Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Thu Feb 02 2017, 09:36pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kumtesë në Universitetin e Shkodrës mbi mësuesin e nderuar Kolë Ashta


Është nder dhe kënaqësi e veçantë të flasësh për një mësues e njeri të nderuar, për një studiues të zellshëm që tërë jetën e vet punoi si pak kush në dy fusha njëherësh, në atë të arsimit dhe në atë të shkencës.


Cila nga këto fusha ka pasur më tepër rëndësi? Ndoshta përgjigjen më të mirë mund të na japë vetë profesori, por të paktën nga tematika e referimeve të sotme, vlerësimi i kuadrit shoqëror anon nga kupa e shkencës. Por unë jam disi në kundërshtim me këtë. 30 vjet punoi me pasion në arsimin e mesëm e të lartë, në gjimnazin e Beratit, normalen e Elbasanit, në gjimnazin e Shkodrës dhe në Institutin e Lartë Pedagogjik. Mbasi kreu studimet në Romë, punoi në Institutin e Studimeve Shqiptare së bashku me intelektualët e shquar Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Berati, Eqerem Bej Vlora, Et'hem Haxhi Ademi etj. Mbas lufte nga punonjës shkencor në fushën e studimeve letrare e gjuhësore, e emërojnë mësues në Berat. Është koha e përmbysjeve të mëdha, e luftës së ashpër kundër inteligjencës shqiptare, e vrasjeve, burgosjeve, internimeve. Gjama e luftës së klasave kishte filluar. E profesor Kola që kishte mbrojtur temën e diplomës për Epikën e Fishtës, të më falni, edhe sot s'ka qejf ta thotë të plotë titullin e diplomës së vet, sepse jo vetëm që u ndoq e u ndrye në 100 drynjë Fishta, por u ndoqën e u persekutuan ata që kishin pasur nderin të studionin veprat e tij. Ndërsa ky njeri i heshtur dhe i devotshëm me shumë mirësjellje, ende nuk dëshiron ta thotë të plotë titullin e disertacionit "Epika e Gjergj Fishtës", papritmas shpërthen duke recituar në atë dhomë të shtëpisë plot dritë-hije vargjet e famshme të Lahutës. E tashti s'është më burri i qetë dhe i heshtur, por një djalosh plot vrull e rreptësi, që ia ngjallë vargu epik i poetit të madh. Por për fat të keq tonin këto vargje të Fishtës mësuesi nuk pat mundësi t'ua mësonte fëmijëve, t'ua recitonte nxënësve, t'ua përcillte atyre mesazhin e madh kombëtar.


I mbrujtur me një kulturë të gjerë letrare e gjuhësore, për shkak të programeve të cunguara që gjithnjë e më shumë u mbushën me letërsi të huaj sllave, aziatike, apo shqipe të realizmit socialist, si të gjithë mësuesit e tjerë u detyrua t'i zbatonte këto programe. Por të gjithë brezat që patën fatin e mirë t'u bënte mësim profesor Kola, kujtojnë mirë preferencat e tij në trajtimin e lëndës, në vlerësimin e autorëve e veprave të ndryshme, kujtojnë thellësinë e analizës dhe kënaqësinë e trajtimit të Homerit, Dantes, Shekspirit, Gëtes apo autorëve të vjetër të Veriut, të Rilindësve të shquar apo të Pavarësisë. Edhe nxënësit e ndienin bezdinë që kishte kur fillonte letërsinë ruse apo shqipe të realizmit socialist. Për këtë tregohen shumë qyfyre nga nxënësit që këtu s'është vendi të kujtohen, por mesazhi i tyre është i qartë, mësuesi punonte me bezdi sepse asgjë s'e ngrohte. E kujtoni se është koha e veprave të tilla si Zarika, Çlirimtarët, Këneta, Ashtu Myzeqe, etj. etj., që veç ne e dimë se ç'kemi hequr duke gënjyer veten e nxënësit për vlerat e tyre ideore e artistike. Tamam në këto kohëra të errëta për vendin dhe kulturën tonë atje në Berat apo në Elbasan fillon punën shkencore. Tashmë studimet letrare për epikën, për Fishtën, e kush e di sa e sa projekte të tjera e ide të hershme djaloshare duhet të ndryshoheshin, të struken në qoshe të largëta e të errëta. Duke qenë në Berat njihet me Vexhi Buharanë për të cilin profesor Kola flet plot respekt si njeri i kulturuar e studiues i zellshëm i gjuhëve orientale. Njihet edhe me veprimtarinë e Tahir Dizdarit e që këtu i lind dëshira e pasioni që të merret me letërsinë e autorëve të vjetër. E unë këtë do ta quaja një fat të madh për kulturën tonë sepse atë punë që bëri Profesor Kola tash 45 vjet duke shpuar si pika gurin, nuk mund ta bënte as një institut i tërë studimesh.


