Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Arti - Kultura - Tradita - Fotografia - Video :: Figuara të Ndritura Kombetare
 
<< Previous thread | Next thread >>
Aleksandër Xhuvani (1880-1961)
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Mon Mar 20 2017, 12:08AM

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56AM

Posts: 10264
Aleksandër Xhuvani është veprimtar i Rilindjes Kombëtare, iluminist i spikatur dhe pedagog i madh, personalitet i shquar i arsimit, i shkencës dhe jetës politiko-shoqërore, Mësues i popullit dhe shkencëtar i shquar (gjuhëtar, pedagog dhe psikolog). Është pedagogu më i shquar shqiptar dhe figura qendrore e arsimit kombëtar shqiptar në gjysmën e shekullit XX. Çmohet themelues i pedagogjisë dhe psikologjisë shqiptare. Prof.dr. Aleksandër Xhuvani është "Mësues i mësuesve shqiptarë".





Aleksandër Xhuvani u lind më 14 mars 1880 në Elbasan (kryeqendër e sanxhakut omonim të vilajetit të Manastirit), në lagjen Shën Mëria, respektivisht në lagjen Kala të këtij qyteti të lashtë dhe me traditë të pasur kulturore e arsimore, me një populsi të njohurpër me virtite e zakone bujare, për gjuhën e pastër e të bukur shqipe etj. Në këtë qytet jetuan e vepruan shumë dijetar e personalitete të dëgjuara kulturore e arsimore, që zënë vend në faqet e lavdishme të historisë kombëtare, si Onufri, Anonimi i Elbasanit, Teodor Haxhi Filipi (Dhaskal Todhri), Konstandin Kristoforidhi e shumë të tjerë. Ishte biri një prifti të varfër të fshatit Shtërmen, i quajtur Papa Jani (Papa Xhuvani), i cili, për misionin e tij kishtar, paguhej nga pushteti grek i asaj kohe. Ndërsa nëna i vdes dhe Aleksandri që në moshën tre vjeçare mbetet bonjak, rritet pa e përjetuar ngrohtësinë e prehrit të nënës, ai mbetet nën përkujdesjen e motrës së madhe Urania të cilën do ta përkujtojë vazhdimisht me respekt e admirim të veçantë.

Në moshën tetëvjeçare, në vitin 1888, regjistrohet në shkollën fillore greke të lagjes Kala në të cilën kishin punuar si mësues Dhaskal Todhri dhe Konstantin Kristoforidhi. Kjo shkollë ishte katërvjeçare. Pasi e kreu këtë u regjistrua në shkollën triklasore të qytetit, ishte nxënës i nxënësit të Kristoforidhit, Tush Pinës. Më 1898 u regjistrua dhe kreu gjimnazin e Manastirit në Kolegjin-konvikt të Çotilit në Maqedoni (Greqi e sotme). Më 1902 u regjistrua në Fakultetin Filologjik të Athinës. Atje (siç e përshkruan Xhuvani në "Kujtime" të botuara nga "Shkëndia" Prishtinë, 1972, f.20 ) me ndihmën e disa epirotëve, që u shkonte fjala, i jepet mundësia që prej Universitetit të Athinës të fitojë një bursë nga të lënat e një e një mirëbërsi Varika. Por, kjo bursë nuk i mjaftonte Xhuvanit për të jetuar e studjuar në Athinë, prandaj detyrohet të punojë në një restorant të qytetit.

Gjatë studimit të tij të shkencave filologjike në Athinë Xhuvani arriti një kulturë të gjërë dhe i vuri baza të forta krijimtarisë së mëvonshme shkencore, posaçërisht në fushën e gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare. Ai fitoi një bazë të mirë tekniko-shkencore dhe arsimore.

Puna e tij shkencore, si dhe aktiviteti i tij pedagogjik ishte i e përcjellur me rreziqe të mëdha të shkaktuara nga autoritetet turke dhe greke. Asokohe populli shqiptar nuk e gëzonte të drejtën e ligjshme për të shkruar me alfabetin e tij, por edhe mungonte një alfabet i përbashkët.

