Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Histori
 
<< Previous thread | Next thread >>
*** Historia Kombtare ***
Go to page  1 2 3
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Thu Feb 04 2010, 11:11am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Pse Auron Tare, njeriu i Rothschild-ve, po bën “Sherlock Holmes” me historinë e atentatit të Kanalit të Korfuzit
Written by Gazeta SOT

E Enjte, 04 Shkurt 2010 00:00
Nga Kastriot MYFTARAJ

Prej disa muajsh Auron Tare, në bashkëpunim me revistën “MAPO” dhe “Gazeta Shqiptare” është duke bërë “Sherlock Holmes” të atij që quhet incidenti i Kanalit të Korfuzit, përkatësisht ndeshja në mina e anijeve britanike në vitin 1946, gjë për të cilën Shqipëria u dënua nga Gjykata e Hagës. Sipas dokumenteve britanike të zbuluara, del se britanikët kanë organizuar një demonstrim force në bregdetin shqiptar, që ishte parashikuar të shkallëzohej deri në luftime të kufizuara, në rast se do të ndeshnin në kundërpërgjigje nga pala shqiptare.

Në një komunikim me Auron Taren në facebook, për këtë çështje i tërhoqa vëmendjen miqësisht për metodologjinë e perceptimit të dokumenteve, ose çka njihet si kritika e burimeve. Në rastin e dhënë kjo do të thotë se, dokumentet që paraqet Auron Tare duhen parë në kontekst, ose në atë që në gjuhën ushtarake quhet teatri operacional. Anijet britanike që bënë demonstrimin e forcës në bregdetin shqiptar, qenë pjesë e një teatri operacional, ku synimi ishte të ndalohej lufta civile në Greqi, e cila kishte filluar nga komunistët pikërisht në vitin 1946.

Dihet se Shqipëria u bë atëherë bazë për të mbështetur guerriljen komuniste në Greqi. Nga Shqipëria hynin në Greqi rebelët komunistë grekë të armatosur e të stërvitur, si dhe merrnin furnizime me ushqime dhe municione. Britanikët në atë kohë qenë mbështetësit kryesorë të forcave të qeverisë antikomuniste në Greqi me armë dhe të gjitha furnizimet e tjera. Vetëm në mars 1947, me Doktrinën “Truman” SHBA e morën përsipër rolin e Britanisë së Madhe në Greqi. Në 1946, një nga shqetësimet kryesore për britanikët qe se mos guerrilas komunistë grekë të ardhur nga Shqipëria do të merrnin nën kontroll Korfuzin që ishte bazë e flotës britanike dhe pikë me rëndësi të madhe strategjike. Nga Korfuzi guerrilasit komunistë grekë mund të merrnin nën kontroll ishujt e tjerë jonianë, gjithashtu me rëndësi të madhe strategjike. Pikërisht tek ky shqetësim duhet kërkuar dhe arsyeja e demonstrimit britanik të forcës në bregdetin shqiptar. E sigurt është se pas incidentit me anije britanike, regjimi komunist shqiptar dhe jugosllavët që qëndronin pas tij, e morën kumtin dhe nuk tentuan që të çojnë guerrilas komunistë grekë në Korfuz dhe ishujt e tjerë më të vegjël jonianë.

Natyrisht që këto gjëra nuk mund të thuhen në dokumentet e flotës britanike, së pari se anijet që u nisën me mision nuk kishte pse ta dinin tablonë e përgjithshme operacionale. Së dyti, në atë kohë në Britani qenë në pushtet laburistët të cilët nuk parapëlqenin që të linin në dokumente shumë gjurmë të angazhimit ushtarak britanik në një luftë në Europë, një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe do të kishte ndodhur po të kishin qenë në pushtet konservatorët, të cilët kishin më pak skrupuj të tillë.

Ajo që ka rëndësi është se nuk ka kuptim që ta gjesh Britaninë e Madhe fajtore për atë që ndodhi në Kanalin e Korfuzit, për faktin se ka pasur një plan operacional britanik për demonstrim force të shkallëzuar deri në kundërpërgjigje me zjarr. Kjo nuk do të thotë se Britania e Madhe po provokonte, por se ajo po u jepte një përgjigje të vendosur veprimeve të regjimit komunist shqiptar, të cilat dukej se do të shkallëzoheshin deri në sulme ndaj Korfuzit prej guerrilasve komunistë grekë të nisur nga territori shqiptar. Auron Tare nuk mund ta mohojë këtë gjë. Nuk është se Shqipëria komuniste ishte një vend paqësor, qengji i përrallës, të cilit iu hodh në fyt ujku i keq, Britania e Madhe!

Çështja tjetër është se kush i vuri minat detare. Se ai që Auron Tare e quan me një eufemizëm “incident”, sipas terminologjisë zyrtare të Enver Hoxhës, në fakt ishte një atentat kundër flotës britanike, një akt terrorist, më seriozi ndaj një fuqie të madhe që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Minat nuk kishin mbetur në det, që nga koha e luftës, kur qenë vënë nga gjermanët, siç pretendoi Enver Hoxha, dhe siç duket se mendon dhe Auron Tare. Kush i vuri pra minat. Sigurisht jo Shqipëria, e vërtetë është ajo që thoshte Enver Hoxha (këtë ngjarje e analizoj gjerësisht në volumin e dytë të librit tim për Enver Hoxhën, “Enigmat e sundimit të Enver Hoxhës”). Minat nuk kishte interes t’ i vinte as Jugosllavia e Titos, se ajo nuk donte luftë me Britaninë e Madhe në një kohë që kishin filluar fërkimet me Bashkimin Sovjetik, dhe kur jugosllavët tashmë kishin nënshkruar një traktat me Shqipërinë që përmbante dhe termat e një aleance ushtarake. Traktati jugosllavo-shqiptar qe konceptuar si hap i aneksimit të Shqipërisë nga Jugosllavia kështu që atëherë jugosllavëve nuk u interesonte zbarkimi britanik në Shqipëri. Jugosllavët e dinin mirë se nëse ndodhte diçka, do të fajësoheshin ata, siç u fajësuan nga britanikët, se Shqipëria vërtet që nuk mund të vendoste mina detare.

Kishte vetëm një vend që ishte i interesuar për atë që ndodhi dhe kjo ishte Greqia, këtu e kam fjalën për autoritetet antikomuniste në Athinë. Greqisë do t’ i interesonte që Britania e Madhe të hynte në luftë me Jugosllavinë. Kështu Greqia kishte një përfitim të trefishtë. E para për të merrte fund rreziku që vinte nga guerrilja komuniste e sponsoruar nga Jugosllavia. E dyta në situatën kur Shqipëria do të dilte si vend terrorist, i implikuar në një atentat ndaj Britanisë së Madhe, dhe kur britanikët do të invadonin Shqipërinë, Greqia shpresonte të merrte Vorio-Epirin. E treta, një luftë britaniko-jugosllave largonte për Greqinë rrezikun që vinte nga pretendimet territoriale që Jugosllavia kishte shpallur ndaj Greqisë së Veriut (Maqedonia e Egjeut), çka përbënte dhe interesimin kryesor të Jugosllavisë për guerriljen komuniste në Greqi-kundër vullnetit të Stalinit sipas dokumenteve të bëra tashmë publike. Për Greqinë nuk ishte ndonjë gjë e madhe që të vriteshin disa marinarë britanikë, mjaft që të kishte këto përfitime. Britanikët e kuptonin këtë, por nuk kishin çfarë të bënin.


Pse u kujtua Auron Tare sot pas gjysmë shekulli të dalë dhe të na nxjerrë disa dokumente të dyshimta (se nuk japin tablonë e plotë të ngjarjeve) për të fajësuar Britaninë e Madhe për atë që ka ndodhur, dhe për të thënë se çështja duhet të rigjykohet në Hagë dhe Britania të shpallet fajtore. Pse ngatërrohet Auron Tare në këtë histori. Auron Tare është një njeri shumë interesant. Ai është njeriu i Rothschild-ve në Shqipëri. Rothschild-ët që prej rënies së regjimit komunsit kanë treguar një interesim të madh për Butrintin, i cili gjendet pranë Kanalit të Korfuzit. Rothschild-ët krijuan dhe një fondacion për Butrintin ku zot ishte Auron Tare, i cili për këtë qëllim u bë Drejtor i Parkut arkeologjik të Butrintit nga Edi rama (kur ky u bë ministër i Kulturës në 1998), edhe pse Auroni ka mbaruar shkollë ushtarake dhe nuk është arkeolog nga profesioni. Këtu duhet pasur parasysh se mecenati politik i Edi Ramës, Sorosi, është vetëm një puppet on a string (kukull e komanduar me fije) e familjes Rothschild, e cila pas Luftës së Dytë Botërore përpiqet të mbajë profil të ulët, për të mos ushqyer teoritë për konspiracionin botëror çifut ku familja Rothschild ka vendin kryesor.

Interesimi i Rothschild-ve për Butrintin nuk ka të bëjë me faktin që ai është një vend me vlera arkeologjike, por se atje, çifutët sefarditë të ardhur nga Spanja në fund të shekullit XV, kanë groposur thesaret që sollën me vete. Madje për t’ i mbrojtur ato, çifutët lëshuan në Butrint edhe një racë gjarpërinjsh që u shtua shumë, aq sa kur erdhi Hrushovi në 1959, para vizitës së tij në Butrint u hodh helm kundër gjarpërinjive, një ngjarje kjo që përshkruhet në fillim të romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i madh”. Për të marrë këto thesare u krijua fondacioni Rothschild.

Kur Auron Tare fajëson Britaninë e Madhe dhe kërkon ta nxjerrë në Gjyqin e Hagës, këtu në të vërtetë janë Rothschild-ët të cilët e bëjnë këtë! Rothschild-ët e bëjnë këtë se ata vazhdojnë të zbatojnë projektin e tyre të vjetër të shpërbërjes së Imperisë Britanike, që do të kulmonte procesin e shpërbërjes së imperive europiane. Prandaj duan ta turpërojnë Britaninë e Madhe duke rihapur gjyqin e Hagës për çështjen e Kanalit të Korfuzit. Por çdo jurist e di se nëse hapet një çështje e tillë, atëherë mund të ndodhë që të hapen edhe çështje nga ish-kolonitë britanike për genocide apo gjëra të ngjashme. Kësaj i thonë që të hapet edhe çështja e luftrave të opiumit britaniko-kineze në mes të shekullit XIX, të cilat filluan me incidente të ngjashme me ato të Kanalit të Korfuzit.



Last Updated on E Merkure, 03 Shkurt 2010 19:24
© 2008 Gazeta "Sot"
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Thu Mar 25 2010, 12:34pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
ASHAK-u nxjerr një monografi për Kosovën

Publikuar: E mërkure, më 24 mars 2010

Prishtinë, 24 mars - Për herë të parë në historinë e re të Kosovës pritet të botohet një monografi gjithëpërfshirëse për Kosovën nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Kryetari i Akademisë, Besim Bokshi ka thënë se në mungesë të një botimi të tillë, të dhënat për Kosovën janë marrë nga publikime të vjetra ose të pasakta, duke krijuar kështu një pasqyrë të shtrembëruar të fakteve dhe interpretimeve të tyre. Në këtë monografi përfshihen: gjeografia, historia, ekonomia, shkenca, shëndetësia, kultura e fusha të tjera në një botim, kanë bërë të ditur zyrtarët e ASHAK-ut. Në hartimin e kësaj monografie kanë marrë pjesë 58 autorë nga 8 fusha. Deri tashti kanë përfunduar të gjitha punët autoriale, ndërsa kanë mbetur për tu kryer përgatitja grafike, faqosja dhe dorëzimi në shtyp

Marre prej Kohaditore.com
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Fri Mar 26 2010, 11:40am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
"Shqiptari" i Bardhyl Demirajt

Anila Omari | 26/03/2010


Prof. Dr. Bardhyl Demiraj

Libri "Shqiptar" i prof. Bardhyl Demirajt rimerr në një vështrim ndërdisiplinor problemin e ndërlikuar të emërtimit që kemi sot në përdorim për etninë tonë. Nga shqyrtimi i burimeve shkrimore të botuara rishtas autori ka nxjerrë edhe të dhëna interesante për të ndriçuar aspekte të ndryshme të problemit të etnonimit shqiptar.

Pyetja se përse ne shqipfolësit e quajmë veten shqiptarë, kur të tjerët na quajnë ndryshe, si dhe prejardhja e këtij emri, vazhdon të na ka intrigojë, ashtu siç ka intriguar qysh herët studiuesit albanologë, po edhe vetë shqiptarët e thjeshtë, që nuk kanë munguar të bëjnë hamendje nga më të ndryshmet, deri në fantazi të pastra.

Ndërkaq vëmendje më e madhe në studime i është kushtuar etnonimit tjetër tonit, më të lashtë e tashmë të dalë nga përdorimi në truallin kompakt shqipfolës, emrit arbër, arbëresh. Libri "Shqiptar" i prof. Bardhyl Demirajt rimerr në një vështrim ndërdisiplinor problemin e ndërlikuar të emërtimit që kemi sot në përdorim për etninë tonë.

Si një gjuhëtar e filolog i plotësuar që shfaq në vazhdimësi profile të reja studimore, Bardhyl Demiraj na paraqet në këtë libër një studim shumëplanësh, gjithëpërfshirës për problemin që trajton, ku ndërthuren vështrimi historik, filologjik, gjuhësor-diakronik, etnolinguistik e sociologjik.

Pavarësisht nga përmasat, që në thelb janë ato të një artikulli të cilin Fondacioni Shirazi pati dëshirën e vullnetin ta botojë në formë libri dygjuhësh, shqip dhe anglisht, punimi i përmban premisat e një monografie, që nga tematika që përqendrohet rreth një subjekti të caktuar, te shqyrtimi kritik i studimeve të kryera deri sot, në bazë të një bibliografie mjaft të plotë, edhe pse pa pretendime shteruese, te rrokja tërësore e aspekteve të ndryshme e të veçanta të trajtimit të problemit të emrit shqiptar, te vlerësimi i dokumenteve të reja të zbuluara apo të botuara rishtas që hedhin dritë të re mbi anë të ndryshme të kompleksitetit të problemeve, te rivlerësimi i tezave më serioze që janë hedhur nga studiuesit e mëparshëm, te interpretimet e reja dhe përfundimet interesante të karakterit historiko-social.

Lidhur me dokumentimet më të hershme të etnonimit shqiptar punimi sjell disa dëshmi të reja që kanë dalë në dritë nga botimi kohët e fundit prej studiuesve arbëreshë të veprave të mbetura në dorëshkrim që i përkasin shek.

XVIII, siç është vepra e Nikollë Ketës Tesoro di notizie su de' Macedoni (1777), fjalori italisht-shqip i po këtij autori, ende i pabotuar, i vitit 1763, një këngë fetare, ndoshta e Nikollë Brankatit, nga dorëshkrimi i Kieutit, dhe mbi të gjitha dëshmia më e vjetër e përdorimit të etnonimit shqiptar në fjalorin italisht-shqip të misionarit françeskan Francesco Maria Da Lecce të vitit 1702, botuar pjesërisht në vitin 1997 nga Matteo Mandalà dhe tani në botim të plotë kritik nga Gëzim Gurga.

Kjo dëshmi e hershon me katër vjet dokumentimin më të vjetër të përdorimit të etnonimit tonë, para dëshmisë së akteve të Kuvendit të Arbënit të vitit 1706, që deri vonë mbahej si më e vjetra.

Për dëshmitë e mëhershme të etnonimit shqiptar në emrat vetjakë të shekullit XIV Schipudar, Scapuder etj. që sjell Shufflay për qytetin e Drishtit, autori mbron tezën e këtij albanologu të shquar kundër kritikave të ndryshme që i janë bërë, me argumentin se në një mjedis etnokulturor të përzier, ku banorët e mbanin veten pasardhës të romakëve por mes të cilëve kishte pa dyshim shqiptarë, sllavë e grekë, siç i dëshmon Jireçeku, është plotësisht e mundur që një familje me gjuhë amtare shqipen të cilësohej si "shqiptare".

Në bazë të shqyrtimit të vëmendshëm të dokumenteve autori ndërton edhe një skemë të vogël trungu familjar për pjesëtarët e së njëjtës familje me kryefamiljar Andreas Schipudarin.

Nga shqyrtimi i burimeve shkrimore të botuara rishtas autori ka nxjerrë edhe të dhëna interesante për të ndriçuar aspekte të ndryshme qoftë gjuhësore qoftë etnolinguistike apo antropologjike sociale të problemit të etnonimit shqiptar.

Një nga këto aspekte është ai gjuhësor-diakronik i mënyrës së formimit të këtij etnonimi. P.sh. toponimi Shqip,-i "Albania" që sjell Keta i jep dorë autorit të shestojë një skemë të re fjalëformimi të çerdhes leksikore të fjalëve shqip, shqiptar etj. me dy procese të pavarura: njëri që ndjek rrugën fjalëformuese me bazë ndajfoljen shqip dhe rrjedhojat e saj shqipoj, shqiptoj, shqipëroj, dhe tjetri që përmes toponimit Shqip,-i shpie te shqiptar, Shqipëri etj., gjithsesi kjo në rrafsh hipoteze për shkak të mungesës së një dokumentimi bindës të toponimit Shqip,-i.

Nga ana tjetër autori vlerëson si zgjidhjen më bindëse për rrugën e formimit të etnonimit shqiptar atë të propozuar së pari nga Hahni, që merr për bazë pjesoren e foljes shqipoj - shqipët-uarë, e cila me prapashtesën -ar ka dhënë emrin shqiptar.

Autori paravendon një bazë pjesore/mbiemërore shqip(ë)t-, që ka dhënë nga njëra anë emrin shqip(ë)tar e nga ana tjetër ndajfoljen shqip me rrjedhojat e veta.

Ai gjen dëshminë e ekzistencës së një trajte të tillë me -t në vargun Te Skutari shqipt "A Scutari albanese" të këngës së Nikollë Brankatit. Kjo zgjidhje ka përparësi ndaj hipotezave të tjera pasi shmang disa vështirësi që përmban formimi i etnonimit shqiptar nga ndajfolja shqip + prapashtesën -tar, që nuk është aq e vetëkuptueshme sa duket.

Prapashtesa -tar zakonisht u shtohet emrave duke formuar emra vepruesi (lajmëtar, udhëtar), prandaj formimi prej ndajfoljes do të parakuptonte një fazë të ndërmjetme konversioni të ndajfoljes në emër.


Së dyti kjo prapashtesë nuk haset tek emrat etnikë të shqipes, ku mbizotërojnë formimet me prapashtesat -ar, -as, -an etj. (khs. korçar, shkodran, tiranas).

