Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Ndre Mjeda
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
Tafil Ibriku
Mon Jun 23 2008, 05:28PM

Registered Member #335
Joined: Thu Jan 11 2007, 04:16PM

Posts: 201
Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik.

Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.

Konflikti ndërmjet tij dhe urdhërit ku bënte pjesë, arriti në pikën më të lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të jepte mësim në një shkollë të lartë fetare në Itali, detyrohet të largohet. Duke e ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore "Agimi". Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin "I tretuni").

Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.

Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.

Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t'i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin "Juvenilja" krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s'kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.

Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".

KRIJIMTARIA




Mjeda shkroi shumë krijime poetike, shkrime për fëmijës si dhe proza me karakter didaktik fetar. Por ai mbetet kryesisht poet. Veprat e tij kryesore janë "Juvenilja", "Liria", "Lisus", "Scodra".

Dy poemthat e para "Vaji i bylbylit" dhe "i tretuni" paraqitin interes jo vetëm si fillime të krijimtarisë letrare të Mjedës, por edhe për vlerën atdhetare dhe artistike, si edhe për mundësinë që na japim të ndjekim zhvillimin e personalitetit artistik të poetit. "Vaji i bylbylit" është krejt lirik dhe shtjellohet nëpërmjet një simboli; bilbili i mbyllur në kafaz është shqiptari nën zgjedhën osmane.

Ndonëse vepra mbështillet me tisin e hollë të melankonisë, i kuptueshëm për moshën dhe për gjendjen shpirtërore në të cilën u shkrua, përfundimi i saj është thellësisht optimist, pasqyron ligjin filozofik të përparimit të jetës, që frymëzon edhe besimin në të ardhmen e Shqipërisë.

"I tretuni" dëshmon për një pjekuri më të madhe ideoartistike. Melankonia e "Vajit të bylbylit" këtu është shndërruar në dhembje krenare, stoike, e cila shprehet më së miri nëpërmjet paralelizmit me natyrën në shtrëngatë, që e hap poemthin.

Ndryseh nga poemthi i parë, ky ka një subjekt të dhënë në forma lirike; fatin e një atdhetari shqiptar, të internuar nga pushtuesit. Poeti do të ketë mendua se ky mund të kishte qenë edhe fati i tij. Në këngën e parë që përshkruan ndarjen e të mërguarit me qytetin e lindjes, Shkodrën dhe me atdheun, duken qartë elementët autobiografikë. Po Mjeda nuk mbeti në shtjellimin e thjeshtë të një materiali jetësor; ai diti ta përgjithësojë e t'i japë vlerë aktuale. Heroi i poemthit është një fshatar i varfër.

Dhe tek zgjedhja e një protagonisti të tillë, ndihet dashuria e Mjedës për masat fshatare, ndjenjë që do ta shtyjë gjatë tërë krijimtarisë së vet t'i zgjedhëheronjtë nga rradhët e fshatarësisë. Te "I tretuni" ndeshen figurat dhe mjetet e njohura romantike të pasqyrimit të realitetit si: ngjyrat e forta në përshkrimin e natyrës, stuhia në pjesën e parë, që ka edhe një kuptim simbolik, bregdeti i ashpër shkëmbor, ku ka qëndruar heroi duke kujtuar atdheun, ndonjë simbol, si lejleku që e lidh me vendlindjen. Këtu gjenden edhe elementë të riprodhimit besnik të mjedisit, nëpërmjet kujtimeve të protagonistitdhe sidomos vizatimi i figurës së nënës. Lirizmi dhe epizmi shkrihen në mënyrë të harmonishme. Variacioni në vargje e strofa pasqyron botën shpirtërore të trazuar të protagonistit. Poemthi mbyllet me një frymë të lartë burrërore dhe optimiste: heroi nuk pendohet për rrugën e zgjedhur, po është krenar se vuan për hir të atdheut. Nëpërmjet figurës së nënës "të treturit" që del në këngën e fundit, lartësohet figura e nënës shqiptare, e dhembshur dhe kreshnike, që rrit bij trima dhe atdhetarë. Që në këtë poemth të hershëm shohim atë që do të jetë një meritë e rëndësishme e veprës së Mjedës: pasqyrimin e denjë të figurës së gruas shqiptare, veçanërisht si nënë. Ndër lirikat e ndryshme të përfshira ose jo në veprën "Juvenilja" ka një varg vjershash me të cilat poeti ndjek traditën e Rilindjes ku himnizon bukuritë e atdheut ("Malli për atdhe", "Mikut tem Pal Moretti"), duke i kënduar gjuhës si mjet zgjimi të ndërgjegjjes kombëtare ("Gjuha shqipe"), ku i kushton një vëmendje të veçantë problemit themelor të luftës për pavarësi, që ishte bashkimi i shqiptarëve ("Bashkonju", "Shqypes arbnore").

Mjeda, gjithnjë në vazhdën e Rilindjes, ngre lart figurën e heroit kombëtar, si simbol bashkimi dhe burim besimi në fitore. ("Vorri i Skanderbeut", "Shqypes arbnore", "Bashkonju", "Për një shkollë shqype mbyllun prej qeverisë otomane", "Mikut tem Pal Moretti", "Mikut Pal Moretti", "Lisus", "Liria"), duke theksuar në këtë poemë të fundit lidhjen e thellë të Skënderbeut me popullin, me masat fshatare.

Në vjershën "Mikut Pal Moretti", Mjeda jep një gjykim të drejtë e të mprehtë jo vetëm për rëndësinë e Skënderbeut, si shpëtimtar i qytetërimit evropian, po edhe për politikën dredharake të fuqive të mëdha të Evropës së kohës së vet, që, për interesat e tyre, mbanin në këmbë perandorinë e kalbur osmane. Që në këtë vjershë romantike atdhetare vihen re nota shoqërore. Motive shoqërore janë vënë në bazë të dy vjershave të "Juvenilias": "I mbetuni" dhe "Shtegtari". Aty preken dy plagë të dhimbshme të Shqipërisë së kohës si: kurbeti dhe qëndrimi mospërfillës i klasave të pasura ndaj njerëzve të thjeshtë të popullit, bartës të luftës për çlirimin e vendit. Po trajtimi i këtyre problemeve nga pozitat e romantizmit me gjurmë sentimentalizmi dhe fryma e humanizmit kristian që i përshkon vjershat i ka zbehur deri diku dhe ka bërë që këto vjersha të mos kenë forcën e vjershave realiste të Çajupit dhe të Asdrenit, me të njëjtën tematikë.

"Lisus" (botuar më 1921) dhe "Scodra"(1940) janë vepra, ku thelbi romantik vishet me një formë klasiciste. Këta dy poemtha liriko-epike karakterizohen nga një stil i kërkuar dhe retorik. Poeti himnizon këtu të kaluarën e lashtë të popullit tonë (te "Lisus" përmes materialit historik, kurse te "Scodra" nëpërmjet legjendës). Interes ka te "Lisus" paraqitja e figurës së Skënderbeut, që poeti ka dashur ta bëjë sa më njerëzore.

Origjinaliteti dhe fuqia e vërtetë e talentit të Mjedës kanë gjetur shprehje në krijimet ku ai arrin në realizëm, si në vjershën "Mustafa Pasha në Babunë", në poemthin "Liria" dhe në kryeveprën e tij "Andrra e jetës".

Tek e para, duke u nisur nga një fakt historik, tradhtia e Mustafa Pashë Bushatlliut, poeti ka tipizuar me forcë, duke e përshkruar "mbi thasë të florinjve, ndër valle jevgash" figurën e feudalit të zvetënuar, anadollak, parazit, që është kurdoherë gati të bëjë flì interesat e atdheut për të vetat. Vjersha merr kështu një kuptim të gjerë përgjithësues, duke tingëlluar si akuzë e fuqishme kundër të ashtuquajturve atdhetarë, përfaqësues të shtresave të larta, që përfitonin nga sakrificat e popullit. Figurës së Mustafa Pashës poeti i kundërvë masën e fshatarësisë së ngriturnë këmbë për mbrojtjen e atdheut, duke u bërë zëdhënës i urrejtjes së saj kundër feudalit tradhtar.

