Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Dritëro Agolli
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 10:10pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shkrimtar, publicist, veprimtar shoqeror, anetar i Akademise se Shkencave te Shqiperise.

Dritero Agolli lindi ne Menkulas te Devollit, me 13 tetor 1931. Mesimet e para i mori ne vendlindje, te mesmen ne shkollen “Asim Zeneli” (Gjirokaster), ku beri dhe sprovat e para letrare. Ne vitet 1952 – 1957 ndoqi studimet e larta ne Fakultetin e Letersise te Universitetit te Leningradit. Ne vitet 1957 – 1972 punon si redaktor e gazetar ne te perditshmen “Zeri i popullit” (shih). Ne vitet 1973 – 1992 ka qene kryetar e Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise. Dritero Agolli eshte nje nga figurat qendrore te poezise shqipe dhe nje nga perfaqesuesit me te rendesishem te “brezit te viteve 1960”.

Kritik ndaj frymes tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritero Agolli solli ne poezi ndjeshmeri e figuracion te ri, duke e perterire sistemin e vjersherimit shqip. Ai eshte pruresi i poezise se “unit” te forte. Prirja per vetepohim u duk qysh ne vellimin e tij te pare “Ne rruge dola” (1958), por u shpreh me qarte ne poemat “Devoll – Devoll” dhe “Poeme per babane dhe per veten”. Poezia e Dritero Agollit nuk e ndan te pergjithshmen nga vetjakja, ben sintezen e kolektives me individualen. Dritero Agolli ruajti prej vlerave me te arrira te poezise se tradites – frymen popullore. Ai krijoi nje gjedhe te re vjersherimi, qe ndiqte Naimin, duke metuar risine. Rruga e rritjes se tij te shkalleshkallshme poetike shprehet ne librat: “Hapat e mija ne asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll – Devoll” (1964), “Mesdite” (1968), “Baballaret” (1969), “Nene Shqiperi” (1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhetoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypesi i kohes” (1995), “Fletorkat e mesnates” (1999). Dritero Agolli shfaqi ne poezi nje perfytyrim vetjak per “temen e madhe”, duke kerkuar madheshtine poetike prej perjetimeve te subjektit te zakonshem; duke zgjeruar shumefish hapesiren e realitetit ne poezi dhe duke i ndryshuar rrenjesisht raporte ndermjet tyre. Kjo poezi ndikoi ne teresi per nje klime letrare me te bute ne Shqiperi. Krijimtaria e Dritero Agolli ne thelbin e vet eshte liriko – epike, ndryshe nga ajo tradicionale, qe mbahej kryesisht ne lavderine epike. Dritero Agolli e pruri poezine shqipe prej shqetesimi te pergjithshem tek shqetesimi i njeriut. Poezia e tij pershkohet nga kulti i vendlindjes, i tokes, i bukes, i parmendes, i familjes, i prindit, i babait. Ajo sundohet nga bota e gjalle, shpirtezimi i mjedisit, shenjterimi i natyres, i ares dhe bagetise. Ne kete tipar te poezise se tij shfaqen gjurme te botekuptimit panteist bektashian. Dritero Agolli krijoi ne poezi imazhin e nje Shqiperie ideale.

Vepra me e rendesishme idealizuese dhe njeheresh me e angazhuar e tij eshte poema “Nene Shqiperi”. Gjate gjithe rruge se vet krijuese me se gjysmeshekullore, Dritero Agolli eshte poeti i dhimbjes njerezore dhe i filozofise jetesore. I vemendshem ndaj dramave te medha te popullit, ai u be njeheresh poeti i dhimbjes vetjake te njeriut. Dritero Agolli njohu nje ringjallje poetike ne dy dekadat e fundme. Me vellimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypesi i kohes”, “Fletorkat e mesnates” autori shpall sfiden e tij te re te mjeshterise. Ne keto vellime shperfaqet poeti me ideal te tronditur, qe duhet te gjeje vleren dhe kuptimin e jetes se vet dhe te brezit qe perfaqeson ne kushtet e tronditjeve te medha te shoqerise dhe te ndryshimeve rrenjesore te rruges drejt se ardhmes se saj. Ne teresine e vet poezia e Dritero Agollit nuk ka perthyerje qe lidhen me keto ndryshime. Ajo eshte poezi e vlerave dhe shqetesimeve njerezore, poezi e krenarise dhe drames, e lartesimit dhe goditjes, e nyjetimit te gjendjeve poetike te imeta dhe fine. Dritero Agolli perballoi me dinjitet sfiden per t’i dhene vleren e merituar lirise. Vepra me e hershme ne proze e Dritero Agollit, eshte vellimi me tregime “Zhurma e ererave te dikurshme” (1964), qe u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi (1965). Keto tregime, nje pjese e te cileve u ribotuan ne fund te vitit 1980 ne librin “Njerez te krisur ”, jane te mbushur me personazhe jotipike. Ne to heronjte paraqiten bashke me cenet e tyre duke iu shmangur skemes per heroin tipik pozitiv. Romani “Komisari Memo” (1970) eshte vepra me e angazhuar e Dritero Agollit ne proze. Ne te autori poetizoi “kohen e komisareve”, qe ishte pjese e kultit te luftes antifashiste, e cila sundoi per shume kohe letersine shqipe. Figura me e plote e romanit eshte komandanti Rrapo, i cili ben pjese brenda llojit te “njerezve te krisur”, qe permban ne teresine e vet letersia e Dritero Agollit. Ne romanin “Njeriu me top” (1975) Dritero Agolli, zbuloi nje marredhenie tjeter, krejt te ndryshme nga ajo e “Gjeneralit te ushtrise se vdekur” te Ismail Kadarese (shih) sa i takon raportit te njeriut shqiptar me armen. Zot e rob i armes, i magjepsur dhe marrosur prej saj, personazhi qendror i librit ben cudira e marrezira nga me te pabesueshmet. Ndonese romani merr nje teme nga lufta, nyja dramatike e tij qendron ne faktin universal se morali i nje brezi ka ardhur ne kundershtim me ate te brezit te meparshem. Romani “Trendafil ne gote” (1980) u prit me nencmim nga mendimi letrar si nje “liber roze”. Me kete veper Dritero Agolli provoi te bente nje sfide tjeter ne letersi, duke krijuar nje personazh, drama e te cilit eshte se gjendet midis disa dashurish. Kotributi me i rendesishem letrar ne proze i Dritero Agollit konsiderohet “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo” (1973). Kronike e karrieres se palavdishme te nje zyrtari, romani eshte ne te njejten kohe pasqyre e pozites se pandashme te vartesit te tij. Produkt i njeri – tjetrit, dy personazhe kryesore, Zyloja dhe Demka, sikurse ndodh pothuajse ne te gjitha veprat me karakter humoristik, jane pasqyre e anes qesharake dhe njeheresh dramatike te funksionimit te burokratizmit. Zyloja eshte nje figure fatkeqe, ku behen bashke miresia e qellimit me humbjen e ndjenjes se realitetit te mases per te verteten. Ndryshe nga shume burokrate te tjere skematike qe kishin permbytur jo vetem letersine shqipe, por edhe publicistiken, Zyloja eshte nje burokrat me drame. Ne thelbin e kesaj vepre, si dhe te romani “Arka e djallit”, qendron antiskematizmi. Kete te fundit Dritero Agolli nisi ta shkruaje ne fillim te viteve 1980, per ta perfunduar ne fillim te viteve 1990. Ne jeten shqiptare kishte hyre nderkaq nje kuptim tjeter i lirise. Romani e perballoi horizontin e ri te pritjes. “Arka e djallit” eshte nje veper e shkruar me shkujdesje ndaj disiplines. Ajo eshte deshmi per faktin se personalitetet e fuqishem te letersise shqipe kane qene me te lire se metoda e tyre krijuese. Dritero Agolli duke vendosur ne qender te romanit te tij kerkimin e nje tabuje, duke kerkuar te ndaluaren, shfaqen me nje permase mendimi qe gjendet mbi lirine shteterore. Shkrimtari arrin nje shkalle te larte lirie me “romanin brenda romanit”, me “arken e djallit”, ku gjendet verpra e ndaluar. Ajo quhet “Shakaja e ndaluar”, titull qe te kujton romanin e njohur disident te M. Kunderes “Shakaja”. Ne kete shkalle te lirise krijuese Dritero Agolli realizon nje veper ku nuk ka censure dhe autocensure. Disa prej veprave me te arrira te Dritero Agollit kane qene nen vemendjen ideologjike te autoriteteve zyrtare. Romani “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo”, qe botohej pjese – pjese ne revisten “Hosteni”, u nderpre ne menyre te heshtur (ne vitin 1990 autori botoi variantin e plote te vepres). Per “kundervajtje ideologjike” u qortuan edhe dramat “Mosha e bardhe” dhe “Fytyra e dyte”. Ndersa per romanin “Deshtaku”, qe pruri tek lexuesit nje realitet me drame, u mbajt heshtje. Nje pjese e madhe e veprave te tij jane botuar ne shume gjuhe te huaj. Ka qene deputet ne Kuvendin Popullor dhe ne Kuvendin e Shqiperise per disa legjislatura (1974 – 2005). Dritero Agolli ka marre Cmimin e Republikes te shkalles se pare dhe eshte dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.






Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 10:13pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264





Ç'të bësh?


Ç'të bësh kur s'të flihet,
Ç'të bësh kur je vetëm, me cilin të zihesh,
Me cilin të rrihesh?


Ç'të bësh kur s'të flihet,
Ç'të bësh kur je vetëm, cigarja të pihet,
Çakmaku s'të ndizet!


Ç'të bësh kur s'të flihet,
Ç'të bësh kur je vetëm, me cilin të gdhihesh,
Dhe natës t'i fshihesh?




[ Edited Mon Feb 27 2017, 04:07pm ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 10:14pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Jeta

Njeriu jeton, krijon, lufton çdo dite
Dhe vjen nje çast dhe syte mbyll perjete,
Kete me kohe e dime qe te gjithe
Dhe s'vihet ne dyshim kjo e vertete.

Po une kur te futesha ne toke,
Kur njerezit te mblidheshin ne dhome,
Do desha te mendonin miq e shoke:
- Ka shkuar me sherbim dhe vjen me vone.

1977


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 10:16pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Mos ma kujto!

