News Item: : Vllaznia prezanton Vilfor Hysën: Besimin do ta shpërblej me gola
(Category: SPORT)
Posted by :::ShkoderZemer
Sunday 29 July 2012 - 05:53

Mapo - Vllaznia gjen sulmuesin për sezonin e ardhshëm. Ashtu siç pritej Vilfor Hysa ka firmosur kontratën njëvjeçare me kuqeblutë, duke shuar aludimet në media për të ardhmen e tij, por dhe për lojtarin që duhet të jetë në majën e repartit të avancuar tek Vllaznia. Në ambientet e klubit pranë stadiumit “Loro Boriçi”, sulmuesi tiranas ka firmosur kontratën që do e lidhë me shkodranët për një sezon. Kjo duket të jetë


zgjedhja përfundimtare e trajnerit Shpëtim Duro, i cili pasi nuk arriti të siguronte shërbimet e kroatit Pero Pejiç, mbylli me sukses afrimin e 22-vjeçarit.

Vetë Hysa, është shprehur i lumtur për aventurën e re, duke deklaruar se do të kërkojë që ta shpërbejë besimin e drejtuesve të Vllaznisë duke shënuar sa më shumë gola. “E kam të qartë se të gjithë presin shumë nga unë, por nëse më vijnë topat e duhur, golat nuk do të mungojnë,” ka thënë sulmuesi tiranas në fjalën e tij të parë si lojtar i Vllazninë.

Edhe pse karakteristikat e Pejiç me Hysën janë të ndryshme, për sa i përket sulmit duket që merkato të jetë e mbyllur, duke përjashtuar mundësinë e afrimit të ndonjë lojtari që të luajë rolin e alternativës për Hysën. Me afrimin e ish-sulmuesit të Tiranës konfigurohet për momentin formacioni i Vllaznisë që sheh plot tetë lojtarë të afruar në këtë merkato vere. Vujadinoviç, Smajli dhe Hajdari janë emrat e formacionit bazë që e mbyllën sezonin e kaluar me fanellën kuqeblu.

Ndërkohë janë tetë lojtarët e afruar duke nisur nga njohjet e vjetra Beqiri, Shtubina dhe Nallbani, për të vijuar me Osmanin, Begajn, Delic, Dragoi dhe Hysa. Me këta lojtarë në dispozicion por edhe të rinjtë e ardhur nga akademia, drejtuesit e Vllaznisë e shohin të kompletuar skuadrën, duke përjashtuar ndonjë afrim cilësor të orëve të fundit.


This news item is from Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV
( http://www.shkodraonline.com/news.php?extend.5159 )


Render time: 0.0636 sec, 0.0229 of that for queries. DB queries: 20. Memory Usage: 1,720kB