma bujar nuk mund të ket. Prandaj, duhet nji nxitës që t’i zgjojë forcat e mshefta të shqiptarëve dhe pastaj të fillohet brumimi i “ndërgjegjes” kombtare. Sot, lypset që zemrat të rrahin me nji ritëm të shpejtë por, vetëm për qëllimin dhe zhvillimin e Kombit. Pra, duhet të gjindet mjeti që të çlirojë ndijesitë e ndryshme në botën e mbrendëshme të “njeriut shqiptar”. Nji faktor i randsishëm asht “Fjala”. Ajo me forcë e vet, ia kalon çdo armate sado të madhe dhe depërton në thellësitë ma të mëdha t’intelektit, të mendjes dhe të zemrës. “Fjala” ka fuqi me zbulue vlerën e vërtetë të njeriut me nji “ideal” e ta nxisi për të kryer vepra të nalta.
E djeshmja kaloi. E sotmja e madhe randon mbi supet tona. Duhet të zgjohemi. Pasqyra e herojve të Rilindjes sonë le të reflektohet ndër zemrat tona, sot, le t’i përdorim të gjitha forcat mendore për naltësimin e popullit, gjithçka arrihet, gjithçka bahet: vetëm të kemi energji mashkulli dhe vullnet të fortë. Qëllimi i ynë për naltësimin e Atdheut do t’arrihet… Mjafton të kemi zhvillue me bardhësi zambaku “ndërgjegjen kombëtare”.
Sokol Miraj, pasanik shkodran dhe patriot i vërtetë, derdhi zjarrin e vet ndër zemrat e spektatorëve, “Andrra pesqindvjeçare” na ngrohu mendjen dhe zemrën. Të punojmë për zjarrin e zemrave....
Shkodër, dhetor 1937.


Lazër Radi/Gazeta Shtypi, Nr. 171, 10 dhjetor 1937


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:19am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Emblemi Legjendar (nantor 1937)
“Rreth Flamurit” 25 vjetori i Pavarsisë


Ah, sikur Flamuri të mund t’fliste, do t’na tregonte legjendën e vet të madhe!
Por, lexues i dashur, vëreje… vëreje mirë e mendo atëherë, në ngjyrat e tij do të lexosh fitoret e përpjekjet titanike të shqiptarëve për liri të Atdheut.
Vëreje mirë Flamurin – Flamuri i flet zemrës.
“Rreth Flamurit”, rreth atij emblemi hyjnor asht zhvillue nji legjendë madhështore, – nji histori e shkrueme me gjak herojsh. Kambanat rrahin me hov të madh. Rrahin porsi zemra djaloshare. Këta tinguj hareje përhapen me nji ambëlsi të pashoqe deri ndër horizonte ma të thella të Atdheut.
Sa të lumtura rrahin zemrat e reja, sa ndjesina bujare mbulojnë mendjet e tyne të njoma. Mburren me analet e shkëlqyeshme të historisë sonë të madhe, t’asaj historije që shkon deri diku krah për krah me atë të helenit e të latinit.
“Rreth Flamurit”, çeta e vogël por kreshnike e Kastriotit marshoi drejt fitoreve fatlume, drejt atyne fitoreve që shpëtuen tanë Europën prej kambës pushtuese t’aziatikut… Por, shpejt u shue drita, se Ati ma i madh i kombit, heroi i legjendave të pavdekshme, u rrëzue përdhe e dora që ndër njizetepesë fitore e mbajti nalt Flamurin.... fort nalt me nji krenari të pashembullt u shue.
Shkuen vjet e bashkë me to edhe gjenerata.
Shekuj errësine randuen mbi supat e shqiptarve. Ah jo, nuk ishte e thanun që Atdheu i ynë të mbetej n’robni të përjetshme. Shpirtnat e kombit nisen me e zgjue… me u nxe, me u shndrrue në zjarr. Po në nji zjarr të madh i cili ose të nxenë ose të djeg… Por, zjarri i madh i pionierëve të lirisë kombtare pat forcën me nxe, me i ngrohë me flakë patriotizme shqiptarët e vuejtun e të shtypun. Dhe ata u zgjuen dhe shprehën forcën e msheftë që u vlonte në gji. Dhe kombi u ringjall....


Me kangën “Rreth Flamurit” në gojë, me atë kangë të zjarrtë që shprehte dëshirat e zemrave të tyne të djeguna për nji “Shqipni të lirë etnike, shkruen në qiell kushtrimin, e shkruen me zjarr të pashuem: Urra. Luftoni për liri t’Atdheut, luftoni: Shqipnia asht e shqiptarve”.