"Liria", poemthi epiko-lirik, i ndërtuar me tingëllima, me problematikë politiko-shoqërore, është, ndofta, vepra e Mjedës që ka ide më të fuqishme. Në të ndihet jehona e kryengritjeve të malësorëve të Veriut më 1911, që tingëllon me forcë që në vargjet e para:

"Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcia" dhe vjen duke u rritur nga një tingëllimë në tjetrën. Poeti frymëzohet nga lufta për pavarësi e amerikanëve kundër kolonizatorëve anglezë, që ishin edhe pronarë tokash, dhe ua tregon shqiptarëve si shembull. Në mbylljen e poemës, ku paralajmërohet shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme shqiptare nëpërmjet një mjeti të dashur për rilindasit, paraqitjes së hijes së Skënderbeut, që ngrihet nga varri. Poeti thekson se heroi kombëtar shkon "Ksollë për ksollë". Në këtë poemth ka vargje që dëshmojnë për afrimin e Mjedës me idetë demokratike. Kështu, ai pohon se kryengritësit mundën "kështjellat atnore", gjejmë aluzione për shfrytëzimin e fshatarësisë (…s'ka me dalë ushtari me i grahë bulkut si kaut me sjeçe t'begut"). Këto mund të dëshmojnë se Mjeda e sheh lirinë të fituar prej amerikanëve jo vetëm në plan kombëtar, po edhe në plan shoqëror dhe shpreson se populli shqiptar do të shkundë shfrytëzimin e egër bashkë me zgjedhën feudale.

Në këtë poemë shkrihen konçiziteti dhe forca shprehëse. Krahasimet dhe antitezat janë tronditëse ("lirinë e keni ju/ ne hekra kemi…", "Posi berra që bleu mishtari vemi"). Romantizmi ia ka lënë vendin një realizmi ngjethës, një pasqyrim plot dramatizëm të gjendjes së atdheut.

Vargu është njëmbëdhjetërrokëshi, i cili krijon atmosferën e madhërishme, përdorimi i bartjeve i jep dinamizëm stilit dhe shoqëron alternimin e ndjenjave dhe të mendimeve. Lloji i zgjedhur i organizimit të vargut në tingëllima i disiplinon shpërthimet lirike. Gjuha është e pasur, megjithatë veçoritë krahinore e vështirësojnë leximin e lirshëm.

Andrra e Jetës (Analizë)




Në këtë poemë shoqërore-psikologjike me elemente të poemës filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare të kohës, janë sintetizuar tiparet më karakteristike të artit të Mjedës, si: fryma demokratike, lakonizmi dhe plasticiteti. Kjo poemë është vazhdim, shtjellim i përgjithshëm i atyre motiveve nga jeta e fshatarëve të varfër, që e shqetësonin Mjedën dhe njëkohësisht pasqyrë e mendimeve të tij për jetën njerëzore dhe lumturinë.

Në qendër të vëmendjes është një familje e varfër malësore që përbëhet nga nëna dhe nga dy vajzat. Poema ndahet në tri pjesë që i përgjigjet fatit të tre heroinave: Trinës, Zogës e Lokes.

"Andrra e jetës" hapet me një metaforë aq të thjeshtë sa edhe të hijshme, të gjallë e kuptimplotë:

Molla t'kputuna nji degët,
dy qershia lidhë n'nji rrfi
ku fillojnë kufijt e gegët
rrinë dy çika me nji nanë.

Kjo metaforë jep idenë e lidhjes së ngushtë të personazheve të veprës dhe, njëherësh të bën të parandjesh ndarjen e tyre. Me imtësi të zgjedhuara, poeti na e jep të gjallë mjedisin malësor:

U ndie një za te shtegu;
Cice, del se erdh murgjina
e mbrapa po vjen Trina
me i gjengj të sykës n'grykë!

Vajza e vogël vdes para kohe. Poeti përshkon thellë në mendimet dhe ndjenjat e nënës, e cila e jeton me dhembje fatkeqësinë, para se të ngjasë, në një natë të tmerrshme ankthi. S'ka gjë më tragjike dhe njëkohësisht më të lartë njerëzore, sesa skena midis Lokes dhe Zogës pas vdekjes së Trinës; habia fëminore e vogëlushes që s'kupton dramën në shtëpinë e saj, dhe kujdesi i dhembshur i nënës, e cila, duke qenë vetë nën peshën e rëndë të dhembjes, nuk do që ajo të rëndojë, të bjerë në shpirtin e njomë të vajzës.

Në pjesën e dytë, që i kushtohet Zogës, poeti ka derdhur ngjyrat më të ndritshme, duke dashur të shprehë nëpërmjet këtij personazhi ëndrrat e veta për të ardhmen. Në fillim jepen ndjenjat dhe dëshirat karakteristike për moshën e vajzës me forcë të veçantë psikologjike, pa sentimentalizëm, me shumë vërtetësi dhe kthjelltësi. Ëndërrimet rinore të Zogës realizohen. Ajo dashurohet dhe martohet. Poeti e përcjell me këshilla plot dhembshuri për jetën e saj të re. Së fundi, me një këngë plot optimizëm, na lajmëron se Zoga u bë nënë.

Është për t'u vënë rè se bukuritë e natyrës parakalojnë njëra pas tjetrës, për t'ia lënë vendin buzëqeshjes së fëmijës. Epilogun e poemës e përbën fundi i jetës së vështirë, plot saktifica e stoike të Lokes që, e mbetur vetëm, thërret vdekjen ta marrë.

"Andrra e jetës", megjithëse trajton një rast të veçantë, pasqyron tragjedinë e fshatarësisë shqiptare dhe dëshirën e saj të zjarrtë për një jetë më të mirë. Titulli i veprës ka një kuptim të thellë. Me këtë poeti s'ka dashur aspak të thotë se jeta është një iluzion, veçse jeta për të varfërit mbetet një ëndërr e parealizuar. Poema pra, në thelb është realiste me një gjykim romantik. Poeti ka prekur plagë të rënda të shoqërisë së kohës: mjerimin që mbyste sa e sa jetë, ende të paçelura (fati i Trinës), zakonin patriarkal që e ndante nënën nga e bija dhe e mbërthente të parën pas vatrës së shuar; mospërfilljen e shoqërisë ndaj individit (fati i Lokes). Mbarimi tragjik i kësaj të fundit është një protestë e heshtur. Por jo më pak i fortë është fakti që, kur heroi ka humbur çdo shpresë, poeti nuk e bën të kërkojë ngushëllim në iluzionet e jetës përtej varrit. Lokja vdes me ndjenjën e revoltës ndaj fatit të saj të padrejtë. Personazhet në poemë janë të gjalla e tipike dhe kanë një logjikë të brendshmenë përputhje me mjedisin ku jetojnë e veprojnë. Trina sapo është vizatuar, meqenëse edhe në jetë nuk arrin të zhvillohet si karakter. Ajo, sapo shfaqet, zhduket. Megjithatë e kryen rolin e vet. Me fati e saj është përgjithësuar fati i tërë atyrë fëmijëve fshatarë që vdisnin para kohe nga puna e rëndë dhe nga kushtet e vështira të jetës.

Zogën e shohim në zhvillim: në fillim fëmijë naive, që nuk kupton ç'ka ngjarë kur i vdes motra, pastaj vajzë me ëndërrimet karakteristike të moshës së saj. Siç zbulohet edhe nga ato ëndërrime ajo është vajzë malësore tipike, e thjeshtë, punëtore, po edhe e aftë për ndjenja të thella e të fuqishme, që shokun e jetës e përfytyron "me rrip rreth brezit, me një gjashtore e një kacatore", pra, para së gjithash, trim.

Lokja është tipi i gruas malësore, punëtore, vetëmohuese, nënë e dhembshur e stoike, mbi të cilën ka rënduar tërë barra e familjes, se burrat i shuante pushka e armikut, hakmarrja ose kurbeti. Ajo sakrifikon rininë që të rritë të bijat, dhe është e lumtur, nuk jepet përpara vështirësive të jetës (të kihet parasysh qëndrimi me të vërtetë burrëror me të cilin mposht vdekjen e Trinës, kur mundohet të ngushëllohet me mendimin e jetës së nënshtruar të gruas në familjen patriarkale.

Mesazhi që përmban kjo figurë, është lufta me jetën. Gjersa pati mundësi të luftonte, ajo jetoi. Vdiq kur nuk mundi më të japë asgjë. Dhe në fund të fundit ajo u largua nga jeta me një fitore përderisa e kreu detyrën e vet, e bëri të bijën të aftë për të jetuar dhe për t'ia përcjellë një qënieje tjetër flakën e jetës.