Aktivitetet dhe rrethanat në të cilat vepronte Xhuvani kur ishte student në Athinë, do t’i përshkruajë kështu: Këtë punë të shqipes e me të ndruajtur shumë, se po të mirrej vesh, do të më quanin arvanitis (kështu i quanin grekët ata shqiptarë, që kishin ide nacionale, patriotizëm shqiptarë), do të më pritnin bursën e mund edhe të më çregjistronin nga universiteti.

Xhuvani i brumosur me një kulturë dhe dituri të thellë gjuhësore , si dhe me një ndërgjegje të lartë e të qartë kombëtare, me kohë filloi t’i kundërvihet edhe në mënyrë të hapët politikës panheleniste e shoveniste të grekëve ndaj popullit shqiptar.

Situatat konfliktore të Xhuvanit e autoriteteve greke u ashpërsuan shumë, prandaj edhe detyrohet që të largohet nga Athina e Greqia.

Pasi i kreu provimet e vitit të katërt të Fakultetit Filologjik, me sukses të shkëlqyeshëm, në gusht të vitit 1906 u nis prej Athinës për në Napoli të Italisë, pasiqë mësoi se në Napoli ishte krijuar një qendër për studimet shqiptare prej Luigj Gurakuqit e prej poetit arbresh Zef Sqiroit. Në Napoli u takua me Luigj Gurakuqin, Zef Sqiroin, Ismail Qemalin e të tjerë.

Pas këtij qëndrimi në Napoli, Xhuvani, me angazhimin e Luigj Gurakuqit, Zef Sqiroit, arbëreshëve e dashamirëve të tjerë, nga Ministria e Arsimit të Italisë u emërua profesor i gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Mitër Koronës në Kalabri. Atje u ndihmua edhe nga fisniku italian Gjuzepe Sqiroi, i cili pat deklaruar se Xhuvanit " iu desht ta lëshonte Athinën për shkak të ndjenjave të tij patriotike.Ai rekomandonte që Xhuvani ti vazhdonte studimet në Itali.Kështu në nëntor të vitit 1906 ia filloi punës si arsimtar në katedrën e gjuhës Shqipe në Kolegjin arbresh të Shën Mitër Koronës. Xhuvani jetoi dhe punoi midis arbreshëve tri vjet, të cilët e donin dhe e respektonin shumë. Edhe këtu punoi me objektiv të caktuar: si ta ngjallim dhe ta shpëtojmë Shqipërinë.

Revolucioni xhonturk krijoi kushte më të favorshme për një veprimtari më të dendur politike, kulturore e arsimore edhe në Shipëri. U mbajt Kongresi i Manastirit dhe i Elbasanit.

Në Kongresin e Elbasanit u vendos të hapet një shkollë normale në Elbasan dhe u emëruan disa nga pedagogët e ardhëshëm, midis të cilëve edhe Xhuvani. Pasi morri këtë lajm jo të rëndomtë Xhuvani nga Luigj Gurakuqi që ishte informuar nga Elbasani, vendosi të kthehet në vendlindje. Dhe më 22 tetor 1909 ndërpret punën në Kolegjin e Shën Mitër Koronës.

Aleksandër Xhuvani pedagog në normalen e Elbasanit

Xhuvani, në vitin shkollor 1906-7 emërohet arsimtar i gjuhës shqipe, gjuhës frenge dhe historisë në Shkollën Normale të Elbasanit, e cila shkollë vlerësohet si "tempulli i diturisë kombëtare".

Pedagogët e Normales bënë një punë të lavdishme për grumbullimin, pranimin e vendosjen e nxënësve, organizimin e mësimit. Xhuvani me punën e tij arriti të bëhet njëri nga themeluesit e arsimit të mesëm e pedagogjik në shqipëri.

Në mungesë të literaturës elementare për përgaditjen dhe organizimin e mësimit në gjuhën shqipe, Xhuvani së bashku me pedagogët tjerë hartuan disa dispensa mësimore, që tua lehtësojnë punën nxënësve.

Përveç këtyre dispensave, Xhuvani u përpoq të botonte edhe gramatikën e tij, që e kishte përgaditur qysh në Itali.