Gjithsesi rruga e formimit të emrit shqiptar lë ende shteg për diskutime: formimet me bazë ndajfoljore me -tar nuk janë të pamundura në gjuhën shqipe dhe vetë autori sjell për një fazë më të vjetër shembullin kundërtār të Frang Bardhit. Veç kësaj për emrin shqiptar mund të merret në sy një formim fillestar jo si emër etnik.

Për këtë mund të vlerësohet barasvlerësi shqip i emrit të vepruesit ‹parlatore - gojëtār, shqipëtār, i› të Da Lecces që citon autori nga botimi i fundit i G. Gurgës, edhe pse duket të jetë përdorur më fort në mënyrë figurative.

Nga ana kuptimore, folja shqipoj apo më drejt shqiptoj, siç gjendet sot e përhapur gjerësisht në të folmet e shqipes, në zanafillë ka pasur domethënien "kuptoj, marr vesh", siç e jep Hahni e Meyeri dhe siç e dëshmojnë të dhënat dialektore nga diaspora shqiptare e Ukrainës pikërisht me kuptimin e mësipërm (khs. në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës nuk shqiptoj "nuk kuptoj", nok zallahit po shqipton "nuk flet por kupton"). Sipas kësaj teze, emri shqiptar në thelb do të thotë "ai që kupton".

Ky është edhe shpjegimi që mbështet autori, duke dhënë një skemë të zhvillimit kuptimor që ka përshkuar ky emër nga një apelativ i thjeshtë në një shenjues etnik.

Sa për etimologjinë e fjalës shqipoj, Gustav Meyeri, në bazë të kuptimit që dëshmonte Hahni për këtë folje, dha një zgjidhje shkencore, duke e rrjedhuar prej latinishtes excipio "perceptoj, dëgjoj" po edhe "kuptoj", një tezë që sidoqoftë nuk është miratuar përgjithësisht nga gjuhëtarët.

Autori i punimit nuk ndalet hollësisht në syzimet e ndryshme etimologjike të këtij emri duke u mjaftuar me renditjen e propozimeve kryesore të tre shekujve të fundit, por mendoj se teza e Meyerit mund të rivlerësohet, me ndonjë korrigjim.

Ajo që në libër tërheq interesin edhe të lexuesit më të gjerë, jospecialist, është qasja etnolinguistike e problemit të etnonimit shqiptar.

Këtij kreu autori i ka kushtuar vëmendje të veçantë dhe ka nxjerrë përfundimet e veta lidhur me arsyet e ndërrimit të emrit etnik të vjetër arbëresh me më të riun shqiptar, një çështje e diskutuar nga studiuesit që janë marrë me të, por asnjëherë e zgjidhur në mënyrë bindëse.

Autori ecën në rrugën e çelur së pari nga Osman Myderrizi e të thelluar më pas nga Rexhep Ismajli, që përcakton si një nga shënjuesit kryesorë të identitetit etnik besimin fetar për periudhën e parë të formimit të etnosit shqiptar.

Këtë e dëshmon etnonimi arbën në letërsinë katolike të veriut (sipas të dhënave të Myderrizit) dhe në gojën e popujve fqinjë, të cilët me etnonimin përkatës në gjuhën e tyre shënonin zakonisht shqiptarin katolik (sipas pohimit të Shufflayt për kohët e reja në Mal të Zi e rreth Dubrovnikut dhe të Pjetër Bogdanit për emërtimin e fesë katolike nga sllavët si feja shqiptare).

Me ndryshimin e rrethanave social-politike mbas depërtimit të islamit në vend dhe në kushtet e shumësisë së besimeve fetare, sipas autorit përkatësia fetare erdhi duke e humbur rëndësinë si përbërës themelor i identitetit etnik-kulturor. Nëpërmjet shqyrtimit të monumenteve të shqipes të shek.

XVIII, siç është veçanërisht teksti i vendimeve të Kuvendit të Arbënit, ai analizon dukuritë komplekse sociolinguistike që kanë bashkëvepruar me njëra-tjetrën në atë periudhë dhe që duhet të kenë kushtëzuar edhe përhapjen e emrit etnik shqiptar.

I njëjti emërtim që shënonte përkatësinë etnike dhe fetare të popujve fqinjë shënonte edhe përkatësinë etnike shqiptare, pra, me fjalë të tjera, arbën dhe turk ose arbën dhe orum mund të ishin dy emra të ndryshëm për dy pjesëtarë të së njëjtës bashkësi etno-gjuhësore shqiptare.

Në kushtet kur kjo dysi mund të ndodhte edhe brenda një familjeje, d.m.th. kur një pjesë e familjes kalonte në fenë islame e pjesa tjetër mbetej e krishterë, rrezikonte të shpërbëhej vetë bërthama e etnosit, familja shqiptare.

Mbi këtë bazë, përfundimi që nxjerr autori është se populli shqiptar, në një reagim vetëmbrojtës për mbijetesë, zgjodhi në mënyrë pragmatike një identifikues tjetër etnik, që ishte gjuha amtare, pra një emër etnik që kishte si përmbajtje tashmë gjuhën shqipe.

Autori shtron pyetjen ekzistenciale: Ç'do të ndodhte me popullin shqiptar, sikur të kish hequr dorë në mënyrë po aq pragmatike nga identifikatorë të tjerë etnikë, p.sh. nga gjuha? Kjo tregon se në etnosin shqiptar ndodhi një proces etnogjenetik i veçantë, që e dallon atë nga proceset etnoformuese të popujve të tjerë ballkanikë.

Pyetja e vështirë se kur ka ndodhur ndërrimi i emrave etnikë nga ai me bazë arb- (arbënesh/arbëresh) te shqiptar diskutohet duke u mbështetur në të dhënat e reja dokumentare, ku krahasohen dy dëshmitë e të njëjtit misionar italian Da Lecce në dy periudha të ndryshme me distancë kohore prej 14 vjetësh.

Duket disi e habitshme që në fjalorin italisht-shqip të vitit 1702 ai i drejtohet lexuesit me emrin shqiptar, ndërsa në veprën tjetër të tij me vërejtje gramatikore për gjuhën shqipe, të vitit 1716, në një kushtim krejt të ngjashëm përdor etnikun arbënor.

Kjo sidoqoftë nuk jep dorë për një përgjigje përfundimtare, por një përfundim i përkohshëm që nxjerr studiuesi është se në këtë periudhë të fillimit të shekullit XVIII e ndoshta edhe më parë, në Shqipërinë e Veriut të dy këta etnonime përdoreshin në mënyrë të barasvlershme.


Ndërkohë pas 170 vjetësh, në botimin e dytë të akteve të Kuvendit të Arbënit nga Engjëll Radoja në vitin 1872 me titullin tashmë të përshtatur "Koncili i dheut Shqypnīs", ky proces paraqitet i përfunduar.

Themi në Shqipërinë e Veriut, pasi në atë të Jugut duhet të jetë përgjithësuar më parë etnonimi shqiptar, meqë sipas pohimit të Johan Thunmannit (1774) mbështetur në dëshminë e udhërrëfyesit e mësuesit të tij shqiptar nga Voskopoja, shqiptarët nuk donin të cilësoheshin me emrin arbën/r dhe vetëquhen shqiptarë.

Me këtë libër lexuesve u jepet në dorë një studim i shumanshëm për etnonimin shqiptar, ndërsa Bardhyl Demiraj shënon një hap të ri në rrugën e tij shkencore si albanolog tashmë i afirmuar në nivel evropian.

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Apr 20 2010, 09:02am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Arbëria në kohën e normandëve dhe Kryqtarëve



Dërguar më: 19/04/2010

Luan Rama

Lançimi i Kryqëzatës së parë për çlirimin e Jeruzalemit u bë në 27 nëntor të vitit 1095, në Koncilin e Clermont-it, në Francë. Papa Urban II kapërceu veriun e Italisë dhe mori rrugën drejt vëndit të frankëve, pasardhësve të galëv, kalorësve të famshëm Clovis dhe Vercingetorix. Disa kronistë thonë se për të ndërmarrë Kryqëzatën ai u shty nga normandi Bohemond, biri i të tmerrshmit Robert Guiscard, që kishte pushtuar më parë Durrësin, por që ishte mundur pastaj nga ushtria e perandorit bizantin Aleksis, në bashkëpunim dhe me forcat shqiptare që mbronin kështjellën në Durrës. Të tjerë thonë se ishte murgu i vobektë Peirre l’Ermite që thirri për çlirimin e Varrit të Krishtit dhe ai e ndoqi pas. Fjalimi i Papës në këtë koncil nuk ka mbetur i shkruar gjer në ditët tona, por njihen urdhëresat e nënshkruara, jehona e kësaj ngjarje dhe shkrimet e kronistëve, kur turmat e besimtarëve iu përgjigjën thirrjes së Papës me britmat „Dieu le veut!” „Zoti e kërkon!”
Në atë kohë, për dhjetë vjet me rradhë, Durrësi dhe brigjet shqiptare po jetonin në paqe. Por dyndjet normande do të rishfaqeshin sërrish, kësaj rradhe të drejtuara nga Bohémond de Tarente (Guiscard), i cili i njihte mirë këto brigje të ashpra, të vështira për t’i nënshtruar. Ai shoqërohej nga nipi i tij Tancrede si dhe kushërinjtë e tij Richard de Raoul i Salernos, Robert d’Anse, etj. Para se të nisej, Bohémond-i kishte mbajtur një fjalim të gjatë para trupave të tij, një pjesë të të cilit na e bën të njohur kronisti-murg, Robert le Moine (Murgu), në dorëshkrimin e tij Hierosolymituna expeditio: „Le të bashkohet me mua ai që i përket Zotit. Kalorës! Ju që sot jeni kalorësit e mij, ju do të bëheni kalorësit e Zotit! Pra merrni bashkë me mua rrugën për Vëndin e Shenjtë. Të gjitha gjërat e mia, konsideroini si tuajat. A nuk jemi ne nga raca franceze? A nuk janë dhe njerëzit tanë si ata që kanë ardhur nga Franca? Ç’turp do të ishte nëse njerëzit tanë dhe vëllezërit tuaj frank të shkonin pa ne për tu bërë martirë, madje dhe në Parajsë? Nëse kjo ushtri do të marshonte në luftë pa ne, atëherë me të drejtë mund të na akuzonin si njerëz pa kurajë…”

Nga normandët e Siçilisë që zbritën në brigjet shqiptare, ishin dhe vëllai i Tancrede-it, konti de Rossignolo dhe vëllezërit e tij Hermann de Canne, Onfroy de Montescaglio si dhe Robert de Sourdeval, Boel de Chartres, etj. Bohémond-i zbarkoi në brigjet shqiptare midis Vlorës dhe Durrësit, në nëntor të vitit 1096, atëherë kur fillonte „Kryqëzata e parë” për çlirimin e Jeruzalemit. Kjo Kryqëzatë u predikua nga Urban II në Koncilin e Clermont, në Francë. Pastaj ishte arqipeshkvi Adhémar du Puy, ai që mori kryqin dhe u bëri thirrje turmave ta ndiqnin në udhën e tij. Por si „Kalorës i Krishtit”, Bohémond-i synonte njëkohësisht të shkonte drejt Konstantinopojës. Në fillim ai pushtoi Vlorën, duke mbledhur trupat në fshatin e quajtur Dropoli, në luginën e lumit të Vjosës. Ana Komnena shkruan se Bohemond-i zbarkoi në Vlorë me shumë kontë dhe një ushtri të pallogaritshme. Kronisti tjetër Albert d’Aix, shkruan për 10.000 kalorës dhe një numur shumë i madh këmbësorësh. Në fakt ata shfrytëzuan luginën e Vjosës dhe zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të sigurtë, pasi nuk donin të binin ndesh me trupat bizantine që zotëronin Via Egnatia-n, edhe pse nuk ishin më në gjëndje lufte. Rruga kalonte drejt Gramozit, në malet me dëborë. Në Kastoria u furnizuan me ushqime.

Këtë ngjarje e përshkruajnë katër burimet kryesore të kësaj periudhe historike: dorëshkrimi anonim Gesta Francorum et aliorum Hierosolimitanorum, vepra Alexiade e Ana Komnena-s, dorëshkrimi i Guillaume de Pouille dhe kronika e Guillaume de Tyr, një prej kalorësve që luftoi gjer në bedenat e kështjellës së Jeruzalemit. Siç dihet anonimi ishte një kryqtar, i cili e ndoqi ushtrinë e Bohémondi-t në betejën e Nike-së, betejën e Doryle-së, rrethimin e Antioche-s e gjer në marrjen e Jeruzalemit dhe betejën e Ascalon-it, ku mbaron dhe tregimin e tij. Në fakt, Bohémond-i u kthye në Antioche për të ngritur principatën e tij, ndërsa anonimi ndoqi nipin e tij, Tancrède. Në fillimin e Kryqëzatës, anonimi shkruan se „Bohemundi i mblodhi ushtarët e tij dhe i këshilloi që të silleshin mirë ndaj popullit dhe të mos shkatërronin këtë tokë që u përkiste kristianëve dhe të mos merrnin asgjë përveç çka duhej për tu ushqyer… Atëherë u bë nisja dhe ne shkuam përmes shumë krahinash, nga qyteti në qytet, nga kështjella në kështjellë. Ne mbërritëm kështu në Kastoria dhe atje festuam natën e Krishtlindjes.”
Pas festës, ata u dyndën drejt Maqedonisë dhe një vit më vonë, më 1097, duke ndjekur Via Egnatia, ata mbërritën përpara mureve mbrojtëse të Konstantinopojës. Në librin Rënia dhe vdekja e Konstantinopojës, historiani francez Jacques Heers, duke iu referuar kronikës anonime shkruan se pasi zbarkuan pranë Durrësit, „në tetor të vitit 1096, normandët e Bohemond de Tarente-s shkuan fshat më fshat, kështjellë më kështjellë dhe qytet më qytet, e kështu deri në Kostur për të festuar atje Krishtlindjet”. Një kronist i kësaj epoke dhe një nga burimet më interesante dhe të rralla të jetës së Guiscard-it, Guillaume de Pouille, i cili e shoqëroi Bohémond-in gjatë kësaj Kryqëzate, në dorëshkrimin që mban titullin Historia e Kryqëzatës së parë, shkruan se „Tek ne, popullsia atje nuk shikonte pelerinët e Kryqëzatës, por ata mendonin se ne kishim shkuar për të shkretuar e bastisur tokat e tyre dhe për t’i masakruar ata. Atëherë, ne i bastisëm tokat, u morrëm viçat, kuajt, gomerët dhe gjithçka që gjenim.” Por një burim tjetër historik shkruan dhe për grabitjet e kryqtarëve gjatë rrugës. Kuptohet që ata s’kishin burim tjetër për t’i mbijetuar atij rrugëtimi të gjatë e cfilitës. Historiani Pierre Aubé, në librin e tij Godeffroy de Bouillon, i referohet një letre të peshkopit të Ohrit, Théophilacte (Teofilakti), i cili i shkruante njërit prej miqve të tij se „Kalimi apo invazioni i frankëve, nuk di se çfarë emri mund t’i vë kësaj, na ka trëmbur dhe shqetësuar aq shumë, saqë ne e kemi humbur toruan. Kam qënë si një i dehur, por tani që u mësuam me këto halle të shkaktuara nga frankët, ne i durojmë më mirë mjerimet tona”.

Jeruzalemi kishte kohë që ishte pushtuar nga arabët. Perandor Aleksi mendonte që gjithë kalorësit frankë e normandë, të cilët do t’i përgjigjeshin thirrjes së Papës, t’i përdorte për të fuqizuar dhe zgjeruar territoret e perandorisë së tij. Steven Runciman, në librin e tij Historia e Kryqëzatave, (Histoires des Croisades), shkruan se „Aleksis I i priste kryqtarët që vinin nga Italia. Madje ai dërgoi rezerva ushqimore në Durrës dhe qytezat që kalonin rrugës për në Konstantinopojë. Guvernator i Dyrrachium-it ishte nipi i tij, Joan Komnena. Ai kishte marrë urdhër që t’i priste me ngrohtësi prijësit e Kryqëzatës dhe të kujdesej që këto ushtri të ishin nën kujdesin e policisë ushtarake. Admirali i tij Nikolaos Mavro Katalau, dërgoi një flotilje gjer në ujrat e Adriatikut për të mbikqyrur ardhjen e anijeve të para transportuese të frankëve. Por vetë Perandori qëndroi në Konstantinopojë. Ai e dinte që Papa kishte fiksuar datën 15 gusht të fillimit të Kryqëzatës, por ndërkohë, që në maj të vitit 1096, një kasnec e kishte njoftuar se ushtria e parë franke kishte kapërcyer Hungarinë…” Lidhur me këtë moment historik, Ana Komnena shkruan gjithashtu: „Aleksis nuk pati kohë të shlodhej, pasi ai dëgjoi njoftimet se një ushtri e pamundur frankësh po afroheshin. Ai dyshonte për këtë, sepse e njihte vrullin e pandalshëm, karakterin jo të qëndrueshëm, temperamentin kelt dhe pasojat që mund të kishte nga ata. Ai e dinte se ata ishin të uritur për para dhe në rastin më të parë, traktatet i prishnin pa skrupull. Por pa e humbur kurajon ai mori të gjitha masat që të ishte gati për luftë, nëse rasti do ta kërkonte. Realiteti ishte akoma më i rëndë sesa fjalët që qarkullonin, pasi ishte gjithë Perëndimi dhe kombet barbare që jetonin në anën tjetër të brigjeve të Adriatikut dhe të Kollonave të Herkulit. Të gjithë po marshonin në masë, duke marrë me vete familje të tëra që shkonin drejt Azisë, duke kapërcyer Evropën nga njëri cep tek tjetri…” Ana Komnena dhe kronisti Geoffroy Malaterra në dorëshkrimet e tyre e paraqesin Bohémond-in si një aventurier të rrezikshëm dhe të etur për plaçkitje dhe territore, ndërsa kronistë të tjerë si, kronisti Tudebode, ai i Gesta Francorum, apo Historia belli sacri, e paraqesin atë si një „kalorës fetar” dhe si një „kampion të vërtetë të Krishtit”, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Urban II në „Koncilin e Clermont”: „Kushdo që është i prekur nga shpirti, por jo për të fituar nder dhe para dhe që do të marrë rrugën e Jeruzalemit për të çliruar Kishën e Zotit, le t’i kthehet ky udhëtim si pendesa e vetme e tij përpara Zotit”. (Concile de Clermont)

Në portat e Dyrrachium-it

Kronikat e Kryqëzatës na mësojnë se i pari që u nis për Kryqëzatë ishte Pierre l’Ermite (Eremiti), një murg i zbathur ë predikonte mes turmave popullore se duhej shkuar për të çliruar Varrin e Krishtit. Atij iu bashkuan dhjetra mijra njerëz, të varfër, gra e fëmijë, duke iu drejtuar Konstantinopojës në një ethe marramëndëse. Ndërsa nga frankët ishte Hugues, konti i Vermandois, i cili ndryshe nga murgu i varfër Pierre L’Ermite, do t’i drejtohej brigjeve të Ilirisë. Para nisjes, ai dërgoi një mesazh në Konstantinopojë, duke i kërkuar perandorit ta presë në nivelin e një princi me gjak mbretëror. Me të u bashkua dhe Drogon de Nesle, Clérambault de Vendeuil, Guillaume de Melun dhe kalorës të tjerë me emër. Ana Komnena shkruan: „Hugues, vëlla i mbretit të Francës, krenar si Novat i fisnikërisë së tij, i pasurisë dhe i fuqisë së tij, në momentin që po linte vëndin e tij për të shkuar në Varrin e Shenjtë, njoftonte „autokrator”-in, duke i drejtuar një mesazh qesharak me qëllim që të siguronte një pritje të shkëlqyer: „Dije, o „basieleus” se unë jam „basileus” i „basileus”-ve, më i madhi i atyre që jetojnë nën qiejt. Në mbërritjen tonë, duhet që të më presin me nderimet e denja, sipas gjakut tim…” Ata kaluan nga Roma dhe Bari, ku pikëtakuan normandë të tjerë që po niseshin për Kryqëzatë.