Në fillim puna nisi në Elbasan duke punuar natën me një llambë vajguri për të hulumtuar në veprat e Kristoforidhit neologjizmat, e vazhdon në Shkodër me Matrangën, Kuvendin e Arbërit, Buzukun, Budin, Bogdanin etj. Mund të thoni se çlidhje ka kjo me mësuesinë? Po. Kolë Ashta ka qenë mësues, por mësues vetëm në shkollë, të dielën përgatitej për tërë javën, në mbrëmje bënte përgatitjen për të nesërmen. Gjatë ditës? Jo, gjatë ditës kishte punë të tjera, gjurmonte në veprat e autorëve të vjetër. E mendoni sa kohë është dashur të deshifrojë një fjalë, një rresht, një faqe nga Buzuku apo nga Matranga në një mikrofilm në kushte të vështira teknike.


Ndonëse është e vështirë për të nxjerrë një fjalë nga Profesor Kola, me gjithë përpjekjet, ai është shumë i heshtur e i kursyer, por nga njohja personale e nga bashkëbisedimet me shokë, kolegë e nxënës të tij, mund të paraqesim disa nga momentet e punës së tij si mësues.


Janë shkrirë në një studiuesi, mësuesi dhe njeriu. Kjo duket më së miri në vitet '60 dhe më pas kur i gjithë niveli i tij shkencorë e studimor, u vu në shërbim të ngritjes së nivelit të lëndës së leksioneve në lëndët: fonetikë, leksikologji, histori e gjuhës, dialektologji. Kështu lidhe më së miri e drejtpërsëdrejti shkencëtari me pedagogun. Ai u bë shembull për shumë kolegë të tjerë të cilët ndryshe nga lënda që jepnin në shkollat e larta, zgjidhnin një fushë krejt tjetër për të mbrojtur disertacionin. E Profesor Kola s'u ndie kurrë, por punonte në heshtje, kokulur si kalliri plotë kokrra, pa asnjë kreni, e cirkë cirkë grumbullonte lëndën për mësim e punë shkencore. Kjo s'ka qenë punë e letë, ai jo vetëm nuk pat asnjë përkrahje e nxitje, por iu vunë mjaft pengesa. Kushdo mund të pyes, duke pas fituar titullin Doktor, si nuk u gjend mundësia t'i njihesh ky titull, apo kishte më shumë rëndësi dhënia e katër provimeve? Nuk mjaftonin ato mijëra faqe punë e mirëfilltë shkencore? Si nuk u gjend mundësia e përmbledhjes dhe e botimit të veprave të tija, pa folur këtu për pengesat dhe në botimet e periodikëve. Cili prej nesh nuk do të tërhiqej kur asgjë të mos i botohej në revistat e Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, përveç një Matrange? Është forca e karakterit të njeriut, këmbëngulja dhe përkushtimi i tij që e nxitën të përballojë barrën e rëndë të mësuesit e mundimet e shkencëtarit. Sa prej mësuesve u ankuan që sjell puna me fëmijët? E pra asgjë në botë nuk u arritka pa mund e sakrifica. Mos të harrojmë që Profesor Kola ka punuar në një fushë tepër të vështirë e për shumë kënd të bezdisshme. Mendoni se ç'hiqet të lexohet një paragraf nga Buzuku i transkriptuar e i transliteruar, po në origjinal e aq më tepër në mikrofilm? Ky pasion gjithnjë e ka ngritur figurën e mësuesit para kolegëve, studentëve e miqve, por censorët duke ndjekur me besnikëri vijën e luftës së klasave kurrë s'ia dhanë vlerësimin e duhur. Vetëm gurë e pesha hodhën. E fyerja më e madhe iu bë kur në marsin e vitit 1975, pa përfunduar por dy muaj vitit shkollor, e nxjerrin në pension së bashku me mikun e tij, studiuesin po kaq të zellshëm e të heshtur, Fadil Podgorica. Kanë kaluar 17 vite e prof. Kola ndien shqetësimin e fyerjes që iu bë. Si ishte e mundur të mos lejohej ky farë zotërie të përfundonte programin, të mbaronte vitin së bashku me studentët? Po cila pedagogji, veç burokracisë diktatoriale e lejon këtë? Kjo ishte forcim i luftës ideologjike kundër shfaqjeve të huaja që kishte filluar në plenumin e famshëm të vitit 1974. E Kolë Ashta, studiuesi i Fishtës më 1942, vazhdonte të merrej me Buzukun, Budin e Bogdanin, etj., në vend që të merrej me leksikun në veprën "Rreziku anglo-amerikan" që filluan të studionin shumë "gjuhëtarë" të tjerë. E s'është për tu çuditur nga kritikat që bëheshin që Kolë Ashta, Jup Kastrati, Fadil Podgorica etj. nuk po merren me problemet aktuale, ndërsa shumë vend zë e kaluara. Kuptimin e kësaj kritike që bënte organizata bazë e partisë e Institutit, ishte i qartë.


