Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Forumi i ShkodraOnline.com :: Folklori
 
<< Previous thread | Next thread >>
Kisha ( Kanuni Leke Dukagjinit )
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
Tafil Ibriku
Tue Aug 12 2008, 11:52pm

Registered Member #335
Joined: Thu Jan 11 2007, 09:16pm

Posts: 201
NYE I PARË.

Hija e Kishës.



§.1. Kuptimi i Hijes së Kishës.

Per hije kishet xêhet rrethi mje kû mrrîn kufîni i tokës, në të cillen âsht ndertue:

a) Kisha, b) bâna (qela) e famullitarit.



§.2. Tagri i Kishës.
"Kisha bân tym në famullí."

– Kisha ká tager pasunijet si per gjâ, si per tokë e shpija mbrendë e jashta famullijet.
– Kisha ká pjesë në mal, në vrrî, nd’ujë e në mullî të kujrís së famullís.
– Kishës i duhet bâ pjesë në gionë të famullís.
– Kisha ká tager me blé e me shitë, si edhè me mârrë e me mbajtë të falunat, qi i vînë prej bujarís së bâmirve e me vendue si t’a shofë vetë me udhë.
§.3. Paperlimsíja e Kishës.
"Kisha nuk giobitet."
"Kisha s’ká pèng me kend."

– Kisha gjindet e vendosne nen sundim të të Parit të Fés e jo nen ligjë të Kanunit: prandej Kanuni s’mund t’i vêjë kurrnji barrë kishës, veç se ká detyrë me i dalë zot, kúr kjo hupë ndihmen e tij.
– Me bìjtë ndonji kundershtim ndermjet kishës e famullís, famullija s’mund t’i lypë pêng kishës; veç do të bâjë váj te i Pari i Fés – te Ipeshkvi – e gjygjit të këtij, si kisha si famullija, do t’i rrîjn pá fjalë.
– Per çdo mungesë, qi kisha mundet me bâ në sy të famullís, kishës s’mund t’i mirret gioba, vetun i vêhet me lá damet, qi t’jenë bâ per shkak të saj.
– Kisha s’ep pagesa, as del n’ushtrí, as u qet buken djelmve të Bajrakut, as shkon angarí nder pûnë të famullís. Veç se kúr famullija dán me bâ ndo’i pûnë per me mbajtë a per me shtue pasunín e kujrís së vendit, në të cillen kisha të két pjesë, kjo, atëherë, âsht në detyrë me lá pare, me qitë buken e me çue pûntorin në pûnë, mbas mndyret qi famullija t’i a u ketë dá të gjithve per tym.
§.4. Ndera e Kishës.
"Kisha shpatë e konop s’ká."
"Kush dhûnon Kishen, dhûnon Famullín."
"Nderen e Kishës e lypë Famullija."
"Kishës, mullìnit, farkës e tregtores nuk i pritet kush mik."

– Kush dhûnon kishen, ká detyrë gioben a) kishës, b) famullís, c) Flamurit (Bajrakut). – Dhûnon kishen njaj, qi fjaliset, shán a i kercnohet kuej, qi rreh a vret kend në Hije të kishës.
– Gioben e fajtorit i a mêrr famullija e jo kisha; pse kisha shpatë e konop s’ká.
– Kush vritet a rrihet a në çë farë-do mndyre koritet prej kuej, tuj hî a tuj dalë prej Hijes së kishës, marre kishës nuk i lên; pse kishës s’i pritet kush mik.
– Por, me pasë me krisë pushka jashta Hijes së kishës a me i rá kush ndore kishës, atëherë aj njifet miku i kishës, famullija âsht në detyrë me e çue nderen e saj në vend (Vinctum, si aedes ejus (Dialis Flaminis) introierit, solvit necessum est. – Gellius, b. 10. C. 15. –)


NYE I DYTË.

Vorret.

§.5. – 1. – Në vorre të njij vllaznije a të njij fisi s’hîn i dekuni a i vrami i vllaznís a i fisit tjeter. – Po e bâni kush ket pûnë pá lêje të vllaznís a të fisit, të cillit jânë vorret, Kanuni i vên detyrë me xjerrë të deknin prej vorrit të huej.

– Me ardhë me ngulë në katund nji shpí, qi s’ká vllazní as fis, mbas të pelqyemit të katundit, i caktohet vendi i vorreve nder vorre të famullís, tuj i a vû detyrë me lá si ’i vjetë nji vjetë, nji çmim kishës per me blé qira a ndo’i send tjeter per ltér.
– Kush fjaliset, a hán e i kercnohet kuej, e kush vret a rreh kend nder vorre, bjen në giobë si per Hije të kishës.


NYE I TRETË.

Pronet e Pasunít e Kishës.

§.6. Pronet e pasunija e kishës jânë të paprekshme.

