Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Lazër Radi (1916-1998) - jurist, publicist, prozator, poet e përkthyes
Go to page  1 2
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:00am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
“Në dritë edhe mund ta harrosh errësirën”


Elsa Demo interviston Jozef Radi mbi jetën e veprën e Lazër Radi.


Mëngjesin e 23 shtatorit, 1998, ndërsa dilte nga shtypi libri i tij i zemrës, “Një verë me Migjenin”, kushtuar kujtimeve të një stine me poetin, llahtarën e vdekjes së të cilit e pat përshkruar si t’i kish ndodhur para syve, edhe ai mbyll sytë përgjithmonë.
10 vjet nga vdekja e intelektualit dhe gazetarit Lazër Radi, pasardhësi i tij, Jozef Radi, tregon veprën në proces, sidomos trilogjinë për Prizrenin, Shkodrën dhe Romën.


Lazër Radi, ishte intelektual dhe gazetar i një kohe të begatë për kulturën shqiptare, vitet tridhjetë. I laureuar për drejtësi në “La Sapienza” të Romës më 1942, bashkëpunëtor i rregullt me organe të kohës, sidomos atyre profashiste, emri i të cilave iu kthye në akuzë, pas 45-ës… Radi bëri 10 vjet burg, u internua për 22 të tjerë, dhe për një dekadë ishte i dëbuar së bashku me shoqen e jetës dhe të vuajtjeve, Vitoren.
“Mbas 45 vjet rrugash” siç tregon një nga bijtë e tij, Jozefi, i lindur në internim, për të dëshmuar se “nuk kam vdekur” ai botoi brenda mundësive të veta veprat “Muret e muzgut”, “Anëzave të Sharrit”, “Shpresa vdes e fundit”, përkthimet “Platoni, vepra”, dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit, studimin “I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memorialin “Shqipëria në vitet ‘30” dhe novelën “Apologjia e Sokratit në Tiranë”.
Jozefi merret me grumbullimin dhe redaktimin e veprës së të atit… ai thotë se ka në proces botimin e trilogjisë së jetës së Lazër Radit, këtij njeriu që kish ardhur si emigrant nga Prizreni në Shqipëri, për shkak të represionit serb, më 1929, në moshën 13-vjeçare. Shkodra ishte një stacion i rëndësishëm në jetën dhe formimin e tij. Siç tregon Jozefi në këtë 10-vjetor, i ati nuk ka shkruar asnjë gërmë për diktaturën, ajo ishte veò kohë terri dhe sipas tij, njeriut s’i ka kuptim të shkruajë veçse për vitet më me dritë të jetës së vet.


*****


Sot bëhen 10 vjet nga vdekja e Lazër Radit. Keni menduar diçka si përkujtim?


10-vjetori i vdekjes së babait është një datë që kisha menduar ta përkujtoja ndryshe. Nuk realizoj atë çka kisha menduar për faktin e thjeshtë se kam marrë përsipër të grumbulloj dhe të redaktoj gjithë çfarë ai ka lënë nga trashëgimia personale në fushën e kulturës, si në përkthime, kujtime, vepra letrare, monografi në vepra postume. Një pjesë e veprës së tij, u botua në një periudhë shumë të vështirë të historisë së këtij vendi, më 1997. Duke parandjerë vdekjen dhe raportet familjare që ndryshuan në mënyrë drastike: i vdiq e shoqja, unë u detyrova të largohem familjarisht, ai vendos t’i botojë veprat e veta ashtu siç ishin, edhe si një lloj “hakmarrjeje” ndaj asaj pamundësie për ta mbaruar atë punë që mendonte të realizonte.
Çfarë ka lënë në dorëshkrim, ju përmendni diku përkthimet e Frojdit, Jungut… Lazër Radi mendonte se për shkak të indoktrinimit 50-vjeçar që kishte ndodhur, rinisë në mënyrë urgjente duhej t’i jepeshin ato vepra filozofike me të cilat ajo e kish pasur të pamundur të komunikonte. Ndërkohë ai merret me Platonin, me Frojdin, me Jungun, duke i konsideruar tri pika referimi për komunikimin me rininë. Nëse Platonin e botoi thuajse të plotë më 1993, me Frojdin prej të cilit kish përkthyer ëndrrat dhe interpretimin e tyre, si dhe Jungun ai mendonte të bënte një vepër të përbashkët. Gjë për të cilën s’i premtoi koha, megjithatë këto përkthime tashti presin kohën e botimit…


Po dorëshkrimet e tjera çfarë përmbajnë?


Sipas meje, puna më e rëndësishme, pothuaj e gatshme për botim, është trilogjia e jetës e ndërtuar mbi tri qytetet e jetës së tij “Prizreni”, “Shkodra” dhe “Roma”. Besoj se “Shkodra” është e jashtëzakonshme. Ai ka qenë në gjendje të japë kohën në të gjitha detajet, aty ka personazhe nga më të ndryshmet të para në këndvështrimin e tij. Për shembull Skënder Luarasi, Ahmet Zogu, Migjeni, e plot personazhe të kohës. Aty është Shkodra në konfliktin e përjetshëm të dy botëve; është ai qytet që siç e quan ai: “…hyn një herë e s’mund të dalësh kurrë prej tij…” është parë lëvizja komuniste në bërthamë, në një botë djemsh që kërkonin të ndryshonin botën, dhe çdo gjë që ishte jashtë asaj bote, ishte për ta e zezë…


Kur është shkruar kjo vepër?


Rreth viteve 1986-1989. Dmth ka brenda edhe pak autocensurë. E vërteta është se këtë vepër unë ia kërkova me detyrim, sepse ai kishte një mënyrë të shkëlqyer të të rrëfyerit të ngjarjeve të jetës së tij, aq herë i kishte rrëfyer, sa unë shpesh i kërkoja leje të ndërhyja në detaje të jetës së tij!
Ai nisi të merret me vetveten pak vite pasi e patën demaskuar publikisht si armik i popullit, më 1982. Ishte një demaskim, si të thuash, spektakolar. Regjimi, mbasi i kishte mbushur burgjet, kishte ndërruar taktikë: kishin filluar një tjetër skenar, të përpiqeshin me të gjitha mjetet dhe mënyrat për të demaskuar figura të njohura në mënyrë që të shkaktonte terror dhe frikë në popull… Aty, ai me një gjakftohtësi që s’e kisha besuar se e kishte brenda vetes, arriti ta kapërcente situatën dhe t’i kthente gati gjithë akuzat në favor të tij. I detyroi të gjithë të heshtnin përpara asaj çka tha.


E kur ndodhi kjo?


Ndodhi në Savër, në 21 tetor 1982. Për fat (të keq a të mirë) kam qenë edhe unë prezent në at skenë masive të ndëshkimit, që më kujtonte diçka biblike. Fillimi ishte agresiv dhe shkatërrues kurse mbyllja e demaskimit qe e tillë sikur donin t’i thoshin tani s’kemi ç’ti bëjmë këtij njeriu, veç e kishim për detyrë ta bënim këtë gjë dhe e bëmë.


Çfarë mbani mend nga ai “demaskim”?


Këtë ngjarje e kujtoj detaj për detaj, por do të përmend ndonjë prej tyre. U ngrit dikush nga salla (sigurisht i porositur) dhe pyeti: Le të na thotë ky Lazër Radi se ç’të keqe i ka bërë partia? Ai u ngrit edhe tha: “Kjo parti s’më ka ba absolutisht asgja të keqe. Gjatë 40 viteve të kësaj partie kam qenë 10 vjet në burg, kam 22 vjet i internuar e 10 vjet i dëbuar. Nëse është ndokush nga ju e quan të keqe kët gja, unë s’e quaj aspak të tillë, përkundrazi e quaj nji favor të madh që më ka bà ky shtet…!”
Shpesh ne e kujtonim këtë ngjarje në familje dhe ndër miq dhe Lazri me humor thoshte një perifrazë të drejtorit të ndërmarrjes që gjatë hapjes së demakimit ndër të tjera i ishte drejtuar me fjalët: “Ky intelektual borgez me zemër të zezë…” të paktën si intelektual ende më njohin!


Ju thoni se Lazër Radi e dinte që do të dënohej, e do të paguante detyrimin ndaj fajit që kishte qenë gazetar dhe kishte shkruar për organe profashiste…


Shiko, Lazër Radi u kthye në Shqipëri mbasi ishte lauruar në “Sapienza” të Romës Doktor në drejtësi me 110/110, në fund të gushtit 1942. Në vitet 40-41 ai kishte bashkëpunuar me dy gazeta profashiste të asaj kohe, “Tomorri” dhe “Fashizmi”, gjithnjë brenda konceptit të tij politik se edhe të keqes ma të madhe duhet t’i vjelësh atë çka është e dobishme për popullin tënd. Të mos harrojmë se miqtë e tij të asj kohe ishin Ernest Koliqi, Vangjel Koça, Hasan Dosti e të tjerë… Mbas këtyre shkrimeve ai pati një periudhë heshtjeje të gjatë në shtypin shqiptar. Kur u kthye nga studimet, s’është se mori ndonjë flamur. Ai s’qe përzier në ndonjë organizatë të kohës, as në ndonjë parti politike, por mbajti një qëndrim nacionalist, duke botuar një seri të gjatë artikujsh në gazetën “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin Ushtima e Sharrit.


Si e përkufizoni këtë llojin e tij të nacionalizmit?


Ai nuk e pranonte konceptin e një ideologjie të vetme (për ndërtimin e shtetit). Ai mendonte dhe besonte që konceptet duhet të përplasen mes tyre për të dalë në shesh e vërteta dhe për t’u gjetur ato mekanizima mbi të cilat funksionon shteti. Mendonte se nuk funksionon shteti mbi bazën e një ideje të vetme dhe të eliminimit fizik të kundërshtarëve, sepse një ide e vetme sjell regjime totalitare dhe ai ishte absolutisht kundër totalitarizmit, edhe pse në një periudhë të caktuar historike ai u gjend pranë asaj ideologjie që synonte të sundonte botën. Ai theksonte se ideologjive, çdo shtet duhet t’iu vjelë frutet e interesave të veta.


Pas ’90-s çfarë hijesh do të riktheheshin në jetën publike të Radit?


Në fund të vitit 90, në gjetëm mundësi për t’i ikur odisesë së gjatë të gulagëve shqiptarë dhe të ktheheshim në Tiranë, prej nga ishim dëbuar. Sigurisht 45 vjet rrugash, të kthehesh andej nga je nisur, s’qe e kollajtë, sepse një pjesë e mirë e pikave të referimit ishin këputur. Megjithatë, Lazri gjeti mundësi të integrohej në jetën kryeqytetase dhe të marri pjesë në jetën kulturore, politike dhe asaj dashurie për të cilën kishte paguar: shtypit të shkruar. Veçanërisht daljet e tij në media dhe artikujt në shtyp nisën të ngjallin xhelozitë, e atyre që besonin se atij s’i kishte mbetë asgjë për të thënë!!
Pikërisht kjo shfaqje e beftë e tij ngriti një ortek sulmesh dhe kur nuk gjenin arsye me se ta sulmonin iu kthyen refrenit të idesë së fashizmit. Atëherë ai tha: A nuk iu mjaftuan miqtë e mi 45 vjet ndëshkim, vetëm për mendimet e mia, pasi asnjë lloj vepre penale, në dëm të asnjë personi dhe shteti s’kam kryer? Konceptet e mia politike i kam paguar më shtrenjtë se çdo njeri tjetër, dhe s’kam pse frikem sot prej askujt për atë çka mendoj!


Pse u desh që t’i hynte politikës?


Kishte punuar me shtypin dhe një pjesë të mekanizmave djallëzore të shtypit i njihte mirë. Me një gjakftohtësi të habitshme vazhdoi në rrugën e vetë. Besonte se ky vend meritonte një të ardhme ndaj edhe iu fut politikës, thjesht për të shërbyer. Në njëfarë mënyre edhe ne në familje na mbajti peng të idesë së shërbimit ndaj Shqipërisë. Për këtë ai mori pjesë në polemikat e vendosjes së peshkopit Janullatos; hyri në partinë e Unitetit Kombtar megjithëse aty gjithçka ishte manipuluar nga pelivanë politikë që me aq zell i kishin shërbyer diktaturës. Ai mbajti dhe mbrojti linjën e vet dhe kur e pa se sa false ishte ideja e unitetit kombëtar, që përbënte edhe një ideal të hershëm të tij, u tërhoq.
Megjithatë, gazeta “Kombi” i shërbeu si tribunë për të botuar shkrimet e para për Koliqin, Musine Kokalarin, e mjaft nga priftërinjtë e vrarë nga regjimi si dhe për të dëshmuar se “nuk kam vdekur”. Mbas kësaj, bashkë me një grup patriotësh idealistë, si Agim Musta, Hazir Shala, Ymer Dishnica, Mexhit Kokalari krijuan Lëvizjen Demokratike të Bashkimit të Shqiptarëve si dhe gazetën “Bashkimi i Kombit” e cila u botoi rreth pesëdhjetë e ca numra nën kujdesin e tij…


Ju keni lindur në Elbasan ndërsa prindërit ishin internuar në Kuç. Si është historia juaj, duket e ngjashme me historinë e shumë fëmijëve që vuajtën pasojat e origjinës?


Nëna ime ka dalë nga burgu në vitin 1955. U dënua në moshën 22-vjeçare si agjente e jugosllavëve. Një invencion! Ishin një grup grash që i kishin burrat nëpër burgje dhe bënë një protestë legale. I kapën dhe pas “bombës në Ambasadën Sovjetike” i përfshinë si gra të intelektualëve me dënime të përbindshme. Këto nuk janë aspak histori absurdi. Ai shtet në themel të programit të tij kishte ndëshkimin, nuk kishte rëndësi se kë. Në fund ai regjim ndëshkoi veten dhe të vetët si askush tjetër, ndëshkoi të gjithë ata që i kishin shërbyer.
Në vitet ’50 në Kuç të Kurveleshit, qe ngritur një kamp i krijuar enkas për intelektualët. Kam bërë një studim për këtë vend. Nga 100 persona të internuar 37 kishin mbaruar universitetet; 28 kishin mbaruar shkolla profesionale dhe gjimnaze; 10 ishin me 8-vjeçare, pak njerëz me shkollë fillore dhe 3-4 analfabetë, por ishin familje me emër të fshatrave të caktuar, si për të thënë që ishte pari e një fshati. Këta 100 vetë jetonin në mullirin e Kuçit, te Buronjat, të izoluar, pa asnjë lloj komunikimi me botën. Kur doli nga burgu, nëna ime s’kishte ku të shkonte më. Niset dhe shkon në Kuç të Kurveleshit. Pas nëntë muajsh erdha unë si një produkt i kësaj rrethane ndëshkimesh. Imagjino që prindërit s’kishin as shtrat, as dhomë, jashtë në natyrë, kishin krijuar një vend për gjoja intimitetin e familjes.
Në muajt e fundit të shtatzënisë ajo u detyrua që të shkonte në Elbasan te i ati i saj. Aty linda unë. Pastaj është ajo peripecia e jetës nëpër kampe, por kjo ka pak rëndësi. Të dy prindërit e mi asnjëherë s’na folën konkretisht për rrethanat dhe përse ishin të dënuar. Ata u përpoqën që ne ta asimilojmë gradualisht të vërtetën dhe asnjëherë të mos e përjetonim si traumë.
Kjo ka qenë një fitore e jashtëzakonshme e tyre dhe e jona. Dmth, ne arritëm ta kuptonim në moshën e duhur se në çfarë shteti dhe rrethanash jetonim. Sot e kësaj dite unë s’e përcjell at kohë si traumë, unë gjej gjërat më interesante të asaj kohe dhe i mbaj për veten time, një lloj kapitali jo për ta denigruar, sepse koha denigron veten, por unë gjeta elementët më pozitive për ta shpëtuar veten, dhe për të mos u ndjerë viktimë. Kjo falë edhe personalitetit të papërsëritshëm të tim eti…


Për çfarë do kishte shkruar Lazër Radi sot?


Lazër Radi sot do të thotë: “mision i pakryer”. Ai desh të bënte shumë, po bëri aq sa mundi… Nuk ka bërë pak po të kihet parasysh koha dhe rrethanat në të cilat ai e ngriti jetën dhe veprën e vet…


I çuditshëm është fakti se ai nuk shkroi absolutisht asgjë për diktaturën...


Edhe në debate mes miqsh ai thoshte: njeriu vlen të shkruajë për atë çka është pjesa më me dritë e jetës së tij. Në errësirë duhet ta mendosh dritën për të shpëtuar, në dritë edhe mund ta harrosh errësirën, mjaft që të luftosh që ajo të mos kthehet… Për atë pjesë të errët ku ti zhvelftësohesh si qenie, si njeri, si intelektual përse të shkruash?!


Ndoshta për këto shkruhet në trilogji?


Trilogjia është gjithë përpjekja e tij për të prekur dritën.


Gazeta Shekulli, 23 shtator 2008




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:07am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Në kërkim të kohës së humbur
- Blendi Fevziu bisedon me dr. Lazër Radin


Historia e njeriut që u arrestua më 1944, 28-vjeçar, dhe u lirua nga syrgjynosja me 1991, 75-vjeçar!!
Një jetë e pabesueshme, ku militanti komunist, ithtar i nacionalizmit, dendy, letrari, gazetari dhe filozofi… ndërrohet papushim me njëri-tjetrin… duke ia lënë vendin për nji kohë të gjatë të dënuarit politik të regjimit.... E mbas gjithë kësaj vijnë vitet e lirisë, kur brenda pesë viteve ai botoi 14 libra.


*****


Lazër Radi, një protagonist i harruar i Shqipërisë së viteve tridhjetë ishte lodhur së shpresuari. Që nga nata e largët e 23 nëntorit 1944, kur një skuadër partizane i kishte trokitur në derën e shtëpisë për ta ndarë nga familja, ai pati kaluar 10 vjet burg dhe 37 vjet internim. Një kalvar i gjatë, që çdo ditë ushqehej me shpresën dhe bindjen se një ditë vuajtjet do të mbaronin dhe jeta, do t’i rezervonte disa nga mrekullitë që i kishte lënë në mes, në moshën 28 vjeçare.
Dhe mrekullia kishte ndodhur. Atëherë kur s’e priste dhe kur thuajse ishte bindur se do të vdiste në vendbanimin e tij të ngushtë, një barakë internimi në fshatin Savër të Lushnjes. Ishte Janar i vitit 1991 dhe lindja komuniste kishte ndërruar ngjyrë. Në jetë, qëllon që njeriu ka ëndërruar gjatë diçka dhe kur më në fund e ka, s’di ç’të bëjë me të. Në prag të 75 viteve, Lazër Radi u gjend pikërisht përballë asaj çka kishte ëndërruar më shumë në jetën e tij, lirisë. I qeshur dhe gjithmonë optimist, ju rikthye edhe njëherë mikeshës së vjetër dhe të harruar… shpresës. U zhvendos me familjen në Tiranë dhe në fillim të vitit, ndërmori udhëtimin e parë për në vendin ku kishte studiuar 50 vjet më parë, në Romë. U rikthye prej andej, me bindjen se kishte ende një mision me rëndësi në jetë. Dhe në moshën kur njeriu mendon më shumë për funeralin e tij, ai shkruan 16 libra, 14 prej të cilëve të botuar në këto pesë vjet. Një bibliotekë e plotë, ku gjallojnë kujtimet letrare dhe politike të viteve ‘30-’45, monografi, përkthime, letërsi dokumentare dhe krijime autentike. Një pasuri, që falë fatit dhe vullnetit, arriti t’ja shkulë botës së varrit, për t’ja lënë trashëgim, shoqërisë shqiptare, asaj që kishte qenë me të aq mizore.


Kush është dhe nga vjen Lazër Radi?


Një pyetje të tillë, me ton më të fortë dhe sens ironie e ka bërë 53 vjet më parë edhe Prokurori i Gjyqit Special, Gjeneral Bedri Spahiu. Padyshim, pretenca e tij, nuk kishte regjistruar gjithë portretin e tij. Kishte shënuar se ai mbështeti fashizmin dhe u bë propagandues i tezave të tij në shtyp; se kishte marrë pjesë në forumet e rinisë fashiste dhe se nuk e donte pushtetin popullor. Në këtë kontekst, ai harroi të shpjegonte se si ndodhi që militanti i grupeve komuniste ndërroi rrugë; se si emigranti i varfër nga Kosova u shndërrua në një dendy të vërtetë të jetës romane e tiranase të fund viteve ’30; cilat qenë njohjet dhe kontributet e tij letrare dhe politike. Shumë vite më vonë, në prag të tetëdhjetave, Lazër Radi e krahason jetën me bibliotekat. Në jetë kam ngritur tre biblioteka, thotë ai: të parën në qytetin e lindjes, Prizren. Ajo mbeti atje pas ikjes sime në moshë fare të re. Në Shqipëri nisa të ngre bibliotekën e dytë. Arrita ta kompletojë pas shumë vitesh, dhe tamam kur mendova se kisha ngritur nji bibiotekë të vërtetë, më 1944 më arrestuan, librat m’i morën, humbën, ose m’i dogjën. Në vitin 1991 nisa të ngre bibliotekën e tretë…


Fëmijëria dhe Gjimnazi...