Shkëndiat e këtij kushtrimi u futën ndër zemrat e të gjithë shqiptarve. Drita e kushtrimit ndriti mendjet e tyne.... Eh, ç’lëvizje e madhe. Kurrnji vështirsi a pengesë nuk mund t’ua prente hovin, sepse ata ecin përpara të udhëhequr prej nji ideali të naltë… Ata kërkojshin “Liri a vdekje”.
“Rreth Flamurit” gjaku i shqiptarve të mëdhenj u derdh e nga ky gjak lindi Kanga e Madhe, Epopeja e Kombit. Luftuen me pendë e pushkë shqiptarët e pastër. Përpjekja e tyre u shpërblye: Atdheu u ba i lirë.


“Rreth Flamurit”, Kreshniku i Vlorës, Ismail Qemali, me zanin e tij të kjartë e të fuqishëm lajmëroi popullin shqiptar dhe gjithë botën se Atdheu i Kastriotit rilindi: Shqipnia u lirue… Sot, “Rreth Flamurit” Skënderat e rinj nga kryeqyteti i Shqipnisë së Re, po i tregojnë gjithë botës forcën e Kombit tonë.
Entuziazmi që shprehet në fytyrat tona asht rrjedhë e gëzimit që ndjejmë për ma të madhen ditë tonën.


“Rreth Flamurit” – falangat e reja: sintezë e forcës dhe e dashunisë marshojnë drejt përparimit. Tue pasë Emblemin legjendar në krye, armata e kombit të rilindur, gjithmonë besnike dhe e gatëshme për Atdhe, do të marshojë përpara.
“Rreth Flamurit”, me mendje e zemër të kulluet të ecim përpara… Gjithmonë përpara… Le të kemi për ideale përpjekjet e Pionierve të Rilindjes sonë Kombëtare. Jo ma “Tregtarë flamujsh” por me ide të kristalta e “Rreth Flamurit” të jemi t’bashkuem.
Atdheu do të shkoj përpara....
Tiranë, nëntor 1937


Lazër Radi/Gazeta Shtypi, nëntor 1937




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:24am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Fol Sheherazade


Ishte nji natë e zezë plot hije të helmueme....
Në natyrë mbretëronte errësina.... po ajo, mbretëronte edhe ndër zëmrat t’ona.... Veriu tue fërshëllye me tërbim, rrehte shkambijtë e thatë.... Veriu vërshëllen, – përplaset për ndërtesat madhështore të qytetit – dhe ngrinë krijesat e pambroje.
Vajë dhe errësinë në Natyrën e mjerë.
Vajë dhe errësinë ndër zemrat t’ona.
Ishte nji natë dimni.... Ah! Mos kujtoni se po ju diftoj nji përrall romantike, të bukur, ah jo, do t’ju diftoj nji të vërtetë që e kam pa me sytë e mi....
Pra.... Ishte nji natë dimni dhe nji skaj rruge, bri nji pallati të madhnueshëm, rrinte nji plak: dukej si një grumbull eshtnash të mbështjelluna me nji lëkurë të rrudhun e të çame si lëvorja e lisave qindravjeçarë: Do zhele të grisuna e të laguna ia mbulojshin trupin… Ato ishin të ndryshme me stigmin e mjerimit. I mbuluem me zhele të laguna.... Ah, vllau fatmjerë po dridhet.... po i dridhet tanë trupi.... zemra dhe mendja....
Fol Sheherazade.... Po, fol o Sheherazade e lumtun. Hape thesarin e paçmueshëm të fantazisë s’ate e me at ambëlsinë e fjalës s’ate lehtësoja plagët e jetës fatmjerë.... Për disa çaste bane që t’a harrojë të vërtetën.... E ti me fuqinë e fjalës s’ate çoje po, çoje në botën e bukur të përrallave....
Por.... lutja e ime sosi në heshtje, njashtu si sosin ofshamat e njerëzve të vegjël.... sepse vazhdoj errësina dhe vaji në Natyrën e mjerë dhe errësina ndër zemrat t’ona.... Portat e mëshirës janë mbyllë.... s’ka as ngushëllim, as jetë. Ti plak jetove mjaft. Tash dridhu; e dridhmja jote le të jetë lamtumira e mbrame e Jetës dhe përshëndetja e parë e vdekjes....
Ishte nji natë e zezë.... natë e mveshun me petkun e helmit.... Natë pa hanë dhe pa asnji dëshmitar.... Në kët natë vllau që dridhej: mbaroi.... Veriu e stivoi në koleksionin e vet.... Të nesërmen vllau fatmjerë s’e pa ma agimin.... s’e pa ma Dritën e Diellit.... Por Dielli e gjeti të ngrimë dhe qeshi me nji gaz satanik.


