Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 06:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 15:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 09:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 06:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 16:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 09:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 16:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 10:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 06:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 13:44



Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Facebook -






Twitter
11
02.2007

Anës e pas anës Bunës

.: Deno :.
Fatos Baxhaku - Gazeta SHQIP
Rrallë ndodh që tre lumenj të vendosin të shkojnë bashkë drejt detit, pasi kanë ecur me kilometra të tërë të vetmuar mes malesh të lartë. I tillë është rasti i Shkodrës. Më parë Kiri përzihet me ujërat e ftohta të Drinit, që për të mbërritur deri këtu ka bërë mbi 120 kilometra rrugë. Pastaj të dy lumenjtë bashkë, tashmë të bindur se u erdhi fundi, i ngjiten Bunës, lumit që nxjerr në Adriatik ujërat e Liqenit të Shkodrës. Bashkimi mes Drinit dhe Bunës ndodh vetëm pak metra larg Urës së Bahçallëkut, të parës urë që duhet të kapërcesh për të mbërritur në Shkodër. Bahçallëku është një lagje e vjetër periferike e Shkodrës. Këtu më shumë se gjetiu e kanë vuajtur peshën e rëndë të ujërave që vërshojnë nga malet. Shtëpitë e kësaj lagjeje thuajse janë ndërtuar që të gjitha pas tërmetit vrastar që goditi Veriun në prillin e 1979-ës.

Mbi lagjen e njohur ka nisur të bjerë një shi i fortë. Mezi mundemi të bëjmë ato pak metra që ndajnë xhadenë e rrugës nacionale me bregun e lumit. Të strukur në strehën e një xhamie të rindërtuar nga fillimi, fare afër brigjeve të lumit, arrijmë të shohim vendin ku takohen Drini dhe Buna. Në heshtje, vetëm duke u gëzuar me ndonjë vorbull të hareshme, të dy miqtë e vjetër nisin rrugën e përbashkët drejt detit, një rrugë që zgjat diçka më tepër se 40 kilometra. Vendosim edhe ne që ta ndjekim këtë rrugëtim drejt detit. I gjithë peizazhi është krejt i lagur, jo vetëm nga shiu që nuk rresht së rëni - shiu i famshëm i Shkodrës - por edhe nga protagonizmi i thellë i dy lumenjve që këtu, tashmë krejt në fushë, bëhen edhe më hijerëndë. Uji u jep një pamje tjetër jo vetëm vendeve, por të paktën neve na duket kështu, edhe njerëzve. Këta, na duken sot më të ujshëm se kurrë ndonjëherë tjetër. "Po ndjekim Drinin, apo Bunën? Apo të dy bashkë?", e pyesim një kalimtar që na duket si më i moshuar se të tjerët. "Bunen, Bunen, s‘ka ma Dri knej", përgjigjet shkodrani në dialekt të theksuar, disi i çuditur nga injoranca jonë gjeografike. Këndej pra, vendoska Buna. Drini i maleve nuk mund të mbretërojë edhe në fushë.


Nga rruga në Shirgj


E humbim për ca kohë nga sytë rrjedhën e Bunës. Makina merr rrugën që të çon në Velipojë, plazhin e njohur të Shkodrës. Për fat rruga është krejt e asfaltuar dhe nuk bëjmë mundim që të përshkojmë shpejt fshatrat që shtrihen majtas e djathtas xhadesë. Rruga në fillim kthen në Bërdicë, një fshat i madhe e i rëndësishëm me shtëpi të reja dhe shumë impozante. "Aha, e mora vesh, duhet të jenë marrë edhe këta ndonjë çikë me naftën", thotë njëri prej nesh krejt i sigurt në vetvete. Më vonë, kur të rrimë ca më gjatë me fshatarët e këtyre anëve, do të mësojmë se më shumë se nafta, vendin e ka mbajtur emigracioni i të rinjve.