Lazër Radi, fëmija më i vogël i një familje nga Prizreni, qe vetëm 12 vjeç kur më 1928 kur vëllezërit dhe pas tyre prindërit, vendosën të emigrojnë në Shqipëri. Ai kujton rrugën e gjatë, ndalesat në hane dhe vendosjen përfundimtare në Durrës, qyteti ku motra që emëruar mësuese në nji shkollë fillore. Lazri, ende fëmijë, regjistrohet në gjimnazin e qytetit, por që në fillim u rrëzua në provimin e gjuhës shqipe. Po at vit kaloi në gjimnazin e Tiranës, ku u njoh për herë të parë me Mirash Ivanajn, (njeriun, të cilin do ta kujtonte 70 vjet më vonë, më 1997 me dy botime). Shkollën e ndjek me vështirësi. Flinte në nji familje tjetër kosovare, edhe ajo në gjendje të rëndë ekonomike. Në një ditë nga këto, merr me vete dyshekun dhe za vend përpara derës së Ministrisë së Arsimit. Kur Ministri Hil Mosi, zbriti nga makina, tregon, …e shtriva dyshekun në tokë, Ministri mbeti i befasuar, më ftoi në zyrë dhe mbas një bisede atje, fitova të drejtën të studioj në gjimnazin e Shkodrës.
Lazër Radi e kujton këtë si momentin kur filloi të çante vetë në jetë.
Vendoset në konviktitn “Malet Tona” dhe ndjek me sukses studimet. Përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. Fati e sjell që të studiojë në një klasë me nxënës që më pas do të bëhen personazhe të njohur të jetës shqiptare: Qemal Stafën, Arshi Pipën, Emin Durakun, Xhemal Brojën, Hajdar Dushi etj. Së bashku me këta krijon në fillim shoqërinë kulturore-sportive “Besa Shqiptare” dhe më pas celulën komuniste të gjimnazit. Komunizmi, i cili qe shndërruar në një modë midis nxënësve dhe adoleshentëve shqiptarë, kishte bazë të fortë në Shkodër. Radi kujton se grupi drejtohej nga Zef Mala, Tuk Jakova dhe të tjerë, ndërsa ai shërbente si ndërmjetës me studentët dhe puntorët malazezë. Pikërisht gjatë një takimi si ky malazezët i kërkojnë që të kalohet në veprime konkrete, sabotime, protesta, demostrata. Ai e kupton më së fundi se komunizmi s’është vetëm moda e të lexuarit të Gorkit apo e broshurave për Bashkimin Sovjetik, është edhe diçka më shumë!! Vendos të largohet nga grupi komunist dhe e bën këtë pa ngurrim.
Më 1938, diplomohet. Ndërkohë, kishte dhënë sprovat e para në letërsi, publiçistikë dhe kishte konsoliduar lidhjet dhe njohjet në rrethet artistike të kryeqytetit.
Pikërisht në këtë kohë, në verën e vitit 1936 njihet me Migjenin. Motra e Lazrit qe emëruar mësuese në Pukë, në shkollën e vetme, Kryemësues i së cilës qe Migjeni. Lazri shkoi atje gjatë tre muajve të verës dhe ai tregon se flinin së bashku në Shkollë. Nw ditët dhe netët e gjata të Pukës diskutonin për letërsinë, për lëvizjet letrare, për politikën dhe filozofinë. Ishte koha kur Migjeni kishte bërë gati për botim librin “Vargje të lira” dhe për këtë kishte parapaguar shtypshkronjën Gutenberg në Tiranë. Radi tregon se Migjeni kishte paguar 10 napolona, nji shumë e madhe e kursyer nga rroga e vogël e mësuesit. Por kur përgjigja s’po i vinte, dhe kopjet e librit gjithashtu, i kërkoi mikut të ri, të udhëtonte deri në Tiranë. Lazri u nis vërtetë dhe një ditë më vonë, takoi pronarin dhe editorin e shtypshkronjës, Ismail Malosmanin. Ai i shpjegoi se libri mbetej vetëm për tre poezitë e fundit dhe se sido qoftë, kishte mundësi që të bllokohej nga çensura. I përgatiti vetëm tre kopje, me dy poezitë e fundit të pabotuara dhe ja dërgoi autorit. Ishin kopjet e vetme që Migjeni arriti të merrte. Tre ditë më pas. Çensura mbretërore e konfiskoi librin dhe kopjet e tij i dogji në oborrin e shtypshkronjës. Kujtimet nga 110 ditët e kaluara me Migjenin, ditë që ndryshuan krejt jetën e tij Lazër Radi i ka përmbledhur në një libër të titulluar “Kujtime me Migjenin”, që pritet të dalë së shpejti.
Vitet e shkollës, qenë kohët më të lumtura për Lazër Radin. Në librin me kujtime, “Shqipëria në vitet tridhjetë” ai revokon këtë si periudhën më të lumtur të jetës së tij. Një periudhë euforie, ndeshjesh liberalizmi dhe konservatorizmi në të njëjtën kohë.


Fakulteti dhe Fashizmi...


Bursa s’ishte një ndërmarrje fort e lehtë për një emigrant kosovar, pa shumë lidhje dhe taraf në Shqipëri. Por më 1938, 22 vjeçar, Lazër Radi, kishte mësuar të këmbëngulte dhe të mos tërhiqej në jetë. Nga shtëpija e tij në Durrës, i shkruan pa pushim Mbretit Zog, që at verë, si gjithmonë, ndodhej për pushime në plazh. Mbretit i bën përshtypje dhe një ditë dërgon ta lajmërojnë. Një ditë më pas i shoqëruar nga vëllai, Lazri shfaqet në derën e rezidencës së tij, duke kërkuar takimin e premtuar. Roja bisedon me Mbretin dhe e këshillon të drejtohet në shtëpinë aty pranë, në një takim me Abdurrahman Krosin. Unë e dija, tregon ai, se Krosi ishte homoseksual dhe duke qënë i ri, mendova se do të më besdiste me maninë e tij. Refuzova dhe u largova pa pranuar ta takoj.
Por fati, gjëja më e vyer dhe njëherazi më e tmerrshme e jetës së tij, nuk e harroi. Një mik, prift, i dha një rekomandim për Ambasadorin Italian në Tiranë, Francesko Jakomonin dhe ai e priti po at ditë. Jakomoni u tregua i gatshëm ta ndihmonte në rastin më të parë, por gjatë takimit të dytë, disa ditë më vonë, qe i prerë. Nuk kishte bursa dhe ai vështirë se do të përfitontë gjë. Siç mësoi më vonë, Ambasadori kishte marrë njoftim nga Konsulli Italian në Shkodër, që ja kishte përshkruar Radin si një komunist fanatik. Keqkuptimi u zgjidh po atë ditë, me ndërmjetësinë e gruas së Jakomonit, Dona Maia-s, që ai i kishte bërë një kompliment të gjatë dhe së cilës i kishte pëlqyer ky shqiptar i ri dhe xhentil.
Në vjeshtën e atij viti, 1938, me një valixhe me plaçka dhe një financim të mirë, Radi u nis për Romë. Bujtësja e parë qe një studente letërsie, që ndër kohë, kishte bërë emër në shtypin shqiptar, Musine Kokalari. Djali i ri u vendos pranë qëndrës së qytetit dhe filloi studimet për drejtësi në Universitetin “La Sapienza”. Joshja romane qe e fortë dhe ai u dha i gjithi pas sajë. Lazri kujton ende miqtë e tij student, (një pjesë të të cilëve, pati fatin t’i takonte përsëri gjatë vizitave më 1991 dhe 1992; mikun e vjetër), Ernest Koliqin, që drejtonte katedrën e gjuhës shqipe në universitet dhe plot të tjerë.
Roma duhet të ketë qënë sipas të gjitha gjasave edhe kurthi fashist, ku Lazër Radi ra pa u menduar shumë. Në këtë kohë, falë miqësisë me Vangjel Koçën, një nga emrat më të mëdhenj të shtypit shqiptar, boton rregullisht në gazetën “Tomorri” dhe më gjerë. Emri i tij bëhet i njohur, por kjo famë, që njëherazi lënda për të cilën do të akuzohej më vonë. Artikujt, sidomos ato të viteve 1939-’40, qenë një lloj ekzaltimi i frymës fashiste dhe ndoshta mbështetje për rritjen e ndikimit dhe propagandës së fashos në Shqipëri.
Gjatë kësaj kohe i takon edhe “prishja” e tij me një shok të vjetër shkolle, Qemal Stafën. Që nga koha e gjimnazit, kur bëheshin gati të botonin revistën “Shkëndija”, ai ruante në arkivën e tij një shkrim të Qemalit. Një skicë letrare, pa ndikim politik, por të shkruar bukur. Lazri vendosë ta botojë shkrimin në gazetën “Tomorri” me emrin e vërtetë të autorit. Natyrisht, për Qemalin, që ishte një nga eksponentët e lëvizjes komuniste, kjo qe një surprizë jo e këndëshme. Ai është shprehur kundër Lazrit, por ky i fundit e mësoi shumë vonë. Vetëm kur Qemalin tashmë qe vrarë dhe ai vetë endej nëpër birucat e burgut të Tiranës. Madje, ky incident, i përshkruar pa përgjegjësi në librin “Qemal Stafa”, i kushtoi atij gjatë gjithë jetës në internim. Sot, Lazrit i vjen keq për këtë incident. Ai tregon se nuk e dinte që Qemali qe bërë një drejtues komunist dhe se nëse do të kishte mësuar për zemërimin e tij, do ta kishte përgënjeshtruar që të nesërmen. Ose thjesht, do të kishte shkruar se: “…ky dorëshkrim i vjetër i kohes se Gjimnazit, botohej pa lejen e autorit…”
Më vitin 1942, kthehet në Tiranë me një diplomë me rezultate maksimale dhe fillon punë stazhier pranë një avokati në Durrës. Po gjatë kësaj kohe, vijon aktivitetin gazetaresk në “Bashkimi i Kombit”, ku shkruan me pseudonimin “Ushtima e Sharrit” artikuj politik dhe filozofik. Si shumica e të rinjve që bënin pjesë në rrymën e neoshqiptarizmës, nuk i kundërvihet agresionit gjerman. Por as nuk përzihet me të. Më 1944 merr liçensën e avokatit, por vetëm pak kohë arrin ta ushtrojë profesionin e tij. Më 23 nëntor 1944, një togë e brigatës së parë partizane, që sapo kishte çliruar Tiranën, troket në derën e apartamentit të tij buzë Lanës, pranë fushave të tenisit dhe ish shkollës “20 vjetori”. Lazri akuzohet si kolaboracionist dhe burgoset.
Prej asaj kohë, deri më prill 1945, kur gjyqi special dha dënimin e tij, jeta është ferr i vërtetë. Gjendet në një qeli me disa nga emrat ma të njohur të politikës dhe jetës shqiptare. Një amalgamë bindjesh dhe idesh, e përbashkëta e të cilave qe s’e kishin dashur kurrë komunizmin, ose kishin luftuar kundër tij. Në këtë paradë ku bënin pjesë edhe disa nga protagonistët e pavarësisë shqiptare ose Kryeministrat e mëvonshëm të saj, bashkëpunimi me pushtuesit qe akuza e parë. Më i riu, mes tyre, Lazër Radi, është i vetmi personazh i atij gjyqi tragjik, që jeton ende. Dënimi u dha në Prill 1945. Ai u njoh fajtor dhe u dënua me 30 vjet burg.


Burgosja...


I ri dhe me shumë shpresë, Lazër Radi, s’e kishte menduar kurrë se nga ky moment kishte kalvari i vuajtjeve që do të zgjaste gjysëm shekulli. Fillon në burgun e Tiranës ku punon si përkthyes i teksteve shkollore nga serbo-kroatishtja dhe rusishtja. Pastaj kampi i Rinasit, Burgu i Burrelit etj. Më 1954, lirohet para afatit dhe kthehet në Kryeqytet. Falë aftësisë si përkthyes gjen punë provizore, por kjo zgjat vetëm dy muaj. Një ditë e thërrasin përsëri në Degën e Punëve të Brendëshme dhe e interrnojnë në Savër të Lushnjes. Ndërkohë, më 1951, i kishin arrestuar disa pjestarë të familjes dhe i kishin djegur fotot, dorshkrimet, dokumenta dhe gjithçka kishte në shtëpi. Përfshi edhe bibliotekën që e kishte ngritur për disa vjet me rradhë.
Në Savër mbërriti po atë vit. Së bashku me shumë familje të tjera të internuara më parë, jetoi aty për pothuajse 35 vjet. U martua, lindi fëmijë dhe po aty martoi djemtë dhe lindi nipër. Punoi në bujqësi, kovaç, zdrukthëtar, dizenjator etj. Si për ironi të fatit, në punën si dizenjator, duhej të zbukuronte muret e ndërtesave publike të fshatit me citatet e Enver Hoxhës, shumica e të cilave drejtoheshin kundër elementëve reaksionarë.
Jeta qe e rëndë dhe ai kujton se ditën që do të martonte njërin djalë dhe që kishin vendosur të festonin në shtëpi, e lajmëruan se kishte demaskim. Demaskimi, një formë absurde e dhunës, parashikonte vendosjen përpara gjithë fshatit, në sallën e kinemasë dhe drejtuesit e partisë dhe degës së brendëshme, demaskonin veprimtarinë e të dënuarit në fjalë. Gjatë demaskimit, salla duhet të thërriste, të shante, madje disa edhe godisnin ose thjeshtë vringëllinin grushtat. Një nga këto demaskime, me temë “Kush e tradhëtoi Qemal Stafën”, u bë pikërisht atë ditë. I vrarë, i lodhur nga demaskimi katër orësh, Lazri u kthye në shtëpi, dhe për të mos prishur martesën e djalit, vendosi të qëndronte në tavolinë për të festuar at natë.
Jeta e tmerrshme e internimit, mori fund atëherë, kur ata pothuaj e kishin humbur çdo shpresë. Më 1991, u largua së bashku me familjen në Tiranë, ndërsa dy fëmijtë u nisën për Itali dhe më vonë në SHBA.


Rikthimi në jetë...


Vitet ’90 duket se janë edhe ato një kopje e zbehtë e viteve të lumtura ‘30. I rënduar nga mosha dhe vuajtjet, Lazër Radi nxitoi t’u kthehet pasioneve të vjetër të rinisë, letërsisë dhe publicistikës. Botoi disa libra me poezi dhe prozë, dy monografi, libra me përkthime letrare dhe filozofike e mbi të gjitha, kujtimet e tij nga gjimnazi i Shkodrës, jeta kulturore, politike e filozofike e viteve ‘30; si dhe kujtimet për Migjenin. Njeriu, i cili kishte aspiruar letërsinë në moshën e adoleshencës; që më pas e kishte braktisur at për t’ju dhënë kënaqësive të tjera të jetës, ishte rikthyer përsëri. I thinjur, i ngarkuar me vite vuajtje dhe pendese, ai kishte vënë në dispozicion të pasionit të vjetër, moshën dhe fuqitë e tij, për t’i kërkuar kështu asaj faljen më të mirë.
Natyrisht, si shumë bashkëvuajtës të tjerë, fillimisht besoi se mund të jepte kontributin e tij, në ndërtimin e sistemit të ri në Shqipëri. Filloi me botimet në gazetën “Kombi” dhe më pas u angazhua në strukturat e partisë së Unitetit Kombëtar. Pak kohë më vonë, së bashku me miq të tjerë, krijoi shoqatën “Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve” duke synuar shtrirjen e saj në të gjithë territoret me shqiptarë. Nacionalist i vjetër, ai u tërhoq prej saj, kur e kuptoi se kishte një mision më të rëndësishëm në jetë. Lazër Radi, banon në një apartament të vogël në periferi të Tiranës, së bashku me një nga djemtë. Nga lartësia e 82 viteve, ai ka mundësi të bëjë më së fundi bilancin e jetës së tij. Një jetë, që ndoshta askush nuk do ta lakmojë, por të cilës, ai nuk do të donte t’i ndërronte asgjë. Asnjë revizionim të thjeshtë, nga ato, që një njeri 80 vjeçar do t’i dëshironte me gjithë shpirt.
I ulur në studion e punës, i qartë dhe korrekt, ashtu siç e parashikonte profesioni që ai nuk arriti ta ushtrojë deklaron, se nuk është penduar për asgjë. Me përjashtim të faktit që shkroi për fashizmin dhe që ky padyshim qe një gabim. Sidoqoftë, jeta është e qetë pas kësaj dhe ai, mund të mburret se ka ditur t’i jetojë, të tre epokat, ku fati tekanjoz, e vërtiti, me gjithë magjepsjet dhe mashtrimet e tij.


(Kjo është intervista e fundit e Dr. Lazër Radit)
Revista Klan, mars 1998




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:11am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Magjia e Karnavaleve të Shkodrës


Pjesë nga Libri i Lazër Radit “Shqipnia e viteve ’30”


Nji gjallni të madhe fitonte qyteti i Shkodrës ditën e Karnavaleve, që bahej aty nga fillimi i shkurtit. Për kët ditë baheshin shpenzime të mëdha dhe përgatitjet nisnin shumë kohë para se të niste festa.
N’at kohë trafiku ndërurban në Shkodër bahej me karroca.
Edhe për ditën e Karnavaleve karrocat përdoreshin. Secili grup përpiqej me angazhue nji ose ma shumë karroca, aq sa i nevojiteshin grupit. Përgatiteshin kostume, zakonisht merreshin si modele ato të Karnavaleve të Venedikut, gja e cila zgjonte shumë kureshtje. Përgatiteshin orkestrinat që përpunonin kangë të vjetra të traditës dhe kangë të reja që lançoheshin me at rast. Nji makinë e madhe në krye të festës mbante karnavalin e madh, që sipas traditës, digjej në fund të ceremonisë. Pranë Karnavalit të madh, me maskë ndër sy, i veshun bukur me rroba e shumngjyrta, të qepuna enkas për at festë, qëndronte Kolë Shiroka. Në fakt, Kola ishte berber, po mbi të gjitha ishte nji artist i lindun dhe njeri shumë i talentuem. Kishte tipare të përsosuna si t’nji aktori të madh; ishte poet dhe humorist. Dinte si askush me i fshikullue veset e njerëzve dhe të metat e tyne. Kunjave të tij s’mund t’i shpëtonte askush, as qeveria dhe as institucionet ma të nalta të qytetit. Tashma, Shkodra ishte mësue me e pa Kolë Shirokën në krye të karnavalit. Të gjithë ishin të bindun se po të ishte Kola në krye, Karnavali e kishte suksesin e garantuem. Në çdo ndalesë të karavanit Kola fillonte dhe i lexonte bejtat e veta. Ne ishim të detyruem me e ndjekë karron e madhe dhe në çdo ndalesë me zanë nji vend sa ma afër për me e ndjekë sa ma mirë humorin e tij therës.
Talenti i Kolës qëndronte te aftësia e tij e hatashme improvizuese. Ai kapte gjana që s’i binin në sy askujt tjetër… Edhe gjatë lëvizjes së karnavalit, ai aty për aty sajonte diçka të re. Ishte njeri që i kishte lezet çdo gja: edhe kritika, edhe humori, edhe thumbimet therse – gjithçka e thoshte me nji elegancë dhe bukuri të pashoqe, e askujt s’i mbetej hatri, askush nuk ndjehej i fyem prej tij, bile s’ishin të pakët edhe ata që e kishin për nder me ja u përmendë emnin Kola, në at ceremoni ku qyteti “e gjente vedin” si askund tjetër. Sa herë ndalej karuzeli ai recitonte vargjet veta, hidhte në hava fletushka, ku ishin poezitë e tij të shtypuna në letra me ngjyra.
Nji tjetër grup i karavanit të karnavalit ishte edhe ai që kishte në krye nji tjetër poet e humorist të famshëm shkodran: të paharrueshmin Pjetër Gjini. Edhe ai, njashtu si Kola ishte improvizues i jashtzakonshëm. Përgjat gjithë asaj dite edhe ai improvizonte qindra vargje; të gjitha të ndryshme, në gjithfarë metrikash, njena ma e bukur se tjetra. Vargje që godisnin vese dhe të meta të randsishme që shiheshin me sy e prekeshin me dorë në qytetin e Shkodrës. Mirëpo shumë prej tyne shkonin kot, sepse ai i improvizonte aty për aty, dhe aty ato mbaronin, mbasi askush s’kujtohej as t’i shkruente e as t’i botonte… veç çka mbahesh mend dhe kallzoheshin ma vonë si barxaleta. Sikur të ishin incizue ato deklamime publike, sot do të ishin nji pasuni e madhe e humorit shqiptar dhe mund të përdoreshin me shumë sukses si modele në raste manifestimesh artistike.
Meqë ishte improvizues, Pjetër Gjini e kishte gojën pak ma të shlirtë e rrjedhimisht shumë therës në bejta ndaj pushtetit. Po autoritetet nuk mund ta kapnin, pse askund nuk i gjenin asnji dokument të shkruem.
Vargjet e Pjetër Gjinit kishin vlera shoqnore. Duke qeshë e duke ngjeshë ai i fshikullonte të gjithë. Pjetër Gjini ishte edhe autor i disa broshurave me poema humoristike, nji lloj satire ende e pa kultivueme në vendin tonë. Mendoj se në vitet ’30, edhe kontributi i Pjetër Gjinit duhet marrë parasysh, jo vetëm si vlerë e madhe humori, po edhe si frymë pakënaqsie ndaj autoritetit të shtetit.
Në Karnavalet e vitit 1935, nji grup mjaft simpatik qe edhe ai i nxansave të Gjimnazit të Shkodrës me Dario Arditin, Xhemal Brojën, Qemal Stafën, Nikolla Shurbanin e mjaft të tjerëve. Edhe ata të veshun bukur, si për festë, me nga nji gjysë maske ndër fytyrë, me veglat muzikore dhe duke këndue mbi dy karroca shkonin bashkë mbas karvanit të gjatë të festës. Ishin përgatitë seriozisht për festë dhe kisha shkue disa herë në shtëpinë e Xhemalit e të Darios për me i ndihmue në përgatitjet. Të gjitha shpenzimet i mbuluen vetë dhe nuk ishin të vogla për at kohë. Ditën e Karnavaleve, mbasdreke dolëm në Fushë Qelë dhe po shifnim me vëmendje parakalimin e karrocave. Nga larg i dalluem ku ishin tonët. Spiro Bellkovi, dy metra i gjatë, me nji za të fuqishëm prej tenori, këndonte në kor kangët gazmore e humoristike që sajonim në klasë para se me hy profesori.
Karnavalistat tonë, kujtonin se do të na kalonin pa u njoftë, por ku filluem të këndojmë “Danga-llangën” e famshme atëhere edhe ata u ngritën në kambë dhe duke ngritë veglat përpjetë na përshëndetën. Nuk mund të ndalohesh pse krejt karvani ishte në lëvizje dhe çdo ndalesë e prishte ritmin dhe rregullin, gja që s’duhej kurrsesi të ndodhte.
Mbasi u ba xhiroja e plotë rreth qytetit, krejt karvani u mblodh përsëri në Fushë-Qelë, prej nga ku edhe ishin nisë. Mbas ceremonisë së përgëzimeve dhe çmimeve, po me ceremoni digjej edhe Karnavali i Madh dhe kështu festa quhej e mbyllun…
Ky ritual i përvitshëm bahej me muzikë, me fishekzjarre dhe kangë… vërtet shumë kangë!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:16am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Melodija e vdekjes
Shokut tim Polikron Niçe


