News Item: : Tre hoxhallarve te shquar i jepet titulli "Qytetare Nderi"
(Category: NDERI I SHKODRES)
Posted by :::ShkoderZemer
Monday 09 May 2011 - 11:47

Më 6 maj 2011, KMSH, Myftinia Shkodër ka zhvilluar një ceremoni solemne me rastin e akordimit të titullit të lartë “Qytetar Nderi” për tre hoxhallarë të shquar, si: H. Muhamed Bekteshi, Salih ef. Myftija dhe H. Esat Myftija (ish-kryetar i KMSH-së në vitet 1966-1967).


Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësuesi i KMSH-së dhe njëkohësisht drejtori i Kulturës z. Genti Kruja, prefekti i Qarkut Shkodër z. Maxhid Cungu, kryetari i Bashkisë z. Lorenc Luka, kryetari i Këshillit Bashkiak z. Bardhyl Lohja, kryetari i Këshillit të Qarkut z. Gjovalin Kolombi, personalitete të qytetit, intelektualë, besimtarë dhe qytetarë të shumtë.

Ceremonia ka nisur me një dokumentar rreth 15 minuta mbi jetën dhe veprën e këtyre hoxhallarëve të shquar, të cilët ia përkushtuan jetën e tyre mësimeve të fesë islame dhe vlerave kombëtare shqiptare.

Më pas, në fjalën e tij Myftiu Imam Muhamed Sytari ka vënë në dukje se jeta dhe vepra e këtyre burrave të shquar është një shembull që duhet ndjekur nga brezat. “Ata, jo vetëm që shërbyen për interesat e fesë, por dhanë një kontribut të dukshëm në mbrojtjen e vlerave tona kombëtare, që burojnë pikërisht përkushtimi i këtyre burrave dhe dashuria e tyre për besimin, dijen dhe përparimin e shoqërisë. Nderimi i këtyre tre hoxhallarëve është një detyrim më i madh për ta vazhduar rrugën e tyre, lartësimin e vendit të dijes, përkushtimit dhe ruajtjes së harmonisë në shoqëri” ka theksuar Myftiu. Njëkohësisht, ai ka falënderuar Këshillin Bashkiak të Shkodrës për këtë titull të lartë të akorduar për këta hoxhallarë të nderuar.

Me shumë emocion, të pranishmit e shumtë që kishin tejmbushur sallën e konferencave në GHE, kanë ndjekur dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” për secilin prej hoxhallarëve, dorëzuar familjarëve të tyre.


This news item is from Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV
( http://www.shkodraonline.com/news.php?extend.4636 )


Render time: 0.1058 sec, 0.0512 of that for queries. DB queries: 20. Memory Usage: 1,720kB