E shkuara ka çaste dhe ore te hidhura,
mos ma kujto!
Per shembull, me pe me duar te lidhura,
mos ma kujto!
Per shembull me pe ne rruge te pire,
mos ma kujto!
Te pire e te humbur, te share e te grire,
mos ma kujto!
Per shembull me rrahen dy-tre vagabonde,
mos ma kujto!
Tek shihja nje grerez tek rrinte mbi gonxhe,
mos ma kujto!
Per shembull pesova diku nje disfate,
mos ma kujto!
Dhe gjumi s'me zinte me dite e me nate,
mos ma kujto!
Per shembull me pe duke ecur e qare,
mos ma kujto!
Mbeshtetur pas murit me zemer te vrare,
mos ma kujto!
Per shembull me pe duke ngrene e genjyer,
mos ma kujto!
Te prishur, te shturur, te rene e te thyer,
mos ma kujto!
Per shembull ne shtrat s'u bera burre,
mos ma kujto!
I turpshem u drodha si qengj nen lekure,
mos ma kujto!
E shkuara ka ore dhe çaste te hidhura,
mos ma kujto!
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen te thirrura,
mos ma kujto!


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 10:18pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Mjegulla e dashurisë

Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg,
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha
Një mjegull pus, një çmenduri
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.

Dhe ndoshta kjo ish dashuria
E çakërdisur kuturu...
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 10:24pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ngaherë në pritje

Sërish të pres të vish:
Na qënka jeta pritje
Në shpirt, në gjak, në mish,
Në gaz e në mërzitje.

Dhe unë e them ta dish:
Sa dukesh ti në derë
Pranvera hyn në shpirt
Dhe shpirti në pranverë.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 10:57pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Jan 18 2017, 11:21pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sun Jan 22 2017, 07:59pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Paqyra, macja dhe unë


Mes meje dhe maces në dhomë
Pasqyra qëndron mbi ca rraqe...
Vetveten ne bashkë e vështrojmë
Dhe macja dhe unë në paqe.


Sa mirë që qënkemi unë e një mace
Dhe shihemi drejt në fytyra,
Po të ishim dy njerëz, betohem, se paqe
S'do kishte kjo dhomë, do thyhej pasqyra...


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Fri Feb 03 2017, 08:31pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Sot, më 3 shkurt 2017, u nda nga jeta Dritëro Agolli, një nga shkrimtarët më në zë të Shqipërisë.







Epigrafi!


Do jetë siç ishte më parë,
Do ketë të rinj edhe pleq,
Dhëndurë të krehur, të larë
Dhe nina-nana mbi djep.


Do ketë parti dhe shoqata,
Patjetër dhe njē president,
Dhe dita do ndërrohet nga nata,
Pas natës do ketë mëngjes.


Vërtet, si tani do të jetë:
Në rrugë do ketë asfalt,
Në rrapin me mjekër - fletë
Dhe dredhëz të kaltër mbi gardh.


Po unë? Atje në varreza,
Përzier me dhé sigurisht.
Një gur me shkronja të zeza:
"Po prehet një ish-komunist".


Ndonjë poetuc do të thotë:
"Nuk qënka çrrënjosur ky qen?"
Një zë do përgjigjet nën tokë:
"Jam hiri, të zotin në libra e gjen"!...



Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Fri Feb 03 2017, 09:07pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Një përmbledhje e jetës dhe disa fakte që ndjellin kureshtje


1. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë.


2. Agolli 16 vite të jetës i ka kaluar në fshatin Menkulas, 4 vite në Gjirokastër kur ishte gjimnazist, 4 vite në Shën Petërburg (atëherë Leningrad) të Bashkimit Sovjetik.


3. Që nga mosha 25 vjeçare jeton në Tiranë, në katin e tretë të një apartamenti në Rrugën e Dibrës. Deri në vitin 1991 ka qenë komshi me shkrimtarin tjetër të madh, Ismail Kadare, në pallatin e shkrimtarëve.


4. Në moshën 9-vjeçare përfshihet në Luftën Nacional Çlirimtare. Merr detyrën si korrier i çetave partizane. Një përvojë që Agolli e përmend shpesh në kujtimet e tij.


5. U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën.


6. Me Sadijen u njoh në dasmën e Ismail Kadaresë me Helenën, në vitin 1963, në shtëpinë e Kadaresë. Agolli pyet pedagogun e Letërsisë, Naum Prifti, për vajzën që studionte për Letërsi në Universitetin e Tiranës.


7. Për herë të parë u martua gjatë kohës që ishte me studime, me rusen Nina, në vitin 1956, kur ishte 25 vjeç. Martesa zgjati shtatë vite, derisa Shqipëria prishi marrëdhëniet me Rusinë. Nga martesa e parë Agolli ka një djalë, Arjanin, i cili jeton në Rusi.


8. Në Rusi, Agolli u kthye pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë. Udhëtimin e tij në Shën Petërburg e bëri në vitin 1991, kur mes Shqipërisë dhe Rusisë nuk kishte më sistem komunist.


9. Ditëlindja e Dritëro Agollit përkon me rilindjen e një tjetër gjiganti të letrave shqipe. Më 13 tetor ka lindur Millosh Gjergj Nikolla. Në të njëjtën datë, 20 vite më pas, lindi dhe Dritëro Agolli.


10. Rruga krijuese e Agollit nis në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku boton në shtypin e kohës poezitë e para të ndikuara nga autorët e Rilindjes dhe folklori shqiptar.


11. Veprën e parë, Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë me vjersha “Në rrugë dolla”, i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Më pas, sprova e dytë letrare është përsëri me poezi, vëllimi “Hapat e mia në asfalt”.


12. Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, Agolli bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Siç thotë vet Agolli, edhe pse kishte botuar poezitë e para, mendonte se letërsia mund të zhvillohej vetë dhe duke ndjekur rrugë të tjera në jetë.


13. Kërkesa për të ndjekur studimet për Veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili e kishte fiksuar emrin e poetit të ri. “Ky djalë ka botuar vjersha, ndaj nuk ka për të studiuar për Veterinari, por të shkojë me studime për Letërsi”, kanë qenë fjalët e ministrit që i ndryshuan rrjedhën e jetës Agollit.


14. “Para se të bëhesha student, kur isha nxënës, ëndërroja të bëhesha veteriner, sepse më pëlqenin shumë kafshët. Unë mbaja një manar, një sheleg manar dhe ai flinte me mua, unë flija në atë shtrojën me dërrasa, ndërsa ai flinte poshtë nën mua. Nuk më ndahej kudo që shkoja. Më kujtohet, kisha një kalë në shtëpi, shumë të mirë. Edhe në dasma shkoja me të; ne djemtë shkonim në to se kush do t’ia çonte shaminë e nuses i pari në vatrën ku martohej dhe këtë punë bënim me kalin e shpejtë. Një mbrëmje kali ishte shtrirë në haur. Mua më dukej sikur qante, dhe qante vërtet. Vete në shtëpi dhe them se kali po qan. “Jo mor, – më thanë, – se nuk shtrihet kali, ai edhe kur fle, fle në këmbë”. Vajtëm të gjithë dhe vërtet kali ishte shtrirë, na pa një herë të fundit dhe vdiq. Kjo më ka mbetur merak dhe prandaj kërkova të bëhem veteriner kur mbarova gjimnazin”, ka thënë Agolli në një intervistë për dëshirën e tij për t’u bërë veteriner.


15. Momentet më të hidhura të jetës së tij, Agolli i kujton me shkrimet që ka lexuar nga autorë të ndryshëm pas viteve 1990 në adresë të tij. Por hidhërimi ka qenë më i madh kur autorët janë miqtë e tij të dikurshëm apo njerëz që i ka ndihmuar në krijimtarinë letrare.


16. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Një pozitë jo e këndshme kjo për shkrimtarin që njihej si një karakter rebel.


17. Në Kongresin X të Partisë së Punës, Agolli bëri dhe kthesën më të madhe të karrierës së tij politike teksa u rreshtua në forcat progresiste. Një veprim që i kushtoi shumë në sytë e komunistëve që kërkonin të mbanin me fanatizëm sistemin.


18. Dritëro Agolli ka marrë dhe kërcënime me vdekje pas vitit 1991. Ishte pikërisht fjalimi i Kongresit X të PP-së që solli mërinë e komunisteve ndaj shkrimtarit. Në adresë të tij u dërguan letra kërcënuese për të personalisht dhe familjen e tij.


19. Në vitin 1991, Agolli ka ndenjur i izoluar tre muaj në shtëpinë e tij në Rrugën e Dibrës, për arsye sigurie. Ministria e Brendshme vuri roje në pallatin e tij pas sinjalizimeve për ndonjë sulm të mundshëm nga huliganë.


20. Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992.


21. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.


22. Dritëro Agolli ka qenë që në vitet ‘90 anëtar i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë.


23. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Pas largimit të deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi, Agolli zëvendësoi atë.


24. Agolli kujton si momentet më të lumtura të jetës së tij studimet në Rusi, daljen e librit të parë në botim më 1958, martesën me Sadijen në 4 tetor 1963, si dhe botimin e veprave të tij në gjuhë të huaja.


25. Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit. Në Parlament mbahet mend për urtësinë dhe fjalimet brilante në podiumin e Kuvendit.


26. Romani “Komisari Memo” është një nga librat e Agollit që është bërë film me titullin “I teti në bronz”. Ky film është shfaqur edhe në Kinë, ku është pritur mjaft mirë nga publiku kinez.


27. Dritëro Agolli ka thyer edhe parimin se vetëm pas vdekjes bëhesh legjendë. Ai që tani është një legjendë e letrave shqiptare, në këtë mënyrë shkolla 9-vjeçare në fshatin e tij të lindjes, Menkulas, që tani mban emrin e tij.


28. Por jo vetëm shkollat mbajnë emrin e Dritëro Agollit. Tashmë në Tiranë një shtëpi botuese ka pikërisht emrin e Agollit. Shtëpia botuese quhet “Dritëro” dhe është ndër shtëpitë botuese më të mira në Tiranë.


29. Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime. Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.


30. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”.


31. Shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Ceremonia është zhvilluar me rastin e përvjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë dhe çmimi iu dorëzua nga kryebashkiaku Edi Rama.


32. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. Dritëro Agolli është anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.


33. Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë evropiane”.


34. Dritëro Agolli e Ismail Kadare kanë qenë të përfshirë në Fjalorin Enciklopedik që në vitin 1985. Por ata ishin një përjashtim i jashtëzakonshëm në vitin e hershëm 1985! Pasi që të përfshiheshe në Fjalorin Enciklopedik, në ato vite duhej të mos ishe më në jetë.


35. Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës.


36. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Është i pari që krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej në atë kohë “për të bashkuar masat”.


37. Dritëro Agolli ka punuar për 15 vjet me radhë si gazetar i gazetës “Zëri i Popullit”. Më pas ai kaloi si shkrimtar i lirë i inkuadruar edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.


38. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, Dritëro Agolli ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.


39. Agolli filloi të shkruaj vjershat e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Për poezinë e parë të botuar ai shprehet: “Im atë e kish prerë pjesën e gazetës ku ishte botuar poezia, e kish vënë në kutinë e duhanit dhe mburrej në fshat: Ja ky është poeti im”.


40. Libri “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” është vepra që veç famës i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas daljes së tij, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke shkatërruar administratën”.


41. Dritëro Agolli është nga ata shkrimtarë që nuk e ka braktisur asnjëherë të shkruarën me dorë. Ai nuk ka përdorur kurrë makinë shkrimi dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe bën edhe me kompjuterin.


42. Dritëro Agolli nuk mban numër personal celulari. Ai vazhdon të përdorë numrin fiks të “Albtelekomit”. Ndërkohë në disa raste flet me numrin celular që mban bashkëshortja e tij, Sadija.


43. Dritëro Agolli është shkrimtari që ka bërë poezi për këto kafshë dhe insekte: kecat, dhentë, dhitë, maçoku, qeni, kali, lejleku, rabecka, pleshtat. Agolli është shkrimtari që ka bërë poezi për këta njerëz të familjes: gruan, babanë, nënën, djalin. Agolli u ka bërë poezi njerëzve që kanë pasur këto profesione:berberi, biznesmen.


44. Dritëro Agolli është i pari që ka futur në fjalorin e përditshëm të shqipes fjalën pijetar, duke e zëvendësuar fjalën pijanec. Të ishe pijetar, do të thoshte të ishe një njeri që ta doje pijen, por të mos bezdisje të tjerët.


45. Një nga historitë më të famshme të treguara për pijet është ajo kur gënjeu Sadijen sikur i kishte ardhur një shkrimtar turk me emrin Moskat Kanella dhe i duhej të ikte dhe ta shoqëronte. Në fakt kishte ardhur dy litër raki “Moskat” që do ta shoqëronte me kanellë.


46. Një histori tjetër me pije është kur me një kolegun e tij garoi se kush pinte më shumë konjak.


47. Në vitin 2005 ai është propozuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të qenë kandidat për çmimin “Nobel”. Por nuk ka pranuar të jetë kandidat. Sipas tij, Ismail Kadare është i vetmi shqiptar që duhet të jetë kandidat dhe që duhet ta fitojë këtë çmim prestigjioz.


48. Frazat më të goditura që Dritëro Agolli ka dhënë për shtypin pas ‘90-s janë: “Nëse PS është kënetë, ti Fatos je bufi i kënetës”; “Shqipëria tani është me dy shtete”.


49. Dritëro Agolli është shprehur se një nga ata që mund të futeshin në ambasadat e huaja në 2 korrik 1990 ishte edhe i biri i tij, Artani. Ai e kishte kundërshtuar këtë vendim duke i thënë se, nëse do të futej atje, ai do të mbyllej në një shpellë të thellë.


50. Agolli apo Kadare? Për më shumë se 50 vjet, fansat janë ndarë më dysh. Porse, siç thotë vetë Agolli, asnjëri nuk mund të ndahet dot nga tjetri. Sipas tij, nuk duhet të ketë më pyetje kush është më i madh e kush më i vogël, kush ka qenë më i përkrahur e më pak i përkrahur. Agolli ka treguar në një intervistë se kryeministri Mehmet Shehu u është drejtuar të dyve: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.


51. Miqësia e dy korifenjve të letërsisë shqipe, Dritëro Agollit dhe Ismail Kadares, zë fill në gjimnazin e Gjirokastrës në vitet 1950. Agolli ishte dy vite shkollore më i madh se Kadare, por bashkë bënin pjesë në rrethin letrar të shkollës, ku dhe i recitonin vjershat njëri-tjetrit.


52. Agolli së bashku me Kadarenë janë dy krijuesit që e ngritën letërsinë në nivelin e asaj ndërkombëtare. I përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist.


53. Veprat kryesore të Dritëro Agollit janë shkruar gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, edhe pse nën skematizmin e kohës, romanet tij kapin tema universale dhe janë të vlefshëm për të gjitha sistemet dhe të gjitha kohërat.


54. Dritëro Agolli është ndër të paktët krijues dhe njerëz të artit që e ka të qetë ndërgjegjen me të kaluarën e tij. Është i vetmi që pas rënies së komunizmit, e pranon se ka qenë komunist dhe ka punuar për komunizmin.


55. Dritëro Agolli rendit dy shkrimtarë turq si miqtë e tij më të mirë të huaj. I pari, Jashar Qemal; si dhe shkrimtari satirik, Azis Nesin.


56. Karakteristika më e veçantë e Dritëro Agollit është thjeshtësia me të cilën komunikon, ulja në tavolinë, biseda e thjeshtë dhe mikpritja në shtëpi. Dhoma e ndenjes së tij është kthyer shpesh në dhomë bisedash mes miqsh, dashamirës, gazetarësh, por edhe njerëz të thjeshtë që kanë dashur vetëm ta takojnë.


57. Dritëro Agolli është i vetmi shkrimtar që pas vitit 1990 e ka takuar një personazh real, të cilin e ka pasur personazh në libra dhe në filma. Bëhet fjalë për Sejfi Protopapën, i cili është personazhi real i Sali Protopapës në romanin “Komisari Memo” dhe në filmin “I teti në bronz”.


58. Dritëro Agolli ka marrë cilësime të tilla nga politikanë, analistë dhe gazetarë: Patriarku i PS-së, mendimtari i të majtës, shkrimtari politikan.


59. Për kritikën letrare, Agolli renditet në panteonin e letërsisë shqipe. Nëse në poezi Kadareja krijoi “Shqipërinë tjetër” që vinte nga lashtësia. Agolli gjatë viteve të diktaturës tregoi “Shqipërinë alternative”. Në krijimtari epiko-lirike që dallon nga pjesa tjetër e letërsisë së realizimit socialist.


60. Gjatë krijimtarisë letrare, në të gjithë veprën e Agollit vihen re shtatë tipare kryesore në të cilat mbështetet arti i tij. Kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me botën, miti i atdheut, historia e të parëve, zhgënjim për kohën dhe humbjen e saj, dhe e ardhmja optimiste.


61. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tre libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist.


62. Në një intervistë të dhënë për median shqiptare, Agolli ka thënë që nga librat që ai nuk do t’i harrojë kurrë janë “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe librat me poezi “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj i menduar”, etj.


63. Gjeniut të letrave shqipe i është bërë edhe një bust. Shoqata e Devollit ka çelur në Menkulas një dhomë-muze, ku ka një kënd të veçantë edhe për bustin e tij. Busti është bërë nga skulptori i njohur, Mumtas Dhrami.


64. Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”.


65. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte “Horizonte të hapura”.


66. Agolli, i cili është edhe autor i një sërë skenarëve për dokumentarë, ka megjithatë edhe një poemë që ka shërbyer si skenar për një dokumentar shqiptar me regji të Endri Kekos. Bëhet fjalë për “Partizanin Meke”, i punuar në një formë të cilën Dritëroi e quan origjinale dhe që ishte gjysmë film artistik dhe gjysmë dokumentar.


67. Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”. Pas 1990-s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj.


68. Dy janë dramat më të njohura të Dritëro Agollit. “Mosha e bardhë”, e cila u ndalua nga botimi gjatë diktaturës, si dhe drama “Fytyra e dytë”.


69. Shkrimtari që vuajti nga censura në diktaturë, në intervistat që ka dhënë në shtyp thotë se ka një tjetër censurë për krijuesit jo më pak të rrezikshme sesa e parë: “Censura e parasë”.


70. Agolli arriti sukses fillimisht si poet i tokës. Përmbledhjet e hershme me poezi “Në rrugë dola”, 1958; “Hapat e mia në asfalt”, 1961; dhe “Shtigje malesh dhe trotuare”, 1965; e paraqitën atë tek lexuesit si një poet lirik të sinqertë dhe të talentuar të tokës, dhe që tregoi teknikë mjeshtërore në vargjet e tij.


71. Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjuhës shqipe. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut.


2. Poezitë më të njohura të Dritëro Agollit janë, “Kur të jesh mërzitur shumë”, “Kur një mëngjes”, “Ëndërr e prerë”, të cilat dihen përmendësh nga shumë vetë. Ndërsa poemat më të vlerësuar janë “Poemë për babanë dhe për vete” dhe “Devoll-Devoll”.


73. Agolli në poezitë e tij është ndikuar dhe nga poetët rusë si Lermontov, Esenini, Pushkini etj. Kjo pas studimeve që bëri në Shën Petërburg, ku mori dhe bazat e letërsisë bashkëkohore.


74. Reportazhet e Agollit gjatë kohës që punonte si gazetar janë përmbledhur para viteve 1990 në një vëllim të veçantë. Si në çdo gjini tjetër të krijimtarisë letrare edhe këtu Agolli tregon një finese të veçantë dhe një mjeshtëri të rrallë.


75. Në veprat e një shkrimtari ka gjithmonë diçka për të rishikuar. Mirëpo dhe këtu Agolli bën ndryshim. Në ato të pakta ribotime që ai u ka bërë veprave pas 1990-s, nuk ka ndryshuar asgjë nga ato që ka shkruar gjatë diktaturës.


76. Në vitin 2007 një vëllim me poezitë e Agollit është përkthyer dhe në rusisht. Vepra përmbledh poezitë e tij më të mira dhe titullohet “Nga vjen kjo muzikë”. Është përkthyer nga miku i tij gjatë kohës që ishte student në Shën Petërburg, Ilia Fonjakov.


77. Dritëro Agolli është një ndër rastet unikalë të krijuesve që edhe pas viteve të rinisë vazhdon të shkruajë poezi. Ndërkohë që zakonisht pas viteve 30, krijuesit letrarë i përkushtohen prozës. Agolli vazhdon të shkëlqejë në të dyja gjenitë.


