News Item: : Shkodër, plagoset me katër plumba biznesmeni ndërtues
(Category: SHKODRA SOT)
Posted by ::bud::
Monday 22 April 2013 - 10:06
Atentat me armë pronarit të firmës së ndërtimit “Besa konstruksion” në Shkodër. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar 5 herë me pistoletë në drejtim të 45-vjeçarit Besnik Fangaj teksa po futej në banesë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Sipas uniformave blu, edhe pse ka marrë pak plagë në trup, gjendja e tij shëndetësore disa orë më vonë paraqitej jashtë rrezikut.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të së premtes, kur biznesmeni Besnik Fangaj, pasi ka zbritur nga automjeti dhe po hynte në pallatin ku banonte në afërsi të stadiumit, është qëlluar disa herë me pistoletë nga një person që ndodhej brenda një automjeti. Autori i atentatit, siç duket nga rrethanat, ka ndjekur lëvizjet e biznesmenit dhe ka pritur momentin kur ai do të zbriste nga automjeti. Sapo ka dalluar siluetën e 45-vjeçarit Fangaj, ndaj tij është qëlluar me pistoletë 5 herë dhe, pas kësaj, autori i ngjarjes është larguar me shpejtësi pas kryerjes së krimit. Për pasojë, 4 plumba e kanë marrë biznesmenin në pjesën e shpatullës nga prapa. Biznesmenit të plagosur i kanë ardhur në ndihmë rojet private të bizneseve që gjendeshin aty pranë dhe, pasi e kanë ndihmuar për ta hipur në një automjet, e kanë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës, ku menjëherë i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas është dërguar në reanimacion. Sipas bluzave të bardha, gjendja e të plagosurit nuk është e rëndë, ndaj dhe ai është jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta Policie, të cilat fillimisht kanë nisur të mbledhin provat e krimit. Nga këqyrja e vendit janë konstatuar 5 gëzhoja të armës së krimit, që rezultojnë të jenë të një pistolete TT. Njëkohësisht me sekuestrimin e provave materiale, blutë kanë marrë në pyetje edhe rojën e objektit ku banonte biznesmeni, për ta pyetur nëse e ka parë atentatorin apo ndonjë lëvizje të dyshimtë gjatë kësaj kohe përpara blloqeve të pallateve ku ndodhi ngjarja. Nga ana tjetër, efektivat e Policisë pritet të marrin edhe filmimet e kamerave të sigurisë të disa objekteve që gjenden pranë vendit të ngjarjes, për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të ngjarjes, por pistat kryesore ku po hetohet është ndonjë konflikt i mundshëm pronësie, mbi trojet ku biznesmeni mund të ketë ndërtuar pallatet e tij, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë tentative grabitjeje. 45-vjeçari është nga fshati Bardhaj i komunës Rrethina dhe prej 5 vitesh ushtronte aktivitetin e tij si biznesmen ndërtimesh në zona të ndryshme të qytetit. Është i martuar dhe njihet si person tejet korrekt në marrëdhëniet e tij me njerëzit dhe person pa asnjë precedent të mëparshëm. Familjarët e të plagosurit kanë pohuar se i afërmi i tyre nuk ka pasur asnjëherë probleme apo konflikte me ndokënd, madje ai ka qenë një peron tejet i respektueshëm si me punonjësit e tij, ashtu edhe me personat që ka kontraktuar për ndërtime.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
This news item is from Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV
( http://www.shkodraonline.com/news.php?extend.5241 )
Render time: 0.1864 sec, 0.0728 of that for queries. DB queries: 20. Memory Usage: 1,726kB