…Dhe nji dritë e zbehtë kandili, – dritë e mistershme plot hije e ndriçonte at dhomën e errët… dhomë që kishte hijen e rëndë të një kthine të ndershme…
Në njenën anë mbi një shtrojë të zhelueme, rrinte e shtrime një plakë: Hija e trupit të sajë që reflektohej në murin e mykun – dukej si ndoj fantazmë… E plaka vetë dukej si një mumje e nxime… si një mumje mijvjeçare. Sytë e futun fellë-fellë dukeshin si dy zgavra të mëdha. Fytyrën e kishte të çame me nji plotni rrudhash, porsi rrudhat e shkambijve… Plaka e mjerë nuk mund të flitke. Ajo ishte krejt e dobësueme: vuajtjet e mjerimi e kishin molisë… vetëm ndoj herë, me gojë të shkumueme, mezi pëshpëriste:
-U thava bir… bir… bir i jem… Por… Ah! Bir…
I biri ishte kaq i vogël, fort i njomë, e ku të merrte i shkreti? Megjithatë, ai punonte diçka, herë shiste gazeta, herë ndoi send tjetër… e kështu e fitonte disi bukën e gojës për vedi e për nanën e vet të sëmurë…
- U thava… bir… bir i jem… një pikë ujë ndër buzë!
Përsëritej leitmotivi monoton i asaj nate të tmerrshme… Motoja përsëritej ndërsa zemra e fëmijës shtypej… ajo zemër e njomë shtypej njashtu si hekuri i kuqun shtypet nën çekiçin e randë të farktarit…
E pse? Pse gjithë këto vuajtje e ky mjerim? Ai fëmi asht “i papërlyem” atëherë pse të dënohet mbasi asht i pafajshëm? Ah! Ky asht rendi i Jetës! A thue mund të quhet enigmë? Po ashtu nji enigmë që mund të zgjidhet… Nji fëmi… kaq i ri të ket marrë pjesë në vallen makabre të mjerimit?…
- U thava… bir… bir i jem… Po digjem për nji pikë ujë!
Ha – ha! Tash zotnonte “urija” e jo ma të ftohtit. E shkreta nanë kishte nevojë për me lag gojën me ndoj send…
Por… gjithçkafja mungonte.
N’errësirën e asaj nate të kobshme ndigjohej vërshëllima e përmortshme e erës… Larg… andej kah veriu… në at largësi të mistershme e t’akullt çohej era, e mandej me fërfullaza të tërbueme e me ulërime të hatashme përplasej me furi nëpër muret e kashtërt t’asaj kasolles së mjerë:
…e djali i vogël s’kishte ardhë ende në shtëpi… Pritte nana e mjerë, – pritte më padurim birin e saj edhe ma të mjerë… por minutat e orët kalojshin e fëmija s’dukej kurrkund.
Gjithë atë mbasdite askush nuk e vizitoi të smunën e varfër. E kush të vinte. Ato shtatë-tetë shtëpi përreth nuk ishin kasolle por ndërtesa të bukura dykatëshe. Palacinat ishin ma të bukura se sa kasollet e kashtës… Po mjeku? Ah! Ai, nuk mund të shkonte në kambë në periferi të qytetit… duhet karroca… duhet pagesa e vizitës… e duhen çizme me mundë baltovinën e atyne rrugicave ku qerret formonin gjurmat e kalimit… Duhen të gjitha ato manifestime, kurse e sëmuna e mjerë nuk ka një pikë qumësht për me lagë gojën… E atëherë…?
Tekemramja dera u hap. Nana e shkretë u gëzua pa masë kur e pa të birin e vet… Por, gëzimi kje shumë i shkurtë sepse fytyra ekspresive e fëmis nuk diftonte as ma të voglin shenj gëzimi: Ah! Çfarë shenje gëzimi? Ai ishte krejt i lagun. Zhelet që e mbulojshin ishin ndye me baltë… ishin të ndyeme porsi vula e shëmtueme e mjerimit… flokët krejtësisht të shprishun e duke u dridhë si ampra iu afrua te shtrati i sëmunës.
Asaj, po, asaj, donte me i diftue gjithçka,- por mezi po thonte “nanë” dhe mandej ia niste vajit. Fëmijës së shkreët i shkojshin lott rrëke. Padyshim, sikur lumnija në kët jetë t’u blente me lot, ai fëmi i vogël e i pafajshëm, do t’ishte ma i lumtuni ndër gjith fëmijët e botës.
Djali i shkretë s’donte me i diftue nanës së vet se ç’i kishte ngja, pse druente mos ia keqsonte gjendjen. Pra, vendosi me heshtë…
Fjalët pushuen e lott i shkojshin rrëke. Dy zemra thellësisht të pikëllueme notojshin nëpër tallaze lotësh… Dy zemra, njena e vjetër e tjetra shumë e re…
Zani i dobët i plakës e theu heshtjen…
- Fol bir, kallxoi nanë-lokes s’ate shkakun e kësaj mërzitje të përvajshme!
- Nanë, – e vaji i shkonte me shkulma. Tue kja i diftoi se sa keq i kishte shkue dita, – se si ishte rrëzue dhe i kishte prishë gazetat. Zotnija tue e dëbue i kish thanë:
“Mos t’i shof ma sytë”
- Ky asht, o nanë, fitimi i jem i sotshëm… e nisi me kja përsëri.
- Bir… i tha nana… e sytë me zemërim i drejtoi ka qielli, porsi nji gjaksore me grushta të mbledhun si të donte me e shkye shkakun e atij mjerimi: Bir, s’po më vjen keq se po vdes, por po m’vjen keq se po të la ty të ri… Po të la fort të vogël… e të vorfën. Ah! Dhe e kapi, e përqafoi dhimbshëm dhe e puthi disa herë rresht… mandej – melodija e vdekjes pikoi me heshtje të helmueme mbi trupin e saj të lodhun…
Mjerimi or vlla mjerimi… Nanë ma mirë do të bajshe sikur të mos lindshe at fëmi, at bir vuajtjesh e mjerimi. Nana vuajti shum sa kje gjallë dhe vdiq ma në fund… As fjalët: “Në trupin e undshëm mshifet fytyra hyjnore” nuk ia lehtsuen barrën e randë të jetës.


Lazër Radi/Gazeta Shtypi, 19 tetor 1937




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:19am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Mësuesi që la gjurmë në shkollën shqipe të Kosovës
- Dr. Lazër Radi


Fragmente nga biografia e mësuesit dhe atdhetarit Ndue Kolë Vorfi


Në historinë pedagogjike kombtare shqiptare nji vend të randsishëm zen edhe mësuesi Ndue Kolë Vorfi, i cili që nga viti 1916 e deri në vdekje zhvilloi nji luftë të pakompromis për përhapjen e arsimit shqip dhe të ndjenjës atdhetare kudo ku flitej shqip, ndër ato treva të shkeluna nga i huaji. Motoja e veprimtarisë së tij arsimore ishte: “Të hapen sa ma shumë shkolla shqipe në të gjitha foletë e shqipeve”.
Ndue Kolë Vorfi rrjedh nga nji familje e mesme qytetare. Ishte i biri i Kolës dhe i Dinorës. Nduja u lind në Prizren me 2 Mars 1898. Në kushte tepër të vështira mundi me krye shkollën fillore dhe të mesmen tregëtare në qytetin e tij të lindjes. Nën ndikimin e mësuesit veteran Mati Logoreci dhe të mësuesit Pal Lumezi, u edukue me frymën e rilindasve. Fati e desh me u rritë dhe me u zhvillue intelektualisht pikërisht n’at kohë kur vala atdhetare e lëshueme nga mbledhja e Lidhjes shqiptare të Prizrenit kishte pushtue shpirtnat e krejt atyne që flisnin gjuhën e bukur shqipe. Pikërisht në at kohë kur shpirti i tij po vlonte në vrellën e këtyre ndjenjave të nalta patriotike, në moshën 18 vjeçare emnohet, mësues dhe Drejtor shkolle në Zllakuqan të Pejës. Këtu Nduja hapi shkollën e parë shqipe, të cilën e drejtoi për tri vjet rresht (16 gusht 1916 e deri 18 tetor 1919). Sipas librit botue në frengjisht: “Gjendja e minoritetit shqiptar në Jugosllavi”, promemorie e paraqitun Shoqnisë së Kombeve në Gjenevë, në vitin 1930, në faqen 37 tregon se n’at kohë kur ishte mësues Ndue Vorfi ajo shkollë kishte 186 nxanës.
Kërcënimet, ndjekjet dhe dënimet e sllavit për likuidimin e tij fizik, asnjiherë s’arritën me e ligshtue dhe ta bajnë me heqë dorë nga misioni i shenjtë që i kishte caktue vedit si arsimtar dhei përhapës i dritës n’ato treva.
Ndërsa pushtuesi barbar ndiqte dhe persekutonte popullsinë shqiptare të atyne viseve atdhetare dhe arsimdashëse, ai ndihmonte me gjithë shpirt me punën e tij fisnike në shkollimin e nxanësve shqiptarë.
Krahas kësaj pune edukuese ai arriti me krye edhe kursin pedagogjik. Kjo mund të konsiderohet edhe periudha ma e randsishme e jetës së tij. Edhe pse në moshë të re, Ndue Vorfi, tregoi nji pregatitje të naltë profesionale dhe dashni të madhe për at popull të masakruem prej nji të huej pushtues.
Ndue Vorfi asnjëherë s’u përqëndrua vetëm në nji mjedis: ai bani ç’asht e mundun për me hapë shkolla shqipe jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni edhe në Shqipni. Qarqet shoviniste serbe jo vetëm që e mbyllën shkollën shqipe të Zllakuqanit por edhe e dogjën Lugun e Drinit dhe vet Zllakuqanin. Mësuesi Ndue Vorfi u detyrue me u largue për në Gjakovë, ku vazhdoi punën si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Aty punoi deri në vitin 1924.
Mbasi krijoi nji bazë të shëndoshë në Gjakovë, ai kalon në Shkup (Maqedoni) deri në vitin 1932. Këtu ai punoi së bashku me mësuesin Engjëll Ndocaj. Në shkollën e këtij qyteti pati rastin të ishte mësues i Gonxhe Bojaxhiut (Nanë Terezës) nobelistes shqiptare.
Ndër ato vite, ai pati mundësinë me vazhdue studimet e nalta në degën e Filozofisë. I përndjekur hap mbas hapi, për veprimtarinë e tij arsimore e të rrezikshme, qarqet shoviniste serbe e kërcënuen se do ta zhduknin. Ata i luejtën krejt gurët me ia ndëpre veprimtarinë e tij në fushën e arsimit e të kulturës. Vetëm fati e ndihmoi me iu shmangë dy pritave për zhdukjen e tij fizike. Tentativa e parë ndodhi në qytetin e Gjakovës. Mirëpo atdhetarët gjakovarë në mënyrë të fshehtë e mbrojtën dhe e nisën për në Shkup, ndonëse ishte detyrue të kalonte nëpër plumbat e armiqve sllavë. Nduja asnjiherë s’hoqi dorë nga misioni i tij i shenjtë në përhapjen e arsimit shqip në ato vende. I këshilluem prej Dom Shtjefën Kurtit, Dom Gjon Bizakut e Dom Luigj Gashit, mbas vrasjes së Patër Shtjefën Gjeçovit – nji ditë prej ditësh – së bashku me gjithë familjen e vet, Ndue Vorfi u detyrue me e braktisë vendlindjen dhe me nisë rrugën e muhaxhirit. Ai hyn në Shqipni. Edhe në kët udhëtim urrejtja sllave e ndjek nga pas ku i përgatitet edhe nji atentat tjetër politik. Edhe kësaj here vetëm ndihma e shokve e shpëtoi nga ky rrezik.
Ndue Vorfi ka qenë mik i ngushtë i Mati Logorecit dhe i Pal Lumezit. Në të gjitha kuvendet që organizonte Bajram Curri, Isa Boletini apo Luigj Gurakuqi, në qytet apo nëpër shpellat e maleve, Nduja ishte i ftuem të ishte pjesëtari i tyne ma aktiv. Me shpirtin e tij liberal dhe demokrat ai ishte anmik i vendosun kundër çdo padrejtësie dhe ishte përkrahës i atyne që luftonin për të drejtat njerzore.
Për 16 vjet e dy muaj, Ndue Vorfi punoi pa u lodhë duke krye detyrat e veta arsimore në vise të Kosovës si në Pejë, në Zllakuqan, Gjakovë dhe Shkup. Në gjithë kët punë spikat shpirti i tij atdhetar. Kjo periudhë ka qenë ajo ma e vështira e jetës së tij, po edhe më e bukura, më romantikja sepse ishte me të vërtetë diçka heroike të përhapje gjuhën, shkrimin dhe fjalën shqipe ndër ato vende ku plumbat derdheshin si shiu në vjeshtë!!
Edhe në Shqipni, mbas nji sistemi “shkel e shko”, ai vazhdoi rrugën e misionit të tij të përhapjes së dritës së arsimit. Edhe këtu u emnue mësues në Gurëz, të rrethit Krujës, e, ma vonë edhe në lokalitetin e Vorës e në fshatin Picar.
Me fitoren e PKSH në Shqipni, ndonëse në kushtet e nji dhune të theksueme si emigrant e antiserb, ai u dërgue si mësues në Sharrë e në Vaqarr; prej andej në katundin Gjokaj, dhe ma vonë në shkollën e natës në Kamëz, në shkollën 7-vjeçare të Kombinatit, dhe përsëri në shkollën e natës “Naim Frashëri” Tiranë, ku mbas do kohe edhe vdiq.
Pra Ndue Kolë Vorfi për 43 vjet rresht i shërbeu arsimit kombëtar në Kosovë, Maqedoni e Shqipni. Me gjithë këtë punë aq të madhe e aq fisnike, regjimi i dhunës asnjiherë s’e vlerësoi si duhet. Përkundrazi gjithë kontibitin e tij 16 vjeçar, që zhvilloi në trojet shqiptare të pushtueme prej serbëve nuk ia njofti asnjiherë, qoftë edhe për efekt pensioni!!!
Arsimtari atdhetar, Ndue Vorfi vdiq me ndërgjegje të pastër e të qetë se përgjatë krejt jetës së vet ka edukue breza të rinjsh me ndjenja të pastra e me dashni për Atdhe!


Rilindja, 5 nëntor 1993


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:24am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Migjeni dhe Dr.Lazër Radi
– Këze Kozeta Zylo


  • Meditime rreth librit “Një verë me Migjenin” me autor Dr.Lazër Radin



Autori i librit është ndër të rrallët që e ka takuar Migjenin dhe po ashtu është i pari që njoftoi në shtypin shqiptar për vdekjen e Poetit, i lajmëruar nga motra e tij, dhe mbetet ndër të parët miq të tij që shkroi nji esse mbi jetën dhe veprën e Poetit, pak ditë mbas vdekjes së tij…
Vepra e tij le të jetë monumenti i tij dhe mirënjohja e Kombit kundrejt Poetit që vdiq në të 27-tën pranverë do të shkruante Dr.Lazër Radi në gazetën “Drita”, më 9 shtator 1938.
Sa pak e dinë që me Migjenin, me këtë emër të madh, Dr.Lazër Radi ka jetuar një verë së bashku në Pukë.
E lexoj dhe e rilexoj librin me kujtime dhe shënime të autorit Radi rreth Migjenit dhe mornica drithërimi më kalojnë në trup për mohimin dhe dhunën që është ushtruar karshi figurës së shquar poliederike të Kombit Dr.Lazër Radit. Libri u botua siç thotë dhe i biri i profesor Lazrit, poeti i talentuar Jozefi, ndërkohë që autori po shkonte drejt pleqërisë së thellë, i lodhur, i dërmuar, i sëmurë… Nga lartësitë e 83 viteve… I ndëshkuar me të gjitha mjetet e dhunës, i lënë në heshtje, i pavlerësuar as në kufijtë e mirënjohjes, i burgosur dhe internuar për mbi 50 vite, autori solli pranë nesh librin me kujtime për Migjenin, një ndër librat e rralla me vlera të padiskutueshme për artin dhe historinë.
Fati e deshi që ai të takohej me të në verën e vitit 1936, në qytezën malore të Pukës, pikërisht në atë vit më kulmor të krijimtarisë së tij.
Lazër Radi shkonte shpesh në orët e mësimit, diskutonte me të me orë të tëra, edhe pse Migjeni ishte një natyrë e tërhequr, qëndronte larg stuhive të fjalëve të rëndomta, ngase ai ishte me një kulturë të jashtëzakonshme në krahasim me moshatarët e tij.
Edhe pse e quante vetminë të shenjtë, “sancta solitudo”, ai ishte shumë i shoqërueshëm dhe tejet njerëzor.
Dhe duke vazhduar leximin më tej të autorit Radi, dhimbja bëhet dhe më e thellë, plaga lë vraga, por unë do të vazhdojë komentin tim ashtu siç e kam ndjerë këtë libër me kujtime, ngase dhimbja thotë shkrimtari nuk mund të riparojë asgjë, aq më pak kohën, që mbetet e pamëshirshme për të gjithë, për rrjedhojë pak më shume për Dr.Radin!…
Dr.Lazer Radi nuk jetoi vetëm një verë me Migjenin, por ai i vazhdoi dhe më vonë letërkëmbimet me të, ashtu siç bëjnë njerëzit me botë të pasur dhe zemër të madhe, krejt e kundërta ndodh me vdekëtarët…
Por këtë korrespodencë e dogjën raprezaljet, arrestimet e sigurimit ngase vëllai i prof. Radit, Baltoja ishte terrorizuar pas bombës së hedhur në ambasadën sovjetike, ndërkohë shkrimtari ishte në burg.
A mund të ketë lexues njeri që të mos tronditet nga këto ngjarje drithëruese, dhe bashkë me kujtimet që sjell autori shpresoj që të tronditet nga themelet jo vetëm historia, por dhe historia e artit dhe e letërsisë për shtrembërimet, mohimet që kanë sjellë ndër ne lexuesit…
Autori shpesh pohon se i ngazëllehej shpirti dhe kënaqej si fëmijë kur dëgjonte vetë nga goja e Migjenit vargjet që ai krijonte. I gjithë libri të përpin të tërën dhe të magjeps nga mënyra se se i ka përshkruar kujtimet me Migjenin. Të mbeten në mendje bashkëbisedimet e ngrohta, diskutimet intelektuale, si dhe arti në vargje: Krahët e zezë të një nate pafund/ e varrosën lagjen pranë/ dritë, jetë, gjallëri-askund/ vetëm erresirë e skam…”
Në punën e tij Migjeni do të shkruajë Dr. Radi përpiqej t’ju shmangej sa më shumë artificializmave dhe për këtë një ditë i kishte thënë: Në poezinë “Parthënia e Parathanieve” vargun e fundit e kam pasë: “Alo perëndi ku je?!” Kjo “alo” m’u duk si tepër moderne dhe artificiale dhe sikur nuk i kish hije një poezie shqiptare, e lashë ashtu thjesht: “Perëndi, ku je?”
Është e pamundur që vetëm me një shkrim të përmbledhësh kujtimet dhe mbresat e Prof. Radit me Migjenin, por unë shpresoj që një ditë mendjet e kthjellta intelektuale t’i rikthehen veprës së Migjenit dhe t’ju sjellin lexuesve të vërtetën historike, pa pasione dhe egoizma të shpifura.
Kur lexon në këtë libër pjesën “Migjeni dhe Naimi” si lexuese ndjen dashurinë dhe largpamësinë e dy shkrimtarëve intelektualë që dhe pse shumë të rinj në moshe, iu digjej shpirti për Kombin dhe kulturën. Kështu ata më duken si dy rilindas, që kur gjenin kohë uleshin nën hijen e qershizave në Pukë dhe lexonin poezi nga Naimi si: Dimër i madh me dëborë/ me të ftohtë e me ngricë/ e me gjithë ligësitë/ të la të mjerë e të gjorë/…
Në recitim e sipër Migjeni i thotë: A e sheh Lazër se sa modern është Naimi, i drejtohet një luleje “Manushaqes” që simbolikisht asht Shqipnia.
Pa shiko lulet e tjera/ q’u çelë e u lulëzuan/ shih, pa shih ç’u zbukuruan, i ngjalli përsëri vera/…”
Migjeni adhuronte simbolikën naimiane, delikatesën e luleve dhe mendimet e rilindasve që mbeteshin aktuale.
Me ndjesi të rralla dhe me një vlerësim maksimal autori flet dhe për ditët e fundit me Migjenin dhe njëkohësisht ndryshimin që kishte ndjerë pas takimit me të. Gjatë ditëve të tij në Shkodër autori përpiqej të gjente shitësen e qymyrit, lypësin në skaj të rrugës që shtrinte dorën për lëmoshë, Lulin e Vocërr mes fëmijësh, pothuajse i gjithë qyteti i dukej tashmë një libër i hapur i Migjenit.
Në pjesen e dytë shkrimtari Radi flet dhe për Migjenin jashtë kujtimeve të tij.
Shume impresionuese është në këto shënime eshte dhe profecia e Koliqit për Migjenin i cili kishte botuar në atë kohë në revistën “ILLYRIA” poezinë “Shpirtnet shtegtarë”.
Koliqi në Autodafen “Gjurmët e stinëve” thotë se Migjenin qysh fëmi Zanat tue e puthë i vunë zhigen e vet në ballë.
Migjeni vazhdimisht i dërgonte “Illyrisë” poezi të ndryshme kështu një ditë vazhdon autori do t’i dërgonte “Të lindet njeriu”. Menjëherë sa i ra në dorë Karl Gurakuqit, thirri në redaksi Ernest Koliqin, Branko Merxhanin dhe Ismet Toton dhe ua lexoi poezinë.
Ata duke e lexuar në heshtje i vunë kurorën e dafinës në krye, kurorë që do t’i qendrojë përjetësisht në olimpin e letrave shqipe.
Ndërsa në këtë libër të autorit Lazër Radi, ndjeva dhe preka dashurinë njerëzore, atë dashuri të rrallë që është pjesë organike vetëm e kësaj race shkrimtarësh.
Në 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh shpresoj që libri i rrallë “Një verë me Migjenin” me të vërteta të padiskutueshme nga Dr.Radi të kthjellojë mendjet e mbrapshta dhe t’ju heqë syzet miopëve te kulturës, duke e rivlerësuar dhe duke e vendosur atje ku e kanë vendin figurat e ndritura të Kombit.