Lazër Radi/Gazeta Shtypi, 19 shtator 1937




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:32am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ironija e fatit


...E re dukej nga mosha – e bukur... dhe ecte me hap të ngadaltë... Tue ecë ashtu mendueshëm dukej sikur peshonte randë ndër mendimet e botës së vet ferishte....
....E pau njeriun zemërkazmë dhe mejherë nisi me andrrue çasa lumnije, prandej, për me përfitue, e shpejtoi hapin dhe mbrapa i shkoi.... I foli dy fjalë mbas nji murit, – i lëshoi nji buzëqeshje cinike dhe i premtoi diçka.... dhe puna u mbarue....
Hapi ndiqte hapin.... Malsorja e re, me sy të përvajshëm, ecte.... ndiqte hapat.... dhe mendonte fellë.... Ndoshta zemra e sajë e plagosun randë ndigjonte vajin e foshnjes së vet? Ndoshta mendonte fëmijtë e vet, të cilët nga mjerimi qajnë e rankojnë? Atyne u mungon gjithshkafja: ushqimi dhe shëndeti.... Prandaj malsorja e re tue ecë… dhe vajtonte fatin e vet, at fatin e zi që i dhuroi kjo jetë:
- U shita, por jo për vedi. E shita vedin pse dishiroj jetën e fëmijve të mi....
E vajtonte dhe lott i shkojshin rrëkajë.... E ndër lott’e saj pasqyrohej nji botë e tanë: Bota e mjerimit....
Hapi ndiqte hapin.... Njeriu zemërkazëm, edhe ai diçka mendonte.... Mendonte gjithçka, përveç mizerjes dhe vajit të foshnjave te shtëpija.... ato s’kish pse me i mendue. Ai mendonte për shembull si do ta puthi apo bante me vedi ndo’i plan.... Plane se si do të mundte me e knaqë ma së miri dëshirën e vet.... Andrronte kënaqësinë e shpirtit të vet në përmbushjen e epshit.... Dëshira e kishte mbulue; dëshirë e kishte mendjen, dëshirë e kishte zemrën e dëshirë ishte i tani....
Hapi ndiqte hapin.... Tashma ishin jashtë qytetit.... Ishin mbi nji kodrinë të bukur mbi të cilën i pritte krahëhapun “Ironija e fatit”.
Në paradë kalojshin dy vizituesa; njëni me zemër të plasun e tjetri me nji dëshirë që shumë shpejt do të plotësohej.... Gjithçka përreth duket sikur qeshte....
Qeshte me ironi ndoshta.... por qeshte! Gjithçkafja shfaqej me gëzim; Ah! Vetëm nji fli e fatit të mjerë kalon e turpnueme përpara atij gëzimi të sajuem mbrapsht!
Kalon në paradë.... por, jo madhënisht.... ec.... ec.... po me sytë e rrzuem përdhe....


Lazër Radi/Gazeta Shtypi, 25 shtator 1937




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:44am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kanga e grisun