Hugues „Magnus” (Maisné - i Madhi), dërgoi më parë 24 kalorës, nën drejtimin e Guillaume de Melun për të informuar guvernatorin e Dyrrachium. Ana Komnena përmënd një letër të dytë që ai i dërgonte guvenratorit të Durrësit: „Dije o dukë, se Zotëria ynë Hugues po mbërrin dhe se ai po sjell nga Roma flamurin e artë të Shën Pjetrit. Dije gjithashtu se ai është komandanti i gjithë ushtrisë franke. Pra përgatitu ta presësh në mënyrë të denjë, siç e kërkon forca e tij, trupat që komandon dhe të shkosh ta presësh…” Më pas, anijet e tij morën udhën drejt Durrësit. Por stuhija e madhe në det i shpërndau anijet. Anija e kontit De Vermandois doli në bregun shqiptar në „Cap Palli” (Bishtin e Pallës), disa kilometra në veri të Durrësit. Atje i gjeti i dërguari i guvernatorit, i cili i çoi në Durrës. Ata qëndruan në qytetin antik gjersa një funksionar i lartë bizantinas, Manuel Butumites, erdhi nga ana e perandorit për t’i shoqëruar drejt Konstantinopojës. Kronisti tjetër mesjetar Foucher de Chartres, në Histoire occidentale des croisées, (III), shkruan për rrugëtimin në tetorin e vitit 1096 e këtij prijësi si shef i kryqtarëve të Perëndimit nga Bari në Durrës, i cili u mbajt si i burgosur nga guvernatori.

Koha e ndërmarrjes së Kryqëzatës së parë të kristianëve për të çliruar tokën dhe varrin e Krishtit ishte një nga ngjarjet më të mëdha të atij fillim mijëvjeçari. Kronikat e vjetra shkruajnë për disa prijësa të tjerë normandë e frankë që morën rrugën drejt brigjeve shqiptare për t’iu drejtuar pastaj Tokës së Shenjtë. Kronistët përmëndin dhe të famshmin Robert de Flandre, i cili kishte kaluar disa vënde sllave dhe „kur ai kishte mbërritur drejt brigjeve shqiptare, kishte përshtypjen se ishin toka pjellore”. „Krahina e Vjosës ka drithëra të shumta… Në Durrës, është kisha e Shën Maria Virgjëreshës e amalfitanëve” (Amalfi ishte kryeqëndër e normandëve në Italinë e jugut). Ana Komnena shkruante gjithashtu se „në Durrës kishte shumë tregëtarë nga Amalfi dhe nga Venediku”.

Në rradhën e prijësave frankë që niseshin për Kryqëzatë dhe merrnin rrugën drejt Adriatikut, për tu bashkuar pastaj me Via Egnatia, ishin dhe Robert de Normandie (Robert Courteheuse, biri i Guillaume le Conquerant) dhe kunati i tij Etienne de Blois, kont i Blois dhe Chartres, të cilët mbanin si mbiemra, emrat e krahinave që kishin si zotërime të tyre. Pasi kishin zbritur malet e Italisë, kryqtarët e „ushtrisë të katërt franke”, kishin shkuar në Romë që t’i pagëzonte Papa dhe që andej kishin zbritur në zonën e normandit Roger Borsa, duke i marrë anijet në Brindizi më 5 prill të atij viti. Anija e tyre e parë, siç shkruajnë kronikat, u mbyt. Të tjerat, pas katër ditësh mbërritën në Durrës, ku u pritën mirë dhe pastaj me eskortë, përmes Via Egnatia, duke kaluar drejt Ohrit, Ostrovo-s, Vodena-s, Selanikut e Christopolis (Kavalla), vazhduan gjer në Konstantinopojë, ku perandori i priti mjaft mirë.

Për Kryqëzatë ishte nisur atë kohë dhe franku Raymond de Saint-Gilles, kont i Toulouse-s, i cili, pasi kishte zbritur në Itali, mori rrugën drejt brigjeve shqiptare. Meqë mendonte se s’do të kthehej më nga Jeruzalemi, ku do t’i kushtohej Krishtit, ai abdikoi si princ dhe tokat ia kaloi të birit. Me të ishin bashkuar tani dhe Raimbaud, konti i Orange-s, Gaston de Bearn, Gerard de Roussillon, Palamede de Montalieu, Eusebe de Beziers, Guillaume de Montpellier, Adhémar de Puy, prijësi fetar i Kryqëzatës me vëllezërit e tij, peshkopi i Orange-s, etj. Historiani Steve Runciman, shkruan se kur mbërritën në Shkodër, ushqimet po u mbaroheshin, por ata kishin para për të blerë ushqime në këtë qytet. Por meqë nuk gjetën gjë, ata vazhduan rrugën drejt Durrësit. Një kryqtar dhe kronist tjetër i kësaj kohe, Guillaume de Tyr, përshkruan rrugëtimin e provincialëve (nga Provence e Francës) me në krye Saint-Gilles, ku thekson se ai „u miqësua me mbretin e sllavëve, por megjithë këtë marrëveshje, ushtarët e kontit u keqtrajtuan nga sllavët”. Kronisti tjetër Raymond d’Aguillers e vendos mbërritjen e tyre në Shkodër në muajin janar.

Në fillim të shkurtit, më së fundi, ata mbërritën në veri të Durrësit. Guvernatori Joan Komnena i priti me ngrohtësi, pohon Ana Komnena, ndërkohë që „anonimi” tek Gesta Francorum, shkruan për mosbesimin e madh të bizantinëve. Guillaume de Tyr na informon nga ana e tij se në Durrës ata i pajisën me leje-kalimi nga ana e perandor Aleksis për tu nisur drejt Konstantinopojës. Vëllai i peshkopit, kalorësi Hugues de Monteil, meqë ishte sëmurë, u detyrua të qëndrojë në Durrës. Por rrugës, këta kryqtarë, herë pas here u sulmuan nga ushtarët e perandorit.1 Funksionarë bizantinë si dhe një eskortë me „petchenegues” ( «Peçenek», popullsi nomade me origjinë turke, e shfaqur në shekullin VIII dhe e vendosur në detin Kaspik në shekullin e X. Më pas ata u vendosën në shërbim të Bizancit), i shoqëroi ata drejt Via Egnatia-s. Por rrugës, ushtarët frankë nuk i duruan sjelljet e eskortës bizantine të përbërë nga „petchenegues” dhe në luftë mes tyre, dy baronë „provençaux” (nga Provence) u vranë. Peshkopi du Puy mbeti i plagosur dhe u tërhoq në Selanik që të mjekonte plagët, ku e gjeti i vëllai që erdhi më pas nga Durrësi. Pak kohë më vonë dhe Raymond u sulmua në Edesse nga ata. Nga një burim tjetër mesjetar, i Raymond d’Arguilers, një kryqtar frank, që tregon mbërritjen e Raymond de Saint-Gilles, kont i Toulouse-s në Durrës dhe rrugëtimin e tij gjithë peripeci drejt Konstantinopojës, ai shkruan: “Ne mbërritëm në Durrës dhe na u duk se ishim në atdheun tonë, duke e konsideruar perandorin Aleksis si një vëlla e bashkëpuntor. Por ata, duke u bërë mizorë, u sulën si luanë dhe i sulmuan njerëzit e paqtë që donin të shërbenin me armët e tyre. Bizantinët i masakruan nëpër prita, në pyje dhe fshatra larg kampit, duke i sulmuar ata gjatë natës me tërbim. Ndërkohë që ata shkretonin, udhëheqësi i tyre premtonte paqe. Madje dhe gjatë armëpushimit ata masakruan Pons Renaud dhe plagosën për vdekje vëllain e tij Pierre, që të dy princa fisnikë. Por edhe pse ne gjetëm rastin dhe u hakmorrëm, ne donim më shumë të vazhdonim rrugën tonë, sesa të ndëshkonim këta pushtë. Kështu u vumë në rrugëtim. Gjatë rrugës, ne morëm nga perandori disa letra, ku ai fliste veç për paqe, vëllazërim dhe vepër të përbashkët, por këto ishin veçse fjalë, pasi si përpara dhe mbrapa, majtas e djathtas, ne ishim të ndjekur nga turqit, „comanses”-ët, „uses-ët, „petchenegues”-ët dhe bullgarët, të cilët na bënin pareshtur prita. Një ditë, kur ishim në fushën e Palegonisë, peshkopi du Puy ishte disi i veçuar nga ushtria për të gjetur një vënd të përshtatshëm për të ngritur kampin tonë. Por ai u kap nga „petchenegues”-ët, të cilët e hodhën nga mushka, e plaçkitën dhe e goditën fort në kokë. Por meqë një prelat kaq i madh ishte i nevojshëm për popullin e Zotit, jeta e tij nuk pushoi, në sajë të Atit të mëshirshëm. Një nga „petchenegue”-ët i kërkonte florinj dhe e mbrojti nga të tjerët. Gjatë kësaj kohe ky lajm u përhap nëpër kamp. Peshkopi u shpëtoi, ndërkohë që armiqtë e tij e kërkonin dhe shokët donin ta mbronin. Kur përmes pengesash të tilla ne mbërritëm në një kështjellë që quhet Bucinat, konti Raymond u informua se „petchenegue”-ët donin ta sulmonin ushtrinë tonë në shtigjet e një mali. Bashkë me disa kalorës, ai u fsheh dhe u vërsul papritur mbi ta, duke vrarë shumë prej tyre, ndërkohë që të tjerët morrën arratinë. Në të njëjtën kohë që perandori na dërgonte mesazhe paqësore, ne ishim ngado të rrethuar nga armiq që kërkonin të na bënin ç’të mundnin…”

Shumë princa frankë morrën në atë kohë rrugën e brigjeve shqiptare. Një nga ata ishte dhe Guillaume I, konti i Nevers, i cili e kishte lënë Francën në shkurt të vitit 1096 dhe siç thonë kronikat kapërceu Adriatikun (Brindizi-Vlora) dhe me një ushtri të paqtë e të disiplinuar kishte marrë Via Egnatia gjer në Konstantinopojë, ku ishte pritur mirë nga perandor Aleksis. Por kronistët i referohen dhe kalorësit Robert de Flandres, i cilët gjithashtu mori udhën drejt brigjeve shqiptare. Ashtu si bashkëluftëtari i tij De Vermondois, në tetor të vitit 1096, Robert de Flandre i shoqëruar nga trupat e krahinës së Brabant-it që udhëhiqeshin nga Badouin d’Alost, konti i Gand-it, u nis nga Bari dhe në fillim të dhjetorit ata ishin në jugun e brigjeve shqiptare. Konti Alost, kishte tentuar të zbarkonte në brigjet e Himarës, jashtë zonave të autorizuara nga autoritetet bizantine, por atje u bllokua nga një eskadër bizantine. Ana Komnena tregon gjatë në librin e saj për zënkën e tij me komandantin Marianos Mavro Katalau, birin e admiralit bizantin, të cilin e paraqet si një hero, meqë e njihte personalisht dhe ishte një nga miqtë e tij. Edhe pse prifti latin u lutej bizantinasve se ata ishin nisur për në Tokën e Shenjtë, përsëri ata i detyruan t’i shoqëronin gjer në Durrës. Kronisti Foucher de Chartres, shkruan për zbarkimin e kryqtarëve fisnikë Robert de Normandie dhe Etienne de Blois rreth dhjetë milje nga qyteti i Durrësit më 9 prill të vitit 1097. Duke lexuar gjithë këto kronika të vjetra që shkruajnë veçse përciptas për ardhjen e kryqtarëve në brigjet e Ilirisë dhe jo për ngjarje të shumta që duhet të kenë ndodhur në tokat e Arbërit, (shumë prej dorëshkrimeve sigurisht kanë humbur në kufijtë e një mijëvjeçari), mund ta imagjinosh atë qytet-port aq të rëndësishëm, ku shkelnin e pikëtakoheshin personazhet e një historie botërore nga më në zë të njerëzimit. Ja pse dhe kronikat në latinisht të këtyre kryqtarëve-kronistë që lidhen me brigjet e Ilirisë, janë padyshim burime të rralla dhe unikale edhe të historisë së trojeve tona, të cilat mbeten për tu deshifruar.

Kur Raymond Saint-Gilles mbërriti në pallatin e perandor Aleksis, ndryshe nga Geoffroy de Bouillon, Saint-Gilles, Robert de Flandre, Robert de Normandie, etj, ai nuk pranoi t’i jepte fjalën „basileus”-it e të betohej që të vihej në shërbim të tij. Dhe ai ishte nga të rrallët që nuk pranoi të bëhej vasal. Kështu, „Kalorësit e Krishtit” u nisën drejt tokave të thella të Turqisë, ku zhvilluan beteja të ashpra me turqit. Me mbërritjen e normandëve në Konstantinopojë, perandor Aleksis pranoi të bisedojë vetëm për vetëm me prijësin e tyre Bohémond, të cilin e shikonte me dyshim, pasi ia njihte forcën, e konsideronte si personalitetin më të madh të asaj kohe, edhe pse kohë më parë kishin ardhur në kryeqytet dhe personazhe të tjerë me emër nga tokat e frankëve. Atëherë u bë pakti mes tij dhe normandëve, të cilët pranuan të bëhen vasalë të perandorit, me kusht, që pushtimet në Orient të ishin pronë dhe mbretëri e Bohémond-it. Veç Ana Komnenas, edhe anonimi i dorëshkrimit Gesta Francorum shkruan për këtë takim historik, në një kohë që në Konstantinopojë ishin dhe prijësa të tjerë frankë që prisnin të niseshin drejt Jeruzalemit dhe që Aleksis i kishte pritur veçmas… Nga kronikat e vjetra që ruhen deri më sot, nuk dimë nëse flitet për kryqtarë të Albanisë që të jenë nisur drejt Jeruzalemit, por kjo nuk është e pamundur, meqë shqiptarët autoktonë ishin jo vetëm një pikë strategjike që lidhte Perëndimin me Orientin por dhe me një kishë kristiane me traditë që në shekujt e parë të Kristianizmit në Iliri. Kronistët e kësaj kohe shkruajnë për etjen e madhe që u shpërnda kudo në tokat latine apo bizantine për të ikur drejt Jeruzalemit dhe çliruar Varrin e Krishtit, edhe pse rruga ishte e rrezikshme dhe kthimi i pasigurt. Kjo thirrje ishte kthyer në një detyrë jo vetëm për fisnikët dhe kalorësit kryqtarë, por dhe për popullin e zakonshëm, siç ndodhi kur turma prej mijra vetësh, me gra e fëmijë ndoqën pas murgun eremit që më pas u quajt Pierre l’Ermite. Për më tepër që Albania, nën shëmbullin e Maqedonisë dhe Greqisë, ku kishte shkelur evangjelisti i madh Shën Pali, ishte kthyer në një vënd ku kulti kristian ishte tepër i zhvilluar. Autorë antikë të kohës romake shkruajnë për kishat e para dhe shenjtët e parë të këtij vëndi. Epiphanios shkruan në Index discipulorum për „Marcos, kushëriri i Barnaba-s, që është bërë peshkop i Apollonisë dhe që për të cilin flet Pali”. Ky është nga dokumentet më të hershme të Kristianizmit në Shqipëri, pasi bëhet fjalë për vëndet e kultit të kohës së Shën Palit, i cili, siç shkruante në letrat e tij (Epîtres de Saint Paul), do të bënte udhëtimin drejt Ilirisë. Dhe dihej që kudo që shkonte, Shën Pali ngrinte kishat dhe kristianizonte banorët paganë. Kisha e Durrësit, si kisha më e vjetër është themeluar që në kohën e Shën Palit (Saint-Paul). Duke iu referuar gjithnjë veprës së Farlatit, konsulli francez Hyacinthe Hecquard (1814-1866), i cili ka qënë në Shkodër, thekson në librin e tij Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, se në vitin 58, jetonin në Durrës 70 familje kristiane, të cilat kishin një peshkop që quhej Cezar ose Apolon. Peshkopi i dytë Asti, i qytetit Dyrrachium, u martirizua në kohën e perandorit romak Trajan, bashkë me shtatë qytetarë romakë që ishin larguar nga Italia dhe ishin strehuar në Durrës për t’i shpëtuar persekucionit. Në letrën dërguar Titit, besnikut të tij, Shën Pali e njoftonte se dimrin do ta kalonte në Nikopojë (Prevezën e sotme) që nuk ishte larg nga Butrointi e Apolonia. Në vitin 387, Shkodra kishte arqipeshkvin e saj të parë, ndërsa i dyti, i quajtur Senecius, mori pjesë në Koncilin e Efesit. Arqipeshkvi i tretë ishte Andrea. Më pas, në „Concilia Oecumenica”, Concilium universale Ephesenum, të vitit 431 shkruhet: „Për praninë e tij në Koncilin e Shenjtë ka firmosur Felix, peshkopi i qyteteve të Apollonisë dhe Bylis. (Në këtë koncil ishte dhe peshkopi Eusebe, po i Apollonisë së Ilirisë). Në vitin 458, ishte peshkopi Philocaris që përfaqësonte në koncilin e Chalcédoine peshkopatën e Bylis. Në Illyrici Sacri, Daniele Farlati shkruan ndër të tjera se “dioqeza e Sapës ose e Zadrimës, midis viteve 119 dhe 1460 përmban emrat e 32 peshkopëve”.