– Pronet e pasunija e kishës jânë të paprekshme e s’mundet kush me vû dorë më’to.
– Pronet e pasunija e kishës jânë nen rojë të Meshtarit të kishës e të famullís.
– Atê, qi guxon me u shty kah pronet e pasunija e kishës, e bjen në mend famullija, tuj e bâ, mbas Kanunit, me hjekë dorë prej sosh.
– Kúr ndokush t’i bâjë dâm kishës kah pronet e pasunija, famullija çmon dâmin, qi do t’a lajë dâmçori.
– Kush vjedhë gjânë e kishës, posë se do t’a kthejë at gjâ mbas Kanunit të vêndit, kû gjindet kisha, ká edhè detyrë me i lá gioben kishës per nderë të mârrme, e gioben famullís per ndore të çartne, pse kisha âsht ndorja e famullís.
– Kúr cubi e njef gabimin e vet e, pá u mârrë vesht dhûna, qi i ká bâ kishës, i bjen në dorë Meshtarit të Famullís, tuj i a kthye gjânë e vjedhme, s’ká detyrë kurrfarë giobet: Meshtari ká tager me e falë.
– Me pasë me i rá cubi në dorë Meshtarit mbasi ky t’a két leçitë vjedhsin në famullí, famullija ká tager me i a mârrë gioben si per vedi si per kishë, edhè pse famullitari t’i két falë gabimin, me gjith gjâ të vjedhne.


§.7. Rregullimi i pasunís së Kishës.

– Pronet e pasunín e kishës e rregullon Famullitari, e famullija nuk ká tager me i lypë arsye Famullitarit per perdorim të frytit të xjerrun prej pasunís së kishës.


NYE I KATERT.

Meshtari i Famullís, ase Famullitari.

§.8. T’êmnuemt e Famullitarit.

– Famullitarin e vên Ipeshkvi në Famullí, edhè Ipeshkvi vetun ká tager me e hjekë prej Famullije.


§.9. Tagri e detyrët e Famullitarit.

– Famullitari ká tager me mësue e me qortue Famullín e me i krye zyret e Fés gjithsi t’a lypë pûna e shpirtit, e kurrkush i famullís s’ká pushtet me i u perzie nder detyrë të Meshtarís.
Famullitari, per sherbim, qi i bân Famullís, ká tager me mârrë të dhettat e kishës, mbas Kanunit të vendit kû gjindet kisha.
– Famullija nuk ká detyrë me i a çue famullitarit të dhettat te dera; por Famullitari o t’i xjerrë e do t’i bajë me pûntorë të vet.
– Famullitari ká tager me mârrë frytin e pasunís së kishës si të tokve, ashtu edhè gjâve të gjalla, e kurrkush per tê s’mund t’i lypë arsye perposë të Parit të vet.
– Famullitari ká detyrë me i bâ Famullís gjith at sherbim shpirtit e Fejet, qi atij i a vên barrë Kanuni i kishës; e mâ teper edhè do sherbime tjera të posaçme nder do ditë të shênjueme, si me thânë: me bekue shpijat, me thânë Meshë ndo’i herë në motmot nder vorre të largta prej kishës së Famullís etj.
§.10. Vehtja e Famullitarit âsht e paprekshme.
"Prifti âsht ndorja e Famullís."
"Prifti s’bjen më gjak."
"Prifti s’çohet në bé."

– Kush vên gojë në Famullitár, a e shán e i germushet, e vên dorë më tê e e rreh, ase e vret aj do t’i perligjet Famullís në mëndyrë të Kanunit të vendit. Famullija âsht në detyrë me e lypë nderen e Famullitarit të vet.
– Me vrá kush Famullitarin, gjaksin e ndjekë Famullija, Bajraku e shpija e të vramit.
– Me u vrá dorërasi prej Famullije a prej Bajrakut, shpija e Meshtarit nuk mund të vrasë tjeterkend prej shpís së gjaksit; pse ndryshej e çon gjak te shpija.
– Me vrá kend Meshtari, as kisha as Meshtari s’giobiten, edhè Meshtari nuk bjen në gjak: gjakun e bán shpija e Meshtarit.
– Rrallë e gadi kurr s’çohet Meshtari në bé1 e vetun per pûnë të madhe fort.
– Me ndollë qi Meshtari çohet në bé, a per me dlirë vedin a per Poronik, ky vetem do të njehet e do të zêhet per njizet-e-kater vetë.
– Kúr Meshtari bân bé, tuj kênë se xêhet per nieri i drejtë e i kushtuem së Drejtës së pasosme, nuk lypet qi aj të perkasë Unjillin me dorë; por mjafton qi të shqyptojë fjalët e bés para Unjillit.
– Me rá Famullitari nen giobë s’e kapë Kanuni: âsht pûna e të Parit të vet.
– Po kje teper i randë faji i Meshtarit ndaj Famullín, Meshtari do t’i shtrohet gjygjit të Kanunit. I Pari dergon nji Meshtár tjeter me shtrue pengun në Kanû n’êmen të Famullitarit.
– Meshtari i Famullís mundet me i u mâtë edhè me i rá ndokuej e me gjith këta s’i lshon marre as të rrahunit as vetë nuk bjen në faj para Kanûnit.2


NYE I PÊSËT.

Rrogtari i Kishës.

§.11. – 1. – Rrogtari i kishës âsht lirë me pûnue në shtek të vet.