"Andrra e jetës" pasqyron dashurinë e poetit për fshatarësinë e varfër, admirimin e tij për tiparet e larta morale të njerëzve të thjeshtë, në veçanti të gruas shqiptare, si edhe dhembjen për fatin e hidhur të atyre njerëzve. Mjeda nuk depërton në shkaqet shoqërore të dramës së heronjve të vet, as nuk mendon për rrugën e ndryshimit të gjendjes. Po ai nuk pajtohet me këtë realitet të hidhur. Njëkohësisht poeti nuk bie në pesimizëm, ruan besimin në vlerat pozitive të jetës, në të ardhmen. Tek "Andrra e jetës" ka tragjizëm, po jo mohim të jetës. Së ardhmes poeti i këndon nëpërmjet zogës, e cila arrin të realizojë ëndrrën e vet për lumturi, megjithëse brenda kuadrit të ngushtë familjar. Fati i saj merr kështu një kuptim simbolik.

Jo më kot linja e Zogës zë vendin kryesor të poemës. Tërë pjesa e dytë është himni më i zjarrtë dhe bukurinë e saj. Në mendjen e lexuesit dy tabllotë e dhimbshme të pjesës së parë e të fundit shkrihen në tablonë madhështore të nënës që mban në krahë fëmijën, simbolin e vazhdimësisë së jetës.

Merita më e rëndësishme e "Andrrës së jetës", e parë në kuadrin historik, qëndron në dhënien e tablosë realiste të mjerimit në malësinë shqiptare. Pasqyrimi realist i gjendjes së rëndë të malësorëve ishte në mënyrë të tërthortë një akuzë kundër shoqërisë së kohës.

Nga ana artistike "Andrra e jetës" është një nga veprat më të përsosura të poezisë sonë. Ajo shquhet për atë thjeshtësi të mrekullueshme të subjektit dhe të stilit që karakterizon kryeveprat. Thellësia e mendimit shkrihet këtu me njomësinë e ndjenjave, analiza e mprehtë psikologjike me forcën përshkruese. Lakonizmi është i pashembullt: në 296 vargje jepet drama e mjerimit dhe e paragjykimeve, himni i zjarrtë për jetën dhe për dashurinë, skaliten tre personazhe të paharrueshme, pikturohet me ngjyra të forta e të qarta mjedisi malësor. Figuracioni është sa i thjeshtë, aq i pasur dhe kuptimplotë. Gjuha e poemës (shkodranishtja e plotësuar me fjalë e shprehje të krahinave përreth), është e larme, shprehëse, e saktë, e begatë me fjalë të rralla.

Mjeda është një poet atdhetar me prirje të theksuara demokratike që i këndoi lëvizjes kombëtare nga pozitat e fshatarësisë së varfër, së cilës i përkiste me origjinë. Nga këto pozita ai pasqyroi edhe mjerimin e popullit. Në atë pjesë të veprës së tij që trajton motive shoqërore gjejmë pakënaqësi nga realiteti i kohës, dhembje për fatin e popullit. Bashkë me Çajupin ai dha një ndihmesë të rëndësishme në kalimin e letërsisë sonë nga romantizmi në realizëm.

Qe kryesisht poet lirik, i një lirizmi që pasurohet shpesh me momente epike; dallohet si për ndjenjën e masës, ashtu edhe për forcë përshkruese. Poeti është edhe mjeshtër i përsosur i vargut dhe i strofës. Në poezinë e tij gjejmë një larmi të veçantë vargjesh dhe një begati strofash. Mjeda parapëlqen tetërrokëshin dhe njëmbëdhjetërrokëshin. Tingëllimën e lëvron me mjeshtëri të veçantë.

Mjedën e karakterizon thellësia psikologjike në vizatimin e personazheve (Lokja dhe Zoga janë nga personazhet më të realizuara të poezisë sonë).

Në artin e tij shkrihen hovet e frymëzimit me punën këmbëngulëse për të lëmuar fjalën e për t'i dhënë shkëlqim.



“Ndre Mjeda, mbetet ende i pandriçuar”

Mentor Quku nuk ka studiuar letërsi. Ai ka studiuar në shkencat natyrore. Por ka 30 vjet që merret me Mjedën. Që këtu lind pyetja: Çfarë është kjo lidhje kaq e ngushtë me poetin e njohur? Kush apo çfarë e nxiti? Gjatë shkollës së mesme Quku ka pasur mësues Fadil Podgoricën apo Jup Kastratin, kuptohet që Mjeda do të vinte deri tek nxënësi i ri, me gjithë madhështinë e tij.

Kjo i la mbresa të riut Quku. “Këtu është fillimi i kontakteve episodike me Mjedën”, pohon ai. Rastësia vazhdon. Ritakimi Mjeda-Quku ndodh në vitin 1974. Në këtë vit, Akademia e Shkencave organizonte një simpozium për kontributin e rilindësve në letërsinë për fëmijë. Në atë kohë Quku merrej me letërsi për fëmijë, i shtyrë nga nevoja edukative si prind fillimisht, për t’u marrë e pastaj më gjerë. I ndodhur në kohën e sidomos në vendin e duhur (mësues në Barbullush) për të bërë këtë zgjedhje, Quku vendos të prezantohet në simpozium me Ndre Mjedën. Për këtë kumtese punoi thuajse një vit të tërë. “Në fillim më duhej të njihesha me njeriun Mjedë, përpara se të njihesha me kontributin e tij në letërsinë për fëmijë. Në këtë rast, unë zbulova një Mjedë të ri, zbulova krejt afeksionin tim për atë çka ai ishte e çka ai kishte bërë. Pikërisht këtu ndodhi lidhja ime e përjetshme me të”, tregon Quku.
Nxënësi i Mjedës
“Kjo lidhje deri në palcë, siç e quan Quku, i detyrohet një prirjeje e dëshirë që ai ka: të jetë nxënës i Mjedës”. Ka shumë pika takimesh mes këtyre dy njerëzve. Quku thotë se, është i projektuar brenda Mjedës. “Mjeda ka qenë atdhetar i zjarrtë. Jo vetëm e ka dashur vendin e tij, por edhe ka punuar për të. Gjithë jeta e tij është si një himn për kombin, për lirinë dhe integrimin e vendit. Edhe të parët e mi më kanë ushqyer me ndjenja të tilla atdhedashëse. Kjo ishte e para gjë, në të cilën e gjeta veten tek ai. Kontributin e tij në albanologji, në shkencën në përgjithësi, ai ia dedikon jo vetëm talentit të tij, por edhe punës këmbëngulëse. Në këtë këndvështrim e kam pasur udhëheqës Mjedën”, shton studiuesi. “Tendenca e tij për të qenë nxënës i përjetshëm, përputhej me prirjen time po të njëjtë. Kjo është pika e dytë e përbashkët, për të vijuar më tej, edhe më gjatë”. Duke ekzistuar kjo lidhje kaq e ngushtë Quku-Mjeda, natyrisht i pari ka mësuar nga i dyti. I pyetur se cilat koncepte të jetës ka marrë nga Mjeda, Quku përgjigjet: “Mjeda ishte një njeri, i cili kishte princip guximin, lirinë. Ai dëshironte të ishte i pavarur nga kornizat e kohës, kanunet. Ai është një shpirt i pastër, gati-gati naiv, i hapur, tepër i sinqertë. Guxonte shumë, por kur e ka parë se ka qenë larg shekullit të vet, është tërhequr. Ndaj mendoj se me temperamentin, talentin dhe gjenialitetin e tij, ai e tejkaloi shekullin e vet. Shekujt më vonë do ta çojnë atë në piedestal, ashtu siç i takon. Mjeda ka qenë njeri i veçantë e unë kam pasur fat që kam rënë në kontakt me të, që e kam udhëheqës sepse ai më ka bërë të lumtur në dy mënyra: me shembullin e tij dhe me metodën e tij se si njeriu të bëhet i lumtur”, shprehet studiuesi.
Eseistikë me kaq vëllime!
Ka shkruar mjaft vëllime për Mjedën, ndaj edhe vetë e pranon pse e pyesin shpesh pse ka bërë kaq shumë vëllime. “Kur projektova punën për Mjedën, e projektova deri në detajet më të mundshme. Por, çfarë është më e rëndësishmja, kërkoja të ndryshoja metodë. Më përpara, të gjitha monografitë janë bërë në këtë mënyrë: lindi, u shkollua, shkroi këtë-atë, vdiq. Kaq. Gjithçka si formulë. Këtu unë kam dashur të jap mënyrën time të të punuarit, ashtu si e konceptoj unë punën shkencore. Kam lexuar shumë dhe kam vënë re se shkenca nuk bëhet me receta”, tregon studiuesi i Mjedës. Sipas tij, shkenca duhet të bazohet mbi hipotezën, dyshimin, pavarësisht vërtetësisë së tyre, sepse vetëm hipoteza e çon shkencën përpara. “Në shkencën tonë, këtë dukuri, e kam hasur rrallë. Kështu, unë kam punuar me retrospektivë e perspektivë, jam kthyer e rikthyer, kam bërë debate, kam kundërshtuar e argumentuar, kam dhënë versione të reja, kam pranuar gabime që unë vetë i kam bërë në librat e mëparshëm pasi mund të kem gjetur një dokument që ka hedhur poshtëëë hipotezën që kam ngritur njëherë. Eshtë njerëzore të gabosh, por shkencëtarët e sotëm nuk e pranojnë debatin, gabimin”, shton ai. E duke ndjekur një metodë të tillë pune, natyrisht që mbush shumë faqe. Ka raste kur jep krejt dokumentin. Për dukuri të ndryshme, pasi ka dhënë mendimet e të tjerëve, jep mendimin e tij, ose kundërshton ato që janë shprehur. Më pas ia lë në dorë lexuesit. Në këtë mënyrë krijon një raport me lexuesin dhe studiuesit e ardhshëm. Hap shumë dilema e ndërkohë mbyll shumë të tjera. “Vepra ime është eseistike. Aty ka edhe faqe të bardha. Gjithashtu, Mjedën e kam konceptuar si produkt të epokës së vet. Ne këtë mënyrë, nuk merrem vetëm me Mjedën por më përpara merrem me atë ambient ku ai gjendet. Një shkak tjetër është se në ato faqe nuk është vetëm Mjeda, por edhe Mentor Quku. Ja pse janë kaq shumë vëllime sepse të gjitha këto që përmenda kërkojnë shumë faqe. Tendenca ime është të rrudh tekstin sa më shumë sepse i përkas shkollës së Mjedës, të jesh sa më i ngjeshur. Asnjë fjalë më shumë. Por unë nuk e shoh Mjedën në vetvete, nuk jam fanatik i tij. Mjedën e kam mik. Mjedën dua ta ndriçoj sepse është i pandriçuar”, thekson studiuesi.