Manhattan, New York, 12 tetor 2011




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:30am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Përsëri për rrugë
- nga Lazer Radi


Qiraxhinjtë na trokitën në derë pak ma herët.
Kur dolëm jashtë ishte ende terr dhe bënte ftohtë. Vetëm nji fashë e hollë kaltërsie dukej në qiell ku përvijoheshin konturet e maleve. U ngritëm dhe pa humbë kohë filluam t’i dengosim plaçkat. Baba u vesh e doli përjashta ku e priste Prenush Gega. Të dy u ulën mbi nji stom dhe po bisedonin me za të ulët. Unë u afrohesha ngadalë, por s’kuptoja asnji fjalë. Ndërkohë teshat ishin gati mbi mushka dhe ne po prisnin babën t’i hipte mushkës së vet, e të niseshim për rrugë. Doli të na përcjellë edhe Hajredini. Mbasi u falën me shnet u përqafuan me dhimbje me babën, dhe e ndihmuen të ngjitej e të rehatohej mbi mushkë…
Përcjellja nga Hani i Fushë-Arrëzit qe e dhimbshme, krejt ndryshe nga ajo e Va-spasit. Të gjithë bujtësit e asaj nate në han me flakadanë në dorë kishin dalë në oborr për të na përcjellë. Baba, i shihte nji për nji me përmallim ata njerëz, ata miq të rastësishëm të asaj nate që po e përshëndesnin në heshtje. Ai nuk bëri asnji gjest, as me dorë e as me kokë! Vetëm shihte me sy andrrimtari, dhe me kokë të mënjanuar, nxirrte nji buzëqeshje të lehtë e të ëmbël, nji buzëqeshje mirësie e falënderimi që mund të zhdavariste çdo re të zezë që mund t’i shfaqej qiellit të atij mëngjesi.
U nisëm ndërsa drita pak nga pak po u jepte formë maleve. Edhe rruga e asaj dite vazhdonte ndër pyje pishash e ahesh. Dikur u futëm nëpër nji terren të thyer e plot kthesa. Përpiqeshim t’u shmangeshim përrojeve me mungesa urash. Kalonim buzë honesh marramendëse, futeshim përsëri mes pyjesh me bredha e pisha, zhdukeshim mes gjetheve të verdhat vjeshtës derisa nisën të dallohen nga larg çatitë e Pukës.
Asaj qendre banimi – as katund e as qytet – i ramë tej përtej përmes të vetmes rrugë që zinte fill në kodër dhe mbaronte, gjithnjë në zbritje, deri jashtë Pukës, në një shesh me një lëndine të zhveshur.
Në at rrugë zhvillohej krejt jeta e atij katundi, që funksiononte si nënprefekturë. Dyqanet ishin të njësojta me ato të Kukësit. Po ato eksponate të varura përpara dyerve, po ato qepena! Qepeni i poshtëm mbështetej mbi dy kamalecë druri? Mbi qepen uleshin teneqexhinjtë, samarxhinjtë, qeleshexhinjtë, kovaçët, nallbanët dhe merreshin me punët që kishin ndër duar.
Edhe aty kishte fare pak lëvizje dhe nji tregti të varfër! Në fund të rrugës dukesh nji varg godinash të ulëta njëkatëshe, të gjitha të mbyllura me qepena hekuri që hapeshin e mbylleshin duke i mbështjellë e çmbështjellë. Nji nga shoqëruesit na tha se ato ishin depot e Shtetit ku vendosej misri, bereqeti dhe mallrat që shteti ua shiste ose ua blinte malësorëve të rraskapitur të asaj zone të varfër…
Kaluam nëpër nji ultësirë dhe dolëm përskaj Qerretit. Qiraxhinjtë vendosën ta shmangnin malin, duke i rënë përreth për të zbritur në Gomsiqe, ku qe vendosur ta kalonim natën e tretë të udhëtimit.
S’e di për të tjerët, po mua tash rruga po më dukej monotone dhe s’po gjeja asgjë të veçantë atyre anëve… Mbas çdo hapi të mushkave e kuptoja se qyteti im ishte gjithnji e më larg, gjithnji e më i domosdoshëm për t’u harruar. Kishin kaluar tri ditë që veç ecnim dhe nuk kisha gjetur asnji qytet që ta krahasoja me qytetit tim… Gjithçka më bëhej humbëtirë, dhe ajo ndjenja e tokës amë s’di pse po më zbehej brenda meje…
Pas disa orë udhëtimi, diku në thellësi u shfaq sërish Drini, i cili së largu dukej si nji përrua që shkumëzonte. Ashtu vazhduam nji copë rruge, duke ndjekur shfaqjen e zhdukjen e tij, për të na u shfaqur përsëri pas ndonji luginë apo në të përpjetat i ndonji mali.
Drini ishte gjithkund në rrugën tonë dhe m’u fiksua në mendje si lumi që u “vërdalle” gjithkah tokave shqiptare…
Ajo rruga, prej fillimit në fund, kish qenë plot me të përpjeta e me teposhta, si dallgët e detit të jetës: plot lodhje e mundime…
Dikur mbërritëm në Gomsiqe!
Kahun nga ecnim, nga krahu ku ndodheshin hanet, i ndante “lumi” i Gomsiqes. S’di pse e quanin “lum”, kur në të vërtetë s’ishte tjetër veç nji përrua, i cili vetëm në kohë shirash e kur shkrinte bora e maleve “fryhet e bëhej i qametshëm” na tha nji prej përcjellësve.
Kështu, u detyruam të ecnim në thellësi deri ku shtrati i lumit ngushtohej e ku dukej nji urë e vogël druri. Mbasi kaluam urën, vazhduam edhe nji copë rrugë për të mbërritur tek hani.
Lumi i Gomsiqes ishte degëz e Drinit dhe prej aty ku u vendosëm e shihnim vendin ku “lumi” takohej me Drinin.
Ende s’qe errur mirë kur mbrritëm, megjithëse në luginë dielli kish perënduar kaherë. Nga majat e maleve përkarshi me plisat e bardhë të borës në krye ende shihej përflakja e shuar e ditës që po jepte shpirt.
Hani, si gjithë hanet që kishim lënë pas, s’kishte ndonji ndryshim që të binte në sy. Kishte njerëz më shumë, dhe e patëm më të vështirë për të gjetur vend të rehatshëm për ta kaluar at natë vjeshte, që ishte si parathënie e dimrit që zakonisht atyre anëve vinte shpejt. Qiraxhinjtë biseduan pak si gjatë me të zotin e hanit dhe nga fytyra e me shprehjen e ngushëllimit e keqardhjes morëm vesh se me t’vërtetë s’kishte asnji dhomë për me bujtë at natë. Megjithatë, mbasi u largua për do kohë, erdhi e lajmoi se na kish lëshuar dhomën e vet.
Ndër bujtinarët e asaj nate në han, më ra në sy nji burrë i pashëm me shtat mesatar, pak i shëndoshë, i veshur me çizme lëkure, kilota oficeri dhe nji xhaketë të zezë treçerekëshe. Pranë kishte nji grua e bukur leshverdhë, diçka e pazakontë ndër ato vende. Si i shoqi edhe ajo mbante çizme lëkurë, kilota dhe xhaketë të zezë lëkure. Ma tërhoqi vëmendjen ajo ngjashmëri në veshje e tyre. Burri, rreth të dyzetave, mbante nji kamxhik të bukur në dorë, si për të shtuar diçka ma autoritare pamjes së tij. Vura re ishte se ai çift s’po tërhiqte veç vëmendjen time prej fëmije, por edhe gjithë bujtësve të atij hani. Hanxhiu, u sillej sa para mbrapa duke u munduar t’i shpjegonte e t’ua plotësonte çdo dëshirë që ishte s’e mundur. Burri nuk fliste shqip, çka të linte të kuptoje se nuk ishin shqiptarë. Po çfarë ishin ata njerëz që kishin lënë vendin dhe rehatin, çka dukej nga veshjet dhe fytyrat e tyre vezulluese, nga nji bardhësi ku s’shihej as gjurma ma e vogël e mundimeve, e shqetësimeve, apo e mungesave që në Shqipëri asokohe mund t’i ndeshje ngado që t’i hidhje sytë.
Në mbrëmje hani u mbush plot.
Ishin disa dibranë që ndërtonin shtëpi guri në Pukë, e që të nesërmen duhej të zbrisnin në Shkodër, me shpresë se mund të gjenin ndonji punë re. Ishin dy mësues që shërbenin katundeve të Pukës e ktheheshin në Shkodër për pushimet e dimrit, sepse atyre anëve shkollat funksiononin vetëm prej marsit në tetor. Kishte mjaft malësorë që shkonin në Pukë për hallet e tyre, e që nga pamja e veshja dukeshin se jeta kish shkelë pa mëshirë mbi ta. Kishte plot të tjerë, për të cilët nuk shfaqa interes, sepse qenë zhytur në muhabete e në diskutime që s’më tërhiqshin. Herë pas here ndiqja në bisht të syrit çiftin e të huajve të veshur me çizme vizlluese, deri sa u zhdukën e askush si pa ma. Zhdukja e tyre sikur na rehatoi të gjithëve, mua të parin.
Aty në han ndesha për së pari skamjen e banorëve të atyre maleve, jo pse andej nga vija unë s’kishte varfëri të tillë, por pse pikërisht aty, në at sfond epik e tragjik, e ballafaqova për të parën herë në mendjen time, skamjen e vendasve, me luksin e të ardhurve; e kjo më zgjoi dhimbje…
Ndërkohë erdhi koha me fjetë.
Për nji çast mendova bukurinë e natës së shkuar. Eh sa do të kisha dashtë që ajo natë e papërsëritshme të mos kish të sosur. Por si gjitha gjanat e bukura të kësaj jete edhe ajo natë s’mund të qe ndryshe. Baba u shtri i lodhun dhe shpejt e zuri gjumi. Nana dhe motra po përgatisnin diçka për darkë dhe për rrugëtimin e së nesërmes. Unë bëra miqësi me nji djalë të ri shkodran, rrogëtar tek hanxhiu. Prej tij mora vesh se zotnia i veshun “shik”, ishte nji major italian që punonte si “organizator” në Kukës. Kurse ajo gruaja e shoqja e tij. Për ta shoqëruar kishte me vete tre xhandarë të qeverisë. Ai zakonisht, rrugën Tiranë-Kukës e bënte me aeroplan, por kësaj here kishte vendosë ta bënin me kuaj për t’i njohur nga afër ato vende po njëkohësisht t’i tregonte gruas së tij bukuroshe mrekullitë epike të atij vendi të “egër” – më sqaroi rrogëtari me fytyrën e rrumbullakët si poçe, ku herë mbas here shpërthente humori karakteristik shkodran. Ai më tha se i njihte edhe dy mësuesit nga Shkodra, bile kishte muhabet me ta. Si natyrë e zhdërvjellët dhe komunikuese më ftoi edhe mua të njihem me ta. Në bisedë u shpjegova se nga isha, kush isha dhe ku shkoja. U përpoqa të isha i sigurt në ato çka thoja dhe pse disa gjëra s’i dija as vetë. Ata shfaqën shumë interes për Prizrenin, për Gjakovën dhe për Kosovën në përgjithësi. Prej gojës së tyre mora vesh se në Shqipëri kishte pllakosë nji varfëri e madhe, sidomos në malësi, gjë të cilën e kisha pa edhe vetë nëpër hane. Punë, qe e vështirë të gjeje. Ahmet Zogu qe “vetëshpallë mbret”, dhe “më shumë kujdesej për vetveten sesa për t’i gjetur punë popullit”. Aty dëgjova për të parën herë fjalët “krizë”, “shtypje”, “hatëre”, “tarafe”, “ryshfete” e plot fjalë, për të cilat shpjegimet e dy mësuesve më qenë të bollshme.
Bëja çudi me vete dhe më vinte keq, kur dëgjoja nga goja e “nëpunësve të shtetit” të shahej “mbreti”, kur në vendin prej nga vija unë, të gjithë ata që flisnin në gjuhën e mbretit të atjeshëm e adhuronin dhe ishin gati të vdisnin për fjalën e tij. Si ishte e mundur? A ishte mbret shqiptar dhe mbret i shqiptarëve? Pse të flitej keq për të? Bëja habi, po s’kisha dëshirë t’i kundërshtoja mësuesit, doja vetëm të dëgjoja prej tyre. Mos vallë kisha hyrë në “botën e çudirave” dhe tash e mbrapa do të dëgjoja e shikoja shumë “çudira” si këto.
Me biseda e me shëtitje erdh koha e darkës. E lamë të shiheshim te oda e zjarrit, ku mblidhesh pjesa ma e madhe e bujtinarëve.
Aq u lidha me dy mësuesit, sa edhe bukën e hëngra me nji frymë, aq sa nanën e zuni habia, se pa i mbaru kafshatat e fundit bukës, zbrita turravrap shkallëve drejt e te oda e zjarrit. Dy mësuesit edhe pse ishin të rinj, si njerëz me shkollë, kishin vendosur të sakrifikonin disa vite nga rinia e tyre në përhapje të dijes dhe kulturës atyre skutave të harruara. Hanxhiu për respekt i kishte vendosë në krye të vendit. Edhe unë, si bisht mbas tyre, u shkova afër dhe i dëgjoja me vëmendje bisedat e tyre që më dhuruan mrekullinë e të folurit shqip, në mënyrë të veçantë të shkodrançes që aq për zemër e kisha prej nanës.
Edhe pse shqipja e tyre më dukej e vështirë e hasja pengesa, e kur flisnin shpejt mezi i kuptoja, kënaqesha veç t’i dëgjoja. Gjuha e tyre më dukej si gjuhë e huaj, gjuhë të cilën e kisha besuar se e dija mirë, por s’di pse për dreq kishte plot gjëra s’i merrja vesh. Ata bisedonin rrjedhshëm e shpejt dhe humori i tyre e mbushte plot jetë odën e zjarrit.
Nji prej ustallarëve, ai ma plaku, me nji qeleshe të përgjysmuar në kokë, me mustaqe të gjata që i vareshin në dy krahët e buzëve, kishte qëlluar muhabetqar i madh. Tregonte histori të çuditshme nga jeta në Dibër e Gollobordë, aq sa unë u thitha nga rrëfimet e tij.
- Hajt burrë, se këto janë bestytni – tha njëri prej mësuesve.
Unë s’e kuptova fjalën “bestytni” dhe e pyeta tjetrin.
- Asht besimi në diçka të kotë, në diçka të pa qenë – më shpjegoi mësuesi tjetër.
- Xhebraili – vazhdonte ustai plak – dikur ishte sheshit. I kapte njerëzit, pa pritë e pa kujtuar dhe i vdiste në vend. Rastisi nji herë dhe i shkoi në shtëpi Muhametit. Po Muhameti ishte burrë i mençëm dhe ia kuptoi menjëherë hilet e tij. Kështu nuk është mirë i tha – ti do të shkosh tek ai që të ka nisë këtu, dhe do t’i thuash se nuk bën mirë, që të dërgon papritmas. Xhebraili pasi u mendua pak iku, po nuk vonoi të kthehet përsëri.
- Lutja jote u mor parasysh – i tha – tash e tutje nuk do të dal sheshit, do të dal msheftas, dhe “tak” ja mori shpirtin Muhametit dhe u zhduk pa e pa kush.
- Këto janë përralla, or bacë! – ia ktheu njëri prej mësuesve – Kush ka lindë edhe do të vdesë nji ditë, si njerëzit, si kafshët edhe bimët. Ti, s’u thua të paktën që janë përralla, por përpiqesh me ua mbushë mendjen njerëzve se këto janë t’vërteta!
Ustait plak i kërceu nji damar mes për mes ballit, dhe shfryu i zemëruar.
- Pse e keni lanë rrugën e Zotit, ai i Lumi, na e ka çue peshqesh gjithë kët të keqe t’madhe e gjith kët fukarallëk. A i ke sytë n’ballë me pa, se veç nga veremi vdesin qindra e qindra të rinj në lule të moshës, e ti na shet të trasha s’paska xhebrail e s’paska mortje… Po kësaj që ka ndodhë në fshatin tonë, e ka njerëz të fshatit që e kanë pa me sytë e tyne dhe ne që e kemi dëgjuar me veshët tanë, si thua ti hë asht e vërtetë – dhe plaku gjithë nervozizëm e dëshirë për ta bindur mësuesin ia hyni nji rrëfimi tjetër:
- Katundi jonë asht i vendosur në nji shpat të butë kodre, zhytun në blerim pemësh gjithkah. Veç tymi i ndonji oxhaku aty këtu tregon se n’at vend ka jetë dhe njerëz të gjallë. Jetohet qetë, dhe s’ka ndodhë kurrë ndonji bidat që ta prishë monotoninë e jetës tonë. Poshtë fshatit ndodhet nji luginë, dy anët e së cilës janë plot shkozë e ahishte. Kjo luginë thirret “Lugina e Keqe” sepse thonë: se n’ato pyje në dyja krahët e saj jetojnë shpirtra të kqinj a si i thoni shaurete a lugetër. Në të hyme të fshatit asht nji shkëmb, jo fort i madh, po i çuditshëm në formën e vet. Hymja e shkëmbit ka formën e nji porte, të mbushun krejt me katrorë, duket sikur ndokush e ka gdhendë me dorë. Poshtë kësaj hymje të çuditshme hapet nji livadh i vogël, i blertë e i bukur. Në të djathtë, asht nji lulishte me trëndafila të ndezun, që askush s’i ka mbjellë e askush s’kujdeset për to, po për çudi, gja ma të bukur s’ta shef syni n’dynja. Trëndafilat janë me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe aroma e tyre ndjehet disa kilometra larg prej atij vendi. Nji bukuri të tillë s’e ka pa hala bota…
- Veç në përralla mund t’jetë ndigju… – foli dikush
Dy arsimtarët u panë sy më sy, dhe njëri prej tyre si për tallje u koll e me nji buzëqeshje të lehtë panë nga muratori plak… Atij vërtet i erdhi inat për sjelljet e mësuesve, po s’e dha veten, vazhdoi të rrëfente duke besuar se shumë prej të pranishmëve po e dëgjonin me vëmendje dhe s’po merreshin me ndonjë muhabet tjetër.
- Në gjithë katundin u hap fjala, se te lëndina para shkëmbit dilte nji vajzë e bukur perri, dhe ulej diku mes lëndinës nën aromën dehëse të trëndafilave dhe krihte me kujdes flokët e gjatë me një prarim diellor, që të mrekullonte veç t’i shihje e jo ma t’i prekje. Bukuroshja e Shkëmbit, kështu e quante katundi… Ajo kish zakon të shfaqej në kohën e Shënkollit të Verës, sepse Shënkollin e kemi edhe si festën e fshatit, siç e ka dikush tjetër ditën e Shëngjergjit. At ditë, gjithë vajzat dhe gratë e reja të fshatit dalin herët n’sabah dhe shkojnë e lahen në përroskat ujëftohta e liqenet e vogla që mbushin pyllin e Luginës së Keqe. Ato thoshin se herët pa zbardhë drita, u kishte ndodhë ta shihnin me sytë e tyre Bukuroshen e Shkëmbit… Ajo krihte flokët para hyrjes, diku mbas trëndafilave…
Jo veç fshati jonë, por edhe katundet përreth, filluan të flasin për këtë ndodhi të çuditshme. Njerëz nga ana e anës filluan të vinin me shpresë ta shihnin at mrekulli. Ishin krejt të pakët ata që mbeteshin gojëhapët prej asaj bukurie, pasi Bukuroshja e Shkëmbit nuk shfaqej vazhdimisht. Ajo shfaqej rrallë, fare rrallë, bile kishte raste që nuk shfaqej për shumë vite, kështu që kureshtarët e zakonshëm edhe pse mundoheshin ta shihnin s’qëllonin. Atë e shihnin vetëm ata ose ato që ndodhnin rastësisht aty pari. Kush e shihte Bukuroshen, i printe e mira.
Në katundin tonë jetonte nji fis i quejtun Botajt. Njerëz të urtë që shihnin punën e tyne. Nji djalë i këtij fisi vendosi ta përgjonte. Gjersa ta prekte me duart e veta Bukuroshen e Shkëmbit, s’do të luante prej skutës ku rrinte fshehun. Ngaqë thuhej, se pak a shumë ajo dilte ditët para Shënkollit të Verës, e shfaqej vetëm për pak çaste herët sapo fekste drita, ai e ndau mendjen me e pritë. Për këtë ai përgatiti nji duvak të bukur me nji lloj cope që vezullonte n’dritë të diellit. E kishte lidhë në krye, kurse në fund e kish lanë hapë nji formë rrethi, që posa t’i shfaqej Bukuroshja e Shkëmbit t’ia hidhte mbi krye e të mos e linte t’i ikte. Me durim priti te ajo skutë përmbi shkëmb me shpresë se dikur Bukuroshja do të shfaqej. Priti nji ditë, priti dy, tri, katër, pesë ditë, po asgja… Bukuroshja s’po dukej kund… Dikur filloi ta humbasë durimin e gjithë kjo punë po i dukej nji marrëzi. Megjithatë sa herë lodhesh në pritje i kujtonte vetes betimin që kish ba se s’do të shkulesh prej aty pa ia hedhë mbi krye at duvak të bardhë, e kështu i jepte karar vetes me pritë. Si ai, edhe i gjithë fshati ishin të bindun se Bukuroshja ishte aty nën shkëmb, dhe s’kish çajre pa dalë. Pritja zgjati e zgjati aq sa ai s’mbante mend sa ditë kishte i ngujuar aty mbi shkëmb. Dikur, në të shterrë të durimit mbas netësh e netësh pafund, kur sapo niste me feksë dita dhe sytë e tij i kish lodhë gjumi, për nji çast iu duk sikur u drodh shkëmbi. I hapi sytë i trembur. Ishte ma shumë natë se ditë, kur poshtë vetes ndjeu nji krakëllimë të lehtë, si zhurmë dere e randë dhe e ndryshkun. Kur ja… nji dorë e kujdesshme u duk nëpër at agshol ku ende s’dalloheshin qartë pemët, veç konturet malet përreth. Papritmas gjithçka nisi me marrë nji dritë të çuditshme. Nji qartësi e kristaltë e mbuloj krejt lëndinën para shkëmbit. U deshën veç pak çaste dhe shfaq gjelbërimi i pemëve, kaltërsia e qiellit, bora e majave, gurgullima e krojeve, ngjyrat e luleve, kanga e zogjve, aroma e trëndafilave, ylberi shumëngjyrësh, fëshfërima e gjetheve… Sa hap e mbyll sytë gjithë bota u mbush me dritë. Befas kërkëllima e derës u ndal dhe u duk sikur krejt natyra mbet shtangë. Me nji kujdes të frikshëm nisi të shfaqej prej shkëmbit nji krijesë e kristaltë, që nuk ecte veç rrëshqiste ngadalë drejt livadhit me nji hijeshi solemne prej mjelme.
O Zot! – mërmëriti djaloshi i Botajve, duke fërkuar sytë – Mos më thuaj se jam në ëndërr!
Nji mrekulli e kish fshikur paksa në at vallzim magjepës sa ai s’pati guxim ta prekte. Nji fustan i gjerë e i bardhë mëndafshi e mbështillte trupin e saj të mrekullueshëm. Gjithçka rreth saj tash fliste në emër të dritës. Flokët që zbrisnin deri në mes të belit me at prarim ari; nji kunorë lulesh të freskëta i pikonte si vesë mbi flokë. Ajo ul mes livadhit, la kurorën mbi bar dhe me nji kangë të ambël nën zë nisi t’i krehë flokët e saj që i derdheshin si ujëvara ari supeve…
Djaloshi i Botajve, qe shtangë e përhumbë i gjithi prej asaj mrekullie dhe për nji çast ju duk se kish ardhë veç për ta kundruar dhe jo për ta rrëmbyer at hyjni. Për pak u harrua mbas asaj mrekullie, po kur i ra ndërmend se për tjetër qëllim kishte pritur aty s’di sa kohë, brofi në çast prej shkëmbit dhe si shigjetë u lëshua mbi livadh… ia hodhi duvakun-lak Bukuroshen mbi supe, e cila e kapur befas u ndje si nji zog fatkeq brenda atij duvaku dhe krahëve të fuqishëm të atij djaloshi. Kur e ndjeu që përpëlitej në krahët e tij, djaloshit të Botajve iu dhimbs, por ai e kish pritë me aq durim at çast, dhe ishte betuar se s’do të largohej prej aty pa e marrë Bukuroshen e Shkëmbit. Me gjithë përpëlitjet e saj për ta lëshuar ai e mbajti fort ndër krahë derisa e çoi te shtëpia e vet…
Prej asaj dite ata jetuan bashkë, nën strehë të shtëpisë së tij, si burrë e grua.
E Bukura e Shkëmbit, e pranoi në heshtje at martesë-rrëmbimi. I shërbeu me përvujtësi Djaloshit të Botajve, i bënte punët e shtëpisë, ia lante e ia pastronte rrobat, i gatuante si nji amvisë e mrekullueshme, kujdesej për shtëpinë, për lulet, për kafshët dhe për gjithçka kishte nevojë shtëpia; e në mënyrë të veçantë për burrin e saj, por gjithmonë në heshtje, vetëm në heshtje, pa e thënë qoftë edhe nji fjalë të vetme. Para se të mbushej viti atyre u lindi nji djalë i bukur si yll-drite. Ai i dha edhe ma shumë dritë dhe jetë asaj shtëpie. Por tashma Djaloshin e Botajve, po e shkatërronte heshtja e Bukuroshes së Shkëmbit. Nuk i hynte në sy as bukuria e djalit përpara heshtjes së saj. Qindra herë qe përpjekur t’ia shkulte qoftë edhe nji fjalë të vetme, por ishte e pamundur. Ajo vetëm heshtte. Kështu ai nisi me e humbë qetësinë. S’mund ta shtynte ma jetën kështu. Edhe pse djali rritej e zbukurohej përditë shtëpia po i bëhej si varr.
Nji ditë i Djaloshi Botajve vendosi o ta bënte të fliste, o të plastë bashku me të. Ai e mori djalin e vogël që sa kish nisur të ecte dhe i thotë:
- O e Bukura e Shkëmbit! Të kam pritë nën gur, e do të bëhesha gur po mos të gjeja. Tash kam dy vjet që çmendem prej heshtjes tënde, kam dy vjet që kam bërë gjithçka që ti të flasësh nji fjalë, jam sjell me ty si me askënd në botë, kurse ti hesht… vetëm hesht. Kërko ç’ka të duesh prej meje dhe unë do ta bëj për ty… Vetëm kështu s’mund të jetoj ma? Më thuaj çfarë do dhe unë prej qielli do ta shkul e do ta sjell, veç ti të mos heshtësh! Të lutem, mos hesht, mos hesht se s’mundem të duroj ma! Më beso, s’mundem ma!
Bukuroshja e Shkëmbit e pa me nji shikim plot dhimbje e keqardhje, nji shikim që kishte lutje brenda, por s’foli, e as kishte ndërmend të fliste.
- O ti do flasësh sot, o unë e thera djalin! – dhe vrik nxori nji thikë të mprehtë dhe ia vu foshnjës në fyt.
E Bukura e Shkëmbit u zgurdullua sysh, dhe u turr si e çmendur drejt djalit, por i shoqi vazhdonte të ulërinte.
- Fol, fol qoftë edhe nji fjalë të vetme përndryshe e thera djalin! Foool… Fooooooool se më çmende!
Ajo u kap mbas krahëve të tij të fuqishëm të shpëtonte djalin. Edhe pse vazhdonte të heshtte. Sytë e saj të mëdhenj ishin përplot me frikë dhe tmerr, pse e ndjente se ajo s’ishte shaka, as lodër.
- Fol të lutem! Fooool! Për të fundit herë po të lutem foool! A nuk e ndjen se gjithçka po merr fund! Fooool… – klithi dhe me gjithë fuqi u lëshoi dorën mbi trupin e fëmijës që ulërinte nga frika. Nëpër trup ndjeu nji lëng të nxehtë që po e digjte të gjithin. Gjithçka kish marrë fund, kur nji klithmë mallkimi shpërtheu nga buzët që vetëm kishin heshtur në jetë.
- Oh, Zoti të vraftë! Oh Zoti të vraftë! Po si e bëre, si e bëre këtë gjë? Po unë s’mund të flisja pa i mbushë tri vjetët. E kisha urdhër prej Kryezanës! Po si ma vrave djalit, hej ty të vraftë Zoti! Po të kishe duruar veç tri vjet në fisin tuaj do të hynte aq begati sa s’do të dinin me i dhanë kah. Po ti je i mallkuar! Pse ma vrave djalin! O të vraftë Zoti, po çfarë të bani djali ty! Pse s’më vrave mua, po vrave at krijesë të pafajshme… Pse? Kurrë fisi juaj dy shpi mos u baftë! As ditën për diell, as natën për hanë mos e shijofshi bukurinë e trëndafilave të mi! Në gurë e dru u kthefshin ata edhe ti!
Kaq tha e mbytur në lot, dhe doli prej shtëpisë, si të kish qenë zog. Djali i Botajve u çmend dhe pas pak kohe e gjetën të bërë copë e çikë te Honi i Zi…
Kaluan vite, kaluan breza, dhe fisi i Botajve kurrë s’u ba dy shpi, kurrë s’u zunë kambët dhe. Ngado që shkuan, e ngado që shkojnë mallkimi i Bukuroshes së Shkëmbit i ndjek si hije pas…
Bukuroshja i kish mallkuar me fjalët: “As ditën për diell, as natën për hanë mos e shijofshi bukurinë e trëndafilave të mi!”. Në mallkim e sipër ajo harroi muzgjet dhe mbrëmjet domethënë kohën midis lindjes dhe perëndimit, kohë në të cilën edhe pse e shkurtër, midis ditës dhe natës lulëzonin ashtu vetëtimthi trëndafilat e shkretë, për të cilët nuk kujdesesh ma askush. Shkëmbi i Vashës është edhe sot e kësaj dite në fshatin tonë. Ditën e Shënkollit të Verës, shkojnë vajzat për ndonji fat të mirë, shkojnë gratë dhe nuset që s’bëjnë fëmijë me shpresë se e Bukura e Shkëmbit e ka bekuar jetën…
Nuk e di sa mund të kishte shkuar ora at natë, kur muratori plak i dha fund rrëfimit të tij. Të gjithëve na kish mbetë në mendje mënyra e kandshme e rrëfimit të atij plaku. Ai na kishte detyruar të gjithëve të rrinim në heshtje e ta dëgjonim me vëmendje të madhe. Biseda do të kish zgjatë edhe ma, po të mos ishin folur arsimtarët, se të nesërmen qysh herët të gjithë duhej të viheshin për rrugë. Edhe pse ata e kishin vënë paksa në lojë plakun, kur u ndanë e falënderuan e gjithkush e kuptoj se ishte e kotë të vazhdohej ajo bisedë, që ishte bë shkak i atij rrëfimi që pa e kuptuar na kish rrëmbyer të gjithëve gjer vonë në mesnatë…