Pas kthimit të kalorësit më të madh kristian të asaj kohe në Pulje dhe pasi kishte lënë një garnizon normand në Antioche (Antiokë) me në krye nipin e tij Tancrede, Bohemond-i do të mbronte tashmë mbretërinë e tij të re dhe së pari në Italinë e jugut. Megjithatë, ai nuk do pushonte së menduari për një ekspeditë të re kundër Konstantinojës. Por më parë ai u nis drejt Francës për të kërkuar ndihmë për ushtrinë që do të organizonte. Në shtator 1105, ai u takua me mbretin e Francës, duke i kërkuar të bijën e tij të madhe për grua, si dhe një nga vajzat e quajtura Cecile për nipin e tij, Tancrede. Martesa e tyre u bë në katedralen e Chartres dhe përgatitjet për luftë vazhduan në Pulje gati një vit. Një kronist tjetër i kësaj kohe, Guilbert de Nogent, autori i Die gesta per Francos, (Detyra kalorsiake e Zotit e përmbushur nga frankët), shkruan për kryqëzatën e afërme dhe martesën e Bohemond-it me Constance, vajzën e mbretit Philippe I. Për Bohemond-in, ky kronist shkruan se „të parët e tij rrjedhin nga Normandia që është një krahinë e Francës dhe ai duhet konsideruar si një frank, për më tepër që ka si grua vajzën e mbretit të frankëve”.

Që para se të niste ekspeditën e tij, Bohemond-i kërkoi të bëjë aleat Papën. Ai i dërgoi atij disa mesazhe, duke i kërkuar mbështetje dhe duke e akuzuar Konstantinopojën si fajtore të skizmës midis dy Kishave si dhe për krimet e bëra kundër frankëve. I informuar për këtë, Aleksis ndërhyri që Papa mos ta mbështeste, edhe pse e kuptoi që menjëherë duhej të përgatitej për luftë në brigjet e Ilirisë. Nga Orienti, ai thirri pjesën më të madhe të flotës dhe gjeneralët e famshëm Cantacuzen e Monastras. Isaac Kontostefanos-in, ai e emëroi „duka i madh”, në krye të flotës që do të vëzhgonte Otranton se mos Bohemond-i nisej drejt Durrësit. Ndërkohë dërgoi dhe ambasadorët e tij në Piza, Gjenova e Venedik për t’i bindur këto shtete që të mos bashkoheshin me Bohemond-in. Por me t’iu afruar Otrantos, admirali Kontostefanos rrethoi Otranton dhe kërkoi ta pushtonte. Ana Komnena shkruan se Otranto drejtohej atëherë nga nëna e Tancrede-it. Ajo kërkoi të negociojë me bizantinin, që të mund të fitonte kohë, gjersa normandët erdhën dhe bizantinët u detyruan të largohen. Por gjatë betejës, u kapën disa prijësa bizantinë, të cilët Bohémond-i ia dërgoi Papës në Romë si dëshmi e qëllimeve armiqsore të Konstantinopojës kundër tyre. Atëherë, i bindur në fjalët e Bohémond-it, Papa i dha pëlqimin që ai të nisej drejt Ilirisë”.
Në fund të vitit 1106, pasi përgatiti mirë ushtrinë e tij dhe veçanërisht flotën në Brindizi, Bohemond-i shkoi në meshën e fundit në kishën e San Nicolas të Barit dhe në 9 tetor mori anijet në portin e qytetit. Kronisti anonim i Barit shkruan se ai u nis me 200 anije dhe 30 „galé”, duke transportuar kështu 34.000 ushtarë. Raoul Tortaire, në poemën e tij epike për betejën e Bohemond-it në Durrës, shkruan për 4000 anije si dhe mijra ushtarë, ku mes tyre ka „longobard” (normandët e Italisë), frankë, flamandë, gjermanë, luftëtarë nga Piza, Gjenova, etj. Midis tyre ishte dhe gjysmë-vëllau i Bohémond-it, Guy, apo Hugues de Puiset, vikont i Chartres, Guillaume Clanet, etj. Bohemond-i me ushtrinë e tij zbarkoi lehtësisht në Avlona (Vlorë), të cilën fillimisht e shkretoi e më pas mori rrugën drejt Durrësit, për ta pushtuar atë. Ishte data 13 tetor. Dy vjet pas nisjes së tij, Bohémond-i gjëndej ende në dyert e kështjellës së Durrësit. Në fillim të vitit 1108, me një ushtri të përgatitur mirë, Aleksis I u nis nga Maqedonia drejt Devollit, meqë mendonte se një pjesë e ushtrisë armike mund të përparonte dhe të kapte rrugën Via Egnatia. „Avlonën (Vlorën), Kaninën dhe Jericho-në (Orikumin), - shkruan Ana Komnena, - perandor Aleksis ia besoi gjeneralit Mihal Kakomenos; Petrelën (Petrula), gjeneralit Alexandre Kabasilas; Dibrën (Devré) Leon Nikotirias dhe rrethinat e Arbanon, Eustache Kamitzes.” (Alexiade, Anne Comnene, XIII). Por ndërkohë, Bohémond-i kishte dërguar drejt Petrelës që ishte një fortesë mjaft strategjike, vëllain e tij Guy, që të mund të mblidhte informata për zonën e Arbanon, e cila ishte mjaft e rëndësishme në udhën drejt Konstantinopojës, ashtu si dhe drejt Durrësit. Në këtë drejtim të fundit, Aleksis kishte nxituar Konstantin Gabras. Pas mbërritjes në Durrës, gjatë gjithë një viti e gjer në fund të dimrit, Bohemond-i e mbajti qytetin të rrethuar dhe në pranverë e kuptoi se kauza e tij kishte marrë fund. Tashmë perandoria bizantine dhe aleatët e saj, siç ishin shqiptarët, kishin formuar një ushtri të disiplinuar. Durrësi ishte e pamundur të pushtohej. Aleksis përdori diversionin, duke u shkruar letra disa prej komandantëve kryesorë normandë që të bashkoheshin me të. Këtë gjë ai e bëri me Guy dhe kalorësin tjetër Richard du Principat. Nga ana e tyre, duke e parë se pakënaqësia ndër trupa po rritej, ata i kërkuan Bohemond-it të negociojë me perandorin. Sipas kronistit Fleury, një murg që ka lënë dorëshkrimin e tij, „Guy u sëmur dhe në krevat kërkoi t’i rrëfehej Bohémond-it, duke i treguar se Aleksi i kishte propozuar që nëse bashkohej me të, ai i jepte vajzën e tij për grua si dhe zotërimin e qytetit të Durrësit. Kur dëgjoi këtë, Bohémond-i e shau dhe u largua i inatosur”. Por nuk kaloi shumë kohë dhe Bohemond-i do ta gjente veten të rrethuar.

I izoluar, dhe në pamundësi për të marrë anijet, meqë venecianët me anijet e tyre vigjëlonin në breg, normandët filluan të vuajnë nga uria e madhe dhe baronët normandë nisën të dezertojnë me rradhë. Një kronist tjetër ka shkruar se Bohemond-i bëri të njëjtën gjë si dhe Robert Guiscard shumë vite më parë, duke i djegur anijet e tij që normandët mos të mendonin t’ua mbathnin e kështu të luftonin për jetë a vdekje. Më së fundi, në shtator të vitit 1108, duke e parë se s’kishte asnjë rrugëdalje, ai i shkroi guvernatorit të Durrësit, duke i kërkuar paqe. Atëherë Aleksis parapëlqeu të vinte vetë për t’i diktuar paqen. Kronisti tjetër i kësaj periudhe, Guillaume de Tyr, shkruan se „pas Traktatit të Devollit”, Bohéemond-i u kthye në Pulje dhe një vit më vonë përgatiti flotën dhe trupat që i kishin mbetur besnike, për të shkuar në Antioche, por ai u sëmur rëndë dhe vdiq. Më pas, Bohémond II do të bëhej mbret i Antioche-s.

Historitë e luftrave kundër Durrësit, për ta pushtuar atë do të vazhdojnë dhe shekuj më vonë. Aleksis vdiq pas 36 vjet mbretërimi, „i mbytur në një det hallesh”, siç shkruan Komnena. Ai vdiq në vitin 1118, në krahët e saj: „Perandori dha frymën e fundit. Dielli im perëndoi, drita ime u shua”. Pas vdekjes së Aleksis Komnena, ishte biri i tij Joan-i, i cili u shpall perandor, edhe pse Ana u përpoq që në krye të perandorisë të vihej burri i saj Nicefor Bryennes, dhe meqë kjo nuk u realizua, ajo u tërhoq në një manastir, ku jetoi gjersa vdiq. Por Joan-i nuk qëndroi shumë si perandor, pasi më 1143, ai u vra gabimisht nga një shigjetë, gjatë një gjahu në pyll. Biri i tij, Manueli, atëherë ishte i vogël dhe u shpall bashkë-perandor me Andronik-un, i cili njihej nga historia për krimet e mëdha që kishte bërë për të hipur në pushtet. Manuelin donin ta vrisnin, por atë e shpëtoi një prift, i cili e çoi fshehurazi në Palermo të Italisë. Ndërsa Ana Komnena, e mbyllur në manastir shkroi veprën e saj Alexiade, në bazë dhe të informacioneve të burrit të saj, një prej gjeneralëve më të shquar të perandorit.
Vite më vonë, kur Manueli, biri i ish perandorit bizantin u rrit, ai u përgatit për tu shpaguar dhe bashkë me normandët, ata u hipën anijeve dhe sulmuan përsëri drejt Durrësit, i cili atëherë mbrohej nga gjenerali i garnizonit, Jan Branas. Normandët e kapën atë dhe e burgosën. Flota normande vazhdoi inkursionet e saj në brigjet e jugut, drejt Vlorës e Korfuzit, duke pushtuar më pas dhe ishujt e Zantes e Peloponezin. Nga Durrësi, ushtria normande u sul drejt maleve shqiptare, duke zbritur gjer në muret e Selanikut, ku kronikat e kohës tregojnë për një masakër të madhe. Më 1147 ishte Roger II, mbreti normand i Siçilisë që zbarkoi në Shqipëri, duke plaçkitur e djegur gjithçka, gjer në Korint. Por në Durrës, ai gjeti rezistencë dhe më pas u kthye në Siçili bashkë me flotën e tij. Kronistët njoftojnë se jo shumë vonë, më 1185, tetëdhjetëmijë ushtarë, nën drejtimin e Guillaume le Bon, mbret i Siçilisë, u nisën të pushtojnë Durrësin, të cilin e plaçkitën dhe e dogjën plotësisht. Më pas, trupat normande u nisën drejt

Konstantinopojës, të cilën arritën ta pushtojnë. Andronik-u i tmerrshëm tashmë ishte plak. Me një dorë të prerë dhe një sy të nxjerrë, normandët e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e qytetit dhe e çuan atë drejt hipodromit që ta shikonin të gjithë dhe pikërisht atje, ishte turma ajo që do ta linçonte gjersa do t’i nxirrte dhe frymën e fundit. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe një gjeneral tjetër bizantinas doli në skenë: ky ishte Alexis Barnas, i cili do t’i sulmonte normandët me ushtrinë e tij dhe do t’i thyente.

Të thyer, normandët që mbetën u tërhoqën drejt brigjeve të Ilirisë, në Durrës dhe Vlorë, ku menjëherë u hipën anijeve dhe u kthyen drejt Italisë.

Durrësi i shkrumbuar disa herë gjatë një shekulli, do të rilindëte sërrish si një feniks. Me sa duket, kësaj rradhe, epopeja e normandëve kishte marrë fund. Tokat e Ilirisë dukej se nuk do të digjeshin e shkatërroheshin përsëri në këto luftra të gjata, ku dy perandori kërkonin të mposhtnin njëra tjetrën… E megjithatë luftrat do të vazhdonin. Nga viti 1190 deri më 1216 u krijua Principata e Arbërit me mbret Progonin, i cili si kryeqytet zgjodhi Krujën dhe kjo kohë mund të quhet si krijimi i shtetit të parë shqiptar. Në 1190, në koncilin e Dioclea-s (Podgoricë), kisha shqiptare e veriut riafirmoi përsëri lidhjen e saj me Romën. Më 1204, në kohën e Kryqëzatës së katërt, Konstantinopoja u pushtua nga frankët dhe u drejtua nga perandorët latinë, gjersa shumë vite më vonë, bizantinët do të rikthehen përsëri në Konstantinopojë. Historia nuk do mungojë të shkruajë për revoltat shqiptare të viteve 1257-1258.

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare
trokit ketu


[ Edited Tue Jun 01 2010, 04:12pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Apr 28 2010, 09:30am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Deklarata e pavarësisë, dyshimet për zhdukjen e origjinalit



Agron Luka | 28/04/2010

Mos Zogu i kishte edhe ndonjë kopje tjetër të Aktit, ku mendonte të fuste edhe veten si firmatar?! Dyshimet bien për disa arsye.

A. Zogu dhe historishkruesit e tij, siç edhe M. Kruja, pretendonin se, koloneli 17 vjeçar Ahmet Zogu na kishte qenë qysh në "Ditën e Parë" të Kongresit, kishte mbajtur edhe një fjalim prekës, madje edhe si firmatar

Dokumenti autentik i Proces-Verbalit të 28 nëntorit 1912, si përfundoi në dorën e Lef Nosit dhe pse ekzistonte deri më 1938 dhe a ka gisht këtu ish-mbreti Zog, që pretendonte të kishte qenë edhe firmëtar në Vlorë

Për disa çështje të pandriçuara të shpalljes së mëvehtësisë/indipendencës së Shqipërisë me 28 nëntor 1912, për disa falsifikime pjesëmarrësish, për dilemën e shkruesit ose të rishkruesit midis L. Gurakuqit dhe M. Krujës, për luhatjen e interpretimeve dhe lajmërimeve midis shpalljes së autonomisë e mëvehtësisë, etj, unë kam paralajmëruar e shkruar hollësisht në një gazetë tjetër katër vite më parë.

Po ashtu kam shkruar për përkujtimin e 25 vjetorit, të shpallur me bujë nga Mbretnija Shqyptare, simbas botimit përkujtimor në revistën LEKA. Kam shkruar edhe për përkujtimin e 35 vjetorit më 1947, ku fjalën e rastit në LSHSH e kishte mbajtur Gjovalin Luka, ku theksonte se mbi këtë ngjarje dhe mbi dokumentet historike ishin bërë manipulime.

Në këtë shkrim, pa u zgjatur në detaje, rrjedhime e konkluzione, dëshiroj të shtroj tre çështje kryesore: Dokumenti autentik origjinal i proçes-verbalit të ditës 28 nëntor 1912, aprovuar me 30 nëntor 1912, ekzistonte deri në vitin 1938.

Kur dhe kush e zhduku?! E dyta ku humbën proçes-verbalet autentike origjinale të gjashtë mbledhjeve të Kuvendit Kombëtar dhe përse nuk u hartua ai "Dokumenti Përfundimtar i Pavarësisë", mbas Mbledhjes së Shtatë?! Dhe e treta na humbi edhe flamuri zyrtar ceremonial që ngriti Ismail Qemali, po si ishte shqiponja e zezë, me një kokë apo me dy koka?!

Ende sot, në dekadën e parë të shekullit XXI, kur po afrohet 100 vjetori i evenimentit të pavarësisë, fatkeqësisht ka një mjegullnajë të madhe. Duam s'duam, na pëlqen s'na pëlqen, e vërteta është se, Karta që kemi si "Dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë", në fakt përbën një fletë faksimile të proçes-verbalit të ditës së parë.

Për më tepër ky Proçes-Verbal "de jure e de facto" është zyrtarizuar, ka hyrë në fuqi, tekstualisht "kënduar e pëlqyer" në "Ditën e Dytë" të Kuvendit/Kongresit (ose Mexhlizit) të Vlorës me datën 30 nëntor 1912.

Por, deri në cilin vit Shqipëria e kishte dokumentin autentik e origjinal? Siç rezulton nga revista "Përpjekja Shqiptare", 13 janar 1938, f 26-27, ka të ngjarë se, dokumenti original autentik mund të ketë ekzistuar, së paku deri në vitin 1938, si pronësi private koleksioniste e z. Lef Nosi.

Riprodhimi i këtij dokumenti madhor, shënohet nga revista: "ribotohet me lejen e zotit Lef Nosi". (shih fotokopjen e skanuar). Me këtë rast revista shkruante edhe këtë koment: "Lef Nosi, "Dokumenti i shpalljes s'independencës kombëtare në Vlonë më 28 Nanduer 1912 edhe fytyrat e përfaqësuesvet të popullit shqipëtar që patën fatin e lumtur me e shpallë.

Ribotimi asht i rezervuem, Tiranë, 28 Nanduer 1937. Shitet: 1 lekë copa. - Ky dokument tepër i vlefshëm për historin politike të Shqipërisë së re është ruajtur gjer më sot për hir të kujdesjes të z. Lef Nosit, një nga patriotët e orës së parë, anëtar i Kongresit të Vlorës dhe Ministër në Qeverinë e Përkohëshme që u formua me vendimin e këtij kongresi.

Me rastin e kremtimeve të XVV -vjetorit të parë të kësaj ngjarje historike të lumtur zotërija e tij pati frymëzimin e bukur t'a shtypë dokumentin në fjalë me një mënyrë të posaçme me mijra copa.

Eshtë një kujtim i shenjtë, një testament që duhet të blehet pa tjetër e të ruhet mirë prej çdo shqipëtari të vërtetë. Dhe është një botimi më i shkëlqyer me një vlerë authentike e origjinale, që dolli në dritë me rastin e XXV-vjetorit. I ndershmi z. Lef

Nosi, i cili ruan një thesar të tërë dokumentash kombëtare, politike, historike e letërare në bibliotekën e tij, pati mirësin t'a lejojë ribotimin e këtij dokumenti posaçërisht për këndonjësit e kësaj Reviste. I falemi nderit nga zëmra. (cit. f. 62)"
Padyshim, do të dëshironim që dokumenti të ketë qenë nga ekzemplari autentik-origjinal dhe jo nga ndonjë kopje tjetër.

E hedhim këtë dyshim relativ, sepse krijohet një përshtypje e një formulimi të rafinuar për qëllimin tregtar të reklamë shitjes sa më masive, i cili sidoqoftë nuk mungon.

Fatkeqësisht ne nuk dijmë se, në sa kopje ishin mbajtur proçes-verbalet e Kuvend/Kongresit.