78. Për herë të parë Dritëro Agolli është takuar me Sali Berishën kur ky i fundit ishte ende fëmijë. Agolli kishte bujtur në kullën e të atit të Berishës në Viçidol të Tropojës, si shok i vëllait të Berishës. Ndërkohë më vonë koha i takoi përsëri në formacione të ndryshme politike.


79. Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.


80. Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë.


81. Një vit më parë u botua libri “I përndjekuri i dashurisë”, një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli. Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dëshmi se poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar më shumë poezi dashuri se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar.


82. Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.


83. Para pak ditësh Dritëro Agolli i ka rrëfyer gazetarit Ilir Kadia çastin më të vështirë të jetës. Dhe këtë rrëfim, Kadia ka dashur ta ndajë me miqtë e tij në Facebook, ku ai shkruan: “Sapo e pyeta Dritëroin: cili ka qenë çasti më i vështirë në jetë për ty o Dritëro? E zhyti kokën në re një copë herë të gjatë dhe më tha: Kur isha i vogël fare, gjyshi më bëri një qerrkë me dy rrota dhe një bosht të gjatë! Unë nuk e pëlqeva dhe e mora e përplasa në tokë. Qerrka u thye! “Po pse o Dritëro?! Shiko si i vrava gishtat për ty një muaj të tërë!”-më tha gjyshi i mërzitur shumë…”


84- 50 vjetori i martesës me Sadien dhe shkëmbimi i unazave në moshën 84 vjeçare.


85- Botimi surprizë i përmbledhjes me poezi të pabotuara të Dritëroit 85-vjeçar.



[ Edited Sat Feb 04 2017, 03:04am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 04 2017, 03:12am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo





Ndonëse vetë shkrimtari është shprehur se me "Arkën e Djallit" do të ndryshojë përfytyrimin e letërsisë shqipe, për një shumicë lexuesish kontributi më i rëndësishëm letrar i tij në prozë është "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" (1973). Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari "në vijë", romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin. Vitet e fundit, veçanërisht pas botimit në Francë, këtij romani i është rikthyer vëmendja.


Rreth tij është debatuar shumë. Janë hequr paralele dhe janë bërë analogji me vepra të ngjashme që nuk gjetën tribunë botimi në vende të Lindjes ish - komuniste. Me këtë rast është përmendur, jo pa njëfarë çudie, shkalla e lirisë së krijimtarisë tek autorët më të talentuar në Shqipëri. Për një gjykim më pranë së vërtetës rreth kësaj çështjeje, ndoshta duhej vënë në dukje fakti që ky roman u paraqit fillimisht si pronë letrare e së vetmes revistë humoristike të vendit - "Hosteni" - si dhe fakti tjetër i njohur, që e qeshura mundëson gjithçka.


Përmbysjet e mëdha fillojnë me humorin. Kur një periudhë historike mbërrin kohën e humorit, kjo do të thotë se ajo ka trokitur në çastin e zbaticës. "Ushtari i mirë Shvejk shembi lavdinë e perandorisë", thotë Hasheku. Për burokratët dhe servilët është shkruajtur jo pak, por faji përgjithësisht i është hedhur njërës palë: ose eprorit arrogant, ose vartësit të përulur. Kurse në romanin humoristik të D.Agollit, Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë "Zylyftar" dhe "Demir", ku nuk merret vesh ku fillon "modernizimi" dhe ku mbarojnë "përkëdhelja dhe përqeshja", e meritojnë plotësisht njëri - tjetrin.


Të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, ata janë njëherësh bashkëfajtorë për lëngatën që e vetëvuajnë. Për artin e humorit paraqitja e dy personazheve në bashkëfajësi është një zgjedhje e njohur. Mjafton të kujtojmë, bie fjala, lidhjet midis Don Kishotit e Sanço Pançës në veprën e mirënjohur të Servantesit, Oliver Hardin dhe Sten Laurelin.


Edhe Zyloja me Demkën të tillë janë, një në dy apo dy në një. Ata ushqejnë njëri--tjetrin dhe nuk mund të ndahen. Zylo pa Demkë dhe Demkë pa Zylo nuk mund të ketë. Cili prej tyre është më shumë fajtor? Kjo nuk është një gjë që zgjidhet lehtë.Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkia shtetërore është edhe hierarki meritash.


Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nëpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos.Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragji - komike.


Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike. Zyloja nuk është i vetëdijshëm për sëmundjen që e mundon. Ai nuk është një burokrat skematik, që shquhet që atje tej.


Përkundrazi, lexuesi e mbyll librin i bindur se, po të mund të bëhej i ndërgjegjshëm për dobësinë, shokut Zylo ndoshta do t'i vinin mendtë dhe do të gjente forcë për të ndrequr veten. Prandaj ai është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me padijen, me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën.


Në këtë kuptim, Zyloja i shfaqet lexuesit në një pamje sa të rrezikshme, aq edhe për t'i qarë hallin. Zyloja nuk i beson faktit, por imazhit që ka në mendje, iluzionit. Përmasa e jetës në mënyrën e të menduarit të tij është zëvendësuar nga idetë format. Subjektivisht Zyloja e konsideron veten në pararojë të shoqërisë, kurse objektivisht e kufizon atë. Këtu ndahet edhe qëndrimi emocional i autorit.


Ai e përqesh, e satirizon, e vë në pozitë të vështirë personazhin e vet, por edhe i dhimbset, e justifikon disi, madje, në një farë mënyre, ka raste kur duket qartë se e merr në mbrojtje, duke mos e zhveshur nga çdo vlerë. Situatat që kalon Zyloja i jeton me seriozitetin më të madh, kur të tjerët mezi e mbajnë të qeshurën. Duke ngatërruar forcën e ligjit, të kompetencës, të të drejtave si epror, me forcën e argumentit, që është autoriteti më i lartë, ai i mvesh vetes atribute të pamerituara, beson verbërisht në forcën çudibërëse të urdhrit, të fjalës. Duke imituar modelin që ka zgjedhur si shpresë për "nëpunësin në ngjitje", ai shmanget nga vetja.


Burokrat i çuditshëm, në të shumtën e herës i dehur nga një realitet që nuk ekziston, i mërguar nga jeta e vërtetë, megjithatë, here - herë Zyloja thotë disa të vërteta lakonike dhe të befta, që ai i quan "ese". Në këto raste është shumë e vështirë të përdoret për të emërtimi burokrat. Madje thua: "sa mirë do të ishte të mos e pushtonte ajo sëmundje e mallkuar, ajo marramendje, ajo dehje që vjen nga iluzionet, ai dyzim i realitetit".


Hasheku, në parathënien e romanit të tij të njohur "Ushtari i mirë Shvejk", thotë se kënaqësia dhe vlerësimi më i madh për të ka qenë kur dëgjoi një ushtar t'i drejtohej me emrin e personazhit të tij shokut të vet. Këtë kënaqësi duhet ta ketë ndier edhe autori i romanit "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo".


Zyloja dhe Demka janë bërë shenjime kategorish të shoqërisë. Edhe si burokrat, Zyloja është i veçantë, disi kapriçioz, kontradiktor, krejt i pangjashëm me një galeri të tërë personazhesh të këtij lloji, që gjenden në letërsinë humoristike apo johumoristike. Zyloja është një burokrat me dramë, burokracia e tij nuk është butaforike dhe estradeske. Natyra e dyfishtë, mospërputhja ndërmjet qëllimit dhe përfundimit, i provokon lexuesit emocione tejet të kundërta.


E rëndësishme është se cilido që të jetë emocioni: dhimbje, keqardhje, përqeshje, lexuesit i shkakton ndjenjën e refuzimit ndaj pozitës së personazhit. Zyloja dhe komisari Memo janë dy prej personazheve që e kanë vënë autorin në provën e skemës. Një burokrat dhe një komisar, në një letërsi të mbushur me burokratë dhe komisarë, ishte e vështirë të kishin individualitetin e tyre.


Nëse D. Agolli edhe në këto dy raste e tejkalon skemën, duke krijuar një burokrat të vërtetë dhe një komisar të vërtetë, kjo do të thotë se ai e ka mundur skemën. Demka, nga ana e tij, gjlthashtu është sa qesharak, aq edhe i mjerë. Dikur njeri me talent, me kohë ai e ka lënë rrugës individualitetin dhe dhuntinë e vet, për t'iu nënshtruar "vullnetit të detyrës", një eufemizëm për vullnetin e eprorit.


Ai nuk e ka zotësinë magjike të kundërshtimit dhe lexuesi thotë "mirë t'i bëhet", por prapë së prapë ndjen keqardhje për të. Me Demkën, autori paralajmëron se njeriu i zakonshëm mund ta shpërngulë fajin nga vetja dhe të gjejë një alibi, por ai që ka hyrë në botën e mediumeve publike nuk ka alibi. Individi fiton aq liri sa meriton. Për skllavin e bindur më e mira është skllavëria. Ku mund të jenë sot, pas dy dekadave jete si personazhe ndërmjet lexuesve, Zyloja dhe Demka?


Një gjë mund të thuhet me siguri: ata përsëri janë bashkë. Ndoshta mund të kenë ndërruar rolet. Kjo ndodh shpesh me çifte të tillë personazhesh. Në romanin e njohur të Servantesit në fillim Don Kishoti është krejt jashtë realitetit, në botën e iluzioneve, kurse Sanço Panço habitet me lajthitjet e të zotit. Por në fund të romanit është Sanço Panço që e humbet sensin e realitetit, duke besuar se është emëruar guvernator i një shteti, ndërsa Don Kishoti habitet me naivitetin e shqytarit të tij.


Fragment nga libri


Nuk kisha dëshirë të shkoja në asnjë zyrë. Isha lodhur duke ndenjur në kolltuk para shokut Zylo. Veç kësaj, më pihej një kafe. Kështu që pas tij dola edhe unë. Hyra në kafe "Tirana" dhe u ula në një tavolinë përballë dritares. Duke ndenjur i menduar, fillova të qeshja me vete: "Për mua shoku Zylo është fenomenal.


Me shumë njerëz kam punuar. Shumë njerëzve ua di psikologjinë, karakterin, tekat. Por njerëzit që kam njohur nuk mund të krahasohen me shokun Zylo. Si do të më shkojë puna me të, vallë? Më duket se ky do t'i shkruajë vetë referatet dhe raportet. Unë vetëm do t'i mbledh të dhëna. Të paktën kështu do ta kem më lehtë..." - mendova i ulur në tavolinë.