Nga libri "Në gjurmët e një ditari të djegur"
Libri i dytë i kujtimeve (1929-1938)





Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:39am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Pak rreshta për shkrimtarët e Viteve ’30
- nga Lazër Radi


Nji artikull mjaft interesant, por që hapi mjaft polemika n’at kohë ishte edhe ai me titull: “A asht poet Lasgush Poradeci?” i studiuesit dhe kritikut prizrenas, Krist Maloki. Ma së shumti ky artikull i gjatë u keqinterpretue, mbasi autori ndërsa përpiqesh me rrëzue nji artikull të shkruem me superlativa nga miku i poetit, Mitrush Kuteli, nga ana tjetër dëshmonte nji nivel të naltë të kulturës kritike dhe analitike, të pashfaqun deri asokohe, edhe pse shkrimi mund të ishte marrë pak ma shumë me vlerat e padiskutueshme të poezisë së Poradecit… E megjithatë vorbulla e kësaj polemike që na përfshiu të tanve, e pasunoi edhe ma tej fushën e shkrimeve dhe leximeve tona…


*****


Nji tjetër poet fort i dashtun dhe lirik i asaj kohe qe edhe Ali Asllani nga Vajza e Vlorës. Si n’at kohë, po edhe ma vonë, asht për t’u çuditë, pse ky poet aq lirik, aq i hollë dhe mjeshtër në artin e fjalës, ka mbetë sot e kësaj dite i pavlerësuem si duhet dhe aspak njashtu siç ai e meriton.
N’ato vite ai njihej kryesisht me poemën e famshme të “Hanko Hallës”.
E theksuem edhe me nalt se rrymat letrare ndikojnë te njena-tjetra dhe poetët shpesh padashtas, futen në vërtikun e krijimeve të kohës. Pikërisht në këto vite, Ali Asllani nisi me shkruejtë edhe poezi që pasqyronin realitetin e kohës, e kështu ai futet te ata poetë të atij lloj realizmi të veçantë “sui gjeneris”!
Pika ma e naltë dhe ma delikate e Ali Asllanit mbetet poezia lirike. Vargjet e tij kanë nji organizim akustik të theksuem, ku ndjehet harmonia e tingujve, muzikaliteti i vargut, ambëlsia e ndjenjës po dhe shpirti tradicional i Labërisë. Le të marrim strofën e parë të poezisë “Vajzat heqin valle” – me pa sa bukur dhe sa me mjeshtri e përdor ai fjalën, me pa se ç’dinamikë marrin vargjet, e ndërsa ti lexon, të ngjallet parasysh figurat e atyne vajzave valltare:


“Vajzat heqin valle,
njëra flet me vetull,/ tjetra me qepalle,
valle deli valle,/ valle për shtat’ qejfe
s’paska më t’mirë valle, se këto me defe”.


Ja edhe një poezi tjetër:


“Çapëzat e çupës, çapëza pëllumbi,/ të lehta si penda, të shpejta si plumbi,
edhe vajza vetë në krye të valles,/ mu si pikë e lotit në maja të qepallës”.


Këto vargje kanë nji aromë karakteristike, që s’mund të ngatërrohet me asnji poezi të kësaj kohe. Gjuha dhe ritmika e poezisë së Ali Asllanit na tregon se shpirti i tij qe përplot me kangën popullore të Jugut, se lirika e vendlindjes për të ka peshë dhe ndikim të dukshëm në krejt poezinë e tij. Le të shofim edhe nji poezi të tij: “Katër stina, katër çape”:


“Vjeshtë…/ Nëpër hije s’ka me shije,
lot’i parë dhe më i thjeshtë/ është fletë e gjor’ që bije”.


Edhe nji tjetër strofë të këtij poeti lirik që aq bukur, aq me kursim dhe peshë e përdor fjalën, që asht aq i pasun në ngjyra, aq përplot me emocione të delikate dhe aq i ndjeshëm ndaj objekteve të natyrës:


“Kërkoj fletë borziloku/ nëpër fije aq përçeme,
kërkoj gjurmët e një zogu/ nëpër fletë të një peme”.


Apo ajo poezia, ku ai mbasi ka humbun të dashurën, s’mundi ma as të jetonte në qytetin e andrrave të veta:


“O ti moj e mira/ që m’hike nga dora,
ti hike nga mua/ unë hika nga Vlora…”


Ali Asllani ishte si nji fllad lirik ndër mendjet tona të përpime nga “idealet e mëdha”, dhe nga bindja se “idetë tona mund ta shpëtonin botën…”!!! Vargjet e tij ishin nji frymë që ndoshta ndër kokat tona nuk zunë fort rranjë, pse ndoshta mund të thuesh që ndër ne qe në modë kundërshtimi i së keqes, që për ne, me siguri padrejtësisht e në vazhdimësi e identifikonim veç me figurën e mbretit Zog…


*****


Nuk mund ta mbyllja kët pjesë e këtij fluturimi pa përmendë edhe disa poetë e shkrimtarë tjerë që n’ato kohna posa kishin nisë me shkrue tregimet dhe vjershat e para. Sigurisht, nuk asht ky misioni i kësaj pune, por gjithsesi e gjej t’arsyeshme, qoftë edhe rrëshqitas me përmendë ndonji kontribut të tyne, gjithnji i pamë me sytë e kohës kur ato u shkruen…
Këtu s’mund me lanë pa përmendë Nexhat Hakiun, nji tjetër lirik delikat të atyne viteve. Nexhati ka edhe nji meritë tjetër të cilën kritika e ka kapërcye me heshtje: e gjithë poezia e tij përpiqet të thithë frymëzimin prej kangve popullore. Pikërisht aty qëndron forca dhe bukuria e vargu të tij:


“Ç’mu dogj zemra, ç’u zhurita/ për levendin trim me fletë
për bandillin seç u rrita,/ po ky plak më pat kismet…”


Në nji vjershë tjetër “Nazemadhes” ai thotë:


“Ia kërkova borzilokun/ Që me dorë vet e mbolli,
Zuri qeshi, krehu flokun/ Po gjëkafshë nuk më solli:
-Prit o djalë, tha, të rritet/ Pa le të kalojnë vitet!”


Po citoj edhe një strofë nga poezia “Kam një fjalë…”


Kam një fjalë për të thënë/ fjalën që të kam dhënë:
mos më rri e zemëruar/ mos të rri i dëshpëruar,
eja mike bashkë të bredhim/ lule, gjethe prap të mbledhim,
eja moj mikeshë e mallit/ se të kam si sytë e ballit,
të kam shoqe moj për jetë/ zili bota të na ketë!…”


*****


Nji tjetër poet i revistave dhe gazetave të kohës ishte edhe Shefqet Musaraj. Të gjithë poetët e naltpërmendun ishin dishepuj të Lasgush Poradecit, dhe të poezisë së tij… e megjithatë ata përpiqeshin me sjellë karakteristikat e tyne edhe pse në ma të shumtën e rasteve s’ia mbrrinin atij synimi. Ja çfarë thotë në nji poezi të tij me titull: “Këng’e vërtetë”:


Them ta prek, po shum’ më dhëmbet./ Do ta prek, se e di që s’shëmbet,
Do ta puth në buz’e duar/ M’u në faqe e kraharuar.


Iu err syri, iu ndez gjiri,/ Dridhet gjithë si një fletë
Ndaj të gdhiri nga zefir,/ Fjal’e saj këng’e vërtetë.


Zemr’e saj’e pasqyruar/ në vështrim e ligjërim
Më shikon e psherëtuar,/ “Ndjej – më thot – po s’kam guxim”.