Llogjika më e thjeshtë e kërkon që minimumi duheshin mbajtur në dy kopje, ashtu siç ishin mbajtur proçes-verbalet në mbledhjen e Bukureshtit. Por, asnjë nga mbajtësit zyrtarë të proçes-verbalit në Vlorë, nuk tregon asnjë kujtim, madje nuk dimë asgjë se, si dhe pse kishin përfunduar dokumentet madhore të pavarësisë në dorën e Lef Nosit?!

Gjithsesi, aktualisht ne nuk kemi asnjë dijeni se kur, si dhe nga humbi së paku dokumenti më i rëndësishëm i ditës 28 nëntor 1912, i marrë i mirëqenë si autentik. Arsyetimi më i parë dhe rrjedhimi më i pafalshëm (për të mos thënë skandaloz), kur na dihej edhe "rëndësija e shënjtë, testamentale etj", do të ishte se si e lejoi dhe si nuk e muzeoi qeveria shqiptare mbretërore edhe vetë Mbreti, këtë dokument origjinal të shpalljes së Indipendencës më 1937 e 1938?! Mos Zogu kishte edhe ndonjë kopje tjetër të Aktit, ku mendonte të fuste edhe veten si firmatar?!

Dyshimet bien për disa arsye. A. Zogu dhe historishkruesit e tij, siç edhe M. Kruja, pretendonin se, koloneli 17- vjeçar Ahmet Zogu na kishte qenë qysh në "Ditën e Parë" të Kongresit, kishte mbajtur edhe një fjalim prekës, madje edhe si firmatar! (shih, "Shqipënija më 1937, Vëll. I, f 11. Po aty f 35. I. Ushtelenca, "Diplomacia e Mbretit Zog", bot. 1995, f 14-15, letër e M. Kruja-Mërlika drejtuar A. Zogut, më 1958; po aty, cit. f 38-39)

Mirëpo, në bazë të Proçes-Verbalit, rezultonte se "përfaqësuesit e Matit, Z. Ahmet Muhtar Beu, Riza Beu dhe Kurt Agai, mbërritën në Vlorë në Datën e "Mbledhjes së Shtatë", me dt 7 dhjetor 1912. (Cit., Proçes-verbalet, rev. LEKA, f 431). Pra dilte se Zogu po i gënjente...Biografi personal i Mbretit H. Bernstein shkruante: "Firma e delegatit 17 vjeçar të Matit në Aktin që i jepte pavarësinë Shqipërisë ishte ajo e delegatit më të ri në moshë".

(H. Bernstein, "Mbreti Zog kallxon historinë e tij", f 3-4) A ishte Zogu ky personi Ahmet Muhtar Beu?! Në botimin zogist te kapitulli "Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912", f 34-35, personi Ahmet Muhtar Beu shënohet në kllapa Zogu, ndërsa në Proçes-Verbalin e dt. 7 nëntor 1912, këto kllapa nuk ekzistojnë!

Ka shumë mundësi që botimet në revistat Leka, Hylli i Dritës dhe "përpjekja Shqipëtare", ia prenë disi yryçin historiografië zyrtare oborrtare...Ndërkaq, llogjika e ftohtë e fakteve, e historianit dhe e juristit e kërkon konkluzionin që, edhe ajo fleta e parë e proçes-verbalit hyri në fuqi "de jure e de facto" me datën 30 nëntor 1912. Minimumi, ky saktësim ndoshta duhej bërë kur "deputet-historianët" tanë kërkuan edhe kronometrimin midis 28 nëntorit dhe 29 nëntorit 1944...

(Vijon)

Fotoskanim nga revista "Përpjekja Shqiptare", 13 Janar 1938, ku theksohet se ky riprodhim fotografik bëhet nga origjinali me lejen e z. Lef Nosi.

Fotoja historike te gazeta e përmuajshme "Liri e Shqipërisë": Ngritja flamurit me shqiponjën një kokëshe nga I. Qemali, në Sarajet private të Vlorajve, më 28 nëntor 1912. Në një nga numrat e kësaj gazete njoftohej edhe shpallja e autonomisë.

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Jun 01 2010, 03:55pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Beteja për Kopilin

Beteja e Kosovs 1198


Miti i Betejës së Kosovës të vitit 1389 vazhdon t’i provokojë studiuesit dhe historianët edhe sot e kësaj dite. Libri më i ri që merret me këtë betejë dhe me heroin e saj është “Beteja e Kosovës 1389, epos shqiptar” i autores Anna di Lellio.

Anna Di Lellio


Nga Alfred Beka më 28.05.2010 në ora 20:47

Në qoftë se shqiptarët dhe serbët i urrejnë heronjtë e njeri tjetrit, kur bëhet fjalë për Millosh Kopiliqin (mbiemri i të cilit gjendet në forma të ndryshme si Kopili, Kobila, Obiliq, Kopiliq, Kobilic, rrënja e të cilit mund ta ketë një fjalë të vjetër ballkanike – kopil, fëmijë bastard) atëherë puna qëndron ndryshe. Ai është i vetmi hero që adhurohet nga të dyja palët. Madje të dy popujt pretendojnë se heroi, për të cilin thuhet se e ka vrarë Sulltan Muratin, është i tyre.

Shqiptarët thonë se ai ka qenë shqiptar nga fshati Kopiliq i Drenicës, ndërsa serbët e adhurojnë si hero kombëtar dhe e kanë përdorur si instrument për të dëshmuar kinse autenticitetin e tyre në këto troje. Dikotomia e tillë e ka provokuar edhe studiuesen Anna Di Lellio, e cila sapo e ka botuar edhe në gjuhën shqipe librin e saj “Beteja e Kosovës 1389, epos shqiptar”, i cili është botuar në shqip nga Edicioni “Zëri”.

Shkrimtari Mehmet Kraja, i cili është edhe redaktor i botimit në shqip, në promovim të librit, që u mbajt të enjten në Bibliotekën Kombëtare, tha se Beteja e Kosovës e vitit 1389, si rrallë ndonjë ngjarje tjetër e historisë, ka qenë një nga ato ngjarjet kthesa në hapësirën ballkanike, e cila ka prodhuar të tilla pasoja pothuajse të parehabilitueshme edhe sot e kësaj dite. Kraja pohoi se kjo ka qenë ngjarje që ka mbajtur Ballkanin të trazuar për më shumë se gjashtë shekuj, ndërsa kosovarëve ua ka nxirë jetën për shumë qindvjeçarë. “Shikuar nga aspekti historik, Beteja e Kosovës e vitit 1389 ka shumë paqartësi, të cilat nuk kanë arritur të ndryshohen sot e kësaj dite. Mjafton të themi se tyrbja e Sulltan Muratit në Mazgit, ku supozohet se janë varrosur rropullitë e Sulltanit, ndërsa trupi i tij i balsamosur është varrosur në Edrene në shekullin XIX, kurse përmendorja e Gazimestanit, ku supozohet se është zhvilluar beteja, është e vitit 1954”, u shpreh Kraja.

Duke ndodhur në një kohë të errët për Ballkanin dhe për Evropën, Kraja shtoi se kjo ngjarje kthese e historisë dhe e përplasjes së civilizimeve në një hapësirë si kjo, ku mitet dhe legjendat bashkëjetojnë me përditshmërinë, ka qenë e pritshme që nga një ndodhi reale të sendërgjohet në produktet më imagjinative siç janë mitet, legjendat dhe eposi popullor.

Sipas Krajës, deri këtu rruga që ka ndjekur kjo ngjarje historike është krejt e natyrshme dhe e ngjashme me ngjarjet e tilla në mbarë historinë e njerëzimit. Mirëpo, siç u shpreh ai, ndodhi që në shekullin XIX, në periudhën e rizgjimit kombëtar të ballkanasve, Beteja e Kosovës e vitit 1389 bëri rrugën më të panatyrshme për një ngjarje historike, nga legjendat zbriti në faqet e shkruara të historisë dhe të programit nacional serb.

“Që atëherë, pra për dy shekuj më radhë, Beteja e Kosovës ka prodhuar vetëm tragjedi dhe fatkeqësi të njëpasnjëshme për Kosovën. Në një rrethanë të tillë, shqiptarët nuk krijuan mitin e tyre për Betejën e Kosovës dhe as për Kosovën si tokë e premtuar sepse ata jetonin në Kosovë dhe njeriu për nga natyra nuk sheh ëndërr atë që e ka por atë që nuk e ka. Ndërkaq, në kohë të vona shqiptarët u përpoqën të shpjegonin se Beteja e Kosovës ka qenë një epope tragjike për gjithë popujt e Ballkanit dhe se në atë betejë morën pjesë edhe shqiptarët me prijësit e tyre Balshën dhe Muzakën”, tha Kraja.

Duke folur për librin, Kraja tha se libri i Anna di Lellio-s në mënyrë të argumentuar tërheq vëmendjen se krahas eposit serb ekziston edhe një epos shqiptar për atë ngjarje të largët të vitit 1389.

Ndërkaq, autorja e librit, Anna di Lellio tha se synimi kryesor i botimit të librit në gjuhën angleze ka qenë që audienca e gjerë të njihet me eposin shqiptar. Ajo tregoi se libri është botuar tani edhe në gjuhën serbe në Beograd. Duke treguar për idenë që i kishte ardhur asaj për ta shkruar këtë libër, Di Lellio u shpreh se ajo i ka ardhur derisa po pinte kafe bashkë me Robert Elsie-n dhe Bejtullah Destanin.

“Ideja për të shkruar këtë libër me ka ardhur derisa po pija kafe në Londër me Robert Elsie-n dhe Bejtullah Destanin dhe pasi që isha duke punuar rreth një projekti për Adem Jasharin dhe traditën e rezistencës në Drenicë ua përmenda atyre se më kishte rënë në dorë një libër nga Ahmet Qeriqi mbi Milosh Kopiliqin. Kështu që mësova për Kopiliqin dhe mendova se ishte një histori interesante për ta hulumtuar dhe pyetja që më udhëhoqi ishte pse shqiptarët besojnë se heroi, kalorësi që e vrau Sulltanin ishte shqiptar”, tha Di Lellio.

Libri “Beteja e Kosovës 1389, epos shqiptar” është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë përfshihet studimi i autores mbi Betejën e Kosovës dhe figurën e Millosh Kopiliqit, ndërsa pjesa e dytë përmban tetë variante shqipe të këngës për Betejën e Kosovës.

Kush është Anna di Lellio?

Ana di Lellio është ligjëruese për çështjet ndërkombëtare në New York School University në New York dhe në Institutin Kosovar të Gazetarisë dhe Komunikimit në Prishtinë. Ajo ka doktoruar në sociologji në Universitetin Kolumbia në SHBA. Gjatë periudhës së UNMIK-ut, në Kosovë për një kohë ishte komisioneve për media. Edhe pas kësaj periudhe ajo mbeti e lidhur ngushtë me Kosovën dhe problemet e saj, shpesh duke u shfaqur në edicione të ndryshme në rolin e gazetares dhe të analistes politike. Është redaktore e botimit “Rasti i Kosovës: Rruga drejt pavarësisë”, me parathënie të Ismail Kadaresë.

Vlerësime rreth librit

“Anna di Lellio na ka dhënë një depërtim të rrallë në një gojëdhënë alternativë – shqiptare – të Betejës së Kosovës. Ky botim i vlefshëm, me përkthim preciz, i redaktuar dhe i komentuar, paraqet një punë të bërë me dashuri, e cila njëkohësisht është e një rëndësie të veçantë për dijetarët e së kaluarës ballkanike.”

Ivo Banac, profesor i historisë në Universitetin e Jellit

“Një botim madhështor me një përkthim të rrjedhshëm, të afërt dhe elokuent. ‘Beteja e Kosovës 1389’ është një sintezë e shkathtë në dobi të folkloristëve, antropologëve, osmanologëve dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për zhvillimet e historisë bashkëkohore.”

Harry Norris, profesor emeritus, SOAS, Universiteti i Londrës


Marre prej Gazeta Express
trokit ketu


[ Edited Tue Jun 01 2010, 03:57pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Jun 15 2010, 11:40am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Historianët: Enciklopedi për të gjithë shqiptarët



Shkup - Vetëm një enciklopedi e përbashkët shqiptare do të eliminonte të gjitha të pavërtetat historike që thuhen dhe shkruhen rreth tyre, vlerëson akademiku Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë në Tiranë.
Meta ka qëndruar të hënën në Shkup, ku është takuar me drejtorin e Institutit Albanologjik në Maqedoni, Ramiz Abdyli, i cili njëherësh është edhe anëtar i redaksisë për përpilimin e enciklopedisë së re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).


Beqir Meta



Ramiz Abdyli


“Duhet bërë një enciklopedi shqiptare. Ne jemi një komb që shumë shpejt mbush 100 vjet. Jemi komb shumë i madh në Ballkan, dhe nuk kemi një enciklopedi. Mendoj se ky është një boshllëk që duhet mbushur, dhe këtë mund ta bëjnë shumë mirë institucionet tona shkencore në të gjitha trevat me një bashkëpunim shumë efikas”, deklaroi Meta.

Ndërkohë, Ramiz Abdyli ka njoftuar se së bashku me anëtarin tjetër shqiptar të redaksisë Alajdin Abazi, janë të pakënaqur se si punohet për përpilimin e enciklopedisë së re maqedonase, ku duhet të fshihen pjesët ofenduese për shqiptarët të shprehura në enciklopedinë e parë.

Ata kanë dërguar disa kërkesa deri te ASHAM-i, dhe paralajmërojnë largim nga redaksia në rast se këto kërkesa nuk përmbushen.

“Unë nuk kam kurrfarë të drejte të marr pjesë në këtë redaksi, sepse aty ende drejton kryeredaktori i vjetër. Edhe pse kemi vendosur ta tërheqim enciklopedinë e vjetër, ai ka shkuar në Ukrainë për promovimin e saj. Ne kemi kërkuar që enciklopedia të tërhiqet, sepse përbalt shqiptarët”, thekson Abdyli.

“Duhet të ndërpritet shitja e enciklopedisë së parë. Nëse ka nevojë edhe të digjet.
Duhet të na mundësohet të vizitojmë 37 institute në botë ku vlerësohet se ekzistojnë vepra me të dhëna për shqiptarët. Në të kundërtën do të tërhiqemi. Është turp të marrim pjesë, do të turpërohemi edhe para historisë edhe para shkencës”, shtoi Avdyli.

Meta dhe Abdyli kanë biseduar edhe për bashkëpunimin mes të gjitha instituteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në funksion të përgatitjes së historisë së re shqiptare.

2010-06-15 11:37

Copyright 2009 © GazetaStart.com
trokit ketu


[ Edited Tue Jun 15 2010, 11:41am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Wed Jun 23 2010, 10:48am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Fisnikëria dhe procesi i islamizimit të shqiptarëve



Prof. Dr. Ferit Duka
Vendosur: 22/06/2010 - 07:58
Historia e popullit shqiptar ofron një model pothuajse unik, përsa u përket veçorive të kompozicionit fetar të këtij populli në rrjedhën e shekujve. Një popull relativisht i vogël në numër dallohet nga popujt e tjerë të rajonit, jo vetëm për nga hershmëria e banimit në trojet e veta, por edhe nga diversiteti i besimeve brenda një identiteti të vetëm kombëtar.
Shqiptarët ishin ndër të parët popuj të Europës që përqafuan Krishterimin gjatë shekujve të parë të erës së re. Skizma e vitit 1054, kur Kisha Katolike (Perëndimore) u nda përfundimisht nga Kisha Lindore (Ortodokse), shënoi ndarjen e parë të shqiptarëve në ndjekës të ritit katolik dhe në ndjekës të ritit ortodoks. Megjithëse Ortodoksia ruajti pozita të qëndrueshme, sepse kishte edhe mbështetjen e shteteve të fuqishme ortodokse, që sunduan për një kohë të gjatë pjesën më të madhe të tokave shqiptare (Perandoria Bizantine, Mbretëria Bullgare dhe ajo Serbe), edhe Krishterimi Katolik, falë mbështetjes së shteteve perëndimore që sunduan pothuajse pandërprerje gjatë Mesjetës në një pjesë të mirë të territorit shqiptar (kryesisht në brezin perëndimor), ruajti praninë e vet në këto hapësira duke pasur jo vetëm një numër relativisht të madh besimtarësh, por edhe institucione të fuqishme.
S’ka dyshim se prania e riteve të ndryshme të krishtere në mesin e shqiptarëve krijonte një gjendje specifike, në krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët pothuajse ishin homogjenë nga pikëpamja e strukturës fetare. Megjithatë, situata fetare në tokat shqiptare do të fitonte një pamje krejt të re duke filluar nga shek. XV.
Vendosja e sundimit osman në tokat shqiptare u shoqërua me ndryshime të thella, jo vetëm në fushat politike, shoqërore dhe ekonomike, por edhe në strukturën fetare të popullsisë. Përkatësia e krishterë e shqiptarëve (pjesërisht në ritin ortodoks dhe pjesërisht në atë katolik) filloi të cenohej në dobi të përhapjes së Islamit, fe zyrtare e shtetit osman.
Pjesa e sipërme e piramidës shoqërore, fisnikëria shqiptare, ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në Islam. Që nga gjysma e dytë e shek. XIV, kur inkursionet osmane drejt Ballkanit dhe Shqipërisë sa vinin e dendësoheshin, princat shqiptarë u shtrënguan kush më herët e kush më vonë, të pranojnë suzerenitetin e sulltanit dhe, si vasalë të tij, të dërgojnë djemtë e vet si pengje pranë oborrit osman. Këtu, pasi ktheheshin në Islam dhe merrnin edukatën përkatëse, ata ngarkoheshin me shërbime të caktuara ushtarake e civile, duke arritur në shumë raste edhe në funksione të larta, si sanxhakbejlerë, subashë etj. Ndër pinjollët e islamizuar të familjeve feudale shqiptare të dërguar pranë oborrit të sulltanit si içoglanë ishte edhe Heroi Kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti (i islamizuar me emrin Skënder), një nga djemtë e Gjon Kastriotit. Islamizimi i një pjese të elitës feudale shqiptare që në dhjetëvjeçarët e parë të sundimit osman, formoi kështu kontingjentin fillestar të popullsisë së islamizuar shqiptare.
Një pjesë e fisnikërisë shqiptare deri në fillimet e shek. XVI mundi ta ruajë identitetin e vet fetar të krishterë, edhe pse ishte zotëruese e timareve. Zotëruesit e krishterë të timareve, të quajtur ndryshe “timariotë të krishterë”, ekzistuan vetëm përkohësisht si kategori shoqërore. Lejimi i ekzistencës së përkohshme të timariotëve të krishterë nga ana e shtetit osman ishte jo vetëm shenjë e tolerancës fetare, por edhe një rrugë për integrimin gradual në sistemin e timarit të kësaj kategorie shoqërore, me qëllim islamizimin dhe otomanizimin e ardhshëm të saj. Burimet dokumentare të shek. XV shënojnë mjaft raste të kalimit të timareve nga duart e timariotëve të krishterë në zotërim të pasardhësve të tyre të islamizuar.
Timariorët e krishterë formonin një pakicë në krahasim me timariotët shqiptarë të islamizuar. Kjo duket qartë jo vetëm në sasinë e timareve që zotëronin, por edhe në sasinë e taksave që ata merrnin nga këto timare. Përgjithësisht procesi i kalimit në Islam i timariotëve të krishterë nuk zgjati më shumë se dy breza që prej momentit të përfshirjes së tyre në sistemin e timarit, gjë që flet për atë se fisnikëria shqiptare u islamizua relativisht shpejt. Me shuarjen e kategorisë së timariotëve të krishterë në fillimet e shek. XVI, ishte arritur islamizimi tërësor i klasës feudale shqiptare. Edhe përfaqësuesit më të shquar të familjeve feudale shqiptare të Arianitëve, Dukagjinëve, Muzakajve, etj., pas shtypjes së qëndresës kundërosmane të shek. XV, ose u larguan nga Shqipëria, ose u bënë pjesë e popullsisë së islamizuar, duke krijuar kështu bazën e nevojshme për fillimin e depërtimit masiv të Islamit në shtresat e tjera të popullsisë shqiptare. Kjo lidhej jo me peshën numerike që feudalët zinin në kuadër të shoqërisë shqiptare të kohës, por me ndikimin e fuqishëm shoqëror dhe politik që ata kishin në mesin e popullsisë.