Pedagogët e Normales dalloheshin edhe sipas organizimit të mësimit, sipas marrëdhënieve midis tyre dhe nxënësve, të cilat ishin shumë të ngrohta. Përmes metodave, formave e mjeteve mësimore ata përpiqeshin t’i aktivizonin nxënësit. Bashkëpunimi midis pedagogëve dhe nxënësve ishte i gjithanshëm. Edhe mjetet mësimore i siguronin së bashku.

Në bashkëpunim me klubet e shoqëritë patriotike, u angazhua në ngritjen arsimore e kulturore të masave popullorenë të Elbasanit, u mësoi atyre shkrim-leximin në gjuhën shqipe. Këtë punë e organizonin nëpërmjet klubit "Bashkimi" të Elbasanit.

U angazhua edhe për formimin dhe pasurimin e bibliotekës shkollore, me qëllim që librat e saj t’i shfrytëzonin pedagogët edhe nxënësit.

Në këtë kohë Xhuvani, u mor edhe me përkthime siç janë: "Jeta e Pirros" nga plutarku, "Austro-Hungaria dhe Besëlidhja Ballkanike" nga gazeta "Le emps", përkthime këto të mirseardhura dhe të vlerësuara nga lexuesit.

Këto aktivitete kulturore e arsimore u ndërprenë nga xhonturqit. Ata e mbyllën Shkollën Normale, i ndiqnin atdhetarët që kishin ide kombëtare, kështu shumë atdhetarë u detyruan të ikin nga Shqipëria, kështu edhe Xhuvani u detyrua ta braktisë Elbasanin dhe Normalen, e njëkohësisht edhe punën pedagogjike, për ta vazhduar atë në rrethana të reja shoqërore, kulturore e arsimore. U largua dhe vajti në Aleksandri të Egjiptit.

Aleksandër Xhuvani midis shqiptarëve të Misirit

Gjatë qëndrimit në Egjipt, është lidhur kryesisht me gazetën "Shkreptima" e cila financohej nga Fazli Pashë Toptani, ndërsa redaktorë e bartës kryesor i saj ishte Xhuvani. Pjesën më të madhe të shkrimeve të gazetës i ka bërë vetë Xhuvani edhe pse nuk janë të nënshkruara nga ai, për arsye të pasojave që mund të kishte për të dhe për prindërit dhe të afërmit e tij në Elbasan.

Çështjet që shtjelloheshin në numrin e kësaj gazete ishin jetike për popullin shqiptar, për çlirimin e përparimin e tij. Trajtohej edhe pozita e gruas në shoqëri. Xhuvani thekson barazinë e plotë mibis burrit e gruas, angazhohet për emancipimin dhe ngritjen arsimore të saj. Angazhohet për bashkimin e toskëve e gegëve, për tejkalimin e kësaj gjendje.

Një shkak tjetër i mjerimit të shqiptarëve, sipas Xhuvanit është padija, të pamësuarit, erësira e mendjes. Ai e çmon lartë diturinë për një komb dhe thotë se dituria është pasuria më e madhe e njeriut. Njeriu pa dituri nuk mund të jetë ai që duhet të jetë. Dhe për këtë arsye pikërisht në gazetën "Shkreptima" shkroi punimin e paeë të mirëfilltë pedagogjik, me titull Nevojat shkollare. Këtu edhe një herë aktualizon nevojën urgjente për botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, me qëllim që të përhapet drita e qytetrimit, mësimi i gjuhës, kultura etj.

Gjatë kësaj kohe u përpoq që të botojë tekste shkollore, të hartuara nga vetë ai dhe përmes gazetës "Shkreptima" bën thirrje që ta ndihmojnë materialisht autorin për botimin e teksteve shkollore ku bënte pjesë edhe gramatika e shqipes.

Veprimtaria e Xhuvanit në Egjipt u ndërpre nga ndikimi i Xhon-Turqive të cilët ndikojnë Qevetia e Egjiptit që ta ndjekë gazetën si revolucionare, prej këtij momenti qëndrimi i tij i mëtejmë në Kajro ishte i pa mundshëm.