Pavarësisht se u përgatit për veprimtari shkencore në fushën e gjuhës dhe të letërsisë, pavarësisht se nuk mori përgatitjen e nevojshme pedagogjike (Universitetet italiane nuk e kishin këtë synim), ai punoi me shumë kujdes që të shkrinte në një nivelin shkencor të lëndës me trajtimin metodik të saj. Ai mësoi nga përvoja e kolegëve. Kujton me kënaqësi për të mirë metodistin e Normales së Elbasanit, Musa Tafën, ndërsa nuk flet asnjë fjalë për drejtoreshën dhe metodisten e shkollës ushtrimore të Shkodrës, Aneta Baba- Ashta. Nxënësit e tij kujtojnë korrektësinë, qartësinë, argumentin e logjikën e trajtimit letrar e shkencor të lëndës, shoqëruar me diskutime shkencore e letrare nga nxënësit që i lejonte dhe i hapte ashtu lirshëm profesori, shoqëruar me improvizime, dramatizime, gjeste e shëmbëllime që lenin mbresa. Këto kujtohen edhe sot me biseda në mes nxënësish e kolegësh. Kujtohen skenat e Makbetit me thikë në dorë, dramatizimi i Kristoforidhit, qortimi i hartimit pa asnjë shenjë pikësimi, vlerësimi me dhjetë i një nxënësi që kishte prishur qetësinë e dënimi pas kësaj për thyerje disipline e shumë të tjera që s'është nevoja e vendi të përfliten.


Por unë dua të theksoj një ngjarje timen. Isha mësues i ri në shkollën e mesme "Xheladin Fishta", për herë të parë zhvilloja provime mature me nxënësit që i kisha përcjellë për shtatë vjet, e isha përpjekur fort. Të nesërmen shkova në gjimnaz dhe kërkova të lexoj disa hartime për t'i krahasuar me të nxënësve të mijë. U zhgënjeva. Nxënësit e Profesor Kolës as nuk krahasoheshin me të mijtë për nga thellësia e mendimit dhe e paraqitjes artistike. Këtë e kuptova më mirë kur lexova në Arsimin Popullor studimin për hartimet. Që atëherë e shikoja nga larg me shumë nderim atë burrë të heshtur që dinte vetëm të punonte e jo të çonte pluhur si shumë të tjerë rreth tij.


Në qoftë se në fushën e shkencës punoi pa u lodhur e s'ishte shpërblyer ende, sepse veprat e tij presin të botohen , në arsim nderimi ka ardhur duke u rritur e zgjeruar nga brezi në brez. Sot nxënësit e tij tani edhe disi të moshuar, kujtojnë mësuesin e tyre, edukatorin, njeriun, të mirin e të ndershmin deri në përkushtim, shëmbëlltyrë e përkryer e korrektësisë, thjeshtësisë, dashurisë e respektit për kolegët e nxënësit.


Ju faleminderit që më dhatë rastin të shpreh respektin për burrin e ditur e mësuesin shumë të nderuar, Zotni Kolë Ashtën, por nuk mund të lë pa përmendur dhe bashkëshorten e mësuesen e talentuar, Zonjën Aneta Baba-Ashta, e cila që prej një kohe të gjatë i krijoi kushte e domosdoshme që zotëri Kola të punojë i qetë.


Islam Dizdari: Shkodër, më 16.5.1992


Shënim: Kjo kumtesë u mbajt në Sesionin Shkencor, organizuar nga Universiteti "Luigj Gurakuqi", për Prof. Kolë Ashtën.



