Hyrje
Chat
Art
Forumi
Fotografi
Futboll
Histori

Mire se erdhet tek Shkodraonline.com
Sot eshte

 

Vinçens Prenushi
Nga jeta dhe vepra e autorit (1885 - 1949)
At Vinçens Prennushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Boton më 1911 në Sarajevë vëllimin e parë të "Visaret e kombit", me titull "Kangë popullore gegnishte" (Veri, Kosovë, Shqipni e Mesme), më 1918 botoi "Fjala e Zotit" si dhe "Grueja shqyptare", më 1924 "Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë", etj. Përktheu gjithashtu disa vepra nga Dante, Wisseman, Slenklevicz, etj.
Dënohet pa faj me 20 vjet burg më 1947, por vdes më 19 mars 1949 nga astma. Shpallet "Martir i Demokracisë" më 8 maj 1993 në Durrës.

Kuq e zi (28 nanduer)

Fishkllon veri, ushton duhija,
Bjeshkët për rreth mbushen me borë:
Por kjo stinë për ne â me orë,
Qysh se i lule me rrit desht:
Rriti lulen kuq e zi,
Qi â ma e bukra e ksajë Shqypni.

Ngjyra e sajë, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqypnis;
Lule â kjo, lule lirike,
Qi ne nderën n'vend na e çon,
T'falem, lule kuq e zi,
Si ty s'rritë mâ kjo Shqypni.

Kuq si gjaku, si përhera
N'dej t'Shqyptarve idhtë pat vlue,
Zi si futa, qi pat mlue
Njat anmik qi me e njoft s'desht.
T'falem, lule kuq e zi,
S't'ka kush, jo, posë ksajë Shqypni.

Ty t'bajnë burra nder lamije,
Vashvet parzmat jau stolise;
Je nderue nder kome e fise,
Si dhanti e t'Naltit Zot.
Shejtë â lulja kuq e zi
E â ma e çmueshmja e ksajë Shqypni.

N'çdo kremtim, n'gzime komtare
Mbledhë Shqyptari çetë mas çete,
Gjallnim s'ka, nuk nep shej jete,
Kur ket lule ngjet s'e shef.
Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi
Qi â ma e hiejshmja e ksajë Shqypni.

Rueje, pra, Shqypni fatlume,
Ket dhantin e t'Përgjithmonit,
Afer lterit, afer fronit,
Nder dir gzimit e n'mjerim,
Rueje lulen kuq e zi
Qi s'ka shoqen n'ket Shqypni.

[Faleminderit nga Arben Cokaj]


[Hyrja] [Kontakt
] [Kush jemi ne] [Reklama] [ ]
1999-2002 Shkodraonline.com - Te gjitha te Drejtat e Rezervuara
Ju Lutem Respektojeni Punen tone