Hyrje
Chat
Art
Forumi
Fotografi
Futboll
Histori

Mire se erdhet tek Shkodraonline.com
Sot eshte

 

MIGJENI (1911-1938) - jeta dhe vepra.
Lindi në Shkodër më 13 tetor 1911. Pas kryerjes së shkollës fillore, gjysmë të mesme dhe seminarit ortodoks, punoi si mësues në fshatin Vrakë, në Shkodër dhe në Pukë. Migjeni solli elemente të reja në letërsinë shqipe, sidomos në pasqyrimin ekzistencial të jetës së njerëzve të varfër. "Vargjet e lira" është përmbledhja e poezive të tij, ndërsa "Novelat e qytetit të veriut" përmbledhje e prozave, të cilat u botuan vetëm pas vdekjes. Migjeni ishte ndër të rrallët shkrimtarë të kohës, që spikatën amoralitetin kohor, absurditetin e zakoneve të përçudnuara, injorancën e regjimeve despotike. Ndër vjershat më të spikatura mund të përmenden "Të birtë e shekullit të ri", "Recital i malësorit", "Kanga e rinisë", etj. Ndërsa në prozë, "Luli i vocërr", "Legjenda e misrit", "... bukën tonë të përditshme falna zot", etj. Në dhjetor 1937, ai niset për në Itali, për t'u kuruar në senatoriumin San-Luigji të Torinos, pastaj në Spitalin Torre Pellice, ku dhe në një qetësi hyjnore ndërroi jetë me 26 gusht 1938.

Të birtë e shekullit të ri

Na t'birt e shekullit të ri
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij,
e çuem grushtin për me luftue
nder lufta të reja
dhe me fitue...
Na të birt e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot
ku djersë e ballit u dikonte kot -
se dheu i yne qe kafshatë e huaj
dhe ne marrëzi duhej shumë shtrejtë t'u paguejm
Na t'birt e shekullit të ri
vllazen të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast'i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditem me thanë:
s'duem me humbë
në loje të pergjaktë të historis njerëzore,
jo! jo, s'i duem humbjet prore
duem ngadhnjim!
Ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S'duem për hir
të kalbsinave të vjetra që kërkojne "shejtnim"
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap, kangët e trishtimit,
- kangen monotone, pa shpirt, të skllavnis -
të jem' nji thumb i ngulun nder trutë e njerëzis.
Na të birt e shekullit të ri
me hovin tonë, e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
dhe për fitore kem me ra fli.
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Recital i Malcorit

O' si nuk kam nji grusht të fortë
t'i bije mu në zemer malit që s'bëzanë,
ta dij edhe ai se ç'do me thanë i dobët -
n'agoni të përdridhet si vigan i vramë,

Unë - lugat! Si hij'e trazueme,
trashëgimtar i vuetjes dhe i durimit,
endem mbi bark te mallit me ujen e zgjueme
dhe me klithma të paknaquna t'instinktit.

Mali hesht. Edhe pse për dite
mbi lëkure të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjete nji kafshate ma të mirë...
Por me rrenë shaka shpresa gënjeshare.

Mali hesht - dhe në heshtje qeshë.
E unë vuej - dhe në vuejtje vdes!

Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qeshë?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

O, si nuk kam nji grusht të fuqishëm!
Malit që hesht mu në zemër me ja njeshë
Ta shof si dridhet nga grusht'i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem tu u qesh.
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Luli i vocërr

Askush s'e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n'oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s'i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe...shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t'i ngrohi kambët. - Por kur s'ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis... Noshta, ndoshta...
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t'i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.


[Faleminderit nga Arben Cokaj]


[Hyrja] [Kontakt
] [Kush jemi ne] [Reklama] [ ]
1999-2002 Shkodraonline.com - Te gjitha te Drejtat e Rezervuara
Ju Lutem Respektojeni Punen tone