[ Edited Sat Feb 18 2017, 09:37am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 18 2017, 09:45am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ecja nëpër anën e errët të historisë
— nga Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj


Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidomos çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Leksikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës.


Para pak kohësh, pas një pune vullnetmadhe e të frytshme shumëvjeçare si pedagog dhe si studiues i gjuhës shqipe, u nda së gjallësh prof. Dr. Kolë Ashta, njëri nga hulumtuesit më të zellshëm e më të përkushtuar të fjalës shqipe, njohës i mirë i teorisë dhe i praktikës filologjike, figurë e paharrueshme dhe e lidhur me ndihmesa të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë shqiptare. Ai vdiq dhe nuk la trashëgimtar: as djalë as vajzë dhe kjo, natyrisht, në planin njerëzor e bën edhe më të dhimbshme humbjen, veçanërisht për familjen e tij, porse ai, ashtu si disa burra të tjerë të shquar të letrave e të shkencës sonë, la një vepër madhështore e të përmasave të mëdha, na la “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, vëllimin e parë të së cilës e botoi më 1996 Sektori Shkencor Albanologjik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”: një punë madhore dhe e hapët, prej rreth 500 faqesh, në të cilën janë përfshirë kërkimet dhe hulumtimet e të ndjerit rreth katër pikave-nyjë në filologjinë historike shqiptare: 10) “Formulës së pagëzimit” apo dokumentit të parë të gjuhës shqipe, shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli, 2) Dokumentit të dytë të gjuhës shqipe “Fjalorthit” të Von Harfit (1467), 3) “Perikopesë ungjillore” të përkthyer nga fundi i shek. XV e që përbën të tretin dokument të gjuhës shqipe dhe 4) “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) që përbën burimin më të madh e më të plotë të shqipes së shkruar deri atëherë.


Le t’i japim një sy, së bashku, të nderuar lexues, kësaj vepre të jetës së mjeshtrit Kolë Ashta, këtij libri të botuar nga Shtypshkronja “VOLAJ” me ndihmën financiare të Fondacionit “SOROS” dhe të Dhomës së Tregtisë të Shkodrës. Redaktorë të vëllimit janë një treshe e profesoratit shkodran, As. Prof. Dr. Tomor Osmani, As. Prof. Dr. Simon Pepa dhe Tefë Topalli, që të tre miq dhe kolegë të Ashtës, po edhe njerëz që i lidh fort zemra me ndihmesat e vyera të albanologjisë e që, duhet ta themi, në botimin e kësaj pune që përmban gjithë jetën e Kolë Ashtës, kanë rolin e atyre që shpëtojnë dikë nga përmbytja. Gaditja për shtyp e punët redaktoriale që kërkon një veper kaq e vëllimshme si “Leksiku historik i gjuhës shqipe” përbënte me siguri një mund e zotim të shënueshëm dhe atyre u përket një nderim për këtë.


Por, para se të hyjmë në thelbin e paraqitjes sonë, le të ndalemi një çast në përkushtimin e kësaj vepre nga autori: “Gjithë punën për kryerjen e këtyre studimeve ia kushtoj An-etës, gruas sime, e cila m’u gjet gjithmonë pranë”. Kjo na kthen edhe një herë tek ajo që prekëm në hyrje: Kolë Ashta nuk la bij, por ai, ashtu si Martin Camaj, pasi çoi jetën me familjen e vet, pasi iu mbaruan ditët, i la bashkëshortes veprën e tij të madhe, e cila e pavdekëson mbiemrin e autorit më shumë se do ta përjetësonin një çetë djem e nipa: ai la emrin e ndritur të studiuesit që kurrë nuk diti të thoshte “kam hulumtuar mjaft”. Ai e vijoi kërkimin dhe punën shkencore deri në çastet kur iu mpa-kën e iu shterruan të gjitha forcat dhe, pa dyshim, në shkëlqimin më të mbramë të syve të tij, para se t’i mbyllte përgjithmonë, zonja e tij e nderuar, Aneta, me siguri që, bashkë me lamtumirën e burrit, do të ketë ndjerë edhe “amanetin” e autorit për veprën që la në botim e sipër.