Prej Kajros shkoi në Aleksandri, atje u kyç në një shoqatë shqiptare "Vëllazëria" dhe u emërua sekretar i saj.

Periudha e qëndrimit të tij në Egjipt ishte e shkurtër, një vjet e gjysëm, por e tërësisht përparimtare.

Veprimtaria e Aleksandër Xhuvanit që nga shpallja e pavarsisë deri me pushtimin fashist të vendit

Pas shpalljes së pavarsisë së shtetit shqiptar Xhuvani u kthye në atdhe dhe u emërua drejtor i dhe pedagog i Shkollës Normale të Elbasanit ku iu rrek punës pedagogjike për ngritjen dhe formimin e kuadrit të ri arsimor aq të nevojshëm. Si drejtor punoi duke filluar prej tetorit të vitit 1913 e deri në maj të vitit 1914, kur në Shqipërinë e Mesme shpërtheu kryengritja esadiste.

Xhuvani ishte edhe zëvendësdrejtor i arsimit për prefekturën e Elbasanit, ku kontribuoi shumë për masivizimin e arsimit fillor e për ngritjen cilësore të tij.

Pas këtyre rrëmujave që ndodhën në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, Elbasani, Shkodra e disa qytete tjera ranë nën sundimin e Austro-Hungarisë. Drejtoria e atëhershme e Arsimit hapi edhe dy shkolla të normale atë të Shkodrës dhe të Elbasanit. Normalaja e Elbasanit u rihap më 1917 dhe drejtor i saj përsëri u emërua Xhuvani.

Më 1 shtator 1916, dha kontribut në iniciativën e Drejtorit të Përgjithshëm të Arsimit, Luigj Gurakuqit, në themelimin e Komisionit letrar shqiptar i cili kishte për detyrë hartimin dhe botimin e librave shkollorë.

Më 15 shkurt 1918 u formua shoqëria kulturore-letrare shqiptare, me emër "Qarku letrar i Elbasanit", ndërsa Xhuvani u zgjodh për kryetar. Më vonë zgjidhet kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, ku u morën vendime të rëndësishme për arsimin kombëtar, terminologjinë shkencore etj. Më 1920, u emërua udhëheqës i Këshillit të Epërm Arsimor pranë Ministrisë së Arsimit ku qëndroi deri më 1922. Këshilli I Epërm Arsimor përmirësoi programe shkollore me një hyrje metodike për çdo lëndë mësimi për shkollat fillore. Përgaditi për botim abetaren dhe këndimin e klasës së dytë etj. Si kryetar i këtij Këshilli u angazhua për modernizimin e arsimit, për realizimin e arsimit të obligueshëm, si për djem ashtuedhe për vajza.

Më 22 korrik 1922 filloi punimet Kongresi Arsimor i Tiranës, Xhuvani ishte ai që e barti barrën kryesore të tij. Si drejtor dhe pedagog i Normales së Elbasanit ka qëndruar deri më 1929.

Për kontributin e madh që dha në fushën e arsimit kombëtar ai, per të parën herë në Shqipëri u nderua me titullin e lartë "Mësues i popullit" ky titull iu dha me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Normales së Elbasanit. Atij iu dha edhe titulli i lartë shkencor "Profesor" si dhe grada e lartë shkencore "Doktor".

Zemra e këtij militanti të shkencës, arsimit dhe të përparimit kombëtar e njerëzor pushoi së rrahuri më 24 nëntor 1961.

Literatura:

  • Dr. Hajrulla Koliqi,1987, Aleksandër Xhuvani- Puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike, ETMM-KSAK, Prishtinë.

  • Prof.dr. Hajrulla Koliqi, 1997, Historia e pedagogjisë botërore II, UP, Prishtinë.

  • Prof. dr. Hajrulla Koliqi, 2002, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Libri shkollor, Prishtinë.

  • Prof.dr.Shefik Osmani,1983, Fjalor i pedagogjisë, 8 Nëntori, Tiranë.