Pastaj, aty për aty, më ndriti një mendim: "Sikur të shkruaj çdo ditë në një fletore pjesë nga bisedat me shokun Zylo, pjesë nga fjalimet e tij në telefon pjesë nga kuvendimet e tij me njerëzit, kjo do të jetë diçka e rrallë. Po, unë do të merrem përsëri me letërsi! Ta shohë Zenepja se cilat do të jenë tregimet më të forta, ato që shkruan Adem Adashi me fejesa e shfejesa, me burra shpatullgjerë e me hoxhallarë, apo ato që do të shkruaj unë..."


Prapë qesha, por këtë radhë me zë. Por papritur, pas kësaj qeshjeje, më pushtoi një trishtim i pakuptuar. Në ndërgjegjen time të dytë vinte jehona e raporteve. Kjo jehonë gjithnjë kështu më ndiqte. Edhe kur më shfaqej ndonjë gëzim i turbullt, jehona e raporteve goditëse në muret e ndërgjegjes sime dhe ma shuante këtë gëzim të pandezur.


Edhe te shoku Zylo, - mendova me vete, - nuk do të shpëtoj nga raportet. Unë i duhem shokut Zylo, prandaj kërkoi të më mbajë pranë. Ta zemë se për një kohë ai do të më lërë të qetë. Pastaj? - pyeta veten. - Në mos më ngacmoftë shoku Zylo, do të më ngacmojë shoku Q. Edhe shokut Q i duhen raportet. Kurrizi yt, o Demkë, do t'i mbajë të gjitha letrat e nxira të futura në dosje të bardha!"Përsëri qesha si psikopat: "jo, jo, më duket se po lajthit..."


Në tavolinë m'u kujtua ftesa e shokut Zylo. Sa e priste! Me siguri ajo nuk i ka ardhur. Kot e pret. Ai e di që nuk i vjen. Edhe sikur të mos i ketë ardhur, do të thotë se i erdhi, por nuk kishte qejf të shkonte.... Shoku Q. ka rrezik ta lërë mbrëmjen solemne dhe të shkojë në shtëpi të shokut Zylo (sipas mendimit të tij).Më erdhi keq për të. Sikur të kisha një ftesë do t'ia jepja. Le të shkonte...


Tek rrija në tavolinë, pashë nga dritarja Bakirin, një nga kolegët e mi. Ai më vuri re dhe u kthye.
- Ne thamë se do të punoje në zyrën tonë; ti e paske punën me shefat, - tha ai.
- U paraqita për herë të parë.
- E, të dha udhëzimet?
- Biseduam, - u përgjigja.
- T'i tregoi studimet e para në "prizmin shkencor"? - qeshi ai.
- Folëm për gjëra të tjera, - thashë, pasi nuk doja ta merrja nëpër gojë shokun Zylo.
- Po partiturat e Diogjenit t'i tregoi? - pyeti ai përsëri.
- Jo.
- Çudi! Ai i mban në çantë..., - tha Bakiri duke qeshur.
- Do të merrni një kafe? - e pyeta.
- Asgjë nuk do të marr, - tha ai. - E njihnit mirë më parë shokun Zylo? - shtoi.
- Pak.
- Unë e njoh mirë. Dikur kam pasur mjaft miqësi. Ai kujton se unë tallem me të dhe është larguar, - tha Bakiri.
- Keni qenë edhe më parë bashkë në ndonjë punë?
- Kemi qënë në një klasë në shkollë. Pastaj ai u ngrit në përgjegjësi. Megjithatë, përsëri vazhdoi miqësia jonë. Edhe tani kemi njëfarë miqësie.


Heshtëm për një çast. Nga dritarja frynte një erë e ngrohtë. Perdja e hollë lëkundej dhe herë pas here më binte në fytyrë.
- Ëndrra e shokut Zylo është të emërohet ambasador në ndonjë vend të Evropës, - tha Bakiri.
- E kam dëgjuar, - thashë unë.
Bakiri qeshi.
- Na tha një ditë se i ishin lutur ta emëronin ambasador në një shtet të huaj, por e kishte refuzuar, sepse nuk i pëlqente jeta monotone, pa njerëz të njohur, pa vende të njohura... "jashtë shtetit është mërzi për njerëzit që janë mësuar mes një shoqërie të madhe", - na tha.
Edhe mua mu qesh.


Bakiri e imitonte zërin e tii me përpikmëri të madhe. Ai u jepte fjalëve intonacionet e shokut Zylo, ai bënte të njëjtat gjeste dhe të njëjtat lëvizje. Ndofta prandaj shoku Zylo ishte ftohur nga Bakiri. Nuk ka gjë më të tmerrshme se ta vësh njeriun në pozita qesharake. E qeshura e çarmatos njeriun. Aristofani me të qeshurat i çarmatosi perënditë.


Bakiri kishte një zakon që kur thoshte ndonjë fjalë me humor, qeshte me zë të lartë dhe i binte gjunjëve me pëllëmbë, pastaj të cëmblidhte në krah për të ta tërhequr vëmendjen.
- Po në shtëpi të tij ke qenë? - pyeti ai dhe më cëmbidhi në krah.
- Jo.
-Do të shkosh e do të kënaqesh, - tha Bakiri duke mbyllur njërin sy.
- Pse?
- Nuk të tregoj asgjë që të mos e humbasësh kuriozitetin. Vetëm kur të shkosh më merr edhe mua, - tha dhe u ngrit.
- Rri! Shpejt është.
- Po dal, Demkë.Mbeta vetëm në tavolinë.


Mendja më shkoi përsëri te shënimet që duhet të mbaja nga jeta e shokut Zylo. Por në çast mu thye zemra. Kujtova "Tartarinin nga Taraskona" të Alfons Dodesë dhe mendova se shënimet e mia do t'u ngjanin atyre që ishin shkruar në atë libër të zgjuar. "Njerëzit do të kujtojnë se unë kam imituar "Tartarinin nga Taraskona", - thashë me vete. Pastaj prapë u qetësova. "Tartarini nga Taraskona" është shkruar shumë më vonë nga "Don Kishoti" i Servantesit dhe "Panairi i kotësive" i Tekerit, por Dodenë nuk e akuzojnë se ka imituar këto dy romane të famshme".


Pas këtyre mendimeve u ngrita. Kishte kaluar mesi i ditës. Edhe gruaja duhej të ishte kthyer nga puna, prandaj u nisa dalëngadalë për në shtëpi.Kur hyra në dhomë, pashë në tavolinë një zarf, mbi të cilin ishin shkruar: "Shoqes Zenepe".E hapa dhe nxora që andej një letër të trashë të lëmuar. Ishte një ftesë.


Me ftesën në dorë hyra në kuzhinë. Gruaja po hidhte gjellën në pjatë.
- Ftesë për në mbrëmjen solemne? - pyeta.
- Pse çuditesh? Vetëm ti që shkruan raporte ke të drejtë të shkosh nëpër mbrëmje solemne? tha ajo me një buzëqeshje dhelpërake.
- Çuditem se si nuk i erdhi një ftesë e tillë shokut Zylo, - thashë unë...


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Feb 16 2017, 11:12am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
17 vjet me Dritëro Agollin, nga Rusia në “Zërin e Popullit”


  • Lufta me gjeneralët në redaksi

  • Reforma e Lubonjës e spiunimet e Mamaqit



Për karrierën e Dritëro Agollit në redaksinë e “Zërit të Popullit”, një anë pak e njohur dhe e artikuluar për publikun e gjerë, na vijnë në ndihmë këto shënime në formë kujtimesh të shkëputura nga nga libri i Xhelil Gjonit "Personalitete në jetën time" botuar rreth 5 vite më parë.


Kujtimet zbulojnë pothuajse të gjithë stacionet e Agollit në profesionin e gazetarit, si fillesat e punës së tij në redaksi, shërbimet e gjata në terren për reportazhe, marrëdhëniet me shefat e tij dhe rebelimet që shpesh shkaktonin situata humori, etj… Kujtimet për Agollin Xhelil Gjoni i ka titulluar “Koha e kolonelëve”, ndërsa ne i sjellim për lexuesit me disa shkurtime.


Nga Xhelil Gjoni


Me Dritëroin (Agolli) jam takuar dhe njohur për herë të parë në vjeshtën e vitit 1956. Ai banonte në “Mëjtënskaja Naberezhnaja Dom 13/2, konvikti pranë “Stroitelni most”, ura e ndërtimit, në krah të “Petropavlloskaja Kreposts” (Kështjella Petropavllosk). Përballë ishte lumi i famshëm Neva dhe akoma më përballë, “Zimnij Dvorjec” Pallati i Dimrit.
Me Dritëroin në Fakultetin e Gazetarisë studionin edhe dy shokë, Fadil Kokomani, me të cilin u miqësuam shumë dhe Marash Hajati. Ata ishin në vitin e pestë, kurse ne një grup prej 40 vetësh vinim në vitin e parë, në fakultete e institute të ndryshme.


Në vitin e dytë të filozofisë gjetëm Servet Pëllumbin, Vasilikën, Ksanthipin, Elvira Gjonin, motrën e Dhimitër Gjonit nga Durrësi, dhe Valin e vockël, e cila u martua me rumunin Mirçe. Në kurs kisha dhe Naum Guxhon, që u martua me Ksanthipin dhe Vasil Becin, që i thërrisnin “Raxh Kapuri”. Elvira u martua me rusin Sergei dhe Vasilika me Stavrin, që erdhi një vit më vonë, por në moshë më i rritur se ne. Në vitin e dytë, por për Psikologji studionte Selaudin Çarçani, vëllai i Siri Çarçanit. Njeri i zgjuar, i edukuar dhe shumë korrekt. Ne ishim 40 të rinj që vinim nga Shqipëria dhe do të banonim në këtë godinë. Selua nuk e duronte dot zhurmën tonë dhe të folurin me zë të lartë. Dukej që ishte mërzitur nga kjo dhe e shprehte duke na thënë: Djema na turpëruat, dukemi njerëz të paedukatë”. Këto këshilla të drejta ne nuk na pëlqenin, sepse nuk mund të dilnim menjëherë jashtë natyrës sonë. Kuptohej do të duhej kohë për këtë. Serveti ishte më i qetë. I kujdesshëm dhe i duruar. Kur nuk na e priste mendja, krejt papritur na doli një mbrojtës. Ky ishte Dritëroi. Një pasdite ku jashtë binte dëborë, një grup prej nesh ishte mbledhur në holl të konviktit. Ishte një ditë e caktuar, kur vinte berberi, një plak çifut, i cili nuk bezdisej nga zhurma jonë. Përkundrazi , siç thoshte vetë, “i behej puna më e lehtë”.


