Hyrje
Chat
Art
Forumi
Fotografi
Futboll
Histori

Mire se erdhet tek Shkodraonline.com
Sot eshte

 

Gjergj Fishta
Nga jeta dhe vepra e autorit (1871-1940)
I pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmim nobel, prozator, poet, përkthyes. "Militant i letërsisë shqipe" - cilësuar nga Lasgush Poradeci. "Poet kombëtar i shqitarëve" - Eqerem Çabej.
Më 1913 botoi librin "Mrizi i Zanave" dhe pas 35 vjet pune, më 1937 nxorri "Lahuta e Malcis", një vëllim prej 17 000 vargjesh, që u cilësua si Iliada shqiptare ose Bibla e lëvruesve të shqipes.
Ishte kryetar i kongresit të Manastirit dhe propozimi i tij fitoi në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në tetor 1913 nxjerr revistën "Hylli i drites", ndërsa më 23 tetor 1913 shpalos flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia.

Gjuha shqype

Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjáma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu á' gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; á' e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'ameshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thánun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhánun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn k'ta djalë mbas djali.

Shqyp na vete, po pik' má para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp má s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë k'ta për dhé t'Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xúni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kenë ndera e trimnive.

Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për té gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
N'per gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!


[ Më tepër për Fishtën ]

[Faleminderit nga Arben Cokaj]


[Hyrja] [Kontakt
] [Kush jemi ne] [Reklama] [ ]
1999-2002 Shkodraonline.com - Te gjitha te Drejtat e Rezervuara
Ju Lutem Respektojeni Punen tone