Diku, pas ndoca dhjetë kilometrash marrim rrugën djathtas. Instinktivisht e ndjejmë se tani po i afrohemi rrjedhës së Bunës. Kemi marrë rrugën e Shirgjit, për fatin e mirë të shoferit tonë edhe kjo është e asfaltuar. Në të hyrë të fshatit ndalojmë mbi urën e një kanali, krejt në hyrje të Bërdicës. Mundohemi të përfitojmë nga një "armëpushim" që na ka dhënë shiu dhe shpejtojmë të bëjmë disa foto. Nga një ndërtesë e vogël gri, del, me thënë të drejtën, ca i shqetësuar, një burrë flokëthinjur. "E prej ka jeni ju?", burri afrohet si me ndrojtje. Eshtë Gjergji, përgjegjësi i KESH-it për një stacion që ndodhet aty pranë. Tani e kuptojmë shqetësimin e tij. Gjergji është njeriu që ul e ngre çelësin e dritave për shumë fshatra këtej rrotull. Orari është 7 me 15. Me Gjergjin miqësohemi shpejt, madje është ky vetë që na prezanton me fshatarët e tjerë, me Kolën, dyqanxhiun, të zotin e asaj godinës së vogël gri, me Njacin, një fshatar shtatlartë, që kush e di sepse qesh vazhdimisht, dhe më pas me vetë kryeplakun, Markun, me të cilin do të ndajmë udhëtimin edhe më tej. Marku në fillim, sa pa u miqësuar mirë, flet për hallet e fshatit në përgjithësi. "Nuk asht se jena keq në krahasim me fshatrat e tjera se ktu gjinja janë puntorë, por do gjana t‘vogla edhe kishin mujt mu rregullu. Përshemull sikur t‘na e kishin rregullu kte rrugen qi na lidh me Daragjatin, kishim mujtë me shku ma shpejt n‘Shkodër. Ose kjo historia e kanaleve. Ju e dini vetë ma se ça t‘ban Buna kur del prej shtratit. Ne e kena sistemin me kalu uji, porse kanalet janë mushë krejt dhe kshtu uji na përmyt tokat krejt". Kaq ishte pak a shumë "konferenca e shtypit" që u zhvillua në dyqanin e vogël të Shirgjit, pastaj biseda kaloi sigurisht te tashmë të pashmangshmet zgjedhje. Nuk na duket se fshatarët e Shirgjit kanë ndonjë dyshim se për kë do të votojnë. Të paktën në dyqanin e vogël njerëzit janë në një mendje se kujt do t‘ia "napin" votën. Sigurisht që ne nuk mund ta themi që tani fitimtarin. S‘ke ç‘t‘i bësh. Lexuesi i nderuar duhet të presë edhe një javë. Janë vetëm shtatë ditë.

Një djalë, tipik nga ata që kanë dëshirë të dëgjojnë muhabetet e më të rriturve, nuk shqitet nga dyqani. Eshtë Roberti. Vjet ka mbaruar klasën e tetë. Ne i bëjmë atë pyetjen stereotipe: Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh? Meqë ishim afër Shkodrës, kujtonim se përgjigjja do të ishte të paktën futbollist. Porse djali ngre supet thjesht: "E ça po di vetë kët punë e din baba…". "Baba e din" vërtet dhe "baba" i ka thënë Robertit që të ruajë lopën që po kullot diku aty afër, anës një kanali.


Nën hijen e shenjtit Sergj


Shirgji është një fshat i madh e shumë i shtrirë. Zyrtarisht i ka 1100 frymë. Që nga xhadeja e deri në rrjedhën e Bunës duhet të ecësh për do kohë përmes shtigjeve të rrethuara nga plepat a kallamat. Ndonëse nuk e njohin edhe aq mirë fshatarët janë krenarë për historinë e tyre. "Jena fshat i lashtë", këtë shprehje e përsërisin të gjithë. Në fakt, fshati jo vetëm ka histori, por e ka edhe të çuditshme. Që në shekullin VI pas Krishtit, kohë në të cilën u pat ndërtuar këtu edhe një manastir benediktin, në këto treva shenjti më i veneruar ishte Shën Sergji. Në shekullin e III, Sergji ishte një legjionar kufiri romak në Sirinë e largët. Kishte për detyrë që të zbatonte të gjitha urdhërat që jepeshin për të shtypur të krishterët. Por në vend që ta luftonte Sergji e përqafoi fenë kristiane duke marrë kështu përsipër të gjithë zemërimin e Masimino I, një perandor i pamëshirshëm që kishte dalë nga radhët e ushtarakëve. Sergji u ekzekutua së bashku me shokun e tij Bakus, edhe ky shenjt dhe u varros në një kodër, emri i së cilës ka një ngjashmëri befasuese me emrin e një fshati që është vetëm pak kilometra larg Shirgjit. Vendi ku u varros Sergji në Siri quhej Barbalishta, kurse fshati afër Shirgjit është i njohuri Barbullush. Jo vetëm kaq, porse duket se edhe emri Rozafë, emri i kështjellës legjendare të Shkodrës, vjen nga Rusafa, vendi ku u martirizuan Sergji dhe Baku. Në Rusafën e Sirisë perandori i Bizantit Justiniani pat ndërtuar më pas një qytet që e quajti Sergiopolis. Çdo 7 tetor të krishterët e mbetur në Siri kujtojnë Shën Sergjin, që është njëkohësisht edhe shenjti i tyre kombëtar. Përse pikërisht këtu këto lidhje me një ngjarje që është zhvilluar me mijëra kilometra larg, në Lindjen e Mesme? Ndokush prej historianëve edhe pat shkruar se pikërisht këtu ishte vendosur që herët një komunitet të krishterësh sirianë që sollën me vete edhe kultin e shenjtit të tyre më të rëndësishëm.