Arjeta Ferlushkaj G.Panorama

Zotni Che e kam edditu me qellim me shtu kyt shkrim qi gjeta rreth Nre Mjeds





[ Edited Mon Sep 15 2008, 05:18AM ]
Back to top
Tafil Ibriku
Mon Jun 23 2008, 05:31PM

Registered Member #335
Joined: Thu Jan 11 2007, 04:16PM

Posts: 201
Gjuha shqipe




Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon*;)
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.


Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.

Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.


Geg' e tosk', malsi, jallia**)
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq


Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.

E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

Back to top
Tafil Ibriku
Mon Jun 23 2008, 05:33PM

Registered Member #335
Joined: Thu Jan 11 2007, 04:16PM

Posts: 201
Vaji i bylbylit




Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

Gjith; fushët e malet
Blerim e mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.

Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.

E tuj gjimue
Shikon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çil kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.

Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.

E kur t'zitë e di
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis

E ur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Nder pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Nder tranfofille,
Nder zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?
Back to top
L - N
Mon Sep 15 2008, 05:16AM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
PRENDVERA


Jeni lodhe, dallendysha t`shkreta,
Je molis i ziu bylbyl;
Ah!pushoni n`streh`ku u gjeta,
Pusho n`kopshte te njaj zymyl.


Mbi krahe t`uej prej dhenash tjera
Ju prendveren na pruet këtej;
Shlodhn` ju pra, dallendysha t`mjera,
Rri, bylbyl, n`lulzim qe kthej.


Se qe`j prrue prei malit ulet
E t`tanë fushes ushqim i nep;
E nën bore po shperthejn` lulet
Porsi femie qe zblohen n`djep.


Fllad i let me vape dashtnijet
Puthi pemen gemb për gemb;
U zgjue pema, e qe prej shijet
Buloj mbarë nëpër kopshte t`em.


Ndej`bri votres nieri myket:
Vrapo bulk, ku puna t`thrret;
Tui vrue fushën kau berlyket,
Lyp`m`u vue për lavre t`vet.



Z O G A


Nper ograje po kendojne bylbylat
Si tu`u prralle me shoqi shojne;
Drandofileve zymylat
T`kandshmen ere dhuntie ju çojnë.


E nalt n`qiell ma e bukur hana
Rreze t`paqta shkon tui shkrie;
Maje bjeshkve fillon Zana
N`valle shoqeve m`u prie.


Lodhe prei vegesh, prei rranjesh shpijet,
Si u ba nate, ndej Zoga n`voter;
Ndej m`u xe me dru dullijet
Qe kish ba nper mal, pa motër!


E kuvendte me nane locen,
Si pergjumshem, ndonji fjale,
Deri sa brie votres gocen
E muer gjumi dal ka dalë.


Fjet brie votres : e kur shkendija
Shendritte at fetyr`te pa travaje,
Ejell prei qiellet ule te shpija
Dukej faret fetyra e saje.


Here n`at gjume tui qeshun dukej,
Si m`u fale herë doren cote;
Here permallshem n`vedi strukej
E n`fetyr gjaku t`tan i velote.


( Ngrimun n`ar, mbi`j pullalie,
Nën balkue nji beg kish dalë;
Holl`e i giate porsi silvie
N`rrugë nën gardh ish duke nji djalë.)


E nan-bardha tui shikjue
Flej me engjuj", thotë, o bie,
"Pusho shtatin me i ndimue
Lokes s`atë nëpër shpie".


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
:IROLF:
Tue Jan 27 2009, 03:24PM


Registered Member #2138
Joined: Tue Jul 22 2008, 06:10AM

Posts: 3284
Ndre Mjedja, shkruar në vitin 1911

O Shqype, o zogjtë e malëvet, kallxoni
A shndritë rreze lirije mbi ato maje?
Mbi bjeshkë të thepisuna e nd’ograjë
Ku del gurra e gjimon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokund kah fluturoni
Nëpër shkrepa me ushtue kangën e saj…
U kputne hekrat, e lirim malcori,
Lirim deti kumbon e ja sjellë bregut;
Lirfim përgjigjen qysh kah Labradori
E Virgjin’ja e New York – u, syni i tregut.
Të lumtë, o Ëashington! U zhvillat qielli…
E ndjeu toka njatë shend e u gëzue si fëmija
Që i qeshet lokes kur ja rreshë krahnorit;…
Lirin’ e keni ju! Na hekra kemi.
Na terr e niegull deri në ditt ma të vona;
Na pa emën kërkund, pa Atdhe; na jemi
Sherbtorët e të huejve nëpër vende tona.
Porsi berre qi bleu mishtari vemi
Mbas shkopit, të kalamenduna, ku s’dona…
Frymë të re tui shprazun për gjithkahna, hija
E Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmënin ushtore,
E idhnim n’anmikun nëpër gji ju qisin.
E nalt ndër maje, bukuri mbretnore,
Hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
Me thoj t’harkuem Shqypja Arbënore.
Back to top
L - N
Wed Apr 15 2009, 10:34AM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 06:00AM