Dritëroit i vjedhin dorashkat


Në kulmin e shakarave që bënin aty, Selua krejt i vrenjtur, ngriti zërin e tha: “Ç’bëni o derëzinj, uleni pak zërin...”. Kur në derë brofi Dritëroi. Ai thirri me zë të lartë: t’ëmën e s’ëmës hajdutët e m....”
Në u çuditëm si nga e bërtitura dhe nga zëri i lartë i Dritëroit, sidomos nga të sharat e tij. Aty mes nesh kishim njërin gjirokastrit, që vinte për studime që nga KQ e Partisë. Atë na e kishin caktuar si kujdestar të përzgjedhur. Ai ishte i vëmendshëm ndaj sjelljeve tona “të pahijshme” me të bashkohej edhe një shoku i tij, i cili na bezdiste në sallën e leximit me gëlbazat që i kishte pa kursim. Që të dy ia punuan një shokut tim Vasilit, të cilin për fat të keq, e kthyen në Tiranë. S’thonë kot se “me të ligjtë të pjell”. Ne as që na shkonte mendja që përballë formulimeve bajate të bënim diçka për ta shpëtuar.
Nejse, gjirokastriti iu drejtua Dritëroit:
- Si i shan ti në këtë mënyrë udhëheqësit sovjetikë?!
- Ik more se je i ri! -i përgjigjet Ditëroi.
Për dreq aty ndodhej edhe Selua. Ky vërtetë që ishte kundër të folurës me zë të lartë, por ama nuk ishte dakort me të “ngarkuarin” për ne, fakt që e kishin vënë re të gjithë. Aty Dritëroi si për inat “të ngarkuarit” për ne shtoi:
-Pse si mendoni se këtu njerëzit janë engjëj?! Edhe këtu ka kriminelë, banditë, hajdutë, ja si këta që më kanë vjedhur dorashkat.
Dorashkat Dritëroi i kishte blerë në Varna të Bullgarisë. Një pjesë e studentëve tanë kur ndalonin në Varna, blinin dorashka lëkure, sepse ishin të ngrohta. Kishte raste që ato i këmbenin me ndonjë orë “Pobjeda”.
-Lërini djemtë të lirë, - vazhdoi Dritëroi.
Mua kjo më bëri përshtypje dhe sesi m’u kujtua Çerçiz Topulli kur tha: “Lërini djemtë e mi të shkojnë!”.
Për çudi pas pak ditësh i “ngarkuari” erdhi në konvikt i rrahur nga disa huliganë. Ai u ankua se kishin rrahur në rrugë. Dritëroi iu kthye: “- Ç’thua more, ku rrahin sovjetikët!”


Si u njoha me Dritëro Agollin


Kjo ishte si parathënie. Më poshtë ia vlen ta tregojë sesi u njoha me Dritëro Agollin. Rasti e solli që, pas pesë vjetësh, të takohemi në redaksinë e gazetës “Zëri popullit”. Dritëroi ishte bërë gazetarë i njohur në redaksinë kulturës, me shef Javer Malon, në atë kohë. Aty punonte aty bashkë me Jusuf Alibalin. Që të dy qenë njerëz dashamirë. Më deshën dhe i desha. I respektoja shumë.
Javeri njeri me kulturë të gjerë, shumë i sjellshëm, dhe luajal shembullor. Për herë të fundit e takova në Paris, në kohën kur po kthehesha nga vizita në Kinë. Më priti shumë mirë. U mundua që në kohën e shkurtër që kisha në dispozicion, të më njihte sa më shumë me Parisin, të cilin e njihte së tepërmi bashkë me kulturën e civilizimin e tij.
Më dërgoi në Luver, në Roterdam, etj. I kërkova vetë të më dërgonte në Versajën e famshme, që kisha lexuar e mësuar në lëndën e Historisë . Atje krahasova Versajën me Petergofin e Lenigradit. Janë si dy pika uji që ngjasojnë. Ndryshimi qëndronte në atë që ndërsa Vesaja ishte disi e thatë dhe e braktisur, Petergrofi i Ekaterinës ishte i derdhur në ar e argjend, me shatërvanë dhe gjelbërim të përhershëm.


Fundit të jetës nuk i dihet. Javer Malo ky burrë i mençur dhe me kulturë, në fund humbi dëgjimin dhe të folurën. I vetmi njeri që kuvendonte me të më lirshëm ishte kosovarja Vera, e shoqja, një grua burrneshë, e mençur dhe kujdesshme si ajo.
Javeri më la si kujtim dy libra me vlera për diplomacinë, kulturën dhe artin.


Vitet ’60 në “Zërin e Popullit”


Mund ta kem gabim, por mendoj se puna dhe jeta e gazetarëve dhe e shoferëve ngjasojnë shumë. Që të dyja palët bëjnë jetë kolektive, shumë solidare, pa qibër. Edhe dinamikën e jetës e kanë njëlloj ashtu siç kanë edhe jetëgjatësinë e përafërt. Në vite ‘60 në “Zërin e Popullit” bënin një jetë të këndshme. Disa kishin shtëpi, disa jo, jetonin në hotele. Nga këta të fundit për një vit isha dhe unë. Jetoja familjarisht sa në një hotel në tjetrin. I ndërroja hotelet jo se kisha qejf, por se rregulli ishte që nuk mund të jetoje familjarisht në një hotel më shumë se dhjetë ditë. Kjo ka bërë që t’i marr hotelet me radhë, duke filluar nga hotel “Peshku” e “Vjosa”, në “Internacional”, “Pensioni”, etj. Në “Internacional” banoja në një papafingo, e cila të nxirrte në tarracë. Këtu ndenja më gjatë, sepse më ndihmoi i ndjeri, babai i Gaqo Bushakës, i cili aso kohe ishte dezhurn nate në holl. Në disa nga hotelet sidomos në atë “Tirana” e “Peshku”, në rrugën e Dibrës e të barrikadave, armiqtë kryesorë ishin çimkat. Prej tyre përjetoje një tmerr të vërtetë aq më tepër kur unë frikën më të madhe e kam nga tri gjallesa çimkat, mushkonjat dhe gjarpërinjtë. Në redaksinë e “Zërit të Popullit” pas Çlirimit mbahen mend katër kryeredaktorë; Fadili, Sadiku, Dashnori (Mamaqi) e Todi (Lubonja). Gazetarët rrufjanë me në krye Dritëroin, Vangjush Gambetën, një nga gazetarët më të zotë dhe Arqilenë, atyre u kishin vënë epitete. Dy kryeredaktorët e parë që nuk i arrita, nuk i njihja. Ndërsa për Dashnorin dhe Todin hyra në valle edhe unë si më i riu. Të kuptohemi epitete ishin gjithnjë me sens dashamirës dhe humori. I përmendim: Sadik “Diktatori”, si kërkues, një karakteristikë jashtë natyrës së gazetarit. Fadil “Kryeredaktori” si zotërues i profesionit të gazetarisë. Dashnor “Liberali”, i leshur në kërkesën e llogarisë. Todi “Reformatori”, si kërkues për futjen e të rejave në gazetë. Lexuesi të më falë ndoshta nuk ka asnjë interes për të, por unë e kam merak të tregojë disa episode, kur sidomos Dritëroi është brenda. Them është brenda se disa prej këtyre episodeve i kam dëgjuar prej tij dhe se ai është dakord me atë që jeta në gazetë ku unë punova për 17 vjet nga redaktor i sektorit ideologjik, zëvendëskryeredaktor dhe kryeredaktor, është jeta më e bukur, jo vetëm se ishim në moshën 25-30 vjeçare, por siç thashë më sipër është jetë intensive dhe pothuajse e pavarur. Ne na dukej vetja baronë dhe bohemë në të njëjtën kohë.


Arrinim të çonim një të katërtën e rrogës në shtëpi, sepse pjesën tjetër e linim te Pandi, që shërbente në “Klubin e gazetarëve”, një rrangallë me një sallë të gjatë. Pandi i mbante me listë shpenzimet tona. Dhe kur vinte fundi i 15-ditëshit paraqiteshim tek ai, shlyenim shpenzimet dhe pastaj vinim te gratë për t’u dorëzuar atë që na kish mbetur nga rroga.


Meqë ra fjala për ish-kryeredaktorët, secili prej tyre e kishte një huq. Sipas Dritëroit, Sadiku ishte burrë serioz dhe rigoroz, i mbronte gazetarët dhe kujdesej për strehimin e vartësve. Po gazetarët si rrufjanë që ishin, edhe pse Sadikut nuk i shpëtonin gjërat, përsëri nuk u durohej pa bërë ndonjë romuze. Ja dhe një rast:


Kishte ardhur në Shqipëri Murat Bostanxhiu, sekretari i partisë komuniste të Turqisë. Ai kishte mbajtur një fjalim, ndoshta në ndonjë kongres dhe ai do të botohej në “Zërin e Popullit”. Për të qenë korrekt redaksia, sidomos për të konfirmuar përkthimin, Sadiku e dërgon shkrimin në Durrës. Për këtë ngarkon dy punonjës. I pari ishte Thimi Suli, shef i administratës, një Nastradin me humor, një lab i zgjuar Tepelene, mik i ngushtë familjar. I dyti qe Pandi Cici, kryemiku im, Fotoreporteri i Zërit, që e kaloi gjithë jetën mbi motor dhe me aparat në dorë në erë dhe në shi. Në diell e borë, shumë ekzakt për fotografinë zyrtare, njëri i mirë dhe i zgjuar, shok i ngushtë i diplomatit simpatik Rako Naço.


