News Item: : Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
(Category: SHKODRA SOT)
Posted by ::bud::
Monday 22 April 2013 - 10:10

Sot në Shkodër, dy kryetarët do të nënshkruajnë koalicionin parazgjedhor në prani të përfaqësuesve të së majtës europiane.

Rama dhe Meta kanë zgjedhur që të firmosin marrëveshjen e tyre për koalicionin e përbashkët të zgjedhjeve të qershorit në Shkodër, në prani të përfaqësuesve të së majtës europiane. Burimet nga të dyja partitë flasin për një formalizim- nënshkrim të marrëveshjes që tashmë është bërë fakt: të dyja partitë do të shkojnë së bashku në një koalicion parazgjedhor në garën e 23 qershorit

Nga palët nuk jepen shumë detaje, por konsiderohet normale që dokumenti që do të nënshkruhet sot pasdite në Shkodër nga Meta dhe Rama, të bëjë fjalë për fazën para 23 qershorit. Më pas, sipas burimeve, palët do të ulen për të tjera bisedime, duke pasur mbi tavolinë rezultatet e zgjedhjeve. Kreu i LSI-së, Meta, para pak ditësh tha se “roli i LSI-së do të përcaktohet nga vota që do të marrë LSI-ja, pra nga kontributi që ajo do të japë për sukses të përbashkët.” Ai hodhi poshtë edhe zërat që flisnin këto ditë se kandidatë nga kjo forcë do të futeshin në listat e kandidatëve të PS-së në vende të sigurta fituese për të pasur gjithmonë një kutë garancie. Por kryetari i LSI-së tha se “është jonormale dhe nuk ka arsye pse. LSI është një forcë politike, e cila në bazë të këtij Kodi dhe kësaj zgjedhjeje që ka bërë, maksimizon në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e mandateve të saj.”

Shkodra

Në konferencën rajonale të PSE-së (Partia Europiane Socialiste) në Trieste, pak muaj më parë, të majtët europianë i dhanë mbështetjen e tyre politike kryetarit të së majtës italiane, Bersani, për zgjedhjet që ishin në prag. Po kështu edhe socialdemokratët në Bukuresht. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe nesër në Shkodër, ku do të shprehen në mbështetje të fitores së koalicionit opozitar dhe posaçërisht të dyshes Rama-Meta. Burimet bëjnë me dije se edhe në Trieste ka pasur apel nga të majtët europianë për bashkëpunimin e PS me LSI-në, apele që u panë publikisht pak ditë më parë kur disa nga figurat e majta të Europës kërkuan bashkimin e Ramës me Metën dhe votimin e tyre nga elektorati shqiptar.

Koalicioni

Formalizimi i koalicionit të përbashkët PS-LSI që do të siglohet sot nga Rama dhe Meta, vjen 24 orë para se koalicioni i opozitës të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Krahas këtyre partive kryesore në të pritet të jenë edhe shumë subjekte të tjera politike, që ekzaktësisht do të mësohen pasi lista të jetë zyrtarizuar në KQZ.

Rama dhe Meta dy javë më parë koordinuan lëvizjet e tyre politike për të bërë publike bashkëpunim e tyre për zgjedhjet e 23 qershorit. Më 1 prill Meta takoi kryeministrin Berisha, ku komunikoi vendimin e LSI-së për t’u shkëputur nga koalicioni i djathtë dhe mazhoranca. Pas një ftese publike të Ramës për LSI-në, Meta arsyetoi se ftesa pranohej për të krijuar një ekuilibër të ri politik dhe për një ekuilibër të ri të pushteteve, që sipas tij janë të përqendruara në një parti të vetme. Kur gjithë opinioni ishte duke analizuar 360 gradë këtë kalim, erdhi kriza e KQZ-së. Berisha dhe mazhoranca vendosën që, meqë LSI e kishte marrë anëtarin në KQZ si pjesë e mazhorancës, pikërisht aty duhej të vendosej balanca politike. Ndaj, të hënën e kaluar mazhoranca shkarkoi Ilirjan Muhon dhe zgjodhi me votat e tre ish-deputetëve socialistë Klement Zgurin, të propozuar nga PR. Meta dhe Rama u përgjigjën duke tërhequr të tre komisionerët e opozitës në KQZ.

nga Mapo





This news item is from Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV
( http://www.shkodraonline.com/news.php?extend.5243 )


Render time: 0.0844 sec, 0.0200 of that for queries. DB queries: 20. Memory Usage: 1,023,156B