Tek lexojmë veprën, natyrisht, nuk mund të mos shprehim dhe nderimin që meriton zonja Aneta Ashta që, këtë amanet të të shoqit, arriti ta plotësojë, duke pasur pra-në edhe studiuesit e Sektorit të Albanologjisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Sa herë të lexojmë, të citojmë a të vlerësojmë atë çka thuhet në “Leksiku historik i gju-hës shqipe” të Kolë Ashtës, krahas tij do të na shkojë mendja natyrshëm edhe tek personat që me aq përkushtim bënë të mu-ndur botimin e saj. Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me for-mim të thellë e vizion të gjerë perëndim-or, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta.


Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidom-os çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Lek-sikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës. Kush lexon e studion veprat e Çabejt sheh se atë lëndë e citonte dhe e shfrytëzonte gjerë për etimologjitë e shqipes dhe më tej në kundrimet rreth historisë së gjuhës shqipe.


Nuk gabojnë aspak, po të themi se, në veprën e E. Çabejt “Studime etimoligjike në fushë të shqipes” Kolë Ashta është au-tori që është cituar më shpesh. 1. Punimi i parë që zë edhe vendin e kreut hyrës të vëllimit është ai që i kushtohet figurës së Pal Engjëllit, si personali-tet e bashkëkohës i Skëndërbeut, si historian a biograf i tij, i përmendur gjithandej në shkrimet historike kushtuar heroit tonë kombëtar, krahas Biemnit, Barletit etj. po, duke u ndalur, në mënyrë të veçantë në Kuvendin e Matit të vitit 1462, si një nga sinodet shumë të rëndësishme, ku ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli shkroi edhe të famshmen “Formula e pagëzimit”. Koha kur u shkrua Formula ishte një pikë kriti-ke e historisë kombëtare shqiptare: Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot – Skëndërbeu ishte atëherë më i plakur dhe i lodhur e kishte filluar të ndihej trysnia e ndikimit turk. Kuvendi i Matit mishëronte përpjekjet atdhetare për t’i bërë ballë sado pak vërshimit të kësaj vale.


Në sythin e titulluar “Dokumenti i parë i shkrimit shqip është “Formula e pagëzimit”, shkruar në Mat, më 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli”, Kolë Ashta i qaset shtruar shqyrtimit filo-logjik dhe përshkrimit të hollësishëm të brendisë e të formës gjuhësore të atij do-kumenti. “Formula e pagëzimit” e shkruar latinisht e shqip nga Pal Engjëlli është kjo “Ego te baptizo in nomine patris et filij spiritus sancti”. Teksti shqip i Pal Engjë-llit: “vnte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit”, që e tejshkruan kështu: “Un të pagëzonjt premënit/të/ Atit et birit et spertit senit”. Dokumenti i parë i shqi-pes gjendet brenda një konteksti udhëzim-esh të shkruara latinisht. Këto udhëzime, që kanë të bëjnë me këtë shërbesë fetare, me pagëzimin e në lidhje me formulën e tij, që lexohen në tekstin e Pal Engjëllit, dëgjohen përsëri e do të shtjellohen më gjerë edhe në shekujt vijues, si në Kuven-din e Arbnit, të mbajtur në Mërqinjë të Lezhës më 1706. Autori ngulmon se “ato janë dy më të moçmet sinode shqiptare që nga koha e Skëndërbeut”. (fq. 43).


Formula e pagëzimit, ndonëse është një tekst i shkurtër, gjithsej vetëm një fjali, përmban një hallkë të rëndësishme që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane. Ajo është formula që do të ketë qenë në përdorim të kishës në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse e fiksoi me shkrim atë traditë të trashëguar brezpasbrezi e me një trajtë pothuajse të pandryshuar. 2. Dokumenti i dytë i gjuhës shqipe është “Fjalorthi” i Arnold fon Harfit (Von Harf) i vitit 1497. Ky shtegtar gjerman, qe nisur nga Këlni i Renanisë në vitin 1496 për një udhëtim të largët nëpër Itali, Siri, Egjipt, Arabi, Etiopi etj. Gjatë atij udhëtimi ai u ndal diku edhe në brigjet tona. Ato që pa e dëgjoi gjatë udhëtimit të tij Harfi i renditi në një vepër, e cila asokohe nuk qe botuar. Vetëm mbas shumë vjetësh, më 1860, do të botohej në Këln “Die Pilgehrfart des Ritters Arnold Von Harf…”, në f.65 të të cilit, autori sjell disa fjalë shqipe së bashku me disa fraza e me disa numërorë, që u mblodhën prej tij në vendin to-në dhe po prej tij u përkthyen në gjermanisht. Së këtejmi, edhe quajtja e tyre “Fja-lorth shqip-gjermanisht” i vitit 1497. Nga shqyrtimet e shpjegimet e imëta të Ashtës del se Harfi, së pari, do të jetë ndalur në Ulqin, për të cilin thotë se “ky është një qytet i bukur, i vogël, pronë e venedikasve dhe është tokë shqiptare”. Prej andej ka-lon nëpër det dhe del në Durrës e aty, mbledh disa fjalë dhe mban shënime që, më vonë, do të ngjallnin aq interesim.