Marre prej Gazeta Panorama Online
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Thu Sep 23 2010, 01:09pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Himara, nga hartat antike deri te Petro Marko..



Myslim PASHA | 22/09/2010

1. BALLINË MBISHKRIMORE NGA PETRO MARKO.

"Pra ç'jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: "Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshet dinë më mire shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip? Siç duket që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun.

Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t'u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijë. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj, dhe kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë."

Këtë e vura si shtresë të parë, prej penës dhe kujtesës së Petro Markos, kur ende nuk kish trokitur bastuni i Bardit të Historisë, Prof. Kristo Frashërit. Këtu nuk jemi në ndonjë garë, as në ndonjë betejë që duhet të fitojmë. Asgjësend të kësillojshme nuk ka. Vetëm se gjithkush në vetëdije, le të ndjesohet, se kemi qenë aq të gatuar njësojshëm me himarjotë sa asgjëkund s'ka pasur ndarje. Këtë e rrëfen historia. Mirëpo, me Himarën po luhet. Luhet në të dy krahët. Secili në simbolikën dhe synimet e tij. Ngjarjet e fundit kërkojnë një optikë të qartë, pjekuri dhe gjakftohtësi, sepse ndryshe Himarën që është Njëjtësi Krahinore Gjeohistorike Shqiptare kaq e njohur do ta shndërrojmë në një mburojë të shformuar dhe të paaftë të gjithëpërfshijë veten në ardhmërinë e saj.

Vetëm arsyetimi dhe faktet të largojnë nga trillimi. Teksa kërkoja harta antike, atë ditë kur Prof. Frashëri jepte intervistë të veçantë, Himara diku në një arkiv të Librarisë së Kongresit Amerikan, shpalosej natyrshëm prej lashtësisë. Doja t'ia nisja sa më shpejtë on-line, Profesorit, jo si një historian, por si një hartograf. Mirëpo atëbotë, si me porosi, me dy dhërmijotë që janë pronarë hotelesh në Ocen City në SHBA, takuam duart dhe përnjohëm mbiemrat tanë. Unë u ndjeva keq kur i thashë si emrin ashtu dhe mbiemrin tim osman. Kurse ata shqiptuan atje së largu "BUA" dhe "GJONI".

2. DUKE FLUTURUAR NGA PENË E SPIRO MILLOS DERI TEK MBIEMRI "BUA"

Në vijim të Mbishkrimores së Petro Markos, vijnë argumente rrënjorë për Spiro Millo-n që përmend Prof. Frashëri çka tregon se si erdhën mbrapshtitë për të bërë bashkim me Greqinë e për t'u bërë dorëzanë edhe për shumë agallarë të Labërisë së atëhershme, të cilët do të betoheshin dhe që do të ngrinin flamurin grek në Dheun e tyre, e të qeveriseshin nga ligjet greke etj., etj. E ky Spiro Millo, si gjithë himarjotët e tjerë "nuk fliste fare greqisht..." ( Shiko: "Arvanitasit" e A. Kolës) , " përveçse shqip" (po aty). Ky Millo e mësoi edhe greqishten, dhe pastaj vjen ajo kënga që ruhet në epikën orale të jugut: "Spiro Millo me penë, Zaho Millo me pallë, çliruan Greqinë dhe e bënë Himarë..."
Suliotët dhe Himarjotët, hamendësohet se ishin gegë që pas vdekjes së Skënderbeut rrodhën më në jug, si në Himarë dhe Sul. Thuhet, kësilloj, se suljotët dhe himarjotët ngjajnë shumë. Është një kumt i madh historik i himarjotëve, atë që ata ia dërguan Papës Grigor i Trembëdhjetë më 1581 se " Të detyrosh mbret Filipin, që të sjellë ndihma, nga Mbretëria e Napolit, nga fisi ynë i romakëve dhe arbërorëve ... se ne do të vendosim flamurë dhe ... do të marrim tërë arvanitien dhe Morenë..."
Kush ishin këta? Ishin ata që kishin zbritur në fund të shekullit XIV si pasardhës së fesë së krishterë, që në ngulimet e reja morën emrin arvanitas. Kështu që Himara qe dhe mbeti e krishterë në mënyrë tërësore. Ndërsa, në fqinjëri dhe në juglindje ishin Çamët që banonin rrotull Thiamisit (Lumit Thiamis) që quhet edhe Dhesprotia (Thesprotia) me rrënjë fjalën DHE. Kurse Lebrit ishin në krahë të himarjotëve dhe të lidhur me ta...
Duke medituar për dy mbiemrat e parë që sollëm në fillim të shkrimit, Gjon-ët dhe Bua-t, dy fise të mëdha që dokumentohen herët edhe në regjistrat turq si ai i vitit 1583 ku gjen: Gjin, Gjon dhe Bua. Mbiemri i fundit është arbëror, pra tërësisht arvanitas nga Estradiotët e shekullit të XV dhe XVI si Mërkur Bua që ishte nga buronjë shqiptare e Buajve edhe pse jetonte në More (Man), por që ishte me rrjedhë prej Buajve që erdhën nga Veriu dhe pse jo dhe nga Dhërmiu i dikurshëm. Nuk ka më në More, por ama, e gjen sot në Dhërmi dhe deri në Ocen City, në SHBA. Kladët, Shpatët, Grivët janë sythe të së njëjtit trung, janë Bua. Gjin Bue Shpata ishte pjesë e familjes më të shquar të Shpatajve arbërorë dhe e familjes Bua. Ai ishte një kryesundues i Despotatit të Artës Lord i Artës, i Lepantos.

Edhe në regjistrin turk që sjell Prof Frashëri në shpinoren e Himarës së regjistruar dalin: Meksi, Gjoni, Gjini, Pali, Tanushi, Gjipali, Gjikalli, Leka etj., emra shqiptarë.

Kështu që hartat antike i nisa mbi këta dy mbiemra shqiptarë të Dhërmiut dhe thënien kryebreg të Petro Markos.

3. SFOND HARTOGRAFIK.

Kërkimi hartografik që nga lashtësia sjell dëshmi të veçanta jo vetëm për kufijtë dhe shtrirjet gjeohapësinore, por dhe emërtimet e shkruara në to. Këto "ngastra" shkrimore po edhe simbolike, mund të sjellin një kontribut, sado të vogël për historinë.
Χίμαιρα, (Chimaira) thuhet se ka sjellë emërin Himarë. Po kësilloj vijohet: se fjala rrjedh prej greqishtes, χείμαρρος (cheimarros), me kuptimin e përroit. Kjo është një hamendje por jo një ngjasim përfundimtar. Në këto harta, që po sjellim, emërtimi shkruhet në shtrirjen krahinore që nga buzëdeti deri më në lindje: CHIMERA ndërsa në veri mban një emërtim të veçantë po të njëjtë që përkon vetëm me pozicionimin e qendrës së banuar. Po edhe malet që i rrinë përsipër, nuk janë ato që në hartat e Ptolemeut quhen "Akrokeraune = malet e Vetëtimës ) por malet e Chimera-s.
Edhe pse në vetvete hartografia e kohës është skematike, prapëseprapë na e shton edhe më shumë përfytyrimin se nuk bëhet fjalë për një Himarë të veçantë si qendër e banuar por si një krahinë e tërë. Kjo ka shumë rëndësi për njëjtësi. Në veriperëndim radhiten emërtimet: Sopot që na del për herë të parë dhe në bregdet, po edhe aq i njohuri gjiri i Gramës (Grammata) .
Shkrimet në hartë janë latinisht: CHIMERA, e cila në shqipen tingullore (KIMERA) që nuk ngjason me "χείμαρρος (cheimarros) = keimaros që thuhet në disa fjalorë dhe enciklopedi si një synim për ta çuar medoemos tek fjala me rrënjë greke : χείμαρρος (cheimarros) = përrua, çka nuk është aspak i drejtë.
Pse të mos kërkohet në buronjë të shqipes? Ka një hamendje që himarjotët kanë një përzierje të re që erdhi nga veriu, nga fiset gege. Kështu: CHIMERA = KI MER ERA= QË i MERR ERA. Ky përfytyrim që na shfaqet, ka përsipër malet e Vetëtimës = Akrokeraune, me erë dhe vetëtima, me një hapësirë detare që sjell erëra mesdhetare. Dhe ja në verilindje, për herë të parë na del: Sopot: që vjen prej "bregore" Në latinisht do të thotë " llaç" në serbokroatisht "brinjë" Kurse "Gramata" kuptueshëm ka lidhje me shkrimet e shumta në atë gji të marinarëve dhe prerësve të gurëve të qyteteve antike themeluar nga kolonitë greke.
Edhe në një hartë tjetër e cila duket se nuk i ka përdorur të gjithë emërtimet që cekëm atypari, na sjell sërish krahinën tërësore, po edhe Himarën si qendër të banuar është shkruar në drejtimin verilindor. i vetmi ndryshim në këtë hartë më të hershme është se poshtë Himarës = Kimerës është shkruar me shtrirje të gjerë në drejtim të juglindjes EPIRE deri tek Thiamis, lumi që i ka dhënë emrin Çamërisë. Duket se sipas rendit të të shkruarit Kryekrahina është Epiri dhe Çimera është pjesë e tij pra, e Mbretërisë së Epirit, ku Pirro u ngrit në sopin më të lartë të majave epirote.
Pra, hartat flasin dhe dëshmojnë.

4. NJË HARTË E VORIO-EPIRIT2*

Hartën e Vorio Epirit (fotot shoqëruese), në përfshirje të gjeohapësirës historike shqiptare, e realizuar në vitin 1919, mund ta komentojmë së bashku, si një fakt dëshmues, se era që duket se fryn këto kohë të fundit pa "orkestra të mëdha" ndjell dhe sjell imazhin dhe synimin e fqinjëve tanë, që edhe pse nuk citohet në dokumente zyrtarë të sotëm, përcjell kuptueshëm veprime po kaq arkivale sa ç'është edhe kjo hartë e ashtuquajtur "etnografike" Kjo hartë përkon me mbledhjen e "Komisionit të çështjeve greke dhe Shqiptare" të kryesuar nga francezi Kabon, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore më 1919.
Është pjesë e propagandës së hershme e qeverisë greke ( të Venizellosit ) që kërkonin me çdo kusht që Epirin e krishterë të Veriut ta përfshinin me Greqinë. Kështu iu sulën shtetit shqiptar që sapo kish fituar mëvetësinë, për të rivendikuar gjithë pjesën jugore të Shqipërisë, ku nuk ishin vetëm të krishterë por edhe myslimanë dhe ku vetëm një pakicë ishte greke.
Një kufi i vizatuar me simbole tërësorë hartografikë plot 7 vjet pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, kufizon me një ngjyrim të kuq vijën e fundme të ( Epirit të Veriut = Vorio Epirit ) që fillon në Vishocicë e vijon mbi Progër, mes përmes malin e Ivanit pastaj përbri Pogradecit, e ngjitet në lartësitë e Osnatit duke përfshirë pjesën më të madhe të Gorës dhe pastaj po kaq e prêt edhe Oparin ku e kanë origjinën Muzakajt (Mussakie) në ujëndarjen e Ostrovicës. Në përfshirje të mëtejme vijon me Panaritin, Grabockën, e Treskën, pothujse merr pjesën më të madhe të Dëshnicës dhe del e vështron në Qafë të Kiçokut. Pastaj pret Trebeshinën dhe del në Memaliaj për ta përfshirë Tepelenën, i mësyn luginës së Bënçës, ngjitet në Këndrevicë, kufizon Vërmikun, duke futur brenda tërë Kurveleshin e Sipërm. Mandej, zbret pa teklif në Kurvelesh të Poshtëm dhe përfshin Bolenë, Kuç e Kallarat. Ngjitet në Male të Vetëtimave ( Mali i Çikës) zbret në Qafë të Llogorajt, ecën mbi Karaburun dhe zbret deri në gjirin e Grammatës atje ku bashkohet Dheu me Detin.
Kjo hartë e ardhur që nga viti 1919 nuk tremb as nuk kanos, nuk përcjell ksenofobi, dhe as alarm, veçse dëshmon se ku e ka shtratin një ëndërr e kahershme e fqinjëve tanë jugorë.

5. "GREQIA KËRKON NGUSHTICËN E OTRANTOS"


Këtë e thotë Prof. Kristo Frashëri për herë të parë gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit dhe sidomos pas një beteje me vetveten që pati qeveria e Shqipërisë së sotme për Paktin Detar, të gremisur me Greqinë. Mund të thuhet se ka ikur koha që të flasësh me terma të tillë të vjetruar sepse " ... ne tani jemi në NATO, dhe ç'kuptim kanë ato hamendjet se do të dalë këtu apo do të dalë atje... me gjeostrategji dhe gjeopolitikë të prapambetur..." Dhe këta njerëz nxjerrin gjuhën, po edhe fjalë të përbaltura të shqipes së tyre të përzierë, gjase duan të stisin e sajojnë një valëzim miqësor që vjen deri këtu në buzë të Aosit (Vjosës) herë me varre ushtarësh, herë me pensione e herë më shkolla...bukur e bukur...i qepin veprat e tyre.
Kur Profesor Frashëri u kujton Otranton, ata as që duan t'ia dinë se ku ndodhet, por e kanë mendjen tek koordinatat e krahëve notues të tyre diku në Dhërmi, e që nuk duan që duan t'ia dinë për këtë rrugë të shkurtër në Apenine, ku janë mbytur e s'arrin dot sa e sa shqiptarë në tragjedinë e izolimit të tyre katastrofik.
As që duan të kuptojnë se Otranto nuk është një vijë, po është një hapësirë detare jetësore e të dy vendeve tona: Italisë dhe Shqipërisë, që rrojnë kundruall në jetë të jetës. Ndërkaq me atë marrëveshje duhet t'u jetë prishur qetësia e notit "shou" që bëhet çdo verë në Dhërmi. Dhe Prof. Frashëri i bie kambanës apo burisë historike se "Himara ka një rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe strategjike për Greqinë. Greqia kërkon që t'i afrohet sa më tepër Ngushticës së Otrantos. Synimi i saj është që t'i bëjë karshillëk Italisë. Këtu e ka burimin edhe përpjekja për t'i rrëmbyer Shqipërisë ujërat e saj...në zonën e Korfuzit dhe në Detin Jon, pra në afërsi të Otrantit..."
Kjo është një e vërtetë e madhe, se asgjë nuk është kaq e thjeshtë sa ç'duket, se nuk dihet ende se 'ç'fshihet në ato arka të kyçura me njëqind çelësa'.
Ky është gjykimi i qetë, i rëndë në vend të vet si një shkëmb, si pjesë e maleve të Vetëtimës, me një mirësi arbërore, duke trokitur me bastunin e moshës së tij të Bardhë. Mirëpo, Tirana jonë e politikës së pocaqisur nuk ka se si t'i thotë një fjalë të mirë Chimera-s, por bën not dhe në ujanën e Jonit lëshon një "belingua" si një lajkë që u ngjan të sharave që iu bëhen studiuesve nga gjuhë politikanësh
Në ato ballafaqime të turpshme dhe njollosëse, ndër ato lektoriume Universitetesh, qeveritarët bënë matje, të pamatura, me zellin e një të përunjuri, pa pikën e drojës dhe pa pikën e turpit, kanosin me gishtat e tyre, Udhët e Bardha në Palasë ku zbriti Cezari, pa frikë prej pranisë hijerëndë të Kepit të Gjuhëzës që është ai Gishti i Madh i trojeve tona që shikojnë vetëm në Perëndim, dhe lënë anash ujdhesat greke që ai Pakt i solli deri në mes të Otrantit dhe që me të drejtë, Prof. Frashëri e quan synim strategjik.

DICITURAT: Harta të Vorio Epirit dhe Himares qe shihet me emrin Chimera. Harta është në shkallën 1: 200 000. Firmosur: Data: Hellenique le Julliet 1919. Le Chef: Lt. Colonel: BOTZARIS Vu Le Chef d'Etat- Major: Colonel PANGALLOS. Botohen per here te pare


FOTO 1 NE FOTO GALERI
Fragment i hartes se Vorio/ Epirit e vitit 1919, me kufij te pretenduar ne Juglindje te Shqiperise.

FOTO2 NE FOTO GALERI
Harte me burime antike, ku perfshihet Krahina e Himares.

FOTO 3 NE FOTO GALERI
Fragment i hartes se Vorio/ Epirit e vitit 1919, me kufij te pretenduar ne Perendim


© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Mon Nov 22 2010, 01:14pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
E drejta ime mbi Shqipërinë




Vilhelm Vid e.d | 22/11/2010

Kur rrethanat e kushtëzuara nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore më shtrënguan, që gjatë ditëve të para të shtatorit të vitit 1914, të largohem përkohësisht nga vendim im Shqipëria, unë e ndërmora këtë veprim duke qenë i vetëdijshëm që edhe fati i ardhshëm i Shqipërisë, do të përcaktohej në këtë luftë popujsh dhe që tani për tani ndihma më e mirë që mund t'i jepja vendit tim, do të ishte zhveshja e shpatës për Gjermaninë, vendin e etërve të mi.