*****


Edhe Vedat Kokona, ishte pjesë e këtij realiteti letrar. Ai kishte studiue në Francë dhe sillte në letrat shqipe frymën e kulturës së atjeshme. N’at kohë veç nji vëllimi me poezi, kishte shkrue edhe nji libër udhëtimi “Prej Tiranë në Stokholm”. Ai ishte i pari libër udhëtimesh që lexoja. E ndoqa me mjaft vëmendje udhëtimin e tij dhe thosha me vedi:
-Eh, i lumi Vedat, i ka ndodhë rreziku me i ra Europës kryq e tërthuer, deri te akujt e përjetshëm të Veriut…
-Në nji mbasdreke, të atyne viteve, isha në kafe “Kursal” me nji shokun tim të vjetër të vendosun në Tiranë prej kohësh. Kur pranë na kaluen dy djelmoça të pashëm, të cilët zunë vend në nji tryezë afër nesh. Eleganca e tyne më bani fort përshtypje. Si duket shoku im ma lexoi në fytyrë kët kreshëri dhe më pyeti:
- A i njef ata të dy?
- Jo! – i thashë – nuk i njof.
- Ai me kapele dhe me kostum gri asht Vedat Kokona, kurse tjetri, pak ma i gjatë, asht Nexhat Hakiu.
Vazhdova me i ndjekë me vëmendje, pa u ra shumë në sy. Eh sa të mëdhej më dukeshin, edhe pse nuk kishin ma shumë se dy-tri vite diferencë mes nesh. Si duket ajo fryma europiane, ku ishin shkollue, ua randonte mjaft edhe pamjen dhe qëndrimin…
- Mos u habit – vazhdoj shoku im, – Këtu te “Kursali” dhe te pastiçeri “Bella Venezia”, në rrugën Mbretërore, mundesh me e takue krejt ajkën e kulturës shqiptare. Në Tiranë s’ka as qendra dhe as vend-takime tjera të intelektualëve. Janë bash këto dy lokale aq elegante vend-takimet e tyne pothuej të përditshme…


*****


Asokohe kish dalë në qarkullim edhe nji roman sentimental, që po korrte mjaft sukses te rinia shkollore. Titulli ishte paksa befasues “Gremina e dashurisë”, po ma befasues qe fakti se shkrimtari i ri tiranas, ishte krejt i panjoftun dhe quhej Mustafa Greblleshi.
Qe mjaft në modë të lexoheshin kësi lloj romanesh sentimentale, dhe ma së shumti ishin vajzat ato që i kalonin dorë më dorë pa ra fort në sy, se çfarë librash po lexoheshin. Kujtoj sot, se lexohesh edhe “Ura e psherëtimave”, edhe “Vuajtjet e Wertherit të ri”, “Hermandi e Dorothea”, “Lulja e kujtimit”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Sonata e Krojtzerit”, etj. Gjithkund ndër rrethe të ngushta shoqnore dhe familjare flitej për personazhet dhe ngjarjet e këtyne librave… e ndërkohë shtoheshin përditë emra të rinj poetësh edhe librash…


Po Gaspër Pali?
Eh, sa i ri vdiq ky poet aq premtues dhe aq delikat! Ai qe ma i ri edhe se Migjeni edhe se Helenau… Në vitin 1942, ai kishte mbarue fakultetin e letërsisë në Firence, dhe qe kthye plot andrra në atdhe ku nuk pati jetë të gjatë – pse vdiq në moshën 26 vjeçe.
Me Gaspërin kam pasë mjaft shoqni dhe miqsi. I kisha lexue krejt poezitë e tij dhe ai të miat. Ende e kam parasysh at zanin e tij të ulët kah m’i lexonte plot emocion poezitë e veta, që ishin po aq të brishta e delikate si vetë Gaspri. Shpesh e nxitja t’i çonte për botim në ndonji nga revistat e gazetat e kohës, mirëpo ai ishte aq kërkues ndaj vedit sa asnjiherë nuk kënaqej prej tyne.
-S’duhet me u ngut, mor Lazër, – me thonte – se kjo çka shkruejmë mbetet. Ma së pari duhet me qenë të sigurt se ato çka shkruejmë t’mos jenë pallavra dhe së dyti a ja vlejnë kësaj kohe e kësaj shoqnie që ne i përkasim!?
Dhe kështu Gaspër Pali, si nji mjeshtër “i labur lima-s” i punonte e i ripunonte nga fillimi në fund vargjet e veta!
Mezi ia mbusha mendja me e dërgue nji poezi në revistën “Rilindja” të Korçës. Kujtoj se ka botue diçka edhe në rivistën “Cirka” që dilte në Shkodër, prej Cuk Simonit, mjeshtri që e bani me folë aq bukur shqip “Pinokun” e Carlo Collodit.
Te poezia e Gaspër Palit dallojnë tri veçori: e para asht tendenca kontemplative ose primja e tij soditëse; e dyta nji melankoli e lehtë po jashtë pesimizmit, kjo edhe prej gjendjes shëndetsore që ai kalonte, nga e cila nuk kishte asnji shpresë shërimi; dhe e fundit nji lirizëm fluid e gurgullues si t’ishte nji përrua mali…
Pjesën ma të madhe të poezive të tij, ai i kishte shkrue gjatë kohës student në Firence. Ato dalloheshin menjiherë, pse aty shpërthente malli për Shkodër locen e tij të dashtun. Po nuk i mungonin as poezitë erotike, veçse ky erotizëm i Gaspër Palit shfaqesh i pastër si pika e lotit. Shpesh ai synonte me e kapë lumtuninë, mirëpo kjo i mbetej gjithmonë nji andërr e parealizueshme.
Sikur ta kish ndihmue sado pak shëndeti e të kishte jetue do kohë ma tepër, sigurisht ai do t’i kish dhanë letërsisë shqipe shumë vepra me vlerë.
Po si duket fati desh njashtu! (ndoshta Zoti e pshtoi prej së keqes që hoqën sivllaznit e tij të penës…!)
Vetëm mbas vdekjes dikush u kujtue dhe e mblodhi veprën e tij të vogël dhe e nxorri në dritë në trajtë të nji libri delikat si jeta e tij: “Yjet mbi greminë”, për të cilin asht folë fare pak, për mos me thanë se edhe ajo çka u botue kah vitet ’60, u zhyt si pa u ndje në heshtje bashkë me fatin e shkruesit të saj…


Nga libri “Shqipëria në Vitet ’30″




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:44am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Qielli Shqipërisë nis e përskuqet
- Lazër Radi


Nga mesi i viteve ’30, nisën të dalin në dritë edhe disa rryma të tjera, të cilat, nga njena anë i jepnin larmi polemikave, por nga ana tjetër krijonin përçamje, duke krijue fraksione të vogla, të paafta me e çue deri në fund qëllimin e caktuem. Do t’i përmend këto fraksione dhe shkurtimisht do të flas për përmbajtjen e tyne:
Këto ishin përgjithësisht pesë grupime: “të vjetrit”, “të rinjtë”, “neo-shqiptarët”, “doiçe-kultura”, dhe “diktatura e ndritun”. Le t’i marrim me radhë secilin grup:
“Të vjetrit” ishin në të vërtetë të vjetër.
Ishin merhumët e mbijetuem qysh prej natës së gjatë osmane. Ishin të fortë për arsye objektive mbasi: kishin eksperiencë pushteti prej perandorisë osmane, kishin mbas vetes krenët e malësisë, bajraktarë, bejlerë, nëpunës e feudalë dhe si të tillë ishin në krahun e djathtë të Mbretit; së dyti, të gjithë kishin pozita të nalta në shtet, bile nji pjesë e mirë e tyne ishin deputetë në Parlamentin Shqiptar; e treta, kishin në dorë edhe nji pjesë të mirë të shtypit…
Kështu që nuk ishte e lehtë me u përballë me ta. Veç kësaj ata ishin aq të rafinuem e dinakë, aq sa ishte e pamundun të kapeshe në polemika apo t’i lidhje me anë të arsyes… Sofizmat dhe arsyet e tyne ishin gjithnji nji “hazërxhevap” për t’u admirue. Përfaqësuesit ma kryesorë të rrymës së “të vjetërve” ishin Teki Selenica, Hiqmet Delvina, Fejzi Alizoti, etj.
Teki Selenica ishte ndër specialistët ma të shquem të publicistikës shqiptare të asaj kohe. Ai ishte botues i edicioneve luksoze që paraqisnin botime të mëdha dhe të ilustrueme në vitet jubilare. Ma i njoftuni qe edicioni i dyfishtë i botuem me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë së Shipërisë, në vitin 1937.
Edhe Hiqmet Delvina ishte publicist dhe gazetar me mjaft eksperiencë. Vetëm Fejzi Alizoti, nuk ishte gazetar, po ishte njeriu ma i zgjuet jo veç midis këtyne treve, por edhe ma i rafinuemi i krejt deputetëve të Parlamentit.
Fejzi Alizotin, pata rast ta takoj e të njifem me të, në kohën e pushtimit italian. Asokohe ai ishte Komisar i Jashtëzakonshëm për tokat shqiptare të çlirueme nga Jugosllavia. Mbasi e përshëndeta dhe fola me të, më tha se po shkonte të kryesonte Komisionin Shqiptar që do të përcaktonte vijën e kufinit.
Isha kureshtar me dijtë si i kishin përcaktue kufijtë, e deri ku e kishin çue vijën e demarkacionit, e për kët i drejtohem Fejziut si Komisar i jashtëzakonshëm që ishte:
- Fejzi Bej, do kisha dëshirë të shihja se si dhe deri ku i keni çue kufijtë e Shqipërisë.
- Posi, me gjithë qejf! – Dhe nisi me shpalosë para meje nji hartë të madhe. Aty pashë se nji vijë e kuqe dhe e trashë, që shënonte kufinin përtej Nishit deri edhe afër Beogradit.
- O Fejzi Bej, – i them – a nuk asht tepri ta kërkojmë kufinin deri në rrethinat e Beogradit?
- Eh, more djalë, unë deri atje kam parë njerëz me plisa të bardhë mbi kokë, si të them unë, që ata s’janë shqiptarë!
- Mund t’i kesh pà me të vërtetë, – i thashë jo pa shaka, – por ama janë ndodhë atje me pre dru. Nuk janë autoktonë ata, Fejzi Bej!
- E di mor bir, e di mirë unë kët punë. Ti je ende i ri, e nuk i njeh dredhitë e diplomacisë. Unë do të dal atje me nji kërkesë të madhe; dhe do të luftoj për at copë tokë që është e jona. Atje sigurisht do të ketë kundërshtime nga hartografët dhe ekspertët që do të mundohen të ma mbushin mendjen se e kam gabim. E mbas nji përplasje të rreptë, më në fund, do të bëj edhe unë lëshime, po avash avash, deri sa të mbërrihet, nëse është e mundur, te kufijtë e vërtetë të shqiptarëve. Aty do të këmbëngul… dhe nuk do të lëshoj më asnjë centimetër tokë. Diplomacia i ka këto lojëra, mor bir…”
“Të vjetrit” kishin organ të tyne, gazetën “Besa”, që ishte njikohësisht edhe zadhansja e qeverisë. Gazeta mbahej dhe subvencionohej nga shteti.
Ata e konsideronin veten e tyne katalizatorë, dhe bartës të përparimit të vendit. Shpallnin me të madhe veten si “Baballarë të Kombit”, si njerëz që kishin luftue e kishin derdhë gjak për fitimin e Pavarësisë shqiptare. Ata u përpoqën, e deri diku ia mbrritën qëllimit, mos ta lejonin realizimin e reformës agrare, etj.
Kjo ishte nji periudhë në të cilën kriza ekonomike e kishte pushtue krejt vendin. Uria po e dërmonte popullin. Merhumët, nga tribuna e gazetës së tyne, shpallnin se në vend “nuk kishte vdekë njeri nga uria” dhe se krejt kjo zhurmë bahej nga njerëz të pushtuem nga nji pesimizëm i pashërueshëm. Deri këtu mund të shkonte cinizmi i këtyne njerëzve që e përdornin shtypin me mbrojtë pikëpamjet e tyne obskurantiste.
“Besa”, dhe merhumët e saj e treguen veten e tyne me të vërtetë kundërshtarë të arsimit, të ditunisë e të kulturës. Ata nuk donin që të kishte shumë shkolla në Shqipni e në mënyrë të veçantë ata ishin kundra hapjes së Universitetit. Thuhej se Fejzi Alizoti, qe shprehë kështu në Parlament se: “Shqipërisë nuk i nevojiten universitete… sepse kështu do të na krijohet një superproduksion universitarësh, intelektualësh, që do të detyrohen të sillen rrugëve pa punë…”
Kjo politikë ndiqej në kohën kur afro 80 përqind e popullsisë ishin analfabetë dhe krejt Shqipëria kishte vetëm njimbëdhjetë shkolla të mesme. Zonat e thella dhe krahina të tëra nuk kishin as shkolla fillore.


*****


Grupimi i dytë ishin “Neo-Shqiptarët”, për të cilët fola pak ma nalt, por mund të them se afër tyne, pothuej në të njejtën vijë mendimi ishin edhe “të rinjtë”.
Grupi i të rinjve kishte si përfaqësues Ismet Toton e deri diku edhe Nebil Çikën, gazetar dhe publicist i talentuem.
Ismet Toto ishte nji uragan i vërtetë. Ai e dominoi shtypin për nji periudhë afro tri vjeçare (’34-’36). Ai ishte autor i broshurës së famshme “Grindje me klerin katolik”; përktheu pjesën e parë të “Heronjve të Mendimit” Platonin – Karlailin, etje. Artikujt e tij ishin doktrinarë e në mënyrë të veçantë seria e artikujve që trajtonte “Diktaturën e Ndritun”. Me artikujt e fundit, sikur nisi me e humbë reputacionin që pat fitue me artikujt e maparshëm, ku vlersohej si intelektual i dorës së parë…
Mendimin e “Diktaturës së Ndritun”, ata e lançuan në kohën kur u ngjit në pushtet qeveria liberale e Mehdi Frashërit. Ky i fundit, u ba Kryeministër, me 21 Tetor 1935 dhe ra me 7 nëntor 1936, pra qëndroi në pushtet gjithsej 12 muaj e 17 ditë.
Nuk duhet të harrojmë se gjatë kësaj periudhe u banë punë të mëdha e të randsishme në krejt vendin. Kjo ishte periudha në të cilën qeveria e re luejti nji rol të konsiderueshëm jo vetëm në rrugën e zhvillimit të kulturës, por, në mënyrë të veçantë, në ngjalljen dhe zhvillimin e shpirtit luftarak opozitar.


*****


Në kët kohë u ndez në shtyp nji polemikë e ashpër midis pleqve dhe të rinjve. Mbreti e ndiqte me shumë vëmendje kët polemikë brezash dhe nuk po anonte në asnjenin krah. Sigurisht i bëhej qejfi kur i shihte të rinjtë në ofensivë. Polemika s’e prekte as monarkinë e aq ma pak monarkun. Për të, kjo ishte e mjaftueshme… Ai gjithnji i kishte ndërmend reformat, por nji pjesë e tyne mund të realizohej vetëm duke pasë nji kabinet ma të rinjsh në politikë. Mbasi e pleqnoi me qetësi problemin dhe me ndërmarrë nji provë praktike, thërret Mehdi Frashërin dhe ia ngarkon atij krijimin e nji qeverie të re. Ministrat ishin të rinj, jo aq shumë nga mosha, se sa nga mentaliteti që ata përfaqsonin.
“Të rinjtë” e konsideruen si nji fitore të madhe ardhjen e qeverisë liberale të Mehdi Frashërit në krye të punëve të Shqipërisë. Askush s’mund ta mohojë se gjatë atij viti të qeverisë liberale, mendimi mori nji hov të ri dhe nji kah të ri, në çdo pikëpamje. Duhet ta theksoj këtu se monarku i Shqipërisë ishte Zogu, prandej si qeveri liberale… apo qeveri konservatore, mbetesh gjithmonë Mbreti ai që mbante në dorë frenat e shtetit…
Kështu, iku frika dhe fjala filloi të qarkullojë ma lirshëm. Shtypi fitoi frymëmarrje dhe hapsinë lirie, gjithsesi kishte edhe kufizime. Pozita dhe opozita haheshin si qen të tërbuem në Parlament. Shtypi qeveritar filloi me i sulmue haptas “të vjetrit”, duke fillue nga nëpunësit, deputetët, po në mënyrë të veçantë ish-ministrat. Në qendër të sulmeve ishte Musa Juka, Ministri i Punëve të Brendshme.
Gazeta “Arbënia” e drejtueme në at kohë nga Nebil Çika, ishte e para në ofensivë. Sulme e shigjeta të idhta binin nga katër anët. Nuk mbeti “merhum” pa u sulmue e pa u denigrue në shtyp… Veç Mbreti sodiste prej nalt dhe kënaqej me at paprekshmëninë e të qenit Absolut!!
Në kët kohë nis edhe botimi i Revistës “Bota e Re”, e cila, pa fort komplimente e tregoi fizionominë e saj qysh në fillim, si organ i grupeve komuniste të Korçës. Pikërisht, duke përfitue nga ky lloj liberalizmi edhe grupet e tjera komuniste, në qytete të ndryshme, filluen veprimtaritë e tyre, tashma jo ma nën rrogoz si dikur, por gjithnji e ma haptazi. Ndjehej kudo nji lloj gjallnie revolucionare, e sidomos në krejt shkollat e mesme po ndjehej ky vlim disi i çuditshëm!
Ishte gjallni e vërtetë dhe aspak e shtirun. Ishte nji kohë e artë lirie: gjallni në shtyp, gjallni ndër shkolla, gjallni ndër diskutime e debate, gjallni edhe ndër shpirtrat e njerzve për nji botë ma të mirë. Veçse Mbreti shihte dhe vëzhgonte me kujdes gjithçka, por nuk ndjehej!!
Prej Pallatit Mbretnor ai ndiqte me vëmendje jo vetëm ngjarjet po edhe personazhet. “Të rinjve” po ju delshin krahët dhe po fluturonin plot andrra drejt Lindjes së Kuqe, ama edhe të vjetrit nuk rrinin duerkryq. Ata hynin e dilnin gjithë zemërim në Pallat… E zbraznin gjithkah pakënaqësinë e tyne… dhe në shkrime e gjatë bisedave merrnin në analizë gjithçka thuhej e shkruhej, gjithçka kishin ndigjue me veshë e kishin pa me sytë e tyne… Doemos ata zbraznin ndër labirinthet e pushtetit ma të zezat dhe ma negativet që mund të sajonte mendja e tyne kundra kabinetit të “të rinjve”.
Mbreti i ndigjonte “daullet” e të gjithëve dhe e përcillte secilin me nji buzëqeshje simpatike dhe inkurajuese, nën harkun e mustaqeve të holla, ai mbante shënim jo veç ankesat, po edhe akuzat ma të egra që palët i banin njena tjetrës…
Liberalizmit të qeverisë së Mehdi Frashërit, ai vazhdonte me i lëshue pe në heshtje, ashtu si ata fëmijtë u lëshojnë pe balonave me u ngjitë sa ma nalt. Shpesh ai vërente edhe teprime në kërkesat e në dëshirat e palëve, por i kapërdinte me nji buzëqeshje paksa të hidhët, dhe sigurisht mendonte me vete:
-Po ku e keni ndërmend me shkue mor djelm, ku…?!
Dikush nga ata afër mbretit, na kish thanë se Ai i lexonte shumicën e artikujve, e sidomos ata që ishin ma të ashpërit, po nuk ishte se shqetsohej fort! Si duket kjo liri me shkrue e me thanë gjithçka, do ta kishte nji taksë, por Mbreti dukshëm s’kishte ndërhy askund… e kjo s’ishte pak…!
E megjithatë të dyja palët dukeshin të pakënaquna… “Pleqtë” vazhdonin me i fry Mbretit në vesh, sikur ata ndjeheshin ma të shqetësuem së Ai, që e kishte ende të paprekshëm vendin e vet. “Të vjetrit”, jo vetëm po humbnin pozitat dhe privilegjet tyne, por po ndjeheshin përditë e ma të fyem prej “të rinjve”.
Pikërisht në kët kohë nisi të flitej e të shkruhej gjithnji e ma shumë për “Diktaturën e Ndritun”. Kush ishte ky Diktator i “Diktaturës së Ndritun”?!… askush s’kish guxim ta drejtonte as gishtin as mendjen… Sigurisht flitej, po gjithnji me shumë kujdes! Gja e cila, si dukej i pëlqente edhe vetë Mbretit. Asnjiherë drejtpërsëdrejti. Po indirekt lihej të kuptohej se ky “Diktator” mund të ishte edhe ai vetë, Naltmadhnia e Tij… Zogu i I-rë!
Po Ai rrinte “mbi palët”, dhe e toleronte me mjaft elegancë kët mendim…
Nënzà nisi me u folë edhe ma shkoqun. Filluen me u paraqitë edhe strukturat organizative… Kryesisht mendohej për organizimin e rinisë, e cila që do të ishte shtylla vertebrore e “Diktaturës së Ndritun”. Në kët kohë ishin tri organizata rinie: Milicia Paraushtarake, Federata Sportive dhe Komiteti Kombëtar i Edukimit Artistik.
Meqë rinia konsiderohej forca kryesore e “Diktaturës së Ndritun”, mendohesh që këto tri organizata t’i shkrinin në nji të vetme dhe kjo rini e organizueme kështu, do të ishte forca vepruese e saj dhe kishte me shërbye si nji shtyllë mbi të cilën do të mbështetej regjimi.
“Pleqtë” ishin kundra “të rinjve”, sepse po humbnin në vazhdimësi pozitat e tyne në pushtet, ndërsa në pikëpamje parimore shpreheshin se “…s’kishin asgja kundra tyne!”, mbasi si “të rinjtë” ashte edhe “neo-shqiptarët” shfaqeshin publikisht si nacionalistë. Me kët pikë edhe “pleqtë” ishin dakord!!
Diçka tjetër që i shqetësonte ma fort ata.
Ishin “të rinjtë” ata, që ishin hjedhë në luftë të hapët kundra “pleqve”, pa rezerva! “Të vjetrit”, “si dhelpna plaka” ishin me eksperiencë të madhe politike në administrimin e shtetit, dhe prapaskenave, dhe iu drejtoheshin të rinjve me këshillën: “Kjo rrugë që po ndiqni asht e gabueme! Ju, padashtas po çoni ujë në mullinin e anmiqve të Atdheut tonë!”
Mbreti kqyrte në tana anët, dhe sigurisht i dukej vetja se “po luente si macja me minin…” me të gjitha grupimet!