Në të vërtetë, përtej interesimit të mirëfilltë për historinë e shqipes së shkruar, ato pak fja-lë të Harfit, do të meritonin edhe një he-tim e analizë të hollë dialektologjike, sep-se, bash qysh aty, mund të vinim re edhe ndonjë dukuri dialektore karakteristike për të folmet bregdetare të Shqipërisë së Mesme dhe të toskërishtes, përderisa dihet se, gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, ai qëndroi edhe në Sazan. Porse, puna është se teksti origjinal nuk na ka mbërritur, kemi në dorë vetëm kopjimin sipas botimit që ka bërë Mario Roku (Roques). Të interesuarit, studiues apo studentë të le-trave shqipe, në studimin e prof. Kolë Ashtës kanë tërë listën e fjalëve shqip-gjermanisht të Harfit, bashkë me disa shpje-gime kritike në kllapa. Aty kemi, gjithashtu, alfabetin e shqipes të nxjerrë nga “Fjalorthi”. Sa thotë Ashta rreth veçorive gjuhësore-historike të “Fjalorthit” si dhe të dhënat leksikore të nxjerra së andejmi kanë pasur e do të kenë edhe më tej rëndësi të madhe për studimet rreth fonetikës historike të shqipes, si dhe përgjithës-isht rreth morfologjisë e leksikut të gjuhës sonë. Ato janë përfillur e cituar gjerë sidomos në kërkimet e Eqrem Çabejt. 3) Dokumenti i tretë i shqipes, të cilin Ashta e trajtoi gjerë në veprën e vet, është “Perikopeja ungjillore”. Aty flitet për për-kthyesin anonim të dokumentit, për ndryshimet mes kodit dhe dokumentit shqip të Anonimit “Perikopeja ungjillore”, bëhet përshkrimi i dokumentit nga ana filologjike, jepet pasqyra e alfabetit të “Periko-pesë ungjillore” dhe teksti i dokumentit shqip të Anonimit. Tërheq vëmendjen, në mënyrë të veçantë, shqyrtimi i gjerë dhe plot erudicion i të dhënave rreth fonetikës dhe përbërjes leksiko-frazeologjike që nden “Perikopeja”.


Aty, praktikisht, Porf. Ashta ka derdhur shpjegime e shpallime etimologjike, historiko-kulturore, etnolo-gjike etj., të cilat nuk mund të mos përfilleshin nga dijetarët bashkëkohës dhe at-a që do të vijnë. 4) Natyrisht, puna më e madhe dhe themeli i vëllimit është studimi “Gjon Bu-zuku dhe vepra e tij “Meshari” (1555), një monografi e hapët dhe e plotë prej gati 400 faqesh. Kemi të bëjmë me një studim të kryer qysh më 1963 dhe është bërë du-ke u mbështetur fillim e mbarim vetëm në fotokopjen tërësore të “Mesharit”, sepse, deri atëherë nuk kishte dalë ndonjë botim filologjik i tij. Vendin kryesor në studimin e Ashtës për librin e Buzukut e zënë, siç e thotë edhe ai vetë, sidomos dy gjëra të re-ja: ana letrare e përkthimit shqip dhe leksiku i plotë i nxjerrë nga vepra. Monogra-fia është nyjëtuar si vijon: pas disa shënimeve paraprake, shkurt, vjen hyrja me titull “Jehet e kohës e të hapësirës në she-kullin XVI dhe Buzuku me veprën e tij” (f. 113-120), sythi rreth jetës së Gjon Buzukut dhe disa vija të personit të tij (f. 121-1126), Arsyetim për çështjet biblio-grafike të veprës së Buzukut (f. 127-134), vrojtime grafike për shkronjat e alfabetit në veprën e Gjon Buzukut (f. 135-141), Një përpjekje për studimin e anës letrare të veprës “Meshari”, sipas përkthimit shq-ip nga Gjon Buzuku (f. 141-175), Veçori dalluese të gjuhës së Buzukut (f. 183-220), Bibliografi për Gjon Buzukun (f. 221-223) dhe Leksiku i plotë nxjerrë nga vepra e Gjon Buzukut, punuar mbi foto-kopje (f. 227-494). Vëllimi që kemi në dorë na fton ta këndojmë me nge, po edhe të nxjerrim së andejmi shumë fakte, pikëtakime e të dhëna që do të na duhen shpesh për të shqyrtuar e zhdavaritur të errëtat e kërki-meve rreth gjuhës shqipe. Po ndalem, kalimthi, vetëm në ndonjë ide e përsiatje që na del gati spontane duke lexuar Leksikun e veprës së Gjon Buzukut. Së pari, në afrinë shumë të madhe fonetike dhe leksikogramatikore të asaj që nden “Meshari” me të folmet e anës veriperëndimore, sidomos me ato të Malësisë së Madhe.