Me këto mendime jemi afruar si pa e ndjerë në brigjet e Bunës. Në Shirgj, Buna ka një bukuri befasuese. Rrjedh ngadalë dhe hijerëndë përmes fushës dhe kodrave të buta pa pasur asnjë nxitim. Njësoj si t‘i nënshtrohet një lloj fataliteti. Bashkë me Markun, kryeplakun tashmë e dallojmë atje tej siluetën hijerëndë të fasadës së Kishës së Shirgjit, ose Kishës së Shna Prenës, sikurse e quajnë sot vendasit. Eshtë krejt e në buzë të ujit dhe në fillim ne dallojmë përpjekjet që janë bërë për ta ruajtur fasadën e mbetur të kishës nga gërryerja që vazhdon prej shekujsh. Disa betonime, disa pengesa të tjera dhe gurë të hedhur kohët e fundit luftojnë përditë me këmbënguljen e qetë, por gërryese të lumit. Por edhe këto duket se nuk mjaftojnë. Disa nga pengesat që duhet të ruajnë atë ç‘ka mbetur nga kisha kanë përfunduar vetë në mes të Bunës. Ne dhe Marku sillemi për do kohë rreth rrënojës hijerëndë. Na duket se në ndonjë kënd, andej pas nga janë ende varret e fshatit, do të na shfaqet Elena, mbretëresha, e shoqja e Dushan Nemanjës, e cila e pat ndërtuar këtë kishë madhështore në fund të shekullit XIII-të. Varri i saj duhet të ketë qenë diku atje në mes të një gjiri, që Buna e ka krijuar pas shumë shekujsh.


Në kërkim të lirisë


I kalojmë shpejt e shpejt ato pak kilometra që ndajnë Shirgjin nga Dajçi. I thonë "i Bregut të Bunës" për ta dalluar nga homologu i tij që është në Zadrimë. Ky është një fshat i madh e i begatë. Zakonisht qendra e fshatit gjallërohet nga njerëzit që shkojnë e vijnë, porse shiu i sotëm i ka strukur që herët në shtëpi. Ecim për do kohë nëpër fshatin e gjerë, duke u sorollatur nëpër lagjet që duken njësoj si ato të periferive të qyteteve të mëdha. Nuk kemi më se ç‘të bëjmë në mes të rrugicave të përbaltura keq nga shiu i fortë, kështu që vazhdojmë të ecim më tej. Diku, vetëm pas pak kilometrash rrugë, dëgjojmë Markun të flasë: "Ja ktu ka kenë kloni i kohës së Enverit, që knej e mrapa ishte zonë kufitare. Edhe puntort shkoshin n‘punë n‘grup dhe u bashin apel kur shkoshin e kur vishin". Tani kemi një tjetër muhabet, atë të arratisjeve. Më parë Gjergji, tekniku i KESH-it, na kishte treguar se si një dhëndër i tij së bashku me dy të tjerë e patën kaluar klonin, duke u fshehur në një karrocë të mbushur më kashtë. Ushtarët e kanë kontrolluar me bajonetë karrocën, por për fat tre të rinjtë kanë arritur të mos diktohen. Pastaj "me tesha n‘kry" kanë notuar natën dhe kanë dalë matanë. Më pas në Beograd dhe që këndej në Kanada. Gjergji vitin nuk e mban mend edhe aq mirë, porse i kujtohet se ka qenë një nëntor goxha i ftohtë.