Nga libri "Shqipëria e viteve ’30"




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:46am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ringjallja e shtypit – Përshëndetje Arbërisë
- nga Dr. Lazër Radi


  • “...Këto fjalë janë t’urta, të vërteta e që i kanë hije një atdhetari të vërtetë. Është nevoja t’u mbushim mendjen shqiptarve, se shpëtimi i tyre, buka e tyre do të dali nga vullneti, nga forca e karakterit të tyre, nga puna. Puna e bekuar, e hijshme, puna që s’e pakson njerinë, por e rrit e bën burrë dhe njeri të vërtetë...”. Faik Konica (Revista Albania)



E njoha “Arbërinë” që në vogëli të saj. E pashë të zbukurohej e të bahesh e mençun. Siç të gëzon nji fëmijë i mbarë që rritet mirë, ashtu të gëzon edhe nji organ kulturor që fillon i pakët, por me synimin për me kërkue dhe për me gjetë vetveten… Për afro gjysëm shekulli të diktaturës së kuqe, në Shqipëri u arrit të mohohet gjithçka e vlerë në fushën e kulturës dhe të mendimit shqiptar. Mohimi ishte pak. U bà çmos që të zhbihet me rrënjë nga trualli i kësaj toke.
Dy brezat e fundit të rinisë sonë qenë ata që paguan ma randë kët përndjekje kulturore.
Në kushtet e nji varfnie ekonomike dhe të mosnjohjes së plotë të krijuesve dhe të shkrimtarve të mëdhenj të kohës parakomuniste, e vështirson ripërtëritjen dhe riprodhimin e ayne veprave që janë aq të nevojshme sot, jo vetëm për ngritjen patriotike të rinisë sonë, po edhe për formimin e tyne kulturor.
Është dicka që nuk mund të mohohet: Gjatë diktaturës shumë letër u nxi e shumë botime u nxorrën në treg! Tragjedia niste aty ku mediokrit e kulturës, konsideronin si të përsosun, si kulm letrar e mendor çdo gja që shtampohej prej tyne!
Breza të tanë u përkundën në djepin e gënjeshtrave dhe mashtrimit. Sa keq për kët rini të masakrueme intelektualisht. U vranë, u burgosën, u dëbuan me qindra kollona të inteligjencës shqiptare. Nuk them se me këta që mbetën në Shqipëri dhe që u konformuen nuk u nxi letër!! Po çfarë u shkrue? Vetëm mashtrime, vetëm gënjeshtra, vetëm dizinformim. Doni nji vërtetim për këtë? Shihni libraritë e qyteteve të kthyeme në dyqane zarzavatesh!
U vra kultura. U vra mendimi shqiptar.
Ishim studentë, konviktorë, – me mjete shumë të pakta financiare… – e megjithatë, prisnim pa durim, ditën e caktueme të daljes së nji reviste ose periodiku! Me ankth e me dëshirë të ndezun prisnim poezitë, prozën letrare, studimet aq të çmueshme, polemikat aq interesante në të gjitha fushat e mendimit dhe kulturës. Ku janë sot revistat që shënuën epokë në lëvizjen intelektuale shqiptare? Ku asht “Hylli i Dritës”, ku asht “Përpjekja shqiptare”, ku asht “Illyria”, ku asht “Shkëndija”, ku asht “Bota e Re”? Ku janë??!!
Ku do të ishte sot mendimi shqiptar sikur dora mizore mos ta ndërpriste daljen e këtyne periodikëve dhe zhdukjen e tyne, nga qarkullimi?Si do t’ishim sot nga kjo pikpamje sikur mos t’ishin masakrue aq tërbueshëm njerëzit e ditunisë dhe kulturës. Kemi humbë kohë? Sigurisht!!! Për me e fitue kët kohë të humbun, do të na duhen përpjekje të mëdha, do të na duhet që njerzit e sidomos rinia, të familjarizohet me dituninë, me mendimin, me lirinë e mendimit, e mos të kërkojnë nëpër kioska “Erosin” apo “Kunjin” etj., etj., por revistat e kulturës, të mendimit, të ditunisë. Kjo ka me na ndihmue me ecë përpara e ti afrohemi Evropës.
“Arbërisë” i uroj me gjithë zemër që të bahet nji revistë e kërkueme, nji revistë që sado pak të mbulojë boshllëkun e madh shpirtnor të krijuar në fushën e kulturës në vendin tonë. Me njerëz të përkushtuem, serioz e të ditur, mund t’ia arrijë qëllimit fisnik.


Revista Arbëria, 10 prill 1993




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:50am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Sensi i Historisë
- nga Dr. Lazër Radi (1993)


Bota, jeta, realiteti në zhvillim të vazhdueshëm e të pandërpremë: kjo asht historia, ky asht sensi i saj.
Shumë diktatorë janë përpjekë me e ndalë rrjedhën e historisë duke pretendue se çdo gja zinte fill nga jeta e tyne, nga vepra e tyne, nga fjala e tyne, e cila, në ma t’shumtën e rasteve ishte e mbrapshtë. Historia nuk lejon as mashtrime, as fsheje faktesh e as përçudnime ngjarjesh. Historia asht mësuese e jetës dhe për me qenë e tillë ajo duhet të synojë absolutisht të vërtetën, duke qenë e paanshme dhe krejtsisht objektive. Nji histori e plotë paraqet tansinë e fakteve, ngjarjeve dhe dukurive ma të randsishme të lidhuna ndërmjet vedit, të mira a të këqia qofshin, pozitive a negative, duke e paraqitë të kaluemen e nji populli apo të nji kombi në imazhin e saj sa ma të vërtetë.


Për fat të keq historia e këtyne 50 vjetëve të fundit, u shtrembnue, u fallsifikue; u lanë në heshtje ngjarje e fakte të randsishme, u lanë në hije ose u zhdukën personazhe që kanë luejtë nji rol të randsishëm në jetën e Kombit tonë, u hodh baltë mbi traditat tona ma të bukura, duke ngritë kështu nji mur ndamës, nji mur të madh kinez midis përpjekjeve fisnike e patriotike të mbasrilindasve tanë nacionalistë dhe internacionalistave stalinianë e sllavo-serbë, të cilët nën maskën e çlirimit kombtar krijuen vllavrasjen dhe përçamjen kombtare ma të madhe në histori, pasojat e së cilës po i vuejmë sot dhe ka mundsi me i vuejtë edhe për kushedi sa kohë të tjera.


*****


Le të analizojmë nji kohë fare të shkurtë, nji periudhë dyvjeçare, at që stalinistët shqiptarë e quejnë periudhën e tyne ma të lavdishme e që n’fakt asht ajo që determinoi pushtimin e Shqipnisë nga serb-sllavizmi nën maskën mashtruese të komunizmit dhe të internacionalizmit proletar. Kjo periudhë shkon prej 8 nëntorit 1941 – formimi i partisë komuniste shqiptare – deri më 29 nëntor 1944 – festa kombtare e çlirimit të Jugosllavisë, pra edhe e jona: “Dita e çlirimit të Shqipnisë!” Ishin vitet e fundit të luftës së Dytë Botërore kur vendi ynë – në kundërshtim flagrant me vullnetin dhe me prirjen e vet – kaloi në orbitën e sundimit komunist serb. Populli shqiptar, në përgjithësi, e ndjente kët rrezik, them realisht: ma tepër e ndjente se e shihte. Pa marrë parasysh mashtrimet, gënjeshtrat e “lugës së artë”, mbrojtjen e vegjëlisë dhe të varfërve, të sundimit gjoja të klasës punëtore e sa e sa gjepurave të tjera, populli shqiptar e ndjente qartë se herët a vonë do të konfrontohesh me format kolektiviste dhe pseudonacionaliste të stalinizmit: me konservatorizmin, me natyrën individuale e me shpirtin nacionalist të shqiptarit. Pra, me qëllimet ma djallzore e mashtruese prej komunistave. Nji konflikt po sorollatej edhe pse nuk ishte i perceptueshëm, në fakt ishte sa real aq edhe kërcënues. Ishte nji rrezik si ato dallgët e thellësive oqeanike që arrinin gjer në dhjetra metra naltësi, por që nuk shihen në sipërfaqe.
E tillë ishte kjo periudhë!


Do t’ishte krim kombtar sikur forcat nacionaliste të mos ndërhynin në kët operacion nopran komunist, po të qëndronin sehirxhinj. Indiferentizmi jo veç që do t’ishte i pafalshëm, por mund të merrte nji cilësim tejet negativ si para historisë, ashtu edhe para brezave të ardhshëm të Shqipnisë.


*****


Pra mashtrimi i madh nisi më 8 nëntor 1941!
Mbledhja “e shqetësueme” zgjati 5 ditë. Pjestarët e përfaqësimit të komunizmit shqiptar ishin nda në dy grupe: luftonte e keqja komuniste me të mirën komuniste. Me të keqen komuniste ishin Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha dhe Enver Hoxha. Të tjerët ishin kundra. Kjo bani që ma vonë ata të dënohen si antimarksistë dhe antikombtarë. Triumfatorët e asaj mbledhje historike kërkonin të rritej dhe të forcohej dashuria e bashkëpunimi luftarak me popujt serbë, grekë e malazes.


Më 16 shtator 1942, u krijua nji intrigë, e cila do të kalojë në histori si kurthi i parë i madh i mashtrimit kombëtar. Në Konferencën e Pezës, u ftue edhe Abaz Kupi dhe nacionalistë të tjerë, të pastër e të ndershëm e të padjallëzuem e me qëllime të mira e të shejta për çlirim kombëtar. Partia Komuniste, mendonte t’i shfrytëzonte këto rrethana dhe e shpalli konferencën si nji tubim me karakter mbarëkombëtar. I mbetun në kurthin e këtij mashtrimi, populli i shtoi rradhët e luftëtarëve të lirisë. Përfaqësuesit nacionalistë aty ishin vetëm si figura, ndërkohë që komunistët banin ligjin. Në Shqipëri nisi gjithçka të bahej e mbrapsht, gjithçka po manipulohej mjeshtrisht nga komunitët dhë miqtë e tyne sllavë.

Forcat antikomuniste shqiptare mbetën në minorancë! Duhej veprue. Aty nga fundi i vitit 1942, Balli Kombtar ngriti organizatën e vet. Në gjirin e saj banin pjesë forcat ma të shëndosha nacionaliste të Shqipërisë. Balli vendosi sinqerisht të bashkëpunonte me komunistët. Takimi i parë mes tyne u ba në Tapias, me 26 gusht 1943, kurse mbledhja e dytë pak ditë ma vonë në Mukje të Krujës. Të dyja delegacionet arritën në konsensus të plotë qoftë për tokat etnike shqiptare, qoftë për çlirimin e Shqipërisë duke krijue: “Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë”. Sikur komunistët shqiptarë ta kishin pranue këtë sens të historisë, fatet e Kombit tonë sot do të ishin krejt ndryshe. Mirëpo organizatorët komunistë dhe padronët e tyne sllavë, së bashku me kllounin e tyne, Enver Hoxhën, mbasi e firmosën, e kundërshtuen kët vendim dhe e shpallën kët vendim tradhëtar, duke i hapë luftë të pamëshirshme Ballin Kombëtar dhe çdo grupimi tjetër nacionalist në Shqipëri.


Kështu shqiptari nisi të vriste shqiptarin: dhe këto vrasje po baheshin për llogari të serbo-sllavizmit. Do të qanin nanat shqiptare, e toka do të mbushej me kufoma atdhetarësh.


*****


Mora në shqyrtim të shkurtën vetëm dy çaste vendimtare, ku u përcaktue vllavrasja, aty ku u nda “shapi nga sheqeri”, d.m.th. Pezën dhe Mukjen. Kështu lufta çlirimtare u ngarkue historikisht me “hijet e luftës civile”. Ishin pikërisht kjo kohë kur Shqipnia u shkëput nga tradita perëndimore dhe stalinizmi shqiptar e drejtoi timonin e politikës kah lindja. Prej këtij çasti u futëm “kokë e kambë” në harkun politik e kulturor të Jugosllavisë, të Rusisë Sovjetike dhe Kinës.


Këtu fillon tragjedia e nji populli dhe e nji kombi!
Nëse do të ishim përpjekë me hy në orbitën e perëndimit, Shqipëria s’do të kish ndërpremje por vazhdimësi dhe ecje përpara dhe jo siç ndodhi që ndali në vend, bile pati edhe kthim mbrapa për disa shekuj. Ka plotësisht të drejtë Prof. Arshi Pipa kur thotë: “Shqipëria gjeografikisht asht e vendosun në bregun e Adriatikut, prandaj edhe kultura shqiptare duhet të synojë kontekstet europiane”.


Jetojmë sot nji periudhë të vështirë qoftë ekonomike, qoftë kulturore. Na duket sikur jeni ne nji shestim të brendshëm të tokës mbas nji tërmeti të fuqishëm. Unë besoj se do ta kalojmë edhe kët të keqe kombtare. Besoj në vitalitetin e popullit tonë e sidomos te rinia shqiptare: “Ju do ta gjeni at rrugë të mbarë dhe do t’i prini popullit drejt begatisë dhe përparimit… Vetëm Ju!”
Sa herë mundohem t’i largohem politikës, por s’mundem t’u shpëtoj hijeve dhe tentakulave të saj. Me politikë s’duhet të merren në asnjë mënyrë ata që janë angazhuem me punue me tekstet e historisë. Ata duhet të frymëzohen vetëm nga e vërteta, nga e ndershmja, nga profesionalizmi i vërtetë dhe nga thellimi në studimet, në mënyrë që në veprat e tyne të mos lanë asnji lloj politizimi. Me objektivitetin ma të madh duhet t’ia nisin punës aty ku e ka ndërprerë stalinizmi. Historia e sotme asht përplot me deformime, përplot me të pavërteta e fallsifikime të turpshme. Shumë ferra e barna të këqia po na nëpërkamben drejt së vërtetës! Duhen pastrue sa ma parë ato që të kemi nji histori sa ma afër së vërtetës, e kulluet si krojet e bjeshkëve tona. Nuk asht as e vështirë dhe as e pamundun që të kthehemi te historia e vërtetë, te nji histori e painfektueme nga dogmat ideollogjitë dhe gënjeshtrat.


Duhen shfrytëzue gjithë format e mundshme për me iu afrue sa ma pranë së vërtetës. Historian i vërtetë asht ai që e pranon të vërtetën edhe kur jo asht e hidhun. Nga historiani kërkohet domosdoshmërisht të mos jetë politikan. Politika për vet qëllimin dhe profesionin e vet e ka për detyrë të luej me të vërtetën: politikani në punën e tij udhëhiqet nga taktika, strategjia dhe interesi i grupit që përfaqëson. Nji njeri i tillë s’mundet me e shkrue kurrë historinë e mirëfilltë, nji histori pa tendenciozitet!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:53am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shampanjë e valle


Shampanja e shijshme shkëlqente ndër kupa t’arta helmi.
Nën at atmosferë ndigjoheshin vetëm melodi e tinguj të kandshëm gotash shampanje.
…Ndërkaq çupat hjedhshin valle. Kështu Jeta ndër pije dhe dashuni rrëkllehej…
Minotauri asht zgjue, – i dëshpëruem. Plagët e Jetës e mundojnë.
Del prej moçaleve të mjerueme dhe futet mu në zemër të qytetit andërrtar dhe nis me shikue: N’atë sallon të mrekullueshëm shkëlqejshin pasqyrat dhe porcelani. Ndër kuadro të bukur që stolisshin muret dukeshin, “Asat e ngjyrueme”. Mandej ndër kolltuqe të rehatshëm kadifesh shtri, vërejshin Zotnitë bujarë. Ishin të veshun me rroba të zeza e me parzëm xixllues. Vashat e hijshme, të stolisuna me xhevahira e me rroba të qëndisuna që u dukeshin si rrobet përrallore të “Njimijë e nji netëve”
Ato, plot veleti hjedhshin valle…
Zotnitë bujarë shikojnë, nëse vashat e bukura shpërndajshin gaz në të katër anët dhe shkojshin tue i shkelë synin herë njenit e herë tjetrit…
Tingujt fluturojshin me andje dhe “Demoni” modern tue mbërthye belin e vashës me dorën e vet të djathtë, shkon tue kërcye tempon magjike të tangos…
“Minotauri” plot dhimba të thella nis me u turbullue, mandej lëshoi nji ulurimë të tmerrshme. Ulurinte sepse dhimbat e kishin pezmatue… Dhe kërkonte “Jetë”
Po, ishte i etshëm për jetë… Ulurinte… dhe ulurima i dilte si hymn i nji Jetë të Re…


Lazër Radi/Gazeta "Shtypi", 21 tetor 1937




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:56am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shigjeta kah qielli
- nga Lazër Radi (1937)


Njerëz: nji… dhjetë… njimijë të panjoftun…
Të gjithë janë mbledhë në oborrin e madh – presin orën e madhe… çastin e dëfrimit! Ndërkaq në njenën qoshe, bri murit legjendar – (pse muret tradicionale të qytetit legjendar – janë plot histori!) – janë rreshtue muzikantët.
…Dritat u shuen… dhe heshtja mbretnon… pritet padurim: nji shpërthim dhe nji e dridhun toke – mandej fill e kah qielli: atje pëllciti e u grimcue në njimijë shkëndija të vogla…
Asht lajmi i fillimit – nisi momenti solemn – çasti tragjikomik! Tragjedi jete? Quejeni si të doni…
Fshatarë të ardhun prej rretheve soditshin e admironin kët moment, bile njeni asht i këtij mendimi:
-A e shef, sa bukur! Eh, po nji ndihmë e vogël e jona na nderon dhe ban që t’kremtohet shkëlqyeshëm kjo festë… Kët e përsëriti shumë herë… haaa… propozonte ndihmë për festë! E pra e – nji këmishë, e nji palë brekë në kët natë vjeshte; ia mbulojshin trupin… por… ç’ka me ba?!
Festa vazhdonte…
Ndërkohë të vjetër e të rij s’mund të duronin pa i çue sentimentalisht sytë kah qielli – si poetët romantikë të viteve të vdekuna – e nji “mëshirë” të marrë kërkojshin… E vërejshin… e kështu gjithnji. Fushqetat herë mbas here çoheshin e shpërthenin në ajër… Mija sy i synonin ato krisma e drita ngjyrash ekzotike – dukej sikur donin me përpi çfaqjen e dehshme të ndonji idhulli… por ishin të gënjyem, sepse ato përzierje kimike s’ishin të destinueme për mrekulli: ato bajnë vetëm at efekt që u cakton vetë dora e njeriut… por, turmat… ato shpresojnë gjithnji… dhe kanë të drejtë; janë arsimue me supersticione e gënjeshtra: armë kryevepra të parazitëve…
Ato përziemje kimike, lëshonin përherë tym-tym të dendun… e nën ato shllunga reshë të krijueme, populli, me sy t’sgurdulluem, shikonte por, s’shihte ma përtej… megjithatë – ai – shikonte hyj të rij, me njimijë ngjyra të bukura – hyj të mëdhenj e të vegjël – hyj me bisht e pa bisht!
Kohët kalojnë. Në çdo çast kemi ndryshime jete; “Kulti modern” asht caku. Dikush mbrriti i pari – dikush pak ma vonë e dikush tjetër s’donte me shkue, asht ajo kategorija utopike – e dikush tjetër me nji “Ti s’guxon me shkue atje!”… Në kët farzë të fundit jemi ne… Nejse – tashma dihet se ata që mbrrijtën të parët në kultin e caktuem kanë për simbol: punën, energjinë e inisiativën… tri pikë të vetme, të thjeshta e bujare: altari i njeriut modern. Ata që e panë, e kuptuen – prandaj e adhurojnë. Atje sirenat grishin gjenerata të tana në nji tempull – jo në tempullin e apoteozave të kota, por në tempullin e punës. Atje nuk ndihen tingujt e kombeve – janë ba fli e simboleve të reja…
Sot, njerëzit inteligjentë s’humbin as kohë, as para për… drita… me ndezë qiellin me fishekzare e me shpue idhullin me shigjeta të zjarrta. Ata e kanë lanë idhullin me fjetë – jo, as me fjetë, po në agoni. Njerëzit modernë mendojnë se: vuejtjet nuk shuhen me fishekzare, por shtohen. Jeta jonë asht jetë mjerimi, e prandaj mendojnë me gjetë shtegun e përmirësimit; mendojnë të mjeruemin vëlla, të mjerët e Kozmosit.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 09:59am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Tragjedija e jonë


Larg… larg ndër do bjeshkë t’thepisuna u ndigjue nji krizmë pushke…
Nji hyllë u shkim… Ra nji fli dashunije që s’njofti se çka asht lumtunija… Kjo tragjedi, tash pak ditë, u ul prej maleve e bjeshkëve të thepisuna…
“As qyqe për ne s’këndon… Na rrahën, na munduen e na kjem të detyruem mos me thanë të vërtetën” – thote Ceni, – që ishte thirrë si dëshmitar i kësaj skene tragjike. “Tash, mbasi jam para gjyqit, qe, po jua diftoj t’vërtetën” – Flitte dishmitari tue e mbajtë njenën dorë mbi Kuran e tjetrën nalt; si të donte me i nënvizue fjalët që i thonte. Flitte pa droje, e sytë e zjarrtë i vrumulliste kah gjykatësi…
Ndërkaq malësorja e re, e bukur dhe pak e zbetë si dritë kandili, malsorja e re që ishte shkaku i kësaj vrasjeje… vërente e ndigjonte ne heshtje… Demiri i lidhun me hekura të randë, i qetë, e ndoshta edhe i kënaqun për sodisfaksionin e vet, shikonte në nji mënyrë diskrete herë dishmitarin e herë malsoren e re…
I shkreti! A thue përsëri dëshiron me kenë i lumtun? A thue përsëri dëshiron me kenë i përkdhelun e i dashunuem? A thue andrron me i bashkue buzët e veta të trasha me buzët e malsores së re, me ato buzë të kuqe si qershi?… Mos ndoshta ndërgjegja asht kah e mundon? Nuk e di, veçse, posa mbaroi zotni dishmitari, gjaksori u çue dhe mohoi gjithçka… Mohoi çdo relacion me malsoren e re “me at grue të ndytë…” Ah! Tash ishte e poshtme dhe e ndytë… Po, u këputën krejtësisht vargojtë e dashunis e bashkë me të edhe shpresa për me kenë i lirë…
Paradoks. Vrasje për dashuni! Kjo smundje e keqe paska çerdhe edhe ndër malet t’ona virgjin? Po, bile nji “Po” e zezë! Demiri pse dashuronte malsoren e bukur shkoi dhe i vrau të shoqin. Çudi! Vrau nji njeri! Shujti nji hyll. Sadisti! Derdhi gjak vetëm për me krye dëshirën e vet shtazore. Derdhi gjak, pse dëshira e tij kje ma e madhe se gjykimi… Tashti para drejtësisë mohon… Mohon gjithçka… Dorën e përgjakun e ven mbi Kuran… Flet… Mbrohet… Por… tepër vonë… gjaku u derdh… Nji trup u ba akull… Tragjedi!
Burimi asht epshi i pafrejshëm… Dëshira gjithmonë duhet kontrollue prej arsyes së pastër.