E kam fjalën, në mënyrë të veçantë, për pika të mëdha takimi e përkimesh që nuk ka si kalohen në hije, si p.sh. grupin e zano-reve uo (afëruom, amëshuom, amëltuom, anëkuom, bekuom, besuom, bukuruom, buollicë, dërguom, dëftuom, dëshmuom, duoj, duruoshim, fabrikuom, faruom, firmuom, gruoja, guxuom, gjatuor, gjimu-om, idhënuom), që nuk e ndeshim më kurrkund në të folmet e gegërishtes veri-perëndimore, përveç trevave të Malësisë dhe të zonave prej nga kanë qenë shpërngulur malësorët, si në anët e Krajës dhe në diasporën e krijuar prej mërgimtarësh krajanë e anamalas në Zarë të Dalmacisë. Shumëkush, ndonjëherë edhe në radhët e gjuhëtarve që maten me hijen e mëngjesit, harrojnë se, p.sh., të folmet e Kastratit, të Hotit, të Kelmendit etj, bash hir të pranisë së togut uo dhe fazës së mëtejme të tij ua (grua, mua, prrua, shkua) dallohen prerazi nga mbarë të folmet e tjera të gegërishtes, dhe, least but not least, bashkëzanojnë më dukshëm me toskërishten e me gjuhë letrare standard, sesa me të folmet e tjera, qoftë edhe aq pranë, si p.sh. me të folmen e qytetit të Shkodrës. Pikërisht ashtu si gegërishtja e Gjon Buzukut, siç e kemi thënë edhe gjetkë, ngjason aq fort e përputhet harmonishëm në shumëçka me tos-kërishten e Lekë Matrëngës.
Natyrisht, hi-poteza si kjo mbeten gjithësesi “në kantier” e duhen çuar më tej, porse mua më duket se , edhe në shumë raste të tjera, leksiku dhe semantika buzukiane që nden “Meshari”, jo vetëm gjen përputhje të plo-ta, po edhe jep shteg për të menduar për një zanafillë të mundshme të Gjon Buzukut pikërisht nga ndonjë vis veriperëndimor që kishte një të folme si ato që ndeshim edhe sot në Malësi të Madhe.


Sa për ilustrim, po theksojmë këtu se, duke lexuar Leksikun e Buzukut, mua më vijnë kundruall e krejt të njëjta shumë leksema si këto: ardhija dhe shqiptimi i saj në formën ërdhi, që aq shpesh e kisha ndeshur ndër të moshuarit e Kastratit; mbiemri ci-lësorë i atillë, e atillë me kuptimin “i fortë, i fuqishëm”, që e kam ndeshur në Budishë e Kastrat të Epërm qysh kur punoja për temën e diplomës për të folmen e Kastratit (1965-66); bakeq “keqbërës” dhe antonimi bamirë “mirëbërës”, forma briena si shumës i emrit brini “briri”, folja bukuroj dhe rrjedhojat e saj bukuruom, e bukuru-ome, që ndërtohen pa parashtesë, por dre-jtpërdrejt nga tema bukur: ka nis rrushi m’u bukurue (Kastrat), butak-u që lidhet me but-i, por që në Kastrat e ndeshim në formën bucak-u; fjalët dejem, i dejun “dehem, i dehur”; forma me ll e emrit të së di-elës: Buzuku dielle-ja, Kastrat e gjetkë në Malësi edhe sot: e diell, t diell n mrame; djergem “zbres”, duoj “dorëz kallinjsh”, fjala ndez me formën në dh: dhezunë, dhezëllimë, që, krejt ashtu, na shfaqen në Malësi: me llez i cigare, zjarmin e laç llezun, ka marr t llezun etj. Dukuri të tilla, sigurisht, nuk mjaftojnë vetëm të hetohen, ato duhet edhe të ndiqen në ballë të gjerë e sipas një ideje për te mbërritur në përqasje sa më të plota e sistemore. Vetëm kështu besojmë se mund të jepen pamje më të hapëta e prurje më të sigurta, mbi bazën e të cilave edhe mund të zhdava-riten sadopak mjegullnajat rreth fazave të hershme të gjuhës shqipe e të jo pak pro-çeseve fonetike e morfosintaksore të saj. Paçim shëndet e jetë për t’u ardhur rreth e për të hulumtuar mbi to. Pastë dritë e iu përmendtë kurdoherë për mirë emri mjeshtrit të madh Prof. Dr. Kolë Ashtës.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Sat Feb 18 2017, 09:55am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Urdhnimet e poezìs