  • Pasho Baku, 2004, Fjalor enciklopedik, Bscchus, Tiranë.

pedagogjia.wordpress.com trokit ketu




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Mar 20 2017, 12:22AM

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56AM

Posts: 10264
Mendimi pedagogjik i Aleksandër Xhuvanit
- nga Shpend Bajrami

Xhuvani ishte vazhdues dhe nxënës i zellshëm i trashëgimisë pedagogjike të iluministëve demokrat të Rilindjes Kombëtare, të Kristoforidhit, Naim e Sami Frashërit, Gj. Qiriazit etj.

Më 1926, Aleksandër Xhuvani do të botojë “Fillimet e pedagogjisë për shkollat e fillores pjes e dytë: Didaktikë e Edukatës" për ta vazhduar pastaj me “Didaktikën" dhe “Edukatën"- me këto vepra Xhuvani shënoi një ngritje kualitative në mendimin pedagogjik shqiptar.Ai ia vuri bazat punës shkencore në fushën e pedagogjisë shqiptare. Pra ai është themelues i shkencës pedagogjike shqiptare.

Kuptimi i edukatës

Fjalën edukatë e nxjerr nga fjala latine educere, e cila ka domethënien e të nxjerrit jashtë, të qiturit në dritë të atyre aftësive që gjenden por si farë, mbrenda në një subjekt të dhënë, ndërsa pedagogjia sipas tij është shkencë dhe art i edukatës me rëndësi shumë të madhe shoqërore e kombëtare. Pedagogjia ka lidhje të ngishtë edhe me shkencat tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, fitiologjinë, sociologjinë, logjikën etj.

Qëllimi i edukatës

Xhuvani, idealin e edukatës e kupton dhe e trajton në mënyrë të gjërë. Ai thotë se qëllimi i edukatës është formimi i personalitetit, dmth. mësimi ka për qëllim të formojë njerëz me gjikim më vehte e të lirë, me një sy të patrembun për çdo rasë të jetës e me një dashuni të vërtetë për çdo gja të ndershëm dhe ma fort për veprimin e njeriut në shoqëni njerzore.

Sipas tij, ideali i edukatës shqiptare duhet të jetë që të formojë shqiptarin trim të stemën, asi qi nuk njef ndalime, asi qi shkon veç përpara e nuk kthehet prapë, i pa përkulun në zgjedhë. Xhuvani qysh herët e vë në spikamë karakterin shoqëror dhe politik të edikatës dhe të qëllimit të saj. Duke u bazuar në këtë, ai u angazhua që shkolla dhe edukata kombëtare të formojnë punëtorë të mirë, të kulturuar, ndërsa në shoqërinë e re socialiste ai u angazhua për formimin e njeriut me tipare të reja shoqërore.

Në kuadër të sistemit pedagogjik të tij përfshin dhe trajton edhe detyrat e edukatës. Sipas tij, detyrat e edukatës janë këto: edukata qytetare, edukata kombëtare, edukata fetare, edukata fizike, morale, mendore, estetike dhe edukata e punë, ku me organizimin e drejtë të këtyre detyrave arrihet ideali i edukatës.

Xhuvani kontribuoi edhe në fushën e historisë së pedagogjisë botërore dhe të historisë së pedagogjisë shqiptare, e cila për rreth gjysmë shekulli ndërlidhet me jetën dhe punën e tij arsimore e pedagogjike. Ai ishte histori e gjallë e shkollës dhe e pedagogjisë shqiptare. Meritë e veçantë e tij është fakti që u përpoq për ndërlidhjen e traditës përparimtare pedagogjike me nevojat aktuale të shkollës dhhe arsimit shqiptar, siç ishte rasti me pedagogjinë herbartiane, me rrymat e ndryshme pedagogjike të shkollës së re.

Sipas tij, puna shkollore duhet të bazohet në njohjen e mirë të tipareve psiko-fizike të nxënësit. Për këtë arsye e shkroi edhe veprën “Psikologjia" e cila vlerësohet si vepër monumentale për tërë literaturën shqiptare. Kjo në fakt është një tekst i psikologjisë pedagogjike por në vete ngërthen edhe përmbajtje nga psikologjia e përgjithshme, nga ajo fëmijërore, patologjike, fiziologjike, eksperimentale etj.