Posts: 10623
Ja 6 letrat e Mjedes per albanologun danez

» Dërguar më: 12/04/2009 - 14:31

Shpresoja se mund të takoja Zotërinë Tuaj në këtë Kongres të Orientalistëve, por fatkeqësisht shpresat e mija qenë zhgënjyese. Përveç çështjeve të ortografisë së shqipes doja të diskutoja me Zotërinë Tuaj mbi alfabetin e ri të adaptuar në Atdheun tim. Zotëria e Juaj do të ketë dëgjuar se si, në muajin maj të këtij viti, janë mbledhur ipeshkvijtë e Shqipërisë për të ujdisur, mbi një mënyrë të vetme, të shkruarit e gjuhës shqipe. Në ato konferenca unë paraqita dhe mbrojta alfabetin Meyer, në një farë mënyre të modifikuar, sepse ipeshkvijtë mundësisht, nuk donin, as shkronjat e binjakëzuara, as ato greke. Duke mos më mbetur asnjë kopje e shtypur, po marr lejen t’Ju dërgoj një kopje të dorëshkrimit.
Pesë ipeshkvij kanë adaptuar këtë sistem për shkollat e tyre; Ata janë të gatshëm, pak a shumë, të pranojnë ato modifikime që dijetarët do t’i shikonin të nevojshme. Arqipeshkvi i Shkodrës i është nënshtruar pikërisht edhe ai gjykimit të dijetarëve, për t’i pranuar, apo jo. Unë kam bërë për këtë një paraqitje të shkurtë në sesionin e parë të këtij Kongresi; por duke mos qenë aty asnjë specialist shqiptar, ato u mjaftuan me një votim të përgjithshëm. Profesori shumë i ndritur, Vilhelm Thomsen, më dha për ato një gjykim shumë ledhatues: Ai aprovoi të gjitha, përveç d 1 për ä dhe þ për è; dhe do të donte, në vend të tyre, ð (ose ð ) dhe þ ose g. Shenji ð, propozuar prej Zotërisë Suaj, tek Albania e Brukselit, nuk është në simetri me shkronjat e tjera latine dhe pastaj, me karakteret latine të shkronjave të mëdha: unë do të kisha propozuar, që në fillim ð, por më përmbajti propozimi i Juaj, i shprehur në revistën e lartpërmendur.
Me të njëjtin mendim të Profesor Thomsen është edhe Profesori Bloomfield i Baltimores. Unë do të isha i gatshëm të pranoja ð dhe g dhe i lutem përunjësisht Zotërisë Suaj të më shprehni gjykimin Tuaj mbi këtë alfabet.
Sikurse të mos të vonohej për të rënë në dorën tuaj, kjo letra e ime do Ju lutesha me kërkesën për të patur një përgjigje sepse do të më ishte e nevojshme para kthimit tim në atdhe. Në një rast të tillë do të mund të më shkruanit në Vjenë: Manastiri Franceskan.
Shpresoj gjithashtu që Zotëria e Juaj të mos mënojë të sqarojë me këshillat e tij Akademinë Shqiptare “Agimi” të sapothemeluar prej ipeshkvijve, kryesinë e së cilës ma besuan mua. Adresa ime, në Shkodër, është:
D. Andrea Miedia, Sekretar i Ipeshkvit të Sapës, Shkodër, Shqipëri.
Pranoni më në fund, Zotëri Profesor, shprehjen e adhurimit dhe të respektit tim.

Hamburg, 10 shtator 1902. Me devocion
D. Andrea Miedia

Sot, i kthyer nga Pottenstein, gjeta letrën Tuaj shumë të çmuar të
11 muajit vazhdues. Falënderoj pafundësisht Zotërinë Tuaj për xhentilencën në përgjigjen kaq të shpejtë të letrës sime e pastaj për dashamirësinë e treguar ndaj sistemit të propozuar prej meje. Vërejtjet e Juaja janë shumë të sakta; unë vetë, më përpara, i pata propozuar Konferencës së Ipeshkvijve ts dhe tš; por ato iu kundërvunë sepse ishin tinguj që përdoreshin shpesh, ndërsa shkrimi bëhej më i papërcaktuar, ndërsa pranuan dz dhe dž sepse ishin të rralla. Mbështetur në shënimin e bërë prej Zotërisë Suaj në parathënien e “Tekste Shqipe” tuaja, u theksova ipeshkvijve, në mënyrë private, përdorimin e shenjës Y për e të pazëshme, por pashë se nuk do të aprovohej. Pikërisht kështu jam i sigurtë që nuk do të dëgjohesha nëse do të propozoja 2 , për . Përkundrazi do të bëj çdo gjë, madje, besoj se kam autoritetin të vendosi ð dhe þ për d 3, þ, aq më tepër që me Zotërinë Tuaj pajtohen edhe profesorët Thomsen e Jarnik (ky me të vërtetë tha ð e þ). Por përsëri do të doja të pyesja nëse është pikërisht një diçka e papërshtatshme të përdoroj Ð. ð në vend të ð.
Zotëria e Juaj thotë që sistemi me dy shkronja mund të përfeksionohet deri në një shkallë të lartë, p.sh. sh = š. Besoj që Ju gjithmonë nënkuptoni sikurse unë, në fund iu drejtova letrës suaj, në rastin që t’i jepet njerës prej shkronjave tuaja, për shembull h një rol special; sepse diagramet sh, gh, ch, th sikurse përdoren prej Albanisë së Brukselit e prej një shoqërie të Shkodrës, nuk mund të shërbejë për të gjithë dialektet shqiptare, p.sh. greko-shqiptare: nishem (s+h); laghem (g+h); pichem (në rasën e c=k); nìithem.
Pardje kam qenë në Pottenstein pranë dr. Jarnikut. Natyrisht biseda ra mbi Zotërinë Tuaj, dhe ai më tregoi që Ju kishit kaluar disa javë në Pragë, pranë tij. Ka qenë një fatkeqësi për mua që nuk munda ta takoja Zotërinë Tuaj për t’u ndriçuar mbi disa pika të ndryshme. Por i gjëndur në Shqipëri, do Ju shkruaj shpesh e shpresoj që Zotëria e Juaj do të më japë këshillat e njerëzishme. Pastaj do të isha me fat, sikur, kurdo, që të ndodhë, të mund t’Ju kisha mysafir në shtëpinë time. Nuk do të gjeni komoditetet e vendeve tuaja, por, së bashku me varfërinë, do të gjeni gjithë zemërbardhësinë e mundur. Mjafton që Zotëria e Juaj të më lajmërojë dhe unë do të vij shpejt t’u takoj në port.
Dr. Jarniku ka shkruar për alfabetin tim “Gjithë kjo më duket shumë praktike dhe shkencore”. Për sa i përket d4 e þ thotë se do të donte ndonjë shenjë tjetër. “ose diçka si shënja greke të modifikuara, ose ato të cilat përdoren në gjuhët gjermanike, pra ð, þ.”
Prej këtu, mbas tre ose katër ditësh, do të nisem për në Shqipëri. Drejtimi im atje është: Nenšati-Scutari d’Albania.
Duke Ju falënderuar për xhentilencën tuaj, jam me ndjenjat e stimës së thellë dhe të adhurimit
i Zotërisë Suaj sherbëtor shumë i devotshëm
D. Andrea Miedia,
Sekretar ipeshkvnor i Sapës
Wiena, 18 shtator 1902

Letra që Zotëria e Juaj ka patur mirësinë të më shkruaj muajin e kaluar ka qenë për mua ngushëllim i madh; ndërsa miratimi i Zotërisë Suaj është shpërblimi më i madh për lodhjet e mija. Në anën tjetër alfabeti që unë i kam propozuar atdheut tim është më shumë i Juaji se sa i imi.
Tekstet që unë jua kam dërguar Zotërisë Suaj kanë gabime shtypi dhe gabime kopjimi. Dhe arsyeja është që unë nuk kam mundur të kem bocat e shtypit për rishikim. Pastaj për kopistin, qoftë alfabeti, qoftë ortografia ishte gjë e re e kështu nuk është çudi që të gabonte shpesh. Përveç saj, pas një sorrollatje të gjatë, se kush duhej të më shtamponte këto tekste, në fund u nxitua shumë, me qëllim që të paraqiteshin sa më parë. Kështu që në katër muaj unë i vetëm u desh të shkruaja, të kopjoja e të kopjoja e të rilexoja këto katër libra, dhe gjithashtu në të njëjtën kohë, pesë tekste të tjera që janë në shtyp.
Kisha ushqyer një shpresë të madhe që Zotëria e Juaj do të kishit ardhë vitin e shkuar në Shkodër, sikur para tre vitesh keni patur një qëllim të tillë. Do të kisha trajtuar me Ju shumë çështje të ortografisë. Në kohën e sotme, Shkodra është gati një grumbull gërmadhash, por nuk do të vonojë shumë dhe do të mund t’u japë strehim mysafirëve, e në një rast të tillë, Zotëria e Juaj do të mund të vinte, si në shtëpinë e vet, në rezidencën episkopale, sepse vëllai i im, nga ipeshkëv i Sapës, është bërë arqipeshkvi i Shkodrës. Unë pak a shumë ndalem në dioqezën e Sapës, sepse në këtë fushë të gjërë, përveç asaj pak që mund të bëj në letërsi mund t’i shërbej atdheut duke futur pak bujqësi racionale në përdorimin e veglave të përfeksionuara moderne. Por gjithashtu nëse do ta dija që nuk jam tepër i rëndë për Zotërinë Tuaj, do të merrnja lejen, në një kohë jo të largët, t’Ju propozoja disa çështje ortografike për t’u ndriçuar nga ana e Zotërisë Suaj.
Duke Ju falënderuar përzemërsisht për mirësjelljen Tuaj të këndshme që keni përdorur ndaj meje, gjithmonë me ndjenjat e stimës së thellë e të mirënjohjes
Jam shërbëtori i devotshëm i Zotërisë Suaj shumë të Ndritur
D. Andrea Miedia
Famullitari i Grâmšit
Shkodër, 11 korrik 1905