Mos harrò se poezija të nalton me kundrue heroizmin e jetës. Shqiptari bashklindet me ket heroizem. Ai jeton me krye në rrezik tue luftue e tue vuejtë. Jetën e kupton porsi nji perpjekje të vijueshme. Kush nuk perpiqet, kush nuk punon do te deshtojë, pse jeta e patrazime, e qetë, e pamendime, e papunë të plakë menden, të kalbë zêmren, të mbytë ndjenjat.


Mbaje në mend se poezija i flet ndjenjave breshnorake, shllimeve të nalta, shpirtenve djalosharë. Ajo ngjallë ngazullimin kundra jetës mkatnore, hovin krijues kundra lakmimit landuer. Poezija çpallë vlerën e naltë të shpirtit, qi përbuzë sendet e landshme, fuqizimin e virtyteve të pambarueme, qi dermojnë lakmimet landore. Poezija ngjallë naltimin e virtyteve kundra jetës së shkatrrueme e mkatnore. Kujtò se poezija përpiqet për ringjalljen e zêmrës shqiptare, e vetdijes kombëtare, e ndjenjes atdhetare. Dueje ringjalljen e ndergjegjes, qi i don të mirët, qi i beson ati qi e don, qi e ndihmon ate qi e mëson, qi lufton për doket ilire.


Veshtrò mirë se poezija nuk këndon paren, se ajo të djegë dorën, të vërbon syt, të prishë menden, të helmon jetën. Naltoje shpirtin, se parja nuk merret në vorr. Shpirti jeton mbas vdekjes e parja shuehet. Njeriu i dhanun mbas ktì mkati nuk shef heroizmin e jetës e prà do të ndalet. Kush ndalet ka me u dukë porsi hije ndër të tjerë, porsi nji kufom e gjallë me sy të gropuem, porsi gjethi i pêmës i sjellun prej ere.


Mos e përbuz poezìn, pse ajo kundron zêmrat djaloshare ku levizë gjak fisnik, nji hov ilir i rì, i vërtyteve shqiptare të pasterta, të drejta, fatosore, qi përfaqsojnë cilsìt rracore të njeriut shqiptar. Ajo këndon pafajsìn, qi bjen pranverën ndër zêmra.


Ta dijsh se poezija rikrijon zêmrat, zhdukë dyshimin frigacak, mbytë gënjeshtrat munduese. Poezija i çpallë luftë zêmërkqive, shfrytzuesave mendengushtë, shpirtligjve.


Ta dijsh se urdhnimet e poezìs të freskojnë thellsìt e shpirtit me ujin dikues, ulin pezmin, njomsojnë ndiesìt. Por ta dijsh se të këqijt, qi flasin mbrapshtë, njerzit qi s'kan besim, qi s'dijnë çka âsht shpirti, nuk e kuptojn poezìn; por ta dijsh edhe se ajo i flet zemrave të nalta, shpirtenve djalosharë, ndjenjave fisnike, të denja, të pasterta, të këthillta. Mbaje në mend se poezija ngjallë hovin e virtyteve dhe dermon veset kapërthyese, epshet vdeksore, mkatet verbuese.


Nga Kolë Ashta ("Balli i Rinisë", Tiranë, 5 dhjetor 1942)



Profesor Kolë Ashta



Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2315 sec, 0.0760 of that for queries. DB queries: 35. Memory Usage: 2,629kB