Lazër Radi/Gazeta "Shtypi", 1 tetor 1937




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 10:05am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Vullneti i përgjegjsisë


Kriza e shpirtit na verboi.
Nga kjo krizë po vuejnë jo vetëm individët që përbajnë nji kolektivitet të përcaktuem politik, po vuen dhe rrezikohet edhe entiteti atdhe, komb. Nga kriza e shpirtit kemi mbrritë në nji anarki mendimesh e dëshirash. Kombi ynë, sot për sot, asht në kërkim të vetvetes, në kërkim idealesh të reja e në kërkim të nji qendrueshmënie të rendit botnor të harruem me nji politikë amorale.
Hovi me të cilin nji popull kërkon të kalojë prej nji stadi ma të ulët në nji stad ma të naltë, me përmirësue gjendjen e vet, asht shenjë e parë e vetëdijes së nji kolektiviteti që ka vendosë me jetue njerëzisht mbi sipërfaqen e tokës.
Sikur kjo luftë e kjo dëshirë të zhvillohet në fushatën e ideve të ndrituna e të lira, në fushën e nji veprimtarie krijuese, kombi ynë do të ishte në gjendje me e gjetë rrugën e daljes nga kjo tragjedi e sotme shpirtnore në mënyrë të paqendrueshme e ndërtuese. Ideja nuk imponohet me force. Ideja nuk shtypet me forcë. Ideja në vetvete asht forcë e madhe që ka krijue qytetërimin dhe i ka dhanë dritë botës.
Nji komb që asht hedh në luftën e ideve duhet të mos e humbë arsyen. Kur humbet arsyeja, ideja, sado e naltë dhe ideale që të jetë, bahet shkatrruese dhe shkatrrimi asht aq i fuqishëm saqë në përplasjen e dy ideve shkatrrohet kryekëput objekti për të cilin u bà lufta, shkatërrohet populli dhe kombi. Ideja asht nji forcë dhe si e tillë i imponohet mendjes, zemrës e shpirtit, sepse ideja e ka vlerën në vetvete… prandaj nuk ka nevojë të imponohet me pushkë.
Ne shqiptarët, po kalojmë sot krizën ma të madhe të jetës sonë kombtare. Këto kriza janë nganjiherë të mira, sepse nëpërmjet luftrave përpjekjeve e flijimeve kombi e gjen vetveten dhe rrugën e drejtë. Por fatkeqësisht kjo krizë na gjeti në çaste të vështira, në çaste në të cilat asnji komb i Europës nuk e ndjen veten të sigurtë. Çasti i pasigurisë së qenësisë sonë na urdhnon që si kolektivitet, si entitet politik e si komuniteti etnik t’i zbusim urrejtjet, të shuejmë egërsinë e vullnetit shkatërrues dhe të bashkohemi në këto çaste të vështira dhe të pasigurta.
Idetë, sikurse shumë gjana në kët botë, e kanë teprue, dhe në vend të luftës së bukur, të arsyeshme dhe krijuese, janë bërë anarkike, liberale dhe shkatrruese. Lufta ideologjike ka pushtue instiktin brutal të vrasjes, të vëllavrasjes, të shkatërrimit të kombit. Nuk mund të luhet me zjarrin. Ne i bëjmë thirrje të gjitha vullneteve të shëndosha që të bashkohen në idenë e qenësisë sonë, sepse ndërsa kombi asht kundra njëri-tjetrit me shkatërrue vetveten e kështu me e zgjidhë negativisht dilemën tonë, të jemi a të mos jemi…
Ne kërkojmë në fatet e këtij kombi të martirizuem gjatë gjithë shekujve, gjatë gjithë historisë së qenësisë: traditat e veta dhe virtytet e racës. Ashtu sikurse çdo njeri e ndjen si detyrë me sakrifikue gjithçka për arritjen e qëllimeve të veta, të përcaktueme si ideale të qenies së vet, ashtu të gjithë pjestarët e nji shoqnie, të nji entiteti s’mund të mos japin çdo gjà, edhe veten e tyne, për triumfin ose për fitoren e atyne idealeve kombtare që për ta janë gjaja ma e shenjtë, ma bujare, ma e naltë: Atdheu, kombi; s’asht gjà tjetër veçse simboli i lidhjeve ma të thella ndërmjet individëve të nji shoqnie.
Kombi ynë ka kalue shumë kriza dhe të gjitha i ka kalue duke ruajtë me vetëdije vlerat e veta, njësinë e vet shpirtnore dhe vullnetin e shoqnisë. Edhe kësaj here Perëndia shqiptare do të na ndihmojë me e ruejtë tansinë e kombit. Inteligjenca shqiptare, aristokracia e mendimit tonë, e vetmja fuqi e pathyeshme dhe ma e naltë se çdo fuqi tjetër ka për me ditë me e zgjidhë kët krizë shkatrruese duke marrë mbi vete përgjegjësinë e çastit.
Përgjegjësia pranohet në çaste të jashtzakonshme, kur kriza kombtare arrin në palcë e kur kushtetuta e shtetit asht në rrezik të thyhet si degët e thata në stuhi. Inteligjenca shqiptare kërkon të bahet përgjegjëse dhe çdo gjà tjetër që s’asht inteligjente, mundohet me i ikë përgjegjësisë politike dhe historike.
Pikërisht kjo përgjegjësi siguron, garanton dhe bind për drejtësinë e veprimit të inteligjencës shqiptare që e ban të quhet aristokracia e kohës së re. Përpjekja e inteligjencës shqiptare drejtohet për një qëllim të shenjtë: të shpëtojë në çdo çast krize Atdheun dhe të ruej thesaret dhe traditat e racës sonë. Para historisë sonë inteligjenca shqiptare do të dijë me marrë nji qëndrim të premë: Atdheu mbi të gjitha.


Shkruar nga Lazër Radi me pseudonim Ushtima e Sharrit në gazetën “Bashkimi i Kombit”, 1944.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 10:08am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Demokracia shqiptare dhe partitë


Shqipnia ka nji mënyrë qeverimi demokratike. Historikisht kjo asht nji mënyrë politike që ma shumë i përshtatet frymës sonë kombtare. Mjafton t’i hedhësh nji sy pjesës së statutit të Kanunit të Maleve që të bindeni se ne demokracinë e kemi si formë qeverisjeje tradicionale. Natyrisht, demokracia e maleve tona asht nji demokraci primitive, por asht trajta ma origjinale e saj. Në shtetet moderne demokracia ka ardhë duke u përhapë por, baza e saj themelore ka ngelë gjithmonë ajo e vjetra, qysh prej Herodotit e këndej.
Demokraci do të thotë ajo formë qeverisje në të cilën sovraniteti i shtetit jepet jo njenës, as disa klasave të veçanta, por të gjitha përmasave të komunitetit ose pjesës ma të madhe të tij. Kjo do të thotë se ndër shoqnitë që veprojnë më vete, sovraniteti i takon pjesës ma të madhe të popullsisë.
Te grekët e vjetër demokracia, si sundim i shumicës, kishte kuptimin e kundërt të monarkisë, që do të thotë sundim i nji njeriu të vetëm; gjithashtu kishte kuptimin e kundërt të oligarkisë, që do të thotë sundim i nji klase të vetme, të privilegjueme si nga ana e të lemit ashtu edhe nga pasunia.
Ma vonë, kur demokracia mori përpjestime ma të gjana, kuptimi i saj krahasohej me formën e qeverisë ku sundonte klasa ma e varfën, klasa ma e ulët sepse ajo përbënte shumicën e popullsisë. Mirëpo, kuptimi i vërtetë i demokracisë mbetet gjithnjë ai i vjetri, që do të thotë: “Qeveria e shumsisë”, duke i bashkue në gjinin e vet të gjitha klasat dhe të gjitha shtresat e popullsisë që përbajnë nji shoqni të caktueme.
Në demokraci, siç dihet, liria dhe siguria individit, liria e mendimit dhe e të shprehunit, liria e shoqnive ma të vogla si p.sh. ajo e partive, janë elemente themelore të saj. “Liria asht nji qëllim më vete, asht ma i nalti i të gjitha qëllimeve politike; liria nuk asht nji mjet i thjeshtë për qëllime të tjera!”.
Lind pyetja: Si do ta përdorë populli shqiptar këtë liri të vetën? Në liri, shqiptari a ka për t’u përmbajtë apo do ta teprojë atë?
E dinë se pa liri s’mund të zhvillohet as kultura dhe as përgatitja e vërtetë politike e popullit shqiptar. Duke pasë nji kritikë të lirë, nji kritikë objektive, kritikë pa paragjykime, duke pasë liri mendimi e shprehjeje, ne do të mundohemi të zgjedhim elementët ma të mirë, ma të aftë e ma të përshtatshëm për të drejtue jetën tonë politike dhe që ta përfaqësojnë denjësisht pjesën ma të madhe të popullit shqiptar. Nëqoftëse ne e përdorim këtë liri si fre për mbarëvajtjen shoqnore, liria ka për të qenë e dobishme dhe ne kemi për ta meritue plotësisht atë, përkundrazi, nëse do ta përdorim si mjet për interesa vetiake, për abuzime, për demagogjina, atëherë asht ma mirë që mos ta kemi kët liri!
Tash lind pyetja tjetër: A do të mund të krijohen parti të ndryshme në Shqipëri dhe cili do të jetë funksionimi i tyne? E dimë se këtu tek ne partitë mund të damtojnë ashtu siç mund të sjellin dobi. Mund të na damtojnë sepse nuk e kemi arritë ende (këtu nënkuptojmë krejt shoqninë shqiptare dhe jo individët e izoluem), pjekuninë e vërtetë politike dhe prandaj përbamja politike – ideologjike mund të na sjellë plagë të reja, mund të na damtojë sepse ne jemi nji popull i vogël, me mjete ekonomike të kufizueme, prandaj politika e shteteve ma të mëdha mund të ndikojë edhe në çeshtjen tonë të mbrendshme, të cilat janë dhe duhet të mbesin çeshtje shqiptare; mund të na damtojnë, ma në fund, për arsye të indisiplinimit të instikteve që i kemi në gjak e që mund të na shkaktojnë trazime e turbullime të tilla sa me rrezikue qenësinë tonë si komb e si shtet.
Mirëpo kemi edhe anën pozitive të partive. Nga rrahja dhe shoshitja e parimeve dhe të tendencave të ndryshme mund të krijohet nji lëvizje intelektuale e vërtetë si dhe nji interesim për çeshtjet e brendshme dhe të jashtme ma i gjallë, ma krijues; mund të krijohet nji opinion ma i shëndoshë dhe ma i arsyeshëm sa ta zgjedhë vetë rrugën e arsyes dhe së mirës; nga vëzhgimi dhe mbikqyrja e partive, organet përmbaruese, janë të detyrueme të ndjekin nji rrugë të drejtë dhe për të mirën e përgjithshme.
Këto janë shkurtimisht damet dhe të mirat që mund të na vijnë nga krijimi i partive të ndryshme. Tashti duhet me i peshue damet dhe të mirat dhe nëpërmjet tyne duhet të gjejmë rrugën ma të mirë, po në kët rrugë duhet të mbikqyrim në mënyrë të veçantë të mos damtojmë interesin e përgjithshëm shqiptar, interesin kombëtar.
Vetëm në kët frymë e me kët shpirt partitë shqiptare mund të jenë krijuese dhe pjesë pozitive e tanësisë shqiptare. Kohët e fundit formimi i disa partive shqiptare ka dhanë përfundime negative. Kemi vù re se çdo parti që asht formue nuk ka pasë nji bazë ideologjike të shëndoshë dhe as nji program të përcaktuem në interes të masave e të shoqnisë. Mund të themi se janë krijue parti për nji sistem politiko-ideologjik dhe me nji frymë kombtare të gjymtë.
Dami ma i madh për ne ka qenë se këto parti të rastit u krijuen dhe u drejtuen prej të huejve e ne mund ta marrim me mend se sa mund të na dojë nji i huej që s’ka asnji lidhje shpirtnore me ne.
Këto parti u krijuen në luftën e përgjithshme të popullit për rifitimin e pavarësisë. Mirëpo Partia Nacional-çlirimtare po e vazhdon luftën… Ata po luftojnë gjithnjë. Kundra kujt po luftojnë? Cilin po vrasin? Vëllanë. Çfarë po djegin e po shkatërrojnë? Tokën shqiptare, fshatrat shqiptare. Nacional-çlirimtarët janë duke u bà Kainat e jetës shqiptare. A nuk do të ishte ma e mirë dhe ma e dobishme që në vend që të luftojnë ndër male kundër vllazënve të tyne, të zbresin në fushë, të organizohen në nji parti të rregullt dhe të marrin pjesë si kolektivitet i organizuem në jetën politike shqiptare?
Ne nuk i trembemi asnji lufte ideologjike; ne i kemi ftue dhe vazhdojmë t’i ftojmë që të marrin pjesë në jetën tonë politike. Ne do t’i luftojmë, edhe ata le të na luftojnë me armën e idesë, me armën e arsyes. Violenca brutale, pushka dhe thika janë armiqtë e idesë dhe të arsyes, prandaj nuk mund të rrihen me ide dhe me arsye por po me ato mjete, domethënë me forcën brutale, me pushkë dhe me thikë.
Të përdorësh pushkën në vend të idesë do me thanë t’ia heqësh tjetrit lirinë vetiake, lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit dhe të zgjidhjes së vullnetshme. Nëqoftëse doni t’i kurseni popullit shqiptar gjakderdhjen, mjerimin dhe shkretimin ejani dhe merrni pjesë në jetën tonë politike, ejani të ndërtojmë aty ku armiku na shkatërroi, ejani të bashkohemi për të mbrojtë atë çka armiku i ri mund të na e shkatërrojë nesër. Kjo do të ishte lufta ma e bukur – lufta ideale – lufta me të cilën parimet dhe tendencat rrihen e shoshiten me dritën e arsyes dhe të lirisë, lufta ku liria vetjake dhe shoqnore respektohet, por asht lufta me të cilën edhe ndërtohet jeta ekonomike dhe politike. Mbrenda këtyne kufijve përcaktohen edhe parimet demokratike.


Shkruar nga Lazër Radi me pseudonim Ushtima e Sharrit në gazetën “Bashkimi i Kombit”, 1944.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Feb 19 2017, 10:11am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kosova vendi i luftrave të para për pamvarsi


Shtypi kombtar, qysh ditën që vendi ynë e shkundi zgjedhën fatkeqe të zaptuesit, ka fillue të merret me Kosovën, me djepin e shqiptarizmit, me at truall që asht Jeruzalemi i gjithë shqiptarëve, ku ajka e burrnisë dhe e trimnisë ka dhanë kurdoherë kushtrimin.
Truelli i Kosovës u mbrojt me gjak dhe me eshtnat e bijve të saj, të cilët si heronj u derdhën në çdo kohë që trupat e armikut u sulën për me bà at tokë pronë e pasuni të tyne. Shekuj të shumtë kaluen, gjak i madh u derdh, por kosovari qëndroi gjithmonë shqiptar, për mos me u përkulë përpara armikut dhe e mbrojti tokën e vet ashtu si e kishin zakon të parët e tyne.
Në Kosovë u banë luftnat ma të përgjakshme, në Kosovë u derdh gjaku përrua, në Kosovë u ba Lidhja e Prizrenit, lidhja e besës shqiptare, që nëpër afshin e dashnisë për Atdhe, burrat shqiptarë i treguen botës mbarë, se shqiptari për së gjalli nuk bahet rob i anmiqve shekullorë, i atyne që veç tek e vona na erdhën fqinj. Në Kosovë filloi lëvizja e Rilindjes shqiptare, dhe prej andej filloi agjitacioni për përhapjen e ndjenjës kombtare me Haxhi Zekën e të tjerë. Historia kombtare asht dëshmitare për veprat e bame në Kosovën tonë. Në kët truell u banë luftat e para për liri 1910-1912. Kaçaniku dhe Ferizaj janë dëshmitarë: Për atë që bënë kosovarët, asht zani i Bajram Currit, që thirri dje e që thërret edhe sot “Kosova asht Shqipni!”. Asht zani i idealistit, asht zani i dlirë që thotë: Shqipnia me kufijtë e 1913-ës nuk mund të jetojë.
Ne dje kemi pà heroizmin e Kosovës, kemi qà me lot robninë e saj nën zgjedhën sllave. Zoti vonon por nuk harron, thotë nji proverb i vjetër i popullit. Kur valëvitej në ajrin e pastër të Kosovës dykrenshi i Skëndërbeut, simboli kombtar, ne shqiptarët e ditës së sotme, i vumë Kosovës: Djepit të Nacionalizmit shqiptar emnin: Shqipnia e Madhe.


Shtypi i djeshëm, i shitun kambë e krye në intrigën politike të fashizmit, na e trumbetoi duke thirrë: Shqipëria e Madhe u realizue. Kjo ishte nji dhimbje për shumë shqiptarë, të cilët nuk kishin andërrue dhe as mendue se do të ketë Shqipni të Madhe a të Vogël.
Kemi ditë se ka vetëm nji Shqipni, nji Shqipni etnike, gjuhësore, me kufijtë e saj të natyrshëm, Shqipni me kufijtë e 1913-ës, pa Kosovën e dinim se asht e cungueme. Dhe qanim për Kosovën dhe punuem për Kosovë, por që të quhet e Madhe nuk ishte ushqye në zemrën e ndonji shqiptari. Për fashizmin do ta kishte at kuptim, se politikanët e Imperias fshinin mbas kësaj fjale, qëllimin e shfrytëzimit ekonomik të Kosovës; ata mendonin atë që Perëndija shqiptare nuk e kishte thanë, atë që nesër ta quanin koloni të fitueme me gjakun e bijve të vet. Për ne as ka pasë as do të ketë Shqipni të Madhe, a të Vogël, por do të ketë vetëm nji Shqipni, të dhanë prej natyrës shqiptare e të mbrojtun me gjakun e bijve të saj, që u banë e do të bahen fli në altarin e shenjtë të Atdheut.
Shtypi shkruajti n’ato kohë për bukuritë e Kosovës dhe tregoi pasunitë e saj të begatshme, kështu u lëshuen ushunjëzat e fashizmit me shpirtin e tyne të pangopun, jo për ta naltësue mendërisht, moralisht e materialisht, që për tridhjetë vjet vuejti kërbaçin, thikën, plumbin e torturat e barbarit serb, por për ta mënjanue, për ta ndrydhë e për ta varfnue;
Ditët e para qenë ditë gazi e mallëngjimi: lotët e syve preknin zemrat e njeri-tjetrit; zemra i foli zemrës, shpirti shpirtit dhe gjaku gjakut. Këto ditë plot dashni shkuen gjatë se armiku vështroi, pa dhe punoi, ai gjet në Shqipni shqiptarë të kuletës e të kolltukut. Gjeti bij shqiptari të bastarduem, e nëpër rrugë të administratës që urdhëronte, e mbushi Kosovën me gjithë farë elementësh; i la të lirë të vepronin si të donin, mjaft që të fitohesh ftohtësia midis njëri-tjetrit. Ç’thurja kapi kulmin, spiunazhi gjeti fushë, e kur ngrihej ndonjë zà për nji “Mjaft mà!” humbiste si nëpër shkretëtirë. Por Kosovari edhe në këto ditë, ndejti burrë, ai e kuptoi qëllimin e anmikut, prandaj përgojoi me nji fjalë popullore: “I joti mishin mund t’më hajë, por kockën ka me ma ruejtë!”.
Tash kemi nji qeveri kombtare që e dalun nga gjiri i popullit, e forcueme prej nacionalistëve të shqiptarizmës, do t’u vejë kujdes shërimiyt të plagëve. Kosovari s’kërkon asgja nga ne, vetëm të vllaznohemi dhe ta ndihmojmë në luftën që ai mendon për mbrojtjen e truellit të Kosovës që asht njikohësisht total e shqiptarizmës: mos me e lanë përsëgjalli që kambë e huej ta shkeli at truell, por ta mbajmë porosinë e Bajram Currit:


“O Shqipni me Kosovën, ose të gjithë dëshmorë në fushën e nderit!”


Ky duhet të jetë vendim i premë i çdo shqiptari që e don me të vërtetë Shqipninë.


Shkruar nga Lazër Radi me pseudonim Ushtima e Sharrit në gazetën “Bashkimi i Kombit”, 1944.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
Go to page  1 2  

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3793 sec, 0.0734 of that for queries. DB queries: 49. Memory Usage: 3,442kB