Dëshiroj prej shumë kohe të falënderoj Zotërinë Tuaj të Ndritur për gjykimin ledhatues të dhënë mbi punimin tim të vogël e të varfër Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe; gjykim që i detyrohet mirësisë Suaj të lindur.
Zotëria e Juaj u mrekullua që mbas aq shumë vitesh unë u kujtova për Ju; po si mundem unë të harroj durimin Tuaj dashamirës të përdorur ndaj meje në çështjen e alfabetit? Si mundem unë të mos ndjeja mirënjohje për veprimin Tuaj të palodhur në hulumtimin e gjuhës sime amtare me një mprehtësi të jashtëzakonshme për gati gjysëm shekulli?
Por mirënjohja ime është diçka e vogël; emri i Zotërisë Suaj të Ndritur të mbetet përjetësisht në zemrën e çdo shqiptari.
Përsëri tani, i Ndrituri Zotëri Profesor, po vi t’Ju shqetësoj duke kërkuar një gjykim Tuajin.
Duke studiuar prej meje mbaresat e emrave dhe të përemrave shqip, kam arritur të bindem që këto mbaresa nuk janë tjetër veçse përemri i shkurtuar “i”: i dhaçë , e pashë, Njejës; u thaçë, i njof, Shumësi. Duke shërbyer për mashkullorin e femërorin, këto rasa, do të shërbenin për të gjitha rasat mashkullore e femërore. Përveç kësaj mungesa e Emrores në ato, do të tregonte që në gjuhën shqipe emrorja e emrave, do të ishte një casus indefinitus. (rasë e papërcaktuar). Me këto do të ishte e natyrshme shpjegimi i gjindores, shumës - ve pa ndjekur ovom slave, sikurse bën Skok, që sipas mendimit tim është plot gabime; Edhe sikurse do të ishte i lehtë shpjegimi i gjindores shumës “atune”. Një gjurmë e këtij përemri e bashkuar me gjindoren, dhanoren njejës të emrave që mbarojnë me –a më duket se mund të jenë gjindorja, dhanorja, njejës “sai”.
Do të isha pafundësisht mirënjohës, sikur Zotëria e Juaj e Ndritur të denjonte të më tregonte pikëpamjen e Tij mbi këtë çështje.
Pranoni i Ndritur Zotëri Profesor shprehjen e nderimit dhe adhurimit tim më të lartë me të cilin dëshiroj të jem

i Zotërisë Suaj të Ndritur Sherbëtor i Devotshëm
D. Andrea Miedia
Profesor në Seminarin Papnor
Shkodër, Shqipëri

Letra e Zotërisë Suaj të Ndritur më erdhi në dorë mbas një farë kohe sepse kishte shkuar më parë në Kostandinopol. Falënderoj me gjithë zemër Zotërinë Tuaj të Ndritur për mirësjelljen që keni përdorë duke më kujtuar mua. Pres pastaj me ankth tre botimet tuaja, që më shënon në letër. Hulumtimet gjuhësore të Zotërisë Suaj të Ndritur lidhur me gjuhën shqipe, janë të një mjeshtrije shumë të lartë; Sa herë që unë kam patur rastin t’i kem, kam mbetur prej tyre pa mend i mrekulluar. Për çdo rast, për të më gjetur përsëri, mund të përdorni adresën time…… Arcivescovado, Scutari d’Albania.
Tekstet shkollore në botim që jua kam përmendur Juve janë gjashtë, përvec atyre të katërtave që tashmë Zotëria e Juaj i zotëroni dhe janë: 1.) Numeratorja. Ška³a e mjesYme; 2) E njëjta, Ška³a e tretY; 3) KYndime per ško³Y, Libri i tretY; 4)TY mbleðunit’ e mYsimeve tY kYštêna, Pjesa e dytY; 5) E njëjta, Pjesa e tretY; 6) Historija šêjte. Posa do të kenë dalë prej botimit do të jetë detyra e ime që t’Jua dërgoj kopjet Zotërisë Suaj të Ndritur.
Duke qenë këto ditë i transferuar në Kukli (pranë lumit Drini) e duke u gjëndur në ndërtimin e shtëpisë së re famullitare nuk kam mundur ende të nxjerr në qarkullim librat e mij; pra kështu nuk kam mundur të shikoj as Meyerin, as Rossin. Ajo që thuhet sinzY nuk më është aspak e njohur. Madje, duke bërë fjalë për një vegël të zakonshme, mund të siguroj që nuk është aspak e dialektit gegë që kupton Rossi. Nëse kjo fjalë tek Meyeri nuk është në rendin alfabetik, jam i sigurtë që është një gabim i shtypshkronjës, në vend të k½zY (me kie = me krasitë), ndoshta Rossi ka shtuar n për hundaken.
Pranoni i Ndrituri Zotëri Profesor, shprehjen e nderimit dhe adhurimit tim të lartë.
Kukli, 1 qershor 1906
I Zotërisë Suaj të Ndritur
Sherbëtor shumë i devotshëm
D. Andrea Miedia,
Famullitar i Kuklit

I Ndrituri Zotëri Profesor

Lajmi i përvjetorit Tuaj të shtatëdhjetë, ka mbushur me gëzim të patreguar zemrën time. Zotëria e Juaj i Ndritur, në vazhdën e gjatë të këtyre viteve ka kaluar si një diell mesditës, duke shpërndarë rrezet e tij të ndritshme mbi errësirën e institucioneve të shumë gjuhëve të huaja e përtej të tjerave ka kontribuar në njohjen e gjuhës sime amtare. Të tjerët kanë folur e do të flasin për meritat Tuaja shumë të larta në këtë degë të diturisë njerëzore; Unë nuk mundem tjetër, veçse t’Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë për investigimet Tueja shumë diturake mbi gjuhën shqipe. Falënderoj Zotin që më ka dhënë kohën për të parë këtë ditë të lavdishme për të ndritshmin Zotërinë Tuaj duke mbushur pikërisht edhe unë shtatëdhjetë vjetët (19.11. 1866).
Lajmi i kësaj dite të lumtur për Zotërinë Tuaj të Ndritur më arriti më 3 të këtij marsi. Ndonëse kishte kaluar kufiri që të merrnja pjesë në “Tabula gratulatoria” të omazhit ndërkombëtar që Ju ofrua në atë ditë shumë të gëzueshme, unë nuk do të doja të hiqja dorë nga të dërguarit e kësaj letre pjesëtarëve të kësaj ceremonie. Ju lutem pranoni Zotëri i Ndritur shprehjen e mirënjohjes sime të sinqertë dhe të një adhurimi të thellë.

i Zotërisë Suaj të Ndritur, Sherbëtor i Devotshëm
D. Andrea Miedia
Profesor në Kolegjin Saverian dhe Seminarin Papnor

Shkodër 26 mars 1937

Marre prej gazets Shqiptare Online

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
::bud::
Thu Apr 22 2010, 09:28PM



Registered Member #1092
Joined: Wed Aug 15 2007, 08:46AM

Posts: 10533
Mjeda filloi të punojë seriozisht për Budin në vitin 1930 dhe vazhdoi në këtë rrugë deri në fund të jetës. Vdiq me Bud në dorë. Provohet se Mjeda ka pasur në dorë dhe është interesuar për Doktrinën e Budit më herët se sa kemi menduar. Nxënësit dhe dishepujt e tij kujtojnë se Ndre Mjeda ecte “nëpër rruginat e Seminarit me Bogdan e Bud nensjetull”.



Mjeda filloi të punojë seriozisht për Budin në vitin 1930 dhe vazhdoi në këtë rrugë deri në fund të jetës. Vdiq me Bud në dorë. Provohet se Mjeda ka pasur në dorë dhe është interesuar për Doktrinën e Budit më herët se sa kemi menduar. Nxënësit dhe dishepujt e tij kujtojnë se Ndre Mjeda ecte “nëpër rruginat e Seminarit me Bogdan e Bud nensjetull”. (1)

Deri vonë mendohej se të gjithë veprat e Budit kishin humbur: njihej vetëm Doktrina e Krishtenë, botim III, (Romë, v. 1664). Do të duhej të vinte viti 1930, që në ketë fushë të dijes të hynte me plot autoritet një gjuhëtar i klasit botëror, i pajisur me një këmbëngulje dhe vullnet të çeliktë, Dom Ndre Mjeda, që studimet në këtë fushë të fitonin një hop cilësor. Mjeda e vlerësoi Pjetër Budin si poetin e parë shqiptar, si letrarin patriot, si luftëtarin e zjarrtë për lirimin kombëtar, ndërsa, veprën e tij, si një thesar të vërtetë të gjuhës shqipe. Mjeda hartoi projektin më ambicioz dhe punoi gjatë, për gati një dhjetëvjeçar, për studimin, transkriptimin fonetik, komentimin dhe ribotimin e veprave të Budit. Do të duhej një gjuhëtar i shquar, si ai, shumë i kulturuar dhe shumë i arsimuar, që ti hynte kësaj pune kolosale.