Në rastin e ngadhënjimit të Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, që për mua paraprakisht nuk vihej kurrsesi në dyshim, mëvetësia dhe pavarësia e Shqipërisë, për mendimin tim ishin të siguruara.


Të dy këto Fuqi, të cilat qysh nga lindja e Shqipërisë, kanë mbajtur një qëndrim miqësor ndaj saj dhe kanë marrë përsipër solemnisht mëvetësinë e Shqipërisë, do t'i mbanin edhe në të ardhmen premtimet e tyre. Mposhtja e Fuqive të Boshtit, sipas bindjes sime, kishte kuptim të njëjtë me ndarjen e Shqipërisë mes Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.


Në shpalljen time drejtuar popullit shqiptar, unë i pata premtuar atij që, qoftë larg apo afër, do të kisha vetëm një shqetësim, dhe kjo do të ishte puna e mëtejshme për mirëqenien e atdheut tonë shqiptar. "Unë as kam hequr dorë ndonjëherë nga froni i Shqipërisë, e as kam shprehur qoftë edhe mundësinë e një dorëheqje të tillë." Gjatë luftimeve në Perëndim dhe në Lindje, mendimet e mia janë vërtitur paprerë rreth Shqipërisë.


jatë periudhës që nuk ndodhesha në front, kam punuar për vendin tim me aq sa e lejonin kushtet dhe jam përpjekur që të mos i shkëpus lidhjet me të dhe me shqiptarët me banim jashtë vendit.


Mbas mësymjes së parë austro-hungareze kundër Serbisë në pranverën e vitit 1915, gjatë kohës kur po planifikohej një mësymje tjetër me përkrahjen gjermane, unë nëpërmjet letrës sime të datës 24 shkurt 1915, i drejtova Lartmadhërisë së Tij Perandorit Gjerman kërkesën për t'u përfshirë në komandën e lartë të armatës që do të caktohej për të luftuar kundër Serbisë.


Me këtë rast parashtrova se u kisha premtuar shqiptarëve që vazhdonin të qëndronin besnik sepse, sapo të më krijoheshin mundësitë, do të rikthehesha në Shqipëri. Këtë premtim të dhënë, për aq sa do varej nga forcat e mia, unë do të kisha dëshirë ta mbaja.


Duke patur parasysh se në gjithë vendin atmosfera e përgjithshme anonte nga ana ime, teksa edhe kundërshtarët e mi të mëparshëm ishin kthyer në favorin tim, mirëpo rruga detare vazhdonte të ishte e bllokuar për mua, kisha dëshirë që në kuadrin e suksesit të padiskutueshëm të ofensivës së re, të rikthehesha në Shqipëri nëpërmjet rrugës tokësore që kalonte nëpër Serbi. Hulumtimet e bëra pranë Ministrisë së Jashtme Austriake kishin treguar që ajo miratonte plotësisht planin tim.


Në vazhdën e hulumtimeve të mia pranë Qeverisë gjermane, mësova që në këtë vështrim Gjermania do t'i përshtatej qëndrimit austriak.


Ndërkohë, e në mënyrë të veçantë gjatë ditëve të para të marsit 1915, marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Italisë u përkeqësuan aq shumë, saqë pritej fillimi i luftës midis këtyre vendeve e prandaj hëpërhë as që mund të bëhej fjalë për një mësymje të dytë kundër Serbisë. Në këto rrethana Lartmadhëria e Tij Perandori, qe i mendimit që tani për tani dërgimi im pranë ushtrisë austriake nuk do të ishte dobiprurës.


Ndërsa më vonë, kur u vendos përnjimend mësymja gjermano-austro-hungareze, gjatë një sondazhi që bëra rishtas për të saktësuar qëndrimin ndaj planeve të mija vura re që tani për tani Qeveria e monarkisë danubiane, nuk ishte e prirur për t'i pranuar ato. Mirëpo, në anën tjetër, nuk qeshë në gjendje të mësoj se cilat ishin pak a shumë planet e saj të ardhshme për sa i përket qëndrimit ndaj Shqipërisë.


Unë nuk njoh ndonjë shkak për të shpjeguar këtë qëndrim kundërshtues të asokohshëm të Austrisë, i cili bie ndesh me qëndrimin e saj të mëparshëm e që ndërkohë mund të mbështetet vetëm në hamendësimin e ndonjë pale të informuar jo mjaftueshëm ose gabimisht, në mënyrë të paplotë ose të pasaktë, e cila nuk e njihte qëndrimin tim besnik ndaj monarkisë danubiane.


Prandaj, me gjithë pikëllimin tim, isha i detyruar të hiqja dorë hëpërhë nga dëshira ime (që ishte njëkohësisht edhe dëshira e zjarrtë e pothuajse të gjithë shqiptarëve), për të marrë pjesë në mësymjen kundër Serbisë e për t'u rikthyer kështu në vendin tim.


Mbas pushtimit të plotë të Serbisë dhe të pjesës më ta madhe të Shqipërisë, një rrymë e përdokohshme në Austro-Hungari për shkak të shoshitjeve apo hamendjeve, siç theksova edhe më sipër, të panjohura prej meje, por gjithsesi të gabuara, mbajti një qëndrim akoma më të përmbajtur ndaj meje.


Kjo gjë është përshkallëzuar deri sot në një masë të atillë, saqë jo vetëm janë bërë përpjekje për të ndërprerë, nëpërmjet censurës e sipas mundësive, plotësisht çdo lloj kontakti me shkrim apo telegrafik të shqiptarëve me mua, sundimtarin e tyre të ligjshëm, por edhe për të penguar kontaktet e mia me shkrim e të drejtpërdrejta me shqiptarët me banim në Austro-Hungari dhe Bullgari.


Unë kam marrë, megjithatë, në rrugë të tërthorta mesazhe me shkrim dhe me gojë, të cilat dëshmojnë në mënyrë të përsëritur besnikërinë e palëkundshme, jo vetëm të shqiptarëve të shquar, por edhe të vetë popullit ndaj meje.


7 marsi, dita e mbërritjes sime në Shqipëri, është kremtuar posaçërisht në të gjithë vendin. Në anën tjetër, një numër i madh telegramesh e letrash, që më ishin dërguar me këtë rast, janë ndalur nga censura.


Shqiptarë, të cilët vinin tek unë drejtpërdrejtë nga Shqipëria, për të më sjellë letra e për të dëgjuar prej meje dëshirat e planet e mia, më kanë thënë që "dëshira e njëzëshme që mbizotëronte në Shqipëri, ishte rikthimi im". Portreti im ishte përhapur në gjithë vendin e gjithkund bisedohej për hapat që duheshin ndërmarrë për rikthimin.


Kjo gjendje shpirtërore e popullit tim besnik shqiptar, njihej më së miri edhe prej organeve austro-hungareze. Njerëzit ankoheshin përgjithësisht që Austria nuk u kishte dhënë ende shqiptarëve asnjë përgjigje për të gjitha pyetjet që kishin të bënin me të ardhmen e vendit.


Si rrjedhim shumëkund shqiptarët, të cilat ç'është e vërteta i kishin përkrahur me të gjitha mënyrat trupat austro-hungareze dhe me mijëra kishin luftuar krah për krah tyre kundër armikut të përbashkët, kishin filluar të humbisnin tashmë besimin te Austro-Hungaria.


Në thirrjen drejtuar shqiptarëve, të lëshuar prej komandantit të trupave pushtuese austro-hungareze me rastin e përvjetorit të parë të futjes së trupave në Shqipëri, ushtria perandorake dhe mbretërore cilësohet si mike dhe çlirimtare e Shqipërisë.


Në këtë thirrje, ç'është e vërteta, miratohet e drejta e vetëqeverisjes, ndonëse mungon çdo referencë ndaj pavarësisë e mëvetësisë së Shqipërisë nën qeverisjen time, të garantuara në fakt asokohe solemnisht në vendimet e Fuqive të Mëdha, përfshirë edhe Austro-Hungarinë. Mirëpo shí këtë gjë dëshiron të dëgjojë populli i etur për liri dhe liridashës shqiptar.


Përmbajtja e kësaj thirrjeje duhet kuptuar padyshim vetëm në frymën që Austro-Hungaria, duke u mbështetur në detyrimet e marra përsipër prej saj, dëshiron ta cilësojë si diçka të vetëkuptueshme, të drejtën e shqiptarëve për ekzistencën e tyre vetjake kombëtare, por jo se don ta cenojë këtë mëvetësi shtetërore, pra të shkelë fjalën e dhënë.


Gjithsesi për sa kohë që Austro-Hungaria nuk do të theksojë në një mënyrë plotësisht të kuptueshme edhe për shtresat e popullit të thjeshtë, se kjo thirrje nuk përbën ndonjë sulm mbi të drejtat e mia të sundimtarit të një principate të pavarur të Shqipërisë, shqiptarët do të vazhdojnë të hedhin vështrimin plot shqetësim drejt një të ardhmeje të pasigurt e nuk do të mund të kapërcejnë kurrsesi mosbesimin e krijuar.


Mosbesimi, një mosbesim që dëmton vetëm çështjen e Fuqive të Boshtit dhe u ofron armiqve të tyre tema të reja për zhvillimin e propagandës në vend, mund të ishte mënjanuar me lehtësi të madhe! Gjithsesi në fakt edhe sot jemi ende në kohë për kapërcimin e këtij mosbesimi.


Fuqitë e Boshtit kanë nevojë për ushtarë. Në Shqipëri mund të sigurohet lehtësisht një numër shumë më i madh ushtarësh se deri tashti, të cilët po të jenë të ndërgjegjshëm se bëhet fjalë për lirinë dhe mëvetësinë e vendit të tyre dhe të drejtën e sundimtarit të tyre të ligjshëm, do të luftonin me entuziazëm kundër forcave të Antantës.


Mirëpo, në këtë rast, parakushti kryesor është që shqiptarët të jenë të sigurtë se mbas luftës nën drejtim tim, e princit të tyre të ligjshëm, do të krijojnë sërish një vend të pavarur. Prandaj lind nevoja që unë të rikthehem në vendin tim, ose të paktën, të kem marrëdhënie të patrazuara me nënshtetasit e mi, për të patur mundësi t'iu zotohem për garancinë e marrë prej të dy Perandorive, që Shqipëria jonë do të jetë sërish e pavarur nën qeverisjen time.


Në interes të sigurimit të paqes në Gadishullin Ballkanik, do të ishe tejet e dëshirueshme që të dyja Fuqitë Perandorake të më garantonin qysh tani zyrtarisht, që në konferencat e ardhshme të paqes, kur këto të kenë të bëjnë me vendet e Ballkanit, unë do të jem i përfaqësuar nga një njeri i autorizuar prej meje.


Dëshiroj të theksoj edhe njëherë këtu shprehimisht se në vitin 1913, jam caktuar prej gjashtë Fuqive të Mëdha si Princi i Shqipërisë dhe mbas mbërritjes sime në Shqipëri, jam njohur prej tyre dhe nga një numër i madh shtetesh të tjera.


Ndërkohë, si pasojë e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, i detyruar për t'u larguar përkohësisht nga vendi im, nuk kam hequr dorë nga asnjëra prej të drejtave dhe kërkesave të mia dhe NUK jam i prirur të heq dorë prej tyre.


Kur u largova nga Durrësi, unë premtova të rikthehem sapo të më krijohet mundësia dhe të punoja për të mirën e vendit tim, kudoqoftë që të ndodhem.


Me gjithë pëshpëritjet e kundërta që u fryjnë në vesh, qindra-mijëra njerëz kanë besim te fjala e Princit të tyre, mbajtjen e së cilës unë e konsideroj detyrimin më të lartë për nderin tim.


Nëse ne i akuzojmë armiqtë tanë për faktin se në ditët e sotme, fjala e një mbreti ose princi nuk ka më asnjë vlerë, unë gjithsesi nuk dua t'i zgjeroj akoma më tepër radhët e këtyre zotërinjve, por dua të mbaj një qëndrim të atillë, që të më lejojë të shoh lirisht në sy secilin prej nënshtetasve të mi deri në fund të jetës sime


Mbas çlirimit të Polonisë të dyja Perandoritë, janë posaçërisht të interesuara t'i japin një shtysë të mëtejshme famës së tyre si mbrojtëse të shteteve të vogla, duke e rivënë sa më shpejtë që të jetë e mundur Shqipërinë si shtet të pavarur në udhëheqjen e Princit të saj të ligjshëm.


Ky vend, që me simpatitë e tij është rreshtuar qysh në fillim përkrah Fuqive të Boshtit, e më vonë ka ndihmuar aktivisht për të përzënë jashtë kufijve të tij pushuesit e Aleancës Katërshe, e meriton një gjë të tillë më tepër se çdokush tjetër.


Asgjë nuk do ta përforconte më tepër besnikërinë ndaj çliruesve të tij, se sa lufta sup më sup me ta deri në ngadhënjimin përfundimtar të çështjes së përbashkët dhe "për lirinë dhe mëvetësinë vetjake".


Kështu dot nxiten dhe përforcohen vyeshëm lidhjet e ngushta me Fuqitë e Boshtit. Lufta e përbashkët kundër italianëve, do të mbrujë tejet ngushtësisht lidhjet e simpative për Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë. Ruajtja miqësore e këtyre lidhjeve, do të përbëjë synimin e përpjekjeve të mia më të fuqishme.


Pjesë nga Denkschrift über Albanien, përkthyer nga gjermanishtja nga Pjetwr Rodiqi


Promemoria e Vilhelm Vidit

Ndërkohë që iniciativa private po merret me ideimin e një agjende aktivitetesh kushtuar dy njëqindvjetorëve mjaft të rëndësishëm historikë, vjen për herë të parë në shqipe, Promemoria e Princ Vidit për Shqipërinë.


Vilhelm Vid (Wilhelm Wied, 1876-1945) u zgjodh mbret i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Për gjashtë muaj ai pati qendrën e mbretërisë së tij në Durrës, mars-shtator 1914.


Problemet e shumta me qeveritë lokale dhe pengesat që në mënyrë të veçantë i solli "turkoshaku" (siç e quan në kujtimet dhe promemorien e tij Vidi) Esat Pashë Toptani me të tijët myslimanë që kishin pozita të forta në Shqipërinë e Mesme, ishin nga faktorët kryesorë që e shtynë Princin të largohet "për pak kohë nga vendi" pa u dorëhequr kurrë, në prag të Luftës së Parë Botërore.


Promemoria është një tekst i shkurtër dhe i ngjeshur për nga pikëpamjet e Princit mbi mbështetjen e Fuqive të Mëdha që duhej të gëzonte Shqipëria e tij, po edhe për nga shpresa, dyshimi dhe mosbesimi që ai shpreh për të ardhmen e vendit.
Analizon situatën para zgjedhjes së tij, gjendjen e kufijve në fillim të vitit 1914.


Ai ndërthur kujtime dhe përshtypje vetjake kur përshkruan Ismail Qemalin, Esat Pashë Toptanin, krerë të qeverive lokale dhe skicon këtë tablo: "Në ç'mënyrë princi i ri, pushteti dhe përkrahja e të cilit, mbështetej vetëm në famën që gëzonin Fuqitë e Mëdha dhe në frikën nga vullneti i tyre i fortë dhe i njëzëshëm, do të mund të vendoste rendin në një vend të shpartalluar e pa kurrfarë rregulli, kur qysh në fillim të dy këtyre faktorëve u ishin lëkundur themelet!"


Po botojmë një pjesë nga promemoria (Skanderbeg Books, 2010), e përkthyer nga Pjetër Rodiqi prej origjinalit Denkschrift über Albanien, botuar në Berlin më 1917.
Pavarësia, nderi, besnikëria, fjalë që mbreti për gjashtë muaj i shqiptarëve i pikëlluar pret t'i përligjë nëse një ditë do të kthehej në atdheun e tij Lindor.


© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


[ Edited Mon Nov 22 2010, 01:16pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Dec 07 2010, 12:11pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Skandali në Bibliotekë Kombëtare!




Gazeta Standard 04/12/2010 10:44:00




Aurel Plasari
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, kërkon “mbrojtjen” e institucionit nga dy nënshtetas të huaj, për të cilët thotë se mbi të është ushtruar presion për t’u përfshirë në një rrjet “të dyshimtë”, që nuk ka lidhje me integritet në BE. “Është manipulim, të gjitha të dhënat e bibliotekës ne i kemi online, të publikuara dhe askush nuk mund t’i përdorë ato për përfitime projektesh”, - ka thënë për “Standard” Plasari, duke shpjeguar se institucioni që drejton, është i përfshirë aktualisht në dy rrjete bashkëpunimi evropiane të njohura. E botojmë të plotë letrën që Plasari u ka drejtuar institucioneve kryesore të drejtësisë e politikës në vend.


Informacion: Shërbimit Informativ Shtetëror

Për dijeni: Znj. Ina Rama, prokurore e Republikës së Shqipërisë

Për dijeni: Z. Sali Berisha, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë



Dje, më datë 2 dhjetor 2010, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është sulmuar publikisht në një mjedis publik, gjatë një mbledhjeje të organizuar në Tiranë, nga dy nënshtetas të huaj: një nënshtetas serb i quajtur Streten Ugreçiq, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë (Beograd), dhe një nënshtetas slloven, i quajtur Tomaz Seljak që paraqitet në Shqipëri me detyrën e drejtorit të një institucioni të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor (Slloveni).

Ky sulm është realizuar pikërisht mbas përfundimit me sukses të edicionit V të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, mbajtur në Tiranë nga 22 më 23 nëntor. Për më shumë përputhshmëri, po ashtu si BKSH në të njëjtën mbledhje është sulmuar nga njëri prej dy nënshtetasve të huaj edhe BKU e Kosovës.