– Rrogtari i kishës kûdo të shkojë e per çë do fjalë qi do t’i trokllojë kuej te dera mbas urdhnit të zotnís së vet, aj shkon e tregon n’êmen të Famullitarit.
– Me e tundue kush rrogtarin e kishës me fjalë a me pûnë, zêhet se tundon Famullitarin, e bjen në giobë të kishës mbas Kanunit.
– Gioba, qi mirret per pûnë të rrogtarit të kishës, nuk i perket rrogtarit por kishës e katundit.
– Me vrá kush rrogtarin e kishës, dorërasi per në kjofët i Famullís së vendit, ndiqet vetem prej shpís së të vramit; por, në kjoftë se âsht i katundit të huej, atëherë e ndjekë edhè Famullija, në të cillen rrogtari kje vrá.


NYE I GJASHTËT.

Pûntorija e Kishës.

§.12. –1. – Me ngá kush pûntorët e kishës, bjen në giobë të Famullís.

– Sado pûntorë me pasë per të kênë në pûnë të kishës gergasi lán vetem nji giobë, por mâ të randë.
– Gioba, qi mêrret per ngase të pûntorís së kishës, dahet ndermjet kishës e pûntorve.



--------------------------------------------------------------------------------

Artikull i dytë

PJESA NDESHKIMTARE.

NYE I SHTATËT.

Amtyra e ndeshkimeve.

§.13. Kuptimi i Ndeshkimit.

Per ndeshkim kuptohet nji e keqe, qi prej pushtedit të ligjshem i pertrîhet kuej per faj të bâm.



§.14. Të caktuemt e Ndeshkimeve.

Vetem Bajraktari me krenë, e ndo’i herë edhè me të Parë të kishës, ká tager me i a caktue ndeshkimin fajit të bâm kundra kishës.



§.15. Të dhânunt e ndeshkimit.

Fajtorit, qi ká fye kishen, ndeshkimi i epet prej krenve e prej vogjlijet.



§.16. Cilltija e Ndeshkimeve kundra fajtorve të kishës.

Ndeshkimet, qi nepen per faje kundra kishës, jânë njikëto:

të gjykuemt per dekë;
të xjerrunt prej Bajrakut me rob e robí;
të djegunt e shpís;
të lânunt e tokës djerr a të prémt e pêmve;
gioba me gjâ të gjalla;
gioba me pare.
V.O. Mbas Kanunit gioba me pare mundet me u lá me do gjâ, tuj dhânë oken e drithit 1 grosh, oken e rakís 5 grosh, e kán e hullís 400 grosh.



NYE I TETËT.

Caktimi i Ndeshkimit mbas cillsís së fajit.3

§.17. – 1. – Kush then kishen, âsht i djegun e i pjekun e i qitun me rob e robí jashta Bajrakut. Fajtori – dorërasi – bâhet batare prej Bajrakut, e shkon gjakhupës. Vllaznija a fisi mâ i aferm i bâkeqit e blén token e tij, e çmimi i saj i shkon kishës së thyeme.

– Kush vjedhë gjân e huej, e shkon e e mshehë në kishë, pá dije të Famullitarit, i ká detyrë kishës 1000 grosh giobë per nderë të mârrme, e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut, posë gjâsë, qi do t’i a kthejë të zot’t në mëndyrë të Kanunit.
– Kush të vjedhë gjânë e gjallë të kishës, më rreth kû pershîn Kanûni, ká me lá dý per nji, si gjithkuej.4
– Kush të vjedhë në qelë a bâne të Famullitarit, do të lajë dý per nji gjân e vjedhne, 100 grosh kishës per nderë të mârrme, e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut.
– Aj, qi shán a vên gojë më Meshtár të Famullís perpara popullit, ká 100 grosh giobë kishës, e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut.5
– Aj, qi i kercnohet a i germûshet Famullitarit, do të láj 10 desh giobë.
– Kush t’i shpifet Meshtarit në pûnë të randë kah ndera, ká shpín e djegun e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut.
– Me vû kush dorë më Meshtár, me e rrahë, me e shty a se me e pshty, i a lânë tokën bár (djerr) per disá vjetë.
– Aj, qi vret Meshtarin, bâhet batare prej Bajrakut e gjaku i hupë. Mâ teter i digjet shpija, toka i lîhet bár, pêmët, vneshta e kopshtîjet i priten e i rrênohen. Toka e pronet e dromet e tija jesin per kishë; por vllaznija munden me i shperblye me pare.
– Me i folë ndokush keq, a me ngá rrogtarin e kishës, aj do t’apë 10 desh giobë Bajrakut, a se edhè mâ, mbas randsís së fajit.
– Aj qi vret Rrogtarin e kishës, po kje dorërasi i katundit, i digjet shpija e i mirren 100 desh e 1 ká per giobë.
– Me ngá kush me fjalë a me pûnë puntorët e kishës, fajtori do të lajë gioben e 10 deshve.
– Aj, qi s’i vêhet ndeshkimit të kishës e të Kanûnit, Bajraku do të mblidhet tok te shpija e tij e do t’i mârrë gjithshka të két në vathë.
Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1986 sec, 0.0626 of that for queries. DB queries: 33. Memory Usage: 2,525kB