Syri vëzhgues i Mjedës kishte vërejtur se e folmja e gurabardhasve nuk kishte pësuar ndryshime dhe se ajo ruante shumë gjëra të përbashkëta me të folmen e Budit: (2) “Prifti katolik Z. D. Ndre Mjedja, i shoqnuem prej deputetit të Dibrës Z. Kol Mjeda, niset sot për Gurin e Bardhë për të ba studime mbi gjuhën e popullatës s'atjeshme. Kjo vizitë u shkaktue nga studimi i librit t'Imzot Pjeter Budit, lindur në Gurë të Bardhë, i cili libër u botue në vitin 1621 dhe formuen objektin e studimit të Z.-it D. Ndre Mjeda. Vizituesat do të bajnë nji krahasim midis librit në fjalë dhe gjuhës të asaj krahine, e cila thuhet se gjuhën e ka mbajtun të pa prekun, me qenë se nuk merr asi...nuk jep martesa në krahina të tjera.”

Interesimin e Dom Ndre Mjedës për veprat e panjohura të Pjetër Budit, e mësojmë përmes kronikës së deputetit të Dibrës, Kolë Mjeda, botuar në Leka. (3) Në moshën 64 vjeçare, gjuhëtari Mjeda, ndërmerrte një udhëtim të vështirë me kalë deri thellë në malësitë e Matit, për të gjurmuar të folmen e gurabardhasve, për të gjetur pika takimi me të folmen e Pjetër Budit. Udhëtimi në vendlindjen e Budit, na kujton ekspeditën tjetër shkencore, atë që ai ndërmori në krahinat e Elbasanit (maj 1917), për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, variant i gegërishtes jugore, për të cilin, Komisia Letrare e Shkodrës kishte vendosur që të vihej në themel të gjuhës së shkruar, të unjisuar, shqipe.

Ekspertiza në Gurin e Bardhë bënte pjesë në metodën krijuese të gjuhëtarit tonë, pjesë e projektit të tij për gjurmimin, studimin, transkriptimin fonetik dhe botimin e veprave të panjohura të Budit. Mjeda ka kërkuar gjuhën e Budit për të krijuar ura lidhëse mes dy kryedialekteve që, me kalimin e kohës, u larguan fonetikisht. I referohemi vlerësimeve në këtë pikë të rev. “Leka” që trajtoi problemin e gjuhës së shkruar të përbashkët: (4) “U xu me gojë këto dit edhe auktoriteti i Dom Ndre Mjedës. Dom Ndre Mjedja, gramatolog, glotolog e letrar i madh pernjiheri ka kenë me të sakt nji nder antarë ma kompetentë të Komisis Letrare Shkodrane qi dau unjisimin e giuhës në temel t”Elbasanishtes. Por na sot guxojmë me thanë se në Revistën tonë Dom Ndreu “defunctus adhuc loquitur”, sado i dekun flet ende...Vezhgues i kaditshem i shkrimeve të vjetra, qysh me kohë ishte kujtue për atë fenomen qi fort bjen në sy nder to: gegnishtja e tyne ma pak ndryshon prei tosknishtje së bashkohtarëve të tyne se gegnishtja e jonë prej tosknishtes së soçme. Kishte vërejtë edhe se në shumë krahina të veçueme të gegnis trajtat e vjetra t'asai shqipje ma të njinjishme ruheshin bukur mirë. Ky kje gjenezi is tudimit të ti përmbi Budin. Budin e zgjodh veçanarisht (pa lanë në harresë as tjerët) pse nder ma të vjetrit, e pernjiheri edhe mjaft i mirë si gramatik e si shkrimtar. E prei Budit e prei popullit, me krahasime me ndimë të dijes së thellë së vetës në lamë glotologjike, xuer pak ka pak e me evolucjone të padame theorin e vet gramatikore edhe orthografin. Mjerisht e xuni deka pa e lanë të kristalizote plotsisht theorin, e cila me të sakt do t'ishte kenë nji hap i mirë kah unjisimi. Na la vetëm botimin e vogël e jo ende të persosun “Vrejtje mbi artikuj e premna pronës” e orthografia qi përdorë sot revista e jonë, të cillën na e mësoi praktikisht tue qortue, me nji punim të giatë qi vazhdoi deri pak para deke, perkthimin tanë t'Unjillit të Shën Markut qi asht tash në shtyp. Nji punues njaq i persosun vonë e vonë ka per të mujtë me ja xanë vendin Dom Ndreut.”

Ekspedita në Gurë të Bardhë, ashtu si ekspedita 13 vjet më parë në Gurakuq, nuk ishte për Mjedën një shëtitje turistike, as si shkak për një frymëzim të ri poetik: kishte kohë që paleografi Dom Ndre Mjeda e kishte mbyllur atë kapitull. Mjeda kishte ndërtuar planin e tij me qëllim që të ribotonte librat e Budit duke arritur një besnikëri në shqiptimin e tekstit. Me transkriptimin fonetik të teksteve të vjetra, ai donte të gjente tingujt përmes shkronjave. Kjo sipas metodës së Mjedës ishte mënyra më e përsosur, megjithëse më e vështirë, për të ribotuar librat e vjetër të autorëve tanë të traditës. Përmes krahasimeve, të folmes së gurabardhasve me gjuhën e Budit, ai kërkonte të bënte një ribotim sa më shkencor. Sipas Çabejt “Transkribimi fonetik përbën strumbullarin ndër botimet e ndryshme të një shkrimi të lashtë. Prandaj rreth tij grumbullohen dhe shumica e problemeve, si çështjet e veçanta, si ato që kanë karakter të përgjithshëm e parimor. Nga të parat përbëjnë problem sidomos disa grafi të vështira, të cilat lënë shteg për më se një interpretim fonetik. E vështirë paraqitet disa herë edhe puna e akcentit, ajo e kuantitetit e në tekstet gegërisht ajo e vokaleve nazale. Në problemet me karakter parimor zënë një vend të parë sidomos alfabeti, karakteri i gjuhës e ortografia, kjo veçanërisht në lidhje me ndarjen e me bashkimin e fjalëve. Sa kohë që alfabeti është shprehje grafike e shqiptimit, me zbërthimin e atij brenda një teksti lidhet puna shkencore e një transkribimi fonetik.. .Për transkribimin fonetik të një teksti ka rëndësi të njihet karakteri i përgjithshëm i gjuhës së tij. Transkribimi lehtësohet kur dihet krahina prej së cilës rridhte autori; sepse në vijë të përgjithshme do të pranohet që një shkrimtar, sidomos të vjetrit, është mbështetur kryesisht në dialekt të vet. Kur dihet pra se cili është ky dialekt, mund të krahasohet gjuha e tekstit me këtë, si një metodë pune që sqaron sidomos disa vise të vështira të tekstit...Në zbatimin e kritereve të përgjithshme si dhe në zgjidhjen e çështjeve të veçanta puna e transkribimit duhet të ecë me akribi filologjike e me hapa shumë të matura e të përpiqet të arrijë një saktësi sa më të madhe. Qëllimi fundor është që me këtë të jepet një pasqyrë sa më besnike e gjuhës së autorit...” (5)

Përmes këtyre silogjizmave dhe vlerësimeve, ne mund të rindërtojmë në tërësi projektin ambicioz të Mjedës, si dhe lidhjet në mes të ekspeditës në Gurë të Bardhë(1930), kërkimeve këmbëngulëse të Mjedës për gjetjen e librave të panjohur të Budit, përpjekjeve të tij për ribotimin me transkriptim fonetik të pjesëve të Pasqyrës së të Rrëfyemit (1932), si edhe përgatitjes së lartë teorike e praktike, në fusha të ndryshme të dijeve filologjike të Mjedës, si, glotologjia, dialektologjia, etimologjia, tekstologjia, paleografia, ortografia, kaligrafia.