Jeta e jonë asht si lulja, – po, po si lulja e hijshme që të vyshket ndër duer.... çdo gja në botën tonë kalon: kush ka le – do të vdesë – kush ka vdekë – gëzon qetsinë e përjetshme.... Lumnija; edhe ajo si lulja vyshket shpejt.... Madje asht mjerim i madh kur lumnija e shkurtë sos ndër dhimba.... ndër dhimba të thella.... ndër dhimba që si heshta të zjarrta ta therin shpirtin....
E njofti.... dhe me të shpejtë u lindi dashnija.... Nji dashni e nxehtë që rritej dita ditës.... shtohej në mes t’atij dekori të madhnueshëm të natyrës.... Ah! Zemër e lumtun! A thue me t’vërtetë asht e lumtun pse n’at krahinë malësore e njofti? I lumtun pse e njofti dhe dashunoi vashën që i pëlqente ma tepër? Por, çdo gja kalon në jetë: Ajo asht gjaja ma e shkurtë që shijon shpirti i njeriut.... Vërtet asht gëzimi ma i madh në jetën e vet të shkurtë – por, asht edhe helmi e dhimba ma e madhe mbasi të shuhet.... Nji ngjyrë e verdhë nisi me e prishë harmoninë e pyjeve të gjelbra; ishte ngjyra e gjetheve të vjeshtës, – ngjyrë që dukej si nji damkë e shëmtueme.... Mandej.... gjethet e verdha – si shpresat e të mjeruemve, bijshin njena mbas tjetrës.... Ato me nji fluturim të shkurtë rrëzoheshin përdhe. Vallja e përvajshme e gjetheve të vjeshtës u përkujtonte dy zemrave të lumtuna, ndamjen e afërme.
Dhe me të vërtet, nji mëngjez të bukur u ndanë.... Ajo shkoi.... e zemra e djaloshit u brengos thellësisht. Mungesën e saj e ndiente fort.... e ndjente, e, për ta hjekë mejtimin nisi me shkrue. I mungonte edhe forca krijuese.... megjithatë “Kanga e vjeshtës” i doli n’ekstazë. – N’ato vargje kristalore shprehu të tana ndjesitë e zemrës së vet.... Po, aty i ndryni të tana dhimbat e lotët e zemrës.... “Kanga e vjeshtës” kish për t’i sigurue nji kunorë dafinash.... e të dy, përmes asaj, do të baheshin të pavdekshëm.... sepse Kangët e Mëdha dalin prej Zemrave t’plagosuna....
Çdo gja kalon në kët jetë....
Të dy studjojshin në njejtin qytet.
Përditë djaloshi dilte në rrugë për ta takue, por, s’e gjente askund. Për fat, – në nji mbasdite të bukur, e ndeshi. Biseduen. Ai me kënaqësi zemre i përmendte kohnat e arta të kalueme.... Vasha e ndigjonte, me nji ftohtësi të hatashme.... A thue çka do të jetë? A thue pse po i frenon ndjesitë e zemrës ajo që ma parë e përkëdhelte dhe e dashunonte? Të gjitha këto djaloshi i arsyetoi me nji “do të jetë e dëshpërueme”. Mirëpo ajo kish vendosë vërtet me i pre të gjithë marrdhaniet. Prandaj rrinte e heshtun. Sa e bukur i çfaqej dhimba në fytyrën e saj delikate.... Ajo dhimbë ishte e vetmja shkëndi shprese për djaloshin e shkretë.... Ajo nuk foli, – e shikoi në sy të përvajshëm dhe hiku.... shkoi....
Errësinë e vdekun vjeshtore.... Gjithkah shkreti....!
Asht nji mbramje e trishtueshme.... shiu tue ra, këndon kangën e vet monotone.... Kangën e vdekjes.... Djaloshi me zemën të plasun e me forca të dobësueme hyni n’odën e vet.... Ajo iu ba qeli e errët e mveshun në të zi.... I dukej se po mbante nji jaz të përjetshëm.... Mbi tavolinën plot libra e shkresa gjeti nji letër. E hapi me të shpejtë, dhe nisi ta lexojë pse ia njofti shkrimin....


Z....
“Të lutem mos më folë ma nëpër rrugë.
Mos më trazo.
Ti e din fare mirë se na ndajnë shumë arsyena, – prandaj harroje ç’ka qenë”.
B....


Çdo gja kalon në kët jetë.
Dhimbat, vetëm dhimbat, ato s’shkulen kurrë prej zemre.
Krejt i lodhun.... i lodhun e i dobësuem shpirtënisht, u ul. “Kanga e vjeshtës” – mbi tavolinë – nisi me i folë.... nisi me i tregue nji përrallë magjike.... Ah! Nuk mujt me e ndigjue.... E kapi dhe e grisi në njimijë copa.... e treti.... dhe era e çoi si gjethet e vjeshtës....
Shumë arsyena i delshin përpara tue e qeshë me qesendi....
Ah! Gjendja shoqnore, qe, nji shkak. Dy zemra që dashunoheshin s’mund të bashkohen për shumë arsyena.... Por.... ato dy zemra vuejnë.... e do të vuejnë gjithnji....


Lazër Radi/Gazeta Shtypi, 31 tetor 1937




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 08:50am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Lazër Radi dhe Vepra e tij