Ndërsa vazhdojmë të udhëtojmë ngadalë përmes asaj që dikur quhej "zonë kufitare", Marku na rrëfen histori të tjera. "Asht një fshat ktu afër që i thonë Samrisht. Nji prift, Dom Marin Shkurti dhe familjarët e tij, vlleznit me gra e fmijë kanë kalu Bunën me lundër një natë dimni. Kanë kenë gjithsej 20 vetë. Nuk dihet pse, porse Jugosllavia i ktheu. U pat thanë atherë se u shkëmbynë me disa që dorëzoi Sigurimi që këndej. E maj men gjyqin, ia kanë ba n‘Dajç. Shumë banë burgje e të tjerët u internunë. Janë kthy vetëm në 1988 prej internimit. Sa histori kena kshtu. Duhet me nejë gjatë me i thanë të tana".

Rruga nis të ngjitet në një faqe kodre shkëmbore. Që këtej e shohim sërish Bunën. Tani nuk është veçse një lumë, tani është edhe kufiri që ndan dy shtete, Shqipërinë me Malin e Zi. Jemi në Shkallën Belaj. Përballë, matanë Bunës disa shtëpi të ulëta dhe një postë e vogël kufitare janë shenjat e para të Malit të Zi. Lumi duket se nuk e çan edhe aq fort kryet për atë çka vendosin vdekatarët njerëz. Vazhdon të rrjedhë me të njëjtën rëndesë prepotente drejt fatit të tij, detit. Marku i rikthehet edhe një herë historive me të arratisur. "Prej itu asht hedhë nji shofer prej Shirgjit, Tonin Zadrima i thoshin. Kufitart i kanë gjujt ma shumë se 30 pluma po ka arritë me dalë matanë. Po ka pas edhe prej atyne që i kapshin. Një fshatar prej Malit t‘Jushit e kanë kapë dhe e kanë rrahë aq keq sa qi ka vdekë gjatë rrugës për në Shkodër. Më kujtohet edhe nji shkodran qi e kapën dhe e shëtitën nëpër Dajç për t‘vu mend të tjerët. Ju thashë nji herë historina kena boll". Me të vërtetë që bëhen shumë histori, që nga Shën Sergji, martiri i krishterë, te të arratisurit e kohëve moderne, e deri te historitë më të fundit me zgjedhje. Poshtë, mes kodrave Buna vazhdon të rrjedhë shpërfillëse dhe hijerëndë njësoj sikur gjatë të gjithë këtyre shekujve të mos ketë ndodhur asnjë gjë. Zaten, kështu u takon të jenë gjërave të përjetshme.

Një tender i dështuar mbi Bunë


Ka qenë një marrëdhënie e ngatërruar kjo mes Drinit, Bunës e Kirit. E ngatërruar, por edhe e frikshme, dhe, për më tepër, vdestare. Kur Drini, që vinte nga malet, mbushej me ujët e bjeshkëve atëherë nuk kishte më vend për Bunën, ajo duhej të lëshohej në fushën që i përkiste dhe ta përmbyste atë. Shkodranët e kanë vuajtur gjatë këtë punë. Andej nga fundi i shekullit XIX-të, një biznesmen i suksesshëm vendas, Filip Parruca, vendosi të ndërtojë një shoqëri të përbashkët me disa ortakë të tij vendas. Parruca iu drejtua një shoqërie franceze, e cila pranoi projektin. Parapagimi ishte 250 napolona flori, shumë që bëhej e francezëve nëse projekti dështonte. Në mirëbesim, Parruca e pagoi nga xhepi i tij edhe pjesën e ortakëve. Ideja ishte që t‘i hapej rruga Drinit përmes kodrave dhe të largohej nga Shkodra. Madje, ishte parashikuar edhe ndërtimi i një hidrocentrali. Sipas të gjitha gjasave, nëse punët do të shkonin mirë, francezët do të merrnin përsipër edhe ndërtimin e hekurudhës Shkup-Shkodër. Një inxhinier italian, Vicentini, u vendos në shtëpinë e Parrucës dhe bëri studime që zgjatën për disa muaj.

Projekti shpëtimtar, sigurisht që ngjalli zili. I pari që u duk pas inxhinierit të dërguar nga francezët ishte një tjetër italian. Ai quhej Menosi dhe ishte i lidhur, përmes dërgatës austro-hungareze me vetë Stambollin. Të dyja palët hynë në garë, kush e kush merrte më parë paratë e tregtarëve shkodranë. Një komision i përbërë nga tregtarë të të dy besimeve e mori barrën e rëndë që të vendoste për ofertën më të mirë. Firma franceze kishte kërkuar 36 mijë napolona florinj, firma e dytë vetëm 20 mijë. Sigurisht që fituan të dytët. Këta patën edhe mbështetjen e qeverisë së Stambollit.