Nisen këta për në Durrës. Po seç u bie në mendje të hanin një peshk e të pinin ca verë. Vonohen dhe duhet të jenin llogari para Sadikut për vonesën. Atëherë Pandi, si më praktiku i thotë Thimit:
- Shiko para se të shkojmë te Sadiku shkojmë në laborator, lagemi dhe i themi që u vonuam ngaqë na pengoi një shi i dendur që ra nga Durrësi gjer në Vorë. Kështu e bëmë. Pandi vë zorën ujit dhe e bën qull Thimin.
- Hajde ti tani, - i thotë Thimi Pandit - të qullos unë!
Por Pandi si rrufjan i arsyeton:
- Që të marrë seriozitet kjo punë, futu vetëm ti te Sadiku, ti je dhe shef.
E hëngri Thimi dhe u fut te kryeredaktori. Sadiku me ta parë që kullonte ujë i qau hallin.
- Ç’je bërë kështu more Thimi.
- Na zuri shiu, shoku Sadik.
- Po ai Pandi ku është?
- Në Laborator shoku Sadik, i vinte zor të vinte i lagur.
Thimi e kuptoi hilenë e Pandit, prandaj me t’u kthyer në laborator iu vërsul për ta lagur. Kujtoi se ishte në banjë i hodhi ujë nga lart dhe lagu një shoqen tonë që ishte atje. Me vështirësi, por u kuptua dhe kjo shaka. Këto Dritëroi, jo vetëm i pëlqente, por edhe i tregonte me pasion.


Dashnor “Liberatori”


Ndryshe ishte Dashnori. Jo më kot e thërrisnin Dashnor Liberatori. Dashnori edhe shkruante, por me një stil të veçantë, disi hermetik, por shkurt. Arqileja dhe Dritëroi i kshin vënë edhe një nofkë tjetër Dashnorit, e quajtën “U-2”, por kjo mbeti sikur ia kishte vënë Dritëroi. Ishte koha e aeroplanit spiun amerikan “U-2”, që merrej me zbulime nga lartësi të mëdha. Atë e zbuluan sovjetikët dhe u bë një zhurmë e madhe politike e diplomatike. Do thoni ju po ç’ka të bëjë “U-2” me Dashnorin. Ka si s’ka të bëjë se Dashnori kishte blerë një palë këpucë verore që nuk bënin zhurmë. Ai e kishte zakon që për të parë se ç’bënin gazetarët hynte shpesh befas në zyra. Shpesh i kapte gafil. Këtë e kishim merak të gjithë në mënyrë të veçantë Dritëroi dhe Arqilea. Madje atyre vinte inat se nuk e diktonin dot. Atëherë iu vu nofka “U-2”.
Një ditë Dashnori merr vesh se Dritëroi ishte çakërqejf. Ishte paradite e thërret në zyrë. Hyn Dritëroi, por qëndroi larg, ndenji afër derës.
- Afroju e urdhëron Dashnori.
- Po ju dëgjoj, përgjigjet që atje te dera Dritëroi.
Atëherë Dashnori u ngrit nga karrigia dhe filloi që t’i afrohej për t’i ndjerë erën e alkoolit. Dritëroi e kuptoi dhe filloi të tërhiqej mbrapsht. Mbërriti një moment se nuk kishte ku të shkonte më, sepse shpina iu përplas te dera.
- Tani, po më kape! - i thotë Dritëroi, merrmë erë, fuuu.
Të dy qeshën me të madhe.


“Todi Reformatori”


Tjetër tip ishte Todi, ai vinte nga posti i sekretarit të parë të KQ rinisë. Vinte si thoshim aso kohe me hov rinor. Dhe e filloi punën me reforma, ndërroi fytyrën e gazetës, tipin e shkronjave faqosjen, por vetëm tre numra dolën të tillë, me sa duket kjo reformë nuk u pëlqye nga lart dhe u ndërhy që gazeta të kthehej në gjendjen e mëparshme. Drejtimi i dytë i reformës së Todit ishte struktura e redaksisë. Nga seksionet e ngushta u bënë dy sektorë: ai ideologjik-kulturor dhe ai ekonomik. Shkrimet e korrespodentëve nëpër rrethe do të kalonin sipas sektorëve. Ky organizim shkurtoi vendet e disa shefave, mbeti kryeredaktor Todi Lubonja dhe Sekretari i kolegjiumit Sofokli Lazri. Ish shefat mbetën redaktorë.


Të tillë ishin Javer Malo, Stefi Kotmilo, Faik Labinoti, Thona Naqe, Jusuf Alibali. Kjo lëvizje qarkullim konsiderohej si koha e rënies së gjeneralëve. Kolonelët ishin redaktorët: Dritëro Agolli, Vangjush Gameta, Vangjush Zallëmi, Arqile Aleksi, Niko Nikolla. Më radhisnin edhe mua si kandidat për kolonel se isha më i ri dhe me përvojë më të pakët. U quajtën kolonelë sepse me demek ashtu si në Greqi ua morën pushtetin gjeneralëve. Ishte koha kur këta kishin marrë me dhunë pushtetin dhe kishin vendosur diktaturën. Ndër vite me Dritëroin na u thellua miqësia. Filluam të venim e të vinim me shërbime në Dhërmi. Në këtë miqësi ka disa momente që nuk më hiqen nga mendja...


II


Si lindi Poema “Komunistët”


Ishte muaji tetor në prag të kongresit 6- të Partisë. Dritëroi kishte sugjeruar që të shkruhej një poemë për komunistët dhe ta botonte në “Zëri i Popullit”. Ai e kishte gjetur titullin, por unë si zëvendëskryeredaktor po shqetësohesha, se s’po bunte gjë. Atëherë mendova se duhej larguar nga Tirana, në ndonjë rreth. Si më të përshtatshëm gjykova Gramshin.


Dhe u nismë bashkë me Dritëroin. Me ne ishin dhe Vangjush Zallëmi me Pandi Cicin. Në Gramsh takuam sekretarin e parë Mihal Dodbibën, një njeri simpatik, shumë dinamik, i cili më vonë “e hëngri”, s’di pse. I thamë se unë e Vangushi kemi ardhur të shkruajmë për Gramshin. Kurse Dritëroin do ta lëmë peng aty për të shkruar një poemë.


Menduam se zgjidhëm këtë problem. Dritëroin e çuam në Teqenë e Shënepremtes, në kufi me Skraparin, në rrëzë të Tomorit, nga ana e Gramshit. Ne të tre bashkë me Pandin, do të shkonim në anë të kundërt, në një ekonomi të përparuar për atë kohë. E sajuam fjalën sikur ne do të vonoheshim, qëllimisht që Dritëroi të punonte. Dritëroi u nis bashkë me Janin, drejtorin e Ndërmarrjes së pyjeve në Shënepremte.


Vonë në të errur arritëm edhe ne te ata. Dritëroi bashkë me drejtorin Jani Maçolli, ishin shtruar dhe hanin darkë duke pirë... Unë fillimisht u gëzova, se mendova që Dritëroi kishte punuar dhe tani po bunte qejf. U ulëm edhe ne të tjerët. Isha kurioz të dija se çfarë kishte hedhur Dritëroi në letër, prandaj i them: “Ti shoh pak ato fletët që ke shkruar”...(Dritëroi e kalon me humor-red). Në mes të këtij humori na vjen drejtori i shkolës me një tjetër. Ata mbanin në dorë pesë lepuj të vrarë. Dy lepuj na i gatuan atë natë, tre të tjerë na i dhanë të nesërmen me vete...


Tepër vonë u shtrimë për të fjetur. Me Dritëroin ishim afër. Ishte ora katër pas mesnate kur në gjumë e sipër dëgjoj një zhurmë si të një brejtësi. Dritëroi nuk po flinte, përtypte misra dhe luftonte me fjalë për të gjetur atë më të saktën. Atë mëngjes ai shkroi disa copa letre në vargje, të cilat ia “sekuestrova unë”...
Dritëroi m’i dorëzoi copat e letrave në vargje, që kishte mundur t’i hidhte në letër, duke deklaruar:


Tani o Xhelil, poema do të mbarojë. Me këtë që po të japë, do bëhet gjysma. Dhe vërtetë u bë. Kësisoj lindi poema “Komunistët”.
Dritëroi poet dhe shkrimtar, u bë edhe gazetari më në zë në gazetën “Zëri i popullit”. Dhe ashtu siç e ndihmoi krijimtaria letrare në profesionin si gazetar, ashtu dhe gazetaria i dha jetë krijimtarisë së tij.


Si gjithë gazetarët e tjerë, edhe Dritëroi nuk kishte veturë, veçse lapsit dhe një blloku të thjeshtë që na jepet redaksia. Për të shkuar me shërbime gazetarët hipnin në karroceritë e kamionëve me një autorizim të Ministrit të Transporteve të asaj kohe, të ndjerit Milo Qirko. Udhëtonim me mushka e kuaj, ecnin kilometra të tëra në këmbë.


Ata kërcënoheshin nga sekretarë, kryetar dhe ministra, ashtu siç kërcënoheshin edhe nga letrat e njerëzve servilë ndaj përgjegjësve. Kështu Timoleo Mërtiri për shkrimin e tij “Qafa e Pazarit” të Gjirokastrës e pësoi nga letrat. Kështu i ndodhi dhe Dritëro Agollit për artikullin “Çile Mukën e kam pranë dhe kulturën përkarshi”. E theksoj Dritëro Agolli ishte gazetari më në zë në “Zëri i Popullit” dhe në shkallë vendi: një gazetar realist, kritik, objektiv dhe optimist për të ardhmen... Me Dritëroin u ndamë kur ai i emërua sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.


Dhe jo vetëm më Dritëro Agollin, por u ndamë me të gjithë kolonelët. U nis kjo punë me Arqilenë, i cili u emërua kryeredaktor i gazetës bashkimi. Vazhdoi me të ndjerin Vangjush Zallëmi, i cili u emërua drejtor i Kinostudios, me Niko Nikollën që shkoi kryeredaktor i revistës “Hosteni”. Me Pandi Cicin që vajti shef i Laboratori Fotografik të ATSH-së sepse fotografia zyrtare u përqendrua atje. Me Vaskën në Radio, shef, e kështu em radhë. Unë dhe Vangjush Gameta mbetëm zëvendëskryeredaktorë. Mbeti në gazetë sa doli në pension i zgjuari, dhe më pas i sëmuri, i ndjeri Qako Dango. Vendet e tyre filluan t’i zënë majorët, me të cilët isha marrë vetë. Kështu erdhën Xhevair Spahiu e Spiro Dede, Pavllo Gjidede e Irfan Bregu. Thimi Nika e Arshin Xhezo. Fatmir Kumbaro, Vladimir Prela, Mitro Çela, e Ibrahim Baçi. Astrit Nuri, etj.


Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë. Titulli në origjinal është "Koha e kolonelëve".


shqiptarja.com trokit ketu




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Feb 16 2017, 11:20am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
"MUNDJA E LEKË DUKAGJINIT"


1. Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin
E fjalë këmbeva në malet me fletë,
Po Lekë Dukagjini ishte trim e bir trimi
Dhe s’mundej dot lehtë...
Po Lekë Dukagjini nuk ishte Leka i Lecit,
Që bën njëqind lëshime në punë;
Lekë Dukagjini i rrepti i të rreptit
Ma tundte para syve kanunë
Dhe gjëmën lëshonte si shkëmbi kur bie në përrua:
“O mbaje gruan kështë si them unë,
O lëre gruan, se s’je për grua!”


2. Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin
Me gjyshin tim të nderuar;
Dhe pritë njëri-tjetrit i zinim
Në malet me shkrepa mbuluar...
Dhe unë here-herë i bëja lëshime
Dhe ty të mundoja dhe brënda të mbaja
Dhe jetën ta mbushja plot hidhërime
Sus!
Me zërin e egër të shaja
Se Lekë Dukagjini ma tundte kanunë
Dhe gjëmën lëshonte si shkëmbi kur bie në përrua:
“O mbaje gruan kështë si them unë,
O lëre gruan, se s’je për grua!”


3. Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin,
Se donte lëshime nga unë.
Pritë në male njëri-tjetrit i zinim,
Ai mburrte kanunë, unë shaja kanunë.
“Eh, gjysh, ti je hedhur për gratë në flakë,
Po pse në kanun i ke sharë?
Eh, gjysh, ti gruan tënde s’e ke dasht pakë,
Pse mua që e dua më quan të marrë?”


4. Një ditë kanunin ja mora nga dora
Dhe copë ja bëra mes malesh të lartë.
Iu drodh ajo mjekër e bardhë dëborë
Pas çetinës së lashtë...
Dhe unë thirra:
E munda Lekë Dakagjinë!
(Natyrisht e munda kanunë;
I heq kapelën për trimërinë;
Ka qenë trim si furtunë...)
Ti, grua, më pyete e sytë të ndrinin,
Më pyete ngadalë mënjanë:
“Vërtetë e munde Lekë Dukagjinin?“
Dhe unë të thash: e munda, po sytë ç’më panë!


Shkruar me 1967




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Thu Feb 16 2017, 11:25am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264





Nje mbyllje me pak fjale


Romani “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo” per here te pare u botua me 1972 ne revisten “Hosteni” me nxitjen dhe kembenguljen e Niko Nikolles, kryeredaktorit te atehershem te kesaj reviste. Niko Nikolla, ne ate kohe, sa ishte emeruar kryeredaktor dhe donte te ndryshonte dicka nga tradita e revistes, per ta bere ate me te lexueshme. Per kete, ai kishte menduar te botonte tregime te gjata dhe romane satirike ne vazhdim numer per numer te “Hostenit”. Me kerkoi mua ndonje tregim a roman ne gjinine e humorit dhe une i thashe se kisha dicka te pambaruar neper duar. Si nguli kembe, une i dhashe 70 faqe te daktilografuara me nje titull te gjate “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo”, duke i thene se ky ishte nje roman i pambaruar, i shkruar me shume per te bere shaka me njerezit e shtepise dhe me miqte gazetare, sesa per t’u botuar. Me nje fjale, ia dhashe vetem per ta lexuar, pa ndonje synim botimi. Ai, pa me pyetur, e dergoi ne shtyp, duke vene shenimin: “po fillojme te botojme novelen e Dritero Agollit “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo”.


Sadija, gruaja ime, i telefonoi Nikos dhe i kerkoi ta kthente romanin e pambaruar, duke i thene se ato shtatedhjete faqe nuk jane veper letrare, por shakara per t’u zbavitur, te shkruara ne plazhin e Shengjinit te Lezhes gjate pushimeve verore.


- Nuk kemi nge te na hapet ndonje telash, Niko! – iu lut ajo, por ishte vone.
Niko Nikolla kishte edhe koken e vet, por edhe rregulloren e redaksise.
- Ti je gazetar ne “Zerin e popullit”. Punon me njerez serioz dhe nuk sillesh poshte e lart me shakaxhinj! Ne ato faqe te daktilografuara, qe ia dhe Nikos me mendjelehtesi, ti tallesh me te gjithe, - me miqte e tu e me lart... Do te shohesh, kur te ta nxjerr Nikua ate permbledhje komedish!... – mumuriste ajo, aq sa me futi edhe mua ndjenjen e dyshimit, duke ditur se grate i nuhatin te parat rreziqet shoqerore dhe politike.


Te gjitha keto nuk e ndaluan marshimin e shokut Zylo. Ne redaksine e “Hostenit” ai lexohej me ze qe ne doreshkrim dhe “percillej” me te qeshura, qe tregonin se keto te qeshura do t’i vazhdonin edhe lexuesit.
Keshtu, e ilustruar me skicat e Bardhyl Ficos, novela fillon botimin. Pas nja dy – tre numrave te “Hostenit”, vepra nga novele u quajt roman dhe iu vu nje shenim i tille: “cdo ngjashmeri me ngjarje dhe me njerez reale eshte e rastit”. Ky shenim u vu pasi disa nga te njohurit e mi filluan te zemerohen nga qe iu dukej sikur shembellenin me ndonje personazh.


Me qe romani filloi te botohej i pambaruar, une gjate botimit vazhdoja te shkruaja, pasi ne fund te cdo numri te “Hostenit” shenohej: “vijon ne numrin e ardhshem”. Botimi ne reviste zgjati gati nje vit, duke lene pas nje zhurme te madhe, mbase me teper se cdo veper tjeter nga te miat. Ne ate kohe Mehmet Shehu, kryeministri i atehershem, nje nga lexuesit e mi me te mire, ishte ne Paris per arsye shendetesore. Ai nje dite i telefonoi nga Parisi Niko Nikolles, duke ia kerkuar numrat ne vazhdim te “Hostenit” per te ndjekur leximin e Zylos. Me vone pastaj, Mehmet Shehu ne nje mbledhje te Keshillit te Ministrave, ku isha edhe une per nje problem te kultures, m’u drejtua mua:


- Nuk te kam thene gjer tani, se te kam mik, por me ate Zylon tende ma ke bere qesharake administraten!
Per simpatine qe kishte ndaj meje, e ndjeva se kritiken ai e beri me veshtiresi, pasi nuk donte te me fyente. Une, per te dale nga situata, u perpoqa te mbrohesha, duke u justifikuar:
- Romani kritikon disa shfaqje burokratike per ta permiresuar administraten.
- Do te ndeshemi, Dritero! – foli Mehmet Shehu me nje shprehje nga te romanit, ku shoku Zylo i thote kryetarit te kooperatives: “Do te ndeshemi, kryetar”!
Ne kete menyre edhe ajo kritike e kryeministrit kaloi me humor. Por ky roman kaloi ne te gjitha drejtimet me humor. Honoraret qe merreshin per cdo numer prisheshin qe ate dite neper tryeza me shakarave. Ne keto tryeza, Niko Nikolla dhe une, ftonim vecanerisht ato “personazhe reale” per t’i marre me te mire, si Coti Papulin, qe ne roman e kishte emrin Cute Babulja. Me nje fjale, honoraret u bene tym cigareje, avull rakie dhe zhurme shakaje. Vetem kur kishim mbetur pabotuar kater – pese numrat e fundit, Sadija iu lut Nikos:
- Driteroi do te shkoje jashte shtetit dhe nuk ka asnje kostum per te qene. Jepja, o Niko, honoraret e ketyre kater – pese numrave, te bleje te pakten nje kostum qe ta kete kujtim nga Zylua!


Dhe nga gjithe ai roman u ble vetem nje kostum. Edhe nga dy botimet e tjera si liber me vete nuk u moren honorare, pasi ishte nje rregull qe vetem nje here paguhej cdo veper arti, le te beheshin ribotime sa te doje!
Kur romani perfundoi se botuari ne “Hosteni” Niko Nikolla dhe une, ne fillim te vitit 1973, shkuam ne Shtepine botuese “Naim Frasheri” ne redaksine e prozes, ku shefe ishte e ndjera Dhurata Xoxa, gruaja e shkrimtarit te madh Jakov Xoxa. Ajo e caktoi Niko Nikollen si redaktor, me qe ishte edhe botuesi i pare.


Ne roman une kisha edhe nje pjese, qe bente fjale per udhetimin e shokut Zylo ne Afrike per te perhapur marksizem – leninizmin. Por, duke biseduar perzemersisht me te ndjeren Dhurata, m’u mbush mendja qe kjo pjese nuk duhej botuar. U lane vetem disa fraza per Afriken, vecanerisht per gjuhet lingala dhe munukutula, qe flitej se do t’i mesonte shoku Zylo. Pjesen per Afriken une e kisha shkruar nen ndikimin e mbresave qe kisha pasur pas nje udhetimi ne Kongo – Brazavil me 1971. Niko Nikolla, me ate shkujdesjen e guximshme te tij, donta ta botonte edhe ate pjese, por une vete lekundesha, pasi nuk deshiroja te hapeshin telashe per permbajtjen kritike te romanit. Prandaj pjesa per Afriken nuk u vu as ne botimet e 1972–se dhe as ne ate 1981–se. Mirepo pak kohe me pare une e gjeta doreshkrimin, mes rremujes se letrave dhe fletoreve dhe vendosa ta shtoj ne kete botim te katert te “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo”.


Botimi i ri i romanit, pervec pjeses per Afriken, nuk ka ndryshime nga botimet e meparshme. Ka ndonje redaktim gjuhesor dhe ndonje plotesim te vogel neper kapitujt, me shume per te forcuar lidhjen e tyre me njeri – tjetrin. Sic thashe edhe pak me lart, eshte bere edhe ndryshimi i emrit te nje personazhi. Ky personazh ne variantin e botimit te romanit ne “Hosteni” e kishte emrin Cute Babulja. Por kur romani u botua liber me vete, Cute Babulen une e quajta Kristofor, pasi m’u zemerua Coti Papuli, miku im i vjeter. Pastaj Coti Papuli me tha, perse e ndryshova kete emer. Por c’eshte e verteta, ai u zemerua me variantin e revistes. Me nje fraze te romanit, ku thuhej, se Cute Babulja hengri njembedhjete pellumba, Coti Papuli u inatos dhe me tha:


- Une nuk hengra njembedhjete pellumba, por shtate!


Keto e te tjera jane peripecite e romanit, ashtu si aventurat e shokut Zylo, heroit te tij.


Dritero Agolli
27 shkurt 1999




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3176 sec, 0.0651 of that for queries. DB queries: 47. Memory Usage: 3,097kB