Koha, kujdesi dhe vëmendja që Dr. Lazër Radi u ka kushtuar miqve të vet, tregon se sa e shenjtë dhe e dlirtë ka qenë ndjenja e miqësisë dhe dashurisë për të…
Emrat dhe imazhet e njerëzve që ka dashur aq shumë asnjëherë nuk zbehen! Koha kalon dhe ato aq më tepër marrin dritë, kthehen në qenie të gjalla që lenë pas rrezatimin dhe shkëlqimin e fjalësnë penën e Lazër Radit… Njerzit që ai do jetojnë dhe qeshin, qajnë dhe vuajnë bashkë me të… Kjo është arsyeja që pas dhjetra e dhjetra vitesh ndarjeje, ai u ringjall.
Pasi së bashku me poetin dhe intelektualin, djalin e tij Jozef Radi, botojnë vëllimin e parë poetik “Muret e Muzgut”, bëri jehonë në rrethe letrare dhe u prit shumë mirë nga kritika, ai filloi punn për të përjetsuar talentin, veprën dhe kujtimin e miqve të vet. Kështu vijoi me librin “Nji verë me Migjenin”, në të cilin pasqyron mbresa dhe kujtime nga aktiviteti letraro-artistik me mikun e tij, poetin Millosh Gjergj Nikolla. Më tej Vazhdon t’i bëjë jehonë trimërisë, burrërisë dhe atdhetarizmit të njërit prej fiseve më të shquar të Dibrës me librim “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”.
Në vitin 1994, botohet libri “Misteret e nji Ministri”. Në kët libër trajtohet për herë të parë figura e njërit prej intelektualëve dhe eruditëve më të njohur shqiptarë, e ministrit të Arsimit në periudhën e mbretërisë z. Mirash Ivanaj, i cili në një moshë shumë të rembas studimeve në Itali mbron dy doktorata. Ai ishte nji poliglot i vërtetë, sepse ishte njohës shumë i mirë i 12 gjuhëve.
Por, Lazri nuk e quajti të mbaruar detyrën ndaj profesorit dhe bashkvuajtësit të tij, (kanë kryer dënimin në të njëtin burg politik) vetëm me kët libër. Duke e njohur nga afër ai ishte i bindur se një shpirt i tillë duhej patjetër të kishte edhe një trashëgim letrare. Dhe hamendja nuk e gënjeu. Pas kërkimesh të lodhëshme nëpër arkiva, thellë nëpër bodrume dhe arka, ai gjen letërkëmbime, dokumenta dhe dorëshkrime që tregonin edhe për veprimtari letrare dhe politike të Mirash Ivanajt. Po ajo çka është më e rëndësishme, se në dosjen e tij u gjet edhe nji dorshkrim poetik në gjuhën serbo-kroate: “Epopeja e Njeriut” nga vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj. Me dashuri dhe përkushtim Dr. Lazri mbaron në nji kohë fare të shkurtër përkthimin e tij dhe e dërgon për botim në Shtëpinë Botuese “Liria”. Tashmë ky libër ndodhet në duart e lexuesve.


Dr. Lazri, duke u nisur nga fakte konkrete, mbetet i bindur se libri është i shkruar nga Mirash Ivanaj, megjithatë ai i qëndron besnik autorësisë së dorshkrimit.
Në parathënien e veprës autori thotë: “E reja më e rëndësishme e këtyre dy autorëve është ngjyrimi frojdian që vihet re në mjaft prej poezive të tyre. Ky fakt tregon më së miri se ata jo vetëm zotëronin një kulturë solide, por qysh herët e kishin kuptuar se psikoanaliza do të kishte një të arthme të rëndësishme jo vetëm në shkencë, po edhe në art…”
Kjo duket qartë në poemën “Semiramida”. Më tej në parathënie lexojmë: “Desha të shtoj me autosugjestionin e fuqishëm të Mirash Ivanajt… Ndërsa ishte në ditët e fundit të burgut, ai vazhdimisht thoshte: ‘Unë s’do ta nxjerr kryet prej këndej!” Ai njeri i pathyeshëm kishte humbur dëshirën për të jetuar. Dhe vërtet dy-tri dit para se të lirohej, ai u shua ngadalë si qiri, duke lënë shumë dritë dhe njiherësh nji boshllëk të jashtëzakonshëm mes nesh…”


Por veprimtaria letrare e Dr. Lazër Radit nuk mbaron me kaq. Në Shtëpinë Botuese “Liria” është në proces botimi “Platoni”, si dhe veprat “Murgesha dhe Poeti”, “Apologjia e tretë e Sokratit”, “Gjyqi Special”, etjerë.
Shkoj shpesh në shtëpinë e tij dhe çdo moment e gjej para makinës së shkrimit. Rrallkush ka nji vullnet si i tiji. Pranë i qëndron gjithnji e shoqja nënë Vita, e cila edhe ajo ka qenë e burgosur politike, për gjashtë vite ashti si i shoqi.


Dr. Lazri mendon se mund t’u japë më shumë njerzëve përmes veprimtarisë letrare, se sa përmes politikës, e cila tashmë është kthyer në një luftë të ethshme për pushtet…
Miqësia, takimet dhe bisedat me Dr. Lazrin janë nji pastrim për shpirtin, dhe nji mesazh për më tëpër dashuri ndaj njeriut…


Shane Muda/Gazeta “Liria” , 26 shtator 1998




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
Go to page  1 2  

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3682 sec, 0.0621 of that for queries. DB queries: 57. Memory Usage: 3,462kB