Kështu patën nisur ndërtimet për një digë në derdhje të Bunës. Për të siguruar financimin e projektit, madje ishte vendosur edhe pagesa e një takse të veçantë. Porse, një ditë prej ditësh, vetë drejtuesi i punimeve, inxhinier Menosi u mbyt në mënyrë enigmatike në ujë. Buna e kishte "thithur" njeriun që deshi ta nënshtronte. Shumë shpejt pas kësaj ngjarjeje tragjike punimet për nënshtrimin e ujërave që rrethojnë Shkodrën u ndërprenë. Parruca, iniciatori i idesë, u kërkoi ortakëve që të paguanin pjesën që u takonte nga 250 napolonat e parë që u detyroheshin francezëve, por askush nuk iu përgjigj. I dëshpëruar dhe i zhgënjyer vendos atëherë të shesë të gjithë pasurinë e tij dhe të largohet. Të moçmit thonë se u betua se nuk do të shkelte më kurrë në Shkodër, jo vetëm ai, por edhe pasardhësit e tij. U vendos në Udine, në Itali. Që atëherë nuk dihet më shumë gjë për fatin e kësaj familjeje ëndërrimtarësh.


(Për më gjerë shih: Hamdi Bushati, Shkodra dhe motet, "Idromeno", Shkodër 1999, vëllimi II. Foto nga Agim Parruca, Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar, Tiranë 2003.)

Një trishtim 7-shekullor


Në 1930, Ermanno Armao, ishte konsull i Italisë në Shkodër. E pat mrekulluar një hartë e vjetër venedikase e hartuar nga një misionar katolik venecian, At Coronelli. Vendos t‘i shkojë nga pas kësaj harte të shekullit XVII dhe të shohë ndryshimet. Ja se çfarë ka shënuar për kishën e Shirgjit:

"Dokumentet e para që përmendin abacinë e Shirqit të çojnë në shekullin XII dhe kisha në formën e saj të sotme, me tri salla të stilit gotiko-romanik, nëse duam t‘u besojmë dy mbishkrimeve latine të vendosura në ballë, do të ketë qenë ndërtuar më 1292 nga e veja e Uroshit I, mbretëresha Elena, e cila sigurisht nuk ishte e bija e Baldovinit II, perandor i fundit latin i Lindjes, por motra e gruas së një bujari francez, Anselm de Chau, i ardhur në Shqipëri duke ndjekur mbretin e Napolit Carlo d‘Angoi: dy motrat duket se kanë qenë edhe ato franceze, nuk dihet se bijat e kujt ishin por prindërit e tyre, siç thotë një kronikan, ishin "të pasur e të famshëm".

Një abaci e thjeshtë murgjish benediktinë italianë bashkë me kishën e saj të vendosur nën lutjen e Shenjtërve Shirgj e Bah, kulti i të cilëve ishte përhapur nga Lindja mbas shekullit VI, vendi i Shirqit, përmes tregtarëve të Raguzës, u bë porti i madh lumor i Shkodrës, nga e cila ndodhet 5 milje larg. Mori një zhvillim edhe më të madh me pushtimin venedikas dhe në 1400-tën gjejmë këtu, pranë abacisë së pasur e të begatë, një zyrë doganore, depozita mallrash dhe magazina të mëdha kripe.

Me pushtimin turk, abacia u desh të braktisej dhe, me sa duket, u ndërpre lundrimi në Bunë. Kur u rikthye të lulëzojë tregtia shkodrane përmes ulqinakëve, në gjysmën e shekullit të kaluar, vendi i ankorimit të anijeve u desh të mbartej në Obot, 2 kilometra tatëpjetë lumit, për shkak të disa shtomiesh ranore në mes Shirqit e Obotit…

Sot shkretimi është edhe më i madh. Vendi është krejt i shkretë dhe Buna rreh anët e kishës. Absida ka disa vite që ka rënë e tëra në lumë dhe nëse nuk merren masa, sikurse unë vetë ia kam këshilluar atij që e ka për detyrë, monumenti më i bukur mesjetar i Shqipërisë Veriore shpejt nuk do të jetë më shumë se një kujtim i trishtueshëm".


(Shih: Ermanno Armao, Vende, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore, Korbi, Tiranë 2006).



Komenti 2printer friendly
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Eurodita Live - Trokit




Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

G F 3D Photography
Lexime te Tjera
Shkodra ne Youtube

Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2454 sec, 0.0365 of that for queries. DB queries: 45. Memory Usage: 2,369kB