Sulmi publik ka ardhur mbas orvatjesh shumëvjeçare të të quajturit Institut Informacijskih Znanost për përfshirjen e Shqipërisë në një projekt (model organizativ të sistemit) të quajtur “Kooperativni online bibliografski system in servisi (COBISS)”, i themeluar në ish-Jugosllavinë më 1987. Se ç’përfaqëson sistemi në fjalë njoftohet në vetë faqen e tij promovuese: “Koncepti i sistemit COBISS është futur 20 vjet më parë. Në dhjetor të 1987, Shoqata e atëhershme e Bibliotekave Kombëtare të Jugosllavisë përshtati një sistem bashkëndarës katalogimi, si bazë të përbashkët për sistemin e informacionit bibliotekar kombëtar dhe sistemin e informacionit shkencor dhe teknik të Jugosllavisë. Roli i shërbimit të informacionit bibliografik, si dhe ai i zgjidhjeve organizative dhe zhvilluesit (krijuesit) të programeve (softeve) u morën përsipër nga Instituti i Shkencës dhe Informacionit (IZUM), nga Maribori, Slloveni. Falë mbështetjes së gjerë financiare të ministrisë së atëhershme federale të shkencës dhe teknologjisë, u krijua një rrjet kompjuterik bibliotekar, që më 1991, në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërlidhte 55 biblioteka nga të gjitha republikat dhe krahinat e saj autonome” (“The concept of the COBISS system was introduced 20 years ago. In December 1987, the then Association of the Yugoslav National Libraries adopted a shared cataloguing system as a common ground for the national library information system and the system of scientific and technological information of Yugoslavia. The role of the information and bibliographic service, as well as that of the organisational solutions and software developer was taken over by the Institute of Information Science (IZUM) from Maribor, Slovenia. Due to extensive financial support of the then federal ministry for science and technology, a computer and library network was created, which, by 1991, the time of the collapse of Yugoslavia, connected 55 libraries from all its republics and regions” (www.cobiss.net).

Në mënyrë konkrete prej institucionit të quajtur Institut Informacijskih Znanost Bibliotekës Kombëtare i janë ushtruar presione për të nënshkruar marrëveshje që i bien ndesh Legjislacionit të shtetit shqiptar: Ligjit nr. 8576, datë 03.02.2000 “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij: tekstin e ofruar për marrëveshje të tilla do ta gjeni në dokumentacionin bashkëngjitur.

Konstatoj gjithashtu që elementë klientelistë të këtij projekti i kanë dhënë këtij instituti mbështetje për të folur, shkruar dhe sulmuar publikisht institucionet kombëtare të shtetit shqiptar, siç është Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në 90-vjetorin e saj: identitetet e tyre do t’i gjeni në dokumentacionin bashkëngjitur këtij informacioni, ndërsa për shumat e konsiderueshme monetare të shpenzuara për këto ndërhyrje informacionet nuk rezultojnë transparente në publik. Edhe rasti më i fundit i një mbledhjeje të organizuar në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me një temë “Roli i bibliotekave në shoqërinë e informacionit bazuar në dije”, por që me zhvillimet e tij rezulton të këtë qenë promocion klientelist i institucioni të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor (Slovenia)¸ një orvatje të tillë klientelizmi përfaqëson. Prej kolegut tim drejtor i BKU të Kosovës jam njoftuar tanimë zyrtarisht se presione të ngjashme klienteliste janë ushtruar edhe ndaj atij institucioni.

Ndiej detyrë të saktësoj se BKSH nuk mund as të ndalojë dhe as të lejojë biblioteka - cilatdo qofshin ato - të integrojnë ose të çintegrojnë të dhënat e tyre në rrjete që i vlerësojnë me interes për to, sepse ndërhyrje të tilla nuk ia atribuon BKSH asnjë element në legjislacionin për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, ndaj edhe i quaj destabilizuese ndërhyrjet e dy nënshtetasve të huaj për ta shpërfillur këtë legjislacion dhe për të ushtruar mbi BKSH presion publik për shkeljen e tij duke i sugjeruar legjislacionet e vendeve të tyre përkatëse: serb ose slloven.

Ndërkaq duhet t’ju informoj se BKSH ka punuar dhe vijon të punojë në dy drejtime madhore në përkim me politikat integruese të shtetit shqiptar: drejt integrimit evropian, përkatësisht në portalin e bibliotekave, muzeve dhe arkivave EUROPEANA, si pjesëtarë me partneritet të plotë, dhe në Word Digital Library, në të cilën BKSH është ftuar tanimë si partnere prej vitit 2009, madje me rezultate të lakmueshme për mundësitë e saj modeste dhe vetëm falë punës tepër të lavdërueshme të specialistëve të saj. Nga ana tjetër, baza e të dhënave elektronike të BKSH është tanimë publike, online, dhe si e tillë ajo mund të shfrytëzohet nga çdo individ jashtë dhe brenda vendit, institut, rrjet ose “kooperativë” qoftë.

Këto rezultate janë në dije të përdoruesve shqiptarë e të huaj, si edhe të drejtuesve të shtetit shqiptar, personalisht të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili ka vlerësuar për to specialistët e BKSH gjatë vizitave të tij më të fundit në Institucion. Vetë si drejtues i institucionit kam marrë për punën time vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare, meritë e gjithë stafit që ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me mua, prandaj edhe sulmet e nënshtetasit serb dhe nënshtetasit slloven ndaj meje dhe institucionit që drejtoj jam i detyruar t’i shikoj me dyshim për synimet e tyre dhe si të tilla t’ia informoj institucionit tuaj.

Me gjithë qëndrimin institucional të BKSH, që më rezulton korrekt, madje edhe i mirësjellshëm, me gjithë gatishmërinë e BKSH për të promovuar arritjet e sistemit bibliotekar slloven - në këtë kuadër edhe të programit të tij COBISS - edhe në Shqipëri, madje edhe në mjediset tona në vitin 2002, i quajturi Institut Informacijskih Znanost nëpërmjet drejtorit të tij ka vijuar veprimtarinë tanimë publike kundër BKSh me synim përfshirjen me çdo kusht, pra edhe të kundërligjshme, të BKSH në sistemin “koopertativ” të ideuar prej tyre. Në mbrojtje të këtyre dy drejtime madhore integruese në përkim me politikat e shtetit shqiptar, sulmin publik të dy nënshtetasve të huaj e vështroj edhe si orvatje të vrazhdë për devijim nga këto politika, përpjekje për t’i imponuar BKSH direktiva dhe “filozofi” të mbetura mbrapa dhe, si përfundim, për kthim në mbetjet e rrjeteve dhe gjysmërrjeteve të informacionit ish-jugosllav, sepse projekti i “Kooperativës” në fjalë nuk rezulton as – makar – nismë rajonale, sikurse rreket të paraqitet, duke qenë se në të nuk bëjnë pjesë as Kosova, as Kroacia, as Greqia, as Turqia, as Rumania.

Ndër rastet më të fundit, të papranueshme për BKSH si institucion kombëtar, është edhe orvatja flagrante për të vënë nën kontroll nga ana e të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor letërkëmbimin e BKSH me disa biblioteka homologe (kryesisht të ish-Jugosllavisë) si të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë etj. Mbas sqarimit tim institucional për ta bërë me dije që BKSH nuk mund të pranojë filtrimin apo tutorimin e letërkëmbimit të saj me homologët e vet nëpërmjet Institutit në fjalë ose cilitdo institut tjetër në botë, sulmet ndaj BKSH u intensifikuan duke u bërë edhe më të hapura, si në këtë rast më të fundit.

Ju lutem të mbani shënim këtë njoftim timin, duke qenë se specialistët tuaj e dinë – ndoshta më mirë se unë – se ku shpien në një shoqëri të lirë dhe me konkurrencë tregu klientela dhe klientelizmi që po ndërtojnë këta dy nënshtetas të huaj në Shqipëri duke shpenzuar fonde dhe para që i paraqesin si të tyret, por që në të vërtetë rezultojnë fonde të BE për të mbështetur vende në zhvillim, përfshi edhe Shqipërinë, pra që nuk mund të shndërrohen në një aferë të dy individëve ose të një institucioni duke sugjeruar me shpërfillje deri edhe shkeljen në Shqipëri të legjislacionit në fuqi në emër të një kinse “filozofie të re”.

Në mbështetje të gjithë sa ju informoj këtu, ju bashkëngjis edhe dokumentacionin përkatës në dispozicionin tonë, si edhe çdo informacion shtesë që do t’ju rezultojë i nevojshëm.

Mbetem me respekt ndaj jush si institucion në shërbim të shtetit shqiptar dhe, përkatësisht, edhe të kulturës sonë.



Drejtor

Aurel Plasari

Marre prej Gazeta STANDARD
trokit ketu


[ Edited Tue Dec 07 2010, 12:12pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Fri Dec 10 2010, 10:10am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Berati, kryeqendra e Despotatit të Epirit




Sami Starova | 09/12/2010

(Testamenti i Gjon Muzakës dhe të birit)
Despotati i Epirit ishte një nga trevat më të rëndësishme të perandorisë Bizantine. Kjo perandori u themelua nga Kostandini i Madh më 11 maj të vitit 330 dhe pushoi se ekzistuari më 29 maj 1453, pasi u pushtua nga sulltani turk Muhameti II. Kjo perandori jetoi për 1123 vjet dhe 18 ditë, duke qenë më jetë gjata në historinë e njerëzimit.

Në mes të këtij harku kohor rreth 12 shekujsh, me fillesë dhe mbaresë muajin maj shkëlqeu dhe ra një perandori. Brenda jetëgjatësisë së kësaj perandorie u thurën intriga dhe komplote, u shfrenuan skllevërit, u bënë vëllavrasje, u modeluan gratë dhe shkëlqeu piktura.


Në tërë këtë histori hakmarrjesh e mizorish drithëruese, një familje e madhe del më tërë vlerat e virtytet e saj të larta, kjo familje është ajo e Muzakajve të Beratit. Për këtë familje që nxori për 12 breza mbretër dhe despot ka shumë dokumente, por testamenti Gjon Muzakës dhe djalit të tij Kosandinit hedhin shumë dritë.

Ky testament i nxjerrë nga Cherles Hophi (1) dhe i përpunuar me mjeshtëri nga studiuesi arbëresh Emanuele Polito (2) na jep me detaj jetën dhe pronën e kësaj familje të madhe. Pinjolli i kësaj familje, Gjon Muzaka, i vendosur në qytetin e Napolit pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit shkruan: "Kur erdha në këtë vend, ti Teodor ishe një vjeç e gjysmë dhe Adriani një muaj e gjysmë, ndërsa ti Kostantin ke lindur në këtë mbretëri".





Këtyre tre djemve të tij në vitin 1510 iu lë me shkrim disa porosi që në themel të tyre janë ato të shkruara në një unaze të Pirros së Epirit, të cilat trokasin dhe sot në çdo qenie njerëzore, po i citoj:


- "Për të virtytshmin është shpërblim i vogël zotërimi i botës, ndërsa për të ligun është ndëshkim i vogël t'i marrësh jetën."


- Është i nderuar midis të nderuarave ai që fati e nëpërkëmb pa qenë fajtor, është i ulët mes të ulëtëve ai që fati e ngre pa e merituar.
- Atë çka mund ta bëni me vullnet të lirë mos e bëni me forcë.
- Atë që mund të merrni me mirësjellje, mos e kërkoni me kërcënime.
- Kur mund ta ndreqësh dikë privatisht, mos e ndëshko përpara të tjerëve.
- Prindi që i le fëmijët të varfër, por të pajisur me mençuri, duhet ta dijë se u lë shumë pasuri, dhe ai që i le fëmijët të pasur, por pa dituri, ta dijë se nuk u lë asgjë.
- Më mirë një ndihmë e vogël e në kohë, se sa një ndihmë e madhe jashtë kohe.
- Njeriu që bëhet i madh me anë të forcës, e do e mira t'i nënshtrohet drejtësisë.
- Nuk mjafton që një njeri të lindë i mirë, është mirë t'i shmanget rastit, për të cilin do të konsiderohej i keq.


- Njeriu duhet të mendojë meqë është gjallë, se lumturinë ia kanë dhënë hua, ndërsa (mjerimin) fatkeqësinë e ka trashëgim".


Më pas në këtë testament flitet për origjinën e familjes, e cila vinte nga ato perandorake të Kostandinopojës dhe e vendosur në qytetin e Beratit, i cili u bë kryeqytet i trojeve të Muzakajve. Kjo familje vjen nga populli Mollos që më vonë u quajtën Muzakaj.
Në testamentin e Gjon e Kostandin Muzakaj flitet, së pari, për pinjollët e kësaj familje, si dhe për territoret që kishin në zotërim.


Aty shkruhej (Dhe me ju o bijtë e mi, mbushen plot dymbëdhjetë brezni, duke filluar nga mbreti Britan e të tjerët me radhë, siç janë renditur në pemën tonë gjenealogjike, ku në mënyrë të veçantë figurojnë


1 - Britani, Mbret i Apolonisë dhe Ilirisë
2 - Mbreti Mark Britani
3 - Gjon Andrea Mbreti i Apolonisë dhe Ilirisë, zot i Muzakisë
4 - Andrea Sebaston Krantos (1280-1281)zot i Epirit
5 - Teodori i (1281)
6 - Andrea II (1318-1336) Despot titull që vjen pas atij të perandorit dhe i jepet njerëzve të familjes perandorake
7 - Gjini (1337) Despot i Epirit
8 - Andrea III (1389-1476) Despot
9 - Gjini II Despot
10 - Gjoni i (1476)
11 - Kostandini (1510-1550) Despot
12 - Gjoni II dhe i biri Gasper


Kjo familje nga më të mëdhatë e Perandorisë Bizantine kishte territore të mëdha të cilat, siç shkruan Gjon Muzakaj, banoheshin të gjitha prej shqiptarëve.


Në territoret e Muzakajve përveç Muzakis dhe Tomorrices futeshin: fshati Karugua (Kavaja e sotme), krahinat e Oparit, Devollit dhe Ohrit. Arokas (Gjirokastra dhe fshatra përreth). Korizza (Korça) me tërë pellgun e saj. Evaguenegiana (Gumenica e sotme) Kastoria (Kosturi) dhe deri me Edrene (Adrianopolis) etj., si dhe prona të tjera që vinin si trashëgimi nga martesat e vajzave nga dera e Muzakajve.


Në këtë testament flitet në veçanti për Andrean II, i cili ishte Despoti i parë i dalë nga kjo familje. Andreau dallua në luftë kundër Vukoshit, mbretit të Serbisë dhe armik i perandorit Bizantin. Në vitin 1371 mbreti Vukosh kapet rob nga Andrea i II. Për këtë fitore në testament shkruhet;


"Shenjë mirënjohjeje për atë fitore, perandori i dorëzoi si dhuratë emblemën e vet, domethënë, shqiponjën me dy krerë me yllin në qendër që është emblema e perandorisë, titull e privilegjuar të Despotit të Epirit dhe vulën e artë. I dërgoi edhe një karrige princore (despotale), mbi të cilën ishte qëndisur me perla, emblema e shqiponjës. Atij i qe dorëzuar edhe qeverisja e qytetit të Kosturit."


Siç del nga sa thamë më sipër me Andrean e II Despot, krahas simbolit të familjes që ishte burimi me dy currila ujë janë dhe simbolet e dhënë nga perandori Bizantin që në bazë të tyre është shqiponja.


Gjithashtu, në këtë dokument përmendet dhe pinjolli i familjes i quajtur Teodor, i cili së bashku me një shputë shqiptarësh luftojnë në betejën e Kosovës në vitin 1389, ku dhe ra heroikisht. Vend shumë të rëndësishëm në këtë testament i kushtohet Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilin e kishin dhëndër.


Maria Muzakaj, motra e babait të Gjonit (halla), e cila ishte vjehrra e Skënderbeut. Maria u Martua me Aranit Komneni, të cilët kishin tetë vajza. Njëra prej tyre e quajtur Donikë u martua me Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe më pas u thirr me emrin Skënderbeg.


Për Skënderbeun shkruhet se ishte komandanti më i madh i të gjitha kohërave, megjithëse Gjoni dhe i biri Kostandini kishin pakënaqësi ndaj Skënderbeut për faktin se ai kishte marrë Myzeqenë dhe Tomorricën. Shkrimet e lëna për Skënderbeun nga atë e bir Muzakaj janë të shumta e meritojnë një trajtim të veçantë.


Krahas vlerave shumë të mëdha të këtij dokumenti ka dhe disa mungesa e pasaktësi, ndër mungesat është ajo që flet për sulmin e Anzhuinëve kundër kështjellës së Beratit, e cila ishte një pikë kyçe në mbrojtjen e perandorisë Bizantine.


Sulmi i kryer nga Karli i Anzhuinëve në vitin 1280. Në krye të një ushtrie prej tetë mijë vetash ndër ta dy mijë kalorës të armatosur rëndë në vjeshtën e këtij viti filluan sulmin.


Garnizoni mbrojtës së bashku me popullsinë që jetonte brenda kështjellës e mbrojtën atë më shumë heroizëm. Rrethimi i kështjellës nga Anzhuinët vazhdoi deri në mars të 1281 ku mbërriti për ndihmë ushtria Bizantine e dërguar nga Perandori Mikel Paleologu dhe që u udhëhoq nga nipi i tij. Beteja u zhvillua poshtë kodrës së kalasë, në fushë të hapur ku u shkatërruan Anzhuinët duke lënë shumë të vrarë dhe robër.


Kjo fitore, që përshkruhet me detaj nga kranikanët bizantin të kohës u festua për disa ditë rresht në Kostandinopojë, për faktin se po të binte Berati për pak ditë Anzhuinët do të ishin në Selanik e më pas te portat e Kostandinopojës. Festa iu kushtua Beratit që mbrojti Perandorinë.


Në pasaktësitë mund të citojmë atë të datës së vdekjes së Skënderbeut ku Gjon Muzakaj u vendos në katër dhjetor 1466 kur dihet se të gjitha dokumentet bashkëkohore kanë dhënë datën në 17 janar 1468. Pavarësisht nga këto pak mungesa e pasaktësi ky dokument ka vlera të jashtëzakonshme për hedhjen në dritë të këtyre momenteve historike.


Për Muzakajt e Beratit mund të shkruhet shumë gjatë, sepse ata e meritojnë. Pinjollët e kësaj familje jetuan për shekuj duke ruajtur marrëdhëniet me tokën mëmë. Duke ndjekur pinjollët e kësaj familje kontaktuam me stërnipin e Gjon Muzakajt, i cili mrekullisht e mbante këtë emër e mbiemër.


Gjon Muzakaj i ri vizitoi Beratin në gusht të vitit 2008, ku na solli shumë dokumente të familjes midis tyre dhe flamurin. Ai ruante pamjen e jashtme si ajo e stërgjyshërve të tij. Për këtë familje mund të shkruhet shumë gjatë për faktin se ajo bëri histori.


Në këto pak rreshta u munduam të kalonim nëpër shekuj të ndriçuar nga kjo familje e madhe që njihet me emrin MUZAKAJT e BERATIT. Kjo familje e ka vendin mbi një piedestal në qendrën e qytetit të Beratit. Brezat tanë e ata që do të vijnë pas nesh do ta plotësojnë këtë testament...


(1) - Cherles Hopfi kronike greko-romake, Berlin 1873, pp. XXXIII-XXXV
(2) - E. Polito biblioteka provinciale e Brindisit 58-b-306 30.03.1984



© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
Go to page  1 2 3  

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.4316 sec, 0.0772 of that for queries. DB queries: 44. Memory Usage: 3,293kB