Xhuvani kontribut dha edhe në themelimin dhe ndërtimin e didaktikës dhe pedagogjisë shkollore shqiptare. U mor me trajtimin e çështjeve themelore të mësimit dhe të shkollës, siç janë: përmbajtjet mësimore, parimet didaktike, personaliteti i mësuesit, lokalet shkollore etj. Për ta nxjerrë shkollën shqipe nga prapambeturia dhe kaosi i rrymave e ndikimeve të ndryshme pedagogjike dhe ta ngritë atë mbi një bazë unike e të përparuar didaktike botoi tekstet: didaktikë e edukatë, Didaktika. Ai personalitetin e mësuesit e lartëson kur thotë: “Vetë vetëdija që mësuesi asht tue formue gjan ma fisnike në botë, shpirtin e njeriut, duhet ta naltësojë e ta nxisë që të punojë sa më shumë për atë".

Me vlerë janë edhe idetë e tij nga fusha e pedagogjisë parashkollore, nga fusha e andragogjisë, si dhe nga pedagogjia familjare. Ai thekson ngritjen arsimore dhe kulturore të femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi si faktor shumë të rëndësishëm shoqëror e edukativ.

Dha kontribut edhe pedagigjinë speciale, përpjekja e tij për propagandimin e arritjeve evropiane në këtë fushë edukative e humane.

Sistemin pedagogjik veç traditës kombëtare e përvojës arsimore, e mbështeti në mendimin pedagogjik të pedagogëve të shquar botërorë si: Komenski, Pestaloci, Distervegu, sidomos Herbarti e herbartianët etj.

Ai ishte pedagog, i cili u përpoq vazhdimisht për futjen e së resë përparimtare në shkollë dhe pedagogjinë shqiptare dhe për propagandimin e saj. Veprat e tij ndryshe quhen edhe pedagogjia xhuvaniane.

Kontribuoi shumë edhe në sendërtimin e sistemit arsimor shqiptar sipas standardeve të perparuara të kohës, duke përfshirë këtu legjislacionin shkollor, tekstet shkollore, përgatitjen e kuadrit mësimor, terminologjinë pedagogjike-shkollore, organizimin e mësimit, dokumentacionin pedagogjiko-shkollor etj. Xhuvani ishte shembull i mësuesit dhe pedagogut të mirëfilltë; vetë ai ishte shembull se si duhet punuar për arsimin, shkencën, popullin dhe atdheun, ndaj edhe vepra e tij, siç shkruan prof. Eqrem Çabej "do të lëshojë dritë edhe sot, edhe në të ardhmen".

Literatura:

1. Dr. Hajrulla Koliqi,1987, Aleksandër Xhuvani- Puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike, ETMM-KSAK, Prishtinë.
2. Prof.dr. Hajrulla Koliqi, 1997, Historia e pedagogjisë botërore II, UP, Prishtinë
3. Prof. dr. Hajrulla Koliqi, 2002, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Libri shkollor, Prishtinë.
4. Prof.dr.Shefik Osmani,1983, Fjalor i pedagogjisë, 8 Nëntori, Tiranë
5. Pasho Baku, 2004, Fjalor enciklopedik, Bscchus, Tiranë.

pedagogjia.wordpress.com trokit ketu




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Mar 20 2017, 12:33AM

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56AM

Posts: 10264
Fjalimi i Prof. Aleksandër Xhuvani në ceremoninë mortore të Atë Gjergj Fishtës


Zotnij të ndershëm

Si vetëtimë u-perhap an'e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t'onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t'auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin'e besën e fisit t'onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë.

E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit' e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit'e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s'onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare.

Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s'ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit'e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s'onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.

Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s'onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t'ona vetëm artin e tij poetik, bukurin'e harmonin'e vargut, rrjedhshmnin'e dlirsin'e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.

Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t'ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t'u-ushqye e për t'u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.

Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t'i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t'i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në kët dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.

Shkodër 31 dhjetor 1940




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1829 sec, 0.0316 of that for queries. DB queries: 35. Memory Usage: 1,617kB