Ku qëndron hopi cilësor që sollën studimet e Mjedës mbi Budin? Të gjithë para tij shkuan deri në identifikimin, zbulimin dhe prezantimin e veprave të Budit. Mjeda qe ai që hartoi projektin më ambicioz dhe punoi gjatë e më këmbëngulje për studimin, transkriptimin, komentimin dhe botimin e veprave të Budit. Do të duhej një gjuhëtar i shquar, shumë i kulturuar dhe i arsimuar, njeri me vullnet të hekurt, me karakter e këmbëngulës, si Ndre Mjeda që t'i hynte kësaj pune kolosale. Por do të duhej që të vinte viti 1925, që Ndre Mjeda të arrestohej, të privohej nga mandati i tij përfaqësues në Asamblenë Kushtetuese, që ai të drejtonte energjitë dhe dijet e tij në fushë të studimeve të autorëve të vjetër e të Budit konkretisht.

Përsëritet historia. Ishte në traditën e fshatit Guri i Bardhë, me zakone konservatore, ku nuk bëheshin martesa me fshatrat përreth, ku për këto arsye gjuha e të vjetërve ishte ruajtur deri në ditët më të vona. Syri vëzhgues i Mjedës kishte vënë në dukje se e folmja e gurabardhasve nuk kishte ndryshuar shumë në kohë, gjë që e shtynte në përfundimin se ajo ruante shumë gjëra të përbashkëta me të folmen e Budit, pavarësisht nga distanca e madhe kohore (6) .

Për fat të mirë kemi trashëguar një kronikë të hollësishme të ecurisë së kësaj ekspedite. Itinerari i ekspeditës: Dom Ndre Mjeda ka shkuar me autobusin e linjës për në Tiranë, ku është bashkuar me deputetin e Dibrës, shkodranin Kolë Mjeda. Mendohet se ishin kushërinj. Me siguri ata duhet të kenë pajtuar fshatarë me kuaj që do ishin udhërrëfyes. Ekspedita ka filluar me kalë më 19 qershor 1930. Ishte parashikuar një udhëtim i vështirë, por me qëllim ishte zgjedhur muaji i qershorit, kur në majat e maleve nuk kishte borë. Rruga kalonte në shtigje të ngushta, dhe realizohej vetëm me kuaj të sprovuar në ato rrugë të thepisura, buzë greminave. Rruga në vijë ajrore ishte vetëm rreth 25 km, por ajo u përshkrua nga 64 vjeçari së bashku me suitën e që e shoqëronte për dy ditë. Guri i Bardhë ishte një fshat malor, atje pas maleve të Dajtit, në rrëzë të shpateve veriore të Malit me Gropa. Historikisht ky fshat është i përmendur sepse ishte pikë me rëndësi në rrugën që nisej nga deti Adriatik a kalonte nëpër mat e Dibër. Aty pranë ndodhet edhe kalaja e Skënderbegut, me emrin Portalba. Njihet pasioni i Ndre Mjedës për kuajt, si edhe që ai ishte një kalorës i zoti. Itinerari ka kaluar nëpër Tufinë, Shkallën e Tujanit, luginën e lumit Ishëm. Mbas një dite udhëtime të lodhshëm natën e kaluan në Hanin e Zallit. Heret, në mëngjesin e datës 20 qershor, janë nisur në drejtim të Qafës së Morizës, në mes të dy majave të Malit me Gropa, Maja e Kotit, (1391 m.) dhe Maja e Bastarit (1740 m. ). Në fshatin Guri i Bardhë kanë arritur në kohën e drekës. Gjithë pjesën tjetër të ditës, Ndre Mjeda, ka pasur kontakte me banorë të fshatit Guri i Bardhë. Banorët e fshatit kishin ruajtur konfesionin katolik deri në kohët më të vona. Ato as nuk japin dhe as nuk marrin me fshatrat përreth. Mbasi, përfundoi ekspertizën gjuhësore, dom Ndreu së bashku me shoqëruesin e tij, Kolë Mjedën, janë nisur më 21 qershor në rrugën e kthimit, kësaj radhe, përmes një itinerari tjetër, nëpër luginën e lumit Mat, në drejtimin Jug-Veri, për shkak se terreni është në zbritje: Kanë fjetur natën e parë në Bershê dhe natën tjetër në Burrel. Më 23 qershor kanë kalëruar nëntë orë në rrugën Burrel-Krujë. Në vitin 1930, rruga automobilistike Burrel -Krujë, pothuaj, ishte përfunduar, ndërsa me përfundimin e Urës së Matit, Tirana me Shkodrën, janë të lidhura me linjë automobilistike të rregullt. Mjeda ka filluar të paktën 1930 të mendonte të interesohej për Budin e gjuhën shqipe të përdorur prej tij. Duke e parë këtë çast në kuadrin e angazhimeve të mëvonshme të Ndre Mjedës, kuptojmë se Mjeda ka menduar të njohë gjuhën e Bardhit të ruajtur në fshatin e tij të lindjes, përpara se të transkriptojë veprën e tij të panjohur Pasqyra e të Rrfyemit dhe ta pajisë atë me shënime. Mjeda mendon se gjuha e Bardhit është ruajtur në këtë fshat nisur nga fakti se aty nuk janë bërë martesa jashtë fshatit dhe kështu nuk ka pasur prurje të reja nga krahinat për rreth. Kjo ka bërë që e folmja e tij është konservuar nga thellësitë e viteve deri në ditët tona. Bie në sy puna shkencore në sistem që bënte Mjeda. Ai jo vetëm që nuk u ngut, por tregoi një këmbëngulje të madhe për të vazhduar projektin e tij për gjurmimin e veprave të panjohura të Budit, për fotografimin, për transkriptimin fonetik, si dhe për botimin e tyre. Mësojmë se Mjeda ka kërkuar gjuhën e Budit për të krijuar ura lidhëse mes dy kryedialekteve që, me kalimin e kohës, janë larguar fonetikisht. Mësojmë Ndre Mjedës, gjatë rrugës që ndoqi për të sjellë fotografitë e veprave të Budit përmes një dore të tretë, i dolën shumë probleme të paparashikuara. Bile Mjedës i dolën probleme edhe vetë brenda redaksisë apo pronarëve e personave përgjegjës të rev. “Leka”.

______________________

1. Dom Ndue Doçi, Dom Ndre Mjedja, Cirka, vj. III, nr. 49-50, fq. 195, Shkodër, 31.07.1938

2. Nji vizitë shkencore në Gurin e Bardhë, në Vullneti i Arbërisë, viti 1, nr. 10, fq. 4, Tiranë, më 20 qershor 1930.

3. Kolë Mjeda , Kah trojet e Budit, Leka, v. II, fq. 97-100, Shkodër, korrik 1930.

4. Çashtja e giuhës, Leka, vj. X, nr. 6-7, fq. 272-274, Shkodër, 1938

5. Eqerem Çabej, Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre, Bul. i Univ. Shtet. Tiranës, 1959, nr. 2, fq. 104-115.

6. Nji vizitë shkencore në Gurin e Bardhë, në Vullneti i Arbërisë, viti 1, nr. 10, fq. 4, Tiranë, më 20 qershor 1930: “Prifti katolik Z. D. Ndre Mjedja, i shoqnuem prej deputetit të Dibrës Z. Kol Mjeda, niset sot për Gurin e Bardhë për të ba studime mbi gjuhën e popullatës s'atjeshme. Kjo vizitë u shkaktue nga studimi i librit t'Imzot Pjeter Budit, lindur në Gurë të Bardhë, i cili libër u botue në vitin 1621 dhe formuen objektin e studimit të Z.-it D. Ndre Mjeda. Vizituesat do të bajnë nji krahasim midis librit në fjalë dhe gjuhës të asaj krahine, e cila thuhet se gjuhën e ka mbajtun të pa prekun, me qenë se nuk merr asi...nuk jep martesa në krahina të tjera.”
Back to top
- Stella -
Sun Aug 19 2012, 04:49PM

Registered Member #3337
Joined: Wed Sep 23 2009, 01:25PM

Posts: 5474
.

[ Edited Sun Aug 19 2012, 04:53PM ]



Le cadeva addosso una malinconia dolce
come una carezza lieve,
che le stringeva il cuore a volte,
un desiderio vago di cose ignote.


Back to top
- Stella -
Sun Aug 19 2012, 04:52PM

Registered Member #3337
Joined: Wed Sep 23 2009, 01:25PM

Posts: 5474

Njeqind vjet poema ma e madhe e Mjedes 'Andrra e jetes'

trokit ketu



Le cadeva addosso una malinconia dolce
come una carezza lieve,
che le stringeva il cuore a volte,
un desiderio vago di cose ignote.


Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System


Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Eurodita Live - Trokit




Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube

Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.3539 sec, 0.0236 of that for queries. DB queries: 48. Memory Usage: 2,844kB